Monday, April 28, 2008

Ku po na çon marrëveshja PD - PS

Në shtyp po komentohet shumë marrëveshja Berisha - Rama ose PD - PS kundër partive të vogla, "të tretëve", që u vu në jetë kryesisht nëpërmjet dy ndryshimesh të rëndësishme në ligji. I pari është ligji zgjedhor i cili nga mazhoritar i përzjerë me proporcional kalon në proporcional rajonal. I dyti është ndryshimi i ligjit kushtetues që zgjedh presidentin i cili kalon nga zgjedhja me 3/5 në zgjedhjen me mazhoritar të thjeshtë.
Le të marim t'i analizojmë këto ndryshime se çfarë përfaqësojnë në raport me vështirësitë që kanë paraqitur ligjet paraardhëse, për të kuptuar më mirë se nga çfarë qëllimesh janë nisur ndryshuesit e tij dhe ku mund të na çojnë ndryshimet.
Normalsht një ndryshim ligji kryhet kur lehtëson apo zgjidh një vështirësi të krijuar nga ligji paraardhës që prek interesin e të gjithëve apo plotëson një mangësi. Çfarë problemi kemi pasur ne me ligjin për zgjedhjet? Problemi kryesor ka qenë se duke shfrytëzuar ligjin paraardhës forcat politike kanë shtrembëruar përfaqësueshmërinë e drejtë për shkak të fenomenit të Dushkut që ka nxjerrë në Parlament parti pa elektorat, që kanë marrë votat e partive të mëdha pastaj kanë tradhëtuar këto parti për interesa të liderve. Këtyre u duhet shtuar edhe fenomenin demokristian dmth. i deputetëve që pasi kanë marr vota nga elektorati i një partie të madhe shkëputen perj tyre e krijojnë parti parlamentare për të shantazhuar mazhorancën apo edhe opozitën. Gjithkush i ka konsideruar këto anomali që duhet të korrigjohen në emër të moralitetit të politikës dhe përfaqsueshmërisë së drejtë. Por a synon ky ndryshim zgjedhor këtë korrigjim? Së pari duhet thënë se më shumë sesa problem i ligjit ky fenomen ka qenë problem i moralitetit të politikanëve tanë dhe i mungesës së lidhjeve reale parti elektorat sepse me parti që nuk pranojnë ta përdorin elektoratit si turmë të telekomanduar votuesish dhe me elektorat që e ndëshkon partinë e vet kur kjo, pasi i merr votën majtas, shkon e futet në qeveri djathtas, ky fenomen nuk do të ndodhte edhe me ligjin paraardhës zgjedhor. Nëse ligji i ri do të synonte korrigjimin e problemit të përfaqsueshmërisë së drejtë, me synimin që çdo parti të merrte aq sa i takon, korrigjimi më i drejtë do të ishte proporcionali në nivel kombëtar duke vënë një prag le të themi prej 3-4 përqind. Kjo do të ishte e nevojëshme që shqiptarët edhe të mos paguanin parti kot, edhe të mund të shprehnin diversitetin e zgjedhjeve të tyre, por mbi të gjitha të kishin hapësira lirie zgjedhjeje përtej darës së krijuar nga dy partitë. Kurse proporcionali rajonal, kështu siç është bërë, përsëri e deformon përfaqsueshmërinë sepse ai e ngre pragun për partitë e vogla deri në 15% duke bërë që gjithë votat nën këto shifra të shkojnë për dy partitë e mëdha. Me këtë sistem kalojmë nga mundësia për dushk në një dush(k) të detyruar. A kishte vendi nevojë për këtë reduktim apo kishin më shumë këto dy parti? Sipas mendimi tim kjo është dukshëm në përfitim të dy partive dhe jo të vendit. Sepse vendi, megjithë shumësinë e partive, të fenomenti dushk e demokristian nuke ka vuajtur më shumë nga këto sesa nga diktati i mazhorancave që kanë ardhur duke qeverisur gjithnjë e më keq dhe, për të ndëshkuar ato, ka qenë e dobishme edhe ekzistenca e partive të tjera më të vogla që në momente të caktuara janë ndarë prej tyre. Ndërsa ky ligji e shton rrezikun e diktatit të mazhorancës dhe të pashkulshmërisë së tyre nga pushteti. Dhe, tek e fundit, nuk i pengon fenomenet e imoralitetit në politikë të tipit dushk apo demokristian sepse këto dy parti po tregojnë me këtë ndryshim të dhunshëm dhe të pamoralshëm ligji të njëjtin moral që ka bërë dushkun dhe fenomenin demokristian.
Së dyti kemi problemin e Presidentit. Le të nisemi edhe një herë nga problematika që ka pasur vendi lidhur me institucione si ai i Presidentit. Problematika kryesore që ka pasur vendi, sëbashku me diktatin e mazhorancës dhe kontrollin prej saj të institucioneve, ndër ta edhe të Presidentit, ka qenë mungesa e arbitrit midis dy forcave kryesore konfliktuese, mungesa e institucioneve të tilla që do të mund të zbusnin do të kundërballanconin pushtetin e dy partive të mëdha; që do të vendosnin për të drejtën në rastin e konflikteve midis tyre apo të akuzave që ato i bëjnë njëra tjetrës. Zgjedhja e presidenti ashtu siç ishte qe vërtet e vështirë, paraqiste rrezikun e destabilizimit të vendit nëpërmjet zgjedhjesh pa fund, por impononte zgjedhjen e një figure më të moderuar e të pranueshme nga palët. Dhe duke patur parasysh edhe faktin se nga ky president sot varen institucione të tjera shumë të rëndësishme për ekuilibrimin e pushteti të partive si Këshilli i Lartë i Drejtësisë, Prokuroria, SHIK një president i zgjedhur me mazhorancë të thjeshtë e bën edhe më të vështirë ekzistencën e institucioneve të pavarura nga pushteti i partive aq të nevojshëm për vendin.
Është përsëri mëse e qartë se edhe kjo zgjedhje nuk bëhet duke patur parasysh problemet e vendit dhe interesat e tij, por interesat e pushteti të dy partive dhe liderve të tyre.
Për më tepër vendosja e këtyre dy ndryshimeve së bashku tregon edhe më qartë se, në thelbin e vet, këto dy ndryshime janë bërë me synim monoplozimin e pushtetit nga dy partitë e mëdha. Vendi me këtë zgjedhje rrezikon më shumë nga ç'ka rrezikuar deri më sot të vuajë diktatin e mazhorancës dhe, po ashtu, të mbesë viktimë e dy partive sepse këto dy parti, nëse nuk do të mbeten të vetme, do të bëhen kështu më të pakontrollueshme nga partitë e tjera më të vogla, nga mundësia e lindjes së forcave të reja politike dhe nga institucione të tjera garantuese të demokracisë. Mungesa e dukshme e hetimeve për Gërdecin dhe në përgjithësi mungesa e luftës kundër korrupsionit të penguar deri dje, sipas Berishës, për shkak të Sollakut, ndërkohë që tani po kemi një kryeprokuror që jep shenjat se nuk ndryshon asfare nga Sollaku përsa i përket nënshtrimit ndaj pushtetit të dy partive, janë shenjat më të dukshme se këtu kemi të bëjmë me një marrëveshje që ka në prapaskenë bashkëfajësinë dhe mbrojtjen e njëra tjetrës.
Por duke e parë këtë marrëveshje në një nivel pak më të thellë do të thoja se kjo është një marëveshje që ka ekzistuar prej kohësh. Është e kotë të fshihemi pas gishtit. Ka shumë vjet tashmë që këto parti nuk tregojnë ndonjë diferencë kulturore apo iedeologjike dhe as në moral. Ka shumë vjet që këto parti u drejtohen shqiptarëve vetëm me pretendimin se mund t'i përfaqësojnë më mirë interesat e tyre sesa kundërshtari. Ka kaq kohë që flasin vetëm për reforma standart, për mungesë të majte dhe të djathte. Nëse do të flasim për diferenca midis tyre këto kryesisht i përkasin historisë. PD lindi si një parti antikomuniste që denoncoi të kaluarën e PS dhe nxorri një kategori të re politikanësh që la pa punë shumë ish komunistë. Në fakt Berisha në vitet 1992 - 1997 nuk luftoi të mbrojoë pluralizmin dhe demokracinë në Shqipëri. Ai tentoi praktikisht ta zhdukë opozitën. Kjo rezistoi sepse Berisha bëri shumë gabime më së pari, sepse kishin mbetur shumë ishkomunistë që nuk pranonin tu përbaltej Lufta Nac - Çl së dyti dhe sepse njerëzit e PD zaptuan thuajse tërë administratën duke lënë pa punë shumë njerëz të socialistëve.
Sot këto diferenca vijnë gjithnjë e më shumë duke u zbehur. Historia komuniste apo antikomuniste e dy partive nuk i intereson shumicës aq më tepër që të dyja palët e kanë pasur të rrejshme këtë retorikë. Mjafton të kesh parasysh faktin se partia antikomuniste ka ende në krye një ish komunist fanatik kurse ajo ish komuniste ka në krye një individ që e ka filluar aktivitetin e tij politik me parrullat e ekstremistit antikomunist. Përsa u përket gabimeve të dy palët janë zhytur tashmë në aq shumë mëkate sa që e bëjnë të pakthyeshme për mirë karrierën e liderve kryesorë që kanë prej kohësh një pabesueshmëri në rritje në popoull. E vetmja diferencë që mbetet është ajo e interesave të përkundërta të militantëve dhe të oligarkëve që mbështesin njërën parti apo tjetrën. Por edhe këto janë zbutur mjaft tashmë sepse gjatë këtyre vjetëve të fundit ato kanë ndarë pushtetet (lokal dhe qendror) sepse shumë oligarkë kanë bërë kujdes t'i sponsorizojnë të dyja palët dhe sepse politikanët kryesorë të të dy palëve kanë krijuar tashmë pasurinë e tyre dhe më shumë synojnë t'i sigurojnë e mbrojnë ato ngase shumica janë vënë me korrupsion. Dhe rreziku i vetëm që ua kërcënon është kundërshtari politik. Ja një arësye më shumë pse duhet marrëveshja. Ja dhe një arsye më shumë pse duhen hequr qafe ambiciet e partive të vogla apo duhet evituar ekzistenca e institucioneve të pakontrolluara nga pushteti i tyre. Kësisoj e ardhmja duket drejt një kapitalizmi autoritar të tipit Putin ku s'përjashtohet edhe mbetja nesër e një partie të vetme të madhe që siguron 70 - 80 përqind të votave. Realisht ne jemi në një gjendje të tillë përsa i përket përfaqsueshmërisë së partive politike. Është gjendja jone e pluralizmit partiak që nuk i përgjigjet këtij realiteti, i cili ende na ofron parti "të tepërta". Ndoshta edhe fakti se ndryshe nga në Rusi, ajo që mund ta hedhë shumë shpejt në erë këtë ëndërr të keqe të putinëve tanë është fakti se ekonomija e ngritur nga oligarkët tanë është shumë e brishtë, shumë aventureske dhe spekulative për të hedhur themele të qëndrueshme të një kapitalizmi autoritar. (Korrieri, 24 prill 2008)

Read More......

Monday, April 21, 2008

Del Ponte dhe shtypi shqiptar

Disa komente mbi librin e Del Pontes "Ndjekja: unë dhe kriminelët e luftës" dhe reagimin ndaj tij në shtypin shqiptar.

I intriguar nga shtypi shqiptar dhe nga disa reagime të tilla si deklaratat e fundit të ndonjë deputeti se po përgatisin padi për Del Ponten shkova të marr e të lexoj librin e Del Pontes që nuk se është i ndaluar, siç thoshte në mënyrë disinformuese News 24 para disa ditësh, por qarkullon i lirë në libraritë italiane. (Në fakt Del Pontes shteti Zviceran i ka ndaluar të marrë pjesë në promovimin e tij në Milano për shkak se, në petkun e përfaqësues së këtij shteti, si ambasadore, mund të krijonte reagime.)
Për hir të respektit ndaj së vërtetës para së gjithash, të drejtësisë më së dyti, të lexuesit shqiptar më së treti, por edhe të kësaj gruaje për të cilën, pasi mbarova librin, ndjeva respekt, mendoj se duhen bërë disa komente dhe sqarime për atë se si manipulohet publiku ynë nga gazetarë e politikanë shqiptarë, të cilët në emër të një vulgariteti nacionalist dhe për më tepër të rrejshëm, as nuk arrijnë, në syverbësinë e tyre, të kuptojnë se nga gjithë kjo zhurmë që duan të ngrenë në vend së të na venë vetulla, po na nxjerrin edhe sytë.
Duke lexuar komentet mbi autoren në Shqipëri sheh se ato përçojnë idenë se paskemi të bëjmë me një grua që paska humbur mendjen, qenka marrosur për shkaqe që nuk dihen, e prandaj i duhet ndalur hovi. Por në fakt nuk ndalin hovin e saj, por të shqiptarëve që të mendojnë e të kërkojnë të vërtetën.
Së pari duhet thënë se libri nuk ka autor vetëm Del Ponten, por edhe gazetarin e New York Times, Chuck Sudetic, libri i të cilit "Gjak dhe Hakmarrje" (Penguin 1998), që flet për masakrat në Bosnje, është përfshirë në librat më të rëndësishmë nga New York Times dhe është cilësuar si libri i vitit nga "The Economist" dhe "Washington Post". Kjo për të qetësuar sadopak histerinë kundër marrëzisë së Del Pontes.
Së dyti duhet thënë se libri nuk mbulon vetëm Kosovën, por është i ndarë në 12 kapituj ku përshkruhen përpjekjet e prokurores për të provuar fajësinë e kriminelëve të luftës në shumë vende të botës ndër të tjera edhe ato ballkanike si Serbia, Kroacia, Kosova e ku tregohet një paanësi e pamëshirëshme ndaj të gjthëve. E komenti i parë që mund të bëhet lidhur me këtë aspekt të librit dhe shtypin shqiptar është se ndërkohë që ne kemi qenë të prirur t'i pranojmë krimet e të tjerëve, madje duke e glorifikuar Del Ponten, kemi një refuzim total dhe krejt iracional kur këto na atribuohen edhe neve. E kuptueshme kjo nga një pikpamje naive nacionaliste. Ne Beograd tregon autorja, njerëzit që demostronin kundër i ulërisnin "kurvë!". Por jo kur bëhet fjalë për gazetarët. Atyre nuk u falet të harrojmë se vijmë të gjithë nga e njëjta histori dhe e njëjta kulturë. (Pa harruar se janë po ata që sapo kanë përshkruar me hollësi se si ne hodhëm në erë në Gërdec viktima të pafajëshme gra e fëmijë, për pesë grosh të qelbura).
Urrejtja ndëretnike gjeneron luftë dhe lufta gjeneron vrasje dhe krime që shtrihen edhe kundër të pafajshmëve. Nga ky realitet tragjik nuk mund të përjshtohet asnjë komb. Historia e ka provuar këtë. Prandaj duhet të hiqen syzet e nacionalizmit përballë realitetesh të tilla. Veçanërisht nga gazetarët kërkohet kjo, por edhe nga ata politikanë që shohin drejtë Evropës së ardhme dhe jo prapa drejt Holokausteve dhe Gulageve.

Së treti, libri në tërësinë e tij flet për një të vërtetë shumë tragjike: atë se drejtësia dhe pushteti politik shpesh nuk shkojnë së bashku, përkundrazi i zenë rrugën njëra tjetrës. Iibri i Del Pontes është një akuzë për të fuqishmit e kësaj bote që, në emër interesash politike, kanë sakrifikuar drejtësinë. Del Ponte flet për një "mur gome" të ngritur nga të pushtetshëm të ndryshëm të kësaj bote kur ajo u është drejtuar për t'u kërkuar ndihmë. Tregon për George Tenet i cili disa herë i ka premtuar ndihmë, dmth. se CIA do ta ndihmojë në hetimet e saj, por, më në fund, i ka thënë troç se nuk i intereson fare shqetësimi i saj. Del Ponte po ashtu ka akuzuar edhe Prodin e Dalemën për mbrojtje indirekt të kriminelëve serbë, gjithë në emër të të njëjtave interesa politike. E përsërit një qëndrimi të tillë edhe kur flet për takimin e saj me presidentin e Ruandës Kagame. Këtë e bën edhe ndaj UNMIK-ut kur flet për Hajradinaj, Thaçin, Çekun, Limajn etj. Mos të harojmë se janë po këtë interesa që mbron Tenet që një herë e kanë armatosur një diktator si Sadam Hysejni dhe herë tjetër e kanë varur si kriminel, që Arafatin një herë e kanë cilësuar terrorist pastaj e kanë pritur me nderime. Del Ponte thotë: mua këto interesa nuk më interesojnë, si prokurore më intereson drejtësia. Këtu mund të hapet një diskutim ndoshta edhe mjaft i thellë, për raportin e politikës me drejtësinë, apo për atë se sa mund të funksionojë normalisht një gjykatë ndërkombëtare kur ajo ka kundër interesa kombëtare, por duhet edhe të lexojmë me vëmendje atë që i ka mësuar asaj përvoja: se impuniteti i politikanëve që bëjnë krime, - impunitet për të cilin ajo flet aq shumë, - do të gjenerojë krime të tjera e, po ashtu, se vetëdija se ekziston një gjykatë krimesh, një drejtësi përtej pushtetit të tyre, ka penguar shumë nga këta njerëz, që kanë arrogancën të thonë në vendin e tyre se "ligji e drejtësia janë ata vetë", të kryejnë krime të tjera.

Por le të vijmë tek kapitulli i Kosovës që, si shqiptarë, na prek më së afërmi.
"Dhuna, frika dhe varfëria u mbyllin gojën dëshmitarëve" Me këto fjalë fillon kapitulli për Kosovën Shtypi shqiptar i paraqet publikut të vet vetëm historinë e trafikimit të organeve duke e manipuluar pabesueshmërinë e një akuze të tillë si një provë të marrosjes së Del Pontes. Por akuza e Del Pontes ndaj Thaçit, Hajradinaj, Limajt etj. në thelbin e vet është shumë më e gjerë. Zyra e saj ka marrë raporte të shumta për aktivitetin e këtyre personave dhe grupimeve që komandonin ata - në vitet 1998 - 1999 dhe veçanërish pas bombardimeve të NATOS - se kanë rrëmbyer serb, romë, shqiptarë, ndër ta edhe gra, të cilët janë mbajtur në kushte çnjerëzove robërie në burgje të improvizuara, janë torturuar, përdhunuar, vrarë dhe se ka një numër jo të vogël të zhdukurish, ndër të cilët edhe shumë shqiptarë kosovarë që, sipas raporteve që i vijnë Del Pontes, janë ndër ata që UÇK i konsideronte tradhëtarë apo jo mbështetës të saj. Ajo akuzon ndërkombëtarët, e mbi të gjitha UNMIK ,se nuk e kanë lejuar dhe as ndihmuar, përkundrazi e kanë penguar, të thellojë hetimet e saj në këtë drejtim pasi njerëz si Hajradinaj kishin shumë fuqi në Kosovë dhe se, sipas llogjikës së tyre, dëmi që mund të sillte në rajon dënimi i tyre ishte i madh sepse mund t'u destabilizonin rajonin. Ndërkaq në libër ajo sjell prova të shumta se këta dhe njerëzit e tyre kanë frikësuar dhe vrarë dëshmitarë për t'i shpëtuar ndëshkimit nga drejtësia. Gjer këtu besoj se nuk çuditet askush. Janë gjëra që i dimë me kohë si këtej edhe andej kufirit. Dhe për më tepër në libër ajo sjell edhe pohimin e Thaçit i cili ia ka pohuar se ka shqiptarë që kanë bërë krime, por se ata nuk kanë qenë të UÇK, por "civilë të veshur me uniformat e UÇK". Këto krime janë justifikuar apo mbajtur në heshtje në emër të "çështjes së Kosovës" apo "çështjes kombëtare", ndonëse Del Ponte thotë se "nuk ka pasur asgjë fisnike apo heroike në këto krime." e ngulmon se mosdënimi i tyre mund të jetë burim luftrash të reja.
Tani le të vijmë tek shtëpia e verdhë në Mat për të cilën flitet në libër se janë bërë heqje organesh për trafikim dhe për barakën prapa saj ku mbaheshin viktimat. Nuk mohoet se kjo është më spektakolarja nga pikpamja mediatike. Por në libër ajo nuk ka peshën që i kanë dhënë mediat - edhe ato ndërkombëtare. E lexova dy herë se, të them të drejtën, edhe mua më duket e pabesueshme. Më rezulton se Del Ponte nuk ka bërë asgjë që del jashtë detyrës normale të një prokurori. Thotë se sipas burimesh që identifikohen si gazetarë ka ardhur ky informacion. Se dy nga burimet deklarojnë se janë marrë edhe me varrosjen e këtyre viktimave kurse njëri me transportin e një organi. Kaq është e mjaftueshme që një prokuror të fillojë hetimet. Sepse zyra e saj ka të dhëna për serbë, rom, shqiptarë etj. të zhdukur që nuk gjenden e që kërkohen nga familjarët e tyre pasi nuk u gjinden as varret. Si prokurore asaj i duhet ta hetojë edhe këtë mundësi. Dhe, kur flasim për hetime, nuk bëhet fjalë sikur këto i zhvillon Del Ponte. Del Ponte iu referohet gjithmonë atyre që i quan "hetuesit e prokurorisë" që janë marrë me grumbullime provash e faktesh. Dhe provat për këtë rast ajo i quan "të pamjaftueshme" ndonëse nuk e fsheh zemërimin që nuk ka mundur t'i shkojë deri në fund kësaj historie. Këtë ia shton, sëbashku me dyshimin, edhe vetë prokurori që shteti shqiptar u ka dhënë si shoqërues hetuesve kur u thotë këtyre: "këtu nuk ka varre serbe, por nëse kanë sjellë serb këtej kufirit dhe i kanë vrarë mirë kanë bërë." (faqe 298)
Libri i Del Pontes duhet lexuar nga të gjithë ballkanasit. Veçanërisht nga ata që mendojnë se populli i tyre është i vetmi popull i mirë dhe i drejtë i Ballkanit. Ai është një kontribut i madh për paqen dhe të drejtat e njeriut kudo në botë, pasi është një përballje kurajoze e të drejtës me krimin i cili bëhet edhe më i rrezikshëm në luftë, kur vishet me arogancën e pushtetit apo me fjalën atdhe.
Kush ulërin sot për atë se na paska prishur imazhin e ftoj të kujtojë atë kohë kur ne ishim të izoluar me tela me gjemba nga një bandë kriminale si ajo e Enver Hoxhës dhe kërkonim me aq ngulm nga perëndimorët të vinin t'i zbulonin e denonconin këtë krime sepse ishim të pafuqishëm të çliroheshim vetë. (Situatë që e kemi provuar edhe në demokraci më duket). Në fakt zbulimi e denoncimi i tyre nuk prish imazhin e popujve, por prish imazhin që pushtete të korruptuar apo vrastarë duan të mbajnë në emër interesash që janë e kundërta e interesave të qytetarëve të tyre. Kush përballë këtyre fjalëve do të më verë fjalën "atdhe" do t'i përgjigjesha me fjalët e Durrenmarttit: "Mbi të gjitha dysho tek atdheu, sepse askush nuk është më i prirur për t'u bërë vrasës se atdheu." (Korrieri, 19 prill 2008)

Read More......

Tuesday, April 15, 2008

Përgjigje një lexuesi mbi "ushtar Berishën"

Ndaj shkrimit tim "Gjeneral Berisha i rrethuar…" ka pasur disa komente që meritojnë përgjigje në emër të zhvillimit dhe qartësimit të ideve që kam shprehur mbi situatën që po kalojmë. Ato më kryesoret janë të përmbledhura në një koment që i bën shkrimit një lexues/e me emrin apo pseudonimin Eni në blogun (www.perpjekja.blogspot.com) që po e jap të plotë:

" Duke lexuar këtë artikull, më erdhi në mend një debat televiziv i para shumë muajve ku Mustafa Nano dhe Fatos Lubonja "u grindën" ca si ashpër nëse është Berisha apo "shteti i kapur" burimi i të këqijave për Shqipërinë. Zoti Lubonja atëherë mendonte që s'duhet t'i jepnim kaq shumë peshë ndikimit të një individi të vetëm, ndaj çuditem ca sot (megjithëse pozitivisht) që ai ka filluar ta pranojë që roli (ose rolet) që Berisha ka luajtuar gjatë 1992-2008 nuk mund të lihet jashtë ekuacionit. 

Në shkencë, një metodë shumë e përhapur për të zgjidhur probleme është ajo që quhet "trial-and-error" (provo dhe gabo). Nëse ke një problem, provo nje zgjidhje, nëse gabon, provo një zgjidhje tjetër, e kështu me rradhë, derisa të gjesh zgjidhjen e duhur. Për mendimin tim, karriera politike e Berishës në këto vite mund të përkufizohet si një seri e pafundme "trial-and-error" eksperimentesh në kurriz të demokracisë dhe popullit shqiptar. Berisha çdo disfatë e ka shikuar vetëm si një zgjidhje që nuk ka funksionuar, dhe ka vazhduar në aplikimin e një varianti të ri. Ose, duke përdorur metaforën e këtij shkrimi, sa herë që Gjeneral Berisha ka humbur një betejë, ai më pas është veshur si ushtar me një uniformë të re e flamur të ri, të cilin e ka tundur derisa është ribërë gjeneral. Ju keni të drejtë (megjithëse ca me vonesë, po më mirë vonë se kurrë), nuk ka pasur ndonjëherë një Ushtar Berisha të çiltër. Ka pasur vetëm një kamaleon që gjatë gjithë jetës së tij, ka ndërruar lëkura pa fund, gjithnjë duke projektuar në sipërfaqe atë çka të tjerët donin të shihnin. 

Si të shpëtojmë Ushtar Berishën që militanti i shkrimit ëndërron? Shumë thjesht. Të fillojmë me përmbysjen e çdo kulti individi si shpëtues i kombit. Të ndërtojmë një shoqëri ku çdokush është thjesht një "Ushtar i Panjohur" që lufton aq gjatë derisa humbet një betejë, dhe më pas ua lë vendin ushtarëve të tjerë. Dhe Gjenerali i vetëm të cilit i binden të gjithë, gjithmonë, është vetëm një, LIGJI." Eni

Znj/Z Eni,
Për saktësi, në debatin e përmendur me Mustafa Nanon çështja nuk është shtruar se cili është "burimi i të këqijave", por se cili është rreziku më i madh apo e keqja më i madhe për momentin: autoritarizmi i Berishës, siç pretendohej nga Nano, apo shteti i kapur. Edhe në shkrimet pas Gërdecit edhe në atë të fundit të komentur prej jush, unë ngulmoj përsëri në idenë se e keqja më e madhe është shteti i kapur - e jo Berisha apo cilido individ qoftë. Sipas meje vendi ynë, si në kohën e atij debati edhe tani, ka nevojë pikë së pari për heqjen e pushtetit nga duart e delijorgjëve (oligarkëve) dhe vendosjen e autoritetit të shtetit, kurse ata që e reduktojnë çështjen tek Berisha, pa e përmendur sistemin e shtetit të kapur, në thelb i bëjnë një shërbim këtij sistemi. Me fjalë të tjera faktin që Delijorgji e ndërtoi fabrikën në Gërdec në kohën e Berishës e konsideroj vetëm si një nga shfaqjet - sigurisht ndër më tragjiket - të një fenomeni të kondicionuar prej kohësh nga sistemi i shtetit të kapur. Nuk kam asnjë të dhënë që të më bëjë të mendoj se Delijorgji nuk do të mund ta merrte lejen nga eksponentët socialistë Nano, Majko, Meta, Rama etj., përkundrazi kemi prova se ai e ka filluar grabitjen e pronës publike me ta dhe se delijorgjët (në shumës) kanë lulëzuar në kohën e socialistëve të 1997 - 2005. Mbetet ideja, e pretenduar nga ndonjë, se socialistët, megjithatë, dinin t'i bënin gjërat duke i "kopsitur" më mirë. Edhe unë e kam shprehur idenë se Berisha do të bënte mirë të mos tentonte ta ngiste makinën e korrupsionit sepse nuk do të ishte i aftë ta ngiste ashtu si socialistët, sëbashku me frikën se demokratët, duke qenë më të babëzitur nga agjërimi i gjatë, do të lëshoheshin më paturpësisht dhe më papërgjegjshmërisht. Megjithatë sot nuk di të them nëse Gërdeci është tregues i kësaj paaftësie kombinur me babëzi më të madhe të demokratëve apo rezultat i daljes gjithnjë e më jashtë kontrollit të makinës. Gjithsesi, duke iu kthyer të kaluarës, mund të them se në vitet e fundit të qeverisjes socialiste arrita në përfundimin se kjo makinë po bëhej gjithnjë e më e rrezikshme dhe çështja numër një ishte shkatërrimi i saj, dhe jo gjetja e marifeteve për ngarjen e saj të mëtejshme.
Në vitin 2005 Berisha më fort dhe Meta ca më pak ishin ata që premtuan ta shkatërronin atë makinë duke përmendur edhe emra e duke denoncuar edhe afera. Unë, në rolin e gazetarit dhe qytetarit e mbështeta fitoren e tyre ndaj PS. Në komentin tuaj ju i denonconi premtimet e Berishës si kamaleontizëm duke më akuzuar se nuk e paskam kuptuar këtë apo se e paskam kuptuar vonë. E vërteta është shumë më komplekse. Personalisht mund të them se e kam mbështetur disa herë "kamaleontin" e veshur me "uniformën" dhe me flamurin e antikorrupsionit që na është paraqitur me fytyra dhe emra të ndryshme. E kam mbështetur tek fytyra e Nanos kur nisi luftën kundër Metës dhe të tijve në emër të katarsisit atëhere kur denoncoi këta për korrupsion dhe si të lidhur me trafikantë gjithfarësoj. E kam mbështetur nën fytyrën e Ramës kur ky denoncoi masakrën urbane të kryebashkiakëve demokratë dhe premtoi planin urbanistik e kthimin në identitet. E kam mbështetur kur u shfaq me fytyrën e Metës që krijoi LSI në emër të ndarjes nga një parti super të korruptiuarish. E kam mbështetur me fytyrën e Berishës kur ky denonconte baronët e krimit dhe premtonte të kthente autoritetin e shtetit.
Dë të isha hipokrit nëse do të thoja se, kur i kam mbështetur, nuk e kam ditur se kjo kategori nuk e ka për gjë t'i ndezë një qiri Djallit sapo që Zoti u del kundër interesave të tyre. Sigurisht nuk kam qenë aq naiv. Mbështetja ka qenë gjithnjë e më me skepticizëm e duke bërë gjithnjë e më të qartë se ishin parimet që mbështesja jo personin, gjithë duke qenë i bindur se pala që ata akuzonin nuk meritonte më mbështetje. Kjo ka qenë e vetmja mundësi zgjedhjeje politike që na është dhënë - nëse me politikë do të konsiderojmë artin e së mundurës. Ka dy forma për të gjykuar fjalët dhe punët e mira. Njëra, sipas së cilës e mirë është vetëm një gjë që niset nga qëllime të mira; tjetra, se mund të bësh mirë edhe duke u nisur nga qëllime të këqija - sipas asaj thënies "rruga për në Parajsë kalon nëpërmjet Ferrit." Personalisht bëj pjesë ndër ata që besojnë fort në të parën, por në pamundësi të gjetjes së qëllimmirëve, veçanërisht kur gjykoj politikanët, i referohem ndonjëherë edhe të dytës. Në këtë kontekst kam besuar edhe në një mekanizëm të ngjashëm me atë atë "provo dhe gabo" që përmendni ju, të bazuar në faktin se në më të shpeshtën politikanët janë hipokritë, e bëjnë gjithshka në emër të pushteti të tyre por, për të kapur e ruajtur këtë pushtet, ata, gjithsesi, përqafojnë një frymë të kohës. E duke qenë se fryma e kohës, ajo që u jep votën, të paktën që nga koha kur ra autoritarizmi i Berishës më 1997 dhe u ngrit rreziku i sistemit të korrupsionit, ka qenë lufta kundër këtij të fundit, kam menduar se ata që e morën votën nga kjo frymë gjithsesi diçka do të bënin e ndoshta kështu do të hidhnim një hap të vockël përpara. Dhe pikërisht për mbajtjen gjallë të presionit të kësaj fryme të kohës kam ngulmuar që nuk duhej folur aq për të keqen e individëve sesa për të keqen e fenomenit që ata përfaqësojnë. Mendoj se nëse është bërë pak ose aspak kundër kësaj të keqeje një nga arësyet ka qenë pikërisht reduktimi i politikës në luftë kundër personave dhe jo në luftë kundër fenomeneve që pjellin të keqen. Kësisoj për hir të së vërtetës, mund të them se kam shumë dyshime nëse kemi hedhur ndonjë hap të vockël përpara apo jo me këtë metodë, se "e mira" e rrugës së dytë për mua ka dalë gjithnjë e keqe. Koha apo "prova", siç e quani ju, tregoi se Nano erdhi në pushtet dhe bëri një korrupsion galopant. Rama erdhi në pushtet dhe e thelloi masakrën urbane të Tiranës, Berisha me Gërdecin sikur provoi përfundimisht se ky sistem po forcohet dhe nuk po dëbësohet me këtë klasë politike. Kjo sepse, në rastin më të mirë, edhe sikur ta kenë siqerisht, ata bijen në rrethin vicioz se për të luftuar korrupsionin u duhet të marrin pushtetin dhe për të marrë pushtetin u duhet të korruptohen dhe, në rastin më të keq, - siç duket se është më shumë ky i yni - sepse ata nuk kanë asnjë ideal, asnjë vizion, asnjë qëllim të sinqertë, por i hyjnë politikës pikërisht me idenë që të na mashtrojnë për përfitime banale. Duhet ta pohoj se në rastin e Berishës kam menduar se ky bënte pjesë ndër ata që gjakimin për pushtet e lavdi e kishte më të fortë sesa atë për para (çka nuk mund ta them për Nanon psh.) e se, në kontekstin në fjalë, këto gjakime mund të viheshin në "provë" në luftën antikorrupsion. Por "prova" tregoi se ai zgjodhi rrugën më të shkurtër për kënaqjen e gjakimeve të tij: kalërimin e sistemit të korrupsionit, pa mohuar faktin se ai apo familjarët e tij, nuk përjshtohen nga tundimi i parave aq më tepër në një shoqëri ku statusi që të jep paraja ka mbetur e vetmja vlerë. Por kjo provë provoi gjithashtu tezën time se rreziku më i madhe mbetet sistemi dhe jo Berisha apo cilido qoftë. Ngulmoj në idenë se, në fakt, këta individë, ndonëse duken kaq të fuqishëm, nuk janë tjetër veçse kukulla në duart e sistemit, sepse, pa këtë sistem, ata nuk mund të qëndrojnë dot asnjë minutë në pushtet.
E këtu vijmë tek pyetja e fundit që shtroni duke i dhënë edhe përgjigjen: Si të shpëtojmë "ushtar Berishën" dmth. shpresën tonë për një ndryshim të këtij sistemi: "Të fillojmë me përmbysjen e çdo kulti individi si shpëtues i kombit. Të ndërtojmë një shoqëri ku çdokush është thjesht një "Ushtar i Panjohur" që lufton aq gjatë derisa humbet një betejë, dhe më pas ua lë vendin ushtarëve të tjerë. Dhe Gjenerali i vetëm të cilit i binden të gjithë, gjithmonë, është vetëm një, LIGJI." Përgjigjes suaj nuk i heq asnjë presje. Kur e mbylla shkrimin me pikëpyetjen se kush do ta shpëtojë "ushtar Berishën" jo se nuk e mendova një përgjigje. Madje edhe e shkrova me frazën: "Të zgjojmë e mobilizojmë ushtarin qytetar brenda nesh." Por pastaj e hoqa. Pse? Sepse mu duk shumë patetike. Së pari sepse kjo përgjigje është implicite në shkrim, nuk ka nevojë ta thuash. Së dyti, sepse e kam thënë aq e aq herë sa më duket banale, për më tepër duke parë se e thonë edhe horrat përditë. Së treti, sepse realisht nuk e gjej situatën e kthimit të "gërdecarit" në "qytetar" brenda nesh. Kjo sepse, sikurse thotë Hannah Arendt, "Çdo strukturë politike karakterizohet nga fakti se gjeneron pushtet (fuqi); kurse uria, varfëria dhe analfabetrizmi gjenerojnë pafuqi." E shqiptarët, të zhytur në një varfëri dhe injorancë të frikëshme, i shoh krejt të pafuqishëm përballë strukturave politike - mediatike - financiare që ka ngritur sistemi i korrupsionit. Mjaft të shihje se ku dhe si punonin gërdecarët. Së fundi, e hoqa sepse, siç duket se bini dakort edhe ju, mendoj se nuk mund të mohoet roli i individëve në histori. E këtu nuk mund të mos i referohem edhe një herë një ideje të Havelit kur komenton pyetjen nëse është e vërtetë se çdo popull ka qeverinë që meriton apo jo. Sipas Havelit kjo është vetëm gjysma e së vërtetës. Politikanët - thotë ai - janë vërtet pasqyrë e popullit që i ka zgjedhur, por edhe populli është pasqyrë e politikanëve të vet. Nëse politikanët janë të virtytshëm ata zgjedhin të promovojnë virtytet e popullit të tyre, me fjalë të tjera njerëzit me vlera e ndershmëri. Të pavirtytshmit priren të zgjedhin të ngjashmit e tyre. Prandaj mund të thuhet edhe se populli është pasqyrë e virtyteve apo veseve të politikanëve të vet. Fakti që deri tani poltikanët tanë kanë zgjedhur delijorgjët nuk duhet të na heqë shpresën që ne, sigurisht duke zgjuar e fuqizuar qytetarin brenda nesh, do të nxjerrim një ditë politikanë që do të promovojnë virtytin dhe jo vesin në shoqërinë tonë. (Korrieri, 14 prill 2007)

Read More......

Thursday, April 10, 2008

Gjeneral Berisha i rrethuar Ose kush do ta shpëtojë ushtar Berishën

Duke folur para disa kohësh me një militant demokrat nga ata për të cilët rëndom themi se mendojnë bardh e zi, që e shohin, pra, të keqen vetëm nga ana e kundërshtarit e të mirën në krahun e vet; e që ishte një nga ata që besonte sinqerisht dhe pa interes - të paktën në kohën kur fliste me mua - se Berisha e kishte seriozisht e sinqerisht luftën kundër korrupsionin, më bëri përshkrimin e një Berishe të rrethuar.
"Ai është i rethuar nga institucione të kapura nga krimi - më tha. Në momentin kur don të sulmojë prokurorin (kupto Sollakun) që ka qenë një nga mbrojtësit kryesorë të krimit, atë e sheh të sulmuar menjëherë nga prapa: Presidenti më një anë (në atë kohë Moisiu), opozita më anë tjetër, shumica e mediave gjithashtu. Në momentin kur ai sulmon mediat e përdorura nga pronarët (kujto sulmet per Top Channel) atë e sulmojnë përsëri thuajse të tërë aktorët insitucionalë me akuzën se po shtyp lirinë e fjalës dhe informacionit. Në momentin kur kërkon të formalizojë biznesin përsëri gjendet i kundërsulmuar nga të gjitha forcat e shumta të ekonomisë informale të lidhura me opozitën. Por edhe brenda partisë së tij ai është i rrethuar nga shumica që nuk e shohin partinë veçse si instrument për përfitimet e tyre personale. Ata që e sulmojnë si rrezik autoritarizmi - vazhdoi - e ngatërrojnë me Berishën e periudhës së tij të parë të viteve 92- 97, por ai është tjetër sot, është i rrethuar."
Duke e futur në analizë këtë intuicion të tij nuk mund të mos i jepje të drejtë kur thoshte se s'kishim të bënim me Berishën e fuqishëm politikisht të viteve 92-97- tës për mëse një arësye; së pari, atëhere ai kishte një një mbështetje të lartë popullore pasi kishte ardhur në pushtet me 70% të votave; së dyti, kishte një opozitë shumë të dobët; së treti, mundësinë e kontrollit të shtetit me SHIK e polici; së katërti, kishte në duart e tij median kryesore TVSH (në mungesë të mediave private); së pesti, kishte pushtet ekonomik (në mungesë të një pushteti ekonomik të zhviluar). Kurse Berishës së 2005-sës i mungonin të tëra këto për të mos thënë se shumicën e këtyre faktorëve e kishte kundër. Ai kishte kundër shumicën e mediave private; shumicën e bizneseve që janë të llidhur me PS; një opozitë shumë të fortë e cila nuk është thjeshtë opozitë, por ka pushtetin lokal në kryeqytet. Kishte kundër prokurorinë, Presidentin, Këshillin e Lartë të Drejtësisë.
Militanti ngulmonte pra të thoshte pra, se për Berishën e posa riadhur në pushtet mund të thuhej gjithshka duke patur parasysh periudhën e tij të parë: se ishte autoritar, personalizues institucionesh e më the të thashë, por se ishte i pakorruptueshëm. Një miti ky i fortë që shumëkend e bënte të mendonte se edhe në pozicionin e një komandanti ushtrie të rrethuar nga ushtritë armike, madje edhe nga ajo e vetja, ai mund të triumfonte. Shumë kanë besuar në këtë mit, madje edhe opozita vetë, e cila, kur ka ngulmuar se ishte e gatshme të priste me durim katër vjetët me një kryeministër tjetër të PD, por jo me Berishën, kuptohej qartë se hallin e kishte mu tek antikorrupsioni i Berishës, sepse vetëm atij i trembej tek PD-ja se mund t'i hapte me gjithë mend dosjet e socialistëve të korruptuar?
Çmund të thuhet sot pas tre vjetësh, veçanërisht pas Gërdecit? Sot nuk mund të thuash më se Berisha ka kundër Presidentin, Kryeprokurorin, apo Këshillin e Lartë të Drejtësisë, madje as shumicën e mediave private: as se ka kundër shumicën e bizneseve. Madje edhe me opozitën duket se i ka punët në vijë. E megjithatë, sot ai është më i dobët se kurrë ndonjëherë për të luftuar korrupsionin, për të mos thënë se Gërdeci i dha një goditje fatale. Paradoksalisht, ai është kaq i dobët pikërisht sepse është kaq i fortë. Në fakt gjeneral Berisha është kaq i dobët, ndonse është çliruar nga rrethimi i shumicës së armiqve të sipërpërmendur, sepse nuk ka më me vete ushtar Berishën dhe dobësia e tij vjen pikërisht sepse, për tu "çliruar" nga rrethimi, i është dashur të sakrifikojë ushtar Berishën. Po cili është ky ushtar Berisha? Ushtar Berisha në fakt është një fantazëm që nuk e dimë nëse ka ekzistuar ndonjëherë me të vërtetë. Është ndoshta pikërisht ai që gjeneral Berisha kërkoi të imitonte më 1992 kur, pasi u zgjodh president, vendosi të qëndronte në shtëpinë e tij të thjeshtë në vend se të shkonte në vilën presidenciale. Ndoshta është ajo hija e edukimit komunist që shumë i ka bërë të besojnë se këta komunistët të gjitha të këqijat mund t'i kenë, por robër të lekut megjithatë nuk janë. Në fakt ushtar Berisha është ai që adhuronte militanti kur ma përshkoi Berishën të rrethuar. Ushtar Berisha është ai që mbante gjallë atë pjesë të opinionit që ende shpresonte, apo që gjakonte të shpresonte, se ai mund të ndëshkonte të korruptuarit dhe ta fuste politikën në hulli të ndershmërisë. Ushtar Berisha ishte ai që mbante gjallë shpresën e njerëzve për pastrimin e shtetit nga mashtruesit e vjedhësit. Në fakt i rrethuari i vërtetë sot është ushtar Berisha ose më saktë kjo shpresë që kishin njerëzit tek njeriu që i vunë emrin Berisha. Kurse gjeneral Berisha ose Berisha real është pjesë e rrethimit të egër kundër tij. Sot, kur të gjithë protagonistët e kësaj klase politike janë pjesë e rrethimit, çështja shtrohet më dramatike se kurrë se kush do ta shpëtojë ushtar Berishën.

Read More......

Monday, April 7, 2008

Gërdeci dhe opozita

Në një nga takimet e tij të këtyre ditëve të fundit me banorët e Gërdecit kryetari i PS Edi Rama, duke u folur atyre në emër të opozitës u tha: “ne” (kupto Partia Socialiste) dhe “njerëzit tanë sipërmarrës”do të bëjmë çmos për të lehtësuar tragjedinë që ju ka rënë.
Më bën përshtypje se si kjo deklaratë e Ramës nuk u morr si duhet në analizën kritike nga shtypi. Në fakt, është për të ardhur keq që, në përgjithësi, trajtimi i Gërdecit po bëhet në mënyrë sempliste me njerëz të ndarë në dy kampe. Janë më një anë të akuzuarit, dhe më anën tjetër akuzuesit, kryesinë e të cilëve e mori shpejt e shpejt opozita. Ndërkohë, sipas gjykimit tim, të shprehur edhe në shkrime paraardhëse, Gërdeci nuk do të ishte një tragjedi aq e madhe sikur të bëhej fjalë për një aksident sado i rëndë, madje as edhe për veprën korruptive të një partie në pushtet, sikur opozitën ta kishim të shëndoshë e të mirë. Madje, madje nuk do të ishte përsëri një tragjedi e madhe sikur të ishte thjesht vepër e politikës. Gërdeci ishte një tragjedi që nxorri zbuluar tërë sistemin politik dhe ekonomik që kemi ngritur, llojin e shtetit që kemi ndërtuar, vendin dhe shoqërinë që kemi ndërtuar dhe sistemin e vlerave që kemi ndërtuar. Janë me qindra njerëzit që vdesin gjatë një viti nga ky sistem në spitalet tona, për shkak të rrugëve tona, të ndotjes së ambjentit, të pasigurisë në punë në shumë sektorë etj., ashtu sikurse janë të panumërt ata të cilëve u shkurtohet jeta apo u ulet dita ditës cilësia e saj, ashtu sikurse është i pallogaritshëm dëmi që po i bëhet të ardhmes së fëmijëve tanë, nga ky sistem kriminal, nëpërmjet masakrimit të burimeve tona njerëzore dhe natyrore. Gërdeci vetëm sa i ka mbledhur tërë këto tragjedi në një skenë dhe në një ditë në mënyrën me shpërthyese dhe dramatike - ashtu si një autor që zgjedh një ngjarje kuptimplote për të zbërthyer tërë plagët e një shoqërie. Prandaj dhe përgjegjës moralë dhe politikë të Gërdecit janë jo vetëm tërë strukturat shtetërore, por edhe opozita edhe mediat edhe shoqëria civile, sepse janë autorët kryesorë të ndërtimit të kësaj shoqërie me veprimet apo mosveprimet e tyre. Me këtë nuk dua të shpërndaj përgjegjësinë ligjore të atyre që janë autorët konkretë të Gërdecit, por të ve në dukje se, po nuk ndryshuam të gjithë me Gërdecin, në ndërgjegjen tonë dhe në sistemin e marrëdhënieve politiko shoqërore mediatike që kemi ndërtuar, të tjera Gërdecë, edhe më të frikshëm, mund të na ndodhin, cilido të jetë në pushtet. Pra se, tek e fundit, duhet të ndryshojë natyra e pushteti që ka përftuar Gërdecin dhe jo ai që është në krye të këtij pushteti.
Fatkeqësisht këtë e provon pikërisht deklarata e përmendur e Ramës. Ajo vërteton se kjo lloj ndjeshmërie mungon krejtësisht tek opozita. Përkundrazi ajo tregon se opozita kërkon thjesht ta instrumentalizojë Gërdecin për pushtet, se ajo veçse na ka bërë demagogji kur na ka folur për “politikën e re” që do të zevendësojë “politikën e vjetër”. Në fakt ndonëse shpesh i është kërkuar të jetë më konkret, Rama nuk ka konkretizuar thuajse asgjë lidhur me përmbajtjen e politikës së re. Me deklaratën në Gërdec zbuloi se fjala “politikë e re” nuk ndryshon nga fjala “reforma” e dalë nga goja e Berishës së fundmi. Janë fjalë boshe të fetishizuara që më tepër kërkojnë të mbulojë mungesën e ndryshimit sesa të sjellin ndryshimin. Sepse, cili ka qenë thelbi i politikës së vjetër, nga e cila Rama thotë se do të shkëputet? Thelbi i politikës së vjetër ka qenë pikërisht ajo që solli Gërdecin. Lidhjet e politikës me krimin deri në atë shkallë saqë ato nuk i ndan dot nga njëra tjetra. Ndërtimi i një shteti që ka punuar për delijorgjët. Ndërtimi i një klase politke që ka ndarë pasurinë publike me delijorgjët në kurriz të “gërdecarëve” që janë e tërë pjesa tjetër e shoqërisë.
Po ç’lidhje ka kjo me deklaratën e fundit të Ramës do të pyesë lexuesi.
Lidhja qëndron pikërisht në premtimin se “sipërmarrësit” që qënkan anëtarë të PS ose të lidhur me PS do të kontribuokan për të lehtësuar gërdecarëve plagët e traumës.
Nuk mund të mos ngrihen disa pyetje menjëherë duke u nisur nga kjo deklaratë. Së pari, cilët janë këta sipërmarrës, që ta dimë edhe ne se cilët janë biznesmenët e lidhur me PS dhe cilët janë ata të lidhur me PD. Së dyti, nëse këta janë politikanë, a ka mundësi të dimë se si janë pasuruar, apo nga i nxjerrin fitimet? Kjo sepse prej kohësh është ngritur akuza se PS nuk është një parti e majtë, se politikanët e majtë janë njerëzit më të pasur të vendit pikërisht ngase e kanë përdorur pushtetin për tu pasuruar vetë, siç po bëjnë tani edhe të djathtët e Berishës duke i shërbyer të dyja, tek e fundit, të njëjtit rrjet të ngushtë interesash. Jam i sigurtë se të gjithë ata sipërmarrës socialistë të papërmendur me emra do të ndjehen keq sikur Rama të deklarojë emrat e tyre.
Në fakt kjo deklaratë e Ramës të kujton politikën e vjetër të Nanos kur ky shkoi në Veri i shoqëruar me disa biznesmenë duke u premetuar veriorëve tu ngrinin shkolla. Dihet mirë se këto udhëtime kanë përfunduar pastaj jo me shkolla, por me tavane shkollash të rrëzuara nga shpërdorimi i tenderave për rikonstruktim. Apo me ndonjë drekë ku Nano pinte verë, nga ato që kushtojnë 300 euro shishja, pasi kishte firmosur dhënien thuajse falas këtyre biznesmenëve të një pjese të pasurisë publike, siç ishte rasti i Hotel Tiranës.
Por kjo është politika e vjetër që e ka aplikuar edhe Rama gjithashtu. Ata që e kanë ndjekur aktivitetin e tij si kryebashkiak, pa pasur interesa marrjen e ndonjë leje ndërtimi, nuk mund të harrojnë se një pjesë e mirë e pastrimevet të Lanës u bënë nga “sipërmarrës” të tillë të cilët morën nga Rama, pastaj, si shpërblim, tendera rrugësh që po ndërtohen nga katër herë apo sheshe ndërtimi nga ato që e kanë bërë masakrën urbane të Tiranës të pakthyeshme.
Pikërisht për shkak të tërë këtyre historive ne kemi shumë arësye të mendojmë se në këtë vendin tonë nuk ka lindur ende brezi i biznesmenëve filantropë që japin sipas asaj thënies së Nënë Terezës se “kënaqësia e të dhënit është më e madhe se ajo e të marrit”. Përkundrazi kemi shumë më tepër arësye të mendojmë se po veprohet, ashtu siç ka vepruar deri më sot politika e vjetër në fushata elektorale kur, për tu marrë votën njerëzve, u jepet ndonjë thërrime për tu marrë pastaj kafshatën deri edhe jetën, siç ndodhi në Gërdec.
Një shtet serioz nuk ka nevojë për filantropi, por për biznesmenë që paguajnë taksa dhe që nuk vjedhin pasurinë publike. Një parti serioze nuk mund të jetë parti e një grushti sipërmarrësish, por e një shtrese shumë më të gjerë dhe, nëse mbështetet nga sipërmarrës, këta janë të detyruar me ligj të deklarojnë kontributet e tyre.
Kurse deklarata e Ramës tregon se Gërdeci nuk i ka vlejtur socialistit Rama as edhe një fije. Së pari, nuk i ka vlejtur për të kuptuar se sistemi i lidhjeve të shkurtëra me privatin ku ky, si shpërblim i ndonjë pune “gratis”, merr njëqin fitime të paligjshme duhet të mbarojë nëse duam të ndërtojmë shtet. Nuk i ka vlejtur, po ashtu, për të kuptuar se një nga gjërat dramatike që tregoi Gërdeci edhe përsa i përket kategorisë së bisnemenëve e tregut të lirë në përgjithësi, është fakti se në këtë lloj sistemi të ngritur nga Berisha, Nano, Meta, Majko, Rama & Co vjen duke u eliminuar gjithnjë e më shumë biznesmeni i ndershëm dhe i aftë – si pasojë edhe tregu i lirë - në favor të mashtruesve dhe spekulantëve të tregut të kapur. Rama duhet të përgjigjet se si ka mundësi që një ish traktorist vetëm 30 vjeçar rezulton si një nga njerëzit më të pasur të vendit, me lidhje të ngushta me të dhe me ish kryeministra socialistë, me 30 pallate të ndërtuar, apo dhënë si leje ndertimi, vetëm në Tiranë e me tërë ata biznese të tjera. Ai dhe sivëllezërit e tij socialistë duhet të përgjigjen, sëbashku me Berishën, Mediun & Co se cilat kanë qenë arsyet që e lidhën Delijorgjin me ta, cilat kanë qenë taksat që ka paguar Delijorgji në kohën e tyre e me rradhë.
Së dyti, deklarata e Ramës tregon se Gërdeci nuk i ka vlejtur atij aspak për të ndryshuar vizionin për misionin e një partie të majtë, siç deklarohet PS që drejton ai, që duhet të jetë ai i përfaqësimit të interesave të shtresave më të brishta të shoqërisë, siç ishin edhe gërdecarët, i promovimit të barazisë së mundësive për të gjithë dhe jo ai i një partie sipërmarrësish superiorë që u jepkan lëmosha varfanjakëve me paratë që, në fakt, po ta shohësh thellë thellë, burojnë nga grabitja, shpesh e paligjëshme, e pasurisë publike që u takon të gjithëve. (Korrieri, 3 prill 2008)

Read More......