Friday, January 30, 2009

Kujt i flasin Berisha e Rama

Top Channel paraqiti në lajmet e dy ditëve më parë një lajm montazh me dy liderët e partive kryesore, Berisha dhe Rama, që nuk mund të mos tërhiqte vëmendjen dhe të komentohej.
Fillimisht u paraqit Berisha në Shkodër, nga kronikat e ditës, në një tribunë, i rrethuar me katër fëmijë, dy djem e dy vajza, të veshur me kostume kombëtare dhe me Jozefina Topallin në krah. Po i fliste Edi Ramës që nga Shkodra në Tiranë: "Shfrytëzoj këtë rast për t'i bërë thirrje zotit Edi Rama t'i kërkojë të falur Shkodrës, të dënojë krimet monstruoze të komunizmit që sistemi barbar ka kryer në të gjithë vendin dhe në Shkodër në veçanti…" Pastaj e ktheu në njëjës duke harruar fare fjalën "zoti": "Në rast se ti nuk je i mjeruar, pra me vrimë qysh në rini, siç po thonë, dënoi ato … përndryshe do më bësh të besoj se je i tredhur qysh në rininë tënde…". Pasi përdori fjalën tredhje ndaloi dhe e kapi e qeshura bashkë me turmën "çfarë mund t'i themi,, - i tha turmës, ndërkohë që çuditërisht dy djemtë e vegjël që ishin në krahun e Berishës po duartroikisnin kurse dy vajzat në krahun e Jozefinës po rrinin si të hutuara ndërkohë që ajo po u rregullonte jakët.
Në vazhdim të kësaj sekuence Top Channel dha një kronikë të dikurshme të një mitingu ku Edi Rama, i veshur kuq e zi, po u drejtohej dëgjuesve të tij: "Kjo që kemi pas 17 vjetësh nuk është Shqipëria që kemi amanet nga të parët tanë, idealistë që në kohë të ndryshme dhe në barrikada të ndryshme u vranë, u pushkatuan, u helmuan, u varrosën dhe u zhvarrosën… … Sot unë jam këtu për të bërë thirrje për një bashkim të ri për Shqipërinë dhe fatin tonë të përbashët përtej të majtës dhe të djathtës … për të parë tek Shqipëria atdheun tonë të bukur që e kemi amanet nga Gjergj Kastrioti, rilindasit tanë të mëdhenj, nga Ismail Qemali, dëshmorët e lavdishëm të Luftës Antifashiste, nga At Zef Pllumbi dhe të gjithë martirët e diktaturës komuniste…"
Ky montazh është shumë domethënës për të ballafaquar personalitetin e të dy liderve, retorikën e tyre dhe programet e tyre elektorale do të thoja.
Së pari meriton të komentohet Berisha. Ishte skandaloze skena ku ai flet me fjalë të tilla si "tredhje" dhe për të tilla gjëra si krimet e komunizmit duke patur në krah fëmijë të cilët duartrokisnin të çoroditur, teksa dëgjonin se për çfarë po flitej. I duhet thënë ndal dekorit me fëmijë që përdoren në skenat e burrnimeve dhe zhburrnimeve të lidërve tanë politikë si në kohën që Berisha pretendon se po denoncon. Të paktën prindërit nuk duhet t'i lejojnë fëmijët e tyre të hipin në kësi tribunash ku ata përdoren pa e ditur.
Por, po aq e rëndë sa kjo skenografi me fëmijë më duket mënyra e "distancimit" dhe e "dënimit " nga ana e Berishës e krimeve të komunizmit. Nuk mund të mos sjellësh ndërmend se kryeministri ka qenë tridhjetë vjet komunist dhe madje sekretar partie. Si ka mundësi që flet sikur të ketë ardhur nga Marsi? Megjithë fjalët e egra që thotë: "krime monstruoze", "sistem barbar" ndjehet se në ndërgjegjen e tij, thellë thellë, ai nuk ka asnjë refleksion për atë kohë, asnjë ndjenjë përgjegjësie vetiake po ashtu. Në stilin e njohur të propagandës komuniste e keqja u prejektohet të tjerëve, kundërshtarëve. Berisha duket sikur ka harruar se sa hymne e lavde i ka thurur Enver Hoxhës në mbledhjet e organizatës së partisë. Si intelektual i asaj kohe e i kësaj kohe do të ndihmonte shumë më tepër dekomunistizimin sikur të shpjegonte, duke u nisur edhe nga përvoja e tij, se mbi çfarë mekanizmash trushpëlarjeje dhe dhune njeriu bëhej pjesë e atij regjimi - bashkuvujatës dhe bashkëfajtor thoshte ai dikur. Në mënyrë që të kuptonim më mirë edhe se si sot, që jemi gjoja në liri, në partitë tona nuk goxon kush të kritikojë liderët si ai. Mirëpo ai duket se ka bërë njëherësh amnezi dhe amnisti për veten dhe të kaluarën e tij ndërsa kërkon ta përdorë atë vetëm për kundërshtarët e sotëm duke mos kuptuar se, tek e fundit, dekomunistizimi na duhet për të mos përsëritur historinë dhe jo për ta përsëritur atë. Përndryshe duhet t'i kërkojë edhe ai të falur Shkodrës, pse në gjirin e saj Partia Demokratike ka pasur qysh në krye të herës shumicën komunistë që edhe për këtë e kanë lënë atë në gjendjen në të cilën ndodhet sot. A mund të dekomunistizohet vërtet Shqipëria nga njerëz të tillë dhe nëpërmjet instrumentalizimesh të tilla të antikomunizmit - lind pyetja. Apo dekomunizmi, duke u përdorur si kali i rradhës në betejat politike të ditës, me stilin e një propagande komuniste banale, do të humbasë me humbjen e politikanëve që e përdorin atë, siç humbi antikorrupsioni aq i denoncuar tre vjet më parë?
Kjo e dyta ka më shumë gjasë. Ashtu sikurse i ka ndodhur edhe një herë tjetër në qeverisjen e tij të parë, Berisha e ka filluar me tjetër kalë beteje luftën politike, por, dora dorës që i lindnin kundërshtarë, jo për arësye të së djeshmes, por të aktualitetit që ai po gatuante, filloi t'i hipte kalit të antikomunizmit duke i luftuar kundërshtarët me të shkuarën, që në fakt e kishte të përbashkët me ta. Kështu klasa jonë politike u nda në ish komunistë të mirë dhe të këqinj, në spiunë të mirë dhe të këqinj ndërkohë që ish të persekutuarish asistonin në këtë luftë për pushtet me gisht në gojë. Dhe dekomunistizimi mbeti në fakt pa u kryer pikërisht pse ish komunistët i riabilitoi Berisha me sjelljen dhe veprimet e tij që sollën katastrofën e 97-tës. Duket se edhe tani Berisha po shkon dramatikisht drejt të njëjtit skenar.

Le t'i kthehemi fjalimit të Ramës.
Kuptohet se komenti i parë që mund të bëhet është se përgjigja e Ramës ishte montuar nga Top Channel, me shumë gjasa me porosi të tij, për t'i treguar publikut se ai i ka dënuar, në fakt, krimet e komunizmit. Do të kishte qenë më serioze që gazetarët të shkonin t'i merrnin komentin për ato që tha Berisha në Shkodër, dhe jo të përzgjidhej një fragment fjalimi i djeshëm duke provuar kështu akuzën se Rama mban lidhje direkte përdorimi me disa nga televizionet e rëndësishme të vendit.
Së dyti, nuk mund të mos të të tërhiqte vëmendjen gjuha nacional - komuniste e përdorur prej Ramës, paçka se pa fyerjet dhe banalitetet e kundërshtarit të tij - ndoshta edhe sepse në këtë rast kishim të bënim me një fjalim me letër. Është e çuditëshme se si ky njeri, që e ka filluar shfaqjen publike në skenën e fillimviteve 90 me përqeshjen e propagandës nacional - komuniste, flet tani me terminologjinë stereotipe të asaj propagande: "atdheu ynë i bukur" "amaneti i të parëve" "i Gjergj Kastriotit" "dëshmorët e lavdishëm" pa kuptuar se, duke u shtuar këtyre amaneteve, edhe ato të martirëve të diktaturës e të Zef Pllumit nuk bën gjë tjetër veçse thekson fallsitetin e retorikës së tij.
Rama në fakt e ka si të shkruar në ballë se nuk i interesojnë aspak amanetet e të parëve për atdheun qofshin këta Skënderbeu, dëshmorët e lavdishm apo martirët e diktaturës, dhe po ashtu dënimi apo mosdënimi i krimve të komunizmit, por vetëm e sotmja e tij politike. "Amanetet e të parëve" është histori e njohur. "Të parët" vihen të flasin me gjuhën e interesat e të sotmëve. Bashkohuni rreth meje kundër Berishës siç u bashkuan princat shqiptarë rreth Skënderbeut kundër turqve. Jemi thjeshtë në një retorikë politike, anakronike dhe shterpe sado i pakultivuar apo i shpëlarë trush të mendohet publiku shqiptar. Është po ashtu shterpe thirrja e tij për tu bashkuar të gjithë "përtej të majtës dhe të djathtës" sepse është jorealiste dhe antidemokratike gjithashtu.
Po ashtu futja në një thes e të gjithë "idealistëve të persekutuar e të vrarë…" sëbashku edhe me "dëshmorët e lavdishëm" duket më shumë një manovër për të shmangur dënimin qartas e prerë të krimeve të regjimit komunist, për të ruajtur kështu unitetin e partisë e të elektoratit socialist që në bazë të tyre kanë gjeneratën e dytë dhe të tretë të persekutorëve të djeshëm. Edhe me këta, ashtu sikurse me Berishën, dekomunistizimi është i dënuar të dështojë sepse, për arësye të të sotmes së tyre politike, ata preferojnë të heshtin për atë kohë, por edhe sepse përdorin të njëjtën kulturë që ai ka lënë trashëgim.
Edhe një koment i fundit:
Në retorikën e dy liderve, ashtu siç u paraqit ajo në lajm-montazhin në Top Channel, mund të dallojmë dy strategji elektorale. Ajo e Berishës është e bazuar mbi sulmin dhe diskreditimin, por edhe frikësimin e kundërshtarit nëpërmjet gjuetisë së shtrigave të së kaluarës. Çuditërisht ka hequr dorë nga dikreditimi nëpërmjet hapjes së dosjeve të korrupsionit dhe po përdor dosjet e komunizmit. Strategjia e tij synon çarjen më dysh të shqiptarëve në "ne' dhe "ata".
Kurse Rama është në një strategji mbrojtjeje dhe bashkimi. Ai kërkon më shumë të përfitojë nga gabimet e Berishës duke tentuar të mbledhë konsensusin rreth tij edhe të gjithë atyre që janë zhgënjyer nga Berisha. Duket një strategji që premton më shumë sukses sesa ajo e Berishës, aq më tepër duke patur parasysh se tek ne gjithnjë fitorja ka ardhur si dështimi i kundërshtarit. Por ajo që shqetëson është se mungon një vizion tjetër nga ai i Berishës për Shqipërinë ekomomike, sociale, kulturore, për Shqipërinë në krizë.
Janë dy strategji që kondicionohen nga njëra tjetra që publikut të gjerë, që po përjeton përditë drama social - eknomike (mjafton të kesh parasysh se si po rritet eksponencialisht numri i krimeve, por edhe i vetëvrasjeve), i interesojnë shumë pak. Si për Berishën edhe për Ramën mund të thuhen se kemi të bëjmë me damagogë që në vend se t'u flasin njerëzve për hallet e tyre të përditëshme: për punën, për ujin, për dritat, për rrogat, pensionet, çerdhet, kopështet shkollat e fëmjëve, poliklinikat e spitalet, kërkojnë t'ua shpëlajnë trurin me retorika boshe. Të duket se të dy, ashtu siç e ilustron edhe lajm - montazhi i komentuar, të verbuar edhe nga militantë që i duartrokasin çfarëdo banalitetit që thonë e që u tundin para syve pankarta e flamurë, nuk janë të vetëdijshëm se kujt po i flasin e çfarë po thonë. Jemi në një mjerim të politikës që përforcon perceptimin se ajo, me këtë klasë politike e me këta lider, po largohet përditë e më shumë nga hallet e vërteta të shumicës së njerëzve. (Korrieri, 29 janar 2009)

Read More......

Monday, January 26, 2009

Korrupsioni dhe "demokracia hibride"

“A jemi një vend i korruptuar? Kemi qenë qysh në krye të herës apo qysh kur? A është i korruptuar populli, shoqëria në tërësinë e saj, apo është e korruptuar vetëm klasa drejtuese e vendit kurse populli qëndron pasiv dhe i mpirë përballë këtij fenomeni shkatërrimtar?”
Këto pyetje, që duket sikur të kenë lindur nga konteksti shqiptar janë frazat e para të një artikulli me titull: “A jemi një vend i korruptuar?" të gazetarit të njohur italian, themeluesit të La Republica, Eugenio Scalfari, shkruar në fund të dhjetorit 2008. Kuptohet, janë shkruar për Italinë, por, duke i lexuar, nuk mund të mos bëje paralelizmin. Janë pyetje që edhe ne i ngremë për vendin tonë, për fenomenin tonë të korrupsionit, shoqërinë, politikanët.
E lexova me interes të gjithë artikullin me dy kuriozitete: si pari, për të parë diagnozën që jep gazetari për vendin fqinj, llojin e sëmundjes dhe shkaqet e saj, së dyti për të gjetur mjetin e shërimit që ai sugjeron.
Gjatë leximit konstatova se, ashtu siç më ka ndodhur edhe mua kur jam përpjekur të përshkruaj e të analizoj fenomene, është më e lehtë të bësh diagnozën, por shumë më e vështirë të gjesh shërimin. Jo pse mungojnë receta shërimi, por sepse ato duken sa të njohura e të përgjithëshme aq edhe të pafuqishme, veçanërisht në terma afatshkurtëra. Dhe, kur mendon se për një sëmundje kaq të rëndë, kaq shkatërrimtare, nuk mjafton një jetë ndoshta për ta shëruar, të kap një ndjenjë papranueshmërie dhe revolte.
Analiza që bën Skalfari për Italinë do të thoja se, në thelbin e vet, i shkon shumë mirë edhe Shqipërisë - sigurisht me rrethanat rënduese të kontekstit shqiptar. Ai e gjen shkakun kryesor të korrupsionit në faktin se në Itali shteti i bashkuar, pra ai që është krijur në shekullin e XIX, ka qenë i huaj, i largët për italianët, se historikisht ky shtet është përjetuar prej tyre më shumë si shfrytëzues sesa si garant i paktit shoqëror; më shumë si autor dhune sesa si tutor i ligjshmërisë; se populli nuk ka marrë pjesë, por vetëm ka qenë i pranishëm në lindjen e këtij shteti pasi 75% e popullsisë ishte fshatare, me fjalë të tjera jashtë institucioneve, jashtë tregut; njerëz që konsumonin atë pak që prodhonin, e që të vetmet prani institucionale me të cilat kishin kontakte ishin karabinerët, njerëzit e postës dhe priftërinjtë.
Kurse opinioni publik përfaqësonte vetëm 25%: pronarë tokash, tregëtarë, industrialistë, gjyqtarë, profesionistë, mësues e studiues dhe nëpunës. Nga kjo shtresë e hollë e shoqërisë dilte klasa drejtuese, kryeadministratorët lokalë dhe kombëtarë, oficerët e ushtrisë, sipërmarrësit. Me një fjalë borgjezia dhe mikroborgjezia, deputetët.
Shteti plluskonte kështu mbi këtë shtresë shoqërore ashtu sikurse kjo, nga ana e vet, plluskonte mbi mizërinë e fshatarëve dhe bërthamat e para të klasës punëtore. Shteti - thotë Scalfaro - nuk ishte një simbol, as atdheu nuk qe i tillë. Për pjesën më të madhe këto fjalë ishin të panjohura, pa kuptim. Kurse për shtresën e hollë të të privilegjuarve ishin thjesht mundësi për të zaptuar e ligjëruar pushtet në emër të përfitimit personal.
Besoj se paralelizmi është evident. Veçse me ndryshimin, do të thoja, se gjendja e Italisë së djeshme është gjendja e Shqipërisë të sotme. Me ndryshimin gjthashtu se, nëse në Itali ka pasur një 25% shtresë shoqërore që nxirrte klasën drejtuese, kjo shtresë në Shqipëria edhe sot është më e hollë, më pak e kulturuar dhe qytetëruar, më pak e stabilizuar, më pak demokratike dhe shumë më kriminale dhe më e pamoralëshme. Ashtu sikurse edhe pjesa tjetër e shqërisë, ajo e mpira, pa gojë, është shumë më primitive.
Edhe për Shqipërinë e kemi thënë dhe e themi se korrupsioni është një fenomen që buron drejpërdrejt nga tëhuajësia e shtetit në raport me popullin, nga ekzistenca e një klase drejtuese të barrikaduar në mbrojtje të privilegjeve të veta, që përvetëson burimet publike sipas rradhës. Përdorimi i zyrave të shtetit nga ofiqarët e vet thjesht për përfitime personale, nga njëra anë dhe evazioni fiskal nga ana tjetër, mungesa e kontrollit mbi territorin nga njëra anë dhe shpërdorimi i tij, nga ana tjetër, janë dy faqe të së njëjtës medalje: asaj të një shteti të cilit nuk i beson askush e që nuk përjetohet si tutor i ligjit, si shërbëtor, por si instrument përfitimi, si shfrytëzues dhe dhunues.
Po cila është kura ndaj kësaj sëmundjeje? Duke ardhur në ditët e sotme në Itali Scalfaro rekomandon atë që ka thënë Berlingueri që njihet si kampioni i çështjes morale në poltikën italiane: forcat politike nuk duhet të uzurpojnë institucionet, organet e garancisë duhet të vigjëlojnë për të goditur pa patur parasysh ngjyra partiake; gjyqsori duhet të funksionojë si organ i kontrollit të ligjshmërisë, shtypi duhet të mësojë më mirë dhe më shumë detyrën e vet si kundërpushtet.
E njëjta kurë mund të thuhet fare mirë për Shqipërinë, madje është thënë edhe rithënë nga intelektualë e gazetarë madje edhe nga politikanë. E gjithë lufta që bëhet sot për të mbrojtur prokurorinë dhe mediat nga sulmet e qeverisë aktuale me këtë retorikë bëhet. Por problemi kryesor i kësaj retorike është se ajo nuk bëhet nga shtresa e gjerë dhe në emër të interesave të saj, por nga përfaqësuesit e shtresës së hollë që pret rradhën të marrë shtetin në dorë për përfitimet e rradhës.
Gjthsesi, tek e fundit, duket se i gjithë problemi i forcimit të demokracisë, si një proces pa fund, është si të rritësh "trashësinë" e asaj shtrese që përbën opinionin publik e që nxjerr të ashtuquajturën klasë drejtuese. Dhe rritja e saj bëhet në dy aspekte: nëpërmjet rritjes së përqindjes së saj dhe nëpërmjet rritjes së kulturës së saj. Italia hyn në vendet demokratike sepse, megjithë difektet që numëron Scalfaro, ka ardhur duke e rritur shtresën e shoqërisë që përbën opinionin publik aktiv. A po ndodh një rritje e tillë në Shqipëri, që u fut së fundi nga "The Economist" në vendet me demokraci hibride, pra me elemente të autoritarizmit? Kam frikë se në Shqipëri po ndodh e kundërta: tkurrja e kësaj shtrese - edhe në krahasim me vite më parë, kur ajo filloi të krijohet pas një regjimi totalitar që e kishte reduktuar në hiç krejt shoqërinë. Dhe kjo, veç të tjerash, më duket se ka një arësye mjaft bindëse. Problemi që shtrohet dhe rishtrohet sot është: a mundet klasa drejtuese që kemi të ndryshojë mendësi, të shndrrohet, pra, nga shfrytëzuese dhe dhunuese në shërbyese, në një kuptim më të drejtë në shterformuese? Duke patur parasysh se sa shumë është komprometuar ajo duke abuzuar me pushtetin duket gati e pamundur, pasi kjo do të thoshte që ajo të punonte kundër vetes. Përvoja po e vërteton këtë dita ditës. E këtu vimë një një përfundim mjaft dramatik: korrupsioni nuk është vetëm pasojë e një shteti të huaj për qytetarin, por, nëpërmjet një rrethi vicioz, që më saktë mund të quhet edhe spirale zbritëse, korrupsioni është edhe një ndër shkaqet kryesore të tëhuajësimi të mëtejshëm të klasës drejtuese, pra edhe të shtetit. Dalja nga spirale të tilla zbritëse bëhet kështu një problem i madh sepse tkurrja që sjell korrupsioni sjell edhe tkurrjen e instrumenteve demokratike të cilët janë të vetmit që mund të krijojnë hapësirat për ndryshime pozitive. Gjykoj se cilësimi i Shqipërisë së fundi nga "The Economist" "demokraci hibride" nuk është pa lidhje me këtë fenomen që, po të kem parasysh edhe përvojnë italiane, mund të na mbajë gjatë, shumë gjatë, në një shtet të tillë si ky që kemi sot. (Korrieri, 24 janar 2009)

Read More......

Wednesday, January 21, 2009

Filmi socrealist dhe qasja ndaj se shkuares


“Kinematografia vlerësohej shumë, sepse konsiderohej si arma më e fuqishme e artit, shpesh citohej thënia e Leninit se “kinemaja është artileria e rëndë e artit.” (Esat Musliu, regjizor dhe anëtar i bordit të Qendrës Kombëtare të Filmit)”1.

Duke lexuar esenë “Kinematografia shqiptare midis nostalgjisë, groteskut dhe të ardhmes” të autorëve Artan Puto dhe Eldon Gjikaj, botuar në këtë numër të Përpjekjes, më tërhoqi vëmendjen në mënyrë të veçantë kjo metaforë e Leninit. Ajo na fton ta përfytyrojmë artin si një ushtri në të cilën kinematografia luan rolin më të fuqishëm, por edhe më shkatërrimtar: atë të artilerisë së rëndë. Ajo e fton imagjinatën tonë të përfytyrojë një bombardim rrënues mbi pozicionet e armikut dhe pastaj sulmin e kalorësve dhe këmbësorëve që e pushtojnë tokën armike dhe vendosin aty ligjet e tyre. Dhe duhet të përfytyrojmë se kjo “tokë armike” nuk është tjetër veçse shoqëria. E pastaj, duke e afruar edhe më objektivin, do të gjejmë se shenjestra e predhave është bash mendja e zemra e njerëzve që e përbëjnë atë.
A ka një kontradiktë vetë metafora? A mund të thuhet se mendja dhe zemra e njeriut pushtohet me dhunë? Apo çfarë roli ka arti? A ka ai një rol shkatërrues apo ndërtues? Apo bash tek përdorimi i një metafore të tillë duhet të gjejmë edhe një nga problemet më të mëdha të artit socrealist? Të gjitha këto pyetje të vijnë menjëherë ndërmend sapo ndeshesh me metaforën që ka udhëhequr frymën e artit socrealist për afro gjysëm shekulli në Shqipëri.
Nuk mund të thuhet se arti nuk hyn fuqishëm në mendjen dhe shpirtin e njeriut. Mjafton të kesh parasysh konceptin aristotelian të katarsisit sipas të cilit spektatori (i një tragjedie) largon/pastron nga vetja tendencat brutale apo kriminale që flenë tek ai duke i parë ato të mimetizuara në skenë. Në fakt është e vështirë të përkufizohet arti dhe po aq e vështirë të përcaktohet edhe funksioni i tij. Ai është konsideruar edhe si idealizues i realitetit edhe si tregues i realitetit. Ai ka pretenduar edhe për autonomi të plotë nga politka (arti për art), por edhe për të qenë protagonist i revolucioneve. Po ashtu nuk mund ta hedhësh poshtë rolin e artit, si provokues i shoqërisë, si shkatërrues tabush. Kohët e fundit një artist gjerman ka shfaqur idenë që të vendosë në një muzeum një njeri që është duke vdekur në mënyrë që njerëzit të mund të vizitojnë “dal vivo” aktin e vdekjes. (Është në kërkim të pacientit që do t’ia pranonte këtë). Ata që e mbështesin e konsiderojnë këtë si një provokim ekstrem ndaj njërës prej tabuve më të fundit, aktit të vdekjes; por edhe si një akt i përthellimit të njohjes njerëzore.
Prandaj kur të gjykojmë thënien e Leninit ndoshta duhet të jemi më të kujdesshëm ndaj prirjes që na vjen “natyrshëm” për ta përqeshur atë menjëherë. Në historinë e njerëzimit lidhja e artit me politikën më saktë me institucionet e pushtetit është e vjetër. Për shoqëritë politike arti ka qenë gjithnjë problem. Sepse është e njohur që, nëpërmjet fuqisë së tij, arti vepron mbi njerëzit duke i transformuar ata dhe shijet e tyre. Platoni duke dëbuar poetin nga qyteti (Republika) inauguron lidhjet midis artit dhe zakoneve të një shoqërie. Duke filluar që nga Rilindja e këtej shohim se kemi një lidhje edhe më të fortë midis pushtetit dhe artit. Shohim gjenitë të përdoren rëndom për të transmetuar imazhin e një pushteti njëherësh të rafinuar dhe të fuqishëm. Po me Iluminizmin dhe Romanticizmin hyjmë në kohën kur Shileri e bën artin organin e çlirimit të epërm dhe artistin mësuesin dhe mjekun e qytetërimit. Duke ardhur në shekullin e XX shohim se, në kohën kur vdiq Lenini, Majakovski nuk kishte vrarë ende vetën, por glorifikonte revolucionin, Ejzenshtejni bënte “Karrocata Potiomkin” e shumë shkrimtarë e artistë si këta ende besonin se po luftonin për ndërtimin e një njeriu të ri në një botë të re. Kur analizojmë metaforën duhet, pra, të kemi parasysh se përhapja dhe lindja e kinematografisë përkon me kohën e lëvizjeve të mëdha të masave, kur njeriu, me besim tek arësyeja e tij dhe tek bashkimi në një masë të fuqishme, ndërtoi dy ideologji revolucionare me pasojat më katastrofike, nazizmin dhe komunizmin. Edhe arti si pjesë integrale e këtyre ideologjive shihej edhe si pjesë integrale e revolucionit. Madje dihet se kritika marksiste, duke e futur artistin në aksionin politik, e bashkon militantizmin edhe me revolucionin formal.
E megjithatë në tërë këtë histori të lidhjes së politikës me artin ajo e lidhjes së pushtetit totalitar me të ka veçoritë e veta, ato veçori që kanë bërë t’u jepet emërtimi “totalitarizëm” këtyre diktaturave. Totalitarizmi dallohej për faktin se pushteti plitik zotërohej ekskluzivisht nga një parti e vetme që ishte e armatosur me një ideologji që ishte e vërteta zyrtare e shtetit dhe së cilës i vishej një autoritet absolut. Partia-shtet kishte monopolin e dyfishtë të përhapjes së kësaj ideologjie: nëpërmjet tërësisë së mjeteve të masmedias: radioja, televizioni shtypi, nëpërmjet sistemit arsimor, institucioneve të artit e kulturës si dhe me mjetet forcës. Dhe arti socrealist ishte pjesë integrale e këtij sistemi, i lindur prej tij dhe në funksion të tij. Në përpjekjet për ta kuptuar deri në fund këtë fenomen është bërë edhe krahasimi i ideologjisë me fenë dhe i partisë me Kishën. Ka pa dyshim elementë të përbashkët midis ideologjisë dhe fesë dhe mënyrës se si këto janë përdorur si instrumente të pushteteve. Mjaft të kihet parasysh se kur kristianizmi u bë, më në fund, fe shtetërore në shekullin e IV ata që vazhdonin të besonin në ritet pagane të Romës dënoheshin deri edhe me vdekje. Por ka edhe ndryshime të rëndësishme midis tyre që mundësojnë edhe dallimin midis Mikelanxhelos që pikturonte katedralen e Shën Pietrit dhe artistëve të realizmit socialist. Ky editorial nuk synon të analizojë dallimet midis ideologjisë dhe fesë2 dhe, për pasojë, ndryshimet e ngjashmëritë midis të artit fetar e atij socrealist. Ai synon të ngrejë vetëm disa pikëpyetje e të japë ndonjë përgjigje duke u ballafaquar me materialet studimore në vazhdim. E përgjigjet që mund të jepen nuk mund të mos përqendrohen tek ai që quhet rezultati. Pas “eksperimentit” ne shohim e gjykojmë rezultatin e tij dhe është bash ai që na bën të na duket krej e natyrshme ta përçmojmë metaforën e Leninit që e krahason artin me një ushtri ku kinematografia përbën artilerinë e saj të rëndë.
Nëse do ta vazhdojmë metaforën duke e lidhur me hapësirat kohore dhe vendore shqiptare do të themi se ushtria e artit socrealist erdhi duke u shtuar në numër e në mjete, e pushtoi territorin dhe e mbajti nën sundim atë për një kohë të gjatë, me dekada, gjithë duke luftuar me armikun, duke eliminuar edhe tradhëtarët e dezertorët në rradhët e saj. E, megjithatë, një ditë befas e pa veten të mundur, të shkatërruar mbi rrënojat që kishte shkaktuar vetë.
Po cili ishte “armiku” që fitoi - lind pyetja. Me një fjalë të vetme mund të përgjigjesh: e vërteta. Por kur flasim për të vërtetën në art çështja vjen e bëhet e komplikuar. Mund të thuash edhe liria, ose më saktë “liria e krijimit” që nuk të lejon kurrsesi ta shohësh artin si një ushtri dhe artistin si një ushtar të saj. Arti ashtu si njeriu u çlirua nga disa pranga që e tjetërsonin deri në marrje fryme. Por gjithë duke e lënë të hapur çështjen nëse arti dhe njeriu paskomunist në përgjithësi shpëtoi nga rrënojat mbi të cilat u rrit dhe nëse fitoi vërtet lirinë për të mos u tjetërsuar. Në fakt sot më shumë sesa vlerësimi mbi atë lloj arti çështja që shtrohet është: çfarë ndodhi me gërmadhat? Sepse nuk bëhet fjalë për toka të mbjella me bunkerë të cilët edhe mund të shkulen. Bëhet fjalë për mendje njerëzore ku bunkerët e mbjellë nuk mund të hiqen me operacion kirurgjikal. Ato janë mënyra të menduari, të krijuari, mekanizma autocenzure, mungesë dijeje dhe njohjeje. Dhe çfarë mjetesh po përdoren për t’i pastruar ato, është një pyetje tjetër që shtrohet.
Përpjekja paraqet në këtë numër një version të historisë së kësaj lufte të jetuar nga ushtarët e artit ose, nëse do t’i referohemi metaforës së Leninit, një histori e rrëfyer nga topçinjtë. Një numër protagonistësh të kinematografisë së asaj kohe: regjisorë, aktorë kryesisht kanë dhënë kujtimet dhe vlerësimet e tyre për kinematografinë në kohën e komunizmit. Historia e përshkruar nga ata afërmendsh është vetëm një version i kësaj historie tragjike. “Historia e gjahut do të ishte krejt tjetër sikur ajo të tregohej nga luanët, jo nga gjahtarët” thotë një proverb afrikan. Pra ajo do të ishte e ndryshme sikur të tregohej nga ata që kanë pësuar bombardimin e topçinjve.
Sikurse shpjegohet në materialin hyrës kemi të bëjmë me një studim metodologjia e të cilit në shkencat shoqërore konsiderohet si metoda e oral history (historisë gojore); një përpjekje për të kuptuar zhvillimin e kinematografisë përmes kujtimeve të disa prej protagonistëve të kinemasë së djeshme e të sotme dhe të rëndësisë që kanë kujtimet e tyre për ata vetë. Është një dokument që flet për atë kohë dhe për këtë kohë, për atë se si i qaset në kohën e sotme shoqëria shqiptare të kaluarës komuniste, por edhe se si e interpreton të tashmen duke u nisur nga ajo përvojë. Është pra një kontribut edhe në debatin mbi nevojën e rishkrimit të historisë së letërsisë dhe arteve në përgjithësi.
Sikurse duket edhe nga materiali është njëherësh e lehtë dhe e vështirë t’i futësh të gjithë në një kategori topçinjtë e artit të shtatë shqiptar. Më një anë duket se janë individualitete të ndryshëm me qasje të ndryshme ndaj asaj të kaluare e megjithatë, më anë tjetër, nuk mund të mos gjejmë disa emërues të përbashkët. Kur flitet për veçantitë nuk mund të mos vesh re se tek disa mbizotëron një lloj nostalgjie, madje edhe mburrje e asaj kohe: “Një nga veprat më të mira të kohës ka qenë themelimi i kinemasë shqiptare. Thuhet se partizanët luftonin, sakrifikonin, por nuk kishte asnjë dokument për ta vërtetuar, ndërkohë që me kinemanë kjo është bërë e mundur. Lana është sistemuar në vitet 1945-46 nga vullnetarët dhe provat i kemi. Apo mbi ardhjen e ujit të pijshëm në Tiranë. Flas për gjëra që kam parë nga afër. Të gjitha sakrificat që janë bërë, gjithë historia është fiksuar në dokumentarë. Dhe nuk mund të ndryshohet. (Hysen Hakani, regjizor)”. “Kinemaja ka marrë nga letërsia shqiptare gjërat më të mira dhe që janë vlerat e vërteta shqiptare. Veprat e shkrimtarëve më të njohur shqiptarë janë bërë filma. [...] Çmimet që kemi marrë nëpër botë janë marrë sepse shfaqin identitetin kombëtar shqiptar. (Esat Musliu, regjizor dhe anëtar i bordit të Qendrës Kombëtare të Filmit).”
Duke lexuar këto dëshmi/kujtime gjen edhe përgjigje ndaj pyetjesh që lindin natyrshëm: a ka pasur një ndërgjegjësim për çka ishte regjimi tek këta krijues apo ka pasur një shkrirje organike me të në funksion të tij? Pse shkonin ata të punoni atje? Çfarë i shtynte, besimi në ideologjinë, një vetëdije e dobët mbi atë se cili është roli i artit në një shoqëri, apo ndjenja e shërbimit në emër të një karriere më të suksesshme në jetë? Cili është më i moralshmi, ai që e ka bërë me vetëdije apo ai që e ka bërë duke përdorur një gjuhë të dyfishtë? Cila është trashëgimia që na ka lënë kjo gjuhë e dyfishtë?
Nëse do të kërkojmë të përbashktën në kujtimet e thuajse të gjithë protagonistëve kjo do të përmblidhej në dy aspekte kryesore që janë si dy anë të së njëjtës medalje. Së pari njohja se edhe në ato kushte është bërë art: “Edhe pse ekzistonte censura, mund të thuash se nuk mungonte arti në të. Kinematografia dhe piktura, si edhe artet vizuale, përfshirë edhe teatrin, ishin sektoret e kulturës që u prekën më shumë nga rregullat e realizmit socialist, nga doktrina zyrtare. Teatri, pastaj skulptura dhe kinematografia. Këto ishin artet që pësuan më shumë nga realizmi socialist, shumë më tepër se letërsia.” (Bashkim Shehu, shkrimtar). Së dyti mungesa e një qëndrimi vetëkritik për përgjegjësitë e sejcilit në bombardimin shkatërrimtar, përkundrazi strehimi thuajse i të gjithëve tek përqindëshi i vogël i vlerave. Edhe kur ndonjëri thotë “Ka një përpjekje jo të vogël për të minimizuar të keqen e për të maksimalizuar vlerat” (Ndriçim Xhepa, aktor) nuk flet sadopak për përgjegjësitë vetiake. Në kujtimet bije ne sy pafuqia ndaj regjimit si justifikim: “Komunizmi ynë ishte sui generis, shumë i ashpër, nuk mundemi ne tani, në kohë demokracie të flasim për disidencë, nuk kishte as në Kinostudio dhe as në sektorët e tjerë të artit. Duhej të ishe budalla të bëje një film kundër regjimit, gjë që polakët, çekët mundeshin ta bënin [ ...] Ne i rregullonim kaq mirë filmat saqë ato nuk “kapeshin” nga censura.” (Piro Milkani, regjizor). Flitet gati gati sikur zgjedhja e tyre të ketë qene e paracakuar, sikur të mos ketë pasur asnje vetëdije ne vend se ato çka bënte tek ne letersia dhe kinematografi socrealiste i shërbenin propagandimit të së keqes. Por bie në sy edhe pafuqia intelektuale per të analizuar përgjegjësinë sot. Thuajse të gjithë pranojnë se kanë qenë të vetëdijshëm për cenzurën duke pohuar direkt ose tërthorazi se tjetër ishte ajo që mendonin dhe tjetër ajo që bënin. Por askush nuk flet për koston që ka patur kjo jetë e dyfishtë për shoqërinë dhe për ata vetë si pjesë e saj. Ky aspekt i materialit të bën të përdorësh shprehjen “Divorci i butë me të kaluarën”. Një divorc ku gjen shumë mirëkuptim ndaj saj edhe atëhere kur ai nuk është i mbushur me nostalgji. Thënia e regjisorit Kujtim Çashku “nuk dua të flas për atë kohë” mban shumë të vërteta të pathëna. Të vërtetën e një divorci të paanalizuar, të vërtetën e mungesës së vetëdijes se nga e kaluara nuk ndahemi dot, se ajo na ndjek prapa duke kushtëzuar të tashmen dhe të ardhmen tonë. E kjo ngre pyetjen: a mund të shpresohej se ata, që për paradoks drejtojnë sot kinematografinë shqiptare, do të mund të ngrinin një gjë tjetër?




1. Nxjerrë nga “Kinematografia shqiptare midis nostalgjisë, groteskut dhe të ardhmes” Artan Puto, Eldon Gjikaj, Përpjekja 25, vjeshtë 2008.

2. Shih për këtë “Privatësia në regjimet totalitatre” (F. Lubonja, Përpjekja 20, pranvere 2005

(Perpjekja 25, dimer 2008, editorial; Korrieri, 20 janar 2009)

Read More......

Saturday, January 17, 2009

Mbi konfliktin Berisha - Baze

Konflikti i muajve të fundit midis qeverisë dhe gazetës “TemA” pas aktivitetit denoncues të Mero Bazes arriti pikën kulmore me djegien e makinës së Bazes dhe me nxjerrjen jashtë ambienteve të dhëna me koncesion nga qeveria të redaksisë së gazetës. Lidhur me këtë konflikt kam dëgjuar e lexuar shumë komente, më është kërkuar nga lexues të shkrimeve të mia mendim për të, madje një pjesë më janë drejtuar edhe me asi pyetjesh që quhen provokuese. Kam zgjedhur që konfliktin në fjalë ta komentoj nëpërmjet përgjigjeve ndaj këtyre pyetjeve, sepse, siç ndodh në përgjithësi me kësi lloj pyetjesh, nëpërmjet përgjigjeve ndaj tyre dalin më qartë edhe problemet, në këtë rast ato të medies dhe raportit të saj me pushtetet e tjera në Shqipëri.

E para pyetje që drejtohet më shpesh është ajo e tipit: Ku e ka hallin Baze, cili është motivi i vërtetë prapa fjalëve të thëna publikisht, sepse nuk besojmë ta ketë nga principshmëria?
Jam ndër ata, që shpesh kam shkruar se e mira nuk qëndron në atë që bën, por në motivet pse e bën. Pra, motivi i vërtetë ka rëndësi për të gjykuar një veprim, veçanërisht për të parashikuar pasojat e tij të mëvonshme, sesi mund ta përdorësh nesër, p.sh. kredibilitetin e fituar me një veprim të ashtuquajtur të “të mirë” (së fundi e kam përdorur për të ilustruar ligjin për dosjet.)
Motivi i vetëm i një gazetari duhet të jetë informimi i publikut, thënia e së vërtetës publikut. Ç’mund të themi për motivin e Bazes? Po t’i besojmë Bazes, motivi është zhgënjimi te Sali Berisha, të cilin e ka konsideruar të pakorruptueshëm dhe e ka mbështetur si të tillë, si dhe nevoja për t’ia shprehur publikut këtë zhgënjim në emër të luftës kundër korrupsionit. A është i besueshëm ky motiv? Personalisht mund të dëshmoj se, në kohën e parë, kur Berisha rierdhi në pushtet, Baze e paraqiste në rrethe gazetarësh të njohur, si njeri në derën e të cilit zor se do të mund të hynin kollaj mafiozët e shumtë që kishin bërë si të tyret zyrat e Nanos apo Ramës. Megjithatë, nuk mund të ngulmoj dot se motivi i denoncimit të Bazes vjen nga ky zhgënjim. Ai, nga ana tjetër, e njeh shumë mirë ambientin e korruptuar e korruptues që mbizotëron në politikën shqiptare, dhe po ashtu, u pa se Berisha dha shpejt shenja se dyert e tij mund të hapeshin edhe nga të korruptuar, prandaj më duhet t’i lë vetes të drejtën e dyshimit, nëse motivi i Bazes është ai që deklaron. Nga ana tjetër, nuk mund të pajtohem assesi me mendimin e atyre që skualifikojnë gjithçka thotë Baze, me argumentin se motivi i tij është i mbrapshtë, pasi lidhet pikërisht me favore materiale të parealizuara nga Berisha. Përvoja tregon se kush kërkon thjesht e vetëm favore materiale, nuk armiqësohet në këtë farë feje. Po ashtu, nga krahu i qeverisë nuk ka ardhur ndonjë shpjegim i qartë dhe bindës se cilët janë motivet e mbrapshta, sipas saj, që e kanë shtyrë Bazen të armiqësohet padrejtësisht me qeverinë dhe kryetarin e saj. Sipas meje, motivet e prishjes së Bazes me Berishën janë një gjë më komplekse, që tek e fundit, i dinë ata të dy më mirë se kushdo. Neve na intereson më shumë faqja publike e konfliktit. Pavarësisht se cilët janë motivet, çështja kryesore për ne është nëse qëndrojnë apo nuk qëndrojnë akuzat që ngre Baze. Sepse shumë të vërteta mund të thuhen edhe jo thjesht për hir të së vërtetës. Fjalën e fundit, nëse janë të vërteta akuzat e Bazes, duhet ta thonë prokurorët dhe gjyqtarët, që, për fat të keq, te ne nuk kanë kredibilitet. Por mua më duket se po të ballafaqosh ato që ka thënë Berisha para se të vijë në pushtet me shumëçka që, në fakt, po bën sot, çka është edhe kryetema e Bazes në thelbin e vet, vështirë të mos i japësh të drejtë këtij të fundit në shumë gjëra që thotë.

Po të kishte qenë kaq parimor ky Baze, do të kishte denoncuar Berishën e ‘97, kurse ai e ka mbrojtur, madje me fanatizëm.
Sipas meje, Baze ka bërë pjesë ndër ata gazetarë, që, si të thuash, kanë qenë të rreshtuar, një militant i PD. Pra, nuk ka bërë pjesë ndër ata gazetarë apo intelektualë, që e mbështesin një parti, me principin se mund ta bëjnë këtë për sa kohë që idetë e tyre përputhen me premtimet e saj, por që e braktisin atë kur shohin se këto tradhtohen. Militanti angazhohet si të thuash, nëpërmjet një betimi për mostradhti ndaj grupit. Por, edhe pse komprometohet me këtë grup, sigurisht. Sipas meje, një nga arsyet pse Baze ka mbështetur për një kohë të gjatë Berishën me fanatizëm, është edhe kjo ndjenjë e fortë përkatësie - pa dyshim e lidhur edhe me interesa, do të thosha jo thjesht materiale, por sepse kjo përkatësi i siguronte edhe një mbrojtje, edhe një status, edhe një punë etj. E keqja nuk qëndron në faktin se ka gazetarë të tillë, sepse atëherë s’ka pse t’i kishim edhe gazetat partiake. E keqja qëndron se, duke mos pasur demokraci të brendshme në partitë tona, liderët e tyre nuk u lejojnë as gazetarëve të angazhuar brenda partisë, që të sjellin informacione pakënaqësie apo të shprehin mendimin kritik brenda partisë apo edhe në gazetë, të bëjnë pra mirë punën e tyre. I duan militantë syverbër, si militantët më të rëndomtë. Personalisht, kur Baze ka filluar kritikat, e kam parë si shenjë demokratizimi të Partisë Demokratike. Dhe i kujtoj lexuesit se, në krye të herës, Baze ka bërë kujdes që të mos sulmonte liderin, por fenomene dhe grupe që i shihte të rrezikshëm edhe për atë vetë. Kujtoj se ka sulmuar faktin se PD dhe Berisha nuk po realizonin programin, sepse ndodheshin nën shantazhin e fenomeneve “Pollo”, apo fenomeni demokristian që kishin krijuar si të thuash, mikroqeveri brenda qeverisë. Sulmet ndaj Berishës dhe familjes së tij kanë ardhur më vonë dhe gradualisht, ndërkohë që kritikat e Bazes, që mund të ishin ndihmuese, janë kaluar me një shurdhësie totale të Berishës. Në fakt, një pushtetar i mirë duhet të jetë vigjilent edhe ndaj asaj që thotë kundërshtari në shtyp, e jo më një gazetar që deri dje ka qenë në krahun tënd. Kurse, sipas përvojës sime, në vend të kësaj, me gazetarët “miq” që fillojnë të kritikojnë (nëse nuk arrihet blerja), ndodh heshtja dhe distancimi, pastaj diskreditimi nëpërmjet veshjes së motiveve të mbrapshta dhe pastaj akte direkte presioni e frikësimi. Problemi është se këta lloj liderësh nuk duan të dëgjojnë, të dialogojnë apo të japin kundërargumente, por thjesht të të skualifikojnë, jo vetëm pse kanë maninë e gjithëpushtetshmërisë, që i bën t’iu duket se vetëm gazetarët që u shërbejnë thonë të vërtetën, kurse të tjerët i instrumentalizon armiku, por edhe pse e kanë bërë zgjedhjen e tyre të rrugës së të keqes dhe çdo dialog apo kundërshtim i pengon dhe i vonon në realizimin e asaj që kanë bërë ndërmend. Kur ke futur në xhep lekët për një punë të mbrapshtë, vështirë se ke dëshirë të dëgjosh ata që ta kritikojnë këtë punë.

A nuk e ka ekzagjeruar Baze në akuzat e tij? Sepse, megjithëse thonë se Berisha provoi se është ai që ka qenë, në fakt ai ka treguar një tolerancë, që s’krahasohet me qeverisjen e tij të parë ndaj medieve, po të kesh parasysh se shumica e tyre kanë qenë dhe kanë mbetur të lidhura me socialistët. A nuk është Baze që e ka ekzagjeruar, duke e sulmuar deri edhe në aspektin fizik, për të mos përmendur sulmet familjare?
Nuk mohohet se tashmë në shkrimet e “Temës” ndjehet urrejtja personale që nuk ka qenë në shkrimet e para. Kjo ka pasuruar stilin dhe emocionet, por ka sjellë edhe përsëritjet e shpeshta, ndonjëherë të të njëjtave gjëra, edhe të fyerjeve. Kjo ka sjellë, sipas meje, edhe një lloj humbjeje të vizionit të së tërës, në kuptimin se, të luftosh sistemin e korrupsionit, nuk mjafton të akuzosh kryeministrin dhe familjen e tij, (aq më pak duke i thënë je plak e nuk e ke të gjatë), pasi, sikurse e thotë edhe Baze vetë, Berisha e gjeti atë sistem dhe unë kam bindjen se, sikur nesër të ikë Berisha, (siç ka ikur edhe Nano), ne përsëri do të kemi të njëjtin sistem korrupsioni. Dhe një nga shkaqet e mbijetesës së këtij sistemi, madje i zhvillimit të tij të mëtejshëm, është se luftën si gazetarë nuk e bëjmë kundër tërë elementëve të sistemit, por e bëjmë selektive dhe shpesh vetëm kundër politikanëve të caktuar, (duke u akuzuar edhe për instrumentalizim), çka ka rezultuar terapi e dështuar, sepse tek e fundit, kemi kontribuar thjesht që një palë e korruptuar të zëvendësojë një palë tjetër.
Por kjo urrejtje e Bazes vjen nga pafuqia, do të thosha. Ajo vjen nga mosbesimi se drejtësia do të bëjë të drejtën, nga pambështetja sa duhet e njerëzve që ka të njohur në PD, nga mbështetja e pamjaftueshme e institucioneve të tjera e të vetë medieve. Dhe kjo bën që të mos i vihen re shfryrjet e urrejtjes, pasi peshon më shumë padrejtësia që e shkakton atë.
Po ashtu, - e këtu u përgjigjem atyre që më kanë kujtuar sulmet e panumërta me fyerje personale e familjare që më ka drejtuar Baze në kohën kur i sulmoja idhullin e tij, Berishën, - mendoj se njeriun nuk duhet ta mendojmë si të pandryshueshëm për jetë e mot. Ai ndryshon për mirë apo për keq sa në sajë të ndryshimeve që ndodhin në shoqëri, aq edhe në sajë të ndryshimeve që kanë të bëjnë me proceset e tij të brendshme të përvojës, formimit, dijesimit. Përvoja ka treguar se ata që ndryshojmë më për keq janë politikanët, d.m.th të pushtetshmit, pasi sikurse thuhet, pushteti korrupton, kurse ai absolut korrupton në mënyrë absolute.
Gazetaria e daljes jashtë kontekstit të temës së trajtuar, që shkon deri në shpifje e fyerje familjare ndaj kundërshtarit, nganjëherë në nivel basifondesh, ka qenë tipike për PD-në e qeverisjes së parë. Dukej sheshit se këta njerëz flisnin vetëm me njëri-tjetrin dhe këndelleshin, duke fyer e poshtëruar publikisht kundërshtarët, pa llogaritur se çfarë mllefi akumulohej kundër tyre. Histori e njohur e të korruptuarve nga pushteti. Nuk i ka lënë gjë mangët edhe “Zëri i Popullit” i Braçes vite më vonë. Edhe Baze e ka përdorur shpesh dikur. Përshtypja ime është se shtypi është përmirësuar në këtë drejtim, por situata konfliktuale si këto, në mungesë të një drejtësie që vepron me profesionalizëm dhe ndershmëri, e riakutizojnë fenomenin.

Baze na del se është edhe pronar mediesh, edhe investitor, edhe gazetar. A ka ai besueshmërinë e një gazetari të pavarur në këtë luftë që bën, apo kemi të bëjmë me rastin tipik të pronarëve që luftojnë për bizneset e tyre?
Konflikti i Berishës me Bazen, më mirë të themi i qeverisë me gazetën “TemA”, ngre edhe një herë çështjen e gjendjes së pushtetit të katërt në Shqipëri në raport me pushtetet e tjera. Nuk mund të mohohet, sipas meje, se Baze, duke qenë njëherësh edhe pronar medieje, edhe përcaktues i politikave editoriale, edhe editorialist në medien e tij, bën pjesë në sistemin anormal mediatik që kemi ne sot në Shqipëri. Nuk mohohet, gjithashtu, se koncesioni i dhënë është një favorizim i një medieje, në një kohë kur Berisha e konsideronte të krahut të tij. Personalisht kam qenë dhe mbetem i mendimit se një sistem normal dhe sa më i pavarur jo vetëm nga pushteti politik, por edhe nga pushteti ekonomik (që në fakt janë të lidhur me njëri-tjetrin dhe kanë futur nën hyqmin e tyre edhe mediet), do të ishte ai që do të zhvillonte medien publike mënjanë dhe do t’i reduktonte, duke i futur në ekonominë e tregut, mediet e tjera private, duke i pastruar nga konfliktet e interesave, raportet klienteliste apo të shantazhit me pushtetin. Ngulmoj, gjithashtu, se tjetër gjë duhet të jenë interesat ekonomike të pronarëve të medies private, dhe tjetër gjë politikat editoriale që duhet të përcaktohen nga borde gazetarësh dhe jo nga pronari direkt. Berisha, ndonëse ma ka mbështetur këtë ide në kohën kur isha kryetar i bordit të Radiotelevizionit Publik, më rezulton se nuk ka menduar asnjëherë seriozisht për realizimin e saj. Nuk mohohet gjithashtu, se kjo do të ishte një reformë që do të kërkonte edhe bashkëpunimin me opozitën, e cila, përkundrazi, duke pasur në dorë pjesën më të madhe të medieve private, preferoi ta lërë RTVSH në duart e Berishës dhe të vazhdonte luftën politike në mediet private pranë saj. Sot është e lehtë të thuash për Berishën se ujku qimen e ndërron, por zakonin s’e harron, por sipas meje, duhet ngulmuar më shumë në shkaqet më të thella se pse te ne politikanët sillen si ujq, që kundërshtarin e shikojnë si një dele që duhet ngrënë, dhe jo si një të barabartë, me të cilin duhet të bëjnë dialog. Sipas meje, është një kulturë e tërë pushteti të trashëguar dhe të adoptuar në kohën tonë, që e shkakton këtë dinamikë, ku “delja” bëhet ujk, ose e sheh veten si ujk që ka përballë dele, me mendimin se mund të përdorë çdo lloj mjeti për ta ngrënë. Dua të them me këtë, se, edhe nëse Berisha ka pasur seriozisht idenë e një normalizimi të medies, - gjë që, për hir të së vërtetës e besoj shumë më pak se disa vjet më parë, - duke u gjendur përballë një opozite, që përkundrazi, nëpërmjet këtij sistemi mediatik klientelist që kishte ngritur vetë në këmbë, kërkonte ta rrëzonte që muajt e parë, ndërroi mendim dhe filloi të luftojë me të njëjtat mjete të opozitës. Kjo sipas meje, e ka çuar gjendjen e medieve në një nënshtrim edhe më të madh ndaj pushteteve politike, si dhe në një polarizim pa hapësira pavarësie, ku edhe gazetarë të mirënjohur si kundërshtarë të socialistëve, si Baze, sot akuzohen se bëjnë lojën e tyre.
Gjithsesi, duke pasur parasysh këtë kulturë dhe, në kontekstin e saj, prirjen e Berishës për pushtet absolut, d.m.th. për kontroll të të gjithë pushteteve (që e gjej po aq të rrezikshme edhe tek lideri socialist Rama), e vë shumë në pikëpyetje mundësinë reale të realizmit të projektit që kam shtjelluar edhe publikisht më se një herë. Një fuqizim i RTSH dhe një futje në treg e medieve private nuk mund të kryhet pa u shoqëruar me një demokratizim të partive, të gazetarisë e shoqërisë civile në përgjithësi. Në kushtet aktuale, forcimi i RTSH dhe dobësimi i privatëve do të mund të kryhej vetëm nëpërmjet vënies së RTSH nën kontrollin e ekzekutivit, dhe eliminimit të medieve private kundërshtare (ose kthimit të tyre në shërbëtore të qeverisë). Kurse me sistemin që kemi, ka sado-kudo pak më shumë hapësira lirie shprehjeje. Shembulli i Bazes është ilustrim i kësaj. Sikur Baze të ishte gazetar i RTSH, do të ishte censuruar me kohë. Pra, pavarësisht se kjo media, kështu siç e kemi, është shprehëse e interesave të atyre që i kam quajtur shpesh “oligarkë”, të cilët nuk lejojnë, për interesat e tyre, të kalojë çdo gjë nëpër ekranet apo gazetat e tyre, përsëri ky sistem krijon më shumë hapësirë se çka mund të na mbetet po të realizohej projekti im me një lider si Berisha (apo edhe si Rama). Duket se duhet të presim një klasë tjetër politike dhe po ashtu një shtresë tjetër ekonomike, tjetër shoqëri civile dhe tjetër kategori gazetarësh, që të realizohet projekti im, i cili gjithsesi, mendoj se është më i drejti. Por, nga ana tjetër, vë në dukje se edhe Baze sot mund të bëjë pjesë në përjashtimet që përforcojnë rregullin. Prirja e përgjithshme dominuese e gazetarisë është nënshtrimi dhe bindja ndaj urdhrit që vjen nga lart, ku me “lart” duhet të kuptojmë jo të vërtetën, por ndërthurjen e interesave të pushtetit politik me atë ekonomik, që gjithnjë e më shumë po lidhen me njëri-tjetrin e po bashkërendisin interesat në dëm të lirisë së medieve. Dhe po kaloi pa u dënuar padrejtësia që po kryhet ndaj gazetës “TemA”, do të pësojmë një hap edhe më mbrapa në lirinë e medieve. (Korrieri, 16 Janar 2009, ribotur ne TemA 17 janar 2009)

Read More......

Monday, January 12, 2009

Paraja

Para disa ditësh më erdhi nga një mike shqiptaro -amerikane një e-mail ku më thoshte se kishte parë në Top Channel shqiptarë që intervistoheshin në rrugët e Tiranës, të cilëve u kërkohej të jepnin urimin e tyre për shikuesit e televizionit. Ajo që e kishte shokuar ishte se tetë vetëvë ndër dhjetë fjala e parë që u dilte nga goja si urim për Vitin e Ri ishte: "para". "U uroj të gjithëve para, fat dhe sukses" për shembull. "A të duket normale kjo - më shtronte pyetjen e çuditur. Nëse do t'ia bëje dikujt këtë urim këtu në Amerikë do ta merrte si shaka, kurse ata e thoshin këtë urim me gjithë seriozitetin e mundshëm…"
Nuk e kam parë këtë emision të Top Channel; ose ndoshta e kam kaluar shpërfillshëm siç kalojmë shumë gjëra në televizionet tona. Por vëzhgimi i një të huaji është i vlefshëm në raste të tilla sepse sikur na tërheq vëmendjen drejt diçkaje me të cilën jemi ambjentuar aq sa nuk na bën më përshtypje. Para disa kohësh kam shkruar për kutërbimin e rëndë të kazanëve të plehërave pranë të cilëve kalojmë përditë e që nuk na bën përshtypje pasi jemi mësuar, na duket pjesë e aventurës së nuhatjes sonë që do të na ndjekë që nga lindja deri në vdekje. Por, kur sheh një të huaj që, kalon pranë tyre, ndjen erën e qelbësirllëkut, mbyll hundën dhe ikën me tmerr, atëhere ti sikur zbulon se ka diçka që nuk funksionon normalisht në hundën tënde.
Por ky vëzhgimi i urimeve të shumta për para më duket më interesant e më kompleks sesa ai i erës së kazanëve të plehërave. Si t'i shpjegojmë këto urime? Që ato flasin për një shoqëri të sëmurë kjo më duket evidente, por për çfarë sëmundjeje bëhet fjalë? A janë shprehje e një sistemi vlerash ku paraja ka uzurpuar e zhvleftësuar gjithshka tjetër apo janë shprehje e një ankthi ekzistencial për shkak të pasigurisë për të siguruar paranë që është jo vetëm e vetmja vlerë për disa, por edhe mundësi për të mbajtur frymën gjallë për të tjerë? Gjithsesi, në të dyja rastet, apo edhe në rastin e një kombinimi të të dyjave, katandisja e urimeve për vitin e ri tek fjala "para" duhet të ftojë për reflektim tërë shoqërinë përsa i përket vlerave dhe modeleve që ajo po promovon gjatë këtyre 18 vjetëve. M'u kujtua historia e një gruaje të urtë e cila më tha me trishtim një ditë se, kur i kishte thënë të birit: nuk të kam lënë ndonjë pasuri, por të kam lënë një emër të mirë, ai i ishte përgjigjur thatë: më mirë të më kishe lënë pasuri.
Përgjithësisht, në atë që quhet "bonsens" popullor, që është produkt i një përvoje shekullore të njeriut, urimet lidhen, në kësi rastesh, me vlera që sillen rreth shëndetit, lirisë (për ata që nuk e gëzojnë), dashurisë, familjes, punës, dijes, idealeve, besimit (ky është një rreshtim i imi, të tjerë mund t'i rreshtojnë ndryshe). Kurse mbizotërimi i një urimi të tillë si "para, fat, sukses" nuk do mend se tregon se një pjesë e vlerave të sipërpërmendura ose nuk kanë qenë kurrë të ngulitura aq sa duhet në kulturën sonë (si psh liria, dashuria, puna, idealet, dija) ose që, ato që kanë ekzistuar (si psh, familja, besimi), janë pervertuar rëndë sa nga regjimi i kaluar aq edhe nga paraja, vaniteti, dhe injoranca që po kalëron këtë shoqëri traumatike postkomuniste sëbashku me kultin e të fortit që është baraz me të suksesshmin. Urimi "para, fat, sukses" është bash shprehja më eksplicite e njeriut të lehtë e sipërfaqësor që po përfton vaniteti, injoranca dhe mujsharia e kësaj kohe.
Nuk mund të mohoet se, gjithë sipas bonsensit popullor, paraja është një element i rëndësishëm i jetës, e përmendim apo nuk e përmendim. Mungesa e saj do të thotë varfëri dhe varfëri do të thotë shumë të këqija njëherësh. Mirëpo mund t'ia bësh ndryshe një njeriu urimin që të mos bjerë në varfëri; mund t'i thuash "suksese në punë", sepse edhe puna vetë nuk mund të reduktohet kurrsesi thjeshtë në para. Ajo është edhe sociabilitet, edhe solidaritet edhe inspirim, edhe gëzim krijimi edhe shumçka tjetër që nuk mund të matet dot vetëm me para.
Megjithatë duhet pranuar se kjo historia e reduktimit të gjithshkaje tek paraja, nuk është një sëmundje vetëm shqiptare. Në fakt kemi të bëjmë me një histori të vjetër të raportit të njeriut me paranë, por edhe me një histori të re që lidhet me shoqërinë konsumiste që është ndërtuar e zhvilluar veçanërisht në dy tre dekadat e fundit në botë. Thelbi i konsumizmit konsiston në atë që njeriun e shnderron thjeshtë në një klient, e klientizon, aq sa mund të thuash se e përzbraz nga vlerat e tjera për ta shndrruar në një thes me dëshira për të blerë (gjithnjë e më në rritje në sajë të një sistemi reklamash masakrues). Që të plotësojë këto dëshira që i japin gëzim e kënaqësi, që të mbushë pra këtë thes, i cili, në fakt, është pa fund, i duhen para dhe që të ketë para ai bën ç'të mundet. Dhe kjo e shndërron pavetëdijshëm në një skllav të konsumizmit. Ai rropatet që të blejë për të pasuruar një gusht njerëzish që e kanë shnderruar thjesht e vetëm në një blerës. Zigmund Bauman, në një shkrim të tij të fundit mbi krizën botërore, jepte shembullin e një vajze australiane 23 vjeçare të cilës, kur kishte arritur moshën që presupozon autonominë, prindërit i kishin dhuruar një kartë krediti me të cilën mund të blinte vetë më në fund ç'të donte. Pas disa kohësh e pa veten të detyruar, duke ndjekur shembullin e miqve të tjerë, të merrte një kartë të dytë për të mbuluar borxhet e akumuluaar në të parën dhe, pas jo shumë kohësh, kërkoi një të tretë që të mund të paguante një udhëtim, që s'mund të mos e bënte sepse e bënin të gjithë shokët e shoqet, ndërkohë që kishte hyrë me mijëra dollarë australianë borxh.
Ai që e quajta "bonsens popullor" ka qenë historikisht kritik ndaj etjes për para të njeriut, por edhe ndaj pushteti të parasë gjithashtu. Thënia e Krishti se është më e lehtë për një deve të kalojë në vrimën e gjilpërës sesa për një të pasur të shkojë në Parajsë ka qenë bashkudhtare e sistemit të vlerave të njeriut pa mundur, megjithatë, ta mposhtë tundimin e tij për pasuri. Në 1971 në kongresin e Partisë Socialiste franceze të njohur si "kongresi i Epinayt" kryetari i kësaj partie Françoi Mitterand, duke folur për pushtetet e parasë, thoshte: "paraja që korrupton, paraja që blen, paraja që vret, paraja që e shkatërron deri në kalbëzim ndërgjegjen e njerëzve". Mirëpo edhe në këtë aspekt kohët që po kalojmë e kanë ndryshuar mendësinë ndaj parasë. Që nga ajo kohë, që konsiderohet kohë e fundit e ideologjive që projektonin një të ardhme, pra koha kur, si të thuash, njeriu perëndimor reshti së jetuari për të ardhmen në emër të gëzimit të përditshmërisë, dhe veçanërisht me triumfin e neoliberizmit, ka rrjedhur shumë ujë. Aq sa para jo shumë kohësh një intelektual i njohur i së majtës Bernard - Henri Lévy i propozonte Partisë Socialiste franceze: "një kongres të rithemelimit, një anti - Epinay". Tek paraja ai nuk sheh korrupsionin, vdekjen, shkatërrimin, dekompozimin, por "aftësinë për të arritur që tregëtia të zëvendësojë luftën, kufijtë e hapur universet e mbyllur, pra një epokë ku, në sajë të parasë, marrëveshjet, transaksionet dhe kompromiset zëvendësojnë, padurimin, dhunën, allishverishet, plaçkitjen, gjithshka o asgjënë, fanatizmin" (B.H.Levy "Ce grande cadavre alla renverse" (Kjo kufomë e madhe e kthyer përmbys) Grasset Paris 2007, f. 190.)
Në fakt me krizën/krizat që po kalojmë vështirë se mund t'i japësh të drejtë Levyt. Është një mendim i shumëpranuar sot ndër mendimtarët më të njohur të botës se kjo që po ndodh është kriza e një shoqërie me mungesë vlerash, utopish, idealesh, ku e vetmja vlerë ka mbetur paraja e glorifikuar aq shumë nga Levy, por që duket se nuk e ka humbur aspak vetinë e saj kalbëzuese të ndërgjegjes njerëzore. Duke komentuar krizën botërore sociologu i madh frëng Edgar Morin, parashikon lindjen e utopive të vogla të reja siç janë psh mikrokreditë, punët e bëra me kompiuter nga shtëpitë, ikja nga metropolet "çnjerëzore" drejt fshatit, rritjen e bujqësisë biologjike, kujdesin për të vjetrit. Me një fjalë kthimin tek etika. Kultura materialiste, thotë sociologu, do të ketë një perëndim të pandalshëm. "Do të duhen ende vite, ndoshta dhjetëra për këtë. Por herët ose vonë do të zëvendësohet nga kultura e imateriales." E imateriales që, fal mendjeve të ndritura, nuk ka reshtur kurrë së gjalluari në ndërgjegjet njerëzore.
Thënë gjithë këto, për t'u kthyer sërisht tek shoqëria shqiptare, e cila ngulmoj ta them dhe rithem: është një pasqyrë ku shoqëria perëndimore mund të shohë tiparet më të shëmtuara të kulturës së vet të materiales, të parasë, të deformuara në formën më groteske, (siç e tregojnë edhe urimet që u bënë shkak i këtyre refleksioneve), e shoh urgjente nevojën e gjetjes së rrugëve të implementimit të disa vlerave themelore imateriale, mungesa e të cilave po e bën "vlerën" e vetme të mbetur, paranë, një kafshë të rrezikshme në mos shkatërrimtare për shoqërinë tonë. Mjaft të kesh parasysh se sot nuk dëgjon më të flitet për mësues të nderuar e respektuar, sepse shkolla dhe dija janë kthyer thjesht në diploma që blihen me para tek mësues pa emër. Mjaft të kesh parasysh se gjykatësit, mjekët, prokurorët nuk maten më me shkallën e profesionalizmit, ndershmërisë, përkushtimit, guximit, por me madhësinë e vilave e makinave që disponojnë. Mjaft te kesh parasysh se avokatët nuk ushtrojnë njohësin e ligjit, por sekserin midis gjykatësit dhe klientit. Mjaft të kesh parasysh se arkitektët nuk ngurrojnë të projektojnë monstra mbi parqe e lulishte, mbi ndërtesa historike, mbi rrugë, trotuare pa u merakosur për shëmtimin e emrit që lenë, sepse ky nuk ka asnjë vlerë përpara parasë që fusin në xhep. Se gazetarët nuk merakosen për të vërtetën, por për gënjeshtrën dhe manipulimin që u mbush xhepat. Mjaft të kesh prasysh se çdo administrator që ka në dorë një firmë nuk mendon se si ta përdorë atë për t'u shërbyer njerëzve, por se si t'u tërheqë atyre para. Nuk po zgjatem me shembuj që ilustrojnë se ku na ka çuar paraja si urim i vetëm. Dikush mund të më akuzojë se po gaboj duke i futur të gjithë në një kategori e se kështu po vras shpresën për ndryshim. Le të themi tetë në dhjetë që më duket një përqindje që i përgjigjet saktë edhe përqindjes së urimeve për para. Por le të mos harrojmë se në një shoqëri ku mbizotërojnë tetë, dy që mbeten nxirren jashtë loje prandaj mbizotërimi i të keqes bëhet gati dhjetë. Madje mund të thuhet se ky raport është edhe raport i ndarjes së ndërgjegjs së çdo individ. Shpesh e keqja fiton mbi të mirën tek individi pikërisht pse kjo e dyta ndjehet e pafuqishme për ta mbajtur atë në këmbë. Në një shoqëri ku mbisundon e keqja njeriu nxjerr në pah e zhvillon të keqen e tij për të mbijetuar. Sepse askush është vetëm i mirë apo vetëm i keq.
E megjithatë fakti që mbeten dy në dhjetë që vazhdojnë të urojnë tjetërçka nga paraja është një mundësi e mirë, e vetmja do të thoja, që, pikërisht nëpërmjet tyre, shoqëria të fillojë të reflektojë për nevojën e kultivimit të atyre vlerave "imateriale" që do ta nxjerrin nga gropa e rrezikshme ku ka rënë e që do t'i japin dimensionin e vet normal edhe parasë. (Korrieri, 12 janar 2009)

Read More......