Tuesday, April 26, 2005

Fundi i berluskonizmit dhe Shqipëria

Një diplomate suedeze që punonte para disa kohësh në ambasadën suedeze në Itali, por që mbulonte edhe Shqipërinë, e që vinte herë pas here për të ndjekur ngjarjet në emër të vendit të vet, më tha një ditë, teksa rrekesha t’i shpjegoja ato që ndodhnin në këtë vendin tonë të bekuar: “Zoti Lubonja, unë përpiqem ta kuptoj këtë vendin tuaj, por, të them të drejtën, pak kuptoj dhe atë pak e kuptoj sepse njoh Italinë, sepse, po të vija direkt nga Suedija nuk do të mund të kuptoja asgjë.”
Gjatë bisedës mu bë e qartë se e kishte fjalën për Italinë që shpjegon ardhjen në pushtet të Berluskonit dhe berluskonizmin në përgjithësi.
Mu kujtua kjo histori këto ditë, kur, pas humbjes dërrmuese që pësoi në zgjedhjet rajonale qendra e djathtë me në krye Berluskonin, në Itali po flitet gjithnjë e më shumë për “fund të berluskonizmit”. E u ula të shkruaj jo për merakun e Italisë, por të Shqipërisë, që e ka dashur dhe e do ende kaq shumë Berluskonin dhe berluskonizmin. Jo vetëm, por edhe duke patur parasysh se një nga shkaqet e dështimit tonë në këtë tranzicion drejt sistemit kapitalist ka qenë edhe imitmi më i keq i Perëndimit e më konkretisht i Berluskonit dhe i berluskonizmit, tiparet e të cilit gjente diplomatja suedeze në Shqipëri.

Po çfarë është berluskonizmi si fenomen politik, social dhe kulturor? Me dy fjalë është një lloj populizmi i ndërtuar mbi premtime për pasurime e zhvillime të shpejta, i mbështetur fort nga mjetet mediatike të Silvios që kanë krijuar një realitet virtual edhe me ndihmën e kulturës së gërvisht dhe fitosë e të quitz-eve e spektakleve të lehta, por edhe mbi kulturën e ilegalitetit e të lidhjes së politikës me mafjen, justifikuar edhe me një ideollogji liberiste që propagandon dobësimin e rolit të shtetit, e një mistifikim të privates dhe inisiativës së lirë. Figura e politikanit që e mishëron berluskonizmin është karizmatiku Silvio që shtypi (i majtë) italian e quan “antropologjikisht gënjeshtar” e që ka arritur të bashkojë racistin Bosi që e quan Jugun hajdut me Finin e Follinin që elektoratin e kanë në Jug. Ndërkaq, përtej fasadës, berluskonizmi ka në themel të motivimit të vet, jo shërbimin ndaj shoqërisë, por mbrojtjen e interesave private të Berluskonit e të tijve, çka ka çuar deri në hartimin e ligjeve ad personam apo deri në synimin për vënien në kontroll të gjyqsorit. Pas katër vjetësh eksperience aventura e tij ka çuar në pasurimin e një grupi të vogël e në varfërimin e shumicës së italianëve të cilët sot e kanë vështirë të mbyllin muajin me ato që fitojnë. Humbja drastike e Berluskonit në zgjedhjet rajonale, veçanërisht e partisë së tij Forca Italia, ishte përgjigja që i dhanë italianët kësaj aventure duke treguar njëherësh se ajo Italia tjetër, e punës dhe e talenteve gjeniale dhe e traditave të forta të majta, ka antikorpe për të reaguar.

Është folur shpesh për faktin se ajo që ne kemi bërë gjatë këtyre viteve është marrja e gjërave më të këqija të sistemit kapitalist. Në fakt, edhe sistemin komunist e ndërtuam në mënyrë të atillë që u bë shembulli më i keq i komunizmit në të gjitha vendet lindore, më i egri, më ekstremisti. Shkaku pse ne arrijmë të marrim më të këqijat dhe jo më të mirat është një çështje që kërkon një thellim antropologjik që nuk pretendoj ta bëj në këtë shkrim. Me dy fjalë, sipas meje, burimi është injoranca, (dikush e ka quajtur nëna e të gjitha të këqijave) si mungesë e instrumenteve kulturore, kritike për të përvetësuar dije në mënyrë krijuese, si mungesë e kulturës humaniste gjithashtu, kombinuar kjo me traditën tonë dominante: kulturën e pushtetit.
Për të njëjtat shkaqe do të thoja edhe sprova jonë kapitaliste ka prodhuar një karikaturë të shëmtuar të kapitalizmit e më konkretisht të atij që sot në Itali quhet berluskonizëm.
Për ta ilustruar këtë karikaturë le të tregoj një pamje që mu shfaq sapo zbrita në tokën mëmë pas udhëtimit të fundit që më solli pikërisht nga Italia e Berluskonit në Shqipëri
Sapo kalova kontrollin policor të Rinasit, duke pritur të vijnë valixhet nga ay ruli që i fut nga jashtë brenda, shkova të marr një nga ato karrelat që qenë aty mënjanë, për t’i ngarkuar e tranportuar me to në makinë. Mirëpo menjëherë mu afrua një person i veshur me një lloj uniforme i cili më tha: 1000 lekë (të vjetra) kushton. U bëra gati t’i nxjerr, por jo pa një lloj revolte që më bërë t’i them: thuaji atij drejtorit tënd (e kisha fjalën për drejtorin e aeroportit) se nuk ka aeroport në botë ku paguhen karrelët, sepse - shtova - këtu pasagjerët paguajnë edhe taksë aeroporti. Në fakt, sapo kisha ardhur nga një aeroport i Italisë së Berluskonit ku me një karrel më të mirë se ay kisha transportuar valixhet pa paguar asnjë kacidhe dhe pa paguar as taksë aeroporti. Muhabetin e dëgjoi një punonjës i aeroportit i cili më tha: këta nuk janë tanët, këta janë privatë. Pra shërbimin e karrelave ia kishin lënë privatit. I mora valixhet në krah nga inati dhe, sapo dola, u ndesha me anën tjetër të medaljes: lypsat. Për besë në njëqind metra rrugë deri tek makina mu vërsulën nja 10 a 15 lypësa që ia linin stafetën njëri tjetrit çdo pesë metra e që nuk më lanë rehat derisa futa valixhet në bagazh, mbylla portën e u nisa.
Duke i “qarë hallin” për këtë gjendje një punonjësi të aeroportit që po ecte krahas meje ai më tha: - Mos u mërzit se edhe pak kohë do të zgjasë kjo dhe pastaj do ta marrin gjermanët aeoportin – duke i dhënë kështu dorën e fundit skicë metaforës së Shqipërisë së sotme.
Ky detaj që tregova është pa dyshim vetëm një nga devijimet e vogla të “vijave të skicës” që, në përpjekjen për të kopjuar modelin, e ka nxjerrë atë një karikaturë të shëmtuar të Italisë së Berluskonit. Them karikaturë sepse, le të jap dhe një shembull tjetër të vogël, në Itali nuk mund të bëjë vaki që të futesh në një lulishte mu në qendër të kryeqytetit e të të fryjë me bilbil një polic privat e të të thotë se nuk mund të kalosh në anën tjetër sepse aty nuk ka dalje pasi aty është dyqani i privatit që e ka rregulluar lulishten, të cilit, si kompesim, “modeli socialist i qeverisjes” i ka dhënë të drejtën të hapë dyqan shitjeje e të bëjë aty ligjin, deri ta bëjë lulishten me hyrje, por pa da dalje simetrike me të. Ose, as në ëndërrën më të keqe studentët e universiteteve italiane nuk mund t’i shohin oborret e universiteteve të tyre të mbushura me kafenera dhe restorante private që menaxhohen, madje, nga profesorët e tyre.
Nejse, siç e thashë, këto janë vetëm devijime të vogla dhe nuk kam ndërmend të merrem me ato më të mëdhatë që i kam trajtuar mëse një herë, aq sa jam bërë i mërzitshëm.
U nisa të shkruaj këto rradhë duke parë se sot po flitet për “fundin e berluskonizmit” jo pa sjellë ndërmend se edhe komunizmit tonë nuk do t’i kishte ardhur fundi sikur të mos i kishte ardhur fundi më parë në vende të tjera. Pra edhe me shpresën se, më në fund, do të ndryshojmë diçka jo falë antikorpeve tona dhe as falë krijimtarisë sonë, por falë majmunërisë sonë. Mirëpo, sipas teorisë që shtjellova më sipër, ajme, kështu përsëri mund të përftojmë ndonjë karikaturë. Le të shpresojmë, megjithatë, se fundi i berluskonizmit, aq i adhuruar në vendin tonë saqë hapëm edhe bare e restorante me emrin e tij, do t’i bëjë ca më shumë shqiptarët të mendojnë për majmunërinë e tyre, - politikanët tanë veçanërisht, e ata të majtë edhe më veçanërisht, - e të zhvillojnë ca më shumë instrumente kritikë ose, së paku, të kërkojnë të shkërbejnë ca modele që bota e qytetëruar i çmon e vlerëson më shumë, si psh vendin e diplomates suedeze që mezi arrinte ta kuptonte këtë “modelin” tonë.


Read More......

Friday, April 22, 2005

Korrupsioni dhe zgjerimi i opozitës

“Shqipëria përpara jo mbrapa” – ja ku doli më në fund sllogani zgjedhor i socialistëve që, sipas shtypit, sëbashku me posterat e përgatitur, tregon se fushata e tyre do të fokusohet kësaj here thuajse tërësisht në krahasimin e dy periudhave të qeverisjes së dy rivalëve kryesorë PS - PD. Socialistët po u kërkojnë më me ngulm se gjithnjë zgjedhësve ta rikujtojnë atë periudhë, duke e vënë theksin veçanërisht më 1997-tën, e duke u bërë thirrjen të mos e bëjnë gabimin e rikthimit në të atilla situata si ato që prodhoi qeverisja e Berishës. Në fakt, ky krahasim nuk sjell ndonjë të re, ka qenë me kohë shtylla kryesore e propagandës socialiste, veçanërisht gjatë viteve të fundit, por me këto zgjedhje duket se është theksuar edhe më shumë. Kuptohet, duke qenë se e kanë gjithnjë e më të vështirë të na tregojnë se janë të bardhë, nuk u ka mbetur tjetër veçse të shtojnë dozën e kontrastit në fotot bardhë e zi që duan të na paraqesin me shpresë se grija e tyre gjithnjë e më e errët mund të duket më e bardhë se zija e 97-tës.
Ndërkaq s’mund të thuhet se PD-ja dhe mbështetësit e saj nuk e kanë vuajtur këtë propagandë apo se e injorojnë atë në emër të së tashmes, sikurse mund të duket. Aq më pak se besojnë në atë që kanë thënë shpesh për militantët e tyre se ajo që ndodhi në 97-tën ishte një revansh komunist i kryer me ndihmën e grekut. Përkundrazi, sipas meje e kanë fort të pranishme në ndërgjegjen e tyre pengesën që u ka krijuar e kaluara e tyre. Këtë ndërgjegjësim po e paraqesin edhe në fushatën e tyre, sipas meje, nëpërmjet kërkesës së rikthimit në PD të të gjithë të dëbuarve apo të larguarve në vitet 92-97. Me këtë, kuptohet, synojnë të neuralizojnë socialistët duke u dhënë në mënyrë indirekte zgjedhësve, veçanërisht atyre jo militantë, mesazhin se nuk duhet të tremben më nga fenomene si ato që u shfaqën në vitet e sundimit të Berishës sepse ai nuk do të jetë më ai i pari, dmth. atutoritari me prirje të papërmbajtura për pushtet i rrethuar nga njerëz të dhunshëm, e po ashtu se ai nuk do të jetë i vetmi që do të qeverisë, sepse thirrja e figurave që patën kurajon të largohen prej tij në atë kohë do të jetë një garanci moderimi dhe demokracie.
Zgjerimi i aleancave të PD me kundërshtarë të djeshëm më duket një gjë tejet e nevojshme për të paraqitur një alternativë që ofron qeverisje me mbështetje të gjerë dhe demokratike. Por jo e mjaftueshme, sipas meje, për të paraqitur një alternativë që ofron ndryshim. Madje nuk e shoh pa probleme këtë zgjerim ashtu sikurse fokusimin, diktuar nga fushata e PS, të fushatës së PD në tematikën e ndryshimit të imazhit të djeshëm autoritarist të saj. Këtë shqetësim e kam shprehur shkurt edhe në një shkrim (Një entuziazëm zhgënjyes, Korrieri, 24 mars, 2005) që ishte më tepër një reagim ndaj entuziazmit që shprehu shtypi pranë opozitës me rastin e afrimit në PD të disa prej kundërshtarëve të hershëm të Berishës, sesa analizë racionale. Ndërkaq shqetësimi meriton, sipas meje, një analizë shumë më të thellë. Le të shpjegohem.
Krahasimin midis periudhave të qeverisjes së Berishës dhe të Nanos mund ta bësh duke iu referuar kritereve e pikvështrimeve të ndryshme. Në kontekstin e shqetësimit që dua të shpreh preferoj ta bëj duke iu referuar një kriteri që më duket se e zbërthen më mirë idenë time : atë të aftësisë që kemi shfaqur si shoqëri civile dhe si forca politike për t’iu kundërvënë dy llojeve të regjimeve që kemi prodhuar në këto dy periudha. Me dy fjalë mendimi im është ky: regjimi i Berishës shfaqi tiparet e një autoritarizmi që ruajti disa tipare të regjimit komunist. Ai ishte i mbështetur mbi përdorimin e metodave të forta. Por pikërisht për këtë ishte një regjim ndaj të cilit shoqëria jonë ishte njëfarsoj e vaksinuar, kishte, pra, një lloj imuniteti që e bënte të aftë t’i kundërvihej autoritarizmit sepse vaksinimin e kishte kryer vuajtja e gjatë në regjimin diktatorial komunist. Ne nuk duronim dot më njësha të fuqishëm që eliminonin me rradhë kundërshtarët, ne nuk duronim dot presione policore apo të SHIK-ut, nuk duronim dot gjyqe gazetarësh me futje në burg, nuk duonim dot kontrollin shtetëror mbi median shtetërore etj. gjëra si këto që, kush e ka jetuar periudhën e Berishës, e ka të qarta se për çfarë e kam fjalën. Në një farë kuptimi, pra, regjimi i Berishës ishte një inerci e regjimit komunist. Mjafton të kujtojmë se deri më 1997 opozita e athershme nuk mundi apo nuk guxoi të bënte një manifestim proteste në sheshin Skënderbej apo nuk shfaqte dot fytyrat e saj në TVSH për të provuar se me inercinë e autoritarizmit komunist kemi patur punë deri më 1997. Kështu, sipas meje, më 1997 ne tentuam t’i japim fund kësaj inercie duke bërë atë që nuk e bëmë dot më 1991: përmbysjen e një regjimi autoritar, pavarësisht nga ekseset që e shoqëruan këto fenomen dhe paaftësinë e klasës politike për ta menaxhuar atë përmbysje - pasi më 1991 lirinë na e dhuruan nuk e fituam.
Ndërkaq, ndërsa kundër sëmundjes së autoritarizmit kishim, sikurse e thashë, një farë imuniteti, çka më konkretisht do të thotë se si politikë e shoqëri civile patëm aftësi për tu bërë sadokudo sëbashku për të krijuar një rezistencë, më duket se edhe para edhe pas 1997-tës shoqëria jonë civile dhe politika jonë u gjend pa asnjë lloj imuniteti ndaj një sëmundjeje që e filloi inkubacionin e vet në periudhën e Berishës, por që e mori zhvillimin e vet galopant gjatë periudhës socialiste. Kuptohet, e kam fjalën për sëmundjen e korrupsionit që ka ngritur jo më një regjim autoritar, por një regjim të autoritetit të korrupsionit që e mbështet fuqinë e vet tek korruptimi i gjithshkaje e të gjithkujt nëpërmjet parasë, veçanërisht të çdokuj që mund të jetë me pak influencë në lojën për pushtet. Pra, nëse shoqëria jonë civile dhe politika jonë ishin deri diku të ndjeshme dhe kishin (deri në një farë mase, të kuptohemi) imunitet ndaj shtypjes, ato u gjendën krejt pa imunitet, pa instrumente mbrojtës ndaj blerjes korruptuese dhe ndaj varfërisë që krijonte refuzimi i saj. U gjendën të pambrojtur nga lloji i pushtetarëve që në vend se t’i tregonin burgun kundërshtarëve i tregonin se me pak “bashkëpunim” mund të bëheshin të pasur. U gjendën të pambrojtur, ndaj mashtruesve të palodhur kombëtarë dhe ndërkombëtarë që e bënin natën ditë për të gjetur lloj lloj marifetesh për tua hedhur, u gjendën të pambrojtur nga oligarkët e rinj mediatikë të cilët, ndërkohë që gazetarët i gëzoheshin shtypit dhe medias private si forma pavarësie, po përgatisnin të tjera laqe për t’ua hedhur në qafë e për t’i varur në tjetërlloj trekëmbëshash - etj., etj. gjëra që më duket se nuk është nevoja t’i përsëris sepse janë të njohura nga të gjithë, po aq mirë sa edhe bëmat e Berishës autoritar.
Dikush mund ta cilësojë këtë të dytën një sëmundje më të lehtë sesa të parën, sepse më pak vdekjeprurëse, por, sipas mendimit tim, ndonëse me një inkubacion më të gjatë, ajo tashmë është sëmundja kryesore e, nëse nuk ka sjellë vdekjen, po sjell një gjë më të keqe se vdekja, vdekjen pa fund, morale e intelektuale po se po, por edhe ekonomike për shumicën. E të thuash “Shqipëria përpara dhe jo mbrapa” në këtë situatë, duke evokuar rrezikun e kthimit prapa në autoritarizmin e viteve 1992-1997, është një mashtrim i madh sepse sëmundja më e rçndë nga e cila po vuajmë sot, ajo e autoritetit të korrupsionit, ka njohur vetëm një kahe me socialistët, përparimin.
Ajo që më duket shqetësuese në prag të këtyre zgjedhjeve është çështja nëse kanë mjaftuar këto vjet për të krijuar antikorpet ndaj këtij regjimi apo do të duhen edhe vite të tjera, ndoshta edhe ndonjë kolaps tjetër, që të mund të bëhemi me imunitet ndaj kësaj sëmundjeje? E, në këtë kontekst, a e ka opozita imunitetin ndaj kësaj sëmundjeje që pretendon ta luftojë apo nuk e ka? Apo duke treguar se nuk vuan më nga autoritarizmi mendon se mund të na ngjallë besim të mjaftueshëm? Më lind veçanërisht ky dyshim, në fakt i vjetër, e më shtohet, paradoksalisht, pikërisht kur shoh se sa fort po theksohet në fushatën e PD-së zgjerimi i opozitës.
Për t’u shpjeguar më shkoqur le të kujtoj pak më konkretisht çfarë ndodhi me korrupsionin gjatë viteve 1997 – 1998 ndërkohë që u mund sëmundja e autoritarizmit të Berishës dhe socialistët konsoliduan pushtetin? Ne pamë se ata që figurativisht mund t’i quaj virusi i sëmundjes së korrupsionit, të cilët nën hijen e pushtetit të Berishës kishin filluar të ndërtonin strukturat e sistemin korruptiv, filluan njëri pas tjetrit të kalojnë në trupin e PS duke e infektuar edhe atë, madje më shumë nga të gjithë infektuan një njeri që për katër vjet kishte qenë në karantinë, kryetarin e saj Fatos Nano. Të gjithë jemi dëshmitarë se si shumëçka që kishte filluar pa leje në kohën e Berishës apo me leje provizore u ligjërua në kohën e socialistëve - e kjo mund të thuhet edhe konkretisht edhe metaforikisht. Ne pamë që shumë nga kioskaxhinjtë që kishin ngritur kioska të thjeshta në pronën publike në kohën e Berishës, duke paguar pak para nën dorë, filluan të ndërtojnë megapallate, duke paguar shumë më tepër për lejet abuzive, por edhe duke fituar shumë më tepër. Por pamë edhe më keq: paratë e akumuluara me lloj lloj trafiqesh, kryesisht droge e prostitucioni, filluan të hyjnë fuqishëm në ekonomi, por edhe në medja e në politikë. Jo vetëm, por oligarkët e pasuruar në kohën e Berishës me lloj lloj marifetesh filluan të hapin edhe gazeta edhe televizione e ndërkohë që bërtisnin në mediat e tyre për ujkun Berisha, që po destabilizonte vendin, filluan, si çakejtë, të bëjnë kërdinë mbi pronën e fondet publike, me privatizime, e spekullime, e tenderime e ndërtime e më the të thashë. Erdhi çuditërisht një kohë kur edhe rrogat e majme (në krahasim me pushtetarët e kohës së Berishës) të paguara nga perëndimorët për OJQ-istët pa shoqëri civile filluan të duken qesharake në krahasim me „rrogat“ që mund të merreshin duke hyrë në politikë a duke u lidhur me të. E kjo korruptoi thuajse tërësisht edhe të ashtuquajturën shoqëri civile që perëndimorët tentuan të importojnë në Shqipëri.
Midis përçuesve të sëmundjes së korrupsionit kishte edhe shumë ish të fuqishëm të PD që kishin dhënë urdhër deri për të shtypur demostrata e protesta, edhe shefa policie që i kishin zbatuar me zell këto urdhëra. Asnjë gjemb në këmbë nuk u hyri atyre në kohën e socialistëve, përkundrazi shumica u lidhën me ta dhe legalizuan bizneset e nisura falë lidhjes me pushtetin paraardhës. Berisha përmend vetëm dukët e ndonjë baron, por Shqipëria është e mbushur me këta fisnikë të korrupsionit. Puna ka ardhur deri aty sa shumë prej tyre e thonë hapur, pa asnjë ndroje, se i kanë hyrë politikës apo duan t’i hyjnë politikës sepse e shohin se bizneset e tyre, përndryshe, nuk ecin. Sot mund të thuhet pa gabuar fare se ata kanë ndërtuar strukturat e asaj ekonomie ilegale e të trafiqeve e pastrimit të parave që, nëpërmjet korrupsionit, drejton e kushtëzon superstrukturën politike të vendit. Ata, kam frikë, janë si enët komunikuese midis PS dhe PD që thjeshtë mund të ndryshojnë drejtimin e rrjedhjes së parasë ose të ndryshojnë fluksin e tyre në favor të një krahu tjetër si më 1997 – 1998 e përsëri të mbajnë në këmbë sistemin që kanë ngritur. Pra thelbi i çështjes, ose burimi i sëmundjes së korrupsionit, që Berisha së fundi e quajti „kancer“ dhe prioritet të prioriteteve nuk janë, - s’ëshët hera e parë që e them – vetëm disa kukulla ca më të gjata e ca më të shkurtëra, ca më të holla e ca më të trasha, që i shohim përditë të tunden e të shkunden në skenë duke na folur për të mirën tonë publike, e duke na bërë të mendojmë se gjithka na vjen nga protagonizmi i tyre delirant, provincial e mjeran. Thelbi i çështjes është ajo që ndodh në prapaskenë, atje ku qarkullon paraja e sponsorizimeve të fushatës që i bën disa të kenë „aftësi më të larta konkurruese“ – po të përdor një shprehje të fundit të Nanos. Dikush mund të thotë: po sikur të dalë opozita kundër tërë këtyre, atëhere si fitohen zgjedhjet? Por pyetja tjetër është: po sikur të „zgjerohen“ të gjithë këta në opozitë, ç’kuptim ka fitimi i zgjedhjeve? Çështje jo e lehtë për tu zgjidhur për kë synon seriozisht luftën kundër korrupsionit.

Read More......

Monday, April 4, 2005

Drejt zgjedhjeve në grumbullhane

Jo rrallë më ka ndodhur të përjetoj në aeroportet perëndimore, në mbarim të fluturimit nga Tirana, një pamje që prej katërmbëdhjetë vjetësh shpresoj të ndryshojë, por që, për besë, nuk ndryshon që nuk ndryshon. E kam fjalën për situatën që krijohet përpara sporteleve të policisë ku kontrollohen pasaportat. Ajo që vazhdimisht më ka goditur është diferenca midis radhës që krijojnë pasagjerët perëndimorë në sportelet e tyre që kanë shenjën “EU”, dhe ajo që krijojnë pasagjerët shqiptarë në sportelin “Non EU”. Andej nga sporteli tjetër krijohet një radhë e repektueshme ku njerëzit presin njëri pas tjetrit, në qetësi dhe rregull, për të kaluar në kontrollin policor. Kurse këtej nga krahu i “Non EU” - ve tanë krijohet diçka që nuk mund të quhet radhë, por një si grumbullhane që precipiton e gjitha në grykë të daljes, si një materie pa formë. Në mes të kësaj grumbullhaneje do të vesh re ndonjë a dy mujsharë që, me gjoksin përpara, çajnë për në krye dhe pastaj thërrasin edhe gratë apo familjen që u kanë mbetur prapa; të tjerë që shtyjnë me brryla dinakërisht për t’ia kaluar shokut përbri, ca që mërmërisnin nëpër dhëmbë duke sharë mujsharët arrogantë me ishallanë që të bijen në ndonjë “hundëlesh” që tua thyejë turinjtë, si dhe të shumtit që ulin kokën të nënshtruar, duke u hapur rrugë më të fortëve.
Nuk di pse sa më shumë shoh të afrohen zgjedhjet e 2005 aq e më shumë më përfytyrohet se po shkojmë drejt tyre si ajo grumbullhanja amorfe me mujsharë, dinakë dhe të nënshtruar, pa respekt për njeri tjetrin, pa respekt për rregullin dhe pa arbitër përveç policit perëndimor që pret i qetë tek sporteli me ndjenjën se është në shërbim të vendit të tij - e jo tonit - e ndaj të cilit mujsharët tanë nuk guxojnë të bëjnë asnjë llaf, sikur t’i kthejë mbrapa, paçka se duken aq trima me bashkatdhetarët.
Personalisht kam frikë – e kam thënë edhe herë tjetër – se aq sa çka shpresë që ajo grumbullhane të kthehet nga sot nesër në një radhë të respektueshme aq edhe ne kemi shpresë se do të mund të shkojmë e të bëjmë zgjedhje të lira dhe të nderëshme. Jo vetëm, por, në krahasim me 2003, kam përshtypjen se jemi duke shkuar nga shiu në breshër.
Shenjat se gjendja është kështu më duket se janë të shumta. Vetë mosarritja e fiksimit ende të datës së zgjedhjeve - ngjarje pa precedent në këto 14 vjet – flet për këtë. Aq sa presidenti Moisiu u detyrua të flasë për mungesë respekti të politikanëve ndaj institucioneve duke na dhënë sinjalin se kërkon t’i lajë duart, në një farë mënyre, nga ajo që mund të ndodhë.
Listat e famshme të zgjedhjeve janë ende të pista dhe këtë na e provon vetë ministri përgjegjës për listat, Blushi, i cili bën thirrje të quhen “gabime njerëzore” ato “papastërtira” që mund të kenë mbetur në to. Edhe me kalë apo gomar të ishin nisur t’i regjistronin zgjedhësit ministrat tanë të ndryshëm të pushtetit lokal, në tetë vjet do ta kishin kryer për bukuri këtë punë. Problemi është se nuk kanë dashur ta bëjnë. Dhe do të mjaftonte fakti që një pushtet nuk ka mundur për 8 vjet të bëjë lista të pranueshme të zgjedhjeve për të provuar dështimin e tij.
Në këto kushte opozita flet për mobilizim policësh e super të pasurish në rradhët e PS, për komisionerë socialistë që përgatisin të bllokojnë rezultatin e zgjedhjeve, për përgatitjen e një Dushku të madh dhe, nga mosbesimi i thellë, nuk shpall as komisionerët e vet nga frika se Kryekomisioneri, dmth kryenumuruesi i votave, Celibashi, ua jep emrat e tyre pasanikëve socialistë, që këta të mund t’i blejnë. E më në fund evokon modelin kirgiz të ndrrimit të pushteti si të vetmen rrugë që i mbetet për t’i larë hesapet me socialisët. Kurse Celibashi nga ana e tij deklaron se me këtë kod zgjedhor, kur komisionerët mund të ndërrohen edhe dy ditë para zgjedhjeve, nuk garanton se mund të ketë zgjedhje të pamanipuluara.
Për të provuar tensionin mund të përmendet edhe fakti se kohët e fundit janë shtuar nga të katër anët zërat e nevojës së madhe të ndërhyrjes së arbitrit të huaj. Edhe kjo është shenjë e dështimit të ndërtimit të demokracisë në këto 15 vjet dhe, në këtë kontekst, kryesisht shenjë e dështimit të socialistëve. Dhe jo pse kanë pasur shumë punë për të bërë e nuk kanë arritur t’i bëjnë të gjitha, por sepse kanë punuar keq, në drejtimin e kundërt, për ndërtimin e një sistemi të vjedhjes dhe mashtrimit dhe abuzimit që do të na çonte pa tjetër këtu.

* * *
Personalisht nuk bëj pjesë ndër ata që kërkojnë ta gjejnë rrugëdaljen nga kjo situatë tek arbitri i huajt perëndimor jo vetëm pse ndjehem i fyer, si qytetar, kur shoh se jemi ndër të vetmit në Evropë që thërrasim vëzhgues të huaj të na ruajnë nga njëri tjetri, por edhe pse përvoja tregon se perëndimorët kanë përdorur në zgjedhjet tona dy pesha dhe dy masa demokratike, një për veten e tyre dhe një për ne dhe kjo më shumë na ka zgjatur një gjendje papjekurie e varësie se na ka ndihmuar. Kam bindjen se sikur ata të kishin aplikuar peshën e masën që përdorin për veten, duke deklaruar mosnjohjen e zgjedhjeve kur kanë vërejtur manipulime, sot mund të kishim zgjedhje të ndershme. (Pa mohuar, nga ana tjetër, faktin se, sikur të mos kishte qenë “rrethimi” i huaj, sistemi më i mundshëm që do të kishim ngritur do të kishte qenë një diktaturë ku rezultati i zgjedhjeve do të kishte qenë 99,9%).
Refuzimi për tu mbështetur tek të huajt ma bën edhe më të vështirë të sugjeroj ndonjë rrugë për daljen me sukses të këtyre zgjedhjeve – me çka kuptoj së pari, mosmanipulimin dhe, së dyti, pranimin e rezultatit të tyre nga forcat politike, cilatdo qofshin ato. Aq më tepër më bëhet i vështirë sugjerimi kur më lart kam thënë se nuk shpresoj se këto zgjedhje do të dalin pa probleme. Megjithatë nuk është kurrë vonë të paralajmërosh të keqen, veçanërisht atë më të madhen, duke i paralajmëruar aktorët e mundshëm të kësaj të keqeje se një herë të futur në atë rrugë situatat mund të bëhen gjithnjë e më iracionale e të na fusin në rreziqe të paparashikueshme.
Dhe e keqja më e madhe, sipas mendimin tim, është krijimi i një situate të tipit Kirgistan, pra me manipulime nga njëra anë dhe me rebelim të hapur nga ana tjetër. Sipas meje është e keqe për të dy palët dhe, kuptohet, edhe më e keqe për Shqipërinë. Dhe nuk është pa gjasë që të ndodhë. Shkaku është shumë i thjeshtë: sa më shumë në pushtet aq më shumë janë korruptuar pushtetarët tanë dhe sa më shumë janë korruptuar aq më shumë kanë frikë se mos humbasin pushtetin. Nga ana tjetër opozita, sa më shumë është përdhunuar nga zgjedhje të manipuluara dhe sa më shumë sheh manovrat e socialistëve aq më tepër i rritet dyshimi dhe agresiviteti dhe aq më tepër duket e gatshme të përdorë “çdo mjet” për të mos e lejuar të fitojë më. Por, më thellë këtij shkaku, qëndron e tërë kultura antidemokratike që është kultivuar gjatë këtyre viteve, kultura e vjedhjes dhe e mashtrimit që është futur në çdo qelizë të shoqërisë, kultura e përdorimit të çdo lloj mjeti të pandershëm për tu pasuruar, ndër të cilët edhe ai i hipjes në pushtet në mënyrë të pandershme.
Në këto kushte, pra, socialistët duke patur parasysh rezultatet e zgjedhjeve të mëparëshme që kanë ardhur duke u ngushtuar, humbjen galopante të kredibilitetit që kanë pësuar për shkak të konsumimit deri në fund jo vetëm të pushtetit, por edhe të abuzimit me pushtetin, e po ashtu rrjedhjen e rëndë që u ka krijuar partia e Metës (duke shtuar edhe vetëdiskreditimin që u ka shkaktuar Rama me fushatën e tij në Veri) ka shumë gjasë t’i drejtohen një tentativë të re manipulimi me shpresën se arbitri perëndimor do të mbyllë edhe një herë njërin sy e njërin vesh, siç bëri më 2003 për hir të stabilitetiti. Mendoj se kjo do t’i fuste në një aventurë të paparashikueshme sepse jo vetëm që mbështetjen perëndimore nuk e kanë më ashtu siç e kanë pasur, por edhe sepse brenda vendit e brenda vetes kanë gjithnjë e më pak mbështetje dhe gjithnjë e më shumë përçarje. Prandaj, edhe nëse perëndimorët do t’i pranojnë për hir të stabilitetit, vështirë se do të mund ta mbajnë situatën të stabilizuar. Shkurt ka shumë gjasë që jo vetëm të humbasin, tek e fundit, por të thellojnë humbjen e kredibilitetit me aventurën ku mund të na fusin në atë farë feje siç e humbi PD-ja para tetë vjetësh.
Më anë tjetër mendoj se përgatitja e një modeli Kirgistan nuk është i preferueshëm për opozitën sepse, nëse në Ukrainë apo Kirgistan mund të thuash se ka patur fitues, tek ne vështirë se do të ketë fitues. Së pari, sepse ato situata kryesisht janë mbështetur dukshëm nga jashtë në mos edhe përgatitur. Kurse tek ne nuk ka faktorë të jashtëm gjeopolitikë që të sigurojnë mbështetjen në rast tentimi për rrëzim me dhunë të pushtatarëve tanë. Së dyti, sepse, për fat të mirë dhe të keq, ne e kemi provuar dy herë marrjen e pushtetit me sulm në emër të demokracisë dhe shtetit ligjor: më 1992 dhe më 1997 dhe në të dyja herët kemi ndërtuar antidemokraci dhe shtet të së padrejtës. Kjo është një arësye që edhe mbështetja e njerëzve për metoda të tilla nuk mund të jetë kurrsesi ashtu dhe aq e madhe. Më 1992 dhe 1997 njerëzit kishin besim të fortë në forcat politike që mbështesnin sepse nuk i kishin provuar.
Si përfundim do të ripërsërisja idenë se nuk është kurrë tepër vonë për të ndalur të keqen, pasi e keqja nuk ka fund dhe ne e kemi provuar më mirë se kushdo këtë pafundësi. Prandaj me shpresë se kanë mbetur ende njerëz me arësye të shëndoshë në politikën tonë do të thoja se në kohën e mbetur socialistët duhet të bëjnë çmos të anullojnë plane manipulimi që mund të kenë nisur dhe të korrigjojnë gjithshka që mbetet e kontestueshme. Kurse opozitës të punojë më shumë gjatë këtyre dy-tre muajve për aleanca që ngjallin besim e siguri dhe për mobilizimin e njerëzve të vet për të votuar. Nuk mund të jenë jashtë kësaj analize ata që kanë rolin e gjyqtarit të këtyre zgjedhjeve, si Celibashi. Them se duhet të mendojnë dy herë për përgjegjësitë që kanë, veçanërisht Celibashi, i cili, sipas meje, duke patur parasysh mosbesimin e thellë nga opozita, do t’i shërbente evitimit të më së keqes duke dhënë dorëheqjen në favor të një kryetari të pranuar nga të dy palët.
Vetëm kështu, ndoshta, ka shpresë që ajo grumbullhanja amorfe që po precipiton vrullshëm drejt zgjedhjeve, ku spikat aq fort mosrespekti për rregullin e vënë dhe për tjetrin, si karakteristika të një kulture të dhunës dhe hilesë, të frenojë vrullin e saj dramatik e të fillojë të marrë trajtat e një radhe njerëzish të respektueshëm.

Read More......