Saturday, September 2, 2006

Politika në Shqipëri, më e rëndë se puna në minierën e Spaçit

Ndaj shkrimit tuaj "Çfarë do vijë pas "Western Union?" botuar në gazetën "Korrieri" ka pasur një reagim të shoqërisë "Western Union", ku akuzoheni se e keni keqpërdorur emrin e saj në asociim abuziv me dukuri ekonomike apo shoqërore të dëmshme dhe të dënueshme. Cili është reagimi juaj?

Reagimin e Western Unionit e lexova dy herë meqë më drejtohej direkt dhe kishte lidhje me një çështje që, sipas meje, duhet t’i shqetësojë të gjithë. Leximi i parë ishte kalimthi, më shumë me kuriozitetin se çfarë po thuhej përzjerë me ndjesi negative sepse nuk gjeta asgjë poizitive ndaj shkrimit tim. Leximi i dytë kërkoi të gjejë elementë racionalë, ato pasazhe që nuk më pëlqyen në të parin i lexova më ftohtë, duke menduar se ku ka të drejtë reaguesi, por edhe kundërargumentet atje ku më rezultonte se nuk ka të drejtë.
Si përgjigje pas këyre dy leximeve mund të them se forma e reagimit flet shumë për një shqetësim që është implicit në shkrimin tim e që ka të bëjë me vizionet e biznesit në vendin tonë përtej interesave të ngushta. Në këtë kontekst mund të thoja se reagimi ishte zhgënjyes.
I tërë reagimi i Western Unionit kishte të bënte me një përmendje në shkrimin tim, sipas tyre abuziv, të emrit të kompanisë, çka dëmton imazhin e saj dhe, për ta pastruar këtë imazh, jepej një CV e kompanisë si në shkallë botërore ashtu edhe lokale. E më në fund kërkohej prej meje ose gazetës një lloj ndjese sepse në shkrim kishte shumë pasaktësira, e nënkuptohej se për këto dëme që i shkaktoheshin kompanisë pa të drejtë, gjithë sipas tyre, dikush duhet të përgjigjet. Ok., ndjeshmëria ndaj emrit dhe kujdesi për të është e drejta e kompanisë, por më duket e tepërt që shkrimi im të konsiderohej si cënues i reputaciolnit të kompanisë sepse qëllimi i tij ishte krejt tjetër nga cënimi i reputacionit të Western Union. Megjithatë unë do të kisha kërkuar edhe ndjesë sikur në reagim të më thuhej se ku qëndron pasaktësia e jo të thuhej se “aludohet”, por mbi të gjitha sikur të gjeja të trajtuar thelbin e problemit që trajtoj. Nëse emri Western Union doli nga goja e një polaku si impresioni i tij i parë për Shqipërinë, (kam përshtypjen se ai e ka përqendruar shikimin në qendrën e Tiranës) për mua si gazetar kjo është një gjetje që çdo gazetar do ta kishte përdorur sepse e kam marrë si simbol i një ekonomie që jeton kryesisht në sajë të parave që vijnë nga jashtë prej emigracionit. Deri këtu besoj se nuk ka ndonjë pasaktësi. E më tej i jam referuar një fakti që më është dukur shqetësues: mungesa e të hollave tek shumë kompani të ndërtimit çka e kam lidhur edhe me deklaratën e një autoriteti, Guvernatorit të Bankës Fullani, i cili, duke folur për të hollat që vijnë nga jashtë thotë tekstualisht se : “Burime të tilla si të ardhurat nga emigracioni, apo nga aktivitetet të jashtëligjshme vlerësohen se janë resurse financiare të përkohshme, të vështira për t’u parashikuar, ndërkohë që janë zërat kryesorë që financojnë degën e ndërtimit. Për rrjedhojë, një rënie e mundshme e shpejtë e burimeve të sipërpërmendura do të sjellë kufizime të forta në kërkesë, por edhe në degët e lidhura me të”. (Panorama 7 prill 2006). E më tej Guvernatori flet edhe për rrezikun e një krize si ajo e piramidave.
Nëse disa muaj pas kësaj deklarate unë shoh lajmin se shumë kompani ndërtimi nuk kanë të holla për të paguar betonin besoj se kam bërë detyrën time si gazetar për ta evidentuar me shqetësim faktin e se meritoj një lëvdatë e jo kërcënime apo përgënjeshtrime për këtë. Kurse përfaqësuesit e Western Unionit thonë në reagimin e tyre se: “Nuk ka asnjë lidhje të drejtpërdrejte apo të tërthortë midis shërbimit e aktivitetit Western Union dhe biznesit të ndërtimit sikurse aludohet padrejtësisht në artikullin në fjalë”. I vetmi aludim që ekziston në shkrimin tim është ai se një pjesë e të hollave që vijnë nga jashtë ta do mendja që transferohen edhe nëpërmjet Western Union e nëse mua më shkon ndërmend, duke parë faktin e pakësimit të këtyre të hollave, se Western qenka në krizë kjo nuk më duket se përbën ndonjë pasaktësi apo padrejtësi. Përkundrzi sipas meje padrejtësi është që këtë mendim që lind natyrshëm duke e lidhur me një fakt ta cenzurosh ose ta vetëcenzurosh sikurse nënkutohet nga reagimi se duhet të bënte gazetari apo botuesi në rastin e shkrimit tim.
Por çka më detyron të ndalem më gjatë në këtë përgjigje është diçka tjetër. Mua më duket se nga një ekonomist i njohur si Edmond Leka i Western Unionit duhet të pritej një reagim më i thellë sesa thjeshtë mbrojtja e emrit të kompanisë së tij. Ai e di më mirë se unë se ekonomia e një vendi është si një zinxhir me shumë hallka e se nëse disa hallka të këtij zinxhiri janë të sëmura është e vështirë që rënia e këtyre hallkave të mos krijojë krizë edhe në hallkat e tjera të zinxhirit. E në këtë kontekst problemi që unë do të doja të trajtohej është ai nëse kanë biznesmenët tanë një gjykim për ekonominë e vendit për rrugët që duhet të ndjekë ajo, për deformimet që ka pësuar ajo, për rrugët se si duhen kuruar këto, për prioritetet që duhet të ketë ajo, për rolin që luan politika në to apo sejcili vazhdon t’i nënshtrohet një spontaniteti ku të gjithë kërkojnë të nxjerrin fitimin maksimal në afatet minimale me një rezultat që është dukshëm në favor të një pakice dhe në dëm të shumicës, por edhe të zhvillimit të vendit në tërësi, prandaj, edhe të asaj pakice. Në këtë aspekt mua më duket se është abuzuar shumë dhe qëllimisht me idenë se rregullatori i vetëm i ekonomisë është tregu i lirë. Më së pari nuk është kështu sepse, sikurse vemë re gjetkë në botën demokratike, por edhe jo dhe aq demokratikre (kam parasysh Kinën), çështjet e ekonomisë janë çështje që shqetësojnë drejtpërdrejt njerëzit e ekonomisë dhe politikës e nuk i lihen thjeshtë një zoti abstrakt që ekziston në ajër me emrin treg, dhe së dyti, çka është edhe më e rëndësishme në kontekstin tonë, ky treg tek ne nuk është i lirë, por i kapur dhe përballë një shteti, që nuk është në gjendje të sigurojë lirinë e vërtetë të tij sepse i kapur në shumë sektorë edhe ai.
Së fundi, por jo për nga rëndësia, reagimi i Western Union u bë edhe më shqetësues për mua kur nga burime gazetareske konfirmova diçka që e kisha dëgjuar se kompania është ndër aksionerët kryesorë në një gazetë të re të rëndësishme në vend “Shqip” (Ndonëse kjo nuk përmendet në Cv e kompanisë dhe prandaj kërkoj të drejtën e ndjesës nëse burimet që ma kanë konfirmuar janë gabuar). Ishte shqetësues në këtë aspekt sepse në reagim mungonte ajo hapje që sipas meje duhet të ketë një botues ndaj mendimit të lirë të gazetarit, e posaçërisht ndaj ngritjes së atyre probleme që ngacmojnë debatin mbi politikat ekonomike në vend siç ishte shkrimi im që emrin e Western Union e përdorte thjeshtë dhe vetëm si simbol të ekonomisë së një vendi që prodhon vetëm 1/5 e asaj që konsumon. Nuk po zgjatem në këtë temë sepse shqetësimin tim mbi atë se si funksionojnë e se si duhet të funksionojnë në fakt mediat private e kam shprehur mëse një herë në faqet e kësaj rubrike.

Jemi në kohë pushimesh. Përshtypja është se megjithatë politika nuk ka pushuar pasi shumica e figurave kryesor kanë qenë vazhdimisht prezent. Ju ç’mendim keni për pushimet e politikanëve veçanërisht dhe çfarë do tu rekamandonit të bëpnin ndryshe gjatë kësaj periudhe? A keni ndonjë lojë a sport të veçantë për tu rekomanduar gjatë kësaj periudhe figurave tona kryesore?

Pushimet i konsideroj shumë të nevojshme për të gjithë, por në rastin e politikanëve në mënyrë të veçantë si nevojë për tu dekontaminuar sadopak nga pushteti, por edhe nga obsesionet që u kanë krijuar konfliktet e shumta që e lodhin e lektisin mendjen së tepërmi. Përshtypja ime është se ne e kemi pak të zhvilluar kulturën e pushimeve përveç atyre rasteve kur pushimet janë një stil jete dhe puna nuk është tjetër veçse një pushim ndërmjet dy lojrave (e kam fjalën për rastin Nano). Ish kryeministrit si sport do t’i rekomandoja alpinizmin. Por edhe çiklizmi nuk do të ishte keq. Më shumë si ndëshkim apo vetëndëshkim që e meriton se nuk kam shpresë se ai mund të gjejë tek to gëzimin që mund ta ngrejë nga pija dhe ruleta.
Për Moisiun është thënë shpesh se e zgjodhën president ndërkohë që ishte duke luajtur domino duke dashur të thonë se ishte një i dalë në pension që i kishte mbetur vetëm dominoja. Me aq pak sa e kam luajtur dominoja më duket një lojë që kërkon inteligjencë dhe memorie. Nga sa di unë Presidenti ka qenë gjatë gushtit me pushime. Unë shpresoj të ketë luajtur shpesh domino kësaj here për të parë se sa situatë e vështirë është kur të mbetet dopio gjashta në dorë siç i ka mbetur atij Sollaku.
Berisha thuhet se nuk i njeh pushimet. Ia përemendin këtë edhe si vlerë dhe pa dyshim pas një kryeministri si Nano kemi nevojë për një kryeministër që t’u qëndrojë punëve mbi kokë. Por nga ana tyjetër pikërisht për këtë Berisha ka nevojë për pushime sepse përvoja tregon se disa punë bëhen shumë më mirë dhe shumë më shpejt pas pushimeve. Por ka edhe një arsëye të dytë pse Berisha duhet të pushojë: që të delegojë pushtet tek vartësit. Sporti që do t’i rekomandoja? Një sport me një kundërshtar më të fortë se ai që i provon shpesh humbjen, në mënyrë që të mësohet me të. Por ndosha edhe notin. Notin në distanca të gjata.
Rama ka ndevojë për dekontaminim të thellë e të gjatë sepse tepër i helmuar nga pushteti. Do t’i rekomandoja të bënte zanatin e vjetër pikturën por jo atë alla Francis Bacon, por duke bërë pejsazhe të natyrës shqiptare të panjollosur nga ndërtime si dhe të lagjeve e rrugicave e shtëpive të vjetra që i kanë mbetur Tiranës. Sporti që do t’i rekomandoja? Ndoshta shahu, por me një kundërshtar që nuk e lejon ta luajë kalin si oficer e torren si mbretëreshë siç i pëlqen atij.
Metës urgjentisht do t’i rekomandoja që me pushimet të rifillojë sportin e tij të ngritjs së peshave sepse kam përshtypjen se është një sport që të kalit fort durimin që më duket se e ka humbur fare kohët e fundit.
Gjinushit do t’i rekomandoja vetëm të dëgjojë muzikë. Nuk di pse kam përshtypjen se ai njeri ka nevojë të jashtzakonshme për të dëgjuar muzikë.
Jozefinës, vrapin. Të ulë më maksimum kohën e bërjes së 100 metëshit se po iu vërsul edhe një herë Meta me Legisin nuk di a do të shpëtojë.
Po e le me kaq duke e pranuar se jam treguar shumë miqësor me të gjithë sepse po të më kërkohet një mendim serioz do të thoja se të gjithë ne (këtu përfshij edhe veten) që kemi pesëmbëdhjetë vjet që merremi me politikë në Shqipërinë e tranzicionit kemi nevojë urgjente të dalim në pension sepse është një punë më e rëndë se puna në minierën e Spaçit.

Në shumë shkrime tuajat flitet për një “problem kulturor” kur trajtohen çështjet e zhvillimeve në vend. Ky duket sikur bije në kundërshtim me agresivitetin që tregoni ndaj politikanëve kur shprehni pakënaqësinë apo dhe revoltën ndaj tyre. Komenti juaj?

Vazhdimi i pyetjes suaj do të ishte: a janë politikanët një pasqyrë e kulturës së shoqërisë e prandja s’kemi pse ankohemi aq shumë për ta apo duhet të jenë ata protagonistët e ndryshimit, e, prandaj, duhet të ankohemi edhe më fort? Është një pyetje e njohur ndaj së cilës vështirës se do të gjeja një përgjigje më të mirë sesa atë që i ka dhënë Haveli kur thotë: “Thuhet se një komb ka politikanët që meriton. Në një kuptim kjo është e vërtetë: politikanët janë vërtetë një pasqyrë e shoqërisë së tyre dhe një lloj trupëzimi i potencialeve të saj. Në të njëjtën kohë edhe e kundërta është e vërtetë: shoqëria është pasqyra e politikanëve të saj. Varet shumë nga politikanët se cilat forca njerëzore zgjedhin për të çliruar dhe cilat zgjedhin për të shtypur; nëse ata bazohen tek e mira e secilit qytetar, apo tek e keqja. Regjimi i kaluar [komunist] sistematikisht mobilizonte cilësitë njerëzore më të këqia, si egoizmi, zilia dhe urrejtja. Ai regjim ishte shumë më tepër se sa ajo që meritonim; ai ishte përgjegjës për atë çfarë u bëmë. Prandaj ata që janë në politikë kanë një përgjegjësi të lartë për gjendjen morale të shoqërisë dhe është përgjegjësia e tyre për të kërkruar më të mirën në shoqëri për ta zhvilluar dhe fuqizuar atë.”
Në thelb, pra, kemi një bashkëveprim për mirë ose për keq midis politikanit (por edhe njeriut publik në përgjithësi dmth. edhe intelektualit artistit etj.) dhe shoqërisë. E në kontekstin e këtij bashkveprimi, meqë pyetja juaj lidhet me kulturën, nuk mund të mos sjell në kujtesë se demokracia më e vjetër që njohim, ajo greke ishte njëherësh rezultat dhe krijuese e një kulture të re si rezultat i bashkveprimit. Eskili ngriti pyetjen: si mund ta përmirësojmë teatrin grek që është me një personazh që flet dhe korin? Përgjigja është duke shtuar një personazh tjetër. Kështu do të kemi bashkbisedim. Dhe po të vemë re bashkbisedimi, diskutimi janë shpirti i kulturës greke. Dialogjet e Platonit ngrihen mbi idenë gjeniale se e vërteta nuk mund të ekzistojnë vetëm në një anë, por ndërmjet palëve, dmth tek ai që ndryshe e quajmë ndërsubjektivitet. Kur dy persona flasin apo kur dy grupime ballafaqohen e vërteta është e pranishme, por asnjëri prej të dyve nuk e posedon tërësisht. Kjo është një nga arritjet më të mëdha të grekëve që ka ndihmuar njerëzimit të krijojë ndjenjën se demokracia është e pandashme nga diskutimi e debati, nga principi që të gjithë kanë të drejtë të dëgjohen. Grekët mendonin se e gjithë kultura është politikë, sepse të gjithë së bashku po krijojmë një shoqëri dhe kultura është ajo që na bashkon. Kultura është mënyra jonë e të komunikuarit midis nesh – është një akt me natyrë shoqërore – prandaj dhe është, pa dyshim edhe një aktivitet politik. Ja, në këtë kuptim që tingëllon aq i vërtetë për ne sot, po të kemi parasysh mungesën dramatike të aftësisë për të krijuar kulturën e bashkbisedimit e bashkveprimit, them se problemet tona janë thellë thellë probleme kulturore. (Rubrika Përpjekja, Standart 26 gusht 2006)

Heshtja ndaj lirisë

Para disa ditësh në gazetën italiane La Republica socialisti liberal Giuliano Amato iu përgjegj një pyetjeje që u bëhet shpesh pas ndryshimeve të viteve ’90 socialistëve evropianë. Pyetja (e shtruar nga John Loyd në një shkrim të botuar disa ditë më parë po në La Republica të titulluar “Çdo të thotë të përcaktohesh socialist”) është pak a shumë kjo: pas kaq vite ndryshimesh në çfarë konsiston identiteti juaj? A jeni të sigurt se mund ta quani përsëri veten socialiste ndërkohë që në vend sesa ta nacionalizoni ekonominë, po e liberalizoni, po i reduktoni pensionet publike etj.? Vizioni që ofroni e vlerat e admirueshme për të cilat luftoni të tilla si pluralizmi, solidariteti, ambientalizmi dhe pasioni demokratik a mund t’ia faturoni krenarisë suaj socialiste? Apo, sugjeron Loyd, këto janë vlera që mund të konsiderohen tjetër gjë nga identiteti socialist si me thënë vlera që shtrojnë edhe çështjen se çkuptojmë sot kur flasim për të majtë e të djathtë.
Përgjigja që jep Amato në shkrimin e tij “Ja pse ndihem krenar që jam socialist” sillet rreth çështjes së lidhjes së lirisë me barazinë. Sipas tij “aspirata e madhe për barazi, interpretues të së cilës kanë qenë socialistët historikisht, është gjenetikisht e lidhur me lirinë”, “ajo aspiratë shprehte dëshirën e shenjtë të shumicës për ta pasur këtë të mirë, lirinë, të cilën e kishin shijuar vetëm pak në të kaluarën.”
Ajo që më nxit të shkruaj këto rradhë është se duke lexuar Amaton e menduar për Shqipërinë më lindi vetvetiu idea se në vendin tonë sikur ka një kohë të gjatë që nuk flitet më jo më për barazxinë por as për lirinë në kuptimin e lirisë për të gjithë, por sikur i gjithë debati ynë (edhe kur përmendet aq rrallë liria, për të mos folur për barazinë), është i përqendruar në negociatat që bëjnë dy partitë kryesore në dukje në emër të lirisë së votës, por në thelb për të ndarë pushtetin që çprej 15 vjetësh ka prodhuar tjetër po krejt tjetër gjë nga ajo që mund të quhet liria si aspiratë e të gjithëve.
Në fakt do të duhej të flisnin për lirinë të gjithë ata që sot vetëquhen të majtë duke bërë edhe një analizë të asaj periudhe nga kemi dalë kur, për shkak të ideologjisë komuniste, liria dhe barazia iu kundërvunë njëra tjetrës, por gjithë duke venë në dukje se aspirata për barazi si kusht i lirisë ka nënkuptuar dhe nënkupton reforma të rëndësishme shoqërore e politike sepse shëndeti për të gjithë apo arsimimi për të gjithë nuk mund të realizohet duke u çuar të gjithëve doktor apo mësues privat në shtëpi, por duke krijuar spitale e shkolla publike.
Ndërkohë që një socialist i sotëm shqiptar do të duhej të trajtonte këtë lidhje midis lirisë dhe barazisë një liberal i djathtë, duke i mshuar të drejtës së individit për tu pasuruar në një kompeticion të ndershëm ku i vetmi rregulator është ligji i mbrojtur nga shteti do të argumentonte se kjo do të sillte më shumë të mira për të gjithë dhe prandaj më shumë liri për të gjithë. Por do të duhej të flisnin sot ata që vetëquhen liberal demokratë apo të qendrës së djathtë edhe duke patur parasysh se çfarë ka prodhuar në vend liberalizimi dhe tregu ynë i lirë alla shqiptarçe.
Problemet që ngrihen sot, si të së majtës dhe të së djathtës, janë shumëplanësh. Ato kanë të bëjnë me identitetet e tyre që në fakt mungojnë, kanë të bëjë me përcaktimin më qartë edhe të ndryshimeve midis tyre, çka do ta orientonte edhe më mirë elektoratin, por kanë të bëjë edhe me një pikë të përbashkët ku duhet të puqen të dyja pavarësisht se duke u nisur nga dy drejtime të ndryshme: liria.
Ajo që vihet re është se pas 15 vjetësh flitet aq pak për lirinë në Shqipëri. A mos vallë pse ekzoston iluzioni se atë tashmë e kemi fituar? Apo pse ka një stresim të tillë saqë duket si luks të flitet për lirinë kur njerëzve u duhet të mbijetojnë? Apo koncepti për lirinë është aq i ngushtë tek ne, për shkak të paditurisë që na ka pllakosur, saqë shumica nuk e ka as si problem ngase nuk e di se çështë ajo përtej disa kufijve të ulët që e reduktojnë atë në lirinë biologjike? Të treja mund të jenë të vërteta e që të treja theksojnë nevojën e debatit mbi lirinë.
Sot mungojnë përgjigje ndaj një pyetjeje kardinale si ajo: a e fituam ne lirinë në vitin 90 dhe a jemi sot pra të lirë? E vërteta është se kur dolëm në vitet 90 nga diktatura u fol shumë se kishim fituar “lirinë nga” (freedom from) por nuk kishim ndërtuar “lirinë për” (freedom to) nëse do të përdorim dy kontepte të mirënjohura të Fromit. Thënë ndryshe tjetër gjë është të të hiqen zinxhirët dhe tjetër gjë është të mund të ecësh me këmbët e tua, tjetër gjë është të të hapet dera e kafazit e tjetër gjë është të fluturosh. A po ecim ne dot me këmbët tona, a po fluturojmë ne dot në qiejt e kësaj bote? Këto janë pyetjet që sikur po harroet të ngrihen sot.
Më konkretisht këto pyetje mund të shtrohen edhe kështu: A mund të quhemi të lirë kur nuk kemi të drejtat themelore si ajo për të lëvizur. A mund të quhemi të lirë kur jemi përditë nën ankthin e një të ardhmje të pasigurt? A mund të quhemi të lirë kur një e treta e bashkatdhetarëve jetojnë si qytetarë të dorës së dytë në vende të huaja pa të drejta atje si gjithë qytetarët e atyre vendeve dhe pa mundësi jete normale në vendin e tyre? A mund të quhemi të lirë të rrethuar nga krimi? A mund të quhen të lira prostitutat e trafikuara? A mund të quhen të lirë trafikantët e tyre? A mund të quhen të lirë tërë ajo armatë të papunësh? A mund të quhen të lirë ajo armatë të paditurish?
E ndërkohë që ngrihen tërë këto pyetje ajo që bije në sy në vendin tonë është heshtja si nga e majta edhe nga e djathat ndaj lirisë si aspiratë e të gjithëve.
Pas eksperiencave tragjike të shekullit XX sot një gjë është tashmë e qartë - sikurse e thotë edhe Amato në shkrimin e tij, - se historia nuk udhëhiqet nga rregulla shkencore siç besohej në kohën e komunizmit e fashizmit, se ajo nuk mund të drejtohet drejt synimesh finale, por se ajo ushqehet nga lëvizje në të cilat, nga ana tjetër, duhet të dish të orientohesh duke kërkuar të kesh një busull. Nëse e majta ka si busull aspiratën për barazi kurse e djathta iniciativën sa më të papenguar të individit për tu realizuar që të dyja tek e fundit duhet të shënojnë një nord, lirinë. Heshtja për lirinë është njëlloj sikur një shoqëri të ketë humbur busullën ose sikur asaj nuk i duhet busulla sepse nuk ka dëshirë të lëvizë apo pse është mësuar ta lëvizin të tjerët. (Korrieri 31 gusht 2006)

Shteti i ligjit dhe shteti i marrëveshjes

Po të kërkosh rrënjët e konfliktit të fundit politik në Shqipëri, atij që kulminoi në seancën e pushtimit të Parlamentit nga opozita dhe që po vazhdon me bllokimin e çdo dialogu midis mazhorancës dhe opozitës, përtej luftës së personave, përtej zhurmave iracionale ku njëra palë vë kushte të papranueshme dhe pala tjetër nuk i pranon, përtej asaj se kush ka të drejtë në këtë rast, do të vërejmë se bllokimi, në thelb, buron nga ngecja e politikës në atë dualizëm që ekziston tek ne midis atij që mund të quhet shteti i ligjit i mbetur në tentativë apo letër dhe një shteti tjetër që është më i fortë realisht e që mund të quhet shteti i marrëveshjes. Me marrëveshje kuptoj një akt politik që nuk parashikohet në ligj e as në rregullat e stabilizuara të funksionimit të institucioneve, por që u mbivendoset këtyre mu pse këta, nuk janë të aftë të ushtrojnë të drejtat dhe detyrat e tyre. Duke përshkuar tërë këtë periudhë që ekziston pluralizmi, i cili gjithnjë e më shumë është shndrruar në bipolarizëm, do të vemë re se ky dualizëm, dhe loja midis marrëveshjes dhe ligjit brenda tij është skena ku është luajtur dhe luhet prej vitesh politika në Shqipëri.
Ku dualizëm ka filluar të marrë trajtë të qartë veçanërish në periudhën që nga 1997 e këtej. Madje në këtë aspekt viti 97 shënon një ndarje periudhash. Nëse vitet 1992 – 1996 kanë qenë vite ku ka dominuar një parti e vetme me Berishën si kryetar të saj dhe president që në një farë mënyre identifikohej me ligjin sipas praktikës së vënies së shtetit të personit mbi shtetin e ligjit, pas vitit 1997, kur të dy forcat politike u ballancuan, ka filluar kjo periudhë e dytë e shtetit të marrëveshjes që i mbivendoset shtetit të ligjit, i cili shpesh mbetet vetëm në tentativë ose thjesht në letër.
Në thelbin e shtetit të marrëveshjes qëndron mungesa e institucioneve që garantojnë ligjin dhe barazinë e të gjithëve përpara tij. Mund të thuhet, besoj pa gabuar, se është marrëveshja e 9 marsit ajo që ka inauguruar këtë periudhë të dytë. Ajo është klasike në këtë aspekt sepse situata e krijuar ishte e tillë që midis dy forcave konfliktuese nuk kishte asnjë institucion tjetër që të garantonte ligjin. Të vetmit ndërmjetës ishin ndërkombëtarët të cilët mund të luanin rolin e ndërmjetësit për marrëveshje, por kurrsesi garantuesin dhe ushtruesin e ligjit në vend.
Pra, nëse në vitet 92-96 mund të thuhet se kishim shtetin e personit që i mbivendosej ligjit viti 97 shënon kështu periudhën e shtetit të marrëveshjes që dominon mbi shtetin e ligjit. Dhe që nga ajo kohë e këtej do të vemë re se në momentet më kulminante Shqipëria nuk i ka zgjidhur problemet e saj nëpërmjet ligjit, por nëpërmjet marrëveshjes. Ndër momentet kryesore ku ka dalë në pah ky dualizëm kanë qenë zgjedhjet. Ato në Shqipëri asnjëherë nuk kanë qenë konform ligjit, gjithherë kanë qenë të kontestueshme nga njëra palë dhe prandaj, për të arritur ekuilibrin dhe paqen, është dashur futja në skenë e faktorit të tretë, ndërkombëtarëve, të cilët kanë vendosur marrëveshjen. Edhe zgjedhja e Presidentit aktual të Republikës ishte rezultat i një marrëveshjeje të imponuar mu pse nuk kishte funksionuar si duhet institucioni i zgjedhjeve të lira. Edhe Prokurori që kemi sot është rezultat i një marrëveshjeje që lindi pas një konflikti midis socialistëve për prokurorin, ndërkohëqë, në fakt, paraardhësi i tij, Rakipi, u hoq në mënyrë të jashtëligjëshme, sepse antikushtetuese. Zgjedhja e dy institucioneve të tilla kaq të rëndësishme si rezultat i marrëveshjes apo konsensusit dhe jo të ligjit është emblematike për të vënë në dukje epërsinë e shtetit të marrëveshjes mbi shtetin e ligjit në Shqipëri. Por mbi të gjitha ajo është emblematike për të treguar ekzistencën e asaj hapësire midis ligjit dhe marrëveshjes apo konsensusit në të cilën luan politika jonë. Në rastin e zgjedhjes së anëtarit të KQZ, që ishte shkakpreteksti i konfliktit të fundit juristët thonë se kemi të bëjmë me shkeljen e një marrëveshjeje, jo me shkelje të ligjit. Por ama roli dominues që ka marrë marrëveshja në vend e bën atë jolegjitime në sytë e të dëmtuarve. Tek e fundit kemi pra kapërcimin nga marrëveshja tek ligji dhe anasjellatas nga ligji tek marrëveshja sa herë që kjo ka qenë në favor të njërës palë apo tjetrës.
Shkak dhe njëherësh pasojë e kësaj situate është se aktorët kryesorë dhe të vetëm në vend kanë qenë dy partitë kryesore politike të cilat janë sa gjenerues të kësaj situate aq edhe pasojë e saj. E gjithë jeta politike është kufizuar në marrëveshjet dhe antagonizmat e tyre. Konfliktet midis tyre kanë krijuar një traditë tashmë në formë rrethi vicioz në të cilin si hap të parë kemi shkeljet e ligjit ose marrëveshjes nga nëra palë, si hap të dytë kontestimet nga pala tjetër dhe, kur këto bëhen të forta, për të shuar kontestimet, kërkohet marrëveshja e re apo konsensusi i ri, i cili arrihet nëpërmjet një aktori të tretë po aq të rëndësishëm në krijimin e këtij ambiguiteti, faktori ndërkombëtar. Edhe ky faktor duket sikur, ngase kërkon të ruajë pushtetin e vet apo nga mungesa e besimit tek aftësia a faktorëve shqiptarë për të siguruar funksionimin e ligjit, gjithherë ka ndërhyrë për të siguruar marrëveshjet atje ku aplikimi i ligjit nuk ka qenë i mundur për shkak se ky aplikim dëmtonte aktorët kryesorë mbi të cilët ndërkombëtarët mbështeten për të bërë politikë në Shqipëri.
Në emër të shtetit të marrëveshjes sot do të mund të arrihej, praktikisht duket se është arritur, një amnisti për tërë ata politikanë që kanë abuzuar me pushtetin dhe që sot ndjehen të kërcënuar me burg. Në fakt e njëjta gjë u bë edhe në 97-tën. Përndryshe protagonistët tanë thonë: ne e bllokojmë situatën dhe askush nuk ka se çfarë bën. Por a ka shpresë që pas zerimit, dmth. marrëveshjes së rradhës, të fillojmë të ecim në rrugë të drejtë, dmth në atë të ligjit? Përvoja e deritanishme ka treguar se, përkundrazi, kështu vetëm sa forcohet kultura që e ve marrëveshjen e më të fortëve, të cilët, veç të tjerash, i kanë siguruar vetes edhe imunitet parlamentar, mbi ligjin. Përvoja ka treguar se shteti i marrëveshjes është shteti i partive dhe në përgjithësi i më të fortëve që qëndrojnë dhe mbijetojnë mu në sajë të logjikës se marrëveshja midis tyre është më e fortë sesa ligji.
Përvoja tregon se vetëm shteti i ligjit është dhe mund të jetë shteti i të gjithëve. Kjo, në fakt, nuk do shumë mund për tu kuptuar. Ajo që kërkon shumë më tepër mund është gjetja e mënyrave se si të mund të kalojmë nga shteti i marrëveshjes në shtetin e ligjit, çka do të thotë se si do të arrihej që institucionet e tjera të shtetit apo shoqëria civile të ishin të varura tek ligji dhe jo tek partitë dhe marrëveshjet e tyre. Kjo do të nënkuptonte edhe reforma të tjera ligjore që do të siguronin këto pavarësi, por, nga ana tjetër, përvoja na ka treguar se edhe kur ka ligje të mira këto nëpërkëmben kollaj nga të fortët. Përvoja ka treguar gjithashtu se institucione të tilla si ato të Prokurorisë e Gjyqsorit që duhet të sigurojnë drejtësi dhe barazi të të gjithëve përpara ligjit duke i dhënë kështu dinjitet shtetit, e që e kanë një pavarësi jo të vogël veprimi të garantuar me ligj, nuk kanë funksionuar megjithatë, me logjikën e ligjit, por me atë të luftës dhe marrëveshjes së më të fortëve. Problemi tek e fundit duket se mbetet tepër i vështirë sepse është problem kulturor. Në emër të shtetit të marrëveshjes e në kurriz të ligjit e të më të dobtëve e më të ndershmëve sot flitet për një amnisti fiskale psh. që do të mund të zeronte shkeljet e ligjit që janë bërë deri më sot. Në emër të marrëveshjes e në kurriz të ligjit e të më të dobtëve e më të ndershmëve u bënë tërë legalizimet e ndërtimeve pa leje. Politika në fakt nuk është tjetër veçse shprehje e kësaj kulture të gjithpërhapur, por ajo nga ana tjetër, ka në dorë të bëhet penguesja apo gjeneruesja e saj sepse ajo ka një rol aktiv në zgjedhjen apo jo të zbatimit të ligjit. Hapat që do të hidhen duket se janë të gjata, por, mesa duket, më së pari duhet luftuar ky dualizëm midis shtetit të marrëveshjes dhe shtetit të ligjit. Edhe kriza e fundit ve në dukje bash nevojën e zhdukjes së këtij dualizmi. Le të flitet vetëm në emër të ligjit e çdo gjë të bëhet në emër të ligjit e po ashtu çdo gjë të kundërshtohet vetëm në emër të ligjit. Kjo do të forconte kulturën e ligjit ndaj kulturës së marrëveshjes së më të fortëve. Do të ishte mirë që edhe ndërkombëtarët të bëheshin pjesë e përçimit të kësaj kulture dhe jo t’i adoptoheshin bizantinizmit tonë që e ka lënë shtetin e ligjit në letër. (Korrieri 22 gusht 2006)