Wednesday, June 24, 2009

Gjethet pa trung dhe trungu pa gjethe

Një urbanist italian duke dashur t'i shpjegonte një audience që nuk e kishte vizituar Tiranën se si paraqitet ajo nga pikpamja urbanistike përdori një metaforë që më mbeti në mendje. Përfytyroni - tha - një pemë përplot me gjethe, por pa trung dhe pa degë. Si urbanist që ishte e kishte fjalën për morinë e ndërtimeve që janë kryer pa u ndërtuar më parë infrakstruktura rrugore e gjithë hapësirat e tjera publike që e bëjnë një qytet të jetojë në mënyrë organike. Por për mua kjo është një metaforë që na jep jo vetëm nga pikëpamja vizuale kaosin urban që jetojmë përditë, duke nisur që nga Bathorja e deri në qendër, por edhe një realitet më të brendshëm të strukturës sonë ekonomike: atë të kakofonisë së zhvillimit tonë dhe se sa e vështirë është mbijetesa e “gjetheve” njerëzore në këtë lloj peme përçude.
Ky krahasim mu kujtua këto ditët e fundit teksa po përjetojmë një projekt për të cilin kam përshtypjen se, ndryshe nga për të parin, është folur vetëm në mënyrë pozitive, por i cili, sipas meje, është, në një farë mënyre, ekstremi tjetër i pemës pa trung e pa degë.
E kam fjalën për kultin e rrugëve kombëtare që është ngritur në apogje me rrugën Durrës - Kukës dhe që më duket se po përmbyt premtimet elektorale të Berishës si prioritet i prioriteteve të katër vjetëve të ardhshëm. Po flitet për një autostradë të ngjashme me atë të Veriut në Jug, për një tunel që do të shpojë mespërmes malin e Krrabës e do të na e bëjë Elbasanin lagje të Tiranës, për rrugën e Arbërit e plot e plot të tjera premtime kësisoj. Nuk e di, por, duke patur parasysh rrugën Durrës - Kukës dhe duke imagjinuar disa të tjera si ajo teksa ndërtohen këto katër vjetët e ardhshëm, mu shfaq imazhi i përkundërt i figurës së gjetheve pa trung: ai i një Shqipërie që, nëse në bregdetin e saj i shëmbëllen pemës me gjethe, por pa trung, në pjesën e saj të brendëshme kërkon t'i shembëllejë një peme ku ka trung e degë, por jo gjethe.
Një debat i madh është bërë mbi rrugën Durrës -Kukës përsa i përket asaj se sa korrupsion ka pasur atje kundër retorikës patriotike nga ana tjetër. Por të dy palët, sikur të mos ishte akuza e opzitës për vjedhje, do të ishin plotësisht entuziast për të. Fakti është se ajo është propozuar nga Majko dhe po konkretizohet nga Berisha. Problemi është se ndërkohë që kemi pasur me superbollëk retorikë patriotike, nga një anë, dhe akuza për korrupsion, nga ana tjetër, nuk kam gjetur asnjë analizë serioze ekonomike që t'i bëjë bilancin ekonomik kësaj rruge. Me fjalë të tjera që të na thotë se sa ia ka vlejtur barra qiranë, sikurse thotë populli. Sipas ç’kam dëgjuar lart e poshtë “qiraja” e saj është më shumë patriotike sesa ekonomike dhe, nëse do të flitet për avantazhe ekonomike këta duhen llogaritur pas njëzet vjetësh, thonë.
Po nxitoj të shpjegohem në mënyrë që ndonjë patriot nga ata që kanë një thes me fjalë patriotike në krahun e djathtë dhe një thes me korrupsion në krahun e djathët të mos e lerë leximin e shkrimit deri këtu. Me këtë nuk dua të them se vendi nuk ka nevojë për rrugë dhe as që nuk ka nevojë për një rrugë si Durrës - Kukës apo për një autostradë të Jugut. Rrugët janë vërtet një element i rëndësishëm i zhvillimit, por, nëse mund ta çoj më tej metaforën, do të thoja se një zhvillim normal i vendit do të duhej të ishte ai i rritjes ashtu si pema ku rritja e gjethnajës pra, rrit trungun, degët e rrënjët e pemës kurse këto, nga ana tjetër, ushqejnë gjithnjë e më mirë gjethnajën dhe frutat. Kurse çka është vënë re në mënyrë dramatike gjatë gjithë këtyre viteve është pikërisht mungesa e një zhvillimi të tillë E kam shumë të vështirë të bindem psh. se shuma kolosale e parave të investuar për rrugën/trung Durrës – Kukës nuk do të kishte qenë më e efekshme sikur psh. (për të mbetur në Veri) të investohej për rigjallërimin e Veriut të braktisur nëpërmjet stimulimit të investimeve atje të bujqësisë, blegtorisë, turizmit, agroturizmit, pyllëzimit etj. sigurisht në harmoni me ndërtimin e rrugëve/degë të reja në këto zona. Kam parasysh se psh. në Dukagjin, për të shkuar nga një fshat në tjetrin, duhen ende deri tetë orë më këmbë.
Mungesa e një zhvillimi të tillë organik ka ardhur për shkak të mungesës së hartimit nga klasa jonë politike të planeve strategjika afatgjata në të mirë të vendit, nëpërmjet specialistësh dhe në diskutim të hapur me njerëzit. Nga sa kam dijeni, edhe kur ndonjë i tillë është hartuar, e ka sabotuar vetë klasa politike. Kjo sepse asaj i ka ardhur më për shtat lënia e vendit në duart e një spontaniteti kaotik. Dhe kjo sepse kaosi i ka volitur pasi ajo e ka vënë politikën në shërbim të interesave të veta dhe të një pakice që vendin e ka parë dhe vazhdon ta shohë si një lopë që e shfrytëzon në mënyrën më barbare. Deri më 1997 ky spontanitet kaotik prodhoi ekzodin masiv, shfrytëzimin barbar të burimeve natyrore si pyjet, kontrabandën e naftës dhe si pikë kulminante pati piramidat financiare – duke pasuruar nga ana tjetër një grusht njerëzish. Nën udhëheqjen e socialistëve kjo filozofi, edhe pse më e sofistikuar sesa ajo e piramidave, prodhoi hipertrofinë e industrisë së ndërtimit me gjethnajën pa trung e pa degë. Pasojat e kësaj gjethnaje kanë qenë katastrofike. Me këtë nuk kuptoj thjesht mungesë rrugësh, sepse do rrugë edhe janë bërë, por grumbullimin e thuajse tërë popullsisë në pellgun Tiranë – Durrës, mungesën e tërë infrastrukturës normale të ujit të dritave, pengesën që ka sjellë kjo për zhvillimin e diversitetit ekonomik, mungesën e investimeve në arsim dhe shëndetësi për të mos folur për shkatërrimin e bregdetit, lumenjve apo pejsazhit.
Tani rrezikohemi nga një projektpremtim që i mshon ndërtimit të super rrugëve dhe investimeve të të huajve në Shqipëri në formën e termo e hidro e eliko centraleve, fabrikave të çimentos dhe parqeve industriale, si dhe kthimit të gjireve të Vlorës, Durrësit dhe Shëngjinit në porte gjigante . Nuk është e vështirë të imagjinohet se ky projekt e kthen Shqipërinë tamam në një udhëkalim për të huajt, në një copë trung e degë në fuksion të ushqimit të gjetheve tjetërkund. Nëse me gjethe do të kuptojmë cilësinë e jetës atëhere gjethet e frutat e këtij trungu do të jenë në Perëndim ku njerëz më të mençur kanë mësuar tashmë të këqijat e aventurës së industrializimit të shfrenuar. Realizimi i plotë i projektit të Berishës për Vlorën psh. rrezikon t’i bëjë vlonjatët të marrin këmbët e të shkojnë ku të munden sepse atje do të bëhet e vështirë edhe mbijetesa e shëndetëshme e jo më të bëhet fjalë për turizëm e agroturizëm e peshkim e jetë në harmoni me natyrën. Aty do të mbeten vetëm dokerët e argatët e tjerë të të huajve. Realizimi i plotë i këtij projekti do ta shndrronte Shqipërinë nga Zvicra e Evropës, sikurse ëndërrohej nga rilindasit, në vendin më të ndotur e më të pabanueshëm të Evropës. Një trung pa gjethe pra. Duket se ky projekt i Berishës, përveç shkaqeve që lidhen me korrupsionin, me nevojën e mbështetjes nga të huajt për ruajtjen e pushtetit ka lindur edhe si rezultat i ndërgjegjësimit se industria e ndërtimit që lulëzoi në epokën e socialistëve nuk ka më të ardhme sepse numri i ndërtimeve të kryera e tejkalon shumë nevojën e shqiptarëve, ndërkohë që vendi ka nevojë për punësim. Përballë këtij projekti duket më normal ai i PS që thotë se prioritet i saj do të jetë bujqësia dhe turizmi. Mirëpo edhe ky nuk ka asnjë lloj artikulimi të plotë e të detajuar që të bëhet bindës. Ai nuk shqërohet me denoncimin me forcë të projekteve të Berishës dhe aq më pak të të huajve që fatkeqësisht po bëhen edhe ata protagonistë të këtij projekti. Socialistët duket sikur më tepër synojnë të shfrytëzojnë për efekte elektorale ndjeshmërinë e banorëve për të bërë, pastaj, të njëtën gjë, siç bëri edhe Berisha me Vlorën kur denonconte petroliferat dhe premtonte Vlorën turistike. Aq më tepër që projekti për bujqësi e turizëm i PS bije ndesh me megaprojektet e kryebashkiakut Rama për superndërtime të tjera në Tiranë e që do të arrijnë deri bashkimin e Tiranës me Durrësin.
Shkurt, sipas gjykimi tim programet elektorale të dy partive kryesore që presupozohet se do të marrin pushtetin reflektojnë vazhdimësinë e qëllimshme të spontanitetit kaotik që mban vendin në gjendje xhungle ku mbijeton e forcohet më i forti. Rezultati i tyre nuk mund të jetë veçse lloji i pemëve për të cilat fola më lart: me gjethe pa trung dhe me trung pa gjethe, që janë, si të thuash, devijime gjenetike, zhvillime tumorale vrasëse apo qënie monstruzoe nga ato që nuk mund të mbijetojnë. (Korrieri, 22 qershor 2009)


Monday, June 22, 2009

Zgjedhjet evropiane dhe Shqipëria

Zgjedhjet për në Parlamentin Evropian që u mbajtën në vendet e BE këtë muaj kaluan ne Shqipëri thuajse pa u ndjerë - veçanërisht në kuptimin e analizimit të tyre nga këndvështrimi i një vendi që aspiron të bëhet pjesë e BE. Kam përshtypjen se do të kalonin kështu edhe sikur të mos ishim në periudhën e tam-tameve të fushatës sonë elektorale pasi ne vazhdojmë të jemi shumë të izoluar në informacion dhe në përgjithësi kulturalisht përsa i përket asaj që ndodh, në Evropë. Por fushata sikur e injoroi krejt kësaj here lajmin, duke treguar, më anë tjetër, në mënyrë edhe më groteske se, kur bëhet fjalë për Evropën, politika jonë mjaftohet me përdorimin e saj në mënyrë fetishizuese për të manipuluar publikun Të vetmet reagime që më kanë rënë në sy kanë qenë ato të shtypit pranë PD ku mbizotëron “lajmi” se meqënëse e djathta fitoi në Evropë ky është një ogur i mirë edhe për të djathtën shqiptare më 28 Qershor. Tek tuk në shtyp mund të gjeje ndonjë artikull të huaj mbi këtë temë ndër të cilët më tëhoqi vëmendjen një shkrim i një gazetari të El Mundos, ribotuar në Standart, i cili kishte si ide qendrore atë se Evropa ia besoi zgjidhjen e krizës ekonomike të djathtës. Ndërkaq vendin e analizave mbi Evropën e zenë, me germa të mëdha, parrullat elektorale mbi lëvizjen “me viza” apo “pa viza” nëpër Evropë, fatkeqësisht pa më të voglën përpjekje për t’i lidhur këto me ndonjë analizë të këtij rezultati zgjedhjesh.
Të paktën për të ditur se ku jemi dhe ku po shkojmë besoj se këto zgjedhje meritonin të diskutoheshin shumë më seriozisht sepse rezultati i tyre, fitorja thuajse gjithkund e së djathtës, nuk është pa domethënie për ne dhe të ardhmen tonë evropiane. Për të mos u zgjatur më me hyrjen, më duhet të them se, sipas gjykimit tim, për fat të keq, dëmethënia e zgjedhjeve parlamentare evropiane të këtij viti nuk është hiçasfare ogurmirë për ne, qofshim të djathtë apo të majtë, e kjo jo thjesht në kuptimin e vizave.
Përse nuk është ogurmirë? Nga të gjitha analizat serioze që i janë bërë rezultatit të zgjedhjeve evropiane rezulton se një nga shkaqet kryesore që ka përcaktuar fitoren e së djathtës është e ashtuquajtura “çështje e sigurisë”. Dhe me këtë togfjalësh nuk kuptohet tjetër, por mbrojtja e qytetarëve evropianë nga rreziku i të huajve si puna jonë. Një shprehje figurative shumë e përdorur nga gazetarët perëndimorë në analizimin e strategjisë elektorale që e çoi të djathtën në fitore është “kalërimi i frikërave” të vendasve nga të huajt. Në Itali një nga fletushkat elektorale më të turpshme që më ka rënë në dorë në prag të zgjedhjeve parlamentare ishte ajo e Lega Nord në të cilën u thuhej italianëve: “Nuk do të përfundojmë si indianët”, “Po vijnë tanët” dhe më poshtë kishte një foto me tre katër policë me pendrekë në dorë. Eshtë domethënëse që kjo parti arriti kësaj here një rezultat rekord në historikun e saj: mbi 10%. E njëjta gjë ka ndodhur edhe në shumë vende të tjera evropiane ku ai që quhet ekstremi i djathtë, me programe të hapura raciste kundër të huajve, ka pasur një rritje të ndjeshme.
Përtej manipulimit që bëhet me këtë çështje duhet pranuar se qoftë emigracioni klandestin, qoftë ai i ligjshëm qoftë edhe futja në BE e vendeve si Rumania apo Bullgaria, me lirinë e lëvizjes që ka sjellë kjo futje, ka krijuar jo pak probleme për mirëqënien dhe sigurinë e evropianëve në vendet e tyre. Megjithatë problemi i problemeve është qasja ndaj zgjidhjes së këtyre problemeve. E, në këtë kontekst, është i njohur fakti se e majta dhe e djathta ideologjikisht kanë dy qasje të ndryshme, ndonëse kohët e fundit janë afruar shumë njëra me tjetrën duke u bërë gjithnjë e më pragmatike. Gjithsesi, dallimet mbeten. Qasja e së djathtës është më konservatore, çka do të thotë se ajo priret më shumë ta refuzojë ndryshimin që sjell emigracioni apo integrimi i vendeve të reja në Evropë, kulturalisht ajo është për asimilimin e të huajve; ajo mbështetet gjithashtu në mjetet e forcës, në dëbimin e emigrantëve klandestinë apo kufizimin e mundësive për ata legalë, Ndërkaq, krahët më ekstrme të saj kanë qasje të forta nacionaliste që po bëhen gjithnjë e më raciste. Qasja e së majtës, përkundrazi, e pranon më shumë ndryshimin në emër të progresit, kulturalisht ajo është më shumë për pranimin e diversiteteve si pasurim, thekson më shumë anët pozitive që sjell emigracioni dhe futja në BE e vendeve të tjera, i mshon më shumë mikpritjes, punësimit dhe arsimimit sesa dëbimit e kërbaçit të policisë.
Kuptohet se, duke patur parasyh këto dy qëndrime, fitorja e së djathtës merr një domëthenie negative për ata si ne që jemi vend emigrantësh, që aspirojmë të qarkullojnë lirshom në BE dhe të bëhemi sa më shpejt pjesë e saj. Çështja e sigurisë nga të huajt, si kalë beteje i politikës së djathtë perëndimore, nuk është një çështje që ka të bëjë thjesht e vetëm me emigrantët e rregullt apo klandestinë. Ajo ka të bëjë edhe me programet që e djathta ndërton mbi të ardhmen e pranimit në Evropë të shumë vendeve që nuk kanë hyrë ende. Dihet se një pjesë e mirë e së djathtës evropiane gati e ka shprehur hapur pendimin për futjen e Rumanisë dhe Bullgarisë në BE dhe, në përgjithësi, në projektet e së djathtës ka shumë më tepër skepticizën ndaj projektit të zgjerimit evropian. Projektet e së djathtës evropiane e vonojnë antarësimin e vendeve të ndryshme dhe, për më tepër, një pjesë e rëndësishme e të djathtës në pushtet ka shprehu hapur refuzimin për hyrjen në BE të një vendi si Turqia.
Besoj se do të ishte miopi e madhe nga ana jonë të mos e shihnim këtë realitet e të mos kuptonim se, me fitoren e së djathtës, na shtyhen edhe më larg shpresat për një integrim në Evropë – pa përjashtuar se me zhvillimet e paparashikuara të krizës ekonomike në një perspektivë më të keqe edhe mund të na bllokohen për një kohë shumë të gjatë - dhe po ashtu se emigrantëve shqiptarë, me një fitore të së djathtës, do t’u vështirësohet jeta edhe më.
Le të vijmë tani tek kriza ekonomike dhe ideja e gazetarit të El Mundos se Evropa po ia beson të djathtës zgjidhjen e krizës. Këtu, në fakt, ka një paradoks sepse të gjithë analistët kanë arritur në përfundimin se një nga shkaqet kryesore të krizës ka qenë trajektorja neoliberiste, e djathtë pra, që mori ekonomia; “laiser faire” që solli humbjen e kontrollit të tregut nga shteti duke provuar, njëkohësisht, se tregu nuk mund të vetërregullohet, por ka nevojë për kontroll. Fakti është se reformat që po bëhen sot për të dalë nga kriza janë reforma me frymë kejnesiane, me një fjalë të majta. Pra fakti që shtete perëndimore si Anglia po nacionalizojnë banka për të dalë nga kriza apo që në SHBA Obama po shton investimet publike tregon se partitë e majta do të ishin më të favorizuara për zgjidhjen e krizës. Madje SHBA, zgjodhi një president të majtë mu për shkak të krizës dhe programi i tij shpëtues – pavarësisht nëse do t’ia dalë apo jo - është majtas. Atëhere si ka mundësi që Evropa ia beson krizën të djathtës?
Përsëri, kur të analizojmë shkaqet e kësaj zgjedhjeje – që nuk se janë një i vetëm dhe ndryshojnë nga vendi në vend – nuk mund të mos i rikthehemi edhe një herë çështjes së të huajve. Duke analizuar ngritjen e jashtëzakonshme të Lega Nord nuk mund të mos të të bjerë në sy se kjo parti, sidomos në Veri, ku ka zonën e saj më të suksesëshme, ka marrë shumë vota të punëtorëve italianë që kanë qenë vota të së majtës italiane. Shkaku është shumë i thjeshtë: një nga premtimet kryesore të Legës është se vendet e punës dhe jo vetëm, por edhe strehimi e shkollimi etj. do të jenë më së pari për italianët. Kriza ekonomike ka rritur edhe konfliktin midis punëtorëve vendas dhe punëtorëve të huaj përsa i përket vendit të punës. Një nga arritjet më të mëdha që reklamoi Lega në fushatën elektorale ishte fakti i ndalimit më në fund të klandestinëve që arrinin në ishullin e Lampeduzës nga brigjet e Afrikës Veriore ndonëse aktivistët e të drejtave të njeriut kthimin e afrikanëve në Libi, ku i fusin nëpër kampe burgje, e denoncojnë si shkelje të të drejtave. Pra ndërkohë që në SHBA, ku kemi një shoqëri emigrantësh, multikulturore, multiraciale që arriti të zgjedhë për president një të zi, zgjidhja e krizës i është lënë demokratëve që janë si të thuash qendra e majtë amerikane, në Evropë janë nacionalizmi e racizmi, në trajtën e frikës ndaj të huajve, që kanë diktuar më së shumti zgjedhjen djathtas edhe përsa i përket krizës.
Çështja e sigurisë e ka çuar edhe të majtën evropiane më djathtas. Në fakt edhe Spanja e Zapateros, që njihet si një i majtë i thekur përsa i përket disa prej temave kryesore të së majtës, ka hartuar ligje për dëbimin e klandestinëve që aktivistët e të drejtave të njeriut i quajnë të turpshme.
I gjithë ky realitet që ka sjellë në pushtet partitë e djathta në Evropë, sikurse duket qartë, nuk ka asgjë të ngjashme me realitetin shqiptar. Shqipëria nuk është një vend i kërcënuar nga emigrantët, por një vend emigrantësh. Fitorja e të djathtave në BE do të thotë vështirësi më të mëdha jetese për këta emigrantë, do të thotë edhe më pak mundësi ndihmash për në Shqipëri, do të thotë vonesë për qarkullimin e lirë në vendet e BE dhe, me siguri, do të thotë edhe vonesë për hyrjen në Evropë. Nëse mund të flitet për kërcënim të Shqipërisë kur flitet për raportin e saj me vendet e BE ai mund të vijë nga përdorimi prej tyre i Shqipërisë për politika të tipit neokolonialist që synojnë të shfrytëzojnë terrenin shqiptar për të realizuar ato projekte që nuk i realizojnë dot në vendet e tyre (e kam fjalën për parqet industriale, petroliferat, fabrikat e çimentos, termocentralet me qymyr etj.) Dhe këto (përsëri) mund të inkurajohen më shumë nga qeveritë e djathta perëndimore sesa ato të majta, pasi ato janë më të prirura për të parë çdo gjë thjeshtë në prizmin e ekspansionit të kapitalit të vendeve të tyre dhe më pak të ndjeshme ndaj problemeve të ambjentit.
Për gjithë sa thashë dhe për plot arsye të tjera që nuk shterohen dot në këtë shkrim mendoj se fitorja e së djathtës në këto zgjedhje evropiane duhet marrë shumë më seriozisht nga ç’merret në Shqipëri ku mazhoranca s’bën tjetër veçse na tund para syve premtimin iluzor të lëvizjes pa viza në Evropë kurse opozita i kundërpërgjigjet duke thënë thjeshtë e vetëm se kjo është një gënjeshtër që do të bëhej e vërtetë vetëm sikur të vijë ajo në pushtet. (Korrieri, 18 qershor 2009)

Thursday, June 11, 2009

"Zonë e Ndaluar" bëhet zonë e ndaluar

Kur ne gazetarët kemi thënë, madje shumë shpesh, se zgjedhjet janë një test për demokracinë kemi patur parasysh kryesisht konfliktet midis partive politike: se sa, pra, maxhoranca e opozita janë në gjendje të luajnë ndershmërisht, të mos përdorin dhunën, të mos fusin duart në kutitë e votimit, të pranojnë humbjen etj., etj. e se sa, më anë tjetër, institucionet shtetërore që kemi ngritur, si Komisioni i Zgjedhjeve apo policia, janë në gjendje të ushtrojnë kontroll mbi to në emër të një loje të ndershme e të drejtë që garanton edhe shprehjen sa më besnike të interesave të elektoratit
Duke folur për këtë test ne gazetarët kam përshtypjen se kemi harruar të vemë në dukje sa duhet edhe faktin se zgjedhjet janë një test demokracie edhe për vetë mediat. Në fakt, ashtu sikurse për partitë, ato janë një test nga ato që, po të huazojmë një term nga mjeksia, quhen "me ngarkesë", ku trupi vihet në një provë të sforcuar për të parë se si reagon. Kjo pasi në momente zgjedhjesh emocionet e pushtetit e të interesave të lidhura me të ngrihen në shkallën më të lartë duke bërë që, në vende ku mungon kultura e demokracisë dhe institucionet që garantojnë atë, tensionet të rriten jashtë mase dhe lufta politike e ideve dhe programeve të degjenerojë në luftë për jetë a vdekje midis personave apo klaneve të njërës palë apo tjetrës. Në vende të tilla, fatkeqësisht, media në vend se të jenë kontrolluesit e denoncuesit e këtyre fenomeneve, në vend se t'i tematizojë tensionet, apo lojërat e paprincipta bëhet pjesë madje edhe protagoniste nganjëherë të lojës midis palëve me pasoja të rënda për demokracinë.
Po e provon këtë kjo fushatë elektorale në përgjithësi, por e provoi në mënyrën më eksplicite rasti i fundit i pezullimit të emisionit "Zonë e Ndaluar" të gazetarit Bushati nga televizioni Klan. Transmetimi i një portreti politik të Edi Ramës, që pritej të pasohej nga një portret i Berishës dhe Ilir Metës në "Zonën e Ndaluar", është konsideruar si "zonë e ndaluar" nga pronari i TvKlan Frangaj. Kjo, pas shumë gjasash sepse jemi në prag të zgjedhjeve dhe, në klimën e krijuar të rreshtimit të televizioneve me skuadrat e partive politike dhe jo si arbitër të tyre, një zë që del jashtë interesve të palëve në lojë prish punë.
Problemet që ngre ky rast nuk janë të reja. Janë probleme që kanë të bëjnë me sistemin mediatik që ne kemi ngritur dhe defektet e shumta që ai ka shfaqur qysh nga koha kur është krijuar e deri më sot, por që, do të thoja, sot kanë hyrë në një stad më të rëndë degradimi. Rasti Bushati tregon se si sistemet që nuk janë ngritur mbi parime të shëndosha degjenerojnë gjithnjë e më shumë me kalimin e kohës. Është vaçanërisht kuptimplotë ky degjenerim kur ke parasysh se Bushati ka qenë një ikonë e televizonit Klan, kur ke parasysh se historia e tij në Klan, sëbashku me Frangajn, Fevziun dhe Shkullakun është jo vetën historia e një partneriteti, por edhe e një miqësie. Kemi të bëjmë, pra, jo vetëm me degradimin e një profesionalizmi, por edhe me degradim të raporteve njerëzore, fenomen ky që po e helmon dita ditës e më shumë shoqërinë shqiptare në përgjithësi e pjesën e saj publike në veçanti. Sot vështirë të gjesh midis njerëzve publikë shiptarë një të vetme miqësi të sinqertë, të mbështetur mbi parime dhe ideale të përbashkëta. Gjen gjithnjë e më shumë vetëm klane hipokritësh e intrigantësh që, ashtu si bashkohen ashtu dhe ndahen nga interesa banale xhepi e pushteti.
Po e them që në fillim: ata gazetarë që duan ta venë gishtin thjesht e vetëm mbi TvKlan në këtë histori nuk do të bëjnë gjë tjetër veçse aktin e strucit. Fakti është se Bushati kishte mbetur një ndër të vetmit gazetarë televizivë, që mund të bënte një emision kritik edhe ndaj Ramës edhe ndaj Berishës edhe ndaj Metës njëherësh - çka, për mua, do të thotë pavarësi ndaj tyre dhe kritikë ndaj sistemit politik (edhe mediatik) që kanë ngritur këta njerëz tash 18 vjet që janë në pushtet. Dhe fakti që kjo ndodhte në TvKlan, sipas mendimit tim, vinte për disa arësye që ndoshta, me largimin e Bushatit, mund të konsiderohen tashmë të zhdukura në krejt mediat tona televizive. Një nga këto arësye është se Frangaj, Fevziu, Bushati, Shkullaku kanë pasur gjithsesi një lidhje më të fortë me gazetarinë si profesion sesa ata pronarë mediash që, qysh në momentin kur e kanë nisur një media, e kanë nisur duke kalkuluar fitimet në bizneset e tjera që do tu sillte ky investim. Në një farë kuptimi, pra, e kaluara e kohës kur gazetaria shihej si pasion më shumë sesa si biznes, si dhe kontributi i tij i jashtëzakonshëm në Klan i jepte të drejtë Bushatit të mos e konsideronte veten thjesht si një rrogëtar në mëshirë të pronarit Frangaj, siç, për fat të keq, e shohin tashmë veten thuajse të gjithë gazetarët në mediat tona, por si një gazetar në kuptimin më të mirë të kësaj fjale, që do të thotë i pavarur nga pushteti dhe i varur vetëm në bindjet e veta.
Fakti që një gazetar si Bushati është një racë gazetarësh në zhdukje duhet t'i bëjë të rimendojnë ata që kanë folur për progres të mediave, duke iu referuar faktit se mediat kanë thënë shumë të vërteta për korrupsionin e qeverisë apo të Bashkisë së Tiranës. Kjo sepse, sipas mendimit tim të shprehur shumë herë, ata ngatërrojnë, me vetëdije ose pa, dy gjëra që janë shumë të ndryshme me njëra tjetrën. Një gjë është të thuash gjysmën e së vërtetës në emër të interesave të partisë së pronarit tek i cili punon dhe një gjë krejt tjetër është ta thuash të gjithë të vërtetën në emër të interesave të publikut. Një gjë është të kritikosh vetëm politikanët e një gjë tjetër është të kritikosh politikanët dhe oligarkët (ndër ta edhe pronarët e mediave) me të cilët ata bashkëpunojnë. Është një ndryshim gati i barabartë me ndryshimin midis së mirës dhe së keqes. Kjo fushatë elektorale është ndër më të këqijat në këtë kontekst dhe flet dukshëm për atë që më sipër e quajta degjenerimi i sistemit mediatik që kemi ngritur.
Rasti Bushati duhet të shtyjë të gjithë aktorët e jetës publike shqiptare, politikanët më së pari, gazetarët më së dyti, biznesmentë që duan të merren me media së treti, të riformatojnë sistemin mediatik shqiptar. Lidhur me këtë nevojë reformimi le të veçoj tre probleme që më duken themelore e që janë ngritur prej kohësh, por që i shoh ende të pazgjidhura:
Së pari, edhe një herë del problemi i famshëm dhe i pazgjidhur i konfliktit të interesave në mediat tona private. A mundet që media që mbijetojnë në sajë të lidhjeve me pushtetin politik t'i bëjnë kritikën këtij pushteti në emër të interesave të publikut? Deri tani përvoja ka provuar se dëmi që ka pësuar publiku nga kjo lloj mediaje ka qenë më i madh se përfitimi.
Së dyti, edhe një herë ngrihet problemi se kush i bën dhe kush duhet t'i bëjë politikat editoriale në një media, pronari apo gazetari? A është e drejtë që politikat editoriale t'i përcaktojë një pronar i vetëm, dhe, aq më keq, në mënyrë të kushtëzuar nga interesat e bizneseve të tij? A kemi apo nuk kemi ne një ligj që, pikërisht për të evituar arbitraritetin e një pronari të vetëm, kërkon më shumë se dy pronarë në mediat televizive? Është thënë e stërthënë, duke iu referuar përvojave të mediave në vendet demokratike, se midis pronarëve dhe gazetarëve duhet të ketë borde që përcaktojnë politikat editoriale e që mbajnë përgjegjësi për to. Pse partitë politike, ato në pushtet dhe ato në opozitë nuk kërkojnë që ky ligj e këto norma të respektohet jo thjesht formalisht (kur kjo ndodh), por edhe praktikisht (që s'ndodh asnjëherë)? Pse KKRT, autoriteti që ka detyrën për të ushtruar kontroll mbi zbatimin e këtyre ligjeve e normave në media është një institucion i vdekur?
Së treti, edhe një herë shtrohet problemi i raportit të publikes me privaten në mediat tona private. A ka privati të drejta absolute mbi çka bëhet në pronën e tij mediatike kur, në fakt, shërbimi që ai bën është një shërbim publik dhe bëhet nëpërmjet mendjes së personave të tjerë që janë gazetarët, kur ai merr një pjesë të taksave të të gjithë qytetarëve në formë reklamash, kur ai përdor frekuencat që janë edhe ato publike, kur ai edhe ambjentet ku punon i ka në prona publike të dhëna me qirara krejt të lira në raport me çmimet e tregut mu pse konsiderohet se po bëhet një shërbim publik etj.? Paratë e taksapaguesit shqiptar që shkojnë për mediat e që na mbajnë nivelet më të larta në Evropë të shpenzimeve për celularët tanë (e jo vetëm) nuk janë paratë e Sali Berishës as të Edi Ramës e as të pronarëve të televizioneve, por paratë e të gjithë shqiptarëve, që kanë nevojë dhe të drejtën që ato para të përdoren në mënyrë sa më të dobishme për ta në këto media. Pse ndodh ky shpërdorim? Pse në supermarketin gjigand të medive shqiptare gjen thuajse vetëm mallin skarso të politikës së keqe shumë të keqe, manipulimin në vend të informimit, shformimin në vend të formimit, banalitetet politike të mbushura me gënjeshtra dhe mashtrime në vend të së vërtetës?
Për fat të keq gjithë këto probleme të sistemit tonë mediatik (e të tjera si ato të Televizionit Publik që është një skandal i madh më vete), që janë jetike për demokracinë, nuk figurojnë asfare në programet elektorale të asnjërës parti në këto zgjedhje. Kjo flet shumë për shkaktarët dhe përgjegjësit kryesorë të kësaj gjendjeje, politikanët, për të cilët këto media na ftojnë të votojmë. Për fat të keq sa më shumë kalon koha aq më shumë shohim se këta poltikanë i konsiderojnë dhe trajtojnë mediat dhe gazetarët e tyre thjesht dhe vetëm si instrumente në shërbim të tyre dhe, kush nuk e pranon këtë rol, futet në zonë të ndaluar. Kur kjo i ndodhi Bushatit, që ka investuar një jetë të tërë në gazetari, mund të thuhet se sistemi ka shkuar drejt fundit përtej të cilit s'ka më ku të shkohet, por, prej ku duhet të fillojë edhe ringritja. Një ringritje që duhet ta bëjnë vetë gazetarët më së pari të cilët duhet të kuptojnë se kondicioni ku ata janë katandisur i bën një shembull depersonalizmi dhe tredhjeje intelektuale dhe shpirtërore që dekurajon gjithë shoqërinë. U takon atyre, më së pari, të krijojnë në media "zonën e ndaluar" në mbrojtje të profesionalizmit dhe dinjitetit të tyre njerëzor dhe profesional, në mbrotje të së vërtetës që të ribëhen edhe protagonistë të një ringjaljeje të vlerave të gjithë shoqërisë. (Korrieri, 11 qershor 2009)

Friday, June 5, 2009

Mediat dhe miza e uthullës

Para disa ditësh më qëlloi të mësoj për një eksperiment që bëhet në laboratoret e gjenetistëve me mizën e uthullës të cilës, në gjuhë shkencore i thonë drosophila e që në shkollë na e kanë shqipëruar në drosofilla. Për ata që nuk e njohin: është një mizë e vogël, shumë e bukur me kokë të kuqe, trup të verdhë dhe bisht të murrmë. I pëlqejnë shumë ambjentet me lagështirë e të ëmbla dhe është një nga më të përdorurat në eksperimentet shkencore pasi ka aftësinë të shumohet shumë shpejt.
Pak a shumë eksperimenti konsistonte në vendosjen e tufës së mizave të drosofilllës përpara një bananeje e cila (banania) i tërheq shumë ato për shkak të ëmbëlsisë së saj. Synimi i eksperimentit ishte studimi i aftësisë memorizuese të drosofillës. Për këtë, në mes të rrugës për tek banania, drosofillat i nënshtroheshin një elektroshoku. Dhe kjo punë përsëritej. Drosofillat vendoseshin përsëri e përsëri përpara bananes dhe gjithherë, në rrugë e sipër për tek banania, i nënshtroheshin elektroshokut të beftë. I gjithë eksperimenti konsistonte në atë që të veçonte drosofillat që zhvillonin një kujtesë të elektroshokut, të cilat, pra, arrinin të bënin një lidhje midis rrugës drejt bananes dhe elektroshokut, me drosofillat që, megjithë elektroshoket e pësuara një herë e dy herë e tre herë, përsëri nuk arrinin që nuk arrinin ta zhvillonin këtë kujtesë. Të parat, mbas një farë kohe të përsëritjes së goditjes me elektroshok nuk e merrnin më rrugën për nga banania, kurse të dytat shkonin që shkonin tek banania. "Reinforced Memory" quhej ekperimenti në anglisht, dmth. kujtesë e përforcuar apo përforcim i kujtesës. Nëpërmjet tij, mesa kuptova, studioheshin pastaj mekanizmat e kujtesës.
Nuk di se si, por, kur mësova për këtë eksperiment, mendja më bëri një lidhje automatike mendimi me fushatën tonë elektorale të fundit dhe mediat si transmetuesit e saj kryesorë. Le ta shpjegoj. Po të vesh re elektoratin tonë, që po bombardohet në mënyrë të vazhdueshme dhe, sipas meje, të pamëshirëshme nga kjo fushatë, atë fare mirë mund ta ndash në dy kategoritë në të cilat i ndan drosofillat eksperimenti i gjenetistëve: në elektoratin pa kujtesë dhe në elektoratin me kujtesë, Drosofillat pa kujtesë janë pra, ato që zakonisht në gjuhën gazetareske i quajmë elektorati besnik. Është ai që ka votuar gjithnjë PS-në, edhe kur ishte Ramiz Alia edhe kur ishte Fatos Nano edhe tani që është Edi Rama si dhe ai që ka votuar përherësisht PD me një lider të vetëm, Berishën. Sado që të bjerë elektroshoku i mediave mbi këto drosofilla, ato nuk e ndrrojnë drejtimin. Sikurse kuptohet, po të kishte vetëm drosofilla kësisoj, nuk do të kishte nevojë të harxhonim gjithë ato lekë për fushata elektorale. Por është edhe kategoria tjetër, më e vogël, që ka aftësinë të ndrrojë rrugë për shkak të kujtesës së elektroshokut. E kuptoni pra: e gjithë fushata bëhet për capak drosofilla të ashtuquajtura me kujtesë. Të gjithë elektroshoket me sistemin e memories së përforcuar bëhen për to. I keni parë se sa herë jepen në mediat tona historitë e Gërdecit, rrugës Durrës - Kukës, Shkëlzenit, Argitës. A e keni parë, nga ana tjetër, se si përsëriten e stërpërsëriten lejet e ndërtimit me të cilat ka korruptuar gjysmën e dynjasë Rama. Elektroshoke pafund. E gjitha bëhet për të arritur që disa drosofilla të kujtohen, më në fund, e të mos e marrin rrugën drejt bananes rozë, por të shkojnë tek banania blu dhe anasjelltaz. Dikush në këtë pikë do të më thotë: zotëri, mediat nuk bëjnë gjë tjetër veçse përpiqen t'u kujtojnë njerëzve elektroshoket që kanë pësuar nga këta politikanë dhe rrethi i tyre. Pse gjë e vogël të duket ty Gërdeci? Gjë e vogël të duken tridhjetë leje ndërtimi për Delijorgjin e Gërdecit? Mirëpo unë e kam hallin gjetkë. Sepse, sikurse thashë, këtu bëhet fjalë për një pakicë drosofillash, ose më shqip mizash uthulle, që konsiderohen inteligjente, me kujtesë. A kanë ato vërtet nevojë për kësi lloj elektroshokësh të fuqishme mediatike? - është pyetja që shtroj. Sepse, sinqerisht, në këto kushte ku jemi katandisur unë e kam të vështirë të them së cila nga dy kategoritë e drosofillave janë më të mënçura: ato besniket që shkojnë gjithmonë tek banania rozë apo banania blu apo ato që çdo katër vjet u duhet të ndryshojnë mendje e të shkojnë nga bluja tek roza apo nga roza tek bluja duke mbetur gjithnjë me gisht në gojë. Këto të dytat do të quheshin më inteligjente sipas disave sepse dinë të dallojnë të keqen, po sipas disa të tjerëve këto mund të quhen thjesht e vetëm drosofilla të çoroditura, për të mos folur për ata që i gjykojnë si krejtësisht budallaqe sepse nuk i janë përshatur këtij ambjenti ku besnikëria ndaj një bananeje të siguron mbijetesën shumë më mirë sesa bredhja nga njëri hu në tjetrin. Unë do t'i quaja të çoroditura. Sepse, pasi e kanë mësuar një herë, më në fund, të lidhin elektroshokun me bananen rozë, tani u duhet të rimësojnë lidhjen e elektroshokut me blunë e të shkojnë tek roza apo anasjelltaz. Kjo është krejt çoroditëse, sepse, ç'dodh me kujtesën e parë? Si i bëhet që ajo të fshihet fare që të reinforcohet kjo e dyta? Elektroshok edhe më i fuqishëm. O burra kush të forcojë elektroshokun mediatik!
Po ç'të keqe ka këtu do të më thotë lexuesi. Fushatat elektorale kështu bëhen edhe në Perëndim: përcaktohen disa prioritete dhe ato përsëriten pafund që të nguliten në mendjen e zgjedhësve. Pastaj, nuk janë vetëm elektroshoket, janë edhe lajmet e mira: ngjyrat që vezullojnë tek bananet blu e rozë, -premtimet do t'i quanim jometaforikisht. Se mos thashë unë se më pëlqejnë fushatat perëndimore. Por problemi që dua të ngre nëpërmjet kësaj metafore - që, si të gjitha metaforat, ka edhe ajo kufizimet e veta - është ai i reduktimit tonë nga qënie njerëzore me arësye që kërkon të kuptojë lidhjen shkak pasojë të fenomeneve në drosofilla që goditen vetëm me elektroshoke pasojash pa u bërë asnjë përpjekje për t'u shpjeguar shkaqet. E kam, pra, me ato media që nuk bëjnë tjetër veçse përpiqen të na bëjë elektroshok që të mos shkojmë tek bananja rozë apo blu, ndërkohë që harrojnë se, ndërkaq, në kujtesat tona të mëparëshme ne kemi mësuar mëse një herë se nuk duhet të shkojmë tek njëra apo tjetra e se logjika e kërkon që, nëse duam të bëjmë një hap evolutiv nga drosofiolla tek njeriu, ne na duhet të kërkojmë rrënjët e së keqes e jo të pësojmë elektroshoke gjithnjë e më të fuqishme nga ato që na e masakrojnë fare trurin. Ne na duhet një rrugë tjetër, pa elektroshoke, dhe, që të kërkojmë një rrugë tjetër, na duhen dy gjëra: së pari një shpjegim se pse ndodh që qoftë tek bananja blu qoftë ajo rozë elektroshokun e kemi të pashmangshm - për ilustrim: pse Delijorgji i Gërdecit pasi u pasurua nëpërmjet lidhjeve me ministrat socialistë dhe lejet e ndërtimit të Ramës arriti fare mirë të bëhet njësh edhe me ministrat (deri të birin) e Berishës - dhe, së dyti, të na mundësohet ndërtimi i alternativave. E pra kjo kërkon më së pari analiza të sistemit që kemi ngritur, kurse ne na bijen mbi kokë vetëm elektroshoke.
Dikush në këtë pikë do të më thotë: qënke çoroditur vërtet përderisa nuk e kupton se kjo s'bëhet për ty, që dashke analiza, por për mizat e uthsullës që e kanë votimin për herë të parë e që kanë nevojë për elektroshoke. Aha, më kishte dalë nga mendja se drosofillat shumohen shumë më shpejt se njerëzit. Po mirë, a nuk mund të ndajnë, të paktën, në lajmet televizive, debatet dhe faqet e gazetave edhe ndonjë hapësirë të vockël, po po të vockël fare, me shënimin "për njerëzit". (Korrieri, 5 qershor 2009)