Sunday, October 26, 2008

E drejta e viktimave për të parë dosjet

E kaluara nuk kapërcehet; ne nuk ndahemi dot prej saj. Ajo na shoqëron në të tashmen dhe në të ardhmen. Çështja shtrohet se si i qasemi asaj, çka do të thotë edhe se si bashkjetojmë me të, me sinqeritet apo me dyfytyrësi, me paqe të brendëshme apo me konflite të pazgjidhura.
Kisha vendosur të mos shkruaja më për çështjen e dosjeve, çfarëdo të bënte politika shqiptare lidhur me këtë çështje. Kjo për të mos u bërë pjesë e një teatri që tashmë është bërë banal, ashtu sikurse edhe shumëçka në këtë shoqërinë tonë ku rëndom bëhet e kundërta e atyre që thuhen, thuhet e kundërta e atyre që bëhen e ku, po ashtu, rëndom, nën maskën e qëllimeve të larta, fshihen motive të ulëta. Por edhe për arësye se isha i bindur se s’mund të shkruaja ndonjë gjë të re në raport me ato që kam shkruar. Mirëpo vizita dhe kontakti me autoritetin gjerman për hapjen e dosjeve, zonjën Berchel, që solli këtu përvojën e vendit të vet, më ndriçoi disa aspekte të çështjes duke më bërë edhe të korrigjoj disa dije të pasakta që kisha, por edhe ta shoh më qartë përvojën shqiptare, sepse, ashtu sikurse gjuhën tënde e njeh dhe kupton më mirë kur njëh edhe një gjuhë tjetër, ashtu edhe përvojën tënde e kupton e vlerëson më mirë kur e krahason me përvoja të të tjerëve.
Gjëja kryesore që korrigjova e që ka të bëjë me thelbin e asaj që më nxiti të shkruaj ishte fakti se e kisha ditur gabim sikur dosjet në Gjermani ishin hapur shtytur nga Gjermania Federale. Jo, kjo e fundit ka dashur që ato të mbyllen për një kohë 30 vjeçare, por ka qenë lëvizja qytetare opozitare gjermanolindore që, kur ka parë të dalë tym nga zyrat e Stazit, është vërsulur për të ndaluar djegjen e dokumentave dhe që ka ngulmuar më pas për hapjen e tyre. Mësova në këtë kontekst se edhe paraardhësi i Berchler, prifti Gauk sikurse edhe ajo, nuk janë gjermanë nga ish RFGJ, por janë ish gjermanolindorë.
Flitet se edhe në Tiranë është parë të dalë tym nga “shtëpia me gjethe” apo nga Ministria e Brendëshme, por asgjë e ngjashme s’ka ndodhur për të ndaluar djegjen. Përkundrazi, sa më shumë kalon koha aq më shumë shtohen të dhënat se në krye të lëvizjes kishte shumë njerëz që, në një mënyrë apo në një tjetër, ishin nën kontrollin e ish Sigurimit. Aq më të shumta janë provat se shumë nga dosjet janë zhdukur dhe janë vazhduar të zhduken në vitet në vazhdim. Për mirë apo për keq apo nëse mund të ndodhte ndryshe këtë nuk po e diskutoj në këtë shkrim. Thjesht po ve në dukje diferencën me gjermanët që më çon tek mendimi tashmë i shprehur nga shumëkush se në vitin 91 liria më shumë iu dhurua shqiptarëve nga vetë komunistët edhe sigurimsit që e panë se ai regjim nuk qëndronte dot më në këmbë sesa u fitua nga kundërshtarë të vendosur të tyre. E kjo ndoshta shpjegon edhe pse njerëzit në vend se të shpejtonin për të ndalur tymin e djegjes së dosjeve i kanë fryrë zjarrit që i rriste shtëllungat e tij asgjësuese.
Një dallim tjetër kryesor për tu vënë në dukje lidhur me përvojat e ndryshme midis Gjermanisë dhe vendit tonë ka të bëjë me atë se atje parrulla bazë e kërkesës së hapjes së dosjeve është bërë në emër të së drejtës së viktimave për të ditur shkakatarët e tragjedisë së tyre. “Dosja ime më përket mua” ishte parrulla bazë e atyre që, në mbështetje të lëvizjes qytetare, kërkuan hapjen e tyre. Kemi të bëjmë, pra, me një lëvizje që vjen më shumë nga poshtë lart sesa nga lart poshtë. Përsëri, nëse do të bëjmë krahasim, do të themi se ajo çka bije në sy është se tek ne pakush ka folur, të paktën deri më sot, për të drejtën e çdo të përndjekuri për të parë dosjen e tij. Debati është përqendruar mbi pastrimin në mos edhe poshtërimin e figurave kryesore politike dhe është përkthyer në luftën për pushtet midis forcave politike; se kush do të shtijë në dorë sekretet e dosjeve për t’i përdorur atë për pushtet politik. Është folur shumë pak për viktimat dhe të drejtat e tyre për të mësuar se nga u ka ardhur e keqja. Kur ka rënë fjala për këtë të drejtë është sjellë argumenti se, po të bëhej kjo, do të kishte hakmarrje apo edhe shumë tragjedi familjare sepse një pjesë do të mësonin se e keqja u ka ardhur nga të afërm të shtrenjtë. Ai i traumave familjare (më shumë sesa argumenti i hakmarrjes) është argument me peshë sepse, po t’i qëndrojmë logjikës së krahasimit, shoqëria shqiptare ndryshon mjaft kulturalisht me shoqërinë gjermane. Në shoqërinë gjermane personaliteti dhe identiteti i një individi nuk janë aq shumë të lidhur me klanin, apo nderin e familjes së cilës i përket siç ndodh në Shqipëri. Nuk mund të thuhet se ky argument nuk qëndron, duke patur parasysh kontekstin shqiptar. Do të ishte pa dyshim tarumatike për fëmijë të bërë sot prindër kur të mësonin se prindi i tyre, sot i moshuar, ka qenë bashkëpunëtor i fshehtë i Sigurmit me pseudonimin “x” apo “y”. E njëjta gjë mund të thuhet për miq të ngushtë. Do ta kishin vështirë të bënin pajtimin e asaj që njohin me atë që nuk njohin. Por, sipas meje, trauma që do të mund të shkaktonte ky moment do të ishte më shumë pastruese, kthjelluese e emancipuese sesa shkatërruese. Ne do të kuptonim më mirë se pse jemi kështu si jemi, se pse marrëdhëniet tona i kemi kështu si i kemi. Sepse kush mendon se ato të fshehta nuk ndikojnë gabohet. Ato janë aty dhe kondicionojnë të tashmen tonë.
Por ka edhe argumente të tjera që i japin të drejtë viktimave të shohin dosjet e tyre. Le ta ilustroj me rastin e Milan Kunderës për të cilin po shkruhet sot edhe në Shqipëri. Së fundi është zbuluar se Kundera kur ishte i ri na paska denoncuar një person që kishte hyrë në Çekosllovak, i cili, si pasojë e këtij denocimi, paska bërë vite të tëra burgu. Edhe në trajtimin e këtij rasti theksi vihet tek njeriu i rëndësishëm, shkrimtari Kundera dhe harrohen viktimat. Kundera mund të jetë i justifikuar me stalinizmin e tij të asaj kohe. Mund të jetë i justifikuar edhe me moshën e re e larjen e truve, ndoshta edhe me frikën e provokimit nga regjimi. Për të gjitha këto ai ka një mirëkuptim dhe fakti që më pas është bërë denoncues i regjimit tregon se njeriu nuk është e njëjta gjë që në krye deri në fund të jetës. Mirëpo nuk mund të thuhet se për hir të këtyre gjërave dosja e tij si informator nuk do të duhej të hapej. Sepse e keqja më e madhe nuk qëndron në kohën kur e ka kryer denoncmin, por në heshtjen e tij ndaj viktimave, që del se nuk janë vetëm personi që u arrestua dhe u dënua, por edhe ata që, për shkak të këtij denoncimi, u implikuan në këtë rast duke pësuar pasojat. Rasti Kundera tegon se i dëmtuari kryesor e ka ditur deri dje se shkaktar i dënimit të tij ka qenë mikja e tij e fëmijërisë dhe i dashuri i saj (më vonë burri i saj). Këta nuk e kanë ditur deri më sot se cili ka qenë shkaku që mund të jenë thërritur nga policia sekrete, siç veprohej në këso rastesh, dhe t’u jetë thënë se ata e dinin se kishte strehuar në shtëpi një armik dhe ta kenë pranuar, pa e ditur burimin, pasi informatorët në këto raste ruheshin. A nuk është e drejta e viktimës kryesore të dijë se cili është burimi i tragjedisë së tij? A nuk është kthim drejtësie për atë grua dhe atë burrë që kanë vuajtur tërë jetën barrën e një akuze që nuk u përket?
Sigurisht historitë e bashkëpunëtorëve dhe aktiviteti i tyre mund të jenë të ndryshme ashtu si edhe fatet e njerëzve në përgjithësi. Ka pasur syresh që janë tërhequr në bashkëpunim të shtrënguar nga kërcënime të rënda, ashtu sikurse ka patur nga ata që kanë bashkëpunuar me zell. Ka pasur nga ata që janë tërhequr në moshë fare të re ashtu sikurse nga ata që janë tërhequr në moshë të pjekur. Ka pasur nga ata që megjithëse janë tërhequr nuk kanë dhënë ashtu sikurse ka pasur nga ata që jo vetëm kanë dhënë, por edhe kanë shpifur. Nuk ka dyshim se rekrutimi i njerëzve si bashkëpunëtorë të Sigurimit është një nga veprat më të shëmtuara të diktaturës. Nuk ka dyshim se përgjegjësia kryesore bije mbi partinë e shefat e Sigurimit sepse shumë njerëz janë rekrutuar ose nga injoranca ose për të mbijetuar. Imre Kërtez kur e kanë pyetur se pse ka zgjedhur një fëmijë si protagonist të librit të tij mbi Holokaustin thotë se e ka bërë këtë pasi në këtë mënyrë mund të përshkruante më mirë thelbin e diktaturës; pasi diktatura i kthen njerëzit në fëmijë që kërkojnë të mbijetojnë dhe se “të mbijetosh do të thotë të bashkëpunosh”. Në fakt të gjithë që e kanë jetuar atë kohë e dinë se të jetoje në atë regjim në një mënyrë apo në një tjetër do të thoshte të bashkëpunoje me të sepse ishte ai që të përcaktonte thuajse gjithshka në jetë që nga vendi i lindjes e deri në vendin e varrimit. Të gjithë e dinë se ai regjim nuk synonte ngritjen e personalitetit të njeriut, por nënshtrimin e tij ndaj partisë dhe diktatorit dhe dënimin e poshtërimin e tij kur këtë nënshtrim nuk e manifestonte në shkallën që i pëlqente atij. Të gjithë e dinë se ai i kallte njeriut tmerrin duke e bërë atë të brishtë ndaj gjithpushtetshmërisë së tij. Megjithatë bashkëpunimi në formën e bashkëpunëtorit të Sigurimit, që bënte një jetë të dyfishtë, me emrin e tij dhe me një pseudonim, ka arësye të veçohet si një formë e veçantë e së keqes dhe e dëmit që i është bërë shoqërisë shqiptare. Ka nga ata që argumentojnë se ata kanë punuar ashtu sikurse agjentët e shërbimeve sekrete në vende demokratike. Por nuk është kështu sepse nëse një agjent në një vend demokratik ka punuar kundër të keqes ata kanë punuar për të keqen. Po kush e përcakton të keqen - do të thotë dikush. Historia, koha e provoi të keqen dhe prandaj dhe dosjet duhet të bëjnë pjesë në historisë së kësaj të keqeje. Nga ana tjetër a nuk është padrejtësi që ata që nuk pranuan të bëjnë këtë jetë të dyfishtë në emër të së keqes, duke pësuar për këtë edhe burgime edhe ndëshkime të mëtejshme të vihen në një plan me ata që i shërbyen të keqes. A nuk vlejnë ata pak më shumë si shembull rezistence ndaj të keqes edhe për rininë? Nëse sot ne vazhdojmë të jetojmë në një shoqëri ku marrëdhëniet e njeriut me njeriun janë hipokrite e të shtira, ku mungon çdo idealizëm e aftësi për tu bashkuar në emër të një ideali, ku njerëzit i sheh të tregojnë me mburrje pasuritë pa u merakosur se të gjithë e dinë se i kanë vënë me përfitime të pandershme, (pasi askush nuk ua thotë), ku përsëri politika më shumë sesa ngritjen dhe lartësimin e personalitetit të njeriut kërkon nënshtrimin dhe poshtërimin dhe manipulimin e tij, shumëçka i ka rrënjët në atë të kaluar kulturore dhe shpirtërore që kemi trashëguar. Zbulimi dhe dënimi i saj është një mënyrë që ajo të mos përsëritet.
Zonja Berchler ndjehej në vështirësi kur duhet tu shpjegonte gazetarëve shqiptarë se në Gjermani nuk u ndalohet me ligj bashkëpunëtorëve të Stazit për t’u bërë deputetë, për të qenë në administratë, për të punuar në Televizionin publik, për të qenë mësues të fëmijëve, por se kishte një “common sens” nga shoqëria që ata nuk mund t’i bënin këto punë ashtu sikurse për t’u shpjeguar faktin se ata ishin shumë të kujdesshëm për të bërë një gjykim rast pas rasti, apo se thelbi i çështjes nuk ishte lustrimi dmth pastrimi i institucioneve nga individë të caktuar, por ndërgjegjësimi i shoqërisë, nxjerrja në vetëdijen e saj të pjesës së errët që e mundon.
Duke parë vështirësinë e saj nuk mund të mos arrije në përfundimin se pamundësia dhe pafuqia jonë për t’u marrë me dosjet në atë mënyrës siç janë marrë gjermanët (pa e idealizuar gjithsesi përvojën e tyre dhe pa kërkuar që ajo të kopjohet) është një çështje kulturore. Sipas meje bërja tansparente e kësaj përvoje të errët, megjithë kontradiktat që përmban, do të ishte një hap drejt një kulture tjetër. Po e përsëris me atë që e fillova: E kaluara nuk kapërcehet; ne nuk ndahemi dot prej saj. Ajo na shoqëron në të tashmen dhe në të ardhmen tonë. Çështja shtrohet se si i qasemi asaj.

Read More......

Saturday, October 18, 2008

Lidhja midis të ëmblës dhe të hidhurës

Ndër lajmet kryesore që mbushën rubrikat televizive dhe gazetat tona këto ditë nuk mund të mos të binin në sy dy syresh. Njëri ishte ai mbi vizitën e skuadrës së Milanit në Shqipëri, me pritjen madhështore, me fitoren e Tiranës dhe me pjesëmarrjen në stadium të kryeministrit Berisha që deklaroi se kjo ngjarje ishte fillmi i fushatës së tij elektorale. Tjetri ishte një lajm ku mediat elektronike dhe shtypi denonconin, ku më direkt dhe ku më indirekt, vjedhjen që u është bërë shqiptarëve nëpërmjet mosuljes së çmimit të karburantit në të njëtën përqindje me atë që është bërë në tregjet e tjera evropiane, ndërkohë që çmimi i blerjes është ulur në mënyrë të ndjeshme.
Ajo që më bëri përshtypje është se si mediat tona nuk bënë asnjë lidhje midis këtyre dy lajmeve. I pari u trumpetua me gëzim, si lajm i madh, i ëmbël, sëbashku me fitoren e Tiranës, me pritjet e përcjelljet zhurmëmëdha, me fanellën e Milanit me numrin 1 me emrin Berisha; i dyti tingëllonte hidhët, ndonëse nuk shoqërohej me shifra që do të na jepnin përmasën e asaj se sa na është vjedhur në këtë mënyrë dhe se cilët janë autorët.
Po a ka ndonjë lidhje midis ëmbëlsirës dhe hidhësirës? Sigurisht që ka. Lidhja qëndron tek personi që ka ftuar Milanin dhe sponsorizuar ardhjen e tij, i cili është një nga bosët e naftës, pronari i “Taçi Oil”, që ndodhej kudo: në pritjet e kryeministrit Berisha, në tribunën e ndeshjes e që, gjithashtu, u përmend nga Galiani si mikpritësi kryesor.
Nga sa i kam parë tabelat e karburanteve nuk kam vënë re që “Taçi Oil” të ketë një çmim të ndryshëm nga karburantet që denoncoi media. Pra nuk do shumë mend për të deduktuar se pjesë e kësaj vjedhjeje indirekte është edhe Taçi. Dhe nuk do shumë mend për të deduktuar se vizita e Milanit është sponsorizuar edhe me këto pare tonat. E po ashtu nuk do shumë mend për të deduktuar se vizita të tilla, ku ftohet edhe Kryeminstri, shërbejnë si gjethe fiku për të mbuluar këto përfitime të pamoralëshme (nëse nuk janë edhe të paligjëshme, sepse askush nuk e merr dot më vesh se si janë bërë ligjet tona në raport me moralin). Me fjalë më troç kjo ndeshje me Milanin shërbeu edhe për të rrejtur këtë milet me një shfaqje publike dëfryese. “Panem et circenses” (Bukë dhe cirk) shkruante me përçmim të hidhur Juvenali tek “Satirat” për të treguar se çfarë i mjaftonte romakëve të dekadencës. (Ndonëse çmimi i biletës në Qemal Stafa tregon se “cirku” ynë nuk ishte gratis si ai i romakëve.)
Por problemi bëhet më i rëndë kur sheh se politika nuk e bën fare këtë lidhje midis ëmbëlsirës dhe hidhësirës. Nuk do shumë mend për të deduktuar se sikur ne të kishim një qeveri që e kryen mirë punë e saj do të duhej të kishte ushtruar kontrollin e nevojshëm për të mos na u vjedhur lekët në çmimet e karburantit. Kurse Kryeministri ynë doli në tribunë krahpërkrah Taçit, pa u merakosur fare të bëjë këtë lidhje, duke harruar detyrat e tij, duke harruar madje edhe akuzat e tij të para dy tre vjetëve ndaj pronarit të “Taçi Oil”. Madje shkoi edhe më larg: tha se kjo ngjarje shënon fillimin e fushatës së tij elektorale. Pra “Taçi Oil” në një mënyrë apo tjetër del sposorizues i fushatës elektorale të Berishës me këtë eveniment. Po a nuk na kujton kjo kohën kur PD-ja i bënte fushatat me paret e Vefas e Gjalicës? Kaq budallenj na dijnë ne këta xhanëm? Ndoshta edhe jemi, por duhet ta dinë se kjo nuk është çështje budallallëku. Ajo çka na bën të dukemi edhe më të pafuqishëm në budallallëkun tonë, kur e hamë hidhësirën me duartrokitje, kur i themi edhe derrit dajë, (si në kohën e Hoxhës) është fakti se edhe opozita jonë, që po bërtet kaq shumë për Fazlliçin, nuk flet fare për Taçin dhe fazlliçët shqiptarë. “Jeni të kapur” – u tha Berisha edhe dje në Parlament. Kurse ata qeshnin ha, ha, ha. Të kapur janë, këtë e di dhe bufi, por janë të kapur dorëpërdore edhe me Berishën edhe me “Taçi Oilin” e me djallin vetë. (Korrieri, 17 tetor 2008)

Read More......

A jemi pjesë e krizës botërore

“Fundi i kapitalizmit” titullohej një prej shkrimeve të gazetave perëndimore të ditëve të fundit.
E fillova me këtë frazë për të venë në dukje se sa e fortë është kriza ekonomike që po përjetohet sot në botën perëndimore dhe më gjerë. Ajo konsiderohet si më e rënda që nga koha e Depresionit të madh në SHBA në vitet 20 - 30 të shekullit të kaluar. Po cilësohet edhe si krizë “morale” e sistemit kapitalist dhe e vlerave të tij. Ndërkaq, megjithëse thuhet se sot të gjithë jetojmë në një fshat global, në lagjen tonë jehona e kësaj krize vjen si shumë e largët; si diçka që na përket dhe nuk na përket, apo si punë e të mëdhenjve. Shqetësimi i vetëm tek ne është nëse mund të falimentojnë edhe bankat tona apo jo. Specialistët tanë bëjnë kujdes të na bindin se “paratë tona nuk janë të intoksikuara” ndonëse pa na dhënë shpjegime bindëse, me të dhëna konkrete, për të na hequr shqetësimin e paralelizmit me deklaratën e Berishës në prag të rënies së piramidave më 1997 mbi paret tona “të pastra”. Pra, pa na hequr edhe dyshimin se në rastin më të mirë, këtë e thonë nga frika e një paniku që mund t’i çojë njerëzit në tërheqje të kursimeve e, në rastin më të keq, sepse në një mënyrë apo tjetër mund të jenë përgjegjës e të lidhur me një krizë të mundshme.
Por ajo që po ndodh na përket shumë më nga afër nga ç’duket, jo thjesht lidhur me sigurinë e parave tona nëpër banka, por shumë më thellë e më gjerë. Le të prek vetëm ndonjë aspekt që, sipas gjykimit tim, e bën krizën edhe pjesë e jona. Thelbi i lidhjes sonë me krizën, sipas meje, ka të bëjë me modelin që ne kemi marrë për të imituar i cili, në fakt, sipas analistëve më të thellë të kësaj krize, është shkaku kryesor i saj
Para së gjithash duket thënë se klasa jonë politike nuk ka qenë asnjëherë e aftë të zhvillojë një qëndrim kritik ndaj modeleve që kemi imituar në përgjithësi dhe po ashtu aq më pak është treguar e aftë të adoptojë në mënyrë krijuese dhe pozitive atë që mund t’i shkonte realitetit tonë. Ajo i ka marrë modelet triumfuse, i ka fetishizuar falë padijes, ia ka adoptuar mendësisë sonë klanore, dhe i ka përdorur për keq, kryesisht si instrumente pushteti dhe jo zhvillimi duke e bërë vendin, tek e fundit, karikatura e modeleve të imituar. Kështu bëri dje Enver Hoxha me komunizmin duke pretenduar se ishim të vetmit marksist – leninistë të vërtetë e duke refuzuar çdo revizionim. Kështu bëmë e po vazhdojmë të bëjmë ne me kapitalizmin neoliberist duke u bërë pasqyra ku neoliberizmi mund të shohë karikaturën e vetvetes në pamjen e vet më groteske.
Çështja e parë që dua të prek ka të bëjë me atë aspekt të kapitalizmit që lidhet me raportin midis shtetit dhe tregut, privates dhe publikes që është rikthyer në vëmendjen e analistëve pas kësaj krize. Modeli të cilit ne i jemi referuar ka qenë ai neo-loberist amerikan, i shteti të vogël dhe tregut të madh e të lirë dhe jo ai evropian ku ka mbizotëruar modeli i shtetit social. Shkaqet e kësaj zgjedhjeje, sipas meje janë disa, por më kryesorët kanë të bëjë me atë se ky model, i cili, për hir të së vërtetës, duhet thënë se u adoptua në një masë të kosiderueshme edhe nga Evropa, i shkonte më për shtat interesave të asaj pakice që filloi të pasurohet marramendshëm duke përdorur çdo mjet. Kulti i privatizimit të gjithshkaje, i derregullimit, i “laisser faire” tek ne është shtyrë në ekstrem, deri në informalitet, për të mos thënë deri në liri për të grabitur. Jo vetëm me të djathtët tanë, por edhe me të majtët shqiptarë – jo rrallë më shumkë me këta - nuk guxon të flasësh për kujdesin shtetëror në shumë drejtime, për ruajtjen e pronës publike sepse menjëherë të përgjigjen: këto i përcakton tregu. Në këtë linjë shteti tek ne ka hequr dorë jo vetëm nga ato që quhen funksionet e tij sociale, por edhe nga kontrolli edhe nga përcaktimi i politikave afatgjata të një zhvillimi të qendrueshëm. Rezultatet shihen me sy, po i provojnë të gjithë mbi kurriz. Pasurimi i një grushti njerëzish nëpërmjet grabitjes së pronës publike dhe shpërdorimit të burimeve natyrore e njerëzore duke përdorur për këtë edhe shtetin është thelbi i politikës së këtyre 18 vjetëve. E përsëris: këtë rezultate nuk janë thjesht e vetëm rezultat i aplikimit të modelit neo-liberist. Tek ne ai është tejet i deformuar nga korrupsioni e nga ekonomia kriminale, por nuk mund të mohoet se triumfalizmi i tij në Perëndim ishte një “ndihmë” për qëllimet e mbrapshta të kastës sonë politiko - ekonomike.
Kriza e sotme në Perëndim po tregon se lënia e fateve të njerëzve në “dorën e fshehtë” të tregut shpije në rënien e fateve të njerëzve nën dorën e zezë të spekulantëve edhe në vende me demokraci të konsoliduar ku ka edhe një gjyqsor të pavarur edhe një media të pavarur. Sot derdhja nga ana e shtetit amerikan të 700 miliardëve për të mundësuar ndalimin e krizës apo blerja nga ana e shteteve perëndimore e borxheve të këqija të bankave në thelbin e vet përgënjeshtroi teoritë e tregut të lirë, e konkurrencës së lirë të pakontrolluar nga asgjë përveçse nga tregu. Sot po flitet përsëri për rolin e shtetit, për rikthim të Keynesit që shpëtoi Amerikën në vitet 20 duke hapur epokën e shtetit social në Perëndim. Sigurisht roli i shtetit paraqet edhe rreziqet e veta të provuara tashmë, veçanërisht përsa i përket lirisë. Por pikërisht edhe njohja e tyre duhet ta çojë botën në sinteza të reja. Nuk është e rastit që akademia Suedeze i dha çmimin Nobel për ekonominë këtë vit ekonomistit amerikan Paul Krugman i cili është si kundër parimit të tregut të madh me shtet të vogël ashtu edhe kundër tregut të vogël me shtet të madh, duke i mshuar idesë së nevojës së shtetit të madh si përgjigje ndaj tregut të madh.
Aspekti tjetër negativ i modelit që kemi përdorur ka të bëjë me atë që Sarkozi e quajti gjatë këtyre ditëve si nevojë e kalimit nga “kapitalizmi spekulativ” në “kapitalizmin sipërmarrës”. Me një fjalë nga kapitalizmi i bankave e bursave në kapitalizmin që kthehet e bëhet prodhues.
Edhe në këtë aspekt ne jemi karikaturë e asaj që ndodh në Perëndim. Kapitalizmi ynë mund të quhet gjithshka, por kurrsesi prodhues. Është një kapitalizëm i spekullimeve, i privatizimeve klienteliste të pronave të socializmit që rishiten me çmime shumë herë më të shtrenjta, kryesisht për ndërtime, i rikthimeve korruptive e klienteliste të pronave të pronarëve të vjetër ashtu sikurse edhe i uzurpimeve të tyre të paligjëshme, është një kapitalizëm i riciklimit të parave të pista të drogës dhe trafikimit të prostitutave, i shfrytëzimit të egër të burimeve pyjore, ujore, bregdetare etj., një kapitalizëm i tregëtarëve, i restoranteve dhe kafe – bareve, por gjithsesi jo prodhues. As industria e ndërtimit, që ka qenë thuajse e vetmja që ka funksionuar në vend, duke krijuar numrin më të madh të punësimeve, nuk i përket sferës së ekonomisë prodhuese. Kthimi përdrejt një kapitalizmi prodhues ka qenë sfida më e madhe e ekonomisë shqiptare edhe para se të vijë kriza në Perëndim e Sarkozi të flasë për nevojën e kalimit nga kapitalizmi spakulativ në kapitalizmin sipërmarrës. Por, meqënëse jemi vendi i imituesve e fetishizuesve të pandershëm e jo i krijuesve dhe kritikëve të ndershëm edhe në këtë aspekt, pa e zgjatur, mendoj se ky ndryshim i modelit në Perëndim, që do të thotë një rikthim i vëmendjes tek prodhimi, ndoshta do të ndikonte sadokudo në ndryshimin e turravrapit të ekonomisë sonë spekulative për kah një theqafje e ngjashme me atë të 97-tës.
Së treti, çka më duket dhe më e rëndësishmja, kjo krizë është edhe reflektim i krizës së sistemit të vlerave të shoqërisë konsumiste e së cilës ne përsëri jemi karikaturë. Një nga shkaqet kryesore që e ka futur botën në krizë është drogimi i njeriut me dorgën e plotësimit të dëshirave të tij konsumiste. Merr borxhe për të plotësuar dëshirat e tua që mbahen gjithnjë të pangopura që ti të marrësh borxhe të tjera për realizimin e tyre. Adrenalina e prodhuar nga kjo drogë që ka të bëjë në thelb me sistemin e vlerave të njeriut është në rrënjë të krizës. Një anekdotë e cituar nga Bauman në një shkrim të fundit mbi krizën flet për dy qasje të ndryshme sipërmarrëse. Në Afrikë kemi dy përfaqësues perëndimorë fabrikash që prodhojnë këpucë. I pari i shkruan fabrikës së tij : këtu të gjithë ecin zbathur prandaj nuk ka nevojë të dërgoni këpucë. I dyti i shkruan të vetëve: këtu të gjithë janë zbathur prandaj dërgoni sa më shumë këpucë. Qasja e dytë ka kuptimin se shumçka nga ato që njeriu kosumon sot nuk kanë të bëjnë me nevojat e tij të natyrëshme, por janë produkt i manipulimit të tij nga ana e tregut. Dhe kjo është qasja mbizotëruese sot në Perëndim. Mjafton të kesh parasysh shkallën marramendëse të uzurpimit të mendjes së njeriut nga reklamat televizive dhe jo vetëm. E gjithë shtysa është pasurimi i disave. Po ne ? Ne kur dolën nga komunizmi ishim si ata afrikanët që ecnin të gjithë pa këpucë. Dëshira për të veshur këpucë mori përmasa të papara. Rezultati shumë shpejt nxorri një karikaturë të konsumizmit perëndimor të kritikuar nga Bauman. Mjafton të shikosh makinat super të shtrenjta 4X4 që ecin në rrugët e Tiranës e t’i krahasosh me makinat që sheh në Perëndim – ku ato blihen shumë më tepër sipas kriterit të mundësive dhe nevojave, - për ta kuptuar karikaturën e fenomenit. Sigurisht kjo mendësi çoi edhe në kërkimin dhe gjetjen e mënyrave për pasurim të shpejtë që e bënë karikaturën gjithnjë e më groteske. Një burrë i urtë gjerman që jetoi për ca kohë në Shqipëri më tha një ditë: « Ju kujtoni se ne ju respektojmë kur ju shohim me makina të shtrenjta. Ne pikërisht kur ju shohim mbi to humbasim çdo respekt. »
Sot vështirë se mund të dilet nga kriza pa ndryshimin e mendjes së njeriut, të dëshirave të tij, me fjalë të tjera edhe pa ndryshimin e sistemit të tij të vlerave. Këto duhet të largohen nga kënaqësitë konsumiste dhe të shkojë më shumë përkah kënaqësitë intelektuale shpirtërore, të punës dhe jo vanitetit, të modestisë dhe jo mburrjes, të jetës në harmoni me natyrën dhe jo të dhunimit të saj etj.. Edhe në këtë aspekt kam frikë se pa ndryshime radikale në modelin që ne imitojmë vështirë se do të hyjë një prirje ndryshuese edhe në shoqërinë tonë. (Korrieri, 16 tetor 2008)

Read More......

Thursday, October 9, 2008

Dosja Faslliç dhe trashja e zullumit

Nervozizmi i shkaktuar nga dosja Faslliç e shtyu Berishën të bëjë pardje në Parlament ndoshta gafën e tij më të madhe politike që nga koha kur deklaroi, para afro dy vjetësh, në kohën që bëri takimin e famshëm me Nanon, se akuzat që kishte lëshuar për paraardhësin e tij socialist lidhur me korrupsionin i kishte bërë ashtu thjesht për efekt elektoral. Kësaj here, i nervozuar, Kryeministri deklaroi në Parlament se akuzat që po i drejtoheshin nga opozita për korrupsion po e nervozonin aq shumë saqë po e detyronin të thoshte ato që nuk kishte thënë deri tani, të bënte atë transparencë (më të madhen, që s’është kryer ndonjëherë) që do t’i bënte kundërshtarët e tij të mos dinin se ku të futeshin.
Për çdokend që ishte në Parlament, por edhe për ata që e dëgjuan në media, doli qartë se kryeministri pohoi me gojën e tij se nuk ka bërë pikërisht atë që ka premtuar të bëjë e për të cilën shqiptarët i dhanë votën: denoncimin e korrupsionit (madje pikërisht atë që u kërkon qytetarëve të tij të thjeshtë që ta bëjnë nëpërmjet spotit publicitar mbi luftën kundër korrupsionit) dhe se Kryeministri u bëri shantazh kundërshtarëve të tij duke u thënë: duke më akuzuar për korrupsionin po më detyroni të flas për korrupsionin tuaj. Mjafton të kesh parasysh këto për të nxjerrë dy konkluzione dramatike: së pari, se e ashtuquajtura luftë kundër korrupsionit, edhe nëse nuk ka qenë qysh në fillim thjesht një demagogji, një kalë për të marrë pushtetin, tashmë është kthyer në një të tillë, dhe së dyti, se, pas marrjes së pushtetit, edhe Berisha e të tijtë kanë vazhduar të bëjnë të njëjtën gjë si paraardhësit që kanë akuzuar: pasurimin nëpërmjet korrupsionit. Ndryshe, pse nuk i akuzojnë kundërshtarët e korruptuar?
Berisha me fjalën që i shpëtoi pranoi në një mënyrë direkte apo indirekte se ka një pakt me kundërshtarët e tij sipas të cilit shumë shumë mund të flitet për korrupsionin, por jo të veprohet, mund të gjindet edhe ndonjë peshk i vogël si kokë turku, por peshqit e mëdhenj do të lundrojnë të qetë në ujrat e pandëshkueshmërisë.
Çdo shqiptari iu bë edhe më e qartë se mbretëria e pandëshkueshmërisë që sundon sot në Shqipëri është si pasojë e bashkëfajësisë së klasë sonë politike. Por fakti që Berishës i shpëtoi kjo gafë politike ishte dëshpërues në kulm sepse tregoi edhe se sa pak frikë ka klasa jonë politike tashmë nga drejtësia. Sepse, sikur vërtet drejtësia jonë të ishte e fortë dhe e pavarur, Berisha do t’i kishte pasur shumë më të forta impulset e frikës ndaj saj e do të ishte përmbajtur. Kurse ai foli sikur të ishte njëherësh edhe partia edhe pushteti edhe drejtësia. Edhe sikur ta kishte në dorë opozitën.
Fjala e Berishës ishte dëshpëruese gjithashtu edhe sepse provoi në një mënyrë të hidhur se gjuha e shantazhit të ndërsjelltë, e ka kthyer politikën – sikurse e kam thënë edhe herë tjetër – në një teatër të neveritshëm. Politikanët tanë bërtasin aq shumë kundër njëri tjetrit, tentojnë të bindin publikun se cili është vjedhësi më i madh, premtojnë se do ta ndëshkojnë atë, por publiku gjithnjë e më shumë nuk i “dëgjon” më sepse tashmë është i “shurdhuar” nga ajo që ata bëjnë. “Ajo që ti je bërtet aq shumë saqë ajo që ti thua nuk dëgjohet fare”, thotë Jefersoni. Në këtë kontekst: vini re se sa shumë po flitet për boshnjakun Faslliç. Por edhe përmendja e tij kaq shumë dhe kaq fort a nuk është pjesë e këtij teatri. Sepse sado që të ketë fituar boshnjaku Faslliç ato që kanë fituar e fitojnë Faslliçët shqiptarë janë shumë herë më të mëdha. Por askush nuk flet për ta. Në fakt bërtitet kaq shumë për një të huaj sepse ai nuk është nën juridiksionin e drejtësisë shqiptare dhe nuk ka pushtet në Shqipëri gjithashtu, kurse për faslliçët shqiptarë që “sponsorizojnë” partitë, që ndajnë paret publike me pushtetarët tanë nuk flitet fare sepse ata kanë pushtet politik, financiar, mediatik. Berisha vetë na tha se di për këta, por nuk i thotë. Por pse nuk i thotë? Sepse ata dinë për të. Rrethi i mbyllur vazhdon të rrotullohet. Se si e nga kush do të këputet ende nuk dimë të themi gjë. Ndoshta nga trashja e zullumit. (Korrieri, 8 tetor 2008)

Read More......

Thursday, October 2, 2008

Rasti Morava dhe trafiku i drogës

Në asnjë vend normal të botës arrestimi i një personi që është shkrimtar, poet, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve, por edhe me moshë 62 vjeç, për më tepër edhe ish i persekutuar politik, siç është rasti i arrestimit të Zydi Moravës me 9 kg drogë në Itali ditët e fundit, nuk do të kalonte thjesht e vetëm si lajm i kronikës së zezë, siç kaloi në vendin tonë. Lajmi do të duhej të komentohej dhe stërkomentohej sepse është një fakt që i tejkalon përmasat e një krimi të rëndomtë, është një fakt që, përkundrazi, flet shumë për mjaft fenomene që karakterizojnë gjendjen e shoqërisë sonë. Tërë propaganda e qeverisë se ka luftuar krimin e organizuar shfryhet si fluskë sapuni me një arrestim të tillë ashtu sikurse nxihet menjëherë me disa gradë të zeze imazhi tek të huajt për të cilin punohet aq shumë. Por ndoshta edhe heshtja intelektuale ndaj këtij lajmi flet po kaq. Madje, duke patur parasysh këtë heshtje, ndoshta më duhet të ve në dukje kontradiktën e përdorimin të termit “normal”, sepse, nëse i referohemi idesë sipas të cilës “normal” mbiquhet një veprim që është i pranueshëm në një ambjent të caktuar, atëhere ndoshta kjo heshtje ndaj faktit në fjalë është gjëja më “normale” që mund të bëhet në “normalitetin” e një vendi si ky i yni. Pra, mos vallë jam unë që, duke vendosur të shkruaj mbi këtë rast, po bëj një akt anormal? Jo, besoj se shoqëria jonë i ruan, gjithsesi, disa sensorë të moralitetit. Të paktën e ka ende të qartë se shumçka nga ato që po na ndodhin nuk janë gjëra normale, paçka se ndjehet e pafuqishme për t’i ndaluar ato.
Komenti ndaj kësaj ngjarjeje, sipas meje, nuk është ai që dëgjoje të bënin mjaft njerëz nëpër tryeza apo ndoshta edhe në ndonjë media: nëse ishte Zydiu njeri që e bënte apo jo një punë të tillë, apo që e trajtonin ngjarjen si një gjë të jashtëzakonshme. Sipas meje ajo meriton të komentohet nëpërmjet aktit në fjalë, por pavarësisht e përtej tij, si diçka që në fakt është pjesë e jetës sonë të zakonshme. E përsëris: të zakonshme.
Kjo ngjarje para së gjithash tregon se sa e përhapur është puna e trafikimit të drogës në vendin tonë. Është e vështirë të ndash se çfarë është më e rëndë në këtë fakt: se kemi të bëjmë me një 62 vjeçar apo se ky është shkrimtar e poet. Pse mosha? Sepse mosha flet ndoshta edhe më shumë sesa profesioni për njeriun. Sepse çdo njeri i moshuar nënkupton, sadokudo, edhe një njeri të pjekur, një maturi e urtësi të fituar nga përvoja e jetës. Kurse kur sheh se puna arrin që me trafik droge të merret një njeri në moshën 62 vjeç, kjo flet shumë. Por veç kësaj mosha flet edhe duke patur parasysh se ky i moshuar ishte një transportues i thjeshtë droge. Sepse, nëse Zydiu do të ishte një bos i drogës që është marrë prej kohësh me këtë punë, në moshën 62 vjeç ai do të duhej të ishte ndër ata që i drejtojnë operacionet nga vilat lluksoze, e kjo mund të dukej më “normale”. Kurse fakti se ky 62 vjeçar ka futur drogën në makinën e tij të vjetër është shenjë se kemi të bëjmë më shumë me një të moshuar nevojtar sesa me një bos droge, me një individ të përdorur nga rrjeti i trafikantëve në shkëmbim të ndonjë përqindjeje, me një ish të persekutuar që në mungesë të dëmshpërblimit të burgut mendon të sigurojë një mbijetesë në vitet e vështira të moshës së tretë. Pra nëse me këtë punë merren të rinjtë mund të flasësh për një shoqëri të sëmurë, por kur me këtë punë merren edhe të moshuarit, atëhere kemi të bëjmë me kalbëzimin e saj.
Por, po aq dramatike sa mosha, për disa edhe më shumë, ngjarjen e bën dramatike fakti se aktin e ka kryer një shkrimtar, “poet i dashurisë”, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve, fitues i Pendës së Argjendtë. Pra një njeri që në shoqëri duhet të jetë, siç thuhet rëndom, pjesë e ndërgjegjes së kombit dhe jo e llumit të kombit. Prandaj ky fakt flet shumë për qëndrimin e shoqërisë ndaj një “pune” të tillë siç është trafikimi i drogës. Gjurmët e parasë së drogës shoqëria jonë i ka të shkruara në ballë ngado që hedh sytë, por që kjo të shkruhet edhe në ballin e poetëve sikur i kalon kufijtë. Një shoqëri ku edhe poetët e dashurisë merren me trafik droge duke u vënë në shërbim të rrjeteve të kriminalitetit të organizuar mund të thuhet se ka mbrritur shkallën më eprore të degradimi moral e shpirtëror sepse në një shoqëri të tillë krimi është kthyer në elitë të vendit kurse poetët në argatë të tij. Është një histori që tingëllon e vjetër dhe shumë e përhapur nëse në vend të “krimi i trafikimit të drogës” do të themi vetëm krimi.
Ka një mendim mendjelehtë se paratë e drogës, duke u investuar në Shqipëri, gjithsesi kanë rritur mirëqënien. Kam dëgjuar se ka dalë edhe nga goja e njerëzve që kanë pasur apo kanë në dorë fatet e vendit. Besoj se një nga arësyet e heshtjes intelektuale ndaj rastit Morava është edhe ky mendim bashkëfajtor. Ashtu sikurse mund të konsideroj pjesë të kësaj bashkëfajësie edhe qëndrimin e një pjese tjetër që e gjykon këtë krim, ashtu sikurse shumë krime që ndodhin në këtë vend, si gjëra që i përkasin një bote me të cilën ata nuk kanë lidhje. Nuk është kështu. Në fakt, paratë e pista të drogës dhe të trafiqeve të tjera duke u derdhur nga lart poshtë në shoqërinë shqiptare sa për të ushqyer politikën e biznesin e mediat aq edhe për të ushqyer punën e përditëshme të shumë familjeve shqiptare ndotin gjithë shoqërinë. E dinë të gjithë se një pjesë e mirë e investimeve që shohim sot në ndërtim, e bar restoranteve, e hotelerive motelerive luksoze etj etj. vijnë nga pastrim parash droge. Dhe nuk është rastësi që ky ndërtim më shumë ngjet me një shkatërrim të burimeve natyrore e të cilësisë së jetës sesa me ndërtim mirëqënieje për të gjithë. Sepse, në thelbin e vet, filozofia e krimit nuk është zhvillimi dhe pasurimi i shoqërisë, por grabitja, pra edhe varfërimi i shoqërisë në emër të përfitimit të kriminelëve.
Por problemi kryesor që ka ngritur trafiku i drogës nuk është as shkatërrimi i burimeve natyrore të vendit, as kapja që ai i ka bërë institucioneve të shtetit, madje as fakti se një pjesë e të rinjve janë kthyer në përdorues të saj duke shkatërruar shëndetin dhe të ardhmen e tyre, për pasojë. Problemi kryesor është shkatërrimi i burimeve njerëzore në mbarë shoqërinë. “Puna”e trafikimit të drogës dhe fitimi i saj ka bërë që të kthehet kokëposhtë ai sistem vlerash sipas së cilit meriton më shumë dhe fiton më shumë ai që punon e studion më shumë. Në përgjithësi modeli që kanë përpara syve të rinjtë është ai i të riut që pasurohet shpejt e fiton një satus që e ve mbi të tjerët jo pse është më i zoti, më i mënçur, më i ditur, por shpesh sepse është më i guximshëm në këso punësh dhe më i paturpshëm gjithashtu. E duke iu referuar rastit në fjalë nëse edhe poeti, shkrimtari, shkon tek droga ç’mund të thuhet për të tjerët. Kur edhe poeti merret e mbijeton me drogë kjo do të thotë të zhduket fare modeli alternativ. Me këtë rast kujtoj se nuk është i vetmi rast ky kur njerëzit e artit kapen jashtë shtetit - jo brenda largqoftë – me drogë! Dhe shoqëria jonë e turpëruar – apo pse bashkëfajtore – ka nxituar shpejt t’i shfajësojë.
Si përfundim dua të ngulmoj se duke u nisur edhe nga ky rast shoqëria shqiptare duhet të ulet e të diskutojë fort seriozisht mbi efektet shkatërrimtare që ka pasur “puna” e trafikimit të drogës dhe të prostitucionit në trupin e saj gjatë këtyre 17 vjetëve dhe se çfarë duhet bërë kjo lloj industrie të frenohet. Nuk është kurrë tepër vonë. (Korrieri, 30 shtator 2008)

Read More......

Mallkimi kinez, Obama dhe e majta shqiptare

“Jetofsh në kohëra interesante” - ky është mallkimi kinez për të cilin e kam fjalën. I jam referuar edhe herë tjetër në një nga shkrimet e shumë kohëve më parë. Por është një mallkim që e mbajmë si kryq mbi shpinë çdo ditë, në çdo hap që hedhim në jetë, dikush në mënyrë të vetëdijshme dikush në mënyrë të pavetëdijëshme, prandaj dhe meriton të përmendet më shpesh. Në leximin e parë mund të duket si një urim, sepse mund të duket gjë e bukur të jetosh në kohë interesante, por, paradoksalisht, është një mallkim sepse, ashtu sikurse e interpreton edhe Hannah Arendt, “kohët interesante” nuk të lenë të futesh në kuptimin e gjërave, ato të mbajnë në sipërfaqe duke të penguar jo vetëm të shijosh kënaqësinë e mendimit e reflektimit, të njohjes së thellë të fenomeneve, çka është një nga kënaqësitë më të mëdha të “hommo sapiensit”, por edhe sepse, në mungesë të aktivitetit intelektual e shpirtëror, njeriu vështirë se mund të krijojë diçka të qëndrueshme, të bëjë sinteza të rëndësishme etj., etj. Është një mallkim që mund t’i shkojë fare mirë një individi të vetëm, por edhe një shoqërie të tërë sepse, ashtu sikurse individi ka nevojë për qetësinë shpirtërore për t’u futur në thellësinë e gjërave që përjeton, ashtu edhe një shoqëri ka nevojë për kushte paqeje dhe begatije shoqërore që të zhvillojë e pasurojë jetën e vet kulturore e shpirtërore.
Po Obama dhe e majta shqiptare si mund të lidhen me këtë mallkim? - do të pyesë lexuesi. Kanë një lidhje shtjellimi i së cilës është edhe tema e këtij shkrimi.
Besoj se nuk është e nevojëshme të zgjatem për të vënë në dukje faktin se një nga gjërat që bije më fort në sy në Shqipëri është numri i madh i ngjarjeve “interesante” që rrëmbejnë vëmendjen e publikut, e jo vetëm, por edhe energjitë e tij duke e lodhur e stresuar atë deri në tejngopje. E për rrjedhojë edhe faktin se, në të gjithë zallamahinë që krijojnë këto ngjarje, mungojnë aq shumë hapësirat ku të vihet re se njeriu shqiptar ka ndalur për të reflektuar lidhur me kuptimin e gjërave që i kanë ndodhur, për t’i ballafaquar ato me filozofitë e vizionet për jetën e botën, me mendimet e përvojat e të tjerëve, me teoritë e reja etj., etj.. Sepse, sapo ai ndalet për të reflektuar, ndodh një ngjarje tjetër që ia nxjerr përsëri nga fokusi atë që sapo e kishte vënë në fokus. Këtë fenomen e ka vënë në dukje edhe Çurçilli kur ka thënë për ballkanasit se prodhojnë histori më shumë sesa ç’mund të asimilojnë. Pra “koha interesante” duket nuk është vetëm çështje e kohës që jetojmë sot, por, më në përgjithësi, çështje pjekurie ende të paarritur.
Në këtë shkrim dua të ndal vetëm në një nga faktet që e ilustron efektin e keq të mallkimit kinez, por që është një fakt shumë i rëndësishëm, sipas meje. E kam fjalën për konstatimin e mungesës thuajse të plotë të përpjekjeve nga ana e të majtës shqiptare për të reflektuar e përthyer në kontekstin shqiptar konventën e demokratëve në Denver që zgjodhi Obamën kandidat për president të SHBA. E them këtë duke patur parasysh se e gjithë bota ku bëjmë pjesë, apo ku aspirojmë të bëjmë pjesë, u mor aq shumë me të. Nuk ka dyshim se kjo mungesë lidhet me mallkimin kinez. Është ai që nuk na le të shijojmë “luksin” e daljes nga koha interesante. Gërdeci, Trebicka, vrasje, vetëvrasje ligji elektoral, kapja e prokurorit, korrupsion këtej, korrupsion andej, sherre, grindje, batuta, sharje të ndërsjellta mbushin përditë faqet e shtypit të shkruar dhe po ashtu të lajmeve e debateve politike. Mbushin edhe aktivitetin e së majtës që është në opozitë. Nganjëherë, madje, këto gjëra interesante krijohen edhe qëllimisht për ta bërë edhe më të rëndë peshën e mallkimit.
Kështu në mediat tonë pashë lajmin se në konventën e demokratëve në Denver kishte marrë pjesë edhe një delegacion i socialistëve apo, të paktën, që kishte qenë atje kryetari socialist Rama, por, ndërkaq, megjithë shfaqjet e përditëshme në media të kryetarit socialist, askund nuk vura re as komente të tij dhe as interesim të gazetarëve për të njohur se me çfarë mbresash e idesh ishte kthyer prej andej. Nuk konstatova të ishte marrë me këtë ngjarje as edhe një fondacion i krijuar qëllimisht për këtë nga PS-ja siç është ai Qemal Stafa. E vetmja gjë që kam parë të komentohet lidhur me dy kandidatët amerikanë për president është çështja nëse janë apo jo ata në favor të pavarësisë së Kosovës.
Kurse ajo që ndodhi në Denver është një ngjarje që e ka bërë Botën të flasë pa fund për të. Ajo konsiderohet si ngjarje epokale. Një filozof e cilësoi si një ndryshim më tepër se sa kulturor, "antropologjik". Biri i një keniani me emrin Barak Hussein bëhet kandidat për president i partisë më të vjetër në botë, të krijuar nga Thomas Jeffersoni më 1792. Ky ka qenë një pronar skllevërish dhe baba metisësh si Obama, të lindura me skllavet e tija. Jeffersoni nuk do t'u besonte syve duke parë atë që po ndodh sot. Por jo vetëm ai. Edhe shumë amerikanë që sonte janë gjallë. Në vitet kur lindi Obama rreth gjysëm shekulli më parë Martin Luter Kingu mbante fjalimin e tij të famshëm që përkujtohet si “ëndrra" e Martin Luter Kingut. Aty ai tha se ëndërronte një SHBA ku njerëzit të mos vlerësoheshin nga ngjyra e lëkurës, por nga ajo që ata vlejnë, e se Amerika nuk do të bëhej kurrë një vend i madh nëse kjo ëndërr nuk bëhej realitet. Vetëm në ato vite (1968) Gjykata e Lartë amerikane anullonte ligjin kundër martesave ndërraciale që synonte ta mbante "racën të pastër". Sot Obama konsiderohet si realizim i ëndrrës së Kingut. Por që Obama të mund të mbante fjalimin e tij në Denver më 2008 janë dashur sakrifica pa numër. Është dashur rezistenca e shumë burrave dhe grave me mendje të ndritura, janë dashur edhe viktima e heronj. Vetë Martin Luter Kingu u vra. Është dashur lufta e studentëve çifutë që kërkuan mbrojtjen e të drejtës së të zinjve për të votuar etj.. "Në asnjë vend tjetër të botës nuk do të ishte e mundur historia ime" deklaroi Obama në Dever.
E pra, lufta për realizimin e kësaj ëndrre është një leksion shumë i madh në një vend si ky i yni ku luftrat dhe sakrificat në emër të ëndrrave të tilla si ajo e barazisë së mundësive midis njerëzve, kundër paragjykimeve racore e nacionaliste duket se nuk bëjnë pjesë as në mendimin e të majtës pale të djathtës, madje ku të majtë dhe të djathtë propagandajnë, por edhe më shumë aplikojnë, dallimet kalsore e racore si mjet i zhvillimit; ku ke përshtypjen e një shoqërie ku individi jo vetëm nuk guxon të sakrifikojë, por as nuk ka ideale për të cilat të sakrifikojë. Kuptohet se mbi të gjitha ky është një leksion për atë që pretendon të jetë e majta shqiptare e shekullit XXI. Po ashtu, në këtë kontekst, më duket se duhet vënë fort në dukje se për ne, që e kemi parë SHBA thjesht e vetëm si një mit, kjo optikë e parjes së ndryshimit atje duhet të jetë një mësim edhe për ecjen tonë. Amerika nuk është një mit i palëvizshëm, por është një vend në ndryshim, që ka aq shumë probleme - ndryshe nga ç’e idealizopjmë ne, - dhe që i zgjidh ato në një rrugë pa fund emancipimi.
Por përtej aspektit epokal që lidhet me emrin Obama mendoj se konventa e demokratëve do të duhej të tërhiqte vëmendjen e të majtës shqiptare edhe në disa aspekte më pak epokale, por mjaft të rëndësishme për kontekstin shqiptar Le të prek vetëm dy tre syresh që më duket se duhet të ishin mësime që do të ishte mirë të përcilleshin edhe në debatin shqiptar nga delegacioni socialist apo nga lideri Rama.
Së pari, do të veçoja faktin se konventa vuri në dukje se presidenti Bush, të cilin ne e kemi adhuruar pa dallim përkatësie partiake, ashtu sikurse adhurojmë SHBA pa njohur problemet e saj, akuzohet rëndë nga e majta amerikane për politikat e tij unilaterale, për luftën në Irak për uljen e ligjitimitetit ndërkombëtar të një vendi si SHBA në arenën ndërkombëtare. Ai madje është aq jopopullor saqë evitohet edhe nga kandidati republikan McCain. A nuk ka ardhur koha që e majta jonë të jetë më në koherencë me qëndrimet e partive të majta të vendeve të ndryshme perëndimore, - në rastin e SHBA me Partinë Demokrate - përsa i përket politikave neokonservatore të djathta që përfaqëson Bushi? E, në rastin konkret, a nuk ka ardhur koha që e majta jonë të deklarojë psh., si Obama, se duhet t’i tërheqim trupat nga Iraku?
Së dyti, çka më duket edhe më e rëndësishme për të majtën shqiptare, konventa e demokratëve vuri në dukje faktin se edhe në SHBA ka një parti që bën politika të majta që kanë jo pak ndryshime nga ato të partisë republikane të djathtë. Sigurish kanë edhe gjëra të përbashkëta, por nuk mund të mos veçohen disa dallime kryesore që janë jo pak aktuale edhe për realitetin tonë. Psh., demokratët, me në krye Obamën, por edhe Hillary Clintonin, premtojnë reforma për të siguruar shërbim shëndetsor për të gjithë, janë shumë më të ndjeshëm ndaj shkollimit për të gjithë dhe po ashtu ata janë për taksa progresive çka do të thotë se ata që fitojnë më shumë duhet të paguajnë taksa më të larta në përqindje sesa ata që fitojnë më pak. Kemi të bëjmë, pra, me një model që është më afër sistemit evropian të shtetit social për të cilin thuhet se dështoi përballë sistemit ultraliberist amerikan, por që, duke patur parasysh edhe krizën e fundit në SHBA, kthehet e bëhet përsëri model shpëtimtar. Si ka mundësi që e majta jonë nuk flet fare për këto, por vazhdon të qëndrojë në pozicione edhe më të djathta sesa liberistët amerikanë?
Së fundi, edhe një gjë tjetër mendoj se duhet të kishte mësuar Edi Rama nga Obama në Denver, por edhe çdo i majtë qoftë në PS, LSI apo gjetkë. Për të evituar, sa të jetë e mundur, ndikimin në politikat e tij të lobeve të fuqishme industriale, ai ka zgjedhur një mënyrë origjinale mbledhjeje fondesh për fushatën elektorale. Shumicën e të hollave ai e ka siguruar nëpërmjet internetit ku njerëzit e thjeshtë kanë dhënë shifra modeste (25 – 50 dollarë), por që bëhen shumë të rëndësishme për të ndryshuar konceptin e pjesëmarrjes në demokraci të popullit dhe rritjen e ndikimin e tij në vendimarrje. Është e tepërt të ve në dukje se sa e rëndësishme është kjo në parim (jo se po sugjeroj që në Shqipëri të mblidhen të hollat për fushata nëpërmjet internetit) po të ballafaqohet me realitetin e sponsorizmeve të fushatave elektorale për partitë shqiptare ku nuk bëhet fjalë për lobe industriale të fuqishme, që gjithsesi janë në rregull me ligjin, por shpesh për sponsorizime me origjnë kriminale që kanë kapur politikën dhe e kanë futur në qorrsokak. A nuk ka ardhur koha që e majta të mendojë se ka një arësye më shumë sesa e djathta për ta çliruar politikën nga kjo kapje?
“Kohët interesante” vërtet nuk na lenë të thellohemi në këto probleme, por mosthellimi në to mund t’i kthejë ato nga kohë interesante në kohë tragjike. (Korrieri, 26 shtator 2008)



Read More......