Friday, January 27, 2006

Mbi rikthimin e Nanos

« Ku është Fatos Nano? » Kjo ishte pyetja që u ngrit në shtyp në periudhën fill pasi u bë zyrtare humbja e PS-së. Ishte zhdukur. Thuhej se po gjezdiste nëpër vende të tjera duke kënaqur hobet që i ka pasur gjithmonë në konkurrencë me pasionin politik, duke çuditur, ndërkaq, botën me tolerancën e shqiptarëve ndaj tij. Pas afro dy muajsh befas ai u shfaq si protagonist për pak kohë duke tentuar të tërheqë fijet në prapaskenën e zgjedhjes së kryetarit të Partisë Socialiste. Dha një intervistë në Zëri i Amerikës ku sulmoi Edi Ramën dhe Gramos Rucin, la mesazhin se Rama nuk ishte zgjedhja e duhur, dhe kërkoi të bëjë një marrveshje me Mejdanin - çka të gjithë e kuptuan se, tek e fundit, ishte një tentativë për të përgatitur rikthimin e tij në krye të partisë – por, pasi pa se disa nga këto fije iu këputën në dorë, ra përsëri në heshtje.
Tani, pas afro dy muajsh të tjera, kur Partia Socialiste jep shenja të qarta se është në krizë - në dukje pasi Rama nuk po di të krijojë unitet dhe ngase po e përdor PS-në më tepër për të mbrojtur aferat e tij në Bashki, por, sipas meje, për shkaqe shumë më të thella, - po flitet përsëri për rikthimin e mundshëm të Nanos, në mos si kryetar i partisë si kandidat i PS për President. Nuk mungojnë, po ashtu, zërat se ekziston një marrëveshje e fshehtë me Berishën për këtë ; çka, sipas këtyre zërave, do të siguronte vazhdimësinë e qeverisjes së Berishës, kënaqjen e ambicieve të Nanos dhe heqjen qafe të një kryetari PS-je si Rama, të pakëndshëm jo vetëm për Berishën, por edhe për një pjesë të socialistëve.
Këtë janë zëra që qarkullojnë nëpër shtyp dhe jo vetëm, për të cilat dikush mund të thotë se nuk ka pse të merremi sa kohë që nuk ka konfirmime serioze nga ana e protagonistëve për vërtetësinë e tyre. Por mendimi im është se me këto « zëra » duhet te merremi edhe thjeshtë për faktin se ndaj tyre nuk ka qëndrime të prera e të qarta nga protagonistët e politikës, jo më që ka edhe konfirmime - po të kesh parasysh deklaratën e Majkos se Nano mund të ishte kandidati socialist për Presidentin më 2007. Duhet të merremi sepse vetë mosmbajtja qëndrim ndaj çështjes së rikthimit të Nanos në krye të politikës shqiptare është shenjë e mosshëndoshjeje të politikës sepse një nga shenjat se politika shqiptare ka bërë një hap të dukshëm përpara do të ishte pikërisht nxjerrja nga axhenda e saj e çështjes së rikthmit të Nanos në krye të politikës.
E këtu le të hap një parantezë. U shpreha për kthim të Nanos në « krye » të politikës shqiptare dhe jo në politikë sepse normalisht ai duhet të ishte në politikë. Nano në fakt është deputet dhe paguhet nga paratë e taksapaguesit shqiptar për t’i shërbyer me punën e tij zonës që përfaqëson, por edhe debatit të çështjeve politike në përgjithësi. Kurse ai është zhdukur dhe çuditërisht askush nuk i kërkon hesap për këtë, më së pari në partinë e tij, por edhe nga shtypi madje edhe nga vetë mazhoranca, por trajtohet sikur kontribui i tij në politikë mund të jetë vetëm në role kryeministri, kryetari partie apo presidenti. Mjafton ky qëndrim apo, më saktë, mosqëndrim për të konstatuar se politika shqiptare nuk është aspak në gjendje të shëndoshë e demokratike e të konceptuar si shërbim dhe jo si mjet pushteti e përfitimesh personale. Sepse do të mjaftonte vetëm ky qëndrim i Nanos për ta nxjerrë atë krejtësisht jashtë politikës shqiptare e jo më që arsyet janë shumë më të mëdha e më serioze.
Arsyet janë të shumta dhe serioze si për PD edhe për PS por edhe për shoqërinë shqiptare në tërësi. Çështja e rikthimit të Nanos në krye të politikës duhet të jetë jashtë axhendës së PD-së më së pari pasi tema kryesore që e soli atë në pushtet ishte ajo e ndryshimit të moralit që përfaqësonte Nano në politikë. Sipas tërë çka ka thënë PD-ja për katrahurën e korrupsionit, Nano është politikani kryesor përgjegjës, njeriu kryesor të cilit do të duhej t’i kërkohej llogari. Nano dhe Rama në këtë aspekt ndryshojnë vetëm se njëri ka abuzuar me pushtetin qendror dhe tjetri me atë lokal prandaj favorizimi i njërit dhe lufta ndaj tjetrit e komprometojnë rëndë kredibilitetin e PD-së. Sipas deklaratave parazgjedhore të PD, Nano, në vend se me politikanë, pas fitores së PD-së, do të takohej e bisedonte me hetues e gjyqtarë. Heshtja e sotme e PD ndaj çështjes së kthimit të Nanos në rolin e protagonistit të opozitës të le të dyshosh se PD-ja kërkon të shfrytëzojë një çarje më shumë që mund të krijonte kthimi i Nanos. Pra një Nano që qëndron si kërcënim mbi Ramën, dhe një Ramë që nuk do të lejojë kurrsesi Nanon të rikthehet e të bëhet faktori i parë në politikbërjen e PS-së, do të qe në favor të PD-së sipas një logjike të vjetër të pushtetit që thotë se kur armiqtë i ke të ndarë punët e tua shkojnë mbarë. Mund të duket e suksesshme, por, sipas meje, vetëm në terma afatshkurtëra dhe jo në terma interesash afatgjata jo vetëm përsa i përket interesave të vendit. por edhe të vetë PD sepse edhe ajo edhe politika shqiptare në përgjithësi, kanë nevojë për një opozitë të fortë dhe konstruktive dhe jo për një opozitë që kthehet baraz me zero për shkak të kundërshtive të brendëshme.
Por pranimi i rikthimit të Nanos si faktori kryesor i politikbërjes është edhe më problematik për vetë opozitën. Ai vërtet mund të vendosë një harmoni që ka mungur në PS gjatë kësaj periudhe, por problemi është : harmoninë e kujt dhe në interes të kujt ? Të kthesh përgjegjësin kryesor të humbjes, atë që u bë simbol i korrupsionit, papërgjegjshmërisë dhe shfrytëzimit të politikës për interesa private në krye të partisë, deri duke e propozuar si President, do të thotë të mos kesh reflektuar as edhe një grimë për përgjegjësitë për të kaluarën dhe të mos kesh ndërtuar as edhe një program ndryshe për të ardhmen. Dhe gjer tani duket sheshit se kështu është. Thirrja e Nanos veçse e konfirmon edhe më fort këtë fakt.
Në komentet që bëhen sot për karierën e Angela Merkel, kançelarja e re gjermane, vihet në dukje fakti se ajo arriti ta kthejë në fitore partinë e Kohlit pikërisht sepse shtroi tezën se partia do të mund të ringrihej vetëm nëse do të kishte guximin të distancohej nga Kohli dhe ta dënonte atë. Kur ke parasysh kontributin e Kohlit për Gjermaninë dhe bëmat e Nanos ndaj Shqipërisë ky pohim bëhet edhe më domethënës.
Ndërkaq, duke e parë këtë çështje përtej optikës PD - PS mund të thuash se është shumë dëshpëruese për shoqërinë tonë nëse ajo arrin të kërkojë apo qoftë edhe të pranojë rikthimin e Nanos në krye të politikës. Kjo nënkupton refuzimin e kësaj shoqërie për të hedhur hapa përpara drejt respektit për vetveten, pasi problemi më i madh që paraqet rikthimi i Nanos në aspektin moral është se ky rikthim është vërtetim i asaj se kjo shoqëri nuk është në gjendje të dënojë protagonistët e saj të së keqes. Për njëmijë arësye, që tregojnë prapambetjen e saj, shoqëria shqiptare nuk ka dënuar dot protagonistët e saj të së keqes komuniste; ajo nuk i dënoi dot protagonistët e së keqes së 97-tës dhe një rikthim i Nanos në politikë do të ishte vërtetimi i trishtë se kjo shoqëri është ende shumë larg fitimit të sensit të moralitetit dhe të drejtësisë.
Mirëpo të thuash se kjo shoqëri nuk ka sensin e moralitetit e të drejtësisë do të thotë edhe të fyesh pa të drejtë shumë njerëz. Aq më tepër duke patur parasysh elektoratin që votoi në 3 korrik në një mënyrë të tillë që tregoi një kërkesë të fortë për ndryshim në këtë drejtim. Ndoshta kritika duhet reduktuar ndaj elitës që drejton këtë shoqëri e cila është ajo që duhet të ndërtojë e drejtojë instrumentet që e kthejnë në realitet institucional këtë kërkesë për ndryshim. (Korrieri, 25 janar 2006)


Read More......

Thursday, January 26, 2006

Kur do të mbarojë agjenturomania?

Një nga tiparet më të shëmtuara të politikës shqiptare gjatë këtyre 14 vjetëve tranzicion - e shfaqur më së shumti në marrdhëniet thuajse përherë konfliktuale mazhorancë - opozitë - ka qenë përdorimi i ndjenjve nacionaliste ose më saktë tendenca për manipulim në luftën politike i ndjenjve nacionaliste të shqiptarëve. E kam fjalën për retorikën e ndërtuar mbi akuzën se kundërshtari po bashkëpunon me armikun, se ai është vegël e armikut, se ajo çka bën ai i shërben armikut e që shpesh nuk mund të mos të të kujtojë të mirënjohurën shprehje “nacionalizmi është streha e fundit e horrave”, që e jetuam në formën më tragjike në kohën e Hoxhës i cili, gjoja në emër të luftës me armiqtë e kudondodhur të Shqipërisë, por në fakt për interesat e veta të pushtetit, e izoloi krejtësisht Shqipërinë nga bota.
Kuptohet se armiqtë e përdorur – tani që nuk jemi më në periudhën e imperializmit dhe revizionizmit - kanë qenë më së pari armiqtë tanë historikë: serbët dhe grekët. Në periudhën kur Berisha ishte në pushtet në shtypin përkrah tij u shfaqën çuditërisht dhe jo çuditërisht disa terma të importuara nga jashtë ose të krijuara fringo, por mbi një frymë të vjetër. E kam fjalën për terma të tilla si “sllavoortodoks”, “grekosllavoortodoks” etj. me të cilat etiketoheshin kundërshtarët e pushtetit të asaj kohe. Nuk kanë munguar kundërpërgjigjet nga socialistët, veçanërisht në vitin 97, në kohën e piramidave kur, ndërkohë që pushteti e quante katrahurën që po ndodhte të inspiruar nga grekët, opozita ia faturonte gjithshka faktit se Berisha po kryente shërbimet agjenturore që i kishin ngarkuar padronët e tij serbë. Dhe fakti se e shoqja e tij kishte një origjinë përtej kufirit ishte prova më e mirë e kësaj.
Në këtë pikë të shkrimit nuk mund të mos më vijnë ndërmend fjalët e një prej kritikëve të mij i cili më ka thënë se e injoroj faktorin agjenturë në tërë atë çka ka ndodhur e ndodh në Shqipëri. Nuk mund të ve vulën se midis politikanëve tanë nuk ka nga ata që mund të jenë rekrutuar nga shërbime të huaja, por megjithatë mund të them me bindje atë që e kam thënë edhe kur ishte kriza e piramidave se as armiku më i egër i shqiptarëve nuk do të kishte patur guximin të fantazonte se mund t’i bënte aq keq Shqipërisë sa ç’i kanë bërë asaj vetë shqiptarët. Mjafton të kujtosh krimet e Enver Hoxhës, të izoluar nga krejt bota, për ta vërtetuar këtë.
Për hir të së vërtetës duhet thënë se gjatë tetë vjetëve të qeverisjes socialiste simptomat e kësaj sëmundjeje janë pakësuar, besoj edhe si meritë e socialistëve që i kishin pësuar më shumë në kurriz këto akuza, por edhe për faktin se Berisha dhe partia e tij mësuan nga eksperienca se ky nacionalizëm bosh e i rrejshëm nuk ngrinte fort peshë në pikët politike, pasi shqiptarët kishin një farë imuniteti ndaj kësaj retorike, ndoshta i krijuar ky imunitet që nga koha e Hoxhës.
Nuk se kanë munguar akuza të karakeri të tillë, po të kesh parasysh ato ndaj Nanos si agjent i grekëve apo i serbëve kur takoi Millosheviçin me papijon dhe po ashtu kur janë ngritur disa tensione lidhur me zgjedhjet në Himarë, kur PD-ja është akuzuar, kësaj rradhe nga socialistët, për bashkëpunim me PPDNJ, pra se po tradhëtonte interesat kombëtare. Por lufta politike dhe akuzat kanë qenë shumë më të përqendruara në çështjet midis shqiptarëve.
Pa dyshim në këtë zbutje dhe ndryshim gjuhe ka ndikuar edhe ndryshimi i vizionit për marëdhëniet ballkanike dhe evropiane. Me një fjalë ecja përpara dhe fuqizimi i idesë se ëndrra e integrimit në Evropë nuk mund të realizohet pa dhënë shenjat e një gatishmërie për integrim rajonal.
Edhe mbarimi përgjithësisht në favor të shqiptarëve i luftës në Kosovë ka ndikuar për këtë, sikurse edhe pajtimi me faktin se armiku grek është bërë strehë dhe vend punësimi i qindra mijëra shqiptarëve.
Megjithatë, si për të provuar se mënyra e të bërit politikë duke e akuzuar kundërshtarin si agjent të armikut grek apo serb nuk është tejkaluar në Shqipëri doli rasti i ditëve të fundit kur opozita dhe jo vetëm, por edhe një pjesë e shtypit pranë saj akuzon PD-në se në fushatën e saj elektorale ka kërkur asistencë teknike nga një kompani e specializuar amerikane BG&R e cila kompani tani qënka kërkuar po për asistencë teknike nga qeveria serbe lidhur me negociatat për statusin e Kosovës. Miku i armikut tonë është armiku jonë dhe ju që kemi bashkpunuar me të jeni të dyshimtë – qe menjëherë tymnaja që u hodh në ajër. U ngrit kjo tymnajë deri nga vetë kryetari i partisë socialiste. Nga sa kam parë askujt nuk i shkoi në mend të shtrojë pyetjen se pse serbët nuk e kanë përdorur këtë silogjizëm kur kanë kërkuar asistencën e BG&R. Sepse, po të viheshim të arsyetonim nga pozitat e palës serbe me logjikën e opozitës sonë do të duhej që ata të ngrinin çështjen: si mund të kërkojmë ne asistencë nga një kompani që i ka dhënë asistencë një partie shqiptare? Madje ata duhet të ndiheshin edhe më keq se po e marrin atë kompani pas shqiptarëve. Ata më largvajtësit në fantapolitikë dhe teori konspiracioni do të thonë se kjo provon se Berisha është agjent i serbit, ashtu sikurse ka gjasë që të mos mungojnë edhe në Serbi koka të fantaksura që të akuzojnë qeverinë serbe për këtë asistencë nga BG&R.
Por ata që kanë pesë para mend në kokë dhe jetojnë me kohën kjo akuzë e lëshuar nga opozita nuk mund veçse t’i bëjë të mendojë për krizën e saj dhe krizën e politikës shqiptare në përgjithësi që paaftësinë e saj për të përballuar me përgjegjësi dhe realizëm problemet që ka krijuar vetë mundohet t’i transferojë gjetkë, që nuk po di të shkëputet nga metodat e vjetra të stërkonsumuar dhe kundërproduktive të të bërit politikë: metodat e përdorimit të çdo mjeti për të demonizuar kundërshtarin, madje në një mënyrë sa më afatkshkurtër, pa përfillur konsekuencat afatgjata; metodat trushpëlarëse manipulative që ndërtohen mbi mosrespektin për opinionin publik shqiptar, me idenë se ai mund ta hajë lehtë sapuni për djathë. Sepse edhe ata që e përdorin e dinë më mirë se kushdo se kjo akuzë nuk lindi nga qarja e hallit për statusin e Kosovës, por nga lufta e brendshme për pushtet në Tiranë. Kjo akuzë reflekton gjithashtu mungesën e një vizioni të qartë dhe koherent të opozitës mbi marrëdhëniet në rajon e më gjerë në kushtet e reja të krijuara. Madje edhe negociatave mbi statusin e Kosovës nuk i shërben kjo akuzë sepse reflekton një intolerancë ekstreme të shqiptarëve që mund t’i dëmtojë ashtu siç i dëmtoi serbët intoleranca e tyre në Rambuje psh. Aq më tepër do të thoja ajo reflekton krizën e një partie që presupozohet të ketë program identitet dhe vlera të majta, sepse këto parti janë të fundit që mund tu adresohen retorikave manipulative nacionaliste për të luftuar kundërshtarin.
Do të ishte në të mirë të të gjithëve që çështja BG&R të ishte rasti i fundit i kryerjes së luftës politike mbi manipulime me frymën nacionaliste e të agjenturomanisë të trashëguar nga Enver Hoxha. (Korrieri, 23 janar 2006)


Read More......

Friday, January 20, 2006

A mjafton miti i “Tolerancës fetare”

Historia ka provuar shpesh herë se si fshehja pas një miti historik mund ta lerë një shoqëri në miopi përpara realitetit e kjo mund të rezultojë e dëmshme në mos e rrezikshme. Kjo ndodh veçanërisht kur mitet humbasin aktualitetin e tyre, apo kur nga një forcë frymëzuese, përbashkuese e identitetdhënëse kthehen në simbole pushteti që vjen duke u degraduar, por edhe, - madje do të thoja mbi të gjitha, - kur shoqëria nuk zhvillon instumentet e njohjes me sy kritik të historisë dhe të zhvillimeve të saj. Shembujt janë të shumtë si në historinë botërore ashtu edhe në historinë shqiptare. Historiani Bernd Fischer kur flet për mitizimin e Luftës së Vlorës nga Zogu dhe propaganda e tij thotë se vështrimi i italianëve me syrin e këtij miti, pra duke i nënvleftësuar ata, dhe mosnjohja e realitetit se nuk qenë shqiptarët që “hodhën në det” ushtrinë e një fuqie të madhe, por rrethanat historike që e detyruan këtë të largohet, ndikoi që Shqipëria ta humbasë shumë lehtë pavarësinë më 1939.
Një mit historik që duhej parë me kujdes në këtë kontekst e duhet zbërthyer në të mirë të njohjes së realitetit është ai i tolerancës fetare midis shqiptarëve. Pas rënies së komunizmit ky ka qenë një nga shtyllat e forta të vetmburrjes së shqiptarëve. Aq sa Presidenti ynë ka arritur ta quajë, së fundi, në fjalimin e tij të famshëm në Oxford: « nje tipar etnotipik te shqiptareve », ”nje tradite qe vjen nga thellesia e shekujve » që “nuk është zhvilluar në kohët moderne” por që “ka ekzistuar madje edhe para shfaqjes së faktorit osman” dhe ta paraqesë si guri i çmuar që ne mund t’i paraqesim Perëndimit për të na pranuar në komunitetin e vet: “toleranca nderfetare ishte nje prej cilesive qe terhoqi menjehere vemendjen dashamirese te te gjithe atyre dijetareve dhe politikaneve, shqiptare e te huaj, qe besonin dhe kerkonin tek populli shqiptar nje imazh tjeter. »
Po të gërmojmë vetëm pak më thellë me sy kritik do të vëmë re se tërë këto që citova më lart nuk janë tjetër veçse shfaqje e kulturës së fshehjes si struci para realitetit. Mjafton për këtë ta ballafaqojmë ralitetin historik shqiptar me disa pyetje të thjeshta që kanë të bëjnë me thelbin e tolerancës. Pyetja e parë është: nëse me tolerancë do të kuptojmë pranimin e tjetrit të ndryshëm atëhere si ka mundësi që shqiptarët kanë qenë kaq intolerantë ndaj njëri tjetrit të ndryshëm saqë ndërtuan regjimin më totalitar në Evropën e pas Luftës së Dytë? Si ka mundësi që arritën t’i mbyllin krejt kishat dhe xhamijat ndërkohë që vendet e tjera komuniste nuk arritën deri këtu? Dhe, për tu afruar në kohë: si është e mundur që edhe sot e kësaj dite tregojnë një intolerancë të jashtzakonshme ndaj njëri tjetrit - po të kesh parasysh marrëdhëniet pushtet opozitë psh., por jo vetëm?
Ka një paradoks këtu: një popull që e ka tolerancën tipar “etnotipik” “shekullor” tregohet kaq intolerant. Dhe paradokset kërkojnë shpjegim. Pa dyshim po të përpiqemi t’i japim një shpjegim racional këtij paradoksi do të vijmë në përfundimin se ajo që e quajmë “toleranca fetare” e shqiptarëve nuk është një veti e dhënë njëherë e përgjithmonë, madje as tolerancë në kuptimim e gjerë të fjalës, por produkt i kushteve historike të një konteksti të caktuar, madje, ndryshe nga ç’thotë Presidenti, kryesisht i kohëve moderne. Nëse do të kërkojmë rrënjët e saj në Shqipëri do t’i gjejmë pjesërisht në tolerancën ndaj feve të ndryshme që ka pasur përgjithësisht Perandoria Otomane, pjesë e së cilës shqiptarët e tre feve qenë për 500 vjet, por mbi të gjitha ato do t’i gjejmë si produkt i periudhës kur lindi nevoja e ngjizjes së shtetit komb në Shqipëri, dmth. në kapërcyell të shekullit XIX, kur feja laike e kombit u bë mbizotëruese mbi fetë tradicionale sepse, përndryshe, këto do të pengonin procesin e kombformimit. Që këtej edhe thënia e famshme (intolerante) e Pashko Vasës, njëherësh i krishterë dhe pasha otoman, “mos vështroni kisha e xhamija, feja e shqiptarit është shqiptaria.” Gjë që në vendet e tjera rreth nesh nuk ndodhi sepse feja u bë faktor identiteti kombëtar për shkak se mbizotëronte një fe e vetme.
Këtu na duhet të bëjmë një saktësim përsa i përket konceptit të tolerancës. Ai historikisht ka burim fetar dhe nënkupton një komunitet fetar superior në numrin e besimtarëve, mbi të gjitha në pushtet, që toleron një komunitet tjetër inferior. Ky ka qenë në Francë rasti i tolerimit të protestantëve nga Henriku IV (Edikti i Nantës, 1598) i cili toleroi ushtrimin e fesë protestante, gjithë duke shpallur katolicizmin si fe shtetërore. Pra është një koncept që nënkupton një superior që toleron inferiorin, që ve gjithashtu një prag mbi të cilin nuk toleron. Madje, sipas filozofit frëng Derrida, termi “tolerancë” jo rastësisht është marrë nga biologjia sepse nënkupton edhe asimilimin (e inferiorit nga superiori). Pra, nëse gjatë periudhës otomane ka pasur tolerancë të pushtetit otoman me fe muslimane ndaj të krishterëve (kjo nuk ka qenë gjithmonë kështu dhe, po të kërkojmë në historinë e shqiptarëve të asaj kohe, do të gjejmë raste të tmerrshme intolerance të shqiptarëve muslimanë të pushtetshëm ndaj shqiptarëve të krishterë psh.). Kurse në periudhën e formimit të shtetit shqiptar më shumë sesa për tolerancë, mund të flitet për bashkekzistencë relativisht në paqe midis komuniteteve me fe të ndryshme. Kjo, siç e thashë, kryesisht në sajë të dominimit të fesë së ndërtimit të shteti komb “shqiptarisë”, e më pas të ideologjisë së komunizmit, mbi fetë tradicionale. Ndërkaq fakti që ideologjia e shqiptarisë dhe mbi të gjitha ajo e Enver Hoxhës nuk arriti të bashkjetojë në harmoni me fetë e tjera tradicionale nuk është aspak shenjë tolerance përkundrazi është shenjë intolerance. Për komunizmin shqiptar, madje, mund të thuhet se vuri një prag thuajse zero tolerance ndaj të tjerëve që nuk mendonin si ai. Prandaj tu flasësh evropianëve për tolerancë që paska ekzistuar ndër shqiptarët edhe para Ediktit të Nantës, me synim që të ndrrosh imazhin, do të thotë thjeshtë t’i bësh të qeshin.
Nuk do shumë, pra, për të kuptuar se dallimet fetare në Shqipëri nuk janë bërë motiv konflikti dhe intolerance jo për ndonjë veti “shekullore” të shqiptarëve, por sepse feja nuk ka qenë instrument pushteti politik në Shqipëri pasi instrumenti ideologjik i pushteti ka qenë një tjetër fe/ideollogji.
E këtu vijmë tek problemi që u bë motiv i këtij shkrimi: Sikur, pra, të krijoheshin kushte social politike ku përkatësia fetare të kishte ndikim në pushtetin politik – siç ka ndodhur në botë, mjafton të kesh parasysh se sa është rritur instrumentalizimi i fesë nga politika në botën arabe njëzet vjetët e fundit, (por edhe amerikane) - atëhere, duke qendruar të strehuar si struci në mitin e tolerancës fetare, do të ndesheshim me situata ndaj të cilave do të gjendeshim të papërgatitur.
Çka shkrova më sipër ka marrë shkas nga konstatimi i një numri incidentesh ndërfetare në Shqipëri dhe të tentativave të mbylljes së tyre duke përmendur të mirënjohurën traditë të tolerancës fetare si dhe, shpesh, nëpërmjet veshjes së shkakut të tyre “armikut të jashtëm”. I fundit është ai i Bushatit kur një kryq i madh i vënë mbi një kodër është sharruar natën, dhe gjithshka u tentua të mbyllet duke përmendur traditën e mirë si dhe duke ia faturuar, siç shkruhej në ndonjë gazetë, serbit jo muslimanëve shqiptarë. Duke treguar, pra, përsëri, gatishmërinë tonë për t’i ikur realitetit në vend se për ta përballuar atë në kontekstet e reja fetare dhe ndërfetare që janë krijuar në vend.
Me këtë nuk dua assesi të them se nuk duhet përmendur kjo traditë. As se duhet mohuar vlera e saj. Por, së pari, se duhet kuptuar me frymën kritike të kohës historia e saj pasi vetëm kjo mund të na bëjë të aftë për të kuptuar drejtë të tashmen e për të projektuar të ardhmen dhe, së dyti, sepse miti i tolerancës nuk mjafton për t’iu përgjigjur realiteteve të sotme ashtu sikurse nuk mjafton sot tu thuash shqiptarëve: ”mos vështroni kisha e xhamija, feja e shqiptarit është shqiptaria”. Ashtu sikurse nuk mjaftoi dje propaganda e regjimit komunist që, ndonëse u foli shqiptarëve për 50 vjet për dashurinë dhe sakrificat për atdheun, i pa ata të ikin me vrap jashtë atdheut sapo iu dha rasti i parë i hapjes së kufijve.
Jacque Derrida, kur trajton problemin e mprehtë të sfidave evropiane me emigrantët e shumtë muslimanë që e popullojnë sot Evropën, e atakon konceptin e tolerancës, sikurse e thashë edhe më lart, si një koncept që nënkupton superioritetin dhe asimilimin duke kërkuar që evropianët ta zëvendësojnë atë me konceptin e “mikpritjes së pakushtëzuar” me çka kupton pranimin e tjetrit me kulturën e tij. Këtë ai e konsideron sfidën e rradhës që ka Evropa përpara. Është një shembull se si kohë të reja kërkojnë ide të reja dhe idetë e reja prodhojnë kohë të reja.
Prandaj mendoj se në trajtimin e fenomeneve ndërfetare që vihen re sot, siç janë vendosjet e kryqeve apo ndërtimi i xhamive në vende sfiduese për besimtarët e tjerë, apo të tjerë akte që reflektojnë qëndrime anti të krishterë apo islamofobike nuk duhen injoruar disa faktorë të rëndësishëm të periudhës paskomuniste, kombëtare dhe ndërkombëtare. Në nivel kombëtar, kemi përjetuar dhe po përjetojmë krizat morale dhe të identitetit që ka krijuar rënia e komunizmit çka shumë njerëz i ka çuar tek feja si kërkim shprese dhe identiteti. Krahas kësaj kemi përjetuar ringjalljen e komuniteteve fetare, çka midis të tjerash nënkupton se këto nuk mund të lihen të margjinalizuar apo të injoruar, si më parë, se roli i tyre në rimëkëmbjen morale dhe shpirtërore të vendit duhet të bëhet pjesë integrale e rimëkëmbjes së tërë shoqërisë. Pa harruar nga ana tjetër se ky është një terren shumë i favorshëm për instrumentalizimin e fesë dhe se nuk kanë munguar dhe nuk mungojnë tentativa të këtij instumentalizimi duke arritur deri në shprehje të demonizimit të njërit apo tjetrit komunitet apo të përcaktimit se cila duhet të jetë feja e parë e shqiptarëve. Të mos harrojmë gjithashtu se po përjetojmë një mosshkollim e kriminalizim të frikshëm të shoqërisë përballë të cilit qëndron një klasë politike thellësisht imorale dhe e korruptuar. Ti lesh njerëzit pre të injorancës, krimit, varfërisë, imoralitetit dhe të shpresosh se ata, megjithatë, nuk do të bëhen bisha ndaj njëri tjetrit pasi ti u përmend natë e ditë se ata kanë qenë gjithnjë të urtë e të bindur është një iluzion që mund të ketë pasoja të rrezikshme. Këtyre u duhet shtuar në nivel ndërkombëtar fakti se përgjithësisht përjetojmë rigjallërimin e feve në botë në këtë periudhë pas moderne dhe pas 11 shtatorit, që ka shtuar ndjeshëm fenomenin e instrumentalizimit të feve për qëllime politike, që ka nxjerrë në pah shqetësueshëm rrezikun e kundërvënies botë e krishterë - botë muslimane.
Prandja ngulmoj se ruajtja e frymës shekullare dhe ekumenike të Shqipërisë duhet parë si një sfidë e vazhdueshme që duhet t’i përgjigjet konteksteve të reja të krijuara si në nivel kombëtar ashtu edhe në nivel ndërkombëtar dhe jo duke u strehuar në traditën nacionaliste të një shekulli më parë apo, edhe më keq, në atë totalitare komuniste. (Korrieri, 18 janar 2006)


Read More......

Monday, January 16, 2006

Zogut i Zi si udhëkryq politikash

Viti 2006 ka nisur nën shenjën e konfliktit që duket se do të marrë emrin e Zogut të Zi. Deri pak kohë më parë pak tiranas janë interesuar të dinë se nga i vjen emri këtij udhëkryqi. Është një emër në fakt që i ka mbijetuar dhe rezistuar komunizmit i cili zakonisht vinte emra dëshmorësh në rrugët dhe sheshet. Me siguri Zogu i Zi duhet të ketë ndonjë emër të vënë nga komunistët që ia di pakkush e që ndoshta ia kanë ndërruar edhe demokratët. Por ai për tiranasit mbetet Zogu i Zi. Edhe simbolika e një “zogu të zi” edhe aliteracioni i zymtë i “z”-ve e tek “zogu” dhe “i zi” nuk i ka bërë tiranasit ta quajnë ndonjë gjë ndjellakeqe, madje ndoshta pikërisht pse vinte nga një e kaluar parakomusiste, që në krahasim me zezonën e komunizmit ishte disi më e bardhë, është parë me simpati si emër prej tyre.
Shkurt, Zogu i Zi duke qëndruar në periferi nuk ka hyrë në histori, por tani që dora dorës Tirana po zmadhohet duket se i doli rasti të shenjojë një fazë interesante të tranzicionit shqiptar sepse mu atje po bëhet një ndeshje e rëndësishme. E kam fjalën për ndeshjen midis qeverisë që kërkon ta prishë mbikalimin si i ndërtuar pa respektuar ligjet dhe rregullat e shtetit dhe opozitës që kërkon ta mbrojë e që së fundi doli edhe në miting proteste mu tek udhëkryqi. Është një ndeshje që zhvillohet jo thjesht në udhëkryqin midis Rrugës së Durrësit dhe Unazës, por në një udhëkryq politikash.
Që ai të mos hyjë në histori si ndjellakeq, ose thënë ndryshe që në udhëkryqin e Zogut të Zi të mos zgjedhim rrugën e mbrapshtë, duhet hedhur vështrimi përtej Zogut të Zi. Me “përtej” kuptoj distancën e nevojshme për ta parë çështjen njëherësh si një rast i veçantë, por edhe si shprehje e një të përgjithshmje, si rezultat i një procesi të së kaluarës por dhe në perspektivën e së ardhmes, çka më duket se Zogu i Zi i ngërthen mjaft mirë në vetvete.

Zogu i Zi si udhëkryq politikash urbane

Meqë shqiptarët i kanë shumë qejf opinionet e të huajve ose më saktë meqë të huajt janë përdorur shpesh, veçanërisht nga politikanët, për t’i bindur shqiptarët për vlerën ose jo të gjërave që ata bëjnë, po u them edhe unë, - disi me autoironi ngase po përdor një mënyrë të argumentuari që gjithnjë e më shumë më bezdis, - opinionin e një arkitektje të huaj. E pra, kur pa se ç’po bëhej në Zogun e Zi një arkitekte perëndimore përdori tekstualisht fjalën “monstër” krejt i panevojshëm për qytetin.
Megjithatë kush kapërcen Zogun e Zi dhe futet për në qendër sheh se Tirana është e mbushur me megandërtesa monstra jashtë çdo koncepti urabanistik normal prandaj dhe s’ka pse të çuditesh me Zogun e Zi. Ato të bëjnë të qartë se çështja e ndërtimit të monstrave nuk është thjeshtë ajo e mbikalimit të Zogut të Zi. Ai është thjesht një rast i asaj çka ka ndodhur rëndom në Tiranë, veçanërisht në qendër, në nivelin urbanistik, por njëherësh edhe shoqëror sepse ai/ato janë shprehja metaforike e një shoqërie të paaftë për të ndërtuar komunitet, që jeton në një fazë xhungle ku bishat më të fuqishme shqyejnë kë të mundin dhe bëjnë ligjin si tu vijë për interes atyre. Sot e di i madh e i vogël se ajo çka po bëhet në Tiranën brenda Zogut të Zi nuk është diktuar nga ndonjë koncept estetik, as nga ndonjë nevojë e zhvillimit normal të qytetit, por thjeshtë ngase është ngritur një makieri e tërë përfitimi, e ngjashme me piramidat mashtruese, që abuzon mbi injorancën dhe nevojën e njërëzve për të pasur një shtëpi, por edhe mbi pafuqinë e shumë prej tyre për t’iu kundërvënë kësaj makinerie. Mjafton të shohësh se ç’po ndodh në zonën e ish Kinema 17 Nëntorit, apo tek Rruga e Dibrës ku megandërtesat i kanë hipur kaladibrançe mbi shpinë njëra tjetrës për të kuptuar monstruozitetin. Pale sikur të imagjinosh se çdo të bëhet sikur të ngrihen edhe monstrat e planit të ashtuquajtur francez.
Nëse dikush do të bëjë pyetjen se pse po zgjerohen rrugët e Tiranës në qendër në një mënyrë çuditërisht të përshpejtuar, duke i lënë ato hapur jashtë afateve, shpjegimi i parë është se rrugët janë ndërtimet publike më të mirënjohura për korrupsionin, por ka edhe një shpjegim tjetër: sepse ato, pa u zgjeruar, nuk mund të përballojnë dot trafikun që është krijuar dhe do të krijohet me përfundimin e tërë monstrave që janë projektuar për tu ndërtuar në këtë qendër, prandaj zgjerimi i tyre duhet për të zgjatur edhe pak aventurën e kësaj makine piramidale monstruoze që, gjithsesi, po vazhdoi kështu, do ta çojë në kolaps total qytetin. Sikur të bëhej llogaria se sa rrugë të reja do të ishin ndërtuar me ato të holla për të ndërtuar infrastrukturën e një lagjeje të re me një qendër të re jam i sigurtë se do të dilnim tek ideja - edhe ajo e mirënjohur tashmë - se një zhvillim normal i Tiranës do të ishte ndërtimi i godinave të larta në një zonë tjetër - sipas studimeve ajo në veri, tek stacioni i trenit - kurse qendra do të duhej të trajtohej me kujdes duke patur parasysh edhe historinë edhe ruajtjen e raporteve estetike me ndërtesat ekzistuese prandaj dhe, tek e fundit, edhe kërkesën e ruajtjes së një numri normal banorësh për metër katror.
Prandaj problemi në planin urbanistik nuk është të prishet apo jo Zogu i Zi, por që prishja e tij të jetë në kuadrin e ndalimit të tërë monstruozitetit që po hedh gjithnjë e më shumë metastaza brenda Zogut të Zi.

Zogu i Zi si udhëkryq politik

Mënyra se si është punuar tek Zogu i Zi, pa leje ndërtimi, pa oponencë ka edhe një emër tjetër: lidhja e shkurtër jashtëinstitucionale e pushtetit me biznesin, ndryshe modeli Rama i qeverisjes socialiste i reklamuar edhe nga Nano. Ka qenë modeli i bërjes së punëve me principin: unë të bëj këtë nder, por edhe ti më bë diçka që të kem me çfarë t’i hedh hi suve këtij mileti, por edhe të huajve që vizitojnë Shqipërinë. Kështu u pastrua një pjesë e Lanës duke u dhënë sheshe ndërtimi në qendër biznesmenëve që çonin aty gratis buldozerët. Mjafton të bëje një llogari të thjeshtë se sa naftë harxhonin këta për buldozerët dhe sa fitonin me pallatet për të llogaritur se kush ishte i fituari në këtë mesele. Por edhe se sa fitoi e humbi qyteti në nivelin urbanistik gjithashtu. Kush e mban mend një debat mbi prishjen e Teatrit Popullor do të kujtohet se ideja e kryebashkiakut dhe e biznesmenëve që e mbështesnin ishte që aty të ndërtohej një 25 katëshe ku katër katet e para do të ishin teatër. Sipas kësaj logjike shteti, si pronar trualli, jepte një teatër dhe fitonte katër, pak a shumë si pronarët e shtëpive ku ndërtohet sot. Sipas logjikës së atyre që do të ndërtonin, me një kalkulim të thjeshtë të shitjes së 21 kateve apartamente që do të ngriheshin mbi teatrin, dilte një fitim neto afro 25 milion dollarësh. Ç’të keqe ka këtu do të thotë dikush. E keqja është në shumë plane. Mbi të gjitha se jeta e një komuniteti nuk mund të diktohet ekskluzivisht nga interesat e përfitimit të një grupi të vogël njerëzish që shkatërrojnë interesat e të tjerëve përreth, sepse në një vend ku zbatohen ligjet urbanistike një 25 katësh nuk mund të ngrihet mbi shpinën e të tjerëve dhe as duke sfiduar vlera historike që u përkasin të gjithëve. Por edhe në aspektin e marrëdhënieve të pushtetit me biznesin. Në një shtet normal lidhja e pushtetit politik me biznesin bëhet nëpërmjet politikave të taksave. Pra nëse një shtet kërkon të ndërtojë vepra publike këto nuk i ndërton në një formë të atillë sikur biznesi po i bën një lëmoshë shtetit, por ai mbledh taksat nga biznesi dhe me këto taksa financon projektet e veta publike.
Kurse lidhja e shkurtër me biznesin - mënyra më e shpejtë për të bërë të ashtuquajturit visual action – është mënyra më e mbrapshtë e bërjes së punëve publike sepse ajo lë mundësi për abuzime, për korrupsion të politikanit, për punë të cilësisë së dobët të pakontrolluar (me siguri rëniet para dy muajsh në kryeqytet të tavaneve të një shkolle dhe spitali të posa rikonstruktuar janë pasojë e kësaj mënyre) dhe nuk instalon asnjë kulturë shteti në vend.
Nuk ka asnjë dyshim se rasti i mbikalimit të Zogut të Zi është vazhdim i kësaj mënyre të mbrapshtë të bërjes së punëve: një lidhje e shkurtër jashtëinstitucionale me biznesin që nuk i shërben komunitetit, por pasurimit të një grupi të vogël në kurriz të komunitetit.
Ja pse çështja e Zogut të Zi duhet parë përtej Zogut të Zi si një udhëkryq i thjeshtë. Ajo duhet parë si udhëkryq i politikave urbanistike dhe i atyre të raportit të pushtetit me biznesin. Ai është një udhëkryq për socialistët që nuk po dinë ende të provojnë se kanë kuptuar se duke na paraqitur modelin Rama të lidhjes së shkurtër jashtëinstitucionale politikë - biznes si model qeverisjeje na paraqitën një OMGJ kancerogjene si ushqim të shëndetshëm e se kjo i çoi në korrupsionin galopant që i ndëshkoi.
Është edhe më shumë një udhëkryq për demokratët sepse ata duhet të provojnë se Zogu i Zi nuk është thjesht një konflikt për pushtet me kryebashkiakun sot kryetar i Partisë Socialiste, por edhe me mënyrën e të bërit të punëve me lidhje të shurtër korruptive me biznesin, një udhëkryq, tek e fundit, ku duhet zgjedhur midis rrugës së politikave në shërbim të interesit afatgjatë të komunitetit dhe rrugës së politikave në shërbim të interesit afatshkurtër të mafjes.
(Korrieri, 12 janar 2006)

Read More......

Monday, January 9, 2006

Rrëfimi i Lubonjës: besimet dhe zhgënjimet e “Përpjekjes” sime 15 vjeçare

(Interviste e F. Lubonjës dhenë gazetës Standart, botuar më 7 Janar 2006)

1- Zoti Lubonja, së fundi keni fituar një çmim - grant
nga ministria e Kulturës dhe Turizmit. Është hera e pare ndoshta që merrni një çmim dhe grant me fonde për revistën tuaj, e cila është gati 13 vjeçare, e për me tepër nga një qeveri e djathtë në pushtet. Shihni diçka për të komentuar këtu?

Duhet të bëjmë marrëveshjen e fjalës kur flasim për të majtë dhe të djathtë në Shqipëri. Sipas meje nuk ka ende një kulturë të djathtë dhe të majtë në partitë shqiptare. Nuk flas thjeshtë në aspektin social ekonomik, atë të politikës së taksave, por shumë më gjerë: për dy vizione (komplementare) mbi botën, për atë se me kulturë të djathë konsiderohet një kulturë konservatore më e lidhur me vlerat tradicionale si ato të fesë, të familjes, të nacionalizmit, kurse me kulturë të majtë kuptohet një kulturë, që i ka rrënjët tek Iluminizmi, e mbështetur mbi “heroizmin e arsyes”, që kërkon ta sfidojë traditën në emër të progresit, që nacionalizmit i kundërve internacionalizmin që forcës i kundërve pacifizmin, që në më shumë se tek vlerat e familjes e ve theksin tek liria seksuale, më shumë sesa tek besimi tek dyshimi, etj..
Përpjekja në këtë aspekt është një revistë e majtë me frymëzim iluministik. Motua e saj, që gjendet në krye të editorialit të numrit të parë, është “Fac sapias liber eris” (bëhu i ditur të jesh i lirë), që në një farë kuptimi të kujton mëkatin origjinal të Adamit, që hëngri mollën e dijes për tu bërë i barabartë me Zotin, çka meteforikisht kuptohet edhe si akt kryengritjeje ndaj pushtetit dhe autoritetit. Ajo mbart gjithashtu edhe frymën e postmodernizmit - shoku intelektual i rrugës të brezit të revolucionit të viteve 60 - si dekonstruktues mitesh, si korrigjim, nëpërmjet frymës kritike, edhe i Iluminizmit pasi vuri në diskutim paradigmën iluministe të historisë si një përparim i vazhdueshëm dhe i pandalshëm i progresit material; që pyetjeve të tilla si: cilat janë arësyet që na çuan në hedhjen e bombave atomike, te Holokausti dhe Gulaget, si arritëm në një botë me një ndarje gjithnjë e më të madhe midis të pasurve dhe të varfërve u përgjigjet duke akuzuar kapitalizmin e tregut, socializmin shtetëror dhe ideologjinë e shtetit komb si produkte të kësaj paradigme.
Kurse ato që quhen parti të majta dhe të djathta në Shqipëri nuk i kanë këto profile kultorore, janë të dyja kryesisht të djathta konservatore me ndonjë element të kulturës së majtë. Mjafton t’ju kujtoj mbështetjen e të dyjave ndaj liberizmit, ndaj luftës në Irak, martesën në Kishë të Nanos e në përgjithësi frikën e liderëve të majtë për të deklaruar ateizmin, apo rendjen e të gjithëve për të bërë një foto me Bushin, për të mos përmendur faktin se që të dyja janë konservatore po të kesh parasysh qëndrimet ndaj nacionalizmit apo vlerave të familjes e shumë tabuve shqiptare që lidhen me liritë seksuale.
Ndërkaq Përpjekjen e bashkon me atë që po e quajmë konvencionalisht e djathtë e që mund të identifikohet me një krah radikal të PD-së apo jashtë saj, fakti se ajo është kundërshtare e kulturës së prodhuar në kohën komuniste e që u riciklua si instrument pushteti në kohën e tetë vjetëve qeverisje socialiste, të cilën e fut në trashëgimin reaksionare të kulturës shqiptare.
Nuk e di se çfarë ka ndikuar më shumë për t’i dhënë çmimin Përpjekjes. Unë them se janë vlerat në vetvete pavarësisht nga optika, po ashtu besoj se kemi të bëjmë edhe me një kundërvënie ndaj politikave të pseudosocialistëve. Pra do të doja ta shikoja si një shenjë se qeverisja aktuale synon të promovojë vlera më substanciale sesa ato të spektakleve me mise dhe koncerte që më shumë i kanë shpërbyer politikave klienteliste e atyre të shpëlarjes së truve të elektoratit të ri.


2- Luftoni energjikisht në skenën publike shqiptare
për mbështetjen nga publikja të disa nismave dhe iniciativave të tilla si "Përpjekja" për të promovuar ide dhe pikëpamje që nuk kanë "treg" fitimiprurës. Ngulmoni ende se shteti do të duhej të mbështeste të tilla iniciativa apo mendoni se çështjen mbetet ta marrë në dorë sektori privat, mecenati?

Kam një ndjenjë refuzimi ndaj mecenatit edhe sikur ai të ishte mecenat i vërtetë, dmth. i motivuar nga dëshira e sinqertë e një të pasuri për të kontribuar. E kam këtë ndjenjë sepse më fyen ndjenjën time të barazisë së njeriut me njeriun. E kam fjalën për barazinë në dinjitet e në ato gjëra themelore, që bëjnë që çdo jetë njerëzore të ketë vlerë të barabartë, ku hyn edhe e drejta e të gjithëve për tu shkolluar e bërë të ditur për të qenë të lirë. A mund të jesh i lirë kur je rob i lëmoshës së një meceni? Kultura e mecenatit sipas meje është reminishencë e një kulture të sistemeve aristrokratike kur pranohej epërsia e disave mbi disa të tjerë, kurse në një demokraci ajo duhet të vijë duke u shuar për t’ia lënë vendin politikave sociale. Pra mbetem me idenë se për kulturën, ashtu sikurse për median, arsimin dhe për shëndetësinë duhet të ketë fonde publike që të garantojnë të drejtat themelore të njeriut, ato të drejta që i bëjnë njerëzit të jenë të barabartë me njëri tjetrin dhe jo të pabarabartë. Gjithnjë pa harruar se duhen ndërtuar instrumente demokratike për të evituar rrezikun që këto fonde të përdoren nga shteti për ta nënshtruar apo blerë individin.
E di që në këtë moment do të më përmendni “ëndrrën amerikane”. Por unë jam për “ëndrrën evropiane” që sikurse thotë Jeremy Rifkin e “ve theksin mbi ngritjen e shpirtit njerëzor dhe jo mbi shtimin e pasurisë; mbi rritjen e empatisë të njeriut, jo mbi shtrirjen e territoreve për të nënshtruar e dominuar.”
Aq më tepër po të kesh parasysh se “pasuria” është diçka shumë relative. E kush e tha se është më i pasur një tregëtar mielli psh. nga një artist? Aq më tepër po të kemi parassysh se akte të ashtuqajtura mecenati tek ne kanë më tepër qëllim krijimin e një statusi pas të cilit fshihen qëllime të tjera nga ato të kontribuimit për kulturën dhe artin e vërtetë. Besoj se e kemi parë “mecenatin” e deritanishëm në Shqipëri. Është një formë për të grabitur para publike, që, për fat të keq, shpesh bëhet në bashkëpunim me të ashtuquajturën elitë kultorore të vendit.


3- Fryma e revistës "Përpjekja" i përgjigjet emrit të saj, përpjekjes për të destrukturuar kulturën tradicionale dhe atë të nacional - komunizmit
shqiptar. Ia keni dalë mbanë Lubonja, a kanë "ngjitur" idetë tuaja?

Përpjekja ka një numër jo të vogël simpatizantësh, por që, gjithsesi, mbeten në minorancë dhe që, fatkeqësisht, më shumë sesa në Shqipëri ndodhen të shpërndarë andej këtej nëpër botë. Shkaqet janë disa. Sipas meje kanë të bëjnë kryesisht me shkaqet e ikjes së trurit ku, ndër më dramatiket, unë konsideroj ato shkaqe që kanë ndikuar që historikisht më të mirët të ikin e të shkojnë jashtë duke e lënë vendin gjithnjë nën pushtetin e më të këqijve. Shteti i kapur nga majfja ka bërë që njerëzit më të mirë të ikin nga kjo strukturë dhe atmosfera e krijuar prej saj, që kërkon ose t’i komprometojë ose t’i shtypë e t’i flakë. E kjo nuk është pa lidhje me mbetjen në minorancë të kulturës që kërkon të transmetojë Përpjekja e cila, sikurse e thatë edhe ju, kërkon të vërë në dyshim kulturën e pushtetit. Në këtë kontekst nëse në kohën e komunizmit ideologji e pushtetit ishte nacional - komunizmi sot mbeten të forta remineshencat e tij si instrumente pushtetmbajtjeje. Mbi të gjitha metodat e tij të trushpëlarjes që në thelbin e vet e pengojnë njeriun të krijojë personalitet dhe individualitet dhe gjykim të lirë nëpërmjet zhvillimit të shpirtit kritik. Tek e fundit kemi të bëjmë përsëri me metoda që synojnë të mbajnë njerëzit në padije dhe kjo, pa dyshim, është e kundërta e asaj që kërkon Përpjekja.
Pra, nuk nguroj të them se idetë e Përpjekjes janë në minorancë, por një minorancë që jam i sigurt se një ditë do të bëhet mazhorancë ashtu sikurse jam i sigurt se, kur ato të jenë bërë mazhorancë, do të ketë minoranca të tjera që do të kërkojnë të shtyjnë edhe më përpara drejt dijes dhe lirisë shoqërinë.


4- Në nisje të saj Përpjekja ka promovuar një korpus
idesh dhe pikëpamjesh dhe bashkë me to një grup
intelektualësh të kohës si Edi Rama apo Ardian Klosi etj. Ata nuk e ndoqën "Përpjekjen" apo ju ndryshuat thelbin e saj?

Gjykimin nëse ka ndryshuar Përpjekja apo kanë ndryshuar ata i duhet lënë lexuesit i cili fare lehtë mund të bëjë krahasimit midis asaj që kanë shkruar në numrat e Përpjekjes për të cilët kanë kontribuar dhe ato çka shkruajnë, thonë e mbi të gjitha bëjnë sot. Sipas meje do të venë re se Rama psh. ka ndryshuar thuajse të gjitha qëndrimet që ka shprehur në Përpjekja. Ai ka ndarë me frymën e Përpjekjes qëndrimin fshikullues autoironik ndaj të metave të shqiptarëve, ndaj nacionalizmit, ndaj intelektualëve që kanë bashkëpunuar me regjimin komunist me në krye atin e tij dhe Kadarenë, ndaj veteranëve, ashtu sikurse, sëbashku me Artan Shkrelin dhe Daniel Gjonin, idetë e zhvillimit urban të shtjelluara në një shkrim të mirënjohur të tyre si dhe në ato që ka shkruar Klosi lidhur me këtë temë. Të gjitha këto qëndrime i ka ndryshuar duke bërë, si politikan, të kundërtën , paçka se veçanërisht kur flet me të huajt i reklamon ende disa prej tyre si të vetat. Të kuptohemi, kushdo ka të drejtë të ndryshojë mendim, por më i rëndësisëm është shkaku pse ndryshohen ato dhe drejtimi që merr ky ndryshim, për më thellë apo për më cekët, për më drejt apo për më shtrembër. Në rastin e tij kemi të bëjmë me “dalje në sipërfaqen” e kulturës tradicionale të pushtetit për të qenë më afër shumicës së shqiptarëve. Sipas meje është rasti i një intelektuali superficial që nuk i njeh thellë idetë që ka shprehur, sepse nuk ka investuar gjatë dhe me themel për bindjet e veta, prandaj dhe nuk ka ndonjë pasion për t’i përthelluar ato, madje mund t’i tradhëtojë lehtë për hir të pushtetit apo parasë ashtu sikurse edhe mund tu rikthehet, po përcipërisht, kur t’i duhen. E kjo e ka futur në një rreth vicioz ku prishja e koherencës dhe e karakterit nga paranoja e pushtetit i zbeh inteligjencën dhe zbehja e inteligjencës i prish edhe më karakterin dhe koherencën duke ia thelluar paranojën. Është historia e njohur e degradimit të shumë individëve që dashurojnë pushtetin dhe paranë përmbi njohjen dhe të vërtetën.
Klosi kam përshtypjen se nuk ka të njëjtin mosrespekt për idetë që ka shprehur më parë në Përpjekja. Por ka humbur frymën kontestuese duke u bërë palë, madje duke u vënë shpesh në shërbim të pushtetit që përfaqëson Rama, qoftë edhe duke zgjedhur heshtjen për shumë çështje. U ka mbetur konsekuent luftrave ekologjike, por, për fat të keq, jo në Tiranë ku po bëhet masakra më e madhe ekologjike me në krye Ramën. Shumë “luftra” të tjera i ka braktisur duke preferuar “rehatinë”, duke u larguar pra nga ai “zhgan intelektualësh antishqiptarë”, siç na ka akuzuar Kadare disa vjet më parë, të cilët, duke deklaruar se “letërsia shqipe është nacionaliste” apo se “shqiptarët kanë qenë tepër të hymnizuar nga kultura shqiptare, ndaj tani duhet t’i rrëzojmë në baltë për t’i sjellë në vete” (çka është një interpretim alla Kadare i frymës së Përpjekjes) kanë bërë “thirrje të hapur për tradhëti të hapur tashmë ndaj atdheut” (shih librin Kombi).
Por tek e fundit kush ka sot respekt për idetë në Shqipëri. Sot një investim i tërë jete për tu formuar ka më pak vlerë sesa një leje ndërtimi pallati që mund të të bëjë milioner sa hap e mbyll sytë. Mungon shembulli frymëzues i filozofit Bias të Greqisë së lashtë, i cili, kur e pyetën se pse nuk po merrte asgjë me vete kur qyteti i Athinës ishte në kërcënimin e një tërmeti tha “Gjithshka e kam me vete” duke nënkuptuar se e tërë pasuria e tij ishte në kokën e tij.



5- Normalisht brezi i ri do të duhej të ishte
"receptuesi" apo pritësi i parë i frymës së "Përpjekjes". Ju ka ndodhur kjo Lubonja?

Nëse rininë do ta kuptojmë ashtu sikurse kuptohet në shoqëritë që kanë ecur përpara edhe në sajë të vetisë së rinisë për të qenë rebele ndaj traditës, më e prirur për ndryshimin nga nevoja për afirmimin e identitetit të vet të ndryshëm nga ai i baballarëve, më idealiste dhe më e guximshme, që i ka bërë pastaj edhe të rritur më të mënçur – siç thotë La Roshfuko nuk mund të jetë kurrë dhe aq i mëçur ai që nuk ka provuar marrëzinë - mund të them se ka pak të rinj nga ata që ndodhen në Shqipëri që i janë afruar ideve të Përpjekjes. Kjo pasi rinia shqiptare është tepër konfuze. Një pjesë e këtij konfuzioni vjen për shkak se më një anë tek ne vazhdon të mbretërojnë mësimet e diktatorit Hoxha i cili, duke qenë në thelb përfaqësues i një kulture thellësisht patriarkale, predikonte se në Shqipëri nuk ekziston konflikti i brezave, se të rinjtë nuk janë gjë tjetër veçse vazhduesit besnikë të veprës së baballarëve, kurse më anë tjetër ëndrra e pjesës më të mirë të rinisë vazhdon të mbetet ikja në Perëndim dhe integrimi në shoqëritë e atjeshme shoqëruar edhe me një idealizim të asaj bote ndërkohë që Përpjekja mbetet kritike edhe ndaj saj (Shih veçanërisht numrin 17 “Shqipëria dhe globalizimi” apo numrin 19 “Jeta e zhveshur dhe ndërhyrja”).
Shkurt fryma e Përpjekjes kërkon një formim tjetër që në Shqipëri mungon pasi edhe shumica e arsimtarëve edhe e tekste, për fat të keq e tërë kultura zyrtare në Shqipëri, kanë mbetur të dominuara nga kultura që u përftua në 50 vjet komunizëm. Po t’i shtosh kësaj edhe kulturën komerciale perëndimore, që është predominuese e në tërësinë e vet krejt sipërfaqësore, do të kuptosh më qartë se mundësia e rrijes së numrit të asaj minorance që do të qe pranë kësaj reviste, që gjithsesi është revistë minorance, mbetet i vogël.


6- Në kritikën e saj gjenerale për kulturën dhe
produktin socio - kulturor të kësaj periudhe revista Përpjekja shquhet edhe për dicka; kritikën e vazhdueshme ndaj një prej figurave më të mëdha të
kulturës sonë, Ismail Kadaresë. Ndërkohë që fama e tij ndërkombëtare, përfshi këtu dhe çmimin "Book Prize" në Agli, rritet. Ndoshta ka diçka për të rishikuar Lubonja?

Gjej në pyetjen, që s’e bëni vetëm ju, një remineshencë të kohës kur kishte vetëm një ide ngadhnjimtare, thuaj po deshe zyrtare, përzjerë me një kompleks inferioriteti tashmë të mirënjohur tonin ndaj të huajve. Meqë pyetja juaj (delikate) është dhe më e gjata le të shpjegohem pak më gjatë.
Siç e thashë një nga synimet e revistës është dekonstruktimi me një frymë antiautoritariste i kulturës së ndërtuar në periudhën e diktaturës. Kritikat ndaj Kadaresë janë në këtë kontekst. Kemi dhënë, besoj, argumente, se edhe vepra e tij i ka shërbyer në tërësinë e vet, propagandës nacional – komuniste, çka ka bërë që shqiptarët në vend se të njohin më mirë vetveten dhe mjerimin ku kanë jetuar (e jetojnë) të strehohen në një botë virtuale të lavdisë historike apo të një Shqipërie që pretendonte propaganda komuniste se po ndërtonte – në fakt izolimin. Thuajse të gjitha veprat e kanë njërin apo tjetrin dimension nganjëherë të ndërthuar në metaforën e të njëjtës vepër siç janë një numër veprash mbi Shqipërinë mesjetare si Doruntina, Kështjella etj. ku glorifikimi i rezistencës ndaj të huajve perëndimorë apo lindorë shërben si metaforë e glorifikimit të një Shqipërie që qëndronte si kështjellë e pamposhtur ndaj “armikut të jashtëm”. Kritikat kanë qenë edhe për frymën orientaliste të veprës së tij (të thelluar pas rënies së komunizmit) pra për një vizion manikeist të raportit Perëndim – Lindje ku të parit i vishen vetëm cilësime pozitive, ndërsa Lindja mbetet thjesht e kundërta e Perëndimit, e keqja, ndërkohë që, sikurse thotë Eduard Said, ky vizion e ngurtëson përfytyrimin e dy njësive gjeografike duke i paraqitur ato si thelbësisht homogjene, johistorike, të pandryshueshme, të izolurara dhe në kundërvënie ndaj njëra-tjetrës - çka nuk është e vërtetë - e që, për më tepër, shqiptarët i bën konfuzë sepse demonizmi i së kaluarës së tyre 500 vjeçare i le pa e njohur realisht atë periudhë dhe pa kuptuar kështu drejt as të tashmen e tyre.
Lexova së fundi “Dantja i pashmangshëm” dhe gjeta aty pohime të tilla si “Gjergj Kastrioti […] mund te hyje ne rradhët e gjeneralëve, hijet e të cilëve përbëjne spikamën e parë të parahistorisë se aleancës së ardhshme atlantike....” apo “Malli per Evropen e munguar pesë shekuj bëri që [Shqipërisë] t’i dukej e natyrshme që, mbreti i saj i parë ne liri, të ishte një princ gjerman” Një pjesë shqiptarësh - besoj shumicës - ndoshta këto i bëjnë të ndjehen krenarë, por ata që ndajnë frymën e Përpjekjes i bëjnë të qeshin sepse janë ilustrim par exellence i një mënyre të menduari të shekullit XIX kur nuk ndahej miti nga realiteti historik.
Lidhur me çështjen e çmimeve që na japin të huajt mendoj se edhe këta duhen kthyer në dimensionin që kanë pasi te ne bëhet një spekullim i madh: jo rrallë ato gatuhen nga vetë ne në mënyrë manipulative, jepen nga të huajt që mbështeten tek ne dhe në faktin se edhe ky vend i vogël duhet inkurajuar, glorifikohen dhe pastaj çmimmarrësit maten me çmime jo me ato çka thonë e bëjnë hap pas hapi në debatin kulturor. Lidhur me talentin e Kadaresë sekush ka të drejtë të ketë mendimin e vet, por mua më duket skandaloze që në motivimin dhe shkrimet e botuara në Angli për Booker Prise deklarohet Kadareja si njeriu “që i vuri zjarrin diktaturës”. Madje përmendej edhe Pashallarët e Kuq si poemë që qënka cenzuruar pse ishte kundër regjimit kur të gjithë e dinë të vërtetën e disidencës së tij siç dinë se çfarë ishte ajo poemë sepse u bë një debat i madh për të në Shqipëri. Mirëpo libri i Maks Velos mbi poemën, që këtu u demaskua, në Francë u botua dhe zhuria e ka marrë për të mirëqenë. A kanë përgjegjësi të huajt? Kanë, por mbi të gjitha përgjegjësia është e jona që u vemë firmën asi lloj librash manipulativë dhe gënjeshtarë. Sikur t’i ishte zbuluar Gunter Grasit psh. një manipulim i tillë kjo do të kishte qenë baraz me vdekjen e tij si shkrimtar në Gjermani kurse tek ne t’ua hedhësh të tjerëve quhet aftësi. Sepse kultura e manipulimit është kultura jonë dominuese. Ajo i ka shërbyer dhe i shërben jo vetëm Kadaresë. Suksesi i veprës së tij dhe paraqitja e saj si disidente në thelb është alibia më e mirë për tërë ata intelektualë që, për të mbijetuar, zgjodhën rrugën e bashkëpunimit me diktaturën sepse justifikon edhe ndërgjegjet e tyre edhe krijimtarinë e tyre. Por, për më tepër, u ruan pushtetin e sotëm kulturor dhe privilegjet e tij. Po të vini re, përjashto ndonjë të rrallë, askush prej tyre nuk ka folur një fjalë për përgjegjësitë përkundrazi vetëm kërkojnë dëshmi të disidencës e vende internimi që s’kanë ekzistuar. Arrijnë deri të thonë se kanë qenë të lirë në sajë të letërsisë në diktaturë. Sipas meje nuk e dinë ende se ç’është liria. Dhe më duket se shumica e kanë provuar këtë edhe tani që nuk është shuar nevoja për t’u përballur me guxim me pushtetet e reja në emër të lirisë.
Nuk flas këtu nga pozitat e atij që “fati” e ndihmoi të mos bashkëpunojë me diktaturën sepse ra në burg apo që burgu nuk i la të realizojë shumë ëndrra. Absolutisht jo. Edhepse ju kujtoj diçka që thuajse është harruar se askush nuk ka shkruar më shumë dhe me urrejtjen dhe pëçmimin e Kadaresë për të ashtuquajturin “armiku i brendshëm” (mjaft të përmend Nëntori i një Kryeqyteti, Dimri i madh, Përçmimi, Koncerti). Flas nga pozitat e kërkesës për një kulturë tjetër, - edhe si kulturë e përgjegjësisë, - që duhet të na bëjë deri ne, ish të burgosurit, të ndjejmë përgjegjësi për vagonat që kemi shtyrë në burg e jo më ata që kanë qenë goja dhe pena e diktaturës. Flas sepse jam i bindur se kemi të bëjmë me shembuj të këqinj intelektualësh jo vetëm sepse mësojnë kulturën e manipulimit, por edhe sepse kanë krijuar për rininë modelin e intelektualit që flirton pareshtur me pushtetet, që ndryshe flet e ndryshe mendon, që pret e merr përfitime, deri edhe shtëpira, për shërbimet apo për heshtjet e tij; të intelektualit që më shumë sesa e vërteta dhe koherenca i intereson pushteti që i jep fama dhe lavdia qoftë kjo e ndërtuar edhe mbi gënjeshtra.
Prandaj më shumë sesa sugjerimin për të ndrruar mendim për shkak të famës së Kadaresë unë pres kritika konkrete racionale mbi çdo kritikë që i është bërë dhe të jeni i sigurt se, ashtu si ka ndodhur edhe më parë, këto, po të jenë të këtij niveli, do të botohen edhe tek Përpjekja.


7- A jeni përpjekur ndonjëherë të fusni idenë e
"efikasitetit" në punën tuaj dhe në këtë kuptim të ndërmerrni një tjetër rrugë për të milituar për idetë tuaja dhe nesë nuk jeni të kënaqur me efektin e librave, artikujve, revistave a mbetet politika, ndoshta, një mjet më efikas për të ndryshuar shoqërinë?

Unë nuk jam i bindur se do të mund t’i materializoja idetë e mija për një kulturë ndryshe duke hyrë në politikë. Veçanërisht nëse me hyrje në politikë do të kuptonim futjen në një nga partitë e mëdha me synim marrjen e pushtetit për të realizuar pastaj idetë. Idetë e mija për kulturën (nuk flas për ato gazetareske ku trajtoj zhvillimet politike të vëndit ), sikurse del edhe nga çka u tha më sipër, sot për sot i përkasin një minorance. Kuptohet se edhe një grusht njerëzish me vullnet mund të ndryshojnë shumçka në një shoqëri, por, kur shumica ka mendim të kundërt, ka më shumë gjasë të dështosh nëse me bërje politikë kupton kompromisin politik me shumicën me besimin se duke përdorur pushtetin e saj mund ta tranfromosh atë. Ajo çka, tek e fundit, kërkon Përpjekja është një revolucion kulturor, nëse mund ta përdor këtë fjalë, që do të „përmbyste“ një mënyrë të menduari e të të qënit shqiptar në emër të një mënyre tjetër. Mirëpo, sikurse thuhet, revolucionet ndodhin atëhere kur minorancat bëhen mazhoranca. Të tentosh të dalësh në krye të një mazhorance të vjetër me synim që të sjellësh idetë e minorancës është një aventurë që, në shumicën e rasteve, mund të të çojë në ekstremin tjetër: atë të të bërit instrumenti më i devotshëm i kësaj mazhorance dhe shtypësi i minorancës të cilës i ke përkitur deri dje - siç ka treguar shpesh historia e renegatëve - ose tek sakrifikimi i shumë prej ideve të tua. Shoqëria ecën përpara edhe kështu, - rruga për në Parajsë mund të kalojë edhe nëpërmjet Ferrit - por mua nuk më pëlqen kjo lloj rruge.
Madje mua më pëlqen më shumë një ide anarkiste sipas së cilës edhe revolucionet instalojnë pushtete të cilët pastaj shtypin lirinë. Prandaj, sipas kësaj ideje, nuk na mbetet veçse të kërkojmë pareshtur „zona të lirisë“ të cilat janë ato të gjendjes së kryengritjes së pareshtur. Dhe mendimi i lirë krijues është në një farë kuptimi në një kryengritje të pareshtur ndaj pushteteve të instaluara, por edhe ndaj asaj prirjes sonë të brendëshme (fashiste) për pushtet.


Read More......

Sunday, January 1, 2006

Për Pipi Çorapegjatën

Në mbyllje të 2005-sës, vit të cilin, në petkun e gazetarit, e kam ndjekur hap pas hapi me shkrime, kryesisht mbi jetën dhe zhvillimet politike, ndjeva një si ndjenjë veljeje dhe refuzimi për tu marrë me politikën dhe personazhet e saj në shkrimin e fundvitit. Pse duhet edhe në këto atmosfere festive të merrem me politikën që në tërësinë e vet nuk ka bërë tjetër veça na ka ndotur jetën plot me imoralitet dhe injorancë dhe, në një farë kuptimi, na ka prishur edhe festat?
Por, nga ana tjetër, “sëmundja prefesionale” tashmë nuk na le të ikim krejt nga politika. Nuk na le edhe ajo dëshira gjithnjë e më e pangopur për të ndryshuar shoqërinë e për të shpresuar ditë më të mira. Tek e fundit çdo gjë që themi e bëjmë publikisht është politikë.
Dhe në këto mëdyshje ja ku më duket se e gjeta, teksa po shfletoja e kërkoja libra për vajzën time të vogël gjysëm shqiptare dhe gjysëm italiane, një temë/personazh me të cilin do t’i bashkoj të dyja në këtë shkrim të fundvitit 2005: edhe ikjen në këto ditë feste nga personazhet e politikës sonë edhe ndejtjen në politikë, me pasionin për më shumë vërtetësi, liri dhe emancipim shoqëror.
Personazhi është Pipi Çorapegjata. Tema është sa për të vegjëlit aq edhe për të rriturit, madje më shumë për këta të fundit: është një përpjekje për të gjetur se çfarë duhet të bëjmë për të transformuar shoqërinë tonë që duket se riprodhon pareshtur një kulturë represive, të dhunës, konfliktit, shtypjes dhe nënshtrimit. Dhe një nga përgjigjet (në fakt të shumta) nuk mund të mos jetë sjellja ndërmend e thirrjes së William Reich-ut: “të shëpëtojmë fëmijët!”, sepse të mëdhenjtë janë pa shpresë, tashmë, ajme. Por si mund të ndryshojnë fëmijët kur ata modelohen sipas kërkesave dhe kulturës së të mëdhenjva? Kjo është çështja. Megjithatë edhe shoqëritë më konservatore kanë ndryshuar në kontakt me qytetërime të tjera. Madje janë pikërisht këto kontakte që kanë sjellë ndryshime në të gjithë botën.
E pra edhe unë në këtë prag të vitit të ri mendova të sjell në vëmendjen e fëmijëve dhe të rriturve shqiptarë, si një dëshirë dhe urim, një personazh që pak ose aspak e njohin dhe aq më pak e kanë si model. Është Pipi Çorapegjata, personazhi i librit më të famshën suedez për fëmijë, i botuar 60 vjet më parë.
Pipi është aq e famshme sa ka studiues që thonë se është e kotë të studiosh libra për të kuptuar sekretin e “modelit suedez” apo të financosh ekspertë që do të na jepnin formulat magjike për të na shpjeguar se pse në këtë vend jetojnë më mirë se kudo tjetër në botë, pa varfëri dhe pa konflikte. Jo, thonë ata, për të kuptuar Suedinë duhet të marrësh rrugën e të shkosh në Vimmerby, në pyjet jashtë Stokolmit ku do të gjesh me mijëra fëmijë në parkun e Pipit, që është plot me shtëpi të shtrembëra druri. Është një spektakël i vërtetë. Vajza me parruke të kuqe si të Pipit, (një pjesë nuk kanë nevojë se i kanë nga natyrë flokët ashtu), gjysëm të zhveshura në mes të të ftohtit dhe me faqe të kuqe flakë, me këpucë shumë të mëdha me rrobat të lëshuara; djem të vegjël që ndihmojnë njëri tjetrin për t’u hipur kuajve prej kartoni dy metra të lartë, apo që, nëpërmjet disa shkallëve të rrezikshme ngjiten mbi çatitë e shtëpive prej druri dhe rrijnë kaluar mbi to.
Duke përfytyruar këtë pamje nuk mund të mos kthehesh e të mendosh fëmijët tanë në parqe tona, (parqe u thënshin sepse janë ngritur më shumë për të rriturit pranë ndonjë kafe restoranti) ku tek rrëshqitësja dhe kolovajzja sheh gjithnjë një të rritur që mban fëmijën që i thotë kujdes, mos u bë pis, mos vritesh, mos, mos. Mendoni se sa prindër shqiptarë do ta linin një fëmijë të kalëronte mbi çatinë e një shtëpije pa e ndjekur me vrap duke i bërtitur që të zbresë shpejt dhe pa i kursyer edhe shpullat bythëve po nuk u bind.
Edhe italianët që kërkojnë emancipimin nga kultura e tyre tradiconale e bëjnë këtë krahasim me Pipin. Ankohen se fatkeqësisht ata kanë Pinokion nëpërmjet të cilit u mësohet fëmijëve që në moshën tre vjeç se nëse nuk shkojnë në shkollë do tu bëhen veshët si të gomarit, se po thanë gënjeshtra do tu rritet hunda, se nëse sillen keq do tu ndodhin gjëra të tmerrshme, por ama gjithnjë për fajin e tyre. Dhe se duhet të pendohen për fajet, të jenë fëmijë të mirë, të sjellshëm të dëgjueshëm me të mëdhenjtë kur ata i qortojnë. Shkurt model i një kulturë represive të ndëshkimit dhe nënshtrimit. Kurse ne shqiptarët kemi një dynja më tepër gogolë për tu kallur fëmijëve frikën e ndëshkimit, që e bëjnë kulturën tonë tejet më represive. Ne edhe kafshët ua bëjmë armiqësore duke u thënë: të ha qeni, të ha ujku, të ha ariu. Jo rrallë edhe të zinjtë e evgjitët i përdorim për t’i frikësuar. Dhe kur nuk na mjaftojnë këto kemi edhe “drurin që ka dalë nga xheneti”. (E pastaj kërkojmë të shpjegojmë racizmin tonë apo britmat histerike për rivendosjen e dënimit me vdekje).
Kurse suedezët, pra, kanë Pipi Çorapegjatën. Që jeton vetëm, që nuk ka as mama dhe as baba, dhe më mirë kështu sepse nuk ka asnjë që t’i thotë se duhet të shkojë në shtrat herët, pikërisht atëhere kur sapo ka filluar të dëfrehet; që ha shtrirë mbi tryezë me pjatën në karrike dhe askush nuk i shpjegon se duhet të rrijë drejt; që fle mbrapsh me këmbët në jastëk sepse kështu i pëlqen; që nuk ka as prindër, as mësues, asnjë të rritur përreth, as edhe një koqe edukatori, as ndonjë kryetar që ta drejtojë.
Pipi jeton e vetme në një shtëpi prej druri që qëndron në këmbë si për mrekulli. Po ta shohësh nga jashtë duket si shtëpi e braksisur por jo, brenda jeton Pipi nëntë vjeçare bashkë me një kalë dhe një majmun, zotin Nelson: po po mu brenda në shtëpi jetojnë edhe kali edhe majmuni. Gatuan vetë, vishet vetë me një çorape të verdhë dhe një jeshile, me këpucët shumë të mëdhaja, sepse asnjë nuk i thotë se kjo është “shumë”. Pipi që është e lirë, e vetmjaftueshme, e pavarur, e fortë, plotësisht autonome, bujare, e mënçur me atë mëçurinë e mrekullueshme dhe absurde që kanë fëmijët përpara se të rriturit tu shpjegojë se e kanë gabim, se kjo nuk bëhet kështu, se rregulli është ndryshe. Pipi që është aq e fortë sa mund demat, gjarpinjtë, hajdutët, policinë dhe fantazmat në çati. Në fakt gogolët dhe fantazmat i mund duke i bindur, ajo flet me to. Pipi që është e bukur me syzet dhe hundën si patate dhe gërshetat përpjetë. Pipi që është e lumtur.
Kanë shkruar me qindra ese për Pipin: e kanë cilësuar modeli suedez i rebelimit, i feminizmit, pacifistja, aventurierja, antiautoritarja. Disa organizata prindërish dhe disa edukatorë edhe e kanë dënuar. Në libër është edhe personazhi i një nëne që nuk do që e bija e saj, Annika, vajza e miredukuar e asaj kohe, të rrijë me Pipin sepse Pipi është shoqe e keqe. Edhe sot në Suedi kur duan të thonë je bërë i mërzitshëm të thonë “Mos u bë Annika.” Duket se me revolucionin e 68-tës Pipi nga minorancë u bë mazhorancë. Kurse vendet konservatrore dhe diktaturat e kanë cenzuruar librin me Pipin, si anarkist, revolucionar, (edhe komunist e kanë cilësuar diktaturat e djathta).
Por ndërkaq Pipi mrekullon fëmijët dhe tremb të rriturit. “jam një gjëragjetëse thotë Pipi. Bota është plot me gjëra që presin të gjinden.” Pa frikë, me fatin që ndihmon gjithnjë guximtarët, me gëzimin e të pafajshmëve, Pipi gjen gjëra e i dhuron dhe kështu, tek e fundit, nuk është kurrë e vetme: është gjithnjë plot me ato që ka gjetur dhe ka dhuruar.
Dhe pastaj njerëzit pyesin: si ka mundësi që në Suedi parlamenti ka 50 përqind gra? Si ka mundësi që kanë 18 muaj pushim kur lindin një fëmijë? Si ka mundësi që gratë punojnë më shumë sesa burrat dhe nuk e njohin papunësinë dhe çojnë përpara ekonominë? Si ka mundësi që ato i gjen jashtë natën në drejtim të ndërmarrjeve edhe kur është terr i frikshëm? Si shpjegohet që nëse policia gjen në Suedi një klient me një prostitutë çon në burg klientin? A i dedikohet kjo vetëm Pipit? Sigurisht që jo. Ka njëqind arsye si ligjet e mira, edhe shteti social i përsosur, por të kesh një model të tillë, si Pipi, me të cilin rritesh pa dyshim që edhe kjo ndihmon.
Sikur të rrisnim edhe ne ca më shumë fëmijë si Pipi Çorapegjata ndoshta një ditë do të shpëtonim nga ata që, sikurse u angazhova në kryre të artikullit, nuk dua tua përmend emrin dhe bëmat në këtë shkrim të fundvitit festiv. (Korrieri, 30 dhjetor 2005)

Read More......

100 ditët dhe dy linjat në PD

Duke lexuar akuzat e socialistit Petro Koçi se ministri aktual i brendshëm, demokrati Olldashi, ka pasur komisionerë njerëz të inkriminuar të cilët e kanë ndihmuar në betejën e tij elektorale kundër ish ministrit socialist Duka, të cilin Berisha e ka cilësuar “duka i krimit”, nuk mund të mos mendosh, përtej vërtetësisë apo pavërtetësisë së këtyre akuzave, për një fenomen që ka karakterizuar politikën shqiptare që nga fillimi i këtij tranzicioni dhe që sot vazhdon të mbetet rreziku më i madh për vendin. E kam fjalën për rrezikun që lufta për pushtet midis dy partive kryesore të zhvillohet duke pasur të dyja në prapavijë politikën klienteliste, ku një peshë të madhe zenë njerëzit e krimit, ekonomia informale dhe “të fortë” gjithfarësoj, të cilët, nga ana e tyre, determinojnë vendimet dhe sjelljet e politikanëve. Pikërisht kjo ka bërë që në vend të sundojë një sistem ku struktura ekonomike informale dhe kriminale determinon një superstrukturë (politike, të drejtësisë, mediatike etj.) në shërbim të saj ose me fjalë të tjera shteti i kapur nga mafja.
Për këdo që kërkon të shohë realitetin në zy nuk ka dyshim se PD-ja zor se do t’i kishte fituar zgjedhjet elektorale pa pasur edhe mbështetjen e një kategorie që këtë mbështetje nuk ia dha për atë se po premtonte vendosjen e shtetit ligjor në Shqipëri, por sepse, me marrjen e pushtetit, do të mund të kishte ato përfitime që deri dje i kanë pasur disa parpavija krimi e ekonomije informale të PS-së, (ashtu sikurse nuk ka dyshim se një pjesë e kësaj prapavije socialiste ka filluar të këputë lidhjet e vjetra për të krijuar lidhje me pushtetin e ri.)
Por, nga ana tjetër, nuk ka as më të voglin dyshim se PD-ja nuk do t’i fitonte kurrë zgjedhjet sikur gara e saj me PS të ishte thjeshtë dhe vetëm garë midis dy prapavijash të tilla. Madje është e sigurtë se PD-ja i fitoi zgjedhjet pikërisht sepse shumica e shqiptarëve besoi se pasi të vinte në pushtet do të luftonte baronët e krimit dhe se PS-ja, ndonëse i kishte shumë më të forta prapavijat e krimit, i humbi ato mu për shkak të të tyre. Le të kujtojmë se përzgjedhja e kandidatëve për deputet të PD-së, ndryshe nga të PS-së, u bë duke përjashtuar maksimalisht futjen në listat e kandidatëve për deputetë të personave të dyshimtë përsa i përket pasurisë dhe pasurimit.
Pas 100 ditësh të PD në pushtet mund të bësh vlerësime pozitive dhe negative për qeverinë aktuale dhe mazhorancën parlamentare, në gjithfarë aspektesh, por thelbësor mbetet vlerësimi i asaj që shprehën votuesit pro PD-së (dhe LSI-së) më 3 korrik: sa është realizuar vota e shqiptarëve për të filluar një proces të vendosjes së shteti ligjor në Shqipëri, të çlirimit të shteti prej kapjes nga mafja?
Në këtë aspekt sot pas 100 ditësh mund të thuash se në PD janë ravijëzuar dukshëm dy rryma që bashkjetojnë në kundërshti me njëra tjetrën, por ende pa konflikt të hapur me njëra tjetrën dhe pa një perspektivë të qartë se cila do të fitojë. Njëra rrymë është ajo që kërkon të qëndrojë konsekuente përsa i përket premtimeve të dhëna për instalimin e shtetit ligjor në Shqipëri lidhur kjo kryesisht me linjën e luftës kundër korrupsionit. Nuk mungojnë akte të ndryshme që e shprehin këtë. Garanti kryesor i kësaj linje duket se është Berisha me mitin e tij si njeri i pakorruptueshëm materialisht. Nuk mungojnë gjithashtu edhe sinjale të qarta politike që i janë dhënë institucioneve që duhet të jenë në ballë të kësaj lufte.
Rryma tjetër është ajo që kërkon të konkurrojë atë që bënë socialistët duke tentuar të marrë si të thuash në dorë makinën e korrupsionit nëpërmjet krijimit të këmbëve të tjera të saj të lidhura me PD-në, këputjen e këmbëve të pashkulshme nga PS-ja si dhe përpjekjen për kalimin nga krahu i PD-së të një numri këmbësh më fleksibile. Nuk mungojnë gjithashtu shenja të dukshme të ekzistencës së kësaj rryme.
Nuk mund të mungojë midis këtyre dy rrymave edhe një kategori e cila do të orientohet nga ajo që do të mbizotërojë.
Problemi është se nga ballafaqimi dhe fitorja e njërës prej këtyre dy rrymave në PD do të varen edhe fatet e vendit për një kohë jo të shkurtër, madje edhe tendenca për nga do të shkojë vendi, për më mirë apo për më keq. Dhe rreziku i fitores së rrymës që kërkon ruajtjen e linjës së vjetër është shumë i madh. Veçanërisht po të kesh parasysh se jashtë asaj pjese të PD-së që kërkon vendosjen e shtetit ligjor ekziston një tërësi aktorësh politikë, ekonomikë, të administratës e mediatikë, me në krye fatkeqësisht opozitën socialiste, tejet të infektuar nga sistemi i korrupsionit, që nuk kanë asnjë interes që vendi të futet në shinat e ligjit sepse kjo do të thoshte falimentim e dështim për shumicën e tyre. Këtyre i duhet shtuar edhe rryma brenda PD-së që qysh para zgjedhjeve fitoren e shihte si një mundësi “shpërndarjeje” më “të drejtë” të përfitimeve që sjell krimi ekonomik të cilën (“shpërndarje”) socialistët e kishin kthyer thuajse tërësisht në favor të tyre. Nuk ka pikë dyshimi gjithashtu se kultura politike e shumicës së PD-istëve nuk mund të ndryshojë nga ajo e socialistëve, - si shqiptarë të mirë që janë të dy palët, - sipas së cilës (kulturë) hyrja në politikë shihet thjesht dhe vetëm si mjet përfitimi personal dhe kaq. Nuk mungon edhe një pjesë, besoj më e vogël, që thjesht nuk ka besim tek suksesi apo efikasiteti i rrymës së “puritanëve” pa “mbështetjen” e segmenteve të së dytës.

Për të hedhur pak dritë në favor të atyre që luftojnë që vendi të ecë përpara dhe jo të degradojë edhe më tej, mendoj se PD duhet të ndërgjegjësohet se zgjedhja e linjës së ruajtjes së sistemit të korrupsionit do të thotë dështim i garantuar i saj jo vetëm në kuptimin e misionit historik të premtuar për ta kthyer politikën nga grabitje të njerëzve në shërbim ndaj tyre, por edhe në kuptimin e thjeshtë të mbijetesës në pushtet.
Së pari duhen ndërgjegjësuar ata që mendojnë se mund të bëhen të dyja edhe ca punë të mira edhe përfitimet e paligjëshme. Nuk ka mjet më të mirë për ndërgjegjësimin e tyre sesa ftesa që të kenë parasysh eksperiencën e socialistëve. Ajo eksperiencë provoi se filozofia e bërjes së të dyjave degjeneroi shumë shpejt në favor të grabitjes duke e çuar vendin nga korrupsioni i thjeshtë i politikanëve në kapjen e shtetit nga mafja. Shkaku është shumë i qartë: politika si shërbim dhe politika si mashtrim dhe vjedhje janë dy principe që përjshtojnë njëri tjetrin, që nuk mund të bashjetojnë me njëri tjetrin. Nuk mund të bashkëjetojnë me njëri tjetrin edhe bashkëpunimi me mafjen edhe vendosja e shtetit ligjor. Me këtë nuk dua të them se një shoqëri ose mund të jetë krejtësisht e pastër ose krejtësisht e korruptuar; as se pastrimi duhet bërë me çdo çmim, edhe kërcënimin e lirisë. Asnjëherë të mos harrojmë parabolën e Krishtit me atë bujkun që kërkonte të pastronte totalisht fushën me grurë nga egjra dhe, duke shkulur tërë egjrën, prishi edhe grurin. Por, nga ana tjetër, duhet të jemi të qartë se nuk mund të ndërtohet dot një shoqëri ku të kenë legjitimitet, madje të bashkohen tek i njëjti individ, si njeriu i ndershëm edhe vjedhësi sikurse tentuan ta bëjnë thuajse hapur fare socialistët me në krye Nanon dhe Ramën duke instaluar për këtë edhe sistemin e pandëshkueshmërisë për politikanët. Të gjithë e dinë parullën që u hap në kohën e socialistëve: të gjithë vjedhin por ky/këta të paktën bëjnë edhe ca punë. Kjo rezultoi katastrofike sepse bari i keq i vjedhjes pati një efekt katastrofik në një fushë ku gruri sapo ishte mbjellë.

Së dyti duhen ndërgjegjësuar ata që thjesht mendojnë të konkurrojnë socialistët në ngarjen e makinës që kanë krijuar. Ka edhe më shumë argumente për t’i bindur ata se dështimin e kanë të sigurtë. Po mundohem të rreshtoj vetëm disa prej tyre:
- PD-ja nuk mund ta fitojë dot këtë konkurrencë për arësye se nuk mund t’i mundë socialistët në ngarjen e një makine që e kanë ndërtuar ata, të cilës ia dinë tërë marifetet, pikat ku duhet “grasatuar” e ku i duhet hedhur vaj etj., etj.
- Sistemi i ekonomisë spekulative informale i bazuar në abuzimin mbi pronën publike nëpërmjet privatizimeve e lejeve abuzive të ndërtimit, kontrabandës e krijimit të mundësive të futjes në qarkulim të parasë së pisët, të trafiqeve gjithfarëshe është në kurbën e vet rënëse dhe jo ngjitëse siç ishte në kohën e socialistëve.
- Berisha si tipologji politikani mund të ketë dhjetra të meta e veti, por kurrsesi nuk mund të ketë vetinë apo të metën e paturpërsisë proverbiale tashmë të Nanos dhe Ramës për të mashtruar e për të hyrë në afera korruptive me këdo dhe për të shitur e blerë gjithshka, veçanërisht mediat.
- Së fundi, nuk duhet të harrojmë se karta e vetme që e solli PD në pushtet është ajo e premtimit në luftën kundër korrupsionit. Në rast se do të jepen shenjat e para se kjo ka rënë atëhere njerëzit do t’i pushtojë një zhgënjim të madh që do të ketë efekte dramatike për kredibilitetin e saj.

Ja pse të gjitha arsyetimet afatshkurtëra dhe afatgjata të çojnë në përfundimin se PD nuk ka rrugë tjetër veçse atë të zgjedhjes së linjën më vështirë, atë të mbajtjes së premtimit për instalim të shteti ligjor dhe të luftës për çmontimin e sistemit të korrupsionit. Por, nga ana tjetër, kjo është edhe linja më e lehtë, jo vetëm pse më e lehta moralisht, por edhe pse ka mbështetjen më të gjere nga opinioni publik i brendshëm dhe ndërkombëtar si dhe pse në terma afatgjata është linja ku domosdo do të jemi të detyruar të futemi pavarësisht nga vullnete e mbrapshta të aventurierëve të politikës dhe të ekonomisë. (Korrieri, 24 dhjetor, 2005)

Read More......