Friday, September 28, 2007

Mëdyshjet e arrestimit të të shtatëve

Të dëgjosh lajmin se janë arrestuar shtatë funksionarë të lartë deri në rang zv. ministri në Shqipërinë post komuniste është një gjë që nuk mund të mos të të lerë të paktën për një çast me gojë hapur. Çfarë ka ndodhur? është pyetja që të lind natyrshëm. Pa dyshim kemi të bëjmë me një të papritur. Kjo sepse, paradoksalisht, ndonëse politikanët shqiptarë akuzojnë aq shumë njëri tjetrin për korrupsion, pikërisht kjo dendësi akuzash ka krijuar idenë se ata janë të imunizuar nga një rrezik i tillë.
Çfarë ka ndodhur atëhere? E përsërisim edhe një herë pyetjen si për të fituar kohë, për të gjetur një përgjigje sa më afër të vërtetës. Personalisht nuk jamë në gjendje, të paktën tani për tani, me informacionin që disponoj nga mediat dhe po ashtu me njohjen që kam për sutuatën në Shqipëri, të jap një përgjigje me pretendimin se po them shkakun e vërtetë të ngjarjes.
Ajo që sëbashku me opinionin e kam më lehtë ta besoj është se akuzat me shumë gjasa qëndrojnë. Kjo sepse sistemi është i ndërtuar në mënyrë të tillë që politika të shihet si biznes fitimprurës nëpërmjet tenderimeve e më the të thashë. Ajo që më anë tjetër e kam po kaq të vështirë të besojë është se ka filluar të funksionojë drejtësia. Dhe kjo pikërisht sepse sistemi duke i futur të gjithë brenda skemave të tij – edhe drejtësinë - ka bërë që rreziku i arrestimeve për korrupsion të duket i pazakontë. Të paktën që nga koha e katarsisit të Fatos Nanos kështu ka qenë e kështu ka mbetur.

Këto janë dy pohime që mund t’i them me bindjen se po them diçka që e ndaj me shumicën si të vërtetë. Për më tej, në zbulimin e kësaj ngjarjeje duhet të futemi në sferën e supozimeve.Supozimet e para lidhen me atë se ky ka qenë një rast flagrant që u ka mbetur në dorë. Por rastet flagrante nuk janë të pakta dhe megjithatë nuk ka ndodhur asgjë. Atëhere mos kësaj i duhet t’i shtojmë edhe elementët e një hakmarrjeje të Berishës ndaj një partie si PDK e cila, që kur u formua, u duk se u formua për të pasuruar të vetët me korrupsion. Por përsëri duket se kaq nuk mjafton. Të paktën duhet shtuar pyetja: pse tani? Këtu duhet shtuar edhe argumeti i gazetës së opozitës Zëri i Populit sipas të cilës këto arrestime bëhen për të mbuluar akuzat e opozitës për shkelje ligji në tenderimin e rrugës Durrës Kukës. Përsëri kaq nuk mjafton. Sepse, ç’punë ka Berisha në këtë mesele, arrestimet i firmos Prokuroria që nuk është e varur nga ekzekutivi, e Prokuroria, sot për sot, nuk duket kaq e interesuar të ndihmojë Berishën përkundrazi, hapja e çështjes së rrugës Durrës - Kukës provon të kundërtën. Ja që nuk mund të mos futim në komponentet që kanë nxjerrë si rezultante arrestimin e të shatëve edhe Prokurorinë e cila, gjithë sipas supozimeve, e ndodhur nën akuzë nga mazhoranca, e mbështetur edhe nga opozita po tenton të kundërveprojë ndaj mazhorancës. Por ama hetimet e përgjimet i ka bërë policia e kontrolluar nga mazhoranca. Përpara këtyre kundërthënieve mund të ngrihen hipoteza të tjera. Mos kemi të bëjmë me një luftë gurpimesh brenda mazhorancës, ngase disa po hanë e po majmen në sajë të marifeteve parlamentare alla Dushk kurse të tjerë militantë të PD kanë mbetur me barkun thatë? Apo mos këto arrestime i duhen Berishës për të patur më të lehtë e më të legjitimuar sulmin (apo shantaazhet) që mund të nisë ndaj opozitarëve të korruptuar pas ndërrimit të kryeprokurorit Sollaku? Edhe këto nuk janë pa gjasa. Duket se një sërë faktorësh jashtë asaj që mund të quhet funksionim normal i drejtësisë, por edhe jashtë vullnetit të të gjithë aktorëve që u përmendën më sipër, ka bërë që të shtatët të arrestohen. Pra, pa këtë kombinim fatlum apo fatkeq që tregon për mungesë njëautorësie të shtatët nuk do të arrestoheshin. Ndoshta këtu jemi më afër të së vërtetës së shkakut të ngjarjes. Dhe po të jetë kështu, mu për këtë, ndërdyshja ndaj përgjigjes a do të dalin për hajër apo për dëm këto arrestime mbetet e hapur (Korrieri, 19 shtator 2007)

Thursday, September 27, 2007

Memoria dhe historia

Pas deklaratës së Berishës që kërkoi nga historianët të shkruajnë të vërtetën është hapur edhe një herë debati mbi rishkrimin apo korrigjimin e historisë të shkruar në kohën e komunizmit. Sipas një pale, këndvështrimin e së cilës kërkon të interpretojë kryeministri, kjo historiografi vazhdon të mbisundojë padrejtësisht me deformimet dhe manipulimet e veta prandaj duhet ndryshuar në mënyrë radikale. Kurse sipas palës që përfaqëson kryesisht mendimin e ish komunistëve ajo ka nevojë për ndryshime, por qëndron, megjithatë, në shumë pjesë dhe këto ndryshime nuk mund të bëhen me udhëzime, por janë punë e historianëve.
Përpara se të shpreh ndonjë mendim mbi këtë çështje më duket me vend të bëj një shtjellim paksa më teorik mbi dallimin midis historisë dhe memories pasi ajo çka bije në sy në debatin tonë është konfondimi midis asaj që quhet histori dhe asaj që quhet memorie. Këto të dyja nuk janë sinonime. “Memoria është jetë e një grupi të gjallësh, gjithmonë në evolucion, e hapur ndaj dialektikës së kujtesës dhe harresës, e pavetëdijëshme për deformimet e saj, e brishtë përballë instrumentalizimeve dhe manipulimeve, e aftë për gjumë të gjatë dhe për zgjime të papritura” – thotë historiani frëng Pierre Nora. Kurse, historia, gjithë sipas tij, është diçka tjetër. “Ajo është rindërtimi problematik dhe gjithmonë i paplotë i asaj që nuk është më.”
Memoria, pra, në kuptimin që i jep asaj Nora, është një fenomen gjithnjë aktual. Nëpërmjet saj ne jetojmë, si të thuash, një të tashme të përjetshme. Ajo është e ngarkuar me dashurira, urrejtje, pasione, nostalgjira. Ajo kënaqet me detajet që e bëjnë të ndjehet mirë dhe ushqehet me kujtime nganjëherë edhe të turbullta, apo ikanake apo edhe simbolike. Ajo i nënshtrohet edhe cenzurave, por edhe projektimeve apo transfertave, nëse do të përdorim një koncept psikanalitik. Kurse historia, përkundrazi është një operacion intelektual dhe laicizant, ajo kërkon analizë dhe diskurs kritik. Ndërsa memoria i jep kujtimit një vlerë të shenjtë, historia e çshenjtëron kujtimin, e bën prozaik. Mund të thuhet se ka aq memorie sa çka edhe grupe dhe fraksione. Kurse, për princip, historia duhet t’u përkasë të gjithëve dhe asnjërit. Kjo i jep historisë një vokacion universal që memoria nuk e ka. Sipas Pierr Nora historia dyshon gjithnjë tek memoria, misioni i saj i vërtetë është ta largojë, ta zbërthejë/dekonstrukojë memorien. Ambicia e historisë, sipas tij, nuk është ekzaltimi i asaj që ka ndodhur realisht, por asgjësimi i saj.

Duke e përthyer debatin tonë në prizmin e këtij dallimi midis historisë dhe memories nuk është vështirë të arrish në konkluzionin se debati ynë është një debat mbi memorien paçka se flasim për histori. Krejt shekulli që sapo kemi lënë është ende në shumë aspekte fushë e memorjes; ai nuk ka hyrë ende në fushën e historisë sipas konceptit që i jep historiani frëng. Ne i kemi ende mbi kurriz ngjarjet e Shekullit të XX dhe vazhdojmë të shfryjmë pasionet tona mbi to apo nëpërmjet tyre duke i ekzaltuar apo harruar. Jo vetëm por çështja jonë bëhet shumë më e komplikuar pasi memoria jonë e periudhës së komunizmit ka qenë edhe instrument pushteti, madje i një regjimi diktatorial totalitar që pretendonte se zotëronte të vërtetën e të vërtetave në të gjitha fushat e dijes e që jo vetëm ka shpëlarë trutë e njerëzve nëpërmjet historësë e memories së shkruar prej tij, por ka kryer edhe shumë krime me duart e këtyre njerëzve trushpëlarë. Dhe kjo e rëndon edhe më shumë emocionalisht memorien tonë. Në debatin tonë po ashtu konfondimi i memories me historinë është pjesë e problemit, pasi historiografia komuniste, ndërkohë që ishte kryesisht memorie, dhe pak histori e ideologjizuar pretendonte se po shpaloste të vërtetën e fundit shkencore pasi ajo pretendonte edhe se zotëronte metodën e drejtë: atë të materializmit historik.
Nëse do të tentojmë të karakterizijmë atë që shumëkush e quan historia jonë mbi të cilën debatohet sot, duke e thjeshtëzuar paksa, mund ta ndajmë në tre faza kryesore. Historia nga lashtësia deri më 1912, historia nga 1912 deri në Luftën e Dytë si dhe historia e Luftës e në vazhdim deri më 1991.Përsa i përket periudhës nga 1912 e poshtë historiografia komuniste mund të thuhet se la të paprekur në frymën e saj një historiografi të filluar së shkruari nga Rilindja me metodën e ideologjisë nacionaliste që shërbeu si mit nacional e që mund të përmblidhet në titullin e një emisioni të Radio Tiranës së asaj kohe “Heroizmi i popullit tonë në shekuj”. Për shembull pas Skënderbeut e deri më 1912 historiografia jonë që mësohet nëpër shkollat e mesme përmend vetëm dy tre kryengritje dhe asgjë më tepër, madje glorifikon me frymë nacionaliste edhe një kryengritje si ajo kundër reformës së Tanzimatit e cila në fakt ishte një reformë modernizuese e shtetit. Ky boshllëk gati pesëqind vjeçar shpjegohet me atë se nuk kemi të bëjmë me histori, por me një manipulim me frymë nacional romantike të materies historike, me një mitologji nacionaliste që e përdor historinë si instrument për krijime identitetesh të reja apo për krenari kombëtare. Nevoja e rishkrimit të kësaj historie, çka do të thotë edhe e dekonstruktimit të miteve të nacionalizmit, është diçka që është trajtuar shpesh kudo në Ballkan ku nacionalizmat e ushqyer edhe me manipulimet e historisë shkaktuan tragjedi. Në Shqipëri ky proces rishkrimi ka pasur më pak sukses sa për shkak të prapambetjes së frymës kritike në kulturën shqiptare aq edhe për ndikimin e fortë të historiografisë nacional – komuniste e cila infektoi edhe brezin më të fundit të historianëve. Kjo periudhë nga një anë është më e lehta për tu kthyer në histori në kuptimin që i jep asaj Nora sepse është më larg. Por nga ana tjetër është edhe më e vështira pasi rishkrimi i kësaj historie kërkon historianë sa të ditur aq edhe kurajozë që nuk tremben nga akuzat se po prekin rrënjët e kombit. Të vështirë e bën rishkrimin e kësaj historie edhe fakti se për këtë nuk ka debat serioz as në rrethet akademike as në grupime më të gjera. E vetmja shtysë ka ardhur nga jashtë duke patur parasysh projektet e integrimit evropian që nënkuptojnë edhe normalizimin e marrëdhënieve me fqinjët. Nën ideologjinë e paqes e të integrimit pa dyshim historia mund të shkruhet krejt ndryshe nga ajo e shkruar nën optikën nacionaliste pasi në historinë e marrëdhënieve të shqiptarëve me fqinjët mund të përmenden edhe ato periudha të harruar nga mitologjia nacionaliste kur ata kanë jetuar në paqe e harmoni me njëri tjetrin gjë që përkon edhe me hapësirën më të madhe kohore. Por përsëri kemi të bëjmë me një histori të ideologjizuar, po që sa më kritike e problematike të jetë aq më shumë do t’i afrohet asaj që e quajta në krye të shkrimit histori. Megjithatë le ta lemë periudhën e para 1912 për tu ndalur më gjatë në periudhën e pas 1912 për të cilën duket se është hapur edhe debati ynë i fundit. Përsa i përket fazës nga Lufta e këtej memoria e komunistëve ka kryer procese të paimagjineshme seleksionimi, cenzurimi e projektimi. Zhdukja deri edhe nga fotografitë historike, me retushim, e figurave të padëshiruar historike tregon nivelin banal të këtij procesi. E tillë është edhe periudha nga 1912 e deri më 1939. Edhe ajo ka njohur seleksionime pa fund e lënie në harresë e hiperbolizimie figurash. Edhe në trajtimin e saj arrihet deri atje sa të hiqen figurat e pjesëmarrësve në ngritjen e flamurit duke lënë në ballkon vetëm Ismail Qemalin. Nuk mund të mohoet se pas rënies së komunizmit kemi një përpjekje për ta rishkruar atë që është shkruar mbi periudhën nga 1912 e këtej. Por nuk mund të mohoet se mbetemi në fushën e memories jo të historisë megjithatë. Korrigjimet që i janë bërë kësaj memorieje, ose që tentohet të bëhen diktohet më së shumti nga pasione dhe ndjenja të grupeve të tjera emergjente të ngarkuara me ndjenjë kundërvënieje për padrejtësitë e bëra nga komunistët, për denigrimin e disa figurave dhe lënien në harresë të disa të tjerave ku jo rrallë bardhe e zija kthehet në zi bardh nga memoria e kundërshtarëve të komunizmit. Jemi pra në një proces në zjerjeje, krijimi si të thuash të materialit për historianët që do të vijnë. Por a duhet për këtë t’u imponohet historianëve heshtja derisa të vijë momenti i tyre? Jo. Më një anë mund të thuhet se memoria është një etapë e detyrueshme që duhet të kapërcehet për të arritur në një pikë tjetër, se kalimi nga memoria në histori kërkon kohë dhe inteligjencë duke shtuar se edhe memoria vetë kërkon inteligjencë sepse nga cilësia e memories së sotme do të varej shumë edhe historia e së nesërmes. Nga ana tjetër kurrsesi nuk mund të flitet për një histori që fillon të shkruhet vetëm pasi mbaron procesi i memories. Diskursi kritik i historianit, i cili punon me memorien, por punon kryesisht me dokumente, dhe në libra e revista serioze e jo në gazeta e televizione, mund të fillojë edhe paralel me memorien. Fatkeqësisht ne këtë aspekt kam përshtypjen se ne kemi ngecur. Tekstet më serioze historike, (një për periudhën e Zogut dhe një për Luftën) i ka shkruar një i huaj, amerikani Bernd Fischer. Por më dramatik është fakti se mungon në shkollat tona e në ndërgjegjen tonë në tërësi e në mësimdhënien tonë metoda, fryma apo këndvështrimi i një autori si Fischer, i cili synon të bëjë histori ashtu siç e përkufizon Nora. Në kontekstin që shtjellova deri këtu mendoj se ndërhyrja e kryeministrit duhet parë në dy aspekte. Si përfaqësuesi i një grupimi antikomunist që kërkon të korrigjojë një memorie tejet deformuese të një të kaluare në emër të identitetit e vlerave të grupimit që ai përfaqëson, por edhe si kryministër që ka nën përgjegjësinë e vet edhe programet arsimore ku duhet të mësohet një histori që t’u përkasë të gjithëve jo vetëm një grupimi e që për këtë ka detyrë të tërheqë vëmendjen edhe të mësuesve edhe të shkruesve të teksteve edhe të historianëve. Sipas gjykimit tim si kryetar i një partie politike që lindi nga lëvizja antikomuniste ai mund të kritikohet se sëbashku me partinë e tij ka bërë pak dhe jo me mënçurinë dhe pjekurinë e duhur për tu ngjizur një memorie ndryshe e shekullit të XX shqiptar. Në këtë aspekt mund t’i kërkohet më shumë pasion rishkiues e rivlerësues sepse, nëse historia është kryesisht punë e shkencëtarëve memoria është punë e të gjithëve, edhe e politikanëve, në mos qoftë kryesisht e tyrja. Pa harruar se, megjithë relativitetin e saj, memoria përsëri kërkon ndershmri dhe sinqeritet dhe ndjenjë drejtësie ose politizim të drejtë, pasi edhe ajo duhet të na mësojë të vërteta dhe jo gënjeshtra dhe të na edukojë se si të vlerësojmë. Edhe grupimet e ashtuquajtura të majta e kan lënë pa prekur memorien e tyre të shkruar në kohën e komunizmit për qëllime manipulimi politik kryesisht, mbijetese, vetëmbrojtjeje duke tentuar të vonojnë sa të mundin një proces që vonon kështu edhe rritjen e ndërgjegjes së shqiptarëve. Në vend se të shpenzohen para për të bërë koncerte rok në Pezë me të rinjtë do të ishte shumë më e shëndetëshme që të bëhej atje një simpozium për të venë në vend historinë e Pezës me tërë kompleksitetin e saj. Historia për të cilën flet Nora si “rindërtimi problematik dhe gjithmonë i paplotë i asaj që nuk është më”, nga vetë definicioni që i jep ai, nuk mbaron kurrë së shkruari. Ajo është gjithmonë e paplotë. Çdo kohë ka këndvështrimin e vet, metodat e veta kërkimore gjithashtu. Por nga ana tjetër ky reletivizëm i memories dhe i historisë kurrsesi nuk mund të nënkuptojë pranimin e falsifikimeve dhe manipulimet e kryera nga historiografia komuniste. Madje dhe këto manipulime sot duhet të jenë objekt i memories dhe historisë së re. Së fundi në këto shënime të paplota dua të ve në dukje se kur flitet për historinë, por edhe për memorien, nuk duhet harruar asnjëherë, krahas dallimit midis memories dhe historisë edhe nevoja e ndryshimit të frymës me të cilën është shkruar edhe memoria edhe historia jonë që ka përcaktuar edhe metodën që vazhdon të reflektohet edhe në debatet aktuale. Kjo ka të lidhje me një pyetje themelore: atë se për çfarë na shërben ne memoria apo historia, përse duam tua mësojmë nxënësve në shkolla të kaluarën. Po ta vesh re metodat që përdor memoria apo edhe historia e mitologjizuar nacional – komuniste ato kanë synuar ta venë memorin apo kujtesën në shërbim të identitetit të një grupi që pretendonte se kishte edhe monopolin e së vërtetës e që e vinte këtë në shërbim të pushteti të tij. Roli i historisë si burim identiteti dhe krenarie kombëtare vazhdon të ekzaltohet edhe nga dy grupet e sotme debatuese. Kurse historia në thelbin e vet është një mësuese - “më e madhe e mësuesve” e quan Polibi - që nuk synon t’i shërbejë as pushtetit as përkatësisë as identitetit apo krenarisë, por njohjes prej nga vijmë për të kuptuar më mirë se ku jemi në mënyrë që të ndërtojmë më me mënçuri të ardhmen. Ne na duhet ta njohim sa më mirë historinë e Zogut jo thjeshë për të rivlerësuar më shumë apo më pak ndonjë figurë, qoftë edhe atë të Zogut, (kjo është diçka dytësore) por mbi të gjitha për të kuptuar më mirë se çfarë faktorësh ishin ata që ndikuan që komunizmi ynë të ishte më i egri në tërë Lindjen, dhe diktatori ynë komunist më mizori. Ashtu sikurse na duhet të njohim sa më mirë histiorinë e komunizmit shqiptar për të kuptuar pse po përjetojmë këtë tranzicion kaq të vështirë. (Korrieri, 22 shtator 2007)

Monday, September 24, 2007

Njeriu do-si-do

Në italisht ka një togfjalësh që ka hyrë tashmë në zhargonin politik: "uomo qualunque". Në shqip fjalën "qualunque" mund ta përkthejmë "çfarëdo" apo, ndoshta edhe më saktë, "dosido". Pra togfjalëshi në shqip mund të përkthehet: "njeriu dosido". Do të ishte më vështirë të përkthehej në shqip emri i lëvizjes politike: "qualunquismo", që ka kuptimin e një lëvizjes politike të njeriut dosido. Vështirë të thuhet "çfarëdollojsizmi" apo "dosidosizmi" prandaj është më mirë ta marrim termin nga origjinali, ndonëse nuk më duket keq edhe sikur të futet në shqip në formën "dosidosizëm", çka i jep edhe disa nuanca që nuk i ka italishtja, e, kur të flitet për Italinë, të thuhet "qualunquizëm" kurse për Shqipërinë "dosidosizëm". Qualunquizmi, pra, është një lëvizje që ka lindur në vitet e pas Luftës së Dytë në Itali, nga emri i një reviste "Uomo qualunque", që përfaqësonte një minorancë që nuk e gjente veten as në të majtën komuniste e socialiste as në të djathtën demokristiane. Konsiderohet si lëvizja e njeriut të papjekur për demokracinë që sapo ishte instaluar pas diktaturës fashiste; e njeriut që e kishte futur në krizë ndarja politike ngase i mungonin instrumentet kulturore për të kuptuar retorikën e pasluftës që u kërkonte të gjithëve një përkatësi ideologjike. E gjetën veten në këtë lëvizje edhe një pjesë e ish fashistëve që qenë humbësit e asaj lufte. Ishte një lëvizje që u shkri shumë shpejt për shkak të vitalitetit të partive demokristiane, komuniste apo socialiste që ishin në lulëzim në atë kohë e në të cilat e gjente veten pjesa më e madhe e italianëve.
Kohët e fundit ka lindur një lëvizje që analistët e kritikët italianë e kanë pagëzur "neo-qualunquismo". Është fjala për lëvizjen e komikut të mirënjohur Pepe Grillo i cili e ka nisur këtë punë më së pari në internet. E ka quajtur lëvizja VaFa që është shkurtimi i fjalës "Va ffanculo" që përsëri nuk është e lehtë të përkthehet në shqip, por besoj se më afër do të ishte: "Ik pirdhu" apo edhe "Këput qafën". Pasi u mblodhën e u bënë 300 mijë në botën virtuale të internetit partizanët e lëvizjes neo-qualunquiste "Ik pirdhu" dolën në sheshe duke i kërkuar tërë klasës politike të korruptuar të shporret nga skena politike duke shkaktuar një debat goxha të gjerë midis atyre që i mbështetën dhe atyre që u dolën kundra në mbrojtje të institucioneve dhe rrugëve institucionale për ndryshimin e klasës politike.
Duke shkruar për neo-qualunquizmin e sotëm Umberto Ecco bën një dallim të rëndësishëm me atë të pasluftës. "Njeriu dosido" i pasluftës, sipas tij, përfaqësonte një minorancë të sëmurë që nuk mund ta helmonte tërë trupin e shëndoshë të shoqërisë, kurse lëvizja e tanishme paralajmëron një sëmundje të tërë trupit shoqëror. Neo-qualunquizmi i sotëm, sipas tij, është shprehje e zhgënjimit ndaj klasës politike në tërësi, si të majtë edhe të djathtë. Këto e provon edhe numri shumë i madh i shitjeve të një libri që ka dalë së fundi me titull "Kasta" ku denoncohet pasurimi si dhe shpennzimet e mëdha të klasës politike që zotëron sot skenën politike italiane.Nuk mund të mos mendosh për realitetin shoqëror e politik shqiptar duke ndjekur këtë lëvizje pasi nuk mund të mos të të bijen në sy disa ngjashmëri që në realitetin tonë i gjen të stërfryra, madje në formën e karikaturëss së realitetit që shohim në Itali. Ngjashmëria e parë ka të bëjë me çështjen e "njeriut dosido". Me fjalë të tjera këtë njeri mund ta përkufizojmë si njeriu që nuk ka ndonjë përkatësi e as ndonjë ideal pasi nuk gjen asnjë grupim politik me të cilin të identifikohet, që nuk beson tek institucionet qofshin këto parti apo institucione shtetërore apo edhe fetare pasi i konsideron si të korruptuara që nuk i shërbejnë atij, por kastës që i ka zaptuar e prandaj ai kërkon rrugë jashtë këtyre institucioneve për t'u çliruar prej tyre. Por, nga ana tjetër, ai ndeshet me barrierën që i ve demokracia dhe rruga institucionale - krahas vështirësisë që i del për ta kthyer lëvizjen e vet kaq heterogjene dhe transpartiake në një parti të re. Është një njeri tek e fundit i pafuqishëm. Ky është përshkrimi tij si viktimë që në kontekstin italian e gjen edhe në tentativë për të dalë prej kësaj gjendjeje. Por, në kontekstin shqiptar, ai mund të përshkruhet më negativisht si njeriu që bëhet çfarë të duash, si e do e si ma do, pasi nuk ka asnjë ideal e asnjë përkatësi e as një siguri. E, po ashtu, me një pafuqishmëri shumë herë më të madhe. Nuk do shumë mend për të konstatuar se shoqëria shqiptare është e mbushur me njeriun do-si-do i cili është, për më tepër, i paaftë për të nisur lëvizjen "dosidosiste". Gati mund të thuash se shoqëria jonë është e tëra vetëm do-si-do njeri pasi edhe vetë politikanët aktivë, shpesh, kur shprehen jashtë mikrofonëve të mediave, shfaqen si njerëz dosido që nuk kanë asnjë besim në partitë e tyre e asnjë ideal. Pse ndodh kështu? Shkaqet janë të shumta të lidhura si me të kaluarën komuniste edhe me tranzicionin postkomunist e nuk më duket vendi për t'i hyrë analizës fije për pe. Thjeshtë mund të them si konstatim se duket se shumë shpejt pas rënies së diktaturës, pas një periudhe shumë të shkurtër ëndrrash e idealesh të fillimviteve '90, që krijuan edhe parti edhe lëvizje, shoqëria shqiptare kaloi nga "njeriun skllav" i diktaturës, në "njeriun do-si-do". Vitet e fundit, me zhgënjimin me të dy krahët e politikës, por edhe për shkak të varfërisë e pasigurisë të së ardhmes, mungesë së shkollimit gjithashtu, helmimit moral të marrëdhënieve shoqërore nga një mbijetesë e zhytur në informalitet e kriminalitet, por edhe ekzodeve të pjesës më vitale, numri i njerëzve do-si-do është rritur jashtë mase. Kemi të bëjmë me një shoqëri të shndrruar në një turmë njerëzish do-si-do, që paradoksalisht, mu prej kthimit kaq masiv në këtë kategori, nuk gjen dot Pepe Grillot e vet për të lançuar një lëvizje dosidosiste që t'i thotë "Ik pirdhuni!" partive dhe institucioneve që ato kontrollojnë. Dhe pa dyshim këtu vjen ngjashmëria e dytë karikatureske me realitetin italian: çështja e përgjegjësisë së klasës politike për katandisjen e shoqërisë sonë në një turmë njerëzish do-si-do. Kur shtrohet çështja nëse klasa politike është apo jo pasqyrë e popullit të vet Haveli shpreh një ide, që e kam cituar edhe herë tjetër, sipas së cilës përgjigja thjesht "po" është vetëm gjysma e së vërtetës. Sepse, sipas tij, mund të thuhet edhe se populli është pasqyrë e klasës së vet politike pasi klasa politike ka një rol aktiv në këtë pasyrim të ndërsjelltë. Ka shumë rëndësi se çfarë anësh të popullit zgjedh të promovojë klasa politike sepse dihet se qënia njerëzore ka brenda edhe të mirën edhe të keqen, edhe virtyte edhe vese. E pra, nëse klasa politike zgjedh të promovojë anët pozitive të njerëve, pasi edhe tek ajo ato janë mbizotëruese, atëhere edhe populli bëhet më i mirë pasi pasqyrues i virtyteve të kësaj klase politike. Kurse nëse ajo zgjedh të promovojë anët negative ndodh e kundërta. Me fjalë më konkrete kjo do të thotë se nëse politikanët zgjedhin për bashkëpunëtorë të tyre njerëzit e ulët të shoqërisë, njerëzit pa ideale pasi kështu mund të ralizojnë edhe qëllimet e tyre të ulëta atëhere edhe e tërë shoqëria do të pasqyrojë këtë ulësi. Është një fenomen që ne e njohim shumë mirë nga koha e komunizmit, kohë e sundimit të të paaftëve dhe mediokërve, por që e njohim shumë mirë edhe në epokën postkomuniste. Mjafton të sjellim ndërmend fenomenin Dushku për të mos patur asnjë dyshim se "njeriu do-si-do" i shoqërisë shqiptare është pasqyrimi më eksplicit i "njeriut dushk" të Parlamentit shqiptar, i cili, në vend të mbrojtjes së idealeve, të përkatësisë në një grupim ka promovuar mungesën e çdo ideali apo shitjen e çdo ideali për përfitime meskine vetiake. Një thënie angleze thotë se në parlamentet e gjithë botës do të gjesh 10 për qind më të mirët e një vendi, 10 përqind më të këqijtë dhe 80 përqind popullin e atij vendi. Nuk e di sa i shkon kjo parlamentit tonë të Dushkut, por me siguri di të them se nëse atje ndodhet 10 përqindëshi i më të mirëve atëhere e mira jonë është në nivele shumë të ulëta, çka nuk dua ta besoj. Është më e lehtë të bësh analizën e një situate e shumë më e vështirë të gjesh rrugëdaljen prej saj. Edhe ky shkrim tek e fundit, mbetet në kufijtë e shprehjes së pafuqisë një njeriut do-si-do që nuk gjen asnjë grupim politik me të cilin të identifikohet, që nuk beson tek institucionet pasi i konsideron si të korruptuara, e që e ka vështirë të gjejë rrugëdalje. Por gjithsesi për ata që kanë ende veshë për të dëgjuar besoj se nuk është kurrë e tepërt të thuhet e rithuhet ajo që shpreh kriza e njeriut do-si-do shqiptar se shoqëria jonë ka nevojë urgjente të shohë përtej atyre nevojave emergjente si uji, dritat, pasurimi legalizimi e më the të thashë në të cilat është përthekuar debati ynë e lufta jonë politike e përditëshme duke na kthyer në njerëz do-si-do. Edhe elita shqiptare, ajo çka ka mbetur nga inteligjenca shqiptare, nga shtypi serioz shqiptar nga politika serioze shqiptare (ndoshta ai 10 përdqindëshi) nga kultura shqiptare, nga ata që qoftë edhe vetëm me një pjesë të ndërgjegjes e refuzojnë katandisjen e shoqërisë në turmë njerizish do-si-do, duhet ta kthejnë vështrimin drejt projektesh që do të synonin njeriun me dinjitet e përkatësi që beson në ideale e që nëpërmjet dialektikës demokratike me të tjerë njerëz me ideale e përkatësi të tjera çon përpara edhe shoqërinë edhe personalitetin e dinjitetin e vet. (Korrieri 17 shtator 2007)

Saturday, September 22, 2007

Shoqëria shqiptare inkubatori i krimit

Nuk e di nëse ka pasur ndonjë rast tjetër në historinë e gazetarisë italiane që fytyra e një shqiptari të dalë në faqe të parë të njërës nga dy gazetat më të mëdha të Italisë, "La Republica". Ndoshta në kohën e ekzodit masiv të viteve '90 mund të ketë pasur në faqe të parë të "La Republica" foto shqiptarësh, por ma merr mendja se duhet të kenë qenë nga ato fotot me turmë. Kurse kjo është një fytyrë e vetme shqiptari. Është fytyra e një vrasësi (mes dy policësh). Është njëri ndër dy shqiptarët të quajtur Artur dhe Naim që kryen në Trevizo një vrasje makabre të një çifti që ruante një vilë pronarët e së cilës ishin me pushime. Vrasja tronditi Italinë për egërsinë e përdorur. Guaja ishte përdhunuar dhe pastaj i ishin futur në vaginë edhe lëngje tubetash të ndryshme. Arma e përdorur, një tip skalpeli, nuk kishte shërbyer vetëm për vrasje, por edhe si mjet torture më së pari. E gjithë kjo me synimin e nxjerrjes së çelsave të kasafortës së pronarëve që çifti as nuk i kishte dhe as mund t'i kishte. Për t'u çliruar nga çdo lloj frenimi të impulseve kriminale rezultoi se para se të niseshin për grabitje kishin marrë doza të forta kokaine të cilën edhe e trafikonin. Edhe në lajmet e mbrëmjes kapja e dy vrasësve të Trevizos ishte lajm i parë. Në diçiturën e fotos thuhej: "një nga të arrestuarit e Trevisos". Fillova ta shikoj me kujdes fytyrën e tij edhe duke kërkuar atje tiparet e një bashkatdhetari. Kur je jashtë edhe një emër i tillë si Naim apo Artur të tërheq vëmendjen e jo më një fytyrë bashkatdhetari. Një fytyrë e keqe, nga ata që sheh me bollëk në Shqipëri - thashë me vete. Fytyra banale e së keqes. Me ca nofulla të gjera të stërfryra edhe nga dhjamosja që në moshën 30 vjeç e me ca sy të futur thellë që para kameras së fotografit, megjithatë, tentonin të ndillnin mëshirë. Por pastaj, sa më shumë e shihja, aq më pak gjeja ndonjë gjë të jashtëzakonshme në atë fytyrë. Madje fytyra e njërit prej dy policëve mu duk mjaft e ngjashme me të tijën. Edhe veshjen e kishte normale, një bluzë të thjeshtë të kaltërt me tre komça.
Kuptova se duhet ta kërkoja krimin më thellë sesa tek fytyra.
Hapa faqet e brendëshme ku jepej lajmi. Atje fotogfrafia ishte më e madhe. Sikur të kishin qenë të një mendjeje me mua redaktorët e kishin hequr policin që i shëmbëllente dhe kishin lënë vetëm njërin që ishte më i ri dhe më i pashëm. Pas përshkrimit të vrasjes makabre dhe detajeve të kapjes në sajë të deponimeve të një të riu rumun, bashkëpunëtor në fshehjen e armës së krimit, jepeshin edhe të dhënat biografike të Arturit dhe Naimit. Të dhëna tashmë të rëndomta në Itali: të dalë nga burgu, me precendete të tjera penale për vjedhje grabitje apo tentativë për vrasje, trafikantë droge dhe prostitutash…

"Bastardë të mallkuar", "Nxirrini jashtë Italisë kriminelët" "Shqiptarë ishin? Sigurisht, burrat janë të gjithë kriminelë, gratë të gjitha prostituta." "Duhen djegur me benzinë pak nga pak", "Italianët nuk do ta kishin bërë kurrë një krim të atillë" "Asnjë mëshirë, duhen varur". Këto ishin disa nga citimet e njerëzve të Trevizos që sillte gazeta. Gazetari distancohej prej tyre. "Nuk janë të gjithë kriminelë." "Ku na çon ky racizëm?" ishte qëndrimi i tij.

Para disa ditësh regjizorit të famshëm Tornatore i qëlloi të sulmohet nga dy të rinj për grabitje në rrugët e Romës. E goditën sa e lanë pa ndjenja. Ishin të huaj. Në lajme u tha se ishin o rumunë o shqiptarë. Pastaj u morr vesh se qenë rumunë. I pyetur të nesërmen nga RAI ai dha mesazhin e njeriut të artit. Pasi tregoi se si e kishin ndalur për ta pyetur për një rrugë dhe pastaj njëri syresh e kishte goditur me egërsi me grusht duke e lënë pa ndjenja vazhdoi: "ishin të huaj, nuk e kuptova qartë rumunë apo shqiptarë." "Por - vazhdoi - kur erdha në spital infermierja që më shërbente, një grua shumë e sjellëshme dhe shumë njerëzore ishte rumune." Mirëpo zëri i Tornatores është një pakicë. Në Itali edhe e majta në pushtet po merr masa nga ato që konsiderohen të së djathtës për shkak të problemeve të krijuara nga kriminaliteti. Togfjalëshi i djathtë "toleranca zere" po hyn edhe në fjalorin e saj. Ndërkaq imazhi i shqiptarëve si kriminel të pamëshirshëm vazhdon të përhapet. Disa ditë pas ngjarjes në fjalë u dha lajmi se u grabit nga njerëz të maskuar në shtëpinë e saj një aktore e njohur që shpëtoi për mrekulli nga ndonjë masakrim pasi u njoftuan në kohë karabinierët. "Ishin të huaj" u tha në lajme "ndoshta shqiptarë". Nuk kaloi një ditë a dy dhe përsëri u dha lajmi për kapjen e njërit prej pjestarëve kryesor të një bande kriminale trafikantësh që kishte vrarë me shtatëmbëdhjetë thika në rrugët e Firences një bashkatdhetar për shkak se ky kishte pasur shije të ndryshme për prostitutat që trafikonin. Çdo emigrant shqiptar kur përgjigjet se nga cili vend është mban me vete edhe damkën e këtyre kriminelëve. Sa herë e pyesin se nga është ai përgjigjet duke shtruar vetmevete pyetjen: "çfarë do të thotë ky ku t'i them se jam shqiptar?"
Ajo që më shtyu të shkruaj këto rradhë megjithatë nuk është Italia, as halli i imazhit dhe as ai i atyre emigrantëve të ndershëm, që edhe vetë italianët me mend e dinë se janë shumica, që ndjehen deri të shtrënguar të mohojnë kombësinë për t'i shpëtuar identifikimit të fytyrës së tyre me fytyra krininelësh shqiptarë që dalin çdo ditë e më shumë në mediat e huaja. Ajo që më shtyu të shkruaj këto radhë është Shqipëria. Problemi është se kur japim lajmet për krimet e shqiptarëve në vendet perëndimore ne sikur kemi një lloj distancimi. Sikur në një farë mënyre nuk na përkasin, sikur nuk jemi ne përgjegjësit pasi ata e kanë kryer krimin atje. Aq më tepër pasi viktimat nuk janë shqiptarë por të huaj. Mirëpo nuk është kështu. Dy vrasësit mizorë të Trevizos ishin njëri tridhjetë vjeç tjetri tridhjetetre. Po të kemi parasysh se karakteri i njeriut formohet në moshën e fëmijërisë dhe se për këtë ndikojnë shumë gjendja familjarëve, marrëdhëniet midis prindërve, kushtet ekonomike e shoqërore, kur ata janë rritur, arsimimi e me rradhë nuk është e vështirë të marrësh me mend se këta kriminelë janë ngjizur karakterialisht në Shqipëri. Jo vetëm kaq, por Shqipëria është një strehë e tyrja, ku shpesh kthehen pasi kanë kryer krime. Jo vetëm kaq por shpesh Shqipëria është vendi ku ata investojnë paratë e fituara nga trafiqet e drogës dhe prostitucionit që ata kontrollojnë. Ja pse shoqëria shqiptare, politika shqiptare, shteti shqiptar nuk mund të lajnë kurrsesi duart për këto krime. Ato duhet të ndjehen e trajtohen e ndiqen si krimet që ndodhin në Shqipëri e që kryen kundër shqiptarëve pasi shoqëria shqiptare duke qenë inkubatori i këtyre kriminelëve është përgjegjësi kryesor dhe njëherësh viktima kryesore.(Korrieri, 11 shtator 2007)

Friday, September 21, 2007

Kultura e pushtetit dhe kultura e arsyes (replike)

“Zogu mbrohet nëpërmjet fluturimit, luani nëpërmjet forcës, demi nëpërmjet brirëve, bleta nëpërmjet thumbit, kurse njeriu nëpërmjet arsyes.” thotë, në një nga sentencat e tij, Foqilidi i Miletit, qysh në shekullin VI para Krishtit. Për fat të keq edhe pas 2600 vjetësh njerëzimi duket se pak ka bërë për ta rrokur urtësinë e tij; por në disa vende ama, ka bërë tragjikisht pak. Besoj se nuk ka nevojë të jap shembuj se ky vendi ynë i bekuar hyn ndër këta vende. Prandaj në këtë shkrim/replikë do të rrekem të shpjegoj psene e vështirësisë për ta rrokur këtë urtësi në dukje kaq të thjeshtë. dmth. pse shqiptarët mund t’i gjesh të mbrohen me dhëmbë, me brirë, me thumb, me krahë të lehtë, por vetëm me arsye jo. Për tipologji do t’u referohem tre artikujve: Artikullit të Ardian Klosit “Liria e shtypit dhe modeli “Lubonja” (Shekulli, 20 mars), artikullit të Ylli Polvinës “Parti hapni vend, mund të vijë Fatos Lubonja” (Dita 23 mars) si dhe artikullit të Agron Tufës “Liria e shtypit dhe modeli i cic-micit intelektual” (Tema, 22 mars 2003) të cilët u botuan në trajtë komentesh pas botimit të shkrimit tim “PS, opozita dhe modeli “Rama”.
Ajo çka spikat dëshpërimisht keq në këto shkrime që emocionalisht kanë qëndrime krejt të ndryshme ndaj Fatos Lubonjës, është pikërisht ajo frymë e kulturës sonë që, sipas meje, na bën ne ta luftojmë “arsyen” me “brirë”. E kam fjalën për atë që në mënyrë sintetike mund të quhet kulturë patriarkale, dogmatike e pushtetit. Shkrimi i Ardian Klosit riripërsërit pretendimin se Fatos Lubonja shkruan kundër modelit të kryebashkiakut jo i nisur nga mbrojtja e ndonjë principi, por sepse shkëlqimi dhe ndriçimin i madh në skenën shqiptare i Ramës, të cilin autori e mbiquan “Wolfgang Amedeus Rama” e bën “Saljerin” Lubonja të kujtojë me zili kohën kur në 1997 udhëhiqte Forumin për Demokraci, pra ishte më i fuqishëm se Rama. Artikulli i Ylli Pollovinës, i cili ka plot fjalë vlerësuese për Lubonjën (për të cilat me modesti e falenderoj) ka në thelb idenë se ky, me “dëshirë e ngulëkëmbje të hekurt për të spikatur e kaluar të tjerët” sulmon ata më të fuqishmit dhe, kohëve të fundit, duket se për këtë qëllim po do të krijojë një parti të majtë të tipit evropian. Kurse Agron Tufa e cilëson të gjithë debatin që ka krijuar polemika e Lubonjës si produkt i “një çerdheje salierësh” të cilëve Tufa u vjen tu thërrasë: “o djelmurithër! Po, boll na çatë kryet!”.. duke e vendosur veten kësisoj mbi majat e larta të kulturës së pushtetit dhe të supremacisë, e duke i bombarduar e asgjësuar prej andej të tërë.
Ajo çka është shqetësuese në të tre artikujt (dhe të tjerë pas këtyre) është fakti se askush nuk arsyeton, qoftë edhe në një paragraf të vetëm, idetë e artikullit të Lubonjës mbi modelin e qeverisjes socialiste, nëse janë apo jo karakteristika të modelit të qevrisjes socialiste ato që parashtron ai. Askush nuk arsyeton nëse prona publike duhet trajtuar ashtu si po e trajtojnë socialistët. Askush nuk thotë një gjysëm fjale për shkeljen e rregullores së densitetit të ndërtimit në Tiranë, dhe pesë pasojat afatgjata që rendit Lubonja. Askush nuk thotë një fjalë nëse e gjejnë të rrezikshme apo të parrezikshme për lirinë e fjalës faktin që pronarët e bizneseve, të cilët marrin tendera dhe truaj ndërtimi nga Kryebashkaku, kanë në dorë edhe median shqiptare. Autorët nuk merren fare me këto ide të rëndësishme për interesin publik. Ata e kanë marrë hovin për të shkruar faqe të tëra vetëm për t’i treguar publikut se çfarë e shtyn Lubonjën të shkruajë kundër Berishës, Nanos, Metës, Ramës, madje dhe Kadaresë, dikush me synimin që ta linçojë totalisht si karakter dhe dikush për ta ngritur, duke përdorur instrumentet e asaj që e quajta kulturë e pushtetit – pra duke i gjetur argumentat e tij thjeshtë si shprehje të etjes për pushtet.
Duke qenë se gjithshka kam shkruar deri më sot drejtohet mu kundër kulturës patriarkale dogmatike të pushtetit, duke synuar futjen e frymës kritike në kulturën shqiptare, them me bindje se sejcili nga të tre këta autorë, kush vetëdijshëm dhe kush pavetëdijshëm ka projektuar tek Lubonja, gabimisht, veten dhe kulturën e tij. Në vazhdën e këtyre përpjekjeve le të shtjelloj disa ide për karakteristikat dhe dëmet e kësaj kulture.



Shtysat iracionale dhe idetë racionale
Në fakt, nuk mund të mohoet se racionaliteti ynë ka rrënjë të thellë në irracionalitetin tonë, pra se shumë nga idetë tona gjenerojnë nga emocionet tona. Lidhur me shtysat që e bëjnë një shkrimtar të shkruajë, një këngëtar të këndojë, një politikan të qeverisë etj. etj. ka teori të tëra, që tregojnë bash zhvillimin e kulturës kritike atje ku kanë dalë. Niçja në “Vullneti për Fuqi” e ka konsideruar këtë “vullnet” motorin lëvizës të tërë akteve të njeriut (ndonëse shumë e kanë keqkuptuar “fuqinë” për të cilën flet Niçja duke e ngatërruar me pushtetin politik). Frojdi nga ana e tij thellë kësaj dëshire për fuqi neçeane sheh dëshirën seksuale. Ka interpretime pa fund psikoanaltike që tentojnë të shpjegojnë aktet “kundër” apo “pro” të qënieve njerëzore duke filluar që nga kompleksi i Edipit e deri tek frustrimet seksuale për shkak të impotencës. Në një polemikë me Klosin kam përmendur edhe skicofiziologjinë e trurit që e bën njeriun të jetë i ndarë midis emocionalitetit të trurit antik dhe racionalitetit të neokorteksit. Por ka edhe shpjegime më banale të akteve dhe të qëndrimeve tona “pro” e “kundër”; ato që bazohen tek emocione të tilla si frika ndaj të pushtetshmit apo gëzimi i interesit material.
Gjer këtu, pra, pajtohem me të drejtën e cilitdo për të bërë zhbirilime psikoanalitike. Por problemi është se cilado qoftë shtysa më e thellë e brendshme e një akti publik ajo që e bën atë shoqërisht të vlefshëm apo të pavlefshëm është forma me të cilën ai shfaqet së jashtmi. Pra rëndësi për shoqërinë nuk ka se pse shkruan, por se si dhe çfarë shkruan një shkrimtar, si dhe çfarë këndon një këngëtar si dhe mbi çfarë platforme qeveris një politikan etj.. Pra, nëse Fatos Lubonja e kritikon Ramën nga “urrejtja pathollogjike” për të, sikurse thotë Klosi, apo nga dashuria për Tiranën, kjo është një gjë dhe një gjë tjetër është argumentimi i ideve për zhvillimet e qytetit. Pra, edhe në rastin kur duam të provojmë se dikush po hedh ide të mbrapshta për shkak të një psiqike të turbulluar për shkaqe zilie, frike, pushteti a paraje, rruga më e mirë dhe e vetme për t’i shërbyer publikut është të hedhim poshtë idetë e tij me argumenta racionale apo të provojmë se ky dikur ka pasur ide të tjera të cilat i ka tradhëtuar. E në këtë mënyrë dalim nga konflikti emocional dhe hyjmë në debatin racional, i cili na bën ti shërbejmë më mirë atyre që u drejtohemi. Këtë bën Lubonja kur argumenton se kryebashkiaku ka tradhëtuar tre shtyllat kryesore të premtimeve të tij elektorale për të aplikuar politika të kundërta me to. Këtë, fatkeqësisht, nuk e bën Klosi që nuk i arsyeton argumentet e Lubonjës.

Kultura e pushtetit si kulturë nënshtrimi
Madje, grotesku i kësaj kulture pushteti që prodhon konflikt emocional tek z. Klosi shkon shumë larg: ndonëse Fatos Lubonja nuk ka ambicje as të bëhet politikan, as urbanist as piktor dhe as bojaxhi, por të bëjë me pasion qytetarin, shkrimtarin dhe gazetarin, ai papseprapë vlerësohet nga autori në plan superioriteti apo inferioriteti me politikanin. Madje, madje ai gati gati sa nuk thotë se edhe kundër Bushit e kundra luftës në Irak Lubonja nuk flet e shkruan pse këto janë bindjet e tij, por sepse ka zili që nuk është ai në krye të ushtrisë amerikane. Shtyrja deri në këtë grotesk tek Klosi i këtyre argumentave, ulja deri në poshtërim e vetvetes duke u vetëquajtur ”model i pasuskeshëm” përpara suksesit të kryebashiakut dhe thirrja e hapur që Lubonja të shkojë në gjyq, nxjerrin në pah anën tjetër të medaljes së kulturës së pushteti, kulturën e nënshtrimit. Puna është se publicisti Klosi e di mirë se polemikat e debatet zhvillohen e vlerësohen mbi bazën e ideve dhe jo mbi superioritetin apo linçimin e karaktereve, pasi jo shumë kohë më parë është shprehur mu kundër kulturës së superiores dhe inferiores në emër të kulturës së diversitetit, (kujtojmë debatin mbi Kadarenë). Pra, ai zbret vetëdijshëm në instrumentet e kulturës patriarkale të pushtetit, duke i anashkaluar argumentat e Lubonjës e duke vazhduar kësisoj ta ushqejë publikun me modelet e kulturës së nënshtrimit, të skllavit që e di se mënyra më e lehtë për të fituar favoret e padronit është miklimi i tij duke i bërë qejfin e duke i sulmuar kundërshtarët; se mënyra më e lehtë për t’i shërbyer sundimit të këtij është t’ia shpjegojë publikut gjithshka me mekanizmat e dashuri urrejtjes, meqënëse kjo është edhe struktura kulturore e shoqërisë shqiptare. Madje, do të thoja se zoti Klosi po jep një kontribut origjinal në pasurimin e kulturës kësaj kulture, e cila ka bërë që historikisht në Shqipëri intelektuali të jetë shërbëtor i politikanit: krahas shkrimtarit tradicional të oborrit, ai po bën të na shfaqet edhe një lloj i ri shkrimtari që nuk e kemi parë deri më sot: “shkrimtari i bashkisë”.

Kultura e pushtetit dhe formimi intelektual
Po të vesh re shqiptarët kur i futen një debati teksa pinë ndonjë kafe, do të vesh re dy fenomene që ndodhin rëndom: atje ku tryeza ka njerëz të barabartë përsa i përket pushtetit, kur dikush hedh një argument, një tjetër i kundërvihet me argumentin e kundërt jo aq pse nuk është dakort, por që të afirmojë veten apo të tregojë superioritet. Në një tryezë tjetër të ngjashme i njëjti person mund të përdorë argumentat që ka kundërshtuar në tryezën paraardhëse. Një tip i dytë tryezash, që hasen rëndom, janë ato ku ndodh të jetë ndonjë i fuqishëm. Atje të tjerët gjejnë vetëm e vetëm argumenta që t’i bëjnë qejfin të fuqishmit, (larqoftë pastaj në qëlloftë ky ndonjë ambasador, pale amerikan). Dinamika e debateve të tilla është shprehja më tipike e kulturës patriarkale së pushtetit që pastaj shpërfaqet në të tërë jetën tonë familjare e shoqërore, politike e kulturore duke e lënë atë në një nivel ku nuk zhvillohen ide racionale, por ndeshen apo puthen emocionalisht karaktere. Sipas kësaj kulture, asnjë vlerë nuk ka investimi intelektual që bën njeriu në drejtim të një formimi botëkuptimor të caktuar, rëndësi ka të jesh i fuqishëm. Një kulturë e tillë edhe aftësimin intelektual e sheh si diçka që të jep pushtet mbi të tjerët; edhe motivimin për tu kulturuar e për të punuar e ka të mbrapshtë. Një kulturë e tillë e pengon formimin e thellë botëkuptimor në kuptimin e krijimit të një sistemi idesh koherente që, tek e fundit, përbëjnë identitetin dhe personalitetit e individit i cili është investimi më i madh në jetë. Sipas ushtruesve të kësaj kulture nuk ka rëndësi të zhvillosh bindje të majta apo të djathta, mjafton një karrike ministrore dhe mund të kërcesh jo vetëm majtas e djathtas, por edhe lart e poshtë. Sipas tyre nuk ka rëndësi nëse beson në Zot apo je ateis, mjafton që patriarku/padroni yt të ndrrojë “fe” dhe menjëherë nga ateist mund të fillosh të predikosh Kuranin dhe pastaj, po ia deshi atij nevoja, mund t’i kthehesh edhe Ungjillit. Sipas tyre nuk ka rëndësi se ke investuar tek fjala apo tek ngjyra; mjafton të të ofrojnë një makinë luksoze e bodyguard dhe fjalën letrare mund ta zevendësosh me lloqe demagogjike dhe bojrat e vajit me gëlqere. Sipas tyre nuk ka rëndësi se gënjen, rëndësi ka që gënjeshtra të të bëjë të fuqishëm. Sipas tyre nuk ka rëndësi se je hajdut, mjafton që të jesh shok i tyre e të ndash pushtetin e paratë me ta. Fakti që shqiptarët vazhdojnë të nderojnë e respektojnë figura plitikanësh me këto tipare, tregon se sistemi i vlerave mbetet ai sipas të cilit “ku është i pushtetshmi, atje do ta var flamurin”.


Kultura e pushtetit dhe opozita
Pra disa javësh gazeta e PS Zëri i Popullit, një gazetë e financuar me të holla publike, por ku, fatkeqësisht, në vend se të gjesh, (të paktën ndonjëherë), debate intelektuale lidhur me idetë e së majtës, gjen vetëm fyerje banale, botonte një artikull me titull: “Sali Berisha, Fatos Lubonja, Fiqoja, korrupsioni dhe unë”. Autori, vetë kryeredaktori, i ndante në tre kategori kritikat për korrupsion që i drejtohen pushtetit socialist, duke thënë se ato janë thjesht dhe vetëm tre kategori shpifjesh: ato të opozitës së Berishës që “shpif për të marrë pushtetin”, ato të bëra nga ndonjë OJQ e paguar nga të huajt që shpif “për paratë” e donatorëve si dhe ato të Fatos Lubonjës që i bën për “tu bërë interesant në popull” apo për të qenë “gjithnjë kundra”. Përtej këtyre kategorive, kuptohet, nuk mbetej asgjë përveç kategorisë së lavdeve. Pyetja që të lind është: po cilat janë kritikat “e mira” për këtë njerëz, ose: cilën opozitë pranojnë këta zotërinj? Në fakt kultura patriarkale e pushtetit, përjashton me dhunë idetë e kundërta duke i bërë ato ose të tepërta ose të papranueshme. Kalifi Omar kur i thanë të mos e digjte bibliotekën e Aleksandrisë se aty kishte libra me shumë vlerë u përgjegj: “Nëse përmbajtjen e këtyre librave e ka edhe Kurani atëhere janë të tepërt, nëse nuk e ka, atëhere janë të papranuesheëm.” Jemi tek e njëjta kulturë.
Problemi i madh me këtë kulturë është se për sa kohë mbizotëron ajo, ne nuk do të merremi dot me idetë e tjetrit që mendon ndryshe, por me linçimin e tij, pra sapo dikush bën një kritikë kjo kulturë nuk na çon tek marrja në analizë e kritikës, por tek gjetja e ndonjë mjeti për t’i mbyllur gojën. Kësisoj, kultura e pushtetit, që për nga natyra e saj të çon në asgjësimin e plotë të tjetrit, na bën të paaftë të dialogojmë e të pranojmë idetë e tjetrit qoftë edhe pjesërisht. Poende, kjo lloj kulture, duke i shtyrë të gjithë të identifikohem me shumicën=të fuqishmin, nuk e çmon pakicën, ajo e shkel me këmbë dhe e përçmon atë duke bërë që të harrohet një nga principet bazë të demokracisë: ai sipas të cilit demokraci do të thotë respekt për pakicën. Po ashtu, kjo kulturë, duke qenë kundër formimit të identiteteve dhe bindjeve të ndryshme na çon në situatën që përjetojmë tash dhjetë vjet ku dy partitë tona kryesore, por edhe të tjera, nuk profilizohen në rafshin e ideve, por tentojnë të përfaqësojnë gjithë të vërtetën e gjithë shoqërinë. Ajo është një nga shkaqet kryesore pse nuk kemi ende asnjë parti të majtë apo të djathtë, liberale apo ekologjike apo agrare në kuptimin evropian të fjalës e të mos ketë as shtyp e medja me këtë lloj profilimi.
Si përfundim të një çështjeje që sa e kam cekur, dua të them se vetëm kultura kritike e ideve është ajo që mund ta shndërrojë konfliktin emocional të personave në debat idesh dhe luftën e partive në emër të pushtetit të personave në alternim programesh që i shërbejnë shoqërisë. Rruga drejt lirisë dhe demokracisë në thelb është rruga nga kultura dogmatike patriarkale e pushtetit që lufton me “brirë” në kulturën kritike të ideve dhe diversitetit që lufton me “arsye”.

Thursday, September 20, 2007

Intelektualet dhe pushteti

Duke komentur shkrimin tim mbi polifemin e Tiranës, veçanërisht atë pjesën ku them, duke ironizuar kondicionin e kategorisë sime, se, teksa shkruaj, ndjehem si ata avokatët e kohës së komunizmit që deri andej nga mesi i viteve 60 lejoheshin të bënin sikur bënin profesionin, formalisht, pasi tashmë vendimi për dënimin e viktimës ishte marrë, një i njohur më tha: ti je më keq akoma se ata avokatët. - Pse, si jam, sipas teje, - e pyeta. - Ti - më tha - je si ata kundërshtarët e dënimit me vdekje në Amerikë që manifestojnë në kangjellat e jashtme të vendit të ekzekutimit me nga një pankartë në dorë, ndërkohë që i dënuari atje brenda është duke u ekzekutuar. Qendrën historike tanimë e ka marë lumi, kurse ti tund pankartën te Xhamija dhe Sahati. Në fillim më erdhi për të nënqeshur me krahasimin, që mu duk më i goditur se ai i imi me avokatin, sepse e tregonte edhe më fort pafuqinë intelektuale për të ndryshuar një vendim pushtetar. Por, pastaj, duke menduar më gjatë, arrita në përfundimin se ai nuk kishte të drejtë, se kishte një dallim të madh midis avokatëve të kohës së Hoxhës që dilnin formalisht në gjyq të bënin profesionin dhe atyre që dalin e protestojnë sot në Amerikë kundër dënimit me vdekje, ndërkohë që i dënuari po shkrumohet nën tensionin e lartë të karrikes elektrike.
Ka disa dallime thelbësore, sipas meje, në kondicionin e këtyre dy palëve. Por, pikë së pari, për ta zhvilluar krahasimin, le le të ve në dukje se me figurën “avokatët e kohës së Hoxhës” do të kem parasysh në këtë shkrim kategorinë e tërë atyre profesionistëve që jetuan për bukën e gojës në regjimin e Hoxhës pavarësisht se nuk e donin atë dhe pavarësisht se bindjet e tyre ishin krejt të kundërta nga ato çka bënin. Ata të pafuqishëm ndaj pushtetit që varionin që nga të heshturit që të thoshin privatisht: nuk ke çi bën, kështu janë këto punë, do të hamë edhe ne një copë bukë, kemi edhe ne kalamaj për të ushqyer, - e me këtë pandehnin se i largoheshin përgjegjësisë për atë që i ndodhte vendit – e deri tek ata që detyroheshin edhe t’i këndonin publikisht mësimeve të partisë dhe të udhëheqësit të lavdishëm. Kam parasysh pra më shumë një kondicion intelektual që pandehëm se e kapërcyem më 1991, por që e pamë dhe po e shohim të rikthehet në forma të tjera “ikjeje nga liria” në kohën postkomuniste. Pas artikullit “Disa mendime mbi qikllopin e Tiranës” kanë qenë tronditëse për mua disa telefonata të një numri arkitektësh dhe intelektualësh që, duke më mbështetur idetë e artikullit, më kanë thënë: nëse do materiale eja të t’i japim, e që, kur u jam përgjegjur: nuk kam nevojë për informacionet tuaja, por për zërin tuaj publik, më janë përgjegjur pak a shumë me frazën: ti dashke t’i heqim vetes bukën e gojës. E pra, për të ardhur tek dallimi midis “avokatëve të kohës së Hoxhës” të sotëm dhe manifestuesve kundër dënimit me vdekje do të thoja se ka disa dallime thelbësore midis tyre, që kanë të bëjnë së paku me tre gjëra që përcaktojnë edhe kondicionin e individit në një shoqëri: së pari me raportin e tyre me pushtetin; së dyti me raportin e tyre me të ardhmen dhe së treti me raportet të tyre sociale. Dua të them se manifestuesit kundër dënimit me vdekje, që shkojnë të protestojnë përpara kangjellave të pushtetit në SHBA, edhepse e dinë se nuk mund ta ndalojnë aktin që po kryen pushteti, së pari nuk janë të nënshtruar ndaj pushtetit, së dyti kanë shpresën dhe besimin se lufta e tyre nuk do të shkojë kot sepse, nëse nuk shpëtojnë dot një të dënuar me vdekje sot do të shpëtojnë shumë të tjerë në të ardhmen, pra nëse nuk fitojnë të tashmen do të fitojnë të ardhmen dhe pikërisht ky mosnënshtrim, ky besim dhe kjo shpresë u jep forcë të ndërsjelltë për tu bashkuar e për tu ndjerë më të fortë nëpërmjet krijimit të dimensionit të tyre social.
Kurse shumica e profesionistëve që figurativisht i quajta “avokatët e kohës së Hoxhës” kanë: së pari, një raport nënshtrimi në mos bashkëpunimi me pushtetin e mafjes që sundon vendin; së dyti, bash ky nënshtrim i bën të kenë mungesë besimi dhe shprese ndaj të ardhmes, e, së treti, shprishja morale e shkaktuar nga nënshtrimi dhe mungesa e shpresës i bën tu mungojë edhe dimensioni i tretë, ai social, i bashkimit me njëri tjetrin në emër të një ideali të përbashkët. Edhepse një pjesë mund të duken së jashtmi se e bëjnë punën e tyre të avokatisë, në thelb më kujtojnë shkrimin e një miku tim ish i burgosur, i cili, duke perifrazuar Platonin, i paraqet ata duke lënë këtë testament: ”Falenderoj Zotin që më bëri barbar dhe jo grek, që më bëri skllav dhe jo të lirë dhe që jetova në shekullin e Kokëdhimës.” (N. Boriçi: Helmimi i Sokratit dhe të gjallët në Tiranë.)
Pra ajo çka dramatiksht mungon tek shumica e profesionistëve shqiptarë janë dimensioni i mosnënshtrimit, i besimit në bindjet se e ardhmja i përket atyre si dhe i aftësisë për tu bërë bashkë në emër të këtyre bindjeve. Edhe në rastet kur nuk mungon dimensioni i mosnënshtrimit mungojnë dukshëm dy dimensionet e tjera, veçanërisht kur ke parasysh se sa investohet nga pushteti për shkatërrimin e këtyre dy dimensioneve nëpërmjet korruptimit të intelektualëve, që nga blerja e heshtjes së tyre e deri duke arritur të bëhen të japin “porosira” (lexo kërcënime mafjoze) siç ishte ajo që më jepej nëpërmjet një pseudoarkitekti në gazetën Shekulli të djeshme: “porosia e fundit…: kontrollo çiften para se të dalësh për gjah, se, mesa duket, sustën e siguresës e ke të konsumuar; mos të të plasë ndonjë ditë në dorë!”. Sepse, tek e fundit, ky kondicion i shumicës së intelektualëve të sotëm në raport me pushtetin nuk është një çështje individësh, më heroikë apo më frikacakë, më të fëlliqtë apo më pak të fëlliqtë, por një fenomen politik dhe social ashtu si mafja.Në kontekstin e këtij fenomeni që kushtëzon gjendjen e shumicës së profesionistëve shqiptarë (nuk është lapsus që herë i quaj profesionistë e herë guxoj t’i quaj intelektualë), raportin e tyre me pushtetin e parasë së pisët dhe politikës së pisët nuk mund të mos na tërheqin vëmendjen lëvizjet e fundit të afrimit të një grupi intelektualësh në krah të PD, çka e ka rihapur edhe një herë çështjen e raportit të intelektualëve me pushtetin me gjithë problematikën që ajo ngërthen sa në rrafshin teorik aq edhe në rrafshin e përvojave të deritanishme.
Më së pari nxitoj të them se duke pasur parasysh vrasjen dramatike që i ka bërë shpresës ky pushtet është për tu inkurajuar çdo lëvizje e re që lëshon mesazhin e nevojës për ringjallje të shpresës, nëpërmjet prurjes në politikë të më shumë moraliteti, profesionalizmi, frymëzimi dhe energjie intelektuale. Por, pikërisht në kuadrin e inkurajimit të këtij afrimi dhe bashkëpunimi në të mirë të ndryshimit, mendoj se është me vend të vihen në dukje disa probleme që lidhen me angazhimin e intelektualëve në krah të partive e pushtetit politik që, po qe se do të kiheshin parasysh, them se do ta bënin më të efektshëm këtë bashkëpunim.Sipas meje problemi kryesor që ka vendi ynë nuk lidhet ashtu dhe aq me mungesën e ideve apo me mosnjohjen e problemeve, madje as edhe me mungesën e njohjes së rrugëve për zgjidhjen e tyre, tek e fundit, pra, me mungesën e profesionalizmit. Problemi kryesor që ka vendi ynë përsa i përket raportit të intelektualëve me pushtetin është etik, ai ka të bëjë me raportin e mbrapshtë midis moralit dhe pushtetit, midis moralit dhe biznesit, midis moralit dhe profesionalizmit. Ky raport i mbrapshtë ka bërë që etika, e për pasojë të drejtat e dinjiteti njerëzor, të mbeten të burgosur dhe të nëpërkëmbur në kurthin e një regjimi që mbahet më këmbë pikërisht në sajë të korruptimin moral dhe material të njerëzve duke tjetërsuar, kësisoj, edhe çdo lloj profesionalizmi, demokracie dhe zhvillimi. Them se kjo gjë është e njohur për të gjithë dhe nuk mungon, po ashtu, njohja teorike e rrugëve për ta çliruar moralin dhe dinjitetin jo vetëm të intelektualve, por edhe të tërë njerëzve në vend, nga burgu ku e kanë futur. Ide të tilla si nevoja e eliminimit të konfliktit të interesve, e venies në punë të prokurorisë e të drejtësisë e të hallkave shtetërore që të çojnë tek ato, transparenca, ndryshimi i shumë ligjeve etj., etj., që janë të lidhura direkt me ndryshimin që kërkojmë, njihen mirë nga të gjithë. Prandaj pyetja që shtrohet është: çfarë mund të sjellë më shumë angazhimi në politikë i intelektualëve të rinj, më të aftë e më të përgatitur, për këtë ndryshim? Kjo pyetje bëhet edhe më e mprehtë kur kemi parasysh se nuk mungojnë në institucione të ndryshme tonat njerëz të aftë të shoqërisë civile apo që kanë studiuar jashtë që janë po ashtu edhe të rinj, me një apo disa gjuhë të huaja, të cilët, për fat të keq, i kemi parë, kë më herët e kë më vonë, në kondicionin e “avokatëve të kohës së Hoxhës”, atë të të heshturit apo të të nënshtruarit, në mos, më keq akoma, të të korruptuarit.
Prandaj nuk mund të mos të të lindë dyshimi: mos vallë edhe këtë afrim të intelektualëve drejt një force politike duhet ta shohim si përsëritje të modelit të vjetër: atë të inteletkualit që, duke u ndjerë i pafuqishëm, i pambrojtur madje edhe i kërcënuar ekonomikisht, apo i tunduar nga pushteti dhe paraja, kërkon ta zgjidhë gjendjen e tij duke u futur në ombrellën e pushtetit politik. Sepse, fatkeqësisht, përvoja ka treguar se një pjesë e mirë tek ne aftësinë profesionale nuk e shohin si një investim të madh, atë më te shenjtin, të pashitshmin, por si një mundësi për të rritur çmimin e shitjes së vetes në këmbim të pushtetit dhe parasë. Shembulli i arkitektëve që kanë shkatërruar dhe po shkatërrojnë Tiranën pa u vënë emrin e autorësisë, dmth. të krenarisë profesionale, shumicës së shëmtirave që kanë projektuar e po projektojnë, ashtu si ai i atyre kolegëve të tyre që, përsëri në emër të pushtetit dhe parasë, kanë projektuar e po projektojnë të shkatërrojnë bregdetin, e pyje, e lumenj, e monumente kulture, duke preferuar të mbeten anonimë si profesionistë, e, nga ana tjetër, duke na thënë ne të tjerëve ju nuk keni të drejtë të flisni se nuk jeni të profesionit, është vetëm një pjesë e këtij mjerimi të madh intelektual. Kundërpërgjigja më e mënçur ndaj kësaj pyetjeje është ajo sipas së cilës pushteti të jep edhe mundësi për të ndryshuar realitetin prandaj dhe angazhimi i këtyre intelektualëve është i nevojshëm po qe se ata do të luftojnë sinqerisht për ato që premtojnë.E përsëris edhe një herë se, duke parë gjendjen e pashpresë, nuk mund të kem zemër t’i kundërvihem atyre intelektualëve që i janë afruar forcave politike kur më japin këtë argument. Por përsëri duke iu referuar përvojës së të kaluarës dhe po ashtu filozofisë time, (sartriane), mbi angazhimin intelektual, sipas së cilës intelektuali i angazhuar ndryshon nga militanti partiak në atë se ai ruan qëndrimin kritik ndaj pushtetit, ruan të drejtën për të zbritur nga anija kur e sheh se ajo po ikën në rrugë të shtrembër, e po ashtu se është e vështirë në mos e pamundur të punosh njëherësh për pushtetin e së tashmes dhe idealet e së ardhmen, po i rikthehem edhe një herë problematikës që gjej tek kjo lëvizje dhe në përgjithësi tek raporti i intelektualve tanë me pushtetin.Kur flitet për raportin e moralit me profesionalizmin nuk mund të mohoet se njerëz më të ditur mund të sjellin më shumë përgjegjshmëri sesa njerëz të paaftë që jo rrallë i futen aventurës së abuzimit jo vetëm për shkak mungese moraliteti, por edhe për shkak injorance dhe moslargpamësie. Psh., një arkitekt apo urbanist që e njeh shumë mirë këtë art e ka shumë më të vështirë ta shkelë atë sesa një që kujton se mjafton te kesh nje shesh ndërtimi dhe para për të projektuar. E, në këtë kontekst, është pozitive thirrja e njerëzve të aftë, me dinjiteti profesional, në politikë. Por, megjithatë, sipas meje, në këtë vend mbetet prioritar problemi i nëpërkëmbes së kualifikimit, të inteligjencës dhe të dinjitetit profesional nga arroganca dhe babëzia e pushtetetarit – qoftë ky pushtetari jashtë intelektualit apo brenda vetë këtij. Prandaj, e përsëris, problemi kryesor i yni është ai i mungesës së moralitetit më shumë sesa problemi i mungesësë së profesionalitetit. Edhe vetë thirrja e njerëzve të rinj nga PD-ja më shumë sesa çështje profesionalizmi, sikurse u reklamua, më duket se është çështje e paraqitjes së figurave të pakonsumuara moralisht. Dhe s’ka asgjë të keqe gjer këtu, por prap nuk mund të mos mendoj se pak gjë mund të sjellë më shumë duke u angazhuar direkt në politikë një intelektual i zoti, nëse politikanët që e thërresin sot atë të militojë në parti, apo të jetë prezent në mbledhjet e tyre, do të respektonin gjatë aktivitetit të tyre ekzekutiv, fushë në të cilën ndoshta mund të kenë edhe më shumë talent, idetë e intelektualit të botuara apo të kërkuara si këshillë. Prandaj nuk mund të mos ngresh pikëpyetjen paralajmëruese se mos kërkojnë të na paraqisin figura të reja intelektuale për të lyer këmbën me miell me ta, e për të na e hedhur edhe një herë.Gjithë në këtë kontekst, pa iu kundërvënë afrimit të intelektualëve pranë disa figurave që në të kaluarën nuk kanë treguar se i respektojnë ata, dua, megjithatë, të theksoj se me etikë profesionale, duhet të kemi parasysh edhe forcën morale për t’i mbrojtur bindjet dhe idetë tona, kur të vijë puna për tu ndeshur me presionet që mund të vijnë sa nga autoritarizmat e personave në krye të institucioneve tona të ngritura sipas nje jerarkie tmerrësisht piramidale, aq edhe nga sistemi i pushtetit të korrupsionit - apo edhe nga pushtetari apo skllavi brenda vetes sonë. Më konkretisht, duke iu referuar PD, psh., çështja shtrohet: sa kurajo qytetare do të kenë intelektualët e thirrur për t’i thënë “nuk mendoj kështu si ti” Sali Berishës kur të mos jenë dakort me ndonjë ide të tij? Dhe, më thellë akoma, sa korajo do të kenë t’i thonë jo pushtatarit brenda vetes e të heqin dorë nga pushteti kur e shohin se ky nuk mund të mbahet veçse duke tradhëtuar bindjet e tyre? Përvoja ka treguar se ky nuk është vetëm problem i Sali Berishës, i cili nuk di se sa e ka parasysh faktin që, nëse i rëndon për keq e kaluara, një nga peshat më të rënda është pikërisht ajo pjesë e së kaluarës së tij që e tregoi të paaftë për të bashkjetuar e punuar si i barabartë me intelektualët e shumtë që e mbështetën në krye të herës PD-në e po ashtu për t’i thënë “ndal!” pushtatarit brenda vetes. Siç kam shkruar edhe herë tjetër ky është problem i thuajse çdo institucioni, pasi është fenomen kulturor. Sot rezulton se ka mjaft të rinj që kanë mbaruar jashtë shtetit e punojnë në institucionet tona të pushtetit qendror apo lokal, por që, megjithatë, nuk kanë as kurajon minimale për t’iu kundërvënë shefit kur mendojnë se ky nuk ka të drejtë. Aq më pak i kam parë këta “të rinj” në gjendje për t’iu kundërvënë atij që duam të ndryshojmë: pushtetit të parasë, të korrupsionit. Dhe ndoshta edhe më pak për t’iu kundërvenë pushtetarit apo skllavit brenda vetes.Mendoj se këto çështje etike janë për tu pasur fort parasysh nëse vërtet kërkojmë të ndryshojnë diçka në këtë vend. Tek e fundit historia e marrëdhënieve të profesionistëve tanë me pushtetin ka qenë histori e kthimit të tyre në shërbëtorë të nënshtruar, në përsosës të artit të skllavit: gënjeshtrës; dhe ajo çka duhet të ndryshojmë është pikërisht kjo histori. Në thelbin e vet kjo është lufta për të mundur atë që Michel Foucault e quan “armiku madhor”, “kundërshtari strategjik”: fashizmi “jo vetëm ai historik i Hitlerit dhe Musolinit […], por edhe fashizmi që është tek të gjithë ne, që s’i shqitet mendjes dhe sjelljeve tona të përditëshme. Fashizmi që na bën ta duam pushtetin, që na bën që edhe vetë ne të gjakojmë për atë që na dominon dhe na shfrytëzon.” (Michel Foucault, Parathënie e librit të Gilles Deleuse dhe Felix Guatari “Anti Edipi: kapitalizëm dhe skicofreni”)(Korrieri, 27 janar 2005)

Wednesday, September 19, 2007

Cili është roli i gazetarit

Kohët e fundit një projekt i qeverisë lidhur me mediat ka rihapur, midis të tjerash, edhe çështjen e raportit të pronarëve të mediave me gazetarët që punojnë për ta. Ajo që më ka rënë në sy në disa debate të zhvilluara me këtë temë është infiltrimi gjithnjë e më shumë nëpër media i një ideje që pronarët e disa mediave, (fatmirësisht jo të gjithë) pasi e praktikojnë gjerësisht, kanë tentuar herë pas pas here edhe ta legjitimojnë, e që, së fundi, sikur po gjen terren të mbrohet edhe publikisht madje edhe nga goja e mjaft gazetarëve. E kam fjalën për përpjekjen për të legjitimuar idenë se pronarët e një gazete apo të një televizioni, përderisa janë rrogëpaguesit e gazetarëve, kanë të drejtë t’i diktojë politikat editoriale në interes të bizneseve të tyre. Në mënyrë eksplicite këtë ide e dëgjova nga goja e një gazetari në një emision televiziv me temën në fjalë i cili tha pak a shumë se nëse një pronar mediaje është ndërtuese i cili, siç kuptohet, ka interesa të kryhen ndërtime, atëhere është fare normale që media e tij të promovojë ndërtimet. Gjithë sipas kësaj ideje një pronar tjetër mediash, që ka interesa të tjera me atë të pronarit të parë, mund të thotë edhe ai “të vërtetat” e tij dhe kështu arrijmë në pluralizmin e opinoneve.
Po a mund të katandiset roli i mediave dhe i gazetarit kështu siç fatkeqësiht po ndodh në vendin tonë të çudirave edhe me kontributin e shumë gazetarëve? Po tendoj - pa hyrë në prapaskenat e shpërdorimit të mediave dhe as të lidhjeve të tyre me politikën, por thjeshtë duke iu përmbajtur kësaj ideje - të rendis vetëm disa argumenta se pse nuk mund të jetë kështu:
Së pari, të mendosh se një media ekziston vetëm në sajë të pronarëve dhe jo edhe në sajë të gazetarëve që u japin atyre trajtë me mundin, dijet dhe djersën e tyre e tyre është një pohim dramatik për ata gazetarë që e thonë. Edhe kur bëhet fjalë për prodhime mallrash shumë më pak komplekse sesa një gazetë apo një program televiziv ata konsiderohen si produkt i një grupi njerëzish të cilët shpërblehen sipas meritave dhe kontributeve e kanë, po ashtu, të drejtat e tyre të përcaktuara nga kontrata e nuk janë meritë e një personi apo disa personash të vetëm.
Së dyti, media qoftë ajo e shkruar apo televizive, edhe kur ka pronarë privatë, është një gjë publike. Të mos harojmë se shumë media mbahen edhe në sajë sponsorizimesh të ndryshme si psh. ato nga AMC apo Vodafon që e kanë burimin në ligje që u heqin këtyre një pjesë të taksave për të mundësuar informimin dhe formimin e publikut apo edhe nga institucione shtetërore si psh. Ministria e Kulturës. Nëse këto media do të punonin thjeshtë për interesat e pronarëve të tyre atëhere do të ishte e udhës që shteti urgjentisht të ndryshonte ligjet për sponsorizimet dhe, po ashtu, që institucione si Ministira e Kulturës të mos derdhnin taksat e shqiptarëve në këto media.
Së treti: përdorimi i mediave për interesa private pronarësh ngre problemin e pabarazisë edhe të bizneseve me njëri tjetrin, por, mbi të gjitha, të qytetarit të thjeshtë përpara biznesmenit pronar mediash. Sepse, gjithë duke iu referuar shembullit që përmënda më sipër, nëse një pronar ka media dhe gazeta për të promovuar interesat e tij të ndërtimit qytetari që dëmtohet nga ky lloj biznesi siç ka ndodhur shpesh; apo, le të themi, shoqata ekologjike që duhet të thotë anën tjetër të medaljes së këtij biznesi nuk e ka këtë mundësi.
Por më dramatikie bëhet çështja nëse do ta kthejmë nga ana e pasme qilimin e kësaj ideje dhe të shtrojmë pyetje të tilla si: Cili është roli i gazetarit në një media? Cila është e vërteta e gazetarit? A mund të ndryshojë ajo nga e vërteta e pronarit apo duhet të jetë identike me të? A mund të thuhet e gjithë e vërteta që i intereson publikut nëpërmjet thënies së interesave të disa pronarëve të ndryshëm?
Sipas idesë në fjalë i bije që gazetari të katandiset në një shkrues i cili talentin e tij prej shkruesi e ve në shërbim të një pronari. Kjo ide të çon tek gazetari pa fytyrë dhe pa ide të vetat. Në Shqipëri ndodh vërtet kështu dhe numri i gazetarëve pa fytyrë apo që po e humbasin fytyrën po shtohet në mënyrë dramatike. Ky tip gazetari është edhe i çliruar nga përgjegjësia për atë që shkruan apo thotë sepse, tek e fundit, ai mund të justifikohet se ky ishte vullneti i pronarit të tij. Në thelb ky tip gazetari të çon tek gazetari i komunizmit i cili dihet se shkruante e fliste në emër të regjimit që e paguante pa pasur as lirinë dhe as personalitetit e tij? Nuk është rastësi që 45 vjet aktivitet gazetaresk në kohën e komunizmit sot nuk shënon asnjë gjë dhe asnjë emër që mund jetë i denjë për emrin gazetar. Kam përshtypjen se një aradhë gazetarësh, në këtë kapitalizmin tonë të egër, janë po aq anonimë e njëherësh po aq dhunues të së vërtetës dhe interesit të vërtetë të publikut. Ndërkaq duhet të kemi parasysh se edhe në ushtritë e një vendi demokratik njeriu nuk mund të zhvishet nga personaliteti dhe integriteti i tij sikurse duan t’i zhveshin disa pronarë tanët gazetarët apo sikurse vetëzhvishen shumë nga gazetarët tanë. Një ushtar qytetar sot në botën demokratike edhe me ligji është i mbrojtur nga detyrimi për të kryer një veprim të urdhëruar nga eprori i tij kur ndërgjegja e tij i thotë se ky veprim mund të jetë kundër të drejtave të njeriut psh. Kurse ideja në fjalë synon t’i kthejë gazetarët në ushtarë të bindur joqytetarë që betohen mbi emrin e padronit.
Sipas idesë se media duhet të punojë për interesat e pronarit del se puna e gazetarit vlen, matet dhe shpërblehet si puna e zëdhënësit të pronarit. Një gazetar do të vlerësohet më shumë apo më pak varësisht nga fitimi më i madh apo më i vogël i bizneseve të pronarit të tij dhe kuptohet se një ndërtues psh, do të ketë shumë më tepër mundësi t’i lançojë gazetarët e tij sesa një, le të themi, shoqatë ekologjike që ka mundur të nxjerrë fletushkën e saj me ndonjë projekt të finacuar nga perëndimorët - pavarësisht se të vërtetat e gazetarit ndërtues mund të kenë shumë më pak peshë për publikun e gjerë sesa të vërtetat e gazetarit ekologjist.
Po ashtu kurrsesi e vërteta dhe problematika e një grushti pronarësh nuk mund të mbulojë të gjithë të vërtetën e të gjithë problematikën e një shoqërie. Ajo është shumë më e gjerë dhe jo rrallë e përkundërt me të vërtetat e bizneseve të tjera të pronarëve të këtyre mediave. Jo vetëm, por shumica e pronarëve tanë të mediave kanë pasur dhe kanë interesin e përbashkët të fshehin shumë të vërteta e të ekzagjerojnë shumë të tjera dhe pasojat e këtyre qëndrimeve i gjen kudo në gjendjen e qytetarit që nuk ka as pushtet politik as mediatik as financiar për të mbrojtur interesat e veta. Dëmet që ka sjelllë industria e ndërtimit, shumica me pronarë mediash, sëbashku me shkeljet që ajo ka bërë janë një nga ilustrimet e këtij shpërdorimi. Ose, për të sjellë një shembull krejt të freskët: një televizion lokal i Tiranës pardje mbuloi treçerekun e kohës së lajmeve me faktin se i ishte hequr një antenë në Shkodër, të cilën për më tepër e ka të paligjëshme, pa patur fare parasysh faktin se ky nuk është lajmi më i rëndësishëm dhe i vetëm për publikun dhe as shqetësimi më i madh për të.
Rendita vetëm disa argumente që më duken të mjaftueshëm për të provuar se tentativa për legjitimimin e idesë se pronarët mund t’i përdorin gazetarët si ushtarë joqytetarë në mbrojtje të interesave të tyre do të ishte një hap më tej në përçudnimin e medias sonë e të misionit të saj tashmë goxha të përçudnuar. Fakti që edhe në botën e qytetëruar dhe demokratike mediat vende vende dhe herë herë nuk i shpëtojnë dot infuencave të pronarëve të tyre privatë nuk mund të përdoret për të legjitimuar të keqen siç bëjmë ne shpesh duke marrë e aplikuar si normë ekstremet e së keqes në Perëndim.
Gazetari duhet të jetë një personalitet që duhet të ketë vizionin e tij mbi botën, ndjeshmëritë e tij, ëndrat e tij për shoqërinë e njëherësh pavarësinë e tij nga pushteti qoftë politik qoftë financiar. Gazetarët që shkojnë e vriten duke bërë kronika luftrash apo që i vret mafja nuk e bëjnë këtë as për pronarët e as për të hollat e tyre, por për një vokacion shumë më të lartë që i jep kuptim qënies së tyre shoqërore. E vërteta e gazetarit sigurisht nuk mund të jetë e vërteta e vetme; ajo duhet të ballafaqohet me të vërtetat e të tjerëve, por e vërteta e tij duhet të burojë nga bindjet e tija, nga përkatësia shoqërore e kulturore e tij, dhe kurrsesi nga kuleta e pronarëve të medias ku ai punon. Përndryshe gazetari humbet kuptimin e profesionit të tij fisnik duke i dhënë këtij kuptimin e profesionit të ulët të qahajait. (Korrieri, 10 maj 2007)

Friday, September 14, 2007

Unanimiteti dhe presidenti

Unanimiteti me të cilin e priti politika presidentin amerikan Bush nuk mund të mos të të shtynte të mendoje, veç tjerash, edhe për ecurinë e procesit të ndërtimit të pluralizmit në Shqipëri. Kam parasysh pluralizmin e ideve, vizioneve e të vlerave si dhe pluralizmin e interesave të shtresave të ndryshme social ekonomike që përfaqëson politika. Ajo çka vuri në dukje unanimiteti i pritjes së Bushit në kontrast me botën, është se politika jonë vazhdon të ndodhet në një krizë të thellë në këtë aspekt. Ajo ka bërë pak ose aspak hapa për të diversifikuar më një anë dhe për të shprehur e përfaqësuar diversitetet më anën tjetër - të cilat janë dy anë të të njëjtit proces.
Kur flas për unamimitet nuk kam parasysh vetëm politikën e jashtme, ku nuk gjen asnjë dallim për Bushin, Kosovën, Serbinë, Bashkimin Evropian për qëndrimet ndaj paqes e luftën etj., por edhe për idetë politike të brëndëshme, për kapitalizmin që po ndërtojmë brenda vendit e për vlerat që po synojmë të promovojmë. Ka një unanimitet në varfëri idesh e vizionesh, dhe një banalitet vlerash që nuk mund të mos ngrerë pyetjen: po pse vallë na duhet kjo mori partish, 80 televizione, mbi 30 të përditëshme, kur ato nuk janë tjetër veçse fabrika që përdorin të njëjtin miell surrogat për të bërë të njëjtën cilësi buke surrogate, të ndryshme veç nga pamja fizike? Dhe kjo nuk është një pyetje që ka kuptim vetëm ideal, por është një pyetje që ka edhe kuptimin material të thekur: dmth pse na duhet ne, një shoqërie kaq të varfër, të shpenzojmë aq shumë para për t’i mbajtur këto parti, këto media, këto gazeta? Sepse, tek e fundit, ngado që ta sjellësh hesapin, këto na rezultojnë se janë para që dalin nga xhepat e shqiptarëve.
Pyetja ndryshe mund të shtrohet: si dhe pse po përdoren nga politika jonë tërë kjo energji dhe para dhe tërë kjo kohë kaq e çmuar? Më mirë se çdo gjë më duket se për këtë flet televonela pa fund e çështjes së presidentit. Ajo në një farë kuptimi mund të shërbejë edhe si një test për ecurinë e demokracisë shqiptare ashtu sikurse vlejnë edhe zgjedhjet psh. Dhe çfarë flet ky test? Ai të thotë se, ndonëse të gjithë politikanët kanë të njëjtat ide dhe sistem vlerash përsa i përket atij që mund të quhet mision apo premtim i politikës ndaj publikut, ne jemi në një konflikt permanent mes politikanëve. Ajo çka tregon qartë edhe ky testi i presidentit është se në stadin aktual ne kemi një pluralizëm grupesh apo klanesh ca më të mëdha e ca më të vogla, me ca kapobanda në krye, të cilët gjëja e fundit që mendojnë është kultivimi i idealeve dhe vizioneve të përbashkëta midis njerëzve të tyre, i vlerave të përbashkëta gjithashtu. Ajo çka kultivohet është veç urrejtja ndaj armikut të përbashkët që duhet mundur për tu bërë të gjithpushtetshëm e për të shpërndarë pastaj të mirat e pushtetit për grupin e vet. Paradoksalisht, pra, gjithë ky unamimitet pjell tërë këtë konfliktualitet.
“Emrat konkretë e pengojnë procesin” ishte deklarata që përdori dje Rama për ta refuzuar Nanon si kandidat për president. Të njëjtën formulë ka përdorur edhe për Topin. Në fakt të gjithë e dimë se është e kundërta. Është emri konkret i Nanos, emri konkret i Topit që nuk do Rama e të tijtë. Ashtu sikurse dimë se i ashtuquajturi proces konsensusi që kërkohet është një maskë për të mbuluar procesin e vertetë dhe të vetëm që kanë në mend të dy palët: luftë me çdo mjet për mundjen e kundërshtarit person.
E gjithë politika ka mbetur këtu, në të dy krahët. Edhe nga Berisha e të tijtë nuk bëhet tjetër veçse kalkulime personash pro e kundër dhe jo ballafaqim idesh dhe aq më pak kërkime vlerash – siç do duhej të ishte edhe ajo e figurës së një presidenti. Politikanëve tanë gjithnjë e më shumë sikur po u zvogëlohet ajo pjesë e kokës ku kanë idetë, vizionet dhe vlerat që duhet të ushqejnë e promovojnë e po u rritet barku dhe muskujt si dhe ajo pjesë e kokës që merret me intrigat personale kundër njëri tjetrit. Në këto kushte a mund të zgjedhin ata një president me vlera të cilit t’i referohen ashtu siç i referohen Bushit kur thonë: “sikurse na porositi edhe presidenti Bush…”. Absolutisht jo. Në kushtet aktuale politikës sonë i duhet një president që të jetë nën hyqmin e Berishës, kundër Ramës, si dhe një president tjetër që të jetë nën hyqmin e Ramës kundër Berishës. Një prokuror i Ramës dhe një prokuror i Berishës. Në pamundësi të kësaj, pasi zyrat e presidentit dhe e prokurorit janë vetëm nga një, dhe raporti i forcave është i tillë që askush nuk ka numrat të imponojë zgjedhjen e vet, do të duhet që i zgjedhuri të jetë nën hyqmin e të dyve. Por kurrsesi i lirë prej të dyve. Po pse atëhere na duhet fare një president i tillë kur kemi këta? Për ta vazhduar deri në fund me koherenc[ arsyetimin mund të shtrohj edhe pyetjen; po përse kur, siç thashë në fillim, këta nuk kanë asnjë ndryshim për vizionin për vendin duhet të jenë të dy. Përse të mos kemi vetëm njërin prej tyre? Shkova shumë larg në arsyetime, por nuk thashë veçse ëndrrën e tyre finale që synon të na lerë edhe pa president të vërtetë edhe pa pluralizëm të vërtetë vlerash dhe idesh e të cilën (ëndërr) e zbuloi indirekt edhe unanimiteti me të cilin ata pritën Bushin. Thellë thellë mënyra se si shqiptarët pritën Bushin është pasqyrë e mënyrës se si liderët shqiptarë ëndërrojnë të shihen nga shqiptarët. Mbetem i mendimit të shprehur mëse një herë në shtyp se vetëm investimi i gjithkujt për pluralizmin e vërtetë të idealeve, vizioneve dhe vlerave kundër unanimitetit që synon të na imponojë kjo kategori politikanësh do të na çojë edhe në demokracinë e vërtetë edhe në presidentin e vërtetë. (Korrieri, 16 Qershor 2007)

Tuesday, September 11, 2007

Antonioni, Bergmani dhe Teta Ollga

Më la një shije të hidhur pompa mediatike me të cilën u shoqërua vdekja e Violeta Manushit para afro një muaji. Që nga Presidenti Topi e kryeministri Berisha deri tek kolegë të saj aktorë, dramaturgë e skenaristë, i çanë mediat me deklaratat e kujtimet e tyre mbi "artisten e popullit", "aktoren e madhe", "të pazëvendësueshmen", "të papërsëritëshmen". E frenova, megjithatë, impulsin që më lindi për të shkruar mbi problematikën e këtij nderimi pa asnjë lloj sensi kritik.
Kuptohet, desha të shkruaj për atë rol trushpëlarës që ka luajtur kinematografia e realizmit socialit për të krijuar njeriun e ri ku Teta Ollga e filmit Zonja nga Qyteti, personazhi me të cilin gati identifikohej Violeta Manushi, është një prej modeleve. Një film tipik i realizmit socialist që sot duhet të tingëllojë qesharak në komicitetin e tij të djeshëm, por që i tillë u ka tingëlluar edhe asokohe njerëzve me mend. Desha po ashtu të shkruaj për një lloj mitizimi bosh që u bën media jonë shumë figurave të shquara të realizmit socialist ndërkohë që gazetarët as nuk ua njohim veprat madje as janë në gjendje nganjëherë t'i vlerësojmë për mirë apo për keq. Për atë se e majta dhe e djathta përsa i përket kulturës janë qe të dyja vazhduese të së njëjtës kulturë: asaj që prodhoi ideologjia nacional komuniste e Hoxhës.
Argumente kësisoj, pra, desha të shtjelloj duke ngritur edhe pyetjen: çfarë farë po ndodh në kulturën shqiptare postkomuniste? Si ka mundësi që glirifikohen kështu mediokriteti dhe trushpëlarja që prodhoi nacional komunizmi? Ç’është kjo injorancë në veprim - gjëja më e frikëshme sipas Gëtes. Desha t'i kujtoj edhe kryetarit të PS Edi Rama kohën kur tallej me brekët e Teta Ollgës.
Megjithatë e lashë. Paqe të vdekurve thashë me vete. Tek e fundit në atë shoqëri analfabetësh ishte gjë e madhe për një grua qoftë vetëm të guxonte të dilte në skenë. Le të gjej një rast tjetër, me të gjallët, për ta trajtuar këtë tematikë që, tek e fundit, jo se e kam lënë pa trajtuar, të paktën aq sa për të mbajtur të qetë ndërgjegjen time.
Por ajo hidhësirë e akumuluar nuk më paskësh ikur. Truri është një gjë e çuditëshme. Jo vetëm i ruan disa shije e mbresa të vjetra, por ka vetinë të t'i nxjerrë prej thellësive ku ti i ke lënë të harruara nëpërmjet të tjera mbresash të reja, si me ganxha, e të t'i lidhë me to. Kështu më ndodhi me hidhësirën që përmenda duke ndjekur reagimin e botës përtej nesh me rastin e vdekjes së dy figurave të shquara të kinematografisë botërore Ingmar Bergmanit dhe Michelangelo Antonionit. Sa më shumë lexoja e shikoja për ta, aq më shume me dilte nga thellësia mllefi i lënë mënjanë për përcjelljen e stërfryrë të Teta Ollgës. Dhe ganxha kryesore mllefnxjerrëse ishte heshtja prej varri me të cilën u përcoll në provincën tonë të mjerë vdekja e këtyre dy figurave të shquara.
Po vazhdon të ma nxjerrë hidhësirën fakti se bota edhe pas një muaji që kanë vdekur i kujton e përkujton. Tani është festivali i Venecias dhe përsëri shumëçka po thuhet e shkruhet për ta. Ndërkohë tek ne Bergmani dhe Antonioni mbeten edhe si emra të panjohur, se sa për filmat ve bast se janë me kokrra ata që ua kanë parë.
Janë dy mjeshtra të kinemasë botërore që pikërisht për shkak të realizmit socialist shqiptarët nuk kanë mundur t'i njohin. Për më tepër bëjnë pjesë ndër ata që klasifikoheshin si modernistë. Në kinematë e Tiranës nëse Charli Chaplin apo Rene Clair edhe shiheshin, ndonëse keqinterpretoheshin, nëse Felini mundi të fusë së paku “Netët e Kabirias”, Bergmani dhe Antonioni, dy nga mjeshtrat më të mëdhenj të kinematografisë, nuk i njihte thuajse askush. Nuk e di as nëse filmat e tyre kanë ardhur apo jo në Vilën nr. 1 të Bllokut ku thuhej se udhëheqja bënte shikimin, përzgjedhjen dhe cenzurimin e parë të filmave perëndimorë.
Është, pra, krejtësisht i kuptueshëm fakti që nuk kemi mundur t'i njohin. Por është i pafalshëm fakti që në provincën tonë ne vazhdojmë të mos i njohim. Martin Scorsese, një nga të mëdhenjtë e kinematografisë së sotme, duke shkruar për Antonionin në NYTimes thotë se filmat e tij i kanë "transformuar perceptimin e kinemasë dhe të botës", "imazhet e filmave të tij - thotë ai - që vazhdoj t'i kem brenda vetes e që vazhdojnë të më inspirojnë […] më kanë zgjeruar perceptimin e asaj çka do të thotë të jetosh në këtë botë".
Wody Allen, një tjetër nga të mëdhenjtë e kinematografisë së sotme, kur shkruan po në NYTimes për Bergmanin thotë se kur e pyetën gazetarët se cili kishte qenë ndikimi i tij mbi të u ishte përgjigjur: "ai ishte një gjeni kurse unë nuk jam gjeni, dhe gjenialiteti nuk mund të mësohet." "Janë pikërisht krijuesit e filmit - regjizorët seknografët, aktorët, operatorët, montatorët - ata që provojnë respektin më të madhe për veprën e tij." - shkruan ai për Bergmanin
Në të voglën botën tonë ne vazhdojmë të jetojmë me imazhet dhe madhështinë e Zonjës nga Qyteti. Nëse në vitet e para pas rënies së komunizmit pati një tendencë për një kulturë të re, kritike, pas vitit 1997, paradoksalisht, mu kur filluan të lulëzojnë televizonet e gazetat private, u shkri dhe ajo sëbashku me emigrimin e mendjeve më ambicioze e më të talentuara në Perëndim e me thithjen e të tjerave në kulturën mafjoze të lekut të fituar lehtë ku politika u bë biznesi më fitimprurës.
Po ç'ke me politikanët do të më thotë dikush. Edhe kur shkruan për Bergmanin dhe Antonionin do të përmendësh PD apo PS, Sali Berishën dhe Edi Ramën. Pse nuk përmend kolegët e tu? Në fakt është kritikë e drejtë, por nuk mund të mos më shkojë mendja tek politika sepse edhe realizmi socialist që vuajtëm për 45 vjet produkt i politikës ishte. Edhe heshtja apo shërbimi i intelektualëve produkt i politikës ishte. Edhe kjo kulturë që po mbizotëron sot produkt i kësaj politike që kemi sot është. Tek e fundit është kjo politikë që ka nevojë për njerëz me tru të shpëlarë dhe për të tjerë që u topitet inteligjenca dhe ndjenja e kundërshtimit nga të ndjerit të pafuqishëm për të ndryshuar ndonjë gjë. Punët shkojnë më së mirë se kurrë për kuzhinjerët kuq e blu kur njerëzit nuk kanë tjetër çfarë të hanë veç gjellëve të vjetra që dinë të gatuajnë ata, madje kur as nuk e dinë se mund të ketë të tjera lloj gatimesh. Si të mos kujtoj politikën kur shoh se kryeqyteti po bëhet afro një milion dhe ka vetëm një kinema dhe një teatër? Pastaj, si të mos e kujtoj Edi Ramën që pikërisht kur filloi rishpëlarja e re e trurit me lëngun e trëndafilit socialist më 1997, kur ai nuk ishte bërë ende thua i mishit të saj, shkruante se i "ngjetheshin mishtë" nga fakti se në televizonet tona jepeshin ende filmat e realizmit socialist; se ndryshimin e emrit të Zërit të Populit e quante "një nga Aktet e Mundshëm Simbolikë të Pendesës për të kaluarën rrënqethëse të asaj gazete e të partisë në përgjithësi" e se tragjedinë e 1997 e konsideronte rezultat të "njeriut me top" të socrealizmit. Tani e kemi kryetar të PS dhe, shikoni, nuk po rrënqethet më nga asgjë. Zëri i Popullit jo emër që s'ka ndryshuar, por është më ibret se kurrë, kurse kryetari i qëllon me top të gjithë ata që mendojnë ndryshe nga ai dhe ka borxh t'i varë brekët e Teta Ollgës në ndonjë shtizë në hyrje të selisë së PS e t'i vërë në rresht të gjithë socialistët, të vjetër e të rinj (nga ata që kanë studiuar në Perëndim) t'i puthin si relike të shenjta të PS. Nuk thonë kot se zhgënjimi është fuksion i pritshmërisë: sa më e madhe pritshmëria aq edhe më i madh zhgënjimi.
Megjithatë, që të jemi ca më të drejtpeshuar duhet thënë se kjo trushpëlarje nuk është vetëm problem i procincës sonë të humbur, as edhe vetëm i njerëzve me top si Sali Berisha dhe Edi Rama. Shkrimtari izraelit Amoz Os duke folur në përgjithësi për atë që po ndodh sot në shoqërinë e kosumit thotë se njerëzit janë bërë si fëmijë në kopështin global që i gëzohen lodrave që blejnë me të cilat luajnë dhe kaq. Pra problemi është më i gjerë. Kultura e filmave të lehtë hollivudianë, e velinave, e gërvisht dhe fitosë është dominuese edhe në botën e madhe. Por në këtë kopështin global duket se ne jemi fëmijët më të pavetëdijshëm. Edhe në botën e madhe Antonioni dhe Bergmani ndoshta nuk kuptohen nga një shumicë, por ata janë aty megjithatë si pika referimi, si maja inspiruese. Kurse ne kemi mbetur tek Teta Ollga. (Korrieri, 31 gusht 2007)

Monday, September 10, 2007

Kosova midis dy flamujsh

Ndërkohë që rreth Kosovës flitet kaq shumë për statusin e saj të ardhshëm, (pavarësi, pavarësi e kushtëzuar, autonomi e gjerë brenda Serbisë), në elitën e saj politike e kulturore, po zhvillohet një debat i tejet i nxehtë që mund të përkufizohet si debati për flamurin.
Cili do të jetë flamuri i Kosovës ai me shqiponjën e zezë dykrenare mbi cohën e kuqe - dmth. flamuri i Shqipërisë, i shqiptarëve (edhe të Kosovës) apo një flamur tjetër i shtetit të Kosovës? Ndonjë flamur me shqiponjë të cilës i shtohen simbole, rripa, e ngjyra të tjera, siç ka eksperimentuar Rugova, apo ndonjë flamur edhe pa shqiponjë fare?
Prapa këtij debati për flamurin që do të valëvitet mbi institucinet kosovare qëndron një proces tejet i komplikuar pasi ai flamur rezulton të jetë një shenjë e rëndësishme në një udhëkryq historik, një fund dhe një fillim njëherësh, që do të shenjonte mbarimin e një rruge, por edhe fillimin e një rruge tjetër në procesin që ndryshe mund të quhet ai i krijimit të shteti komb kosovar.
Opinioni në Kosovë është ende mjaft i turbullt dhe kontradiktor lidhur me këtë proces.
Kontradikta themelore vjen nga vetë kuptimi i ndryshëm i kombit dhe i identitetit kombëtar. Ende në Kosovë ndeshin dy koncepte për identitetin që, po ti referohemi Zigmunt Baumanit, janë ata të "identitetit të ngurtë" dhe të "identitetin të lëngshëm" ku me të parin kuptohet një identitet i dhënë njëherë e përgjithmonë e i pandryshueshëm kurse me të dytin kuptohet identiteti si një proces, si një ngjarje e shtrirë në kohë dhe hapësirë, ku koha merr më shumë rëndësi sesa hapësira dhe ku bije në sy në mënyrë të veçantë multidentiteti dhe ambivalenca. Opinioni i shqiptarëve të Kosovës, që përbëjnë 90% të popullsisë së saj, në tërësi është ende tejet i ngulitur në idenë e identitetit të ngurtë; e sheh identitetin e vet si diçka që ka qenë dhe është gjithmonë thelbi i tyre i pandryshueshme. Dhe ky thelb është shqiptaria simbol i së cilës është flamuri kuq e zi. Nën emrin e këtij flamuri u bë rezistenca, nën emrin e këtij flamuri u bë edhe lufta e UÇK. Po të mos kishte qenë ky flamur Kosova nuk do të arrinte në atë pikë që është sot. Vështirë të mohoet kjo.
Por realiteti është shumë më komples se kaq.
Kosova, është një hibrit ndoshta unik në botë përsa i përket procesit të krijimit të identitetit të saj dhe të shteti të saj komb. Për sa kohë që ishte pjesë e Jugosllavisë, madje edhe pas shpërbërjes së saj, kur mbeti në Serbi, deri më 1999 ajo, po t'i referohemi historisë, ka bërë pjesë në ato raste ku më shumë se sa për “komb të shtetit”. mund të flitet për “komb të kulturës” Me "komb të shtetit' kam parasysh përvojën franceze, britanike të SHBA apo të Zvicrës ku kombi u kuptua si njësi politike qytetarësh të barabartë përpara ligjit pavarësisht nga pozicioni shoqëror, prejardhja, gjuha, feja. Një e veçantë e rëndësishme e kësaj shkolle është se ajo niset nga nocioni politik i kombit. Po ta shikosh historikisht do të shquajmë se ky, si proces, përftohet në një shtet që ekziston. Kurse në procesin e kmbformimit të atij që quhet “kombi i kulturës”, me çfarë kam parasysh përvoja të tilla si ajo e Gjermanisë apo dhe Italisë, vemë re jo vetëm se ai orientohet për kah nocioni etnik e se ndjenja e përkatësisë mbështetet fort mbi gjuhën dhe kulturën, por edhe se jo rrallë ky proces ka nënkuptouar ekzistencën e popujve përpara ekzistencës së shtetit të tyre. Disintegrimi i Jugosllavisë është i ngjashëm nga pikpamja e proceseve të ndërtimit të shteteve kombe që dolën prej tij me disintegrimin e Perandorisë Otomane apo Austro Hungarisë, ku vihen re tipare të qarta të një nacionalizmi risorgimental ku vjen një moment kur kombet e kulturës arrijnë në pikën e ngjizjes së shtetit të tyre. Në këtë kontekst mund të thuhet se Kosova bën pjesë ndër ato raste kur kombi është ndërtuar përpara shtetit, gjithë pa harruar se nuk kemi të bëjmë me një proces të përfunduar, të ngurtësuar, por vetëm me një nga hallkat (e rëndësishme) të procesit. (Është jashtë temës së këtij shkrimi çështja pse popujt e ish Jugosllavisë, duke përfshirë edhe Kosovën, nuk arritën të bëhen një kombi i shtetit ashtu si Zvicra psh..)

* * *
Ndërkaq, nëse për Kroacinë apo Slloveninë, me gjithë anakronizmin, mund të flitet për njëfarë triumfi të nacionalizmit të tipit risorxhimental, kur vjen puna për Kosovën çështja vjen e bëhet më e komplikuar. Komplikimi vjen nga fakti se shqiptarët e Kosovës nuk do të mund ta kishin fituar luftën diplomatike e pastaj ushtarke të vitit 1999, që e zhvillonin me flamurin kuq e zi, pa ndërhyrjen e Natos. Dhe problemi është se Nato hyri atje me tjetër flamur dhe në emër të tjerash principesh nga ato të çlirimit të popujve në emër të identitetit të tyre kombëtar. Nato nuk e bëri atë luftë në emër të flamurit shqiptar, por në emër të flamurit të drejtave universale të njeriut, pas përvojës tragjike të Bosnjes.
Për afro tetë vjet çprej atëhere Kosova u fut kështu në një proces kur krahas flamurit shqiptar filloi të valëvitet edhe flamuri i fitimtarit të vërtetë të luftës e ku kërkesa kryesore që i bëhej shumicës shqiptare ishte të realizonte të ashtuquajturit standarte që kryesisht kishin të bënin me aftësimin e tyre për të njohur idetntitetin dhe të drejtat e etnive të tjera në Kosovë. Mund ta quajmë edhe procesi i futjes në kazanin e shkrirjes të disa identiteteve të ngurta ndër të cilët edhe të flamurit të vjetër kuq e zi për të krijuar identitete të reja të lëngëshme, mes tyre edhe një flamur tjetër.
Prandaj dhe sot flitet për lindjen e një shteti të ri që do të shoqërohet me lindjen e një kombi të ri, kombit kosovar, që do të jetë komb i shtetit dhe jo komb i kulturës çka ka shkaktuar kaq debate midis atyre shqiptarëve të Kosovës (më të shumtëve) që u duket "i shpifur" ky identitet i ri, ndër të cilët edhe ata që ende aspirojnë bashkimin me Shqipërinë dhe atyre (më të pakëve) që e njohin dhe e përkrahin nevojën e këtij procesi.

Nevojë e këtij procesi do të thotë se në këtë fazë të ndërtimit të shtetit të vet shqiptarëve të Kosovës do t'u duhet të ndryshojë prirjen e theksuar që ekziston ndër ta të ndërtimit të shtetit mbi etninë e tyre, të përforcimit të identiteteve të ngurta të “kombit të kultures” e të orientohen përdrejt ndërtimit të “kombit të shtetit”. T’i mshojnë, pra, projektit te ndërtimit të një shoqërie qytetare të bazuar në të drejtën qytetare të individit dhe jo në të drejtën kolektive të grupit. Por, pa harruar gjithashtu se nuk jetojmë në kohën e modernitetit, por në atë të postmodernitetit, pasi në kohën ku jetojmë nuk mund të pranohet më asimilimi kulturor në emër të “kombit të shtetit” siç ka ndodhur psh. në Francë. Shteti pra nuk mund të jetë një "kopshtar", sikurse e quan Bauman, që pastron barërat e këqija, "të huajin", në emër të ruajtjes së identiteteve të ngurta. Në kohën tonë as mund të kemi një “komb të globit”, ku do të na çonte universalizmi iluminist, por shtete ku e drejta e grupeve të ndryshme kulturore duhet respektuar e mbrojtur për të na çuar drejt një multikulturalizmi që nuk bije ndesh me të drejtat universale të njeriut, por që i thith ato në vlerat e veta. Pa harruar edhe globalizimin, po ashtu, në të cilin tregu global po i merr gjithnjë e më shumë peshë shtetit komb.
Kombi nuk është një gjë e dhënë njëherë e përgjithmonë dhe e pandryshueshme, dhe as saktësisht e përkufizueshme, por kemi një proces historik kombformimi. Dhe në këtë proces rol të rëndësishëm luan politika. Sikurse thotë Gellneri “kombet në të vërtetë nuk ekzistonin, ato lindën prej lidhjes së politikës me kulturën”. Dhe kur flitet për politikë në Kosovë dhe mbi Kosovën sot duhet të kemi parasysh tërë ato politika rajonale dhe ndërkombëtare që kryqëzohen atje. Pra edhe politikat e kosovarëve, serbëve, shqitarëve maqedonasve edhe politikat e SHBA të Evropës të Rusisë, edhe kulturat e tyre.
Duket se flamuri i kosovës do të jetë rezultat i negociimit midis tërë këtyre politikave. Midis identitetit të ngurtë shqiptar, serb e evropian dhe identietit të lëngshëm shqiptar, serb e eropian. Sigurisht nuk ka një vijë të prerë ndarëse midis "kombit të kulturës" dhe kombit të shtetit" midis identiteteve të ngurta dhe atyre të lëngëta dhe gjatë proceseve historike ata janë mpleksur e hibridizuar e kanë ndryshuar peshë - por, siç rezulton deri më sot, në botën demokratike gjithnjë e më shumë në favor të “kombit të shtetit", të kombit të politikës. Në emër të politikave të veta, ku dominon kjo tendencë, sot fitimtari i vërtetë i luftës më 1999, që mund të krahasohet me një perandori që shtrin ligjet e veta në territoret që pushton, është duke negociuar me kosovarët, por edhe me serbët e aletatët e tyre rusë për flamurin e Kosovës. Atihsari e ka përcaktuar qartë se flamuri i Kosovës nuk duhet të jetë flamuri kuq e zi shqiptar, por një flamur me të cilin të identifikohen edhe ata që nuk i përkasin etnisë shqiptare, por që banojnë në turallin e Kosovës, pra edhe serbët edhe romët etj.
Karl Jasperi ka thënë njëherë se Evropa gjendet përpara dy rrugësh ose të ballkanizohet ose të helvetizohet. Duket se helvetizimi i Kosovës në kuadrin e helvetizimit të Ballkanit e të vetë Evropës në këtë aspekt është një sfidë sa e kosovarëve aq edhe e evropianëve. Një sfidë jo aq e lehtë kur ke parasysh se në vitet 90, edhe me bekimin e Evropës, ndodhi disnitegrimi i Jugosllavisë në emër të principeve të ballkanizimit. (Korrieri, 28 korrik 2007)

Wednesday, September 5, 2007

"Ç'kemi andej?" (faqe nga ditari)

"Ç'kemi andej?"
"Hiç, pa drita jemi."
Nuk di të them sa herë e kam zhvilluar deri tani këtë dialog si fillim bisede telefonike kur telefonoj në Shqipëri. Me familjen më së shumti, me miqtë, por edhe në biseda të rastit. Kur mendoj se u nisa edhe me ndjenjën e lehtësimit se për pak kohë do të shpëtoja nga mungesa e dritave dhe zhurma e gjeneratorëve, më vjen të mbyll edhe telefonin.
"Me punën si ia kalon?"
"Ja ashtu, ti e di sa mund të punohet pa drita. Të prishen dhe nervat"
"Po, po, ke të drejtë. Po ç'kemi ndonjë gjë tjetër?"
"Hiç, ja, pa drita."
Dhe bisedat telefonike nga jashtë nuk mund t'i zgjasësh shumë se çdo impuls kushton sa qimet e kokës. Nuk mund të bësh si në Tiranë kur, me një kafe, pasi qahesh e ankohesh për orët që ke ndejtur pa drita, e punët që të janë prishur, fillon e merresh me politikanët përgjegjës, me milionat që janë shpenzuar në tendera me të cilat kushedi se sa hidrocentrele do ishin ndërtuar, me shefat e KESH që qenkan bërë milionerë duke luajtur në bursë - e më the të thashë - derisa e kupton, nga fikja e gjeneratorëve se dritat janë ndezur e mund të kthehesh të punosh ndopak. Puna është se në një bisedë telefonike një minutëshe nga jashtë synon maksimumin e informacionit në minimumin e kohës. Me një fjalë informacion të thatë, mundësisht ndonjë të re që të të tërheqë, ta hajë dreqi. Çfarë lajmi është mungesa e dritave? Edhe kur ika ashtu e lashë Tiranën, pa drita. Kjo s'përbën lajm.
"Ç'kemi andej?"
"Hiç, që kur ke ikur ti e kanë shtuar edhe një orë errësirën."
"E mora vesh, e mora, po nuk ndodh ndonjë gjë tjetër atje? Sa herë marrr këtë më thua"
"Jo, po sapo na ikën, prandaj ta thashë. Ka marrë filani në telefon…"
Mu desh një numër telefonatash për të kuptuar se për të marrë ndonjë të re dhe për të kursyer impulse duhet të specifikoja pyetjen. Nuk duhet të thoja "ç'kemi andej?", por kur merrja të pyesja direkt: "A e takove filanin?", "A e fillove atë punën që të kishin premtuar?" Me një fjalë pyetje konkrete jo të përgjithshme të tipit "ç'kemi andej?" Tek e fundit, kush ka ndonjë lajm interesant, ta thotë vetë.
Mirëpo ne e kemi si shprehje që kur telefonojmë themi:"Alo, ç'kemi?"
Më shpëtoi nga goja edhe kësaj rradhe.
"Hiç. Këta palaçot vazhdojnë të na gënjejnë. Në terr jemi. Presim të bjerë shi."
"E di, e di."
'E po kur e di ç'pyet?'
"Ore e di që s'ka drita. E di që s'i duron dot këta, po nuk ndodhka ndonjë gjë tjetër atje veç territ?"
Në fakt kur je jashtë shtetit e jeton shumë më pak emocionalisht edhe konfliktin politik. Shqiptarët të duken të gjithë një ngjyrësh, jo kuq e blu siç i sheh kur je atje. Le që mua edhe atje më janë shkrirë, më del i gjithë Parlamenti në një ngjyrë patllixhani të errët.
Desha të them se kur je jashtë shtetit balta e vendit tënd, siç i thonë, të duket më e ëmbël se mjalta. Nuk e kuptojnë këta që nuk mund të të gjuajnë nga telefoni me baltë sepse ajo prap se prap konvertohet duke kaluar nëpër valët e celularit në mjaltë? Unë u them "ç'kemi ndonjë të re?", ata më thonë një gjë që e di. Këtu jemi në kufijtë e absurdit.
"Alo, si është filani e keni takuar?'
"Ç'të jetë. Ka një gjenerator poshtë shtëpisë që e nxorri mendsh."
Nuk ke shpëtim. Ç'do pyetje ta lidhin me dritat. Por tek e fundit çfarë kërkon ti? Nëse do ndonjë të re prej tyre duhet të presësh ç'thonë ata. Gjersa ata thonë vetëm "hiç, pa drita jemi." ky është informacioni që të interson. Duhet të dish të shohësh si ngjarje edhe këtë. Siç thotë Prusti: "Kërkimi i të resë nuk qëndron në gjetjen e peisazheve të reja, por të syve të rinj." Gjej sy të rinj për të parë terrin. Ja psh.: gjithë sinjalet telefonike që vinin nga Shqipëria nëpër pjesën tjetër të botës flasin për terr. Dmth Shqipëria në këtë yjësinë tonë është një gropë e zezë prej të cilës vijnë vetëm sinjalet e territ të saj. Por gropat e zeza janë një mrekulli e universit. Ato kanë vetinë e jashtzakonshme që vetem thithin nuk rrezatojnë sepes janë jashtë jashtëzakonisht të rënda. Si KESH psh., apo si politikanët tanë. Duhet vetëm të dish t'i shikosh e t'i estetizosh. Kuadrat i zi në të zezë do të thoshte Maleviçi. Ose njollë e zezë në të zezë. Bëhu artist, bëj një kuadër me njolla të zeza koncentrike që vijnë duke u nxirë e duke u zmadhuar njëherësh. Duket e pamundur pasi njolla më e zezë e madhe do ta mbulojë atë pararendësen më të vogël e më të çelët. Jo, bëje tridimensionale, katër, edhe në kohë. Për çdo telefonatë nga një njollë. Njëfarë instalacioni. Duhet kompiuter. Ok. Në Shqipëri do ta shohin vetëm kur të vijnë dritat, por aq më mirë. Vëria titullin: "Një lajm i zi, që vjen duke u nxirë." Ose ose veri përbri shënimin: "Kapitalizmi është pushteti demokratik plus elektrifikimin e vendit. Po pushteti demokratik pa elektrifikimin e vendit çfarë është? Baltë që bëhet më e ëmbël se mjalta."
Teksa llomotitja kështu me vete më në fund më erdhi si ndriçim pyetja shpëtimtare edhe nga pikpamja e kursimit të impulseve:
"Alo, veç mungesës së dritave, ç'kemi andej?"
"Hiç, pa drita jemi. Ha, ha, ha. Harrova, më fal. Blemë gjenerator edhe ne. Një të vogël, nuk harxhon shumë."
"Ha, ha, ha."

Gusht 2007
(Korrieri, 22 gusht 2007)