Sunday, June 22, 2008

40 vjetori i një ngjarjeje të munguar

E kam fjalën për një ngjarje që në Perëndim është aq e njohur, saqë për ta përmendur, mjafton vetëm shifra “68”. Përkujtimi i 40-vjetorit të saj këtë vit u quajt “ngjarja mediatike e vitit” në Perëndim. Kulmi i këtij përkujtimi ishte maji, sepse në këtë muaj, më 1968, ndodhën në Paris revoltat studentore që u shoqëruan me grevën më të madhe të punëtorëve në Evropën e shekullit XX, që rrëzuan De Golin. Por kjo ishte vetëm njëra nga ngjarjet e një reaksioni zinxhir që kishte përfshirë Perëndimin. Nuk kishte ditë të majit, që mediat perëndimore të mos kishin të paktën një material që të përkujtonte, analizonte dhe komentonte këtë ngjarje, që ndryshe e quajnë edhe revolucioni i 68-ës, pikërisht për ndryshimet paradigmatike që solli në jetën kulturore, sociale dhe politike perëndimore.
Duke ndjekur sadopak këto përkujtime mediatike në Perëndim, nuk mund të mos prekesh nga mungesa totale e çdo gjurme të kësaj ngjarjeje në kujtesën kolektive të shqiptarëve, që e tregoi më së miri edhe mungesa totale e përmendjes së përvjetorit të saj në mediat shqiptare. Është një mungesë që vlen të komentohet, pasi flet shumë.
Më së pari vlen të komentohet në kontekstin e asaj, se kohët e fundit, madje për ironi, pikërisht në maj, pas ftesës për në NATO, është folur aq shumë në mediat tona nga elita politike e kulturore për kthimin e shqiptarëve, më në fund, në “brigjet” e familjes evropiane, pas një lundrimi të gjatë shekullor në ujëra të turbullta. Por mungesa të tilla si ajo e 68-ës, që tashmë bën pjesë në ADN evropiane, provon edhe një herë, se ai që e kemi quajtur identiteti evropian, nuk është një gjë e dhënë një herë e përgjithmonë, - që nga koha e ilirëve për disa, që nga ajo e Skënderbeut, për disa të tjerë apo e përcaktuar nga gjeografia për akoma të tjerë, - po është një proces historik. Pra, se nuk mund të flitet për “të qenit” evropian, por për “të bërit” evropian (madje edhe për brezat e vetë perëndimorëve që lindin e rriten në kohën tonë) e se, për t’u bërë të tillë, nuk mjafton vetëm dëshira e madhe, por nevojitet hapja ndaj kulturës evropiane në kuptimin e integrimit në ndërgjegjen sonë, në kulturën tonë dhe të ngjarjeve që kanë vendosur vulë të rëndësishme në atë që sot mund ta quajmë kultura evropiane, si njohje e ideve dhe paradigmave të reja që ato kanë përçuar, ashtu që t’i konsiderojmë edhe si trashëgimi tonën edhe vlera tonat që na udhëheqin në jetë, siç konsiderojmë trashëgimi e vlera tonat shumë nga arritjet më të rëndësishme të njerëzimit.
Në këtë kontekst, nuk mund të mos vëmë në dukje se mungesa e 68-ës ndihet shumë në atë që mund ta quajmë kultura e shqiptarit të sotëm, që përcakton edhe identitetin e tij. Është një identitet i mbresuar fort nga izolimi i gjatë, i cili, në një mënyrë tjetër dhe në forma të tjera nga ato të diktaturës, vazhdon ta mbajë të izoluar kulturalisht.
Për 68-të është folur e flitet në mënyrë lirike, prozaike e kritike. Është glorifikuar nga një pjesë dhe e demonizuar nga të tjerë. Por, ashtu sikurse edhe kur flitet për Revolucionin Francez, askush nuk mohon se ishte një ngjarje që bëri histori. Dhe nëse ka një pikë ku të gjithë bashkohen në vlerësimin e 68-ës, është se ajo, për mirë apo për keq, ishte një revoltë antiautoritare.
Ishte antiautoritare, sepse në traditën e Revolucionit Francez 68-ta iu kundërvu tutelës së dyfishtë të traditës dhe të autoritetit. Të rinjtë u rebeluan ndaj autoritetit e paternalizmit të institucioneve konservatore, si familja, kisha, shkolla, duke i akuzuar, duke filluar nga prindërit, si despotë që terrorizonin pjellat e tyre.
Përgjithësisht, 68-ta konsiderohet si një trashëgimi e së majtës, por edhe brenda së majtës evropiane ajo solli një revolucion antiautoritar. Mjaft të kesh parasysh se, kur në parlamentin francez një deputet arriti të marrë votën e parlamentit për përdorimin e kontraceptivëve në grupin e Partisë Komuniste, u ngritën zëra që thanë se “nuk duhej të infektoheshin edhe të varfrit me veset e të pasurve”.
Vitet 60-të janë pikërisht vitet kur e majta e vjetër evropiane, disa vlera e së cilës njihej edhe në Shqipëri, iu desh t’ia linte vendin të majtës së re, idetë dhe veprat e së cilës mbetën thuajse të panjohura në Shqipërinë e izoluar edhe nga Lindja, edhe nga Perëndimi. Protagonistë të këtyre viteve nuk janë më klasa punëtore, ajo e grevave dhe e sindikatave që u dha nismën lëvizjeve sindikaliste dhe socialiste në fillim të shekullit 20, por të rinjtë universitarë. Lufta e klasës u zëvendësua me politika kulturore, me politikat seksuale, pastaj politikat ambientale. Lulëzimi në rrugët e Parisit të lëvizjeve trockiste, maoiste, kastriste dhe e shumë fraksioneve të tjera, që i interpretonin në mënyrën e tyre këto figura, thyen edhe monopolin e Partive Komuniste të lidhura me Moskën dhe që, në shumë aspekte, ishin konservatorë dhe paternalistë edhe ato. Pak nga pak skenën filluan ta dominojnë lëvizjet e reja që iu imponuan vëmendjes së publikut: lëvizja feministe, lëvizja ambientaliste, antiraciste, lëvizjet për të drejtat e njeriut, për të drejtat e kafshëve, lëvizjet gay. Janë vite që ngjizën ëndrrën për një epokë të re, në të cilën do të respektoheshin të drejtat e njeriut, do të pranoheshin diferencat kulturore, ku askush nuk do të lihej prapa; të një jete në harmoni me natyrën dhe në paqe me njëri-tjetrin.
Janë këto vlera që punojnë edhe sot, si fermenti për t’iu përgjigjur sfidave të kohës. Nëse sot një i zi si Obama ka shumë gjasa të bëhet presidenti i SHBA-ve, kjo i dedikohet, pa dyshim, asaj tradite të viteve 60-të.
Por le të kthehemi tek Shqipëria. Nuk dimë saktë nëse Hoxha i ndiqte ngjarjet e 68-ës dhe me sa interes. Udhëheqja e asaj kohe informohej nga një buletin që quhej “i verdhë”. Sa më i lartë funksioni në parti, aq më i trashë ishte ky buletin. Ne dimë me siguri se në ato vite Hoxha përgatiste ngritjen në apogje të kultit të autoritetit të tij. Dimë se paradoksalisht, komunistët shqiptarë që flisnin tërë ditën kundër borgjezisë kapitaliste, mbanin qëndrime në sintoni me etërit borgjezë, kundër të cilëve ishte ngritur rinia perëndimore. Sigurisht pa u identifikuar me ta, por duke e trajtuar gjithçka të asaj bote “en bloc”. Seksi, rokenrrolli, droga dhe lëvizja hippy që u përhapën kudo në Amerikë dhe prej andej në Evropë, ashtu sikurse edhe flokët e gjata, trajtoheshin në Shqipëri si shprehje të degjenerimit borgjez dhe aspak si shprehje e kësaj proteste të rinisë. Bitëlls dhe Rollingstons që ishin në fakt shprehja e fuqishme muzikore e kësaj lëvizjeje që kërkonte të përmbyste vlerat e vjetra të borgjezisë, në Shqipëri nuk lejoheshin të dëgjoheshin, duke u akuzuar si muzikë borgjeze. Askush nuk e dinte në Shqipëri se John Lenon vështrohej keq nga FBI-ja, për bindjet e tij të radikale të majta. Në Shqipëri, përkundrazi, pikërisht në ato vite, mekanizmi i luftës së klasave që Hoxha e përdorte si instrument pushteti dhe eliminimi, - sepse, nëse kishte vend ku s’mund të flitej më për ekzistencë klasash, pasi këto qenë shumëzuar të gjitha me zero, kjo ishte Shqipëria - u fut edhe në gjirin e partisë. Me goditjen e liberalizmit në vitet në vazhdim, Hoxha i dha goditjen përfundimtare eliminuese brezit të ri. Poetët tanë kombëtarë filluan t’u këndojnë gjithnjë e më shumë “baballarëve”, “shqiponjave që fluturojnë lart”, të cilët mburreshin se ndryshe nga të gjithë vendet e botës, në Shqipërinë e tyre nuk ekzistonte ndonjë konflikt brezash, përkundrazi, rinia shqiptare ishte më e lumtura në botë nën udhëheqjen e tyre të pagabueshme. Nuk dimë të themi nëse kishte apo nuk kishte lidhje me 68-ën në Perëndim ky reaksion i “baballarëve” shqiptarë, por me siguri mund të themi se në thelbin e vet ky ishte një anti-68 në emër të kultit të autoritetit.
Sot, pas dyzet vjetësh, veçanërisht pas rënies së murit të Berlinit, mund të thuhet se shqiptarët njohin jo pak nga idetë e 68-ës. Por vetëm sipërfaqësisht dhe, për fat të keq, më shumë se me gjithçka ata janë në kontakt me atë që sot konsiderohet trashëgimia më e keqe dhe e paparashikuar e 68-ës. Sot bëhet kritika se parullat e 68-ës “jeto pa kohë dhe shijo pa fund”, “merri dëshirat e tua për realitet”, që, në atë kontekst, ishin libertare, sepse ishin kundër ndrydhjeve që vinin nga autoritetet, u shndërruan nga kapitalizmi në reklama për të nxitur konsumizmin pa fre; se teoricientë e hedonizmit të 68-ës pa dashje i hapën rrugën kapitalizmit më agresiv, pasi firmat e mëdha i morën aksiomat e tyre dhe i shndërruan në reklama konsumi. Në fakt, ku jetohet pa kohë dhe shijohet pa fund më shumë sesa në hapësirat e tregut të sotëm real dhe virtual, ku sistemi kapitalist kujdeset të na kënaqë çdo oreks, duke na shndërruar në blerës frenetikë, në fakt në robër të tij, duke na bërë të harrojmë se jeta nuk mund të jetë thjeshtë ky iluzion, por se ajo njeh edhe pengesa edhe sakrifica dhe kënaqësi pune dhe njohjeje mbi të gjitha. E në këtë aspekt, mund të thuhet se shqiptarët pa e ditur, por thjesht për efekt imitimi, janë bij të 68-ës. Por kurrsesi nuk mund të thuhet se 68-ta ka hyrë në ADN e shqiptarit, sepse ajo që na mungon dëshpërimisht është shpirti i 68-ës që, sikurse e thashë, konsiston në antiautoritarizmin e tij. Nuk duhet shumë për të konstatuar se sa konservatorë dhe se sa oportunistë janë shqiptarët ndaj vlerave dhe autoriteteve të njohura dhe pranuara nga shumica. Nuk duhet shumë për të konstatuar se si kulti i autoritetit, i të parit, i kryetarit të familjes apo të klanit vazhdon të mbisundojë i parrezikuar nga ndonjë rebelim në shoqërinë shqiptare. Sesi të rinjtë në vend se të kenë shpirtin e të qenit ndryshe nga etërit në emër të krijimtarisë, lirisë, personalitetit të tyre priren t’i imitojnë “vlerat” e etërve që, më së shumti, janë vese të trashëguara brez pas brezi. Nuk duhet shumë për të konstatuar se lëvizjet feministe apo lëvizjet gay, që në thelb thyejnë autoritetin e traditave të vjetra, janë thuajse krejtësisht munguese në Shqipërinë e sotme.
Duke analizuar këtë diferencë, mund të thuhet se antiautoritarizmi nuk mësohet dot racionalisht. Të rinjtë e 68-ës në Perëndim, kur u erdhi radha të bëhen prindër, refuzuan të sillen me fëmijët e tyre ashtu siç ishin sjellë etërit e tyre me ta, duke u imponuar rregulla shtrënguese e arbitrare. Sepse e kishin përjetuar thellë, me veprime dhe emocione të forta revoltën e tyre, prandaj u sollën ndryshe, sikur të ishin vëllezër dhe motra më të mëdhenj në moshë dhe jo si shtypës autoritarë vullnetesh. “Fjala të mëson, shembulli të udhëheq”, thotë një fjalë e urtë. Lufta kundër autoritarizmit mësohet duke e bërë atë luftë, mundësisht përditë, duke filluar që në familje e duke u bërë shembull për këtë. Nuk do shumë për të parë se sa shumë mungon ky shembull në Shqipëri. Mjafton të shikosh sesi sillen “të rinjtë” tanë sapo vihen në krye të një grupi sado të vogël. Në vend që të thyejnë rregullat e vjetra autoritare, i forcojnë ato në emër të autoritarizmit të tyre. Por për këtë nuk duhen akuzuar ata. Nëse një fëmijë gabon, ai është vetëm përgjysmë fajtor, sepse gjysma tjetër e fajit bie mbi prindërit.
Thënë të gjitha këto mbi 68-ën në Perëndim dhe Shqipërinë dje dhe sot, problemi mbetet: shoqëria shqiptare ka dëshpërimisht nevojë për një revoltë rinore antiautoritare kundër sundimit të një brezi thellësisht konservator, tradicional dhe autoritar e për më tepër i korruptuar, çka e shtrëngon të mbahet edhe më fort tek pushteti i tij autoritar. Kjo revoltë e munguar deri më sot, që shpresojmë të vijë një ditë, ndoshta do ta bënte të aftë edhe të kuptonte më mirë kuptimin e 68-ës, duke e integruar atë, më në fund, në ndërgjegjen e kulturën e vet. (Korrieri, 21 qershor 2008)


Monday, June 16, 2008

A do ta gjejë Rama me Berishën kabllin kinez


"44 leje të reja ndërtimi në Tiranë"
Hapa gazetat të lexoj se për çfarë bëhej fjalë me ndjenjën që kam kur hap faqet e kronikës së zezë. Lexova dy syresh, Panorama dhe Gazeta Shqiptare. Disinformim i gjallë! Gjëja e parë që më ra në sy, i dashur lexues, ishte se, ndryshe nga lajmet e kronikës së zezë, këtu jepej vetëm pjesa e bardhë e lajmit. Sepse në të dy gazetat - që kuptohej se kishin material të dhënë nga Bashkia - flitej vetëm për gjashtë punëra publike që, nga sa konstatova, ishin kryesisht restaurime rrugësh të qendrës. Asnjë informacion nuk jepej për 44 lejet e ndërtimit për pallate përveç faktit se 33 qenë leje ndërtimi dhe 11 leje sheshi. Asnjë fjalë, për be, se për çfarë pallatesh bëhet fjalë, se ku do të ngrihen, se cilët janë arkitektët e shquar apo të rinj, cila është forma e këtyre pallateve, lartësia e më the të thashë. Dikush mund të thotë: po këto janë private pse duhen thënë? Por a ka gjë më publike sesa pallate që të ngrihen befas përballë dirtares, që të gllabërojnë edhe volumin e mbetur të ajrit që frymëmerr, që të zënë edhe pemën e fundit që të zinte syri edhe centimetrin e fundit katror të pejsazhit të Dajtit, që ngrihen mbi trotuare ku ke ecur tërë jetën, që ta bëjnë edhe më të vështirë trafikun me makina e ecjen më këmbë? Për të mos folur për monumente historike apo për atë se ata ta reduktojnë edhe më vlerën e një apartamenti që mund të kesh blerë apo që pret ta shesësh.
Për të shpjeguar këtë terr informativ Bashkia sqaronte, nëpërmjet një kuadrati gri, edhe arsyen pse KRT-ja e Tiranës i zhvillon me dyer të mbyllura seancat e saj: “Në mbështetje të ligjit nr. 8480, datë 27.05 1999, “Për funksionimin e Organeve Kolegjiale të administratës shtetorore dhe Enteve Publike” mbledhja e KRT si organ kolegjial që nuk zgjidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë, në bazë të nenit 9.1 të ligjit të mësipërm i zhvillon mbledhjet pa praninë e mediave."
Pasi u konsultova me dy juristë njëri më tha se në këtë ligj nuk thuhet se organet e zgjedhura jo drejtpërdrejt duhet t'i bëjnë mbledhjet të fshehta. Një tjetër më tha se, sipas ligjit, ka të drejtë Bashkia. Po ç'rëndësi ka kjo. Rama e Berisha ligjin e bëjnë si të duan dhe e interpretojnë si të duan.
Po Berisha çlidhja ka me këtë, do të më pyesë lexuesi im i nderuar demokrat. Po si nuk paska mor zotëri. KRT-ja që kemi tani rezulton se filloi të punojë e të japë leje ndërtimi vetëm pasi u arrit marëveshja "historike" që ajo të përbëhet nga tre njerëz të Ramës tre të Berishës dhe një të zgjedhur bashkarisht. Rama, nga sa jam informuar nga burime të sigurta të brendëshme, njerëzit e vet i mbiquan "pula". Nuk e di se si i quan Berisha të vetët, ndoshta gjysmagjela. Dhe, sa për vete, kur lexoj këtë sqarim nuk indinjohem edhe aq pse pulat e Edi Ramës nuk kakarisin fare kur bëjnë vezë (më falni pallate). Sepse Rama dihet se, nëse ka ndonjë aftësi ku ua kalon të gjithëve, është aftësia për të fshehur me mashtrim kombëtar dhe ndërkombëtar punët e veta të liga. Kurse me gjysmagjelat e Sali Berishës indinjohem sepse i kam ende të freskëta fjalimet e Olldashit kur deklaronte pasojat dramatike që i ka sjellë qytetit shkellja e regullores së urbanistikës nga Rama. A nuk qe ai, me Berishën në krah, që deklaronte se 3 milion e 500 mijë metrave katrorë ndërtime të kryera gjatë gjashtë vjetëve të Ramës, sipas kësaj rregulloreje, do të duhej t’u ishin shtuar, minimalisht, 210 mijë metra katrorë gjelbërim rrotull pallateve, 210 mijë metra katrorë ndërtim të parqeve të gjelbëruara, 280 mijë metra katror rrugë dhe shëtitore, 1 milion e 220 mijë metra katrorë park periferik, 40 çerdhe të reja, 40 kopështe, 20 shkolla tetëvjeçare, 10 shkolla të mesme, 70 mijë metra katrorë terren sportiv publik e se të gjitha këto, që mungojnë, përbëjnë diferencën midis një qyteti normal dhe qytetit që ka ndërtuar Rama - sipas meje midis një qyteti normal dhe një qyteti të çmendurish. Nuk kanë kalur dy vjet që bërtisnin kështu, këta, duke premtuar transparencë dhe ndëshkim të korrupsionit. Kurse tani, pulat e Ramës dhe gjysmagjelat e Berishës punojnë së bashku me dyer të mbyllura për t'i pakësuar edhe më hapësirat e gjelbëra. Kush mund ta kontrollojë tani zbatimin e asaj rregullores që, edhe me opozitë, u nëpërkëmb në atë farë feje? Ku do të arrijmë kështu?
"Cherchez la femme" (kërko gruan) është një thënie (e vjetëruar) frënge sipas së cilës, tek motivet që lidhen me gruan duhet ta kërkosh origjinën e veprimeve të mira apo të liga të njerëzve. Tek ne, i dashur lexues, nëse kërkon të gjesh origjinën e të gjitha sjelljeve të politikanëve tanë, të konflikteve apo të marrëveshjeve, të buzëqeshjeve apo ngrysjeve në fytyrë - mor po të gjithshkaje, por edhe të gazetarisë sonë, të shoqërisë civile, se ku jemi nisur e ku po shkojmë duhet të aplikosh thënien: "kërko lejen e ndërtimit". Të duket e paqartë sjellja e ndonjë figure që deri dje e ke gjykuar ndryshe? Shih se mos ka hallin e ndonjë leje ndërtimi. Gjithë këtë zallamahi politike që ke parë, edhe paqen e madhe midis Ramës dhe Berishës, edhe mbylljen e dosjeve të krimit të korrupsionit tek lejet e ndërtimit duhet ta gjesh.
Mirëpo paradoksalisht, gjetja e lejes së ndërtimit tani që Berisha dhe Rama kanë bërë paqen e madhe (mu për shkak të lejeve të ndërtimit) është bërë thuasje e pamundur. Tani duket sheshit se nuk ka mbetur më asnjë shpresë që kryetari i ynë Bashkisë ta gjejë atë kabllin kinez. Po ky kablli kinez ç'lidhje ka me këtë muhabet do të thuash ti, i nderuar lexues. Ka ka. Sepse gjithë çka thashë lidhur me shprehjen "gjej lejen e ndërtimit" nuk do të ishte thënë sikur ne të kishim një plan urbanistik dhe këtë do ta kishim sikur të mos qe kablli kinez. Lermë ta shjegoj: Me një plan urbanistik të diskutuar e aprovuar edhe përpara qytetarit sekush do të dinte se ku ndodhet, se çfarë ka përpara, se çfarë do të ketë mbrapa, se sa do të jetë vlera e apartamentit apo e shtëpisë së tij. Do të dinin edhe ndërtuesit se ku ndërtohet e ku nuk mund të ndërtohet. Shkurt do ta kishte pushtetein plani që është ligj dhe jo Rama e as Berisha. Nuk do të kishte nevojë as për marrëveshje e as për mbledhje të fshehta KRT-je. Unë jam i bindur se sikur të mos ekzistonte problemi "leje ndërtimi", pra të ekzistonte plani/ligji jo vetëm që Rama nuk do të ishte korruptuar nga oligarkët, por as oligarkët nuk do të ishin korruptuar nga Rama, por edhe sikur kjo prap se prap të ndodhte Berisha do ta kishte luftuar korrupsionin e, të jesh i sigurt, i dashur lexues, se as Gërdeci nuk do të ishte hedhur në erë. Dhe as rreziku i ndërtimit të një termocentrali bërthamor nuk do të na kanosej. Mirëpo a e di ti, i nderuar lexues, se përse nuk bëhet plani urbanistik? Ja, ta them unë: për shkak të atij të mallkuari kabëll kinez, që Rama ka filluar ta kërkojë që kur u bë kryetar bashkie dhe nuk e ka gjetuar akoma. E kam dëgjuar vetë me veshët e mij gjatë fushatës së fundit për kryetar kur një gazetar e pyeti se përse ka shtatë vjet (tani janë bërë nëntë) që nuk bën e planin urbanistik të premtuar që fushatën e parë. A e dini se si u përgjegj mashtruesi ynë ndërkombëtar? (Them ndërkombëtar, i dashur lexues, se ky na mashtron me francezë e me belgë e me artistë ndërkombëtarë.) U përgjegj se bëtja e planit nuk është një punë e lehtë sepse, që të bësh planin urbanistik, duhet të dish se çfarë ka nëntoka e Tiranës. Dhe për ta ilustruar këtë tha se ka kaq kohë që Bashkia është në kërkim të një kablli të vendosur nga kinezët që del nga Radio Televizioni dhe nuk dihet se ku përfundon dhe pa gjetjen e këtij kablli dhe të gjithshkaje ka nëntokë Tirana nuk mund të bëhet dot një plan urbanistik.
E kështu i dashur lexues Edi Rama e ka filluar kërkimin e kabllit duke nisur nga Radio Tirana duke hapur themele pallatesh. Atje ku nuk gjindet kablli ngrihen pallate. A e keni parë se si e ka bërë çorap me pallate një nga pjesët më të bukura të Tiranës, bllokun me vila prapa dhe rreth RTSH ku ndodhet edhe pallati ku banon Berisha. Akoma edhe më çorap do ta bëjë, do t'i shembë edhe vilat e mbetura, sepse, atje duhet gërmuar shumë shumë se mu atje rrotull është origjina e kabllit. Kurse Berisha me kryekomunarët e tij, para sistemit 3 + 3 + 1, i ishin futur kërkimit të kabllit nga fundi i tij që mendohej se mund të binte andej nga rrëza e Malit të Dajtit, Kashari apo Sauku sepse në fillim nuk e linte Rama të gërmënte në qendër. Prandja janë ato pallatet e tmerrshme në rrëzë të Dajtit apo matanë liqenit. Nuk e ka fajin korrupsioni i dashur lexues, është faji i kabllit që na lanë kinezët. Si puna e atij litarit që të le i varuri jashtë, por ky është brenda, thellë, i padukshëm. Tani Berisha e Rama po gërmojnë sëbashku. Po a ka shpresë të na e thonë, edhe po e gjetën në themelet e ndonjë pallati, lajmin e madh të gjetjes së kabllit? Unë dyshoj se jo. Por më duket se edhe ne nuk do të kemi më interes që ata ta gjejnë kabllin. Më duket se, ashtu si kanë ardhur punët, ne kemi që të gjithë interes që kablli të mos gjindet kurrë sepse gjetja e tij do të kërkonte ndonjë të varur kurse ne jemi popull paqësor, që e duam jetën sido që ajo na paraqitet dhe që fajin e gjejmë gjithmonë jashtë vetes. Kështu, me kabllin të pagjetur askush nuk do të varet, faji do t'u mbetet kinezëve kurse ne do të vazhdojmë të jetojmë pa e ditur asnjëherë se ç'vendoset të ndërtohet për ne me dyer të mbyllura çka është kusht i domosdoshëm i lumturisë. (Korrieri, 12 qershor 2008)


Monday, June 9, 2008

Kryeministër apo kapo i Camorras shqiptare

Lexova me vëmendje intervistën e kryeministrit tonë Sali Berisha botuar me datë 29 maj në “Corriere della Sera”. Kur lexon një intervistë që kryeministri yt i jep një mediaje të huaj dhe jo pak, por gazetës më të madhe italiane, nuk ke të njëjtin disponim që ke kur e dëgjon, apo lexon, nëpër mediat e vendit. Sepse me këto të vendit, si të thuash, jemi brenda familjes. Në këto media edhe bërtasim edhe tallemi edhe shahemi, edhe themi “ky është i çmendur”, edhe themi “ky është i madh”, edhe i bëjmë hiçët gjeni dhe gjenitë hiç. Por, kur flet kryeministri yt tek të huajt, ti, si shqiptar, do s’do edhe identifikohesh me përfaqësuesin tënd të lartë, prandaj e merr shumë më seriozisht. Jo vetëm, por takon ndonjë të huaj që e ka lexuar dhe ti e di se ai nuk sheh PD apo PS tek deklaratat e kryeministrit të vendit, por qëndrimet politike të Shqipërisë dhe shqiptarëve në përgjithësi.
E pra s’më ka qëlluar të lexoj një intervistë të Sali Berishës, por edhe të ndonjë lideri tjetër që nga koha e Enver Hoxhës e këtej, ku të konstatoj se nuk identifikohem thuajse me asnjërën nga përgjigjet që i ka dhënë kryeministri im gazetarit italian. Dhe vetvetiu më erdhi të shtroj pyetjen: si ka mundësi që unë nuk identifikohem me kryeministrin tim në asgjë që ai thotë. Këtu ka një problem të madh: ose unë jam jashtë këtij realiteti, ose jam krejtësisht i papërfaqësuar, ose është kryeminstri ynë jashtë realitetit.
Le ta marrim me rradhë intervistën dhe ta komentojmë.
E para që vlen të komentohet është çështja e centralit termobërthamor. Pa pikë mëdyshjeje kryeministri ynë merr përsipër të na ndërtojë një central termobërthamor dhe na del se e vetmja pengesë që paska pasur deri tani ishte qeveria e majtë italiane, kurse tani që në gadishullin apenin është rikthyer në pushtet “luani” Berlusconi, këtë punë do ta ketë më të lehtë. Por shton edhe se, nëse nuk do qeveria italiane, ai do të vazhdojë për këtë marrëveshje me privatë. Madje nga intervista del se kryeministri ynë nuk merakoset edhe aq për energjinë e shqiptarëve, por ai kërkon ta ofrojë Shqipërinë si truallin ku do të ndërtohet centrali termobërthamor që do të prodhojë, sipas Corrieres, energji “për Italinë”. Dhe kjo vërtetohet, edhe nga ministri Tremonti i cili çuditërisht e paska njoftuar prej kohësh, sapo u bë ministër, një projekt të tillë. Vërtetohet, indirekt, edhe nga fakti se Kryeministri ynë tashmë ka arritur marrëveshje për ndërtimin edhe të disa Tec-eve ku, për të mos përmendur atë të Vlorës, spiakat ai i Durrësit (ME QYMYR!!!) që planifikohet të prodhojë 1300 MW çka, përdijeni të lexuesit, është afro baraz me kapacitetet aktuale të të gjithë Shqipërisë. Dhe kjo është më shumë se shqetësuese, është për të vënë alarmin kombëtar, pasi kjo është shenja se politika jonë po vazhdon ta trajtojë vendin si një mjet pushteti e pasurimi për disa politikanë me filozofinë “merr, plaçkit sa të mundesh për veten dhe familjen tënde e ik”, kurse një pjesë italianësh vazhdojnë ta shohin si koshin e tyre të plehërave. Me fjalë të tjera kryeminstri ynë angazhohet ta përdorë tokën shqiptare pak a shumë ashtu siç e ka përdorur Camorra Campagna-n: si truall për të hedhur ndotjet kimike të Veriut të pasur, për t’u pasuruar camorristët. Hajde doktor hajde. Edhe për çështjen e ngritjes së djegësve të plehrave italiane duket sikur i vjen keq që na qënka aprovuar ligji se, përndryshe, po të ishte për doktorin, italianët mund të digjnin edhe plehërat këtu, më ndonjë vend në bregdet pranë e pranë me Tec-in me qymyr dhe me pusin gjigant prej betoni që do të hapet për skoriet bërthamore. Po t’i besojmë gazetarit që ka intervistuar Berishën del se ky vend na qenka lokalizuar andej rrotull Durrësit, dmth. në zonën me popullsinë më të dendur të vendit dhe kjo e ka një shpjegim sepse italianëve kështu u kushton më lirë transporti.
Më poshtë gazetari e pyet kryeministrinë tonë lidhur me antarësimin në Nato. Jam në gjendje të dalloj e pranoj diferencat në qëndrimet ndaj Natos. Personalisht bëj pjesë ndër ata që nuk konsiderojnë gjë për t’u festuar futjen në një organizatë lufte, ndonëse nuk i kundërshtoj ata që thonë se kjo ka edhe aspekte pozitive. Por nuk mund të pranoj kurrsesi një përgjigje si ajo e kryeministrit tim kur gazetari e pyet se ç’mendim ka për ngritjen e bazave të Natos në Shqipëri: “Jemi gati të bëjmë çdo gjë që të na kërkojë Nato”. Kjo më duket e papërgjegjëshme. Berisha s’mund të sillet me Shqipërinë sikur të jetë pronari edhe i tokës shqiptare. Ashtu sikurse për termocentralin bërthamor, atë me qymyr etj. vendime kaq të rëndësishme kërkojnë të paktën formalisht konsultim me komunitetet në shkallë kombëtare apo lokale. Sepse të ngresh baza luftarake këtu, në një vend kaq të vogël, do të thotë jo vetëm të jesh nën shënjestër kot së koti, por edhe t’u mohosh shqiptarëve një copë territor, edhe të shkatërrosh bregdetin apo ndonjë zonë tjetër të vendit. A nuk ka dëgjuar Berisha se çfarë po ndodh në Italinë e Corrieres kundër zgjerimit të bazës së Vicencas? Si mund të marrë përsipër ai të heqë brekët e vendit të vet në këtë mënyrë fare të pakondicionuar!?
Kryeministri ynë vazhdon të flasë sikur të jetë pronari i vetëm i Shqipërisë edhe kur gazetari i Corrieres i thotë se imazhi jashtë shtetit i tij nuk është i mirë dhe i përmend tarfikun e armëve dhe Gërdecin. Ai jo vetem ua vesh korrupsionin amerikanëve, por zbulon edhe gjëra të tjera: thotë se na paska vendosur t’i japë armë gratis Afganistanit dhe se e ka bërë një gjë të tillë edhe gjatë luftës në Ballkan. Kur gazetari i kërkon se kujt, ai nxiton t’i thotë ta lerë këtë muhabet – sikur të jetë duke folur me ndonjë mik në kafene. Së pari, nga sa kemi lexuar shypin, kjo nuk na rezulton e vërtetë. Armët nuk janë dhënë gratis, por janë shitur, pa paragjykime miqësish apo armiqësish, veçse nuk dimë se në ç’farë xhepash kanë hyrë. E dyta, nëse janë dhënë gratis, pse u dashkan dhënë gratis, kur vendi ka kaq nevoja dhe, kush e mori këtë vendim për t’i dhënë gratis duhet të përgjigjet?
Por le të kalojmë më tej në intervistën skandaloze të Kryeministrit tonë. Kur bie fjala për emigrantët shqiptarë në Itali kryeministri flet sikur të ketë ardhur nga Hëna. Atij nuk i intereson fare se tani që ka ardhur në Pushtet “luani i gadishullit” në koalicion me një parti me tipare të qarta nacional - socialiste si ajo e Bosit (Lega Nord) aty ka filluar gjahu i emigrantëve në përgjithësi dhe i shqiptarëve në veçanti. Në vend që të reagojë, si kolegu i tij rumun, që ka protestuar disa herë për keqtrajtimin e bashkëatdhetarëve të tij në Itali, ai kërkon petulla me ujë: statusin e minoritetit për emigrantët atje saqë gazetari i thotë me ironi: “a mos po kërkoni që shqiptarët të trajtohen si tirolezët e jugut”, që janë popullsia më e privilegjuar e Italisë.
Edhe kur e pyetet më poshtë për Del Ponten dhe akuzat e saj kryeministri ynë jep një përgjigje aspak prej politikani: “Kjo grua nuk jep prova. Ndoshta është e afashinuar nga Agata Christi por është një imituese e keqe e saj. OKB-ka ka bërë një zgjedhje të tmerrshme me emërimin e kësaj gruaje…”. Unë e kuptoj se kryeministri nuk ka gjetur kohë të lexojë librin e Del Pontes. Mund ta kuptoj edhe maçoizmin e tij kur në çdo frazë thotë “kjo grua”, por, përderisa bën pjesë ndër ata njerëz që duhet të jenë të përgatitur për të dhënë përgjigje edhe për këtë çështje në petkun e kryeministrit të Shqipërisë, duhet të kishte ndonjë këshilltar që ta lexonte. Të paktën kapitullin për Kosovën. Sepse, në fakt, del Ponte ka dhënë shumë prova atje për faktin se Haradinaj me shokë kanë vrarë dhe frikësuar dëshmitarë shqiptarë dhe ai, nëse është vërtet i merakosur për Kosëvën dhe të drejtën, nuk duhet të qajë hallin e Haradinajt, por të kosovarëve që del se nuk qënkan në duar fort të sigurta dhe demokratike në atë vend. Kurse lidhur me akuzën për trafik organesh Del Ponte thotë vetëm se ka pasur denoncime dhe se ka kryer hetime që nuk kanë ofruar prova të mjaftueshme edhe për shkak të prokurorit shqiptar. Ai fare mirë, nëse është i sigurtë se nuk ka ndodhur asgjë e tillë në Burrel, mund të përgjigjej se shteti ynë është i gatshëm të japë të tërë mundësitë për t’u hetuar deri në fund kjo histori që të na hiqet përfundimisht njolla e një dyshimi të tillë. Mirëpo kryeministri ynë preferon të futet shpejt e shpejt në listën e atyre të pushtetëshmëve që denoncon del Ponte si pengues të drejtësisë.
Le të vijmë tani tek përgjigja mbyllëse e intervistës me të cilën përsëri nuk mund të pajtohem kurrsesi. I pyetur nëse do të vazhdojë të kandidojë Berisha përgjigjet se “në pension mund ta nxjerrë vetëm Zoti dhe populli shqiptar”. Që me “populli shqiptar” kupton votën kjo më duket e kuptueshme dhe e pranueshme, por nuk del qartë se çfarë kupton kryeministri me “Zoti”. Më shumë gjasa ka që ta ketë fjalën për ndonjë sëmundje të rëndë, përderisa flet për pension dhe jo për vdekje. Mirëpo kjo përgjigje tregon se Berisha nuk ka mësuar fare as nga përvoja e vendeve demokratike dhe as nga përvoja e vetë shqiptarëve. Nuk po përmend përvojën e vendeve demokratike, por po përmend vetëm atë tonën. A nuk e di Berisha se pasi u sëmur rëndë Enver Hoxha jo vetëm që nuk hoqi dorë nga pushteti, por nxitoi të varrosë sa më parë kë mundi e si mundi edhe nga rradhët e bashkëpunëtorëve të tij dhe askush nuk guxonte t’i thoshte se ishte i sëmurë jo vetëm fizikisht, por edhe mendërisht. A e ka parasysh ai atë thënien: “Të ruajtë Zoti mendtë”. Pushteti korrupton, pushteti zhvillon paranoja, mani madhështie, por edhe konsumon, prandaj të pushtetshmëve u duhen vendosur kufij në demokraci dhe jo të pritet vendimi i Zotit për tërheqjen e tyre.
E di që dikush do të nxitojë të më thotë: po ti që e ke mbështetur riardhjen e Berishës në pushtet, a nuk e dije se kush ishte Berisha? Nxitoj të them se kur e kam mbështetur, kam mbështetur principet që ka mbrojtur sepse ai erdhi në pushtet duke denoncuar Camorrën socialiste, duke premtuar Vlorën turistike kundër termocentraleve me naftë apo qymyr, duke premtuar ruajtjen e ambjentit dhe jo fabrika çimentoje që po gërryejnë e shkatërrojmë malet shqiptare, (e jo më centrale bërthamore), duke premtuar plane urbanistike dhe kontroll territori dhe jo bashkëpunim me shkatërruesit e territorit. Me një fjalë e kam mbështetur sepse premtoi të luftojë Camorrën dhe jo se do të bëhet kapo i Camorras shqiptare. Nxitoj gjithashtu të them se kjo nuk është një akuzë thjeshtë kundër personit Berisha, por kundër sistemit camorrist të ngritur në Shqipëri ku kryetari i qeverisë është njëherësh edhe kryetar i Camorras. Shtoj se, nga sa e kam ndjekur Berishën ve re se, veçanërisht pas Gërdecit, ndoshta për shkak të akuzave që e implikojnë familjarisht, kryeministri po bëhet totalisht autoreferencial; shikon një Shqipëri që e shikon vetëm ai, me një territor të madh sa Rusia, me kriminalitet më të pakët se Evropa, me siguri për ndërtimin e centraleve bërthamore dhe që, kur ndeshet me opinione të kundërta, nxiton të gjejë armikun kudo që nga New York Times deri tek gazetari i fundit shqiptar.
Nuk do të shkruaja kaq me dëshpërim, megjithatë, sikur të mos mendoja se me këtë historinë e centralit termobërthamor, çmenduria kamorriste duket sikur premton të kalojë të gjitha kufijtë dhe të mos konstatoja, nga ana tjetër, nënshtrimin apo komprometimin gati përfundimtar të tërë atyre që duhet t’u bien këmbanave të alarmit. Vendi duket i zhytur në një depresion dhe apati të thellë dhe, në këto kushte, mund të realizohet çdo çmenduri. Nuk çuditem sikur doktori ta quajë nesër termobërthamorin “çlirimi përfundimtar i Shqipërisë” dhe të gjithë ta duartrokasin si dikur shokun Enver. Në fakt që nga Metalurgjiku e këtej kemi pasur disa çlirime “të treta”, “të katërta”, mjafton të hedhësh sytë rreth e rrotull vendit, por ky do të ishte vërtet përfundimtari sepse, me një shpërthim të tij gërdecar, do të “çlirohemi” më në fund nga të gjitha streset dhe hallet që na kanë nxirë jetën. (Korrieri 5 qershor 2008)

Sunday, June 1, 2008

Masakra që i përgatitet Jugut të mbetur

Në javën që kaloi më tërhoqi vëmendjen në mënyrë të veçantë një shfaqje e ministrit Pango dhe bashkëpunëtorit të tij Malltezi në emisionin Opinion të Fevziut ku paraqitën projektin e zhvillimi turistik të Jugut si dhe një vizitë e presidentit Topi një apo dy ditë më pas, po në Jug, ku përsëri u fol për zhvilimin e turizmit atje.
Më tërhoqën vëmendjen sepse ka kohë që ndjek me shqetësim atë që gjithnjë e më shumë më shëmbëllen me përgatitjen për një “sulm” përfundimtar shkatërrues edhe ndaj asaj pjese të mbetur të bukurive natyrore dhe trashëgimisë kulturore të bregdetit shqiptar të Jugut. Këtë sikur ma përforcoi edhe një thënie e Topit gjatë vizitës së tij, që, të nesërmen, u vu në faqet e para të shumë gazetave. E kam fjalën për deklarimin e tij se: “Është e pafalëshme që gjendja e turizmit paraqitet si ajo e viteve 50”.
Çfarë më shqetësoi në këtë thënie ishte pikërisht krahasimi me gjendjen e Bregut në vitet ‘50 dhe thirrja për ta ndryshuar këtë “gjendje”. Sepse, sikur një turist perëndimor të dëgjonte se paska mbetur diku në brigjet e Mesdheut gjendja e viteve ’50 ai do të sulej me vrap për ta vizituar këtë vend dhe ky do të bëhej shpejt një nga vendet më turistike të Mesdheut. Në vitet ‘50 në Jugun tonë nuk ka pasur thuajse fare turizëm, prandaj ai breg ka qenë ashtu siç ka qenë ndoshta edhe një shekull më parë, edhe dy shekuj më parë dhe kjo është mrekullia që kërkojnë turistët sot. Ndoshta fakti që regjimi komunist e mbylli vendin ndaj turizmit, pasi i konsideronte turistët si agjentë potencialë të armikut, ka bërë që shumë pjesë të vendit tonë të mos pësonin, gjatë komunizmit. masakrën e turizmit masiv që zhvilloi Evropa pikërisht pas viteve ’50 që sot e konsideron si dëm të pariparueshëm. Thënia e Topit më kujtoi një thënie të Pier Paolo Pazolinit në vitet ’50 kur flet për rrezikun që i kanoset bukurive natyrore e trashëgimisë kulturore të Italisë së atyre viteve. Ai shprehet se, paradoksalisht, e vetmja shpresë që këto të ruhen është varfëria. E ka fjalën se, po ra paraja në duart e italianëve, me paditurinë dhe babëzinë e tyre modernizuese e komercializuese do të shkatërronin shumëçka. Dhe pas disa vitesh, duke konstatuar vërtetimin e frikës së tij, Pazolini bën këtë koment përpara disa ndërtimeve të fashizmit: “Shikojeni këtë qytet. Ne e kemi sharë shumë arkitekturën fashiste, por gjithsesi fazhizmi nuk ka shkatërruar aq shumë. Fashizmi ka ruajtur kulturën tonë rurale. Ndërsa akulturimin e vërtetë e ka krijuar shoqëria e konsumit në një mënyrë dramatike saqë ne, brenda disa vjetësh, po zgjohemi dhe po shohim se ka humbur gjithshka.” Janë fjalë që i shkojnë shumë shoqërisë shqiptare të viteve të pas komunizmit.
Nga ky këndvështrimi e shoh me shumë shqetësim atë që po i përgatitet Jugut. Në fakt duhet thënë “Jugut të mbetur” sepse ajo që ka ndodhur e po vazhdon të ndodhë në Sarandë dhe Ksamil apo edhe në Vlorë është e tillë që edhe në ëndrrat më të këqija pazoliniane të akulturimit nuk do të mund të parashikohej.
Shqetësimi që kam është se “Jugut të mbetur” po i përgatitet një masakër ku ndërtimeve abuzive që vijnë si rezultat i mungesës së kontrollit të territorit do t’u bashkohen forcat tashmë të njohura të ushtrisë barbare që i është vërsulur prej kohësh bregdetit shqiptar: batalione të akulturuarish që nuk kanë haber për ato që konsiderohen vlera të trashëgimisë kulturore dhe të peizazhit natyror, të udhëhequr nga një elitë që ka në dorë pushtetin dhe paranë që nuk mendon as për turizëm, as për gjë, por thjesht për veten, për të ndërtuar vilat e tyre në bregdet, për t’u pasururar nëpërmjet lejesh ndërtimi, pastrimi parash të pista e më the të thashë - të gjitha këto të veshura me propagandimin e një vizioni të turizmit masiv të zhvilluar në vitet 60 në Evropë dhe të përçmuar sot edhe në vendet e botës së tretë.
Kjo barbari ka bërë që plazhi i Durrësit, që deri në vitet ‘90 ka qenë një nga plazhet më të bukur në Evropë, brenda 15 vjetësh të shndërrohej në një plehër ku vetëm për turizëm nuk mund të flitet. E njëjta gjë ka ndodhur në Sarandë, Shëngjin, Vlorë e kudo ku ka vënë dorë e këmbë sadopak barbaria shqiptare e paskomunizmit.
Sipas meje ajo që e ka shpëtuar pjesën e mbetur të Jugut nga masakra, sëbashku me rrugën e ngushtë e të rrezikshme, është konflikti i pronave si dhe frika e banorëve të minoritetit se do t’u vijnë nga të katër anët e do t’i zaptojnë. Kam shumë frikë se fushata që shohim, madje edhe sulmet ndaj “grekut” Bollano, janë tentativat për të kapërcyer edhe këto pengesa dhe për të filluar masakrën.
Nuk mund të hyj dot në detaje të shtjellimit të një vizioni alternativ, por di të them se Vlora dhe Saranda, dhe gjithë çka është ndërtuar në zonën midis tyre deri më sot, kanë hoteleri të majftueshme për turistët. E kam fjalën jo vetëm për hotelet e motelet e ndërtuar, por edhe për tërë ato apartamente e shtëpi private të ndërtuara ashtu edhe për qejf, ku pronarët ose janë jashtë shtetit ose shkojnë vetëm dy tre javë në vit, e që, të paktën, mund të jepen me qira duke siguruar të ardhura edhe për ta. Në këto kushte ajo çka duhet bërë për të ruajtur vlerat kulturore e bukuritë natyrore edhe për të ndërtuar një turizëm të shëndetshëm e afatgjatë - sepse nuk duhet të harrojmë se një vend mbi të gjitha është vend për të jetuar vendasit, jo turistët, sepse po u turistizua krejtësisht ai humbet bash shpirtin dhe jetën e tij - është restaurimi i fshatrave të Jugut dhe ruajtja sa më e virgjër e pjesës tjetër të detit dhe maleve mbi ta e rrotull tyre. Shtatë fshatrat e bregdetit e kanë bukurinë pikërisht tek vjetërsia e tyre, tek karakteri i tyre që nuk duhet të prishet me ndërtime të reja në ta e rrotull tyre. Turisti shqiptar apo edhe i huaj që mund të vijë aty do të vijë për të shijuar bukuritë natyrore të puthjes së detit blu me shkëmbinjtë e Bregut që bien mbi të, për të vizituar fshatrat e Jugut në bukurinë e tyre arkitektonike në traditën dhe papërsëritshmërinë që paraqesin. Ai do të vijë për të parë një vend që është i ndryshëm nga vendet e tjera që ka parë. Kurse çdo njollë e re çimentoje e betoni që vendoset atje me vulën e modernitetit dhe uniformizimit banal që ai sjell në përgjithësi dhe me atë super kiç shqiptar në veçanti, me të cilat njolla kemi shëmtuar e ndotur peizazhin thuajse kudo ku kemi ndërtuar, vetëm se e largon atë. Mirëpo në fjalët e ministrit Pango dhe të bashkëpunëtorit të tij Malltezi nuk e dëgjova fare fjalën “ruajtje”, nuk e dëgjova fjalën “restaurim” që sipas meje duhet të mbizotëronin, por dëgjoja vazhdimisht fjalët “ndërtim”, “fshatra turistike” – duke na siguruar se do të ruajtkan distancën 100 metra nga deti a thua se kjo qenka e gjithë nevoja e ruajtjes. Po me këto fjalë e përktheva edhe thirrjen e Presidentit për të kapërcyer prapambetjen e viteve ‘50.
Gjiri i Kakomesë, për të cilin u fol aq shumë edhe në atë emision e ka bukurinë dhe tërheqjen kryesore tek virgjëria. Turistët nuk kanë nevojë të vijnë në Kakome për t’u futur në vila fshatrash turistike që mund të ndërtohen atje. Atje duhet të shkojë vetëm makina, madje edhe ajo në një distancë prej bregut, apo varkat. Hotelerinë turistët që do të duan të shkojnë në Kakome mund ta kenë fare mirë në Sarandë. Kështu ka vepruar bota e qytetëruar sot për të rekuperuar dëmet që ka kryer veçanërisht pas viteve 50 duke i shpallur bukuri të tilla park kombëtar. Kurse pronarët të kompensohen Por duket sheshit se kjo nuk do të bëhet, përkundrazi atje do të ndërtohet ndonjë “fshat turistik” që do të përkthehet në interesa të një grushti njerëzish kurse shqiptarët do t’i thonë lamtumirë edhe asaj pjese të bregut që me siguri do të rrethohet pastaj edhe me gjemba.
Sot, kur mazhorancë dhe opozitë, siç po tregon edhe masakra akulturuese mbi Tiranën, kanë vendosur të jetojnë sëbashku në vilat e të njëjtit “fshat turistik” shpresat se mund të ndodhë ndryshe ngjajnë më shumë me ëndrra të marrësh. Kam përshtypjen se tashmë ka kaluar kaq kohë sa për t’u përvijuar qartë fizionomia e njeriut tonë të paskomunizmit e veçanërisht të elitës plitike. Basoj se ajo çka ata i kanë bërë e po i bëjnë njërës prej pasurive më të vyera të vendit, bregdetit të Adriatikut e Jonit, do të shërbejë shumë për të përmbyllur portretizimin e tyre. Për ta do të flasin shëmtirat që kanë ngritur apo lejuar të ngrihen në bregdet ashtu siç flasin për elitën komuniste bunkerët: si izolues të Shqipërisë në emër të interesave të tyre meskine. Kush mendon se nuk e meriton këtë cilësim duhet të ngrejë zërin më lart dhe më fort për të ndaluar masakrën përfundimtare që po i përgatitet Jugut. (Korrieri, 28 maj 2009)