Thursday, March 24, 2005

Nje entuziazem zhgenjyes

Nese do te me pyeste ndokush se si me reagoi truri i vogel, ai ku thuhet se kemi vatren e emocioneve, kur pa ate lloj entuziazmi mediatik me te cilen e paraqiti nje pjese e mire e shtypit pro opozites berjen serisht bashke te themeltareve te Partise Demokratike, pas kthimit te Gramoz Pashkos dhe Genc Rulit, sinqerisht pergjigja e pare qe do te jepja eshte: ndjeva gerdi. Shkurt dhe me shqip: me erdhi per te vjelle! Pastaj do te shtoja: me kapi nje deshperim i madh, nje pashpresesi e madhe, nje pafillimesi e madhe. U ndjeva keq me nje fjale. Nuk di si ta shpjegoj kete ndjenje. Ndoshta keshtu ndjehet nje i semure qe, pasi eshte sorollatur nga nje grup mjekesh ne nje tjeter, pa gjetur derman, me ne fund i rekomandojne mjeket e pare qe i ka dhene kuren e gabuar, e prandaj nuk i bejne kembet te trokase ne ate dere.

E mu desh nje cope here te merrja veten e t'i kthehesha trurit te ri (neokorteksit), atje ku thone se kemi vatren e arsyes, qe te me jepte nje cike ftillim e te me shpjegonte pse ky deshperim, sepse nuk mund te mos me vinte ndermend se jam po une ai njeri qe ka thene se gjendja me deshperimisht deshperuese ne kete vend eshte Fatos Nano dhe partia e tij? Shpejt e shpejt neokorteksi me solli disa motive te deshperimit:

Se pari, me tha, sepse ndjehesh ne gracken e te njejtes klase politike qe sillet e versillet dhe eshte po aty dhe po ajo.

Se dyti, sepse ti kerkon ndryshim ne emer te me shume moraliteti, respekti per veten, e drejtesie e dinjiteti. Ndersa kur sheh se keta bredhin e ikin e vijne e askush nuk i denon dhe askush denohet- qofte edhe moralisht- por bashkohen e ndahen e bashkohen pasi jane share e ndotur e akuzuar gjer ne palce, kane korruptuar e jane korruptuar- kjo nuk eshte premtim per drejtesi, por vetem sa e ndot edhe me moralisht skenen politike.

Por ajo qe duket se me ngjalli me shume deshperim eshte menyra manipulative dhe mistifikuese se si paraqitet ky kthim ne vitet '90. Edhe vete kam shkruar, jo me larg se ne shkrimin para ketij, se duhet te kthehemi ne endrren e viteve '90 per demokraci dhe liri. Por nuk me duket se kthimi mund te behet keshtu, duke mistifikuar themeltaret. E kam fjalen se ky kthim kerkon nje reflektim te thelle per kete 15 vjet dhe mbi te gjitha per pergjegjesite, e jo sikur te mos kene kaluar 15 vjet, por 15 dite. Kurse nuk shoh ndonje reflektim, e aq me pak vetereflektim nga protagonistet.

Une nuk e kam pare Pashkon, psh. te reflektoje mbi ate cekun e bardhe qe per mua ishte fillimi i politikave mashtruese qe na sollen pastaj piramidat dhe as per "shock terapine" e tij qe rezultoi nje shock pa terapi qe na futi ne nje koma nga nuk kemi dale akoma. As Rulin te na shpjegoje se pse ai ndejti deri me '97- ten tek PD- ja kur Pashkua e la qe ne '92- shin. Dhe as Meksin te pranoje qofte edhe ndonje pergjegjesi te vogel per piramidat, pervec asaj se nuk e kerkoi me shpejt gjendjen e jashtezakoneshme e nuk i pastroi me zjarr dhe me hekur rebelet e nxitur nga greku.

Agje nga keto e te tjera ceshtje si keto nuk kam pare t'i dialogojne me njeri- tjetrin e as me opinionin publik. Perkundrazi Berisha me shoket e tij bashkthemeltare na paraqiten sikur te jene baballaret dhe vellezerit tane te medhenj te cilet nuk ka rendesi se na kane rrahur e na kane ardhur ne shtepi te dehur e na kane vjedhur, rendesi ka qe jane baballaret e vellezerit tane themeltare, te cileve kemi per detyre tu bindemi e t'i adhurojme derisa te vdesin. Po keshtu Partia Demokratike cilesohet si partia e ndryshimit te madh te viteve '90, e fare pak reflektim ka mbi ate se themelet e ketij sistemi te korrupsionit e te trafiqeve te droges e njerezore, e te abuzimit me pronen publike, qe socialistete pastaj i institucionalizuan, u hodhen nga Partia Demokratike. E keqja e vetme qe i paska ndare keta del se ishte autoritarizmi i Berishes.

E vertete eshte, por sot kjo e vertete nuk vlen shume, pasi autoritarizmi nuk eshte ashtu dhe aq rrezik sa korrupsioni e abuzimi me publiken, sepse Berisha edhe sikur te doje sot nuk behet dot autoritar ashtu sic ishte ne fillim vitet '90. Sot do te kisha dashur shume me teper qe keta te ishin ndare nga Berisha per shkak te korrupsionit, por fatkeqesisht nuk me rezulton keshtu. Po ne te njejten fryme mistifikuese, PD- ja na paraqitet si parti e djathte, ku keta "te djathte", bij plangprishes, kthehen me ne fund,- a thua se "e djathta" te ishte nje lloj djathi gjithushqyes qe mema parti e djathte na e hedh nga qielli si Zoti ebrejve manen,- nderkohe qe, sipas mendimit tim, keto 15 vjet kane treguar se vendi ka nevoje per nje te majte te vertete qe do te luftoje per pak me shume drejtesi sociale dhe per nje rivleresim te publikes.

Pas ketij momenti te dyte arsyetimi neokorteksi im e morri disi veten nga goditja qe i dha truri i vogel dhe shtroi per zgjidhje edhe ceshtjen tjeter, ate me prioritaren: Por mos do te thote kjo se ti kerkon te mbetet Fatos Nano ne pushtet? Absolutisht jo. Kjo do te me deshperonte edhe me shume sesa entuziazmi i rrejshem per Pashkon dhe Rulin dhe Selamin dhe Meksin ne tribunen e Berishes.

Vetem ca me pak entuziazem dhe ca me shume seriozitet zoterinj opozitare. Nese tregoni se i gezoheni pushtetit dhe nuk i ruheni rrezikut qe keni perpara, atehere kjo eshte shenje se asgje nuk do te ndryshoje edhe me ju. Nese ky entuziazem nuk eshte naivitet, sic nuk besoj se eshte, atehere eshte manipulim i opinionit dhe gezim i pushtetit per pushtet. Nese Ruli dhe Pashko duhen vene ne tribune per t'i treguar opinionit se anijen socialiste ne mbytje e siper po e braktisin nje nga nje te gjithe, kjo mund te jete inkurajuese per ju, por nuk eshte kurrsesi e mjaftueshme per te na ngjallur besim se anija juaj eshte e shendoshe.

Sepse edhe ai me budallai e di sot se gjendja nuk ndryshon as me heqjen e Fatos Nanos dhe as me kthimin e Pashkos dhe Rulit ne PD, por me shkaterrimin e sistemit qe PD e inicioi dhe PS e institucionalizoi. Dhe, po te keni vertet qellim shkaterrimin e ketij sistemi, duhet te jeni ca me shume serioze per te na treguar se jeni te vetedijshem per kete; e per ate se armiqte e vertete, mund te jene sot duke hipur jo vetem ne tribunat e anijes suaj, por edhe nga te carat qe jane hapur e po hapin ne barkun e saj.

Read More......

Monday, March 21, 2005

Virtyti politik i demokracisë dhe fushata

Korrieri, 19 mars 2005


“Virtyti politik i demokracisë - thotë Montesquieu - konsiston në heqjen dorë nga vetvetja; në vënien në mënyrë të vazhdueshme të interesit publik përpara interesit vetiak, çka është punë mjaft e lodhshme për tu përballuar.”
Nëse do të donim të trajtonim moralin politik shqiptar të periudhës pas komunizmit (s’po kaloj më përpara) nuk mund të ketë parim moral që do ta zbërthente atë më mirë sesa ky parim i Montesquieu mbi virtytin politik. Më duket e tepërt të përsëris të stërpërsëriturën se, parë nën prizmin e këtij virtyti, klasa jonë politike do të karakterizohej nga ai që Montesquieu mund ta quante “antivirtyt” dmth nga vënia në mënyrë të vazhdueshme e interesit vetiak mbi interesin publik, nga “lodhja” për të gjetur rrugë se si të grabitet publikja, nga “durimi”, për të përballuar çdo lloj akuze publike për vjedhje, korrupsion moral e material, servilizëm e hipokrizi në ëmër të interesit “të lartë” vetiak. E nuk ka dyshim, po ashtu, se mungesa e këtij virtyti tek politikanët është tregues i mungesës së tij në shoqëri.
Pasi thua këtë mbetesh i mbërthyer nga heshtja dhe pafuqia, sepse e ke të vështirë të gjesh ndonjë ide se si do të mund të futej ky virtyt në etikën politike shqiptare. E, duke mbetur deri këtu, rrezikon të të përgjigjet ndonjë “intelektual” (nga të shumtit sot në Shqipëri) e të të thotë: Pse shkruan, atëhere? Hesht, dhe merru me punët e tua, mos fut hundët në punët e të tjerëve!
Mirëpo, ndërkaq, dëmi që sjell mungesa e këtij virtyti ka qenë dhe është aq i madh, saqë, nëse ka sfidë sot shoqëria shqiptare për të përballuar, është pikërisht sfida e gjetjes së rrugëve për të implementuar këtë virtyt në shoqërinë shqiptare Duke përfshirë edhe intelektualët, madje, sepse një tjetër frëng, Sartri, atë që thotë Montesquieu për politikanin brenda nesh e thotë për intelektualin brenda nesh kur cilëson si intelektual bash atë që “fut hundët” në punët e të tjerëve – dmth. ne punët publike. Aq më e ndjerë bëhet kjo sfidë në fushatat elektorale, kur politikanët kanë filluar të përzgjedhin mes vetes kandidatët për deputetë në parlament dhe intelektualët janë angazhuar tu japin atyre ide dhe mbështetje aktive. Prandaj them se, ndonse nuk gjejmë dot një recetë shërimi të menjëhershëm, nuk duhet të reshtim së foluri për nevojën e gjetjes së rrugëve për të implementuar këtë virtyt politik ashtu sikurse të denoncojmë edhe antivirtytin që na ka pllakosur. Mendoj se fushatat zgjedhore janë ato kur shoqëria është më aktive dhe më e hapur se kurrë për të menduar për këtë virtyt e për ta implementuar atë.
Mund të thuhet se, paradoksalisht, ndonëse virtyti i predikuar nga Montesquieu qysh para afro tre shekujsh është aq i njohur dhe jo vetëm, por edhe aq i praktikuar në botën ku aspirojmë të hyjmë, në këtë nahinë tonë duket si një gjësend që jo vetëm e shohim të na qëndrojë përballë i paarritshëm, pa pasur asnjë lloj ideje se si t’i afrohemi, por edhe që na largohet përditë. Madje këtë paradoks e kemi shumë të gjallë edhe në këtë fushatë sepse, ndërkohë që lufta politike bëhet kryesisht duke tentuar të preken kordat që e bëjnë njeriun të revoltohet ndaj vjedhjes, bashkëpunimit mafjoz, abuzimit me pushtetin, më anë tjetër mënyra se si bëhet kjo na bën të ndjehemi të zhytur në një batak ku hajdutët bërtasin në emër të virtytit të Montesquieu kapeni hajdutin, vrasësit kapeni vrasësin, mashtruesit kapeni mashtruesin, spiunët kapeni spiunin pa e kuptuar as vetë pse e bëjnë këtë, kujt ia drejtojnë ato klithma, votën e cilit hajdut, vrasës, mashtrues apo spiun kërkojnë të tërheqin. E në krye të kësaj zullumhanie duket se qëndron gazeta e partisë në pushtet e cila (parti) nuk ka çudi që të dalë në fushtë elektorale me slloganin: “Kujtoni sa vrazhdë ju vodhi Berisha dhe Meta. Ne ju vjedhim më shpejt, më larg më lart.”
E prap, megjithatë virtyti politik i Montesquieu qëndron si një yull polar i politikës. E prap, tani që jemi në prag të zgjedhjeve e po përzgjidhen kandidatët për deputetë ai duket se ndrit edhe më fort. Aq më tepër që shtypi po na risjell në kujtesë (për fat të keq falë shtypit dhe drejtësisë greke dhe jo atyre tona) tragjedinë ku na çoi antivirtyri i vënies së interesit publik nën thundrën e interesit vetiak, mashtrimin piramidal, duke na treguar njëkëhësisht se politika ka mbetur në dorë të po atyre mashtruesve.
Prandaj ndoshta është koha për të folur e rifolur për virtytin politik të demokracisë që na thotë të vendosim intgeresin publik mbi interesin vetiak.
Ka pasur një ide në fillim të të ashtuquajturit tranzicion kur thuhej se në fillim do të vjedhin ca këta politikanët tanë, por pastaj, pasi ta mbushin barkun e uritur dhe xhepin e zbrazët, do të fillojnë të mendojnë për të tjerët. Kam përshtypjen se sot kjo ide është përgënjeshtruar. Sot njerëzit janë ndërgjegjësuar se të mendosh kështu është njëlloj sikur të mendosh se bulimia mund të shërohet duke ngrënë. Ajo në fakt shërohet me të tjera metoda që nga dietat e deri tek psikoterapia.
Aq më e pangjashme është provuar ideja se do të lindin, ashtu si rastësisht, njerëz idealistë që do të mendojnë për të tjerët. Koha tregoi se këta, edhe nëse ka patur, i “hëngrën” bishat e egra që mund të mbijetojnë në xhunglën tonë, o i bënë të ikin nga sytë këmbët. E zorr se mund të lindë ndonjë gjë në një vend ku s’ka farë të kësaj gjëje.
Një pjesë njerëzish kanë pasur shpresë tek ringjallja e fesë dhe e njeriut të edukuar prej saj me principet morale si ata “mos ndero zotat e rrejshëm”, “mos vraj”, “mos vidh”, “duaje tjetrin si veten tënde”, “buka harram nuk bëhet hallall” etj.. Sipas meje edhe ky burim deri më sot nuk ka dhënë rezultat dhe nuk dihet a do të japë edhe për ndonjë brez..
Ka që kanë shpresuar tek rinia meqë rinia, thuhet, është më idealiste, më e gatshme për të sakrifikuar për të tjerët, më e ndjeshme ndaj padrejtësisë. Citohet edhe Çurçilli të ketë thënë se në moshën 20 vjeç duhet të jesh komunist duke nënkuptuar pikërisht këto veti të rinisë. Por të rinjtë tanë, përkundrazi, predikojnë Çurçillin 60 vjeçar, liberizmin e egër, privatizimin ekstrem, rritjen e çmimit të shitjes së vetes, “modelin amerikan” sikurse e quajnë ata. Asgjë nuk duket se po na del edhe prej tyre e aq më pak kërkesa për tua bërë harram bukën atyre që nuk e kanë hallall.
Kush nuk beson në këto “idealizma” i ka mshuar ligjit, ose më saktë nevojës së shtrëngimit ligjor, duke thënë se ai është vendosur pikërisht sepse njerëzit nuk mendohet të jenë të virtytshëm, përkundrazi bisha për njëri tjetrin. Por edhe ligji tek ne ka rezultuar një vidë që më shumë ka ecur në boshllëk, sepse e spanuar që në hapin e parë.
Të them të drejtën, duke e bredhur mendjen për të gjetur ndonjë burim në shoqërinë tonë ku do të mund t’i hidhte rrënjët e të rritej virtyti politik i Montesquieu, vështirë të mos mbetesh me gisht në gojë.
Megjithatë them se prap nuk duhet hequr dorë. Psh., Montesquieu më duket se na e jep një çelës se nga do të mund t’ia nisnim. Ai e quan virtytin politik të vënies së publikes mbi vetiaken si virtyt të demokracisë. E theksoj, të demokracisë. Pra politikani që nuk e ka këtë virtyt mund të jetë politikan, por nuk mund të punojë për demokracinë. Ai mund të punojë për autokraci, për oligarki për kleptokraci për mediakraci e për të gjitha këto së bashku, por jo për demokraci siç ka ndodhur e po ndodh tek ne.
Ndoshta këtu duhet të kapemi. Duhet të fillojmë, pra, nga ndërgjegjësimi se pa virtytin politik të demokracisë nuk mund të kemi as demokraci dhe as liri. Na duhet një kthim tek ëndrra e viteve 90 „liri - demokraci“ e rimarrë me një tjetër vetëdije, me një tjetër eksperiencë, me tjetër thellësi, me një tjetër përgjegjësi. Duhet të marrim përgjegjësitë e lirisë që na u dhurua më 1991 pa e ditur se ajo do të thoshte edhe përgjegjësi, pa e ditur se demokracia është nëj sfidë permanente. Sepse këto vite tashmë na e kanë mësuar se nuk mund të jemi të lirë jo vetëm në një regjim diktatorial, por edhe në një regjim autokratik, kleptokratik, oligarkik, midiakratik Dhe të kesh liri dhe demokraci ka një kuptim shumë të thjeshtë: do të thotë të kesh respekt për veten, do të thotë të kesh dinjitet. Ka regjime që mund të të sigurojnë më shumë siguri jete; ka regjime që mund të të sigurojnë edhe më shumë pasuri, madje. Por shpesh çmimi i këtyre është mungesa e dinjitetit, e respektit për veten ose mungesa e respektit për të tjerët çka, në thelb, është e njëjta gjë e çka më duket se është gjëja që e ndjenë të gjithë sot në shoqërinë tonë, të pasur e të varfër. Vetëm demokracia e ngritur mbi virtytin politik të vënies së interesit publik mbi interesin vetiak de e konceptuar si sfidë permanente, u siguron të gjithëve dinjitet dhe respekt.
Sipas mitologjisë greke të Protagorës, Zeusi, pa se njerëzve, edhe pasi Prometeu u dha aftësitë për të jetuar mirë, përsëri u mungonte euboulía, dmth mënçuria për të marrë vendime në të mirë të të gjithëve, sepse, sapo mblidheshin fillonin e grindeshin me njëri tjetrin dhe shpërndaheshin. Atëhere i shqetësuar nga zhdukja e farës sonë, thirri Ermesin dhe e porositi tu jepte njerëzve respekt dhe drejtësi, të cilat do tu krijonin mundësinë të ndërtonin bashkjetesën në paqe me njëri tjetrin. Ermesi e pyeti në ç’mënyrë tua shpërndante njerëzve drejtësinë dhe respektin; „a tua shpërndaj - i tha - ashtu siç kam shpërndarë artet e tjera, dmth që një njeri posedon artin e mjekësisë dhe ai mund të kurojë shumë të tjerë që nuk e kanë këtë art; apo tua shpërndaj të gjithëve?“ „Të gjithëve - iu përgjegj Zeusi, - sepse nuk do të mund të ndërtoheshin qytetet sikur respekti dhe drejtësia tu jepeshin vetëm disave. Madje vër si ligj që kush nuk pranon drejtësi dhe respekt të dënohet me vdekje, sikur të ketë kolerën“.
Këto që thashë shumëkujt mund t’i ngjajnë me leksionet që jepeshin në fillim të viteve 90 për demokracinë. Veçanërisht duke patur parasysh ethen e fushatës së këtyre zgjedhjeve ku mbizotërojnë kalkulimet se çfarë biznesmenësh e çfarë intelektualësh e çfarë kombinacioni partish e çfarë harte zgjedhore do të favorizonte fitoren e njërës apo tjetrës palë politike. Por them se kemi nevojë për ato leksione, t’i rilexojmë edhe një herë në dritën e përvojës së këtyre vjetëve. Dhe jam i bindur se sikur fushata të kishte ca më pak kalkulime dhe premtime materiale, madje dhe ca më pak akuza të ndërsjellta për vjedhje e vrasje dhe ca më shumë refleksion mbi humbjen e dinjitetit dhe respektit në këtë demokraci të dështuar që po jetojmë, njerëzit do të bëheshin më të ndjeshëm ndaj politikës. Dhe kam bindjen se do të votonin për ata që me sinqeritetin e këtij refleksioni do t’i bindnin se do të punonin për më shumë respekt dhe dinjitet, pasi mendoj se, tek e fundit, dështimi i demokracisë dhe lirisë së ëndërruar në 90-tën qëndron mu tek mosarritja e respektit dhe dinjitetit që pandehëm se fituam. E ky nuk mund të arrihet pa kultivimin e virtytit politik për të cilin flet Montesquieu.

Read More......

Thursday, March 10, 2005

Qëndrimi prej struci ndaj krimit

Ne harkun e një dhjetëditëshi në Tiranë kanë ndodhur tre vrasje nga ato që në gazetat jepen me gërma super të mëdha, të zeza, madje me foto të viktimave në faqe të parë, sa gjysma e gazetës. Që të treja janë vrasje biznesmenësh të pasur. Duke patur parasysh hapësirën që u ka dhënë media elektronike e shtypi këtyre lajmeve, edhe në raport me krime të tjera të faqes së parë, që, si të thuash, fatkeqësisht, përbëjnë bukën e përditshme të shtypit tonë, nuk mund të mos themi se janë lajme që e godasin në mënyrë të veçantë opinionin. Megjithatë, nuk mund të mos vihet re, paradoksalish, se lajme kaq të rënda e të rëndësishme trajtohen në mënyrë kaq “të lehtë” e të parëndësishme.
Ç’dua të them me këtë? Ajo që më ka rënë në sy në trajtimin e këtyre krimeve nga media elektronike dhe shtypi shqiptar është një lloj qëndrimi “prej struci ” i opinionit, me çka kuptoj një mënyrë të përjetuari sikur të jemi spektatorë të një filmi hollivudian me krim të cilin e shohim për të provuar ca emocione që në jetën e përditshme, që e kalojmë në mënyrë shumë monotone, nuk i provojmë. Pra, jo një tronditje sikur krimin ta kemi brenda ne jetën tonë, në familjen tonë si mallkim dhe si kërcënim – si një realitet tonin, pra, që duhet parë drejt në sy.
Media vazhdon të merret me detaje pa fund se si u vra Vajdin Lame: celulari, ashensori, lloji i eksplozivit, dylbitë, kamera e fshehtë, telefonatat nga Zvicra; të përshkruajë me ngjyra hollivudjane vrasjen e bisnesmenit më të madh të gipsit Harizaj: makinën, përplasjet nëpër unazë, vrasjen me katër apo pesë apo nëntë goditje thike, gjakun e tij në xhaketat e vrasësve; të përshkruajë vrasjen me silenciator të Saliut, duke na treguar edhe pjesë nga seriali i vrasjeve që kanë çuar tek kjo larje hesapesh të cilat, sipas një ditari që i është gjetur në shtëpi, rezultokan nja 12. Por ajo që mungon në mënyrë dramatike është tronditja e vërtetë e shoqërisë, me çka kuptoj edhe aftësinë për ta parë drejt në sy kriminalitetin në rritje, edhe reflektimin për shkaqet e këtij kriminaliteti të shoqëruara me pyetjen: ku po shkojmë? Të bëhet sikur media jonë, e mësuar me imitime të emisioneve perëndimore, ndalet deri në imitimin sipërfaqësor të asaj që shohim në lajmet e botës ku ka vrasje e krime nga ato që zëne faqen e parë të gazetave duke na përçuar perceptimin se është normale që edhe tek ne duhet të kemi të tilla, madje, sa më spektakolare, aq më mirë për tregun e medias. Por nuk është kështu. Pa dyshim kudo ka kriminalitet, por kemi një ndryshim të madh, së paku me vendet e botës ku aspirojmë të hyjmë: së pari ndryshimi ka të bëjë me numrin e vrasjeve në raport me popullsinë dhe, së dyti me aftësinë për ta goditur krimin, por edhe për tu tronditur nga krimi e për të reaguar vërtet ndaj tij. Tek ne numri i krimeve është katastrofikisht më i madh se në Perëndim. Ne sikur harrojmë se duke patur parasysh se popullsia jonë është rreth 15 herë më e vogël sesa e një vendi evropian si Italia psh., ku kriminaliteti ka qenë dhe mbetet një plagë, duhet të kemi 15 herë më pak lajme krimesh e jo të kemi më shumë se në lajmet e tyre siç ndodh te ne. Jo më kot ka të huaj që, duke mos e njohur Shqipërinë veçse nëpërmjet bëmave të shqiptarëve, kanë krijuar përshtypjen se jemi një vend 60 milion banorësh.
Por më shumë sesa tek numri ndryshimi qëndron tek aftësia e shoqërisë për të reaguar ndaj krimit, çka, kuptohet, nuk është pa lidhje me numrin. Në këtë shkrim nuk dua të flas për paaftësinë e organeve shtetërore për ta zbuluar, parandaluar e goditur krimin, por për paaftësinë e shoqërisë për të reaguar ndaj krimit nëpërmjet ngritjes në këmbë të opinionit – edhe kjo jo pa lidhje me të parën, madje janë dy faqe të së njëjtës medalje sepse, pa dyshim, ata që i paguajmë për të na e zbuluar e dënuar krimin nuk janë tjetër veçse një faqe e jona.

E pra, vetëm për vrasjet “e vogla” që shohim përditë në shtypin tonë në një vend normal demokratik do të ishin organizuar kushedi sa tryeza mediatike e do ishin shkruar kushedi sa faqe gazetash me komente e analiza që do të thellonin problematikën, dmth atë që qëndron prapa vrasjes; kurse, për një seri vrasjesh si ato që ndodhën së fundi në Tiranë do të kishin dalë në shesh tërë qytetarët me thirrjen: “Ndal krimit!” shoqëruar me thirrjen për dorëheqjen e kryeministrit, të ministrit të brendshëm, prokurorit e me rradhë. Kurse tek ne nuk ndodh asgjë përveç filmit. Tek ne duket sikur bota e krimit dhe bota e atyre që pretendojnë se nuk i përkasin asaj, janë dy botë më vete, të ndara, ashtu siç janë të ndara filmi me jetën e përditëshme.
Por bota e ashtuquajtur “e nëndheshme” e krimit nuk është pa lidhje me botën e mbidheshme që jetojmë e shohim përditë. Ne jemi pjesë e filmit, nuk jemi spektatorë të tij ose, më saktë, “filmi” që na duket se po shohim në darkë në emisionin e lajmeve nuk është gjë tjetër veçse sekuenca e një “filmi” ku kriminelët që kemi parë të vrasin natën, në disa sekuenca më parë, të pashfaqura në televizion, kenë qënë në një tryezë ngjitur me tonën duke pirë kafe.
* * *
Pse shoqëria jonë vazhdon të ketë një qëndrim prej struci ndaj të keqes brenda nesh, veçanërisht kur bëhet fjalë për krimin? Pse ajo bën sikur nuk e sheh atë, sikur nuk don të identifikohet me të? Pse ndërkohë që vajzat shqiptare mbushin trotuaret e prostitucionit perëndimor ne kemi bërë e bëjmë sikur kjo nuk është një punë që na përket? Pse ndërkohë që burgjet në Perëndim janë të mbushur me trafikantë prostitutash e droge, ne bëjmë sikur kjo është një botë që nuk na përket? Pse ndërkohë që krimi na plas mu në qendër të kryeqytetit ne prap bëjmë sikur kjo i përket vetëm botës së krimit e themi: le të lajnë hesapet midis tyre?
Pse ndodh kështu, pra? Dhe deri kur do të ndodhë kështu?
Sipas mendimit tim paaftësia për të parë e përballuar realitetin e zi që na rethon nuk mund të kuptohet plotësisht pa marrë në shqyrtim kulturën që kemi trashëguar prej komunizmit e që e trashëgojmë edhe sot në thelbin e vet. E kur them “kulturë” kam parasysh kuptimin më të gjerë të fjalës: mënyrën e jetesës së një shoqërie. Në këtë kontekst kam parasysh edhe se komunizmi kishte ndërtuar një kulturë të arratisjes nga realiteti për në lavdinë e një bote virtuale luftrash e fitoresh të lavdishme kundër armikut apo në një realitet po aq virtual të krijuar sipas metodës socrealiste kur “realiteti” paraqitej ashtu siç duhej të ishte jo ashtu siç ishte. Përsa i përket krimit, madje, komunizmi e kishte përjashtuar atë deri edhe nga lajmet. Ndërkohë që burgjet ordinere ishin plot me vjedhës edhe me vrasës, shoqëria nuk dinte asgjë për këtë - sepse duhej dhënë imazhi i nje vendi që nuk i kishte këto probleme.
Pa dyshim kjo kulturë është pjesë e shpjegimit pse krimi shihet sot në Shqipëri me metodën e strucit. Në dukje gjërat kanë ndryshuar sepse krimi jepet me bollëk në lajmet, por në thelb siç e thashë më lart, ay jepet si pjesë e një realteti që nuk na përket. Për rastet në fjalë, si dhe për shumë raste të tjera para këtyre, shenja më e dukshme e kësaj kulture të paaftë për të reaguar, që na bën të vazhdojmë të prodhojmë më shumë histori sesa ç’jemi në gjendje të asimilojmë - nëse do të citoj Çurçillin - ishte mungesa e reflektimit dhe e shqetësimit të krejt shoqërisë, e politikës, e shoqërisë civile, e specialistëve të fushave të ekonomisë, psikologjisë, të sociologjië të kriminologjisë.
Shkaqet e këtij mosreflektimi sigurisht nuk duhet t’i gjejmë vetëm tek trashëgimia e mbrapshtë e së kaluarës. Pandashëm me të, por edhe si rrjedhojë logjike e saj, në vend po ndërtohen aktualitete që janë jo më pak faktorë të rritjes së kriminalitetit më një anë dhe të paaftësisë për tu përballuar me të në anën tjetër. Mendoj se shoqëria shqiptare duhet me urgjencë të shqetësohet e të reflektojë e të debatojë me tërë seriozitetin mbi këta faktorë. Pa reflektuar mbi ta vështirë se do të arrijmë ta shohim krimin ashtu siç është, pra si pjesë e jetës sonë dhe jo si film në televizor. Përndryshe, po vazhduam ta shohim me metodën e strucit, krimi do të vazhdojë të na rrethojë gjithnjë e më shumë duke mbjellë gjithnjë e më shumë vdekje e duke ua bërë gjithnjë e më të rëndë jetën atyre që mbeten gjallë.
Le të parashtroj disa prej këtyre faktorëve duke ngritur njëherësh disa nga çështjet që mendoj se duhen marrë urgjentisht në shqyrtim:
Së pari: sa ka lidhje krimi i egër që shohim përditë me ekonominë e zezë që kemi krijuar? E, nëse ka lidhje, sikurse jam i bindur, ku po na çon ky sistem, thellësisht i kriminalizuar që kemi ndërtuar? Kjo çështje duhet përballuar me tërë kompleksitetin e vet. Edhe në dritën e asaj perspektive të frikshme që kjo ekonomi, që ka pjellë këtë kriminalitet, ka bërë e po bën të largohet nga Shqipëria pjesa më e shëndoshë e shoqërisë, për të mos folur për atë se sa krijon kushtet e investimit në Shqipëri apo të kthimit në Shqipëri të emigrantëve. Edhe në perspektivën edhe më të frikshme të faktit se një pjesë e kësaj ekonomie kriminale ka qenë dhe është ende e drejtuar së jashtmi, nëpër tregjet perëndimore të drogës e të prostitucionit, por çfarë do të ndodhë po të kemi parasysh se sa më shumë Evropa po ia mbyll kanalet aq më shumë krimi po kthehet përbrenda nesh, sikurse duken se janë shenjat? Madje, duhet të marrim në analizë edhe atë mendësi, fatkeqësisht të shumëpërhapur, sipas të cilës krime të tilla si trafiqet njerëzore apo të drogës na kanë sjellë përparim, sepse na kanë sjellë para.

Një çështje e dytë që duhet trajtuar me forcë është: çfarë sistemi vlerash kemi krijuar gjatë këtyre vjetëve? A qëndrojnë vlerat e jetës dhe gëzimi i jetës vetëm tek sigurimi i parave për të bërë tërë qejfet e një jete konsumiste, për tu kapardisur me 4x4 lluksoze, edhe pse të vjedhura apo të blera me para të pista? Apo duhet të kërkojmë vlerat e jetës dhe gëzimin e jetës edhe tek puna, edhe tek studimi edhe tek krijimi edhe tek solidariteti, edhe tek modestia edhe tek sakrifikimi për të tjerët? A është e vërtetë se çdo vlerë që kemi mund të ketë vetëm një njësi matjeje: me sa para blihet? Apo ka vlera të cilat nuk maten dot me para?
E këtu duhet të ndalen e të reflektojnë shumë nga ata që i kanë dhënë rinisë shembullin se çdo gjë është e blerëshme ose e shitëshme, deri edhe nderi, dinjiteti, idealet, e vërteta dhe miqtë - më së pari politikanët, por jo vetëm.
Sa përgjegjës jemi ne, bota e mbidheshme, për botën e nëndheshme të krimit; sa lidhje kemi ne me të po ashtu e, në këtë kontekst, sa ndikon shembulli i krimit të etërve me kollare në krimin e bijve me kallashnikovë, postoleta e eksplozivë? Kur shtron këtë pyetje nuk mund të mos të vijë ndërmend kryeminstri ynë që ka udhëhequr jo pak, por 9 nga 14 vjetët e tranzicionit, të cilin shohim se sot, më shumë sesa kriminaliteti e shqetëson sjellja e kazinove në vend. Nuk mund të mos i shtrohet atij pyetja: ku do t’i gjejnë paratë njerëzit që do të shkojnë të dëfrehen në kazino, zoti kryeministër? Sipas shtypit kryeministri ynë i gjen ato që luan vetë nëpër miqtë biznesmenë me të cilët abuzon me pronën publike. Po ku t’i gjejnë djemtë e rinj që s’kanë pushtet politik? Do t’i gjejnë tek trafiku i drogës, i prostitutave, tek raketingu, tek vrasjet me para apo tek grabitjet. Dhe më pas, ata më të talentuarit, kur të rriten edhe ca, do t’i gjejnë duke u integruar “denjësisht” në sistemit e ekonomisë e politikës kriminale që ka krijuar kryeministri ynë me shokë. Pse jo, kur kanë shembuj aq të shkëlqyer?

Pa dyshim ky debat do të na çonte tek e gjithë problematika që shpesh e diskutojmë pa e lidhur drejtpërdrejt me krimin: tek ajo e gjendjes së shkollave, të spitaleve, të punësimit, etj. Tek rezultati i thërmimit që ka pësuar shoqëria jonë gjatë këtij tranzicioni duke kaluar nga një kolektivizim i detyruar në një individualizëm të çfrenuar, ku individi nuk di ç’është komuniteti, ç’është përgjegjësia, ç’janë të drejtat e ç’janë detyrat shoqërore. Do të na çonte deri edhe në debatin nëse po e luajnë apo jo si duhet komunitetet fetare rolin e tyre në këtë shoqëri, veçanërisht atë të edukimit moral. Pasi, në fakt, ky shpërthim i krimit nuk është tjetër veçse një nga simptomat më ngjethëse të një sëmundje që ka kapur me kohë tërë shoqërinë e që shfaqet në simptoma gjithfarëshe në të tërë pjesët e trupit të saj.
E në këtë kontekst nuk mund të mos arrijmë tek një çështje që është si të thuash pikëtakimi i të gjitha çështjeve: tek çështja e lirisë. Sa të lirë jemi të rrethuar kësisoj nga krimi – është çështja e çështjeve? Veç të tjerash: sa ndikon në heshtjen tonë prej struci frika që kemi nga krimi? Mos vallë jemi të paaftë për të reaguar ndaj krimit, për ta bërë hapur dhe me gjithë forcën që meriton debatin rreth tij pasi krimi jo vetëm na vret në rrugë, por na ka kapur tashmë institucionet që duhet të na mbrojnë prej tij? Për rrjedhojë a mund të ngremë vërtet një shtet ligjor, një shtet të së drejtës, të lirisë dhe demokracisë në këto kushte ku frikën e diktaturës po na e zëvendëson gjithnjë e më shumë frika nga krimi që ka kapur shtetin?

Read More......

Sunday, March 6, 2005

Zgjedhjet, shpëtimtarët dhe oktapodi

(Korrieri, 26 shkurt 2005)

Thënia e Berluskonit “scendo in campo” që në shqip mund ta përkthejmë edhe “po hyj në lojë” është bërë tashmë proverbiale në Itali. Kanë ndihmuar për këtë edhe dy nga njerëzit më të shquar të botës italiane, Benigni dhe Montanelli. Komiku i madh, duke e përqeshur futjen në politikë të manjatit të medias, ka treguar gjatë një shfaqjeje të tij se ai ishte një familje me shumë veta dhe në shtëpi kishin vetëm me një banjo e cila rezultonte shpesh e zënë. Prandaj i ati sa herë i vinte për të bërë shurrën dhe e gjente banjon zënë thoshte: “schendo in campo” dhe shkonte e bënte jashtë.
Kurse Montaneli ka dëshmuar se Berluskoni i ka thënë se po hynte në lojën politike për të mbrojtur interest e biznesit që iu kërcënuan pas shkatërrimit të dy partive të mëdhe historike, demokristianja dhe socialistja, për shkak të korrupsionit. E, sipas shumë të dhënave, tashmë të bëra publike, edhe pasuria e tij është goxha frut i korrupsionit të kohës së Kraksit.
Si komiku dhe gazetari në thelb demaskojnë fallsitetin e hyrjes në politikë të atyre që paraqiten si shpëtimtarë në momente krizash dhe rezultojnë të rremë. Karriera e Berluskonit më një anë dhe kriza ekonomike, por edhe e vlerave, që po përjeton sot Italia më anë tjetër, megjithatë, tregon se nuk mjaftojnë kurrë sa duhet paralajmërimet për rrezikun e shpëtimtarëve të rremë.



Kriza dhe futja në lojë
Nuk mund të mos kujtoja “futjen në lojë” të Berluskonit duke parë se çfarë po ndodh në Shqipëri në prag të zgjedhjeve. Ka disa elementë që të bëjnë të gjesh në situatën shqiptare elementë berluskoniane të “futjes në lojë”. Së pari, sepse edhe ne jemi në një krizë të thellë morale dhe politike nga ato ku shfaqen shpëtimtarët. Së dyti, sepse janë futur në lojë një numër shpëtimtarësh të vjetër e të rinj. Së treti, sepse aktiviteti i tyre i deritanishëm dhe jo vetëm ay, nuk mund të mos na bëjë të ngremë pyetjen: po hyjnë në lojë për të shpëtuar vendin nga kriza apo për të shpëtuar interesat e tyre e të sistemit që kanë ngritur?
Ndërkohë që ekzistenca e krizës dhe futja në lojë e shpëtimtarëve duket evidente, çështja nëse këta po hyjnë të shpëtojnë vendin apo shpëtimi i vendit dhe interesat e tyre janë dy rrugë me drejtime të kundërta mbetet për tu analizuar. Them kështu, e nuk them se interesat e tyre mund edhe të jenë në të njëjtin drejtim me interesat e vendit, pasi, sipas meje, problemi i madh që po del dita ditës për tu zgjidhur, është ai se shumëçka në atë që është bërë gjatë këtyre vjetëve duhet zhbërë; shumçka në sistemin që kemi ndërtuar duhet shkatërruar, me një fjalë nuk jemi në rrugë të drejtë, por jemi futur në një rrugë nga e cila duhet të kthehemi mbrapsh nëse nuk duam të përplasemi e të thyejmë kokën. E ky kthim mbrapsht do të thotë të reshtet së punuari në drejtimin e interesave të asaj pjese që e ka ndërtuar e ka përfituar nga ky sistem. Metaforikisht, dhe jo vetëm, mund të them se kioskizimi për të cilin u shpenzua aq shumë e pa vizion në kohën e Berishës nuk është se ka reshtur me prishjen e kioskave, përkundrazi sistemi që krijoi kioskat ka krijuar tumorre të tilla që duhen prishur, por që kostoja është shumë më e madhe e do të bëhet edhe më e madhe çdo ditë që kalon. Për ata që mund të më cilësojnë si tepër pesimist, pra sikur po i mshoj shumë pjesës bosh të shishes mund të them se pjesa plot, për ata që e shohin atë, është duke u zbrazur dita ditës duke ia lënë vendin gjithnjë e më shumë një boshlleku të frikshëm.
Më konkretish e kam fjalën për faktin se struktura e ekonomisë sonë është mbi 60 % ilegale, madje edhe kriminale, ekonomi e larjes së parave të pista e se pjesa tjetër e saj, ajo që mund ta quajmë legale, nuk mund të mos jetë e lidhur me këtë, prandaj dhe është ndërtuar kryesisht mbi një konsumizëm pa prodhim, mbi spekulimin dhe përkohshmërinë, mbi principin “merr e ik” të piramidave paçka se më të sofistikuara. Më anë tjetër, kjo strukturë ekonomike ka kushtëzuar ndërtimin e një superstrukture politike që direkt apo indirekt përfaqëson interesat e kësaj strukture e që e kemi quajtur tashmë shteti i kapur nga mafja, nga një oktapod i madh që fuqizohet dita ditës – sepse kur themi “mafje” nënkuptojmë bash një rrjet krimi ekonomik që ka lidhje me politikën. E ardhmja e një shoqërie të kapur nga ky oktapod po bëhet gjithnjë e më e vështirë. Ekonomikisht ky oktapod jo vetëm që ushqehet gjithnjë e më shumë nga ekonomia ilegale duke gjeneruar rrjeta krimi gjithnjë e më të përhapura në trupin e shoqërisë, jo vetëm ka krijuar një polarizim gjithnjë e më të madh, por edhe thith tërë energjitë e të ardhurat e shqiptarëve duke penguar një rishpërndarje të tillë të të ardhurave që do të garantonte funksionimin e një shteti ligjor e të së drejtës, për të mos folur për një rishpërndarje që do të nxirrte nga varfëria shtresat më të dobëta. Përsa i përket sistemit të vlerave ky oktapod ka krijuar vetëm një “vlerë”: pasurinë e krijuar shpejt e me rrugë të pandershme me të cilën matet sot çdo njeri “i sukseshëm” në vend. Përsa i përket drejtësisë ky oktaposh ka krijuar sistemin e “pandëshkueshmërisë”, por edhe të “bashkëfajsisë”, një lloj xhungle ku kafshët më të fuqishme rrëmbejnë ç’të mundin vetëm mbi bazën e agresivitetit pa ndonjë ndërgjegje sociale duke lënë shkretëtirë përreth e ku ato që rezultojnë viktima ankohen pse nuk u treguan aq “të zot” sa të tjerët. Përsa i përket figurës së politikanit ky oktapod ka krijuar figurën e një politikani që nuk mundet të qëndrojë apo të hyjë në politikë pa aprovimin dhe mbështetjen e oktapodit, duke tjetërsuar, tek e fundit, edhe vetë funksionin e politikës nga shërbim ndaj gjësë publike në shërbim të grabitjes së gjësë publike
Kush mendon se Shqipëria është në rrugë të mbarë duke qenë në dorë të këtij oktapodi ose që, ndonëse kemi problemi, po ecim përpara, sipas meje, gabohet. Gabohen edhe ata që mendojnë se mund të hyet në Evropë me këtë sistem e po ashtu gabohen edhe ata që mendojnë se ky sistem, në sajë të të cilit edhe po mbijetojmë, por aq keq, mund të zgjasë përjetë në një Evropë që vjen duke ia shtrënguar lakun krimit. Madje gabohen edhe ata ndërtues të sistemit që kanë kalkuluar se, tek e fundit, do t’i lenë shëndetin këtij vendi e do të shkojnë të jetojnë të qetë atje ku kanë transferuar tashmë paratë.

Lojtarët e vjetër e të rinj
Fakti që shqetësimi po bëhet gjithnjë e më i madh vërtetohet edhe nga aktorët e rinj dhe të vjetër të kësaj fushate elektorale, që tashmë mund të quhet e nisur, të cilët të lënë përshtypjen se gjithnjë e më shumë janë të vetëdijshëm për këtë realitet/krizë ku ndodhemi e premtimet e tyre për të ardhmen i lidhin me çlirimin e shoqërisë nga pushteti i oktapodit.
Është krejt i dukshëm fakti se shumica e tyre tashmë flasin për oktapodin dhe dëmet që ka shkaktuar e rrezikon të shkaktojë ay, pavarësisht se çfarë emri i vënë. Mirëpo, ndërkaq, nga tërë aktiviteti i tyre nuk mund të mos kesh përshtypjen se sejcili e di, e njeh fuqinë e tij, madje është nën sundimin e tij dhe prandaj, me dashje apo pa dashje, i lëshon atij mesazhe direkte apo indirekte se pushteti i tij nuk rrezikohet.
Le t’i marrim me rradhë disa nga aktorët kryesorë.

Partia Demokratike, luftën kundër korrupsionit e ka pasur prej kohësh si prioritetin e saj në retorikën politike. Nuk është e vështirë të shohësh tek armiku i quajtur korrupsion nga PD-ja një nga këmbët më të fuqishtme të oktapodit. Mirëpo ka mjaft elementë që të bëjnë të shtrosh pyetjen nëse demokratët e kanë seriozisht, apo, edhe nëse e kanë serizisht, nëse mund të jenë në gjendje ta zhvillojnë seriozisht këtë luftë kundër oktapodit. Pikpyetja e parë, sipas meje, ngrihet duke patur parasysh problemin se interesat e kujt pretendon të mbrojë PD-ja duke patur parasysh projektin e shpalosur prej saj. Kohët e fundi u shpall një inisiativë të rinjsh pranë PD të quajtur “liberalët e rinj” të cilët kanë dalë me tezat e privatizimit të mëtejshëm si dhe të uljes së rolit të shtetit në nivel sa më minimal. Kjo është shoqëruar me deklarimet e Berishës se biznesi, shoqëria civile, akademikët do të jenë sipas PD partnerët e saj (pa përmendur hallexhinjtë), e se PD do të ulë edhe më taksat, shoqëruar me premtimin se do të vensoset shteti i ligjit jo i personave. Kësaj i është shtuar edhe projekti i ndarjes së “llazarit” nga “anastasi“ dmth të biznesmenit nga politikani me deklarimin se kush do të kërkojë të bëhet deputet i PS duhet të heqë dorë nga bizneset. Por, gjithsesi, nuk mund të mos ngresh dyshimin se ky projekt, edhe sikur me qëllimet më të mira të jetë hartuar, vështirë se mund të dalë i sukseshëm në luftën kundër oktapodit për një sërë arsyesh. Së pari sepse projekti liberist, duke qenë i mbështetur kryesisht mbi lirinë e individit për kompeticion, favorizon edhe teorikisht më të fortit e aq më tepër tek ne do të favorizojë ata që tashmë janë më të fortit. E po ashtu ulja e rolit të shtetit, çka nënkupton marrjen në dorë gjithnjë e më shumë të shërbimeve nga privatët, kombinuar me këta të fortë vështirë se nuk do të mund, në kontekstin shqiptar, të favorizojë edhe më korrupsionin, tek e fundit oktapodin. Mjafton të kesh parasysh akuzat që po bëhen sot në SHBA-në e reformave liberiste për korrupsion të figurave më të larta, vend ku shteti ligjor ka rrënjë jashtëzakonisht të forta, për të marr me mend pafuqishmërinë e një projekti të tillë ndaj oktapodit. Aq më tepër po të kemi parasyh kontekstin shqiptar ku, sikurse e dimë mirë, këmbët e oktapodit funksionojnë mbi lidhjet familjare apo klanore ku njëri bën këmbën politike tjetri atë ekonomike, njëri sekserin, tjetri politikanin. Dhe të mos harrojmë edhe një fakt shumë domethënës: korruptimin e mjaft figurave dhe përfaqësuesve të PD gjatë kësaj kohe, çka ka dalë në pah edhe publikisht, por që përflitet shumë më tepër në opinion. Në pamje të parë duket sikur ata janë korruptuar nga PS-ja në pushtet, por në fakt ata i ka korruptuar oktapodi e zor se mund të dalin nga kthetrat e tij edhe kur të vijnë në pushtet.

Lidhja Socialiste për Integrim, teksa flet për monople, ka parasysh edhe ajo oktapodin. Edhe ajo ka shpalosur një projekt për luftën kundër opktapodhit që nuk mbetet i kufizuar në akuzat kundër Nanos si në fillim, por kundër degradimit të PS në përgjithësi, kundër privatizimeve grabitqare, kundër polarizimit. Edhe përsa i përket përfaqësimit duket se ajo e ka hedhur vështrimin më shumë ndaj atyre shtresave që pikërisht sistemi i opktapodhit i ka lënë pa mbrojtje dhe në kushte varfërie e pasigurie për të ardhmen - ndonse nuk e ka çliruar ende veten nga imazhi se ka në rradhët e saj të pakënaqurit e PS-së. Por, gjithsesi, ajo që duket shqetësuese tek LSI, nuk është edhe aq projekti i tyre, që mbetet disi më i turbullt kur kërkohet të hyet në aspektet e veta konkrete, por diçka tjetër. Sikurse kuptohet, lufta kundër oktapodit kërkon një impenjim maksimal, një bashkim maksimal të të tërë atyre partive që premtojnë të luftojnë për t’i prerë këmbët oktapodit. Ndërkaq LSI, që mund të konsiderohet sot parti e tretë dhe parti të tjera më të vogla ku spikat LZHK, kryesisht sepse ka në krye një figurë të paprovuar si Leka Zogu, nuk duket se kanë as prirjen më të vogël të bashkëpunimit e të krijimit të një koalicioni paraelektoral në emër të kësaj lufte. E kjo, ndonëse mund të duket si çështje personash, në të vërtetë, po ta shohësh më thellë, ka të bëjë me tërë situatën që ka krijuar oktapodi, një situatë që e bën thuajse të pamundur bashkimin në emër të luftës kundër tij e të besimit se ai mund të mundet. Ato duket se do të shkojnë të vetme dhe do të presin rezultatin e zgjedhjeve për të bërë zgjedhjen e tyre. Tek e fundit, sipas meje, të ndodhur përballë oktapodit pas zgjedhjeve edhe me një rezultat të mirë ato zorr se do të mund të jenë në gjendje të ndeshen me të.

Ndërkaq në kampin e Partisë Socialiste një aktor tjetër ka rihyrë në lojë: ish pretendenti për kryetar partie Rama, sot kryetari i Bashkisë së Tiranës. Ay ka nisur një fushatë në Veri me kritika të rrepta për gjendjen vendit e të politikës. Kjo më një anë është shprehje e pohimit të krizës, kurse më anë tjetër ngre një pikëpyetje të madhe: pse duke qenë në Komitetin Drejtues të PS nuk i shpreh shqetësimet e tij brenda partisë, por del e flet sikur të jetë në opozitë me partinë e tij? Në rastin më të mirë kjo flet për pafuqishmëri për të luftuar oktapodin që tashmë ka zaptuar krejt PS-në me në krye Nanon. Por mund të ketë edhe shpjegime të tjera që, tek e fundit, të çojnë në të njëjtën qafë. Njëri syresh ka të bëjë me faktin se fushata e tij po propagandohet me një fuqi të madhe mediatike, që nuk mund të mos të të kujtojë ata biznesmenë që janë edhe pronarë televizionesh e që me Ramën si kryetar Bashkie i lidhin interesa direkte. Ky fakt të çon në hipotezën se prapa tij qëndrojnë interesa oligarkësh pranë PS që mendojnë se me Nanon janë të humbur e që, duke vënë Ramën kryeministër të PS, kërkojnë të mbrojnë interesat e tyre kundër rrezikut të humbjes së privilegjeve me humbjen e PS-së. Apo në hipotezën se një pjesë syresh janë në konflikt me Nanon dhe oligarkët pranë tij, siç është rasti i biznesmenit sot për sot më pranë Ramës, K. Kokëdhima që po akuzohet sot nga ZP për shpërdorime e vjedhje të rënda parash publike – e që edhe ai ka paralajmëruar, se, po qe se e sheh situatën e vendit keq, do të futet vetë në lojën politike? Në të gjitha rastet vështirë ta shohësh fushatën e Ramën jashtë strukturave të oktapodit. Kjo shpejgon pse ai njëherësh u flet njerëzve të thjeshtë se synon të punojë për ta e, në të njëjtën kohë, nuk shënjon armikun kryesor korrupsionin apo ekonominë e paligjshme apo oligarkinë, por dembelizmin dhe, po ashtu, vazhdon të ngulmojë në idenë se nuk kemi ende nevojë të bëjmë projekte të majta apo të djathta. Madje hedh edhe teza të rrezikshme kur fut në rradhët e “dembelëve” jo vetëm Fatos Nanon, por kritikët e sistemit, çka të bën të mendosh se projekti i tij i nxjerrjes nga kriza është një lloj fashizmi teknokratik ku ata që, sipas tij, “punojnë” do të përfaqësojnë interesat e të gjithëve duke u bërë, veç tjerash, edhe kompetentë të pakontrollueshëm, çka, duke patur parasysh oligarkët prapa tij, fare mirë mund të rezultojë një hap më tej në fuqizimin e oktapodit.

Si përfundim
Në këtë kaos apo terr, si ai që i pëlqen ujkut, duket se pak shpresë po kemi që të shkojmë në zgjedhje me një projekt për të prerë këmbët e oktapodit, por më shumë rrezikohemi nga një zhvendosje e këmbëve të tij. E vetmja rrugë sipas meje për ata që duan vërtet të futen në lojë si shpëtimtarë të vërtetë, çka do t’i bënte të hynin në histori si themeluesit e një shteti të vërtetë shqiptar që punon për njerëzit dhe jo për oktapodët e shumllojshëm që e kanë sunduar deri tani këtë vend, do të ishte një projekti i qartë dhe i hapur koalicioni që do të shpallte ndeshjen me oktapodin. E kjo duhet bërë sa nuk është vonë, përndryshe, kur të vijë dita që të përjetojmë shëmbjen e tij do ta shohim edhe veten nën gërmadha si viktima të tij dhe njëherësh bashkëfajtorë me të, ashtu siç na ndodhi më 1991 dhe më 1997.

Read More......