Monday, November 27, 2006

Enver Hoxhë dhe rrokenrroll

“Si shpjegohet që numrin më të madhe të simpatizantëve ti e ke tek moshat e treta dhe rinia?”. Kjo është pyetja që një gazetar i huaj i ka shtruar para tre vjetësh kandidatit për herë të dytë për Bashkinë e Tiranës, Edi Rama, pasi kishte bërë një shëtitje nëpër tendat e tij elektorale duke intervistuar njerëzit aty. Përgjigja që i kishte dhënë kryetari ishte se këto janë moshat më të pastra, më idealiste, më të ç’interesuara për gjërat materiale të jetës, kurse moshat midis tyre janë bërë pis tashmë nga paraja. Gazetarit i ishte dukur interesante kjo përgjigje, por edhe pak e dyshimtë dhe kur më takoi më kërkoi t’i jepja mendimin tim nëse ishte apo nuk ishte kështu dhe ta thelloja kuptimin e saj po të qe e mundur.
Duke parë organizimin e Pezës mu kujtua biseda me atë gazetar dhe thashë me vete se për ta gjetur të vërtetën e përgjigjes së kryesocialistit të sotëm gazetari nuk do të kishte pasur rast më të mirë sesa të merrte pjesë në festimet e Pezës më 16 shtator organizuar nga Bashkia e Tiranës. Paradite ai do të gjente atje kryetarin e Bashkisë dhe liderët e tjerë të së ashtuquajturës e majtë së bashku me moshat e treta duke brohoritur për Enver Hoxhën, pasdite do të gjente boshllëk, kurse në mbrëmje dhe natën vonë do të gjente kryetarin e Bashkisë së bashku me rininë duke kënduar e kërcyer rrok. Pra aty do të kuptonte më mirë se kudo se “ideali” dhe “pastërtia” e atyre moshave të treta që ai ka parë në tendat e kryebashkiakut socialist është Enver Hoxha kurse ai i rinisë është rroku. Sigurisht do ta kishte ca të vështirë t’i bashkonte të dyja. Si ka mundësi që kjo rini që duhet të adhurojë lirinë dhe demokracinë shkon e feston të njëjtën festë me të atyre që adhurojnë diktatorin e kanë ndërtuar diktaturën? Do të duhej t’i jepej pak shpjegim për atë se ne kemi më një anë një kategori politikanësh si kryebashkiaku që nuk e ka për gjë që, për interesat e veta, t’i ulë në një tryezë të hanë e të pinë edhe djajtë edhe ëngjëjt e, më anë tjetër, një popull të vuajtur e të mbajtur në padituri nga kjo kategori politikanësh. Sidoqoftë besoj se do ta kuptonte më shpjet se bashkimi paradoksal i dy kategorive të përkundërta të simpaztizantëve të kryebashkiakut do të shpjegohej jo me idealizmën dhe pastërtinë e tyre, por me manipulueshmërinë e tyre më të lehtë.
Problemi është se cilat janë pasojat jashtelektorale dhe afatgjata të këtij manipulimi. E kur flas për pasojat sigurisht e kam fjalën për të rinjtë sepse për ata që brohorasin edhe sot për diktatorin Enver Hoxha nuk mund të them tjetër veçse thënien popullore: “Gungën e kurrizos e drejton vetëm varri.” Dikujt mund t’i duket e rëndë kjo që thashë, por po të rikujtoj ata mijëra që ka çuar në varr në moshë të re Enver Hoxha me shokë besoj se do t’i duket më e lehtë.
E pra problemi kryesor që nxjerr në pah kjo dritëshkurtësi e politikanëve tanë që, për të fituar një votë, janë gati të bashkëpunojnë edhe me kriminelë, është rinia, është fakti se në vend se ta edukojmë e diturojmë rininë kërkojmë që asaj t’i shpëlajmë trutë. Sepse nuk do shumë mend për të kuptuar se bashkimi i rrokut me Enver Hoxhën kryhet nëpërmjet një operacioni manipulimi. Ditë festa e ish Partisë së Punës të Enver Hoshës mbahet gjallë dhe festohet nga partitë bija socialiste të Nanos, Metës, Milos dhe Ramës sepse nëpërmjet saj bashkohen votuesit veteranë shumica e të cilëve adhurojnë Enver Hoxhë. Por, meqënëse votat e tyre nuk na mjaftojnë, atëhere duhet të bëjmë çmos që kjo festë të jetë tërheqëse edhe për rininë e prandaj në darkë ta kthejmë në koncert rroku. Pra në mëngjes u flasim veteranëve për Babë Myslimin dhe Enver Hoxhën kurse në darkë i japim rinisë koncert rrok. Dhe sa për artistë nga ata që i kanë kënduar dhe diktaturës dhe demokracisë kemi me bollëk. Ndonëse të dy grupet e festuesve as nuk takohen me njëri tjetrin, rëndësi ka që lidhësit e tyre, liderët e sotëm politikë, të ndodhen në të dy grupimet. Pastaj kemi edhe televizionet që na bëjnë jehonë.
Ndërkaq, po t’i marrësh e t’i intervistosh ata të rinj që kanë kërcyer rrok në mbrëmjen dhe menatën e 16 shtatorit në Pezë nën thirrjen e një ftese për të cilën Bashkia kishte paguar tërë televizonet e mundshme që ta raklamonin pareshtur, shumica do të të thonë se nuk dinë gjë fare se ç’ishte Konferenca e Pezës, as do të dinë të të flasin për Luftën, madje, po t’i besojmë një anketimi të fundit të një shoqate. një pjesë e tyre nuk dinë as se cili ka qenë Enver Hoxha. Megjithatë ata mësojnë këtu aq sa u duhet liderëve tanë: se kjo është festa jonë me të cilën identifikohemi ne socialistët, që e duam aq shumë rrokun, që e doni edhe ju, që ju bëjmë të kërceni e të dëfreheni; e se rrënjët tona kaq të vyera i kemi tek Lufta dhe tek Bab Myslimi dhe Enver Hoxha që u mblodhën në këtë ditë të shënuar para 64 vjetësh. Kurse të tjerët që nuk vijnë këtu janë kundërshtarët tanë, por ne jemi shumica reale e vendit.
E di që në këtë moment, duke lexuar këto rradhë, të gjithë enveristë dhe socialistë do të më gërmushen: po çdo të thuash ti, kërkon të mohosh luftën? Kërkon të mohosh konferencën e Pezës ku ka qenë edhe yt atë? Lufta dhe Peza janë të të gjithë shqiptarëve jo vetëm të socialistëve. Dhe unë do të përgjigjem: po dua të mohoj Luftën dhe Konferencën e Pezës të trajtuar ashtu siç e ka trajtuar historiografia e Enver Hoxhës - që ishte mënyra se si e trajtuan liderët socialistë në festimin e fundit - e për pasojë edhe faktin se ajo kërkohet të na shitet si festë e të gjithë shqiptarëve. Dhe do të vazhdoja me pyetjet: përse kur përmendin Pezën ata zenë në gojë vetëm Muslimin dhe Enver Hoxhën e nuk përmendin Abaz Kupin psh.? Përse i cilësojnë tradhëtarë me gjuhën e Enver Hoxhës ata që u ndanë nga Fronti e nuk kujtonë se tradhëtia më e madhe ishte ajo ndaj idesë themelore të Pezës: bashkimi pa dallim feje, krahine dhe ideje, të cilën e tradhëtuan komunistët për shkak të ideologjisë totalitare që e ushtruan edhe gjatë luftës - me të vetët më së pari (kujtoni dënimet e eliminimet e Sadik Premtes, Anastas Lulos Zef Malës, Mustafa Gjinishit e shumë të tjera) - por në mënyrën më tragjke me kundërshtarët veçanërisht pasi morën pushtetin. Mjafton kjo mënyrë trajtimi e Luftës dhe e Konferencës së Pezës për të kuptuar se socialistët me të njëjtën mendësi totalitare, përjashtuese dhe manipuluese kërkojnë ta shesin si të të gjithëve një festë që në të vërtet e duan, e trajtojnë dhe e festojnë si të vetën.
Nuk mund t’ua ndalosh veteranëve të luftës të mblidhen e të festojnë Pezën. Nuk mund t’ua ndalosh me ligj që të brohorasin për Enver Hoxhën, ndonëse nuk duhet të harrojmë se propaganda naziste dënohet me ligj në Gjermani. Nuk mund t’ia ndalosh historianit Paskal Milo të bëjë ndonjë seminar mbi Konferencën e Pezës e të përmendë atje edhe rolin e Enver Hoxhës. Por të çosh të rinjtë të festojnë të njëjtën festë ku ekzaltohet diktatori e ta sponsorizosh këtë si festë të të gjithë shqiptarëve kjo më duket se do të bënte të lëviznin nga varri ata mijëra të vrarë me gjyq e pa gjyq nga diktatura e Enver Hoxhës dhe e veteranëve që ende e brohorasin atë.

Politika nuk është luftë për eliminimin e kundërshtarit por shërbim interesit publik

Z.Lubonja, a mendoni se ka ndryshuar diçka në mënyrën e rekrutimit të specialistëve në administratën tonë? Sepse, po të bësh një vëzhgim përciptazi, dallon seministritë dhe strukturat që varen këtej janë sërish të dominuara nga njerëzit e partive, apo të atyre që
dhanë kontribute në fushatë. Kur dhe si mund të rregullohet ky mekanizëm që të sigurojë përfshirjen e më të mirëve?

Është kështu si thoni ju ndonëse kam përshtypjen se vitet kanë sjellë edhe ndonjë diferencë sado të vogël në favor të moszevendësimit të gjithkujt. Sipas gjykimit tim para se të kërkosh mekanizmin e rregullimit duhen parë shkaqet pse ndodh kështu. Ka disa arësye kryesore pse në administratë ne shohim militantët e partisë që vjen në pushtet në vend të meritokratëve ose mbi shpinë të tyre. Nëse ju kujtohet konceptin e meritokracisë e futi Nano i pari dhe nuk mund të harrojmë se shumë shpejt i erdhi reagimi i parë, edhe nga të vetët, që i quajti meritokratët e Nanos “shkërdhatokratë”. Arësyeja, siç ta sugjeron edhe kjo neologjizëm, është mungesa e moralit në politikë në kuptimin e mungesës së atij virtyti që Monteskië e quan “virtyti politik i demokracisë”. Le ta citoj edhe një herë këtë thënie të Monteskës që e kam komentuar dikur gjatë në një shkrim: “Virtyti politik (i demokracisë) është heqja dorë nga vetvetja, gjë që është shumë e lodhshme për tu duruar. Ky virtyt konsiston pikërisht në vënien në mënyrë të vazhdueshme të interesit publik mbi atë privat”. Tek mungesa e këtij virtyti është problemi. Tek ne ende mbizotëron mendësia e padurimit për të hyrë në politikë jo me mendimin se kështu do t’i shërbejnë interesit publik, madje jo vetëm brezave që jetojnë, por edhe atyre që do të vijnë, por me mendimin se politika do tu shërbejë interesave të tyre private, madje imediate. E në këtë drejtim interesat janë dy llojesh shpesh të lidhur me njëri tjetrin si dy anë të medaljes: pushteti dhe paraja. Të dyja këto të çojnë tek militanti. PD në këtë drejtim kishte edhe një “handikap” të madh sepse të vetët qëndruan tetë vjet në opozitë duke parë nga stolat e opozitës se si socialistët duke ndejtur në kolltuqet e pushtetit po pasuroheshin e po zhvillonin bizneset e tyre në mënyrën më të paturpshme. Po t’i shtosh kësaj edhe polarizimin e fortë të jetës politke, që prap ka në themel mungesën e virtytit politik të demokracisë, militanti është ai që i bën të dy palët të ndjehen më të sigurtë se po mbrohen pushteti dhe interesat e tyre. Akoma nuk është kuptuar se politika nuk është luftë për eliminimin e kundërshtarit por shërbim interesit publik. E në këto kushte do të thoja se kur një ministër i sapoardhur në pushtet hyn në zyrën e tij duket sikur nuk e ndërton dot bashkëpunimin normal me paraardhësit e vendosur atje nga kundërshtari. Ky deformimim i misionit të politikës e bën të shohë tek punonjësit që ka gjetur sabotatorë tek të cilët nuk beson sa duhet të cilët, nga ana tjetër, shpesh vërtet me humbjen e pushtetit të partisë së tyre nuk kanë ndonjë interes të punojnë në atë administratë pasi mendojnë se përfitimet tani do të rrjedhin nëpër kanale të tjera.
Si mund të ndryshojë kjo situatë? Duke ndërruar morali i politikës nëpërmjet shembullit të më të mirëve do të thoja, shembullit të atyre që nuk pajtohen me këtë realitet dhe i kanë vënë vetes misionin ta ndryshojnë. Kjo kërkohet në nivelete larta më së pari, por edhe në nivele administrate. Kur dikush jep prova se ka punuar në një vend me ndershmëri, përkushtim dhe profesionalizëm ndaj interesit publik jo vetëm që inspiron edhe të tjerë, por është edhe shumë më e vështirë të hiqet nga ai vend pune. Po ashtu ajo që kërkoni mund të arrihet edhe duke u përkrahur sa më shumë, edhe nga pikpamja e hartimit të ligjeve, ngritja dhe ekzistenca e insitucioneve jeta e të cilëve nuk varet nga partitë kryesore dhe nga ndërrimi i pushtetit midis tyre. Duke u luftuar pra ajo paranojë e dy partive kryesore të cilat nuk kuptojnë dot se mund të ekzistojnë insitucione ku ata nuk kanë përfaqësuesit e tyre, vulën e tyre, pushtetin e tyre e që ka bërë që thuajse gjithshka të jetë ndarë midis tyre: mediat, bizneset, shoqëra civile, e të tjera. Por mbi të gjitha mendoj se këtë situatë mund ta ndryshojë presioni i shumicës e cila kërkon që politika t’i shërbejë e jo t’i shfrytëzojë e grabisë. Shoqëria duhet ndërgjegjësuar gjithnjë e më shumë se ky presion nuk duhet të ushtrohet vetëm ditën e zgjedhjeve, por duhet të gjejë fomat dhe mënyrat për të qenë gjithmonë i pranishëm dhe aktiv.

Po bëhet një vit nga qeverisja e Berishës. Në një analizë të shpejtë, çfarë do të veçonit si tre nga
arritjet që mund t'iu kujtohen, dhe në të kundërtën, tre dështime që mund të ndërmendni?

E kam të vështirë t’i rradhis në mënyrë mekanike tre gjëra pozitive dhe tre negative sepse nganjëherë gjërat janë më të komplikuara ngase të lidhura me njëra tjetrën e, po ashtu, ngase shpesh tek e mira mund të gjesh edhe të keqen dhe e kundërta. Psh. lufta kundër korrupsionit është pa dyshim një gjë e mirë, por përdorimi i tij në mënyrë selektive për të eliminuar kundërshtarët apo mbështetësit e tyre është gjë e keqe.
Megjithatë shpejt e shpjet do të veçoja ndër tre gjërat më pozitive: eliminimin e disa bandave që veç tjerash ishin tregues se deri në ç’shkallë kishte degraduar shteti; buxhetin shtesë që duket se vjen si rezultat i një funksionimi më të mirë të vjeljes së detyrimeve ndaj shtetit si dhe aksionin e pastrimit të disa ambjenteve publike nga uzurpimi që i kishin bërë privatët sipas një modeli krejtësisht pervers që ndërtuan socialistët e që çoi në kapjen e shtetit.
Siç e shihni vendosa tre gjëra që sipas meje tregojnë “urinë” e madhe që kanë njerëzit për të parë një shtet që nuk është më në duart e bandave e të privatëve që e përdorin atë për qëllimet e tyre, por duhet të funksionojë në funksion të interesit publik. Nëse do të rendisja tre të këqija edhe ato do t’i gjeja në mangësitë ndaj kësaj “urie”, që i ka lënë qytetarët ende në gjendje “urie” për shtet të ligjit e të barazisë përpara ligjit. Më së pari do të vendosja prirjet selektive që vihen re në kërkesën për zbatimin e ligjit, të cilat me kohën të çojnë në të njëjtën qafë: tek kapja e shteti nga ata që nuk goditen e në mungesën e moralit për të dënuar të tjerët pastaj. Së dyti, prirjet selektive që vihen re në kërkesën për zbatimin e ligjit, të cilat me kohën të çojnë në të njëjtën qafë: tek kapja e shtetit nga ata që nuk goditen e në mungesën e moralit për të dënuar të tjerët pastaj; së treti prirjet selektive që vihen re në kërkesën për zbatimin e ligjit, të cilat me kohën të çojnë në të njëjtën qafë: tek kapja e shteti nga ata që nuk goditen e në mungesën e moralit për të dënuar të tjerët pastaj. Preferova ta vendos tre herë të njëjtën gjë jo vetëm për ta theksuar se sa e rëndësishme është kjo, por edhe sepse gjithshka tjetër do të vendosja është variacin i kësaj të keqeje. Sepse do të përmendja psh. atë që thatë ju: vendosjen e militantëve e jo të meritokratëve në shumë poste. Por a nuk është ajo shprehje e kësaj të keqeje të seleksionimit, tek e fundit? Mund të vendosja edhe një lloj pafuqie që vihet re gjithnj e më shumë për tu shkuar gjërave deri në fund me forcën e ligjit. Por a nuk është edhe ajo refleks i selektivitetit pasi ky të heq forcën morale për ta zbatuar ligjin deri në fund e ndaj kujtdo?

Po i afrohemi pjesës së fundit të këtij viti. Ishte parashikuar që Kosova do të merrte pavarësinë brenda vitit 2006. A jeni optimist për këto afate, dhe nëse jo, cilat mendoni se janë pengesat?

Nuk bëj pjesë ndër ata që kanë informacionin më të mirë e më të bollshëm për atë që po ndodh, por, me sa i ndjek lajmet dhe komentet nuk jam shumë optimist se 2006 do të na japë një datë që do të shënohet në histori si data e pavarësisë së Kosovës. Meqë ra fjala po rikujtoj edhe një herë faktin se edhe 28 nëntori 1912 nuk është data reale se kur fitoi Shqipëria pavarësinë. Ajo u fitua më 1913 pas mbarimit të bisedimeve e marrëveshjeve midis fuqive perëndimore dhe Turqisë. Ndoshta mund të kemi një situatë të ngjashme edhe tani në Kosovë ku tjetër të jetë data kyçe apo vendimtare që kthehet edhe në mit dhe tjetër data formale.
Pengesat që gjërat të bëhen me një datë të vetme janë shumë sipas meje dhe përgjithësisht i kemi ndjekur gjatë gjithë këtij procesi. Më së pari janë ato që burojnë nga konteksti gjeopolitik i sotëm i marrëdhënieve ndërkombëtare. Kam përshtypjen se ndërkombëtarët, që janë edhe aktorët kryesorë në këto negociata, kanë kundërthënie midis vetes përsa i përket vendosjes së statusit të Kosovës, veçanërisht pavarësisë. Janë kundërthënie që lidhen sa me problematikën që hap krijimi i precedentit të ndryshimit të kufijve aq edhe me ekuilibret e sotme të brishta në kuadrin e luftës kundër terrorizmit. Përshtypja ime është se mjafton kjo që ata të kenë tërë interesat që kjo të shtyhet edhe ca. E kjo nevojë për shtyrje ka edhe justifikim të fortë në kontekstin e rajonit veçanërisht kur ke parasysh se reagimet e fundit të Serbisë nuk mund të mos jenë shqetësuese dhe shtyrëse e, po ashtu, po të kesh parasysh se shqiptarët nuk konsiderohen të përgatitur ashtu dhe aq sa duhet për të marrë në duart fatet e veta e për ta drejtuar Kosovën me këto duar në rrugë të mbarë e demokratike. Kuptohet se nga ana tjetër edhe shtyrja ka problemet e veta sepse kjo gjendje e tejzgjatur e një vendi anormal siç është Kosova, me kufij dhe pa kufij, me qytetarë të vetët dhe pa qytetarë të vetët, me qeveri të vetën dhe pa qeveri të vetën mund të konsiderohet edhe dështim e dështim do të thotë edhe fillim nga e para. Për momentin duket sikur rruga e suksesit dhe rruga e dështimit ecin bashkë si dy korsi autostrade. Nuk di të them se cila do të ishte pika ideale ku do të lihej përfundimisht rruga që të çon për nga dështimi dhe thellimi i tij, sikurse shpresojmë e do të merrej rruga e suksesit përfundimtar. (Rubrika Përpjekja, Standart, 16 shtator 2006)

“Uji i ndotur” dhe Nano

Skena politike shqiptare është bërë ndoshta më intriguese se kurrë me rifutjen në lojë të Fatos Nanos i cili ka zgjedhur një moment interesant për ta bërë këtë. Është folur mjaft kohët e fundit për mundësinë e kthimit të Nanos, por shumëkush nuk e ka besuar si të mundur. Një pjesë e ka menduar si të pamundur për shkak se ka pasur besim se Edi Rama do të ishte më i aftë nga çështë treguar për të krijuar një shpresë të re nga hiri i PS të djegur nga korrupsioni; një pjesë tjetër sepse, duke besuar serizosht në premtimet e Berishës për të luftuar korrupsionin, ka menduar se këto premtime do ta mbanin Nanon larg pretendimeve për tu kthyer në pushtet; kurse të tjerë sepse kanë menduar se LSI do të mbyllte dy porta të rëndësishme prej nga mund të hynte Nano në politikë: atë të luftës kundër korrupsionit mafjoz në PS si dhe atë të ekzistencës së një force politike në opozitë të aftë për të dialoguar me PD.
Ndërkohë që e kemi më të vështirë të flasim me bindje se Berisha është një faktor me rëndësi në këtë zhvillim e kemi më të lehtë të shohim se Nano ka gjetur momentin e duhur për të rihyrë në lojë mu pse janë tronditur shumë këto tre besime.
Për të rihyrë në lojë Nanos i duheshin tre gjëra: një krizë e PS dhe aleatëve të saj, një krizë e PD si dhe një premtim i ri. Krizën e PS duket se e ka sepse gjatë këtij viti lideri i saj agresiv Rama, me konfliktualitetin e tij gjenetik, (mjafton të shikosh faqet e ZP për të kuptuar se në çfarë gjendje është katandisur politika e partisë që ka qeverisur për tetë vjet vendin) nuk ka prodhuar dot politikë, por veçse obstruksionizëm destruktiv. Po ashtu Rama është treguar i paaftë të mbajë sëbashku tërë ato interesa brenda PS që tani janë në krizë, jo vetëm për shkak të metodave të tij të keqkomunikimit, por edhe pse nuk ka më pushtetin që ka patur më parë për të shpërndarë leje ndërtimi e favore të tjera. Kështu Nano gjen një moment të përshtatshëm për të hyrë në politikë edhe duke na rikujtuar aftësitë e tij prej moderatori dhe dialoguesi si brenda partisë ashtu edhe me kundërshtarët, të cilat askush nuk ia mohon dot. Duke deklaruar se e “shqetëson institucionalizimi i një konflikti të egër dhe të vjetër në politikën shqiptare.” se “marrëveshja më e fundit midis përfaqësuesve të moderuar kërkon investimin e autoriteteve kryesore të dy kampeve dhe konsolidimin e saj me një pakt më të gjerë se sa kaq dhe të garantojnë një bashkëjetesë politike dhe institucionale sidomos për çështjet e integrimit të vendit...” kuptohet qartë se Nano e ka fjalën se është ai dhe jo Rama që mund të garantojë, sëbashku me Berishën, këtë marrëveshje që, pa dyshim, edhe pse ai nuk e thotë, nënkupton deri zgjedhjen e tij president dhe implikimet që ka një zgjedhje e tillë për shpresat e opozitës për ta shfrytëzuar këtë moment.
Ndërkaq Nano ka edhe një mbështetje jo të vogël, pavarësisht se e heshtur, që buron nga një krizë e PD, kryesisht nga mospasja e një numri të qëndrueshëm deputetësh në parlament për zgjedhjen e presidentit, por edhe nga aktiviteti destruktiv i PS dhe sigurisht nga mosekzistenca e një force morale të qëndrueshme në atë parti. Berisha ka nevojë të qeverisë ndërkohë që Rama, pa e kuptuar se nuk jemi më në 96-97 tën, nuk po do ta lerë të qeverisë dhe në një farë mënyre e ka futur në krizë edhe PD me krizën e tij. Në këto kushte, për të realizuar qëllimet e tij, Berisha duket se fare mirë mund të pranojë një kompromis të heshtur ose të hapur me Nanon. Por edhe në rastin më të keq mjafton sherri brenda PS për t’i krijuar Berishës hapësirë më të qetë veprimi.
Ndërkaq, sipas deklarimeve në shtyp të njërit prej mbështetësve të Nanos deputetit Balla, Nano duket se ka edhe një premtim të ri për të na ofruar, një Katarsis 2. Pas një viti agjërim duke patur parasysh më një anë se sa të shkurtër e kanë kujtesën shqiptarët, dhe, më anë tjetër, faktin se ata që ka rrotull janë të gjithë të korruptuar, duket se ai tenton sërisht të hedhë premtimin që e bëri më popullor se kurrë ndonjëherë në karrierën e tij kur shpalli fushatën për katarsis. Duke e hedhur të keqen tek Rama & Co, përkundrazi, ai shpreson të marrë edhe një herë në dorë flamurin e moralitetit në PS. Dhe ai di më mirë se kushdo ta ndalojë atë në momentin e duhur, pra deri atje sa të heqë qafe kundërshtarin siç bëri me Metën. Prej kohësh ai ka hedhur tezën se katarsisin nuk e vazhdoi dot për shkak të të tjerëve. Në këtë kontekst lëvizja e Nanos duket se është prap në kohën e duhur edhe duke patur parasysh se ai ka pritur sa të dikreditohet LSI në këtë aspekt, e cila nuk mund të luajë më rolin e partisë që u shkëput nga PS për shkak të luftës kundër korrupsionit që e identifikonte me Nanon dhe me Ramën e po ashtu duket se është vënë në një pozicion ku i bëhet e pamundur loja midis PD dhe PS.
Me një fjalë Nano si pokerist i vjetër që ka ditur ta luajë bllofin ndoshta më mirë se kushdo tjetër duket se i ka dalë ose bën sikur i ka dalë asi në dorë e po luan/bllofon përsëri. (Pa dyshim prapa ka interesa të prekura biznesmenësh e politikanësh e më the të thashë siç i ka pasur edhe në kohën e katarsisit 1). Në fakt askush nuk di të thotë me siguri nëse midis tij dhe Berishës ka ndonjë marrëveshje për president më 2007. Një dorë e shtrënguar diku në një festë midis tij dhe Berishës e shoqëruar me një batutë apo një rrugëtim sëbashku për në Bari, apo mbizotërimi në kulturën tonë politike të thënies “Armiku i armikut tim është miku im” janë, megjithatë, të mjaftueshëm për të luajtur lojën/bllofin. Askush nuk beson më se luftën kundër korrupsionit ai mund ta bëjë për katarsis, por ndërkaq mund të besohet fare mirë se ai mund ta bëjë atë - në petkun e një presidenti që nuk mbron të kapurin nga mafja, Sollaku, - për të pastruar disa kundërshtarë të tij që janë edhe të Berishës. Këto hamendje nuk mjaftojnë, sigurisht, për të krijuar sigurinë se Nano ka një as vërtet në dorë nëse dikush do t’i përgjigjej lojës/bllofit me kërkesën e hapjes së kartave, por ja që Nanon e kanë futur në lojë.
Këto janë disa komente të para që do të mund të bëheshin kësaj ngjarje të cilat në ditët në vazhdim pa dyshim kanë nevojë për thellim dhe zgjerim në ndjekje edhe të hapave të tjera që do të hedhë Nano. Por do të ishte të bije në gracën këtyre pokeristëve, që shpesh është edhe grackë e pokeristëve të shtypit shqiptar në tërësi, sikur në këto komente dhe analiza të para të mos shtroje edhe një pyetje tjetër që është edhe më e rëndësishmja për të mos thënë e para që duhet shtruar. Mirë se komentuam çfarë fiton e humbet Nano me këtë lëvizje, Berisha, Rama apo Meta & Co, po Shqipëria a fiton apo humbet nga kjo lëvizje dhe në ç’mënyrë ajo mund të fitojë e në ç’mënyrë mund të humbasë?
Nëse do të kërkojmë anën pozitive të kësaj lëvizjeje të Nanos duhet të aplikojmë shprehjen e një politikani të njohur gjerman i cili, duke folur për ndotjen gjatë nazizmit të figurave të ndryshme që drejtuan më pas Gjermaninë ka thënë: ”Nëse nuk ke ujë të pastër, uji i ndotur nuk hidhet” Në fakt historia e tranzicionit shqiptar është historia e rrethqarkullimit të një uji të ndotur për shkak të mungesës së ujit të pastër.
E si mund të hyjë në punë “uji i ndotur” Nano në këtë rast? Sipas meje ai mund të hyjë në punë ashtu sikurse hyri në punë “uji i ndotur” Meta para një viti për të ndërgjegjësuar Shqipërinë për rrugën e mbrapshtë ku ka hyrë përsa i përket kapjes së shtetin nga mafja. Sepse ndeshja e Nanos me Ramën sikurse pritet të ndodhë, e dialektika që ajo mund të prodhojë do të nxjerrë edhe më në pah nevojën për ndryshim të këtij sistemi të autoritarizmit mafjoz që kemi ndërtuar. Në fakt është folur shumë për katarsisin 1 të Nanos duke i përmendur vetëm anën negative: atë që Nano e la në mes ose më saktë e përdori si mjet për qëllime krejt të tjera nga pastrimi i vërtetë i partisë dhe i vendit nga të korruptuarit. Por nuk mund të mohojmë se, nga ana tjetër, katarsisi 1 i Nanos përbën edhe një moment të rëndësishëm në historinë e vendit pasi kritikat e hershme për “kleptokraci”, “shkërdhatokraci” që u pasuan me ato për ndërtim sistemi korrupsioni e kapje të shtetit nga majfa, që deri atëhere ishin kufizuar në kritikat e një numri gazetarësh, u artikuluan politikisht dhe, që prej atëhere, edhe kur i la Nano, i mori në dorë Berisha duke i bërë si prioritetin e prioriteteve të vendit. Me një fjalë Nano, pa dashjen e tij ose më saktë edhe kundër dashjes së tij solli atbotë edhe diçka pozitive.
Por nga ana tjetër “uji i ndotur” Nano i cili që nga koha e katarsisit e këtej ka vazhduar të ndotet gjithnjë e më shumë sëbashku me politikën shqiptare, duke rihyrë në politikë, do të përforconte të keqen më të madhe që ka sipas meje politika dhe politikanët në Shqipëri: mungesën totale të moralitetit e të besimit në qëllimet e tyre të mira. Berisha nëse do të pranonte që këtë bllof të Nanos ta shtynte deri në pranimin e tij si President do të fundoste çdo shpresë se në këtë vend do të ketë sadopak drejtësi. Çfarë depresioni!
E kështu, mungesa e ujit të pastër për shkak të një rine që korruptohet gjithnjë e më shpejt nga lakmia për tu bërë si etërit, shtron për të disatën herë një alternativë dramatike para së cilës ndodhen shqiptarët në raport me klasën e tyre politike. Më një anë kemi kërkesën aq të munguar për moralitet në politikë që s’ka si shprehet më bukur sesa me thënien romake “E mira qëndron në qëllimin e jo në mjetin”, sipas së cilës kur qëllimi është i keq veprat/mjete që mund të duken të mira (siç është psh. sot lufta kundër korrupsionit) nuk janë të mira, por i shërbejnë të keqes; si dhe atë tjetrën sipas së cilës “Rruga për në Parajsë kalon nëpërmjet Ferrit“ e cila nënkupton se shumë vepra e mjete edhe pse nisur nga qëllime të këqija mund të bëjnë mirë.
Mbetem i mendimit se vetëm forca e shumicës qytetare e frymëzuar nga ëndrra për një jetë me më shumë drejtësi, moralitet, demokraci dhe liri mund të imponojë zgjidhjen më të mirë në mes të kësaj alternative dramatike. Prandaj edhe Nanot edhe Berishët edhe Ramët e kushdo qoftë që aspiron të merret me politikë duket ta ndjejnë veten gjithnjë e më shumë në presionin e kësaj ëndrre qytetare, të shtërnguar gjithnjë e më fort të bëhen vetëm e vetëm mjete të saj. (Korrieri 7 shtator 2006)