Wednesday, July 18, 2007

Presidenti - jo i panjohur, jo nga populli

Çështja e presidentit po rezulton një rast mjaft i mirë për të testuar sa klasën tonë politike përsa i përket pjekurisë së saj aq edhe se çfarë ka gatuar kjo klasë politike për 15 vjet në krye të punëve tona publike. Ka shumë aspekte që mund të zgjedhësh tek ky test dëshpërues i rradhës. Besoj se njëri prej më domethënësve është edhe ai që na ofron dy variante ekstreme për figurën e presidentit: një president i panjohur i zgjedhur në mënyrë të atillë që të mos ketë thënë asnjë fjalë publike as edhe një prononcim publik që të tregojë pozicionin e tij dhe një president i zgjedhur nga populli që do të nënkuptonte një figurë shumë të njohur sepse askush nuk do të çonte në popull për të votuar një të panjohur. Lëkundja midis këtyre dy ekstremeve në fakt provon se në të dy variantet kemi të bëjmë në rastin më të mirë me papjekuri të madhe politike kurse në më të keqin me qëllimshmëri të mbrapshtë për moszgjedhjen e figurës së kryetarit të shtetit si simbol i unitetit dhe si institucion që qëndron mbi partitë. Sepse, sipas mendimit tim, një ndryshim kushtetues që do të vendoste zgjedhjen e presidentit nga populli do të na e komplikonte jetën politike, njëlloj, në mos më keq, sikurse do të vazhdonte të na e komplikonte një president i panjohur i zgjedhur sipas marrëveshjes së kryetarëve të forcave opozitare. Kemi të bëjmë me dy ekstreme që puqen.
Le të arsyetojmë pak se ku do të dalim po t’i shkojmë me seriozitet idesë së zgjedhjes së presidentit nga populli. Sipas të gjitha gjasave ideja e zgjedhjes së një presidenti nga populli duket se ka lindur në kampin demokrat për shkak se figura që ata mendonin të propozonin si president, Bamir Topi, gëzon një simpati më të gjerë sesa të gjitha figurat e tjera. Mirëpo në rastin e një presidenti nga populli ne do të duhet të kemi parasysh se dy partitë e mëdha do të futen në garë me dy kandidatë të tyre për president. Kuptohet se do të shkojmë drejt një sistemi presidencial. Diçka si në sistemin amerikan apo francez sepse një president i zgjedhur nga populli gëzon, pa tjetër, një legjitimitet shumë të madh dhe forcë më të madhe prandaj dhe duhet të ketë edhe më shumë kompetenca. Nuk mund të mendohet se Sali Berisha do të jetë po ai me pushtetin e tij pas zgjedhjes së partisë së tij të një tjetër emri si psh. Bamir Topi ashtu sikurse nuk mund të pengosh kryetarin e PS Edi Rama të jetë ai kandidati për president i opozitës. Pra një president nga populli nënkupton kompeticion midis figurash që do të duhet të ishin apo do të bëheshin figurat kryesore në dy forcat politike kryesore. Në këtë rast kthehemi atje ku kemi qenë kur Berisha ishte president në vitet 1992 – 1997 ndonëse i pazgjedhur direkt nga populli. Pra, jo tek zgjedhja e një presidenti që siguron paqtim dhe institucion të pavarur nga partitë, jo tek zgjedhja e një garanti kushtetues, por tek zgjedhja e një figure të rëndësishme ekzekutive që realizon reformat e propozuara gjatë fushatës elektorale. Pra ajo që sipas mendimit tim me të drejtë është vendosur në Kushtetutë duke patur parasysh konfliktualitetin e fortë midis dy krahëve, zgjedhja e një presidenti që të kërkojë 3/5, nuk do të realizohej kurrsesi në këtë mënyrë.
Vetëm në një rast do të mund të dilte nga populli një president që të mos ishte i partive: sikur përzgjedhja e tij të kryhej jo nga partitë, por nga tjetër gjë dhe në emër të gjetjes së një figure sa më të paanëshme ndaj dy forcave. Po çfarë mund të ishte kjo tjetër gjë dhe kush do t’i ndalonte edhe partitë të konkuronin me këtë tjetër gjë? Është e qartë se një gjë e tillë është sa e pamundur aq pa kuptim pasi realisht do të kishim një konkurim për votim midis figurash që pretendojnë se janë mbi partitë duke përdorur makinat elektorale të partive dhe duke shkuar tek një votues i polarizuar që gjithsesi do të bënte zgjedhje partiake.
Ndërkaq, nga ana tjetër, në thelb e njëjta gjë, dmth. mosevitimi i konfliktualitetit, rezulton edhe në rastin e zgjedhjes së një presidenti të panjohur që rrjedh nga konsensusi apo marrëveshja e liderëve të forcave pa pasur një konsultim paraprak as me parlamentin as me mediat as edhe me opinionin e gjerë. Nëse në rastin e një presidenti nga populli presidenti do të rezultojë qartazi i njërës palë duke bërë që pala tjetër të pranojë humbjen e të ulë kokën, në rastin e presidentit të panjohur do të kemi vazhdimin e një konflikti permanent pa arbitër. Këtë e pohoi edhe vetë Berisha indirekt në emisionin Opinion të Fevziut kur u shpreh se kërkesa për të ndryshuar ligjin mbi prokurorin, si kusht për presidentin konsensual Zaimi, u bë, mes tjerash, edhe për të mos i lënë presidentit të ri të propozuar këtë “barrë të rëndë” sepse kjo do ta komprometonte atë. Kështu palët e arritën konsensusin për presidentin e panjohur, por, sikur ky të mos ekzistonte, vazhduan menjëherë konfliktin për prokurorin pa pyetur fare se kishin zgjedhur një president i cili, edhe me kompetenca kushtetuese, duhet të qe njeriu që do të vendoste për prokurorin.
Kurse ne kemi nevojë për një president i cili të ketë aftësinë e marrjes përsipër të këtyre “barrëve të rënda”; i cili nëse ka bindjen se prokurori duhet zëvendësuar të marrë përgjegjësinë e heqjes së tij ashtu sikurse e kundërta. Ne kemi po ashtu nevojë për një president i cili, duke qenë garant i Kushtetutës, të emërojë një prokuror që të mos bëhet vegël e asnjërës palë, por t’i shërbejë vetëm ligjit. Një president që të veprojë sipas bindjeve të tij, që të mos jetë palë dhe të mos bëjë padrejtësisht punën e asnjërës palë. Kurse një president i zgjedhur në staturën e të panjohurit e bën atë të pafuqishëm për të kryer me dinjitetet kompetencat që i jep Kushtetuta.
Ja pse në të dy rastet me këto dy lloj zgjedhjesh nuk evitojmë dot atë që Kushtetuta, kur është hartuar, ka menduar me të drejtë: të zgjedhim një presidentin që të mbrojë institucionet nga pushtimi prej palëve në konflikt. Pa një president të tillë edhe reformat për të cilat kemi nevojë rrezikojnë të përdoren në emër të konfliktualitetit.
Fakti që ne nuk po e zgjedhim dot një president të tillë për shkak të konfliktuailtetit dhe mendësisë parti-shtet e parti-lider është tregues se aq më shumë kemi nevojë për një president të tillë. Kushtetuta në këtë rast duhet të shërbejë si një këmishë force që të mos i lejojë këta liderë të bëjnë atë që duan në emër të konfliktualitetit. Ndryshimi i Kushtetutës në mënyrë që ata të realizojnë atë që duan, qoftë nëpërmjet kërkesës për zgjedhjen e një presidenti nga populli qoftë nëpërmjet një konsensusi që rezulton në zgjedhjen e një të panjohuri, është bash e kundërta e asaj për të cilën kemi nevojë.
Konflitktualiteti që çon në kthimin e institucioneve shtetërore në instrumente të partive mbetet një ndër problemet tona kryesore. Ja pse zgjidhja më e mirë e mundëshme është mbrojtja e kësaj Kushtetute nga të gjithë, jo vetëm deputetët e moderuar, por edhe mediat dhe opinioni publik e shoqëria civile dhe ngulmimi për zgjedhjen e një presidenti me numrin më të lartë të mundshëm të votave mbi 84 që do të merrte përsipër barrën e rëndë që i ngarkon kjo Kushtetutë. Është njëqind herë më mirë të largohen nga kreu i partive liderët konfliktualë sesa të shkelet e ndryshohet Kushtetuta në emër të konfliktualitetit të tyre. (Korrieri, 11 Korrik 2007)

Read More......

De Soto, Top Channel, opozita dhe qeveria

Është e qartë se qeveria po tregohet selektive në goditjen me gjobë kundër bizneseve të pronarit të televizionit Top Channel. Por po ashtu është po kaq e qartë se edhe ky televizion, ashtu sikurse edhe gazeta Shqip, janë selektivë në goditjet ndaj qeverisë. Ndeshja po paraqitet si një konflikt midis biznesit e fjalës së lirë më një anë dhe prirjes së shtetit për t’i kontroluar ato më anë tjetër. Por nuk është thjeshtë kështu. Kjo është të përdorësh skema të një konteksti në një kontekst mjaft tjetër. Për më tepër fatkeqësia jonë është se ne mbesim deri tek konflikti selektiv i interesave midis palëve dhe nuk duam të shohim më përtej: atë çka zbulon dialektika e kësaj ndeshjeje. Sipas meje në thelbin e këtij konflikti, përtej selektivitetit të Berishës apo vetëmbrojtjes së tipit “dy duar për një kokë” të pronarit, kombinuar me etjen për rikthim në pushtet të opozitës, duhet të shohim e shtrojmë për zgjidhje një problem që ngërthen nevojën e ndryshimit të vizionit të zhvillimit të vendit. E kam fjalën për çështjen e modelit të kapitalizmit anarkist që kemi ngritur në Shqipëri dhe të ardhmen e tij.
Le të hyjmë në temë.
Në sajë të një kombinimi të injorancës me kulturën tonë të manipulimit - të dyja nuk janë pa lidhje sepse një investim serioz në dije e refuzon përdorimin e dijes për qëllime manipulimi, - në mjediset pseudointelektuale shqiptare gjen shumë teori për të justifikuar e përligjur gjoja teorikisht (apo duke iu referuar historisë) realitetet tona të mbrapshta. Mu pse janë manipulative ato teori shpesh bijen ndesh me teori të tjera të predikutar nga të njëjtët individë. Si shembull do të sillja idenë e shumëpërhapur se “kështu si ne, (dmth me informalitet e kriminalitet) është bërë edhe Amerika”, e cila aq shpesh kombinohet, pastaj, me predikimin e “tolerancës zero”, që është krejt e kundërta e së parës.
Teza se kështu është bërë edhe Amerika është krejtësisht manipulative dhe atyre që vërtet e besojnë kur e predikojnë nëpër tryeza u rekomandoj të lexojnë librin “ Etika protestante dhe shpirti i kapitalizmit” të Max Weberit në qendër të të cilit qëndron teza se “kapitalizmi racional”, siç e quan ai atë anglo – sakson, është ngritur mbi themelet e moralit të rreptë kalvinist që predikon se puna e ndershme dhe e sukseshme është shenja e hirit të Perëndisë.
Por le ta lemë kapitalizmin racional anglo – sakson dhe le të kthehemi tak kapitalizmi anarkist i yni, me çka kuptoj një ekonomi që zhvillohet në mënyrë thuajse krejtësisht të pa kontrolluar nga shteti. Kjo që po ndodh tek ne ka disa aspekte me të cilat janë marrë teoricienët e ekonomisë. Emri më i njohur madje i prurë edhe në Shqipëri për të na dhënë zgjidhje është De Soto. Ai është një ekonomist peruvian teoricien i një lloj anarko kapitalizmi sipas të cilit “laisser faire” (në shqip do ta përktheja “bëj ç’të duash”) duhet lejuar deri në kufijtë e informalitetit sepse kjo nënkupton edhe zhvillim energjish. Sipas tij informaliteti mund të formalizohet nesër duke i kthyer në pronarë të ligjshëm ata që deri dje kanë qenë informalë e, duke u bërë të tillë, ata do të paguajnë taksat e pronës. Kemi të bëjmë me një teori ultraliberiste dmth. ultra të djathtë, nga këndvështrimi i teorive të ekonomisë, ku shteti humbet në disa zona edhe rolin e arbitrit dhe kontrollorit të respektimit të ligjit e të kompeticionit të drejtë.
Me një fjalë Bathorja, pushtimi i bregdedit, pushtimi i frekuencave nga Top Channel, ndërtimet pa leje, mungesa e planeve urbanistike, e vijave të verdha, shfrytëzimi pa kontroll i pyjeve dhe lumenjve etj. janë të gjitha shprehje e një kapitalizmi anarkist i cili, sipas De Sotos, pastaj do të formalizohet duke u kthyer në burim zhvillimi të mëtejshëm.
Gjer këtu, nga halli, duket shumë bukur. Por çështja shtrohet së pari, se mos kemi shkuar shumë larg në ndërtimin e kapitalizmit tonë anarkist dhe a mund të kthehemi dot prapa dhe, së dyti, si do të kthehemi prapa?
Nuk jam njohës i realitetit peruan, por nga sa di dhe nga sa e kam kuptuar teorinë e De Sotos ajo e sheh informalitetin si diçka që bashkëjeton me ekonominë formale dhe që thithet prej saj. Po ashtu De Soto nënkupton një politikë që gjithsesi qëndron jashtë këtij informaliteti, që tenton ta formalizojë atë dhe jo një politikë që është bash mamija e tij, gjeneruesja dhe përshpejtuesja e tij. Si të thuash ai presupozon një Tiranë formale të cilës nesër i bashkangjitet një Bathotre informale dhe jo një Tiranë informale në krye të një Bathoreje informale. Por gjithsesi Shqipëria është vendi ideal për të provuar, me ekstrapolim, se teza e De Sotos për lënien të lirë të informalitetit mund të rezultojnë katastrofike.
Nuk është e vështirë të argumentosh se kapitalizmi anarkist i yni i aplikuar në kushtet e një vendi që deri dje ishte me ekonomi krejtësisht të kolektivizuar ka prodhuar një kaos që më shumë sesa zhvillim po prodhon shkatërrim dhe prishje të cilësisë së jetës. (Përndryshe duhet të ndryshojmë kuptimin e zhvillimit nga diçka pozitive në diçka negative siç edhe bëhet sot nga mjaft teoricienë.) Në mënyrën më dramatike ky lloj kapitalizmi demaskohet me situatën absurde kur ndërkohë që në vend është investuar aq shumë në raport me numrin e popullsisë - mjafton të kesh parasysh numrin e pafundëm të ndërtimeve private që janë kryer veçanërisht në zonën bregdetare - ai është në një krizë të thellë elektrike, të furnizmit me ujë të pijshëm, të infrastrukturës, të ndotjes që besoj se nuk e njohin as vendet më të varfëra në botë. Nuk është vështirë të argumentosh gjithashtu se në kapitalizmin anarkist alla shqiptar (por besoj se edhe në atë de sotian) nuk mund të ndahet lehtë kufiri midis ekonomisë informale dhe ekonomisë kriminale; midis ekonomisë ku kemi evazione fiskal dhe ekonomisë që funksionon si pastrim i parave të pista të drogës e të tarfiqeve me gjithë pasojat sociale e kulturore që sjell kjo.
Por problemi kryesor që ngre kapitalizmi anarkist është se ai prodhon të fuqishmit e vet që kushtëzojnë politikën dhe mënyrën e bërjes së saj, por edhe sistemin e vlerave mbizotëruese, duke bërë që të vështirësohet në mos bëhet i pamundur kthimi prapa. Për ta ilustruar le të sjellim ndërmend se çfarë bëmë ne me kioskat që fare mirë, me pushtimet që i bënë ata më ligjshkellësit parqeve e gjithshkaje publike, mund të cilësohen si fillimi i informalitetit. Le të kujtojmë se sa para shkoi dëm për t’i ngritur ato dhe për t’i pastruar ato pastaj. Gjithkush sot thotë se do të kishte qenë më mirë të mos i kishim lejuar që në fillim (e në fakt përveçse në Shqipërinë e kapitalizmit anarkist kërkund tjetër në Lindjen ish-komuniste ato nuk mbinë). Mirëpo në vend se të mësonim prej asaj përvoje e t’i ktheheshim formalitetit ne vepruam në vazhdim me të njëjtin stil siç ndërtuam kioskat: duke ngritur pallate shumica e të cilëve sot duhen shembur për të kthyer në normalitet dhe formalitet vendin. Jo rastësisht madje është bash një pjesë e mirë e ish ligjshkelësve kioskaxhinj që bëjnë sot ligjshkelje në shkallë shumë herë më të lartë abuzimi e shkatërrimi. Dua të them, pra, se ekonomia informale ka krijuar politikën dhe pushtetin e vet me të cilin zhvillon vetveten madje duke rritur edhe shkallën e informalitetit. Kjo edhe sepse nën presinin e kapitalizmit anarkist politika humbet edhe detyrën e krijimit të vizioneve e projekteve për të ardhmen. Në kapitalizmin anarkist edhe politika si çdo gjë i nënshtrohet lojës spontane të forcave të më të fortëve dhe shteti, sipas rrethanave, trajtohet nga aktorët e bizneseve informale herë si partner e herë si në konflikt me ta, por kurrë si arbitër dhe mbrojtës i interesave të tërë shoqërisë.
Një nga ilustrimet e shumta dhe do të thoja më dramatiket, pasi ka të bëjë me kokën e vendit, është ajo çka ka prodhuar në Shqipëri anarkizmi kapitalist në fushën e mdiave. Kur Shqipëria sapo u hap ndaj lirisë Dritëro Agolli tha një fjalë që asokohe u debatua dhe sulmua shumë "media është armë dhe arma nuk jepet pa leje". U gjykua rëndë asokohe si një komunist që ishte mësuar të kontrollonte mediat dhe ata që e sulmuan kishin të drejtë nga një pikëpamje sepse Shqipëra ishte asokohe e etur për liri mediash të pakontrolluara dhe të papërdorura nga shteti. Mirëpo as ne dhe as komunisti Agolli (ndoshta) nuk e dinim asokohe se thënia e tij përputhej në përmbajtje me diçka që e ka thënë edhe një nga filozofët më në zë në ato vitet e para të rënies së komunizmit, kampioni i lirisë së individit, filozofi i shoqërisë së hapur edhe ai me ermin Karl, por me mbiemirin Poper. "Nuk ka demokraci nëse nuk ka kontroll mbi televizionin." thotë edhe Karl Poperi.
Sot kërkush nuk mund ta mohojë se 80 stacionet televizive private që ka Shqipëria janë një monstër e pakontrollueshme, produkt i kapitalizmit anarkist, që nuk i mbron liritë tona, por i kërcënon e deformon ato duke filluar që nga liritë e atyre që punojnë aty, gazetarëve. Ata kanë bërë robër edhe vetë politikanët. Me fuqinë e tyre ato sot kontrollojnë edhe prokurorinë edhe gjyqsorin. Fakti që Top Channel nuk i hap as derën tatimorëve, por kur ata i venë gjobë e hedh në gjyq dhe nxit prokurorinë të hapë çështje, tregon fuqinë e tij të pakontrolluar. Teorikisht televizione të tilla janë mbrojtës të kapitalizmit anarkist që kërkon lulëzimin e tij jashtë kontrollit të shtetit. Në këtë lloj kapitalizmi organeve të tilla si prokuroria u mbetet të merren vetëm me krime të tilla si vrasja, vjedhja e xhapave kurse shtetit i duhet të modifikojë Kodin Penal për krime të tilla si evazioni apo korrupsioni në mënyrë që të paktën të gjithë qytetarët të ndjehen të padënueshëm kur merren me to. Mirëpo një situatë e tillë nuk do mend se nuk mund të funksionojë në kapitalizëm sepse do të na çonte në gjendjen e parashtetit që është Kanuni, madje edhe para Kanunit, tek xhungla. Anarkizmi si mungesë e shtetit është një ëndërr e bukur, por ai mund të jetë vetëm utopi e socializmit libertar të Chomskyt që synon menaxhimin e pronës nga komunitetet dhe jo e kapitalizmit që mbështetet mbi lulëzimin e pronës private.
Që ky kapitalizëm anarkist dhe kjo media produkt e njëherësh instrument i tij duhen vënë nën kontrollin e interesit të të gjithëve këtë e di tashmë gjithkush. E dinë edhe vetë mediat e pronarët e tyre të cilët, edhe ata, janë bërë robër të pjellës që kanë ngritur e që, nevoja për ta ushqyer, i shtyn nga mëkati në mëkat. Sot kemi nevojën urgjente të ndahemi nga kapitalizmi anarkist që po na merr frymën e të futemi në rrugën e kapitalizmit racional që karakterizohet pikërisht nga transparenca e bizneseve. Televizionet tona ashtu si bar restorantet e pafundme, ashtu si karburantet që i kemi në çdo dy metra ashtu si ndërtimet në brigjet e Durrësit, Sarandës në qendër të Tiranës e gjetkë, janë zhvillime tumorale që pengojnë demokracinë dhe tregun e lirë dhe ekonominë e shëndoshë gjithashtu. Të mos harrojmë se kur Freedmani, kampioni i liberalizmit, ngrinte çështjen e tregut të lirë nuk e kishte hallin më të madh se kjo do të zhvillonte më shumë ekonominë, por mbi të gjitha sepse një ekonomi e kontrolluar nga shteti vinte në kërcënim liritë e individit. Por garancia e lirisë së individit dhe e iniciativës së tij është mbrojtja e lirisë së konkurencës nga shteti. Kurse në kapitalizmin anarkist shtetit i hiqet edhe ky rol kaq i domosdoshëm për lirinë. Në fakt këto televizione janë ngritur pikërisht për të kontrolluar tregun e lirë dhe për të mbrojtur përfitimin e një grupi njerëzish në dëm të grupeve të tjera. Ata janë kërcënues të lirisë pikërisht, ose më saktë, edhe për faktin se ata nuk garantojnë as fjalën e lirë dhe as tregun e lirë.
Ja pse mendoj se thellë thellë konflikti midis Top Channel dhe qeverisë përmban këtë problematikë shumë serioze. Por, ashtu sikurse e thashë edhe në fillim, ne i shmangemi kësaj dhe merremi me dukjen e jashtme të konfliktit, me interesat imediate të palëve dhe jo me interesat afatgjata të të gjithëve. Kjo sepse të dy palëve nuk u leverdis të shohin më thellë. E këtu duhet vënë në dukje përgjegjësia e mazhorancës qeverisëse. Çështja është se në vend që të shohim projekte të qarta nga ana e qeverisë për kontrollin e informalitetit shohim tentativa spontane, në më të shpeshtën selektive, si kjo e gjobës ndaj bizneseve të pronarit të Top Channel, që denoncojnë qartazi mosekzistencën e një projekti dhe që tregojnë se më shumë sesa me kontroll të shtetit mbi bizneset informale kemi të bëjmë me kontroll të pushtetit të një pale mbi pushtetet e pakontrolluara prej saj. E kjo në terma afatgjata i shërben bash kapitalizmit anarkist sepse le përshtypjen se segmente të tjera të tij po tentojnë të përdorin shtetin për të triumfuar mbi rivalët pa u respektuar ligji e barazia para tij.
Akoma më e vështërë bëhet puna për hartimin e një projekti kundër kapitalizmit anarkist kur, ndërsa qeveria të paktën flet në mënyrë demagogjike për nevojën e formalizimit, ne kemi një opozitë që ndonëse e quan veten të majtë bëhet apologjete e kapitalizmit informal ultra të djathtë de sotian. Është e vërtetë se sulmi i qeverisë është selektiv, dhe politik, por nga opozita nuk pritet që ajo të mbyllë sytë përpara problemit madhor që qëndron prapa këtij konflikti, duke e parë kërcënimin e fjalës së lirë vetëm nga qeveria. Ajo është përgjegjësja kryesore e ndërtimit të kapitalizmit anarkist në tetë vjetët që ishte në pushet dhe, nëse sot flet për ndryshim sistemi, ajo duhet të paraqesë alternativën e saj të majtë për futjen e vendit në hullitë e kapitalizmit racional që mbizotëron në Evropën ku synojmë të integrohemi dhe dhe jo të bëhet aleate e verbër e pushteteve të informalitetit.
Nëse politika nuk do ta ndihmojë këtë proces mendoj se gjithsesi, ashtu sikurse e kam shtjelluar në shkrimin “Gjermani dhe Gjermeni” ne, në sajë të konkurrencës globale, do të jemi të shtrënguar të futemi një ditë në hullinë e kapitalizmit racional, por rruga do të jetë më e gjatë dhe kostoja që do të paguajmë si shqiptarë shumë më e madhe. (Korrieri, 18 Korrik 2007)


Read More......

Wednesday, July 11, 2007

Presidenti kuqeblu dhe Lufta e Tretë

Që këta nuk durohen më kjo s’ka diskutim. Puna është se si të mund t’i heqim qafe. Dmth., puna është se s’mund t’i heqim dot qafe. Ky është gjykimi që dëgjon shpesh e më shpesh ndër njerëzit teksa ndjekin farsën e talljes me ta të kësaj klase politike në këtë luftë mesvetit për të zgjedhur një president që të jetë njëherësh edhe i kuq edhe blu edhe i pari edhe i fundmi mes tyre. Teksa kërkojnë një marrëveshje për të vazhduar mosmarrëveshjen një konsensus për të vazhduar moskonsensusin. Që për këtë gjendje mosshteti janë përgjegjës tërë këta burra shteti nga do të dalë edhe presidenti i tyre, kjo është tashmë mëse e qartë. Që kjo që po ndodh nuk është rezultat i paaftësisë për të gjetur një emër, por rezultat i shndrrimit të politikës në luftë bandash për kontrolle territori ku edhe presidenca nuk mund të jetë jashtë, edhe kjo është e qartë. Që këta kanë lënë çdo punë të vërtetë me të cilën duhet të merret politika për të vazhduar këtë luftë permanente civile pa armë - shëmbëllyeshëm me ato ushtritë e mercenarëve që jetonin vetëm me luftë dhe plaçkitje por jo me punë, - edhe kjo është mëse e qartë.
Problemi është pra se si t’i heqim qafe. Çka do të thotë me cilët t’i zëvendësojmë. Të rinjtë! – lëshon dikush shpresën. Por shpejt i vjen përgjigja se këta të rinjtë, me çka po na shohin sytë, janë edhe më keq se të vjetrit. Asnjë lloj aftësie nuk po duket tek ta për t’u bashkura në emër të ndonjë ideali, asnjë lloj prekshmërie për t’u revoltuar, pale për të respektuar ligjin apo edhe një fjalë të dhënë dy tre ditë më parë. Zhvillojnë pafund vetëm aftësinë e mercenarit për të nxjerrë ndonjë lek sa më shpejt dhe sa më lehtë. Të gatshëm të vihen në shërbim të padronit të parë që u del përpara dhe për ta lënë atë për një padron tjetër sapo që ky u paguan diçka më shumë. Dhe padronët janë ata që duhet të heqim qafe. Tek e fundit të rinjtë nuk kanë asnjë faj, sepse kjo është shkolla që kanë mësuar prej baballarëve. Këtu mbyllet arsyetimi mbi më të rinjve jo sipas një rrethi vicioz, por sipas një spiraleje zbritëse.
Kur arrin fundin e kësaj spiraleje mendimi bën si bën e, ngaqë s’ka ku shkon, kthehet prapa në histori. Apologjetët e mosshpresës shohin se asnjëherë ndryshimet e rëndësishme në historinë e këtij vendi nuk kanë ardhur nga lëvizjet e brendshme paçka se ne mburremi e mburremi me heroizmin e popoullit tonë ndër shekuj. Shqipëria nuk do të ishte e pavarur sikur të mos ishin luftrat ballkanike që i bënë fqinjët. Madje nuk do të kishte ekzistuar fare sikur të mos kishte ndërhyrë Austro Hungaria e Italia. Edhe nga thundra e injorantit Zog nuk do të ishim çliruar sikur të mos kishte pasur një pushtim të huaj. Kush pretendon se më 1991 na çliroi Partia Demokratike ia fut kot sepse, sikur të mos kishte mbarur Lufta e Ftohtë që e bënë të tjerët, ne do të kishim edhe sot në pushtet dyshen Nexhmije Hoxha - Ramiz Alia.
Kështu, kush shpreson se mund të dalim nga ky mjerim ku na ka zhytur nomenklatura e re kuqeblu, gabohet. Do të duhej një Luftë e Tretë që, për fat të mirë nuk po ndodh, - se, tek e fundit, nuk ka pse ndodh një Luftë e Tretë që të çlirohemi ne nga tanët. Jo vetëm, por këtu lind një pyetje e rëndësishme: po sikur, largqoftë, të vijë ndonjë Luftë e Tretë a ka shpresë se mbas saj do të kemi ndryshime për mirë? A nuk erdhi pas Luftës së Dytë komunizmi që doli më keq se zogizmi pasi e mbushi vendin me burgje e internime dhe e rrethoi me tela me gjemba. Madje nuk pati as ndonjë zhvilim për pak më mirë, por vetëm për më keq gjatë 45 vjetëve sepse në 1990 vendi ishte më keq nga ç’kishte qenë kurrë ndonjëherë. Kush nuk do ta besojë këtë le t’i hedhë një sy arkivave me ekzodin. Por edhe çështja nëse kemi pasur zhvillim ose jo pas 1991 e këtej mbetet e dyshimtë. Mjafton të kesh prasysh se vetëm në vitin 1997 vdiqën nga paaftësia kriminale e nomenklaturës kuqeblu pothuajse po aq njerëz sa ç’vrau Enver Hoxha në 45 vjet – pa numëruar të mbyturit në Otranto apo të vrarët mes bandave të tafikantëve.
Pra kush mendon se sot Shqipëria në krahasim me të kaluarën po ecën për mirë nën drejntimin e nomenklaturës kuqeblu që kemi në pushtet duhet të ngrerë, tek e pakta, një goxha fije të trashë dyshimi. Para disa ditësh më rastisi të takoj një përfaqësues të sukseshëm të kësaj nomenklature i cili, duke folur për jetën dhe vlerat e saj më tha: “jeta ka lezet dhe kuptim kur në 100 mijë veta jetojnë e bëjnë qejf vetëm 3 mijë kurse të tjerët rrijnë i shohin ata. Të jetojnë të gjithë mirë kjo nuk ka kuptim.” Pa dashur ai shprehu filozifinë që po ndjek kjo nomenklaturë, mendimin që ka ajo për pjesën tjetër të shoqërisë, sistemin e vlerave që ajo ka. Dhe po të mendosh se i ashtuquajturi zhvillimi i këtij vendi po ecën pikërisht me këtë filozi\ofi nuk është pa vend të ngresh pyetjen: a është vërtet zhvillim ky apo mos kemi marrë një rrugë që do të përfundojë diku në mënyrë tragjike pas ndonjë Lufte të Tretë apo të ftohtë apo të nxehtë që do të vijë nga jashtë?
Ata më optimistët që kërkojnë të gjejnë ecjen përpara, por që edhe nuk shohin ndonjë mundësi reale të zëvendësimit të kësaj nomenklature të thonë se me ndihmën e Evropës, gjithsesi, do të shtrëngohen vidat e shtetit në respekt të shteti ligjor e të lirive e të drejtave të qytetarit. Por ka zëra që Evropa po kërkon të tërhiqet prapa nga projekti i saj apo ta vonojë atë pikërisht nga vështirësitë që sjellin vende si ky i yni. Atëhere, larg qoftë, me çfarë do t’i shtrëngojmë ne vidat. Pa Evropën ne nuk gjejmë dot asnjë palo president.
Dhe ja ku erdhëm prap tek presidenti i konsensusit të moskonsensusit të konsesnsusit të moskonsensusit, që sikurse tha një gazetar këto ditë, mund të lindë vetëm pas një takimi intim midis kreut të së kuqes Rametagjinush dhe kreut të blusë Berimedinok. Mendimi më i arsyeshëm që kam dëgjuar nga optimistët për mundësinë e heqjes qafe të nomenklaturës kuqeblu jo në mënyrë traumatike, por hap pas hapi, do të ishte që në rastin e krizës së presidentit të bëhej ajo që tha pardje Berisha në parlement (jo ajo që tha dje në tryezën e krerëve të partive): Të respektohet kushtetuta. Me një fjalë që Bamir Topi do apo nuk do Berisha e Rama t’i shkojë deri në fund kandidimit të tij dhe të gjejë mbështetësit e tij në emër të respketit të ligjit, por mbi të gjitha të refuzimit më në fund ndaj politikave të vjetra të vendosjes së gjithshkaje nga kupolat e dy partive-shtet që e kanë kthyer parlamentin në një teatër kukullash. T’i shkojë kësaj me ngulm deri në atë pikës sa edhe të provokojë zgjedhje të parakohëshme, edhe kundër vullnetit të ndërkombëtarëve, por në emër të ligjit dhe premtimit për seriozitet të politikës dhe përgjegjshmëri para votuesit.
Mirëpo a ka këllqe Barmiri për këtë? - lind menjëherë pyetja e skeptikëve. A ka këllqe Ilir Meta për këtë? Vështirë të thuash po duke patur parasysh dredhat dhe pështymlëpirjet e tyre. Edhe ata janë peng të asaj që kanë ushqyer e krijuar për pesëmbëdhjetë vjet. Vështirë të besosh se ata nuk janë po të shkollës së Nanos: më bëni president se përndryshe do të bëj një lëvizje që do t’ju hedhë në erë, por po më bëtë president nuk ju bëj gjë. Edhe Bamiri, si nxënës i dobët i shkollës së Nanos lëshoi idenë se do të bënte një lëvizje e ku di unë se do të luftonte për ligjin vetëm pasi e hoqën si kandidat të vetëm. Edhe Meta lëvizjen LSI sipas kësaj shkolle nanoiste e bëri. Edhe ai sapo e nxjerrin nga tryeza zë e bërtet, sapo e ulin qetësohet. Problemi mbetet kush do të bëjë një lëvizje të vërtetë që të nxjerrë një president të vërtetë dhe jo kush do të kërcënojë me lëvizje të rreme që të bëhet president i rremë. Deri në Luftën e Tretë, të nxehtë apo të ftohtë, që kurrë mos ardhtë, zor se do ta kemi një lëvizje të tillë. Prandaj të na rrojë nomenklatura kuqeblu dhe presidenti kuqeblu. (Korrieri, 7 korrik 2007)

Read More......

Tuesday, July 3, 2007

Pse po fiton PS-ja

Një nga dilemat që ka ngritur kriza e zgjedhjes së presidentit është ajo se çfarë përparësie duhet të ketë presidenti që duam të zgjedhim: atë të një figure që frenon konfliktualitetin midis partive apo të një presidenti që ndihmon e përshpejton reformat që ka premtuar se do të kryejë mazhoranca në pushtet.
Kjo ndan në retorikë mbështetësit e idesë se duhet një president i opozitës nga ata që mbrojnë idenë e një presidenti të mazhorancës. Po t’i referohemi apologjetëve të opozitës ne na duhet një president që të evitojë arrogancën e mazhorancës kundër saj dhe prandaj duhet një figurë që të jetë e opozitës. Po të kesh parasysh apologjetët e mazhorancën sipas tyre, përkundrazi, do të duhej të zgjidhej një president që të ndihmonte reformat dhe prandaj ky duhet të ishte i saj.
Problemi që shtrohet është: a mund të gjendet një kompromis midis këtyre dy kërkesave dhe sa e mundëson këtë kompromis Kushtetuta, por edhe pozicionimi aktual i forcave politike.
Nuk ka dyshim se konfliktualiteti mbetet (apo u bë këto kohët e fundit) problemi kryesor. Duhet thënë e përsëritur se ky, në thelb, vjen pasi të dy partitë kryesore kanë ende mendësinë e partisë-shtet në krye të të cilit është një lider i padiskutueshëm. Pra, vështirësia e zgjedhjes së presidentit vjen ngase dy liderët e partive kryesore e duan presidentin në modelin e Haxhi Lleshit në raport me Enver Hoxhën ndërkohë që presidenti duhet të jetë kryetar i një shteti të ndarë nga partitë e që është më i fortë se partitë, jo si individ, por mu pse vetë shteti është e duhet të jetë institucion më i fortë se partitë. Kjo mendësi e vjetër ka bërë që marrëdhëniet mazhorancë opozitë të zhvillojnë në skenën tonë politike një mimesis të një lufte civile e cila synon, tek e fundit, instalimin e shtetit të partisë fitimtare. Tek ne, kur një forcë politike vjen në pushtet, për tjetrën fillon epoka e së keqes, e persekutimit dhe duhet të presim që ajo të kthehet në pushtet që të fillojë për të epoka e së mirës, por edhe ferri për pjesën tjetër. Në kontekstin e kësaj lufte njëra palë kërkon të ndryshojë e reformojë shtetin që duhet të jetë i të gjithëve në emër të interesave të partisë-shtet të vet, kurse tjetra bllokon çdo ndryshim në emër të mbrojtjes së interesave të nënparti-shtetasve të vet po ashtu.
Parimisht, pra, për të eliminuar konfliktualitetin, por edhe për të ndërtuar një institucion që punon për shtetin jo për partitë-shtet duhet mbrojtur ideja se duhet një president që të jetë i zgjedhur nga më shumë se mazhoranca. Po ashtu duke patur parasysh se është mazhoranca ajo që sot për sot rrezikon më shumë opozitën, ky duhet të ketë miratimin e opozitës. Por nëse deri këtu zgjidhet problemi i konfliktualitetit mbetet problemi se si të arrijmë të kemi edhe reformë. Kur flas për reformë kam parasysh veçanërisht reformën në sistemin në drejtësi dhe prokurori të cilën presidenti aktual e ka penguar në emër të mbrojtjes së institucioneve (sipas opozitës), apo sepse është i implikuar me implikimet kriminale të opozitës (sipas mazhorancës). Fakti është se, duke mos u kryer kjo reformë, drejtësia jonë ka penguar mazhorancën të realizojë premtimin për të cilin i dha votën elektorati: luftën kundër korrupsionit, duke e bërë atë të konsiderohet e dështuar (ose nuk i dha shans për të na provuar se atë e kishte premtim të rremë).
Nëse duhen bërë të dyja, edhe reforma edhe frenimi i konfliktualitetit, atëhere formula do të ishte një president i mazhorancës (pasi kjo ka marrë mandatin për të reformuar), por për të cilin jep miratimin qoftë edhe një pjesë e opozitës (që të paktën të shkohet tek 3/5) në mënyrë që kjo të mbrohet nga përdorimi i presidentit kundër saj.
Nëse do të kërkojmë këtë kompromis i cili jo vetëm është kushtetues, por edhe i drejtë për sot dhe për nesër, mendoj se ky nuk mund të arrihet kurrsesi nëpërmjet konsensusit - nëse me konsensus do të nënkuptojmë votimin e presidentit nga i gjithë parlamenti. Sepse konsensusi, nëse do ta aplikojmë besnikërisht, nënkupton aprovimin e gjithkujt. Por aprovimi i gjithkujt nuk lejon kurrsesi pikërisht ato reforma që janë premtuar sepse ato domosdoshmërisht do të bijen kundër një pjese e cila, kështu, nuk do ta japë kurrsesi konsensusin. Çështja e reformës në sistemin e drejtësisë është drejtëpërdrejt kundër interesit të PS dhe opsioni për një president që duhet të dalë nga krahu i saj synon automatikisht përjashtimin e kësaj reforme për mazhorancën.
Prandaj përpara kësaj dileme mazhoranca ka pasur e ka përpara dy rrugë: ose të negociojë me një pjesë të opozitës për të kapur 3/5 mbi një emër që i premton këto reforma, por pa i lejuar abuzimin, ose, nëse nuk e arrin këtë, të heqë dorë nga këto reforma. Ja pse mendoj se formula me 3/5 është e qëlluar dhe mund të lejonte kompromisin midis bërjes së reformave dhe mbrojtjes (me të drejtë) të opozitës. Për ta ilustruar një mundësi kompromisi të tillë do të thoja se logjikisht partia opozitare me të cilën PD mund të kishte arritur 3/5 duhet të ishte LSI-ja e Iliri Metës, sepse ajo në programin e saj pati luftën kundër krimit e korrupsionit. Mirëpo kjo parti shumë shpejt e la këtë pozicion dhe u fut në koalicion me PS duke pretenduar se rreziku Berisha ishte më i madh sesa korrupsioni. Fakti që ajo sot kërkon president Moisiun, i cili e pengoi reformën në drejtësi tregon se ajo nuk mund të jetë negociuesja e PD. Por që ajo të bëhej negociuese me PD do të ishte dashur që PD të kishte ndjekur të tjera marrëdhënie me kohë me LSI. Dua të them se për këtë negocim të munguar përgjegjësi kanë të dy palët pasi, në thelb, sipas meje, të dy palët nuk kanë qenë të sinqerta në premtimin për luftën kundër korrupsionit pasi kanë vënë pushtetin mbi premtimet që i bënë elektoratit. Négociator i dytë i mundshëm duket Fatos Nano me grupin e tij të deputetëve. Mirëpo në një rast të tillë PD ka një handikap të madh psikologjik e besueshmërie, pasi ajo do të akuzohej se kërkon të bëjë president të reformave antikorrupsion një politikan të cilin gjatë gjithë fushatës elektorale që e solli në pushtet e ka cilësuar si kampionin e korrupsionit. E bën më të vështirë këtë lloj negocimi fakti se mazhoranca nuk e ka kurrsesi besueshmërinë që pati në krye të zgjedhjeve për luftën kundër korupsionit, për çka kanë ndikuar shumë edhe mjaft lëvizje e emërime që mbajnë era korrupsion në gjirin e saj e mbi të gjitha një psikologji që po bëhet gjithnjë e më mbizotëruese se duhet të rrëmbejmë ç’të mundim në këto dy vjet që na kanë mbetur. Pra duket se PD-ja nuk arrin dot këto negociata e për këtë ka përgjegjësitë e veta të mëdha që e ndëshkojnë. Ajo tashmë ka përballë një opozitë që nuk ia lejon arritjen e 3/5 për reformat në drejtësi. Atëhere asaj i imponohet që, për hir të stabilitetit, të kërkojë konsensusin me opozitën për një emër Presidenti që t’i thotë jo konfliktualitetit, por jo edhe reformës që ajo ka premtuar. Atëhere asaj i duhet të deklarojë ndershmërisht se kjo reformë është lënë për një mandat tjetër legjislativ e se ky president është zgjedhur vetëm për të ruajtur stabilitetin, për të zbutur konfliktualitetin e për të kryer ato reforma bazike si regjistrimi i popullsisë, sistemi zgjedhor etj., që kërkon opozita t’i bëjnë bashkarisht. Një konsensus i tillë për PD kuptohet se do të ishte diçka si koalicioni i qeverisë së Ylli Bufit para se socialistët t’ia dorëzonin pushtetin PD më 1992. Pra një shkallë drejt dorëzimit të pushtetit PS-së në mënyrë paqësore. Ky konsensus duket sikur na kthen në një gjendje të tejkaluar parademokratike, por, në fakt, kriza e presidentit tregon se atje jemi. E në shumë aspekte kjo krizë është edhe strategjia e opozitës. Ta paraqesë PD të paaftë për të qeverisur demokratikisht dhe të futet në “bashkëqeverisje” për të kryer reformat bazike, që, për hir të së vërtetës qeveria aktuale nuk është treguar e aftë t’i kryejë. Sepse në një demokraci normale reformat i kryen një forcë që vjen në pushtet dhe po ashtu ajo kryen reformat që ka premtuar e që e kanë sjellë në pushtet.
Të gjitha këto arsyetimie të çojnë në idenë se me presidentin konsensual që pengon konfliktualitetin, mund të kryhen (nëse kryhen) reformat bazike, por jo ato të premtuara nga PD-ja në drejtësi. Kështu me zgjedhjen e një presidenti të tillë kjo parti fillon ngjitjen drejt pushtetit, kapërcen rreziqet për ndëshkimin e liderëve të saj për korrupsion, kurse e PD fillon zbritjen. Këtë zbritje do ta përshpjetojë edhe zgjedhja e një presidenti socialist sepse mosrealizimi i reformës në drejtësi do ta ndëshkonte edhe më popullaritetin e mazhorancës e do ta bënte atë edhe më pak efikase në dy vjetët e ardhshëm. Pas dy vjetësh, pas shumë gjasash, ne do të ndodhemi me një president të opozitës dhe me një kryeministër të opozitës pra në atë situatë që sot PS kërkon me ngulm ta pengojë në emër të balancimit. Duket se megjithatë kjo është një lëvizje me detyrim dhe përcaktim për Berishën dhe kjo për shkak se ai nuk ka ditur të punojë për të fituar 3/5 e Parlamentit, për të rritur performancën e qeverisë së tij e kredibilitetin e saj gjatë këtyre dy vjetëve por edhe pse strategjia e Ramës dhe e oligarkisë që qëndron prapa tij “provoko kriza të njëpasnjëshme për të penguar ndryshimin deri në fitoren përfundimtare” duket se po del e suksesëshme. (Korrieri, 30 qershor 2007)

Read More......

Parti me rrënjë dhe parti televizive

Disa ditë më parë, duke kaluar me telekomandë nga një kanal televiziv në tjetrin, më rastisi të kap një fragment fushate elektorale të Pogradecit. Ishte kryetari i PS Edi Rama duke i paraqitur mokrarëve kandidatin Saimir Kodra. Fjalët që dëgjova qenë pak a shumë këto: ky djalë i shoqërisë civile, që u propozua nga komuniteti mokrar, erdhi e trokiti në dyert tona për të na kërkuar mbështetjen dhe ne, politikanët, bëmë një hap prapa për t’ia lënë vendin atij.
Besoj se edhe i fundmi i mokrarëve e di se përzgjedhja e Kodrës nuk është bërë nga poshtë lart, por nga lart poshtë dhe se ajo që u tha Rama mokrarëve është nga ato gënjeshtrat që s’ka gjë se nuk besohet pasi imponohet. Prandaj nuk mund të mos shkaktojë nënqeshje rremësia e këtij pohimi, që tregon se ndonëse reklamojnë kaq shumë politikën e re politikanët e llojit Rama punojnë me llogjikën e stërvjetër të gënjeshtrës. Por ndërsa ky deklarim i Ramës meriton të vihet në dukje për të thënë se politika e re do të fillojë vetëm kur të fillojë sëra e politikanëve që do të komunikojnë me njerëzit sinqerisht dhe jo gënjeshtarisht, përzgjedhja e një kandidati si Kodra meriton të merret në analizë, përtej kësaj. Edhe përtej rezultatit të Pogradecit që e nxorri humbës. Madje do të duhej të merrej edhe më shumë në analizë në rast fitoreje të tij.
Pra, sipas meje, ndonëse Shqipëria është e zhytur në debatet lidhur me zgjedhjen e figurës së Presidentit, nuk duhet ta anashkalojë këtë debat që, sipas meje, është jo pa lidhje me të parin.
Dy janë çështjet që ndihmon t’i kthjellojë përzgjedhja e Kodrës: Së pari, çështja se çfarë po ndodh në PS. Së dyti çështja që ka të bëjë me debatin mbi rolin e shoqërisë civile në raport me pushtetin politik e, në këtë kontekst, edhe mbi raportet e mediave të mbështetura nga bizneset e pronarëve me këtë pushtet. Të dy çështjet nuk janë pa lidhje me njëra tjetrën, madje më duket se janë dy faqe të së njëjtës medalje.
Përzgjedhja e Kodrës në mënyrë më ekplicite sesa çdo tjetër flet për thellimin e një fenomeni të njohur në PS. E kam fjalën për fenomenin e një lloj çrrënjosjeje nga terreni të kësaj partie. Çfarë kuptoj me këtë çrrënjosje që më duket se qëllimisht është lënë në mjegull? Së pari le të shpjegoj për çfarë e kam fjalën kur flas për rrënjë të PS? Me këtë kuptoj faktin se PS-ja për arsye historike të njohura ka qenë partia më e rrënjosur në terren. Nëpërmjet të ashtuquajturave organizata bazë ajo kishte edhe në fshatin më të humbur strukturat e veta, njerëzit e vet. Kjo rrënjosje ka përbërë edhe forcën e saj që, për fatin tonë të keq, është shfaqur në mënyrë tmerrësisht negative dhe dramatike gjatë regjimit diktatorial të Hoxhës. Por, pavarësisht kësaj, si tipologji partie mund të quhet parti me rrënjë. Pikërisht këto rrënjë bënë që asaj, megjithëse i iku krejtësisht koka e vjetër më 1991, dhe ndryshoi edhe emër edhe program, vazhdoi të mbetet parti e madhe dhe, për mirë apo për keq, mundi të mbijetojë.
Nën udhëheqjen e Ramës, për shumë arësye që nuk lidhen vetëm me rolin, ambiciet dhe historinë e Ramës, (madje do të thoja se ky është një proces i filluar edhe me Nanon), PS po shkon drejt tipologjisë së një partie që mund të quhet pa rrënjë. Rindërtimi i saj po mbështetet mbi një ide të gabuar, por të suksesëshme në terma afatshkurtër, e cila bazohet në faktin se sot, në epokën e televizioneve, nuk ka nevojë si më parë të kesh kontakt të drejtpërdrejtë me njerëzit për të transmetuar idetë e tua dhe karizmën tënde e për të ndarë vlerat me ta. Sot jemi në epokën e liderëve populistë televizivë të cilët e fitojnë elektoratin jo në sajë të kontaktit të tyre direkt me të, por nëpërmjet karizmës së tyre televizive. Këta lider, edhe kur bëjnë ndonjë takim me bazën, e bëjnë në funksion të televizioneve. Kjo tipologji nuk është vetëm shqiptare. Për shembull kur krahasohet partia Forca Italia e Berlusconit me partinë ish komuniste vihet në dukje kjo diferencë, sepse e para nuk mund të lindte pa forcën e televizionit. Por edhe fakti se një parti e djathtë e ka më të lehtë të jetë e tillë kurse një e majtë e ka më të nevojshme pasjen rrënjë në terren.
Një aspekt i dytë i çrrënjosjes që po ndodh në PS është tashmë i njohur: zëvendësimi i militantëve historikë me njerëz pragmatistë biznesmenë që pushtetin që u jep partia e përdorin për të mbrojtur dhe fuqizuar bizneset e tyre. Ata nuk arrijnë as të dallojnë privaten nga publikja në motivimin për të hyrë në një parti (madje as të kujtojnë partitë nga e kanë nisur simpatinë, mbështetjen apo karrierën). Po ashtu në përgjithësi pasionin dhe energjinë e militantit të një partie me rrënjë këta e zëvendësojnë me fuqinë e lekut që e konsiderojnë si investim për të nesërmen.
Cilat janë teknikat që po përdor Rama për ta shndrruar PS nga një parti e rrënjësuar në terren në një parti të tillë, le ta quajmë televizive.
Teknika më efikase është ajo e krijimit të aleancave deri në shkrirje apo humbje dallimi midis PS dhe aktorëve të tjerë të shoqërisë civile, veçanërisht mediave e pronarëve të tyre. Figurat që përfaqësojnë këto pjesë të shoqërisë janë ndër më televizivët për vetë natyrën e pëunës së tyre. Jo rastësisht edhe lideri i kësaj partie, Rama, është i kësaj tipologjie. Besoj se zgjedhja e Kodrës është ilustrimi më tipik i kësaj që thashë më lart. Por edhe ajo që po ndodh me Velinë e Mjaftit e me shumë liderë OJQ të tjera. Madje kandidimi i Kodrës i paraqet të dy tiparet e çrrënjosjes së PS sepse me një anë kemi të bëjmë me një person karizma e të cilit është krijuar veçse nëpërmjet ekranit të televizionit dhe më anë tjetër ky, më shumë sesa kandidat i shoqërisë civile, duket se është produkt dhe kandidat i pronarëve të televizionit Top Channel të cilët kanë investuar fuqimisht në mbështetjen e PS dhe Ramës aq sa mund të quhen aleatë në koalicion.
Kjo çrrënjosje ka edhe aspektet e veta pozitive duke patur parasysh PS-në e dikurëshme. Nëpërmjet saj po u hiqet pushteti një pjese që e kanë atë denbabaden që nga koha e Enver Hoxhës. Po ashtu, megjithëse parti e rrënjosur, PPSH-ja dhe pataj PS-ja, nuk është se kanë qenë parti demokratike. Strukturat e partisë kanë shërbyer për të transmetuar më mirë autoritetin dhe urdhërat që dilnin nga lart e kjo ka bërë që strukturat e bazës të jenë edhe ato autoritare dhe jo demokratike. Është po ashtu e vërtetë se liderët e këtyre strukturave nuk se janë ushqyer me idealizëm, por edhe ata janë ushqyer me abuzime me pushtetin për interesat e tyre.
Megjithatë nuk mendoj se krijimi i një partie pa rrënjë, televizive dhe gllabërimi i shoqërisë civile janë rruga për reformimin e PS. Mendoj përkundrazi se janë më të shumta anët negative të këtij procesi që po shohim, i kryer nën ngutin e ethshëm për rikthim në pushtet të liderve të rinj të PS dhe interesave të kërcënuara të atyre që i mbështesin. Kjo mund të duket rruga më e shkurtër, por veç rrugë serioze e hedhjes së rrënjëve të reja të një partie serioze të majtë evropiane me vlera evropiane nuk është.
E keqja më e madhe që ka përzgjedhja e njerëzve me karizmën thjeshtë televizive si Kodra është se kjo karizëm nuk mbështetet mbi njohjen e ndërsjelltë zgjedhës - të zgjedhur, madje as edhe mbi njohjen e problemeve konkrete të një terreni, por është një njohje e njëanëshme. Është njohja e spektatorit ndaj një aktori, por jo edhe e kundërta. Më me kuptim dhe më serioze do të kishte qenë të kandidohej regjizori apo autorët e skeçeve të emisioneit Fiks Fare, jo aktori i tyre.
Një e keqe tjetër që parqet kjo tiplogji është se në këtë lloj partie humbet kuptimin jeta në parti dhe frymëzimi e motivimi që buron prej saj. Për partitë me rrënjë të qënit në parti është edhe një mënyrë dhe një kuptim jetese, edhe një bashkëndarje vlerash, shpresash e besimesh. Ashtu siç është edhe të shkuarit në kishë për besimtarët. Kurse në këtë lloj tipologjie antarët e thjeshtë të partisë humbasin diçka shumë të rëndësishme nga kuptimi i tyre i jetës. Partia shndrrohet gjithnjë e më shumë në një turmë amorfe e cila shërben thjesht dhe vetëm si trampolin për të lançuar udhëheqësit e saj, të cilët, nga ana e tyre, më shumë se sasa njerëve që gjoja përfaqësojnë u shërbejnë pastaj interesave të tyre. Krijimi i partive pa rrënjë që synojnë që nëpërmjet përdorimit të mediave të bëhen parti të të gjithëve, që e lenë gjithshka në dorën e liderëve populistë dhe mediave që mbështesin ata rrezikojnë shumë demokracinë e vërtetë e përfaqësimin e vërtetë. Ato gjithashtu rrezikojnë edhe më shumë edhe misionin e politikës si punë për të përmirësuar jetën e njerëve, sepse ndarja reale nga njerëzit më një anë dhe krijimi i një bote virtuale nëpërmjet mediave më anë tjetër herët ose vonë korr frytet e një dështimi.
Një e keqe tjetër e madhe e kësaj teknologjie që po përdor Rama është (sh)përdorimi i së ashtuquajturës shoqëri civile deri në kthimin e saj në shërbëtore të një partie si fazë e parë përpara shkrirjes përfundimtare me të. Në këtë kuadër rasti Kodra tregon se disa media të mbështetura nga bizneset e pronarëve të tyre synojnë tashmë direkt pushtet politik nëpërmjet aleancave me PS duke nxjerrë madje edhe kandidatët e tyre. Sot është e vështirë në mos e pamundur të dallosh ndryshimin e politikave editoriale të Zërit të Popullit, nga ato të gazetës Shqip apo të Top Channell. (Jo më larg se dje gazeta Shqip, 48 faqëshe u nxorr në treg me çmim vetëm 10 lekë, çka tregon një përshkallëzim të investimit me background politik). Tek e fundit ky fenomen, që në kohën e Edi Ramës Kryetar PS-je po merr tipare edhe më të frikëshme, (edhe për shkak të kundërveprimeve të Berishës ndaj këtyre mediave) ka çuar në polarizimin e mediave dhe të shoqërisë civile në përgjithësi duke lënë bosh një hapësirë që më duket se është e domosdoshme të mbushet nga një shoqëri civile dhe nga një media që qëndron e pavarur dhe si kundërpart i pushteteve politike.
Kur thashë se diskutimi i këtij fenomeni nuk është pa lidhje me debatin mbi zgjedhjen e presidentit kisha parasysh edhe këtë polarizim e monopolizim të jetës politike nga PS dhe PD e cila (kjo e dyta) e tërhequr nga modeli PS duket se po shkon edhe ajo drejt imitimit të modelit të partisë populiste televizive – çka e ka edhe më të nevojshme pasi në krahasim me PS është një parti shumë më e re e me më pak rrënjë. Mendoj se vështirësia e gjetjes së një presidenti, që po çon deri në shkeljen e tërë rrregullave të parashikuara nga ligji për zgjedhjen e tij, pasi po çon në emërimin e tij nga tryeza Barisha Rama, jo zgjedhjen nga Parlamenti, vjen si rezultat i aplikimit të kësaj filozofie të akumulimit të gjithshkaje në duart e liderve populistë, i shndërrimit jo vetëm të mediave e të shoqërisë civile në përgjithësi, por edhe të tërë institucioneve që duhet të jenë të pavarur nga pushteti politik i dy partive kryesore në shërbëtor të tyre. (Korrieri, 25 qershor 2007)

Read More......