Friday, November 25, 2005

Duhet të bashkohemi ndryshe

Lexova editorialin e kolegut Mero Baze “Pse u bashkuam tek Tema” me vemendje të veçantë jo vetëm sepse tema që preket është e një rëndësie të veçantë për shoqërinë, por edhe sepse ka të bëjë me profesionin tonë. Gjeta aty shqetësimin e gazetarit mbi raportin e “rreziqeve” më një anë dhe “vlerave” më anë tjetë që ka paraqitur dhe paraqet investimi i biznesit në shtyp, deluzionin e humbjes në betejën për pronësinë e shtypit midis pronarëve të fuqishëm dhe gazetarëve të varfër dhe propozimin e mbledhjes së gazetarëve më të mirë në dy tre media për të ruajtur kështu dinjitetin e vetes dhe të profesionit.
Në shkrim citohem edhe unë që e kam trajtuar për një kohë të gjatë temën e “rreziqeve” që paraqet ai që Baze me eufemizëm e quan “investimi i biznesit në shtyp”, duke i mshuar më shumë rreziqeve, që, sipas meje, kanë qenë më të mëdha, dhe që, madje, nuk kanë mbetur vetëm rreziqe, por janë shndrruar prej kohësh në dëme, duke ngritur prej kohësh nevojën e një reformimi të medias shqiptare.
Kur flet për nevojën e reformimit Baze më atribuon idenë se “Më ideale do të ishte ajo që propozon dhe ëndërron Fatos Lubonja […] – krijimi i një mediaje ku pronarë dhe drejtues të jenë vetëm gazetarët”.
Pa dashur të hyj në polemikë me Bazen e ndjej të nevojshme të sqaroj se ideja ime për mënyrën se si duhet të reformohet media jonë nuk është ashtu, por në thelb ndryshe. Ideja ime e reformimit të medias mbështetet mbi dy shtylla kryesore:
Së pari, mediat, veçanërisht gazetat, duhet të kenë identietin e tyre, fytyrën e tyre. Pra ato nuk mund të jenë si skuadrat e futbolit ku lojtarët më të mirë blihen nga klubet më të fuqishëm financiarisht. Ato duhet të kenë një identitet të tyrin që krijohet nga mbledhja së bashku e një ekipi gazetarësh të cilët ndajnë afërsisht të njëjtat aspirata dhe vizione për botën e që përcaktojnë, të udhëhequr nga ky vizion, edhe politikat editoriale.
Së dyti, përveç identitetit, por edhe nëse u mungon identiteti, mediat duhet të jenë brenda ekonomisë së tregut. Pra nuk është çështja nëse pronarët janë gazetarë apo biznesmenë, të fuqishëmn apo më pak të fuaqishëm financiarisht, por që kushdo qoftë pronari të jetë i ndershëm dhe të respektojë ligjin dhe tregun e lirë. Pronari qoftë biznesmen apo një grup biznesmenësh, qoftë gazetar apo grup gazetarësh duhet ta ketë gazetën mall që mbijeton në sajë të tregut dhe jo në sajë të “sponsorizimeve” që dalin nga burime të tjera, shpesh të dyshimta, interesat e të cilëve diktojnë edhe politikat editorale. Historia e shkurtër e mediave tona private ka treguar se këto politika janë diktuar kështu edhe kur pronarë kanë qenë gazetarë që nuk kanë pasur biznese të tjera nga prapa, prandaj ideja që më atribuon Baze nuk qëndron, ndonëse kur vjen fjala për preferenca do të preferoja të punoja në një gazetë me shumë pronarë, jo një, dhe mundësisht të ishin gazetarë.
Bashkohem me idenë e Bazes se gazetarët më të njohur duhen grupuar në dy tre mediat kryesore “me qëllim që fuqia e fjalës dhe identiteti i shtypit të mos humbasë”. Shqipëria ka 25 të përditëshme me një tirazh vetëm 100 000 kopje. Kjo është anormale ashtu sikurse është anormale shitja e shumicës së tyre nën kosto, ashtu sikurse është anormal edhe numri tejet i madh i televizoneve. Por ngulmoj se të vetmit rregullatorë që do ta kryenin këtë proces reformues janë identiteti i gazetës që nënkupton edhe gazetarë që investimin e tyre kryesor kanë emrin dhe vizionin e tyre për botën si dhe respektimi i tregut e jo fuqia financiare e një pronari apo një tjetri që mund t’i blejë këta gazetarë siç blihen futbollistët. Krahas këtyre, kur flasim për mediat elektronike, shoh si aktor të rëndësishëm rregullues reformimin e Televizionit Publik në modelin e shumicës së vendeve evropiane.
Këto ide që i shtjellova shkurt nuk janë diçka ideale, prandaj e paaritëshme, ashtu siç paraqitet në editorialin e Bazes ideja ime, por një realitet që e gjen kudo në botën e qytetëruar demokratike. Kudo në botën e qytetëruar gazetat dhe gazetarët kanë identietin e tyre: janë konservatore apo libarale, të majta apo të djathta, të qendrës së majtë apo të djathtë dhe, po ashtu, kanë edhe një elektorat të vetin të preferuar. Është vështirë gjithashtu të gjesh gazeta që në aspektin financiar nuk mbijetojnë duke respektuar ekonominë e tregut dhe ligjin, por duke zhvilluar dhe mbrojtur ekonomi informale.
Mendimi im i patundur është se nëse do të bëjmë seriozisht luftën kundër sistemit të korrupsionit si luftë për më shumë demokraci dhe liri, për më shumë barazi përpara ligjit, për më shumë zhvillim ekonomik të shëndoshë aq sa ç’është i rëndësishëm reformimi moral dhe ligjor i institucioneve të tilla si Prokuroria e Gjyqsori po aq i rëndësishëm është edhe reformimi i mediave. Dhe këtë duhet ta kuptojmë urgjentisht të gjithë sepse, përndryshe, do të jetë vonë për të gjithë. Kaosi i identitetit dhe kaosi i tregut në media, por edhe në politikë e shoqëri përgjithësisht, që disave u duket se u leverdis sepse kështu përfitojnë nuk mund të mos kthehet më herët ose më vonë edhe kundër këtyre përfituesve.
Historia e rrëzimit mbi kokat e fëmijëve tanë të tavanit të shkollës “7 marsi”, që jo rastësisht del se është restauruar nga kompani biznesmenësh që kanë në pronësi edhe media, është një metaforë denoncuese e tërë këtij sistemi tragjik që kemi ndërtuar dhe një britmë alarmi për të gjithë se duhet ndërtojmë një të ardhme ndryshe e, për këtë, duhet të bashkohemi ndryshe. (Korrieri, 18 nëntor 2005)



Read More......

Monday, November 14, 2005

Populli i te korruptuarve dhe populli shqiptar

Pandeli Majko mori persiper para dy ditesh te deklaroje ne emer te popullit, jo vetem te "popullit socialist" sic e quajne elektoratin e tyre, por te gjithe popullit se ky, populli shqiptar pra, nuk do t'ia dije se cilet jane pergjegjesit e katrahures se dritave, por thjeshte kerkon drita. Eshte popull i vuajtur i shkreti, i mesuar me abuzimet e politikaneve; nuk mundet ky popull kaq i papjekur, i korruptuar edhe vete, ta gezoje lluksin qe te kerkoje pergjegjesite morale dhe ligjore te baballareve te kombit, si Majko me shoke.

Nderkaq, teksa Majko leshonte nje deklarate te tille, ne te njejten dite ne debatin ne Parlament nje deputet i ri socialist, Balla, ia perseriti ministrit Ruli oferten e kryesocialistit Rama per t'u dhene demokrateve eksperte socialiste te dritave - kuptohet me kusht qe keta te pranojne publikisht paaftesine e tyre, dmth, te ikin nje sahat e me pare nga pushteti. Do te ishte interesant sikur Berisha apo Ruli t'i pranonin keta eksperte, sepse te gjitha arsyetimet te cojne ne perfundimin, se ne kete rast, o do te provohej qe socialistet mashtrojne, ose qe ata nuk kane ndertuar institucione, por lidhje jashteinstitucionale me biznesin e prurjes se energjise? Megjithate kjo eshte nje ceshtje tjeter. Le te kthehemi tek deklaratat e siperpermendura te lidereve socialiste.

Duket sheshit se socialistet jane ne krize udheheqesie: nderkohe qe Rama dhe Balla ia dedikojne papergjegjshmerisht mungesen e dritave papaftesise se demokrateve, me ane tjeter Majko me thirrjen e tij per lene menjane pergjegjesine le te kuptosh se te pakten gjysmen e saj e kane socialistet - cka e pranoi publikisht edhe udheheqesi i FRESH, Koja, madje e pranoi publikisht edhe ish-drejtori socialist i KESH-it Harasani ne "Opinion", i cili fajin kryesor per kete krize ia vuri nje avarie te madhe ne Vaun e Dejes qe ka ndodhur ne kohen e socialisteve.

Deklaratat e Majkos, Kojes dhe Harasanit do te nenkuptonin te pakten qe socialistet te shuanin qirinjte e festes qe kane ndezur, te kerkonin pergjegjesite e tyre e te ndihmonin pa kushte e me perunjesi per zgjidhjen e krizes. Mirepo nuk po ndodh keshtu. Te dy krahet e PS jane ne unison kur vjen puna per te ndezur qirinjte e festes se territ ne Parlament. Si shpjegohet kjo? Kjo ka vetem nje shpjegim, qe mund ta japesh duke patur parasysh dy gjera, se pari se nuk ka njeri te popullit normal qe te mos kerkoje te dije se cilet jane pergjegjesit e te mos kerkoje denimin e tyre jo thjeshte per rastin ne fjale, por edhe sepse eshte tejet i lodhur me kete sistem pandeshkueshmerie kur nje grusht horrash e vjedhesish e mashtron e perdhunon perdite pa u hyre gjemb ne kembe dhe, se dyti, se nuk ka njeri me nje minimum inteligjence qe te mos nxjerre deduksionin se pergjegjesia kryesore per kete krize nuk ka mundesi te jete e demokrateve qe sapo erdhen ne pushtet. Shpjegimi pra eshte se si Rama edhe Majko nuk i ndezin qirinjte ne emer te popullit shqiptar, as te atij socialist, por ne emer te "popullit te te korruptuarve" dhe si Rama dhe Majko japin shenja te qarta se kjo opozite, as qe ka ndermend ta luftoje korrupsionin ne rradhet e veta, madje ka marre persiper te kunderten: te mbroje sistemin e korrupsionit.

Mirepo, thene kjo qe thashe, vijme ne nje ceshtje tjeter shume delikate per momentin. Ky realitet dramatik dhe reaksionar i opozites sone e ben edhe me te komplikuar luften kunder korrupsionit. Rasti i krizes energjitike mund te sherbeje si nje metafore e problematikes se kesaj situate. Sipas nje fakti qe thuhet me ze jo fort te larte nje nga shkaqet e kesaj krize eshte edhe se qeveria nuk ka dashur te vazhdoje lidhjet e blerjes energji me nje kompani te cilen e ka akuzuar se ka futur ne xhepat e ish pushtetareve rryshfete te majme. Madje, sipas Harasanit, jane ulerimat e kesaj ish-opozite qe penguan ne gusht lidhjen e nje kontrate me kete kompani. Kjo nenkupton se qeveria ka prere urat me kete kompani partnere te socialisteve dhe perforcon dyshimin se "ekspertet" socialiste te dritave mund te jene ish-pushtetaret seksere qe kane mbajtur lidhjet jashteinstitucionale me kompanine dhe qe kane humbur tani fitimet. Dhe nuk eshte pa gjasa qe ne kuadrin e strategjise se reaksionit te sistemit te korrupsionit, puna te shkoje deri aty sa keta te deshirojne ta coje vendin ne kolaps per te rimarre pushtetin dhe rifituar perfitimet e humbura. Aq me teper kur ke parasysh se sistemi ka ne dore edhe shumicen e mediave ku po shohim nje ushtri gazetaresh te ulerijne per krizen e dritave pa hetuar per shkaktaret, te cahen per bllokimin e ndertimeve ne disa rruge, nderkohe qe as kane care koken te shqetesohen e te informojne, pse po hame pluhur e po masakrohemi ne rruget e hapura cprej kur nuk mbahet mend. Aq me teper, po ashtu, kur ke parasysh se njerezit me te kamur te vendit, ndertuesit, shumica edhe pronare te ketyre mediave, pasi nuk u kane lene femijeve as edhe nje pellembe vend per sheshe dhe vend lojrash atje ku banojne, po u kundervihen shembjeve te objekteve qe kane ndertuar pa leje ose me leje qe bien ndesh me ligjet me themelore te shtetit ne vendet qe cdo shoqeri i ka te shenjta - oborret e shkollave.

Por nese eshte keshtu, sikurse me duket se eshte, kjo ngre edhe nje problem tjeter po kaq themelor per momentin: a ka qeveria nje projekt te qarte ne luften kunder korrupsionit apo lufta kunder tij behet ne menyre pasionante, duke goditur atje ketu pa strategji, pa rradhe te studiuar veprimesh dhe pa mbeshtetjet e duhuara ose, edhe me keq akoma, me synime te tjera nga lufta e vertete kunder korrupsionit? Tashme eshte e qarte se kanceri i korrupsionit nuk eshte me ne fazen fillestare, por eshte ne fazen e metastazave. Ay ka leshuar metastaza gjithandej, ka kapur cdo institucion me ne krye opoziten, prandaj dhe lufta kunder tij eshte shume me e veshtire dhe me e komplikuar. Kur shtrohet problemi i luftes kunder tij duhet patur parasysh nje parim baze i kirurgjise: operimi duhet bere me synimin qe trupi te shpetoje, jo te vdese. Po ashtu nje operim i tille nuk behet dot nga nje njeri i vetem, por ka nevoje per ekip te koordinuar. Rasti i krizes energjitike eshte ay me elokuenti per te ilustruar se lufta ndaj te keqes mund te shkaktoje deme me te medha se vete e keqja nese nuk behet si duhet. Nese qeveria ka refuzuar bashkepunimin me kompanine ne fjale pasi ka te dhena se ajo ka pasur lidhje korruptive me Nanon apo te tijte do te duhej te ishin siguruar burimet e tjera energjitike perpara se te goditej kjo lidhje. Aq me teper po te kesh parasysh se populli, viktime e korrupsionit, per shkak te mosbesimit te thelle qe ka trasheguar ndaj politikaneve, e ka ende te veshtire te besoje se lufta kunder korrupsionit ka dhe do te kete gjithhere synime te mbara dhe jo te mbrapshta, qe do ta bente, keshtu, te gatshem per sakrifica qe me ne fund do ta nxirrnin ne drite.

Si perfundim, ne baze te parimit se cdo e keqe e ka nje te mire, le te shpresojme se terri i sotem i dritave, qe nuk ka te beje vetem me krizen e energjise, por edhe me ceshtjet e zhvillimit normal te ekonomise dhe te demokracise ne vend, ashtu sikurse ne pergjithesi momentet e krizave te forta, do te ndihmoje te ndricohet e te marre rruge per mbare ky konflikt i shemtuar midis popullit te te korruptuarve dhe popullit te shumevuajtur shqiptar. (Korrieri, 12 nentor 2005)


Read More......

Ndergjegja qytetare dhe ndergjegja ligjore e prokurorit

Para disa ditesh me qelloi ta pi kafene ne nje tryeze me nje grup midis te cileve ishte edhe miku i ngushte i nje biznesmeni. Ishte hera e pare qe takohesha me kete njeri dhe meqenese tema e dites ishte lufta kunder korrupsionit dhe deklaratat "pro" dhe "kunder" prokurorit Sollaku - kisha shkruar edhe vete nje shkrim ato dite - ai nuk hezitoi fare te na tregonte, madje duke bere gallate, se si funksiononte puna e mikut te tij qe e kishte me te famshmit tendera me shtetin. Ne fakt nuk degjova ndonje gje qe nuk e dija, por perseri ngrita veshet me ate interesin dhe habine qe te pushton kur te tregojne historira qe sa here i degjon aq here cuditesh e te duket sikur po i degjon per here te pare. Nuk e di nga vjen "freskia" e perhershme e ketyre historirave, ndoshta nga pabesueshmeria e tyre, por ndoshta edhe pse prekin disa fije te vecanta te ndergjegjes sone qe leshojne edhe ca tinguj te vecante nder te cilat, pa dyshim, jane edhe ato fije qe na bejne te kemi aftesine per t'u indinjuar nga padrejtesia sa here e takojme ate.

Miku i biznesmenit na tregoi ne tryeze me hollesi per te famshmin 10% qe i kerkohet kur miku i tij aplikon dhe fiton tenderin.

Kini parasysh - shtoi menjehere - nuk behet fjale per 10% te fitimit, jo, behet fjale per 10% te shifres se tenderimit. Tregonte me hollesi dhe detaje sesi i'a kerkonin "Mon Kukaleshet" e ndryshem kete 10%, sesi perdoreshin metodat qe firma te vihej apo te mos vihej apo te vonohej derisa te merrej shuma. Dhe pastaj beri nje llogari. Kuptoni - tha - qe te nxjerre fitimin, mikut tim i duhet pastaj te gjeje mallin me te lire, te shmange tatimet - e, tek e fundit, perseri mbetet i pakenaqur, sepse pjesen e luanit e merr ministri. Sikur ministri te pakten te merrte 10% e fitimit puna do te ishte ndryshe. Kishte kaluar tre ministra socialiste miku i tij dhe bente me humor krahasimin e babezise se tyre. I permendte edhe me emra dhe une, me hidherim konstatova se ata ne moshe me te re ishin me te babezitur/ korruptuar sesa ata me te vjetrit.

Shprehte pakenaqesine per kete situate, por ne menyre te natyrshme thoshte se miku i tij ishte i detyruar te paguante, perndryshe, dilte jashte loje me tere biznesin e tij, sepse kishte shume te tjere qe mund ta zevendesonin.

Duke degjuar keto historira me pushtoi ndjenja e ironise, duke patur parasysh prokurorin Sollaku qe deklaronte po ato dite neper televizione se tek ay nuk ekzitonin prova per korruptueshmerine e politikaneve, duke lene te kuptoje se ai nuk ka vepruar per mungese provash dhe se fajtori per mungesen e ketyre provave duket se na qenkesh diku jashte prokurorise, tek policia gjyqesore, tek ca ligje qe mungojne apo ku di une se ku tjeter.

Pa dyshim nuk mund ta vesh doren ne zjarr se prokurori ka prova te mjaftueshme ne sirtaret e veta - ndonese ende nuk e kam kuptuar se pse nuk i quan prova ato te Kontrollit te Larte te Shtetit disa prej te cilave me jane dukur teper elokuente, aq me teper kur ke parasysh se prokuroria jone ka funksion aktiv hetimor, dmth ka detyre/ kompentence qe te nise hetime dhe jo te prese t'i plotesohen dosjet me pika e me presje. Nxitoj me kete rast te them se nese mazhoranca ka vertet vullnet politik per te luftuar korrupsionin ne politike, duhet nder te tjera te mbushe urgjentisht edhe ato vrima ligjore qe i sherbejne si alibi prokurorit.

Por megjithate, packa se ne sirtaret e Sollakut nuk paska prova te mjaftueshme, pasi, sipas tij, paska disa pengesa qe nuk e lene ujin te shkoje si e sa duhet ne mullirin e tij qe ky te bluaje, fakti qe jashte sirtareve te Sollakut keto prova i gjen me thase nuk vihet ne dyshim. Sikur te mos ishte keshtu, pra, sikur korrupsioni te mos ishte, sic eshte, nje semundje endemike ne shoqerine tone, ay miku i biznesmenit nuk do te guxonte ta hapte gojen per ato historira 10%-shash e tenderash e ministrash, ne prezence te nje njeriu qe nuk e kishte takuar asnjehere. Problemi madje, sipas meje, nuk eshte mungesa e provave, por bash e kunderta, superbolleku i tyre. Te thuash se nuk ka prova ne kete det korrupsioni, sic thone socialistet me ne krye Ramen dhe Majkon, eshte njelloj sikur te thuash se jemi futur ne uje me gjithe rroba dhe kemi dale pa lagur. Problemi eshte tjeter, pra: nje pjese jo te vogel nuk i ben me pershtypje se jemi te lagur, sepse jemi te rrethuar gjithandej me uje dhe jemi te detyruar te veme bythen ne uje kudo qe ulemi. Me fjale te tjera u ka humbur ajo ndjenja e indinjates ndaj padrejtesise, mashtrimit, vjedhjes kur degjojne historira si ajo qe degjova une.

Ajo cka trondit ne kete kontekst eshte fakti se edhe prokurori (kur them prokurori kam parasysh jo vetem Sollakun, por shumicen e prokuroreve rreth tij, por duke theksuar se ay eshte pergjegjesi kryesor, sepse institucioni i tij ka nje strukture mjaft te centralizuar) ben pjese nder keta te lagur qe s'u ndez baroti, qe ka humbur ndjeshmerine per t'u indinjuar nga kjo situate. Prokurori duket sheshit se nuk eshte i shqetesuar fare, jo me si njeri i ligjit, por edhe si qytetar per faktin se ata, te korruptuarit dhe korruptuesit, demtojne me veprat e tyre te tjeret, njelloj sikurse edhe vjedhesit ordinere apo trafikantet e droges, madje shume me teper po te kesh parasysh se sa fuqi kane keta lloj individesh, por edhe se sa te medha jane shumat qe vjedhin. Problemi pra eshte se fillimisht eshte e molepsur ndergjegja qytetare e prokurorit dhe veshtire te kerkosh ndergjegje ligjore apo profesionale te shendoshe, kur eshte e molepsur ajo qytetare. Ne rastin me te mire, nese nuk jane vete te korruptuar, sikurse kam frike se eshte e verteta, prokuroret tane jane te molepsur nga ideja se qytetaret nuk jane te barabarte perpara ligjit, se nese ata kane pushtet, atyre u duhet hapur rruga, edhe kur ne kete rruge ata shkelin njerezit me makine dhe i hedhin ne kanal.

Prokurorit pra i leverdis mungesa e hallkave qe duhet te cojne informacionin e plote, sepse keshtu ay mund ta kete ndergjegjen e tij ligjore me te qete. Atij nuk i mjafton qe Zyra per Mbrojtjen e Qytetareve e Kreshnik Spahiut ka denoncuar ekzistencen e 15 familjeve mafioze, duke percaktuar edhe qytetet se ku ato ndodhen, por i thote ne televizion Kreshnik Spahiut: eja ne prokurori, denoncoi ose mos fol - sikur te mos jete ne kete dynja e te mos dije se hetimet ne keto raste duhen kryer ne menyren me te fshehte e nga organe te pajisura e te forta sic duhet te jete, por fatkeqesisht nuk eshte, ay i veti.

Nga sa kam ndjekur keto kohe reagimet e prokurorit Sollaku, ku do te fusja edhe heshtjen e prokuroreve kolege te tij, jam bindur edhe me shume se ay/ ata ndodhen ne anen tjeter te barrikades se luftes kunder korupsionit, ne ate te mbrojtjes se sistemit te korrupsionit, e cila, per fat te te keq, shoh se eshte e mbushur goxha plot me burra te ndershem, sipas kutit tone te ndershmerise: dmth te nje "ndershmerie", ku ne vend te ndergjegjes qytetare dhe ligjore mbizoteron ndergjegja e perkatesise ne klan, e ndereve dhe favoreve, e perziere me kulturen "ay gjarper qe nuk me kafshon mua, rrofte 100 vjet", me ate "merr e ik" e ku vetem indinjaten e ndergjegjes qytetare e ligjore ndaj padrejtesise nuk e gjen. (Korrieri, 06 Nentor 2005)


Read More......

Friday, November 4, 2005

PD, korrupsioni dhe industria e ndërtimit

Pa dyshim kush po ndjek zhvillimet e fundit politike shqiptare nuk mund të mos verë re se në qendër të tyre është dinamika që ka krijuar lufta kundër korrupsionit e cila mori një theks edhe më të fortë nga lajmi i freskët se Transparency International e ka renditur Shqipërinë ndër vendet më të korruptuara të Botës.
Kjo dinamikë në jetën politike është krijuar kryesisht nga ballafaqimi i tre qëndrimeve:
së pari, qëndrimet e mazhorancës e cila ka ndërmarrë disa aksione politike ku ndër më të shënuarit janë kërkesa për heqjen e imunitetit deputetëve, disa aksione në dogana, presionet politike për të aktivizuar Prokurorinë, shembja e ndërtimeve pa leje në shkolla, si dhe futja në dietë e qeverisë dhe e parlamentarëve nëpërmjet shkurtimit të shpenzimeve;
së dyti, qëndrimet e opozitës PS e cila me një politikë kryesisht destruktive kundërshton thuajse gjithshka bën mazhoranca dhe nëpërmjet organit të saj Zëri i Popullit akuzon se edhe demokratët janë të korruptuar;
së treti, qëndrimet e LSI që shprehet pro nevojës së luftës kundër korrupsionit, por ngulmon se aksionet e qeverisë janë më tepër fasadë, pra se nuk ka vullnet serioz të mazhorancës për të luftuar korrupsionin.
Përballë kësaj dinamike opinioni publik mbetet ndërdyshës, dhe njëherësh edhe në pritje të zhvillimeve të mëtejshme për të vërtetuar nëse PD e ka seriozisht apo nëse kanë të drejtë socialistët që i quajnë demokratët të korruptuar e në këtë kontekst edhe LSI-stët të cilët sot për sot i konsiderojnë aksionet e PD thjesht propagandë.
Pa dyshim aksione të tilla si shkurtimi deri në përgjysmim i bodyguardëve si dhe i shpenzimeve qeveritare nuk mund të kritikohen ashtu sikurse edhe kërkesa për heqjen e imunitetit deputetëve apo dhe kërkesa që Prokuroria dhe Shiku të zgjohen madje edhe të ndryshohen. Por kuptohet se ende kërkohet diçka më tepër që njerëzit të binden se këto janë shprehje e një vullneti të mirë dhe jo të keq sikurse akuzon PS e tërthorazi edhe LSI. E, në këtë kontekst, të mos harrojmë se, sikurse është thënë shpesh nga PD në opozitë, sistemi ynë i korrupsionit apo mafja që ka kapur shtetin ka ndërtuar struktura që në një farë mënyre i ka bërë politikanët tanë të kenë dy rroga, një “modeste” që ua jep shteti si dhe rrogën e majme qu jep sistemi i korrupsionit. Me një fjalë, metaforikisht, shkurtimi i rrogës modeste nuk mjafton për të na bindur se kemi të bëjmë me diçka serioze nëse nuk shohim goditje mbi atë sistem që u jep politikanëve tanë rrogën e majme.
Në këtë pikë opinioni është ende ndërdyshës. Njihen vështirësitë e luftës kundër korrupsionit: ay është një fenomen jo vetëm i politikës, por edhe social kulturor i përhapur si një rrjet kapilar në çdo qelizë të shoqërisë dhe të ndërhysh në të është një punë që kërkon shumë mund e kohë. Nuk mund të mohoet edhe rreziku se po të tentosh ta rrëzosh sistemin e tij me një të goditur ay mund të të zerë brenda, aq më tepër kur edhe instrumente të tilla si Prokuroria apo Gjykatat apo SHISH janë të infektuar rëndë prej tij e mund të të sabotojnë. Por, nga ana tjetër, nuk mund të mohoet se kundër tij më së pari duhet vullnet i mirë dhe diagnistikim i saktë në mënyrë që të përcaktohen edhe terapitë e sakta si ato intensive edhe afatgjatat.
Prandaj ajo çka sot kërkon opinioni është pikërisht dhënia e shenjave bindëse të vullnetit të mirë dhe të diagnostikimit të saktë. A po duken këto? Vështirë të vesh bast për “po” apo “jo”, por disa shenja shqetësuese pro “jo”-së është mirë të thuhen sa më parë.

Shteti brenda shtetit i industrisë së ndërtimit
Nëse sot flitet për dëme të pallogaritëshme të kryera ndaj këtij vendi më së pari do të rendisja helmimin nga korrupsioni të sistemit arsimor dhe atij shëndetsor ku njerëzit në mënyrë masive ndeshin degradimin moral të shoqërisë. Por për këto dy plagë të hapura flitet shumë ashtu sikurse edhe për nevojën e funksionimit të drejtësisë kundër të korruptuarve, edhe kjo si terapi imediate. Ajo që më duket shqetësuese është se pak ose aspak flitet për një plagë tjetër që duhet të vihet edhe ajo në kategorinë e parë e që kërkon ndërhyrje urgjente sepse edhe ajo po shkakton dëme që nuk mund të riparohen ose që duan një kohë shumë të gjatë për tu riparuar. E pra nëse flitet për shtet të kapur nga mafja, që ka sjellë dëme të pallogaritëshme politike, morale, ekonomike, dëme të pallogaritëshme ekollogjike, korrupsion të paparë, nëse flitet për media gjithashtu të kapura nga mafja një nga aktorët kryesorë të këtyre dëmeve është industria e ndërtimit. Hipertrofizimi i kësaj industrie e ka futur ekonominë në një rreth vicioz moszhvillimi nëpërmjet thithjes së të tëra investimeve të shqiptarëve kryesisht në këtë industri e cila nuk është prodhuese dhe zhvilluese. E ndërkaq, si rrjedhojë e këtij hipertrofizimi, nëse sot është shkatërruar bregdeti aktor kryesor janë politikat e mbrapshta të pakontrolluara ndërtuese betonuese. Saranda dhe Durrësi janë shembulli më dramatik i këtij fenomeni. Nga zona turistike ato janë kthyer në të kundërtën e asaj që tërheq turizmin. Nëse sot flitet për shkatërrim të tokave bujqësore, ajo është përsëri aktorja kryesore, nëse flitet për shkatërrim të lumenjve aktorë kryesor janë lavatriçet pa fund në funksion të industrisë së ndërtimit. Nëse janë shkatërruar pyjet përsëri aktorë kryesorë janë sharrat e kësaj industrie. Nëse është shkatërruar pejsazhi përsëri ata janë aktori kryesor. Poende cilësia e jetës së banorëve të Tiranës, Durrësit, Vlorës, Sarandës, etj. është e një niveli dramatik. Zgjidhja e problemit të banimit për një pjesë (një nga të mirat e kësaj industrie) është shoqëruar me shkatërrimin e banesës së madhe: qytetit ku njerëzit banojnë. Mjafton të kesh prasysh se tiranasit thithin një ajër tre deri në dhjetë herë më të ndotur se norma dhe se fëmijët e tyre nuk kanë thuajse më asnjë vend publik ku të mund të luajnë apo të shëtiten të pashqetësuar nga agresioni i trafikut, pluhurit, tymit, zhurmës. Po ashtu, nëse janë shembur sa e sa ndërtesa historike në kryeqytet dhe qytetet kryesore aktore është përsëri industria e ndërtimit.
Më tej akoma: nëse flitet për dëme që i janë shkaktuar medias së lirë e të pavarur e më në përgjithësi mendimit kritik në Shqipëri, ndërgjegjes shoqërore, shoqërisë civile përsëri një nga aktorët kryesorë është industria e ndërtimit e cila zotëron thuajse tërësisht median private në Shqipëri dhe njëherësh ka mjetet më të forta financiare të korruptimit.
Prandaj nuk e ekzagjeron nëse thua se kjo industri ka ndërtuar një shtet të vetin të tipit totalitar brenda shtetit. Them të tipit totalitar sepse shteti totalitar kishte njëherësh nën kontroll pushtetin politik, pushtetin ekonomik si dhe pushtetin mediatik/propagandistik që punonin në shërbim të njëri tjetrit. Aq e vërtetë është kjo sa edhe pasi ka marrë përsipër reformimin e Patisë Socialiste kryebashkiaku Rama, një nga kapot e këtij shteti brenda shtetit, nuk ka hequr dorë nga Bashkia, madje, sipas zërave që qarkullojnë, do të kërkojë edhe një mandat të tretë.
Arësyeja e kësaj gjendje nuk është për shkak se ndërtuesit kanë qenë apo janë qeniet më të mbrapshta shqiptare, por sepse, sikurse dihet, paratë më të shumta të shqiptarëve, pas periudhës së piramidave, kanë rrjedhur në vend nëpërmjet kësaj industrie dhe për këtë industri. Fatkeqësisht mungesat e panumërta morale, kulturor dhe ligjore e kanë kthyer atë në një vazhduese më të sofistikuar të piramidave mashtruese, pasi edhe vlera dhe siguria e këtyre investimeve të shqiptarëve është shumë e dyshimtë. Kësaj i duhet shtuar edhe fenomeni i pastrimit të parave të pista, që kudo pastrohen më lehtë nëpërmjet kësaj industrie, çka ka bërë që kjo industri të kalojë në duar investitorësh me burim parash të dyshimta – duke bërë edhe më të madh rrezikun e lidhjes së krimit me këtë industri.

PD dhe industria e ndërtimit
E pra, fatkeqësisht, pikërisht lidhur me këtë çështje nga sa e kam ndjekur qoftë fushatën paraelektorale qoftë edhe zhvillimet pas fitores së PD nuk kam parë thuajse asgjë të rëndësishme deri më sot në programet lidhur me ndryshimin e politikave ndërtuese dhe as të luftës së korrupsionit që buron prej kësaj industrie.
Në shtypin pranë PD-së kam lexuar kohët e fundit disa herë lajm/ komentin se tani që PD-ja ka ardhur në pushtet ndërtuesit e persekutar gjatë kohës së PS-së, veçanërisht për shkak të klientelizmit korruptiv të kryebashkiakut Rama, do tu hapet punë çka do të krijojë mundësi punësimi edhe për shumë shqiptarë. Kjo u komentua edhe pas botimi të një raporti të SHISH-it në Tema që vinte në dukje dëmet që i kishte shkaktuar biznesit shqiptar klientelizmi i Ramës. Por kjo kërkesë për liberalizim nuk mund të mos të të krijojë shqetësimin e thellimit të situatës që ekziston sot kur çdo privat kontrakton me çdo ndërtues (nëpërmjet sekserëve që kryebashkiaku aktual i Tiranës u ka vënë emrin “inteligjencë e terrenit”) dhe ndërton çfarëdolloj monstruoziteti pa asnjë kontroll dhe pa asnjë plan urbanistik; ashtu si dhe shqetësimin se kjo industri mund të vihet tani në funksion të PD.
Para disa kohës hapa me interes të veçantë të lexoj një shkrim të anëtarit të KOP-t Besnik Alia sot këshilltar i Kryeministrit për çështjet urbane i cili fliste për dëmet e pallogaritëshme ekologjike në Shqipëri. Dramaciteti i gjendjes evidentohej qartë, por, për fat të keq, asnjë fjalë nuk pashë atje për aktorët kryesorë të dëmeve, industrinë e ndërtimit.
Po ashtu PD ka folur shumë për kompensimin që do t’i bëhet arkës së shtetit nga shkurtimi i taksave nëpërmjet eliminimit të evazionit fiskal nëpër dogana apo nëpërmjet pagesës së borxheve etj.. Por burimi që nuk kam parë të preket është pikërisht ay që normalisht duhet të ishte një nga burimet kryesor meqënëse edhe paraja e shqiptarëve ka kaluar e po kalon kryesisht nëpër industrinë e ndërtimit. Po t’i referohemi shkrimit të Richard Gibson – Shaw “Edi Rama’s Panorama – Where’s the City Plan” (Panoramat e Edi Ramës – po ku ëshët plani urvanistik?) botuar në Tirana Times rezulton se në Perëndim një ndërtues është i kënaqur kur ka një përqindje fitimi 30%, ndërkohë që, sipas tij, me kosto ndërtimi 300 euro dhe shitje 700 për metër katror përqindja e fitimit të ndërtuesve tanë është 150%. Ku shkojnë paratë e këtyre fitimeve përrallore? pyet gazetari. Po Berisha si e sheh këtë çështje? Ç’kuptim ka shtyrja e TVSH për ndërtuesit? A ka ndërmend PD dhe Berisha të vazhdojnë me modelin socialist të marrëdhënieve të shtetit me industrinë e ndërtimit? Përveç ndonjë artikulli tek-tuk shkruar prej autorësh pranë ish opozitës nuk kam parë përpjekje serioze për diagnostikim të kësaj situate dhe të vullnetit për ndryshimin e saj. Nuk shoh projekte për rivënie në një funksionim jashtë korruptiv të instituteve të tilla si ai i Urbanistikës, i Monumenteve dhe në përgjithësi nuk kam parë të bëhet presion mbi pushtetet lokale për të ndërtuar plane urbanistike për qytetet nga ekspertë që do të ishin jashtë konfliktit të interesave.


Si përfundim
Ka kohë që është ndezur drita e kuqe e alarmit për nevojën e vënies nën kontrollin e ligjit të industrisë së ndërtimit. Masakra urbane, ajo ekologjike, e trashëgimisë kulturore, e pejsazhit turistik janë shenjat e dukshme të marrëdhënieve barbare të shqiptarit me shqiptarin në këtë periudhë e po ashtu përsëritje e një historie të gjatë tragjike: asaj të shpërdorimit të këtij vendi nga një grusht aventurierësh për interesat e tyre banale. Metalurgjiku, bunkerët, superfosfati, gërdalla uzinash gjithfarëshe janë aty për të dëshmuar për këtë. Ndjeshmëria e qeverisë ndaj këtij alarmi do të ishte një nga treguesit kryesorë të fillimit të luftës së vërtetë kundër sistemit të korrupsionit e në thelb edhe të fillimit të ndryshmit të historisë tragjike te vendit tonë. (Korrieri, 23 tetor 2005)



Read More......

Wednesday, November 2, 2005

Prokuroria si nyje gordiane

Para disa kohësh, kur ende qenë socialistët në pushtet, kam shkruar një shkrim për Prokurorinë thelbi i të cilit ishte se organi kyç i sëmurë që kemi ne, si të thuash mëlçia, që do të duhej të pastronte trupin nga helmimet e ndryshme, dhe nuk e bën këtë, është Pokuroria. Këtë e mbështesja edhe mbi justifikimet që kam dëgjuar nga pjesë të tjera të sistemit tonë imunitar: nga gazetarë që të thonë: ne aq punë për të zbuluar krime e abuzime ku Prokuroria të mund të kapej e kemi bërë, qoftë edhe për shkak të rivalitetit të interesave të pronarëve tanë; nga funksionarë të Kontrollit të Lartë të Shtetit që të thonë se nuk janë të pakta dosjet që kanë shkuar në Prokurori; nga gjyqtarë të thonë se sado që Gjyqsori ynë nuk është ashtu dhe aq i pastër nuk është ai përgjegjës për atë që nuk është dënuar qoftë edhe një politikan për korrupsion sepse, sikur Prokuroria të bënte punën e vet e ta çonte një politikan në gjyq, qoftë edhe për shkak të bërjes së çështjes publike, gjyqtarët nuk do ta kishin lehtë të jepnin vendim të padrejtë; madje edhe nga funksionarë të lartë të SHISH-it që thonë se nuk janë të pakta informacionet që i kanë shkuar Prokurorisë për abuzime dhe shkelje që kanë mbetur po aty ku i ka lënë SHISH-i. Nga ana tjetër kam dëgjuar Sollakun të justifikohet duke thënë se nuk është përgjegjësia e tij sepse disa hallka të tjera nuk i kanë çuar materialin e mjaftueshëm për të hapur çështjet dhe kështu, në një rreth vicioz, ay e ka kaluar topin e korrupsionit tjetërkund duke bërë që ne të vazhdojmë të jetojmë në mbretërinë e pandëshkueshmërisë ose thënë ndryshe të fajësisë pa fajtorë.
Sado që përpiqet Sollaku të na bindë se ka hallka të tjera që e kanë penguar veprimin e tij ligjor, opinioni publik e ka vështirë të besojë se ay nuk ka vepruar thjeshtë dhe vetëm për shkak të respektit ndaj ligjit. Psh. zor të mendosh se Sollakut i duheshim edhe prova të tjera nga ato që i ka dëgjuar tërë opinioni për të hapur proces për disa nga bëmat e Nanos duke filluar nga më evidentja: Shkallnueri.
Më e saktë është të themi se Prokurori nuk ka vepruar sepse ay dhe institucioni i tij nuk ndjehen ndarë dhe madje përmbi ekzekutivin, por nën ekzekutivin, madje shumë të nënshtruar ndaj tij. Dhe kjo për njëmijë arësye që lidhen sa me mungesën e traditës së një prokurorie të pavarur ndaj pushtetit, që ka në krye individë me personalitet dhe profesionalizëm të padyshimtë, e deri tek infektimi i mundshëm i këtij organi në afera korruptive.
Problemi që ngrihet sot është se zorr se do të ndodhë mrekullia dhe ne, sa hap e mbyll sytë, të shohim Sollakun të bëhet tjetër njeri, apo Berishën të gjejë një prokuror apo grup prokurorësh që nuk pyesin as për Berishën e as për kundërshtarët e tij, por vetëm për ligjin. Në kushtet reale ku ndodhemi Prokurori Sollaku ose do t’i nënshtrohet presionit të Berishës e do të fillojë të veprojë duke u akuzuar për vënie në shërbim të Berishës, ose do të zëvendësohet ose do të rezistojë me shpresë se sistemi i korrupsionit do të zbrapsë hovin fillestar të Berishës dhe pastaj do të fillojë të infektojë edhe ekipin e këtij duke ua mpakur kësisoj fuqinë morale. Ndërkaq, qoftë presioni i opinionit të brendshëm qoftë ay i opinionit të jashtëm kërkon që më në fund në Shqipëri të fillojë të funksionojë drejtësia ndaj të korruptuarve. Është kjo situatë kontradiktore dhe kjo kërkesë që e ka bërë Prokurorinë të shëmbëllejë me një nyje gordiane vështirësisht e zgjidhshme pa një veprim të fortë. Të pretendosh të dalësh nga kjo nevojë duke predikuar, sikurse predikojnë disa, se korrupsioni mund të luftohet pa bërë drejtësi, pra, pa vënë përpara bangos së të akuzuarit përgjegjësit kryesorë të tij, por thjeshtë duke përmirësuar ekonominë është njëlloj sikur të pretendosh të shërosh një sëmundje të rëndë që kërkon operim, madje urgjent, duke i dhënë të sëmurit ushqim të mirë. Aq më tepër kur të akuzuarit për korrupsion mbeten në krye të politikës shqiptare
Po ashtu, më duket se në gjendjen ku ndodhemi të mbrosh institucionin e Prokurorit me pretendimin se, përndryshe, po e mori në dorë atë Sali Berisha, do të na vihen në rrezik të drejtat tona të njeriut do të thotë në rastin më të mirë të mos njohësh realitetin kurse në rastin më të keq të jesh bashkëpunëtor i sistemit të korrupsionit. Them “mosnjohje e realitetit” apo “bashkëpunim” të paktën për dy arësye: së pari, sepse sot gjithkush që nuk e ka mizën nën kësulë nuk po përjeton rrezikun e Berishës autoritar, por pafuqinë e Berishës për të goditur sistemin e korrupsionit; së dyti, pasi të drejtat e njeriut nuk janë thjesht të drejtat e ndoca gazetarëve e politikanëve (të cilëve edhe atyre u dhunohet përditë këto jo nga Berisha, por bash nga sistemi i korrupsionit) por të drejtat e të gjithë qytetarëve. Në fakt sot për sot shkelësi më i madh i të drejtave të njeriut është bash sistemi i korupsionit i cili shkel pëditë në mënyrë masive dhe barbare do të thoja, të drejta të tilla elementarie si e drejta e jetës, e shëndetit, e drejta e arsimimit, e drejta e barazisë përpara ligjit, e drejta e fjalës etj. etj. (kam parasysh gjendjen katastrofike për shkak të korrupsionit të sistemit shendetsor, arsimor, gjyqsor, urban, mediatik etj.) Dhe nuk ka asnjë dyshim se Prokuroria nuk ndjen peshën e përgjegjësisë për këtë gjendje dhe ndjenjën e detyrës që të luftojë për evitimimin e këtyre shkeljeve të të drejtave të njeriut. Shtoju këtyre faktin se opinioni publik është lodhur duke dëgjuar politikanë që bëjnë prej vitesh politikë vetëm duke akuzuar të tjerët se kanë vjedhur pa parë të ndodhë asgjë kundër të akuzuarve, çka e ka degraduar edhe politikën edhe krejt shoqërinë. Në këtë kontekst nuk ka asnjë lloj kredibiliteti një opozitë e cila sot sheh konflikt interesash në përpjekjet e ekzekutivit për të vënë në lëvizje prokurorinë dhe nuk sheh se ka një konflikt më të madh interesash në mbrojtjen që i bën ajo prokurorisë sepse, në fakt, kërkon të mbrojë vetveten nga akuzat për korrupsion.
Nuk ka dyshim se ekziston rreziku që antikorrupsioni të përdoret si instrument pushteti dhe po ashtu që duke e patur në dorë këtë institucion mazhoranca aktuale të bëjë luftë selektive, pra duke ushtruar trysni vetëm mbi kundërshtarët. Por ndërkohë që ky rrezik për momentin është në horizont dramën dhe rrezikun e madh e kemi brenda.
Në këto kushte, për ata që janë jashtë lojës politike ka rëndësi që dikush të ndëshkohet e të bëhet shembull për të tjerët që kjo histori të fillojë të mbarojë. Dhe ndoshta ka një rrugëdalje racionale nga kjo situatë vërtet jo shumë e lehtë. Pikë së pari të mos harrojmë se nuk është Prokuroria organi dënues, por Gjyqsori. Pra fare mirë mund të gjindet zgjidhja që meqënëse vështirë se organi i Prokurorisë mund të krijojë sa hap e mbyll sytë staturën e një organi vërtet të pavarur dhe aktiv të bëhet prokuroria pjesë e ekzekutivit, si në SHBA, dhe të kërkohen fort dy gjëra: së pari forcimi i pavarësisë së Gjyqsorit së dyti gjyqe të hapuara publike ku opinioni të ketë prova të qarta për fajësinë ose jo të të akuzuarve. Në rast se do të funksiononin këto dy hallka të forta si dhe organizmi i votës së lirë, mazhoranca nuk do ta kishte të lehtë të hapte me prokurorinë e saj gjyqe të padrejta që do të ktheheshin në bumerang për të pasi do të diskreditohej.
Një rrugë tjetër do të ishte vënia në veprim e mekanizmave ligjore që të kërkonin dënimin edhe të vetë prokurorit për krimin e mosverprimit nëse përsëri jepen prova bindëse ligjore se ay ka pasur në dorë prova të mjaftueshme për të vepruar dhe nuk ka vepruar.
Gjithsesi ruajta e një Prokurorie si kjo që kemi deri më sot, do të thotë vazhdim i mbretërimit të sistemit të pandëshkueshmërisë çka do të thotë mbretërim i sistemit të korrupsionit dhe jo i demokracisë. Një vend politikanët e të cilit nuk japin llogari për abuzimet me pushtetin nuk mund të quhet demokraci. Ka kohë që ndjehet nevoja që më në fund aktorët politikë të japin llogari për abuzimimet me pushtetin si nevojë e hedhjes së një hapi më tej demokratik. Shqipëria ende nuk e ka hedhur këtë hap drejt demokracisë. Ndoshta mund të konsiderohet një nga hapat më gjigande për të sepse nuk është hedhur deri më sot asnjëherë në historinë e shtetit shqiptar. A e ka prokurori Sollaku vizionin dhe aspiratën për tu bërë ay protagonisti i hedhjes së këtij hapi. Duket se jo, por nga ana tjetër pjekja demokratike e vendit sëbashku me nevojën për integrim evropian po e bën hedhjen e këtij hapi impereativ të kohës do apo nuk do Sollaku. (Korrieri, 23 tetor 2005)

Read More......

Pse u shit – ble gazeta Tema

Gjatë një debati televiziv në emisionin Opinin, ku ishin përballë Bamir Topi si përfaqësues i grupit parlamentar të PD dhe Sekretari organizativ i PS Pandeli Majko, nuk mund të mos të të binte në sy një nënqeshje e Majkos sa herë përmendej korrupsioni. Një dy e Majko thoshte diçka pak a shumë të tipit: “korrupsioni… ehe…” përsëri nënqeshje e shoqëruar me një anim koke “shumë shpejt do ta shohim…” dhe prap një nënqeshje edhe më e fortë e më kuptimplotë. Majko e kishte fjalën se shumë shpejt do ta shohim sesi do të korruptohen apo sesi janë të korruptuar edhe pushtetarët e rinj, prandaj më mirë të mos e marrim edhe aq seriozisht këtë çështje.
Po të vesh re Zërin e Popullit e gjithë opozita e PS është reduktuar në denoncimin e çfarë mund lidhur me korruptimin apo korruptueshmërinë e PD-istëve. A thua se po dole në opozitë bëhesh automatikisht i ndershëm ata nuk merren fare me bëmat e Nanos me shokë, as me nevojën e pastrimit të partisë, por ulërijnë “kapeni hajdutin”. Shumë më tepër sesa në gazeta nëpër vendet ku thuren intrigat politike kundërshtarët e PD i dëgjon të bëjnë biografinë e njërit ministër apo tjetrit për të provuar se ata kanë qenë të korruptuar prandaj s’ka pse tu besojmë se e kanë ndershmërisht atë punë. Për rrjedhojë, gjithshka bën e thotë PD-ja ka vetëm një kuptim: të eliminojë kundërshtarët duke i akuzuar për korrupsion dhe njëherësh të marrë në dorë frenat e sistemit të korrupsionit. Prandaj – të thonë - mos e përkrahni heqjen e Prokurorit, as të imunitetit se do të bini nga shiu në breshër.
Me dashje apo pa dashje, kundërshtarët e PD, të cilët nuk janë të paktë, punojnë përditë për të shuar çdo iluzion tek njerëzit që ende kanë shpresë se diçka do të ndryshojë nëpërmjet kësaj mazhorance; për të shuar atë frymë publike antikorrupsion që në një mënyrë apo tjetër mishërohet tek kjo mazhorancë apo ushtron presion mbi të. Synimi i tyre duket qartë: duke dalë shpejt e shpejt në terren të barabartësh, ata kërkojnë ta shvendosin luftën politike tek mungesa e dritave, e ujit, tek 28-29 nëntori e më the të thashë. Kurse nënteksti i propagandës së tyre është: harrojeni luftën kundër korrupsionit; korrupsioni është këneta ku ju keni vegjetuar dhe do të vegjetoni përjetësisht, por shihni që në këtë kënetë të keni pak më shumë drita se tani po bini në terr fare - e për këtë ne e kemi provuar se jemi më të zot se demokratët.
Një nga pykat që u fut së fundi me shumë sukses në këtë propagandë është edhe lajmi (dhe komentet për lajmin) se gazeta Tema, e njohur si gazetë opozitare në ballë të luftës kundër korrupsionit të qeverisë nanoiste dhe kryebashkisë socialiste, u shit nga drejtori dhe njëherësh pronari Mero Baze me një shifër shumë të majme (meqënëse nuk është deklaruar nuk po e shkruaj shifrën, por mendoj se shitjet e gazetave duhet të bëhen publike ashtu sikurse dhe pronarët e tyre të rinj sepse gazetat janë gjë publike) duke rënë bash në duart e një pronari i cili është akuzuar nga ish opozita se, në afera korruptive me kryebashkiakun socialist Rama, ka zgjeruar pronën e tij (Të famshmin lokal tek Parku i Rinisë mu në qendër të Tiranës) duke blerë me çmim qesharak truallin publik dhe jo vetëm, por kërkon të vendosë atje Kazinonë e cila, edhe ajo, është denoncuar nga opozita si një turp i qeverisë Nano.
Mesazhi që merr publiku nga kjo shitblerje është vërtet shqetësues në kontekstin e çka thashë më lart: i famshmi sistem i korrupsionit, i cili ka kapur shtetin dhe mediat, vazhdon punën e tij të kapjes. Justifikimi i Bazes se ay nuk deshte të përdorte favorizimet e pushtetit që e ka sot me vete për të mbajtur gazetën që i dilte me humbje ka edhe një anë tjetër të medaljes: Po ky biznesmeni pse e ble një gazetë që del me humbje? Nga do t’i ketë ay fitimet? Si ka mundësi që shpenzohen shifra përrallore për të blerë një gazetë që nuk sjell fitim nga shitblerja e saj në treg? Dorëheqja e Bazes, që nuk është gazetar dosido, por njihet si një nga njerëzit më të besuar të Berishës, në rastin më të mirë të le shijen se, i pafuqishëm për të luftuar sitemin e korrupsionit, paçka se erdhi në pushtet me këtë premtim, ay ka menduar të mbyllë me paret e shitjes vrimat që i ka shkaktuar në stomak agjërimi i gjatë në opozitë, kurse në rastin më të keq tregon se ay hodhi një urë që PD-ja në pushtet të vendosë lidhjet e veta me sistemin e korrupsionit dhe sistemi i korrupsionit me PD. Edhe një çikë nga të dyja, kuptohet, nuk përjashtohet.
Kjo bëhet edhe më e rëndë kur sheh se në mbështejte të kazinosë dalin aty këtu edhe liberalë të rinj afër PD-së të cilët, në emër lirisë së tregut, lëshojnë parrullën “bixhosxhinjtë të rrinë të qetë” e nuk shqetësohen fare se sa në raport me tregun vërtet të lirë janë këto shitblerje. Mesazhi i tyre mund të lexohet edhe: rrini të qetë edhe ju o njerëz që prisnit luftë kundër korrupsionit edhe ju o korruptues edhe ju o të korruptuar.
Problemi është se askush nuk duhet të rrijë i qetë sot, jo vetëm për shkak të kërcënimit që i ka bërë ky sistem demokracisë, lirisë, moralit, ekonomisë, fjalës së lirë, barazisë përpara ligjit, integrimit në Evropë, por edhe sepse ka shenja të qarta se kolapsi i këtij sistemi të ndërtuar ashtu që një grusht njerëzish të pasurohen në mënyrë spekulative në kurriz të shumicës duke shfrytëzuar media me të cilat u bëjnë shërbime apo shantazh plitikanëve, po i afron fundi sepse, ashtu sikurse piramidat, kemi të bëjmë me një sistem që nuk prodhon, por vetëm thith para. Për këtë duhet të ndërgjegjësohen sa më parë edhe vetë pronarët e këtyre mediave.
Është iluzive të mendosh se politikanët që erdhën në pushtet në emër të luftës kundër korrupsionit janë të pakorruptueshëm. Aq më tepër kur ke parasysh shifrat përrallore me të cilat sistemi i korrupsionit ble instrumentet që e mbajnë në pushtet, çka tregon se lufta kundër korrupsionit nuk mund të reduktohet kurrsesi vetëm tek ata që korruptohen, por dhe tek ata që korruptojnë. Edhe që korrupsioni mund të pastrohet në një ditë. Por, nëse bije edhe kjo shpresë për të luftuar korrupsionin dhe për të filluar ndërtimin e shtetit ligjor që ka ngjallur qeveria e re edhe me disa aksione të lavdërueshme fatet e vendit do të jenë shumë të errëta. Nënqeshja e papërgjegjëshme e Majkos në Opinion, që nuk na tha asnjë fjalë se çka ndërmend të bëjë partia e tij për të pastruar korrupsionin që e ka molepsur fund e majë, do të na kthehet në një përqeshje dhe përtallje të hidhur. Prandaj nuk duhet rreshtur presioni që Berisha dhe të tijtë, që erdhën në pushtet me mandatin popullor për të luftuar korrupsionin, ta mbajnë premtimin se do ta luftojnë atë duke filluar më së pari tek të vetët. (Korrieri, 1 nëntor 2005)

Read More......