Saturday, July 19, 2008

“Pse”-të e ligjit për dosjet

Një nga shkrimet e mija të fundit, ku shtjellova disa nga arsyet se pse në Shqipëri, sipas meje, nuk do të hapen dosjet seriozisht, me drejtësi dhe përgjegjshmëri, e mbyllja duke shkruar se çështja e ditës lidhur me këtë temë nuk është a do hapen apo nuk do të hapen, as nëse është më mirë të hapen apo jo, dhe as se si duhet të hapen, por se pse, për ç’arësye, bëhet kjo zhurmë, pse u hap përsëri ky debat. I kisha premtuar lexuesit që në shkrimet pasardhës do të përpiqesha t’i jepja përgjigje kësaj pyetjeje. Më duhet të pohoj se bizantinizmi dhe iracionliteti i politikës shqiptare edhe kësaj here i tejkalon mundësitë e një analize që tenton të gjejë racionalen dhe një përgjigje të qartë për një pyetje si kjo. Madje, veçanërisht në një çështje si kjo ku fshehtësia e së sotmes mplekset me fshehtësinë e së djeshmes dhe fshehtësia e së djeshmes me atë të së sotmes, duke e dendësuar terrin, më duket se puna e analistit bëhet shumë e vështirë.
Kështu që do të mbetem në fushën e hipotezave.
Përpara se të hyj në hipotezat më duket me vend të ve në dukje se kësaj here inisiativa e rindezjes së çështjes së dosjeve dhe e bërjes së ligjit për hapjen e tyre na erdhi nga mazhoranca dhe jo nga opozita siç, mesa kujtoj, erdhi herën para kësaj. Prandaj analiza e shkaqeve duhet përqendruar tek dinamikat brenda mazhorancës.
Më duhet të them se personalisht jam skeptik ndaj njërit prej varianteve të hedhur në shtyp: atë se gjithë kjo zhurmë u inskenua enkas, me mendje të ftohtë, për të harruar Gërdecin dhe se, në përgjithësi, sa herë hapet kjo temë bëhet për të harruar ndonjë gjë tjetër. Kjo sipas meje do të thotë të ngatërrosh pasojën me shkakun. Ka dy arësye që më bëjnë ta shoh me dyshim këtë hipotezë. Së pari, sepse politikanët tanë nuk i shoh të jenë aq racionalë sa të arrijnë të bëjnë me mendje të ftohtë plane të tilla, llogaritëse. Makar sikur ta kishin këtë aftësi se kjo do t’i bënte shumë më koherentë dhe më të pagabueshëm e nuk do të kishim as Gërdecin kësisoj. Ata më duken më së shumti të dominuar nga pasione personale të ditës të nxitura nga luftra, shpesh personale opo klanore për pushtet të kombinuara me intreresa përfitimesh materiale dhe me një paqartësi përsa u përket vizioneve afatgjata dhe pasojave afatgjata të veprimeve apo mosveprimeve të tyre. Së dyti, nëse do të mendojmë se gjithshka është bërë kështu, me kalkulim mendjeftohtë, atëhere kjo presupozon të paktën që Berisha, i cili duhet të hamendesohet si një nga protagonistët kryesorë të këtij projekti, të kishte një grup bashkëpunëtorësh të besuar me të cilët të bënte plane në prapaskenë me besim të plotë tek njëri tjetrin. Mua nuk më rezulton se Berisha ka një grup të tillë të besuarish. Politikanët shqiptarë, jo vetëm Berisha, në traditën e udhëheqjes komuniste, nuk kanë dhe as nuk ndërtojnë dot marrëdhënie me njerëz të besuar me të cilët flasin sinqerisht dhe bëjnë plane të përbashkëta. Marrëdhëniet e tyre bazohen në hierarkinë vertikale të pushtetit dhe të interesave të ndërsjellta kryesisht të përfitimit dhe përgjithësisht janë hipokrite, të pasinqerta dhe servile përpos që jo demokratike. Ai që është në krye ka të gjithë kontrollin dhe përgjegjësinë dhe rrethohet nga njerëz që i shërbejnë, që i thonë atë që do të dëgjojë, por jo nga miq të vërtetë me të cilët edhe të mund të konsultohet e t’u dëgjojë fjalën për të ndërruar mendje. Edhe të ashtuquajturat “plane” kundër të tjerëve, apo për të fituar diçka, mbi këtë lloj psikologjie mbështeten. Kjo vlen edhe për ato raste kur dikush ka lidhje joinstitucionale me një politikan, të ashtuquajtura miqësore apo të ndikimit. E gjithë afera e Gërdecit se si është nisur dhe se si po bitiset më duket se është një ilustrim i kësaj. Pra e kam vështirë të besoj – ndonëse nuk e përjashtoj në mënyrë absolute - se Berisha apo dikush tjetër sëbashku me një grup njerëzish, në bashkëpunim janë mbledhur diku dhe kanë thënë: si të bëjmë që të harrohet Gërdeci? Le të hapim edhe një herë muhabetin e dosjeve se kjo është një nga temat që e trullos menjëherë opinionin publik.
Jam i prirur të besoj, gjithë duke mbetur në fushën e hipotezave, se gjërat janë zhvilluar ndryshe dhe për të tjera qëllime. Kësaj here rihapja e plagës së dosjeve - që, siç e kam thënë shepsh, ekziston nën lëkurën e shoqërisë sonë pavarësisht nga shkaqet që e ngacmojnë të shpërthejë herë pas here - lidhet me rivalitetin midis grupimeve të ndryshme në PD dhe më konkretisht do të thoja me konfliktet që kanë lindur midis PD dhe presidentit Topi kohët e fundit. Ky më së shumti është shfaqur në publik si konflikt midis Topallit dhe Topit duke mbetur e paqartë se sa Topalli ka vepruar nga vullneti i vet dhe se sa ajo është shprehëse e vullnetit të Berishës të cilit, në këtë rast, duket qartë se i intereson në mos goditja, nënshtrimi pa kushte i Topit.
Ajo që mund të themi me siguri është se kemi parë qartë se Topalli veproi kundër Topit më anë të ish të përndjekurve duke shfrytëzuar gabimin e pafalshëm të Topit që shkon e dekoron për “merita në drejtësi” njerëz që, në një demokraci normale dhe shtet të së drejtës, sot do të duhet të ishin prapa hekurave për krime kundër drejtësisë. Është e vështirë të thuash nëse inisiativa e hapjes së dosjeve erdhi nga i njëjti krah apo nga krahu kundërshtar me Topallin, pra ai i Topit. E them këtë duke patur parasysh se Topalli është provokuar vazhdimisht nga shtypi, së fundi edhe nga opozita, duke i atashuar pseudonimin “disenjatorja”. Me siguri mund të thuhet gjithashtu edhe se si çështja e ish spiunëve edhe ajo e ish të përndjekurve, në këtë lojë nuk janë gjë tjetër veçse “pretekse për luftë”, mjete jo qëllime. Mirëpo, ndërkaq, ajo që ka ndodhur vazhdimisht është se në këtë lojë me “kobure të zbrazur që tremb edhe atë të cilit i drejtohet edhe atë që e mban në dorë” ndodh që shumica e atyre që janë absolutisht të interesuar që dosjet të mos hapen bërtasin për hapjen e tyre, madje edhe bëhen protagonistë. Në këtë mes, duke patur parasysh edhe një tjetër tipologji protagonisti, Biberajn, i cili u bë inisiatori i ligjit, besoj se nuk është e gabuar të thuash se lufta për pushtet brenda PD ka brenda saj edhe të rinj që duan t’i hapin rrugën karrierës së tyre, por që ndjehen të penguar nga njerëz më të fuqishëm të cilët atyre u rezultojnë me dosje.
Nuk përjashtohet mundësia që në këtë lojë të kemi të bëjmë edhe me një kërcënim ndaj Topit dhe njerëzve të tij, ashtu sikurse mund të ngremë edhe hipotezën se ky ligj nuk synon të zbulojë, por të fshehë: të pastrojë përfundimisht disa PD-istë që janë njollosur shpesh nëpër media.
Duket sikur po bije në kundërshtim me veten kur më një anë them se nuk ka kalkulim dhe më anë tjetër flas për plane e synime. Ajo çka dua të them pra është se më shumë sesa me një kalkulim racional kemi të bëjmë me një luftë sa pasionale aq edhe bizantine që nuk i përjashton kulisat me synime të caktuara, por që, mu për shkak të iracionalitetit që e karakterizon, vetë protagonistët nuk janë në gjendje të kalkulojnë pasojat e asaj që ndërmarrin. Dua të them se nëse kalkulimi ka një rezultat të caktuar, të pritshëm, kjo është e paparashikueshme edhe për vetë protagonistët ku e sigurtë është vetëm një gjë: ajo çka thuhet nuk bëhet. Të zhytur në këtë luftë ku, iracionalitreti dominon mbi racionalitetin, ku interesi vetiak apo klanor dominon mbi atë të shoqërisë dhe ku synimet afatshkurtëra u mbulojnë çdo horizont, ata harrojnë shumëçka: se para se të bëjnë një ligj për hapjen e dosjeve duhet të bëjnë një hetim dhe transparencë për atë se kush i ka zhdukur dhe pse; se kanë pasur një ligj tashmë Bezhani i cili na del se nuk qenka aplikuar, e prandaj, që të mos përsëritet e njëjta histori, duhen analizuar shkaqet e dështimit të tij, se nëse bëjnë një ligjë të tillë nuk mund të venë njerëzit e tyre për hapjen e dosjeve, por duhet të ngrenë një komision të paanshëm dhe gjetja e ndërtimi i një komisioni të tillë është ndoshta edhe më i vështirë sesa gjetja e një presidenti mbi palët etj. etj.
E megjithatë duket se një ligj do ta kemi javën e ardhëshme. E mira e gjithë kësaj është se publiku do t’i jepet ndoshta edhe një copëz e “puzzell”- it të së vërtetës së asaj kohe që mbahet e fshehur. Mund të ketë edhe të mira të tjera, ndër të cilat edhe diskreditimi i mëtejshëm i klasës sonë politike, që realisht e meriton diskreditimin. Por edhe të këqijat besoj se nuk do të jenë të pakta. Veçanërisht duke patur parasysh se qëllimi nuk është i mirë. Le të shohim çdo të ndodhë. (Korrieri, 16 korrik 2008)

Read More......

Thursday, July 10, 2008

Përtej arrestimit të kirurgut

Lajmi i arrestimit të kirurgut me tituj Prof. Dr. Kastriot Dauti i cili, për një operacion veshkash, ka kërkuar si mitmarje 50 000 lekë dhe se në shtëpinë e tij u gjend shifra 420 000 euro u bë lajm i parë i mediave, por edhe çështje e parë e diskutimve midis njerëzve.
Personalisht më ktheu mbrapa disa muaj më parë kur, gjatë njërit nga emisionet televizive “Opinion”, kam debatuar mbi gjendjen e mjeksisë në Shqipëri. Më kujtohet se edhe në debat edhe pas debatit një nga gjërat që u diskutuan ishte edhe problemi i mitmarrjes.
Le ta marrim shtruar këtë problem. Ajo që pranohej edhe nga ata që e sulmuan ashpër sistemin tonë mjekësor edhe nga ata që e mbronin, ishte fakti se rrogat e mjekëve janë shumë të vogla. Se mitmarrja është një mënyrë mbijetese pasi, me ato rroga, nuk jetohet; thënë më konkretisht me ato rroga e ke të vështirë të paguash një celular, karburantin e makinës dhe dritat e ujin e jo më të të mbetet për ushqim, veshmbathje, për gjithë çka kanë nevojë fëmijët e të tjera e të tjera. Kjo e ve mjekun përpara një situate ku o do të ngordhë, o do të ikë jashtë shtetit të punojë atje o do të çalltisë. Në këto kushte shumica, kuptohet, çalltisin.
Mirëpo rasti në fjalë na bën të themi se edhe “çalltisja” e ka një kufi. Nuk mund të quhet “çalltisje” apo “luftë për mbijetesë” kjo e Prof. Dr. të arrestuar. Kjo quhet babëzi e paturpësi. Mirëpo hajde e ndaje kufirin ku mbaron çalltisja mbijetuese e ku fillon çalltisja e babëzitur. Për disa kufiri mund të jetë diçka si terfishi i rrogës modeste, për të tjerët shumë herë më i lartë. Në fakt ndaj pyetjes se sa fitojnë jashtë rrogës mjekët nëpërmjet mitmarrjes Dr. Halim Kosova në emisionin në fjalë dha përgjigjen se shifrat mund të shkojnë nga trefishi i rrogës deri në afro 20 000 euro.
Sipas Halim Kosovës dalja nga kjo situtatë mund të kryhet duke bërë një reformë ku të hollat që jepen nën tryezë të dalin mbi tryezë dhe ato, pastaj, të shpërndahen në mënyrë sa më racionale edhe për rroga më të mëdha edhe për mirëmbajtje e paisje të spitaleve. Në spitale duket se hyjnë aq të ardhura nën tryezë saqë, sikur këto të dalin mbi tryezë, do të mund të siguronin një shpërndarje të ardhurash që siguron edhe mbijetesën edhe dinjitetin e personelit e të pacientëve njëherësh. Duket gjëja më e lehtë dhe më e arsyeshme. Gjithkush paguan sipas fitimit një sigurim shëndetsor i cili grumbullon pikërisht këto të ardhura ndërkohë që edhe shteti, si në gjithë botën, bën subvencionet e veta dhe ja ku u zgjidh çështja. Dikush mund të shtrojë kundërargumentin se edhe sikur të bëhet një reformë e tillë kjo nuk i ndalon njerëz si Dauti që edhe të marrin këtë rrogë edhe të bëjnë mitmarrje. Them se nëse njerëzit paguajnë sigurim shëndetsor në një shifër të konsiderueshme ata do të jenë shumë më të vetëdijshëm se nuk kanë më pse paguajnë nën dorë. Pra vërtet mund të mos ndalohej mitmarrja krejtësisht, por, gjithsesi, ajo do të reduktohej shumë dhe, po ashtu, sikur të shoqërohej edhe me penalizime të rënda, në rastet kur kapet apo denoncohet, do të arrinte në nivele normale të një shoqërie të shëndoshë ndërkohë që është në një gjendje anormale përtej imagjinatës. Po pse ka 18 vjet që flitet dhe nuk bëhet një reformë e tillë? Sepse këtu lind një çështje tjetër. A duan vërtet ata të kategorisë së Prof. Doktorit të arrestuar të bëhet një reformë e tillë, të kenë pranga të tilla morale dhe ligjore apo u leverdis më mirë kjo xhungël dhe justifikimi moral se me aq sa paguhen nuk jetohet? Pas emisionit në fjalë më erdhi një sms nga një shqiptar që jeton në Vjenë i cili më thoshte se një Prof. Dr. në spitalin e Vjenës e ka rrogën 4000 euro. Kurse ne na rezulton se njerëz si Prof. Dr Dauti këtë rrogë sot e përqeshin. Sipas meje një nga arësyet kryesore pse nuk bëhet një reformë e tillë është pikërisht fakti se kategoria e Dautit, i cili del se është një nga bosët e spitalit, nuk është e interesuar të bëhet një reformë e tillë. Me një reformë të tillë ata do të merrnin, le të themi, 2000 euro dhe kjo u duket pak.
Mirëpo përsëri çështja nuk është kaq e thjeshtë. Shumica e mjekëve, jam i bindur, do ta pranonin një reformë të tillë me rroga të tilla sepse edhe ata nuk e kanë aq të lehtë të jetojnë duke parë duart e pacientëve. Ajo do të implementohej sikur të mos kishte një vështirësi edhe më të madhe. Në fakt historia e mjekëve mitmarrës si Dauti është vetëm një metaforë e tërë shoqërisë. Në rolin e mjekëve mitmarrës janë thuajse të gjitha kategoritë e atyre që mbahen me rroga shtetërore dhe që duhet të jenë shtyllat e shtetit e të shoqërisë. E kam fjalën për gjyqtarët, prokurorët, policët, mësuesit e padagogët e universiteteve, punojësit e administratës por edhe për politikanët tanë. Mbi të gjitha politikanët tanë, ministrat e deputetët tanë, pikërisht ata që duhet të jenë në krye të reformave. Edhe ata, ashtu si mjekët, kanë një rrogë të vogël që marrin nga shteti, por kanë edhe fitimet e majme që nxjerrin nga mbretëria e informalitetit dhe impunitetit që kanë krijuar. Jam i bindur se tek ne ka jo pak politikanë që qeshin me shifrën “modeste” të fitimit që nxjerr Dauti me një mund aq të madh – sepse, le ta themi edhe këtë, të bësh një operacion nuk është njëlloj sikur të firmosësh një tender. Dhe politikanët tanë kanë një justifikim shumë më të fortë sesa doktori që thotë se me këto rroga nuk jetohet. Ata të thonë: mirë se mund të arrish të ngresh rrogat e doktorëve deri në shifra si 1000 - 2000 euro, por duhen rritur po kështu edhe rrogat e gjyqtarëve, prokurorëve, policëve, administratorëve, politikanëve… e, ku t’i gjesh këto para? Prandaj gjithshka do të rregullohet gradualisht me kohën dmth. pasi të ketë vdekur ky brez e të jetë plakur ai pasardhës e kur të jetë harruar se si e kanë bërë ata pasurinë e tyre.
Në këtë pikë të shkrimit të vjen të ngresh pyetjen: po çfarë ka të re në gjithë këtë histori, atëhere, që po e trajton kaq shumë edhe media përveç faktit që është kapur një Prof. Dr. me rryshfet dhe është arrestuar? Ndoshta e reja qëndron tek arrestimi sepse, sikur të bëhej fjalë për ndonjë akuzë mitmarjeje e dërguar në ndonjë media nga ndonjë pacient, lajmi ndoshta nuk do të hynte fare në defter. Sepse akte të tilla pa arrestim qytetarët shqiptarë i jetojnë përditë. Ata e dinë të gjithë se pse jetojnë si në xhungël. Sepse këtë xhungël e duan luenët. Megjithatë më duket shumë i rëndësishëm ky reagim i mediave dhe i opinionit. Dua të besoj se në këtë histori e reja nuk qëndron vetëm tek arrestimi. Sipas meje arestimi ka sjellë një provë tronditëse e revoltuese për qytetarët dhe, për mua, e reja qëndron në atë se qytetarët nuk e kanë humbur krejtësisht ndjeshmërinë dhe aftësinë për t’u revoltuar me një realitet që po i mpin përditë e më shumë. Një i njohur më thoshte para disa ditësh se kemi arritur në një gjendje si ajo e anestezisë ku, pasi të kanë mpirë krejtësisht, mund të të heqin cilin organ të duan pa ndjerë dhembje. Humbja e aftësisë për t’u revoltuar me padrejtësinë është baraz me vdekjen politike e morale të një shoqërie. Fatmirësisht ky arrestim dhe reagimi ndaj tij tregon se kjo vdekje nuk ka ardhur ende. Kjo ndoshta edhe pse e keqja po prek tashmë deri në kockë.
Prandaj rasti në fjalë nuk duhet ndalur tek arrestimi. Ai duhet të rihapë edhe një herë nevojën e reformave në Shqipëri. Rasti duhet të ndërgjegjësojë edhe shumë nga ata aventurierë që pasurohen sot në mënyrë të paligjëshme, - me mendimin se asnjëherë nuk do të vendoset rregull e ligji në këtë vend, që do t‘i vendosë përpara pyetjes “si e vure ti këtë pasuri?” - se jeta është shumë e gjatë dhe Shqipëria shumë e vogël që kjo të ndodhë. Rasti i arrestimit të doktorit mitmarës mbi të gjitha duhet të shkundë e zgjojë çdo ndërgjegje të fjetur, që i është nënshtruar anestezisë politiko morale, në mënyrë që të kërkojë ndryshimin. (Korrieri, 10 korrik 2008)

Read More......

Tuesday, July 8, 2008

Dosjet nuk do të hapen


Nuk e vura këtë titull me qëllim që lexuesi, i bombarduar këto ditë nga mediat me fjalët “do të hapen dosjet”, të mund t’i kthehet edhe shkrimit tim me titull të kundërt. Jo, kam bindjen se hapja e dosjeve nuk do të ndodhë. Të paktën nuk do të ndodhë në mënyrën se si janë hapur dosjet në vende të tilla si Gjermania, Hungaria, Çekia.
Le të jap argumentet, dhe pastaj, kush do të më kundërshtojë, le ta bëjë. Jam i hapur për këtë debat sa të stërkonsumuar, aq edhe të nevojshëm.
Së pari, ka një arësye shumë materiale pse nuk do të hapen dosjet: sepse nuk mund të hapen, madje as mbyllen, gjëra që nuk ekzistojnë. A mund të hapet apo mbyllet një derë që nuk ekziston? Dhe dosjet nuk ekzistojnë; janë zhdukur, fshehur apo asgjësuar. Këtë e ilustroj me përvojën time personale. Ka kaq kohë që jam vënë në kërkim të dosjes sime operative pasi një ish punonjës i Ministrisë së Brendëshem më tha se ditaret e mija të pesë viteve të universitetit, të konfiskuara kur unë u arrestova, mund të ndodheshin në dosjen time operative. Shpjegoj për lexuesin se kjo është dosja që i hapej një personi kur për të fillonte përpunimi për arrestim. Kjo arshivohej si “me vlerë historike” kur mbaronte kjo punë, por rihapej kur ky rindiqej e përpunohej përsëri për t’u ridënuar – siç ka qenë rasti im. Aty mblidheshin edhe denoncimet që vinin në adresë të këtij personi nga të famshmit bashkëpunëtorë.
E pra, në kërkim të pesë blloqeve të ditareve të mija të viteve të universitetit, të cilët, sipas personit që më dha indikacionin, mund të ishin në dosjen time operative - dhe jo atë gjyqsore sepse ato mund të ishin të vlefshme edhe për ndjekje të personave të tjerë që përmendeshin në këta ditare, - kam mundur të siguroj vetëm kartelën e dosjes sime që tregon se kur është hapur, emrin e punëtorit operativit që e ka hapur dhe atë të titullarit të organit në kohën në fjalë si dhe vendet se ku ka shkuar. Kurse për vetë dosjen operative titullarët më të lartë të djeshënm e të sotëm më kanë thënë se ajo nuk gjendet.
Kam të dhëna dhe arësye të besoj se ashtu siç janë zhdukur dosjet e përpunimit të viktimave janë zhdukur edhe dosjet e bashkëpunëtorëve ku mblidhej gjithshka që denonconte një bashkëpunëtor i Sigurimit për viktimat e ndryshme të tij. Në fakt çështja e zhdukjes së dosjeve është një gjë e thënë dhe rithënë, por çuditërisht dhe jo çuditërisht, sa herë hapet plaga e hapjes së dosjeve, kjo harrohet dhe i gjithë debati, madje edhe ligjet që propozohen, bëhet sikur ato të ekzistojnë. Sipas meje sikur ta kishin seriozisht ata që bëjnë ligje për hapjen e dosjeve më së pari duhet të kërkonin të hetohej mbi gjendjen e dosjeve dhe, nëse një pjesë syresh rezultojnë të zhdukura, duhet të kërkohet më së pari hetimin i shkaqeve, pasojave dhe autorëve të zhdukjes sepse zhdukja e tyre ka krijuar një situatë që cënon një prej parimeve bazë të së drejtës: barazinë e qytetarit para ligjit. Dhe nuk mund të ndërtohen ligje që nuk marrin parasysh këtë parim bazë kushtetues. Ja një arësye pse mendoj se ata nuk e kanë seriozisht.
Por dosjet nuk do të hapen edhe për një arësye tjetër shumë më thelbësore sesa kjo që thashë më sipër. Tek ne, kur flitet për hapjen e dosjeve, bëhet sikur ne të ishim ndonjë vend si Gjermania, Polonia apo Çekia. Mirëpo ne duam të besojmë sikur jemi një vend i tillë. Në fakt ne jemi një vend që ka një raport me të kaluarën komuniste si Rusia madje do të thoja se vendi ynë ndoshta është edhe më i ngjashëm me Kinën sesa me Rusinë përsa i përket raportit me të kaluarën komuniste. Ç’dua të them me këtë? Dua të them se në Rusi komandon një njeri si Putini që ka qenë KGB-ist. Atje as nuk flitet për hapjen e dosjeve të bashkëpunëtërëve të KGB-së. Edhe në Kinë, po ashtu, nuk ka përmbysje të një elite politike, por vazhdimësi. Edhe tek ne më shumë jemi tek vazhdimësia e elitës në pushtet pavarësisht nga emri i partisë që kanë krijuar ish komunistët apo ish bashkëpunëtorët e djeshëm të diktaturës. Sot vazhdojnë të dekorohen e të varrosen me nderime të larta të njëjtët njerëz që i kanë shërbyer atij regjimi në të gjitha fushat si të qeverisjes ashtu edhe të drejtësisë apo të kulturës. Rastet janë fare të freskëta: dy muajt e fundit një prokuror si Skënder Breca që vetëm me tre procese të inskenuar ridënimesh në burg ka pushkatuar pesë ish të burgosur plitikë dhe dënuar mbi tridhjetë të tjerë dekorohet për merita në drejtësi. Një ish drejtor i TVSH si Thanas Nano, që ka qenë simbol i propagandës më konservatore enveriste, i bëhen homazhe pas vdekjes në selinë e RTVSH! A mund të mendohet se njerëz që bëjnë këto nderime mund të bëjnë njëherësh seriozisht ligje për pastrimin e shoqërisë nga njerëzit e rekrutuar me hir apo pahir nga persona të kategorisë që ata nderojnë e dekorojnë? Në vende si Gjermania apo Çekia nuk është folur për atë se çfarë do të ndodhte me elitën politike e intelektuale të komunizmit sepse një pjesë e saj kishte qenë me kohë disidente kurse ata që i kishin shërbyer komunizmit nënkuptohej që nuk do mund të bëheshin pjesë drejtuese e proceseve demokratike. Pa harruar se ata nuk ishin ashtu edhe aq të kriminalizuar sepse atje ka pasur procese që i kanë paraprirë me vite ardhjes së demokracisë. Prandaj atje spiuni ishte më i demonizuari për të bërë karrierë sepse për rekrutuesin e tij, ashtu sikurse për këngëtarët dhe shërbyesit e hapur të diktaturës, nuk bëhej fjalë të bënin karrierë në periudhën pas rënies së regjimit. Kurse këtu tek ne vazhdojmë të drejtohemi nga njerëzit që bënë karrierë në komunizëm. Antikomunizmi për ta ka qenë thjeshtë dhe vetëm karta politike e radhës për të vazhduar karrierën. Duke pasur gjithshka në dorë në pushtet ata thjesht kanë mundur të zhdukin apo ruajnë ndonjë dosje, por kurrsesi nuk mund të presësh që ata t’i shesin kolegët e tyres përveçse kur nuk u qëndrojnë besnik. Ata nuk mund ta kenë kurrë seriozisht hapjen e dosjeve. Edhe vetë zhdukja e dosjeve ka qenë një akt për të siguruar vazhdimësinë e tyre.
Ka edhe një arësye tjetër pse nuk do të hapen dosjet. Sot flitet shumë për hapjen e dosjeve të politikanëve. Flitet edhe për hapjen e dosjeve të gazetarëve, madje ka propozime që dosjet të hapen për të gjithë. Mirëpo, duke iu referuar edhe një fjale të Berishës të para dy tre ditëve, mund të shtrohet pyetja: nëse hapen dosjet e gazetarëve, po dosjet e atyre që, sipas Berishës së pardjeshëm, i mbajnë në pranga gazetarët duke i kthyer në shërbëtorët e tyre, e kam fjalën për pronarët, a do të hapen? E, më në përgjithësi, a do të hapen dosjet e tërë atyre oligarkëve që në fakt janë punëdhënësit e vërtetë, jo vetëm të gazetarëve, por edhe të politikanëve si Berisha, Rama etj., që paguajnë fushatat e partive e më the të thashë? Sepse, deri dje është thënë shumë, veçanërisht nga ish opozita, se një pjesë e mirë e bizneseve kanë rënë në dorë të ish sigurimsave dhe bashkëpunëtorëve të tyre. Dhe kur flitet për nevojën e hapjeve të dosjeve, flitet në emër të pastrimit të politikës dhe vendimarrjes veçanërisht nga njerëz të pamoralshëm që kanë në dorë shumëçka. Dhe këta dihet se sa të fuqishëm janë. E në qoftë kështu këtu shtrohet pyetja: sikur të hapen edhe dosjet e tyre, cilët do të jenë sanksionet për ta. Mos vallë do t’u shtetëzohet pasuria që kanë vënë me moralitetin e shprishur. Unë nuk i besoj këto gjëra. Këto janë ëndrra në diell. Më shumë i besoj asaj shprehjes se “politika është shprehje e koncentruar e ekonomisë”. Interesat e tyre përcaktojnë politikën dhe unë do të thoja se këtyre nuk u intereson të hapen dosjet dhe prandaj ata do ta urdhërojnë politikën të mos i hapë.
Ja tre argumente pse dosjet nuk do të hapen, që përmblidhen në argumentin se nuk mund të hapen dosjet nga një elitë që nuk është ndarë nga e kaluara komuniste përkundrazi që suksesin e sotëm ia dedikon asaj. Do të ketë vetëm shumë zhurmë për hapjen e dosjeve. Në fakt çështja nuk shtrohet sot a do hapen apo nuk do të hapen dosjet. Madje as a është më mirë të hapen apo jo, por se pse, për ç’arësye bëhet kjo zhurmë, pse u hap përsëri ky debat? Por këtë po e le ta trajtoj në një shkrim tjetër. (Korrieri, 5 Korrik 2008)

Read More......

Monday, July 7, 2008

Kriza e një “zhvillimi” të paqëndrueshëm

Dëgjova me vëmendje të veçantë deklaratën e para dy tre ditëve të kryetarit të shoqatës së ndërtuesve Shkëlqim Bumçi lidhur me vështirësitë që ka ndërtimi, rrezikun e falimentimit të firmave ndërtuese dhe kërkesën që i bëhej qeverisë për të ndërhyrë. Mbeta i habitur se sa pak jehonë gjeti kjo deklaratë. Ndoshta ajo pati kaq pak jehonë sepse ne jemi një popull që të keqes nuk duam t’i dalim përpara, por urojmë që ajo të na vijë sipas asaj shprehejs sonë popullore: “Në kokë e në gropë”. Më kujtohet se deri kur erdhi kriza e falimentimit të piramidave financiare askush nuk donte ta besonte se ajo po vinte.
Bumçi i lidhi vështirësitë kryesisht me rritjen e çmimeve të hekurit, të karburantit dhe e vuri theksin tek kompanitë e ndërtimit të rrugëve publike, ndonëse nuk e mohoi se këto “vështirësi” prekin edhe kompanitë e tjera të ndërtimit. Sipas meje vështirësitë janë më të gjera dhe lidhen, po ashtu, me shumë shkaqe të tjera ndër të cilat edhe me mungesën e vizioneve dhe planeve afatgjata strategjike të qeverive tona, krizën botërore të rritjes së çmimeve të karburantit hekurit etj., por edhe me krizën që ka përfshirë sektorin e ndërtimit këtu dhe në gjithë botën.
Deklarata e Bumçit më kujtoi intervistën e një analisti spanjoll që komentonte rezultatin e zgjedhjeve në Spanjë dhe sfidat e reja që e presin Zapateron e rizgjedhur. Sipas analistit sfida më e madhe që e pret Zapateron është ajo ekonomike. Shkaku: sepse ekonomia spanjolle, që njihet për bumin e saj, ka filluar rënien. Dhe shkaku i kësaj rënieje ka ardhur ngase rritja është realizuar kryesisht në sajë të industrisë së ndërtimeve kombinuar me atë të turizmit. Tani kërkesa ka rënë shumë. Ka një numër të madh apartametesh të pashitur. Ajo çka duhet të bëjë Zapatero, sipas analistit, është pikërisht t’i hapë një udhë të re ekonomisë duke e transferuar/transformuar këtë industri të ndërtimit në diçka tjetër. Me fjalë të tjera ata që kanë investuar deri dje në ndërtim dhe prodhimin e tërë asksesorëve të tij duhet t’i investojnë paratë e tyre gjetkë dhe sfida e qeverisë është t’i japë drejtim kësaj pune.
Më tërhoqi vëmendjen ky moment i analizës së spanjollit, pasi kishte lidhje me realitetin shqiptar. Personalisht kam kohë që ngre shqetësimin përsa i përket investimeve të parasë së shqiptarëve kryesisht në industrinë e ndërtimit e cila, duke patur parasysh edhe aksesorët e vet, që ne nuk i prodhojmë, por i importojmë, ka qenë industria që ka mbajtur gjallë për mirë dhe për keq ekonominë e vendit. Them për mirë në kuptimin e punësimit, të shpërndarjes së parasë dhe të zgjidhjes së problemit të strehimit. Them për keq duke patur parasysh shfrytëzimin e egër, barbar dhe pa vizion që i ka bërë kjo industri burimeve tona natyrore që vende vende, veçanërisht, në Tiranë, Durrës, Vlorë, Sarancë ka shkaktuar katastrofa urbane, ekologjike kulturore të pakthyeshme. Them për keq edhe pse, duke e parë nga pikpamja e zhvillimeve afatgjata ose “të qëndrueshme” siç mbiquhet sot një zhvillim i shëndoshë, kjo ka krijuar një ekonomi që vetëm konsumon, nuk prodhon, prandaj e destinuar të futet në krizë.
Sipas meje deklarata e Bumçit kishte brenda farën e paralajmërimit të kësaj krize dhe të qëndrosh indiferent ndaj saj më duket të mbash një qëndrim vetvrasës. Sot më duket se nuk shtrohet më çështja se qytete të tilla si Tirana, Durrësi janë bërë qytete të pabanueshëm sepse nuk ke ku të marrësh frymë, se nuk ke ku parkon makinat, se nuk ke ku ecën më këmbë. Sot nuk ka më kuptim të thuash se arkitekti dhe ndërtuesi, kur projektojnë e ndërtojnë, nuk duhet të mendojë vetëm për ata që banojnë brenda ndërtesës që ngrenë dhe as vetëm për lekët që do të fitojnë sot, por edhe për “klientin” jashtë, për peisazhin qe i marrin atij e vlerën që i ulin apo i ngrenë një qyteti të tërë me atë që bëjnë, pasi duke jetuar në shëmtirë shtypesh e mbushesh me negativitet të cilit kërkon pastaj t’i ikësh. Sot më duket se nuk ka më kuptim as edhe të thuash, siç më shkruante një mik para disa ditësh: “Ky shkatërrim, kjo ndotje çmendurisht e ambientit, uzurpim total i çdo sipërfaqeje, në gjuhën e ambientalistëve te sotëm, quhet “bombë paqësore”, sepse është me veprim të ngadaltë. Dhe, çfare ndryshimi ka midis një vrasësi që të vret në çast ,dhe këtyre që ta marin jetën gradualisht?”
Nuk ka kuptim kjo sepse tashmë ky është një realitet gati i pazhbëshëm, ndonëse gjithnjë ka vend për atë shprehjen “nuk është kurrë tepër vonë.” Por sot kam frikë se nuk kemi të bëjmë vetëm me bombën me veprim të ngadaltë, por se në deklaratën e Bumçit ndjehej rreziku i bombës që mund të shpërthejë shpejt. Ne nuk kemi studime për këtë zhvillim kaotik e të paqëndryeshëm që ka sjellë industria e ndërtimit. As vetë shoqata nuk ka bërë të tilla. Ajo më shumë është marrë me mbrotjen e interesve imediate të ndërtuesve që nuk kanë pasur aq shumë nevojë për këtë sepse shumica e tyre janë edhe pronarë mediash. Por që, duke parë realitetin përreth, thjeshtë dhe vetëm me perceptim arrin në përfundimin se faza e atij “zhvillimi” që lidhej kryesisht me ndërtimin është duke marrë fund në mos pastë hyrë tashmë në krizë kjo më duket evidente. Mjafton të kesh parasysh një gjë: Ne po vazhdojmë të ndërtojmë qendra biznesi pa numër. Por me çfarë logjike ekonomike ndërtohen këto, me një fjalë sa i përgjigjen nevojave, apo asaj që, me gjuhën e tregut, quhet “kërkesë”? Dikush thotë se përdersa ka kush i blen nuk ka problem. Por a është vërtet kështu: a ka më kush i blen dhe, së dyti, ne duhet të dimë se nga vjen kjo kërkesë, sepse, nëse kjo është kërkese e trafikantëve të drogës për të pastruar para siç deklaronte dikur, kur ishte në opozitë, kryeministri ynë Sali Berisha, kjo nuk është kërkesë normale tregu, kjo është thjesht një mënyrë për të shplarë paranë, por nuk siguron vazhdimësi ekonomike. Ajo punon thejshtë në funksion të vetvetes. Jo vetëm, por tërë këto qendra biznesi po bëjnë edhe një dëm tjetër të madh. Nuk është puna vetëm se këto po zaptojnë hapësira jetike gjelbërimi, se po lenë pa punë njëra tjetrën, por këto po u heqin banorëve edhe ato pak mundësi që kanë për të dhënë me qira shtëpitë e tyre. E njëjta gjë më duket se mund të thuhet edhe për aparatmentet që po ndërtohen. Thuhet se një përqindje e vogël njerëzish zotëron deri edhe mbi dhjetë të tilla që rrinë bosh. Me fjalë të tjera perceptimi që kam, i pabazuar siç thashë në studime serioze sepse ne na mungon ende regjistrimi i popullsisë e jo më i pasurisë, - dhe ndoshta jo rastësisht, - është se ne kemi krijuar një pasuri fiktive, të cilës po ia ulim vlerën dita ditës duke shtuar çimentifikimin e që, po të duam nesër ta shesim do të ketë shumë herë më pak vlerë nga sa na e mer mendja sepse nuk na e blen kush, ndërkohë që, nga ana tjetër, nuk mund ta mirëmbajmë dot e aq më pak të prodhojmë pasuri të re prej saj. Se kemi të bëjmë, pra, me një zhvillim të paqëndryeshëm që ka arritur pikën e tij të krizës së paqëndryeshmërisë. Po të kesh parasysh atë që ka ndodhur në plazhin e Durrësit më duket evident ky konstatim. Vlera ekonomike e atij plazhi nuk është rritur, por është duke u pakësuar dita ditës që atje ndërtohet. Duket sheshit se atje ndërtimi nuk është më një mjet që funksionon për prodhuar të mira për të gjithë, por në të mirë të vetvetes ndoshta edhe thjeshtë ngase nuk gjen rrugëdalje tjetër investimi.
Kështu e lexova unë deklaratën e kreut të shoqatës së ndërtuesve i cili, ndoshta, nuk kishte këtë qëllim, por të mbronte edhe një herë interesa imediate ndërtuesish. Qytetarët e thjeshtë janë të pafuqishëm, për ta ndalur këtë zhvillim të paqëndrueshëm ngase të painformuar dhe të papërfaqësuar. Por, duke përsëritur edhe një herë thënien “nuk është kurrë tepër vonë”, them se në të mirë të tyre pushtetarët tanë qendrorë dhe lokalë, si dhe ndërtuesit më të përgjegjshëm, që nuk kanë ditur e dashur t’i japin deri më sot një rrugë të qëndrueshme këtij zhvillimi të paqëndrueshëm, nëse e lexojnë edhe ata kështu, do të kenë ende edhe pak kohë për të evituar një krizë të re të rëndë ekonomike që na kanoset. (Korrieri, 30 qershor 2008)




Read More......

Tuesday, July 1, 2008

Afera amerikane dhe pandëshkueshmëria shqiptare

Çështja e lidhjes së ambasadorit amerikan Withers me aferën e paligjshme të falsifikimit të fishekëve kinezë, ku dalin të përfshirë amerikanë dhe shqiptarë, ka mbytur faqet e lajmeve të televizioneve dhe ato të gazetave.
Është vërtet një ngjarje me të gjitha elementët për të qenë një skup mediatik, shumëdimensional sepse përfshin në një lidhje të çuditëshme, gati surreale, një shtet të vogël si Shqipëria dhe shtetin më të fuqishëm në botë, pse ka në prapaskenë luftra dhe armë që prekin konflikte botërore, sepse gjejmë në këtë lojë protagonistë të rëndësishëm, ndër të cilët edhe gazetën më të njohur në botë New York Times, pse në lojë është edhe rivaliteti midis Departamentit të Shtetit dhe Pentagonit, midis demokratëve amerikanë dhe atyre republikanë.
Çdo gazetar që ka ndjekur dhe komentuar ngjarjet më të rëndësishme në vend nuk mund të mos bëjë komentin e tij edhe lidhur me këtë ngjarje. Nxitoj prandaj edhe unë të bëj komentin tim.
Janë dy pikat më të rëndësishme që më fton të ve në dukje kjo histori ashtu siç është zhvilluar deri tani.
Së pari, ndonëse, siç thashë, kemi të bëjmë me një ngjarje kaq mediatike për shkak të implikimit të SHBA, kjo nuk duhet të na bëjë të harrojmë se pjesa shqiptare e kësaj afere është shumë herë më e rëndë dhe kriminale sesa ajo amerikane. E kam fjalën për atë se tragjedia e Gërdecit është shumë herë, pakrahasimisht herë më e rëndë sesa përfshirja ose jo e ambasadorit amerikan në falsifikimin e origjinës së fishekëve. Fakti se në këtë aferë janë amerikanët, se në të mund të ketë dorë edhe vetë ambasadori, nuk duhet të na bëjë të kalojmë në plan të dytë krimin e Gërdecit. Dhe krimi i Gërdecit nuk lidhet me fishekët kinezë apo shqiptarë, por lidhet me faktin se të korruptuarit shqiptarë, në etjen e tyre për para, kanë shkuar shumë më përtej në krime dhe paligjshmëri sesa shitja me fallsifikim i fishekëve të vjetër kinezë. Ata kanë futur në proces demontimi predha të artilerisë së rëndë në kushte të paimagjinueshme sigurie për çdo qënie njerëzore që ka sadopak ndjeshmëri ndaj jetës së tjetrit. Dhe ky është krimi kryesor për të cilin duhet të akuzohen dhe gjykohen përgjegjësit e kësaj afere ku ajo e fallsifikimit të origjinës së fishekëve është pjesa më e lehtë. Duhet bërë, pra, kujdes që afera amerikane të mos eklipsojë krimin shqiptar, të mos futemi në sherret midis Pentagonit dhe Departamentit të Shtetit, apo ato midis demokratëve dhe republikanëve amerikanë e të ngecemi aty.
Së dyti, midis asaj se çka po ndodh në Amerikë dhe këtej nga ne lidhur me këtë aferë bije në sy një diferencë e madhe. Ne shohim dhe ndjejmë peshën e rëndësisë me të cilën po trajtohet kjo aferë në SHBA dhe, po ashtu, kemi ndjenjën se këtej nga ne nuk do të ndodhë asgjë me protagonistët tanë të krimit. Kjo sepse ne dimë se në SHBA drejtësia është e pavarur nga politika, se fajtorët do të dënohen, kurse tek ne jemi në mbretërinë e pandëshkueshmërisë me një drejtësi të kapur nga autorët e krimit qofshin këta politikanët qofshin oligarkët si Delijorgji me shokë. Në këtë kontekst kjo ngjarje vlen të komentohet edhe për atë se edhe në këtë rast, si shumë herë, ne shpresën e kemi të na shpëtojnë të huajt. Pra dëgjon shumë zëra që të thonë se fakti që për këtë çështje po hetojnë edhe amerikanët mund të na ndihjmojë sepse, duan s’duan, edhe prokurorët tanë do të detyrohen të hetojnë e të nxjerrin fajtorët; se kjo do të jetë një provë edhe për drejtësinë tonë, se nga ky dokumenti i fundit doli qartë se Mediu ka ditur që në nëntor 2007 se çfarë ndodhte, jo se ishte i huaj për këtë aferë siç ka pretenduar etj.. Personalisht jam skeptik ndaj kësaj shprese. Sepse më duket se edhe sikur të arrijë të dënohet Mediu nuk do të ndodhë ndonjë ndryshim në thelbin e gjësë. Unë e shoh klasën tonë politike aq të infektuar nga sëmundja e Mediut dhe drejtësinë aq të lidhur me klasën tonë plitike saqë e kam të vështirë të besoj se, pas kësaj historie, ne do të dalim me ndjenjën se sistemi i impunitetit për klasën tonë politike ka marrë një goditje të rëndë dhe se nesër do të kemi më shumë drejtësi. Sikur në SHBA afera korruptive të kishte shkaktuar edhe 26 viktima nuk di se çfarë do të kishte ndodhur. Atje vetëm për faktin se janë blerë fishekë kinezë po bëhet nami, kurse tek ne është evidente ngadalësia e veprimit, pafuqia ndaj së keqes, mungesa e vullnetit për ta ndëshkuar atë. Kemi të bëjmë me një diferencë që, metaforikisht, do të thoja se është si ajo midis sëmundjes që bije mbi një trup të shëndoshë, që ka forcën e imunitetit për të reaguar dhe pashpresësisë së një trupi me Sida, me sistem imunitar të shkatërruar, të cilit episode të tilla veçse i venë në dukje agoninë e tij.
Qofsha i gabuar, por përshtypja ime është se sistemi i imunitetit për klasën tonë politike është forcuar edhe më shumë dy vjetët e fundit, veçanërisht pas Gërdecit. Kjo sepse, në fakt, është e njëjta klasë politike që ka 17 vjet që më një anë përthellohet në abuzim me pushtetin dhe, më anë tjetër, e konsolidon gjithnjë e më shumë këtë pushtet. Kjo klasë politike - e kam fjalën për të gjithën pa dallim krahësh - në krye të herës e kishte shumë më tepër frikë drejtësinë. Pastaj, veçanërisht pas 97-tës, kur, megjithë atë masakër, nuk i hyri gjemb në këmbë, por vetëm vazhdoi pasurimin e saj edhe më tej, ajo e rriti edhe më sigurinë se nuk mund t’i ndodhte gjë. Konsolidimi i sistemit të korrupsionit me socialistët e çoi në një shkallë edhe më të lartë këtë siguri, por përsëri lufta për pushtet që lindi brenda socialistëve në një fazë dhe ajo midis mazhorancës dhe opozitë në fazën tjetër, ku njëra palë denonconte palën tjetër, sikur e ruajti një farë frike nga drejtësia. Kurse me kapjen nga PD të sistemit të korrupsionit dhe veçanërisht pas Gërdecit siguria e pandëshkueshmërisë u rrit edhe më shumë pasi palët e shohin veten në të njëjtin batak. Së fundi kemi hyrë në një fazë të fundit të forcimit të mëtejshëm të kësaj sigurie nëpërmjet marrëveshjes së heshtur dhe të hapur mazhorancë - opozitë për të ndarë të patrazuar nga drejtësia dhe opinioni publik pushtetin dhe përfitimet abuzive prej tij. Sot vërtet opozita bërtet herë pas here për Gërdecin, por ndjesia e përgjithshme e opinionit është se kemi të bëjmë me show-un televiziv të rradhës, me larje goje sepse asnjëra palë nuk ka forcë morale për të kërkuar t’i shkohet deri në fund drejtësisë pasi Delijorgji dhe shokët e tij i kanë pasur bashkëpjesëtarë në krim. Njerëzit nuk kanë më asnjë besim. Ata i janë nënshtruar së keqes dhe padrejtësisë e cila i godet dhe mpin ngado që kanë kontakt me politikën.
Ka shumë që kanë arritur në këtë përfundim dhe në fund të këtyre arsyetimeve shtrojnë pyetjen: mirë, po si do të dalim nga kjo gjendje? E përsëris edhe një herë: qofsha i gabuar, por kam shumë frikë se nga kjo gjendje ne do të na nxjerrë kolapsi dhe jo aftësia për të përmirësuar shkallë shkallë vetveten dhe e keqja e kolapsit është se ai pjell kaos i cili jo vetëm rrit pandëshkueshmërinë, por nxjerr në krye përsëri sharllatanë dhe aventurierë të kategorisë së këtyre që kemi sot në krye. (Korrieri, 27 qershor)

Read More......