Tuesday, September 23, 2008

Mazhoranca e opozita në sezonin e ri politik

Vera dhe pushimet e saj janë një periudhë kur jeta politike e vendit sikur ka një periudhë, sado të shkurtër, dekantimi, sikur turbullimet e ngritura gjatë tërë vitit bijen poshtë dhe bëhet më e qartë se nga çfarë lënde janë ndërtuar ato e, në përgjithësi, kthjellohet sadokudo situata. Dhe kështu, kur turbullimet rifillojnë në shtator, njerëzit sikur janë më të kthjellët në vlerësimin e aksioneve të reja politike.
Çfarë vihet re në politikën shqiptare pas verës së fundit? Sipas meje është një gjë thelbësore për tu shënuar: fakti se çdo verë që kalon gjithnjë e më shumë politika dhe aktorët e saj shihen si pjesëtarë të një loje teatrale gjithnjë e më e çveshur nga besueshmëria. E kam fjalën se gjithnjë e më shumë njerëzit mendojnë se gjithë çka këta politikanët tanë thonë nëpër Parlament, nëpër gazeta e televizione, nëpër konferenca për shtyp, sëbashku me akuzat e ndërsjellta, nuk kanë asnjë përmbajtje të vërtetë, asnjë sinqeritet qëllimi, asnjë përputhje midis fjalës dhe veprës, por janë thjesht pjesë e një biznesi fitimprurës vetëm për ta. Pra perceptimi i politikanit si individ që politikën e ka biznesin e tij personal, që jeton me përfitimet që i sjell ky profesion, që flet vazhdimisht në emër të së mirës së të gjithëve, por që nuk e ka seriozisht asgjë nga ato që thotë, përkundrazi, që faktikisht kuron vetëm interesat e veta meskine, ka ardhur çdo vit duke u forcuar. Për të mos thënë se ka arritur pikën e tejngopjes.
Nën optikën e këtij opinioni, që nuk gaboj kur them se është shumë i përhapur, shihen dhe gjykohen në këtë shtator të ri edhe aksionet politike të mazhorancës dhe opozitës.
Përsa i përket mazhorancës ajo çka bije në sy në aksionet e saj të rifillimit të stinës politike është përpjekja e një numri eksponentësh të saj, me në krye kryeministrin, për të bindur sa më shumë nga ata që mendojnë se punët nuk po shkojnë mirë, se ky është një perceptim dhe, si i tillë, jo vetëm nuk përputhet me realitetin, por është një perceptim i ndërtuar gabim për shkak keqinformimesh më një anë dhe mosinformimesh për punët e shumta që ka bërë qeveria më anë tjetër. Edhe deklarimet për punën e qeverisë nga ana e Kryeministrit, edhe intervistat e shumta të Ministrit të Rendit, por edhe të ministrave të tjerë ngulmojnë të ndryshojnë këtë perceptim. Jepen shifra të arritjeve në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, mbledhjes së parave nga qeveria dhe të investimit të tyre shumë herë më shumë se vitet e tjera. Për këtë ndrrim perceptimi shpenzohen edhe reklama televizive që propagandojnë punën e mirë të qeverisë, çka bëhet me paratë tona publike – gjë kjo e paparë dhe e padëgjuar në një vend demokratik. Jepen pa fund edhe deklarata të të huajve që interpretohen sikur lëvdojnë arritjet e qeverisë – së fundi edhe ajo e Bankës Botërore që e renditka Shqipërinë në vend shumë të mirë përsa i përket reformave lehtësuese për biznesin.
Personalisht në kërkim të së vërtetës jam i prirur t’i ve në dyshim ato që mund të quhen perceptimet e mija. Ndoshta e kam gabim - them me vete, - ndoshta mund të jem i deprimuar personalisht dhe e lexoj realitetin me sytë e deprimimit tim, apo ndoshta kërkoj shumë, sepse, po të aplikojmë atë thënien e Durrenmattit se “jeta nuk është aq e zezë po të mos e shohim nga këndvështrimi i idealeve”, mundet që realiteti ynë të na dalë edhe optimist. Për tu siguruar nëse përputhet aspo jo me realitetin perceptimi im se punët tona sot janë më zi nga ç’kanë qenë dje, se problemi ynë më i madh nuk është se s’kemi bërë hapa sa duhet në rrugën e duhur, por se nuk jemi në rrugën e duhur, iu drejtova para se të ulem të shkruaj këtë shkrim, “perceptimeve” të njerëve të ndryshëm nga të gjitha kategoritë. Duke bërë sigurisht kujdes të mos shkoj të pyes militantët e të dy palëve, por njerëz që janë sa më larg interesave direkte dhe po ashtu njerëz që, edhe kur kanë një simpati majtas apo djathtas, ruajnë një aftësi objektiviteti.
Pas një numri jo të vogël “intervistimesh” mund të them se thuajse të gjithë ata që kam pyetur pohojnë perceptuiin që përmenda në krye të shkrimit mbi uljen edhe disa shkallë më tej të besueshmërisë së kastës sonë politike dhe, po ashtu, se punët nuk po shkojnë mirë, por keq përsa i përket asaj që me një frazë të vetme mund të quhet cilësia dhe perspektiva e jetës në vendin tonë. Dhe në këto biseda/intervista nuk i jam referuar thjesht e vetëm Gërdecit apo Trebickës, por tërë kompleksitetit të gjendjes sonë ekonomike, sociale, kulturore, arsimore, shëndetsore etj..
Shkurt, më del se është forcuar perceptimi se qeveria e Sali Berishës, megjithë shifrat që jep për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ka dështuar në këtë luftë. Ose më mirë të them se përballë dilemës kryesore që është ngritur kur Berisha erdhi në pushtet nëse ky dhe të tijtë do ta luftonin sistemin e korrupsionit apo ky do t’i kapte ata, apo se ata thjesht synonin qysh në fillim ta kalëronin atë, shumica të jep përgjigjen se nuk ka ndodhur lufta, por pajtimi apo kalërimi. Disa të paktë thonë se ka një përmirësim të vogël sasijor, por jo cilësor në krahasim me socialistët. Ka që ngrenë akuzën se tani sistemi është shumë më i përqendruar në duart e njerëzve të afërt të kryeministrit; se ky, pra, nuk është aq “bujar” sa Nano i cili bënte një shpërndarje më “harmonike” të përfitimeve të korrupsionit. Duke u nisur nga parimi i të keqes më të vogël, mund ta quash pozitive një gjë të tillë, sepse kjo do të nënkuptonte se jashtë rrethit të kryeministrit të tjerët janë konform ligjit, por shumicës nuk i rezulton kështu. Sipas shumicës me të cilët pajtohet edhe perceptimi im, vazhdon e njëjta shtrirje korruptive madje tani edhe më keq sepse nëse dje kishte një opozitë (ajo e Berishës) që trembte se kur të vinte në pushtet do të bënte namin kundër të korruptuarve, tani duket qartë se, duke qenë të gjithë njëlloj të zhyer, nuk kanë më as frikë nga e nesërmja.
Në këtë kontekst vlen të komentohet edhe një prej arritjeve që qeveria trumbeton më shumë: zhdukja e bandave ku pëmenden edhe emrat e kapove më të njohur madje të akuzuar edhe si të lidhur me socialistët. Është e vërtetë se disa banditë të njohur janë kapur dhe dënuar, por mos edhe këtu dardha e ka bishtin prapa? Duhet pohuar se kryesisht të ashtuquajturat banda janë marrë me trafikun e drogës e prostitucionit dhe pastaj me pastrimin e parave kryesisht nëpërmjet ndërtimeve në formë investimi në ndërtim apo duke blerë të gatshme kafe – bare, restorante, dyqane, apartamente. Duhet pranuar gjithashtu se në tërësi, përsa i përket vrasjeve, përjashto vitin 1997, bandat janë marrë kryesisht me larje hesapesh mdis tyre. Afërmendsh në këtë fushë aq më pak kemi shifra alternative nga ato që na jep ministria prandaj dhe do të mbetemi edhe më fort në sferën e perceptimeev. Por perceptimet ndërtohen nga vëzhgime që bën njeriu në terren, nga përjetime personale, nga informata që mbledh nga shtypi, nga përvoja të tjerësh që dëgjon, nga krahasime që bën me të kaluarën. Duke iu referuar të gjitha këtyre përfundimi im është se ndoshta janë pakësuar pak rastet e vrasjeve spektakolare midis bandave, paçka se dëgjojmë gati përditë të ndodhin të tilla, por kurrsesi nuk mund të thuhet se zhdukja e disa kapove nuk është zëvendësuar me të tjerë kapo dhe banda që kanë marë në kontroll shumë nga rrugët e trafiqeve të drogës dhe se, me gjasa, këto të dytat mund të jenë më afër demokratëve. Pavarësisht shifrave që mund të na serviren nga qeveria vendi vazhdon të japë përshtypjen se industria kryesore e cila mban në këmbë ndërtimet dhe aksesorët përreth saj, ashtu sikurse edhe kafe restorantet e panumërt, makinat lluksoze e shumëkubikëshe që qarkullojnë nëpër Tiranë, që paguan studimet në universitetet private të shumuara në mënyrë absurde, pushimet jashtë shtetit, vilat lluksoze, korrupsionin e qeveritarëve e më the të thashë është ajo e trafikut të drogës e prostitucionit. Nuk mund të përballohet ky standart jetese me shtesat në rrogë që reklamon kryeministri, të cilat, edhe pse në përqindje mund të vlerësohen të konsiderueshme, në vlerën reale, duke patur parasysh rritjen e çmimeve dhe inflacionin, janë thuajse asgjë.
Le t’i kthehemi tani opozitës. Përballë kësaj situate ne kemi një opozitë të ndarë në dy pjesë: atë të Edi Ramës dhe atë të Ilir Metës. Ky i pari po ndjek taktikën e akuzave për paaftësi dhe keqeverisje të Berishës, por edhe për korrupsion dhe plane për të uzurpuar institucionet, por pa mundur të bindë opinioni se nuk është e vërtetë akuza se midis tij dhe Berishës ka një marrëveshje që lidhet me ndarjen e përfitimeve korruptive të pushtetit nëpërmjet oligarkësh që shërbejnë si ura lidhëse midis të dy palëve që në fakt janë edhe dy pushtetet më të rëndësishme në vend: pushteti qendror dhe pusheti lokal i kryeqytetit. Kjo është akuza e partisë së Ilir Metës, i cili, duke pasur edhe avantazhin se është vetëm në opozitë, për ta provuar atë, në mënyrë që të tërheqë edhe më rreth vetes militantë socialistë, paraqet kërkesat radikale të daljes nga Parlamenti dhe largimin e Berishës, të cilat Rama nuk i bën sipas tij në emër të respektit për lojën institucionale.
Por ajo që bije në sy tek të dy këto forca opozitare është se asnjëra nuk merret seriozisht dhe me themel me sistemin e korrupsionit të ngritur. Për hir të së vërtetës duhet pranuar se herë pas here fjalën “korrupsion” e përmendin qoftë Rama qoftë Meta, por vetëm në mënyrë të përgjithshme dhe duke ia atashuar vetëm Berishës. (Meta herë herë edhe të dyve). Ata flasin aq shumë për Gërdecin si krim dhe korrupsion qeveritar i Berishës dhe njerëzve të tij, por askush nuk përmend Delijorgjin jo vetëm si person, por edhe si metaforë e sistemit, pra në atë mënyrë që të synojë të demaskojë formën se si ka funksionuar Delijorgji si fenomen ku, përveç denoncimit të lidhjeve të tij të vjetra dhe të reja, të paraqitet një projekt serioz dhe bindës për rrugët që do të ndjekin ata për eliminimin e këtij sistemi që na ka futur në qorrsokak vetshkatërrues. Kjo nuk bëhet për dy arësye: e para, sepse kështu dalin të implikuar edhe shumica e liderve të opozitës dhe, e dyta, sepse ata ose nuk e dëshirojnë ndërrimin e këtij sistemi ose ndjehen të pafuqishëm para tij sepse janë të kapur prej tij. Dhe kështu harohet se, tek e fundit, ajo për çka akuzohet Berisha është pikërisht mosmbajtja e premtimit për çmontimin e sistemit, megjithë fjalët e mëdha dhe akuzat e mëdha para se të vinte në pushtet. Të mbetesh thjesht e vetëm tek çmontimi i Berishës do të thotë të kthehesh atje ku ishe, tek riardhja në krye të sistemit të aktorëve që ai ka akuzuar për ndërtimin e tij. Fakti që Rama dhe Meta janë protagonistë kryesorë në këtë ndërtim afërmendsh e ul jashtë mase kredibilitetin në ta. Edhe ata vetë e dinë se janë në një rreth vicioz. Në këto kushte u mbetet vetëm teatri i luftës ndaj personave. Por në këtë luftë njerëzit shohin, të lodhur, një film që tashmë e kanë parë disa herë. Vakësia e mitingut të para dy ditëve, megjithë dramacitetin që shkakatoi në shtëpitë shqiptare vdekja misterioze e Trebickës, ishte shprehje eksplicite e kësaj lodhjeje që është edhe sinjal se diçka thelbësore duhet të ndryshojë për ta kthyer politikën nga teatër aktorësh shtijnakë e të konsumuar në arenë lëvizjesh që çlirojnë energji dhe besim ndryshimi të vërtetë. (Korrieri, 22 shtator 2008)


Read More......

Vdekja Trebicka

A jetohet më në këtë vend? Kjo është pyetja që e kam dëgjuar të artikulohet më shpesh se kurrë ndonjëherë nga goja e të njohurve të ndryshëm teksa bëjnë komentet e asaj që ndodhi me Kosta Trebickën.
Është një pyetje retorike që vjen si rezultat i një përvoje të gjatë ekstreme dhe jo i një çasti dëshpërimi ekstrem.
Ajo që më bën përshtypje është se njerëzit nuk merren thjesht me pjesën e verdhë të kësaj vdekjeje. Shumica refuzojnë madje ta hapin diskutimin nëse vdekja mund të jetë edhe pasojë e një aksidenti të paqëllimtë. Dhe kjo jo thjeshtë pse janë të prirur, si zakonisht, të besojnë në teorinë e konspiracionit. As thjesht pse urrejnë Sali Berishën. Por sepse kjo ngjarje ka ardhur si ajo pika e fundit e ujit që derdh kupën. “Vdekje aksidentale”, “vdekje misterioze”, “vrasje nga mafia”, “vrasje nga pushteti” janë disa nga etiketimet që i janë vënë deri më tani vdekjes së Trebickës. Por nuk bën asnjë gabim nëse thua se në perceptimin tonë këto mund të jenë të gjitha sëbashku të vërteta e fare mirë mund t’i përmbledhësh me një shprehje të vetme e t’i quash: “vdekja Trebicka”. Sepse ky është një vend ku jeta e njeriut është e kërcënuar shumë herë më tepër se në çdo vend normal nga të katër llojet e këtyre vdekjeve, por edhe nga lloje të tjera kërcënimesh jete. Një vend ku duhet të jetosh nën hijen e bandave dhe agersorëve të çdo lloji, e ku, aq më keq, nuk mund as të mbijetosh nëse nuk ndjek ligjet e kësaj xhungle kriminale. Cila është në thelbin e vet historia e Trebickës? Është historia e një njeriu të cilit, ca më të këqij se ai, ca më të fortë se ai, ndër të fortët e xhunglës, i morën biznesin dhe më në fund edhe jetën. Tek fati i Trebickës çdo njeri sheh fatin e tij në ktë xhungël prandaj dhe ngre pyetjen: a vlen më të jetohet në këtë vend ku mund të pësosh “vdekjen Trabicka” që mund të jetë njëherësh edhe vrasje edhe aksident, edhe e misterëshme edhe e qartë, edhe e zbuluar edhe e pazbuluar, edhe e proçesuar nga prokuroria edhe e paproçesuar, edhe e dënuar edhe e padënuar.
Në fakt duhet të jesh shumë mendjelehtë ose shumë i pandërgjegjshëm që këtë ngjarje ta kalosh duke u marrë me atë nëse e vranë apo vdiq aksidentalisht Trebicka. Apo edhe me atë nëse kjo e dëmton apo e favorizon pushtetin e Sali Berishsë apo Edi Ramës. Kjo është një ngjarje që të ngërmon të reflektosh për tërë ato që kanë ndodhur në vendin tonë në këta 17 vjet pas-komunizëm. Kjo vrasje të thërret nga kujtesa – duan apo s’duan ata që pretentojnë se është aksident – numrin e pafundëm të ngjarjeve tragjike që kanë mbetur të pazbuluara dhe të pandëshkuara në vendin tonë gjatë këtyre viteve. Le të kujtojmë pak çka ndodhur në këta 17 vjet. Ne na erdhi në krye një parti që për të përshpejtuar ardhjen e saj në pushtet ia filloi me plaçkitje e shkatërrime deposh e magazinash, që ndërtoi një Ministri Rendi që në vend të organizmit të rendit merrej me organizimin e trafikut të drogës e prostitucionit, (që nga kapua e poshtë); që krijoi një shoqëri me emrin e madh Shqiponja që trafikonte naftë e karburant në kohën e embargos, (me në krye kryetarin e partisë), që është marrë me trafik armësh të ardhurat e të cilave nuk ka asnjë gjurmë se ku kanë shkuar; që lejoi njerëzit të zbresin të zaptojnë tokat e pronarëve të vjetër apo shtetërore sikur të ishin prona e tyre, që lejoi piramidat financiare të grabisin gjithë kursimet e shqiptarëve, dhe që, për të mos rënë nga pushteti, preferoi ta fuste vendin në kaos duke hapur depot e armatimeve në të gjithë vendin. Sot ende nuk dihet ekzakt as numri i të vrarëve që thuhet se është midis 2000 dhe 3000, por dihet saktë se nuk ka asnjë përgjegjës.
Ne na erdhi në pushtet pas kësaj palo partie një tjetër palo parti që jo vetëm kishte në gjirin e saj kush e di se sa kriminelë të kohës së komunizmit, por që vazhdoi ta mbajë vendin në ligjet e botës së krimit. Që nuk bëri asnjë transperencë dhe asnjë drejtësi për ato që kishin ndodhur, por në vend të këtyre përfundoi grabitjen e shqiptarëve; një parti liderët e së cilës miqtë më të mirë i kishin të gjithë banditë me të cilët hanin e pini pa droje; që e vazhoi trafikun e drogës e të prostitucinit, të armëve e me rradhë. Mjaft të kesh parasysh se ish kryetari i saj e shkeli me makinë burrin e botës, e hodhi në kanal dhe shokët e tij banditë u morën me mbulimin e bëmës. Dhe sot ai jo vetëm mbetet deputet i nderuar i Parlamentit, ndonëse nuk shfaqet kurrë atje, por pretendon edhe për president të Republikës e nesër mund të marrë edhe medaljen Gjergj Kastrioti nga Presidenti. Kurse prokurori që nuk e hetoi mund të dekorohet me medalje për kontribute të larta në drejtësi. Sepse ky është një vend që të nderon, respekton e të ngre këngë e monumente vetëm po të keshë vrarë njerëz.
Kur ke parasysh tërë këto, të thuash se ishte aksidentale vdekja e Trebickës është njëlloj sikur të thuash se ai jetonte i qetë e i lumtur në xhungël, por, fatkeqësisht i ndodhi aksidenti që e sulmuan luanët dhe pasi ia hëngrën ata mirë e mirë mishin, të mbeturat ia shqyen hijenat. Jo, ato që na ndodhin përditë nuk janë aksidente, janë rezultat i asaj që kemi ndërtuar keq dhe mbrapsht. Vdekje të tilla veçse ndriçojnë më mirë punën e mbrapshtë që kemi bërë, e vërtetojnë atë. Kështu duhet interpretuar vdekja e Trebickës edhe sikur ajo vërtet të jetë aksidentale.
Në vitin 1990 – 1991 ne aspiroinm aq shumë për pluralizëm politik. E konsideronim këtë gati të barabartë me demokracinë. Të gjithë e kujtojnë debatin: pluralizëm idesh apo pluralizëm politik. Ngjarje si kjo e Trebickës, sipas meje, na ftojnë edhe një herë të bëjmë një përmbledhje të rezultateve. Pas gjithë këtyre viteve, nën dritën e kësaj ngjarjeje që është, si të thuash, pika që mbushi kupën e Gërdecit për këtë qeveri, (ndonëse kupat tona janë të krisura sepse ato janë mbushur shumë herë) do të thoja se është gabim i madh të mendosh se demokracia ndërtohet me pluralizëm partish. E kam thënë dhe e përsëris se pluralizmi i partive mund të degjenerojë në pluralizëm bandash nëse nuk ka drejtësi. Dhe ky i yni është thjeshtë dhe vetëm një pluralizëm bandash që luftojnë për ndarje territori dhe pushteti.
Nëse do të dish nëse një vend është vend demokratik apo jo nuk duhet pyetur nëse ka apo jo pluralizëm partiak, por nëse ka drejtësi të pavarur nga pushteti politik apo jo. Po nuk pati përjashtoje menjëherë nga lista e vendeve demokratike. Provë e kësaj është fakti se për rastin Trabicka ne jemi të sigurt se drejtësia jonë nuk do të mund të bëjë gjë, se nuk kemi besim as në ekspertë, as në prokurorë, as në gjyqtarë dhe as në politikanë, qofshin këta edhe të opozitës, Ne themi: e vetmja shpresë që të mësojmë të vërtetën është të bëjnë ndonjë gjë amerikanët. Sepse ne kemi përvojën e këtyre 17 vjetëve kur asgjë nuk është bërë për të gjetur rastet e panumërta të vrasjeve apo goditjeve të njerëzve kur prapa tyre ka pasur një sfond politik apo persona politikë ashtu sikurse nuk është bërë asgjë për të dënuar korrupsionin e abuzimet e tyre. Nuk po i përmend se janë shumë, por ia vlen të bëhet një tabelë ku të vihen me një anë rastet e vrasjeve apo rrahjeve për vdekje të personave të ndryshëm dhe më anë tjetër shënimi: motivi i pashpallur, autorët të pagjetur dhe të pandëshkuar; ose, më një anë akuzat për korrupsion dhe më anë tjetër shënimi: dosje e pahapur, çështje e pahetuar.
Edhe diçka duhet vënë në dukje kur flasim për shpresën tonë tek drejtësia amerikane. Vdekja Trebicka tregoi edhe një arësye tjetër që i bën njerëzit të thonë: a jetohet më në këtë vend? Ajo tregoi se sikur drejtësia të fillojë të funksionojë, siç ka qenë e detyruar të funksionojë sadokudo në një rast si ai i Gërdecit për shkak të përmasave ndërkombëtare të krimit dhe trafiqeve që i kanë paraprirë atij, tek ne do të ketë shumë më tepër vrasje mafize apo të misterëshme nga ç’kemi pasur. Sepse deri tani ajo që e kemi quajtur mafja apo krimi i organizuar i lidhur me politikën nuk ka vrarë sepse nuk ka qenë i kërcënuar, pasi drejtësia ka qenë (sipas meje edhe mbetet) në duar te tyre. Vrasjet kanë qenë më shumë larje hesapesh midis bandave, por rrallë ose aspak kemi patur raste vrasjesh dëshmitarësh, apo edhe gazetarësh që kanë denoncuar një krim. Përfytyroni për një çast një drejtësi amerikane që vjen të punojë në vend të asaj tonës për hesapin e popullit tonë dhe jo të mafjes sonë. Çfarë katrahure vrasjesh dëshmitarësh do të kishim. Gati gati të vjen të shtrosh pyetjen: a ka kuptim të kërkojmë të vendosim një shtet ligjor që do të ndëshkonte kriminelët kur këta, nga ana tjetër, janë në krye të punëve tona politike e ekonomike? Sikur të kërkonim këtë e të sillnim prokurorë e gjyqtarë amerikanë do të na dilnin shumë më tepër telashe nga ç’kemi. Kështu të paktën jetojmë me shpresën se do të na lenë të qetë po nuk u përzjemë në pazaret e tyre të pista apo do të na hanë të fundit siç i tha Polifemi Ulisit kur ky i ofroi kupën e verës.
Por ky është një iluzion, që të fut më thellë në gropën e hapur me duart e veta. Ashtu sikurse është iluzion të shpresosh se do të bëjnë drejtësi për ty amerikanët. Prandaj, të vetëdijshëm për këto iluzione, shumë njerëz sot shtrojnë pyetjen: a ka më kuptim të jetosh në këtë vend. Një pyetje që është shtruar prej kohësh dhe ka marrë edhe një përgjigje tragjike. Më të mirët gjithmonë ikin dhe vendi mbetet në duart e krimit e të kriminelëve.
Megjithëse ky është realiteti asnjëherë nuk është vonë dhe keq, megjithatë, të tregosh edhe rrugën tjetër, atë më të vështirën, por edhe më të mirën: sikurse provon historia, vetëm kurajua qytetare për t’iu kundërvënë krimesh e sistemesh të tilla kriminale e nxitur nga dëshira për liri e për të jetuar pa frikë e me dinjitet në vendin tënd, nga ndjenja e solidaritetit ndaj viktimës, por edhe nga mendimi se se ajo që ndodh sot tjetrit mund të të ndodhë nesër ty, është rruga për të dalë nga kjo gropë e frikshme ku kemi rënë. (Korrieri, 16 shtator 2008)

Read More......

Saturday, September 13, 2008

Debilizimi i njeriut shqiptar

Sot në shoqëritë perëndimore flitet gjithnjë e më me shqetësim për thellimin e pasojave negative të procesit të shndërrimit të botës në shoqëri thjesht e vetëm konsumiste. Pedagogu frëng Daniel Pennac e quan këtë proces « klientelizimi » i njeriut. Sipas tij, mësuesit nëpër shkolla dhe universitetite gjenden në një vështirësi të madhe sepse, ndërkohë që roli i tyre është të mësojnë nxënësit të mendojnë, të reflektojnë, të krijojnë, të thellojnë dijet, të njohin mendimin e Platonit, Aristotelit, Akuinit, Dekartit, Volterit, Zhan Zhak Rusoit, Kantit, Hegelit e me radhë, ata ndodhen përballë një nxënësi që dëshirat e tij nuk i ka aspak të drejtuara për këtej. Ai është formatuar me dëshirat e një klienti që kërkon të blejë gjëra sa më të bukura, sa më të shtrenjta, sa më moderne, të jetë i suksesshëm më mirë se sa të ketë pasionin e një pune që e frymëzon, të ketë para më mirë se sa të ketë moral e dije. Në vend të filozofëve të sipërpërmendur atë e tërheqin vipat e Big Brotherit e të spektakleve të super-reklamuar nëpër revista e televizione.

Ndër të akuzuarit kryesorë të këtij procesi janë edhe mediat, të cilat në vend që të emancipojnë njeriun, duke qenë instrumente të industrisë së konsumit, e manipulojnë atë - sipas Pennac e « klientizojnë » - duke krijuar një qënie të prirur të gjejë kënaqësi vetëm tek konsumi. Dhe duke qenë se blerja, dmth. fitimi i atij që shet, synon numrin më të madh të klientëve të mundshëm, kjo çon në standartizmin dhe uljen në nivele sa më gjithpërfshirëse, dmth. gjithëblerëse, dmth. gjithnjë e më banale, të shijeve.

Megjithatë kush ka fatin të jetojë në Perëndim mund të pohojë se atje gjen, sadokudo, antikorpe ndaj këtij procesi degjenerues, një sistem imuniteti që, gjithsesi, reagon. Vetë shkrimet e librat e njerëzve si Pennac janë shenjë e kësaj rezistence. Apo mjaft të kesh parasysh se feja dhe sistemi i vlerave të atij që dëboi tregëtarët nga Tempulli mbeten ende shtylla të rëndësishme morale të Perëndimit. Problemi është shumë më i madh kur ndaj këtij fenomeni nuk ka asnjë sistem imuniteti. Atëhere do të thoja se ndodhesh përballë efektit më degjenerues të “klientelizmit”, përballë karikaturës së tij që mund të quhet edhe “debilizimi” i njeriut. Kam parasysh me këtë fjalë një dobësim ekstrem mendor e shpirtëror të njeriut që me një gjuhë më popullore i thonë edhe budallallepsje.

Fatkeqësisht më vjen gjithnjë e më shpesh të përdor këtë fjalë teksa ndjek çfarë po ndodh në shoqërinë shqiptare dhe posaçërisht në mediat tona me të cilat, për profesion, jam edhe më i lidhur. Më erdhi ta përdor përsëri termin “debilizim” teksa lexoja, në faqen e parë të njërës nga të përtishmet më të shitura, “Panorama”, lajmin e madh mbi gjetjen e geneve që vërtetojnë gjakun tonë ARIAN.

“Kemi gjak të nxehtë mesdhetar”, duket se nuk është më e goditura për popullatën tonë. Të paktën kjo ka rezultuar nga analizat ADN-së, të kryera nga i vetmi laborator i specializuar në vend. Shkencërisht është e mundur që shqiptarët të kenë gjak ARIAN”.

Ky është kryelajmi i ditës. Gazetari e ka shkruar «arian » me të madhe.

“…është vërejtur se kemi të njëjtat defekte gjenetike (mutacione) si vendet e Evropës Veriore. Këtë e vërteton shpeshtia e një prej sëmundjeve gjenetike më të përhapura në këto vende, por edhe tek ne: Fibroza Cistike. Njësoj si nordikët 1 në 25 individë është mbartës i genit, që shkakton sëmundjen. Ndërsa në popullatën mesdhetare ai haset 1 në 40 raste”.

Qënka bërë, pra, nga një laborator i yni gjenetik një studim satistikor nga i cili del se ne u sëmurkemi thuajse dy herë më shumë se grekët apo turqit apo italianët, spanjollët, arabët, francezët nga Fibroza Cistike dhe kjo, për shkak të origjinës sonë ariane, sepse vetëm në Veri gjendet po kaq shpesh sa tek ne mutacioni gjenetik që e rritka predispozitetin e kësaj sëmundjeje gati dy herë.

Nuk jam kompetent i gjenetikës për të hyrë në detajet shkencore të këtij studimi. Por nuhas se kemi të bëjmë me një pseudoshkencë të ngjashme me atë të një linguisti që para disa vjetësh pretendoi se kishte zbuluar dokumente të shkruara në shqip shumë më të hershme se Meshari. Gjithsesi, analizën shkencore të këtij lajmi mund t’ua le gjenetistëve seriozë shqiptarë. Më vijnë ndërmend Ilia Mikerezi dhe Albana Rexhepaj. Por, nga ana tjetër e ndjej se duhet reaguar si gazetar ndaj kësaj pseudoshkence dhe pseudogazetarie që po debilizon njeriu shqiptar. Sepse nuk është nevoja të jesh gjenetist, mjafton të kesh lexuar sadopak letërsi të vulgarizuar gjenetike dhe të njohësh sadopak historinë, të dish psh. se koncepti i racës ariane është një mit i nazizmit që nuk përdoret kërkund në botën që ka nxjerrë mësime nga Lufta e Dytë dhe aq më pak në atë shkencore, (përveçse kur bëhet fjalë për të njohur historinë e nazizmit) për të kuptuar se këtu kemi të bëjmë me një manipulim ideologjik të shkencës të ngjashëm me manipulimet që i bënë darvinizmit nazistët në emër të krijimit të kultit të racës superiore. Vini re: gazeta e jep me gëzim lajmin paçka se bëhet fjalë për shpeshtësinë e një sëmundjeje. Mjaft të bëjmë pjesë në racën superiore, paçka se në këtë pikë qenkemi më inferiorë se popullsia përreth nesh, grekët, turqit, arabët, italianët, serbët e me rradhë. Kudo flitet se ushqimi mesdhetar i pasur me vaj ulliri e fryta zarzavate rrit jetëgjatësinë, por ne duket se jemi gati edhe të hamë dhjamë derri në vend të vajit të ullirit, të shkurtojmë edhe jetën, për të vërtetuar se jemi arianë. (Në fakt ka kohë që po hamë dhjamë derri apo më mirë të them sapunin për djathë).

Por ajo që më shqetëson më shumë nuk është gazetari (në këtë rast gazetarja). Jam i prirur t’i justifikoj e mirëkuptoj të rinjtë tanë sepse ata janë produkt i të rriturve. Ajo që më shqetëson më shumë është se shkrimi vjen si shoqërim i një interviste të drejtorit të rritur të atij që paraqitet në “Panorama” si i vetmi “laborator i specializuar” për analiza gjenetike, Grigor Zoraqit. Vjen pra nga rrethe që presupozohen shkencore.

« Pra, mund të konsiderohemi një popullatë me gjak arian? » - e pyet gazetarja me ankth të gëzuar drejtorin. Kurse ai përgjigjet: «Bazuar mbi këto të dhëna, gjenetikisht kemi të njëjtën përbërje genesh si vendet e Evropës Veriore. Por ky studim i kryer është pak për të dhënë garanci për këtë hipotezë, që është ngritur edhe më parë, po pa iu referuar gjenetikës. Ajo që mund t’ju them është që do të grumbullojmë të dhëna në vazhdimësi». Dhe, për këtë, sipas tij, «duhet një punë e madhe voluminoze në terren. Duhet një projekt i mirëfilltë i mirëmenduar, mbështetur dhe financuar”.

Me një fjalë pseudoshkencëtari do të holla për ta çuar më tej projektin e tij arian. Nuk i mjaftojnë paratë që dalin nga burrat që dyshojnë se gratë e tyre i kanë bërë fëmijët me të tjerë dhe shkojnë e bëjnë analizat rutinë të ADN së fëmijëve tek laboratori që ai drejton, (ky aktivitet shtjellohet në pjesën tjetër të shkrimit), por i duhen edhe para patriotike. Dhe nuk është pa gjasa që Akademia jonë e Shkencave e riformuar, por gjithnjë e më patriotike, t’i japë ndonjë kontribut për këtë projekt të madh. Dhe pastaj, duke përdorur formulën e zbulimit të tradhëtisë bashkëshortore nëpërmjet ADN së fëmijëve, drejtori ynë dhe akademikët tanë mund edhe ta çojë më tej punën e tyre patriotike duke dalluar ata shqiptarë që kanë gjak të pastër arian (që për fat të keq do të vdesin më shpesh nga Fibroza Cistike) nga ata shqiptarë që e kanë gjakun të përzjerë me turq, grekë, romë, vllehë, serb, evgjitë, italianë, francezë – e ku di unë çfarë ushtrish të tjera tradhtare kanë kaluar këtej për të na e ndotur gjakun.

E pabesueshme! Duke lexuar dialogun midis gazetares dhe drejtorit të duket sikur jetojmë një shekull prapa në kohë. Por pastaj paradoksalisht ve re se jemi në kohën e ADN-së. Të lind një ndjenjë e ngjashme me atë kur sheh përdorimin e avionëve supermodernë të mbushur me qënie njerëzore për të vrarë njerëz, si më 11 shtator në Neë York, apo me atë kur shikon njerëz të përdorin internetin për të përhapur ide terroriste. E nuk mund të mos ngresh një sërë pyetjesh: Mirë gazetarja e re nuk e di se teoria e «gjakut arian» të shqiptarëve është trumbetuar me të madhe në kohën e nazizmit, po ky shkencëtari nuk e di? Mirë gazetarja nuk e di se teoritë e nazistëve për racën ariane ishin një pseudoshkencë që rezultoi kriminale, po ky shkencëtari ynë nuk e di? Mirë gazetarja e shtypit tonë nuk di se midis tipareve gjenetike apo genomës së qënies njerëzore dhe tipareve karakteriale apo personalitetit të njeriut ka një hendek të madh që s’ka shkencë ta mbushë e se pikërisht vetëdija e këtij hendeku e ka skualifikuar edhe fjalën “racë” (pa le më fjalën “racë e pastër”), po ky shkencëtari si nuk e di? A nuk e dinë këta se njeriu dhe popujt identifikohen me kulturën dhe jo me racën? Po redaksia e gezetës që e ve në faqe të parë si nuk e di? A nuk po shohin ata se në SHBA ka shumë gjasa që të zgjidhet president i vendit metisi Obama? Ç’është kjo indiferencë e opinionit shkencor e intelektual të vendit ndaj skandalesh të tilla mediatike, apo në vend nuk ka më një të tillë?

Këtyre pyetjeve mund t’u shtosh një kryepyetje: Nga cila shkollë i peshkojnë këta të rinjtë tanë këto pseudoteori që i çojnë deri në absurd? Sepse teoritë naziste të superioritetit racor kishin një koherencë elementare me darvinizmin të paktën: ato synonin të provonin se gjermanët ishin gjenetikisht superiorë ndaj hebrejve, sllavëve, jugorëve, të zinjve, të verdhëve, kurse këta patriotët «sui generis» shqiptarë edhe në këtë pikë mbeten “sui generis” sepse për t’u identifikuar me racën superiore u referohen tipareve inferiore të të ashtuquajturve arianë. Por janë “sui generis” edhe sepse harrojnë se sa shumë kanë mburrur në faqet e gazetave faktin se jemi i vetmi vend evropian që kemi shpëtuar hebrejtë nga… arianët. “Santa semplicita!” tha Jan Husi kur pa një plakë që u afrua zdruq, zdruq me një tufë drysh në dorë për ta hedhur në turrën e ndezur të druve mbi të cilin ai po digjej për së gjalli. “Falua Zot se s’dinë se ç’bëjnë!” tha Krishti për ata që po e kryqëzonin. Ky është eksklamacioni që mund të të dalë duke parë skandale të tilla në kërkim të shkollës që i ka formuar. “Falua Zot se s’dinë se ç’bëjnë”, se i kanë edukuar me surrogatin e dijeve parashkollore të muhabeteve të burrave e grave të rrjedhur e injorantë që edhe shkollën komuniste e kanë gjysmake, “falua” se nuk u kanë dhënë asnjë aftësi gjykimi mbi fenomenet që i rrethojnë dhe aq më pak për idetë që dëgjojnë, “falua” se jemi në kohën e krijimit të të thjeshtit deri në shenjtëri “hommo debilus” për të cilin punojnë me dhjetra televizione e gazeta e universitete publike e private, përveç partive politike.

“Falua!”, por kujdes!, ky njeri mund të jetë edhe shumë i rrezikshëm. Të ve në turrën e druve pa i bërë syri tërr. Sepse dijeni, po vazhduam kështu me teorite e skarcuara pseudoshkencore te shekullit të 19 jo vetëm do të vdesim më shumë nga Fibroza Cistike, por po do vdesim akoma edhe më shumë nga injoranca dhe izolimi shkencor e mendor i njeriut të debilizuar shqiptar. (Korrieri, 12 shtator 2008)

Read More......