Tuesday, March 31, 2009

NATO dhe liria


“Shqipëria në NATO
This is the miracle of freedom”.
Kjo parrullë është shkruar gjysëm shqip dhe gjysëm anglisht mu në qendër të Tiranës, e madhe gati sa një e treta e fasadës së Pallatit të Kulturës, ku rri e vendosur, mbi një sfond blu, sëbashku me parrulla të tjera si “Shqipëria në NATO, liria juaj, e ardhmja juaj”. Për lexuesin që nuk di anglisht përkthimi i gjysmës së parrullës është: “Kjo është mrekullia e lirisë.”
Këtë parrullë do ta quaja sintezë të pompës me të cilën po fryhet e propogandohet antarësimi i Shqipërisë në NATO që, pas gjithë gjasave, do të kryet në muajin e ardhshëm. Nuk di se ku dëgjova, në një nga mediat, të jetë deklaruar edhe se kjo konsiderohet si ngjarja më e rëndësishme pas pavarësisë, por këtë s’po e marr seriozisht.
Sipas mendimit tim një pompë e tillë na bën keq të gjithëve, por veçanërisht klasës politike, dhe veçanërisht maxhorancës që po kërkon ta lyejë edhe me blu këtë ngjarje, sepse kemi të bëjmë me një ekzagjerim që, si çdo ekzagjerim, kthehet në të kundërtën e vet. Ky ekzagjerim, sipas meje, është një fyerje ndaj inteligjencës dhe përvojës së pjesë më të ditur dhe më të informuar të shqiptarëve. Dhe një politikë që e shpërfill këtë pjesë të shoqërisë, duke synuar thjesht e vetëm të manipulojë të paditurit, është një politikë e mbrapshtë.
Pikë së pari duhet të kemi parasysh se, kur flitet për lirinë, ajo ka shumë kuptime e dimensione. Në përdorimin që i bëhet në këtë rast fjalës kuptohet se më shumë kërkohet të na sugjerohet dimensioni i lirisë kombëtare. Mirëpo, edhe në këtë kuptim, nuk duhet të harrojmë se liria nuk prodhon ushtri dhe traktate ushtarake; ato i prodhon, në rastin më të mirë, kërcënimi i lirisë apo nevoja për mbrojtjen dhe garantimin e saj. NATO, në fakt, ka lindur 60 vjet më parë pikërisht si nevojë për t’u mbrojtur nga një armik që ishte asokohe BS dhe aleatët e tij, apo edhe siç thuhej, për ta mbajtur SHBA “brenda” (aleancës) Rusinë “jashtë” dhe Gjermaninë “poshtë”. Të gjithë përpjekjet për ridimensionimin e NATO-s, pas zhdukjes së armikut të vjetër, gjithsesi janë produkt i frikës nga një armik i mundshëm, apo edhe i nevojës për të mbajtur dikë “jashtë” apo “poshtë” apo për të krijuar një armik të ri. Dhe fakti që sot kemi ende nevojë për organizata ushtarake nuk është shenjë lirie, por kërcënimi të saj, nevoje për mbrojtjen e saj. Prandaj ta quash NATO-n “mrekulli e lirisë”, a thua se liria pjell ushtri, është një patetikë politike pa kuptim. Liria është një fjalë që më së shumti qëndron pranë e pranë me paqen, krijimtarinë, ndërtimin jo me luftën, kërcënimin, shkatërrimin. Dikush mund të më kujtojë fjalën latine: “Nëse do paqen përgatit luftën”. Është vetëm pjesërisht e vërtetë, ashtu si të gjitha thëniet, sepse historia ka treguar se përgatitjet e luftrave më shpesh kanë pjellë luftra të reja sesa paqe apo liri. Poende, tek e fundit, çdo e vërtetë është kontekstuale, e, po të kemi parasysh situatën gjeopolitike ku ndodhemi ne, si vend, të ashtuquajturit kërcënues të lirisë sonë kombëtare mund të ishin fqinjët që janë: italianët, grekët, serbët, malazezët, maqedonasit, që historikisht edhe kanë qenë pushtues të territorit tonë. Mirëpo këta një pjesë janë tashmë në NATO dhe pjesa tjetër aspiron të bëhen pjesë e NATO-s. Edhe në raport me Kosovën dhe Serbinë përsëri më duket se rreziqet e luftrave dhe zgjidhjeve me luftë të problemeve në Ballkan, edhe të atij të Kosovës, kanë mbaruar. prandaj ta frysh kaq shumë çështjen e lirisë kombëtare me rastin e hyrjes në NATO më duket e pavend edhe duke kosideruar vizionin e një të ardhmje të përbashkët në paqe me fqinjët.
Gjithë në këtë kontekst patetika e kësaj parrulle nuk mund të mos na sjellë ndërmend një simetri të kohës së Luftës së Ftohtë kur ne, për ironi, mburreshim asokohe se ishim në kampin e të lirëve përballë të shtypurve e të shfrytëzuarve. Por a mund të shihet edhe sot bota kështu, në mënyrë manikeiste, pra, sikur ata që janë në NATO të kenë dalë në dritë dhe liri kurse ata që nuk bëjnë pjesë në të të kenë mbetur në errësirë dhe robëri? Sipas meje ky vizion jo vetëm është manipulativ, por edhe tejet i kapërcyer sepse që nga mbarimi i Luftës së Ftohtë, kur ishte më i kuptueshëm një vizion i ndarjes së botës në dy kampe, kanë rrjedhur shumë ujra. Bota, me globalizimin po vjen e bëhet gjithnjë e më komplekse e më interdipendente dhe, në kontekstin e sotëm, NATO nuk mund të jetë kurrsesi e ardhmja. Ajo mbetet e kaluara që, për fat të keq, ende nuk është kapërcyer. Të mos harrojmë gjithashtu se ajo akuzohet sot nga një pjesë e botës (edhe perëndimore) si instrument i strategjisë amerikane për të sunduar botën prandaj lidhja e saj me lirinë mbetet gjithsesi problematike dhe plot kundërthënie. Mjafton të kesh parasysh Irakun ku shumica e vendeve pjesëtare të NATO-s refuzuan të ndërhyjnë.
Një problem tjetër që përmban kjo pompë propagandistike e politikës shqiptare është se futja në NATO kërkohet të na paraqitet si paradhoma e futjes në Bashkimin Evropian; gati gati si e barabartë me futjen në Bashkimin Evropian. Duhet bërë e qartë se nuk është kështu, për çka evropianët po ngulmojnë të na sqarojnë, por politikanët tanë bëjnë sikur nuk kuptojnë. Janë dy gjëra shumë të ndryshme dhe mjaft larg njëra tjetrës. Futja në Bashkimin Evropian ka kërkesa të tjera. E, në këtë pikë, le t’i kthehemi edhe një herë lirisë sepse futja në Bashkimin Evropian është e lidhur shumë më tepër me ato që quhen “liri shoqërore” që janë aq të kërcënuara në Shqipëri jo nga të huajt, por nga shqiptarët vetë. Për liri kombëtare, apo të atdheut, sikurse e dimë, fliste ditë e natë edhe Enver Hoxha, por vendin e kishte kthyer në burg për shoqërinë shqiptare, për individin shqiptar. Prandaj kjo mbitepri për ta lidhur NATO-n me lirinë nuk mund të mos na kujtojë demagogjinë e asaj kohe, kur liria ishte në minimumet e veta dhe e ardhmja dukej më e zezë se kurrë. Politikanët tanë duhet ta kenë parasysh këtë përvojë kur hartojnë kësi parrullash dhe, po ashtu, ndjeshmëritë tona ndaj atyre lirive që nuk i kemi.
Nuk mund të thuash se shqiptarët janë të lirë kur shumica e tyer janë robër të varfërisë dhe pasigurisë së jetës.
Nuk mund të thuhet se shqiptarët janë të lirë kur një e treta e tyre preferojnë më mirë të jetojnë si qytetarë të dorës së dytë në vendet e huaja se sa në Shqipëri.
Nuk mund të thuash se shqiptarët janë të lirë në një vend ku thënia e famshme “Liria jote mbaron atje ku fillon liria e tjetrit” aplikohet në formën: “Liria jote kërcënon lirinë e tjetrit.”
Nuk mund të thuash se shqiptarët janë të lirë në një vend ku, ashtu si dje, ata nuk pyeten nga të pushtetshmit se çdo të bëhet në territorin ku banojnë.
Nuk mund të thuash se shqiptarët janë të lirë kur shumica janë përballë një sistemi shëndetësor që nuk u siguron atë që është baza e gjithë të drejtave, ajo e jetës.
Nuk mund të thuash se shqiptarët janë të lirë me këtë gjendje të arsimimit që po rrit paditurnë – nëna e gjithë të këqijave.
Nuk mund të thuash se shqiptarët janë të lirë në një vend ku krimi shëtit i lirë me fuoristrada lluksoze me xhama të zinj.
Nuk mund të thuash se shqiptarët janë të lirë në një sitem ku, në vend të ligjit, mbretëron diktati i më të fortëve e ku, për të mbijetuar, shpesh duhet të prostituosh me ta.
Mbi të gjitha: nuk mund të thuash se shqiptarët janë të lirë me një klasë politike që kontrollon gjithë institucionet që garantojnë lirinë dhe drejtësinë.
Këto mungesa lirie shoqërore e individuale shqiptarët i përjetojnë përditë, prandaj parrullat që e cilësojnë hyrjen në NATO si “mrekulli e lirisë”, sado të mëdha qofshin apo sado me zë të lartë të thuhen, në rastin më të mirë i lenë ata të ftohtë, indiferentë dhe mosbesues. (Korrieri, 30 mars)

Read More......

Sunday, March 29, 2009

Mbi ndarjen e së majtës

Ka kaq kohë që ndjekim ndarjen e së majtës në PS dhe LSI nëpërmjet kronikave, deklaratave të ndryshme për njëra jetrën, transferimeve kohët e fundit nga LSI te PS të militantëve apo grupeve të militantëve të caktuar, apo edhe kalimeve në LSI të ndonjë socialisti të njohur të djeshëm. Në përvjetorin e tragjedisë së Gërdecit i pamë të demonstrojnë kundër qeverisë të ndarë në dy sheshe të ndryshme në orë e forma të ndryshme. Por ndërkaq, kam përshtypjen se ka pak përpjekje nga këto parti (por edhe nga shtypi) për të bërë transparencë të plotë mbi këtë ndarje gjë kjo tejet e nevojshme pasi partitë, si instrumente të ndryshimit të realiteteve, lipset të bëjnë transparencë per çfarë ndryshimesh premtojnë të përçojnë në vend, lidhur ngushtë këto edhe me interesat e shtresave të ndryshme të elektoratit shqiptar.
Përgjithësisht e majta në Evropën Perëndimore në periudhën e sotme karakterizohet nga ndarjet. Shkaqet kryesore të këtyre ndarjeve lidhen, më së shumti, me qëndrime të ndryshme ndaj sistemit neoliberilist, veçanërisht triumfues pas ndryshimeve të viteve ‘90. E majta është ndarë përgjithësisht në një të majtë të moderuar që e ka pranuar sistemin dhe kërkon brenda tij të bëjë kujdestarin më të mirë të interesave të elektoratit më të brishtë, por duke shkuar gjithsesi drejt qendrës dhe në parti të majta me qëndrime më radikale që kërkojnë ndryshime më radikale në emër të ëndrrës së vjetër socialiste dhe vlerave të saj të barazisë, solidaritetit etj. Tema të reja, po ashtu, kanë ndarë të majtën perëndimore më radikale nga ajo e qendrës siç janë ato të qëndrimit ndaj emigrantëve, të bioetikës, të ambjentit, etj. Po ashtu akuza që i bëhet më së shpeshti partive të mëdha të qendrës së majtës perëndimore nga ato më radikalet, kur synohet të shpjegohen humbjet e saj përballë të djathtës, është se ato synojnë të bëjnë politika të djathta duke zhgënjyer elektoratin bazë si dhe duke bërë që elektorati në përgjithësi të preferojë origjinalin (e djathtë) më mirë sesa kopjen.
Asgjë e tillë nuk mund të thuhet për ndarjet në të majtën tonë duke përfshirë të gjitha partitë e ashtuquajtura të majta. Jo vetëm nuk gjen ndonjë dallim përsa i përket atij që mund ta quajmë vizioni për botën, sipas të cilit ato do të duhet të synonin të plazmonin edhe Shqipërinë, por ndoshta, pikërisht edhe për këtë, vështirë të gjesh ndonjë ndryshim midis këtyre dy partive në disa çështje që, sipas meje, janë çështje themelore që kërkojnë politika ndryshe nga ato që po ndjek qeveria e sotme e djathtë Le të përpiqem të rendis disa prej këtyre çështjeve.

Nuk dëgjon të jenë pjesë e dabateve midis dy të majtave tona problemet e polarizimit të shoqërisë midis një grushti të pasurish dhe masës së varfër, midis padronëve të rinj me të ardhme të siguruar dhe pjesë tjetër që jeton në varfëri e pasiguri. Janë debate që lidhen me sigurinë e jetës dhe të punës, me nevojën e sindikatave, me politikat sociale, me plitikat e rishpërndarjes së parasë etj., etj..
Nuk janë objekt debatesh problemet e ambjentit po ashtu. Thuajse asnjë zë nuk dëgjohet për projektet monstruoze që qeveria Berisha ka për ta kthyer Shqipërinë në një vend të kolonizuar nga të huajt, terren ku ata të vendosin industritë e tyre energjitike që nuk ua lejojnë popullsitë vendase në vendin e tyre. Asgjë për Petroliferën në Vlorë, për monstruozitetin eolik në Karaburun, për termocentralin me qymyr në Durrës si pjesë të një projekti gjigant që, po u realizua i tëri, do të thotë shkatërrim jo vetëm i së ardhmes së cilësisë së jetës në këto zona, por edhe shkatërrime në Devoll, Vjosë. Drin etj etj.. Asgjë nuk thuhet për kushtet e kontratave të këtyre projekteve që janë një nënshtrim total tek të huajt. Thuajse asgjë fare për gjashtë fabrikat e çimentos në zonën Durrës Lezhë.
Asnjë ndryshim nuk gjen midis PS dhe LSI në qëndrimet për diktaturën enveriste dhe viktimat e saj. Dënohet me terma të përgjithshme diktatura, por, kur vjen puna për të nderuar viktimat e saj, për të riabilituar, për të dëmshpërblyer ish të persekutuarit, për të dënuar ish persekutorët, për të rishkruar historinë e asaj kohe, për të hapur muzeume etj. mbretëron heshtja dhe mosdallimi midis dy të majtave tona.
Asgjë të ndryshme nuk gjen për sistemin mediatik që në vend se pushtet i katërt është shndërruar në rrip transmisioni i pushteteve të partive kryesore. Asgjë, po ashtu, për kulturën surrogate berluskoniane që përhapin mediat tona.
Asnjë ndryshim për sistemin arsimor privat dhe publik, madje që të dyja, ndonëse të majta, mburrin privaten në dëm të publikes.
E njëta gjë për sistemin shëndetsor publik dhe privat.
Asgjë të ndryshme në qëndrimet për krizën që po kalon vendi në kuadrin e krizës botërore, për politikat e gabuara në industrinë e ndërtimit etj.
Asnjë ndryshim për luftën dhe paqen, për Irakun, për luftën në Afganisatan paçka se në SHBA Obama po paralajmëron erë tjetër. Të gjithë njëlloj të lumtur për hyrjen në NATO që ka zëvendësuar, në fakt, demagogjinë e pjesëmarrjes së lumtur në Kampin Socialist dhe Traktatin e Varshavës.
Për këto çështje e shumë të tjera as që bëhet fjalë për programe alternative ndaj qëndrimeve të qeverisë apo ndaj të majtës tjetër. Edhe nëse ekzistojnë ndryshime diku në ndonjë sirtar dhe janë thënë ndonjëherë në ndonjë media ato nuk godasin trurin e zgjedhësit, siç mendoj se do të duhej ta godisnin, përditë, për të përcaktuar edhe identitetin ndryshe të njërës së majtë nga tjetra.
Ajo që bije në sy në raportin midis këtyre dy partive është një përpjekje e PS, si partia më e madhe (mund ta quajmë edhe partia mëmë), për kthimin në shtëpi të djemve plangprishës duke e reduktuar ndarjen në shkaqe meskine të përmbledhura në fjalën “mllef” të Ilir Metës së LSI, kundër Edi Ramës së PS. Kjo kombinohet me akuzën se LSI po bashkëpunon me Berishën duke i marrë vota të majtës. Gjithsesi kemi të bëjmë me një armiqësi apo urrjejtje të përmbajtur nga interesi dhe kalkulimi pragmatist, do të thoja, që synon demonizimin e liderit kryesor dhe rikthimin e gjithë të tjerëve në shtëpi.
LSI, nga ana e saj, akuzën kryesore e ka lidhur me bashkëpunimin e PS me Berishës për arësye se lideri i saj Rama është i kapur nga Berisha si dhe pasi këto dy parti, në bashkëpunim, duan të heqin qafe çdo forcë tjetër politike për të ndarë të qeta pushtetin deri në përjetësi. Gjithsesi ajo që vihet re është se edhe akuzat e LSI përsëri përmblidhen kryesisht në akuza ndaj liderit kryesor të partisë socialiste dhe ambicieve apo interesave të tij personale.
Nëse do të kërkojmë të përfytyrojmë elektoratin të cilit i drejtohen të dy palët kuptohet qartë se lufta bëhet për të tërhequr në krahun e vet sa të jetë e mundur më shumë pjesë të elektoratit të majtë, atij të stabilizuarit, që ka votuar përherë të majtën si dhe të rinj që, më shumë se çdo tjetër, duket se i tërheq drejt këtyre partive origjina familjare, pra vazhdimësia e të njëjtit elektorat. Ajo që dominon është mbi të gjitha përpjekja për ta bindur këtë elektorat se kush është vërtet me Berishën dhe kush jo, kush po bën lojën e tij dhe kush jo. Ky elektorat trajtohet sikur nuk ka asgjë tjetër në kokë përveçse një urrejtje patologjike për Berishën. Është një elektorat që, edhe nëse e quan thjesht dhe vetëm enverist, nuk gabon shumë pasi intuitivisht do të thoja se 90% e tij nuk ka ndonjë mllef për regjimin enverist, përkundrazi, këtë të sotmin e mendon si vazhdimësi e tij përsa i përket pushtetit.
Për pjesën tjetër të shoqërisë duket se nuk shqetësohen shumë. Rama mjaftohet me thirrjen se duhet të bashkohen me PS “përtej të majtës dhe të djathtës”. LSI duket se nuk i drejtohet ose pse e konsideron pjesë stabël të elektoratit të djathtë ose pse ka bindjen se pjesa që përbën elektoratin e lëvizshëm të zhgënjyer nga PD-ja në pushtet, do s’do do, do të votojnë për ta, jo për PS.

Në këtë lojë politike brenda së majtës më e avantazhuara sipas meje është PS. Paaftësia e partive të reja më të vogla për të prodhuar ide të reja për t’iu përgjegjur situatave të reja mban më këmbë dy partitë e mëdha pasi rrënjët e tyre janë më thellë në elektorat. Të dyja i kanë rrënjët kryesisht në dy gjëra. Së pari, i kanë rrënjët në diktaturën komuniste. PS, megjithë makiazhet, është kryesisht parti e persekutorëve kurse PD, edhe pse me ish komunistë të konvertuar në krye, pa antikomunizmin e ish të persekutuarve zor se do të ishte parti masive. Së dyti, të dyja gjatë kohës që kanë qëndruar në pushtet kanë ndërtuar edhe klientelën e tyre, njerëz që luftojnë të vijë njëra parti apo tjetra në pushtet sepse kjo është e lidhur me interesat e tyre të biznesit apo punësimit. Përballë këtyre dy faktorëve partitë e tjera mbeten parti liderësh që i mban në këmbë vullneti dhe karizma e ndonjë lideri dhe klientelizmat shumë më të vogla që mund të krijojnë gjatë kohës së pushtetit fatin e të cilave e kemi parë tashmë me parti si ajo e Cekës, Gjinushit, Mediut, Pollos etj. LSI pa Ilir Metën mund të imagjinohet lehtësisht e shkrirëshme në PS kurse një PS pa Edi Ramën mund të imagjinohet se mbetet në këmbë - madje mund ta thërriste edhe Ilir Metën në krye të një bashkimi. Po ashtu është më e avantazhuar PS-ja sepse kur e gjithë loja politike shndrrohet në luftë për pushtet midis grupimesh të ndryshme, pa asnjë dallim vizionesh dhe shtresash të cilave u drejtohesh, por thjesht me thirrjen për eliminimin e kundërshtarit që është në pushtet, atëhere prirja e elektoratit është të shkojë tek më i forti. Po ashtu LSI ka edhe një disavantazh tjetër. Ajo duket se kërkon të luajë rolin e partisë që lëviz shigjetën e rezultatit majtas apo djathtas me shpresën e një rezultati do t’i lejonte të vinte kushtet e veta. Kjo e bën të mos shpallë koalicione paraelektorale, ndonëse le hapur mundësinë e një koalicioni, paselektoral, me PS. Por kjo na çon në një variant të Dushkut. Sepse, përgjithësisht, partitë serioze koalicionet i përcaktojnë përpara dhe jo pas zgjedhjeve. Nuk mundet LSI t’i flasë tërë kohës elektoratit për armikun Berisha, me të cilin po bashkëpunon armiku Edi Rama, dhe pastaj, pas zgjedhjeve, t’i thotë PS se po nuk u realizuan kërkesat e saj do të bëjë qeveri me Berishën. Argumenti i saj është se ajo kërkon të dijë se sa vota do të marrë një herë pastaj të vendosë, në raport me këto, se çfarë do të bëjë. Por, ndaj këtij argumenti, sipas meje është më i fortë argumenti se LSI, ashtu siç e ka bërë plitikën deri më sot, duhet ose të shpallë një koalicion paraelektoral me PS, me kushte të paracaktuara, ose të deklarojë se, në çdo rast, do të mbetet parti opozitare ndaj dy të mëdhave ndërkohë që një deklaratë e tillë pas shumë gjasash do t’ia mrrudhte elektoratin.
Si përfundim do të thoja se ndarja e së të majtës sonë mbështetet në politika plot bizantinizëm që, sido që të ndodhë, më shumë sesa ndryshime pozitive, do të na ofrojnë vazhdimin e politikës së vjetër të luftës thjeshtë për pushtet midis klaneve më të forta që zotërojnë vendin. (Korrieri, 24 mars 2009)

Read More......

Friday, March 20, 2009

A i patë të rinjtë?

Ndoqa me vëmendje emisionin “Opinion” të Fevziut me të rinjtë e politikës. I kushtova vëmendje sepse të rinjtë janë dimensioni i shpresës, i së ardhmes. Pa këtë dimension e tashmja që jetojmë, bëhet absurde do të thoja, sepse humbet kuptimi i vazhdimësisë së jetës. Mirëpo ndjenja që më la emisionoi ishte pikërisht ajo e një absurdi tragjik pasi ata politikanë të rinj nuk ngjallën tek unë asnjë shpresë, përkundrazi qenë një zhgënjim i madh që sikur ma mbylli shpresën e një të ardhmje më të mirë.
Kanë qenë të shumta komentet që kam dëgjuar pas emisionit që sintetizoheshin në thëniet: “E, a i pe të rinjtë te Fevziu? Të keqen e të vjetërve!”
Nuk ndaj këtë gjykim (“të keqen e të vjetërve!”) edhe pse ndaj ndjenjën e zhgënjimit me ata që e japin këtë gjykim. Shkaku kryesor pse nuk pajtohem është se të rinjtë, sipas meje, nuk duhet t’i mendojmë si diçka që bije papandehur në oborrin e shtëpisë sonë për të jetuar me ne. Ata janë produk i yni; ata janë rritur e selitur në oborrin tonë. Ata janë pasqyra jonë, e edukimit që u kemi dhënë në familje, e shkollave dhe e universiteteve që u kemi ndërtuar, e mësimeve e leksioneve që u kemi dhënë në këto shkolla e universitetete, e gazetave që u kemi ofruar për të lexuar, e ekraneve televizioneve që u kemi nxjerrë përpara për të parë, e vlerave që u kemi inspiruar me sjelljen tonë, e me rradhë. Ata reflektojnë thjesht dhe vetëm të ardhmen që ne kemi ndërtuar për veten tonë. Ata janë thjesht një zgjatim i yni, prandaj, nëse ata bëjnë punë të mira kemi të drejtë të mburremi edhe ne përgjysëm kurse nëse bëjnë keq duhet të ndjehemi përgjegjës më shumë se përgjysëm.
E vërtetë: të rinjtë tanë i pashë krejtësisht të paaftë për të dialoguar, për të dëgjuar tjetrin deri në fund e për t’iu përgjegjur me argumente racionale. I pashë krejtësisht të paaftë për të konceptualizuar probleme. I pashë të mos kishin tjetër model ne kokë veç liderit të partisë së tyre, Sali Berisha, Fatmir Mediu, Ilir Meta, Edi Rama. I pashë ta gjejnë të keqen vetëm e vetëm tek kundërshtari që kishin përballë. I pashë të jenë në gjendje vetëm të denoncojnë biografitë e njëri tjetrin e të demonizojnë njëri tjetrin, por pa arritur të shpjegojnë sadopak psenë e fenomenit që denonconin. I pashë të shtiren si atdhetarë të mëdhenj duke përdorur pikë për pikë të njëjtat sllogane që përdorin më të rriturit. Por, a nuk janë të gjitha këto karakteristika të klasës sonë politike më të rritur? Ata ishin një kopje e keqe e tyrja vetëm për shkak të përvojës më të pakët, por, ju siguroj, pas dhjetë vjetësh ata do të arrijnë të jenë në nivelin e të vjetërve dhe kjo është tragjedia. Për mua, spektakli i mjerueshëm që pamë me të rinjtë në Opinion ishte shprehja më eksplicite e asaj që ka shkruar Konica tre katër breza më parë se “Në Shqipëri nuk ka të rinj, por disa që kanë lindur më parë dhe disa që kanë lindur më prapa.”
Le të qëndrojmë pak tek kjo thënie e Konicës shkrimin e të cilit e kam lexuar dhe rilexuar, e kam komentuar edhe herë tjetër, madje. Konica i referohet një dallimi ideal midis të riut dhe të vjetrit që s’e ka bërë ai për herë të parë (e gjen edhe tek Francis Baconi psh.) e që, për fat të keq, nuk e gjen në Shqipëri. Konica shkruan më 1937 se “Të riut i ndizet méndia me ëndërra fisnike; i riu është gati të vazhdojë mendime të bukura pa interesë vetiak, është i zoti të vuajë për ideale, dridhet nga padrejtësia dhe mbrapset nga dinakëritë posi nga murtaja; i riu di edhe gëzimin e zémërave të pastëra; të riut i qesh shpirti dhe i qesh buza. Në Shqipëri për kundrë shohim djem të ngrysur me sy të turbulluara nga djallëzitë, të krrusur nga barra e mendimeve hesapesh dhe ngatërresash. Edhe çiliminjtë në djep duken të mvrojtur dhe të thartë. Shqipëtari lint plak.”
Është e vërtetë: edhe sot ajo çka bije dramatikisht në sy tek të rinjtë tanë është mungesa e dy karakteristikave që sipas meje duhet të jenë thelbësore tek i riu. Së pari, një lloj vetëbesimi, quaje po deshe vetëmburrje e moshës që e bën të riun që, pasi zbulon eksitencën e tij në këtë botë, të thotë se ai nuk ka lindur kot dhe veçanërisht kurrsesi të përsërisë padrejtësitë e hipokrizinë e kësaj bote, por se ka një mision të veçantë, të vetin dhe më të rëndësishmin për ta ndryshuar atë. Kombinuar kjo edhe me besimin se ai do t’i arrijë synimet e tij. Së dyti, sinqeriteti i qëllimeve që e bën të gatshëm të vuajë e sakrifikojë për idealet. Ai mund të jetë edhe i marrë në synimet e tij, por është i sinqertë, beson vërtet në to.
Përshtypja ime është se në tërësinë e vet të rinjve tanë u mungojnë të dy këto karakteristika të të riut. Shumë prej tyre në vend të krenarisë dhe mosbindjes ndaj autoritetit e zëmëratës ndaj padrejtësisë i gjen të gatshëm të bëhen shqytarë të kalorësve dinakë e të padrejtë që gjejnë në rrugën e tyre. U mungon pra ndjenja e sfidës ndaj më të moshuarve të padrejtë e ndaj autoritetit të tyre në përgjithësi, përkundrazi dominohen nga gatishmëria për t’iu bërë urë më të mëdhenjve, për t’u përdorur prej tyre. Me këtë nuk dua të them se nuk ushqejnë ambicie. Por duket se këto janë më shumë për përfitime dhe karrierë sesa për ideale, prandaj dhe nuk i shpallin ato me sinqeritetin e moshës, përkundrazi duket se e dinë fort mirë se këto ambicie mund t’i realizojnë nëpërmjet shqytarllëkut. Dhe kjo lidhet ngushtësisht me mungesën e sinqeritetit. Duke qenë se në vend se të përballen atyre u duhet, që në krye të herës, të konformohen për të bërë përpara, dora dorës, edhe nëse e kanë, e humbasin sinqeritetin, gëlltisin mendimin që kanë ose që mund të kenë derisa arrijnë të mos kenë më asnjë mendim të tyrin sepse ai u është i pavlefshëm për të bërë karrierë. Marrin kështu, si pa kuptuar, pamjen e përshkruar nga Konica: “të ngrysur me sy të turbulluar nga djallëzitë”. Dhe prandaj vijmë në spektaklin e mjerueshëm që pamë ku politikanët tanë të rinj nuk flisnin që t’i dëgjonin njerëzit jetën e të cilëve ata thonë se aspirojnë të ndryshojnë, por liderët e partive të cilave u përkasin me shpresën se të nesërmen e emisionit do të merrnin ndonjë lëvdatë apo gradë prej tyre.
Por, për të kuptuar këtë fenomen, mendoj se përsëri duhet t’u referohemi të vjetërve, dmth modeleve të këtyre të rinjve. Për mua thënia e Konicës se në Shqipëri nuk ka të rinj, por vetëm ca që kanë lindur më parë dhe ca më prapa nuk duhet interpretuar vetëm ashtu siç e interpreton ai se në Shqipëri ka vetëm pleq. Për mua duhet shtruar edhe pyetja: “A ka të rritur shqipëria?” Le ta shpjegoj ç’dua të them me këtë. Një muzikant i njohur botëror emri i të cilit nuk më vjen ndërmend ka thënë: “Kur isha i ri thoja ‘vetëm unë’; kur u poqa edhe ca fillova të them: ‘Unë dhe Mozarti’; tani them ‘vetëm Mozarti’”. Tek kjo thënie mund të gjesh të sintetizuar tërë procesin e pjekurimit dhe mënçurimit të njeriut që rritet jo vetëm fizikisht, por edhe mendërisht. Nëse karakteristikë e të riut (idealist) është besimi se mjafton të rrahë krahët që ai të fluturojë e të arrijë gjithshka, të vjetrit përvoja e jetës i ka mësuar të njohë limitet e tij, që lidhen me limitet e qënies njerëzore në tërësi, por edhe me limitet e përcaktuara nga realiteti. Pra nëse i riu idealist ka deliret dhe paranojat e tij të moshës i vjetri i ka këmbët shumë më në tokë. Ai po ashtu, nëse është rritur vërtet, ka ditur të mësojë se çka ishte gabim në rininë e tij, në sjelljet ndaj tij, në vlerësimet e tij prandaj dhe të mendojë se çka duhet të ndryshojë në qëndrimin ndaj të rinjve. Ajo çka vërej si fenomenin më të përhapur në vendin tonë është ai i të vjetërve që nuk piqen, përkundrazi të cilët, sa më shumë u kalon mosha aq më shumë humbasin kontaktin me realitetin, që gjithnjë e më pak janë në gjendje të njohin limitet e tyre, që gjithnjë e më shumë thonë “vetëm unë” e që tek të rinjtë kërkojnë gjithnjë e më shumë nënshtrimin mu si kompensim të poshtërimeve që ata kanë pësuar në rininë e tyre nga më të rriturit. Dhe mu këto karakteristka i bëjnë të shëmbëllejnë gjithnjë e më shumë me të rinj të parritur që me sjelljen e tyre shkatërrojnë brezin që vjen pas. Janë fenomene tipike të një shoqërie sa autoritare aq edhe e traumatizuar nga autoritarizmi. Pra fare mirë thënien e Konicës mund ta parafrazojmë e të themi se në Shqipëri nuk ka as të rinj në kuptimin e të rinjve të gatshëm të luftojnë e të sakrifikojnë për ideale e të revoltohen nga padrejtësisë dhe as të vjetër në kuptimin e muzikantit që arrin në pjekuri të thotë: “vetëm Mozarti”, por vetëm ca që kanë lindur më parë dhe ca më prapa. Çka do të thotë, në thelb, se kemi të bëjmë me një shoqëri që nuk është në gjendje të përparojë.
Rrugëdalja nga ky reth vicioz për mua duhet kërkuar në shkatërrimin e strukturave autoritare e mafjoze që mbretërojnë në shoqërinë tonë më një anë e në kultivimin e atyre vlerave e idealeve që do t’i bëjnë të rinjtë tanë më në fund të vazhdojnë “mendime të bukura pa interesë vetiak”, “të vuajnë për ideale”, “të dridhen nga padrejtësia dhe mbrapsen nga dinakëritë posi nga murtaja.”
Një punë që duket e vështirë, po të kesh parasysh se sa aktuale tingëllojnë sot fjalët e shkuara tre katër breza më parë nga Konica, por jo e pamundur. (Korrieri, 20 mars 2009)

Read More......

Sunday, March 15, 2009

Kriza botërore dhe indiferenca shqiptare

Më bën shumë përshtypje se sa pak flitet në Shqipëri për krizën botërore ekonomike dhe se sa cekët mbi të gjitha. Sigurisht kur bëj një pohim të tillë kam një pikë krahasimi: atë se sa dhe si flitet në Perëndim dhe jo vetëm, por edhe në Azi e gjetkë. Atje flitet përditë, për çdo orë madje. Lajmet hapen e mbyllen me njoftime dhe të dhëna rreth krizës. Debatet televizive dhe nëpër mediat e shkruara e kanë krizën temë të përherëshme. Kurse ne flasim ndonjë herë sa për të kaluar rradhën dhe më shumë për të tjerët sesa për veten tonë.
Besoj se një nga shkaqet kryesore të indiferencës sonë qëndron në faktin se na mungojnë instrumentat për të matur atë që të tjerët e quajnë “krizë” dhe në përgjithësi na mungon një sistem imuniteti që, me reagimin e tij, tregon shkallën e rëndësisë së sëmundjes. Kriza sot matet me përqindjet e humbjeve në bursë, me përqindjet e rritjes së papunësisë, me shkallën e falimentimeve të ndërmarrjeve, me shkallën e rënies së fuqisë blerëse, të eksportit e me rradhë. Për të gjitha këto ne nuk kemi tregues seriozë dhe të saktë. Jemi pra si ato makinat primitive mbarëvajtja e motorrit të të cilave matet me vesh dhe që vetëm kur ndalon motorri apo shpërthen flaka mbi kofano ndalemi ta hapim e të shohim se ç’po ndodh. Dhe sa për zhurmat e dëgjuara me veshë ato janë shumë subjektive. Interpretohen si të duash. Për mazhornacën motorri po punon si sahat, kriza thuajse nuk ekziston në vendin tonë, është thjesht një produkt i mediave të lidhura me opozitën. Ndërkaq, për opozitën, motorri është gjithë zhurma që lidhen kryesisht me paaftësinë e shoferit Berisha.
Në fakt kriza është diçka që e tejkalon aktualitetin, që i ka rrënjët më thellë sesa një apo dy mandate elektorale dhe që besoj se do t’i kapërcejë, në impaktin e saj, edhe dy tre mandate të ardhshme elektorale.
Kriza në vendin tonë ka dy aspekte ndër të cilët ndërsa njëri, gjithsesi, trajtohet, tjetri thuasje nuk është pjesë e debatit.
Aspekti i parë është ai ”simptomatik” do të quaja: që merret me format e shfaqjes së krizës dhe që e trajton atë si një emergjencë, si nevojë marrjeje masash për të parandaluar rënien e mëtejshme të nivelit të jetesës së njerëzve, falimentimin e bankave, të sipërmarrjeve e me rradhë.
Në këtë aspekt sot në Shqipëri flitet deri diku. Theksohet psh. fakti se kriza ka ulur (dhe sipas gjasave do të ulë edhe më tej) të ardhurat e emigrantëve, të cilat janë një burim i rëndësishëm për ekonominë tonë. Në emisionin “Zonë e Ndaluar” të Bushatit pamë se një industri jo e vogël, ajo e fasonerisë së veshmbathjes, është në falimentim sepse tregu botëror, për të cilin ajo punon, është tkurrur. Thuhet se është ulur gjithashtu edhe eksporti i minierave. Në përgjithësi vështirë të thuash se çfarë eksporton Shqipëria dhe se sa ky eksport është vital për vendin. Ne jemi një vend që, sipas shifrash të disa viteve më parë, importojmë pesë herë më shumë nga sa eksportojmë kështu që kriza, nga pikpamja ekonomike, tek ne duket se lidhet kryesisht me uljen e aftësisë blerëse të shqiptarëve për shkak të pakësimit të të ardhurave të emigrantëve. Këtu, megjithatë, nuk mund të mos hapësh parantezën që ngrihet në formën e pikëpyetjes se sa janë të ardhurat që vijnë nga kriminaliteti i organzuar, trafiqet e drogës dhe prostitucionit kryesisht, që përsëri, sipas të dhënash të paverifikueshme, kapin shifra të larta dhe se si reagon kjo lloj ekonomie në rast krize. (Sipas specialistëve në rast krize, që shoqërohet me falimentime dhe ulje çmimesh të pasurive imobiliare, mafia, që zotëron likuiditete, shtrin edhe më tentakulat e saj duke blerë.)
Por aspekti më i dukshëm i krizës ekonomike tek ne duket se lidhet me industrinë e ndërtimit që ka qenë baza e të ashtuquajturës rritje ekonomike të vendit dhe po ashtu baza e shpërndarjes së parasë në shtresat e ndryshme të popullsisë. Është thënë se ndër 2000 sipërmarrje ndërtimi 600 vitin e kaluar nuk kanë bërë asnjë punë, - praktiksht mund të quhen të falimentuara - se ka mbi 4000 apartamente pa u shitur, por nuk jepen të dhëna se sa apartamente dhe shtëpi private janë pa mbarur së ndërtuari. As se sa borxhe janë marrë nga bankat për mbarimin e tyre dhe nëse janë paguar ato. Duke patur parasysh se industria e ndërtimit ka mbajtur në vend edhe tregëtinë e të ashtuquajturve materiale ndërtimi merret me mend se niveli i papunësisë që ka krijuar rënia e saj duhet të jetë shumë i madh. Shkaku i rrënimit të kësaj industrie, sipas mendimit tim, është i brendshëm para së gjithash sepse kemi të bëjmë me investim të gabuar, pa strategji, por pa dyshim është edhe rezultat i tërë aspekteve të tjera të krizës.
Ne nuk dimë gjithashtu se sa është investimi i huaj në Shqipëri; me fjalë të tjera se sa janë paratë që bankat perëndimore kanë investuar në vend në formë kredish dhe si është sot gjendja e tyre. Nuk dimë se sa janë borxhet e shtetit tonë gjithashtu që nesër mund të na çojnë në një inflacion shkatërrimtar. Në një shkrim të botuar kohët e fundit në shtypin e huaj, ku përmendej edhe Shqipëria, vihej në dukje se Austria kishte probleme të mëdha ekonomike pasi, me falimentimin e ekonomisë së Hungarisë dhe Çekisë, ku kanë investuar bankat austriake, ai vend do të ketë vështirësi serioze. Përgjithësisht sot po flitet për një falimentim të ekonomive të vendeve të Lindjes me pasoja të paparashkiueshme.
Nuk ka pikë dyshimi se ne jemi në një krizë shumë më të rëndë se ajo që po kalojnë vendet e tjera, paçka se nuk duam ta shohim atë. Për të gjitha këto tek ne flitet shumë pak dhe pa transparencën e duhur/detyrueshme. Tek ne shifrat e besueshme mungojnë sepse ne notojmë në informalitet, por edhe pse forcat politike nuk kanë interes të flasin, por lidhur kjo ngushtësisht edhe me faktin se mjetet e informimit kontrollohen pikërisht nga ata që mund të jenë shkakatarët kryesorë të krizës: biznes - politika. Përshtypja ime është se tek ne do të mund të flitet për krizë vetëm nëse do të vijë momenti kur shteti nuk do të ketë likuiditete për të paguar rrogat dhe kur bankat të mos kthejnë më klietëve të hollat. Por kjo nuk quhet krizë: ky quhet kolaps dhe pas kolapsit vjen më e keqja e mundëshme.
* * *
Por aspekti i krizës për të cilin nuk flitet thuajse fare është ai që ka të bëjë me shkaqet e saj më të thella dhe për eliminimin e tyre. Kudo në botë flitet për sistemin që ka përftuar këtë krizë dhe nevojën e rimendimit mbi të. Po qarkullon nëpër internet edhe një thënie e Marksit e vitit 1867 që jepet si profetike. Marksi shkruante më 1867 se do të vijë një ditë kur: “Pronarët e kapitalit do t’a stimulojnë klasën puntore të blejë gjithnjë e më shumë të mira materiale të shtrenjta, shtëpi dhe teknologji duke i shtytur njerëzit të marrin kredi gjithnjë e më të mëdha, derisa borxhet do të bëhen të papërballueshme. Borxhet e papaguara do të çojnë në falimentim bankash të cilat do të nacionalizohen dhe Shtetit do t’i duhet, atëhere, të marrë atë rrugë që mund të çojë në komunizëm”
Kjo thënie e Marksit pa dyshim përmban një pjesë të së vërtetës së analizës së sistemit edhe sot. Thelbi i shkaqeve të krizës qëndron tek sistemi i ngritur mbi kultin e tregut si regullues i vetëm, mbi kultin e privates, të përfitimit të individit në kushtet e derregullimit të paraqitur si ideologji fitimtare, çka e ka shpërndërruar individin në një klient që kuptimin e jetës e gjen vetëm tek blerja e të mirave materiale që vjen e bëhet gjithnjë e më spekulative. Ajo çka profetizon si rrugëdalje Marksi ka ndodhur herë tjetër në të vërtetë në Perëndim jo në formën e komunizmit, por në formën e forcimit të shtetit social që ka ditur të harmonizojë interesat e individëve dhe sipërmarrjen e tyre të lirë me interesin e tërë shoqërisë. Në SHBA në kohën e Depresionit të Madh kejnesianizmi bazohej në ndërhyrjen e fuqishme të shtetit nëpërmjet investimeve publike. Në përgjithësi reagimi mbrojtës ndaj krizës ka qenë forcimi i rolit të shtetit: (pa harruar se në Evropë forcimi i rolit të shtetit në kohën e Depresionit të Madh prodhoi nazizmin dhe fashizmin).
Habermasi kur flet për shtetin social thotë se ai vjen pas kapitalizmit të egër. Kjo që po ndodh sot është pa dyshim edhe pasojë e rrënimit të shteteve sociale nacionale për shkat të globalizimit. Jo më kot disa e quajnë këtë krizën e parë të madhe të globalizimit që do të imponojë, ndoshta, shtetin social global.
Edgar Morin, duke folur së fundi për krizën thoshte: "Po na shfaqet rasti ta rimendojmë qytetërimin tonë përpara se të jetë shumë vonë. Për shumë kohë kemi besuar se zhvillimi ekonomik dhe teknologjik do të ishte lokomotiva e demokracisë dhe e mirëqënies. Sot duhet të ndryshojmë hegjemoninë e sasisë në favor të cilësisë, të të mirave jomateriale të tilla si dashuria dhe lumturia"
Po ashtu janë gjithnjë e më të shumtë zërat që shtrojnë çështjen se problemi i kësaj krize duhet përballuar si një i tërë dhe jo si çështje emergjencash të izoluara. Denoncohet fakti se njeriu u mësua të mendojë me zona të ndara, sipas specializimeve të ndryshme duke i munguar një metodë për të lidhur njohjet e ndryshme. Sot po ngulmohet se nuk mundet psh. të ndahen reformat ekonomike që duhet të ndërmerren për daljen nga kriza nga ato shoqërore. Morin parashikon lindjen e utopive të vogla të reja të tilla si mikrokredia, telelavoro, ikja nga metropolet "çnjerëzore" drejt fshatit, rritja e bujqësisë biologjike, kujdesi për të vjetrit. Me një fjalë kthimin tek etika. Kultura materialiste thotë sociologu do të ketë një perëndim të pandalshëm. Do të duhen ende vite, ndoshta dhjetëra, për këtë, por herët ose vonë do të zëvendësohet nga kultura e imateriales. "Është edhe e vetmja mënyrë që na mbetet për t’u mundësuar të gjithëve të jetojnë në të njëjtën tokë. Po bëjmë betejën më të vështirë: atë të mbijetesës së njerëzimit tonë."
Po Shqipëria si ka mundësi që as e ve ujin në zjarr mbi tërë këto aspekte? Si shpjegohet që tek ne po ndiqet e gjithë kjo histori dhe pasojat e saj jo sikur të bëhet fjalë për fatet e jetës sonë dhe të fëmijëve tanë, por sikur të jemi duke parë një film të Hollivudit nga ata me katastrofa? Pse na mungon krejtësisht vetëdia e asaj që Friedrich Holderlin do ta formulonte me frazën e njohur: "atje ku rritet rreziku atje rritet edhe shpetimi"? (Obama nuk do të ishte zgjedhur sikur të mos ishte kriza ekonomike dhe kriza në Irak). Shpjegimi besoj se lidhet kryesisht me zhytjen e shoqërisë në një padituri mjerane nga ana e një elite politike e intelektuale krejtësisht e paaftë dhe meskine të cilës kjo padituri i shërben për të mbajtur pushtetin. Ne na mungon ndjenja e rrezikut sepse ata që duhet të jenë sensorët tanë kryesorë janë të zënë me punët e tyre meskine të pushtetit, korrupsionit e pasurimit personal pa çarë kokën për të tjerët. Përpara gjithë kësaj beteje botërore shqiptarët duken dramatikisht indiferentë dhe kundër rryme. Ka një mungesë të hatashme të reflektimit për sistemin e derregullimit të ngritur në Shqipëri me ndihmën e një korrupsioni shkatërrimtar. Kryeministri ynë flet sikur Shqipëria të ketë bërë zgjedhjen më të mirë në më të mirën e botëve duke na dhënë me gëzim lamet e shitjeve të pasurive të tjera të shqiptarëve. Ai mburr privatizimet pa u merakosur për hendekun që po thellon midis një grushti të pasurish dhe shumicës që nesër, në mungesë të të ardhurave të emigrantëve, nuk dihet se ku do të përplasen. Opozita duket thjeshtë e merakosur se si të marrë nesër pushtetin për të zgjidhur problemet e klientelës sës saj, pa u merakosur për nevojnë që ka vendi për të rimenduar tërësisht sistemin që kështu nuk mund të funksionojë. Në këto kushte nuk të mbetet tjetër veçse të thuash: Zoti na shpëtoftë! (Korrieri, 14 mars 2009)

Read More......

Friday, March 6, 2009

Topi dhe gopi

Të më falë lexuesi për titullin, por s’mund të mos ndaj me të një histori që mu kujtua duke ndjekur çfarë ndodhi me Ylli Pangon të mërkurën në mbrëmje. Është historia e një ish udhëheqësi, ish partizan, që u dënua nga partia për punë pak a shumë si ajo e Pangos. Duke qarë hallin me një shokun e tij, edhe ai i goditur për të tilla hynere, i tha një ditë: “Atë që nuk na e bëri topi, na e bëri gopi.” E bukura është se Pango nesër do të thotë: ”Ma bëri Topi dhe gopi.”
Kaq sa për humor, por kjo ngjarje më duket shumë interesante për t’u komentuar, sepse e mbarsur me intriga dhe domethënie të hapura dhe të fshehta. Po përpiqem t’i bëj ndonjë koment.
Përtej dënimit të Pangos, që besoj se nuk ka nevojë për koment, e para gjë që mund të komentohet ka të bëjë me pyetjen: pse ia bëri Topi Pangos këtë? Dhe pse tamam në atë ditë? Çfarë intrigash mediatiko - politike po luhen? Apo kemi të bëjmë me mllefe personale të gazetarëve të Topit ndaj Pangos?
Një përpjekje për shpjegim nuk mund të mos të të çojë tek emisioni Opinion i një dite më parë ku pamë ministrin Pango përballë regjisorit Kujtim Çashku. Aty ai doli si mbrojtësi i shtetit ligjor dhe, për hir të së vërtetës, vështirë të mos i jepje të drejtë në argumentet që sillte. Por atje mësuam, gjithashtu, se sulmi që po i bëhej ambjenteve të Kujtim Çashkut vinte për shkak të Topit, të cilit i qënkësh ofruar ky vend në këmbim të lirimit të Piramidës, gjë që publiku i gjerë nuk e kishte ditur. Ata që ndoqën emisionin nuk mund të mos shtronin, të nesërmen, pyetjen: si ka mundësi që ndodhi kjo kur Pango po punonte për Topin?
Jam në fushën e supozimeve të mija, të kuptohemi. Sipas meje mesazhet që na dha Topi, të nesërmen e atij debati, mund të jenë disa. Mund të hamendësojmë se Topi ose nuk është i kënaqur nga lëvizja nga Piramida dhe mezi po pret zgjedhjet që të mbesë atje ku është, nëse fiton Rama; ose se ka mbetur i zhgënjyer nga debati sepse ndoshta priste që Pango t’i lëshonte edhe ambjentet e shkollës së Çashkut, kurse ky ia la këtij shtegun hapur; ose ky ka qenë një akt i mbështetësve të fortë të Ramës tek Topi që kanë dashur të japin sinalin se Topi nuk i ha karamelet e Berishës.
Në fakt, nga i gjithë debati i Pangos me Çashkun mesazhi që mora unë, si qytetar, që ma përforcoi edhe zallamahia që krijoi Topi të nesërmen me videon, është se, pa mbaruar procesi i plaçkitjes së këtij vendi nga ish komunistët që mburren se kanë bërë historinë e këtij vendi, nuk ka burrë nëne të guxojë të flasë për shtet ligjor. E dëgjova Çashkun të fliste për ullinj njëqind vjeçarë që po u pritkan në Kinostudio, por nuk dëgjova as regjizorin, as ministrin madje as Fevziun, që i përket kategorisë së ish pronarëve, të përmendin qoftë edhe një herë të vetme nëse kanë ish pronarë këta ullinj dhe ajo tokë apo jo. Them “ish komunistë” edhe sepse më tronditi pohimi i Çashkut, kur tha se është krenar për filmat “Ballë për ballë” e “Dora e ngrohtë”, ndërkohë që pretendon se ka ngritur një shkollë ku po edukon të rinjtë. Por edhe ministri me msorreagimin ndaj kësaj deklarate, ndonëse deputet i një partie që, medemek, po na pretendon të bëjë dekomunistizimin.
Duke parë gjithë këtë zallamahi të vjen të thuash: të mjerët ish pronarë dhe ish të persekutuar në dorë të kujt kanë rënë, të mjerët shqiptarë!

Komenti tjetër lidhet me linçimin e menjëhershëm që i bëri Berisha dhe PD-ja Pangos, pa i dhënë as mundësinë e dorëheqjes, vazhduar kjo, të nesërmen, nga tërë Parlamenti. Topi, pa dashje, sipas meje, i dha një farë ndihme Berishës dhe PD. Ai u dha rastin të tregojnë moralin e kulluar të PD, mit ky primatin e të cilit e ka Berisha dhe që i kishte rënë shumë kohët e fundit. Reagimi i menjëherëshëm i Berishës, duke e shkarkuar brenda katër minutash Pangon, sikur ia rivendos atij reputacionin në vend. PD-istët që kanë mbi shpinë Gërdecin duket sikur mezi pritën një rast të tillë për të gjetur te Pango alibinë e ndershmërisë së tyre të munguar. Megjithatë nuk ka se si të mos ngremë disa pyetje: Si ka mundësi që për Mediun Berisha nuk dekretoi shkarkimin, kështu si për Pangon, ndërkohë që dy gjërat nuk kanë të krahasuar për nga pasojat? Si ka mundësi që po pate vrarë njerëz e i ke hedhur në kanal në Parlamentin tonë je shumë, po, shumë i respektuar kurse po të bijesh pre e ngasjeve seksuale të linçojnë? Të më falin shqiparët e ndershëm, por kjo histeri ndershmërie me rastin Pango në emër të fëmijëve për mua është një hipokrizi e madhe. Këta njerëz kanë 18 vjet që po ndërtojnë një shoqëri ku po nuk prostituove me ta mbetesh në mes të katër rrugëve dhe tani po na u trondiskan kaq shumë nga ky skandal seksual i njërit prej kolegëve të tyre. Dhe po të doni mendimin tim shitja që i bëjnë femrat hireve të tyre seksuale është shumë më e ndershme sesa shumë shitje që u bëjnë vetes shumë burra të pushtetshëm.

Edhe një koment i fundit. Nuk e di pse, por, duke tentuar të imagjinoj atë femrën që ka provokuar Pangon, mendja më thotë se duhet të ketë qënë ndonjë bukuri si ato të velinave të Fiksit. Dhe, të them të drejtën, - mos më kekqkuptoni o njerëz, por njerëz jemi - më erdhi ta justifikoj sadopak të gjorin Pango. Pse na i nxjerrin ne ata në ekran në orën më të shikuar të mbrëmjes? A nuk e bëjnë që t’i mbajmë sytë mbërthyer mbi to që të na lindë tundimi i djallit? Kush është ai që nuk ngaset të ëndërrojë t’i prekë sadopak me dorë ato bythë e gjokse të kërcyeme e barqe të zhveshura. Le më pastaj sikur një ditë të të trokasë në derën e zyrës një bukuri e tillë! Larg qoftë, e përsëris, mos më merrni për mbrojtës të Pangos, ai maskara është, por pak mirëkuptim të dashur njerëz. Jemi në vendin e Topit dhe gopit ku sikur të mos ndodhnin ngjarje të tila do të ishte skandal, jo kur ndodhin. Shqipëria është e mbushur me raste femrash që punën e sigurojnë dhe mbrojnë vetëm në sajë të hireve seksuale dhe me burra që shfrytëzojnë paratë dhe pushtetin e tyre për të shijuar hiret e tyre. Harruan ata të Topit… lere se nuk po e them.
Gjithsesi Shqipëria po ecën përpara. Së shpejti do të hyjë në NATO. Shenjë e këtij përparimi, madje, po të doni mendimin tim, ishte edhe videoja që na tregoi Topi. A e patë ministrin se me sa mirësjellje iu qas asaj femrës? Vetëm sa e çkopsiti pak dhe i tha: mos ki frikë se nuk jam nga ajo kategori që përdor dhunën. Çfarë doni më tepër ju xhanëm, deri dje hanit dru shpinës? Shikoni sa i duruar është bërë i pushtetshmi sot, nuk t’i heq brekët me dhunë, por pret t’i heqësh vetë. (Korrieri, 6 mars 2009)

Read More......