Tuesday, October 4, 2005

Besimi

Nje nga keto mbremje ne lagjen time iken dritat ne oren 20.00 dhe pasi i prita deshperimisht tre ore, rashe te fle ne terr. Ishte nje gje e paparalajmeruar qe nuk kishte ndodhur prej shume kohesh ne kete stine e qe e kisha menduar si nje faze tashme te kapercyer te tranzicionit shqiptar- te pakten per qendren e Tiranes ku banoj. Nderkaq, nese nderprerjen e perditeshme nga ora 10 e mengjesit deri me 14.00 po e perjetoj relativisht me ndjenje durimi kjo e mbremjes me revoltoi. Me shqip nuk mund te mos e perjetoja pa clirimin e ritualit te te sharave qe e shkarkova, besoj sic bejne shumica e shqiptareve, mbi politikanet tane. Dhe, afermendsh, keta politikane qene ata te ish qeverise dhe ish- qeverisjes socialiste.

Duke hyre e dale per te pyetur per gjendjen degjova neper lagje pak a shume te njejtat te shara qe leshoja edhe vete: "hajdutet, bixhosxhinjte e pijanecet e paturpeshem!" Degjova jo pak edhe klithmen: "Cfare bejne qe nuk arrestojne pergjegjesit e KESH-it!" Nderkaq gjate asaj mbremjeje te gjate ne terr nuk mund te mos me vinte, megjithate, ne nje faze te dyte, mendimi: deri kur do te shkarkohet pakenaqesia mbi ata qe iken?

Besoj se kjo eshte nje pyetje qe e kane ne koke shume vete. Dhe besoj se spektri i atyre qe i japin pergjigje me afate te ndryshme kesaj pyetjeje eshte nga me te larmishmit. Pa dyshim pergjegjesit e kesaj maskarade, ata qe kane qeverisur per tete vjet, kane filluar qe sot te thone se ata dinin te qeverisnin me mire. Me siguri ka edhe nje numer jo te vogel militantesh te tyre qe njekohesisht mund te kene edhe titullin doganier apo punonjes tatimesh e me the te thashe, qe nuk merziten fare kur u ikin dritat, por ferkojne duart. Nderkaq, me siguri ka edhe nje numer militantesh te PD qe cfaredo qe te beje partia e tyre ne pushtet, do ta gjejne gjithmone fajin tek kundershtaret.

Prandaj duket se pyetja ne fakt shtrohet per ate kategori qe ka votuar per ndryshimin e qe, kush me shume e kush me pak, ka besuar dhe beson se do te ndryshojne per mire disa gjera. Pra, pikerisht ne raport me kete kategori- qe ndryshoi balancen duke i dhene fitoren PD-se- shtrohet pyetja, sipas meje teper e rendesishme, se cila do te ishte pika kur perballe situatash te tilla si mungesa e dritave dhe e ujit, ata do t'i kthenin te sharat nga ish- qeveria tek qeveria aktuale? Eshte e veshtire te gjesh nje pike te tille te perbashket per te gjithe individet e kesaj kategorie. Ka syresh qe qysh sot e kane ngritur ceshtjen se nuk mjafton te luftosh korrupsionin, duhet edhe te dish te qeverisesh; ka te tjere qe ndeshkimi i te korruptuarve i kenaq me fort sesa qeverisja e mire; ka qe mendojne se lufta serioze kunder korrupsionit dhe eliminimi i ekonomise informale do te shoqerohet edhe me kriza ekonomiko sociale.

Keto vleresime te ndryshme, e te tjera si keto, bejne qe, lidhur edhe me ndjeshmerine, racionalitetin apo lodhjen e individeve te ndryshem te kesaj kategorie te kemi pika te ndryshme te mundshme kthese opinoni. Megjithate do te thoja se ka nje emerues te perbashket qe do ta bente shumicen e kesaj kategorie te ndryshonte qendrim ose, thene ndryshe, ka nje pike kur numri i te zhgenjyerve do te krijone ate qe quhet mase kritike qe sjell kthesen e opinionit. Sipas meje kjo mase kritike do te arrihej kur shumica e kesaj kategorie do te humbnin besimin se qeveria po punon per ta sikurse ka premtuar. Prandaj ndoshta pyetja do te ishte me e sakte te shtrohej: kur dhe si do te humbej besimi? Dhe kuptohet se perseri nuk behet fjale as per ata qe kurre nuk i kane dhene ndonje akt besimi PD-se dhe as per ata qe i besojne kesaj partie dhe liderit te saj verberisht.

Humbja e besimit eshte nje gje teper relative e do te thoja shume psikologjike, e pamateshme thjeshte dhe vetem me shifra suksesesh apo deshtimesh. Duke i'u referuar pervojave te se kaluares rezulton se zhgenjimi nuk fillon menjehere, madje ay nuk fillon kur sheh se behen gabime nga ato qe mund edhe te priten nga mungesa e eksperiences, do te thoja as kur te mos duken shenjat e ndonje rritjeje ekonomike. Humbja e besimit eshte si nje gje qe fillon e rrjedh pike pike por qe shpjet mund te vershoje si nje lume nga akte qe jane dukshmerisht ne kundershtim me premtimet dhe ne thelb ne kundershtim me vullnetin e mire.

Ne pergjithesi ajo kategori e elektoratit te levizshem qe ka besuar se PD dhe Berisha, te rikthyer ne pushtet, do te bejne dicka pozitive nuk do te ishin shume te gatshem ta humbisnin besimin sepse kjo emocionalisht do t'i demotivonte dhe deprimonte edhe me sepse do t'i fuste ne spiralen zbritese te traumave te zhgenjimit. Dhe zor se do te ndikohej nga nje opozite qe berjen opozite e koncepton vetem si kundershtim te gjithshkaje dhe ndejtje ne beft per te nervozuar e krijuar konfuzion. Por, nga ana tjeter, nje gje duhet ta kene te qarte demokratet me ne krye Berishen: pervoja e hidhur me politiken dhe politikanet tane e ka ulur shume pragun ku mbaron besimi dhe fillon zhgenjimi, prandaj ata duhet te bejne cmos per te qendruar brenda pragut te ushtrimit te vullnetit te mire e te mos e lene vullnetin e keqperdorimit te politikes, qe eshte aq i perhapur, te filloje te jape shenja se ka filluar te veproje.

Edhe dicka tjeter duhet te kene parasysh qeveritaret e rinj per t'iu ruajtur kalimit te pragut te zhgenjimit, e qe me duket se ishte nje nga leksionet e ketyre zgjedhjeve: njerezit nuk jane budallenj qe mund te mashtrohen lehte, si c'i mendojne shume prej politikaneve tane dhe nga ana tjeter, jane gjithnje e me te informuar. Prandaj ata do te dine shume mire ta percaktojne momentin kur sharjet per mungesen e dritave e ujit e me radhe, do te duhet t'i kalojne nga pushtetaret e djeshem, ne ata te sotmit.
(Korrieri, 10 tetor 2005)

Read More......