Tuesday, April 28, 2009

Ironia e mjeteve rrethanore

Sa herë dëgjoj lajmet mbi të rejat e betejës që po bën politika lidhur me kartat e identitetit më kap një ndjenjë ku trazohet ironia me indinjatën. Ma shkaktojnë këtë të dy palët, qeveritarët që, megjithë premtimin, nuk i kanë kryer ato dhe opozita që luftën po e bën, thjesht e vetëm në kontekstin e zgjedhjeve. (Në këtë kontekst, të them të drejtën, nuk kam arritur ende të kuptoj nëse pretendimi i opozitës është çmimi i kartës, që konsiderohet i lartë, apo ngadalësia e qëllimtë e administratës në kryerjen e kartave. Sepse, nëse opozita nuk arrin të mobilizojë njerëzit që duan ndryshim as sa të paguajnë nëntë euro, kjo tregon se ajo nuk i ka punët mirë; kurse nëse problemi është ngadalësia e qëllimtë e administratës, atëhere, edhe me karta gratis, ajo “ndadalë” që “ngadalë” do të punojë.)
Megjithatë në këtë shkrim nuk dua të merrem me zgjedhjet, madje dua të flas kundra tyre. Sepse, sapo dëgjoj apo lexoj për luftën elektorale të kartave, më vijnë si reaksion në kujtesë një numër punërash të ngjashme me atë kartave (për të cilat thuajse nuk flitet fare) që tregojnë se problemi kryesor që ngre vonesa e tyre nuk është ajo e zgjedhjeve. Problemi kryesor është se ne jetojmë në një vend ku, në vend se t’i shërbejë shteti qytetarit, i shërben qytetari shtetit; se ne kemi një administratë që përveç taksave i kërkon qytetarit të shpenzojë pafund edhe kohë, energji, mund, të holla për t’i shërbyer dembelizmit, lukseve, papërgjegjshmërisë së saj. Dhe nuk e kam fjalën për korrupsionin. Ajo e korrupsionit është çështje tjetër, ndonëse indirekt e lidhur me çështjen në fjalë. E kam fjalën për të hollat, mundin, kohën, energjinë që i kërkohet qytetarit të shpenzojë për të kryer ato punë që në shtetet normale i bën administrata.
Le të jap disa dhembuj duke e filluar me një krahasim me Italinë, shtet në të cilin, pikërisht për shkak të shumë të metave e prapambetjeve përdoret, edhe aty, nga politika, shprehja “të hyjmë në Evropë”. Nëse të humbet një kartë e tillë si patenta në Itali mjafton të paraqitesh në një stacion çfarëdo policie, të bësh denoncimin dhe brenda një ore të japin lejen e qarkullimit të përkoshëm. Kurse patenta e përherëshme të vjen me postë në adresën ku banon, GRATIS përveç një takse prej katër eurosh për postimin. Në rastin që e kam jetuar vetë, këtë punë e bëri policia e Sardenjës kurse patenta mbrriti në Firence. Ndërkaq, kush e ka provuar t’i humbasë patenta në Shqipëri e di se çfarë torture i duhet të kalojë qytetarit për ta rimarrë atë. I duhet ta fillojë me çertifikata pastaj në procedurat e policisë e cila pastaj duhet t’ia dërgojë këto dokumente zyrës së patentave e cila nuk varet nga Ministria e Rendit, por ajo e Transportit, t'i japë edhe një herë kësaj dokumenta të tjera, t'i marrin edhe një herë shenjat e gishtave, të paguajë edhe një herë ...
Por le t'i lemë më mirë krahasimet me jashtë, se ka shumë nga ata që, sapo u bën ndonjë krahasim të tillë, të thonë: dashke shumë ti. Le të qëndrojmë në atë vuajtjen tonë të brendëshme që e ndjejmë pa pasur nevojë për krahasimin me jashtë.
Meqë jemi në fushën e automjeteve le të qëndrojmë aty. Ndërkohë që kush jeton në Tiranë e di se parkimi i makinave është bërë një ferr i vërtetë, çfarë ndodh? Policia jonë rrugore bredh me bllok në dorë për të realizuar normën e gjobave për mbushjen e arkës së shtetit. Ka një shproporcion të tillë midis shërbimit të keq të parkimit dhe gjobitjeve që herë herë të le pa gojë. Le më pastaj kur ndeshesh me novacione dhe improvizime të vazhdueshme zhvatjeje. Le t'ju tregoj nja dy histori që më kanë ndodhur personalisht. Para disa kohësh, kur sapo kisha ardhur nga jashtë dhe u rifuta me makinë në kaosin e trafikut tonë, vura re se ishin rishfaqur ato buburrecat e verdhë të policisë Bashkiake që bllokojnë rrotat e makinave. Meqënëse kisha një përvoj të hidhur me to fillova të bëja shumë kujdes kur parkoja. Një ditë më rastisi ta parkoja makinën në një vend ku kisha parë historikisht të parkoheshin makina, midis stadiumit Dinamo dhe Restorant Ujvarës. Mirëpo, kur dola, nuk e gjeta makinën. Që t’i bije shkurt, një aksion me “goditje të përqendruar” i policisë së rendit (jo bashkiake) kishte bërë që ai vend, që historikisht e kisha parë të zënë me makina, të quhej tanimë parkim i gabuar. Kishte ardhur karroatreci dhe ma kishte çuar makinën andej nga Kinostudioja. Le po ishte edhe natë. Mezi e gjeta me të pyetura, jo në duart e shtetit, që ma kishte marrë, por në ato të privatëve të cilëve u duhej paguar karroatreci. Ishin ata që të jepnin në dorë edhe gjobën e policisë që paguhej veçmas. Askush nuk ta hiqte dot mendimin se në këtë aksion s’kishim të bënim aspak me një pune rendi, por me një bashkëpunim të plicisë me privatin për të të zhvatur ca lekë.
S’kishin kaluar as dy tre ditë kur rashë në një metodë edhe më të rrafinuar zhvatjeje, e përdorur kësaj here nga policia bashkiake. Kisha lënë një takim tek Hotel Rogneri në mbrëmje. Isha dhe pak me vonesë. U gëzova kur përballë Rognerit gjeta një vend të lirë për parkim. Aty kisha parkuar historikisht, nuk mund të gaboja. E përsëris sapo kisha ardhur nga jashtë. Pashë kuadratin e bardhë anës trotuarit, u futa me të katër rrotat brenda tij dhe u nisa i qetë për tek Rogneri. Kur mbarova takimin shkova tek makina, hapa derën që të hyja të nisesha kur një kalimtar më tha: kujdes, mos e nis makininë se e ke rrotën të bllokuar. “Si ka mundësi i thashë!’ makina është në rregull, vizat e bardha ja ku janë, rrotat janë brenda tyre, çfarë ka ndodhur?” Më në fund, pasi i erdha rrotull makinës nga të katër anët, u kujtova të ngre kokën lart të kërkoj nëpër errësirë. Dhe e gjeta shkakun. Bashkia paskësh venë atje një tabelë ku thuhej se dy vende ishin për handikapatët. Kudo në botë këta vende shënohen me të verdhë mbi rrugë, kanë edhe shenjën në mes të kuadratit, sepse askush nuk e nget makinën me kokën në qiell. Me fjalë të tjera, pa e ditur se atje ishte një vend për handikapatët, edhe ditën do të bije në grackën e Bashkisë e jo më natën. Edhe 5000 lekët të tjera gjobë. Edhe sot e kësaj dite ai kuadrat është i bardhë jo i verdhë.
Le të kalojmë tani në një shembull tjetër të punës së qytetarit për shtetin. A e dini se nëse je pensionist në Shqipëri dhe paratë e pensionit të derdhen në bankë, Sigurimiet tona të kërkojnë që çdo gjashtë muaj të shkosh të paraqitesh fizikisht në Bankë që të provosh se nuk ke vdekur? Duket qesharake, por kështu është. Sepse, sa të lodhen Sigurimet të ndërtojnë një rrjet komunikimi me Gjendjen Civile, ku regjistrohen e çregjistrohen të gjallët dhe të vdekurit, i bijen shkurt të dy palët. I thonë qytetarit: paraqitu fizikisht në bankë se përndryshe të presim pensionin. Kështu që, edhe nëse je në Amerikë, duhet të paguash biletën të fluturosh e të paraqiteh se përndryshe rrezik se do të duhet të bësh edhe një herë dokumentet e pensionit.
Por ka edhe më keq se kaq. Kush e ndjek shtypin ka parë se kanë dalë, më në fund, listat e para të të burgosurve politikë që do të shpërblehen për vitet e padrejta të burgut. Përveç atyre që e kanë kaluar në kurriz askush nuk e di se ç’kanë hequr të burgosurit politikë apo familjarët e tyre, duke bredhur nga një institucion në tjetrin, për të mbledhur dokumentet që u kërkoheshin gjersa arritëm në këto lista. Dhe a e dini se ku i merrnin këto dokumente? Tek shteti për t’ia dorëzuar po shtetit. Një kalvar i vërtetë burokratik, por jo vetëm edhe financiar edhe si shpenzim kohe e energjie e nervash. Sepse ata që ishin nëpër rrethe duhet të vinin në Tiranë e të bridhinin nga zyra në zyrë, sigurisht pa e mbaruar dot brenda ditës mbledhjen e tufës së dokumenteve. Mendoni pastaj për ata që ishin jashtë shtetit. E magjithatë, ka kaluar më shumë se një vit dhe, me gjithë ndihmën e paepur të të përndjekurve e të familjarëve të tyre, shteti ka bërë vetëm 1400 emra gati, dmth. nuk ka verifikuar dot më shumë se katër vetë në ditë në një kohë kur kanë kaluar jo pak por 18 vjet që nga koha kur ish të dënuarit e fundit politikë janë liruar dhe kur ka pasur thuajse që në fillim një Institut të Përndjekurish për të bërë regjistrime e verifikime të tilla.
Dhashë vetëm pak shembuj që, kujt do t'i lexojë, me siguri do t'i kujtojnë të tjerë nga përvoja e vet personale. Dikur në kohën e komunizmit – më tha një mik që po i tregoja historinë e paraqitjes fizikisht në bankë për të provuar gjallësinë – këtyre metodave u thoshin: "me mjete rrethanore”. Pa frikë shteti ynë mund të quhet shtet që punon me mjete rrethanore. Çështja është se, sikur të kishte vullnet të mirë, edhe me mjetet rrethanore do të kishim arritur diçka. E kam thënë edhe herë tjetër: edhe me gomar sikur të ishin nisur administratorët tanë, shtëpi më shtëpi për të regjistruar popullsinë do të kishin arritur ta regjistronin më në fund atë. Puna është se gjendja e kaosit dhe avashësisë së administratës sonë, që në vend se t'i shërbejë qytetarit kërkon që t'i shërbejë ai asaj, nuk është as vetëm çështje teknologjie dhe as vetëm paaftësie. Është strategjia e mbajtjes së vendin në kaos dhe errësirë për të kryer, dhe pastaj fshehur, punët e pista të politikës. Prandaj edhe kjo puna e rrëmujës dhe vonesës me kartat është në logjikën e kësaj strategjie e përdorur sa nga njëra palë edhe nga tjetra. Prandaj dhe, e stërfryrë kështu, në emër të interesave të atyre që e kanë harruar me kohë kalvarin e njerëzve në administratën e tyre, ajo s'mund të mos ngjallë veçse ironi dhe indinjatë. (Korrierri, 27 prill 2009)





Read More......

Wednesday, April 22, 2009

Përgjigje një “budallai”

Në shkrimin e fundit me titull “Bëjnë sikur”, duke iu referuar rastit “Basha”, flas për sistemin e pandëshkueshmërisë të ndërtuar “nga” politikanët, “për” politikanët duke ngritur edhe pyetjen: a kemi bërë përpara apo jo në forcimin e një drejtësie të pavarur prej tyre? Megjithë dëshpërimin dhe pesimizmin shkrimin e kam mbyllur me një notë më pozitive: “Por, nga ana tjetër, - them - është pozitiv fakti se ndërgjegjësimi ynë për këtë të keqe është shumë më i madh dhe ndoshta ky do të sjellë edhe ditën kur, më në fund, do të shohim një politikan abuzues të dalë përpara drejtësisë, jo si rezultat i lojrave politike, por i këtij ndërgjegjësimi shoqëror në rritje.”
Një qytetar, që nuk e thotë emrin, pasi ka cituar frazën e mësipërme, më shkruan një koment që mu duk me vend t’ia sjell lexuesit të Korrierit thuajse të plotë:
“Per cilin ndergjegjësim e keni fjalën, zoti Lubonja? Kam ndërruar vend pune disa herë vitet e fundit, kjo si pasojë e levizjes nga një rreth në tjetrin, por kam parë se sa e njëjtë është mënyra jonë e të menduarit dhe, njëkohësisht, sa e pashpresë është gjendja. Çdo institucion funksionon njëlloj si një shtet i vogël, ku sejcili, sipas pozicionit, përpiqet të shqyejë, pa u fshehur, aq sa mundet, nga ajo që është e të gjithëve. Nese ti flet për atë që ndodh të shohin me çudi dhe kjo shërben si paralajmërim; nuk frikësohen, por të bëjnë të frikësohesh e të shohësh punën tënde.
Kur ti dorëzohesh dhe vendos të bësh punën tënde, duke mbledhur dokumentacionin me firmat e duhura, por duke e bërë këtë ashtu si qorri, përpiqen të të kujtojnë se mund të përfitosh edhe ti. Nëse ti vendos të mos e bësh këtë, të shohin me keqardhje. Nuk ka asnjë, po fare asnjë që të të kuptojë. Hahahaha, për të qeshur se nuk qan dot, por ti, i turpëruar se nuk vjedh dot, u thua atyre që ke afër e që përpiqen, për të mirën tënde, të të ndërgjegjësojnë se duhet të marrësh pjesën "tënde": Më vjen keq, por jam supersticioz e besoj se Zoti ta merr në formën më të keqe atë qe ti e merr padrejtësisht.
Zotërinj, nuk është kjo ajo që besoj dhe arsyeja pse nuk marr, por herë herë e ndjej se më mëshirojnë për budallallëkun tim dhe përpiqem të justifikohem.
Para disa vitesh besoja se mund të ndikoja te ndokush me mënyrën si veproja, por tani më ka kaluar shpresa. E vetmja gjë që ëndërroj është se, meqenese nuk shkoj në shtëpi e të them: këtë e bleva me paratë që përfitova në këtë apo atë formë të parregullt, do të kem me se të edukoj fëmijet e mi. Pasi është e pamundur të besosh diçka e të thuash me të afërmit e tu tjetër gjë. Ne i edukojmë fëmijët tanë me mënyrën si jetojmë. Dhe kjo bën që të ndodhemi brenda një rrethi vicioz dhe të vdesë shpresa.[...]
Eshte e neveritshme të shohësh se per sa pak shitet dinjiteti, sa i pa vlere është bërë.”

Çfarë të thuash për këtë koment? Së pari se përshkruhet një e vërtetë dramatike mbi gjendjen morale të shoqërisë sonë. Që të jem i sinqertë edhe unë kisha kundërthëniet e mija kur e mbylla shkrimin me nota shprese, nuk isha i bindur plotësisht se po thoja një të vërtetë, por më duket, nga ana tjetër, se nuk po ndërtoja iluzione krejt pa bazë. Vetë komenti i qytetarit e provon se ekziston një ndërgjegjësim. Çështja qëndron tek shkalla e ulët e këtij? Dhe këtu dalin, së paku, dy çështje të tjera shumë të rëndësishme. Së pari, mendoj se është e gabuar ta ndajmë shoqërinë në një grusht të vogël të pamjaftueshëm të mirësh dhe një masë e pafundme hajdutësh, abuzuesish, injorantësh, të pandershmish. Aktet e mira apo të këqija të një individi nuk janë thjesht e vetëm produkt i vullnetit të tij, ato janë edhe produk i rrathanave. Njeriu i ka të dyja brenda, të mirën dhe të keqen, varet se çfarë stimulohet tek ai. Dua të them se jo vetëm ata që pranojnë të quhen “budallallenj” e të mos vjedhin, por edhe shumë nga ata që tallen me këta budallenj, janë të ndërgjegjësuar për atë që po ndodh. Ndonjëherë pikërisht tallja me të ndershmit është maskë e brerjes së ndërgjegjes së tyre. Edhe ata do të donin të ruanin dinjitetin. Edhe ata duan të rrisin fëmijë të shëndetshëm jo vetëm fizikisht, por edhe moralisht. Shumica e njerëzve nuk janë gjenerues të këtij realiteti që jetojmë, por i janë adoptuar atij për të mbijetuar. Nuk mund të jemi të gjithë njëlloj përgjegjës për këtë katrahurë morale që kemi ndërtuar edhe pse, nga ana tjetër, është e vërtetë se ky sistem është i përhapur në formë kapilare në të gjithë shoqërinë dhe shpreh kulturën e saj. E rëndësishme është se kë kemi në krye dhe se çfarë stimulojnë ata. Janë ata që, të kapur nga ekonomija kriminale dhe duke u bërë shprehës të interesave të saj, në vend se të luajnë në vend rol ndriçues dhe udhëheqës drejt së mirës po na udhëheqin drejt së keqes. Janë ata që, duke zgjedhur fitoren e shpejtë të pushtetit e të parasë, kanë stimulur pjesën më të keqe të shoqërisë dhe pjesën më të keqe të njerëzve gjithashtu. Prandaj ngulmoj të përsëris atë që e kam thënë edhe në shkrimin “Bëjnë sikur” se nuk mund të ketë një drejtësi të ndershme e të pavarur në kushtet e pasjes së një klasë politike të korruptuar.
Çështja e dytë edhe më e vështirë është se si mund të ndryshohet kjo gjendje. Qytetari, në vazhdim të komenti të tij, thotë se po nuk u mblodhën njerëzit e ndershëm e me “kokë të ndërtuar mirë” të veprojnë kjo gjendje mund të vazhdojë deri në vitin 2500. Problemi është se si mund të arrihet masa kritike e këtyre njerëzve - e atyre, pra, që nuk pranojnë përshtatjen me realitetin, por që kërkojnë ndryshimin e tij - në mënyrë që të shkaktohet reaksioni zinxhir kundër këtij degjenerimi që të kujton Sodomën dhe Gomorrën. Pa kërkuar kësaj here dritën e shpresës që, gjithsesi, them se nuk mungon, do të thoja se Shoqëria shqiptare i ka shumë të dobëta mekanizmat e vetëkorrigjimit. Përkundrazi, tek ajo punojnë fort mekanizmat e degjenerimit. Shkaku është jo vetëm ajo që thotë qytetari se ne i edukojmë fëmijët tanë me shembullin që japim vetë nëpërmjet mënyrës se si jetojmë, jo vetëm tek sistemi i ekonomisë kriminale që synon të mbajë veten në këmbë duke mbajtur të kapur politikën, drejtësinë, mediat etj, por edhe se, duke qenë institucionet tona të ndërtuar me një strukturë tejet autoritare, të pushtetshmit kanë prirjen të rrijnë tërë jetën në pushtet duke konservuar kësisoj të njëjtat metoda. Le të kujtojmë se jemi i vetmi vend në tërë Evropën Lindore ish komuniste që nuk dënoi stalinizmin deri në fund dhe që, në atë sistem, shkoi nga “e keqja” në “më të keqen”. Prandaj, siç kam shkruar edhe herë tjetër, kam frikë se ndryshimi, më shumë sesa nga ndërgjegjësimi i brendshëm, që për fat të keq mbetet pasiv, (por, ngulmoj, edhe për shkak të tij), do të vijë më shumë nga rënia e ndonjë “muri tjetër Berlini” ose nga ndonjë pësim tjetër traumatik. (Korrieri, 21 prill 2009)

Read More......

Friday, April 17, 2009

Bëjnë sikur

Është sa e çuditshme aq edhe e natyrshme prirja e njeriut për të besuar e shpresuar tek e mira. Edhe kur ka të bëjë me persona dukshëm të këqij ai kërkon të gjejë anën e tyre të mirë; edhe kur gjykon situata të helmuara katërcipërisht nga e keqja ai ndan më një anë disa të mirë, me shpresën se këta do ta ndryshojnë situatën. Askush nuk i shpëton kësaj prirjeje fëminore. Edhe ata që janë lodhur nga zhgënjimet e, prandaj, e mbajnë veten për disi më të pjekur, shpesh vetëm në një moment të dytë i kthehen dyshimit.
Më duket se kjo ligjësi e psikikës njerëzore u shpalos edhe në këtë ngjarjen/skandalin e fundit: nxjerrjen pa lagur nga Gjykata e Lartë të ish ministrit të transporteve Basha për punë procedurash. Shpejt e shpejt dëshira njerëzore për drejtësi dhe për të mirën e gjeti të keqen tek Gjykata e Lartë dhe gjeti po ashtu heroin tek Prokuroria, e cila nuk po jepet në luftën me të keqen.
Do të kisha dëshirë ta besoja pak më gjatë nga ç’e besova këtë përrallë të bukur, por zhgënjimet e panumërta dhe përvoja e deritanishme më thonë se nuk është kështu. Ajo puna e procedurës është një gjetje e Prokurorisë për ta hedhur topin jashtë vetes, ashtu sikurse edhe Gjykata gjeti mënyrën për ta hedhur topin përsëri tek Prokuroria. Që të dyja, në këtë rast, treguan së paku impotencën e drejtësisë shqiptare përballë politikës në mos korruptimin e saj. Nuk do të çuditesha sikur, nëse Lulzim Basha do të ngulmonte të kërkonte me ngulm një gjyq, që të sqaronte përpara shqiptarëve pafajësinë e tij e të qeverisë së tij, këta mjeshtrat e drejtësisë do të gjenin ndonjë marifet tjetër për të mos e zhvilluar atë.
Në fakt ne prisnim nga Lulzim Basha të na hiqte dyshimet jo nëpërmjet fjalimeve apo konferencave të shtypit me akuzat politike se e gjithë kjo punë është një komplot i antishqiptarëve që nuk duan rrugën historike, por përballë ekspertësh seriozë ligjorë për të na vërtetuar se ai, apo qeveria e tij, nuk po ecën në traditën e politikanëve që u kanë shkatërruar shqiptarëve jetën me bëmat e tyre gjithë duke i mbuluar ato me fjalë patriotike. Në rastin konkret të na hiqte dyshimin se nuk na janë vjedhur apo abuzuar ato para me të cilat mund të ndërtoheshin më shumë shkolla, kopshte, spitale, rrugë, etj.; të bëheshin pra shumë e shumë punë të mira për shqiptarët që do të flisnin vetë për atdhedashurinë e këtyre politikanëve.
Mirëpo pushteti politik (indirekt edhe ai gjyqsor) edhe kësaj rradhe i dha një mësim të mirë atyre që shpresonin se pushteti gjyqsor mund të guxojë të ngrihet pa leje kundër politikës duke na treguar se rruga e nxjerrjes së politikanëve tanë para një drejtësie të pavarur është ende një rrugë e pashkelur.
Duke u distancuar nga emocionet që të ngjall kjo ndjenjë padrejtësie përpara ligjit, që e përforcoi edhe një dokument i nxjerrë në mediat sipas të cilit, po për të njëjtat “shkelje” proceduriale, të njëjtët gjykatës i kanë hapur udhë procesit për një qytetar tjetër, them se çështja duhet shtruar disi më gjerë. Nëse në këtë histori padrejtësie do të kërkojmë përgjegjës pa dyshim se nuk mundet kurrsese të vemë në krye të prëgjegjësisë Prokurorinë dhe as Gjykatën. Ato mund të kenë sa të duash mëkate, por problemi këtu është tjetër. Nëse në rastin e marrjes së rryshfeteve të çdo lloji për të dhënë vendime të padrejta kemi të bëjmë me korruptimin e një apo shumë gjyqtarëve këtu kemi të bëjmë me diçka tjetër, ndonëse jo pa lidhje me të parën. Kemi të bëjmë me sistemin e pandëshkueshmërisë për politikën që ne kemi ngritur.
Prandaj them se ngjarja Basha ngre një problem të madh ende të pazgjidhur në Shqipëri. Kur dhe si do të vijë ai moment? Kur, më në fund, pushtetarët politikë do të mund të akuzohen dhe gjykohen nga një drejtësi e pavarur? A mund të quhet kjo që bëri Prokuroria një tentativë e dështuar, por gjithsesi një tentativë, për të hedhur një hap në këtë drejtim, apo nuk kemi hedhur asnjë hap? Apo mos jemi duke bërë më prapa?
Përgjigja e këtyre pyetjeve, sipas gjykimit tim, përmban kundërthënie. Ka disa tregues që na thonë se në përgjithësi Shqipëria ka bërë disa hapa përpara përsa i përket kësaj çështjeje, ka të tjerë që flasin për hapa prapa. Dikush mund të na kujtojë se në kohën e fillimviteve ‘90 ministrat kishin më shumë frikë të bënin korrupsion duke na kujtuar dënimin e Nanos apo disa gjysëmdënime që morën disa ish ministra të Berishës. Do t’u përgjigjesha se nuk është kështu sepse ato procese nuk tregojnë atë që po dua të diskutoj: pavarësinë e sistemit tonë të drejtësisë nga politika. Ato ishin procese ku ky sistem kishte shtysën e politikës prandaj ishin më shumë punë politike sesa punë drejtësie, pavarësish se koha provoi se akuzat që janë ngritur asokohe ndaj Nanos mund të kenë qenë të drejta. Pra në kohën e Berishës së parë sistemi ynë i drejtësisë mbeti njëfarë rripi transmisioni i pushtetit, por që vihej në përdorim shumë më rrallë sesa në kohën e diktaturës dhe jo me egërsinë e saj
Në tetë vjetët e socialistëve me në krye Nanon ky sistem kaloi në një fazë tjetër. Ai u la më vete ose mund të thuhet se u përdor shumë më pak se në kohën e Berishës si instrument kundër kundërshtarëve politikë, por asesi nuk mund të thuhet se kaloi në fazën e gjykuesit të paanshëm të çdo krimi. Do të thoja se kjo është edhe periudha e zhytjes totale në korrupsion të vetë institucioneve të drejtësisë. Nëse më një anë mund të thuhet se sistemi ynë i drejtësisë u bë disi më i pavarur nga pushteti politik, varësia e tij nga klanet e korrupsionit dhe të fitimeve të paligjëshme u bë shumë më e madhe. Dhe në këtë aspekt mund të thuhet se një sistem drejtësie i kapur nuk mund të ketë fuqi pavarësie. Fakti që korrupsioni i socialistëve kaloi pa u ndëshkuar për tetë vjet ishte shenjë e bashkjetesës së korrupsionit në drejtësi me korrupsionin në politikë, por gjithnjë duke u ruajtur epërsia e padiskutueshme e pushtetit politika ndaj atij gjyqsor. “Gjyqin” për të vetët politika vazhdoi ta bënte vetë e për qëllimmet e veta. Kujtoni katarsisin e Nanos. Sistemi i drejtësisë preferoi të rrijë spektator në këtë fushatë.
Berisha i turbulloi disi ujrat kur erdhi në pushtet. Ai u mbërthye shumë shpejt nga një kontradiktë. Në vitet e fundit të Nanos, pas katarsisit, fjala korrupsion ishte hequr nga fjalori i socialistëve. Kurse Berisha bëri një fushatë të fortë elektorale me premtim goditjen e korrupsionit dhe ai e mbajti fjalën “korrupsion” në fjalorin e tij politik edhe pasi erdhi në pushtet. Duke u nisur nga çfarë ndodhi më vonë mund të thuhet se atij i duhej më një anë të bënte korrupsion e, më anë tjetër, të bënte sikur luftonte korrupsionin. A ishte kjo “bërje sikur” më mirë sesa heshtja e socialistëve, mund të ngrihet pyetja, duke patur parasysh rezistencën e sotme të Prokurorisë për t’u vënë nën pushtetin e tij. Edhe përgjegja ndaj kësaj pyetjeje ka kundërthëniet e veta. Në emër të kësaj “bërje sikur” PD ngulmoi të heqë prokurorin Sollaku që “flinte mbi dosjet e krimit”. Socialistët e mbrojtën Sollakun për aq kohë sa mundën, duke synuar më një anë të mbrohen nga një sulm fillestar i Berishës ndaj korrupsionit të tyre, më anë tjetër, duke pritur që sistemi i korrupsionit ta kapte mirë për fyti Berishën me shokë nëpërmjet delijorgjëve, xhillarëve etj.. Nuk vonoi shumë dhe opozita filloi sulmet për korrupsion ndaj qeverisë Berisha pikat kulminante të të cilit ishin pikërisht denoncimi i abuzimeve në rrugën Durrës - Kukës dhe Gërdeci
Rruga Durrës - Kukës dhe Gërdeci janë dy raste që mund të thuhet se e vendosën Prokurorinë e Ina Ramës përballë faktesh që vështirë se mund të mbuloheshin me mënyrën e Sollakut duke fjetur mbi dosjet e krimit. Ato gjithashtu i hoqën maxhorancës të drejtën morale politike për t’i kërkuar Ina Ramës hapjen e “dosjeve të krimit” të socialistëve. Madje balanca e të drejtës për të kërkuar drejtësi kaloi në anën e opozitës. “Bërja sikur” u duk se mund të çonte edhe në bërjen me tërë mend. Kishte disa arsye për të besuar në këtë: së pari për shkak se faktet janë kaq flagrante, së dyti sepse për më tepër kjo i intereson një pjese të politikës ku mund të fusnim edhe çarjet në PD, së treti, për shkak të prirjes së Berishës për t’i hequr institucionit edhe atë pak shkallë pavarësie, gjithsesi të kontrolluar, që i kishin lënë socialistët e Nanos. Megjithatë këto nuk kanë të bëjnë me pavarësinë e sistemit tonë të drejtësisë nga politika. Këto kanë të bëjnë me luftën politike. Ajo që ndodhi tregoi se sistemi ynë i drejtësisë mbetet i pafuqishëm ndaj saj, ose i adoptohet asaj, sepse, nëse ai ka nevojë për mbështetjen e opozitës apo të klaneve të ndryshme brenda mazhorancës për të hapur procese, nesër ai do të varet prej tyre. Dhe dihet se çështjen e drejtësisë edhe këta e përdorin siç përdori Nano katarsisin apo Berisha antikorrupsionin: pra duke “bërë sikur” e duan atë. Dënimin e vërtetë nuk e duan sepse fijet e korrupsionit i kanë lidhur të gjithë nëpërmjet shumë delijorgjëve dhe xhillarëve. Dialogu i brendshëm me ligjin i një prokurori tek ne, sipas meje, është ky: po të ndjekësh ligjin këta duhen futur të gjithë brenda. Po a mund ta bëj unë një gjë të tillë? E pamundur. Atëhere po shikoj të zgjidh hallet e mija duke bërë edhe unë sikur po punoj për të mirë të ligjit e shqiptarëve.
Si përfundim do të thoja se çështja e forcimit të pavarësisë së drejtësisë nga politika ka të bëjë me shkatërrimin e sistemit të pandëshkueshmërisë që ka ngritur politika për veten e vet i cili, në fakt, ka rrënjë të thella e të shumanëshme kryesisht të lidhura me sistemin e korrupsionit që funksionon në çdo fushë. Mirëpo kam frikë se kjo po bëhet gjithnjë e më e vështirë sepse politika jo vetëm e mban veten në pushtet nëpërmjet këtij sistemi korrupsioni e pandëshkueshmërie, por ajo madje është fuqizuar duke konsoliduar këtë sistem. Edhe vetë pluralizmin partiak ajo e ka adoptuar për të konsoliduar këtë sistem sepse çdo denoncim që i bëhet nga kundërshtarët, cilëtdo qofshin, e trajton, siç bëri Basha, si çështje të luftës politike, jo të ligjit. Në këtë kontekst përsa i përket pyetjes nëse kemi bërë hapa para apo mbrapa një kundërthënie e fortë në favor të ecjes prapa qëndron në faktin se kjo kastë është sot shumë më e fuqishme sesa dje dhe prandaj edhe më e rrezikshme. Sistemi i drejtësisë është pjellë e kësaj kaste politike, direkt apo indirekt ai zgjidhet e, prandaj, varet prej saj. Ky sistem e kërkon drejtësinë të “bëjë sikur”, të “flerë mbi dosjet e krimit” sepse të dy krahët e politikës janë të zhytur në shkelje dhe sot për sot janë në një ekuilibër forcash e interesash që më shumë i bashkon sesa i ndan edhe ata që duken si kundërshtarë të egër të njëri tjetrit. Prandaj çështja e një drejtësie të ndershme e të pavarur në kushtet e pasjes së një klasë politike të korruptuar, sipas meje, është një iluzion që ne na vjen nga prirja jonë sa e çuditshme aq edhe e natyrshme për të besuar tek e mira dhe e drejta. Por, nga ana tjetër, është pozitiv fakti se ndërgjegjësimi ynë për këtë të keqe është shumë më i madh dhe ndoshta ky do të sjellë edhe ditën kur, më në fund, do të shohim një politikan abuzues të dalë përpara drejtësisë jo si rezultat i lojrave politike, por i këtij ndërgjegjësimi shoqëror në rritje. (Korrieri, 13 prill 2009)

Read More......

Monday, April 6, 2009

E majta dhe të pushkatuarit pa gjyq

Para disa muajsh në shtypin tonë u botua një dokument i kohës së Luftës, i veçantë për nga makabriteti i vet. Ishte një letër që Nexhmije Hoxha i dërgonte, nga Tirana, Enver Hoxhës në Shtabin e Pergjithshëm. Pjesa më tronditëse e atij dokumeti ishte përdorimi nga Enver Hoxha me shokë i fjalës “dekorim” për ata që ai urdhëronte të pushkatoheshin apo vriteshin pa gjyq. Nga letra në fjalë kuptohet se Enver Hoxha i ka pas dhënë udhëzimin Tiranës që Anastas Plasari, një komunist i grupit të Zjarrit, “të dekorohet”; mirëpo, sipas përgjigjes që Nexhmija i dërgon atij, del se Deti (Nako Spiro) dhe Doktori (Ymer Dishnica) nuk kanë qenë të bindur se ai duhej “dekoruar”, i brente ndërgjegja se mos po bënin një padrejtësi, prandaj e kanë dërguar Plasarin në Shtabin e Përgjithshëm, prej nga vinte urdhëri, që të merreshin ata me të. Hoxha qenkësh tërbuar që ata, në vend se ta “dekorojnë”, e kanë dërguar në Shtab dhe, në letrën që i ka dërguar bashkëshortes së ardhshme, ka përdorur deri fjalë fyese ndaj saj. Interesante është se, kur Plasari ka shkuar në Shtab, rezulton se ata nuk e kanë pushkatuar. Me një fjalë Hoxha jo vetëm që donte ta vriste këtë njeri, por donte që krimin ta kryenin të tjerë.
E solla këtë shembull për të hyrë në debatin e këtyre ditëve mbi dëmshpërblimin e të pushkatuarve pa gjyq para vitit 1944 që e majta e kundështoi me forcë duke përdorur argumentin se nuk mund të dëmshpërblehen ata që quhen “kolaboracionistë”.
Mjafton dokumenti që përmenda, mjafton përdorimi i fjalës “dekorim” si pseudonim për vrasjen pa gjyq, për të treguar mungesën e humanizmit, mendjengushtësinë, por edhe padrejtësinë që ka karakterizuar atë kohë dhe udhëheqjen e së ashtuquajturës Partia Komuniste. Ndërkaq ajo kohë, që është glorifikuar për 45 vjet nga propaganda e Enver Hoxhës, mbahet ende sot nga trashëgimtarët direkt të saj PS-ja, por edhe LSI apo PSD, si guri themeltar i palëvizshëm i themeleve të këtyre partive që nuk duhet prekur ashtu siç nuk duhet prekur gjëja e shenjtë. Këtë qëndrim e tregoi edhe debati i fundit për të ashtuquajturit “kolaboracionistë”. Partitë e ashtuquajtura të majta, për fat të keq, ndonëse kanë hedhur poshtë të gjitha vlerat e ideologjisë që i kanë frymëzuar dikur udhëheqësit e tyre kryesorë, paradoksalisht nuk kanë hedhur ende asnjë hap për rishikimin e kohës kur u materializua për herë të parë ajo ideologji.
Pra, problemi i parë që reflektohet edhe në debatin e këtyre ditëve, është se narrativa e Luftës, e thjeshtëzuar, e mitizuar në bardhë e zi për qëllime politike përgjatë 45 vjetësh regjim komunist, ka mbetur e tillë edhe sot për këto parti dhe elektoratin e tyre. Me termin “kolaboracionistë” është bërë një manipulim propagandistik duke i shumuar e futur të gjithë në një thes të zi ashtu sikurse është bërë me termin “dëshmorë” që u bënë 28 000 ndërkohë që, sipas dokumenteve, rezultojnë shumë më pak. Dhe askush nuk hyn të shikojë me sy kritik në këta dy thasë të mbetur bardhë e zi. Ato mbahen ashtu për qëllime politike të së sotmes.
Sigurisht nuk ka qenë punë e lavdishme, por e dënueshme, puna e atyre shqiptarëve që i dorëzuan kurorën e Shqipërisë Viktor Emanuelit dhe u futën në shërbim të pushtimit. Megjithatë edhe atë periudhë e ato akte më shumë sesa t’i demonizojmë, siç ka bërë propaganda komuniste, sot duhet t’i kuptojmë e arsyetojmë. Le të mos harrojmë, psh. se regjmi i Zogut ishte një regjim i urryer në pjesën më të madhe të popullsisë, veçanërisht intelektuale, se shumë e pritën Italinë edhe si çlirim nga tirania e Zogut, ndërkohë që, po ashtu, pjesa më e madhe e popullsisë, që nuk kishte zhvillur ende ndonjë ndjenjë kombëtare të fortë, e pa ardhjen e italianëve thjesht e vetëm si mundësi mirëqënieje ekonomike. Pa harruar ata që, për të vazhduar mbijetesën e tyre dhe të familjes, u detyruan të konformohen. Pra pritja me duartrokitje e italianëve dhe bashkëpunimi me ta, mes tjerash edhe për të zgjidhur çështjen e Kosovës, është një realitet kompleks në të cilin është e vështirë të ndash me thikë antipushtuesit nga një anë dhe kolaboracionistë nga ana tjetër.
Së dyti, të mos harrojmë se tek të ashtuquajturit “kolaboracinistë” janë futur edhe ata që iu kundërvunë edhe me armë italianëve. Në Konferencën e Pezës (1942) komunistët ishin sëbashku me Abaz Kupin dhe njerëzit e tij legalistë psh. që ishin ndër të paktët që qëlluan mbi italianët kur ata pushtuan vendin. Apo deri më 43-shin, siç tregon Konferenca e Mukjes, komunistët ishin të gatshëm të ndanin pushtetin me ballistët. Vetëm pas 43-shit, kur jugosllavët kërkuan nga Enver Hoxha dënimin e Mukjes për qëllime që lidheshim me Kosovën dhe, njëherësh, kur u pa se komunistët kërkuan të bëjnë, sëbashku me Luftën Nacinal – Çlirimtare, edhe revolucionin proletar për përmbysjen e klasave ndodhi ajo që një pjesë bashkëpunuan edhe me gjermanët kundër komunistëve. Nuk ka dyshim se bashkëpunimi me gjermanët është i dënueshëm, dhe nuk mund të justifikohet, siç bëjnë disa, me Kosovën, sepse krimet e nazizmit kishin tmerruar gjithë botën, dhe nuk mund të ishin të pranueshme qoftë edhe vetëm për këtë, por, gjithsesi, vllavrasja që pasoi përgjatë një viti, deri më 29 nëntor 1944, përsëri nuk mund të thjeshtëzohet në bardhë e zi duke i futur të gjithë ata që u vranë në anën e komunistëve në thesin e bardhë dhe të gjithë ata që u vranë nga komunistët në thesin e zi pa dalluar midis tyre përgjegjësitë e ndryshme, rrethanat e ndryshme apo edhe padrejtësitë e ndryshme.
Së treti, tek të pushkatuarit pa gjyq nga komunistët, por edhe tek ata që u vranë pas shpine prej tyre, hyjnë edhe shumë ish komunstë. Rasti i Anastas Plasarit, që përmenda në krye të shkrimit, është një; ai mund të quhet edhe “fatlum” që i ka shpëtuar plumbit. Por janë të shumtë ata që kanë ngrënë plumbin pa gjyq apo plumbin pas shpine. Liderët e grupeve të ndryshme komuniste si ai i të Rinjve, apo i Shkodrës që nuk ndanin të njëjtat ide apo programe politike me Partinë Komuniste të Hoxhës, apo të ashtuquajturit fraksionistë, dënoheshin me vdekje dhe ekzekutoheshin kur mund të kapeshin. Mjafton të kesh parasysh Anastas Lulon, Zai Fundon, të ashtuquajturit fraksionistë të Vlorës si Pali Terova me shokë. Ka pasur edhe shumë nga ata që janë ekzekutuar pa u deklaruar armiq. Mjafton të kesh parasysh Mynir Xhindin, ndër të rinjtë intalektualë më të njohur të Vlorës, familjes së të cilit, siç tregon pas shumë e shumë vitesh Sofo Lazri në librin e tij, deri në fund iu tha se u vra nga një plumb qorr; apo Mustafa Gjinishin që u varros me nderime nga “shokët e luftës” që e vranë pas shpine.

E gjithë kjo histori, e mbushur edhe me krime e padrejtësi, kthjellohet në tragjizmin dhe padrejtësitë e saj po të kemi parasysh atë që ndodhi gjatë 45 vjetëve të pushtetit të fitimtarëve. Stilin “revolucionar” të vrasjeve pa gjyq të kundërshtarëve, që përdorën gjatë Luftës, komunistët, pasi morën pushtetin, e kthyen në stil qeverisje, duke instaluar regjimin e terrorit shtetëror, me burgje e kampe internimi, me vrasje me gjyqe të inskenuara me akuza falso e me pohime të marra nën torturë, që arriti deri në pushkatimin e grave shtazëna, që hoqi institucionin e avokatisë, duke e shndrruar, pra, vendin në një ferr që e bëri gjithnjë e më të shumtë numrin e atyre shqiptarëve që ndjenin keqardhje që kjo “farë e keqe” nuk u mposht nga kundërshtarët e tyre gjatë Luftës së Dytë. Në një kontekst më të gjerë gjeopolitik kujtoj se kanë qenë të shumtë ata, në botën demokratike perëndimore, që u kanë dhënë të drejtë atyre që kanë qenë për qëndrime të tjera ndaj BS gjatë Luftës së Dytë pikërisht duke patur parasysh të keqen që i erdhi botës, veçanërisht popujve që u vendosën nën regjimet komuniste, prej stalinizmit.
Por le t’i kthehemi debatit tonë të ditëve të fundit mbi dëmshpërblimin e të pushkatuarve pa gjyq gjatë kohës së Luftës. Së pari duhet vënë në dukje se një nga të drejtat themelore të njeriut është ajo e një gjyqi të drejtë, të paanshëm dhe madje me avokat. Pushkatimet e asaj kohe pa gjyq janë një shkelje monstruoze e kësaj të drejte. Dikush mund të thotë se këtu bëhet fjalë për kohë lufte. Por edhe Lufta ka ligjet e veta që duhen respektuar. Robërit psh. nuk pushkatohen. Argumenti tjetër është se njëlloj kanë vepruar edhe kundërshtarët e komunistëve, madje duke shfrytëzuar gjermanët. Ka prova se kështu ka qenë. Por ka një ndryshim të madh. Ata që u vranë prej atyre që u quajtën më vonë kolaboracionistë u glorifikuan, u quajtën dëshmorë të kombit, u nderuan dhe familjet e tyre gëzuan për pesëdhjetë vjet privilegje që i vunë në pozita superiore edhe pas rënies së komunizmit. Kurse ata që u vranë pa gjyq nga krahu tjetër jo vetëm që u demonizuan, por familjet e tyre shpesh përfunduan nëpër burgje dhe internime krejtësisht në mënyrë të padrejtë dhe me pasoja të pariparueshme për tërë jetën, pa patur asnjë mundësi, mes tjerash, për të vërtetuar asnjë lloj pafajësie të njerëzve të tyre në gjyqe të paanëshme pasi drejtësinë e kishin vendosur fitimtarët me armë dhe e mbanin me armë.
Parti si PS, LSI, PSD, që konsiderojnë si të tyren trashëgiminë e veteranëve ish komunuistë të luftës, kanë nevojë të reflektojë thellë për atë të kaluar ashtu si gjithë shqiptarët dhe jo të mbesin të ngrirë në narrativën 45 vjeçare të propagandës komuniste për Luftën. Madje këto parti mund të ishin një instrument mjaft i mirë i këtij procesi. Mirëpo rezulton se edhe sot ato refuzojnë të dëgjojnë një narrativë të asaj kohe ndryshe nga ajo që ka ndërtuar Enver Hoxha, madje deri në atë pikës sa nuk pranojnë të rishkojë qëndrimet edhe ndaj figurave të komunistëve të vrarë me gjyq dhe pa gjyq, gjatë Luftës, madje edhe pas saj. Kjo nuk do të thotë që tashmë duhet imponuar një narrativë tjetër e vetme e Luftës që thjesht i kthen përmbys gjërat, siç ka prirjen të bëjë e djathta në pushtet duke aplikuar të njëjtin stil të propagandës komuniste. Kjo do të thotë, para së gjithash, që partitë e majta të pranojnë hapësirën demokratike të narrativave të ndryshme që nuk përjashtojnë njëra tjetrën por që, sëbashku, na afrojnë më shumë tek e vërteta dhe e drejta. E pas kësaj të shikojnë edhe trashëgiminë e tyre në frymë kritike në mënyrë që të emancipojnë edhe veten e tyre e elektoratin e tyre, por edhe gjithë shqiptarët nga dogmat e ngulitura për mëse gjysëm shekulli nga propaganda komuniste. Shoqëria civile, mediat, individë të ndryshëm, sadokudo, kanë bërë diçka në këtë drejtim, kurse partitë janë ato më reaksionaret.
Kjo nuk është thjesht çështje parash dhe dëmshpërblimi të të pushkatuarve pa gjyq para vitit 1944. Në këtë aspekt ndoshta vështirësia është teknike: gjetja e dokumenteve që e vërtetojnë këtë. Veçanërisht kur ke parasysh se në çfarë kalvari dokumentacioni i kaloi administrata e drejtuar nga e djathta ish të dënuarit me gjyq deri në përpilimin e listave. Çështja, në thelb, ka të bëjë me vënien e një drejtësie dhe të vërtete në vend, që, tek e fundit, është detyrë e këtij brezi të gjallësh ndaj të vdekurve të djeshëm. Dhe kjo besoj se do të ndihmonte për të zhvilluar ndërgjegjen shoqërore, për të ndërtuar një shoqëri më të përgjegjëshme që do të sillej në mënyrë më të drejtë e më të vërtetë edhe në të sotmen. Kalimi thuajse në indiferencë nga shoqëria i një dokumenti aq makabër, si ai që përmenda në krye të këtij shkrimi, tregon se shoqëria jonë ka shumë për të bërë në këtë drejtim dhe se e majta ka përgjegjësitë kryesore për këtë frenim. (Korrieri, 6 prill & Tema, 7 prill)

Read More......