Wednesday, May 30, 2007

Përgjegjësia e shumëfishtë e krizës

Viti 2006 po mbyllet nën shenjën e krizës politike të bojkotit të zgjedhjeve dhe me shpresën se viti 2007 do të na sjellë zgjidhjen e saj. Por këtë nuk është se do na e sjellë dhuratë Plaku i Viti të Ri duke ua vënë tek koka e krevatit fëmijëve tanë të rritur të politikës teksa ata do të jenë duke bërë një gjumë të thellë. Në fakt ata edhe natën e 31-it do të jenë duke e kaluar pa gjumë duke bërë plane si tua hedhin njëri tjetrit madje edhe vetë Plakut të Vitit të Ri. Megjithatë një pjesë e tyre apo një pjesë e mendjes së tyre besoj se ka filluar ta ndjejë peshën e përgjegjësisë për gjendjen ku e futën vendin jo aq nga vrasja e ndërgjegjes sesa nga halli. Prandaj duam s'duam do të vazhdohet të komentohet përgjegjësia e kësaj krize edhe në këto ditë festash të baltosura keq nga politika.
Nuk mund të mos tërheqë vëmendjen fakti se mazhoranca, kur flet për krizën e krijuar me bojkotimin e zgjedhjeve, e ka përqendruar thuajse krejtësisht përgjegjësinë e krijimit të saj tek emri Edi Rama. Ka opozitarë që i referohen karakterit të tij thellësisht konfliktual, ka që e shpjegojnë me frikërat personale të humbjes së pushtetit të cilat ia ka transmetuar krejt partisë, ka që e lidhin krizën e tij me faktin se kryetari i PS nuk është në Parlament apo edhe me versione të tjera. Ndër to edhe një version psikologjik, sipas të cilit Rama vuan një 97-të të munguar sepse asokohe ai iu përvodh luftës, e tani kërkon ta kompensojë frustrimin e asaj ikjeje nga lufta duke krijuar një 97 të re. Një pjesë e këtyre shpjegimeve mund të qëndrojnë ashtu sikurse nuk ka dyshim se Edi Rama ka një rol protagonisti në këtë krizë dhe në përgjithësi në strategjinë opozitare të ndërtuar nga PS-ja gjatë këtij viti. (E thekson këtë perceptim ndarja e Metës së fundi.) Megjithatë ky është një shpjegim semplist dhe, sipas meje, një gabim jo i vogël në analizën e krizës. Megjithëse vullneti i një lideri në Shqipëri mbetet ende vendimtar për mirë apo për keq, - fatkeqësisht historia deri tani ka treguar më shumë për keq - çështja e kësaj krize të bojkotimit të zgjedhjeve nuk duhet të reduktohet kurrsesi në një emër dhe as edhe në një palë.
Përsa i përket opozitës, e cila, sipas meje, është përgjegjësja kryesore e kësaj krize, çështja duhet të shtrohet se interpret i kujt, i cilave interesa, është Edi Rama si ushtruesi kryesor i kësaj strategjie krizash të parreshtura. Sepse figura të tilla si Ilir Meta, Skënder Gjinushi, por edhe një pjesë figurash brenda Partisë Socialiste do të kishin fuqi t'i imponoheshin atij ose të paktën të dilnin me një zgjedhje ndryshe, sikurse doli Meta së fundi, sikur të mos ndanin të njëjtën strategji me Ramën. (Sipas mendimit tim tërheqja e tanishme e Metës duhet shpjeguar më shumë me qëndrimin kundër bojkotit të ndërkombëtarëve sesa me një bindje të brendëshme të këtij se kjo nuk ishte strategjia e duhur.) Në këtë krizë bojkoti të zgjedhjeve nga e majta ka shumë më tepër sesa vullneti i Edi Ramës apo edhe i një, dy, tre apo katër udhëheqësve të tjerë. Ajo është reflektimi i një krize të një kategorie më të gjerë. Për tu thelluar në shpjegimin e saj duhet të kthehemi prapa në kohën kur Rama u zgjodh Kryetar i PS. Dy kandidatët që u shfaqën për kryetar partie asokohe ishin Rama dhe Mejdani. Dallimi kryesor midis tyre ishte se Mejdani në projektin e tij shpalosi idenë e nevojës së pastrimit të partisë që, shkurt, do të thoshte një qëndrim më i gjatë në opozitë. Kurse Rama përfaqësoi interesat e atyre që i shqetësonte ky pastrim dhe që, në vend të qëndrimit të gjatë në opozitë, kërkonin rikthimin e shpejtë në pushtet. Pa dyshim qënia e Ramës në pushtetin lokal - sepse ai ishte jo pak, por kryetar i Bashkisë së Tiranës - e ndihmonte më shumë këtë strategji që, në një farë kuptimi, ishte strategji e vazhdimit të qëndrimit në pushtet. Edhe përdorimi vazhdimisht i cilësimit "pushtues" për mazhorancën nënkuptonte një strategji "çlirimi" sa më parë të asaj pjese të territorit të pushtetit që u ishte pushtuar. Kjo krizë, pra, është pjesë e strategjisë së një pjese të elitës sonë politike dhe të biznesit që ka humbur privilegjet që ka gëzuar deri dje kundër një pjese tjetër që po ia merr këto privilegje. Agresiviteti dhe paprincipshmëria që tregon sot kjo pjesë me në kryer Ramën është vazhdim i agresiviteti dhe paprincipshmërisë që treguan brenda PS ato ditë e net të Kongresit. Motivimi i tyre i mbajtjes së vendit në gjendje krize është diktuar nga frika e konsolidimit të pushteti të Sali Berishës qoftë pse ai mund të vendosë shtetin ligjor qoftë edhe në rastin - sipas mendimit tim më probabël - se ai në këtë mënyrë mund t'i nxjerrë jashtë loje në favor të interesave të të tijve. Edi Rama pra nuk është i vetëm në këtë lojë. Ai thjesht është instrumenti (sigurisht dhe pjesëtar) i kësaj pjese të elitës sonë politiko financiare e mediatike dhe kjo e bën fenomenin krizë shumë më kompleks dhe më të vështirë për tu zgjidhur.
Po a mund të konsiderohet vetëm opozita përgjegjëse e kësaj krize. Absolutisht jo. Vetë fakti që mazhoranca kërkon ta reduktojë krizën vetëm në një emër, a thua se me largimin e Ramës gjithshka midis saj dhe opozitës do të kthehet në dialog konstruktiv në emër të interesave të vendit, është tregues se ajo ka përgjegjësitë e veta jo të vogla në shkaktimin e saj. Po pse ajo ka vepruar kështu duke e përqendruar tek Rama shkaktarin? Sigurisht jo thjeshtë pse ky është bërë interpreti i saj kryesor, por edhe sepse është më e lehtë të gjesh një fajtor e ta linçosh sesa të analizosh fenomenin në tërë kompleksitetin e vet. Kjo mënyrë gjithashtu është më efikase tek njerëzit e thjeshtë të cilët duan një objekt të dukshëm ku të përqendrojnë urrejtjen. Por, duke vepruar kështu, mazhoranca ka synuar gjithashtu të ndajë opozitën duke i lëshuar Metës dhe Nanos sinjale që atyre u interesojnë në luftën për pushtetin tek e majta. Por edhe sepse kështu shmang ndeshjen me tërë atë kategori që qëndron prapa Ramës duke shpresuar në heshjen e një pjese të saj dhe në tërheqjen për kah vetja të pjesës tjetër.
Këto janë disa arësye, por jo më të rëndësishmet. Më e rëndësishmja, që është edhe matrica e tërë arësyeve që përmenda më sipër, sipas meje është se në këtë mënyrë mazhoranca shmang përgjegjësitë e veta jo thjeshtë për mosrealizimin e disa premtimeve për realizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, por mbi të gjitha përgjegjësitë që i takojnë asaj për mbajtjen e vendit në gjendje krize permanente. Ajo ka një përgjegjësi të vetën për krizën permanente që nuk mund ta fshehë pas deklarimeve se respekton Kushtetutën dhe vetëm atë. Përgjegjësia e saj kryesore sipas meje qëndron në atë se ashtu sikurse opozita e ka ndërtuar stretegjinë e saj mbi parimin e të qënit "kundër" diçkaje dhe jo "për" diçka edhe mazhoranca e ka ndërtuar të vetën mbi të njëjtin parim, të bërit politikë kundër opozitës dhe jo për vendin. Kështu ajo ka synuar ta shfrytëzojë strategjinë obstruksioniste të opozitës thjesht dhe vetëm në interesin e pushtetit të saj. Ka vepruar në atë mënyrë që opozita të qëndrojnë në këtë strategji dhe të bëjë mundësisht sa më shumë gabime që t'i japë më në fund një goditje përfundimtare diskredituese në sy të opinionit dhe të ndërkombëtarëve. Është strategjia e ngritjes gracka për kundërshtarin që ai të bjerë brenda. Ose, më saktë, është strategjia e atij peshkatarit që pasi i ka rënë peshku i madh në grep i lëshon herë pas here atij pe sa herë që ai kërkon të rebelohet e të ikë nga grepi, por gjithë duke e tërhequr pastaj drejt bregut ku synon ta presë copa copa e ta bëjë pastërma. Në këtë lojë mund të thuash se ajo ka fituar deri më tani, por a ka fituar vendi? Kurrsesi jo sepse kjo lojë politike synon eliminimin e kundërshtarit dhe jo ndërtimin e dialogut e kompeticionit me të në emër të interesave të vendit. Kjo strategji ka brenda farën e krizës së ardhshme.
Vështirë që Plaku i Vitit të Ri të na sjellë ndonjë dhuratë se si të dalim nga kjo gjendje - që është njëherësh krizë politike, kulturore dhe shpirtërore - ndërkohë që ne do të jemi duke pritur 1 janarin duke parë turli ëndrrash. Më shumë sesa ndërkombëtarët dhe vëzhguesit e tyre Plaku i Viti të Ri nuk ka çfarë të na sjellë, por këta kanë 15 vjet që ai na i sjell dhe nuk na bëjnë derman. Prandaj mbetem i mendimit se për të dalë nga kjo gjendje në 2007-tën e më mbrapa do të duhet të punojmë me mendjen zgjuar për të ndërtuar institucione tonat që do të kenë autoritetin e paanshmërinë e ndërkombëtarëve mbi çdo palë politike që do të krijojë kriza e konflite si ky i fundit, por edhe përgjegjësinë e shqiptarëve. (Korrieri, 30 dhjetor 2006)

Read More......

Bathorasit e politikës

Lajmi se zgjedhjet, mesa duket (por jo me siguri), do të shtyhen për në datën 18 shkurt është një lajm më së pari qetësues. Kjo sepse përndryshe do të kishim në vend një situatë që pas vitit 1997 do të konsiderohej më anormalja në këta 15 vjet dhe askush nuk i do situata të tilla për njëmijë arësye ndër të cilat edhe për shkak të imazhit që po vazhdojmë t’i japim familjes evropiane - e së cilës aspirojmë të bëhemi pjesë. Pra më mirë kështu sesa ashtu.
Por kjo “kështu” është një lajm që bashkë me këtë qetësim bart me vete edhe njëmijë shqetësime. Këto janë të gjitha të lidhura me faktin se është qetësuar një krizë e sëmundjes, por nuk është shëruar dhe as gjetur terapia për kurimin e saj. Dhe kjo të sugjerohet nga vetë komentet e para të kësaj ngjarjeje nga të dy palët. Lajmi trajtohet nga palët sikur të bëhet fjalë se kush fitoi më shumë pikë në këtë raund të ndeshjes së boksit ndërkohë që dy boksierët janë ulur në dy qoshet e tyre dhe po bëjnë pushimin e rradhës duke marrë freskun e rradhës nga peshqirtundësit përpara se të ngrihen të fillojnë raundin tjetër. Dhe kuptohet se ky raund tjetër parashikohet të jetë edhe më i ashpër sesa paraardhësi sepse është rritur kombativiteti e tensioni që po grumbullojnë këto zgjedhje. Ndërkaq duket sheshit se militantëve tifozë u intereson vetëm fitorja në fund dhe emocionet që u ngjall ndeshja, aspak cilësia e ndeshjes, dhe as numri i pafundëm i faullave që bëjnë boksierët e tyre të preferuar, as fakti se ata kanë marrë aq shumë të çara nëpër vetulla e hundë e gojë saqë një arbitër normal do të duhej t’i nxirrte jashtë luftimit.
Cili është shqetësimi më i madh ose shqetësimi i shqetësimeve që ngre kjo marrëveshje e rradhës për të shtyrë zgjedhjet? Sipas meje thelbi i shqetësimit qëndron në faktin se edhe kjo marrëveshje është bërë me një logjikë bathorase, dmth me logjikën e imponimit të faktit të kryer i cili, pasi shkel ligjin, bëhet më i rëndësishëm sesa vetë ligji për shkak të dëmeve që mund të sjellë zbatimi i tij, duke imponuar kësisoj dhunimin e tij. Dhe kjo është sëmundja e sëmundjeve të krejt politikës e politikanëve tanë. Berisha kot e ka që thotë se zgjedhjet janë brenda afatit kushtetues sepse del që ia paska futur kot deri dje kur ngulmonte se do të zbatonte vetëm Kushtetutën dhe po ashtu edhe Presidenti ia paska futur kot kur thoshte se zgjodhi afatin e fundit kushtetues. Nga sa kuptoj unë afati nga 20 janari më 20 shkurt është afati në të cilin do të duhej të garantohej ndrrimi i pushtetarëve lokalë. Por pikërisht ky qëndrim kësisoj ndaj ligjit, të cilin e interpretojmë si të duam kur të duam tregon sa sa e respektojmë ne atë. Por edhe opozita e ka kot që pretendon se në këtë mënyrë gjithshka do të mbetet brenda Kushtetutës e do të sigurojë standartet – paçka se vazhdon të na flasë për çertifikatat që kurrë nuk e morrëm vesh tamam se si e qysh do të përdoren për manipulim zgjedhjesh. Ata thjesht duan të gjejnë një dalje me nder nga qorrsokaku ku u futën. Dhe mirë bëjnë, tek e fundit. Éshtë më mirë që u ndalën në këtë pikë sesa konflikti të merrte edhe më tepër zjarr, por të mos na thonë se vunë në vend ligjin dhe standartet sepse atë/ato veçse i kanë dhunuar edhe më tej.
Sot të gjithë bëjnë kalkulimin se cili del më i fituar dhe cili del më i humbur nga kjo shtyrje. Përsa u përket të dy palëve që ndeshen në ring ato kanë fituar e humbur diçka në këtë raund të ndeshjes. Berisha ka humbur edhe disa pikë të tjera përsa i përket perceptimit të figurës së tij si politikan i vendosur për të instaluar shtetin ligjor në Shqipëri. Po ashtu kjo do t’i faturohet si një kompromis i radhës me sistemin e korrupsionit që ka premtuar ta luftojë, por, nga ana tjetër, ka fituar ndonjë pikë në funksion të përmirësimit të imazhit të viteve 1992 – 1997 të njeriut autoritar që nuk e njeh dialogun dhe konsensusin. Ndërkaq fakti që nuk arriti t’ia mbyllë gojën opozitës duke i realizuar disa premtime mbi standartet e përforcon një perceptim ekzistues mbi joefektshmërinë apo jovullnetin e duhur të qeverisjes së tij. A do të humbasë ndonjë pikë më shumë nga konsumimi i elektoratit nga një muaj më shumë dimër? Kam përshtypjen se jo edhe aq sepse njerëzit e dinë se edhe ky dimër pa drita është rezultat i të dy palëve që po grinden jo i njërës palë vetëm. Ndërkaq opozita, sipas gjykimit tim, ka humbur diçka më shumë nga çka fituar nga kjo shtyrje. Kjo sepse ky sherr kryesisht iu faturua asaj duke i dhënë imazhin e një opozite krejt të papërgjegjshme, të drejtuar nga fëmijë të rritur, dhe, nga ana tjetër, sepse brenda një muaji zor se do të mund të përmirësohet ndonjë gjë serioze përsa i përket të ashtuquajturve standarte. Jo vetëm, por kjo krizë sikur e fokusoi shumë më tepër elektoratin që të votojë në mënyrë referendare për fajtorin e kësaj krize dhe kjo do të largojë edhe ca vota të tjera nga PS.
Megjithatë ndoshta jam i gabuar në këto vlerësime. Por për një gjë jam shumë më i sigurt kur flas: se historia e kësaj krizë do të njohë edhe një herë, si përherë, humbësin e sigurt: ligjin dhe Kushtetutën. Po ashtu për një gjë jam shumë më i bindur: se kjo histori përforcoi edhe më në elektoratin e gjerë mendimin se drejtohet nga një klasë politike e papërgjegjëshme, e cila, mu pse e ka shkelur e nëpërkëmbur tradicionalisht ligjin e Kushtetutën, vazhdon ta bëjë këtë e do të vazhdojë ta bëjë derisa të jetë në skenën politike. Me fjalë të tjera, mënyra se si u krijua, menaxhua dhe qetësua kjo krizë (nuk guxoj të them u zgjidh) ishte një fitore e rradhës e tërë kësaj klase politike (en bloc) ndaj ligjit dhe Kushtetutës, ishte një fitore e rradhës e atyre që e vendosin veten mbi ligjin ndaj atyre që i shohin nën ligjin, ishte një fitore e bathorasve të politikës që u thelloi atyre statusin e paprekshmërisë dhe pandëshkueshmërisë të fituar me kaq e kaq bëma e aventura të mbrapshta në kurriz të qytetarëve që kanë respekt për ligjin.
Megjithatë ne prap ndjehemi të qetësuar që ata u qetësuan (apo po qetësohen) sepse në mungesë të tyre nuk kemi gjë tjetër. Por a duhet ta interpretojmë këtë mungesë duke thënë se nuk meritojmë gjë tjetër apo duhet të fillojmë të kërkojmë seriozisht të meritojmë diçka tjetër? Them se ky varianti i dytë është më i shëndetshëm. (Korrieri, 28 dhjetor 2007)

Read More......

A duhet bërë më keq që të bëhet më mirë?

Gjëja më revoltuese, por edhe më absurde edhe më e papranueshme edhe më e neveritëshme edhe më e patolerueshme që e ka karakterizuar politikën dhe politikanët tanë (historikisht) është ushtrimi i atij "pragmatizmi" të papërgjegjshëm dhe arrogant sipas të cilit në luftën politike mund të përdoret çdo mjet pa përfillur se këto "mjete" mund të jenë krejtësisht kundër interesit të shoqërisë. Në versionin më të egër këtë lloj "pragmatizmi" sot për sot them se e gjejmë në Irak ku, për t'ua bërë të pamundur amerikanëve dhe irakenëve pro tyre qeverisshmërinë, grupet ekstremiste e terroriste kryejnë atje aksione vetëvrasëse që po masakrojnë me qindra mijë të pafajshëm.
Besoj se të gjithë e dimë se me këtë frymë ka qenë dhe kështu ka mbetur politika jonë. Kjo nuk përbën lajm. Nuk do shumë mend për të kuptuar se opozita jonë uron natë e ditë të ketë borë, të mos ketë drita, të kemi tërë vështirësitë e mundëshme në mënyrë që qeveria të bjerë mundësisht një sahat e më parë, se gjëja e fundit që opozita do me të vërtetë është që qeveria të krijojë standarte të zgjedhjeve pale të ketë edhe ndonjë sukses. Tek e fundit a nuk e ka quajtur Edi Rama vazhdimisht këtë mazhorancë forcë "pushtuese"? Por, nga ana tjetër, nuk do shumë mend për të kuptuar se edhe mazhoranca uron që opozita të bëjë sa më shumë gabime, mundësisht edhe të mos hyjë në zgjedhje vetëm e vetëm që ajo të ketë një pushtet të patrazuar. Mjafton që mazhoranca të ketë mbështetjen e ndërkombëtarëve.
Ajo që mund të thuhet kur ndeshesh me situata si kjo e këtij dimri, që ka venë në rrezik edhe mbajtjen e zgjedhjeve në vend dhe që rikthen në skenë imazhin e një Shqipërie njerëzish primitivë, parademokratikë, është se ky lloj pragmatizmi ka periudhat e tij kur ushtrohet në mënyrë paqësore dhe periudhat kur ushtrohet me virulencë. Këtë dimër kemi hyrë në një nga fazat e tij shpërthyese që na bëjnë të mendojmë më shumë për të.
Periudhën virulente, si kjo që po kalojmë, me fjalë të tjera mund ta sintetizojmë me thënien e njohur "duhet bërë më keq që të bëhet më mirë", por në versionin e saj më të mbrapshtë sepse kjo thënie përmban edhe një urtësi në vetvete. Në versionin tonë kjo thënie ka kuptimin "duhet ta bëjë pala jonë gjëndjen sa më keq për palën tjetër që të bëhet sa më mirë për palën tonë".
Po t'i kthehemi historisë së këtyre dy partive do të arrijmë shpejt në përfundimin se nuk ka se si të jetë ndryshe sepse kjo klasë politike e ka në genin e saj të trashëguar prej nënës nga ka dalë këtë lloj pragmatizmi. (Enver Hoxha arriti e izoloi Shqipërinë për pushtetin e tij, me pasoja llahtarisht shkatërruese.) Le të mos harrojmë se PD-ja në periudhën e vitit 91, pasi humbi zgjedhjet e para më 31 mars, filloi një aksion destabilizimi që rezultoi me plaçkitje e shkatërrime masive tronditëse? Filozofia ishte se duhej krijuar një gjendje sa më e keqe për qeverinë që ajo të deklarohej e pafuqishme e të deklaronte zgjedhje të parakohëshme. E në fakt aksioni pati sukses ndonëse duhet pranuar se kishte asohere shumë faktorë edhe psikologjikë që e justifikonin atë. Edhe 97-ta u karakterizua nga kjo filozofi e ushtruar nga të dy palët do të thoja. Opozita mezi e priti krizën e krijuar nga rënia e piramidave sepse, kur iu vodhën votat më 96, nuk qe në gjendje të bënte ndonjë lëvizje të vërtetë politike qytetare. Edhe kur kriza arriti kulmin mendoi vetëm për pushtetin e vet. Por, nga ana tjetër, Berisha preferoi të krijohet një situatë kaosi e lufter civile Veri - Jug, që do të krijonte sjelljen e ndërkombëtarëve, më parë se të largohej.
Që nga ato vite e deri tani shumëçka ka ndryshuar. E këtu vlen të reflektohet mbi atë se sa kemi përparuar në uljen, tek ky lloj pragamatizmi, të papërgjegjshmërisë së politikanëve tanë - si tregues të ecjes sadokudo përpara të demokracisë si pushtet i popullit. Sot kërkush nuk mund të ndërmarrë akte destabilizuese si ato të një dekade më parë me shpresën se kjo do ta sjellë në pushtet. Po sa i dedikohet kjo politikanëve tanë dhe sa njerëzve? Besoj se kryesisht kjo i dedikohet njerëzve të thjeshtë të cilët edhe kanë fituar më shumë pjekuri politike për të mos i ndjekur politikanët tanë në aventura shkatërruese, por edhe ngase e njohin tashmë klasën politike me të cilën kanë të bëjnë e nuk ushqejnë iluzione, por edhe sepse procesi i privatizimit ka lënë më pak hapësira për shkatërrim. Me një fjalë, në këtë aspekt, edhe kemi bërë disa hapa përpara në krahasim me vitet 90. Por, nga ana tjetër, në krahasim me kërkesat minimale për tu quajtur demokraci jemi ende mbrapa dhe kjo sepse, sikurse e thashë edhe më lart, thelbi i pragmatizmit të ndërtuar mbi punën e keqe të kundështarit dhe jo mbi punën më të mirë tënden ka mbetur po ai në politikën tonë. A nuk ishte kështu edhe në kohën relativisht paqësore të Nanos kur ky i thoshte Sali Berishës ti je karta më e mirë që kam unë për të ndejtur në pushtet duke patur parasysh se ky kishte kredibilitetin më të dobët për shkak të 97-tës?
Kriza e këtij dimri e ka rritur opinionin se ka ardhur koha për të gjetur mënyrat për t'i dhënë fund këtij lloj pragamatizmi të mbrapshtisë sepse njerëzit janë vërtet të lodhur tej mase e tejet të masakruar prej tij. Ndoshta edhe fakti se, për koincidencë, i njëjti pragmatizëm po shfaq virulencën e tij këtë dimër edhe në Kosovë, ku politikanët kanë hapur një lufte klanore për pushtet pa përfillur dëmin që i sjell ky sherr çështjes së statusit e se po i veçojnë shqiptarët si populli më primitiv e më parademokratik në Evropë, ka ndikuar në rritjen e kësaj ndjeshmërie. Kjo situtatë, pra, nëse do ta përdorim pozitivisht thënin "duhet bërë më keq që të bëhet më mirë", - duke pranuar se e keqja e ka arritur pikën e saj kulmore, - duhet të shërbejë për të na ndërgjegjësuar se ka ardhur koha e lindjes së një fryme apo edhe lëvizjeje qytetare kundër kësaj kulture politike të pragmatizmit të papërgjegjshmërisë dhe arrogancës. Sipas meje, ajo, në thelbin e vet kulturor, duhet të kërkojë rritjen e aftësisë për të racionalizuar e për të vështruar përtej të sotmes e përtej vetvetes; ajo duhet të ketë dy parime kyçe në qendër të saj si kundërvënie ndaj kësaj të keqeje: parimin e vënies së respektit të ligjit mbi respektin ndaj atij që përdor çdo mjet si dhe parimin e vënies së interesit të të përfaqësuarve mbi interesin e politikanëve.
E di që nuk thashë ndonjë gjë të re, por së pari mendoj e sa kohë që këto gjëra nuk janë bërë realitet duhen përsëritur e së dyti, ajo që më duket e re është se vitet kanë akumuluar aq shumë pakënaqësi ndaj mujsharëve që dhunojnë ligjin, arsyen dhe interesin e të gjithëve saqë duhet të lindë më në fund diçka kundër tyre. (Korrieri, 21 dhjetor 2006)

Read More......

Anormaliteti na imponohet si normalitet

Zgjedhjet janë bllokuar se fundmi ndonëse Presidenti e ka përcaktuar datën, dhe duket se Evropa nuk ka ndërmend të ndërhyrjë për të gjetur ndonjë zgjidhje. Si e shikoni ju zgjidhjen në mënyrë që ne të mos bëjmë hapa prapa ne standarte dhe të mos rrezikojmë marrëveshjen e stabilizim asocimit?

Besoj se nuk është dashur shumë mend për të kuptuar se rruga për nga ishin nisur dy forcat tona politike që nga 3 korriku i vitit të kaluar do të na sillte në këtë udhëkryq të mbrapshtë që ende, kam frikë, nuk e kemi mbrritur me tërë dramacitetin që mund të marrë në ditën e zgjedhjeve. Ne po ecim drejt zgjedhjeve mbrapsht, me kurriz, e duke iu larguar standarteve dhe marrëveshjes me Evropën gjithë duke bërë sikur vështrimin e drejtimin e kemi atje. E në këtë rrugë kemi hyrë me të dyja këmbët, atë të majtën e opozitës që hidhet e para dhe atë të djathtën e mazhorancës që e ndjek nga prapa. Këmba e majtë ka qenë strategjia jashtzakonisht konfliktuale e obstruksioniste e opozitës e cila në asnjë moment nuk e ka konsideruar veten si forcë humbëse që duhet të tërhiqej për një kohë nga ringu, e të përgatitej për ndeshjen e ardhshme, gjithë duke dhënë një kontribut konstruktiv për disa reforma veçanërisht ato të luftës kundër korrupsionit. Ajo, përkundrazi, e vazhdoi në një formë tjetër, gjithaq të egër, ndeshjen edhe jashtë ringut elektoral në pritje për të kërcyer prap në ring, duke ndërtuar kështu strategjinë e destruktivitetit permanent. Këmba tjetër kanë qenë gabimet jo të vogla që ka bërë mazhoranca si përgjigje ndaj kësaj strategjie. Këto, sipas meje, pjesërisht i dedikohen njëlloj paaftësie apo edhe pavullneti për ta ndryshuar sistemin që morën trashëgim dhe pjesërisht ngase strategjia konfliktuale obstruksioniste dhe nervshkatërruese e opozitës e ka nxjerrë mazhorancën jo rrallë jashtë disa linjave që duhet të ruante, veç të tjerash edhe duke e vonuar në arritjen e disa objektivave për reformën zgjedhore. Mbetem i mendimit se konfliktualiteti u intereson të dyja palëve sepse ai është arti politik që njohin e zotërojnë më mirë, e po ashtu u krijon klimën e mjegullës ku "ujku" bën kërdinë duke u shpëtuar përgjegjësive ligjore dhe morale, por megjithatë vatrën më të fortë të tij kësaj here e shoh tek opozita.
Po ashtu dua të them se mbetem i një mendimi që e kam shprehur edhe herë tjetër se për acarimin e kësaj situate ka një rol edhe karakteri konfliktual i të dy liderëve. Jam kundër idesë që ka qarkulluar shpesh se Sali Berisha dhe Fatos Nano kanë qenë dy figura të ngjashme përsa i përket bërjes së politikave agresive dhe konfliktuale. Sipas meje në këtë aspekt ata kanë qenë edhe mjaft komplementarë. Pra, nëse Berisha ka qenë vazhdimisht agresiv dhe ka luajtur në sulm Nano jo rrallë ka ditur të luajë në mbrojtje dhe me mjaft sukses do të thoja. E keqja e Nanos nuk ka qenë të qënit e tij konfliktual dhe agresiv, por korrupsioni dhe papërgjegjshmëria e tij. Kurse me Edi Ramën në krye Partia Socialiste ka një figurë që është shumë më i ngjashëm me Berishën agresiv dhe konfliktual. Madje, sipas meje, fakti që Berisha ka rënë një herë nga kali e ka bërë të shfaqet herë pas here më i matur dhe më i duruar sesa ç'paraqitet sot Edi Rama. Po ashtu psikologjikisht kemi të bëjmë me dy karaktere që e kanë tmerrësisht të vështirë të pranojnë humbjen. Edhe në këtë aspekt vështirë të thuash se cili është më i vështirë. Berisha mund të duket pak më i qetë sepse edhe në rast humbjeje i mbetet pushteti qendror kurse Rama humbet thuajse gjithshka, por, nga ana tjetër, Berisha e di mirë se humbja e këtyre zgjedhjeve do t'ia shkurtonte mandatin.
Ajo që vihet re në të dyja palët politike është përqendrimi në luftën midis tyre duke e shpërfillur faktin se janë nën vëzhgimin e tërë atyre njerëzve, si jashtë edhe brenda vendit, që gjithnjë e më shumë e shohin këtë gjendje me dëshpërim si shenjë dështimi të kësaj klase politike. E kur flas për shpërfillje këtu duhet të ndajmë disa forma shpërfilljesh. Ndaj shqiptarëve shpërfillja është më evidente dhe më e drejtpërdrejtë sepse të dyja palët përfillin vetëm interesat e tyre, duke u lënë të kuptojnë shqiptarëve të tjerë se nuk kanë ç'bëjnë. Kurse kur vjen puna për perëndimorët shpërfillja e tye është mjaft më e sofistikuar. Ata bëhet sikur përfillen në sipërfaqe, tentohet po ashtu të mashtrohen e të binden se fajtori është pala tjetër, herë pas here atyre u ofrohen edhe marrëveshje bizantine që kryesisht kanë për synim të lajnë faqen si dhe t'ia lënë fajin kundërshtarit. Por në thelbin e vet edhe raporti me ta është një raport mosrespekti dhe shpërfilljeje.
E kam të vështirë të gjej këshillat që do të mund të merreshin parasysh nga këto forca për të mos e thelluar edhe më këtë gjendje që edhe kështu është mjaft e rëndë e mund të na çojë edhe drejt një destabilizimi të ri. Problemi më i madh është se bindja e sejcilës palë se ka të drejtën e të vërtetën me vete është aq iracionale saqë vështirë se do të mund ta lejonte të dëgjonte ata zëra të arsyeshëm që do ta ftonin të hidhte vështrimin nga vetja gjithashtu. I vetmi mjet bindës për këtë kategori është frikësimi dhe këto mjete i kanë në dorë vetëm perëndimorët. Por edhe ata deri në një farë mase sepse tashmë kjo klasë politike e di se perëndimorët do të shkojnë ku do të shkojnë po tek ata do të përplasen. Kam përshtypjen se edhe perëndimorët janë ndërgjegjësuar për këtë situatë prandaj dhe duken më indiferentë. E, sipas meje, kjo indiferencë favorizon më shumë mazhorancën sesa opozitën, sepse çon tek nevoja e ruajtjes së stabilitetit. Opozita duket se këtë nuk e kupton dot, kurse mazhoranca ka prirjen ta përdorë në mënyrë abuzive çka mund t'i kthehet shumë lehtë në bumerang.


Tirana në këtë prag fushate është kthyer në një qytet kaotik për shkak të ndërhyrjeve në çdo cep të saj. Të ecësh në Tiranë është bërë pothuajse e pamundur. Do të donim një opinion tuajin për këtë situatë dhe cili do të jetë ndikimi i saj në zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës.

Duke parë rrugët e Tiranës të kthyera përmbys përpara zgjedhjeve më vjen mbi të gjitha të shpreh habinë se si politikanët tanë (por edhe pushtetet financiare që qëndrojnë prapa tyre) filluan pak nga pak ta mësojnë publikun me këto situata anormaliteti. Me faktin, pra, se ata mund të bëjnë çdo gjë me qytetin pa pyetur për vullnetin dhe interesat e shumicës së qytetarëve e, në këtë kontekst, edhe me faktin se para zgjedhjeve ata do të bëjnë ndoca punë që do t'i bindin për tua dhënë votën. Është revoltuese kur mendon se njerëzit trajtohen sikur të jenë kaq lehtësisht të mashtrueshëm, për të mos thënë se është edhe antidemokratike. Edhe në qofshin kështu detyra e politikanëve është t'i ndriçojnë e të stimulojnë pjesën më të mirë të tyren e jo t'i konsiderojnë si budallenj e t'u stimolojnë atë pjesë të karakterit që u zhvillon hipokrizinë dhe mashtrimin dhe nënshtrimin ndaj vendimeve të tyre sado aventureske qofshin ato. Një punë serioze dhe me përgjegjësi përpara komunitetit dhe njëherësh me respekt e dashuri për të nuk mund të bëhet kështu. Jo vetëm, por një punë serioze kërkon edhe një programim dhe shpërndarje përgjatë gjithë kohës të energjive dhe parave. Për shembull unë nuk e di se me çfarë filozofie u la për vite me rradhë lulishtja prapa Skënderbeut pa u prekur me dorë dhe tani, mu në prag të zgjedhjeve, po ribëhet me aksion me goditje të përqendruar. Meqë ra fjala, sipas mendimit tim, puna me atë lulishte duhet të kishte qenë krejt ndryshe. Bredhat e saj karaktristikë të lartë nuk duheshin prerë, por Bashkia do të duhet të kishte menduar me kohë për zëvendësimin e atyre që ishin tharë (edhe këta nuk dihet pse u lanë në atë derexhe) për tu zëvendësuar me bredha të mëdhenj të së njëjtës familje. Ata, me formën dhe historinë e tyre, ishin pjesë e pandarë e identitetit të atij parku. Tani atje janë vënë disa pemë xhuxhmaxhuxhe që e kanë bërë sheshin të duket si shkretëtirë, kurse pemët që në një farë kuptimi ishin monument historik u prenë pa asnjë reagim qytetar dhe intelektual. Por njerëzve tashmë u duken luks mendime e shije të tilla.
Gjithsesi do të thoja se atyre që u kanë mbetur ca mend në kokë besoj se një punë e tillë u krijon efekt negativ edhe përsa i përket gjykimit elektoral. Por, nga ana tjetër, duke qenë se ne jetojmë në vendin e anormaliteteve ose më saktë në vendin ku anormaliteti imponohet si normalitet, është e vështirë të parashikosh se si do të reagojnë njerëzit. Kjo edhe për faktin se nuk kanë besim se me ndryshimin e pushteteve do të ndryshojë ndonjë gjë. Një pjesë e madhe tashmë duket se i është nënshtruar idesë se në prag të zgjedhjeve do të mund t'u bëhet ndonjë rrugë apo do të mund t'u çohet pak më shumë ujë apo drita apo do t'u zgjidhet ndonjë problem i tyre i përbashkët dhe e pranojnë këtë me idenë se më mirë kështu sesa të mos na bëjnë asgjë fare. Por kësaj here në rastin e Tiranës kjo filozofi ka shkuar deri në grotesk sepse hapja e tërë atyre rrugëve menjëherë duket sikur nuk do të mund të mbarojë dhe ka krijuar edhe vështirësi qarkullimi normal. Është diçka e patolerueshme, por, të mos harrojmë se shqiptarët dallohen për mungesë shpirti revolte dhe kujtese. Jo vetëm që durojnë pafund, por sapo mbaron së shtruari një rrugë harrojnë se çmimi që kanë paguar për të në kuptimin e pluhurit që kanë ngrënë për shkak të punëve të kryera jashtë çdo norme kohore dhe ruajtjeje ambienti, e vështirësive të qarkullimit që u kanë dalë për një kohë shumë të gjatë, e parave që u janë vjedhur, është aq i lartë saqë dëmi ka qenë, tek e fundit, më i madh se përfitimi.

Shqiperia po vuan edhe sivjet krizën e energjisë elektrike. Kufizimet kanë filluar të ndihen edhe në Tiranë, pa folur këtu për rrethet dhe zonat rurale. Një koment ju lutem për mënyrën sesi po e menaxhon KESH-i dhe qeveria situatën energjitike në vend?

Kur pjesa më e madhe e energjive të politikës shpenzohen në luftën e pushtetit për pushtet; kur në këtë kontekst edhe emërimet bëhen për të kënaqur besnikët e partisë e duke mos përfillur specialistët, kur opozita mendon se është në favorin e saj që njerëzit të rrinë sa më gjatë në terr sepse kështu ajo do të mund të rikthehet në pushtet; kur askush nuk punon për të krijuar besim tek njerëzit se duke paguar paratë e elektrikut apo edhe taksat ato do tu kthehen mbrapsht në shërbime të një niveli më të lartë, në më shumë drita dhe ujë, por mendon, vetëm për xhepat e veta, situata nuk mund të jetë veçse krizë permanente energjie elektrike, por edhe energjie shpirtërore.
Nuk e kuptoj se pse na kanë bërë aq shumë premtime se këtë vit nuk do të ketë krizë energjie. A janë politikanët tanë aq të pazot sa nuk e dinë as gjendjen apo thjeshtë mashtrojnë pa turp sa herë flasin? Nuk dua ta besoj këtë të dytën. Më shumë më duket se është paaftësia e kombinuar me impenjime të tjera ku nuk përjashtohen edhe interesat personale që i lënë punët pa bërë deri kur u shfaqet kriza para syve. Është e patolerueshme që pas 15 vjetësh jemi në këtë gjendje. Në blogun e New Your Times doli një fotografi e Sarandës së masakruar nga ndërtimet së bashku me shënimin se sipas Transparency International jemi vendi më i korruptuar në botë. Ia kalonim edhe vendeve afrikane edhe të gjithëve. Por duke parë atë foto e tërë ato ndërtime të tjera anembanë vendit nuk mund të mos mendosh për paradoksin që një vend që ka shpenzuar aq shumë nuk është është në gjendje të ketë drita dhe ujë. Në fakt ne sot nuk duhet të ishim duke diskutuar për problemin e mungesës së energjisë elektrike, por se si ta siguronim atë në mënyrë sa më ekologjike. Duhet të ishim duke diskutuar për përdorimin e energjisë diellore apo të erës, dhe kurrsesi për mundësinë e ngritjes së një teci në Vlorë sepse ai është një krim i ri në krimet e shumta që i janë bërë bregdetit tonë dhe të ardhmes së fëmijëve tanë. Përgjegjësia kryesore për këtë i bije kësaj bande politikanësh që na ka qeverisur këto 15 vjet dhe sistemit të korrupsionit që ata kanë ngritur që e kanë kthyer politikën në Shqipëri në artin e plaçkitjes së njerëzve. (Rubrika Përpjekja, Standart, 9 dhjetor 2006)

Read More......

A duhen shtyrë apo jo zgjedhjet?

Kjo është pyetja e pyetjeve që shtrohet sot lidhur me zhvillimet e fundit politike. Është një pyetje që kërkon përgjigje jo vetëm nga politikanët që tashmë e kanë dhënë të tyren sipas rreshtimit në partitë të cilave u përkasin, por edhe nga ajo pjesë e opinionit publik që është më jashtë interesave të partive dhe të militantëve të tyre. Është një pyetje e vështirë sepse plot me kundërthënie pasi ka jo pak argumenta në favor të shtyrjes sikurse ka edhe plot argumente kundër saj. Shumica e njerëzve janë nën presionin e dy kënvështrimeve partiake, por ka jo pak syresh që kërkojnë të kenë edhe gjykimin e vet sepse, tek e fundit, zgjedhjet janë i vetmi moment kur pesha e qytetarëve ka një vlerë.
Përtej retorikave që përdorin partitë është e qartë se të dyja kanë interesa të kundërta lidhur me shtyrjen apo mosshtyrjen që lidhen direkt me fitoren apo jofitoren e tyre. Opozita ka më shumë arësye t'i shtyjë sesa t'i bëjë në janar. Këto arësye lidhen me shumçka ende të pazgjidhur brenda saj, por edhe me faktin se sa më shumë të shtyhen aq më shumë ajo mendon se mund të përfitojë nga konsumimi që mund t'i bëjë dimri i ashpër mazhorancës, pa llogaritur ankthin iracional të një ndeshje të vështirë kombinur ky me frikën se mazhoranca mund t'i manipulojë më lehtë tani sesa pas dy muajsh. Kjo tregon midis të tjerash se kemi të bëjmë me zgjedhje që konsiderohen si parlamentare pasi, në fakt, mazhorancë në Tiranë sot për sot është PS. Nga ana tjetër duket se edhe PD këto zgjedhje i konsideron të një rëndësie si ato parlamentare dhe duket se kërkon t'i bëjë zgjedhjet në janar pasi kjo është më në favor të saj qoftë për shkak të dobësisë aktuale të opozitës, qoftë nga frika e efektit të dimrit të vështirë mbi elektoratin.
Po përtej interesave të partive cili do të ishte qëndrimi më i drejtë. Me fjalë të tjera cili do të ishte qëndrimi më i drejtë në favor të interesave të votuesit? Sipas meje, me gjithë kundërthëniet, balanca peshon më shumë në favor të idesë se në interesin e votuesit është që zgjedhjet të kryhen në datën e zgjedhur në përputhje me ligjin.
Le të sjell argumentet pse mendoj kështu. Gjykimi i çështjes së zgjedhjeve në janar nuk ka të bëjë thjesht me respektimin e afateve të përcaktuara nga Kushtetuta. Me fjalë të tjera nuk është puna se ligji nuk mund e nuk duhet të ndryshohet kurrsesi. Ligjet mund të ndryshohen dhe po ashtu edhe Kushtetuta mund të ndryshohet. Por gjykimi i kësaj çështje ka të bëjë me kontekstin në të cilin kërkohet respektimi i këtyre afateve apo ndryshimi i tyre sepse asgjë nuk mund të gjykohet jashtë kontekstit. Dhe cili është ky kontekst? Sipas meje ky kontekst karakterizohet nga vazhdimi në Shqipëri i veprimtarisë së një klase politike që nuk e ka për gjë të shkelë mbi ligjin sa herë ia do intresi pa i dhënë llogari kërkujt duke krijuar një konfliktualitet dhe destruktivitet permanent. Ky është konteksti në të cilin kërkohet ndryshimi i zgjedhjeve. Pra nuk jemi në një kontekst normaliteti ku përjashtimi - në këtë rast ndryshimi i ligjit dhe i Kushtetutës për një forcë madhore siç konsiderohet ajo e kushteve atmosferike - përforcon rregullin. Në rastin e kërkesës për shtyrjen e zgjedhjeve duke u shkelur Kushtetuta kemi të bëjmë me rastin kur përjashtimi zëvendëson rregullin dhe bëhet rregull i pashkruar.
Opinioni publik është i qartë se kjo grindje e fundit midis opozitës dhe mazhorancës nuk bëhet në emër të interesave të votuesit; që ky, pra, të ketë mundësi të shprehë vullnetin e tij e ky vullnet të jetë sa më i patjetërsuar. Kemi të bëjmë thjeshtë me një nga shfaqjet e rradhës të konfliktualitetit permanent e destruktiv midis mazhorancës dhe opozitës, që, po vazhduam kështu, për opozitën do të mbarojë vetëm ditën kur ajo do të kthehej në pushtet kurse për mazhorancën do të rifillojë kur ajo të humbë pushtetin. Ky, pra, është konteksti në të cilin kërkohet shtyrja e zgjedhjeve nga opozita. Shtyrja ose jo e zgjedhjeve nuk e ndryshon filozofinë e ndeshjes; ajo është vetëm një nga raundet e ndeshjes. Nuk është një shërbim ndaj elektoratit, ndaj një vote më të drejtë apo një procesi votimi më të rregullt. Pas shumë gjasash, sikur zgjedhjet të shtyhen edhe dy muaj, në raundet që do të pasojnë do të kemi edhe më shumë probleme të akumuluara edhe më shumë tension edhe më shumë rreziqe për zgjedhje të lira dhe të ndershme pikërisht sepse kemi të bëjmë me një strategji të përshkallëzimit të tensionit dhe të konfliktualitetit.
Dhe çështja e këtij konteksti lidhet me përgjigjen e pyetjes se cili është interesi primar i votuesit në kontekstin në fjalë. Ata që janë për shtyrjen e zgjedhjeve thonë se interesi primar i votuesit është që ai të mund të shprehë votën e tij. Shtojnë gjithashtu argumentet që lidhen me listat apo çertifikatat që, sipas tyre, kështu siç janë, rrisin mundësinë e manipulimit duke deformuar përsëri rezultatin. Por, sipas meje, nuk është ky interesi primar i votuesit duke patur parasysh kontekstin e konfliktualitetit permanent. Një votues që kërkon medoemos të ndryshojë diçka do të shkojë të votojë. Të paktën në qytetet të tilla si Tirana, Durrësi, Shkodra, Vlora, Korça etj. Gjithashtu, po qe se mungon mirëbesimi midis partive dhe besimi në institucionet, siç e kanë treguar edhe zgjedhjet e mëparëshme, gjithmonë do të ketë frikëra për manipulim. Sipas meje interesi primar i votuesit në kontekstin në fjalë është që politika shqiptare t'i japë fund arbitraritetit e konfliktualitetit destruktiv që e ka karakterizuar atë gjatë gjithë kësaj kohe, shkeljes së ligjit në emër të interesave të një klani politik kundër një tjetri. Dhe më duket se një mjet i rëndësishëm për të frenuar arbitraritetin e të dy palëve do të ishte vendosja dhe forcimi i një tradite të respektimit të vullnetit të ligjit mbi interesat e dy partive. E kjo kërkon vullnetin e të dy krahëve për të bërë zgjedhje sa më të mira në afatet e përcaktuara nga ligji. Vazhdimi i politikës midis ligjit dhe marrëveshjes sipas së cilës sa herë nuk i pëlqen politikës një ligj e shkel atë duke bërë një marrëveshje dhe pastaj përsëri e shkel këtë marrëveshje duke bërë një ligj tjetër duhet të marrë fund. Vetëm atëhere do të ketë shpresë se mund të fillojë ndërtimi i një shteti të ligjit kundër shtetit të personave. Kurse një marëveshje e re për shtyrjen e zgjedhjeve në kurriz të Kushtetutës do të jepte mesazhin e degradimit edhe më të shtetit. (Korrieri 13 dhjetor 2006)

Read More......

Tuesday, May 29, 2007

Disa komente mbi Finkelstein & Marsh Copsey & Co

Kur sheh se si shqiptarët pësojnë pa reshtur dhe pa reaguar bëmat që bën politika dhe politikanët tanë në aleancë me oligarkët që kanë privatizuar sot shtetin nuk mund mos të të lindë pyetja nëse me kalimin e kohës këto bëma po ua trashin apo hollojnë lëkurën. Shpesh më rezulton se brutaliteti me të cilin vepron politika e lidhur me interesat e kësaj pakice po ua mpin gjithnjë e më shumë vullnetin për të reaguar. Megjithatë nëse ka aspekte ku këtë "trashje lëkure" e mosreagim poshtërues e sheh në formën e vet më groteske, të kthyer në admirim prej injoranti, kjo ndodh kur bëmat vishen me petkun e perëndimorizimit tonë, e implementimit të modeleve perëndimore, dhe akoma më veçanërisht kur në to janë të përfshirë edhe perëndimorët vetë.
Ky ishte mendimi i parë që më erdhi ndërmend kur pashë në shtyp lajmin se forcat politike të dy kandidatëve për kryetarë bashkie të Tiranës kanë atashuar për të hartuar/drejtuar strategjinë dhe taktikat e fushatave të tyre elektorale dy kompani të njohura Amerikane. Kompania e përzgjedhur nga kandidati i Partisë Demokratike, Olldashi, qënka “Marsh Copsey & Associates”, e cila thuhet se paska qenë pjesë e fushatave elektorale të presidentit të SHBA-së, Roland Regan në vitet 1980 dhe 1984. Kurse kompania e përzgjedhur nga kandidati i Partisë Socialiste Rama qënka “Arthur J. Finkelstein & Associates”, e drejtuar nga Artur Finkelstein i cili paska marrë pjesë në fushatën elektorale të Richard Nixonit, të ish kryeministrit të Izraelit Benjamin Netanyahu dhe kryeministrit Ariel Sharon në fushatat elektorale të disa senatorëve etj..
Nuk janë të pakta komentet që të imponon ky lajm. Pyetja e parë që të vjen vetvetiu është: ç’është kjo nevojë për t’i dhënë përmasa kaq të mëdha vendit më të varfër e ndër më të vegjëlit në Evropë? Dhe përgjigja e parë që të vjen lidhet me deliret e madhështisë së politikanëve tanë si kompensim kompleksesh inferioriteti - sepse nuk mund të mos të të shkojë mendja tek trashëgimia nga kemi dalë, ajo e Enver Hoxhës, ëndrra finale e të cilit ishte të bëhej udhëheqësi i mbarë botës. Dhe nuk mund të mos kesh parasysh se kandidati socialist ka dhënë tashmë prova të rënda prej deliranti. Por a mjafton kjo për ta shpjeguar këtë fenomen të ri? Besoj se jo. Ka edhe elementë të tjerë që duhen marrë në konsideratë për ta shpjeguar atë. Them se së bashku me delirin duhet të përzjejmë edhe elementin e majmunërisë sonë ndaj çdo gjëje që është perëndimore. Por edhe kaq nuk mjafton. Sëbashku me këto duhet trazuar në kazanin e shtrigave edhe kultura jonë e manipulimit të publikut. Duke patur prapa një kompani amerikane sikur i imponohesh më fort publikut jo vetëm nëpërmjet paraqitjes përpara tij si perëndimorë, por edhe me fuqinë që tregon një punë e tillë - dhe dihet se sa e rëndësishme është të qënit i fuqishëm në imagjinatën e shqiptarëve. Sipas mendimit tim PD-ja është më e vonuar në këtë eksperiment. Ajo është tërhequr zvarrë nga PS-ja, sepse, kur ishte në opozitë, kishte krijuar për ca kohë idenë e një partie që nuk kishte prapa veçse ca shqiptarë të mjerë ngase edhe biznesmenët e fuqishëm i kishte të tërë PS-ja. Kurse tani ajo ka hyrë seriozisht në lojën e luftës për status sa më të lartë. Statusi i njërit imponon statusin e rivalit e kështu, sa më lart ngrihet njëri, aq më lart ngrihet edhe tjetri.
Por, teksa bëjmë këto komente, nuk duhet të harrojmë se, në fakt, edhe në zgjedhjet e vitit 2005 Finkelstejn ka qenë kompania që ka marrë përsipër drejtimin e fushatës së Nanos. Por në atë kohë politikanët tanë socialistë duket e panë të udhës ta mbanin gjysëm sekret këtë punë. E mbajtën sekret që të mos u mësonte "teknikën" kundërshtari apo e mbajtën sekret sepse në këtë punë kishte edhe diçka të papastër ligjërisht e moralisht? Kjo vlen për tu parë. Pastaj doli se edhe PD-ja paskësh pasur një kompani ku spikasin ca si germa DGBrT, por edhe kjo nuk u morr vesh veçse kur socialistët e akuzuan se ajo paskësh punuar për serbin kundër Kosovës.
Kurse tani u ka dalë turpi të dyja palëve.
Dhe pikërisht këtu vjen pyetja e dytë. Sa do të paguhen këto kompani dhe kush paguan për këto kompani: taksapaguesi shqiptar nëpërmjet ligjit të financimit të partive apo ka ndonjë mënyrë të tërthortë për pagimin e tyre? Sepse kjo pyetje lidhet ngushtë me pyetjen se për fitoren e kujt do të punojnë dy kompanitë amerikane? Pas shumë gjasash, ashtu sikurse edhe në fushatën paralementare, këtu kemi të bëjmë me sponsorizim të paligjshëm nga biznesmenë të lidhur më afër njërës parti apo tjetrës. Dhe dihet se ata financojnë jo për sytë e bukur të elektoratit shqiptar, por për t'iu kthyer mbrapsht pastaj “investimi”. Dihet gjithashtu se kjo mënyrë financimi është e paligjëshme përveçse e pamoralëshme. A e dinë kompanitë amerikane këtë? Nëse politikanët tanë kanë bërë, ndërkaq, ndonjë ligj që ne nuk e dimë ky ligj duhet medoemos të parashikojë edhe atë që biznesmenët sponsorizues të partive duhet të jenë të deklaruar publikisht sëbashku me shumën që kanë investuar. Përndryshe, për çfarë lufte kundër korrupsionit na flet Berisha?
Edhe komente të tjera mund të bëhen lidhur me këtë lajm. Rezulton se që të dyja kompanitë janë të lidhura me të djathtën në SHBA. Finkelstein, madje, konsiderohet si kafsha e zezë e demokratëve. Dihet po ashtu se Republikania në SHBA është partia më e pasur, ajo që shpenzon më shumë në fushatat elektorale. A duhet të kenë socialistët tanë, ata që pretendojnë se janë socialistë të vërtetë, antimonopolistë e mbrojtës të interesave të shtresave të brishta, si LSI psh., ndonjë vërejtje për këtë përzgjedhje?
Por edhe një koment (jo i fundit) besoj se duhet bërë: sa mund të jenë vërtet ndikuese në fitoren apo humbjen këto kompani? Dhe kjo lidhet me pyetjen: sa mund të jenë ato në gjendje të përcaktojnë strategji të drejta elektorale këto kompani duke qenë se vendin e njohin shumë pak. Po të kemi parasysh fushatën elektorale të viti të kaluar të drejtuar nga trajneri Finkelstein dihet se ajo u përqendrua në demonizimin e
Berishës duke e lidhur këtë me vitin 1997. Thuhet se për të ndërtuar këtë strategji kompania kishte zhvilluar edhe anketimet e veta. Nuk është e thënë që strategjia vendos për gjithshka, - një trajner, sado i zoti, nuk mund të nxjerrë kampion bote një skuadër me lojtarë mediokër - por sipas mendimit tim, ndërtimi i kësaj strategjia rezultoi i gabuar jo thjesht nga rezultati, por edhe sepse ajo ishte e gabuar në vetvete pasi injoronte shumëçka nga psikologjia e shqiptarit dhe nga ato çka kishin ndodhur në tetë vjetët e qeverisjes socialiste. Tani e dëgjojmë Olldashin të thotë se nuk do të merret me Edi Ramën, por me projektet e së ardhmes. Nuk e di nëse këtë ia kanë sugjeruar ata të kompanisë së tij, por mua më duket se të mos merresh me gabimet dhe krimet ndaj qytetit dhe qytetarëve që ka bërë Rama gjatë këtyre vjetëve nuk mund as të ndërtosh një projekt bindës me të cilin tu paraqitesh qytetarëve për t;u kërkuar votën. Sepse një projekt i tillë duhet të ndërtohet mbi nevojën e rregullimit të këtyre gabimeve. Jo vetëm, por mendimi i parë që u vjen ndërmend shqiptarëve, pas përvojës që kanë me këtë klasë politike, kur shikojnë se kundërshtarit as nuk i përmenden mbrapshtirat që ka bërë, është se don të bësh si ai.
Por ky komenti i fundit më duket i kotë, madje edhe i dëmshëm për interesat e publikut, sepse më mirë që kompanitë të gabojnë, ashtu si gaboi vjet Finkelstein, përderisa, sikurse duket, nuk do të punojnë për interesat e publikut, por kundër. Mirëpo mbetet çështja se kush do të luftojë për interesat e publikut përballë këtyre dy dinozaurëve të paisur edhe me ekspertë amerikanë? Ai nuk ka as para të paguajë kompani, as ka parti. Dhe as fuqi të reagojë, madje, pasi ideja se sa më i fortë brutaliteti dhe paturpësia e pushtetarëve aq edhe më i fortë reagimi nuk është e vërtetë. Përkundrazi liria dhe demokracia zhvillohen duke u ushtruar jo duke u shtypur. Mbetet që publiku, ashtu si në librin e Saramangos, për ta shprehur mospërfaqësimin në mënyrën më paqësore e në përputhje me nënshtrimin që e ka kapur të mos shkojë të votojë. Mirëpo edhe për këtë duhet më së pari të aprovohet një ligj sipas të cilit, për shembull, kur 60% e elektoratit nuk shkon të votojë partitë garuese shkrihen automatikisht. Kjo do të ishte një zgjidhje e mirë, por puna është se kush do ta bëjë këtë ligj. Le që prap partitë e reja do t'i krijonin po ata politikanë e po ata biznesmenë. Punë e ngatërruar. (Korrieri 11 dhjetor 2006)

Read More......

Duhet rishkruar e tërë historia jo vetëm ajo e Luftës

Presidenti Moisiu deklaroi se duhet ndryshuar historia e luftës Nacional – Çlirimtare. Si e shikoni këtë qëndrim?

Kjo është një ide që ka ekzistuar, do të thoja, që para rënies së komunizmit në mendjen e shumë shqiptarëve, për të mos thënë në mendjen e shumicës së atyre që kanë qenë në gjendje të kenë një mendim të pavarur brenda vetes së tyre edhe në atë kohë. Prandaj Moisiu është shumë i vonuar në këtë kërkesë ashtu sikurse e tërë klasa politike, veçanërisht ajo e krahut të socialistëve. Por realizimin e kësaj ideje sot e shoh si diçka më komplekse sesa shtimin e disa kapitujve dhe të disa figurave, heqjen e disa të tjerave apo qoftë edhe rivlerësimin e atyre që u janë mohuar merita për shkaqe politike.
Janë tre problemet kryesore që dalin përpara nevojës tashmë evidente për ta rishkruar e rimësuar historinë e Luftës Nacional Çlirimtare. Së pari, fakti se historia e Luftës Nacional Çlirimtare është shkruar nga fitimtarët, e kjo ka lënë shumë faqe të saj të errëta e të pahapura apo të deformuara, veçanërisht përsa i përket jetës dhe aktivitetit të kundërshtarve të tyre e ndërveprimit midis të dy palëve. Së dyti, fakti që këta fitimtarë e përdorën këtë histori si mit themelues të pushteti të tyre duke e glorifikuar, e kjo njëherësh ka hiperbolizuar më një anë e ka lënë pa shkruar shumë faqe të errëta të vetë fitimtarëve më anë tjetër. Edhe vetë numri mitik 28 mijë dëshmorë sot rezulton i hiperbolizuar. Së treti, fakti që lufta brenda fitimtarëve, pastrimet e shumta, që filluan që me Luftën e në vazhdim kanë ndikuar që kjo histori të deformohet edhe më tej.
Këto kanë bërë që ajo, sipas mendimit tim, të mos mund të konsiderohet e trajtohet më si histori e Luftës Nacional – Çlirimtare, por si mit. Për ngritjen e këtij miti kanë shërbyer jo vetëm tekstet e historisë, por edhe monumentet e shpërhapura anë e mbanë vendit edhe festat e përkujtimet e shumta, edhe një pafundësi krijimesh letrare, kinematografike, të arteve figurative etj. Madje do të thoja se janë këto, më shumë sesa tekstet, gjithsesi të thata historike, që kanë kryer shpëlarjen e truve të njerëzve dhe pikërisht efekti i tyre është vështirë të preket e ndryshohet në mendjen e atyre që janë ushqyer për pesëdhjet vjet me këtë mit dhe që e kanë përdorur atë. Në këtë aspekt mendoj se më i rëndësishëm sesa thjesht rishkrimi i historisë së Luftës është shkrimi i historisë së ndërtimit të këtij miti; me një fjalë dekonstruktimi/zbërthimi i këtij mit, e ky është një proces që ka dhe s’ka të bëjë thjesht me rishkrimin e historisë. Por ngulmoj se ky është një proces shumë i rëndësishëm madje, sipas meje, edhe më i rëndësishëm sesa thjesht shkrimi i një apo më shumë tekstesh historike ku shumë fakte do të trajtoheshin me seriozitetin shkencor të një historiani. Një tekst të tillë psh. e ka shkruar Bernd Fischer, por, po të pyesësh se sa është e përhapur në ndërgjegjen e shqiptarëve historia e Luftës ashtu siç e tregon Bernd Fischeri, do të rezultojë shumë pak. Ndërkaq, më anë tjetër, duhet të kemi parasysh se dekonstruktimi i mitit nuk do të thotë rrëzimi i mitit, por zbërthimi i shkaqeve të ngritjes së tij, i metodave të ngritjes së tij dhe i pasojave të tij. Sepse rënia e Luftës si mit do të rrezikonte që ajo të zhdukej fare e kështu të mos zinte vendin që meriton në histori, çka do të ishte përsëri një padrejtësi historike.
Një problem tjetër i rëndësishëm është se me ç’frymë do të rishkruhet kjo histori dhe me ç’frymë do të dekonstruktohet miti i Luftës Nacional Çlirimare i ngritur nga komunistët. Mbetet, sipas meje, çështja nëse jemi apo nuk jemi ne ende të pjekur për të shkruar historinë tonë e me këtë nënkuptoj pjekurinë për të mos e përdorur historinë për motive të tjera nga ato të njohjes së saj, siç janë motivet politike të luftës midis kundërshtarëve që identifikohen me një version apo një tjetër version të historisë apo motive të tjera po ashtu të lidhura me politikën e sotme. Në fakt historia për vetë definicionin e saj nuk mund të shkruhet objektivisht, por gjithnjë do të ketë subjektivitetin e një autori apo grupi autorësh të cilët, sipas subjektivitetit të tyre, ku hyn edhe formimi edhe metoda, do të zgjedhin e vlerësojnë më shumë apo më pak një ngjarje historike nga një tjetër. E ky subjektivitet lidhet domosdo edhe me frymën mbizotëruese të një kohe. Mirëpo ndërsa interpretimet mund të jenë të ndryshme faktet nuk duhet të deformohen apo të injorohen krejtësisht siç kemi bërë dhe vazhdojmë të bëjme ne kur tentojmë të bëjmë histori. Po ashtu edhe analiza e shkaqeve që sjellin në një ngjarje historike apo një tjetër duhet të jetë sa më e plotë e në tërë kompleksitetin e tyre. Dhe ngjarjet që mbesin të paqarta e që kanë pasur interpretime të ndryshme do të ishte mirë të jepeshin sëbashku me tërë interpretimet që kanë pasur. Nuk jam historian dhe po sjell këtu thjesht disa konsiderata, por nuk ka nevojë të jesh historian psh. për të konstatuar se edhe historia jonë e para Luftës ( e kam fjalën për tërë historinë tonë që nga fillimet) është trajtuar edhe ajo në funksion të ngritjes së miteve të nacionalizmit. Ne në këtë histori kemi kapur e zgjedhur ato momente që na miklojnë sedrën e krenarinë kombëtare e që na forcojnë disa identitete e fshehin apo ndryshojnë të tjerë; edhe në atë gjen një mori keqinterpretimesh e deformimesh po ashtu. Në raport me fqinjët apo me turqit psh. kemi zgjedhur ato momente që venë në dukje diferencat dhe konfliktet dhe luftrat që kemi pasur me ta dhe jo ato gjëra që kemi pasur të përbashkëta. Nga një vështrim jonacionalist kjo histori do të shkruhej shumë ndryshe. Sipas meje është e tërë historia që duhet rishkruar dhe jo vetëm ajo e Luftës sepse është metoda që ka qenë e gabuar në të dy rastet dhe ka qenë e njëjta metodë e diktuar nga ideologjia nacional komuniste si ideologji pushteti e Enver Hoxhës.
E kjo çështje pastaj lidhet me atë se kush do ta marrë përsipër një punë të tillë. Mendimi im është se duhet evituar shkrimi i një historie zyrtare e se metoda më e mirë e njohjes së historisë edhe asaj të Luftës, do të ishte njohja e saj nëpërmjet shumë autorëve që e shohin atë nga këndvështrime të ndryshme. E këta do të shtohen me kohën sepse çdo kohë do të shtojë fakte dhe metoda interpretative të vetat.

Rama dhe Olldashi janë zyrtarisht kandidatë për Tiranën. Si e komentoni këtë përballje?

Ajo që më ka shqetësuar deri tani në parathënien mediatke të kësaj përballjeje është fakti se ajo është përqëndruar – e përsëris deri tani – në përballen e dy figurave ndoshta edhe të dy partive, por jo në përballjen e ideve dhe vizioneve të ndryshme për zgjidhjen e mijëra problemeve që ka sot qyteti i Tiranës. Qyteti i Tiranës gjatë këtyre 15 vjetëve ka akumuluar e krijuar kaq shumë probleme saqë, sipas meje, përballja kryesore do të duhet të ishte ajo se cili paraqet projektin më të mirë e më të besueshëm për zgjidhjen e këtyre problemeve dhe njëherësh se cili ka kredibilitetin më të madh se fjalët mund t’i bëjë realitet.
Probleme të tilla si mbipopullimi i frikshëm i shoqëruar me një kaos urban edhe më të frikshëm, mungesa e një plani urbanistik, përdorimi i truajve të qytetit, por edhe të atyre përreth tij, si mjete pasurimi dhe pastrimi parash të individëve në kurriz të hapësirave publike, të mjedisit e të bujqësisë, ndotja në nivele jetëshkurtuese e ajrit, pastrimi llahtarisht i papastër i plehërave të qytetit dhe zgjidhja e problemit të varrosjes së tyre, ai i furnizmit me ujë dhe me drita, ai i mungesës së vendeve të tilla publike si kinematë, teatrot, fushat e sportit, lulishtet e gjithshka tjetër që bëjnë që një numër aq i madh njerëzish që jetojnë afër e afër të mund të quhet komunitet dhe jo turmë individësh e shumë të tjera si këto kanë arritur një nivel të tillë përkeqësimi saqë prej kohësh po bijen këmbana alarmi që na thonë se Tirana është duke u bërë një qytet i pabanueshëm.
Sipas meje përgjegjësia që ka qoftë vetëm për njërin nga këto probleme do ta bënte Edi Ramën një kandidat të pazgjedhshëm madje të pakandidueshëm. Por, nga ana tjetër, unë e di ndoshta më mirës se kushdo se nuk ishte thjesht karakteri i dobët e i mbrapshtë i Edi Ramës që bëri që këto probleme të vijnë duke u rënduar. Ishte edhe një strukturë e tërë e ngritur përfitimi mafjoz që e bëri atë instrumentin e vet. PD-ja erdhi në pushtet me premtimin se do t’i luftojë këto struktura. Berisha ka folur shpesh, kur ishte në opozitë, për mafjen e ndërtimit; për faktin se industria e ndërtimit e Ramës ishte lavatriçe parash, por tani gjithnjë e më shumë e shohim të heshtë në këtë drejtim. Përveç pastrimit të disa oborreve të shkollave apo spitaleve unë nuk shoh të bëhet ndonjë gjë e madhe. Nuk dimë as a i mbylli vërtet lavartiçet nëpër lumenj siç premtoi. Mungesa e kontrollit mbi territorin duket se vazhdon po njëlloj. Për më tepër një PD-ist në malin e Dajtit ka bërë një katrahurë e ka dhënë një shembull që nuk le shpresë për ndryshim.
Në këtë kontekst sipas meje mbetet rreziku që duke ardhur PD-ja në pushtet në Tiranë pakgjë të ndryshojë sepse disa struktura nga ato të vjetrat do të kalojnë në aleancë me të dhe disa segmente të tjera mafjoze do të mund të filloojnë të nxjerrin përfitimet e tyre. Kjo do të thoshte vazhdim edhe më i përshpejtuar i degradimit të qytetit. Ne na intereson premtimi dhe mbajtja e premtimit për një Tiranë ndryshe, për një Tiranë të qytetarëve dhe jo të pushtetarëve mafjozë. Kur shoh sot Zogun e Zi që më duket një punë shumë e mirë unë ngre pyetjen: a ishte aksioni i ndalimit të përbindëshit që deshte të ngrinte Rama dhe krijimi i këtij sheshi një akt që lindi nga një vullnet i sinqertë për ta kthyer qytetin në normalitet, ligj dhe qytet të qytetarëve apo ishte një fasadë që u përdor për të luftuar kundërshtarin e për të vazhduar pastaj të njëjtën rrugë. Sepse edhe Edi Rama në fillim pastroi e normalizoi disa gjëra, por ato rezultuan mjete të përdorura për të vazhduar mashtrimin dhe përfitimin e një pjese të vogël në kurriz të shumicës.

Evropa e ka cilësuar këtë javë politikën shqiptare si të vjetëruar. A mendoni se kanë të drejtë në këtë qëndrim?

Sipas meje ia vlen të thellohemi pak në këtë konstatim sepse kjo më duket një gjysëm e vërtetë. Le të shpjegohem: Kur perëndimorët flasin për një politikë shqiptare të vjetëruar kam përshtypjen se flasin për faktin se në Shqipëri vazhdon një politikë që karakterizohet nga konfliktualiteti dhe jo dialogu, ku kulti i njëshit në krye të çdo institucioni dëmton çlirimin e energjive dhe të ideve të të gjithëve, për një politikë me një gjuhë shumë të varfër përsa i përket artikulimeve dhe pasurisë së ideve të kohës, për një mungesë personaliteti e fryme kritike përsa i përket raporteve me të tjerët e huaj, për një politikë që ende nuk ka arritur të dallojë të majtën nga e djathta, etj. E të gjitha këto më duket se qëndrojnë.
Por kjo politikë është edhe shumë e kohës dhe aspak e vjetëruar përkundrazi e modës në Shqipëri. Kjo në kuptimin se kjo politikë shpreh interesat e një shtrese të caktuar në mënyrën më të kohës që është e mundur. Ajo shtresë që sundon sot vendin është e interesuar pikërisht për këtë lloj politike. Ajo kërkon kaosin, konfliktin, pandëshkueshmërinë, kultin e privates deri në mohimin e shkatërrimin e publikes, pushtetin e televizioneve të veta mbi atë të Televizionit Publik, etj. Në këtë kontekst pra politika jonë është goxha bashkëkohore me interesat e kësaj shtrese dhe mund të thuhet se është kjo shtresë që e ka krijuar atë politikë. Sot thuhet psh. se po të bëhet një shtrirje e hartës së Shqipërisë duke patur parasysh pronarët ajo hartë do ta nxirrte Shqipërinë tre katër herë më të madhe nga ç’është sepse për çdo truall rezultojnë dy apo tre nganjëherë edhe më shumë pronarë. A ka gjë më të veçantë dhe më të re sesa kjo? As në kohën e Turqisë, as në kohën e Zogut as në atë të komunizmit nuk ka ekzistuar një gjendje e tillë. Madje nuk di a ka vend në botë që të ekzistojë një gjendje e tillë. Prandaj Perëndimorët më mirë sesa ngritjen çështjes së ekzistencës së një politike të vjetëruar do të duhet të ngrinin çështjen se pse ata dështuan në përpjekjen për ta mbushur vakumin që la rënia e komunizmit me institucionet e tyre demokratike, por përkundrzai mafja u tregua më e shpejtë dhe më e suksesëshme sesa ata për ta mbushur këtë vakum. (Rubrika Përpjekja, Standart, 2 dhjetor 2006)

Read More......

Sindroma e marrëveshjes për të mos arritur marrëveshje

Zoti Lubonja, ka skaduar afati kohor për realizimin e reformës zgjedhore dhe partitë politike nuk arritën të gjejnë konsensus. Duke marrë shkas nga qëndrimet që mbajnë të dyja palët kë do të fajësonit ju për këtë dështim?

Para së gjithash duhet thënë se kur dy palë grinden është e gabuar t’ia vesh fajin totalisht vetëm njërës dhe se e mira e të mirave do të ishte që sejcila të shihte përgjegjësinë e veta dhe jo të tjetrit, madje edhe kur këto janë më të vogla se të tjetrit. Por kur themi këtë jemi duke folur për principet e një morali që ende nuk duket në horizontin e politikës sonë, prandaj më mirë le të hyjmë në temë.
Nëse do t’i bëjmë një analizë këtij dështimi të rradhës në gjetje konsensusi për reformën zgjedhore do të duhet ta analizojmë në dy nivele: së pari, në atë që lidhet me kulturën tonë politike dhe me traditën e vendosur në marëdhëniet midis këtyre dy poleve gjatë këtyre 15 vjetëve si dhe, së dyti, po të afrojmë mikroskopin, në nivelin e shkaqeve që kanë të bëjnë me rastin në fjalë. Të dy këto nivele nuk janë pa lidhje me njëri tjetrin. Do të thoja se ai themelori, i traditës së vendosur dhe i kulturës politike, është terreni ku lindin, e mbivendosen, pastaj, në katet sipërore që i shtohen njëri tjetrit mosmarrëveshjet e radhës.
Në nivelin themelor, të traditës së marrëdhënieve, do të thoja se tashmë është instaluar sindroma e një marrëveshje për të mos arritur marrëveshje. Kjo, sikurse e kam thënë edhe herë tjetër, ka të bëjë edhe me faktin se kjo klasë politike është specializuar në konfliktualitet, nuk di të bëjë gjë tjetër më mirë. Qytetarët i paguajmë ata që të grinden, jo që të na ndërtojnë ndonjë gjë. Kjo sindromë ndikon shumë në instalimin e një mosbesimi të madh tek tjetri, i cili shihet automatikisht si kundërshtar manipulator e i pabesueshëm. Pyetja që mund të shtrohet është: gjatë këtyre viteve si ka ecur ky proces, përdrejt krijimit të më shumë normaliteti apo është përthelluar mosbesimi dhe konfliktualiteti dhe anormaliteti. Do të thoja se në disa aspekte disa “vida” institucionale mbajnë më mirë; se ka, po ashtu, një kujdes për të mos bërë ndaj tjetrit akte tepër flagrante. Kurse, më anë tjetër, do të thoja se konfliktualiteti i gjatë i ka rënduar disa raporte midis dy poleve. Ka krijuar sindromën e marrëveshjes për mosmarrëveshje që është bërë tashmë një sëmundje kronike me të cilën jetojmë në simbiozë dhe që, mu pse është kronike, nuk akutizohet më deri në atë shkallë sa të krijojë kolapsime të plota të politikës.
Po të afrohemi tashti e të shohim, mbi këtë terren, se kush është përgjegjës në rastin në fjalë unë në vendin e parë të përgjegjsmërisë do të vendosja strategjinë obstruksioniste që ka aplikuar opozita kombinuar me politika që synojnë të delegjitimojnë e nervozojnë mazhorancën, veçanërisht Berishën, për ta çuar në gabime. Pas kësaj do të thoja se nuk është e vogël edhe përgjegjësia e mazhorancës e cila, pjesërisht pse e ndodhur përballë kësaj opozite e kësaj strategjie e pjesërisht sepse edhe ajo e ka të fortë sindromën e marrëveshjes për mosmarrëveshje ka rënë jo rrallë here në grackat që i kanë ngritur socialistët. Kohët e fundit ve re se janë shndërruar gjithnjë e më shumë në dy qarqe të mbyllur që punojnë më vete pa lidhje me njëri tjetrin e më të shumtën e kohës kundër njëri tjetrit.

Zgjedhjet lokale janë veçanërisht të rëndësishme për kryeqytetin. Sipas jush pse merr këtë rëndësi zgjedhja e kryebashkiakut të ri të Tiranës dhe në këtë kuadër si do i vleresonit levizjet e deritanishme te PD-se e PS-se?

Dihet se Tirana ka qenë që në krye të pluralizmit testi më i rëndësishëm për matjen e asaj se nga voton elektorati. Arësyet e kësaj kanë të bëjë si me faktin se në Tiranë procesi i votimit është më i besueshmi po ashtu edhe me faktin se në Tiranë ka shumë më tepër elektorat të lëvizshëm dmth. që ndryshon krahun e balancës. Kësaj i duhet shtuar edhe fakti se Tirana gjatë këtyre viteve ka mbledhur shumicën e elektoratit për shkak të dyndjeve të shumta që ka pësuar si nga veriu edhe nga jugu i vendit. Këto e bëjnë evidente rëndësinë e zgjedhjeve në Tiranë. Ato pra janë, më së pari testi më i besueshëm për të gjykuar se si vlerësohet nga elektorati qeverisja e Berishës pas një viti. Janë po ashtu një provë e rëndësishme për opozitën pasi do të gjykohet kjo politikë opozitare që ka bërë gjatë këtij viti.
Ajo çka unë ve re në lëvizjet e deritanishme të PD dhe PS është një lloj vonese. Dhe të them të drejtën jamë i kënaqur në një farë mënyre që nuk ka filluar një atmosferë fushate elektorale nga ato të herëve të shkuara që na kanë lodhur me tamtamet e tyre e me shprishjen e shumave të mëdha të të hollave e me ekranet televizive verbuese e shurdhuese. Por, për fat të keq sipas mendimit tim kjo “vonesë” nuk vjen ngase politika ka vendosur të bëhet më modeste në shpenzime e në pushtimin e hapësirës sonë publike, por nga pasigurirat e shumta që paraqet kjo fushatë. Një nga pasigurirat më të mëdha është ajo e kryebashkiakut Rama i cili ende nuk duket se ka vendosur nëse do të verë kandidtaturën për së treti apo jo. Kjo pasiguri lidhet sa me problemin e ndarjes së tij midis kryebashkiakut dhe kryetarit të Partisë Socialiste aq edhe me një strategji shtyrjeje, mospranimi të zgjedhjeve do të thoja.
Kam përshtypjen se PDja në një farë mënyre e ka pësuar këtë strategji të PS e më duket edhe ajo e vonuar në punët përgatitore. E kur them PD-ja kam parasysh dy gjëra: edhe partinë, por edhe qeverinë e cila ka përgjegjësinë për mbarëorganizmin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve. Ngulmoj edhe një herë, më mirë kështu sesa vendi të fillojë të zjejë që tre muaj përpara me zhurmë elektorale. Por, nga ana tjetër, nuk më duket pa vend të bëhen disa paralajmërime. Një dështim i zgjedhjeve do të ishte dështimi i të dy palëve e ky dështim nuk mund të vijë vetëm në formën e zgjedhjeve të manipuluara, por edhe kur më një anë opozita kërkon t’i zvarrisë e t’i vonojë e mazhoranca, më anë tjetër, tregohet joaktive dhe jo e vendosur për t’i organizuar ato më së miri.

Përcaktimi i statusit të Kosovës është rikthyer me një vemendje të veçantë në arenën nderkombëtare pas propozimit të Athisarit për ta shtyrë atë. Si e parashikoni të ardhmen për këtë çështje, a ka diçka ne këtë situatë për të cilën shqiptarët në Kosovë duhet të shqetesohen?

Pa dyshim që ka vend për shqetësim, ndonëse nuk jam në gjendje t’a përcaktoj shkallën se sa duhet shqetësuar. Para disa kohësh në njërën nga pyetjet e kësaj rubrike e kam parashkuar se çështja e statusit nuk dukej se do të zgjidhej brenda këtij viti pasi lajmet dhe komentet nuk na bënin optimist për të besuar se 2006 do të na jepte një datë që do të shënohet në histori si data e pavarësisë së Kosovës.
Duke renditur vështirësitë dhe pengesat që më çonin në këtë konkluzion kam përmendur në rradhë të parë ato që burojnë nga konteksti i sotëm gjeopolitik i marrëdhënieve ndërkombëtare, - duke patur parasysh se ndërkombëtarët, janë edhe aktorët kryesorë në këto negociata. Përsëri më rezulton se ata kanë kundërthënie midis vetes përsa i përket statusit të Kosovës, veçanërisht pavarësisë. Janë kundërthënie që kanë të bëjnë sa me problematikën që hap krijimi i precedentit të ndryshimit të kufijve aq edhe me ekuilibret e sotme të brishta në kuadrin e luftës kundër terrorizmit. Nuk është fantapolitikë të dyshosh se edhe zgjedhjet në SHBA që sollën humbjen e Bushit e do të sjellin ndoshta ndryshimin e raportit të SHBA me Evropën do të kenë një ndikim edhe në çështjen e statusit të Kosovës. E kur ka kundërthënie shtyrja derisa ato të kthjellohen e zgjidhen është një nga opcionet më të lehta. Gjithashtu nevojë për shtyrje ka edhe justifikim të fortë në kontekstin e rajonit veçanërisht kur ke parasysh se reagimet e Serbisë nuk mund të mos jenë shqetësuese dhe shtyrëse. Besoj se edhe problemi i zgjedhjeve që serbët kanë në janar ka ndikuar për shtyrjen. Edhe ato do të jenë një test për ndërkombëtarët. Jo vetëm, por duket nuk e kanë parë të udhës të ndikojnë në këtë zgjedhje duke marrë një vendim aq të rëndësishm para tyre siç është shpallja e statusit të Kosovës. Një tjetër faktor sipas meje është fakti se shqiptarët nuk konsiderohen të përgatitur ashtu dhe aq sa duhet për të marrë në duart fatet e veta e për ta drejtuar Kosovën në rrugë të mbarë e demokratike. Sipas meje ky duhet të jetë shqetësimi kryesor i kosovarëve. Një shtet më shumë që krijon telashe si në aspektin e respektimit të të drejtave të minoriteteve edhe në aspektin e një shteti të dobët, të kapur nga korrupsioni dhe mafje kërkush nuk e ka fort me qejf. Ngulmoj po ashtu se, nga ana tjetër, edhe shtyrja ka problemet e veta sepse kjo gjendje e një vendi pa status apo me status anormal siç është Kosova, mund të konsiderohet edhe situatë dështimi për ndërkombëtarët e për shqiptarët e situata të tilla imponojnë fillime nga e para, për çka të gjithë janë të lodhur. (Rubrika Përpjekja, Standart 18 nëntor 2006)

Read More......

Dushku i Dushkut të Dushqeve

Duke parë Berishën të buzëqeshte teksa i shtrëngonte dorën Nard Nokës pas nënshkrimit të marrëveshjes me Partinë e këtij Demokristiane sipas së cilës kjo do të ketë një ministër në qeveri, një zv. ministër, një prefekt dhe nja njëmbëdhjetë drejtorë e ku di unë se çfarë tjetër, më lindi një kuriozitet i jashtzakonshëm: të dija se çfarë po mendonte në ato çaste kryeministri. Mu duk një buzëqeshje gati e sinqertë dhe kjo më tronditi sepse vetmevete po thoja: a po mendon vallë Berisha, siç ta do mendja, për ditën kur do t’ia lajë Nikollës e Nard Nokës këtë poshtërim që po i bëjnë apo vallë beson se po bën një punë të mirë me disa djem të mirë, të një partie të mirë. Nuk e di. Dihet se Berisha gjatë këtyre viteve ka humbur shumë lloj ndjenjash për hir të pushtetit, por kjo buzëqeshje i kapërcente disa kufij të së njohshmes.
Sa për buzëqeshjen e Nardit ajo ishte më e lexueshme. E pra më në fund, pas 15 muajsh luftë, Nard Noka dhe Nikollë Lesi ia arritën të marrin një post ministror. Ishte një punë titanike, arritën të rekrutojnë më në fund, duke i mbledhur sa andej këndej bangave të Parlamentit, tetë deputetë nën emblemën e Partisë Demokristiane e cila mund të konsiderohet partia më sui generis që ka parë historia e parlamentarizmit tonë. Për hir të së vërtetës nuk e di saktë se sa deputetë ka kjo parti, por edhe nëse gabohem besoj se më falet sepse lëvizjet në këtë parti janë shumë të shpejta e memoria nuk i regjistron dot. E sigurtë është se kokrrat e shquara arritën më në fund t’i ofrojnë Berishës një shportë të atillë në Parlament sa të mund ta shantazhojnë: o na jep një post ministror dhe një post kështu e ashtu o përndryshe ne të hedhim në erë sepse bëhemi me socialistët. Kushedi sa zili i ka Ilir Meta e të tijtë që për të arritur një pozicion të tillë harxhuan energji pa fund, e u prishën me tërë dynjanë pa ia dalë të bëjnë as gjysmën e atyre deputetëve që mundi të bëjë Nardi me Nikollën duke pirë kafe në Rogner dhe Sheraton. Dhe pa pasur elektorat fare. Ju siguroj unë se po të ketë zgjedhje të vërteta më shumë se tetëqind vota nuk marrin ata tetë deputetë. Dhe këtë shifër e them duke llogaritur se duhet të kenë familje me kallaballëk dhe duke futur aty edhe familjet e shoferëve se, përndryshe, na del se elektorati i tyre janë ca socialistë të Tomës, ca socialistë të agrares ca demokratë të PD që iu dhanë Genc Pollos kur Nardi ishte me të e ndonjë mik rakie i Nikollës.
Kjo marrëveshja e fundit e Berishës me Nokën që vjen si rezultat i Dushkut të vogël dhe pastaj i atij të madh është Dushku i Dushkut të Dushkut ose ndryshe turpi i turpit të turpeve sepse është kuintesencë e imoralitetit në politikën tonë. Është një hap më tej në degjenerimin e klasës sonë politike, një hap më tej në shpërfilljen e elektoratit e sigurisht një hap më tej i sistemit të korrupsionit sepse, nëse ka arritur një kulm imoraliteti në politikë është kjo mbledhje deputetësh të dalë nga Dushku i Dushkut të Dushkut, të cilët, duke mos pasur asnjë fije elektorati mbrapa, bashkohen vetëm për të nxjerrë ndonjë përfitim personal. Rezultati është që kryeministri bëri një marrëveshje me Nard Nokën me aq solemnitet sa dukej sikur ky të ishte kreu i ndonjë qeverie tjetër dhe jo kryetar i një partie fantazmë? A mund të na thotë Berisha pse? A e di Berisha se me këtë akt humb aq pikë sa mund t’i kushtojë jo sa për tetë, por për tetëmbëdhjetë deputetë në zgjedhjet e ardhshme, pasi kërkush nuk i beson se mund të luftohet korrupsioni me këtë soj politikanësh?
E bukura e të bukurave është se as opozita nuk ndjehet për këtë Dushk të Dushkut të Dushqeve. As Ilir Meta vetë. Dhe a e dini pse? Sepse ata kanë shpresë se Nardi me Nikollën kanë për të vënë nesër një çmim më të madh të cilin ata do të mund ta përballojnë me tërë ato para që kanë bërë gjatë tetë vjetëve, e kështu do t’i kthejnë në anën e tyre. Në fakt, sipas gojëve të liga, pazaret ishin që Nardi me shokë të mos votonin as për Jozefinën. Por rasti i Jozefinës ishte paralajmërimi i fundit për Berishën. Sikur ky të mos e bënte edhe kësaj here lëshimin e posteve atëhere ishte i mbaruar.
Unë kam një propozim për politikanët tanë si hap të fundit pas Dushkut të Dushkut të Dushqeve. Nuk ka nevojë për zgjedhje. Pse të harxhojmë para kot së koti? Ata fare mirë mund të bëjnë një marrëveshje në Parlament për amendim të Kushtetutës ku të shkruajnë atje shprehimisht se për katër vjet Nikolla dhe Nardi dhe një grup deputetësh do të bëhen me PD dhe katër vjet të tjera me PS e kshtu do të kemi të zgjidhur edhe problemin e rotacionit. Meqënëse kam përshtypjen se kur të vijë puna e presidentit Nardi do të kërkojë që ose të vihet Nikolla president ose përndryshe Partia e Demokratëve të krishterë (se çfarë të krishterësh janë këta një zot e di) bëhet prap me armikun, atëhere le ta zgjidhin këtë punë që tani: kandidati i ardhshëm për president është Nikoll Lesi. A ka urë më të mirë midis opozitës dhe mazhorancës? Deri ca ditë më parë a nuk e kishte gazetën Koha Jonë nën menaxhim të LSI? Kështu Berisha e ka të siguruar deri më 2009, por pastaj të ikë se do kemi kryeministër Ramën ose Metën. Asgjë nuk ndryshon, ju siguroj unë, pse të lodhemi për zgjedhje e më the të thashë. Të rrojë Partia e Punës, më falni e Parlamentit? Ne edhe sikur të duam të zgjedhim të tjerë nuk ia arrijmë dot sepse ata kanë edhe paret edhe gurin edhe arrën në dorë. Le t’i zgjidhin pra mes vetes punët e pushtetit. Derisa të vijë dita kur t’i çojmë për dushk. (Korrieri 20 nëntor 2006)

Read More......

Kadareja dhe mediat lavatriçe

Kadare ka dhënë një intervistë në TV Klan ku ka spikatur deklarimi i tij se nuk ka qenë disident; se kontrata që ka pasur me popullin ka qenë si shkrimtar dhe jo si hero dhe se “lubonjëria” që ia kërkon këtë të ishte bërë vetë. Cili është komenti juaj?

Disidenca lidhet me një periudhë poststaliniste të vendeve të Lindjes ku, pas dënimit të Stalinit, u krijua një lloj lirie relative për të shprehur kundërshtimin nëpërmjet aktesh publike. Kurse Shqipëria mbeti deri në fund staliniste, prandaj çështja e disidencës as mund të shtrohet, por ama një pyetje mund e duhet të shtrohet: pse Shqipëria mbeti staliniste, ndryshe nga tërë vendet e Lindjes? Cila është përgjegjësia e inteligjencës për këtë? Po të lexosh intervistën e Kadaresë dashur pa dashur ajo flet për këtë.
Në vitet e rinisë sime për të cilët flet Kadareja ekzistonte një rini qytetare që kishte fituar një ndërgjegje kundër atij regjimi e cila, ndryshe nga masa e servilëve karrieristë që zbrisnin nga provinca, e urrente regjimin dhe kërkonte çlirim. Madje, lidhur edhe me rastit tim personal, nëse ka njeri që e ka ditur se kishte edhe një grup të rinjsh që kishin vendosur të mos botonin, por të bënin letërsi sirtaresh që godiste regjimin ky është Kadareja. Këto ai i di mirë sepse ka qenë një brez i ndërmjetëm midis këtyre dy brezave dhe ka jetuar në rrethet e tyre. Sigurisht nuk ishte ndonjë gjë e madhe ajo që bënim, por si akt moral ndaj shoqërisë dhe ndaj vetvetes ishte e kundërta e atyre që vargëzonin pa fund për shqiponjat që fluturonin lart e që gëzoheshin pa masë kur Shoku Enver u bënte ndonjë telefonatë përgëzimi. E nëse në ato vite filloi një luftë kundër liberalizmit që përfundoi me trefishimin e numrit të të burgosurve politikë për një periudhë shumë të shkurtër kjo mbi të gjitha u drejtuar kundër kësaj rinie të cilës iu prenë krahët pa fluturuar. Nëse dikush prej nesh nuk u dogj me benzinë si Jan Palah në Çekosllovaki në atë kohë kur filluan të na presin gjuhën sëbashku me flokët e gjata kjo nuk është se na bën ndonjë nder, përkundrazi, tregon shkallën e shtypjes e të nënshtrimit të shoqërisë. E lidhur me këtë unë problemin e kam shtruar si çështje kulture, si çështje që ka të bëjë me rolin e intelektualit në një shoqëri. Jam shprehur se në shoqërinë tonë mbizotëron një kulturë që e përçmon një hero idealist, njeriun që sakrifikohet për të tjerët, përkundrazi ajo ka si model intelektualin që boll të arrijë suksesin dhe një status paçka se si e arrin atë. Këtë e provon edhe vetë Kadareja në intervistën e tij kur tregon se si një intelektual tallet me një njeri të thjeshtë duke i thënë se ai duhet të digjej me benzinë në shenjë proteste sepse intelektualët vlejnë, kurse ai nuk vlen për asgjë. Pra ne, mëtë rinjtë, që të “digjeshim” kishim nevojë për tjetër lloj shembull intelektuali, jo si Kadareja. Kur shkrimtari më i njohur nxitoi të na quante antishqiptarë e armiq çfarë mund të prisje nga të tjerët. Dhe problemi që kam ngritur është se ky lloj intelektuali në vend se të dënohet inkurajohet tek ne edhe sot. Vetëm në Shqipëri mund t’i bëjë nder një shkrimtari sot t’ëtallë akte të tilla si i Jan Palah. Akte të tilla janë akte që shenjojnë ndërgjegjen kolektive të një shoqërie e që, siç ka treguar shpesh historia, kanë vlejtur më shumë sesa dekada emancipimi gradual të shoqërisë.
Shprehje e kësaj kulture është edhe kur thotë: “nuk kam pasur kontratë me popullin tim si hero, pot si shkrimtar”. Ç’kuptim ka kjo? Shkrimtari, nëse duhet të ketë një kontratë duhet ta ketë me të vërtetën. Këtë kontratë ai e ka prishur pafundimisht mu pse ka pas nënshkruar një kontratë tjetër, si shkrimtar, me regjimin që e paguante si profesionist i lirë, që i ndërtoi një apartament special, që i vuri një përkthyes në shërbim dhe kjo kontratë, do s’do Kadareja, ishte një kontratë që parashkonte larjen e truve popullit për ta sunduar më mirë dhe jo thënien e së vërtetës. Kjo lloj mendësie mbi raportin me pushtetin shpjegon pse edhe gjatë tranzicionit Kadareja ka mbajtur qëndrime flirtimi si me regjimin autoritar të berishës 92 – 97 si me sistemin e korrupsionit të Nanos duke gëzuar madje edhe privilegje prej tyre.
E megjithatë askush nuk e ka akuzuar, siç pretendon në intervistë, se ka bërë një kontratë për të qenë hero dhe nuk e mbajti. Sot i është thënë pse kërkon të bësh heroin pa pas qenë hero duke e thelluar edhe më shembullin e keq të intelektualit manipulator. Sot i kërkohet që të mos çojë trupa televizive të huaja në vende internimi imagjinare ku nuk ka qenë kurrë, e të mos bëjë sikur në famëkeqen Lidhje të Shkrimtarëve ai paskësh qenë i vetëm kundra të gjithë shkrimtarëve të tjerë. Nuk i është përmendur fare denigrimi që u ka bërë autorëve më të njohur të shekullit XX me pseudonimin Gent Arbana. Nuk i është thënë pse shkrove Pashallarët e Kuq që eksaltonte Enver Hoxhën dhe varroste ende pa u pushkatuar të ashtuquajturit armiq që ai kishte zbuluar në atë kohë, por pse kërkon ta nxjerrësh sikur Pashallarët e Kuq ishte një vepër kundër diktaturës së proletariatit. Si mund të jetë kundër diktaturës së proletariati një poemë ku shkruhet: “Diktaturë e klasës s’është vec në vjersha/Dhe në ditlindjen e veteranit tornitor./Je për socializmin?/Vrapo në rrjeshta/Shpall kudo dhe mbi këdo/kontroll punëtor.” Në fakt, megjithëse ne të gjithë e dimë se si njerëzit ishin të detyruar të përsërisnin çfarë thuhej nga udhëheqësi i madh për armiqtë e popullit, ajo e tejkalon në egërsi edhe gjuhën e këtij sepse shkrimtari, sikur të jemi në një gjendje lufte në front, arrin e thotë: “Bjeri ditë e natë burokratizmit,/Klasën që u përmbys nën këmbë e mbaj./Në se s’do që nesër skuadër e pushkatimit/Të të vejë në mur/tek Bulevardi i Madh.” Dhe prap nuk i kërkojmë llogari pse vargje të tilla kanë frymëzuar turmën e pafundme të injorantëve për ta zhytur edhe më pa mëshirë çizmen në fytin e armikut të klasës. As që të kërkojë falje nuk i është kërkuar. Personalisht nuk mendoj se ai i urrente vërtet kaq shumë klasat e përmbysura dhe armikun e klasës kundër të cilëve asnjë shkrimtari i socrealizmit nuk ka shkruar si ai. Kemi të bëjmë me shkrimtarin që humbet unin e tij dhe krijon “unin tjetër” që shkruan dhe mendon ashtu që t’i pëlqejë diktatorit, fenomen ky i njohur në diktatura. Por ama kemi të drejtë t’i kërkojmë t’i njohë e shpjegojë këto mekanizma në mënyrë që brezat që vijnë të kuptojnë se nga ç’kohë e mbrapshtë kanë dalë, jo të thotë kam qenë i lirë në diktaturë, se kështu i bën nder diktaturës.

Sulmet tuaja dhe të Qoses Kadareja ia atribuon zilisë së shkrimtarëve mediokër. Sipas jush a ka të vërtetë në këtë akuzë, apo keni tjetër shpjegim?

Ajo që bije në sy kur shtjellon këtë akuzë është se ai i trajton shkrimtarët e tjerë sikur këta të jenë ushtarë që vriten në betejë në funksion të lavdisë së gjeneralit Kadare. Ky vizion piramidal prej ushtaraku reflekton një kulturë që mund ta dëgjoje një shekull më parë kur gatuhej mbinjeriu dhe përgatitej fashizmi, por të kesh sot këtë koncept për krijuesit dhe krijimtarinë kjo tregon se ky autor ka jetuar i izoluar nga mendimi liberal progresist evropian. E keqja është se sot ata që kanë lexuar dhe atëhere dhe tani vetëm Kadarenë nuk arrijnë ta kuptojnë se janë përçuesit e kësaj kulture të stërvjetëruar që stimulon njeriun fashist tek individi. Krijuesit nuk ndahen në të mëdhenj e të vegjël, por në të vërtetë e në të rremë, nëse mnd të tentojmë një karakterizim. Çdo krijues i vërtetë sjell një përvojë të vetën një frymëzim të vetin dhe kjo është bukuria e artit, tek pasuria dhe larmija e vet. Kjo s’do të thotë se s’ka libra apo autorë që na pëlqejnë më shumë apo më pak, Por shpesh këto përzgjedhje janë shumë individuale e lidhen me ndjeshmërira të ndryshme me shije e formime të ndryshme. Sa për ilustrim, më lejoni mungesën e modestisë, mund t’ju them se Kaczorowski, recenzuesi i “Gazeta Wiborsha”, që është më e madhja e më e mirënjohura në tërë Lindjen, në recensën që ka bërë pas botimit të Pallatit të Ëndrrave këtë vit në Poloni thotë: “Ky libër nuk është as i mirë, dhe as tepër tepër i keq. Është thjesht mesatar - ashtu sikurse është e gjithë krijimtaria e këtij autori shqiptar.” I njëjti që duke iu referuar një eseje time “Blloku” të antologjisë “Evropa që po zhduket” të botuar në Poloni dhe Gjermani më cilëson “shkrimtar i shkëlqyer evropian.” Jo vetëm, por nëse do të nisemi nga ideja se mediokrit janë ziliqarë ndaj gjenijve atëhere sipas kësaj teorie mund të ngrihet pyetja: po pse nuk e paskan zili Kadarenë tërë ajo turmë shkrimtarësh e gazetarësh që e adhuron, ngase nuk janë mediokër, ngase janë nën mediokër apo çfarë? Prandaj më mirë sesa me vlerësimet denigruese ndaj njëri tjetrit duhet të merremi me analizën dhe gjykimin e argumenteve që parashtrojmë. Personalisht veprën e Kadaresë e gjej shprehëse të ideologjisë nacional komuniste shtypëse dhe izoluese të Hoxhës, trazuar me një prirje të theksuar për të kënaqur shijet ekzotike e orientaliste të lexuesit perëndimor, çka më bën të mos e gjej të vërtetë, e të mos më ngjallë emocion. Kuptohet se në këtë mospëlqim ndikon sa formimi im edhe jeta ime e kaluar nëpër burgje. Dhe kritikat e mija i kam ndaj veprës më shumë sesa ndaj jetës së shkrimtarit sigurisht pa i ndarë ato me thikë sepse nuk ka kuptim t‘i ndash pasi modeli i intelektualit që ai përfaqëson, atij që flirton me çdo pushtet, reflektohet si në jetën edhe veprën. Kush kërkon të merret me argumentet që shtjelloj do mund t’i gjejë sa në revistën Përpjekja edhe në shtypin shqiptar e le të merret me to sepse kundërshtimi i tyre me logjikë të shëndoshë vlen shumë më tepër sesa thjesht sharjet apo thjesht përmendjet e faktit se Kadareja lexohet në Perëndim. Po ashtu kam kritikuar edhe vizionin e tij për botën e Shqipërinë që ai shpalos pasi i imi është krejt tjetër. Dhe kjo besoj se është një detyrë intelektuale. A mendoni ju psh. se një intelektual duhet të heshtë kur dëgjon se shkrimtari më i njohur i vendit thotë se “Kanuni i Lekë Dukagjinit, është thelbi i evropianizimit” se “Kanuni shqiptar është kanun me stof katolik”, vetëm pse këto marrëzi i thotë Kadareja. Po mu pse i thotë Kadareja duhet folur edhe më fort sepse shumica, që nuk ka instrumente, i beson verbërisht. Më duhet pra të përsëris se kjo qasje esencialste që kërkon thelbe të Evropës është e gabuar, se Evropa është një “ngjarje” e shtrirë në hapësirë dhe kohë në ndryshim e pasurim të vazhdueshëm. Por, edhe kur për qëllime thjeshtëzuese i referohemi momenteve të saj kulminante, që, si të thuash, i shenjojnë identitetin, sot debati bëhet midis atyre që kuptojmë me Evropën Iluminizmin e shmçka tjetër dhe atyre që kërkojnë t’i gjejnë rrënjët e saj tek Krishtërimi. Dhe kur flasin për rrënjët e krishtera të Evropës kanë parasysh se me krishtërimin për herë të parë ze fill ideja e madhe demokratrike e dinjitetit të personit e barazisë midis njerëzve, pasi, sipas tyre, ai u ngrit mbi idenë se Zoti i ka bërë njerëzit sipas imazhit të tij. Libri i shenjtë i një të krishteri është Ungjilli i cili na mëson të duam edhe armikun tonë, i cili na thotë të falim? Ku e gjen ky stofin katolik tek Kanuni (pale që kush ka lexuar Doruntinën do të gjejë atje se janë pikërisht priftërinjtë ata që i kundërvihen institucionit të besës kanunore). Kanuni na mëson se për të marë hak mund të vrasim çdo pjesëtar mashkull mbi 15 vjeç të familjes së vrasësit? Kanuni nuk është tjetër veçse tentativa më primitive e një shoqërie klanore, ku nuk ka hyrë ende as shteti dhe as feja, për të vënë disa rregulla bashkjetese. Dhe fakti se ay ka mbetur deri vonë në disa zona ku nuk ka shkelur dot as turku, sepse kanë qenë zona shumë të thella malore, nuk ka të bëjë fare me të qënit e tij perëndimor dhe jo lindor siç thotë Kadareja. Madje, nëse ai do të lexonte pak më shumë histori, do të mosonte se ata turqit e tij të liq kanë bërë edhe pajtime gjaqrash në truajt ku mbizotëronte Kanuni pasi ata kishin ndërtuar shtet.


Kadare është ankuar për shtypin se e ka trajtuar pa moral historinë e tij me Janullën. Ju jeni ankuar po për këtë shtyp për mënyrën se si e ka trajtuar. Ç’keni për të thënë?

Për mua ishte troditëse mënyra se si për të mbrojtur monumentin e tyre një numër i madh gazetarësh trajtoi mizorisht një grua fatkeqe që ka mbetur me një djalë të sëmurë mendërisht. Ndërkohë që i kërkonin ndjesë Gresës nxorrën fletët e hartuara nga sigurimsit me një gjuhë që është tipike e aktakuzave të asaj kohe për të provuar se nuk është internuar për shkak të Kadaresë, por sepse paska qenë spiune dhe prostitutë. Po si nuk u kujtua asnjëri të paktën të pyeste se çfarë ka qenë ky Komisioni i Dëbim Internimeve të cilin e njoh mirë sepse i ka rinovuar çdo pesë vjet internimin familjes sime për njëzet vjet rresht. Ai ishte një organ që vepronte pa gjyq. Pra që merrte dhe plaste njerëzit nëpër qoshet e skutat më të errëta të vendit sipas nje vendimi arbitrar që ishte në kundërshtim edhe me kushtetutën e atij regjimi. I internuari në këtë aspekt ka qenë më keq sesa i burgosuri sepse nuk gëzonte as të drejën e një gjyqi ku të mund të mbrohej. Komisioni i Dëbim Internimeve ka qenë një nga shekelësit më flagrantë të të drejtave të njeriut në shqipëri. Kryetar i tij mesa mbaj mend ka qenë një nga antarët më besnikë të Byrosë Politike, Manush Myftiu.
Për të provuar përrallat e Kadaresë se Janulla ne qenkësh venë nga segmentet e errëta të Sigurimit kundër segmenteve të bardha të tij na thirret në ndihmë edhe Hekuran Isai i cili, në kohën kur flitet ka qenë aq liberal saqë sapo u bë ministër vendosi në Burgun e Burrelit regjimin më të egër që kishte njohur ky burg. Këta lloj gazetarësh thonë se Kadareja i ka ndriçuar, por unë nuk shoh pikë drite në këtë lloj gazetarie. Mua më bëjnë të shtoj pyetjen:: ç’përfaqësojnë këta gazetarë që e trajtuan kameran e penën si zorrë për të shplarë monumentin nga çdo kritikë e për të mbuluar me këto ujra të vërtetën? Si ka mundësi që intervistuesi Fevziu u kthye në dëgjuesin Fevziu duke bërë sikur po i dëgjonte për herë të parë shumë nga shtrëmbërimet dhe gënjeshtrat që tha Kadareja në atë emision?
Është normale që një lexues të jetë i lidhur me një autor për njëmijë arësye. Por është anormale që ky të humbasë sensin e realitetit dhe të mos dojë të dëgjojë asgjë që flet në mënyrë kritike për autorin e tij; është edhe më anormale që të lëshohet me një histeri kundër atyre që kritikojnë autorin e tij. Pati ndonjë që u lëshua aq keq në tërbimin e tij saqë nuk nguroi të shkruajë se personi që goditi Fatos Klosin duhet të kishte goditur ata që shkruajnë kundër Kadaresë. Pale që së fundi kjo media lëshoi me gërma të mëdha thënien “gjeniale” të Kadaresë “Qosja është i marrë!”
Çështja është, ku e ka burimin kjo histeri? Ky nuk është thjeshtë konformizëm. Pa dyshim ka edhe konformizëm në këtë histori, edhe injorancë, por egërsia e treguar ndaj Janullës dhe atyre që kërkojnë të kritikojnë idhullin duhet të kërkojmë më thellë. Shpjegimin duhet ta kërkojmë atje ku gjejmë shkaqet e adhurimit të diktatorëve në përgjithësi, shkaqet e mungesës së individualitetit, personalitetit e shpirtit kritik tek njeriu. E këto më çojnë tek historia e një shoqërie represive dhe paternaliste dhe efektet e saj mbi individin, Historia e adhuruesve të verbër të idhujve është shumë e njohur në botën perëndimore sepse është tashmë pjesë e mendimit klasik psikoanalitik, që tek ne nuk ka hyrë ende, fatkeqësisht. Nëse do t’i referohemi një klasiku të psikanalizës moderne Heinz Kohut “The analys of the self” (analiza e unit) tek adhurimi për idhullin më një anë dhe egërsia e sulmeve ndaj kritikëve të tij do të gjejmë fenemenin e shrregulimeve nerçiziste të personalitetit, që vihet re veçanërisht në shoqëritë represive e me një kult dhune siç është vendi ynë. Karakteristikë e këtyre shoqërive është trajtimi i keq i fëmijëve. Rrahja, nënvjeftësimi, neglizhimi në fëmijëri (ne kemi një shprehje që se kam dëgjuar kund: më mirë mut se i vogël) lenë gjurmë të thella tek njeriu. Ato krijojnë tek ata një ndjenjë mosbesimi tek vetvetja, pasigurie dhe krijojnë fenomenin e nevojës obsesive për tu shkrirë me një objekt omnipotent. Për të mposhtur ankthet dhe pasiguritë e tyre këta kapen pas kësaj figure që e idealizojnë e me të cilën identifikohen dhe kur u cënon atë në të vërtetë ata irritohen sepse u preken sigurirat e brishta të vetat. Dhe jo është një gjendje delirante, jashtë realitetit.
Edukimi i një individi të aftë që të admirojë e të entuziazmohet pa humbur sensin e realiteti dhe shpirtin kritik, që i do miqtë, por më shumë të vërtetën, i sigurt në vetvete, që s’ka nevojë të strehoet në një un grandioz delirat të vetin apo në një objekt të idealizuar omnipotent jashtë tij është një rrugë e gjatë që e pret shoqërinë tonë prandaj edhe një herë përsëris thënien e Wiliam Reichut “të shpëtojmë fëmijët” sepse shumë nga këta për të cilët po flas i shoh pa shpresë. (Rubrika Përpjekja, Standart, 11 Nëntor 2006)

Read More......