Saturday, January 26, 2008

Intelektuale te perdorur dhe populiste hipokrite


Deklarata e Rames "nuk jam politikan" eshte nje deklarate qe vlen te merret ne analize pertej trajtimit te saj thjesht si nje lajthitje e rradhes se kryetarit te disekuilibruar te PS, sic e trajton shtypi pro mazhorances, apo si nje lapsus a keqkuptim, sic e trajton shtypi pro opozitar. Kjo deklarate shpreh jo pak nga kriza ne te cilen ndodhet klasa jone politike, madje jo vetem ajo, por edhe shtresat qe ajo perfaqeson, por edhe shoqeria civile shqiptare me intelektualet e saj. Eshte nje deklarate qe permban disa kontradikta te pazgjidhura qe i rendojne shume shoqerise shqiptare.

Le te prek dy kontradikta te pazgjidhura qe shpreh drejtperdrejt apo terthor kjo deklarate.

Intelektuali dhe politikani

Nje aspekt i krizes se kontradiktave te pazgjidhura qe shpreh deklarata e Rames "nuk jam politikan" ka te beje me raportin midis intelektualit dhe pushtetarit ne Shqiperi. Ne nje leter te hapur derguar Edi Rames me 2001 kam cituar edhe dicka qe ai shkruante me 1997: "”Zgjedhja e intelektualit eshte, per natyre, e paperputhshme me realitetin e dhene e, per kete, veshtrimi i tij mbi kete realitet eshte ngahere krejt i ndryshem prej veshtrimit te politikanit i cili, nga ana e vet, kerkon te vere dore mbi realitetin duke u njesuar me pare me te. Intelektuali nuk kerkon vota, se nuk i duhen, ai kerkon te verteten.” (Koha Jone, 24 janar 1997)

Ishte nje kohe pra kur intelektuali Rama thoshte se e verteta dhe pushteti nuk koincidojne e se prandaj detyra e intelektualit eshte e ndryshme nga ajo e politikanit; se nje gje eshte te indetifikohesh me nje realitet dhe nje gje tjeter eshte ta kontestosh ate realitet; se po te shtrengohesh te kerkosh vota do te te duhet te braktisesh shume nga te vertetat qe ke mbrojtur. Po si ndryshoi ashtu dhe aq shpejt intelektuali Rama dhe perse? Kjo eshte ceshtja qe vlen te analizohet, ne thelb, si fenomen qe nuk mban vetem emrin e Rames e qe, ndonese nuk eshte hera e pare qe trajtohet, edhe nga autori i ketij shkrimi, meriton te trajtohet perseri e perseri pasi fenomeni mbetet po aq akut e demprures edhe sot ne shoqerine shqiptare.

Kontradikta qe mbetet pra ende e pazgjidhur buron nga fakti se intelektualet shqiptare nuk kane mundesi t'i qendrojne tundimit te pushtetit (apo presionit te tij) pasi ose (subjektivisht) pushteti per ta ka qene me i rendesishem sesa te vertetat e tyre, ngaqe keto te verteta nuk kane qene per ta ashtu dhe aq te shtrenjta ose (objektivisht), pasi "perfitimet" dhe "statusi" qe u jep pushteti njerezve ne nje shoqeri si kjo e jona eshte shume here me "i larte" sesa ato qe u jep e verteta dhe prandaj keta nuk kerkojne te verteta qe t'i mbrojne e thellojne, por "te verteta" qe t'i perdorin per te arritur pushtetin e qe mund t'i tradhetojne sa here qe ato u rrezikojne pushtetin. Kemi te bejme pra, tek e fundit, me gjendjen e nje shoqerie qe nuk ka as politikane e as intelektuale tamam e qe jeton kontradikten e pazgjidhur midis ketyre dy funksioneve kaq te rendesishme shoqerore.

Ka nje model intelektuali qe nuk perputhet me dikotomine intelektual / pushtetar per te cilen flet edhe Rama ne tekstin e cituar. Ky eshte modeli i intelektualit organik gramshian, modeli i intelektualit komunist i cili identifikohej me grupin/partine ku bente pjese me synim transformin e nje realiteti. Koha ka provuar rreziqet qe paraqet sa per vete intelektualin aq edhe per shoqerine nje identifikim i tille, vecanerisht pasi intelektuale te tille vijne ne pushtet. Megjithate rasti Rama, si fenomen qe po i veme emrin e tij, por qe perfshin fatin e shume intelektualeve shqiptare qe kane hyre ne politike, nuk ben pjese ne rastin e intelektualit organik gramshian ne kuptimin klasik te ketij intelektuali. Inteletkuale te tille kane hyre ne levizje politike me bindje te thella dhe duke qene ne fillim nje pakice opozitare qe shpesh e ka marre pushtetin edhe me dhune pasi kane grumbulluar rreth vetes e nje ideali apo iluzioni jo pak njerez (le te kujtojme Leninin, Trockin. Kastron, apo edhe intelektuale shqiptare qe u perfshine ne levizjen komuniste). Kurse Rama hyri ne politike i thirrur nga Nano nderkohe qe ky ishte ne pushtet dhe, per me teper, nuk hyri atje pasi identifikohej me ate parti apo ideale te saj, por pikerisht ne saje te kontestimit qe i kishte bere asaj partie. Kjo ndodhi sepse ne ate kohe Nanos i duheshin figura te reja per te mbushur sa boshllekun e vlerave intelektuale qe kishte PS aq edhe mungesen e kredibilitetit te saj per shkak te se kaluares. Kemi te bejme, pra, me rastin e intelektualit te perdorur nga nje politikan per qellime pragmatiste. Le te kujtojme se kjo nuk ishte nje shpikje e Nanos, perkundrazi, kjo kishte si model pararendes edhe vete Nanon, pasi edhe ai, si shume te tjere, ishte nje intelektual i perdorur nga politikani - ne rastin e Nanos nga Alia - e qe, ne kete periudhe te paskomunizmit, origjinen e origjinave si fenomen e ka tek takimi i famshem i ketij te fundit me intelektualet ne gusht 1990.

Koha ka provuar se nga keta lloj perdorimesh perfitimin me te madh e nxjerrin politikanet jo intelektualet (ne kuptimin e te vertetave qe intelektualet supozohet te perfaqesojne e mbrojne) dhe se intelektualet, duke pranuar perdorimin, humbasin, edhe si politikane potenciale, pikerisht ate qe u duhet per te krijuar nje levizje politike vertet inspiruese e ndryshuese te realitetit te semure pasi komprometohen nga ai. Gjithsesi mund te thuhet se ata keshtu behen politikane nga ai lloj qe ne rastin me te mire sjellin ndryshime graduale e ne rastin me te keq e lene semundjen ne vend e mjelin vetem perfitime vetiake. Pra edhe per Ramen mund te thuhet se u be nje politikan i tipit te intelektualit te perdorur, i cili, per te arritur perfitimet e pushtetit politik "shiti" tek politikani Nano karizmen e intelektualit qe kishte qene kunder politikaneve duke i dhene ketij nje cope kredibilitet me shume per te cilin kishte nevoje qe te forconte pushtetmbajtjen.

Po te veme re ky fenomen i perdorimit te intelektualeve nga politika, edhe kur nuk hyjne drejtperdrejt ne te, eshte nje fenomen qe ka dhunuar e shterpezura mendimin kritik intelektual dhe respektin per te. E ne kete kontekst edhe veprimet e politikanit Rama me intelektualet e tjere shqiptare kane qene dramatike pasi ai, ashtu sikurse edhe sivellezerit e tij, ka bere gjithshka per ta korruptuar mendimin e tyre kritik duke e vene ne sherbim te votave te tij ose ka tentuar ta izoloje e ta diskreditoje me te gjitha mjetet qe i jepte pushteti.

Ne fakt Rama, kur deklaroi se nuk eshte politikan, nuk deklaroi se eshte intelektual ne kuptimin qe ai i ka dhene vete intelektualit ne citimin e permendur. Nuk kemi te bejme ketu me krizen morale te nje intelektuali qe kthehet ne vokacioni e tij pas nje pervoje te keqe ne politike. Kontradikta intelektual politikan tek ai mbetet e pazgjidhur. Po me cfare kemi te bejme atehere?

Populizmi hipokrit

Rama, ne fakt, deklaroi se eshte nje "qytetar" i pakenaqur nga politika aktuale si gjithe te tjeret te cileve u drejtohej ne salle dhe ne ekrane. E ketu vijme ne aspektin e dyte te kontradiktes se pazgjidhur qe permban kjo deklarate dhe qe eshte me e rendesishme nga e para do te thoja.

Duke thene se nuk eshte politikan ai ka dashur te jape mesazhin se nuk ben pjese ne klasen politike shqiptare duke ditur tashme kredibilitetin e saj nen zero. Ai shfaqet keshtu si nje politikan qe kerkon te vendose lidhje direkte me popullin duke anashkaluar kasten politike qe e ka sjelle ne pushtet perzjere me nje hije te intelektualit organik gramshian qe nuk ben vetem kritiken e realitetit, por merr persiper edhe te behet instrumenti politik i ndryshimit te tij. Them "hije" pasi Rama eshte pa asnje lloj platforme inspiruese dhe pa militante idealiste rreth tij. Ne fakt jemi tek modeli i politikanit populist ne kuptimin me te njohur te populizmit qe eshte lidhja direkte e liderit me popullin, pa ndermjetesine e institucioneve demokratike qe ekzistenca e televizioneve e lehteson mjaft.

Por, ne fakt, kemi te bejme me nje populizem te rrejshem, pasi, po t'i referohemi historise, jemi ne modelet e diktaturave te nje personi, por qe lindin ne situata krejt te tjera. Sepse, tek e fundit, ceshtja shtrohet: a mundet Rama te dale ne petkun e politikanit qe anashkalon vertet klasen politike dhe ekonomike qe e ka sjelle ne pushtet e te perfaqesoje vertet interesat e qytetareve te thjeshte? Kjo, sipas mendimit tim, eshte e veshtire ne mos e pamundur per dy arsye kryesore:

Se pari, sepse Rama nuk eshte nje figure e re. Ai eshte identifikuar me PS qe eshte nje parti e vjeter e diskredituar dy here. Jo vetem, por dhjete vjet ne pushtet tashme e kane konsumuar jo vetem figuren e tij, por te te gjithe politikaneve me te cilet ai bashkpeunon.

Se dyti, sepse Rama nuk mund te dale kunder interesave te atyre qe kane mbajtur ne kembe parti si PS dhe PD e qe e kane mbajtur edhe Ramen ne pushtet deri ketu, nderkohe qe, tu sherbesh interesave te qytetareve me te cilet bashkebisedon sot Rama, ne shume aspkete, do te thote edhe te dalesh kunder interesave te tyre. Per Ramen kjo do te thote te prese pemen mbi te cilen eshte ngritur si politikan. Dhe Rama kete e di mire. Po ta vesh re ai flet per politike te vjeter ne menyren me te pergjithshme dhe me ambigue te mundeshme, duke nenkuptaur ne fakt thejsht dhe vetem dy persona, Berishen dhe Nanon, por nuk flet per sistemin e korrupsionit qe ka krijuar PS-ja dhe po e vazhdon edhe PD-ja, nuk flet per transparencen ne financimet e partive, per lidhjet e politikes me krimin, apo kapjen e shtetit, per kapjen e mediave nga politika etj.. Jane keto qe kane bere qe politika te mos perfaqesoje interesat e qytetareve me te cilet kerkon te identifikohet sot Rama pa ndermjetes.

Prandaj, sipas meje, nuk kemi te bejme thjeshte me populizem, as thjesht me paranojen e nje intelekuali qe mendon se te tjeret mund te sherbejne vetem si zero pas njeshit. Pasi nje politikan populist mund te jete edhe i sinqerte ne populizmin e tij ashtu sikurse edhe nje intelektual paranojak mund te besoje vertet ne ato qe thote. Rama, per fat te keq nuk i ka kembet aq te shkeputura nga realiteti. Ne rastin e tij dhe jo vetem, por te shume intelekualeve te perdorur qe kthehen ne politikane populiste, kemi te bejme me nje populizem hipokrit. Kemi te bejme me modelin e vjeter te politikanit tone qe direkt apo indirekt u thote atyre te cileve u sherben me te vertete e qe i financojne edhe fushaten elektorale: une i mashtroj votuesit duke u thene se nuk jam i juaji derisa te marrim pushtetin nepermjet votes se tyre dhe pastaj u sherbej juve kunder atyre. Ja ku erdhem ne kontradikten tjeter te madhe te pazgjidhur qe shpreh deklarata e Rames "nuk jam politikan": ate midis politikes si sherbim ndaj qytetarit dhe politikes si grabitese e qytetarit. Eshte kontradikta qe premtoi ta zgjidhe edhe Sali Berisha para se te vije ne pushtet duke na cuar, ne fakt, nga zhgenjimi ne zhgenjim e duke na provuar se eshte edhe ai i te njejtit model si Rama: ai i intelektualit te perdorur qe shndrrohet ne nje politikan populist hipokrit. (Korrieri, 26 janar 2008)

Read More......

Wednesday, January 23, 2008

Pasqyrim apo shpërfytyrim

(transformime kulturore në Shqipërinë post-komuniste)*

Kur mendojmë rrugët e transformimit të një realiteti nuk mund të mos të na vijnë ndërmend dy qasje ekstreme teorike: e Marksit dhe Weberit. Nëse i pari argumenton se është strukutura eknomike ajo që determinon superstrukturën prandaj duhet ndryshuar struktura që të ndryshojë edhe superstruktura; i dyti, në "Etika protestante dhe shpirti i kapitalizmit", argumenton se janë idetë ato që determinojnë ndryshimet strukturore.

Sot, mund të themi se jemi më pranë njohjes së procesit të transformimit të një realiteti nëse konsiderojmë bashkëveprimin e të dyjave. Se dikotomisë strukturë - superstrukturë i korespondon dikotomia domosdoshmëri - liri ku, me liri, do të nënkuptojmë edhe krijimin e atyre hapësirave në të cilat përpunohen instrumentet kulturore dhe ideologjike për transformimin e një realiteti. Mbetet megjithatë pikëpyetja se cila do të ishte alkimia e suksesëshme e bashkëveprimit dhe cila e dështuara - pa harruar edhe ndërgjegjësimin tonë postmodern se e ardhmja nuk mund të mendohet si mbrritje në një destinacion nëpërmjet një utopie progresiste projektuale, por si multiplicitet lëvizjesh, vlerash e perspektivash.

Cila është përgjigja që do të jepnim duke analizuar transformimet që po ndodhin në vendet ish komuniste si Shqipëria? Është fjala për një ndër vendet me hendekun më të madh ndër vendet e Lindjes midis realitetit që la regjimi komunist dhe realitetit të ri që synohet të krijohej për t'iu përgjigjur aspiratës së shqiptarëve për integrim në Evropë. Kjo mbi të gjitha pasi Shqipëria mbeti deri në vitin 1991 një regjim stalinist i izoluar nga bota si perëndimore edhe lindore. Në këtë kontekst ajo përbën një eksperiment interesant përsa i përket çështjes se sa mundet të transformohet një realitet shoqëror me fuqinë e ideve të reja dhe se sa idetë e reja janë të kushtëzuara nga ndryshimet struktutore, por edhe nga forca tërheqëse e kulturës së vjetër. Dhe, më anë tjetër, sa kanë ndikuar reformimet në strukturën ekonomike për të krijuar një kulturë të re e çfarë është rezultati deri tani?

Sfidat më të rëndësishme kulturore për ta afruar shoqërinë shqiptare me Evropën janë të lidhura me nevojën e dekontaminimit nga ideologjia trushpëlarëse nacional - komuniste, nëpërmjet dekonstruktimit të miteve të kësaj ideologjie; me nevojën e katarsisit si çlirim, por edhe si mjet për implementimin e vlerave të humanizmit, të mendimit kritik, të të drejtave universale të njeriut; me nevojën e njohjes së mendimit, gjuhëve dhe mjeteve shprehëse të zhvilluar në Perëndim në kohën ku Shqipëria ishte e izoluar. Tek e fundit janë sfida të kalimit nga një ideologji totalitare që zotëronte monopolin e së vërtetës në një kulturë të zhvillimit të personalitetit dhe integritetit të individit nëpërmjet njohjes e zhvillimit të pluralitetit të vlerave, duke përfshirë edhe zhvillimin e kulturave të minoriteteve dhe ringjalljen e tre besimeve tradicionale fetare (musliman, ortodoks dhe katolik) të ndaluara nga komunizmi.

Pas gjashtëmbëdhjetë vjetësh rezultati është diçka e krahasueshme me procesin e hibridizimit. "Fidanet" kulturore që u sollën nga Perëndimi nuk u implementuan në një truall neutral, por u shartuan në trungun e vjetër kulturor. Kultura perëndimore u rrok me metodat e kulturës së vjetër pra në formë mitizuese dhe jo kritike. Kapitalizmi filloi të ndërtohet nën kultin e neo-liberizmit, duke promovuar vetëm kulturën komerciale Perëndimore. Sot për sot mund të flitet për dekomunistizim të sipërfaqshëm të shoqërisë, por jo për katarsis, as për rishkrim të historisë jashtë miteve nacionaliste; as për futje të shpirtit kritik ku secila prej këtyre është shumë e rëndësishme për t’i hapur derën një kulture të re. Në krijimin e një hibridi kësisoj rol të rëndësishëm ka luajtur edhe fakti se pushteti politik e kulturor në Shqipëri mbeti në duart e së njëjtës elitë që prodhoi kulturën nacional - komuniste. I ashtuquajturi revolucion demokratik nuk e përmbysi elitën komuniste, por vetëm e ricikloi atë.

Por është vështirë të thuhet se këtu kemi të bëjmë me një dështim thjesht kulturor apo politik. Paralel me atë që e quajta proces hibridizimi kulturor në vend filloi edhe ndryshimi në strukturën ekonomike. Kur u hap drejt ekonomisë së tregut Shqipëria ishte vendi me ekonominë më të falimentuar, krejt e papaftë për kompeticion në tregun e lirë. Prandaj dhe rruga më efikase për mbijetesë u bë shitja e krahut të punës në Perëndim sëbashku me trafiqet e drogës e prostitucionit. Shqiptarët hynë në botën e madhe nëpërmjet ekzodit të tyre masiv të fillimviteve 90. Brenda vendit kulti i neoliberizmit triumfues çoi në procesin e privatizimin të gjithshkaje publike, në një "laiser faire" të kombinuar me informalitet dhe krimimalitet ku politika në vend se shërbim dhe garante e kompeticionit të lirë mori trajtat e një biznesi tejet fitimprurës. Pas gjashtëmbëdhjetë vjetësh përpjekje për të ndërtuar ekonominë e tregut, në Shqipëri, prodhohet në vend vetëm afro 1/5 e asaj që konsumohet. Pjesën tjetër shqiptarët e sigurojmë nga emigracioni nga trafiqet dhe nga ndihmat e huaja. Një strukturë e tillë ekonomike e kushtëzon fuqimisht politikën e në tërësi superstrukturën. Pesha e aktorëve ekonomikë informalë, apo kriminalë, një pakicë e pasurura në mënyrë marramendëse, është kaq e rëndësishme saqë është e vështirë të mund të krijohet një politikë që do të kërcënonte mënyrën e tyre të fitimit, të mbyllte trafiqet, të krijonte kushtet e një rishpërndarje më të drejtë që do të mundësonte edhe investimet në një kulturë më serioze.

Jo vetëm, por kjo strukturë ekonomike dominuese ka krijnuar instrumentet e veta të pushtetit ku spikasin mediat. Në një vend ku banojnë më pak se 3 milion banorë ka afro 80 televizione private kombëtare dhe lokale dhe rreth 33 të përditëshme. Kemi të bëjmë me një hipertrofizim të pashembullt të industrisë mediatike krejt jashtë ligjeve të tregut të lirë. Këto media financohen kryesisht në sajë të abuzimt me fuqinë dhe influencën e tyre pasi pronarë, shumica ndërtues, apo dhe tregëtarë të mëdhenj, kontrollojnë tenderat publike, sheshet e ndërtimit, tregjet dhe mbrohen nga mospagimi i taksave. Nëse në vitet e para e ashtuquajtura inteligjencie e komunizmit mbijetoni ekonomikisht në sajë të OJQ-ve të ndryshme që Perëndimi i përdori për të implementuasr shoqërinë civile e për të sjellë idetë e veta, dora dorës që ekonomia informale dhe kriminale filloi të fuqizohet e të kapë shtetin shumica filloi transferohet në punë tek ajo ose të hyjë në politkë që u bë gjithnjë e më shumë e varur prej saj. Një pjesë e mirë e intelektualëve që ishin mbajtur deri atëhere me paratë e Perëndimit nga sponsorizimet modeste që merrnini nga OJQ perëndimore të tilla si Soros apo Pro Helvetia apo që ishin kualifikuar nëpër kurse apo studime jashtë u punësuan në këtë industri me paga shumë herë më të larta. Për një kohë shumë të shkurtër kjo industri i ka kthyer shumicën e gazetarëve dhe intelektualëve të vendit në rrogëtarë që u shërbejnë interesave të tyre dhe mediat në mjete të fuqishme në shërbim të fitimeve të tyre. Kultura që rrezatohet prej tyre është tërësisht kultura e konsumizmit, e vëllait të madh, e velinave, e gërvisht dhe fitosë.

Sistemi i krijuar kësisoj është një hibrid ku ndjehet rrënjët e regjimit të kaluar kur media, si pjesë e aparatit trushpëlarës të komunizmit, mbahej në këmbë nga politika që kontrollonte njëherësh edhe ekonominë për qëllimet e sundimit të nomenklaturës komuniste. Por tashmë instrument kryesor i ruajtjes së pushtetit nuk është më policia apo shërbimet sekrete, por mediat të cilat përhapin një tjetër ideologji trushpëlarëse. Mund të bëhet objeksioni se ky përqëndrim i pushtetit politik, mediatik e financiar në duart e pak njerëve tingëllon shumë i njohur edhe në Perëndim. Prandaj, ndoshta nuk ka kuptim të thuhet se Perëndimi, ndonëse fitoi Luftën e Ftohtë, është larg së fituari luftën me mafjen në këto vende për të implementuar vlerat e tij më të mira kulturore, pasi tek e fundit, kjo është një luftë që ai e ka edhe brenda vetes. Është një objeksion që qëndron ndonëse ndryshimet janë të mëdha. Në një farë mënyre, në procesin e hibridizimit, Shqipëria duket sikur ka importuar pjesën më të keqe të kapitalizmit perëndimor, sikur të jetë një pasqyrë ku Perëndimi mund të shohë të karikaturizuar tiparet e tij më të këqija. Prandaj dhe, tek e fundit, sfidat kulturore shqiptare nuk mund të shihen veçse si pjesë e sfidave kulturore evropiane.

*Ky shkrim është botuar në revistën kulturore zvicerane "Passage" që botohet në gjermanisht, anglisht, frëngjisht në numrin e saj 46 të fundvitit 2007 me temë "Ballafaqime Ballkanike"

Read More......

Tuesday, January 15, 2008

Akademija midis "ilirëve" dhe "pellazgëve"

Në kundërvënien që kryhet sot nga opozita mbi ndryshimet në Akademinë e Shkencave bije në sy mungesa e ndarjes së dy çështjeve që sipas meje qëllimisht përzjen në një çështje të vetme. Njëra çështje, e para e të gjithave, është ajo që ka të bëjë me atë se ç'është Akadamja e Shkencave e që nuk mund të mos lidhet edhe me pyetjen: çfarë roli ka luajtur Akademija e Shkencave të Shqipërisë në historinë e saj qysh kur është formuar e këtej. Kurse çështja e dytë është ajo se pse po e ndryshon Berisha dhe të tijtë ligjin mbi Akademinë e Shkencave.
Vetëm një analizim i këtyre dy çështjeve ndaras mendoj se mund të na afrojë drejt një mendimi sintetik mbi një reforme në të mirë të dijes shqiptare.

Çka qenë e ç'është Akademija

Pa pretendur të bëj historikun e Akademisë sonë të Shkencave do të thoja, menjëherë, se ajo ishte një institucion i krijuar nga regjimi në 1972, paradoksalisht pikërisht në kohën kur Shqipëria ishte e izoluar si nga Lindja edhe nga Perëndimi, si pjesë e plotësimit të projektit megalloman të Enver Hoxhës të ndërtimit të shtetit autarkik nacional - kumunist. Kryesisht kjo Akademi ka funksionuar si instrument për të strukturuar edhe më mirë nën pushtetin e partisë të ashtuquajturën inteligjencë popullore që merrej me studime si dhe si një instrument që kishte për qëllim të interpretonte sipas idcolologjisë së pushtetit të gjitha shkencat, por kryesisht shkenca të tilla si historia e Shqipërisë, e gjuhës dhe e letërisës së saj, apo si arkeologjia, studimet folkloristike dhe etnografike. Në fakt, nëse do të flisnim për raportin e Shqipërisë së vogël dhe të izoluar me shkencat e mëdha universale do të ishte mëse pretencioze të flitej për Akademi Shkencash në një Shqipëri që më 1939 kishte 90% analfabetë dhe që universitetin e saj të parë e hapi vetëm në 1957. Të vetmet fusha shkencore ku Shqipëria mund të kishte kontributin e saj kanë qenë kryesisht ato që lidheshim me historinë e Shqipërisë dhe të gjuhës e letërsisë shqipe ashtu sikurse edhe ato që lidheshin me studimet arkeologjike, folklorike apo etnografike.

Jo rastësisht Kryetari dhe nënkryetari i Akademisë, kur ajo u krijua, ishin njëri historian, Aleks Buda, dhe tjetri gjuhëtar, Ekrem Çabej. Është e tepërt të flasim për rolin disinformues, manipulues antishkencor apo dhe thjesht të pakualifikuar që kanë luajtur në fusha të tilla si ajo e shkencave ekonomike, të kritikës letrare, të estetikës, të jurisprudencës deri edhe në shkencat natyrore në periudhën e komunizmit shumë nga akademikët e djeshëm dhe të sotëm të formuar dhe të shtërnguar nga një idelologji që pretendonte se ishte e vërteta e të vërtetave, shkencë dhe fe njëherësh. Nuk është shumë e vështirë, mjafton të shfletosh produktet e asaj kohe, për të kërryer përfundimin se sa pak shkencë është bërë në kuptimin e vërtetë të kësaj fjale dhe se sa shumë manipiulim e shpëlarje trush. E kanë vënë në dukje këtë edhe një numër autorësh që mbështesin projektin e mazhorancës për reformimin e Akademisë. Ajo që nuk preket, megjithatë, është guri i themelit të veprimtarisë antishkencore të Akademisë, ai që ka ndikuar që miti i saj t'i mbijetojë edhe periudhës antikomuniste e të bëjë që opozita ta quajë prekjen e Akademisë një akt antikombëtar. Ky është karakteri nacionalist i ideologjisë së pushtetit të Enver Hoxhës që ka ushqyer ajo Akademi, aq i nevojshëm ky për glorifikimin e izolimit të Shqipërisë për ta paraqitur atë si një kështjellë që i qëndronte në shekuj armiqve lindorë dhe perëndimorë. Dhe ky karakter lidhet me rolin e saj në shkencat e historisë dhe gjuhësisë sonë, të arkeologjisë, të folklorit e etnografisë. Këto shkenca, që kanë qenë e mbeten guri i themelit të Akademisë, kanë qenë thellësisht të infektuara nga ideologjia nacionaliste e partisë në pushtet e cila e përdorte aq shumë këtë për të mbajtur të izoluar shqiptarët ashtu sikurse përdorte edhe pjesën komumniste të kësaj ideologjie kur bëhej fjalë për të dënuar botën e vjetër dhe klasat e saj sunduese në emër të një bote të re, në fakt në emër të pushtetit të saj. Pra çështja se pse Akademija ka mundur të ruajë një status më të qëndrueshëm gjatë periudhës së tranzicionit sesa, le të themi, Lidhja e Shkrimtarëve, megjithë diskreditimin e pushtetit që e krijoi dhe përdori atë, lidhet pikërisht me faktin se një pjesë e rëndësishme e paradigmave nacionaliste të zhvilluara nga akademikët e kohës së komunizmit nuk kanë rënë ende sepse ato ishin edhe paradigmat e nacional romantikës së rilindasve që Enver Hoxha i integroi në ideologjnë e tij të pushtetit e që vazhdojnë të kultivohen edhe sot. Me konkretisht akademkët tanë janë marrë me vërtetimin shkencor të miteve të nacional romantikës shqiptare të tillë si ai i etnogjenezës iliro shqiptare, me paraqitjen e zbulimeve arkeologjike të qytetërimit greko - romak si ilire, me paradigmës se gjuha shqipe jo vetëm ka marrë nga gjuhë të tilla si greqishtja e vjetër dhe e re, latinishtja, sllavishtja, turqishtja, por edhe u ka dhënë këtyre gjuhëve pasi qytetërimi shqiptar ka qenë gjithaq i ndritur si këta, me ndriçimin shqiptar në Mesjetë, me glorifikimin e Skënderbeut si hero kombëtar, me errësimin e 500 vjetëve pjesë e perandorisë otomane, me glorifikimin e Rilindjes si rezistencë me pushkë dhe me penë ndaj pushtimit otoman e në përgjithësi të parrullës se populli shqiptar e ka çarë historinë me shpatë në dorë. Me fjalë të tjera ata janë marrë me diçka që vetëm shkencë e shekullit XX nuk mund të quhet pasi kanë synuar të bëjnë shkencë atë që në të vërtetë ishte mitologji e krijuar në emër të ingjizjes së një identiteti të ri e shndrruar në ideologji pushteti. Sot mjafton të kesh një shkollë të mesme në Perëndim për të kuptuar se kjo gjoja punë shkencore e akademikëve tanë nuk është shkencë, por objek i shkencës, diçka që meriton të futet në studimet shkencore mbi ndërtimin e identitetit të njeriut të ri shqiptar nëpërmjet mitologjisë së nacionalizmit dhe komunizmit.

Pse po e godet Berisha

Nëse bëhet fjalë për reformim të Akademisë me synim ndryshimin e frymës së dijeve shqiptare në fushat që përmenda mendimi im është se shkenca shqiptare të historisë e gjuhësisë që, sikurse u përpoqa të shpjegoj, janë guri i themelit të Akademisë kanë nevojë të reformohen në paradigmat e tyre. Shkencat shqiptare të historisë e gjuhësisë kanë nevojë të çlirohen më së pari nga ideologjia nacionaliste që u ka paracaktuar paradigmat. Kjo do ta çojë atë edhe tek çlirimi nga e ashtuquajtura "albanologji". Në botë nuk ka frankollogji, gjermanologji apo anglologji. Pse? Sepse albanologjia ashtu sikurse balkanologjia e shumë "logji" të tjera janë produkt i një kohe kur perëndimi studionte këta popouj "primitivë" të cilët, sikurse ka thënë nje historian i njohur gjerman i asaj kohe, nuk ishin pjekur ende për të shkruar historinë e tyre. Kjo pikërisht pasi në vend se të bënin shkencë këtaj popuj bënin mitologji duke e përdorur historinë kundër njëri tjetrit. Shkurt historiografia jonë ka nevojë të çlirohet nga mitet e ideologjisë nacionaliste dhe të bëhet histori. E që të bëhet shkencë historike ajo ka nevojë jo vetëm të shkruajë historinë e shekullit XX ndryshe nga ç'e kanë shkruar komunistët, por edhe të dekonstruktojë mitet të tilla si ai i etnogjenezës, të shkruajë historinë e mesjetës sonë, të shkruajë historinë e Skënderbeut, të shkruajë duke nxjerë nga miti i errësirës otomane në dritën e shkencës së historisë pesë shekujt e të ashtuqujaturit pushtim otoman, të shkruajë marëdhëniet tona me fqinjët e me të tjerët, të shkruajë historinë e Lidhjes së Prizerenit atë të luftrave ballkanike e të pavarësisë etj.. E të gjitha këto të mos i bëjë me metodën e zbulimit të të vërtetavet të fundme sipas diktatit të ideollogjisë, por t'i lerë të hapura ndaj kërkimit dhe dyshimit shkencor. Dhe nëse Akademija e komunizmit për këtë jo vetëm se nuk na ka ndihmuar, por na ka futur në rrugë të shtrembër e qorre, kjo e tranzicionit, nuk ka bërë tjetër veçse ka vazhduar të shtyjë me kokëfortësi atë rrugë qorre duke vazhduar të na mbajë larguar nga shkenca. Kur opozita thotë se po bëhet tradhëti kombëtare me ndryshimin e Akademisë mendoj se kryesisht ajo kapet pikërisht tek ky kontribut nacionalist i Akademisë - fatkeqësisht duke treguar se ende, ashtu si në kohën e Hoxhës, eksponentët e saj nuk dinë të dallojë shkencën nga ideologjia e pushtetit, pa harruar se në atë opozitë ka edhe mjaft nga ata që regjimin e Enver Hoxhës e shohin në dritë pozitive. Po a janë vallë Berisha dhe partia e tij të ndërgjegjshëm për çështjet që shtrova më lart kur synojnë reformimin e Akademisë? Përjashtuar faktin se PD e Berishës ka një qëndrim tjetër për shumë figura e ngjarje të shekulit XX që komunizmi i ka zhdukur nga historia me pa të drejtë, në tërësi, për fat të keq, përsa i përket komponentes nacionaliste të ideologjisë së Enver Hoxhës ajo ndan të njëjtat paradigma në mos më keq, me opozitën. Kur them "në mos më keq" kam parasysh, nëse mund të shprehem figurativisht, se në PD mund të gjesh me tepri shumë ndër ata që e kritiikojnë Akademinë jo për ideologjizmin e shkencës me frymë nacionaliste dmth., le të themi, për glorifikimin e shqiptarëve mbi bazën e etnogjenezës iliro shqiptare por sepse këtë e kanë bërë me pakicë, sepse sipas tyre lavdia jonë në shekuj i ka rrënjët shumë më thellë, tek pellazëgët. Me ndonjë përjashtim të rrallë në njerëzit e kulturës që janë brenda apo qëndrojnë përreth PD nuk gjen studiues ndër ata që të përfaqësojnë frymën e kohës në shkenca të tilla të rëndësishme për shqiptarët si historia apo gjuhësia, arkeologjia, kritika letrare, folklori apo etnografia. Mjafton të shikosh se si "shkencëtarët" pd-istë kërkojnë të heqin mozaikun në fasadën e Muzeumit Kombëtar me pretendimin, siç ka delaruar drejtori pd-ist i Muzeumit, se ai nuk përfaqëson "thelbin shqiptar" për të kuptuar se nga shkenca e sotme këta lloj shkencëtarësh janë më larg se ilirët socialistë sepse jetojnë në epokën pellazgjike. Me këtë llogjikë të drejtorit sipas së cilës del se ai kërkon të na verë atje një mozaik që të përfaqësojë thelbin shqiptar ne duhet të zhdukim nga faqja e dheut edhe xhamijat sepse nuk shprehin thelbin e shqiptarit pellazg, por edhe kishat sepse pellazgët nuk kanë qenë të krishterë dhe tek mozaiku duhet të vemë ndonjë simbol pellazgjik që në fakt nuk ekziston siç nuk ekziston as edhe ndonjë thelb i caktuar dhe i pandryshueshëm shqiptar, pasi identiteti është një proces i vazhdueshëm historik ku bën pjesë edhe ajo çka kemi qenë nën udhëheqjen e atij mozaiku sepse përndryshe nuk do të ishim këtu ku jemi, për fatin tonë të zi. Në fakt goditja që po i vjen akademisë nga PD-ja është shumë banale për tu quajtur përpjekje për reformimin e shkencës shqiptare. Ajo ka të bëjë me faktin se Akademija përveç atij roli, le ta quajmë ideologjik, ka luajtur edhe një rol më praktik, por tejet të rëndësishëm. Ajo ka qenë, ashtu sikurse edhe lidhja e Shkrimtarëve e institucione të tjera të ngjashme, një instrument i komprometimit të inteligjencies në funksion të pushtetit. Njeriu para se të bëjë shkencë e muzikë e letërsi ka nevojë të hajë e të pijë e të ketë mundësi të mbajë familjen. Akademija, ashtu sikurse Lidhja, sikurse institute të tjera i jepte për të ngrënë kësaj inteligjencie duke siguruar bashkëpunimn e saj me pushtetin. Të hyje atje ishte një ambicie jo e vogël edhe nga pikëpamja e shpërblimit mujor, por edhe e statusit. Akademija po goditet sot në këtë konteskt, si pjesë e luftës për pushtet midis ilirëve dhe pellazgëve. Ajo është konsideruar si një institucion i krijuar nga komunistët e i mbajtur në këmbë nga pasardhësit e tyre socialistët. Pra si një strofkë për njerëzit e tyre, që, mund të luajë edhe një farë roli mbështetës për ta në opinion. Synimi i PD duket se është që nëpërmjete ristrukturimit të Akademisë të krijojë mundësinë që nga kjo strofkë të dalin ilirët dhe të hyjnë pellazgët. Dhe kjo nuk ka të bëjë fare me nevojën e ndryshimeve të rëndësishme thelbësore që duhet të kryhen në shkencat shqiptare. Kjo është thjesht luftë për pushtet dhe, nëse do ta shohim kështu, siç mendoj se është, vlen të vihet në dukje se nëse Berisha nuk e ka kuptuar se në 97 nuk e rrëzoi nga pushteti revolucioni i ilirëve bolshevikë i mbështetur nga CIA dhe monarkofashistët grekë, por pellazgët e PD me paaftësinë dhe injorancën e tyre, atëhere ne jemi të dënuar të na përsëritet historia.

Si përfundim
Është fakt se sot nuk gjen një punë serioze e me frymë të re të Akademisë apo instituteve që vijnë prej saj, por veç thellim të paradigmave të vjetra. Është po ashtu fakt se shumica e punonjësve të saj kanë gjetur aty një lloj strofke të ngrohtë që u ka krijuar ndonjë mundësi, qoftë edhe modeste, për të mbijetuar materialisht të cilën e kanë kompensuar pastaj me punë të tjera private. Është po ashtu fakt se me gjendjen e mjeruar të Universitetit Publik dhe krijimin e universiteteve private shumica e të cilëve përdorin për qëllime thjesht dhe vetëm fitimi një përzjere akademikësh të vjetër me emra të rinjsh shumica e të cilëve kanë nevojë ta fillojnë shkolln nga e para, është krijuar një kaos i paparë vlerash. Ne nuk dimë se cilët janë dijetarët më të mirë që kemi dhe cilët janë surrogatët, cilët sjellin frymën e kohës dhe cilët janë të super të vjetëruar. Kjo edhe për arësyen pse shpesh ajo që përcakton vlerat e tyre janë afiliacionet politike dhe jo meritat të cilat, në këtë peridhë, janë ngatërruar edhe më shumë për shkak të aftësive të disave për të blerë e shitur influenca e poste e merita gjithashtu. Në këto kushte çështja duhet shtruar duke u nisur nga një nevojë shumë më e thjeshtë: Çfarë duhet të bëjmë ne që të kemi shkencë historike e gjuhësie të vërtetë e studime arkeologjike e folklorike, etnografike të vërteta? Çfarë duhet të bëjmë që të kemi edhe ne studiuesit tanë seriozë të letrësisë sonë të vjetër dhe të re? Vetëm duke u nisur nga kërkesa të tilla të thjeshta, por edhe fondamentale, do të mund të gjejmë mënyrat më efikase për të ristrukturuar institucione të tilla. Dhe që të bëhet sa më mirë kjo mendoj se shumëçka duhet filluar nga e para me thjeshtësi dhe modesti duke patur parasysh sa dëmet që i ka sjellë Akademija shkencës së vërtetë nga njëra anë dhe rrezikun e zëvendësimit të ilirëve me pellazgët nga ana tjetër, pra edhe nevojën e ndryshmit të strukturave dhe të frymës nacional komuniste që ato kanë trashëguar, por edhe, e mbi të gjitha, kërkimin e njerëzve me frymë të re që t'i shërbejnë dijeve e shkencës dhe jo pushteteve politike të njërës apo tjetrës parti. (Korrieri, 15 janar 2008)


Read More......

Thursday, January 10, 2008

Mbi polemikën Baze - RD

Kam ndjekur me vëmendje të veçantë polemikën e gazetës së partisë në pushtet RD ndaj gazetarit të njohur si mbështetës i PD Mero Baze, pasi ky sulmoi kryeministrin Berisha duke e akuzuar as më shumë as më pak si mbrojtës të korrupsionit të njerëzve të tij. Kam ndjekur edhe kundërpërgjigjet e Bazes i cili e nisi këtë polemikë pas fjalës së Kryeministrit në fund të vitit 2007 ku, mes tjerash, deklaroi se shumë kritika i vinin qeverisë pasi pronarët e mediave kërkonin të merrnin tendera që qeveria nuk ua jepte pasi nuk i meritonin, duke përfshirë në këtë akuzë edhe gazetën Tema të Bazes.
Mendoj se ajo plemikë meriton të merret shumë më gjatë në analizë dhe shumë më thellë nga ç'duket se po e merr shtypi ynë, pasi ngërthen në vetvete disa probleme të rëndësishme që kanë të bëjnë jo vetëm me raportin e pushtetit tonë të katërt me pushtetet e tjera, por edhe me krejt atë që po ndodh në vend pas ardhjes së PD në pushtet. Nëpërmjet asaj polemike shoh probleme tashmë të strukturuara si probleme prej kohësh, të instaluar në trupin tonë shoqëror si sëmundje kronike, që bëhen edhe më dramatike kur kemi parasysh se, sikurse tregon polemika, ato po i thellon tashmë partia që e mori pushtetin pikërisht me premtimin se do t'i zgjidhte.
Pa pretenduar një trajtim shterrues le të ngacmoj disa nga problemet kryesore që shoh në atë polemikë e në komentet për të.Problemi i parë që meriton të diskutohet është se Baze, i cili ka kredibilitetin e njeriut që ka qenë afër PD, aq sa mund të thuhet se e ka të lidhur fatin e tij me atë të PD, zbulon se i gjithpushtetëshmi Berisha, ai që ishte garanti i luftës kundër korrupsionit, nuk është, ashtu sikurse mendohet dhe gjykohet nga shumë, i gjithëpushtetshëm, por, përkundrazi, shumë i dobët pasi qeveria e tij është shndërruar në disa miniqeveri, le ti quajmë feude, ku sejcili feudal mjel "sisën" e tij të "lopës publike", kurse Berisha është i pafuqishëm të veprojë kundër tyre sepse, përndryshe, ata e rrëzojnë nga pushteti dhe Berisha pushtetin e do më shumë sesa të mirën publike. Nuk mund të mos të të kujtohet nga përshkrimi i Bazes paraardhësi i Berishës, Nano dhe sistemi i tij i instaluar i korrupsionit. "Mjeshtëria" e tij më e madhe ka qenë pikërisht mbajtja e ekuilibrit midis feudalëve të vegjël e të mëdhenj, midis të cilëve edhe kryefeudali i Tiranës Rama, për t'i lënë ata dhe njerëzit rreth tyre të mjelin lopën publike me sa më pak zhurmë dhe me sa më shumë efikasitet; sigurisht edhe duke kërkuar pjesën e tij që duhet të ishte llokma më e madhe. Baze nuk e shtyn akuzën e tij për Berishën deri këtu. Ai edhe insinuon, por edhe tërhiqet njëkohësisht duke vazhduar të ushqejë mitin se Kryeministri është i vetmi garant i ndershmërisë në politikën shqiptare. Pavarësisht kësaj një gjë del qartë nga polemika: sistemi i ndërtuar nga Nano për të mjelë lopën publike ka dalë më i fortë sesa Berisha që premtoi ta ndryshonte atë. Ky është një problem që meriton të debatohet gjatë sepse gjithnjë e më shumë po del në pah se një sistem i ndërtuar nga një mori faktorësh e aktorësh nuk mund të ndryshohet nga një njeri i vetëm, pasi ai është më i fortë se çdo njeri i vetëm, dhe se akuzat kundër personave të veçantë shpesh nuk janë gjë tjetër veçse mbrojtja më e mirë që i bëhet vetë sistemit. Së dyti meriton të analizohet ajo klithmë që lëshuan shumë ndaj Bazes: "Po tani o i mjerë, ku do të shkosh!" Kuptimi ishte i qartë. "Opozita nuk të duron dot, tani të goditën dhe të tutë. Nga do t'ia mbash?" Në fakt të mos kesh simpatinë e të dy palëve në pushtet ose të të godasin të dy palët që kanë qenë ose janë në pushtet, sepse nuk vlerëson asnjërën prej tyre, dhe i kritikon të dyja, kjo do të ishte gjendja më e mirë për një gazetar jo vetëm sepse tregon pavarësinë e tij nga pushtetet politike, por edhe sepse është e vërteta e shumicës së shqiptarëve. Mjafton të shohësh përqindjen e pjesëmarësve në votimev. Dhe jo vetëm, ka shumë nga ata që kanë votuar duke zgjedhur të keqen më të vogël, pra që gjithsesi nuk është se i duan të dy palët. Pra ky do të ishte pozicioni më i vërtetë për një gazetar, madje edhe më fitimprurësi nga pikpamja e tregut të shtypit sikur ky të ishte vërtet i lirë. Megjithatë nuk është kështu. Klithma ndaj Bazes shpreh një të vërtetë të rëndësishme: se nuk është e lehtë të ekzistojë në Shqipëri një shtyp që godet të dy palët mu pse të dy palët kanë monopolizuar përveç shumëçkaje edhe mediat. Kasta e politikës ka krijuar edhe kastën e gazetarëve të ndarë në dy palë. Hapësirat për të tjerët vijnë duke u ngushtuar megjithë pretendimin e Berishës se liria e shtypit ka bërë përpara. Problemi që shtrohet duke ndjekur polemikën është: si i bëhet që të rritet dhe jo të zvogëlohet hapësira e pushtetit të vërtetë të katërt që do të thotë të rritet edhe kredibiliteti i pushteti të katërt. Në gjendjen që kemi sot të dy palët e kanë shumë kolloj të diskreditojnë kritikët ndaj tyre: nuk je kredibël sepse je me kundërshtarin jo pse thua të vërtetën. Nuk ka gjendje më komode për të dy palët. Baze u identifikua me Braçen duke u hedhur në rradhët e armikut dhe problemi u zgjidh. Sepse midis nesh dhe armikut nuk ekziston asgjë, je në tokën e askujt. Një tjetër problem i vjetër e i ri që nxorri në pah mënyra se si u godit Baze nga PD-ja dhe organi i saj ishte një stil i njohur tashmë i pushtetarëve tanë i goditjes së gazetarëve kritikë ndaj tyre. Në vend se të merren me ato për të cilat i akuzojnë ata "strehoen" në motivet e "e ulta" që e kanë shtyrë autorin t'i thotë ato, deri dhe në biografinë e tij. "Nuk ka marrë tendera, kërcënon për të marrë tendera, kërkon edhe më shumë nga ç'ka marrë, ka bërë pazare me kundërshtarët" këto qenë disa nga akuzat që i erdhën Bazes nga RD-ja për të bindur publikun për pavërtetësinë e akuzave të tija. Kuptohet, gjetja e këtyre shkaqeve të ulta bëhet për të ulur kredibilitetin e atij që i thotë. Jemi përsëri në një sëmundje të njohur e të vjetër të marrëdhënieve të pushtetarëve tanë me kritikën. Sepse faktet e thëna mbeten fakte, pavarësisht nga ajo se kush i thotë dhe pse i thotë, dhe vetëm përgënjeshtrimi bindshëm i fakteve të thëna është arma më e mirë për ta diskredituar një kundërshtar që shpif. Kurse, sikurse ka tregaur historia e deritanishme, futja në kundërakuza të tilla veçse e thellon hendekun midis së vërtetës dhe pushtetit. Kjo mënyrë reagimi është historia e njohur e atij politikani që sa më shumë qëndron në pushtet aq më shumë bëhet autoreferencial duke humbur gjithnjë e më shumë kontaktin me të vërtetën. Duke rritur, për kompnesim arrogancën ndaj kritikëve të tij si mjet për të vërtetuar se e vërteta është me të ai, në fakt, nuk bën tjetër veçse ul edhe më kredibilitetin e tij. Sepse, sikurse thuhet, përgjithësisht pushteti dhe e vërteta rrallë herë koincidojnë, kurse tek ne deri tani e kemi të vështirë të besojmë se kanë koinciduar ndonjëherë. Por problemi kryesor që vazhdon të gjallojë në vendin tonë, e që e nxerr në pah edhe një herë me forcë polemika në fjalë është ai se megjithëse Sollaku iku dhe erdhi me bujë një prokurore e re e angazhaur për luftën kundër krimit e korrupsionit, ne prap vazhdojmë të vuajmë mungesën e një sistemi drejtësie që do të hynte si arbitër i paanshëm në konfliktet midis pushtetit të katërt dhe pushtetit të parë, apo edhe në konflikte të tjera të ngjashme si ai midis mazhorancës dhe opozitës. Akuzat që ngre Baze ndaj Berishës dhe të tijve dhe kundërakuzat që ngre Berisha dhe të tijtë kundër Bazes nuk janë gjëra të lehta. Në thelb janë të njëjtat me akuzat që ngre opozita kundër mazhorancës dhe mazhoranca kundër opiozitës. Në çdo vend sadopak serioz e vërtet demokratik, publiku, i cili sipas këtyre akuzave është i dëmtuari kryesor, ka të drejtën të sqarohet dhe jo vetëm, por ka të drejtën të kërkojë vërtetimin dhe ndëshkimin e fajtorëve qoftë ky Baze qoftë Barisha dhe të tijtë qoftë të dy palët. Kurse kësisoj mungesa e sistemit të drejtësisë zhvefteson gjithshka - edhe vetë ekzistencën e fjalës së lirë.
Kur e pyeten Çurçillin se çdo te thoshte ai sikur qeveria e tij të ishte korruptuar ai u përgjegj: "Do të pyes si është drejtësia. Nëse më thonë se drejtësia është në rregull atëher do të thoja: nuk ka problem, liria dhe demokracia do të funksionojnë." (Korrieri, 10 janar 2008)

Read More......

Saturday, January 5, 2008

Urim për kolegët gazetarë

Ai që ka zgjedhur të bëjë punën e gazetarit e di më mirë se kushdo si si ky punëtor i informacionit dhe mendimit është në kërkim të vazhdueshëm temash për t'i trajtuar në shtyp apo media. Mendja e tij duhet të sillet pareshtur 360 gradë, si një radar, në gjurmim të ngjarjeve më të rëndësishme, por edhe të ideve të reja.
Në këtë kërkim të vazhdueshëm më duket se ka dy momente kur, duam s'duam, ndalojmë pak më gjatë për të zgjedhur se çfarë do të shkruajmë, duke e ndërprerë, ndoshta, edhe ndjekjen kronologjike të ngjarjeve më të rëndësishme. Është momenti i zgjedhjes së shkrimit të fundit të vitit të vjetër dhe ai i zgjedhjes së shkrimit të parë të fillimit të vitit të ri. Personalisht nuk i kam dhënë dhe nuk i jap ndonjë rëndësi të veçantë festave të kapërcyellit të fundvitit të vjetër e të nisjes së vitit të ri. Në jetën dhe punën time individuale nuk gjej arësye ta konsideroj këtë moment si një stacion të jetës sime pas të cilit do të fillojë një etapë e re. Hesapet me veteveten i bëj çdo ditë të vitit dhe synoj të ndryshoj për mirë në çdo ditë të vitit. Edhe pushimet preferoj t'i zgjedh vetë, kur ndjehem i lodhur apo i dehur nga intensiteti i ngjarjeve që më rrethojnë. Megjithatë…
Megjithatë nuk mund ta mohoj se si njeri që ka detyrimin të komunikojë vazhdimisht me të tjerët, do s'do, këto ditë të imponohen edhe nëpërmjet të tjerëve: atyre që tradicionalisht tashmë i përjetojnë këto ditë si një moment ndalimi, pauze. Me Krishtlindjet besimtarët rrinë e mendojmë ca më shumë për atë se Zoti u bë njeri, për të gjetur Zotin tek sejcili nga ne. Por edhe jo besimtarët ftohen të bëjnë të njëjtën gjë në mënyrë simbolike sepse, sikurse thuhet, edhe nëse nuk na ka bërë Zoti jemi bërë prej Zoti. Me dhuratat që u bëjmë njerëzve më të dashur kërkojmë të shprehim ndjenjën e komunikimit me të tjerët, të shkëmbimit të afeksionit për të cilin kemi aq nevojë si qënie shoqërore, për të kujtuar se jeta nuk është vetëm marrje, por edhe dhënie. Me mbarimin e vitit të vjetër bëjmë bilancin e punës njëvjeçare dhe urimet për të riun. Kështu bëjnë edhe pushtetarët. Kështu bëjnë edhe gazetarët.

Tek e fundit kjo periudhë festash, sëbashku me pushimet, sikur krijon një distancë nga komentet e gjërave të përditëshme, nga rëndomësia e përditëshmërisë sonë. Shkrimin e fundvitit është hera e dytë që personalisht e mbyll me një shkrim për fëmijët. Shkrimin e parë të këtij fillimivitit dua ta formuloj në formë urimi dhe shpresoj ta vazhdoj këtë në vitet e arshme që do të vijnë. Në këto ditë, edhe tek ata më pesimistët, ndër të cilët fatkeqësisht bëj pjesë, bëhet më e fortë kërkesa për fillimin e vitit me një urim. Tek e fundit një urim është edhe një rikujtim që i bëjmë vetes dhe të tjerëve se nuk jemi të kënaqur me atë që kemi qenë; se presim që në vitin e ri të bëjmë më mirë e të jemi më mirë. Një urim pra mund të shihet edhe si një formë më e dashur e të bërit analizë e kritikë - puna kjo e përditshme e gazetarit.
Duke kërkuar, pra, urimin më të mirë që mund të bëjë një gazetar për vitin e ri, tek e fundit, mendja më shkoi se do të ishte gjëja më e arsyeshme që ky urim t'u drejtohej kolegëve gazetarë. Dhe, duke kërkuar një urim për kolegët, nuk gjeta fjalë më të mira sesa të citoj Hegelin i cili thotë: "Leximi i shtypit të përditshëm është lutja e përditshme e njeriut modern."
Lutja, ndryshe nga ç'përfytyrohet, nuk është thjesht një kërkesë që besimtari i drejton Zotit. Ajo është një komunikim. Njeriu në lutje nuk i drejtohet një Zoti që dëgjon e nuk flet. Përkundrazi, lutja është një ndërshkëmbim me Zotin. Njeriu nëpërmjet lutjes ballafaqon veten me vlerat që e bëjnë atë qënie shoqërore, ato vlera që e lidhin me komunitetin apo shoqërinë e që për besimtarët i sintetizon Zoti. "Çfarë është e shenjta? Ajo që bashkon shumë shpirtra." - thotë Gëtja.
Ja pra sa i rëndësishëm është roli i gazetarit. Ai është - apo më mirë të them duhet të jetë - udhëheqësi shpirtëror i njeriut modern, i atij që edhe kur nuk beson tek Zoti beson tek Njeriu. Leximi i shtypit të përditshëm si lutje është një komunikim, një ndërshkëmbim vlerash nga ato që e bëjnë njeriun qënie shoqërore. Gazetari është ai që i përfaqëson ato, që flet në emër të tyre. Ky prift modern duhet t'i tregojë lexuesit e dëgjuesit të tij rrugën e së vërtetës e cila shpesh herë është një rrugë e vështirë sa mund të thuhet se kalon mbi tehun e një brisku.
Nëse do ta vazhdoja metaforën hegeliane duke ia përshtatur kontekstit shqiptar do të thoja se urimi im për ata që kanë zgjedhur të jenë udhëheqës shpirtërorë të njeriut modern do të përqendrohej në dy kërkesa: Së pari që pushteti shpirtëror i tyre të jetë i ndarë nga pushteti tokësor i politikanëve. Së dyti, që Zoti i tyre të mos jetë Lopa prej Floriri që filluan të nderojnë çifutët në shkretëtirë të lodhur nga pritja e Moisiut, por zoti i së vërtetës, ai i vlerave shpirtërore dhe jo materiale.
Urimi i parë lidhet me atë se problemi më i madh që ka sot vendi është pikërisht mungesa e atij pushteti shpirtëror që qëndron i pavarur nga pushteti "tokësor" i politikanëve e që duhet t'i ballafaqojë këta me vlerat që kanë për detyrë t'i kultivojnë e që janë ato që e bëjnë njeriun qënie shoqërore. Sot në Shqipëri mund të kesh kuptim si individ nëse je me njërën palë kundër palës tjetër nëse ose nëse pozicioni yt i intereson një pale kundër palës tjetër. Përndryshe je kërrkushi. Për fat të të keq gazetarët që duhet të ishin kampionët e pavarësie të pushtetit shpirtëror ndaj pushtetit tokësor të politikanëve, ata që duhet ta bënin kërkushin gjithkushi, japin shembullin më të keq.
Urimi i dytë lidhet me atë se shpesh media jonë bën bash të kundërtën e asaj që quhet ushqim shpirtëror. Pjesa më e madhe e medias sonë, nga varfëria shpirëtore e intelektuale dhe nga adhurimi i Lopës prej Floriri (parasë) në vend se t'i japin lexuesit dhe shikuesit të tyre dinjitet dhe personalitet e transformojnë atë në pjesëtarin pa zë e pa fytyrë të një turme anonimësh? Ato e bëjnë këtë punë të mbrapshtë jo vetëm duke i transformuar problemet politike dhe morale komplekse që ka vëndi në mënyrën më sempliste ashtu që t'u shërbejnë njërës palë apo tjetrës, por edhe në forma të tjera që s'lidhen direkt me politikën. Ato e bëjnë këtë edhe duke përdorur një gjuhë të varfër dhe vulgare; edhe duke i veshur ngjarje e personazhe me virtute e vlera të rreme; edhe edhe duke bërë kësisoj "kitsch" çdo gjë që e prekin me dorë: luftrat, vdekjen, dashurinë, intimitetin." - siç thotë shkrimtari izraelit David Grossman. Edhe tragjeditë njerëzore si ajo që kemi kaluar nën 45 vjet diktaturë do të shtoja unë. Kjo lloj gazetarie, duke e shndrruar individin në një anonim tek e fundit nuk bën tjetër veçse e zhvesh atë nga përgjegjësia ndaj të tjerëve, për pasojat e veprimeve apo mosveprimeve të tij. Dhe shpesh këtë punë zhveshjeje nga përgjegjësia gazetari ynë e bën duke u sjellë vetë pa përgjegjësi duke u zhveshur vetë, duke krijuar përreth nesh një atmosferë prostitucioni shpirtëror dhe emotiv. Bash e kundërta e punës së një udhëheqësi shpirtëror të kohëve moderne.
Prandaj urimi im për kolegët gazetarë është që sejcili në këtë vit të ri, kur të shkruajë një shkrim apo të përgatisë një gazetë, të mendojë për një moment më gjatë për thënien e Hegelit "Leximi i shtypit të përditshëm është lutja e përditëshme e njeriut modern." (Korrieri, 5 janar)

Read More......