Friday, May 29, 2009

Nderim më të mirëve

Sot mbushen 30 vjet nga vdekja/vrasja e Fadil Kokomanit, Vangjel Lezhos dhe Xhelal Koprenckës. Më duhet të them se kjo nuk është një datë krejt e sigurt. Sepse nuk ka asnjë dokument zyrtar, deri tani, që të vërtetojë se ekzekutimi i tyre, pas dënimit me vdekje-pushkatim, ka ndodhur tamam në këtë datë. Sigurisht ka pasur një dokument që ka regjistruar datën, ndoshta edhe orën dhe vendin e ekzekutimit, por ai nuk ekziston ose të paktën deri tani rezulton i shkatërruar, i humbur ose i fshehur. Ai nuk figuron në dosjen gjyqsore ku duhet të ishte edhe sipas ligjit të asaj kohe. Data 29 maj është përcaktuar me përafërsi ngase të dënuarit që kanë qenë pranë tyre në qelitë e burgut të Tiranës kujtojnë se, midis së hënës dhe të martës së javës së fundit të majit 1979, që përkon me datat 28 - 29, janë hapur qelitë e tyre në një orë të pazakontë, natën vonë.
Nga kujtimet e mija, si i ridënuar në njërin prej gjyqeve që i dënoi ata me vdekje, atë të Fadilit e Vangjelit, di të them me siguri se të hënën datë 28 në mëngjes, sëbashku me një grup të ridënuarish e të dënuarish për herë të parë, më nisën me autoburg për të vazhduar vuajtjen e dënimit në Spaç. Deri një natë më parë ata që i kishin pasur qelitë afër nuk kishin dëgjuar të hapej dera e qelive të tyre për t'i marrë e pushkatuar. Ndërkaq, sapo mbrritëm në Spaç, ne, grupin e të ridënuarve në ato dy gjyqe, na kthyen përsëri në Tiranë pa na thënë asgjë për shkakun, e na rrasën në të njëjtat qeli ku kishim qenë. Pas tre ditësh të ankthshme pritjeje për të marrë vesh ç'po ndodhte, të enjten 31 maj, na thirrën një nga një në zyrat e hetuesisë ku na treguan fotot e Fadilit, Xhelalit e Vangjelit të pushkatuar. Kuptuam se na kishin kthyer pasi dikush kishte dhënë urdhër të na tregoheshin fotot e të na thuhej se gropa e zezë ishte vendi që na priste po të guxonim të bënim atë që kishin bërë ata të tre. Pra ekzekutimi ka ndodhur me siguri midis të hënës 28-të dhe të enjtes 31. Sipas dëshmive të bashkvuajtësve që i kanë pasur qelitë afër atyre të Fadilit, Vangjelit apo Xhelalit rezulton se ata i kanë marrë të hënën 28 afër mesnatës apo duke u gdhirë e marta 29.
Me këtë shkrim përkujtimor nuk synoj, megjithatë, të ngjall emocionet e asaj ngjarjeje. E kam bërë këtë, shpresoj, me librin Ridënimi dhe nuk më duket se ato do të mund të shpreheshin, ashtu siç meritojnë, në një shkrim të shkurtër si ky. Desha thjesht të bëj vetëm një refleksion mbi këtë mungesë date të saktë, që ma shoqëron kujtimin e tyre vazhdimisht, por që ma bën të dhimshëm veçanërisht në një ditë si kjo.
Ne kopertinën e libri tim Ridënimi, botuar së fundi në Londër, ka një koment të Doris Lessing që e vuri në dukje Rudina Xhunga në intervistën me nobelisten që e botoi edhe në shtyp. Midis të tjerash Lessing thotë: "Çfarë njerëzish të mrekullueshën kanë përndjekur e vrarë regjimet komuniste. Duket sikur ajo që ata donin të zhduknin ishte thjeshtë përsosuria (exellence)" Xhunga e ka përkthyer "exellence" në shqip me fjalën "përsosmëria" që është një nga kuptimet e fjalës. Në fakt është e vështirë t'i gjendet fjala korespondente e saktë në shqip kësaj fjale. Por ka një kontradiktë në këtë përkthim sepse përsosmëria nuk ekziston, prandaj nuk ka se si zhduket ndonëse shpesh ne themi "punë e përsosur" apo "njeri i përsosur". Nuk besoj se Lessing ka pasur parasysh përsosmërinë kur ka përdorur fjalën "exellence". Sipas meje ka dashur të thotë "epërsinë" "më të mirët" "më të lartën" "virtutin" - kuptime edhe këto të fjalës - me idenë se komunistët sikur synonin të zhduknin çdo cilësi që krijonte njerëz të shquar dhe të dalluar, ta rrafshonin shoqërinë në një mase mediokriteti në emër të gjoja barazisë, por thellë thellë të pushtetit të tyre, të gjakimit të diktatorit për t'i shndrruar të gjithë individët në hiçër në emër lavdisë së tij. Nuk di të them se cila fjalë do të ishte më e përshtatëshmja për ta përkthyer "exellence" në shqip, por di me siguri, megjithatë, se fjalën e ka pasur për Fadil Kokomanin dhe Vangjel Lezhon, dy heronjtë kryesorë të librit.
"Exellence" e Kokomanit, Lezhos, Koprenckës qëndron në forcën e idealit të tyre, në humanizmin e tyre, në guximin intelektual për të thënë, në emër të këtij ideali e humanizmi, disa të vërteta që digjnin aq shumë saqë diktatori dhe shërbëtorët e tij vendosën t'i vrisnin; qëndron deri edhe në heroizmin për të mos i mohuar ato edhe përpara vdekjes.
Fakti që Fadil Kokomani, Vangjel Lezho dhe Xhelal Koprencka nuk kanë ende një varr, madje as një datë të saktë ekzekutimi, por vazhdojnë të dergjen diku, që të tre, në një gropë të errët, edhe pse kanë kaluar gati dy dekada nga rënia e regjimit që i vrau, sipas meje flet shumë, për atë kohë, por edhe për kohën që po jetojmë.
Nuk dua këtu të bëj politikë banale nga ato ku njëra palë akuzon palën tjetrën pa menduar asnjë çast për veten. Nuk dua të them, pra, thjesht se pasardhësit e partisë komuniste heshtin sepse nuk kanë patur dhe nuk kanë edhe sot guximin të ndahen nga krimet e baballarëve e gjyshërve. As të akuzoj demokratët për antikomunizmin e tyre të shtirur, apo për atë që, edhe kur kanë folur për këtë krim, kanë përmendur gjithmonë vetëm Xhelal Koprenckën pasi Fadili dhe Vangjeli, sipas tyre, i përkasin të majtës, meqë ishin komunistë. As të demaskoj edhe një herë faktin se presidenti Bamir Topi jo më shumë sesa disa muaj më parë dekoroi për shërbime në drejtësi prokurorin e gjyqeve të Fadilit, Vangjelit dhe Xhelalit. Reflektimi që dua të bëj, ku hyn edhe qëndrimi prej vrasësi të papenduar i socialistëve, edhe shpërdorimi e keqpërdorimi i demokratëve apo mosdija e Topit apo këshilltarëve të tij, lidhet më shumë me kulturën që qëndron prapa gjithë këtyre, prapa kësaj heshtjeje, harrese, mosnjohjeje, prapa dekorimit të së keqes dhe lënies së më të mirëve jashtë vëmendjes së shoqërisë, (jo për shkak të mosdekorimeve, por të mosnjohjes së vlerave që përfaqësojnë). Të gjitha këto sëbashku sipas meje janë tregues i asaj që, në fakt, e përjetojmë përditë (por fatkeqësisht pa bërë lidhjen e duhur me rrënjët): se tek ne vazhdon të dominojë kultura komuniste e tiranisë së mujsharëve dhe mashtruesve ndaj më të mirëve; kultura e pushtetit të mediokritetit dhe paaftësisë; ku mburrja dhe vaniteti eklipsojnë çdo lloj drite medestie vetëkritike dhe vlere të vërtetë; ku i thurren këngë e i ngrihen monumente banditëve, mafjozëve, injorantëve; ku pendesa e ndjesa nuk njihen si vlera, por trajtohen si dobësi, ku sakrifikimi për ideale nuk çmohet e nderohet përkundrazi ku lartësohet (në fakt duke rrafshuar) aftësia për tu shitur, për t'ua futur të tjerëve e për të dalë pa lagur; ku humanizmi përqeshet nga intelektualët siç përqeshej dje nga ata që talleshin me njeriun e thjeshtë duke i thënë: "ti, që s'vlen për asgjë, duhet të digjesh me benzinë si Jan Palah për protestë sepse ne intelektualët vlejmë për punë të tjera të mëdha."
Ne s'mund të jemi këtu ku jemi: në këtë formë kaq banale të rrafshimit të virtytit nga e pavirtytëshmja, të më të mirëve nga më e keqja, të humanizmit nga çhumanizmi sikur të mos vazhdonte të dominonte ajo kulturë që zhdukte atë që Lessing e quan "exellence". Frika e sotme e jona për të bërë akte si ato të Fadilit, Vangjelit dhe Xhelalit, ndonëse në demokraci dhe liri dhe lënia e tyre në heshtjen, e varrit të pagjetur, e fotove të krimit të zhdukura, janë dy anë të së njëjtës medalje: asaj të veprave të mbrapshta e kompromiseve të ulta që bëjmë, më një anë, dhe frikës për t'i parë ato në pasqyrë, më anë tjetër.
Pa dyshim akti vetvrasës e Fadilit, Vangjelit dhe Xhelalit, që morën guximin t'i shkruajnë Komiteti Qendror letër kundër diktatorit në ato kohë terrori të egër kur pushkatoheshin njerëz që nuk kishin bërë asgjë, është ndër ata akte që i kalon përmasat njerëzore në kuptimin se frika dhe ruajtja janë dimensione normale të njeriut. Edhe ata vetë nuk do ta bënin në çdo kohë e në çdo vend një akt të atillë. Por pikërisht për këtë, ne, që shpëtuam gjallë edhe sepse nuk e bëmë dot atë që bënë ata, duhet të përkulemi me nderim përpara rasteve të tilla ku kurajua i kalon kufijtë e këtij normaliteti duke na bërë, megjithatë, të vemë në dyshim veten duke shtruar pyetjen: cilët janë më normalë ata që i nënshtrohen jetës nën skllavëri apo ata që preferojnë të vdesin për të mos iu përshtatur asaj. Personalisht, sa herë i mendoj, ul kokën me nderim përpara tyre e më mungon një varr ku ta bëj këtë. Mendoj se sa më të shumtë të kishin qenë ata aq më e lirë do të kishte qenë shoqëria jonë dje dhe sot. Janë pikërisht ato majat që dallohen nga të tjerët e që i pret diktatura me tërbim nga frika se mos rriten - "exellence" i quan Doris Lessing. Janë ato majat që, me ekzistencën e tyre, mund të na ngjallin frymëzimin për të qenë edhe ne si ato. Kurse në mungesë të tyre gjithshka është e rrafshët, të gjithë sikur shtrihen barkas nuk pipëtijnë. Siç po rrijmë edhe sot përpara pushtetit të mafjes.
Në fjalën e mortore për vdekjen/vrasjen e Pasolinit Alberto Moravia thoshte: "Imazhi i Pasolinit që ikën dhe ai i një hijeje pa fytyrë që e ndjek për ta vrarë është një imazh emblematik për vendin tonë… që duhet të na mësojë ta ndryshojmë këtë vend." Duke perifrazuar Moravian do të thoja se imazhi i hijeve të veshura me pushtet që në një natë maji të 1979-tës i hapën gropën dhe vranë Fadilin, Vangjelin dhe Xhelalin, heshtja e shoqërisë sonë ndaj këtij krimi edhe sot, deri edhe në mosgjetjen e varrit të tyre, është shumë emblematike për vendin tonë. Më të mirët që ikin, më të mirët që vriten në errësirë, më të mirët që heshtin, më të mirët që harrohen, që dhunohen, që shkatërrohen, që keqpërdoren në emër të pushteti e triumfi të më të këqijve, të mediokërve, të rrafshuesve të vlerave … kjo është një histori që duhet të ndryshojë. (Korrieri, 29 maj 2009)

Sunday, May 24, 2009

Liqeni jemi ne

E kam ndjekur me një ndjenjë të veçantë dëshpërimi ngjarjen e derdhjes në Liqenin e Parkut të Tiranës të sasirave të tilla helmesh kimike (disa thonë bojë hidromat) saqë është shkaktuar ngordhja e peshqve në të, saqë është hedhur deri ideja e nevojës së boshatisjes së tij. Është një ndjenjë e veçantë dëshpërimi që e kam gjetur tek shumë vetë. Po pse e veçantë, - mund të më thoshte dikush - në Shqipëri kanë ndodhur e ndodhin aq shumë ngjarje që të ngjallin dëshpërim, edhe më të rënda se kjo, saqë me këtë nuk ia vlen të merresh, mjafton të kesh parasysh mbytjet në det të anijeve me njerëz në kanalin e Otrantos, vrasjet e 97-tës, Gërdecin apo gjendjen e shkollave publike, të spitaleve publike, shkatërrimin e bregdetit.
E megjithatë kjo për mua është e veçantë sepse dëshpërimi i këtij helmimi merr një dimension simbolik. Liqeni, në këtë histori helmimi, nuk është thjesht Liqeni dhe parku rreth tij. (Në fakt, kur themi "Liqeni", ne, banorët e vjetër të Tiranës, kemi parasysh edhe gjithë zonën e Parkut. "Po shkoj tek Liqeni" - thuhej për të treguar se po shkoje të bëje një shëtitje në Parkun ku një nga kënaqësitë ishte pamja e paqtë e Liqenit, bukuria dhe freskia e tij.)
Problemi është se Liqeni dhe gjelbërimi rreth tij ka qenë një si pikë referimi në mendjen time dhe besoj të shumë Tiranasve si unë si në të kaluarën edhe në të tashmen. Edhe në kujtimet e diktaturës ai ka mbetur si një oaz i përjetimeve tona më të bukura, si një vend i dashurisë, prehjes, lojës, shoqërizimit - i asaj që kishim më të mirë. Edhe më pas, duke ndjekur shkatërrimin e Tiranës nga barbaria njerëzore, Liqeni mbetej aty si për të na dhënë shpresë. Shpresën se e bukura ka ende fuqi të mbrohet nëpërmjet fuqisë së bukurisë së saj. Shpresën se e mira nuk është tretur fare nga jeta jonë. Liqeni dhe gjelbërimi rreth tij, ndonse i ndotur, gjithnjë e më i ndotur e nëpërkëmbur, mbetej atje për të na thënë se, megjithëse na kanë ndodhur gjithë këto të këqija, megjithëse na kanë hedhur kaq shumë helm në jetë, prap na ka mbetur diçka e mirë tek e cila mund të shpresojmë. Edhe kur shikonim shtëpitë e Tiranës historike të shembeshin njëra pas tjetrës, edhe kur shihnim parqet e fushat e sportit të ktheheshin në pallate, edhe kur shihnim rrethinat e qytetit, Saukun, kodrat në rrëzë të Dajtit të shëmtoheshin, ai ishte ay si për të na thënë se ka ende pak shpresë. Thellë tellë, pra, nuk bëhej fjalë thjesht për të bukurën dhe të mirën e Liqenit, por për të bukurën dhe të mirën brenda nesh. Nuk bëhej fjalë thjesht për shpresën se ata, barbarët, nuk do ta shkatërronin Liqenin, por për shpresën se edhe barbaria e tyre ka një kufi, se edhe brenda tyre ka një liqen, ka pak gjelbërim. Liqeni, pra, ishte si një metaforë e pjesë sonë më të mirë.
Kohët e fundit Liqenin e kemi parë të rrezikuar keqas. Kemi parë se si barbarët e kanë kafshuar nga të katër anët me dhëmbët e tyre të shëmtuar duke ia ngrënë gjelbërimin përreth - në vend se t'ia zgjeronin. Kemi parë se si i kanë bërë plane për t'i marrë frymën me monstra të tjera çimentoje dhe betoni. Po prap ai ishte aty, rezistonte, edhe pse duke u shëmtuar gjithnjë e më shumë. Ishte një simbol i asaj se edhe ne po rezistonim, se pjesa jonë më e mirë, shpresa jonë, po rezistonte, ndonëse po vunte, po tkurrrej e shëmtohej. Në kuptimin simbolik më vjen të them se Liqeni jemi ne.
Dëshpërimi i veçantë vjen pikërisht nga helmimi edhe i kësaj shprese, nga konstatimi se edhe ajo u sulmua egër nga e keqja, nga barbaria. Dëshpërimi i veçantë vjen ngase helmimi i Liqenit është simbol i thellimit të paaftësis sonë për ta ndërtuar mirëqënien vetiake pa kafshuar me dhëmbët tanë të helmuar jetën e përbashkët.
Nuk mund të mos më binte në sy në këtë histori heshtja e politikanëve ndaj këtij helmimi. Si ka mundësi që nuk ngritën zërin që të kapen keqbërësit! Si ka mundësi që ata nuk janë kapur ende! Një parandjenjë e keqe më thotë se ata ndjehen shumë më afër me keqbërësit sesa me Liqenin. Përvoja më thotë se duart e tyre dhe duart e keqbërësve që kanë hedhur natën helmin në Liqen janë pjesë e të njëjtit trup të së keqes. Sepse, simbolikisht, liqenin nuk e kanë helmuar thjesht dy tre injorantë. Autorët janë një lukuni njerëzish, të më besoni, që ditën bëjnë fushatë elektorale kurse natën plane për helmimin dhe vrasjen e së mirës në emër të intresave të tyre për para të qelbura dhe kriminale. Është po ajo lukuni që ka mbytur fëmijët në det për para, që krijoi piramidat financiare për para, që bëri 97-tën për para, që hodhi në erë Gërdecin për para, që shkatërroi bregdetin për para, që u ka vënë flakët qendrave historike të qyteteve e bashkë me to kujtesës, për para, që ka betonuar parqet e lulishtet për para. Janë të njëjtët, po po; keqbërësit e Liqenit, në simbolikën e kësaj ngjarjeje, janë pikërisht ata që po helmojnë përditë të mirën dhe të bukurën brenda nesh duke përfshirë edhe të mirën brenda tyre nëse u ka mbetur ndonjë fije bari. Mosndjekja e keqbërësve që kanë helmuar liqenin i bën jehonë në simbolikën e kësaj ngjarjeje marrshimit që po bën përditë e keqja dhe pandëshkueshmëria e saj brenda qënies sonë. Është marshimi i pjesës sonë më të keqe, më barbare që shfaqet ditën me fytyrën e politikanëve, kurse natën me duart e helmonjësve të Liqenit: injorantë deri në dëshpërim, barbarë deri në çnjerëzim. U ngeltë çimentua dhe hidromati, sëbashku me paratë, në fut! - që Liqeni të mund të shpëtojë. (Korrieri, 23 Maj 2009)

Monday, May 18, 2009

E reja e këtyre zgjedhjeve

Cili është dallimi i këtyre zgjedhjeve me zgjedhjet e mëparëshme? Më duket se nëse do të kemi parasysh prioritetet e fushatave të ndryshme elektorale të opozitës dhe mazhorancës, që ndryshe i quajmë edhe "kuajt e betejës" së një fushate elektorale, do të vërejmë se fushata aktuale ka një karakteristikë të vetën që e dallon nga të tjerat e që vlen të merret në analizë.
Le të përpiqemi t'i kujtojmë zgjedhjet që nga viti 1996 për të nxjerrë, sigurisht duke thjeshtëzuar, kuajt e betejës së dy partive kryesore.
Në vitin 1996 kali i betejës së opozitës ishte akuza ndaj Berishës për dhunë e autoritarizëm. Ndërkaq kali i betejsë së mazhorancës ishte (sërisht) antikomunizmi që e kishte sjellë në pushtet më 1991 kombinuar me pretendimin për sukseset e arritura. Dhunimi i votës së lirë ditën e zgjedhjeve provoi akuzat e opozitës, por duke i dhënë fitoren, megjithatë, PD-së.
Një vit më vonë më 1997 opozita e ndërtoi fushatën e saj mbi katastrofën që kishte shkaktuar Berisha me piramidat kurse Berisha mbi kundërakuzën se kishin qenë ata shkaktarët e katastrofës sepse kishin manipuluar politikisht krizën e piramidave në emër të një revanshizmi komunist. Kësaj here njerëzit treguan qartazi me votë përgjegjësit e vërtetë të fatkeqësisë. Më shumë sesa çdo gjë këtë e provoi rezultati i Tiranës ku PD humbi thuajse në të gjitha zonat.
Në vitin 2001 kali i betejës së PD në opozitë u bë akuza për korrupsion kurse kali i betejsë së mazhorancës qe rreziku i kthimit të Berishës që kishte bërë 97-tën. Këto zgjedhje përfunduan me fitoren e socialistëve të cilët arritën të bindin, edhe me ndihmë manipulimesh zgjedhore si Dushku, se korrupsioni i tyre qe rreziku më i vogël.
Pas katër vjetësh përsëri kali i betejës së opozitës ishte korrupsioni i PS dhe përsëri mazhoranca e vuri theksin tek rreziku i kthimit të njeriut që kishte bërë 97-tën. Kësaj here rreziku më i vogël u konsiderua nga zgjedhësit se ishte bërë rreziku më i madh: karta e rrezikziut të 97-tës humbi përpara kartës së korrupsionit të Nanos me shokë. Lidhur me këto zgjedhje duhet kujtuar edhe fakti se në to mori pjesë edhe LSI, një parti që, me ndarjen e saj, ndikoi në humbjen e së majtës. Por le të mos harrojmë se edhe ajo kalin kryesor të betejës në fushatë kishte korrupsionin e mazhorancës.
Në vitin 2009 jemi në një fushatë që ka specifikën e vet që nuk e gjejmë në zgjedhjet paraardhëse. Kjo specifikë qëndron në atë se kuajt e betejës së dy palëve kryesore, ndryshe nga çdo herë tjetër, janë të njëjtë: të dy palët e kanë përqendruar fushatën në akuzat e ndërsjellta për korrupsion të dy liderëve të partive. Nëse do të shfletosh faqet e para të gazetave do të shohësh se opozita akuzon kryesisht Berishën se ka vënë sistemin e korrupsionit në shërbim të pasurimit të familjes së tij, kurse mazhoranca akuzon kryebashkiakun Rama për korrupsion me lejet e ndërtimit, madje ka ngritur për këtë edhe një komision parlamentar që kuptohet se është në funksion të fushatës elektorale.
Historianët që do të vihen pas vitesh të shkruajnë historinë e Shqipërisë të këtyre viteve do të venë në dukje se në fundin e dhjetëvjeçarit të parë ose në dekadën e dytë të tranzicionit problemi kryesor që ka pasur Shqipëria ka qenë korrupsioni i klasës së saj politike. Dhe, duke iu referuar shtypit të kohës, do të venë në dukje akuzat ndaj Berishës për Gërdecin apo rrugën Durrës Kukës dhe akuzat e mazhorancës për kryetarin e Bashkisë së Tiranës e të PS Rama me lejet e ndërtimit. (Në ato vite besoj se provat e vërtetësisë së këtyre akuzave do të jenë shumë më të qarta sesa sot). Dhe, sipas mendimi tim, do të jenë duke thënë të vërteta për të cilat ka prova të mjaftueshme edhe sot. Por nuk di se sa do të arrijnë të dallojnë një paradoks të sotëm brenda këtyre akuzave. Paradoksi qëndron në atë se flitet aq shumë, bërtitet aq shumë për korrupsionin ndërkohë që ai rritet, nuk zvogëlohet. Paradoksi qëndron në atë se ndërkohë që flitet aq shumë kundër tij njerëzit revoltohen aq pak, sikur ta kenë humbur ndjeshmërinë, njëlloj si hundët që nuk e ndjejnë më një erë të keqe pse qimëzat e ndjeshmërisë së asaj ere janë të tejngopura me të. Këto ditë po publikohen dokumente të tjera që provojnë se në Gërdec është i përfshirë i biri i Berishës dhe një pjesë gazetarësh ngrenë pyetjen se si ka mundësi që nuk po ndodh e pabëra, madje, paradoksalisht shtimi i provave që vërtetojnë implikimin e njerëzve të Berishës në Gërdec sikur shton edhe indiferencën e publikut, po t'u besosh sondazheve. Problemi është se hundët tashmë janë krejt të bllokuara sepse mekanizmat e pastrimit të tyre (kam parasysh kryesisht sistemin e drejtësisë) nuk funksionojnë. Problemi është se veshët nuk ndjejnë sepse tashmë po e stërdëgjojnë refrenin e këngës së luftës kundër korrupsionit të luhet përsëritshëm dhe mërzitshëm si një pllakë grmafoni e prishur që rrotullohet në vend, ku mungon finalja.
Do të thoja se indiferentizmi i elektoratit ndaj akuzave të ndërsjellata për korrupsion, ndërkohë që fushatat e dy forcave kryesore janë ndërtuar kryesisht mbi këto akuza, është karakteristika kryesore e kësaj fushate, por edhe e reja e saj në krahasim me fushatat e tjera. Në këtë kontekst ajo që bije në sy në të dy partitë, në ndryshim me vitin 2005, është fakti se, ndonëse ato kanë si kalë beteje denoncimin e korrupsionit, nuk po ndodh ajo që ndodhi në 2005, kur Berisha, që ta kalëronte sa më mirë këtë kalë, e paisi edhe me një "shalë". E kam fjalën për faktin se në premtimet e tij elektorale të vitit 2005 Berisha paraqiti edhe disa projekt premtime të luftës kundër korrupsionit. Kryesori ishte premtimi i dënimit të të korruptuarve që do të realizohej me vendosjen e një prokurori të pavarur që do të hapte dosjet e dukëve dhe baronëve të krimit mbi të cilët kishte fjetur prokurori i athershëm. Por pati edhe premtime të tilla si eliminimi i konfliktit të interesave, që i detyronte kandidatët e tij të mos kishin njëherësh edhe biznese e më the të thashë e, në këtë kontekst, ai premtoi, madje, se edhe madiat do t'i çlironte nga konflikti i interesit që i kishte kthyer në shërbëtorë të pushteteve qendrorë apo lokal. Këto qenë dy shtyllat kryesore do të thoja të projektit që sikur konkretizonin disi ëndrrën e njerëzve për ndëshkimin e të padrejtëve më një anë dhe nevojën për qeverisje me drejtësi më anë tjetër. Kurse tani kuajt janë pa shalë. Pra edhe pse flitet kaq shumë për korrupsionin e kundërshtarit kjo nuk shoqërohet me projekt premtime konkrete se çfarë do të bëhet për eliminimin apo reduktimin e korrupsionit. Nga sa kujtoj dy ishin argumentet kryesore të Edi Ramës kundër fushatës së PD kundër korrupsionit më 2005. E para, se ai po e përdorte korupsionin si kalë pushteti njëlloj sikurse kishte përdorur antikomunizmin - çka sipas mendimit tim u provua si e vërtetë - dhe, së dyti, se korrupsioni nuk luftohej me denoncim e dënime me burg individësh, por me reforma radikale që do ta pamundësonin atë. Tani nuk kemi asnjë lloj projektreforme që do ta luftonte korrupsionin, që sipas meje, do të duhej të ndërtohej rreth premtimeve të pambajtura të Berishës për eliminim e konflikteve të interesave dhe forcimin e pavarësisë së drejtësisë në vendin tonë. Nga sa më rezulton të dy partitë përsa i përket drejtësisë kanë kryer reforma që e dobësojnë pushtetin e drejtësisë përpara pushtetit të partitokracisë së korruptuar dhe, po ashtu, termin "konflikt interesi" nuk e shikoj të artikulohet në fushatën elektorale të dy partive ndërkohë që në praktikë, edhe në fushatë, e shikoj të jetë vetë motivimi i politikës. Shtoj këtu se, sipas meje, edhe fakti që akuzat janë përqendruar thjesht dhe vetëm në akuza ndaj liderëve të partive Berisha dhe Rama vërtetojnë mungesën e programeve serioze antikorrupsion përkundrazi provojnë mosseriozitetin dhe demagogjinë e këtyre akuzave.
Problemi i ndërtimit të projekteve të tilla antikorrupsion nuk është aq i thjeshtë, sigurisht. Korrupsioni në Shqipëri nuk është aspekti negativ i politikës sonë apo edhe i drejtësisë sonë, por është vetë politika, vetë drejtësia jonë. Ai nuk është efekti shoqërues i këtij të ashtuquajturi tranzicion përdrejt shtetit ligjor dhe ekonomisë së tregut, por është vetë ky tranzicion. Kjo e bën të vështirë hartimin e projekteve efikase dhe të besueshme njëherësh, sepse vështirë të ndodhë që autorët e së keqes të bëhen edhe shëruesit e saj. Por kjo s'do të thotë se duhet të reshtim së kërkuari shërimin. Aq më tepër kur, siç na e vërtetojnë edhe partitë me fushatën e tyre elektorale, kjo është sëmundja kryesore prej së cilës vuan shoqëria jonë. Dhe një nga format e ngulmimit tonë për shërim do të thoja se është që në prag fushatash të tilla elektorale të kërkojmë projekte të qarta e bindëse antikorrupsion prej atyre që gjithë ditën akuzojnë njëri tjetrin për korrupsion, ndër të cilët do të përfshija edhe gazetarët e angazhuar në njërën apo tjetrën palë. (Korrieri, 18 maj 2009)

Tuesday, May 12, 2009

Shpresë e ulët për ndryshim

Fakti që ne kemi pasur dhe vazhdojmë të kemi dyshim tek sondazhet tona praelektorale më duket gjëja më e kuptueshme. Do të ishim krejt naivë po të mos kishim dyshim për të mos thënë mosbesim tek to. Jetojmë në një shoqëri ku manipulimi i njeriut nga njeriu është shumë herë më i fortë se sa komunikimi i sinqertë midis njerëzve, ku kush ka në dorë instrumentet e njohjes së të vërtetës rrallë punon për ta njohur e kuptuar sa më mirë atë, por për ta kontrolluar e imponuar atë. Aq më tepër kur kemi parasysh se porositësit e sondazheve janë televizione që, prej kohësh, nuk sillen si pushtet i katërt, por si televizione partiake. Sot vështirë se ka shqiptar që të mos e dijë se Klani është televizon afër Berishës dhe Top Channel afër Edi Ramës, pavarësisht nga përpjekjet që mund të bëjnë gazetarë të veçantë apo rebelët brenda këtyre televizioneve të tregohen objektivë, të pavarur, asnjëanës. Prandaj, kur këta televizone kanë porositur sondazhe, kanë qenë gjithherë të paragjykuar. Dhe rezultatet e sondazheve deri më sot nuk i kanë përgënjeshtruar paragjykimet tona. Paçka se sondazhistët kanë qenë të huaj. Jemi mësuar tashme prej kohësh edhe me përdorimin e autoritetit e kredibilitetit të të huajve për të na mashtruar. Veçanërisht tani, pas kësaj krize ekonomike e financiare të shkaktuar kryesisht nga të ashtuquajturit "djem të artë" perëndimorë, besimi tek kësi djemsh ka rënë në fund të këmbëve.
Ja pse lajmi se sondazhi i Zogbyt, i porositur nga Top Channel, ka nxjerrë një rezultat në favor të PD është një lajm ku më i rëndësishëm sesa fakti që PD del dy pikë mbi PS është fakti se këtë e thotë sondazhi i porositur nga Top Channel, i njohur si pro Rama, i cili ka nxjerrë gjithnjë PS me distancë mbi PD.
Si do ta shpjegonim këtë ndryshim rezultati nga Zogby në prag të zgjedhjeve?
Së pari, nëse do t'i besojmë paragjykimit tonë se sondazhistët nuk kërkojnë të vërtetën, por se si t'u shërbejnë interesave të pronarëve të televizioneve që i paguajnë, nuk mund të mos ngremë dyshimin se mos ka ndryshuar ndonjë gjë tek TOP-i. Mos vallë pronarët janë kapur nga Berisha nëpërmjet ndonjë interesi apo pike të dobët? Duam s'duam këtë pikëpyetje nuk mund ta fshijmë nga truri. Deri tani personalisht, nuk mund të them më shumë se kaq për këtë hipotezë. Më ka ardhur në vesh puna e një telefonie celulare të katërt, por kjo mbetet për tu verifikuar. Këtë mund ta provojmë duke ndjekur në vazhdim edhe lajmet dhe emisionet e Topit që, për hir të së vërtetës, kanë shfaqur herë pas here lëkundje të kësaj natyre, gjithë duke mbetur në krah të Ramës.
Por, sigurisht, nuk mund të mos marrim në konsideratë hipotezën se rezultati shpreh një të vërtetë: që PS gjithsesi ka rënë dhe PD gjithsesi është rritur dhe ta analizojmë atë. (Këtu hyn edhe varianti i ndërmjetëm sipas të cilit, sondazhistët, edhe pse kanë për synim të shërbejnë, nuk mund t'ia fusin ashtu kot fare sepse nesër do të përgënjeshtroheshin rëndë dhe do të humbisnin fare edhe reputacionin e klientelën. Kjo të çon tek hipoteza se, megjithë shërbimin, Zogby nuk mund ta çonte diferencën më të vogël se kaq. Pra diferenca në këtë rast mund të jetë edhe më e madhe.)
Cilat do të ishin arësyet e kësaj zhvendosjeje të rezultatit?
Disa ia atribuojnë këtë hyrjes në NATO, kandidimit në BE, premtimit për viza. Sipas mendimit tim një diferencë e tillë në rezultat, gjithmonë nëse është e vërtetë, nuk mund t'i dedikohet propagandës për hyrjen në Nato dhe as premtimeve të Berishës për central bërthamore, sikurse lexova në ndonjë koment të shtypit. Kam ca më shumë respekt për intuitën e shqiptarëve. Dhe as nuk besoj se ata janë të kënaqur me gjendjen. Sipas meje, në vend të parë të shkaqeve të këtij rezultati do të renditej shpresa e vogël e shqiptarëve për ndryshim. Kur shpresa se forca opozitare mund ta ndryshojë gjendjen është e vogël atëhere elektorati priret të ruajë statuskuonë.
Besoj se ka shumë arësye në favor të idesë se kjo shpresë për ndryshim është e vogël.
Së pari, sepse kemi të bëjmë me një klasë politike të provuar dhe stërprovuar në pushtet dhe gjithherë zhgënjyese. Këtë ia thotë elektoratit edhe vetë Edi Rama: "Kjo është një lojë që 18 vjet e luajnë ata dhe e paguani ju", pa u kuptuar qartë nëse këtë e bën pse ka vërtet iluzionin se njerëzit e ndajnë atë nga klasa politike të cilës i përket apo me idenë "ta hajë kush ta hajë". Sipas mendimi tim, njerëzit këtë nuk e hanë fare. Për më tepër Rama këtë ndryshim të klasës politike, që do të sillte edhe ndryshimin e gjendjes, duket sikur kërkon ta përfaqësojë vetëm vetë sepse figurat që dalin në PS krahas tij ose janë ata të vjetrit ose janë ndoca të rinj që nuk shfaqin asnjë lloj personaliteti të spikatur.
Së dyti, sepse opozita është realisht në pushtet. Mbajtja e Bashkisë në duart e kryetarit të Partisë Socialiste ka qenë një thikë me dy presa. Më një anë, duke patur parasysh lojën politike shqiptare, ajo i duhej Ramës për të mbajtur pranë vetes mjaft lobe biznesomediatike që përndryshe mund ta linin dhe ai do të ndihej, kështu, shumë më i dobët përsa i përket propagandës dhe financimeve. Por, në anë tjetër, kjo s'mund të mos ndikonte në rritjen e mosbesimit të publikut tek forca e tij politike që, në krye të Bashkisë, nuk ka bërë ndryshim në metodat korruptive të qeverisjes shpesh edhe në bashkëpunim me mazhorancën.
Së treti, edhe pavendosmëria e Ramës për lënien e Bashkisë ka ndikuar për rritjen e mosbesimit në ndryshim. Sido që të përpiqet ta justififikëjë Rama moslënien e Bashkisë me gjoja mbajtjen e premtimit banorëve të Tiranës askush nuk bindet dot se kjo nuk ndodh për shkak të frikës së humbjes. Dhe kjo frikë, ndryshe mosbesim në fitore, është transmetuar sigurisht në elektorat sëbashku me forcimin e idesë se, tek e fundit, kësaj kategorie politikanësh i intereson të ruajë llokmat e pushtetit dhe të përfitimit, e jo të sakrifikojë për njerëzit. Në këtë pikë gjithsesi duhet thënë se moslargimi i Ramës nga Bashkia forcon besueshmërinë e sondazhit të Zogbyt.
Një arësye tjetër e shpresës së ulët për ndryshim lidhet me faktin se, me kalimin e viteve, interesat e lobeve të caktuar të biznesit janë bërë gjithnjë e më pak konfliktualë me njëri tjetrin ndërkohë që dihet se janë ata që i kanë përcaktuar kryesisht politikat e partive. Ata, në përgjithësi, kanë gjetur rrugët për të mbrojtur interesat e tyre, cilado qoftë partia që ka ardhur në pushtet. Gjithë në këtë kontekst, kundërshtimet e opozitës ndaj projekteve të Berishës, që janë dukshëm në favor të këtyre interesave e jo të popullsisë së gjerë, janë shumë të zbehta, sa për shkak të lidhjeve të vjetra që ajo ka pasur me këta lobistë aq edhe sepse nesër, edhe në pushtet, do të jetë e detyruar të punojnë për ta. Është folur shumë për Gërdecin si faktor që ka ulur pikët e Berishës. Kjo pjesërisht është e vërtetë, por, nga ana tjetër, megjithëse mediat nuk kanë folur sa e si duhet, njerëzit e dinë mirë se Fatmir Mediut apo të birit të Berishës vetëm rastësisht u plasi në duar Gërdeci sepse protagonisti kryesor i Gërdecit, Delijorgji, do ta kishte bërë fabrikën në Gërdec edhe sikur në Ministrinë e Mbrojtjes apo në Kryeministri të kishin qenë miqtë e tij socialistë. Mungesa e vullnetit për t'i shkuar deri në fund të vërtetës që përfaqëson fenomeni Delijorgji, jo vetëm nga PS, por edhe nga partnerët e rinj të saj, që hynë në politikë me kartën e luftës kundër klasës së vjetër të korruptuar politike, siç është grupimi 99 i Erjon Velisë, nuk kalon pa u vënë re tek elektorati.
Këto janë disa nga arsyet pse, sipas mendimit tim, elektorati ka pak shpresë që opozita do të sillte ndyshimin që ai pret, çka shpjegon edhe rezultatin e Zogbyt.

P.S. Ndërkaq nuk di të them se në ç'mënyrë po ndikon rreziku i thellimit të krizës ekonomike tek ky elektorat. Me një fjalë në cilën forcë politike ka ai më shumë besim se do ta menaxhonte më mirë perspektivën e një ndryshimi për keq të gjendjes për shkak të krizës. Përshtypja ime është se jemi pak të informuar për këto rreziqe që, nëse ekzistojnë, na mbahen të fshehta edhe për shkak të zgjedhjeve. Prandaj nuk besoj që rezultati i Zogbit të reflektojë gjë në këtë drejtim. Vetëm nëse do t'i kthehemi sërisht dyshimit tek Zogby e të hamendësojmë se për këto rreziqe Rama është i informuar sëbashku me këshillën që është më mirë të mos e marrë sesa ta marrë pushtetin qendror. Por kjo është një hipotezë shumë largvajtëse që e futa si poshtë shënim në këtë shkrim më shumë për ndershmëri ndaj lexuesit, përderisa e mendova, e jo pse besoj në të. Mbetem i bindur se politikanët shqiptarë, e veçanërisht ata të tipit Rama Berisha, nuk hyjnë kurrsesi në kategorinë e politikanëve largpamës, përkundrazi bëjnë pjesë ndër ata që nuk e kanë hedhur kurrë ndonjëherë vështrimin përtej hundës së pushtetit të tyre e se ky lloj politikani, nga ana tjetër, është produkt i një klase ekonomike po aq dritëshkurtër që praktikon vetëm stilin e biznesit "kafsho e ik". (Korrieri, 11 maj 2009)

Friday, May 8, 2009

E ardhmja e shamisë

Para disa ditësh mora në postën elektronike një e-mail që autori ua kishte drejtuar edhe shumë adresave të tjera. Përmbante thirrjen për nënshkrimin e një peticioni që do ta detyronte gazetën Panorama dhe autorin e një shkrimi të saj "të kërkojnë falje publike për shkrimin denigrues dhe fyes mbi muslimanët shqiparë." E-mailit i ishte bashkangjitur edhe shkrimi në fjalë sëbashku me tre shkrime polemizues me të.
Meqënëse për "shqiptarët dhe feja" kam shkruar mjaft (madje edhe një numër i revistës Përpjekja i dedikohet kësaj teme) u vura ta lexoj përmbajtjen e e-mailit me interes. Për të hyrë në temë lexova së pari shkrimin e autorit që quhej Andis Gjoni. Ishte një përzjerje shkel e shko e frymës ultra të djathtë të librit " Krenari dhe mllef " të Orajana Fallacit mbi rrezikun islamik për qytetërimin evropian me frymën vetorientaliste të elitës shqiptare të shndrruar nga nacional komuniste në nacional - evropianiste sipas të cilës të gjitha të këqijat na kanë ardhur nga Lindja (që na ka prurë edhe ferexhetë) dhe dalja në Perëndim është shpëtimi ynë. Fillonte me një përshkrim fantapolitik: "E imagjinoni dot një ditë kur Tirana të jetë e mbushur me gra të mbuluara me perçe të zeza, kur nuk do shohësh më asnjë femër në rrugë, por vetëm hijet e tyre që do lëvizin si fantazma. Do të kujtoni se jeni në Teheran, por jo, do jeni në Tiranë." Autori ngulmon se është dritëshkurtësi të mendosh se nuk jemi përpara një rreziku të tillë, të cilit, sipas tij, do t’i dalë tymi dhjetëvjeçarë më pas. Ai madje mburret se ka guximin të flasë kundër këtij fenomeni për të cilin të tjerët nuk guxojnë të flasin duke na paralajmëruar se, nëse nuk duam të kthehemi në kohën kur na pushtoi turku, duke mohuar tërë sakrificat e prindërve tanë, duhet t'i çojmë në Teheran ata që duan të venë shamija.
U vura pastaj të lexoj shkrimet e tjerë që ishin një i Blendi Kajsiut një i Agim Baçit dhe njëri që nuk e kishte autorin me titull "Shami dhe tanga".
Kajsiu ngulmonte në tezën se sistemi ynë arsimor nuk vuan nga rreziku islamik, por nga "mungesa e cilësisë në mësimdhënie, mungesa e motivimit të studentëve dhe pedagogëve, mungesa e respektit të ndërsjellë mësues–nxënës, mungesa e infrastrukturës, mungesa e mësuesve në zonat rurale dhe periferike, numri i lartë i studentëve në klasë, korrupsioni, e kështu me radhë." Sipas tij " Frika se mos vajzat dhe djemtë e rinj mund të ‘indoktrinohen’ me Islamin na ka verbuar ndaj indoktrimit të tyre konstant me ‘vlera’ që nga egoizmi ekstrem dhe deri tek mungesa e respektit për tjetrin. Kështu ndërsa merremi me shamitë e vajzave islamike harrojmë ferexhenë tonë islamofobike që na mbulon sytë."
Agim Baçi në polemikën me autorin e shtrin debatin jashtë vendit: "Autori përmend Francën… por … debati për shaminë është zgjidhur në vende si Gjermania, Britania, Amerika, Norvegjia, ku, edhe pse emigrantë, myslimanët kanë fituar të drejtën publike të shamisë… edhe në administratën e Presidentit amerikan, Obama, ka punonjës që shkojnë në punë me shami."
Ai i kujton Gjonit gjithashtu se debati për veshjen e vajzave të besimit Islam "ndryshon kryekëput në një vend si i yni, ku myslimanët janë vendas, janë shumicë dhe se prej shekujsh kanë ushqyer tolerancën fetare."
Shkrimi tjetër i kundërvihet vlerave mbizotëruese në shoqërinë e sotme shqiptare përsa i përket veshjes së grave dhe vajzave në emër të vlerave të moralit fetar musliman. Ai thotë se "atje ku hyrite e femres ekspozohen për popullin e jo për partnerin është normale që të duket jashtëtokësore dhe abstrakte të mbulosh bukuritë e trupit, ti ruash vetëm per shokun e jetës, sepse në shoqërinë tonë të jesh i droguar je trendy, të shkosh në shkollë me taka dhe minifunde je shik dhe në hap me kohën, të injorosh prindët dmth. pjekuri dhe pavarësi, ndërsa të jesh i moralshëm dhe i devotshëm dmth. të jesh tribal, patriarkal, malok dhe taleban, ku asnjëra nga këto epitete realisht s'ka lidhje me moralin."
* * *
Pasi lexova të katër shkrimet vendosa të mos e nënshkruaj peticionin për një arësye shumë të thjeshtë: sepse mbetem partizan i së drejtës së çdokujt për të thënë mendimin e vet sado egër, vrazhdë apo paditurisht që mund ta thotë. Reshtimi në një batalion njerëzish që do ta detyronin dikë të kërkonte falje publike për mendimet që ka shprehur më duket një akt i rrezikshëm për lirinë e fjalës së atij që mendon ndryshe. Duhet të ruajmë dhe zhvillojmë edhe më tej hapësira për lirinë e shprehjes dhe jo t'i ngushtojmë ato. Lirija jote është edhe lirija ime. Polemika rreth kësaj çështje më duket shumë më e dobishme sesa një peticion që rrezikon ta shuajë polemikën. Prandaj vendosa thjesht të hyj në polemikë.
Për polemikën në fjalë mund të shkruhen e thuhen shumë gjëra. Mbi të gjitha sipas meje duhet thënë se çështjet që ajo përmban janë tejet komplekse dhe të mbarsura me plot kundërthënie, me argumente dhe kundërargumente, prandaj, kur t'i trajtojmë, duhet të ruhemi pikërisht nga prirja se jemi duke thënë të vërtetën e pakundërshtueshme, gjithpërfshirëse, të të gjitha kohërave që është shumë e fortë tek njeriu kur flet për punë besimesh. Në këtë frymë, duke folur për të vërteta konteskstuale dua të bëj vetëm një koment duke i lënë çështjet e shuma që ajo përmban për raste të tjera.
Edhe unë jam i mendimit të shprehur në shkrimin e Kajsiut - që, në fakt, e kam shprehur mëse një herë në shkrime të përparëshme - se rreziqet më të mëdha që ka sot shoqëria shqiptare nuk lidhen me të ashtuquajturin rreziku islamik. Ngulmoj se të merresh me këtë e të "harrrosh" bjerrinën morale ku notojmë si shoqëri, përmbysjen thuajse totale të vlerave - që nga ato fetare deri në ato iluministike, - do të thotë t'u ikësh përgjegjësive intelektuale e qytetare apo ta përdorësh islamofobinë si gjethe fiku për të mbuluar punëra e qëllime të mbrapshta.
Autori i shkrimit të kontestuar flet për një rrezik që do të na shfaqet "pas dhjetëvjeçarësh". Por Shqipëria ka sëmundjet e rreziqet e veta të sotme, të cilat, pa dyshim, po të mos kurohen, do të na çojnë në "zgjidhje"/ rreziqe të tjera nesër. Sipas meje, po të vazhdojmë me rrugën pa rrugë që kemi nisur përsa i përket zhvillimit të vendit rreziku më i madh që na kanoset është kthimi në emigrantë edhe në vendin tonë. Me këtë kam parasysh një lloj disintegrimi edhe më të thellë nga ai që po ndodh sot të shoqërisë, për shkak të paaftësisë për të ruajtur e kultivuar kulturën tonë, gjuhën tonë, ekonominë tonë deri edhe tokën tonë - kjo edhe si paaftësi për t'iu përgjegjur proceseve të globalizimit. Vini re se qysh tani kompanitë kryesore, bankat më të mëdha, aeroporti kryesor, janë në duart e të huajve ndërkohë që shqiptarët nuk janë treguar të aftë të organizojnë asgjë konkuruese gjatë këtyre viteve përveçse (ndoshta) rrjeteve të trafiqeve të drogës dhe prostitucionit duke shkatërrur, nga ana tjetër, ndoshta më shumë se kushdo, burimet e tyre natyrore. Dhe, a nuk jemi në ekonominë e tregut? Në këtë kontekst projektet e politikanëve tanë për ta kthyer Shqipërinë në vendin e parqeve industriale të hidro e termo e eliko centraleve që do të prodhojnë energji për Perëndimin e pasur, të fabrikave të çimentove që do të grryejnë malet e pyjet po për hesap të të huajve do ta thellojnë këtë proces. Së fundi lexova edhe për një plan të Berishës për ta kthyer Gjirin e Vlorës në portin më të madh në Evropë ku, mesa duket, do të shkarkohen kontejnerët që do të shkojnë për në tërë Evropën Lindore. Një projekt i tillë që pasuron një grup politikanësh të korruptuar dhe investitorët e huajt do t'i varfërojë edhe më tej shqiptarët jo vetëm materialisht, por edhe si zhvilim traditash e kulture lokale edhe si pasuri pejsazhike. Ky është projekti që po ecën shumë më shpejt sesa procesi i islamizimit apo kristianizimit të shqiptarëve i shoqëruar me një proces dramatik dekulturimi për të mos thënë analfabetizimi edhe me ndihmën e televizioneve të shumtë komercialë në shërbim të politikanëve dhe grupeve të interesit të sipërpërmendura. Një projekt i tillë dhe jo shamijat - siç thotë autori Gjoni - do ta bëjë Shqipërinë "të pashkelëshme" nga turistët sepse turistët mund të vijnë fare mirë për të parë kisha che xhamija, por jo për të parë qyngje e tymra fabrikash e betonizime të natyrës. Me një projekt të tillë ndoshta Shqipëria do të bëhet vërtet një ditë pjesë e Evropës, por thjesht si një rrugëkalim i saj, si një vend ku Evropa hedh e djeg plehërat, kurse shqiptarët do të bëhen emigrantët e saj edhe në vendin e tyre.
E megjithatë, paradoksalisht, meqënëse shkrimi i Gjonit na fut në fushën e fantapolitikës, ky përfytyrim i zymtë i së ardhmes së shqiptarëve nuk e përjashton mundësinë që të ndodhë një proces kthimi nga besimi fetar, që sot është në fillimet e ringjalljes së vet, në fanatizëm fetar apo më mirë të them në instrumentalizim politik të feve, ndër to edhe të asaj islamike, me tërë pasojat që mund të sjellë kjo në një vend multifetar. Dhe këtu duhet të kemi parasysh se fetë, historikisht, janë instrumentalizuar, jo ashtu kot, për hir të feve në vetvete, por sepse zhvillime të caktuara në kontekste interesash të caktuara e kanë nxitur këtë proces. (Le të kujtojmë psh. se kur ishin pjesë e Perandorisë Osmane ebrej e muslimanë, të krishteterë ortodoksë e katolikë, të grupeve të larmishme etno gjuhësore, sa në Ballkan aq edhe në Lindjen e Mesme, kanë jetuar relativisht në paqe e harmoni fetare për disa shekuj derisa erdhën zhvillimet nacionaliste, shpesh të nxitura edhe nga interesa të Fuqive të Mëdha, që sollën, bashkë me disintegrimin e Perendorisë edhe aq shumë luftra e urrejtje midis të njëjtëve popuj duke e shndrruar ndër të tjera besimin fetar në urrejtje fetare.) Sipas gjykimit tim, në kontekstin aktual shqiptar, fanatizmi fetar dhe instrumentalizimi i fesë do të mund të vinin (nëse nuk vjen disintegrimi) bash si rezultat i rrugës së mbrapshtë që kemi nisur, duke na provuar edhe nj herë atë thënien "ekstremet puqen". Do të vinin pra, si reaksion ndaj kësaj rruge dhe si rrjedhojë e pashmangëshme e saj. Si reaksion mbrojtës sepse kthimi tek feja dhe vlerat e saj morale mund të jetë një nga mënyrat e reaksionit ndaj degradimit moral në rritje të shoqërisë, veçanërisht korrupsionit dhe polarizimit korruptiv. Me këtë rast përsëris çka kam shkruar edhe herë tjetër se, edhe në vende të botës muslimane me tradita laike, një nga arësyet e kthimit të fesë si faktor i rëndësishëm social politik ka qenë reagimi ndaj regjimeve të korruptuara. Edhe talebanët, aq të përmendur në shkrimet në fjalë si rrezik për lirinë, erdhën për herë të parë në pushtet falë korrupsionit të politikanëve që morën pushtetin në Afganistan pas luftës me BS. Po ashtu besimi fetar është rivlerësuar në mos instrumentalizuar në kohën e sotme edhe si nevojë për identitet e komunitet në një botë të individualizuar nga globalizimi ku individi ndjehet gjithnjë e më i vetmuar dhe më i shfrytëzuar. Edhe si reaksion ndaj formave të reja të neokolonializmit.
Dihet gjithashtu se fanatizmi fetar është një sëmundje infantile e besimeve fetare ngase i lidhur ngushtë me paditurinë ashtu sikurse dihet se instrumentalizimi i fesë është i lidhur ngushtë edhe me dëshpërimin e thellë shoqëror dhe me mungesën e dritës në fund të tunelit. Ajo çka thotë Kajsiu për gjendjen e shkollave tona, që është aq e vërtetë, nuk mund të çojë veçse në padituri ashtu sikurse sistemi i krimit në pushtet nuk mund të çojë veçse në varfëri dhe dëshpërim.
Në këto kushte, gjithë duke tentuar të bëj një fantapolitikë provokuese, ashtu si shkrimi që u bë shkas i këtyre rradhëve, nuk është pa gjasë të ndodhë pikërisht ajo që parashikon Gjoni. Pra që ndërkohë që elita shqiptare në pushtet predikon Naton, Perëndimin, Jezu Krishtin e Nënë Terezën si fe pushteti duke grabitur e varfëruar edhe në emër të tyre shumicën e shqiptarëve, muslimanizmi të fillojë të bëhet gjithnjë e më shumë "feja e të varfërve", që mund të instrumentalizohet nesër edhe politikisht, për të përmbysur këtë elitë. (Korrieri, 7 maj 2009)


Thursday, May 7, 2009

Kurba e rritjes dhe kurba e mirëqënies

Fjala "rritje" ka qenë një nga më të përdorurat gjatë këtij tranzicioni. Kohët e fundit ajo u bë edhe objekt debatesh të nxehta paraelektorale midis mazhorancës dhe opozitës. E para u përpoq ta rriste shifrën e treguesit të saj për këtë vit kurse opozita, duke iu referuar edhe të dhënave të institucioneve ndërkombëtare, e përgënjeshtroi. Polemika ka mbetur deri këtu. Të dy palët luftojnë t'i mbushin mendjen elektoratit se shifrat e rritjes që japin ata janë të vërtetat, që ai të bindet se ato janë edhe realiteti i gjendjes që ai duhet të përjetojë. Në fakt polemika nuk duhet të mbetej këtu, cilado qoftë shifra e rritjes. Kjo sepse sepse realiteti i të ashtuquajturës rritje ekonomike dhe realiteti i mirëqënies apo cilësisë së jetës së shqiptarëve nuk janë e njëjta gjë.
Studiuesit kanë konstatuar se në vendet e ashtuquajtur në zhvillim, por edhe në vende ku ky zhvillim ka qenë i stabilizuar, kurbës së rritjes, që në përgjithësi ka shkuar në rritje, nuk i korespondon një kurbë paralele me të, e mirëqënies. Të dy kurbat ecin për një kohë paralelisht, por pastaj, ndërkohë që ajo e rritjes vazhdon të ngjitet, kurba e mirëqënies fillon të bjerë duke u ndarë gjithnjë e më shumë nga kurba e rritjes. Ky është një konstatim i njohur sot në botë.
Janë dy shkaqet kryesore të mosecjes paralel të këtyre këtyre dy kurbave. Shaku i parë ka të bëjë me faktin se e ashtuquajtura rritje, që ndryshe e quajnë edhe zhvillim, në të shumtën e rasteve, edhe në botën më të zhvilluar, është bërë në kurriz të prishjes, në terma afatgjata, të cilësisë së jetës. Ndotjet e ambjentit, çimentifikimet, urbanizimet e stërmëdha janë aspektet më të dukshme të kësaj prishjeje të cilësisë së jetës, por nuk janë vetëm ato.
Një faktori i dytë i rëndësishëm i ndarjes së kurbës së rritjes me atë të mirëqënies ka të bëjë me faktin se rritja matet me shumën e përgjithshme të prodhimit të të mirave apo fitimeve. Por, nga ana tjetër, pasurimi që sjell kjo rritje nuk shpërndahet tek të gjithë njëlloj. Rezulton se kjo rritje kryhet në fuksion të pasurimit gjithnjë e më shumë të një grushti të vogël njerëzish në kurriz të numrit të të varfërve që shtohet.
Shqipëria përbën një ndër shembujt më dramatikë të ndarjes së këtyre dy kurbave, në të dy aspektet e sipërpërmendura.
Urbanizmi që ka ndodhur në Tiranë dhe Durrës e në hapësirën midis tyre, patjetër që është futur në shifrat e rritjes. Dhe, deri në një farë pike, mund të konsiderohet se edhe kurba e mirëqënies ka ecur deri diku paralele me të, përderisa jo pak njerëz përmirësuan kushtet e strehimit të tyre të lëna në gjendje të mjerë nga diktatura, u punësuan apo edhe ndërtuan shpresa të së ardhmes. Por shumë shpejt rritja e përbindëshme e kaosit urban nëpërmjet, dyndjeve të pakontrolluara, mungesës së planeve rregullatore dhe dendësisë së ndërtimeve ka bërë që kurba e mirëqënies së këtyre njerëzve të vijë duke zbritur. Ajri i parespirueshëm i Tiranës, mungesa katastrofike e hapësirave të gjelbëra, e hapësirave publike në përgjithësi, sëbashku me shtrenjtësimin e jetës sot janë vetëm disa nga treguesit e padiskutueshëm të uljes dramatike të cilësisë së jetës që ka prodhuar rritja.
Edhe ajo që ka ndodhur në plazhet e bregdetit, me ndërtimet dhe çimentifikimet e papara, është futur në kurbën e rritjeve ekonomike kurse, në të vërtetë, prej kohësh tashmë dihet se ato e kanë çuar poshtë e më poshtë kurbën e cilësisë së jetës.
Nuk po hyj këtu në shkatërrimin e "llukseve" të tilla si kujtesa historike e qyteteve, e pasurive arkitekturore, e pejsazheve rreth tyre. As në fenomenet e rritjes së numrit të kancereve e të sëmundjeve të tjera të lidhura me ndotjet ambjentale.
Nga ana tjetër nuk ka pikë dyshimi sot se një pjesë e rëndësishme e kësaj rritjeje është kryer në funksion të pasurimit të një pjese të vogël të popullsisë e në kurriz të mbetjes në varfëri, për të mos thënë në gjendje shfrytëzimi të egër, të të tjerëve. E, përsa i përket kurbës së cilësisë së jetës, mund të thuhet se, në një kuptim më të gjerë, kjo rritje jo vetëm se ka ulur cilësinë e jetës së shumicës së varfër, por, në terma afatgjata, paradoksalisht, ka ulur edhe cilësinë e jetës së të pasuruarve. Kjo sepse ata nuk jetojnë dot në një ishull. Ata do të jenë gjithnjë e më të rrethuar e kërcënuar nga kriminaliteti e me rradhë. Në këtë kontekst duhet shtuar se në Shqipëri ai që mund të quhet pasurim i një grushti njerëzish nuk ka shkuar paralel me investimet publike ndërkohë që cilësia e jetës nuk mund të përmirësohet në një vend ku shërbimet publike janë në nivelet më të ulta. Mjafton të kesh parasysh, për këtë, nivelin e mjerueshëm të shkollave publike dhe spitaleve publike.
Edhe efektet e emigrimit të shqiptarëve mund të thuhet se kanë ndjekur ligjësinë e dy kurbave që vijnë duke u ndarë. Nëse në fillim emigrimi ishte një faktor i rritjes, por edhe i cilësisë së jetë, sa më shumë kalon koha aq më tepër ai e humbet aftësinë e tij për të përmirësuar mirëqënien e njerëzve në Shqipëri. Në rastin e emigrimit, me kalimin e kohës, edhe efekti i tij në kurbën e rritjes vjen duke u ulur do të thoja, por kurrsesi njëlloj me ujen e cilësisë së jetës. Një grusht emigrantësh të pasuruar edhe mund ta mbajnë nivelin e kurbës së rritjes disi më lart, por efekti i shumicës do të vijë duke u zbehur përsa i përket kurbës së mirëqënies. Shkaqet janë të shumtë: që nga fakti se nëpërmjet emigrimit, në terma afatgjata, vendit i humbasin njerëzit më të aftë e më me energji, e deri në atë se, me rritjen e kostos së jetës në Shqipëri, shumat që mund të sjellin emigrantët bëhen gjithnjë e më të pamjaftueshme.
Por Shqipëria ka edhe shkaktarë të tjerë specifikë të ndarjes dramatike të kurbës së rritjes me kurbën e mirëqënies. Ajo që quhet "rritje" në një sasi të konsiderueshme ka ardhur në Shqipëri edhe si pasojë e ekonomisë kriminale të pastrimit të parave të pista të trafiqeve të drogës e të prostitucionit. Mirëpo efektet shkatërrimtare të kësaj ekonomije, përsa i përket uljes së cilësisë së jetës, janë të shumtë. Së pari, një rritje e tillë në vend të meritokracisë zhvillon krimokracinë duke helmuar krejt atmosferën politike shoqërore të vendit, krejt sistemin e vlerave të shoqërisë. Së dyti, ajo investohet kryesisht në rrugët më të lehta të pastrimit të parasë si restorantet, hoteleritë, ndërtimi duke mos zhvilluar një ekonomi vërtet prodhuese, një zhvillim harmonik e të gjithanshëm të vendit. Duke qenë e fshehtë, e padeklaruar, e paformalizuar një ekonomi e tillë, në terma afatgjata, e frenon zhvillimin duke e mbajtur ekonominë të mbërthyer në kthetrat e krimit Ajo rrit polarizimin. Ajo kap politikën, korrupton drejtësinë, policinë, duke ndërtuar sistemin e pandëshkueshmërisë.
Janë fenomene që shqiptarët i jetojnë përditë dhe ata e dinë më mirë se kushdo se sa ua kanë ulur cilësinë e jetës materiale dhe shpirtërore, paçka se ka të huaj që, duke gjykuar vetëm nga niveli i ndërtimeve në Tiranë apo i restoranteve, habiten me nivelin e lartë të rritjes në Shqipëri.
Sipas gjykimit tim pas 18 vjetësh ecje në këtë drejtim ndarja midis kurbës së rritjes dhe asaj të mirëqënies ka arritur nivele dramatike e rrezikon të bëhet edhe më dramatike me krizën botërore të ekonomisë që po ul edhe kurbën e rritjes. Planet e Obamës për të orientuar zhvillimin e mëtejshëm të SHBA në drejtim të projekteve ambientaliste janë një alternativë që synon të zvogëlojë këtë diferencë midis dy kurbave edhe në vende që janë shumë më të ndërgjegjësuar se ne për këtë problematikë. Edhe sfida e politikës shqiptare do të duhej të ishin projektet për zvogëlimin e kësaj diference në zhvillimet e ardhshme të vendit. Mirëpo ajo që bije në sy në këtë fushatë elektorale është mungesa e këtij ndërgjegjësimi nga forcat politike. Kampione e kësaj miopie është partia në pushtet. Projektet e saj janë të tilla që ndarjen midis kurbës së rritjes (pavarësisht nga pjerrësia që do të marr ajo) dhe kurbës së mirëqënies do ta thellojnë edhe më. Çimentifikimi i vendi me parqe industriale dhe energjitike e me fabrika çimentoje (të gjitha thuajse kryesisht si investime të vendeve të zhvilluara evropiane për ekonominë e tyre jo atë shqiptare) i përmban fort të dy aspektet e ndarjes dramatike të të dy kurbave. Së pari ato do të prishin në terma afatgjata ambjentin në mënyrë thuajse të paripareshme duke e varfëruar Shqipërinë në burime jetësore të qëndrueshme. Së dyti, çka është po aq dramatike, ato nuk do të pasurojnë vendasit, por të huajt. Shqiptarët në këtë projekte më së shumti do të gjejnë një vend pune të përkohshëm të paguar si në vendet me krah të lirë pune, kurse përfitimet do të shkojnë për pasurimin e të huajve që do të investojnë. duke u hequr shqiptarëve dhe fëmijëve të tyre mundësinë e shfrytëzimit nesër të burimeve të tyre tokësore, energjitike, turistike, pejsazhistike e me rradhë.
Përballë kësaj situate opozita është thuajse inekzistente sepse ndan të njëjtën kulturë politike me mazhorancën dhe është e kapur nga të njëjtët grupe interesi shqiptare dhe të huaj. Ndonjë premtim i Ramës atje këtu për kthimin e shqiptarëve në fermerë apo denoncimi i idesë së termocentralit bërthamor në Shkodër nuk mjafton assesi për të na bindur se ajo ka një projekt alternativ ndaj atij të Berishës. Aq më tepër po të kemi parasysh se, kur vijnë në pushtet, forcat tona politike harrojnë premtimet që bëjnë për shumicën pikërisht pse janë në shërbim të asaj pakice që për pasurimin e vet kurbën e rritjes e orienton krejtësisht në dëm të kurbës së mirëqënies e të cilësis së jetës së shumicës. (Korrieri, 30 prill 2009)