Monday, April 24, 2006

Më shumë sesa për një bashkim të së majtës duhet synuar për një të majtë të re

Edhe një herë mbi debatin mbi Prokurorin e Përgjithshëm. Ka një anë tjetër të debatit: a mundet Kryeministri të ndërhyjë në këtë sektor që është i së drejtës?

Para së gjithash dua të them se, për fat të keq, më rezulton se i vetmi politikan që duket se ka vënë bast për luftën kundër sistemit të korrupsionit tek mazhoranca është kryeministri. Të tjerët i shoh mjaft të mefshtë në këtë drejtim. Pra, ndërsa fushata elektorale e PD u përqendrua tek sllogani “me duar të pastra” dhe “koha për ndryshim” tani shoh një prirje të përgjithshme tek pjesa më e madhe e deputetëve të mazhorancës për t’i mbajtur duart larg zjarrit pastrues të luftës kundër sistemit të korrupsionit e për të ndryshuar vetëm njerëzit në pushtet. Nuk mund ta them me siguri pse bën diferencën Berisha, për arsye se ka një ndjenjë repulsioni ndaj korrupsionit, pse ka një sens më të fortë se të tjerët për të lënë një gjurmë pozitive në historinë e këtij vendi duke korrigjuar edhe gafat e qeverisjes së parë apo pse, me instiktin e tij luftarak më të fortë se të tjerët, kërkon ta përdorë luftën kundër korrupsionit si armë të fuqishme për të eliminuar kundërshtarët. Mund të jenë edhe të treja së bashku nga një çikë, por, se cila dominon, sipas meje, mbetet ende për tu provuar. Jam disi më i qartë pse ekziston kjo diferencë përsa i përket të tjerëve te mazhoranca. Një pjesë nuk e kanë aspak staturën dhe ambiciet për të hyrë në histori dhe thjeshtë ndjekin Berishën, një pjesë them se janë tashmë të kapur nga sistemi i korrupsionit kurse një pjesë tjetër duket se e kanë përdorur luftën kundër korrupsionit si retorikë për tu rikthyer në pushtet.
Pa dyshim është kjo situatë që ngre pyetjen tuaj pasi krijon probleme jo të vogla. Unë mbetem i mendimit se një luftë e vërtetë kundër korupsionit është jashtëzakonisht vështirë të bëhet nga një njeri i vetëm. Dhe, po ashtu, është jashtëzakonisht e vështirë që një njeri i vetëm të riparojë një sistem drejtësie. Problemi në thelb ka të bëjë me atë nëse duam të ndërtojmë shtet të së drejtës që qeveriset me ligje apo shtet etik që qeveriset me principe morale. Kryeministri të le përshtypjen se duke qenë i pafuqishëm për të ndërtuar një shtet të së drejtës kërkon të ndërtojë një shtet etik duke u bërë ai garanti i moralitetit të shtetit. Ndërkaq e kaluara e tij autoritare ia bën edhe më të vështirë këtë rol.
Pa dyshim ne kërkojmë të ndërtojmë një shtet të së drejtës dhe kjo nuk mund të jetë punë e një njeriu të vetëm as e një institucioni të vetëm. Ajo kërkon një angazhim shumë më te gjerë individual dhe institucional dhe një ndryshim kulturor gjithashtu. Prandaj, sikurse e kam thënë edhe herë tjetër, kjo kërkon deri edhe bashkpunimin me opozitën. Pra, sipas meje, duhet të ishte një situatë e ngjashme me atë që u krijua në fillim të viteve 90 kur ra komunizmi, kur edhe vetë Partia e Punës e pa veten të detyruar të riformohet dhe njëherësh të mos kundërshtojë një sërë reformash që ishin evidente se duheshin bërë për të dalë nga sistemi komunist. Mirëpo, që të vinim në atë gjendje, u desh një akumulim i madh dhe një kolaps gjithashtu. Ky kolaps duket sikur nuk ka ardhur ende, por po të kishim pak më shumë ndjeshmëri dhe fantazi do ta kuptonim se ka ardhur në fakt ose se kemi hyrë në zonën e kuqe të alarmit.
Unë e shoh në këtë kontekst edhe çështjen e prokurorit Sollaku. Duke qenë një njeri thellësisht mediokër në vullnet dhe intelekt, e, njëherësh, i zhytur në një kënetë nga e cila zorr se do të merrte guximin të dilte edhe ndonjë shumë më trim dhe më idealist se ai po bëhet dashje pa dashje shtylla ku duan të mbahen të gjithë ata që kanë frikë nga goditja e korrupsionit. Ajo që më revolton në rastin e Prokurorit dhe të atyre që e mbrojnë atë në emër të mosshkeljes së disa të drejtave është pandjeshmëria ndaj faktit se sistemi i korrupsionit është shkelësi më i madhe sot për sot i të drejtave themelore të masës më të madhe të njerëzve. Arsyet pse Prokurori duhet të largohet janë të shumta, që nga dosjet e Kontrollit të Lartë të Shtetit që përditë nxjerrin fakte tronditëse, deri tek nevoja për të na hequr alibinë Sollaku e për të na bërë të qartë se rruga e ndërtimit të shtetit të së drejtës është shumë më komplekse dhe më e vështirë. E këtu nuk mund të mos i rikthehem problemit të fillimit. Mazhoranca nuk rrezaton në tërësinë e vet atë frymë dhe atë besim se e ka e tërë mend luftën kundër korrupsionit. Përndryshe ajo, duke i pasur numrat, do ta kryente shumë lehtë operacionin dhe gjithshka do të ishte brenda ndërtimit të shtetit të së drejtës. Kurse kështu i ka mbetur në dorë Kryeministrit i cili ka namin e autoritarit e, kësisoj, në vend se të kishim hequr Prokurorin e të kishim filluar luftën kundër korrupsionit në mënyrë ligjore ne kemi tetë muaj që merremi me atë nëse është apo nuk është Berisha ai i pari.

A mendoni se trajtimi që i bën BE Ballkanit, vizat dhe shtyrja e afatit të integrimit mund të nxisin ekstremizëm dhe radikalizëm tek këto vende?

Përgjithësisht ka pasur dhe ka dy opsione në vendet e BE për integrimin e vendeve si tonat. Njëri ka qenë ai sipas të cilit ne më së pari duhet të bëjmë detyrat e shtëpisë mirë e pastaj të paraqitemi në provim për tu pranuar. Kurse një opsion tjetër është ai sipas të cilit ne mund të pranohemi edhe me difektet që kemi sepse kjo do ta lehtësojë korrigjimin e tyre. Personalisht mendoj se nëse nga ana jonë duhet të vihet theksi tek kryerja e detyrave, nga ana e perëndimorëve duhet të mbizotëronte ndjenja e mikpritjes në klub me dëshirën për të ndihmuar nga brenda. Mirëpo kjo do të mund të ndodhte me një BE të shëndoshë kurse kështu siç është gjendja në vendet e BE kjo bujari nuk ka se si të ekzistojë. Shtetet kombe të Evropës janë shumica në krizë social ekonomike për shkak të një globalizimi që i ka vënë përballë sfidash që ka hapur konkurrenca e Kinës apo Indisë duke krijuar papunësi dhe pasiguri të madhe. Edhe më shumë i ka komplikuar gjërat emigracioni i kombinuar me rreziqet terroriste. Këto janë shkaqet që integrimi ynë shtyhet duke fituar opsioni se duhet të përgatitemi më mirë për provimin. Partitë politike evropiane, në kërkim të votës së shumicës, i përshtaten frikërave që janë rritur në shoqëritë perëndimore në vend se të kërkojmë me guxim rrugë të reja. Në këto kushte ajo që kam frikë unë për Shqipërinë nuk janë fenomene radikale të refuzimit të BE, por vazhdimi i një situate ku paligjshmërisë dhe ekonomisë kriminale do tu zgjatet jeta. Në një fazë të dytë kjo mund të sjellë edhe kriza që do të çonin ndoshta edhe në radikalizma ideologjike që mund të pillnin krizat. Ndërkaq nuk mendoj se çdo vend do të reagonte të njëjtën mënyrë. Nuk përjashtohen edhe radikalizimet nacionaliste përreth nesh që pa dyshim do të sillnin pasoja edhe tek ne.
Sidoqoftë sot për sot më duket e vështirë të ndryshojë prirja dominante përdrejt integrimit në Evropë. Do të duhej një shkatërrim i ëndrrës evropiane në vendet e BE që të ndodhte kjo dhe më duket se jemi ende larg një gjëje të tillë. Por sikur kjo të ndodhte, çka nuk është krejt pa gjasa, humbja e një busulle të tillë do të na fuste ne shqiptarët në situata jashtzakonisht dramatike.


Procesi i bashkimit të të majtëve po nxjerr shumë rivalitete, mungon analiza e humbjes. A është kjo që kanë zgjedhur rruga e unifikimit të tyre?

Problemi më i madh që ka e majta sipas meje është nguti për tu rikthyer në pushtet. Sipas meje ngrehina e së majtës ka nevojë të shembet ashtu siç është dhe të ndërtohet një tjetër e re. Mirëpo kjo kërkon më së pari energjinë për ta shembur, pastaj mënçurinë për të bërë një projekt dhe pastaj për ta materializuar ndërtimin e tij. E kuptohet se kjo kërkon një kohë. Dhe jo vetëm kohë, por edhe një pasion të madhe e të vërtetë për të ndërtuar një gjë që pastaj do të mbetej e zhvillohej. Mirëpo, për fat të keq, unë nuk gjej njerëz të tillë tek e majta. Kryetari i PS Rama e ka treguar veten se nuk është nga kjo racë idealistësh. Shikoni se ç’bëri me Tiranën. Në vend se të bënte një plan urbanistik që do të ishte pastaj projekti afatgjatë i tërë zhvillimit të qytetit u zhyt për gjashtë vjet në interesa meskine ndërtuesish që kërkonin të ndërtonin në qendër për të fituar sa më shumë dhe sa më shpejt e situata është kjo që është. E njëjta gjë po ndodh edhe me PS. Thjeshtë mund të lyhet fasada e saj për t’ia shitur më shumë të huajve sesa shqiptarëve, të bëhet ndonjë plan delirant si ai francez i qendrës, por në anën e prapme e rrethinat do të vazhdojnë të grumbullohen pisllëqe dhe kalbësira dhe kaos gjithnjë e më i madh. E kjo nuk është çështje thjeshtë e Ramës, por edhe e gjithë vjetërsirave dhe të konsumuarve dhe egoistëve dhe mendjeshkurtërve që ka në atë parti.
Kam dëgjuar se Nano, kur e kanë pyetur për mundësinë e riardhjes së tij në krye të PS, ka thënë: unë po të dua e marr PS për dy javë, por ç’të bëj me të. Edhe nëse nuk është e vërtetë është e gjetur. Çështja në fakt nuk shtrohet se për çfarë i duhet PS-ja, kështu siç është, Nanos, që është njeriu që e shtrydhi sa mundi si limoni për interesat e veta, por se çfarë i duhet Shqipërisë ky limon i shtrydhur dhe i kalbur. Mund t’i duhej vetëm nëse Berisha do të bënte gjëra të tmerrshme, por një gjasë e tillë nuk duket dhe aq më pak i duhet Shqipërisë një gjë e tillë.
Duke patur këtë vlerësim për PS, pa bërë ndonjë diferencim edhe me PSD, shpresa ime ka qenë LSI-ja, mirëpo edhe atë nuk e shoh të veprojë jashtë logjikës së ardhjes shpejt në pushtet. Duke u ulur në kompromise me të njëjtët aktorë që kanë ndërtuar sistemin e korrupsionit ajo nuk duket se mund t’i sjellë të majtës atë vizion që kërkon shkatërrimin e ngrehinës së vjetër dhe projektin për një ndërtesë të re, por më shumë një restaurim superficial.
Sipas meje më shumë sesa për një bashkim të së majtës duhet synuar për një të majtë të re të vërtetë. Dhe kjo nënkupton tre gjëra të reja; një kulturë të re të majtë, njerëz të rinj të majtë dhe elektorat të ri të majtë. Kuptohet se ata që do të lexojnë këto rradhë do të thonë: ky po kërkon qiqra në hell. Por nuk është tamam kështu. Ata që thonë kështu janë miopët që mendojnë për një kthim të shpejtë në pushtet e po ashtu që kanë parasysh faktin se Berisha arriti të mbijetojë e të rikthehet në pushtet thuajse me të njëjtin ekip me të cilin filloi karrierën në filim të viteve 90. Kanë po ashtu parasysh idenë e pamundësisë reale për tu pastruar skena politike nga personazhe që e kanë uzurpuar atë gjatë gjithë këtyre viteve. Të gjitha këto janë të vërteta, por le të provojmë të shikojmë pak më përtej. Le të imagjinojmë për një çast sikur Berisha do të qeverisë mirë dhe do të qëndrojë në pushtet tetë vjet duke luftuar edhe korrupsionin deri në një farë mase mirë e duke rritur besimin ndërkombëtar. Askush nuk e bën këtë hesap që duhet bërë. A do të mund të vazhdonte e majta kështu siç po bën për tetë vjet duke u bashkuar vetëm nëpërmjet demonizimit të Berishës? Unë them se jo. Shumicës së aktorëve të së mjatës po tu thuash se Berisha do të rrijë tetë vjet në pushtet do ta kishin lënë sot politikën e një pjesë do të kishin ikur nga frika se mos i fusin brenda për korrupsion.
Prandaj ngulmoj se, paradoksalisht, bashkimi i vërtetë i së majtës, ashtu siç e përshkrova më lart, çka, në fakt, do të thotë krijim i një të majte tjetër, të shëndoshë, do të mund të ndodhë vetëm nëse Berisha qeveris shëndetshëm. Përndryshe do të jemi atje ku kemi qenë. (Rubrika Perpjekja, Standart, 21 prill 2006)

Read More......

Italia e Berlusconit dhe Shqipëria

“Është gënjeshtari më i sinqertë që mund të ekzistojë, është i pari që i beson gënjeshtrat e veta dhe pikërisht kjo e bën aq të rrezikshëm. Nuk njeh asnjë lloj turpi. Ka alergji për të vërtetën dhe një prirje sa mendjelehtë aq edhe makute për të gënjyer. “Chiagne fotte” (qahet dhe ta fut) thonë në Napoli për tipa si ai.” Kështu e ka përkufizuar Indro Montanelli Berlusconin. Kurse Roberto Benigni thotë për të “në dasma don të bëjë gjithnjë dhëndurin kurse në funerale don të bëjë të vdekurin.”
Janë përkufizime që, çprej kohës së Musolinit, nuk janë bërë në Itali për ndonjë politikan të një niveli kaq të lartë e nga figura kaq të shquara. Duke parë se ç’ndodhi në Itali para zgjedhjeve dhe ç’po ndodh pas zgjedhjeve kur, një javë pas humbjes, Berlusconi nuk e ka pranuar atë ende, gjë që s’mbahet mend të ketë ndodhur në ndonjë demokraci perëndimore, nuk mund të mos kujtosh këto përkufizime të Montanelit e Benignit. Dhe këtu ngrihet pyetja: si ka mundësi, çfarë ka ndodhur?
Çështja në thelb shtrohet se si ështe e mundur që një personazh si Berlusconi, që mund ta imagjinosh vetëm në krye të një vendi parademokratik si Shqipëria, të dalë në krye të një vendi demokratik si Italia. E më tej ajo kërkon të thellohemi në atë se sa personazhe të tillë janë mishërimi i një kulture, i një historie dhe sa ndikon personaliteti i tyre për të ndryshuar rrjedha të historisë dhe të kulturës së një vendi.
Rasti italian vlen të shihet në Shqipëri në optikën e kësaj dileme, me synim vënien në dukje të asaj se sa e vështirë është, më një anë, të kapërcehen disa kushtëzime historike, prandaj dhe se sa mundim e vullnet i mirë duhet për këtë e, më anë tjetër, se sa vigjilencë duhet treguar që personazhe të tillë, që mishërojnë pjesën më negative të kulturës së një shoqërie, të mos marrin në dorë në mënyrë të pakontrollueshme frenat e drejtimit të saj. Sepse, megjithëse njihet si vend i madh që i ka dhënë botës shumë, si asaj të shekujve të kaluar ashtu edhe asaj moderne, dalja e figurave si Musolini apo Berluskoni nuk është një rastësi, por rrjedhojë e disa kushteve historike e kulturore që të kujtojnë herë larg e larg, herë afër e afër, edhe disa kushte të Shqipërisë.
Një nga arsyet e ngjitjes së Berlusconit e berluskonizmit sipas Eugenio Scalfarit, themelues i gazetës La Republica, është se Italisë i ka munguar eksperienca dhe kultura e shtetit për një kohë të gjatë. Kjo pasi Italia ka qenë për një kohë të gjatë koloni e një fuqie apo e një tjetre, çka i ka bërë italianët ushtarë të lojrave të të tjerëve, një vend ku më shumë sesa të drejtat janë zhvilluar favoret, ku më shumë sesa qytetarë ka pasur njerëz të nënshtruar, ku për një kohë të gjatë nuk ka pasur forca politike autonome dhe me rrënjë në terren, por oligarkira me sovranitet të largët, klientela. Prandaj dhe shteti është përjetuar si një fuqi e huaj si një armik potencial apo si një gjë e dyshimtë.
Inercia e kësaj situate ka vazhduar edhe pasi u krijua shteti italian në gjysmën e dytë të shekullit XIX. Aq më tepër po të kemi parasysh pasojat katastrofike që i shkaktoi Italisë aventurizmi i shtetit fashist të Musolinit. Kjo histori, pra, e marrdhënieve të mosbesimit me shtetin ka krijuar një lloj “individualizmi anarkoid” që edhe 60 vjetët e fundit me histori republikane nuk ia kanë dalë ta asgjësojnë tërësisht, për më tepër duke patur parasysh se deri në vitet 90 Italia nuk ka njohur një demokraci krejtësisht normale sepse nuk ka njohur rotacionin e pushtetit qendror duke patur në krye gjatë gjithë kohës një parti të vetme të qendrës Demokracinë Kristiane (së fundi në aleancë me socilistët e Kraksit) e se nuk kanë munguar edhe gjatë kësaj periudhe akuza të lidhjes së politikës me mafjen.
“Shenja të këtij vokacioni anarkist – thotë Scalfari, duke patur parasysh Berlusconin - kanë mbetur dhe rigjallërohen sa herë që pasiguria etike dhe shoqërore i bën thirrje prezencës së personazheve që individualizmin politik e kthejnë në vlerë, që demagogjinë e bëjnë instrument pushteti dhe që politikën e kthejnë në një pazar interesash e lobesh në të cilin çdo gjë mund të blihet dhe shitet.”
E këtu nuk mund të mos të të vijnë në mendje se shqiptarët janë ata që mund t’i kuptojnë ndoshta më mirë se kushdo realitete të tilla, jo vetëm duke patur parasysh sfondin e tyre historik, por edhe duke patur parasysh realitetin e tyre aktual apo faktin se sa i shkojnë politikanëve tanë përkufizime situatash e personazhesh të tilla. Fakti që në krye partish tek ne dalin autoritarë, mitomanë e pazarxhinj që nuk njohin asnjë lloj turpi, që kanë alergji për të vërtetën, që bëjnë politika përçarjeje dhe konflikti nga ato që e ndajnë vendin më dysh, që s’lenë dasëm pa bërë dhëndurin e funeral pa bërë të vdekurin është gjëja më e rëndomtë tek ne. Por, nga ana tjetër, kjo nuk është veçse shfaqja e jashtme, simptoma, e sëmundjes që i ka rrënjët më thellë. Një sëmundje që edhe në Shqipëri, sikurse në Itali, i bën shpesh njerëzit të thonë: “Unë nuk merrem me politikë” duke nënkuptuar me këtë refuzimin për të hyrë në marrdhënie me të keqen.
Duket, pra, se, megjithë ndryshimet e mëdha, ka disa elementë të përbashkët që e bëjnë më lehtësisht të kuptueshme anomalinë italiane për ne më anomalët e Ballkanit. Për ne që sëmundje të tilla si autoritrarizmi, populizmi, demagogjia, egoizmi, interesi vetik që i kundërvihet atij të komunitetit, gënjeshtra politike, karrupsioni, pasiguria, dembelia intelektuale, konformizmi që sot njihen si tipare të politikës e shoqërisë italiane që, më një anë, kanë pjellë Berlusconin e, më anë tjetër, janë shfrytëzuar prej tij, i kemi me doza sa e sa më superiore.
Montanelli, ndonëse ka bërë përkufizimin e Berluskonit që citova në krye të këtij shkrimi u ka thënë megjithatë Italianëve, kur ky kandidoi për kryeminstër: duhet ta provoni/kaloni sëmundjen Berlusconi që të imunizoheni. Sot, duke patur parasysh atë që ndodhi në këto vjet dhe veçanërisht në këto zgjedhje nuk është e sigurt nëse pati të drejtë apo jo Montanelit. Ndoshta ai kishte shumë besim në demokracinë e konsoliduar italiane, në sistemin e saj imunitar. Në fakt, duke patur në duart e tij mjetet të fuqishme financiare dhe kryesisht televizionet e tij Berlusconi rrezikoi të fitojë përsëri. Kjo sepse gjatë këtyre vjetëve ka arritur edhe t’i ndryshojë italianët, aq sa një tjetër italian i famshëm, regjizori Moretti, thotë se tashmë Berlusconi ka fituar në mendjen e italianëve. Kultura e quitzeve, e grande fratellos e gërvisht dhe fitosë e konsumizmit dhe individualizmit pa fre e shikimit të shtetit dhe të institucioneve të tij jo si instrtumente të ngritur me synimin për t’i shërbyer sa më mirë shoqërisë, por si diçka që duhet t’ia hedhësh kanë kryer një shpëlarje trush të frikshme të cilën e bën edhe më të rrezikshme mungesa e vizioneve të qarta të së majtës. Ja pse duhet qenë vigjilentë qysh në krye të herës kur në skenë shfaqen personazhe që synojnë të shfrytëzojmë anët më negative të shoqërisë, historitë më të errëta të saj.
Megjithatë Berlusconi humbi. Le të shpresojmë se kurimi i berluskonizmit në Itali do të sjellë një përvojë më pozitive në drejtim të konsolidimit të shtetit e të një kulture me tjetër sistem vlerash nga ai që promovon dhe shfrytëzon berluskonizmi. E le të shpresojmë se kjo do të ketë një impakt edhe në Shqipëri që i ka pasur dhe i ka sytë, por edhe interesat, mjaft të përqendruar në Italinë fqinje. (Korrieri, 19 prill 2006)

Read More......

Monday, April 10, 2006

Mbytja e Titanikut dhe muzikantët tanë

Ndërkohë që i gjithë shtypi ynë bubullonte e bubullon me ngjarjen e shekullit, duelin Berisha – Ngjela, mbushur me fotot e mëdha të protagonistëve e me komente gjithfarëshe politikanësh e analistësh gjithfarësh mbi Berishën autoritar apo mbi përgjimin e pabesë të Ngjelës, në një cep të vogël të një gazete pashë një lajm që iku thujse pa u komentuar. Ishte një deklaratë e Guvernatorit të Bankës, Fullani, i cili paralajmëronte se vendi mund të përballet me një krizë shumë të fortë ekonomike për shkak të rritjes artificiale që i ka bërë krimi çmimeve të shitjes së ndërtimit.
Sipas guvernatorit (i mbështetur tek të dhënat e INSTAT), ndërkohë që kostoja e ndërtimit është rritur shumë pak gjatë vitit 2005, çmimet e shitjes vazhdojnë të kenë ritme rritjeje shumë më të mëdha. Me gjuhën e tregut në këtë rast thuhet se kemi të bëjmë me një “kërkesë” të fortë, por problemi është se ku e ka burimin financiar kjo kërkesë e fortë. Sipas guvernatorit këto janë paratë e krimit dhe të emigracionit. E ndërkaq, lidhur me këto para, në deklaratën e Fullanit thuhet: “Burime të tilla si të ardhurat nga emigracioni, apo nga aktivitetet të jashtëligjshme vlerësohen se janë resurse financiare të përkohshme, të vështira për t’u parashikuar, ndërkohë që janë zërat kryesorë që financojnë degën e ndërtimit. Për rrjedhojë, një rënie e mundshme e shpejtë e burimeve të sipërpërmendura do të sjellë kufizime të forta në kërkesë, por edhe në degët e lidhura me të”. (Panorama 7 prill 2006).
Gjithë sipas guvernatorit, për sa kohë kërkesa do të vazhdojë të jetë e madhe, gjithçka do të jetë e qetë. Por problemi do të vijë kur kërkesa të zvogëlohet. Pra, kur paratë e paligjshme të frenohen dhe kur emigrantët të mos financojnë më familjet e tyre. Në këtë rast, vlera e një metri katror do të fillojë të zbresë deri në pikën e kërkesë - ofertës normale. Duke patur parasysh se një pagë mesatare në Shqipëri duke u bazuar edhe në sektorin privat, sipas guvernatorit, është rreth 40 mijë lekë kuptohet se po të hiqen paratë e pista, nuk mund të financohet kurrë blerja e një dyqani me një çmim 3 mijë euro/metri, apo e një apartamenti me një çmim 800 euro/metri. Për pasojë, në rast të uljes së çmimit, të gjithë kolateralet e vendosura në banka, që sipas Fullanit, garantojnë rreth 80 për qind të kredive, do të zhvlerësoheshin. Po ashtu do të zhvlerësoheshin edhe sektorët që financojnë, ose prodhojnë për ndërtimin që është industria më e fuqishme në vend. Ky do të ishte fillimi i një krize ekonomike dhe financiare, që, gjithë sipas guvernatorit, ndoshta do të krahasohej me atë të fundit që ka kaluar Shqipëria. Dmth me atë të rënies së piramidave.
Zgjidhjen guvernatori nuk e jep, por lan duart duke thënë se është urgjente të ndërhyhet - duke na kujtuar një larje duarsh të disa vjetëve më parë (1996) të një tjetër guvernatori, Lunikut.
Kush ka parasysh jetën e emigrantëve të ndershëm në Perëndim dhe njëherësh faktin se kostoja e jetës në Shqipëri është, në shumë aspekte, e barabartë, në mos më e shtrenjtë, se në Perëndim e ka të qartë se të ardhurat nga emgracioni i ndershëm nuk mund të jenë kryesore për mbajtjen gjallë të kësaj industrie. Ato mund të vlejnë për të mbajtur me bukën e gojës të afërmit e papunë, por jo për të blerë dyqane me 3000 euro metri katror e apartamente me 800 euro metri katror. Është evidente, prandaj, se fati ynë është kryesisht në dorë të krimit e se, që të mos pësojmë krizën për të cilën paralajmëron guvernatori ne na duhet të lutemi natë e ditë që krimi të vazhdojë i qetë aktivitetin e tij.
Mirëpo edhe aventurieri më i paturpshëm e ka të vështirë të pranojë këtë logjikë. Jo më kot guvernatori thotë se “është urgjente” të ndërhyet. Sepse edhe sikur të ishte kështu, pra se kriminelëve shqiptarë për hir të mbijetesës së Shqipërisë do tu lihej aktivitet i lirë trafiqesh e droge, pasojat e një ekonomie të tillë janë katastrofike sepse një ekonomi i ndërtuar mbi krimin jo vetëm se pjell vetëm krim të mëtejshëm, padrejtësi, polarizim, pasiguri për të ardhmen dhe atë që tashmë e thonë të gjithë se ka ndodhur në Shqipëri: kapjen e shtetit, por e degradon tërë shoqërinë duke sjellë më në fund edhe kolaps ekonomik.
Ky pra është problemi më i madh që ka vendi. Guvernatori paralajmëron se anija është e çpuar në fund dhe duke futur ujë pra duke iu afruar rrezikut të mbytjes. Mirëpo ndërkaq çfarë po ndodh në Shqipëri? Ajo çka po ndodh të kujton historinë e mbytjes së Titanikut, kur, ndërkohë që transoqeaniku mbytej, kapiteni i dha urdhër orkestrës që të vazhdonte të luante muzikë në mënyrë që të mos krijohej panik. E ndërsa orkestra luante valset e Shtrausit Titaniku mbytej. Kuptohet, tek ne nuk bëhet fjalë për valse të Shtrausit as për lojën fisnike të asaj orkestre. Në vend të valseve të Shtrausit muzikantët e orkestrës sonë vazhojnë avazin e vjetër. Ata bëjnë zhurmë me bilbila e buria e grushta e shqelma se kush të marrë timonin e anijes. Kjo “muzikë” e marrjes së timonit e transferuar së fundmi edhe brenda mazhorancës, që ndryshe përkthehet si luftë për pushtet e përfitime personale, shohim se amplifikohet në televizione e gazeta nga gjithfarë gazetarësh e analistësh që për çdo gjë flasin (veçanërisht kanë merak autoritarizmin e Berishës) por veç për krimin e organizuar jo, duke tërhequr vëmendjen e njerëzve nga problemi real që ka vendi rreziku i mbytjes së anijes. Është një orkestër shumë e pabesë sepse një pjesë e muzikantëve tanë duket se e bëjnë me vetëdije këtë lojë duke e ditur se për ata do të ketë barka shpëtimi. Ashtu si shpëtuan, madje dolën të pasuruar, edhe më 97-tën. Dhe pa çarë kokën se çfarë pasojash do të krijojë mbytja për të tjerët. Madje një pjesë duket se janë të vetëdijshëm se vetëm mbytja e anijes mund t’i shpëtojë. Kurse të tjerë duken aq dritëshkurtër sa nuk u shohin sytë përtej timonit të lakmuar dhe qejfit personal që mund t’u krijojë ai paçka se guvernatori i paralajmëron për mbytjen edhe të qejfit të tyre me mbytjen e anijes.
Dhe si për çudi dhe mosçudi ndërkohë që rreziku vjen e bëhet më i madh tingujt e këngës kakofonike “Në luftë për timonin” të muzikantëve tanë vijnë e bëhen më shurdhues duke lënë pak shpresë se veshët e tyre të shurdhuar nga miopia e interesit personal janë në gjendje të dëgjojnë zërat që u thonë se përpjekja e përbashkët për të mbyllur të çarat në fund të anijes është më e rëndësishme sesa lufta për timonin e saj. E ndërkaq, klasa e dytë dhe e tretë në fund të anijes, e lënë në terr dhe e pafuqishme për tu organizuar, duket se do të jetë ajo që do ta paguajë përsëri më shtrenjtë mbytjen e saj. (Korrieri, 9 Prill 2006)

Read More......

Rreziku më i madh: ata që synojnë ta mbajnë autoritetin e shtetit e të ligjit në gjendjen e mjeruar ku ndodhet.

Në një shkrim tuaj të fundit për debatin rreth Nëne Terezës dhe monumentit të saj në Shkodër thoni se është problematike përpjekja për përcaktimin identitatar të qytetit duke përdorur Nënë Terezën, duke e përligjur në një farë mënyre reagimin e Muslimanëve të Shkodrës. Nga ana tjetër ju Lubonja që jeni një laik tipik, a nuk ju shqetëson çështja që nesë do të fillojnë të pyesim komunitetet fetare për arkitekturën, rregullimin e territorit, ndoshta shumë shpejt ata do të fillojnë të na kërkojmë të ndërhyjmë tek tekstet shkollore, legjislacioni, kodi i familjes e kështu me radhe. A mund të trajtohet reagimi i komunitetit mysliman të Shkodres si një përpjekje e hapsiresës fetare "për t’i marrë territore" hapsirës publike?

Meqë më quajtët “laik tipik”, çka nuk e mohoj, po e shpjegoj se çdo të thotë kjo për mua. Koncepti “laik” është shumë i gjerë. Historia e tij dhe e ndryshimit të tij fillon që në mesjetë dhe ka ambiguitetet e veta, por duke e përkufizuar shkurt kuptimin modern të tij do të thoja se sot me qëndrim laik nënkuptojmë një qëndrim kritik dhe antidogmatik, që niset nga presupozimi se askush nuk mund të pretendojë se zotëron të vërtetën absulute, që inspirohet nga vlerat e pluralizmit, të lirisë dhe tolerancës, me një fjalë që mbështet principin e autonomisë reciproke të aktiviteteve njerëzore qofshin këto fetare ose jo. Me laik kuptojmë, gjithashtu, edhe qëndrimin e një individi që arsyeton apo ka një vizion mbi botën të pavarur nga ai fetar, që nuk mbështetet tek Zoti. Njëra nuk është në kundërshtim me tjetrën dhe personalishte gjej veten tek të dy këto qëndrime. Kam vizionin tim për botën pa dyshim, që nuk përputhet me atë fetar, të cilin edhe e shpreh duke dashur kështu ta ndaj me të tjerë, por gjithë duke respektuar të drejtën e të tjerëve për të patur vizionin e tyre.
Çështja që ngrini ju ka të bëjë me shtetin laik. Dhe kur flitet për shtet laik bëhet fjalë për një shtet që, duke patur parasysh ekzistencën e shumllojshmërisë së opinioneve dhe besimeve, ngulmon se shteti duhet të ruajë një neutralitet të rreptë përsa i përket çështjeve ideologjike dhe fetare. Pra me shtet laik nuk duhet të kuptojmë diçka që është kundër komuniteteve fetare, as zotëruesin e hapësirave të ndara nga hapësirat e këtyre komuniteteve dhe as shtetin komunist që kemi pasur. Me shtet laik duhet të kuptojmë një formë organizimi të shoqërisë që ka lindur pikërisht nga nevoja e mbrojtjes të të gjithë komuniteteve të ndryshme në një shoqëri duke respektuar autonominë e tyre. E në këtë kuptim edhe ata që kanë një vizion fetar për botën sot në Evropë janë për shtetin laik. Edhe ata mund të vetëquhen laikë, në kuptimin e parë, por jo të dytë. Përndrsyhe do të ishin integralistë.
Ajo çka kam vënë unë në dukje në shkrimin tim është se shteti ynë ka cënuar pikërisht laicitetin e tij duke kërkuar të kryejë një akt që, nga një komunitet, perceptohet si prishje e neutralitetit. A është apo nuk është prishje e neutralitetit ideja e restaurimit nga ana e shtetit të një monumenti kulture që në fillim ka qenë kishë dhe pastaj është bërë xhami për disa shekuj duke e kthyer atë vetëm në kishë, siç u fol për monumentin në kalanë e Shkodrës? Besoj se po. Përsa i përket idesë së vënies së monumentit të Nënë Terezës në hyrje të Shkodrës çështja vjen e komplikohet sipas meje edhe më shumë. Sepse për katolikët e Shkodrës duket se ajo është më shumë një simbol fetar, ose kështu perceptohet nga komuniteti musliman, e në këtë rast pushteti lokal, duke e vënë në hyrje të qytetit, duket sikur kërkon t’i japë qytetit identitetin e një komuniteti për të sfiduar tjetrin. E kjo duhet evituar. Ashtu siç duhej evituar, sipas mendimit tim, ngritja e një xhamie aq të madhe në mes të Shkodrës disa vjet më parë. Mirëpo pushteti – edhe ai qendror në këtë rast – pretendon se ajo është simbol kombëtar, me fjalë të tjera i ideologjisë nacionaliste. Mirëpo edhe këtu duhet patur kujdes se nuk jemi më në kohën e mbizotërimit të një ideologjie dhe aq më pak në kohën e kundërvënies së njërës ndaj tjetrës. Nuk mund të bëhet kombëtare diçka që nuk e pranon një pjesë jo e vogël e kombit ose që pikërisht se keqpërdoret e refuzon një pjesë jo e vogël e kombit.
Përsa i përket pyetjes nëse mund të trajtohet reagimi i komunitetit mysliman të Shkodres si një përpjekje e hapsiresës fetare "për t’i marrë territore" hapsirës publike - çka do të quhej prirje integraliste - them se deri tani unë e shoh këtë komunitet në vetmbrojtje nga një lloj prirjeje, sipas meje e gabuar, e politikës shtetërore për të prishur neutralitetin, pra edhe laicitetin në favor të fesë katolike me idenë se kështu mund të na pranojë më lehtë Perëndimi. Gjë që, sikurse e kam shtjelluar edhe herë tjetër, bazohet mbi një keqkuptim të madh të identitetit perëndimor. Prandaj ngulmoj se vetëm duke mbrojtur fort neutralitetin ne sigurojmë po ashtu që edhe shkollat tona edhe Kodi ynë Penal edhe “hapësirat tona publike” të ruajnë laicitetin me një fjalë që shteti ynë të ruajë laicitetin, çka për Shqipërinë veçanërisht ka qenë dhe mbetet kusht themelor i mbijetesës.




Ka një replikë shumë të vrullshme në media mes kryeministrit Berisha dhe deputetit Spartak Ngjela. Ka shumë komente dhe analiza të cilat e përfaqasin këtë ngjarje me traditen e shizmave politike në PD, që kanë qenë të shumta në këto 15 vjet. Nga ana tjetër Ngjela ka qenë personazh i jetës publike dhe politike prej shumë e shumë vitesh. Çfarë nuk ngjason në këtë debat me më parë dhe a mendoni se mund të flasim për "një fenomen Ngjela"?

Gjej tek ky debat shumë më tepër fenomene të vjetra sesa ndonjë fenomen të ri. Por gjej edhe fenomene të reja.
Gjej më së pari një fenomen shumë të përhapur në politikë jo vetëm tek ne. Atë që përpara marrjes së pushtetit i shohim politikanët e një koalicioni, por edhe brenda një partie, shumë më të prirur për tu afruar me njëri tjetrin në emër të fitores ndaj kundërshtarit dhe pastaj fenomenin e largimit për shkak të luftës për pushtet, ambicjeve individuale apo të grupeve të ndryshme. Në botën demokratike janë disa principe të përbashkëta identiteti dhe përfaqësimi që i filtrojnë dhe i frenojnë ambicjet personale; tek ne në mungesë të tyre këto fenemene bëhen çështje thjeshtë personale.
Gjej po ashtu fenomenin e njëshit që sa më shumë rri në pushtet aq më shumë përqëndron pushtet rreth vetes dhe eliminon apo largon rivalët.
E ka provuar këtë edhe pas 92-shi edhe pas 97-ta.
Gjithsesi, nëse do të bëj një krahasim me shizmat e PD në periudhën e parë të qeverisjes së Berishës shoh disa ndryshime të rëndësishme. Në atë kohë ndarja u bë kryesisht për shkak të autoritarizmit të Berishës. Individë apo grupimet që u larguan kishin pa dyshim ambicjet e tyre dhe pakënaqësitë e tyre, por, sipas meje, ata kishin shumë më tepër të drejtë të largoheshin sepse agresiviteti i Berishës në atë kohë për të akumuluar pushtet ishte shumë i madhe edhe pse, sipas meje, ai ishte shumë më i pasigurtë se tani sepse qenë të gjithë në fillimet e veta të karrierës. Kështu që një figurë agresive si Berisha në atë kohë bashkoi shumë vetë kundër tij në emër, le të themi, të disa të drejtave themelore aq sa u krijuan disa parti që pretendonin të përfaqësonin më mirë idealet demokratike..
Nuk më duket se është kjo situata e sotme. Tani Berishën e shoh shumë më të sigurtë në pushtetin e tij brenda PD-së për arsye se tetë vjet në krye të saj si kryeopozitar me meritën kryesore që e risolli në pushtet e kanë konsoliduar shumë, pavarësisht se i ka mbetur prirja e vjetër për të kontrolluar gjithshka e për të delegaur pak. Më anë tjetër e shoh shumë më të kompleksuar për të mos përsëritur intolerancat e mëparëshme. Kurse më anë tjetër, sulmet që i vijnë brenda partisë si ky i findit i Ngjelës, apo nga disa koalicionistë, nuk më duket se i vijnë në emër të disa idealeve apo të drejtave themelore, por nga një fenomen i ri që do ta quaja dushkizimi i politikës. E kam fjalën se tani nuk bindem dot se largimet apo shizmat e mundshme mund të kenë motiv shkeljen e demokracisë në parti apo disa të drejta dhe aq më pak më duket se synojnë krijimin e partive me ideale më të qëndrueshme. Tani, pra, sipas meje, kemi një fenomen që tashmë është bërë gati i rëndomtë në klasën tonë politike. Atë që politikanët kërkojnë copën që u takon përndryshe largohen ose të fusin në krizë. Ne po kërkojmë aftësinë e opozitës për të ndërprerë konfliktualitetin e për tu ulur e për të dialoguar kurse mua nuk më rezulton se janë bërë përpjekje nga Ngjela për tu ulur brenda partisë së tij, sëbashku me grupin që ai pretendn se përfaqëson, për të korrigjuar këta ligje që qeveria i paska hrtuar gabim. Përkundrazi më duket sikur defektet e tyre kanë shërbyer si pretekst për të filuar luftën për shkak të pakënaqësive të karrierës. Dhe shkaku kryesor i kësaj gjendje qëndron në atë se është krijuar një klasë politikanësh që nuk përfaqësojmë më askënd përveçse asaj kaste që edhe më parë në këtë rubrikë e kam quajtur kasta e regjimit mediatik. Janë nja 5000 veta në këtë vend për të cilët ka interes politika dhe loja politike dhe ndryshimi i pushtetit politik. Ndërsa sikur politikanët tanë të kishin prapa jo këta 5000 vetë por parti që nga ana e tyre do të përfaqësonin shtresa të caktuara social ekonomike atëhere do të mendoheshin shumë për të kërcyer sa andej këtej.
Shkurt unë e gjej alarm fallso, të maniupular, tezën se Berisha po na çon në kohën e tij të parë të shizmave për shkak të autoritarizmit të tij. Për mua, pa e hequr vëmendjen nga rreziku i autoritarizmit të Berishës, ashtu sikurse nuk e kemi hequr nga ai i Metës, Nanos, Ramës, rreziku kryesor mbetet degradimi i autoritetit të shtetit deri në atë pikë sa askush nuk ka frikë të përgjojë Kryeministrin, Kryetaren e Kuvendit e të tallet me ta në një emision satirik. Çfarë autoritarizmi është ky? Për mua rreziku më i madh janë ata që synojnë ta mbajnë autoritetin e shtetit e të ligjit në këtë gjendje të mjeruar ku ndodhet.


Edhe një herë për zgjedhjet në Itali ku duket se Prodi dhe koalicioni . tij ka më shumë shanse. Më thoni ju lutem ngjizja sërish e së majtës Italiane pak a shumë me të njejtat personazhe si 15 vjet të fundit a mundet të shërbejë si një model për të majtën shqiptare, ku duket ka një rezistencë të madhe për të përtërirë përsonazhet e saj?

Kësaj pyetjeje i jam përgjegjur edhe një herë. Po përpiqem të shtoj diçka që nuk e kamë thënë herën e parë. Politika në Itali është bipolarizuar. mirëpo ndërkaq nuk ka dy parti të mëdha si në SHBA, por ka dy koalicione të mëdha. Karakteristikë e këtij bipolarizmi është se të dy palët kërkojnë të bashkojnë shumëçka të ndryshme në ato që sot quhen qendra e djathtë dhe qendra e majtë. Në qendrën e djathtë sheh të bashkuar që nga socialistët e De Michelis deri tek fashistët e Alessandra Musolinit. Në qendrën e majtë gjen sëbashku komunistë të Bertinotit dhe demokristianë të Rutelit. Nga modeli bipolar amerikan ndërkaq është synuar nxjerrja e një lideri të fortë në të dy palët. Qendra e majtë nxorri Prodin sepse ai kishte dimensionin më të madh përbashkues të këtyre ekstremeve. Dhe projektin e kanë që pas zgjedhjeve të krijojnë një parti të madhe Demokratike si në SHBA. Qendra e djathtë e filloi me stilin e tre pykave, duke përdorur një fjalor futbollistik, Berlusconi, Casini dhe Fini, që janë tre liderët e tre partive më të mëdha të qendrës së djathtë. Por së fundi Berlusconi e prishi në një farë mënyre paktin dhe u lëshua vetëm në krye të fushatës elektorale.
Kjo klasë politike në fakt është klasa e re që lindi pas tangentopolit, dmth. pas viteve 90 dhe politikanë si Casini e Fini, apo Ruteli apo Veltroni që janë paksa mbi 50 vjeçarë konsiderohen se janë e ardhmja e politikës. Madje synimi duket se është që duhet të vijë edhe në Itali si në SHBA apo Angli koha kur qeverisin 50 vjeçarët jo 60 – 70 vjeçarët. Por ama 50 vjeçarë jo 30 vjeçarë siç i kemi nxjerrë ne në krye të vendit. Prandaj, sipas meje, poblemi i klasës sonë politike nuk është as mosha e madhe dhe as karriera e gjatë, por mendja e shkurtër politike që i ka diskredituar dhe fakti që thashë më sipër se janë shndrruar në lojtarët politikë të një kaste 5000 vetësh që edhe ajo është mjaft e diskredituar për shkak se nuk ka asnjë lidhje me pjesën tjetër të shoqërisë përveçse që e grabit atë përditë. (Rubrika Perpjekja, Standart, 8 prill)

Read More......

Wednesday, April 5, 2006

Keqpërdorimi i Nënë Terezës

Duke ndjekur debatin mbi ngritjen e monumentit të Nënë Terezës në Shkodër nuk mund të mos më kujtohej një pasazh shumë i komentuar i Biblës. Është pasazhi kur tregohet grindja përpara se Kaini të kryejë aktin e vëllavrasjes ndaj Abelit. Eshtë komentuar shumë ky pasazh sepse në tekst nuk është i qartë motivi i grindjes; ka një shkapërcim që e le të errët motivin se për çfarë u grindën dy vëllezërit aq sa Kaini arriti të vrasë vëllain. Edhe Spinoza është marrë me komentimin e këtij pasazhi.
Një nga interpretimet më interesante që kam lexuar është ai i një rabini, i cili, duke e komentuar këtë pasazh, përjashton motivin grua, Evën, përjashton edhe motivin ekonomik, sepse që të dy kishin shumë pasuri dhe thotë se grindja u bë për tempullin: pra se ku do të vendosej tempulli, në tokën e njërit apo të tjetrit. Me fjalë të tjera, sipas këtij interpretimi, grindja nuk ndodhi as për pasionin dashuror, as për pasionin e pasurimit, por për identitetin.
Kush ka parasysh konfliktet e vllavrasjet e panumurta që kanë ndodhur në botë do të gjejë se identiteti, në mos pastë qenë motivi kryesor, ka qenë, në më të shpeshtën e rasteve, flamuri i tundur i betejës në shumë konflikte.
Nuk ka dyshim se edhe konflikti i fundit i ndezur në Shkodër është konflikt tempulli/identiteti. Në thelb kemi të bëjmë me vazhdimin e së njëjtës grindje që hapi çështja se çfarë ishte monumenti i kulturës në kalanë e Shkodrës kishë apo xhami, (por edhe të konflikteve të gjysëmdezura në kohën kur në mes të qytetit u ngrit një xhami shumë e madhe).
Vendosja e monumentit të Nënë Terezës në hyrje të qytetit do të thoshte t’i jepej qytetit një identitet që tenton të njesojë identitetin e shkodranëve me identitetin e krishterë. Mjafton fakti se kjo refuzohet nga muslimanët, pa harruar rrëzimin e kryqeve të vënë në Bushat pak kohë më parë, për të arritur në konkluzionin se kjo politikë identitetdhënëse është e mbarsur me probleme që i kalojnë, madje, përmasat lokale.
Refleksionet dhe komentet mbi këtë temë të identitetit janë të shumta. Në këtë shkrim dua të ndalem në një çështje që më duket më e mprehta në kontestin shqiptar pa menduar aspak se mund ta shteroj, përkundrazi, vetëm sa po e cek duke mbetur i hapur për debat.
Çështja ka të bëjë me atë se një simbol identiteti kur kthehet në flamur beteje kundër tjetrit shpesh tjetërson vetë thelbin e figurës apo simbolit që përdoret si identitet. (Fatkeqësisht kjo ka ndodhur e po ndodh në botë edhe me Krishtin edhe me Muhametin edhe me kishat edhe me xhamijat.)
Kur Nënë Tereza erdhi në Shqipëri për herë të parë një gazetare shqiptare i ngriti çështjen “Ti po na flet për fenë, por feja e shqiptarit është shqiptaria.” Athere Nënë Tereza i dha një përgjigje që çuditërish dhe jo çuditërisht nuk është përmendur shumë në Shqipërinë pas komuniste ndonëse Nënë Tereza është glorifikuar aq shumë. Ajo iu përgjegj gazetares: “Atdheun do ta doni më shumë kur të doni njëri tjetrin më shumë.”
Ka një arsye pse kjo thënie, që, sipas meje, duhet të ishte mësimi kryesor që u ka dhënë shqiptarëve Nënë Tereza, nuk përmendet. Shkaku ka të bëjë me atë se Nënë Tereza nuk është marrë e glorifikuar nga shqiptarët si simbol i fesë, por si simbol kombëtar. Pra fama e saj e çmimit Nobel dhe e shenjterimit, janë instrumentalizuar me ideologjinë nacionaliste duke u harruar se bash mësimi që ajo u dha atyre 16 vjet më parë: - se kur të aplikonin mësimet e fesë do të arrinin ta donin më shumë njëri tjetrin e se kjo do t’ua bënte më të dashur edhe atdheun – ishte një mësim në thelb antinacionalist ashtu siç ishte edhe e tërë vepra e saj (që ishte katolike që do të thotë universale). Ajo njihet në tërë botën si Nënë Tereza e Kalkutës pikërisht sepse besimi i saj nuk njeh as kufij, as kombësi dhe as raca. Ajo është simbol i dashurisë dhe përkushtimit për tjetrin më të varfër e më të dobët, kudo e kushdo qoftë ai. Pra emri i saj nuk ka të bëjë fare me mburrjet nacionaliste të përkatësisë e të superioritetit ndaj tjetrit. Mund të thuhet, gjithashtu, se ajo ka pasur si mision përhapjen e katolicizmit në botë, por jo të shqiptarisë. Për fat të keq, historia e Shqipërisë paskomuniste tregon se ndonëse nënë Tereza është glorifikuar aq shumë shqiptarët shumë pak kanë kuptuar thelbin e asaj që ajo përfaqëson e këtë e tregon fakti se ajo çka atyre u mungon me shumicë është bash dashuria për njëri tjetrin të cilën jo rrallë e zëvendësojnë me fraza boshe mbi dashurinë (e rrejshme) për atdhun.
Prandaj mendoj se përdorimi i Nënë Terezës si mit identiteti nacional është një veprim që jo vetëm më pak se kujtdo i shkon figurës së saj, por edhe asaj se për çfarë kanë nevojë sot shqiptarët.
Aq më pak mund të përdoret Nënë Tereza si mit identiteti nacional i njesuar ky me identitetin kristian, siç duket se ekziston një tendencë e lindur nga ideja sa servile aq edhe miope se kështu, si të krishterë, Perëndimi mund të na pranojë më lehtë, që në nivel lokal duket se kërkojnë ta shfrytëzojnë katolikët e Shkodrës që dihet se kanë historikisht një tension fetar me muslimanët e qytetit. Kjo do të thotë ta bësh Nënë Terezën të luajë rolin e një Skënderbeu të krishterë. Sepse, po të kemi parasysh Skënderbeun dhe mitin e tij do të shohim se Rilindasit në shek. XIX u treguan shumë më të mençur se ç’po duan të tregohen disa nacionalistë të vonuar shqiptarët të shekullit XXI. Duke e ditur se shqiptarët ishin me tre fe ata e ngritën atë si simbol të heroit që luftoi për çlirimin e atdheut duke ia “pastruar” dimensionin e mitit “Atlet i Krishtërimit” që ia kishte ndërtuar Kisha në Shekullin e XVI. Naim Frashëri thotë: “Po vjen si pëllumb i shkruar / të shpëtojë mëmëdhenë.” Kurse të përdorësh Nënë Terezën si mit nacional dhe njëherësh si identitetdhënës të krishterë të shqiptarëve sot në shekullin XXI është një anakronizëm dyfish i rrezikshëm, së pari si nacionalizëm dhe së dyti si përçarës i shqiptarëve. Dhe kush mendon se kjo përçarje dhe diskriminim mund të ndalet deri tek nxjerrja e muslimanëve si shqiptarë të dorës së dytë gabohet sepse, po u vu në lëvizje ky mekanizëm diskriminues e përçarës fetar, nesër do të ngrihet edhe çështja që të nxirren si shqiptarë të dorës së dytë edhe ortodoksët, edhe evangjelistët edhe ateistët e më the të thashë.
Kjo që shtjellova më lart të çon edhe në një çështje tjetër që lidhet me fetë dhe rolin e trye në Shqipëri pas ringritjes së feve. Edhe ngjarjet e fundit vërtetojnë atë se deri më sot ato i kemi parë të luajnë thuajse vetëm një funksion, atë identitar, por pak, shumë pak, të luajnë atë rol që është thelbi i fesë: rolin përbashkues të njerëzve, rolin e krijimit të një komuniteti, të solidaritetit e sakrificës për të dobëtit. Sot pak, shumë pak i shohim klerikët shqiptarë, muslimanë e të krishterë, të ngrenë zërin për çështjet e vështira që përballon vendi, si varfëria, polarizimi, padrejtësia, imoraliteti. Janë këto çështje që burojnë nga thelbi i përbashkët i këtyre feve: nevoja e kultivimit të dashurisë së njeriut për njeriun, që duhet t’i afrojnë besimtarët e tyre dhe jo t’i ndajnë.
Ky do të ishte edhe kontributi kryesor i feve në këtë kohë të vështira, edhe i simboleve si Nënë Tereza, kurse përdorimi i feve dhe i simboleve të tyre për qëllime identitare do ishte i rrezikshëm, veçanërisht në Shqipëri. Historia e vjetër sa bota e Kainit që vrau Abelin për shkak të tempullit nuk ka humbur asnjë grimë nga tragjizmi i saj edhe sot. (Korrieri, 5 prill 2006)

Read More......