Friday, June 30, 2006

Pse ngulmoj për ndërrmin e elitës

Përgjigje Kryeredaktorit të Shqip Alfred Peza


I dashur Alfred,

Pra sa gjithash të falenderoj për letrën tënde publike si përgjigje ndaj shkrimit “Mbi nevojën e ndrrimit të elitës”, pasi gjithë sa shkruaje ishte për mua një provë se shqetësimi që kam ngritur është serioz.
Shkrimi ishte një tentativë për provokim, në kuptimin më të mirë të provokimit: si një akt që synon, si të thuash, të prishë qetësinë, statusin “normal” të disa gjërave që ne na duken se janë të pranuara nga të gjithë dhe të pandryshueshme, por që, nga një këndvështrim tjetër, mund të shfaqen krejt anormale dhe të paparanueshme dhe të domosdoshme për tu ndryshuar.
Ashtu siç parashikon edhe ti kam frikë se shkrimi im dhe letra jote do të provokojë heshtje jo aq nga vapa e nxehtë e kësaj vere sesa nga një vapë e një lloji tjetër që do të mund të shkaktonte ky debat. Pra, nuk pres që dikush të hapë debat mbi temën nëse duhet ndrruar/përmbysur elita apo duhen ndërruar rregullat e lojës. Megjithatë shkrimi yt më krijoi detyrimin që të sqaroj disa gjëra.
Elita dhe demokracia
Më së pari dua të ripërsëris çka kam shkruar në fund të shkrimit tim se kur flas për nevojë të ndrrimit të elitës apo për përmbysje të elitës aktuale aq sa ç’kam bindjen se kjo është e domosdoshme aq edhe kam rezerva për atë se a mund dhe si mund të ndodhë. Kjo për shumë arësye dhe, më së pari, sepse nuk jam elitist – në kuptimin se nuk jam ndër ata që besojnë se janë elitat ato që mund të bëjnë historinë e të bëjnë mrekullira përballë një populli injorant. Aq më tepër në një sistem demokratik, përkundrazi, kam bindjen se çdo elitë del nga shoqëria dhe se, po qe se mbetet e pakontrolluar nga të zgjedhurit, shndrrohet në një kastë që abuzon me pushtetin, siç mendoj se është kjo e jona. E se prandaj demokraci do të thotë pikërisht mundësi kontrolli e ndrrimi të vazhdueshëm të elitave në një mënyrë të tillë që vështirë se mund të dallosh se ku mbron ai që quhet popull dhe ku fillon ajo që quhet elitë. Megjithatë, nga ana tjetër, kam parasysh se veçanërisht në kohë krizash që imponojnë shndrime të mëdha ata që i marrin përsipër këto shndrrime përbëjnë një kategori që mund ta quajmë pa gabuar edhe elitë, që luan një rol të veçantë për futjen në rrugë të drejtë apo të shtrembër të këtyre ndryshimeve. Historia i ka provuar të dy variantet. Ne na ka provuar më të keqen e mendimi im është se ne jemi aktualisht në një rrugë/krizë të tejzgjatur që imponon nevojën e një elite të re me një motivim të ri, për një rrugë të re, por, nga ana tjetër, edhe në vështirësinë e krijimit të saj.

Ndryshimi i elitës apo i rregullave
Sikurse e ke vënë re në shkrimin tim jam nisur nga një detaj: këshillat e Vodafonit në koshin e plehërave, për të shkuar tek një teks universal, Bibla, duke iu referuar njërit prej pasazheve të saj më dramatike, atij të ebrejve në shkretëtirë, kur ata fillojnë e adhurojnë një zot të rrejshëm.
Ky referim nuk më ka lindur vetëm pse më erdhi natyrshëm shoqërizimi i idesë së siglës së kuqe të Vodafonit me Lopën e Artë, por edhe sepse peridha poskomuniste është trajtuar si tranzicion që jo rrallë i ka bërë analistët të evokojnë njërin prej tranzicioneve më dramatike që rrëfehet në Bibël: tranzicionin e popullit ebre nga skllavëria në Egjipt për në Tokën e Premtuar e që na shfaqet si qëndrim në shkretëtirë. E në këtë tranzicion kemi edhe momentin kur ebrejtë të lodhur nga mosardhja e Moisiut, i cili kishte shkuar në mal për të marë ligjet e Zotit, shkrinë florinjtë e çfarë kishin e bënë me të statujën e një lope të artë dhe filluan ta nderojnë atë si zot. Çka tregon edhe nevojën e përjetshme të njeriut për të pasur pika referimi e rregulla edhe prirjen e gabuar për të kujtuar se ky zot mund të jetë ari. Por në Bibël thuhet edhe një diçka tjetër lidhur me këtë tranzicion që i shkon shumë temës së ndrrimit të elitave: qëndrimi i ebrenjve në shkretëtirë në rrugën për në Tokën e Premtuar zgjati 40 vjet dhe kishte një arsye për këtë: jo pse rruga ishte shumë e gjatë, por sepse askush që kishte lindur e jetuar në skllavëri nuk mund të shkelte në Tokën e Premtuar. As vetë Moisiu që i udhëhoqi ebrejtë nuk shkeli dot atë, por vetëm sa e pa.
Sipas interpretimit tim të Biblës, kemi të bëjmë me një metaforë. Edhe vetë ideja e tranzicionit në një farë kuptimi është një metaforë sepse në fakt ajo çka ndodh realisht është një proces i pafund; madje nëse, do ta vështronim nën syrin e atyre filozofive që e venë në dyshim idenë e progresit e të mbrritjes së një qëllimi final, ajo bëhet edhe më problematike. Por gjithsesi tek kjo metaforë kemi një të vërtetë të madhe: se kush ka jetuar në skllavëri domosdo do të ketë pësuar (de)formime të tilla të cilat nuk do ta lejojnë të jetë i denjë plotësisht për një tjetër sistem. E këtu vijmë tek çështja që ngre ti. Ti thua se nuk ka nevojë të ndërrohet elita, por rregullat e lojës. Nuk kam asgjë kundër ndërrimit të rregullave të lojës. Moisiu në fakt, kur u kthye nga mali këtë bëri: nderimin e Lopës së Artë e zëvendësoi me dhjetë komandamentet e Zotit. Por, a mjafton kjo?
Le ta lemë metaforën e t’i kthehemi realitetit tonë. Të mos harrojmë se, në fakt, ne bëmë një ndrrim të rëndësishëm rregullash loje në vitin 1991. Edhe unë kam qenë nga ata që në ato vite kam besuar se e keqja ishte sistemi dhe se tani që ndrruam sistemin njerëzit do të bëheshin më të mirë edhe ndaj njëri tjetrit edhe ndaj shoqërisë e se, po ashtu, nuk do të ishin më servilë, spiunë e hipokritë ndaj pushteteve e as manipulatorë e do ta harronim artin e skllavit: gënjeshtrën. Mirëpo shumë shpejt u pa se nuk ishte kështu. Ne ndërtuam demokracinë më të keqe dhe kapitalizmin më të keq të mundshëm mu pse njerëzit që e morën atë përsipër kishin pësuar (de)formime të tilla psikologjike, kulturore, morale që i shfaqin edhe sot e kësaj dite shpesh në forma po aq të shëmtuara e keqbërëse.
Në një konferencë të organizuar nga Instituti i Shekencave Humane në Vjenë me temë revolucionet e fundit në vendet lindore, Karl Shvancerberg, disidenti i njohur çek, ish këshilltar i Havelit, e çmim Saharov për të drejtat e njeriut, e hapi fjalën e tij duke u thënë të pranishmëve se do t’i zhgënjente sepse ata kishin ardhur të dëgjonin të flitej për revolucione kurse atij i duhej qysh në fillim të thoshte se nuk pati revolucione. Dhe pastaj, për të shpjeguar iden e tij, dha përkufizimin e tij të revolucionit: “një përmbysje e dhunshme e shoqëruar me ndryshim elitash”. Ndërkaq, sipas tij, në këto vende nuk pati as dhunë dhe as ndryshim elitash. E tek mosndryshimi i elitës, dmth tek mbetja e së njëjtës elitë të korruptuar nga komunizmi qëndrojnë, sipas tij, rrënjët e korrupsionit të madh, të papërgjegjshmërisë së madhe, të mungesës së idealizmit e me rradhë. Ky është, sipas meje, në thelbin e vet edhe problemi ynë madje në një shkallë shumë më dramatike pasi “skllavëria” jonë ka qenë shumë herë më e egër sesa ajo e vendeve si Republika Çeke dhe prandaj dhe deformimi i elitës shumë më i madh.

Konflikti i brezave që mungon
Të them të drejtën kur shkrova shkrimin nuk synoja të provokoja ata që duhen ndërruar apo përmbysur, por ata që duhet të kryejnë ndërrimin apo përmbysjen. E këtu duhet të them se ajo që më le disi të pabindur në metaforën e ebrejve në shkretëtirë është ideja që përcillet sikur brezi që vjen është vetvetiu i pastruar nga mëkatet e brezit pasardhës. Ndërkaq, duke iu referuar përvojës sonë, ajo çka vemë re, përkundrazi, është një kontaminim i vazhdueshëm i brezit të ri me mënyrën e të menduarit, psikologjinë, moralin e brezit paraardhës. Madje në shumë aspekte, sikurse e ke venë në dukje edhe ti, duket sikur sot tek ne kemi degradim të mëtejshëm.
Ti ngre një pyetje shumë dramatike që përmban dilemat e krizës të sotme të vlerave: “Si i bëhet që fëmijët tanë, të akademikëve, e intelektualëve të tjerë, që janë inspiruar nga një ideal më i lartë si edhe ne, nuk kanë mundësi financiare të ulen në një shkollë private, të vishen firmato, të kenë një makinë apo mundësinë për të bërë pushime brenda e jashtë vendit, si edhe fëmijët e trafikantëve, kriminelëve, kontrabandistëve e zyrtarëve kokëboshë që kanë mjelur dhe vazhdojnë të mjelin Lopën e Artë që quhet shtet apo të spekulantëve gjithfarësh që kanë grabitur pa asnjë skrupull pronën publike”
Ashtu siç e kuptoj unë ti do të thuash se mbizotërimi i këtij modeli bën që edhe fëmijët e akademikëve, intelektualëve etj., të njohin si vlera frymëzuese shkollat private, veshjet firmato, makinat lluksoze. Dhe kështu më duket se është. Por shkaku, sipas meje, qëndron në atë se unë nuk shoh në këtë shoqëri ndonjë konflikt a ndeshje vlerash midis atyre që ti i quan “akademikë, e intelektualë” dhe atyre që i quan “trafikantë, kriminelë, kntrabandistë, zyrtarë kokëboshë e grabitës të paskrupullt të pronës publike”, përkundrazi i shoh ose në harmoni marrëdhëniesh e interesash ose në nënshtrimin e të parëve ndaj të dytëve – gati gati në një lloj marrdhënieje, që, në strukturën e vet psikologjike, më kujton marrdhënien e elitës intelektuale të komunizmit me bllokmenët e dikurshëm. Ndërkaq shumë syresh i kam parë dhe vazhdoj t’i shoh të bëjnë çmos t’i dërgojnë fëmijët jashtë shtetit për t’i shpëtuar nga kjo katrahurë. Dhe ky është shembulli më i keq për fëmijët sepse, sipas meje, vetëm ndeshja e tyre për vlerat më të larta në këtë shoqëri e mospranimi i kultit të parasë e të pasurimit me çdo lloj mjeti do t’i bënte ata të edukoheshin me tjetër sistem vlerash. E këtu vijmë pësëri tek problemi se pajtimi i tyre dhe mosndeshja e tyre me të keqen i ka rrënjët thellë në të kaluarën e tyre. E prandaj, - pa dashur të bije në thjeshtëzim dhe në futjen të gjithëve në një kategori - ajo çka më shqetësom më shumë është fakti se ata që ti i quan fëmijë akademikësh, intelektualësh nuk duken të kenë zë e vizibilitet tjetërlloj në këtë shoqëri e të tregojnë se, ashtu siç shkruan ti, qënkan inspiruar nga ideale më të larta e mund të krijojnë një elitë të re të motivuar ndryshe. E prandaj sipas meje, po të vazhdoj metaforën e ebrejve në shkretëtirë, kjo elitë po vazhdon të na mbajë me adhurimin e Lopës së Artë, duke edukuar edhe fëmijët që të adhurojnë atë.
Edhe unë nuk kam ndonjë përgjigje të qartë për atë se çduhet të bëjmë që t’i edukojmë të rinjtë se paraja dhe aq më keq paraja e fituar në mënyrë të pandershme nuk është gjithshka; se me para mund të blihen apartamente e vila lluksoze, por jo strehë ku jetohet me harmoni e pasuri shpirtërore, mund të blihen libra e shkolla private, por jo dije, mund të vishesh firmato e të fitosh pozitë, por jo respekt, mund të blesh seks, por jo dashuri. Por mua më duket se më shumë sesa rregullat dhe fjalët, vlerën e të cilave nuk e mohoj, një rol vendimtar për këtë edukim do të luante shembulli i një elite që ndeshet për këto vlera dhe jo i kësaj elite që na ka lënë tek apartamentet lluksoze pa pasuri shpirtërore, shkollat private pa dije, veshjet firmato e pozita pa respekt dhe seksi pa dashuri. (Korrieri, 28 qershor 2006)

Read More......

Thursday, June 29, 2006

Mbi nevojën e ndërrimit të elitës

Para jo shumë kohësh, duke ecur më këmbë në mes të Tiranës në trotuarin rreth lulishtes midis Muzeut Kombëtar dhe Bankës Kombëtare më kapi syri se koshat e rinj të plehërave të vendosura aty kishin një si pllakë teneqeje në njërën anë mbi të cilën ishte shkruar me të kuqe mbi fushë të verdhargjentë: “Vodafon ju këshillon të mbani pastër ambjentin”. Reagimi i parë, kuptohet, ishte e qeshura, ajo e qeshura që shkaktohet nga befasia e një gjetjeje që ti nuk e pret e që shpesh ka brenda ndjenjën e absurdit. Mirëpo sa më shumë u ndala në fenomenin që përmban në vetvete kjo reklamë/këshillë sanitare e shkruar mbi koshat e plehrave nga një kompani e njohur celularësh në botë aq më shumë hyra, pas të qeshurës, në të thella të hidhura ku ndjenjën e komikes dora dorës e zëvendësoi e trishtueshmja. Desha të bëj një shkrim, por ngjarje të tjera bënë të më dalë nga mendja ky detaj.
Këto ditë duke ecur përsëri më këmbë po në atë trotuar më tërhoqi vëmendjen fakti se teneqet e mbërthyera me vida tek koshat ishin lyer ose ishin zëvendësuar. Kësaj here fusha e argjentë e teneqeve qe bërë e kuqe, kurse mbi to ishte shkruar me të verdhargjendë “Bashkia e Tiranës ju këshillon të mbani pastër ambjentin”. Dikush e paska kuptuar gafën – thashë me vete. Megjithatë nuk ishin zëvendësuar të gjitha. Në një nga cepat e trotuarit përballë Bankës pashë edhe një kosh ku vazhdonte të qëndronte e shkruar me të kuqe mbi një të argjentë të zbardhëllyer: “Vodafon ju këshillon të mbani pastër ambjentin”.
Nuk do shumë mend se ato kosha duhet të jenë bërë me sponsorizimin e drejtpërdrejtë të Vodafon dhe kompania, duket, ka gjetur një mëyrë për ta shkruar emrin e saj të kudondodhur edhe mbi ato kosha. Ashtu sikurse me siguri kangjellat prej hekuri që rrethojnë parkun e vogël po atje duhet të jenë bërë me sponsorizimin e Banka Credins sepse, përndryshe, nuk ka se si ta shpjegosh se pse duhet që emri i kësaj banke të jetë shkruar zinxhir në të tërë kangjellat aty.
Këtu nuk dua të diskutoj këto mënyra sponsorizimi. As nuk dua të kritikoj shtysat që i kanë nxitur drejtuesin e Vodafonit të japin këtë këshillë sanitare që, për asosacion, më sjell ndërmend disa pllaka në trotuaret e rrugëve të Tiranës së fëmijërisë sime që, mesa më kujtohet, kishin edhe një shenjë të Kryqit të Kuq përsipër ku shkruhej: “Mos pështyni përtokë” e që qenë vënë në kohën kur tuberkulozi ende bënte kërdinë.
Më duket se më e rëndësishme është të diskutohet mbi boshllëkun që ka tentuar të mbushë Vodafon.
Ajo që bije në sy tek kjo parrullë, pra, është se Vodafonin nuk e shohim vetëm në rolin e tregëtarit që bën reklamë, por edhe të edukuesit shpirtëror deri edhe sanitar, si një zot që hyn në jetën tonë ekonomike, sociale, kulturore për t’i dhënë asaj kuptim ngase ne nuk gjejmë kuptim tjetër. E pikërisht këtu, tek edukimi, më saktë tek mungesa e këtij, vlen të ndalemi jo në kuptimin e atij edukimit që bënte Partia e Punës për punëra të mëdha për atdheun e për socializmin, por të atij edukimi të njeriut nga brezi në brez që e mëson të kuptojë veten e botën, çfarë ka më shumë vlerë dhe çfarë është me më pak vlerë. E në këtë kontekst parrulla/këshilla si ajo e Vodafonit mbi koshin e plehërave nuk bëjnë gjë tjetër veçse venë në dukje krizën e këtij edukimi, se ajo parrullë është shkruar mbi diçka që duke dashur t’i gjesh një emër mund ta quash vetëm: “zbrazësi”, “humbje pikash referimi”, “çoroditje vlerash morale e kulturore” apo ku e di unë tjetër. Mu përforcua kjo përshtypje kur lexova para disa ditësh në gazetën Shqip një shkrim ku ballafaqoheshin tekstet e këngëve që këndojnë tani të rinjtë me tekstet e këngëve të socializmit e të fill pas socializmit. Ajo që binte në sy ishte se ndërsa tekstet e socializmit kishin një pjesë tejet propagandistike: “Linde ti për të qenë i lirë shqiptar,/Por jeta s'ish' për ty një dhuratë/ Se mbi tokë kish' gur shumë dhe pak bar”, kishte edhe tekste që, në një farë mënyre, sado të rëndomtë, përçonin ndonjë vlerë gati normale njerëzore: “Tani më vjen të qesh me veten time/Kur sjell ndër mendje ëndrrat, rininë./Harrova flokët, sytë edhe emrin/E mbi të gjitha zgjodha njerinë.”
Tekstet e sotme sa më shumë kalon koha aq më shumë po bëhen banale, tmerrësisht banale, aq banale sa mund të flitet për një tru të rrafshuar deri atje ku nuk ka mbetur më asnjë rrudhë: “Me djalin e shërbimit të avionit do shkoj!!!/Në party do shkoj/Ta kam thënë se femrat ty nuk të lënë/E di mirë ti, e di mirë/Kur të godas e di mirë ti!!!”
Çështja që po ngre më duket se është diçka që shqetëson shumëkend, pasi edhe shembujt që po sjell janë vetëm detaje që mbushin një hapësirë të tejngopur me kësi detajesh, por, nga ana tjetër, më duket se ashtu si një sëmundje kronike me të cilën jemi mësuar të jetojmë në simbiozë kjo çështje, paradoksalisht, nuk shqetëson kërkënd. Duke u ndjerë të pafuqishëm për të bërë diçka në nivel shoqërie të gjithë duket sikur shohin hallin e tyre dhe të fëmijëve të tyre dhe, nga ana tjetër, pikërisht ky shikim vetëm i hallit individual krijon këtë rrënim vlerash edhe për fëmijët e tyre. Por ndoshta nuk është thjeshtë kështu. Ndoshta vetëdijshëm apo gjysëm vetëdijshëm ka edhe një strategji të injorancës që përfiton nga kjo injorancë dhe banalitet për ta ruajtur e për ta mbajtur këtë gjendje të trurit të shqiptarit kështu, pa asnjë rrudhë.
Vështirë të thuash se ç’duhet bërë konkretisht sepse kjo krizë vlerash është rrjedhojë e shumë krizave. Në kontekstin e kësaj krize Vodafon na shfaqet si ajo Lopa e Artë që filluan të nderojnë ebrejtë në shkretëtirë në vend se të nderojnë Zotin. E më duket se kjo krizë në shkretëtirë dita ditës po bëhet më alarmante.
Nuk ka dyshim se ngado që të sillesh, duke menduar për shkaqet e për rrugët e zgjidhjes së këtij problemi, nuk mund të mos ndalesh tek ata që duke patur më shumë vizibilitet e impakt në shoqëri për shkak të qënies persona publikë kanë shërbyer si modele vlerash e që, për fat të keq, nuk kanë shkuar përtej atyre vlerave që maten me sa vila dhe apartamente kanë apo se çfarë makinash kanë. Duke filluar që nga politikanët e deri tek artistët për të mos folur për juristë, mjekë, mësues etj. ose, thënë ndryshe, nga e ashtuquajtura elitë që deri tani, duke qenë bash gjeneruesja e antivlerave në fjalë, abuzuesja më e madhe me interesin e të gjithve, ka venë me kohë në dukje krizën e saj dhe nevojën e zëvendësimit të saj.
Më duket se vlen të tundet si një këmbanë alarmi gjendja ku ndodhemi e të vihet në dukje fort nevoja e zëvendësimit të elitës kallpe të konsumuar e të korruptuar intelektuale shqiptare që ka humbur thuajse çdo lidhje me shoqërinë ose, edhe më keq, që ka me të vetëm lidhje manipulative e mashtruese, që e përdor atë vetëm si lopë për ta mjelur duke e bërë ditë e natë të adhurojë verbshëm Lopën e Artë. Ndoshta kësaj elite mund t’i njihet edhe ndonjë meritë që mori përsipër një tranzicion të vështirë në më të vështirin e vendeve. Por vlen të thuhet mbi të gjitha se ajo e ka futur shoqërinë në një rrugë të shtrembër dhe se ka ardhur koha që një brez tjetër të mendojë seriozisht se kulti i parasë si vlerë e të gjitha vlerave, që ka kultivuar kjo elitë me jetën dhe veprën e saj, nuk mjafton për të ndërtuar një shoqëri, se duhet të fillojë të theksohet ideja se nuk mundet që jeta e njeriut dhe vlerat shpirtërore dhe intelektuale rreth saj të maten vetëm me para; se shoqëria ka nevojë për vlera të tjera dhe se edhe vetë paraja duhet parë si mjet dhe jo si qëllim. Vlen të thuhet se ka ardhur koha të rikujtojmë se qysh në kohët më të lashta ka pasur një diferencë thelbësore midis atyre punëve që bëhen thjeshtë për para dhe atyre punëve që janë të inspiruara nga një ideal më i lartë sesa fitimi i parasë e që, në fakt, janë ato që motivojnë shoqërinë si një e tërë apo edhe si grupe të ndryshme sociale. Të kujtojmë se Uliksi psh. e ndjeu veten të fyer kur fenikasit e morën për tregëtar ngase ai ishte luftëtar, apo se një nga aktet më domethënëse të Krishtit është pastrimi i Tempullit nga tregëtarët. Duket si mendim tepër radikal ky që po them: nevoja e ndërrimit të elitës, për të mos thënë nevoja e përmbysjes së elitës aktuale. Është një ide që bart edhe shumë rreziqe, aq më tepër po të kesh prasysh zbrazësirën që vjen mbrapa, jo vetëm përsa i përket perspektivave të elitave të reja, por edhe duke patur parasysh zbrazësirën e vlerave që ka tërë shoqëria nga e cila do të duhej të dilte elita e re. Por, nga ana tjetër, shtrimi i problemit kështu mendoj se është një provokim i nevojshëm sepse vazhdimi i kësaj rruge të adhurimit të Lopës së Artë në shkretëtirë nën udhëheqjen e elitës aktuale është i barsur me rreziqe edhe më të mëdha. (Korrieri, 23 qershor 2006)

Read More......

Një propozim për formulën e KKRT dhe Këshillit Drejtues të TVSH

Opozita po konteston formulën e mazhorancës për rregullimin e KKRT-se, dhe Këshillit Drejtues të TVSH-se, duke e konsideruar se tentohet të futen nën kontroll mediat. Si ju duken ju këto formula, dhe si e parashikoni zgjidhjen më të mirë të mundshme dhe me
konsensuale për Këshillin Kombëtar të Radio-Televizioneve dhe Këshillin Drejtues të RTSH-së?

Çështja e gjetjes së formulës së KKRT dhe të Këshillit Drejtues të TVSH për mua është çështje e gjetjes së formulës së funksionimit të demokracisë në Shqipëri. Dhe përgjigja e parë që më vjen të jap është se demokracia nuk vjen dot me një formulë, demokracia nënkupton shumë më tepër sesa një apo dy, tre formula. Sipas informacionit që kemi mundur të marrim nga shtypi lidhur me këtë çështje në thelb kemi të bëjmë me përplasjen e dy formulave. Po të përdorim një krahasim nga fusha e futbollit, njëra formulë (e mazhorancës) propozon që arbitri që arbitron ndeshjen midis dy palëve në fushë të mos jetë përfaqësues i skuadrave, por të jetë një institucion tjetër që siguron edhe pavarsinë e gjykimit e të vlerësimit të ndeshjes. Kurse formula tjetër (e opozitës) është ajo sipas së cilës arbitrat duhet të zgjidhen si përfaqësues të skuadrave që ndeshen në mënyrë që të sigurohet se nuk do të ketë arbitrim me hile. Nëse ju kujtohet ky debat formulash, në parim, është zhvilluar edhe kur bëhej fjalë për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Ajo që bije në sy është se ata që kërkojnë të kenë përfaqësuesit e tyre, pra që formula të bëhet sipas parimit që çdo forcë të ketë përfaqësuesit e vet dhe jo që institucionet që presupozohet se do të bëjnë arbitrin të jenë të pavarur, është gjithmonë opozita. Pra, kur PD ishte në opozitë, kërkonte të kishte përfaqësuesit e vet, sepse përndryshe, sipas saj, mazhoranca do të mund t’i blinte përfaqësuesit e shoqërisë civile apo të pavarurit. Tani duket se kanë ndrruar rolet. Socialistët kërkojnë të kenë përfaqësuesit e tyre në Këshillin e Radiotelevizionit dhe në KKRT ose më saktë të pavarurit e tyre kurse demokratët në pushtet kërkojnë të pavarur të pavarur nga partitë. Komenti i kësaj ndeshjeje mund të bëhet në shumë plane. Më së pari duhet thënë se ky mosbesim i opozitës vjen nga një histori e gjatë e keqtrajtimit të opozitave tona nga mazhorancat tona e se jemi shumë shumë larg ndërtimit të këtij besimi. Sot për sot garant i një lloj besimi janë të huajt. Kurse ne duhet të punojmë që të ndërtojmë garanci të brendshme, tonat. E në këtë kontekst mund të thuash se në thelbin e vet kjo përplasje tregon dobësinë e autoriteteve të pavarur në këtë vend, mungesën e besimit se ka ose mund të ketë autoritete apo le të themi institucione të pavarur në këtë vend. Dhe për këtë duhen akuzuar forcat politike që kanë punuar për të mos patur të këtillë. Socialistët duhet të kujtohen se gjatë tetë vjetëve në pushtet nuk kanë lënë gur pa luajtur për të kontrolluar e korruptuar autoritet e pavarur e veçanërisht median. Por edhe demokratët kanë ndikuar jo pak gjatë këtyre tetë vjetëve që të mos luhet loja e të pavarurve, sepse kanë kërkuar me insistim që të kenë përfaqësuesit e tyre. Kjo ka bërë që sot askush nuk mund të ketë besim se tani që erdhën demokratët do të ketë të pavarur. E, kur flas për të pavarur, nuk kam parasysh njerëz që nuk kanë zgjedhjet e tyre, por njerëz me autoritet e personalitet që gjithsesi përpara çdo partie dhe bindjeje politike venë parimet e ndershmërisë morale e profesionale dhe ligjin.
Personalisht në vështrimin afatgjatë kam mbrojtur dhe vazhdoj të mbroj idenë se kjo shoqëri po nuk krijoi institucione me autoritet të pavarur nga partitë politike nuk mund të funksionojë si demokraci. Kur ka qenë debati për KQZ kam qenë kundra idesë se antarët duhen zgjedhur sipas formulës së përfaqësimit të partive, pasi kjo, përveç të tjerash, do të zhvillonte edhe partitokracinë e këtyre dy partive duke mos lejuar, mes tjerash, as rritjen e forcave të tjera politike. Pra sipas meje më mirë të ndërmerrej rreziku i ndërtimit të institucioneve të pavarur sesa këto institucione të mbeteshin peng të partive. Mirëpo, siç tregoi praktika, sikur PD-ja të mos kishte ngulmuar në balancimin sipas formulës së përfaqësimit zor se do të kishte arritur të kishte rezultat të pamanipuluar në zgjedhjet e fundit. Prandaj veç parimeve duhen parë edhe realitetet konkrete. E në këtë kontekst, për të mos u ngrënë hakun socialistëve, duhet të themi se ata e pranuan formulën e PD-së me përfaqësim. Kjo të çon në idenë se PD do të ishte në koherencë me vetveten nëse do të pranonte formulën e përfaqësimit të balancuar dhe jo të ngulmojë, tani që është mazhorancë, në formulën e të pavarurve pa përfaqësim.
Ndërkaq unë mbetem i mendimit se duhet të bëjmë ç’është e mundur që të ndërtojmë autoritete të pavarura, institucione të pavarura çka do të thotë gjyqtarë me autoritet, antarë të KKRT me autoritet, antarë të Këshilli të RTVSH me autoritet dhe jo ushtarë partish që edhe kur nuk mendojnë ashtu siç mendon partia janë të detyruar të votojnë ashtu siç u diktohet. Aq më tepër duke patur parasysh se këta janë institucione publike që nuk varen e as duhet të jenë të varur nga pushtetet politike. E në këtë kontekst mund ta mbështes idenë e përfaqësuesve të shoqërisë civile e jo të përfaqësuesve të partisë, por, nga ana tjetër, duke patur parasysh rrezikun e të pavarurve të varur, do të gjeja ndoshta një formulë që të ishte sinteza e të dy formulave. Njëra mënyrë psh. do të ishte që këta të mos zgjidheshin nga mazhoranca 50+1, por nga një numër më i madh deputetësh siç është psh. zgjedhja e presidentit. Mirëpo, nga ana tjetër, kjo mund të nënkuptonte një mundësi më shumë për opozitën që të bëjë obstruksionizëm, sepse me këtë raport mazhorancë - opozitë që kemi ne nuk ka shpresë të arrihet konsensus për ndonjë gjë. Por prap duhet ngulmuar. Ndosha më mirë do të ishte të kërkohej ndonjë zgjidhje si ato që përdoren në disa sisteme elektorale të vendeve ku ka konfliktualitete të forta midis palëve. Në këto sisteme partitë shtyhen që në listat e tyre të venë kandidatë sa më të moderuar sepse për ta, sipas sistemit, votojnë edhe kundërshtarët duke venë më shumë ose më pak pikë. Psh mund të propozohej një listë personash të cilëve do t’u jepeshin pikë edhe nga opozita edhe nga partitë e tjere dhe ata që do të merrnin më shumë pikë të ishin të zgjedhurit. Megjithatë tek e fundit, ngado që të sillemi do të arrijmë në përfundimin, se nuk janë formulat që mund të ndryshojnë klimën, por se duhet punuar që të ndryshojë klima e tërë marrdhënieve midis forcave politike që të funksionojnë edhe formulat.

Sipas të gjitha raporteve të shtypit, një adoleshent në Korçë ka vrarë veten pasi ka kaluar një moment të vështirë në Policinë e ketij qyteti. A e gjykoni një ngjarje alarmuese ndaj së cilës duhet ndaluar për nje hop, për të bërë një analizë të fortë që duhet ta shndërroje rastin në një precedent parandalues për më vonë.

Pikë së pari dua të them se jam i prirur të besoj se adoleshenti është keqtrajtuar nga policia e me keqtrajtim nuk duhet të kuptojmë vetëm dhunën fizike, por edhe dhunën verbale apo psikologjike që ne shpesh as nuk e njohim si dhunë. Ndoshta shkaku i vetvrasjes nuk është kjo dhunë në vetvete, por fakti se kjo dhunë e ka bërë të pohojë e ky pohim e ka bërë të ndjehet i poshtëruar apo i frikësuar nga pësimi i një dhune tjetër, asaj të familjes apo të bashkëpuntorëve në vjedhje. Jemi pra në një qerthull dhune ku tragjikisht ka marrë pjesë edhe adoleshenti me dhunën që ka ushtruar ndaj vetvetes. Duke patur parasyh se kemi të bëjmë me një adoleshent, çka do të thotë me një fëmijë, ngjarja më duket shumë e rëndë. Por alarmin për të cilin flisni dhe çështjen e parandalimit të dhunës nuk do ta ngrija thjeshtë si diçka që ka të bëjë me ushtrimin e dhunës në polici apo burgje. Do ta ngrija si problem i luftës kundër kulturës së dhunës në shoqëri në aspektin më të gjerë ku një rol të rëndësishëm luan shteti që duhet të japë shembullin i pari. Jo më larg se dy ditë më parë pata një debat me një miken time italiane e cila vjen herë pas here në Shqipëri e cila ka gjezdisur shumë nëpër botë e, midis të tjerash, njeh mirë edhe botën arabe dhe afrikane. Gjithmonë i kërkoj përshtypjet dhe gjithmonë marr prej saj përgjigjen se nuk e kupton dot këtë vend i cili i duket i veçantë. Kësaj here, pasi qe kthyer nga Veriu, më futi përsëri në debat sepse më tha se nuk arrinte ta kuptonte peshën e madhe që ka dhuna në marrdhëniet midis shqiptarëve. Veçanërisht i bënte përshtypje dhuna ndaj grave, por edhe fëmijëve. Ajo çka mua më dukej e pakuptueshme nga ana ime ishte fakti që ajo e gjente këtë fenomen si diçka të veçantë. U detyrova pra t’i them se ky është një fenomen universal që e gjen edhe në Afrikë edhe në botën arabe apo të jugut të Italisë psh. Mirëpo ajo ngulmonte se edhe në ato botë dhuna nuk ka atë rol që ka tek ne. Gruaja psh. sipas saj në botën muslimane që ne e mendojmë si botën e kufizimit të lirisë së gruas gëzon shumë më tepër hapësira dhe respekt sesa në botën që kishte vërejtur ajo.
Tek e fundit, në kërkim të shpjegimit të rolit të madh të dhunës në shoqërinë shqiptare – që unë nuk mnd ta shikoj veçse si një fenomen që mund të shpjegohet në terma historike dhe kulturore dhe jo raciste – arrita në konkluzionin se ndoshta është egërsia që shprehet në Kanun, plus egërsia që ka kultivuar diktatura komuniste, plus egërsia që imponon kjo xhumgël e egër që kemi ndërtuar pas rënies së komunizmit që e bëjnë kaq të veçantë sa ç’i duket asaj ky vend përsa i përket rolit të dhunës në shoqëri.
E këtë rol të dhunës më duket se duhet të ngulmojmë ne për ta kuptuar e ndryshuar. Mirëpo në vend se të merremi me këtë problematikë kaq serioze, duke ngritur më këmbë shoqërinë për ngjarje si kjo e adoleshentit, ne bëjmë pamflete pas pamfletesh ku vetëdeklamojmë rrënjët tona kristiane në një mënyrë të dhunshme që s’ka të bëjë fare me kristianizmin - sepse harrojmë se një nga mësimet themelore të kristianizmit është ai që thotë se atij që na godet duhet t’i kthejmë faqen tjetër – gjë që më kujton një rast skandaloz të ndodhur disa vjet më parë kur disa “besimtarë’ hynë në një konvent të motrave të Nënë Terezës, bënë kryqin para Krishtit, i vodhën e i përdhunuan ato dhe dolën duke i futur edhe një kryq tjetër në fund.


Pasi ka hedhur tezat e socializmit të ri në kongresin e fundit, Edi Rama ka bërë një kthesë duke
thënë se alternativa e PS-se do të jetë koresponduese e halleve dhe problemeve që kanë qytetarët. A mendoni se platformat ose alternativat janë të mira kur vijnë kësisoj nga poshtë, apo është kjo një lëvizje populiste e liderit të opozitës?

Sikurse mund ta dini në një debat televiziv unë e kam krahasur Ramën me një kafshë që ka gojë shumë të madhe dhe veshë shumë të shkurtër: krokodilin. Dhe kur e dëgjoj që flet për veshë që duhet të dëgjojnë nuk mund të mos më kujtohet ky krahasim. Është një krahasim që, në të vërtetë, e meritojnë shumica e politikanëve shqiptarë dhe, kur ta analizojmë, na duhet të ndalemi e të gjejmë jo vetëm se çfarë nuk funksionon tek ata, por edhe se çfarë nuk funksionin në një kuptim më të gjerë si strukturë marrdhëniesh midis nesh. Pra pse ne nuk kemi veshë për të dëgjuar të tjerët? Sipas meje problemi nuk është vetëm tek veshët e shkurtër të politikanëve, por edhe tek goja e mekur e qytetarëve shqiptarë ndaj superiorëve që kthehet e bëhet gojë krokodili ndaj inferiorëve në çdo nivel.
Lidhur me liderin socialist dhe fushatën e tij komenti im është ky: Ai ka pasur kohë tetë vjet për të dëgjuar shumë kritika që i janë bërë dhe ka treguar një paaftësi dëgjimi të tejskajëshme. Prandaj, qoftë edhe vetëm nga ky fakt, e gjithë fushata e tij duhet parë me mosbesim të madh. Po ashtu ka plot elementë në këtë fushatë që tregojnë se kemi të bëjmë me një populizëm tipik në kuptimin klasik të populizmit që karakterizohet nga fakti se lideri populist mban lidhje direkte me popullin, pa ndërmjetës, pra pa përfaqësi. Ndërkaq shumë nga shqetësimet e vendit, sikurse e thashë, janë ngritur e po ngrihen në shtyp nga përfaqësues të opinionit, për shumëçka që duhet të ndryshojë edhe tek socialistët. Në vend se tu japë përgjigje këtyre shqetësimeve, pra se çfarë propozojnë psh për të luftuar karrupsionin e pastruar Partinë Socialiste nga të korruptuarit, çfarë duhet bërë për ta shkëputur partinë nga kthetrat e super të pasurve e për të përfaqësuar të verfërit, etj., asistojmë në takime që nuk na sjellin në ekran asnjë lloj propozimi, por veçse na përcjellin në mënyrë të vazhdueshme fytyrën e liderit që flet vetë, duke premtuar gjëra të përgjithshme e jo duke dëgjuar vërejtje konkrete e duke akuzuar kundërshtarin si të paaftë dhe plak. E ç’lidhje ka kundërshtari me një projekt për rigjenerimin dhe ristrukturimin e partisë? Prandaj, qoftë edhe vetëm nga mënyra se si përcillen në televizione takimet e Ramës kuptohet se kemi të bëjmë me populizëm e demagogji të kulluar. E për të dalë përtej Ramës mendimi im është se në tërësi Partia Socialiste ose më saktë liderët e saj vuajnë një shkëputje skandaloze nga shoqëria që domosdo i çon në demagogji. Kjo sepse gjatë tetë vjetëve nuk kanë bërë tjetër veçse kanë kuruar interesat e tyre e të biznesmenëve të lidhur me ta duke krijuar një kastë të shkëputuar nga shoqëria e që ka punuar kundër shoqërisë. Prandaj unë kam ngulmuar e ngulmoj për krijimin e një të majte të re, shpresë që ma ngjalli për pak kohë LSI, por që tani e shoh të shuar. (Rubrika Përpjekja, Standart 24 Qershor 2006)

Read More......

Thursday, June 22, 2006

"Evropa në zhdukje" antologjia e shkrimtarëve bashkëkohorë evropianë

U botua muajt prill - maj në Gjermani nga shtëpia botuese Suhrkamp antologjia „Last & Lost” (I fundit i humbur) dhe në Poloni nga shtëpia botuese Czarne me titull „Znikajace Europa” (Evropa në zhdukje). Është një antologji me 15 autorë të njohur evropianë nga Perëndimi dhe Lindja. Sejcili autor është ftuar të zgjedhë një „vend” që po zhduket apo është duke u zhdukur në atdheun e tij. Në antologji është edhe një shqiptar, Fatos Lubonja, i cili ka zgjedhur të shkruajë për zhdukjen e një vendi në mes të Tiranës, Bllokut. Po botojmë recensën e parë të këtij libri të posadalë në Poloni botuar në Gazeta Wiborsha, ku eseja e Lubonjës për Bllokun duket se ka tërhequr në mënyrë të veçantë vëmendjen e recensentit.


"Evropa në zhdukje" antologjia e shkrimtarëve bashkëkohorë evropianë


Nga Aleksander Kaczorowski* (Gazeta Wiborsha, 09-05-2006)

Duhet ta pranoj, se jam nisur me mosbesim për të lexuar këtë libër. Antologjitë rrallëherë janë të arrira; ato janë një nga librat më pak të këndshëm, sepse pothuaj gjithnjë aty përfshihen tekste të dobëta, ndërsa një makth i vërtetë janë prurjet e autorëve që duhen përfshirë „nga halli”, sepse nuk është e udhës që ata të mos përfshihen.

Qoftë edhe vetë ideja e përzgjedhjes së autorëve, mbi bazën e kriterit evropian, zakonisht nënkupton një dozë të madhe monotonie që vjen nga politikisht korrektja. Prandaj akoma më e madhe ishte habia që më ka shoqëruar gjatë leximit – dhe kjo një habi e trefishtë.

"Evropa në zhdukje" përshkruan vende, për të cilat shumë prej nesh, nuk kanë dëgjuar kurrë dhe ka shumë të ngjarë të mos i shohin kurrë. Ka ndërmjet tyre, vende të tilla që nuk i kanë parë madje as autorët e teksteve, sic është Ada-Kaleh, një ishull në Dunaj, i fundosur në vitet 60, gjatë ndërtimit të një dige të fuqishme. Një vend i tillë është edhe poligoni austriak, në madhësinë e Luksemburgut, që zinte hapësirën e disa komunave, nga ku me urdhër të Hitlerit u shpërngulën të gjithë banorët, (kështu kreu i Raihut të tretë pati mundësinë të zhdukte gjurmët kompromentuese të së kaluarës, meqenëse, babai i vet, kishte lindur si një fëmijë jashtëmartesor në një nga fshatrat). Mund të gjesh aty edhe tregimin për qytetin rus, ekzistenca e të cilit ishte sekreti më i madh shtetëror i Bashkimit Sovjetik, pasi në të banonin specialistët që kujdeseshin për bateritë e raketave bërthamore, që kishin në shënjestër SHBA-të gjatë krizës kubane të vitit 1962. Këtu mund të gjesh gjithashtu tregimin për stacionin hekurudhor me përmasa gjigande në Viezhbollovie, në kufirin e dikurshëm gjermano-rus, nga i cili ka mbetur vetëm një vaskë në të cilën, mendohet se është larë cari Nikolla i II-të.

Të tilla vende të jashtëzakonshme ka në këtë libër pesëmbëdhjetë dhe sikur vetëm për këtë e vlen të lexohet, për të ditur ekzistencën e qytetit, që gjendet në skajin më lindor të Evropës Perëndimore, (me emrin norvegjez, Vardo), në të cilin dikur në kohën e mjerimit dhe të urisë, jehonte muzika, kurse sot është braktisur nga norvegjezët e ngopur, apo për kurortin e famshëm portugez, i cili jo gjithmonë ka qenë një shkretëtirë prej betoni, që gjallërohet vetëm gjatë tre muajve të verës. Fakti, që vende të tilla, përgjithësisht ekzistojnë dhe që kanë një histori kaq të çuditshme, ishte habia e parë, nga e cila nuk u shkëputa dot, gjatë gjithë kohës së leximit të këtij libri.

Habia e dytë, shumë më e rëndësishme, vjen nga disa shkrimtarë evropiane, të shkëlqyer, të cilët i zbulova me këtë rast. Disa prej tyre si Lituanezi Marius Ivashkievicus, Austriaku Karl-Markus Gauss, apo shqiptari Fatos Lubonja, tashmë të njohur prej lexuesit polak, por që kanë shkruar për këtë antologji, ndoshta gjërat e tyre më të mira. Kjo prek vecanërisht esenë e Lubonjës, që është përshkrim i të ashtuquajturit Bllok, apo të lagjes së qeverisë së dikurshme të Tiranës, në të cilën banonte nomenklatura shqiptare, por që sot është kthyer në selinë e bankave amerikane, lokaleve dhe dyqaneve luksoze. Vështirë që ndokush të kishte patur ide më origjinale se ajo e eseistit, i cili e urdhëron Enver Hoxhën, diktatorin komunist të vdekur në vitin 1985, të ëndërrojë për Tiranën moderne. Kështu, satrapi shqiptar vërtitet rreth shtëpisë së tij dhe nuk arrin ta njohë atë, pasi aty është vendosur, tashme, një shkollë e gjuhës angleze; takon të afërm të viktimave të regjimit të tij, që janë të ulur nëpër kafene, dhe më në fund përplaset me vetë autorin, të cilin para shumë vjetësh urdhëroi ta burgosnin, me arsyen se ai ishte djali i veprimtarit të partisë që ishte distancuar nga pushteti.

Ndër zbulimet më të mëdha të këtij vëllimi, janë megjithatë shkrimtarët, për të cilët nuk kishim dëgjuar më parë, apo për të cilët kemi ditur shumë pak, sic janë rusja Svetllana Vasilenko, norvegjezi Vetla Lid Larssen, Austriaku Kristof Ransmayr, apo rumuni Mircea Cartarescu. Këta janë autorë, librat e të cilëve do t’i kqyr që sot e tutje me shumë vëmendje. Të njohur dhe të vlerësuar në vendet e tyre, për më tepër të lindur në vitet 50, 60, ata janë për lexuesin polak, pothuaj një brerje ndërgjegje, dëshmi e asaj se sa pak dimë për pasurinë e letërsisë moderne evropiane.

Nëse këtyre u shton edhe shkrimtarët që si zakonisht shkruajnë në nivel të lartë, si Juri Andruhovic dhe Andzhej Stashuk, propozimet intriguese të portugezes Lidia Jorge, kroates Tatjana Gromacy dhe gjermanes Dagmar Leupold, atëherë lajmet që flasin për rënien e letërsisë duhet t’i quajmë, të paktën, të tepruara. Në fakt, prej kohësh nuk kisha lexuar një libër të tillë, të ngarkuar me emocione pozitive, siç është kjo antologji e ilustruar në mënyrë të shkëlqyer nga fotografi të disa fotografëve nga vende të ndryshme të botës, me tekste për qoshet e Evropes, të degraduara, të lëna në harresë, dhe shpeshherë të shkatërruara qëllimisht. Antologjia në fjalë po publikohet njëkohësisht edhe në Gjermani (e botuar nga shtëpia botuese prestigjoze, Suhrkamp) dhe në Poloni.

Dhe këtu vjen habia e tretë – duket qartë, se pesëmbëdhjetë shkrimtarë, nga një dyzinë vendesh evropiane, njerëz me fate dhe përvoja aq të ndryshme, sa mund të jetë e mundur vetëm në Evropë, janë të aftë – për t’u shprehur figurativisht – të transmetojnë në të njëjtën valë. Identiteti evropian, i vënë jo rrallëherë në pikëpyetje, duket se pavarësisht gjithçkaje, gjallon – dhe kjo në vendin, i cili është vendi më i vështirë i testimit të të gjitha ideve dhe parrullave – përkatësisht në terrenin e artit.Edhe pse ndonjëherë është tepër e vështirë të besohet, jemi nga i njëjti djep që quhet Evropë. Duke lexuar këto ese tepër të bukura, mund të përsëris me bindje të plotë fjalët, që të dëgjuara nga goja e politikanëve, shkaktojnë një buzëqeshje të zorshme: „Po – jam evropian”. (Standart, 16 qershor 2006)


*Autori është zëvendës redaktor i përgjithshëm i të përjavshmes "FORUM".

"Evropa në zhdukje"

Antologji tekstesh nën redaktimin e Kathariny Raabe dhe Moniki Sznajderman

Czarne, Wołowiec

Read More......

Monday, June 19, 2006

Dinjiteti i punës serioze, i dijes, krijimtarisë burojnë nga një prej të drejtave bazë të njeriut, ajo për shkollim

Ditët e fundit publiku shqiptar është tronditur shumë nga ngjarje që kanë pasur për protagonistë të mitur. Në një rast të përfshirë në video porno në ambiente shkollore dhe në rastin tjetër një përdhunim ku ishin përfshirë disa adoleshentë 14-vjeçarë. A tregojnë këto ngjarje degradim në sistemin shkollor? Nëse po, a ka ardhur koha që shteti të rikthejë vëmendjen nga shkolla, duke vënë disiplinë në sistemin parauniversitar?

Të them të drejtën për mua gjëja më tronditëse që kam dëgjuar në mediat tona lidhur me këtë çështje është mënyra se si është komentuar ajo ku thuajse të gjithë të intervistuarit e përqendronin problemin tek nevoja e pasjes siguri më të madhe në shkolla duke e përkthyer shkurt si nevojë për policë e roje më shumë që të ruajnë fëmijët. Kjo është tronditëse sepse nga kjo gjendje e sistemit tonë arsimor nuk mund të na nxjerrin policët. Shkolla që ruhen me policë nuk mund të jenë vende normale edukimi. Policët nuk na shpëtojnë dot as nga gjendja e kriminalitetit të madh që kemi. Sipas meje çështja e nevojës së ndryshimit të gjendjes së sistemit tonë edukativ është shumë më e gjerë e më komplekse e ka të bëjë me nevojën për ndryshimin e tërë shoqërisë që kemi ndërtuar, sepse nuk është fjala për degradim të sistemit tonë shkollor, por për degradim të tërë shoqërisë me çka nuk duhet të kuptojmë se kemi qenë më mirë në kohën e komunizmit, por se gjendja tejet e sëmurë në të cilën e katandisi komunizmi shoqërinë ka bërë që ajo të mos jetë në gjendje të ketë antikorpet e nevojshme për t’u rezistuar të këqijave të kapitalizmit dhe prandaj të vazhdojë një gjendje tejet të sëmurë. Fëmijët nuk janë tjetër veçse produkti i asaj që kemi ndërtuar ne të rriturit dhe sjelljet e tyre nuk reflektojnë tjetër gjë veç se sa dhe si mendojmë ne për ta. Dëgjova një mësuese të thoshte në televizion se në një klasë me 52 nxënës asaj i duhet gjysma e orës së mësimit vetëm për të lexuar emrat e nxënësve kur bën apelin. Problemi pra nuk ka të bëjë me shtimin e policive në shkolla, por me shtimin e shkollave e të shumëçkaje tjetër kanë nevojë shkollat: të mësuesve e rrogave të tyre më së pari, të ambjenteve të ndryshme, e me rradhë, për të mos folur për nevojën e ndryshimit të metodës së mësimit të futjes së teksteve të reja, të kompiuterave e më the të thashë. Po ashtu problemi në thelb, ka të bëjë me nevojën që t’i konsiderojmë të tërë fëmijët njëlloj përsa i përket të drejtës së tyre për arsimim. Kurse ne çfarë kemi bërë? Kemi ndërtuar një sistem ku 5000 veta (apo familje) që qarkullojnë shumcën e pares së këtij vendi nuk e çajnë kokën për çfarë ndodh me fëmijët e të tjerëve sepse për fëmijët e tyre ata kanë shkolla private ku paguajnë 300 – 400 euro në muaj (sa dyfishi i rrogës së një mësuesi në shkollat publike) apo i dërgojnë fëmijët në shkolla jashtë shtetit. Shihni se çfarë po ndodh tek ne: jemi vendi më i varfër në Evropë dhe çuditërisht jemi i vetmi vend në Evropë që Kampionatin Botëror të futbollit nuk e shohim dot pa paguar para. Kudo në Evropë, nga ç’kam parë e dëgjuar, kampionatin e japin televizionet publike kurse tek ne e jep privati. E si mund të zhvillosh pasionin për sportin tek fëmijët në këto kushte? Shtoi kësaj faktin se gjendja e vendeve të lojrave sportive ku fëmijët normalisht duhet të derdhin energjinë e të edukojnë shpirtin e ekipit e të bashkpunimit e të garës së ndershme është inekzistente. Këto nuk janë rastësi, janë tregues i sistemit që kemi ndërtuar. Mirëpo për këto askush nuk flet. E si për të larë ndërgjegjen për këto krime sistematike që bëjmë ndaj fëmijëve ne gjejmë ndonjë rast pedofilie e fillojmë e mbushim gazetat me fytyrën e kriminelit – në fak për të fshehur fytyrat tona. Pra sipas meje nuk duhet folur për nevojën e shtimit të policëve në shkolla, as për disiplinë në kuptimin e shtrëngimit të fëmijëve, por për nevojën e një ndryshimi rrënjësor në shpërndarjen e parasë publike, ku duhet bërë e qartë se shkollat janë më të rëndësishme se rrugët, paçka se bijen në sy më pak për efekte elektorale. Duhet folur për ndryshimin e këtij sistemi ku një oligarki kriminale thith në mënyrën më të papërgjegjëshme paranë pa çarë kokën se shoqëria po mbushet me injorantë e kriminelë potencialë. A ju kujtohet se para disa kohësh ra një tavan mbi kokën e fëmijëve sepse paratë e rikonstruksionit të shkollës duket se më shumë ishin vjedhur se investuar atje. Po a keni marrë vesh të ndodhë ndonjë gjë, të gjinden përgjegjësit e të ndëshkohen? Sigurisht që jo. Prej kohësh kanë rënë këmbanat e alarmit për gjendjen e shkollave tona, por edhe të sistemit parashkollor ashtu sikurse të universiteteve. Shkollat duhet të fitojnë dinjitetin dhe respektin që kanë shkollat kudo në Evropën ku aspirojmë të bëjmë pjesë. Në thelb kjo do të thotë të fitojë dinjitetin që meriton puna serioze, studimi, dija, krijimtaria që burojnë nga një prej të drejtave bazë të njeriut, ajo për shkollim. Përndryshe do të duhet të thellojmë ndërtimin e këtij sistemi që kemi nisur e që ia gjen modelin nëpër ndonjë vend të Amerikës Latine ku të pasurit shtojnë numrin e policëve, paguajnë edhe polici private, për tu mbrojtur nga të varfërit.



Me një entuziazëm të madh u përcoll në median shqiptare dhe në arenën politike firmosja e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian? A është legjitim ky entuziazëm në një kohë kur kjo marrëveshje është vetëm një firmë formale dhe nuk sjell liberalizim vizash për shqiptarët, por vetëm detyrime ekonomike dhe politike?

Është më mirë që ndodhi nënshkrimi sesa të ishte vonuar edhe më; është, pra, për të bërë një urim, por kurrsesi për të festuar. Frika që kam është se, sikurse e kam thënë edhe herë tjetër në këtë rubrikë, ne nuk thellohemi në detyrat që na imponon fitimi i një të drejte. E kjo firmosje e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian në fakt më shumë sesa me të drejtat ka të bëjë me detyrat që duhen përmbushur për të fituar të drejtat. Hyrja në Evropë duhet ta kemi që qartë se nuk do të thotë e drejtë qarkullimi të lirë, pa viza, nëpër Evropë. Hyrja në Evropë për ne shqiptarët duhet parë si detyrë që ta bëjmë territorin tonë të denjë për tu hapur e për tu bërë një me territorin evropian. E kjo nënkupton arritjen e shumëçkaje që ne nuk e kemi ende. Kjo nënkupton indirekt edhe atë që thashë më sipër lidhur me ndryshimin e gjendjes së shkollave. Dhe jo vetëm të shkollave, por të shumëçkaje. Psh. a e dini ju se Italia i paguan një taksë të konsiderueshme Brukselit sepse nivelin e ndotjes së ajrit nëpër disa qytete e ka më të lartë sesa norma evropiane e lejuar? Po ne ku do t’i gjejmë paratë për të paguar taksa të tilla për ndotjen katastrofike që kemi? Po ashtu hyrja në Evropë presupozon elimininim e taksave doganore. Pra ai që sot quhet sukses i qeverisë: mbledhja e taksave doganore nuk do të mund të ekzistojë si burim të ardhurash. Por me çfarë do të zëvendësohet? Me çfarë do të paguhet administrata, arsimi, spitalet, policia. Me çfarë do të ndërtohen rrugët? Me taksat që paguajnë qytetarët çka nënkupton prodhim e eksportim mbi të gjitha. Por, kur këto mungojnë, si do të sigurohen të ardhurat - sepse besoj se, dora dorës që do t’i afrohemi Evropës, aq më pak do të ketë kanale droge e prostitucioni? Ndërkaq ne vazhdojmë të ndërtojmë pa fund banesa pa menduar se ato dhe ambjentet e rrugët përreth duhen mirëmbajtur e për këtë duhen para publike. Prandaj hyrjen në Evropë duhet ta shohim si detyrë për normalizimin e shoqërisë e të ekonomisë në të tëra nivelet. Kjo nënkupton edhe që vendi të mos punojë më për 5000 veta po që 5000 veta të punojnë për tërë vendin. Por kjo do të thotë pikërisht që ata 5000 vetat të humbasin shumëçka nga privilegjet dhe përfitimet që kanë – e kjo kuptohet se atyre nuk u leverdis. E kështu ne vazhdojmë të sillemi në rrethin vicioz ku ditën i afrohemi Evropës e natën punojmë për largimin ngaajo.

Partia Socialiste miratoi një paketë ndryshimesh statutore të mbështetura nga kryetari i ri Edi Rama. Nga shumë analistë kjo u pa si fitorja e parë e Ramës për të reformuar partinë. A është kjo reformë më afër parimeve të së majtës dhe ashtu siç pretendohet nga Rama, e bën këtë parti më shumë progresiste, apo është një hap pas në konservatorizëm?

Kongresin socialist nuk e ndoqa sepse isha jashtë. I pari i njohur që pyeta se çfarë kishte ndodhur më tha se nuk ishte shumë i qartë se ç’ishte bërë, por se kishte dëgjuar se kishte ndryshuar emri i KPD dhe se do të kishte shumë gra në KPDnë e re që tani quhej Asamble. Më pas nuk pashë ndonjë jehonë, as analiza as komente me rëndësi. Më shumë jehonë më duket se ka sharja nga nëna që i ka bërë Gjinushi kryetares së Parlamentit. Nëse në statutin e partisë parashikohet që në KPD-në e re të shtohet numri i grave pa dyshim se kjo është fitore e Ramës. Nuk di të them se sa është fitore e progresit, jo se s’kam respekt për gratë, por sepse nuk di se sa ka ndryshuar Rama në raport me respektin që ka për gratë. Sepse më kujtohet se kur u bë Ministër i Kulturës dhe krijoi një bord këshilltarësh zgjodhi shtatë burra dhe ndaj vërejtjes që i bëra unë (që qeshë një prej të shtatëve) se duhet të kishte të paktën një grua u përgjegj: “ku ka gra këtu.” Prandaj kam frikë se ai i sheh gratë si mungesë burrash me të cilët nuk punon dot dhe jo si prezencë vlerash. Por, nga ana tjetër, duke shtuar gratë ai vret dy zogj me një gur sepse më një anë e pulëzon edhe më partinë, kurse më anë tjetër u tregon të huajve, me të cilët ka manipuluar më mirë se kushdo tjetër, të thonë: sa progresist ky djalë; ky dhe gratë rreth tij janë shpresa e Shqipërisë.
Pra, po t’i shtosh pulëzimit të partisë edhe faktin se në statut nuk janë lejuar fraksionet e se sekretarët i zgjedh Kryetari duket se kemi të bëjmë me një sukses përsa i përket kontrollit nga ana e Ramës të partisë e jo me ndonjë progres të partisë. Është i njëjti sukses që ka arritur edhe në institucionet e Ministrisë së Kulturës dhe Bashkisë. Mirëpo problemi i Ramës është se ndërsa në skenë, me ata që ka poshtë, bën kontrollorin, gjelin e të fortin në prapaskenë, me oligarkët e pronarët e mediave e tërë ata që ia tërheqin fijet e i dinë pazaret, bën të kontrolluarin, pulën e të dobëtin. Kuptohet me ëndrrën që një ditë do t’i bëjë pula edhe ata, por ky është problemi tjetër që ka Rama: ai nuk e kupton dot se dëshira për omnipotencë është e papajtueshme me demokracinë dhe se, sadoqë kjo demokracia jonë është e dobët (e ky populli ynë tejet i manipulueshëm) prap se prap krijon aq hapësira sa të mos i lejojë të bëhen realitet ëndrrat e sëmura për gjithpushtetshmëri të cilitdo.
Kam përshtyjen se socialistët, si gratë edhe burrat, i kanë të qarta këto që thashë, dhe e kanë të qartë edhe se çfarë ka ndodhur në Kongres, por nuk më duket se meritojnë tjetër gjë. Kurse sa për reforma të majta në kuptimin e ndërtimit të një identiteti të majtë të partisë, që t’i përgjigjet nevojave për përfaqësim të shtresave më të brishta e që të ketë më shumë ndjeshmëri ndaj barazisë sesa ndaj tregut këtë harrojeni. Kjo nuk duket as në horizont. Prandaj kam frikë se pas disa vjetësh ne do të asistojmë në një kongres tjetër ku do të kemi përsëri një ndryshim vetëm emri. Nga Asamble psh. mund t’i vihet emri Tenxhere ku kapaku në vend të Ramës do të jetë ndonjë sivëllai i tij. (Rubrika Përpjekja, 17 qershor 2006)

Read More......

Polisemantika e Zogut të Zi

Me se pari më duhet t’i kërkoj ndjesë lexuesit për një pasaktësi në një shkrim të titulluar “Zogu i Zi si udhëkryq politikash” (Korrieri, 12 janar 2006) ku e kam interpretuar, me hamendje, emrin “Zogu i zi” si një emër që duhej të vinte nga një e kaluar parakomuniste, e që njerëzit ia ruajtën këtë emër pavarësisht nga emrat që i vuri regjimi, siç ka ndodhur në raste të tjera rrugësh apo vendesh. Ka pasur edhe pasaktësira të tjera lidhur me emrin e Zogut të Zi. Disa e kanë lidhur edhe me vendodhjen hipotetike të një shtëpije publike në atë zonë në kohë të Zogut të Parë. Në fakt, siç më shkruante një mik ish banor i lagjes rreth Zogut të Zi, ai rezulton të jetë emër i vënë në vitet 50 që i referohet nje lokali nate të Budapestit ku kishte lëvizje të dyshimta. Emri ka hyrë përmes një filmi hungarez që diku nga mesi i viteve '50 duhet të jetë shfaqur edhe në Tiranë dhe, për asosacion, i atribuohej lokalit qe ndodhej ne qoshe të pallatit të parë të rrugës së Durrësit, që deri vonë ka qenë një pikëtakim për të gjithë shoferët dhe dashnorët e pijes në Tiranë. Duket se edhe mungesa e një objekti të rëndësishëm në hapësirën nga gjimnazi "Q.Stafa" deri tek Shkolla e Partise, bëri që kjo zonë të shpëtoje nga emrat e tipit "21 Dhjetori", V.Shanto etj.
Kurse sot të gjithë bijem dakort se, kur themi “Zogu i Zi”, nuk kemi më parasysh as filmin hungarez, as lokalin e shoferëvë që tani është kthyer në supermarket, as sheshin afër tij, dhe as kohën e Enver Hoxhës, por një film të ri që është ende në xhirim e që ka të bëjë me mbikalimin monstër që ka mbetur atje i pambaruar dhe tërë historinë e polemikat rreth tij.Ja, pra, një shembull se si emrat ndryshojnë kuptim e simbolikë. E pikërisht ky ndryshim e pasurim semantikash, madje me një ritëm shumë të shpejtë kohët e fundit më bëri të ulem të shkruaj këto rradhë pas një kalimi tepër të ngadalshëm, tepër të nxehtë e tepër të pulhurosur mbi krateret hënore të Zogut të Zi, aq i ngadalshëm dhe aq stimulues sa më la kohë të kaloj me rradhë nëpër mendje tërë kuptimet e vjetra e të reja të atij emërvendi.Kuptimi i parë i ri që mori Zogu i Zi kur nga një shesh simpatik me gjelbërim pishash të larta në hyrje të rrugës së Durrësit u shndërrua në një monstër betoni ishte ai i korrupsionit të lidhur me katastrofën urbane të qytetit. Ai u bë një nga simbolet e sistemit të grabitjes së parasë nëpërmjet ndërtimit të monstrave që në vetvete janë të shëmtuara, që dhunojnë jetën e banorëve, duke dhunuar deri edhe fushëpamjen e tyre. Projekti i Zogut të Zi veç tjerash bllokon pamjen e Xhamisë dhe Sahatit, një nga gjetjet më fatlume urbane të projektuesve të hershëm të qytetit, por pikërisht sepse është monstër atje qarkullojnë shumë para që ua errësojnë fushëpamjen estetike projektuesve dhe ndërtuesve duke i bërë jo më të paaftë për të parë Xhaminë dhe Sahatin që nga fundi i Rrugës së Durrësit, por të paaftë për të parë deri edhe çfarë ka fill pas hundës së tyre. Ndërkaq, sa më shumë përqendrohej tek Zogu i Zi konfliktualiteti midis mazhorancës që bllokoi punimet për shkelje ligjore dhe opozitës që protestonte për këtë bllokim - sa në media e tek të huajt aq edhe mbi betonimet e pambaruara të Zogut të Zi - ai mori edhe një kuptim tjetër. Zogu i Zi me platformat e digat e stërmëdha prej betoni dhe me rrugën e shkatërruar ku makinat që kalojnë ngrenë një pluhurnajë të llahtarshme u bë simbol i Shqipërisë në vuajtje nga fakti se në vend se institucione demokratike ne kemi një lojë force midis dy palësh pa arbitër e pa shoqëri civile në mes. Pra u bë simbol i asaj se si ky vendi ynë shqyhet e shëmtohet e mbetet ashtu i shqyer për shkak të grindjeve permanente të forcave politike. Ai mund të shërbente fare mirë si platforma e një drame, e një fushëbeteje që rrënohet e degradohet nga topçinjë e dy ushtrive politike që zanat tjetër veç atij të topçiut nuk kanë. Në fakt e gjithë Shqipëria këto 15 vjet është shndrruar në një fushëbetejë kësisoj. Edhe të qënit të Zogut të Zi një udhëkryq, një pikë takimi që presupozon lidhjen e shumë rrugëve e që, në fakt, shënon shkëputjen e tyre e përforcon këtë semantikë. Mirëpo nuk kanë kaluar më shumë se gjashtë muaj dhe kjo semantikë e dytë sikur është zbehur, gjithë duke mbetur atje e shtresëzuar dhe dramatike për tu riaktivizuar në një moment tjetër. Ndërkaq Zogu i Zi po merr një kuptim të ri. Sa më shumë na bije të kalojmë atje aq më shumë sikur i harrojmë semantikat e tij të vjetra që të çojnë tek sistemi i korrupsionit, tek masakra urbane, madje edhe semantikën e konfliktualitetit të topçinjve politikë që prodhon shkretim dhe shkatërrim. Tashmë, edhe për shkak të kujtesës së shkurtër tonën, na bije më shumë në sy fakti se si atje nuk po ndodh asgjë, dmth ajo që dominon është braktisja e tij në fatin e vet. Tek Zogu i Zi nuk ka më as konflikte, as demostrata, as parrulla nga Mjafti, as veteranë, as policë ndërtimorë dhe as shkrime e lajme nëpër media. Atje ka një terren hënor që të bën të mendosh: çpo ç’bëjnë këta të qeverisë që nuk venë dorë këtu as për ta prishur as për ta ndrequr, as për ta shtruar të paktën pjesën poshtë me asfalt – se, ta hajë dreqi, nuk duhet të kushtojë aq shumë! Dhe ja, pra, se si Zogut të Zi i shtohet një semantikë e re që për disa, kryesisht mbështetës të ish pushtetarëve është paaftësia e qeverisë për të marrë vendime të shpejta e për të kryer disa punë, pra për të qenë efikase. Por për mendimin tim është semantika e një paaftësie më të madhe që i kapërcen përmasat dhe kompetencat e qeverisë. Zogu i zi është aty në atë gjendje katastrofike për të provuar se për t’i bërë luftë korrupsionit nuk mjafton të akuzosh e dënosh pushtetarë të korruptiuar, - çka megjithëse punë e rëndësishme dhe e vështirë duket se nuk është më e vështira - por duhet shumë më tepër. Duhet të ndërtohet një sistem tjetër i funksionimit të punëve që ato të mos bëhen në formë korruptive. Mjafton të kesh parasysh se partnerët ndërtues rrugësh të qeverisë janë po ata që kanë qenë partnerët e qeverive të mëparshme të korruptuara. Mjafton të kesh prasysh se sa rrugë kanë ndërtuar keq ata e sa të tjera nuk i kanë mbaruar fare. Nëse ata që do të fitojnë tenderin e shkatërrimit apo të asfaltimit apo të vazhdimit të ndërtimit të Zogut të Zi janë po ata, dhe me apo atë mendësi dhe mënyrë funksionimi të punëve, atëhere pavarësisht se janë ndryshuar ministrat apo kryeministri asgjë nuk mund të ndryshojë. Por nuk mjafton as vetëm ndryshimi i tyre. Nëqoftëse tërë marrdhëniet e ndërtuesve të rrugëve e tërë ligjet e tërë hallkat ku kalojnë tenderimet e prokurimet janë hartuar në funksion të këtij sistemi të korrupsionit atëhere është i gjithë sistemi që do riparë e rindërtuar. E kjo të çon menjëherë tek ideja se nuk mjafton vetëm qeveria për këtë ndryshim. Zogu i Zi qëndron atje ashtu siç ka qenë tash nëntë muaj duke bartur një semantikë të re: atë të provës më të gjallë të mosndryshimit të sistemit të korrupsionit që, po nuk u krye sa më parë, do të sjellë dështimin e qeverisë në formën e rrëzimit ose të kapjes së saj, e, për pasojë, çka është më e rënda, vazhdimin e mosndryshimit të Shqipërisë.(Korrieri, 17 qershor 2006)

Read More......

Friday, June 16, 2006

Problemi më i madh që ka PS-ja mund të quhet “çështja morale”

Gazeta Koha Jonë e së mërkurës pati si kryetitull një deklaratë tuajën “bombë” sipas së cilës edhe Presidenti Moisiu është kapur nga mafja. Kemi të bëjmë me deklaratën e një analisti apo kemi të bëjmë me një deklaratë të mbështetur edhe në fakte nga ato që ka për detyrë t’i nxjerrë gazetaria investigative?

Në fakt më duhet ta karrigjoj atë që kam thënë. Më doli nga mendja se sipas kushtetutës Presidenti është garant i unitetit kombëtar. E nëse të gjithë themi se mafja ka kapur shtetin tonë, kjo do të thotë se mafja është një forcë e rëndësishme që bashkëqeveris jetën tonë jo vetëm politike, por edhe atë ekonomike, kulturore e më gjerë, që ka lidhje të ngushta edhe me opozitën, por edhe me mazhorancën, me shoqërinë civile për të mos folur për median. Atëhere si mund ta injorojë atë Presidenti? Duke kthyer projektligjin që ndalon botuesit që kanë media të përfitojnë tendera nga shteti nuk ka bërë tjetër veçse detyrën e tij kushtetuese: ruajtjen e unitetit midis palëve. Ç’kuptim ka t’i kundërvihesh mafjes kur ajo është një faktori aq i rëndësishëm në ekuilibrin tonë ekonomik e kohezionin tonë politik e shpirtëror? E pranoj se duhet të bëj autokritikë. Më parë kam thënë se këtu kemi të bëjmë me konflikt interesi. Gabim e kam edhe këtë. Nuk ka kurrfarë konflikti kur të tërë pushtetet – politike, ekonomike, mediatike janë të grumbuluar në një dorë të vetme. Përkundrazi kemi unitet dhe harmoni të garantuar midis udhëheqjes dhe popullit. A ju kujtohet se sa qetë e kemi kaluar në komunizëm kur nuk kishte pushtete të ndara. Dhe e kam sinqerisht, jo nga frika se mos Presidenti, ashtu si para disa vjetesh kryeministri Nano, shtyn ndonjë nga tendermarrësit e shtetit të më hedhë në gjyq e të më mbajë edhe dy vjet të tjera si i pandehu siç më mbajti ai i pari pse kisha thënë një të vërtetë. Jo, jo, nuk e kam nga frika, por thjesht sepse sa më shumë kalon koha aq më shumë po bindem se pa mafjen ne nuk kemi jetë. Ajo na garanton rendin, ajo na garanton ekonominë, zhvillimin. Shikoni se ç’thotë opozita: lufta kundër korrusionit ka bërë të bjerë ekonomia. Duket se edhe Berisha e ka kuptuar këtë dhe prandaj bëri atë mbledhjen e KRTSH që synonte përshpejtimin e dhënies së lejeve të ndërtimit në Tiranë. Por ai megjithatë kam përshtypjen se mbetet autoritar. Sikur nuk e ka fort qejf ndarjen e pushtetit me të tjerët e mbi të gjitha me mafjen, që në fakt është demokracia. Nano ishte demokrati i vërtetë, por edhe Rama ia kalon në disa pika. Prandaj duhet të bëjmë zgjedhje e të kthehemi atje ku kemi qenë, dmth të vinë specialistët në pushtet se ata dinë se si menaxhohet paraja publike me mafjen. Saliu është i paaftë pikë. Dhe Presidenti duket e ka kuptuar këtë.
Që t’i lemë shakatë vërtet u indinjova kur gazetarja e kohës sonë më mori në telefon dhe më kërkoi të prononcohesha lidhur me faktin se Presidenti e kishte hedhur poshtë projektligjin Lesi-Braçe (të them të drejtën nuk e di a e mbron më socialisti Braçe këtë projekt). Ajo që thashë, se presidentin e ka kapur mafja, çka ishte një deklaratë deduktive më shumë sesa investigative, ishte reagimi i parë i menjëhershëm dhe besoj se reagimi i parë është ai më i vërteti.. Pastaj për të qenë politikisht korrek mund të mendosh e të thuash se nuk është aq e hijshme të atakohet presidenti sepse çfarë mbetet atëhere. Mirëpo unë ngulmoj se presidentët tanë ne i kemi marrë shumë me të mirë (e kam fjalën për dy të fundit Mejdanin dhe Moisiun) edhe për arësyen se duke qenë presidentë na është dashur të ruajmë një respekt për institucionin, por edhe sepse nuk kanë qenë ata protagonistët e të këqijave që e kanë gjetur këtë vend. Ata më shumë kanë ruajtur një pozicion pasiv; mirëpo një hap e ndan pasivitetin nga të qënit në barrikadën së të keqes. Le të marrim rastin e korrupsionit për të cilin e kam atakuar edhe më parë në shtyp presidentin Moisiu se ka qenë tejet pasiv në mbajtjen e qëndrimeve kundër tij. Sipas meje ai duhet të ishte i pari që duhet t’i kërkonte dorëheqjen Sollakut mbasi populli dha verdiktin më 3 qershor se ai votonte kundër korrupsionit të socialistëve. Kjo meqënëse është ai që e ve firmën për Prokurorin. Kurse ai duket sheshit se është bërë mbrojtësi i prokurorit.
Nga sa di unë nga burime mjaft të besueshme edhe presidenti Mejdani edhe Moisiu kanë pasur nga SHIK-u informacione jo të pakta – që ua garanton roli i tyre institucional – mbi atë se çfarë ka ndodhur në fushën e korrupsionit. Për ta thënë më shqeto ata e dinë ndoshta më mirë se kushdo se sa të besueshme dhe sa jo janë ato dosjet e përfolura që prokuroria nuk i hap. Është e vërtetë që ligji atyre nuk ua imponon që këto dokumenta t’i dërgojnë në Prokurori me shënimin “të ndiqet”. Por përveç ligjit ka edhe një ndërgjegje që duhet të mos e lerë të qetë edhe qytetarin më të thjeshtë kur mëson se sa thellë ka hyrë e keqja, e jo më Presidentin. Qëndrimi i tyre pasiv ndaj shumë skandaleve korruptive, ndaj shumë privatizimesh që ulërasin me të madhe se kemi të bëjmë me një grabitje në dritë të djellit, për të mos folur për shkatërrimin që i ka bërë mafja e ndërtimit qyteteve, natyrës, bregdetit deri ajrit që thithim, të çon vetvetiu në konkluzionin se edhe ky institucion në mënyrë direkte apo indirekte është i kapur.


Kohët e fundit ka pasru një trysni të madhe nga qeveria përsa i përket luftës kundër korrupsionit dhe krimit. Një pjesë kjo i ka shqetësuar përsa i përket cënimit të të drejtave të njeriut. Si e gjykoni këtë atmosferë të krijuar?

Lidhur me të drejtat e njeriut duhet të kemi parasysh se një nga të drejtat themelore të njeriut është barazia e të gjithëve përpara ligjit. Sistemi i korrupsionit i ndërtuar nga socialistët ka ndërtuar një kastë e cila vetëm këtë parim themelor të të drejtave të njeriut nuk e njeh dhe nuk e respekton. Me një fjalë lidhja e politikës me biznesin në format korruptive si dhe me krimin ka krijuar një kastë abuzuesish të mbrojtur që sa më shumë ka rrjedhur koha aq më shumë kanë abuzuar në kurriz të të tjerëve që janë shumica e shqiptarëve. Besoj se të gjithë bijem dakort se PS u rrëzua nga pushteti me votë për shkak se kishte krijuar këtë sistem që i jepte mundësi njerëzve të saj të grabisnin pa u ndëshkuar. Përveç kësaj ajo krijoi edhe një sistem vlerash të mbrapshtë ku vetëm puna e ndershme dhe me djersën e ballit nuk stimulohej, përkundrazi stimulohej çdo lloj matrapazi dhe mashtruesi dhe spekulanti dhe trafikanti. Edhe kjo e ka rritur ndjenjën e padrejtësisë në vend. Kjo është atmosfera që ka mbizotëruar në kohën e socialistëve e që tani është tronditur disi. Prandaj kur flasim për të drejta të njeriut të kërcënuara sot – çka kam vënë re se e bëjnë edhe disa OJQ – duhet të kemi parasysh se dhunimi i të drejtave të njeriut bazën e ka tek pabarazia përpara ligjit.
E mu tek çështja e barazisë apo pabarazisë përpara ligjit mbetet shqetësimi se mos lufta kundër korrupsionit ve në rrezik të drejtat e njeriut. Në thelb rreziku ka të bëjë me atë që kjo luftë mund të bëhet në mënyrë selektive nga PD duke e përforcuar në vend se luftuar përvojën e deritanishme sipas së cilës që të jesh më i barabartë se të tjerët përpara ligjit në Shqipëri duhet medoemos të marrësh pushtetin politik. Mirëpo ka qenë pikërisht ky shqetësim i ngritur me të drejtë e në mënyrë të vazhdueshme që mesa duket bëri që nën goditjen e ligjit të bijen të parët funksionarë të PD-së. Rrugë tjetër për fillimin e dinamikës së funksionimit të ligjit e daljes nga sistemi i bashkëfajësisë e pandëshkueshmërisë më duket se nuk ka. Është një proces që duhet ndërtuar hap pas hapi. Pra inisiativën e luftës kundër korrupsionit që e ka mazhoranca dhe që e vetme rrezikon ta shtrembërojëo ta përdorë për qëllime pushteti ne duhet ta korrigjojmë e ta fusim sa të jetë e mundur në hullinë e vendosjes së drejtësisë dhe të barazisë përpara ligjit. Përndryshe do të mbetemi në batakun ku kemi qenë.


Kryetari i PS Edi Rama ka shpallur ndarjen nga PS e vjetër. Si mendoni a mjaftojnë trukimet e statutit dhe të tjera masa të ngjashme që një pjesë i quajnë fasadë dhe dekor për t’u ndarë nga PSja e vjetër?

Para së gjithash Edi Rama duhet ta bëjë të qartë nëpërmjet një analize të thellë dhe transparente ndaj publikut se ç’kupton ai me “Ps të vjetër”. Sipas meje problemi më i madh që ka PS-ja e re dhe e vjetër është ajo që po të huazoja një term të Berlinguerit, që e gjen vazhdimisht prezent edhe në komentet dhe analizat e politikës së sotme të përditshme italiane, mund të quhet “çështja morale”. Me çka kuptohet jo vetëm degradimin moral i politikanëve si individë, as vetëm ai degradim që sjell qënia për një kohë të gjatë në pushtet, por ngritjen e këtij degradimi individësh në nivelin e ndërtimit të një sistemi politik që e ka kthyer politikën në mjet përfitimi të paturëpshëm e të pandëshkueshëm në kurriz të njerëzve në vend se në ideal shërbimi për ta. Mua më duket se një nga shembujt e këtij degardimi është vetë kryetari aktual i PS Edi Rama. E në përgjithësi ajo që ve re unë është se degradimi moral nuk është i lidhur me moshën më të vjetër. Përkundrazi njerëz si Rama që konsiderohen brezi i të rinjve kanë dhënë fatkeqësisht shenja më të theksuara të këtij degardimi. E jo vetëm të degradimit personal siç e thashë, por edhe të vullnetit të mbrapshtë për të ndërtuar e perfeksionuar sistemin e korrupsionit, të personalizimit dhe privatizimit të institucioneve shtetërore. Pastaj, nuk e di për çfarë braktisje të PS së vjetër bën fjalë Rama kur nga sa shohim askush atje nuk guxon të thotë një fjalë të keqe për ish kryetarin Nano i cili u bë simboli i degradimit moral të PS. PS-ja e vjetër është PS e Nanos apo jo? Përndryshe pse e quajnë lideri historik?
Gjithashtu, po te vesh re Rama akuzat ndaj mazhorancës i ka përqëndruar në një pikë të vetme: paaftësia e Sali Berishës. Madje po ta vini re ai nuk përmend askend tjetër tek PD-ja. Duket sikur po të hiqet Sali Berisha që andej punët në Shqipëri do të shkojnë mirë sipas Ramës. Kjo tregon se mungon një analizë e thellë e problemeve që ka Shqipëria që kërkojnë ndryshim. Kurse e gjithë reforma e së majtës përmblidhet në përpjekjne për bashkim: “po të jemi të bashkuar nuk ka zagar e polic të korruptuar të Sali Berishës që të na pengojë fitoren” – tha Rama në një deklaratë të fundit. Një njeri që bën një deklaratë të tillë nuk ka se si mendon për pastrim të PS e distancim nga PSja e vjetër. Sepse nëse flitet për bashkim lind pyetja për çfarë distancimi nga PSja e vjetër bëhet fjalë. Po të kesh parasysh Meta u distancua duke akuzuar për korrupsion dhe duke kërkuar distancimin e PS ose më mirë të them pastrimin e PS nga të korruptuarit. Mirëpo unë nuk kam parë ndonjë pastrim e megjithatë Meta u bashkua. Ndërkaq lufta kundër korrupsionit është demonizuar nga PSja dhe duket sheshit se të gjithë janë mbledhur grushtbashkuar për të mbrojtur veten. Atëher për çfarë distancimi dhe nga kush bëhet fjalë? Për mua kemi t ëbëjmë me truke demagogjike.
(Rubrika Përpjekja, Standart, 10 qershor 2006)

Read More......

Sunday, June 11, 2006

Për çfarë ka nevojë Tirana

A janë lejet e pakta të ndërtimit problemi që ka sot Tirana? Absolutisht jo. Për këdo që jeton në këtë qytet e që i ka sytë, hundët, veshët, këmbët e duart të lira nga interesat e ndërtimit problemi më i madh që ka sot Tirana është ajri tejet i ndotur, problemi më i madh që ka sot Tirana është se fëmijët nuk kanë një shesh e park ku të luajnë, problemi më i madh që ka sot Tiranë është mungesa e gjelbërimit, e rrugëve normale, e furnizimit normal me ujë e me drita, mungesa e shkollave, e kopshteve publike, pastrimi i plehërave e të tjera si këto. Sipas një studimi të botuar para disa kohësh Tirana është qyteti me dendësi banorësh katër herë më të madhe sesa qytetet më të mbipopulluara në Evropë. Të gjitha këto të çojnë tek konkluzioni se problemi më i madh që ka sot Tirana është bash mbitepria e lejeve të ndërtimit të dhëna dhe jo mungesa e tyre. Fshati që duket nuk do kallauz.
Atëhere ç’ishte tërë ajo pompë që iu bë një mbledhjeje të KRTSH së drejtuar nga Kryeministri, e cila, të paktën ashtu siç u paraqit në media, i hapka rrugën biznesit të ndërtimit për të marrë sa më shpejt leje ndërtimi? Të na falë qeveria, që pretendon se është nisur nga qëllime të mira, por në tërë atë që u tha lidhur me mbledhjen e fundit të KKRT nuk mund të mos ndjehet erë rreziku në rritje për qytetin. Kjo sepse theksi u vu tek lehtësimi i procedurave të dhënies së lejeve të ndërtimit e jo atje ku duhet vënë; sepse fakti që vonesa e lejeve të ndërtimit mund të jetë përdorur nga kryetari aktual për të vjelë rryshfete nuk e justifikon shtrimin e rrugës me lule për ndërtuesit – veçanërisht duke patur parasysh se çfarë kanë bërë ata deri më sot.
Është një gabim i madh të mendosh se monstra i vetëm i këtij qyteti ka qenë kryebashkiaku Rama. Kushdo që ka ndjekur fushatën e tij të parë elektorale do të kujtohet se ai e ndërtoi atë fushatë duke shfletuar me foto nëpër televizione tmerret e Kelmendit e Brojkës që, përveç kioskave tek Lana e Parku i Rinisë, konsistonin në ndërtimin në mënyrën më arbitrare, pa asnjë lloj plani, të pallateve të larta mes ndërtesave të vjetra. Le të kujtojmë psh. ndërtimet në mes të Pallateve Agimi, ndërtimet në mes të Shallvareve, prishjen e Bllokut, Torre Drinin, tre kullat tek Bulevardi e me rradhë. Ajo që premtoi kryetari socialist i Bashkisë ishte frenimi i kësaj katruahure nëpërmjet një plani urbanistik. Ajo që premtoi kryetari ishte zhvillimi i një Tirane të re në veri tek stacioni i trenit, ruajtja e monumenteve të kulturës, rritja e sipërfaqeve të gjelbërta.
Por pse nuk ndodhi kështu, por, përkundrazi, u përthellua katrahura që kishte nisur Kelmendi dhe Brojka, u shtuan katet e pallateve dhe dendësia e ndërtimeve për sipërfaqe katrore, u prishën ku e ku më shumë monumente historike dhe zona të mbyllura arkitektonikisht deri atje sa sot jemi në një gjendje ku nuk po pyesim më se si të ruajmë ndonjë vlerë arkitektonike e historike, por se si të marrim frymë?
Përgjigja është shumë shumë e thjeshtë: sepse kryetari i Bashkisë, i etur për pushtet e për para, iu adoptua shpejt e shpejt biznesit të ndërtimit, i cili, më një anë me forcën e parasë dhe më anën tjetër me forcën e mediave e ktheu kryetarin e Bashkisë në lugën e orekseve të veta. Ai, në fakt, nuk ka lënë pelivanllëk pa bërë që më një anë tu shërbejë e t’i përdorë këto orekse dhe, më anë tjetër, të ruajë imazhin e një kryetari bashkie që po punonte për qytetin, për gjelbërimin e jo si vegël e bashkëpunëtor i oligarkisë së ndërtimit. Edhe i famshmi plan francez i qendrës së qytetit ishte pjesë e këtyre pelivanllëqeve: me një anë u siguronte klientëve e mbështetësve të tij fitimet e majme dhe, më anë tjetër, u paraqitej injorantëve si një zhvillim modern i qytetit. Mirëpo pallatet i kanë këmbët e gjata. Ato u ngritën një nga një e dolën mbi ata të Brojkës e Kelmendit për të vërtetuar këmbët e shkurtra të gënjeshtrave të kryetarit. Sot Tirana është bërë qytet i pabanueshëm. E kam dëgjuar edhe vetë kryeministrin të shprehet pak a shumë kështu jo shumë kohë më parë kur u qante hallet fëmijëve. E le të kujtojmë se nuk kanë mbaruar së ndërtuari e së mbushuri me banorë ende tërë ato pallate monstra me leje tashmë të dhëna ndërtimi nga kryetari. Se ku do të futemi pasi të mbarojnë edhe ata unë nuk e di. Akoma më pak e di se ku do të futemi kur të shpërthejnë ujrate zeza, se qytet të ngritur kaq dendur e kaq lart pa infrastrukturë poshtë vetëm në një vend ku mbretëron filozofia e piramidave mashtruese “merr e ik” mund të ndërtohet.
Po atëhere ç’është ky ngut i pushtetit të ri qendror për të përshpejtuar dhënien e lejeve të ndërtimi ndërtuesve? Ç’është kjo ndarje bardhë e zi midis marrësit të rryshfeteve deri në 100 euro për metër katror Edi Rama dhe atyre që i kanë paguar këto rryshfete?
Ajo që më ra në sy në tërë mbledhjen e KRTSH e, mbi të gjitha, në jehonën që i bëri media kësaj mbledhjeje, ishte përkujdesi i veçantë i qeverisë për biznesin e ndërtimit, për hallet e tij dhe mungesa thuajse e plotë e përfilljes së halleve të mëdha, deri të frymëmarrjes, që u ka krijuar ky biznes votuesve të thjeshtë. Çuditërisht askush nuk foli e nuk po flet për shkeljen më të rëndë, më me pasoja që i është bërë ligjit të urbanistikës në Tiranë. E kam fjalën për atë ligj që parashikon se për një sipërfaqe të caktuar shesh ndërtimi nuk mund të ndërtohet më shumë se 1,8 herë sipërfaqe banimi. Është në thelb ligji që garanton dendësinë normale në banorë për metër apo kilometër katror. Ky ligj është shkelur në mënyrë skandaloze ndoshte deri katër herë. Atëhere, ku po do të na çojë qeveria me përshpejtimin e dhënies së lejeve të ndërtimit pa vënë një herë mirë e bukur kriteret se si dhe se ku do të ndërtohet? Mos synon të rrisë rekordin që ka vendosur Rama të dendësisë dhe ndotjes së ajrit për metër katror? Pse para disa kohësh flitej, me të drejtë sipas meje, për planin francez si një plan që duhet riparë në kuadrin e një plani tërësor të Tiranës, kurse së fundi Berisha është mjaftuar të thotë se i duhen shkurtuar një çikë majat atyre kullave?
Mendja e nisur nga përvojat e hidhura të deritanishme ta do se në tërë atë që pamë në mbledhjen e KRTSH nuk kemi të bëjmë me shqetësim për fatet e qytetit e të qytetarëve, por më shumë se me çdo gjë tjetër me një lojë force e pushteti. Pra me një politikë të spostimit të industrisë së ndërtimit e për pasojë të pushtetit nga duart e Ramës në duart e Sali Berishës, ku nuk përjashtohet edhe nxjerrja jashtë loje e disa klientëve të Ramës e futja në lojë e klientëve të PD-së. Por, po ta kthesh nga ana e prapme këtë lojë, ajo mund të shihet edhe si një lojë e biznesit të ndërtimit i cili nëse dje lëvizte Ramën si kukull në skenë për interesat e veta sot synon të lëvizë Berishën. Sepse ajo që vihet re nga kushdo që e sheh këtë lojë nga jashtë është se konstantet në ekuacionin e shkatërimit të Tiranës janë po ato. Bumçi dhe Biçoku janë po ata: i sheh gjithnjë në ato tryeza herë në krah të Ramës e herë në krah të Berishës. Kurse variablet janë Kelmendi, Brojka, Rama, Berisha e me rradhë.
Rezultati deri tani ka qenë katrahura në rritje. Ajo çka pamë me KRTSH, megjithë premtimet për hartimin e një plani urbanistik, e megjithë inkurajimet që na vijnë nga disa ndërpreje projektesh degraduese të territorit, nuk na garantoi se karahura do të ndalet, përkundrazi na trembi se mos po merret një hov i ri shkatërrues. E na trembi pse u duk se mbi ndjeshmërinë ndaj interesave afatgjata të kryeqytetit e ndaj interesave të banorëve të tij u vu ndjeshmëria për shkatëruesit e derisotëm të tij.
Sot gjithkush përveç lojtarëve të kësaj loje e di se ajo për çfarë ka nevojë Tirana dhe në tërësi Shqipëria është të frenohet kjo dyndje e popullsinë në kryeqytet sepse kemi të bëjmë me një popullsi që vjen e mblidhet në këtë metropol superkaotik duke qenë kryesisht e papunë e, nëse sot jeton me paratë e drogës apo emigracionit, nesër nuk do të mund më të jetojë me këto. Pa harruar se Shqipëria ka nevojë për zhvillim harmonik e për shfytëzim të të gjitha burimeve të veta. Sot gjithkush e di se industria e ndërtimit, e ngritur kryesisht mbi manipulimin e një kërkese – në sajë të injorancës së shqiptarëve – por edhe sepse është mjeti më i shpejtë e më i sigurtë i larjes së parave të pista, nuk ka zhvilluar ekonominë, por ka shërbyer si lavatriçe e parave të pista e si thithëse e parave të emigracionit për pasurimin e një grushti njerëzish në dëm të shumicës, të ambjentit e të cilësisë së jetës në kuptimin më të mirë të fjalës. Sot gjithkush që nuk është në këtë lojë interesash meskine e ndjen se është urgjente që energjia, fuqia materiale e financiare e kësaj industrie të derdhet gjetkë, në sektorë të ekonomisë që prodhojnë e nuk hanë para.
Prandaj, ajo për çfarë ka nevojë urgjente Tirana nuk është inkurajimi i ndërtimit, por një vendim për ngrirjen e ndërtimeve në qendrën brenda unazës derisa të bëhet një studim i plotë urbanistik dhe ky jo nën diktatin e “sponsorizmin” e biznesit tonë të ndërtimit, siç u bë ai francez që prandaj u bë me kulla të larta, por nga specialistë pa konflikt interesash mundësisht të huaj që do t’i përgjigjen asaj nevoje urgjente që ka kryeqyteti për normalizim në drejtim të rrallimit të dendësisë, krijimit të koridoreve për pastrimin e ajrit, shtimit të hapësirave të gjelbra e në përgjithësi të hapsirave publike.
Është e qartë se po u frenua kjo industri pushteti i Berishës rrezikohet. Por më mirë të rrezikohet se sa të vazhdojë ajo filozofi qeverisjeje sipas së cilës pushteti nuk merret pa kompromise me mafjen e cila degjeneron në ndarjen e pushtetit me mafjen e që, më në fund, e katandis shtetin në vegël të mafjes. Është e qartë se me këtë opozitë mizerabël që kemi nesër qeveria mund edhe të akuzohet se nuk ka mledhur kaq e aq taksa që mblidhnin socialistët nga kjo industri me të cilat do të shtroheshin kaq e aq rrugë. Por shqiptarët duhen bindur se kjo i shërben shumicës dhe të ardhmes së fëmijëve të tyre. Duhet ringjallur tek ata shpresa se mund të ndryshojë ajo traditë politikanësh që të tjera premtojnë e bash të kundërtën bëjnë. E premtimi kryesor që na kanë bërë pushtetarët e sotëm ka qenë ai se do të ndryshojë mënyra e qeverisjes duke e kthyer atë nga qeverisje në funksion të grabitjes nga një pakicë në qeverisje në funksion të shërbimit për të gjithë. (Korrieri, 5 Qershor 2006)

Read More......

Pikpyetje për qeverinë

Në rrugën nacionale të Elbasanit, afro dy kilometra pasi kalon Saukun e ku fillojnë disa ndërtime private që bijen në sy për paratë kolosale të investuara, ka një shkarje dheu që e ka shndrruar rrugën automobilistike në një gjysëm rruge për ndonja dhjetë metra. Ata që e kanë rrahur shpesh këtë rrugë e mbajnë mend se prej vitesh e vitesh ajo copë rrugë pëson mu në atë vend gjithmonë shkarje. Prej vitesh ajo copë rrugë “arnohet” dhe përsëri, pas ca kohësh, shkepet. Tani ka nja tre muaj që dheu ka shkarë më shumë se kurrë ndonjëherë dhe aty makinat presin të kalojnë me rradhë si të jenë në një urë njëkalimshe. Nënshtrimi ynë, indiferenca e pushtetit, mjerimi i gjërave publike dhe shkëlqimi i gjërave private bashkohen mrekullish në atë pikë për të na treguar se nuk duhet kurrë të harrojmë se jetojmë në Shqipëri.
Ç’pret qeveria që të rregullojë atë copë rrugë publike që, po ta krahasosh me shpejtësinë me të cilët betonojmë kur ngremë pallate private, sipas meje mund të bëhet në maksimiumi një ditë? Përse pas tre muajsh ajo nuk është rregulluar ende?
Pyetja që ngrita nuk ka të bëjë thjesht me rrugën, por me një tentativë për të ngritur disa pyetje në përgjithësi për qeverinë e re dhe për qeverisshmërinë e re të këtij vendi.
Një nga fatkeqësitë që kemi ne është se na mungojnë qendra serioze dhe kredibël studimi që të na japin të dhëna mbi të cilat të bazohemi për të analizuar se si na shkojnë punët. Jemi, prandaj, të detyruar të lexojmë me rezerva e në mënyrë selektive një pjesë të shtypit (duke futur edhe koefiçientët e interesave të pronarëve të mediave dhe klaneve politike rreth tyre); të mbështetemi tek opinioni i njerëzve që takojmë përditë, të cilët shpesh i masin gjërat me kutin personal dhe janë shumë emocionalë, apo edhe të vërejmë andej këtej raste të tilla si ai i rrugës së Elbasanit që përmenda.
Gjithsesi besoj se nuk gaboj nëse do të pohoj se sot opinioni i përgjithshëm pikët më të larta ia jep qeverinë së re për luftën kundër krimit të organizuar kurse pikët më të ulta për mefshtësi në punët publike e përgjithësisht në investimet ose, thënë ndryshe, për një ekonomi të frenuar.
Disa pikëpyetje ngrihen në tentativën për të shpjeguar këtë frenim ekonomik.
Një kategori prej këtyre pikpyetjve ka të bëjë me çështjen se sa kjo mefshtësi lidhet me paralizminin e asaj fryme që ka qenë fryma që i motivonte pushtetarët e djeshëm kur zgjoheshin e shkonin në zyrë. Tashmë e di edhe bufi se motivimi i tyre ishte i lidhur kryesisht me faktin se institucionet shtetërore punonin si private dhe çdo pushtetar shkonte në punë jo i motivuar nga ideja se do t’i shërbente publikut, por vetvetes, shpesh edhe direkt bizneseve të veta. Por, nga ana tjetër, kjo do të thoshte që, nëse do të bëhej një rrugë psh., kjo rrugë duhej bërë sepse pushtetari ndante pjesën e vet të vjedhur të rrugës me ndërtuesin. Tani duket se një motivim i tillë nuk ekziston për shkak të luftës kundër korrupsionit, që disa e përkthejnë si frikë që kanë ministrat tanë nga Sali Berisha. Por edhe për shkak se ministrat nuk kanë biznese që direkt apo indirekt lidhen me institucionin e tyre. A mos vallë është kjo arësyeja që pushtatarët tanë sot i lënë pesë metra rrugë tre muaj pa rregulluar? Apo, meqënëse gjithshka funksiononte ashtu siç e përshkrova më lart, tani prerja e këtyre fijeve dhe ndërtimi i një strukture të re me motivim të ri kërkon pak kohë? Apo është e kotë të presim që ministrat tanë të motivohen po qe se nuk kanë, krahas rrogës modeste publike, rrogën e majme private dhe bizneset private që lidhen me institucionin publik që drejtojnë?
Një kategori e dytë pikpyetjesh mbi shkaqet e mundshme të frenimit ekonomik që kërkojnë përgjigje të qartë sillen rreth akuzave që i bëhen Sali Berishës për përzgjedhjen e bashkëpunëtorëve me të cilët kërkon të bëjë punët. Një pjesë e shpjegojnë mefshëtsinë e disa sektorëve me faktin se, duke qenë një natyrë autoritari, Berisha ka zgjedhur njerëz që përgjithësisht i qëndrojnë gatitu, mirëpo këtyre njerëzve, për nga natyra, u mungon edhe insiativa e më në përgjithësi edhe aftësia. Duke i shtuar kësaj edhe maninë e kryeministrit që t’i kontrollojë të tëra punët vetë sepse nuk ka besim tek bashkëpunëtorët e tij dhe duke qenë kjo praktikisht e pamundur punët nuk bëhen dot.
Pikëpyetje të tjera se pse nuk po punohet me ritmin e duhur që kërkojnë përgjigje sipas disave lidhen me pakësimin e burimeve të parave të pista. Pra se mos lufta kundër korrusionit dhe prerja e shumë lidhjeve të fijeve të krimit me investimet kanë bërë që paraja e pisët, e cila zbriste poshtë e pastrohej në duart e hallexhinjve që punonin për bukën e gojës, të jetë pakësuar. Kuptohet se këto pikëpyetje ngrenë një sërë pikëpyetjesh të tjera serioze.
E ndërkohë që këto pikëpyetje, që ngrihen mbi hipoteza dhe fakte që e kanë, kush më shumë e kush më pak, një pjesë të tyre të së vërtetës, mbeten pa përgjigje nga ana e qeverisë ose më keq akoma me propagandim vetëm të sukseseve ne presim çprej tre muajsh, me durimin proverbial të të nënshtruarit, të normalizohen gjëra krejt të lehta si pesë metrat e rrugës së Elbasanit që përmenda me pikëpyetjen dramatike në kokë se mos vallë shteti ynë i kapitalizmit tonë specifik nuk mund të funksionojë ndryshe veçse si pronë private e mafjes. (Korrieri, 1 qershor 2006)

Read More......

Përroi i marrëzisë së fshatit u kthye në lum marrëzie kombëtare

Në një fshat të Përmetit, po ndodh një ngjarje e çuditshme, një prift ortodoks akuzohet se po mbledh eshtra të banorëve për t’i koleksionuar si dëshmi të të rënëve grek. Ndërkohë media po shfaqet shumë sensibël ndaj kësaj historie. Një ngjarje e vogël duket se prek telat e tendosur Shqipëri-Greqi. E kam fjalën për gjithë segmentin jashtë raporteve shtetërore, ose zyrtare që duken politikisht korrekte. Si do ta vlerësonit ju këtë ngjarje dhe këtë situatë në përgjithësi...

Më duket një histori të marrësh pa mundur ende ta gjej saktë burimin e marrëzisë, por duke qenë shumë më i qartë për vendderdhjen përfundimtare të këtij burimi të shndrruar tashmë në lumë marrëzie: mediat tona. Marrëzinë e fshatit e shoh në grindjen midis priftit dhe njërit prej varrëmihësve e familjes së tij që thonë se prifti i fshatit, i cili paska qenë punëtor kooperative gjatë komunizmit, qënka kthyer në një prift mashtrues që kërkon të bëjë para duke shitur eshtra shqiptarësh për eshtra ushtarësh grekë. Nuk është ndonjë çudi, sikurse nuk përbën ndonjë çudi edhe që prifti të jetë rënduar mendërisht aq sa kërkon të vihet në qendër të vëmendjes duke zbuluar ushtarë grekë. Ky vendi ynë është i mbushur me mashtrues të marrë dhe të marrë mashtrues, madje shumë syresh kanë pasur punë ku e ku më të larta gjatë komunizmit e sot, po ashtu, janë ku e ku më lart në jerarkinë e elitave shpirtërore dhe intelektuale të vendit sesa prifti i Kosinës. Po sherri duket se nuk mund të kuptohet pa njohur edhe familjen e varrmihësit të punësuar me lekë nga prifti e ndonjë pazar të prishur mes tyre – që, siç ndodh edhe në politikën tonë të lartë, vishet me retorika të larta patriotike – e që me ndihmën e gazetarëve të shumtë të mediave tona e ka shndrruar në lumë marrëzie kombëtare sherrin e vogël të fshatit Kosinë. Kështu që ne ende nuk po marrim vesh se për çfarë varresh po bëhet fjalë: për varre të vjetra shekullorë rreth kishës së vjetër të shekulit XIV apo për varre të rinj. Nëna e varrëmihësit që akuzon priftin thoshte (në Shekulli) se është hapur edhe varri i tezes së burrit. Por, në këtë rast, i bije të jenë varre të rinj dhe pyetja e parë që të vjen ndërmend është se si ka mundësi që i kanë lënë varret e rinj në atë gjendje, pa shenja mbi to. Por pastaj sikur “kthjellohesh” duke e rilexuar intervistën e saj. Ndaj pyetjes: “po djali juaj pse mori pjesë në këto zhvarrime?” e ëma e djalit përgjigjet: “atij i thanë se eshtrat do të pastroheshin dhe pastaj do të viheshin në vend.” Kjo është kryevepër. As artistit më me fantazi në botë nuk do t’i shkonte në mend ideja që e lidh hapjen e varreve me një lloj përkujdesje që bëjnë të gjallët ndaj të vdekurve. Filmi i fundit i Almadovarit fillon me pastrim varresh, por vetëm së sipërmi. Kurse ne del se këtë përkujdesje e çojmë shumë më thellë, deri në bodrumin e eshtrave. Ne i hapin varret, i nxjerrim eshtrat për tu hequr pluhurin dhe pisllëqet që kanë zënë nën dhe, e, pasi i përkëdhelin pak, i fusin përsëri në vend. Krejt e kundërta e asaj për të cilën na akuzojnë se ne shesim deri edhe eshtrat e të vdekurve. Do të thoni ju po gazetari pse nuk e ka thelluar zbulimin e këtij riti kaq interesant të fshatit Kosinë, që zor se e ka ndonjë vend i botës e që do të mblidhte në Kosinë antropologë nga i gjithë rruzulli për lavdinë tonë kombëtare? Mesa duket atij nuk i ka hyrë në skemë sepse, ndërkaq, historia duke rrjedhur nga Kosina për në Adriatik është bërë lumë, dmth. marrëzi kombëtare. Janë ngjallur tërë fantazmat nacional komuniste të së kaluarës që kanë çuar deri tek ideja sikur grekët po kërkojnë të përdorin këto eshtra si gurë kufiri, pra për ta sjellë kufirin deri në Përmet. Madje gazetarët tanë të rinj në moshë i harruan shpejt edhe rrënjët tona të krishtera dhe prifti i Kosinës fët e fët po paraqitet sipas modelit të priftit të Kadaresë te Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur: si agjent i armikut të jashtëm, por edhe si model i tërë atyre priftave që mashtronin popullin e i thithnin atij gjakun.
Duke parë se sa të zjarrtë tregoheshin shumë nga të përfshirët në debat në mbrojtje të atdheut nuk mund të mos të të vinte të thoje: shyqyr që është greku me të cilin kemi një marrëdhënie kaq të fortë dashuri urrejtje, se hera herës e përdorim për të ekzorsuar frustrimet që kemi për shkak të varfërisë e mjerimit nga hallet e vërteta që i krijojmë njëri tjetrit, por edhe për të larë dhëmbët e ndërgjegjes atdhetare pasi i kemi ndotur tërë ditën me shqyerjen që i bëjmë trupit të atdheut.
Nuk më mbetet vetëm të them se nëse duam të shpëtojmë nga kësi aktesh marrosjeje në shkallë kombëtare duhet të pakësojmë numrin e mediave dhe të rrisim cilësinë e atyre të mbetura.

Nga qeveria janë marrë disa vendime për prishjen e ndërtimeve të paligjshme në bregdet. Mirëpo, duke qenë se pothuajse i gjithë betoni që është hedhur në vijën tonë bregdetare qysh pas vitit ’90 e këtej është i paligjshëm dhe tërësisht në kundravajtje me parametrat estetikë, a mendoni se do të ketë një ditë një qeveri, një mazhorancë, apo një konsensus, për ta zhbërë të gjithë këtë dëm që i është bërë ndoshta pasurisë më të madhe të vendit. Apo cilatdo masa që do të merren, sërish do ta lënë të paprekur masën e madhe të betonit rrëzë detit.

Vetëm deti ose tërmeti mund ta bëjë atë që kërkoni ju. E në këtë rast do të mund ta quanim “qeverisja e natyrës”. Dhe ka një llogjikë kjo. Francis Bakoni thotë se “natyrën nuk mund ta mundim veçse duke iu nënshtruar”. Ajo që kemi bërë ne është një sprovë për ta mundur natyrën duke e dhunuar. Ajo pa dyshim një ditë do hakmerret.
Ajo që më shqetëson në këto lajme mbi prishje ndërtimesh pa leje është fakti se krijohet iluzioni sikur qeveria po bën punë të mirë duke krijuar hapësira të gjelbëra. Ndërkaq në lajmet tona flitet vetëm për prishjet, por nuk flitet për ndërtimet. Kjo mua më kishte krijuar përshtypjen se Plazhi i Durrësit duhet të ishte pastruar disi gjatë viteve të fundit. Kurse në fakt, sikurse e kam thënë edhe një javë më parë në këtë rubrikë, ai ishte bërë edhe më katrahurë gjatë viteve të fundit. Prandaj lajm i mirë për mua do të ishte nëse do të dëgjoja se është marë një vendim që në zona të tilla të mbibetonuara është ndërprerë çdo lloj leje ndërtimi e po fillon studimi në tërësi se si dhe çfarë do të shembet për ta kthyer atë në një vendbanim normal. Mendoni se sa qesharake është puna që kemi bërë: ndërkohë që ndërtesat shumëkatëshe janë bërë pyll në Durrës e në plazh e duket sikur jetojmë në kohët moderne banorët e tyre kanë vetëm një orë ujë në ditë e për të mbijetuar përdorin puse. Kjo tregon në mënyrën më elokuente se kjo shoqëri nuk është e aftë të planifikojë jetën e vet, të bëjë punë publike të krijojë infrasturktura, të organizojë vetveten. Normalisht kudo në botë më së pari bëhen planet urbanistike të bazuara në perspektiva zhvillimi, pastaj punimet e infrastrukturës dhe pastaj shpërndahen lejet e ndërtimit e fillojnë e ngrihen ndërtesat. Kurse ne punojmë në sens të kundërt dhe pa asnjë lloj perspektive zhvillimi afatgjatë. Po ashtu kudo në botën e qytetëruar bregdetet konsiderohen si prona të të gjithëve, prandaj filozofia është të ndërtohet sa më pak e mundësisht larg në mënyrë që kjo pronë të mbetet e të gjithëve dhe të gëzohet nga të gjithë. Përsëri ne punojmë në sens të kundërt. Sejcili ka synuar të ketë copën e vet private të bregdetit dhe të detit. E gjitha kjo ka krijuar një kaos të shëmtuar që mund të rregullohet vetëm me një ndërhyrje tepër radikale që ne nuk di se sa jemi në gjendje ta bëjmë sepse, nga sa duket, thuajse gjithshka që është ndërtuar në bregdet në një mënyrë apo në një tjetër është e paligjëshme dhe dihet se bashkëfajësia ka qenë gjithnjë mbrojtja më e mirë për fajtorët.
Para disa ditësh në Los Angelos u bë një protestë në mbrojtje të një parku të cilin pronari donte ta shkatërronte për të ndërtuar diçka. Shkuan edhe artisët të Holivudit e këngëtarë të njohur në mbrojtje të tij. Ylli i njohur i rrokut Joan Baez, që tani duhet të jetë mbi 60 vjeç, hypi në një nga pemët e larta të parkut dhe qëndroi me orë atje në shenjë proteste. Sllogani i tyre ishte “të prishësh natyrën për të ndërtuar është njëlloj sikur të shtrosh parajsën me asfalt për të bërë një parkim makinash.” Ne kemi bërë pikërisht këtë. Po e shndrrojmë përditë parajsën tonë natyrore, që e kemi me bollëk, në parkim të ndotur makinash.
Do të uroja shumë që qeveria të ishte nisur nga kjo ndjeshmëri dhe jo për të prishur disa interesa e ngritur disa të tjerë të së njëjtës natyrë.


Pas nënshkrimit të marrëveshjes se stabilizim-asociimit me BE-ne, Shqipëria i afrohet në një fazë të re të raporteve me Brukselin. Afrimi me komunitetit evropian shihet më së shumti nga një këndvështrim romantik, si një gjë që na takon për shkak të vonesës së padrejtë dhe izolimit të gjatë komunist. Ndërkohë që afrimi me BE kërkon nga një shoqëri që aspiron këtë, nje sjellje evropiane, dhe një formalizim të fortë të shumë hapësirave. A mendoni se komuniteti ynë është i përgatitur për këtë sfidë, kur dihet se një përqindje e mirë është mësuar të jetojë në atmosferë informale, duke bishtnuar vazhdimisht nga rregullat, normat dhe ligjet.

Sipas meje vështirësia më e madhe që kemi ne për tu bërë pjesë e bashkësisë evropiane është e njëjta vështirësi që kemi për të ndërtuar një bashkësi midis nesh: e kjo ka të bëjë kryesisht me faktin se ne, si fëmijët, kërkojmë të drejta pa qenë në gjendje të kuptojmë se çdo e drejtë që fitojmë apo që na shtohet është e lidhur pandashmërisht me një detyrë. Të marrësh pa dhënë, të hash pa punuar, të konsumosh pa prodhuar - i thonë kësaj. Një bashkëjetesë nuk mund të ndërtohet veçse atëhere kur çdo e drejtë të lidh, më anë tjetër, me një detyrë. Kjo është e vërtetë si në nivlelin e bashjetesës midis nesh ashtu edhe të bashjetesës në komunitetin Evropian. Në thelbin e vet disatanca që kemi me Evropën ka të bëjë pikërisht me mungesën e kulturës së detyrave e përgjegjësive që na imponojnë të drejtat. Dhe, sipas meje, kjo duhet të kthehet në kulturën tonë dhe vetëm atëhere do të shohim se do të jemi shumë afër Evropës. Çdo lloj afrimi tjetër ndaj Evropës është iluziv. Evropianët, të cilët në këtë rast po i idealizoj për të thjeshtëzuar idenë, sepse edhe ata nuk janë pa probleme në këtë drejtim, do të na pranojnë në bashkësinë e tye kur të shohin se e kemi në shkallën e duhur kulturën e lidhjes së të drejtave me detyrat. Le ta ilustroj me një shembull konkret. Në Evropë një qytetar shkon në një spital publik dhe gjen atje tërë shërbimet për të cilat ka nevojë dhe as nuk i shkon ndërmend se për ato shërbime duhet të paguajë nën dorë mjekun, infermieren, sanitaren e më the të thashë siç ndodh tek ne. Pse ndodh kjo? Sepse të drejtën e tij për të pasur këtë shërbim ai e ka të garantuar nga fakti se i ka zbatuar detyrat që ka ndaj shoqërisë ndër të cilat edhe pagesa e atyre detyrimeve që i sigurojnë shërbimin në spital. E njëjta gjë funksionon për mjekun, infermieret, sanitaret. Atyre as u shkon ndërmend se duhet të marrin para në dorë sepse detyrën që kryejnë e kanë të lidhur me të drejtat e tjera që ata vetë gëzojnë. Kjo është bërë atje kulturë, mënyrë jetese që të kujton thënien e Ciceronit “Shpërblimi i detyrës është detyra vetë” çka do të thotë me fjalë të tjera se detyra dhe pasioni për atë që bën thuajse bëhen e njëjta gjë. Siç e thashë kjo është ideale edhe në Evropë, por për të parë se sa i përgatitur është komuniteti ynë mjafton të shkosh në një spital apo një shkollë e të masësh se sa afër apo larg këtij ideali jemi. (Rubrika Përpjekja, Standart, 3 qershor 2006)

Read More......