Monday, July 20, 2009

PS, Rama dhe regjimi “alla Putin”

Në shkrimin me titull “A rrezikohemi nga një regjim ‘alla Putin’” i premtova lexuesit se në shkrimin pasardhës do ta shoh këtë rrezik edhe nga perspektiva e opozitës.

Para kësaj më duhet të sqaroj disi më mirë se çfarë kam patur parasysh me “regjim alla Putin”, pasi një pjesë lexuesish, në komentet që më kanë dërguar, i mshojnë një imazhi të Putinit sipas të cilit ai ka rivendosur autoritetin e shtetit në një Rusi që, në vitet e para të Jelcinit, sundohej nga oligarkët që po plaçkisnin vendin e zhytur në gjendje anarkie. E përsëris, nuk kam parasysh këtë imazh, le ta quajmë pozitiv, të Putinit. Ky imazh, sipas kritikëve të tij gjithnjë e më të shumtë, është i rremë ose, të paktën, gjysëm i rremë sepse, sëbashku me rivendosjen e një lloj autoriteti të shtetit, duke shfrytëzuar edhe strukturat e KGB edhe frymën e nacionalizmit rus e të “lavdisë” së BS së dikurshëm, (që ka çuar deri në një si riabilitim të Stalinit), Putini ka instaluar një regjim autoritar të klanit të tij, të oligarkëve të tij, që ushtron pushtet, të pasfidueshëm nga opozita, edhe mbi bazë korrutive. E kam, pra, fjalën për “gjysmën" e tij më të keqe.

Mendimi im, i shprehur mëse një herë, ka qenë se, cilido të fitonte, Berisha apo Rama, do të përbënte një hap drejt rrezikut të regjimit “alla Putin” pasi shumica e interesave kryesore që diktojnë politikën do të përmblidheshin rreth një dore të vetme. Në shkrimin paraardhës shtjellova argumentet se pse koalicioni Berisha - Meta, megjithë faktin që rezultati i zgjedhjeve nxorri një opozitë të fortë në numër deputetësh, rrezikon të jetë një hap drejt këtij regjimi. Gjithë duke i mshuar idesë se bëhet fjalë për një rrezik që duhet luftuar dhe jo për një fat të përcaktuar tashmë, le të shpreh ndonjë mendim se si e shoh të ardhmen e opozitës në këtë kontekst.

Sot po bëhet një debat i madh nëse duhet të ikë apo jo Rama i lidhur ky me çështjen nëse dështoi ai apo jo.
Shumica bashkohen në akuzën që i bëhet Ramës për paaftësinë e tij për të ndërtuar aleanca më të gjera, veçanërisht me LSI, dhe atë për të mbajtur pranë vetes figura me personalitet e, në këtë kontekst, dënohet hartimi i kodit zgjedhor i bërë enkas për fuqizimin e tij në kurriz të të tjerëve. Personalisht bashkohem me këto akuza, por ndërkaq, ve re se pakkush e ngre çështjen e ikjes apo jo të tij lidhur me atë se çfarë PS do të duhet të ndërtohet tash e mbrapa përtej këtyre dobësive që janë personale të Ramës.

Sipas mendimt tim kemi përpara perspektivën e dy formave të bërjes opozitë. E para është ajo çka është bërë deri më sot nga Edi Rama. Këtë do ta quaja një formë e luftës midis kafshëve të ngjashme që do të kishte si kryeprogram të PS atë që ishte edhe gjatë katër vjetëve më parë: si të ikë Berisha sa më parë. Tjetra lidhet me një reformim, do të thoja mjaft më radikal të PS, në mënyrë që të bëhet një opozitë tjetër prej një partie tjetër nga ajo që ka qenë në kohën e Edi Ramës.

Le t’i marrim në analizë të dy variantet. Lidhur me variantin e parë do të thoja se Edi Rama është një nga ndërtuesit e sistemit që sot e ka në dorë kryesisht Berisha dhe Meta. Duke qenë në pushtet (si njeri i PS) për tetë vjet (1998 – 2005) dhe duke vazhduar të ketë Bashkinë e Tiranës në vitet në vazhdim si opozitë e si kryetar i PS, Rama ka ditur, më shumë se kushdo, të mbledhë rrotull vetes grupe interesi, të blejë inteligjencën kritike, veçanërisht mediat, dhe të bëjë atë politikë populiste për të cilën sot akuzon Berishën dhe Metën. Madje do të thoja se PD-ja e Berishës erdhi gjithnjë e më shumë duke u bërë e ngjashme me PS, përsa i përket strukturimit të pushtetit të saj, duke kopjuar “modelin Rama”. Edhe PD krijoi oligarkët e vet (ose mori një pjesë nga ata që ishin me PS); edhe ajo u lidh me mediat e caktuara private duke u mbështetur gjithnjë e më fort në “bërjen politikë” nëpërmjet televizioneve; edhe ajo ka grupet e veta të interesit historik, nëse mund t’i quaj kështu, por që përbëjnë gjithnjë e më pak masën e votuesve (ish të persekutuarit dhe ish pronarët në rastin e saj); edhe ajo thithi të rinj me universitete jashtë për t’i përdorur si ndryshim imazhi, fatkeqësisht duke i kthyer shumë shpejt në militantë të verbër saqë edhe zëdhënëset që dalin shpesh në televizion duken sikur të jenë bunjake; edhe Berisha, ashtu si Rama, bëri rrugë me një politikë sipas parimit “vjedh po punon”. Kësisoj, Berisha tregoi se, duke patur pushtetin, fare mirë mund të konkurronte me një njeri që dukej i pakalueshëm në bërjen e kësaj lloj politike, Edi Ramën. Ndonëse ka treguar shumë më pak talent se Rama për të promovuar imazhin vetiak jashtë e për t’ua imponuar këtë shqiptarëve brenda, Berisha ka bërë një punë jo të vogël për të promovuar imazhin e qeverisjes së tij jashtë për t’ua imponuar shqiptarëve brenda.

Sipas gjykimit tim t’i bësh opozitë Berishës sot, ashtu siç i ka bërë Rama katër vjetët e parë të opozicionit të tij, dmth, si i ngjashëm, është punë e pasuksesëshme jo vetëm për PS, por edhe për vendin, që nënkupton edhe të ardhmen e PD. Dështimi kryesor i Edi Ramës nuk konsistoi në paaftësinë e tij për të bërë aleanca, si me LSI, por në mungesën e krijimit të një fryme opozitare që do të ngjallte besim se diçka do të ndryshonte realisht në vend përsa i përket sistemit të korrupsionit të instaluar. Është e vërtetë se Rama në fushatën e tij elektorale ka përsëritur herë pas here denoncimin e klasës së vjetër politike që ka parë interesat e veta dhe jo të njerëzve, por dështimi konsiston pikërisht në atë se ai nuk ka mundur të ngjallë besimin se e kishte përnjimend dhe në themel sfidimin e saj. Vërtet ai ka folur për Gërdecin e Berishës, por nuk ka arritur të krijojë besimin se e ka pasur përnjimend çrrënjosjen e “sistemit Delijorgji” që prodhoi Gërdecin. Vërtet Rama ka shprehur, gjatë fushatës elektorale, kundërshtimin e PS ndaj projekteve të fabrikave të çimentos, të teceve me qymyr e të çimentifikimit të vendit me parqe industriale, një formë tjetër kjo e shitjes së interesave të të gjithëve në emër të interesave të klasës politike, por përsëri ai nuk ka arritur të ngjallë besimin se e kishte përnjimend anullimin e tyre sikur të vinte në pushtet. Ky është, sipas mendimit tim, dështimi kryesor i Edi Ramës. Besoj se edhe zhgënjimi i njerëzve me Berishën e 2005-sës, që, për hir të së vërtetës, ishte shumë më frymëzues në fushatën e tij antikorrupsion të atij viti, ka ndikuar në këtë dështim. Madje, mosbashkimi aq i përfolur me LSI mund t’i kthehej edhe në favor PS, me në krye Ramën, sikur të kishte pasur kurajon ta denonconte edhe Metën si një nga krijuesit e sistemit të korrupsionit e të oligarkisë në pushtet, por ai nuk mund ta bënte dot këtë përnjimend pasi, mu me Metën, ai ka filluar ndërtimin e këtij sistemi. Edhe refuzimi i Nanos do të bëhej i besueshëm po lidhur me këtë denoncim dhe jo thjesht duke përdorur kundër tij Erjon Velinë apo termin e përgjithshëm “politika e vjetër”. Edhe vetë mosikja e Ramës, kur u bë kryetar i PS, nga Bashkia, për të udhëhequr fushatën opozitare me duar të pastra, ishte tregues i qartë se ai nuk kishte ndërmend të ndryshonte gjë në këtë sistem.

Nuk mohoet se etja e stërmadhe e Ramës për pushtet vetiak ose, me fjalë të tjera, paaftësia për t’u ulur në tryezë me personalitete që nuk kanë adhurim absolut për lidershipin e tij, ka ndikuar për mosarritjen e një fitoreje pragmatike, por, sipas mendimit tim, një fitore e tillë, në bashkëpunim me LSI, nuk do të ishte tjetër veçse fitorja e një partie simetrike me PD, pra nuk do të sillte ndryshim të vërtetë në vend. Madje edhe tre deputetë më shumë që mund t’i sillnin fitoren koalicionit të tij, nuk do të ngjallnin kurrsesi besimin tek një frymë ndryshimi, për të cilën njerëzit janë aq të etur.

Në kontekstin e rrezikut të regjimit “alla Putin”, parë nga perspektiva e opozitës, do të thoja se, nëse PS nuk do të reformohet, por do të bëjë opozitë ashtu siç u bë gjatë këtyre katër vjetëve, me Ramën apo pa Ramën, ajo rrezikon të dobësohet gjithnjë e më shumë sepse do të braktiset gjithnjë e më shumë nga grupet e interesit që e kanë mbështetur deri tani, ndër të cilët një pjesë do t’i falimentojë Berisha – Meta, kurse një pjesë do të kthehen në ortakë me ta. Edi Rama ndoshta ka disa avantazhe më shumë sesa të tjerët për të vazhduar luftën midis të ngjashmëve, sepse është ai që i ka vendosur dhe kontrollon shumicën e lidhjeve me oligarkët e PS, por, nga ana tjetër, ka edhe disavantazhe jo të vogla sepse sulmet ndaj Ramës me akuzën për korrupsion në Bashki do të bëhen shumë më të forta qoftë edhe thjesht me synimin për t’i shkatërruar këto lidhje dhe për ta mbajtur PS në surdinë. Dhe një PS që humbet nesër edhe Bashkinë e Tiranës edhe bashki të tjera të vendit do të ishte një hap më tej drejt regjimit “alla Putin” dmth. rrezik për demokracinë shqiptare. Kam frikë se Rama nuk është në gjendje t’i shohë këto rreziqe, që janë rreziqe të sistemit që ka krijuar vetë dhe që, për ironi të fatit, janë kthyer kundra tij bash në momentin kur ai mendonte se do të bëhej lideri i tij i vetëm.

Ajo për çka ka nevojë vendi është lindja e një opozite të majtë të vërtetë, më së pari, dhe demokratike brenda saj, më së dyti, e cila duhet të hedhë rrënjët në terren dhe pastaj të rritet, të lulëzojë e të japë fruta. Një opozitë pra që, në një farë mënyre, do të duhet të mohonte shumëçka nga sistemi i politikbërjes dhe i përfqësimit, që kanë ndërtuar liderët kryesorë të së majtës Nano, Meta, Rama e të bëhej udhëheqëse për krijimin e një politike vërtet të re në Shqipëri, që do t’i impononte ndryshime edhe PD-së. Por lindja e një partie të tillë duket shumë ideale. Ndërkaq, a ka mundësi që brenda kësaj PS-je, kështu siç është, të ndryshojë diçka që të mund të quhet një kompromis realist midis asaj që është dhe nevojës për këtë gjë të re? Një PS me Ramën që nuk ndahet dot nga vizioni i pushtetit personal absolut, sipas mendimit tim, nuk premton reformim të tillë. Ndërkaq nuk duket e lehtë të gjesh në krye të PS njerëz për ta sfiduar atë dhe pushtetin e tij në PS. Puna e suksesëshme në një institucion është ajo që, edhe kur ikën drejtuesi apo krijuesi i tij, institucioni mbetet i fortë. Rama në këtë aspekt është nga ata udhëheqës që lenë shkretëtirë pas tij dhe më duket se, paradoksalisht, kjo është forca e tij sot në PS. Dyshoj seriozisht se reformimin në drejtimin për të cilin po shkruaj mund ta bëjë një njeri si Ben Blushi, që flitet se do të jetë sfiduesi kryesor i Ramës dhe nuk besoj se këtë mund ta bëjnë të rinjtë e futur në parti nga Rama. Ardhja e Blushit në PS them se do të ishte më produktive përsa i përket faktit se, duke qenë një figurë jo autoritare si Rama, që e ka shumë më pak të theksuar frymën “o me mua o kundra meje”, mund të lehtësonte bashkëpunimin me LSI, në rast të ndonjë krize të kësaj me PD, apo edhe tërheqjen e atyre që përjashtoi Rama, për të mundësuar kthimin nesër në pushtet duke shfrytëzuar edhe gabimet e mëtejshme të Berishës. Por dyshoj se me Blushin në krye PS do të fillonte ndonjë katarsis brenda saj e do të mund të udhëhiqte një luftë kundër sistemit të korrupsionit. Ndoshta nga ana tjetër, me Blushin, PS do të mund të ishte më demokratike brenda saj dhe ndoshta do të mund të krijonte hapësira për lindjen e figurave të reja që do të mund të sillnin ndryshimin historik për të cilin ka nevojë vendi e që nesër do të nënkuptonte edhe ndryshime në PD e LSI të liderve “alla Putin” që kemi sot. Por, sipas meje, kjo PS do të donte kohë për t’u bërë e majta për të cilën ka nevojë dëshpërimisht vendi sepse kjo nënkupton një projekt më afatgjatë që politikanët shqiptarë të këtij të ashtuquajturi tranzicion nuk e kanë për kulturë e traditë. Përvoja ka treguar se ata e kanë më të lehtë të garojnë me njëri tjetrin në rrugët e mashtrimit e përfitimit vetiak kurse në rrugët e moralit e idealit e kanë shumë të vështirë të shkelin. Por kjo nuk është një arsye për të mos folur për to, përkundrazi. (Korrieri, 20 Korrik 2009)

Read More......

Tuesday, July 14, 2009

A rrezikojmë një regjim “alla Putin”?

Në shkrimet para këtyre zgjedhjeve kam shprehur mëse një herë idenë se Shqipëria po rrezikon të shkojë drejt një regjimi “alla Putin”. E them këtë në kuptimin e konsolidimit të një mazhorance të fortë që kontrollon interesat kryesore të vendit, prandaj edhe politikën, duke pasur përballë një opozitë të dobët dhe të pafuqishme për të bërë opozicion dhe rotacion. Kam qenë i mendimit se cilido të ishte fituesi, Berisha apo Rama, ky rrezik do të ishte shumë i fortë. Është e natyrshme të shtroj pyetjen nëse e vërtetuan këto zgjedhje këtë hipotezë apo ajo rezulton e gabuar. Fakti që elektorati u nda thuajse më dysh mund të na çonë në tezën se nuk na rrezikon një gjë e tillë, pasi opozita do të mbetet e fuqishme, përballë një mazhorance të brishtë. Fakti që në vend të një Berishe Putin kemi edhe Ilir Metën në koalicon me të, që në një farë mënyre, mendohet se do të punojë për të forcuar partinë e tij dhe jo për ta dobësuar, i shtyn disa të mendojnë se ai mund ta kontrollojë sadokudo Berishën, çka le shpresë se regjimi “alla Putin” nuk mund të ndodhë.
Megjithatë gjej jo pak argumente në favor të idesë sime se ky rrezik mbetet i madh. Ve në dukje se kur them “rrezik” kam parasysh se këtë proces nuk duhet ta mendojmë si të determinuar tashmë, si të pashmangshëm, por si një tendencë ndaj të cilës duhet bërë rezistencë, për ta frenuar dhe shmangur. Ndoshta rreziku Putin mund të ishte më i madh me një fitore të Ramës duke patur parasysh se ky do të kontrollonte edhe qeverinë qendrore edhe Bashkinë e Tiranës, dhe se, me një fitore të tij, do të nxirrte jashtë loje edhe Berishën edhe Metën. Por kurrsesi nuk mund të thuhet se vendi nuk e ka këtë rrezik me fitoren e Berishës.
Ka disa tregues për këtë që, sipas meje, i vërtetuan edhe këto zgjedhje dhe zhvillimet pas tyre.
Së pari, do të thoja se ky rrezik buron nga vetë struktura e ekonomisë sonë që dikton edhe politikën. Nëse do të ndjekim rrjedhën e zhvillimeve të vendit këtë dekadën e fundit mund të thuhet se partitë tona politike kanë ardhur gjithnjë e më shumë duke i shëmbëllyer njëra tjetrës. Vërtet kanë mbetur disa ndryshime, që kanë të bëjnë me prejardhjen e militantëve (ku kam parasysh jo vetëm atë klasore, por edhe atë gjeografike), por gjykoj se kjo ka ardhur duke u zbehur në favor të atyre grupimeve brenda partive që kanë qenë edhe mbështetja kryesore e tyre në fushatat elektorale dhe që kanë prirje për transversalitet. Prirja e tyre për transversalitet është provuar tashmë në shumë projekte ku ata kanë bashkëpunuar dhe diktuar kompromise politike, por kalimi i LSI në kampin e PD më duket se është është një vërtetim pa mëdyshje i këtij transversaliteti, për të mos thënë një pikë kulimante e tij.
Së dyti, një tipar tjetër i partive tona, që të çon drejt këtij rreziku, dhe që e ilustroi edhe bashkimi i PD me LSI është ngjashmëria e programeve, ose përafrimi me forcë i programeve në emër të interesave të shprehura në paragrafin më sipër. Sikurse e kam thënë edhe në shkrimin paraardhës fjala “integrim” apo “punësim”, që, sipas liderve të PD dhe LSI, tregojnë programet e përbashkëta, tregon se vërtet në thelb nuk ka programe të ndryshme. Edhe parrulla e hedhur nga Rama “përtej së majtës dhe së djathtës” e që sot po aplikohet (kundër tij) nga Berisha – Meta është tregues e kësaj tendence. Me siguri mund të thuhet se ajo çka u humb me futjen e LSI në koalicion me Berishën është ekzistenca e një partie ku mund të gjenin strehë të gjithë ata që ishin kundra sistemit që kanë ngritur dy të mëdhenjtë. Pra në një farë mënyrë ky gllabërim i LSI brenda PD mund të shihet edhe si një hap i mëtejshëm drejt regjimit “alla Putin”.
Së treti, zhvillimet paraelektorale dhe pas eleltorale treguan se, edhe përsa i përket strukturës së partive, kemi shumë ngjashmëri me udhëheqësinë “alla Putin” në këto parti, me të cilën kam parasysh liderin absolut i cili, edhe kur detyrohet të largohet nga një post, mbetet lideri i vërtetë. Ajo çka vërtetuan këto zgjedhje është akumulimi i mëtejshëm i pushtetit në duart e liderve të partive strukturat piramidale të të cilave duket sikur i kanë humbur edhe më hallkat lidhëse ndërmjet liderit dhe bazës në favor të lidhjes direkte lider - bazë. Ideja e dorëheqjes së liderëve humbësve, që është një nga mënyrat për të krijuar demokracinë e brendëshme në parti, as nuk u shkon ndërmend këtyre liderve, por duket se as nuk ka struktura ndërmjetëse që t’ua imponojnë këtë atyre. Shumë lider partish sot duhet të kishin dhënë dorëheqjen duke përfshirë Metën dhe Ramën, por në vend të kësaj pamë demostrime solidariteti të masave militante për liderin e tyre.
Duke patur parasysh tre pikat që përmenda më lart, dhe, duke u ndalur më së pari tek mazhoranca, a nuk është e drejtë të shtrohet pyetja se pse do të duhen nesër dy parti në mazhorancë dhe jo një e vetme? Ndryshe kjo pyetje mund të shtrohet edhe në formën: A do të ketë LSI të njëjtin fat me atë të PSD së Gjinushit apo të Aleancës Demokratike të Cekës me partinë e Pollos e me rradhë apo edhe atë të një partie që dukej se kishte një identitet të vetin të fortë, PPDNJ, e që tani u katandis me një deputet të vetëm? Për t’i qëndruar paralelizmit me regjimin e Putinit (sigurisht duke thjeshtëzuar) ve në dukje se një nga metodat që ka përdorur Putin për të forcuar partinë e tij dhe pushtetin e tij ka qenë “blerja” e kundërshtarëve duke i futur ata në poste në pushtet. Me fjalë të tjera duke i absorbuar siç vemë re të jenë absorbuar prtitë e vogla në vendon tonë.
Prandaj mendoj se rreziku për të shkuar drejt një regjimi “alla Putin” mbetet i fortë. Në këtë shkrim nuk po merrem me prirjet që ka treguar Berisha për kontrollin e tërë institucioneve të tjera që duhet të funksiononin si garant të kontrollit të pushtetit të tij ekzekutiv e me faktin se është evidente se me fitoren e dytë të Berishës këto insitucione (kam këtu parasysh psh. pushtetin gjyqsor apo edhe vetë insitucionin e Presidentit) do të ndjehen shumë më të dobët për të ruajtur pavarësinë relative që kanë pasur deri dje. Duke patur parasysh edhe këtë fakt duket sheshit se rreziku i një regjimi “alla Putin” bëhet edhe më i madh.
Nuk do shumë mend për të përfytyruar se vazhdimi i këtij procesi të rrezikshëm përqendrimi pushteti do të jetë shkatërrimi i opozitës deri në lënien e saj shumë të dobët. Është i imagjinueshëm një angazhim Berisha - Meta për shkatërrimin e çdo llogoreje kundërshtare apo edhe për larje përfundimtare hesapesh. Them se rritja e kontrollit nga ana e tyre mbi pushtetet mediatike dhe financiare do ta lehtësojë këtë proces. Këtu ngrihet pikëpyetja se çfarë duhet të bëjë opozita në këto kushte. Cili mund të jetë fati i Edi Ramës? Çdo të thotë qëndrimi apo ikja e tij nga PS në raport me rrezikun e regjimit “alla Putin”. Këtë temë po e le ta trajtoj në shkrimin pasardhës. (Korrieri, 13 korrik 2009)

Read More......

Një koment për zgjedhjen e LSI

“Të arta” i quajti deputeti Dritan Prifti katër mandatet që i krijonin LSI-së dy mundësi: për të qenë parti stabilizuese e legjitimuese e mazhorancës së brishtë të Berishës në njërën anë, ose për bashkimin me PS-në në një opozitë që, në mos bllokimin e mazhorancës, e bënte atë aq të brishtë, saqë linte shpresa që opozita të mund ta kthente situatën në favor të saj në një të ardhme të afërt. Duke ndjekur shtypin dhe median në tërësi, nuk mund të mos të binte në sy se e gjithë vëmendja e analistëve, kur tentonin të ndikonin për njërën apo tjetrën nga këto zgjedhje, u përqendrua në ambiguitetin e fjalës “ar”. Në fakt, fjala “ar” ka dy kuptime të ndryshme: ajo përdoret për të vlerësuar gjërat më të shtrenjta në kuptimin shpirtëror, që nga njerëzit e artë deri te punët e arta, por ka edhe kuptimin e fuqisë maksimale të parasë që korrupton gjithçka. Më e njohura në këtë kuptim është simbolika e lopës së artë të hebrenjve në shkretëtirë.
Sigurisht, deputeti Prifti e përdori në kuptimin e parë: ai tha se këta katër mandate do të mund të përdoreshin për të vendosur drejtësinë në Shqipëri, për të imponuar zgjedhje të lira e me radhë, e se mandati i tij do t’i shkonte Berishës me këtë kusht. Po në këtë kuptim e përdorën arin një pjesë politikanësh apo gazetarësh, duke e idealizuar befas Ilir Metën e duke kërkuar prej tij të bëhet zëri i së mirës në këtë vend: një pjesë (ata që mbështesnin PS-në), duke i thënë që të mos bashkonte votën e tij me Berishën, por t’i mbetej besnik fjalës së dhënë majtas dhe një pjesë tjetër (ata të së djathtës), duke i thënë që të mendonte për interesat e vendit, të mos e linte vendin pa qeverisshmëri përpara situatash të vështira që parqet mundësia e thellimit të krizës.
Nga ana tjetër, në të gjithë debatin ndjehej fort edhe kuptimi tjetër i “arit”. Katër mandatet mund të shiheshin edhe si mundësi për t’i “shitur shtrenjtë” ato, duke arritur përfitimin maksimal. Më konkretisht, kjo do të thoshte dy gjëra: përfitime personale të katër deputetëve dhe përfitime maksimale për mbështetësit e partisë që, duke u futur në qeveri me Berishën, do të mund të forconin strukturat e saj, të mbronin bizneset e tyre (ata që i kanë) apo të hapin bizneset e tyre (ata që nuk i kanë) e me radhë.
Këta dy kuptime të arit u trajtuan edhe në kontekstin e asaj se çdo të thoshin këto zgjedhje në terma afatshkurtra dhe në terma afatgjata për LSI-në e Ilir Metën vetë. Ata pranë PS-së vunë në dukje se, duke u bashkuar me Berishën, LSI-ja do të humbiste identitetin, do të humbiste lidhjet me elektoratin, do të humbiste peshën e partisë dhe, për një kohë të shkurtër, do të hidhej në koshin e plehrave nga Berisha. Por ende, Meta që dihet se është njeriu më i rëndësishëm në mbajtjen në këmbë të kësaj partie, do të humbiste përgjithmonë mundësinë e realizimit të ambicies së tij personale, për t’u bërë përsëri njeriu më i fuqishëm i vendit. Një pjesë, duke dashur ta mbanin pranë së majtës, duket se në këmbim ishin gati ta mbështesnin në heqjen qafe edhe të pengesës “Edi Rama”, ambicia e stërmadhe e të cilit konsiderohet si shkaku kryesor i mosbashkimit të PS-së me LSI-në, me rrjedhoja fatale për PS-në. Ky skenar dukej se ishte ai më arndjellësi për Ilir Metën, por ai nuk i hyri kësaj aventure, madje as nuk priti pak më gjatë sa të fermentonte situata për ta marrë vendimin e bashkimit me PD-në. Dikush thotë se ndoshta marrja shpejt e vendimit, paradoksalisht, është pikërisht shenjë se kemi të bëjmë me një vendim të vështirë që, o merret menjëherë, o nuk merret dot. Të tjerë thonë se ky vendim ishte marrë në kokën e Metës që para zgjedhjeve, pasi urrejtja e tij për Edi Ramën është më e madhe sesa ajo për Sali Berishën. Por, gjithsesi, duhet pasur parasysh se ky vendim është marrë edhe duke pasur parasysh se skenari që i premtonte atij udhëheqësinë e tërë të majtës kishte jo pak vështirësi. Vështirësia e parë mbante emrin Sali Berisha (me gjithë trafiqet e kombinacionet që ai mund të bënte, nëse Meta nuk pranonte bashkëpunimin me të) dhe vështirësia e dytë emrin Edi Rama.
Ndërkaq, në debatet mbi këta skenarë bien në sy dy gjëra shqetësuese: së pari, se sa pak rëndësi u jepet programeve dhe se sa shumë rëndësi personaliteteve e interesave të individëve të veçantë në zgjedhjet që bën politika jonë. Së dyti, se naivisht, ne vazhdojmë t’u kërkojmë politikanëve tanë normat më të larta morale, t’u drejtohemi në emër të principeve në emër të interesave të vendit e me radhë, ndonëse e dimë se ata nuk i kanë këto si prioritete në tërë aktivitetin e tyre. Sa për ilustrim, sot një pjesë e të majtëve që ndjehen humbës, duke përfshirë edhe një pjesë të LSI-stave, e akuzojnë Metën për tradhti, për mosmbajtje fjale e më the e të thashë, por as që mendojnë sesa përgjegjësi kanë edhe ata, për faktin se nuk kanë kontestuar zgjedhjet e deritanishme të Metës, ku kam parasysh kryesisht tërheqjen pranë kësaj partie të të gjithë njerëzve të Nanos p.sh., që kanë qenë shenja të qarta se kjo parti po sillej me të njëjtën logjikë mbështetjeje tek “të fortët”, me të atyre që denonconte. Dhe pyetja që të vjen logjikisht është: pse u duhej atëherë Meta?
Në fakt, çfarë treguan zgjedhjet? Sipas mendimit tim, ato treguar se dy partitë kryesore, përtej demagogjisë së ndryshimit e ku di unë, luftuan për konsolidimin e interesave të grupeve të interesave që përfaqësojnë e që janë grupet mbisunduese në këtë vend. Nuk mohohet se ndeshja elektorale tregoi se një nga shkaqet kryesore të fitores ishte ai, se Berisha, brenda katër vjetësh, ka arritur të forcojë grupimin e tij mbisundues të interesit. Nuk ka sesi të mos jetë kështu, kur ke parasysh se ka pasur në dorë krejt makinerinë e shtetit, ndërkohë që Rama ka pasur vetëm Bashkinë e Tiranës.
Rreshtimi i LSI-së në koalicion me PD-në, sipas mendimit tim, duhet lexuar më së pari në kontekstin e këtij karakteri të partive. Është e vërtetë se vendi në variantin e dytë, atë të rreshtimit të Metës në kampin opozitar, rrezikonte të përjetonte një gjendje krize dhe konfliktualiteti shumë të fortë e të mbarsur me rreziqe. Është e vërtetë gjithashtu, se ky kamp opozitar vështirë se do të mund të funksiononte, duke mbajtur brenda Edi Ramën dhe Ilir Metën së bashku, veçanërisht pas atyre që ndodhën gjatë zgjedhjeve, ku LSI-ja e pa veten gati jashtë parlamentit, për shkak të thirrjeve të PS-së për të mos ia hedhur votën asaj. Por, gjithsesi, sipas mendimit tim, primar në bashkimin e Metës me Berishën mbetet fakti se partitë tona gjithnjë e më shumë janë bërë konglomerat interesash politikanësh dhe militantësh që e shohin politikën si biznes. Fakti se edhe në kampin opozitar kemi një konglomerat interesash të tilla, ia lehtësoi Metës këtë zgjedhje, sepse sot në fakt pakkush beson në retorikën e “besnikërisë ndaj së majtës”. Pra, programi nuk është aspak primar në bashkimin PD-LSI, siç deklaroi Berisha. Fjalët “integrim’ dhe “punësim”, që Berisha i cilësoi si gjërat esenciale të përbashkëta, janë aq të përgjithshme, saqë nuk ka parti të mos i ketë në programin e saj. PD-ja dhe LSI-ja kanë pasur shumë më tepër gjëra të përafërta programore për t’u bashkuar në vitin 2005, kur të dyja së bashku në opozitë, denonconin monopolet dhe korrupsionin e PS-së në pushtet dhe premtonin luftën kundër tyre dhe sistemit të korrupsionit të ngritur. E megjithatë, nuk e bënë. Tani harrojeni këtë. Partitë tona po bëhen gjithnjë e më pak principiale, dhe gjithnjë e më pak koherente e të moralshme në emër të mbrojtjes së interesave të militantëve të tyre, e veçanërisht të atyre të liderëve të tyre. E kanë provuar këtë jo vetëm dushqet e vegjël e të mëdhenj, por edhe ndryshimi i katërciptë i premtimeve elektorale, kur kanë ardhur në qeverisje. Sa për ilustrim, po ripërsëris premtimet që iu dhanë Vlorës nga Berisha në vitin 2005 dhe çfarë janë projektet për Vlorën sot. Çfarë do të thotë Ilir Meta lidhur me këto? Fatkeqësisht, pakkush diskuton mbi këto gjëra, që në fakt duhet të jenë thelbësoret kur diskutohen koalicionet.
Sidoqoftë, duke lënë mënjanë idealizmat, jo për t’i harruar, por për të kuptuar më mirë se çfarë po ndodh, duke pasur parasysh natyrën e partive tona, rezultatin e nxjerrë nga votimet e tyre të dominuara nga të fortët e secilës palë dhe marrëdhëniet e PS-së me LSI-në, duket se ky kompromis interesash ishte zgjidhja më e mundshme për momentin. Është një zgjidhje që, në këtë kontekst, nxjerr fitimtar Berishën, që Metës i jep të tashmen, duke i rrezikuar seriozisht të ardhmen dhe një humbje për PS-në, me nevoja serioze reformimi në të ardhmen. Lidhur me atë se çfarë përfitimesh do të mund të nxjerrë vendi nga kjo lojë të fortësh, shumëçka do të varet sesi do të luajnë në të ardhmen të tre lojtarët. Por treguesit nuk janë shumë shpresëdhënës! (Korrieri, 7 korrik 2009)

Read More......

Mbi procesin zgjedhor

Cili do të ishte një koment i parë i shpejtë mbi procesin zgjedhor ndërkohë që votimi ka mbaruar, por kur ende, në momentet që shkruhen këto rradhë, nuk kemi një rezultat përfundimtar sepse votat janë në numërim? Personalisht, duke tentuar të formuloj disa ide e ndjej se më duhet të them më së pari se ndaj vlerësimet që bënë përfaqësuesit ndërkombëtarë në deklaratën e tyre paraprake të orës 15 të ditës së hënë me formulën tashmë të bërë rutinë: ”Keni bërë hapa përpara por ju mbetet ende shumë për të bërë.”
Së pari, për të filluar me “hapat para”, mund të thuhet se u zhvillua një proces në tërësi ndoshta më i mirë në aspektin e qetësisë dhe numrit të incidenteve sesa proceset zgjedhore që kemi kryer që nga vitit 1996 e këtej. Them “që nga viti 1996” sepse në zgjedhjet e zhvilluara në 1991, 1992 dhe për referendumin e vitit 1994 ende nuk kishte hyrë sëmundja e vjedhjes së votës apo fenomenet e Dushkut. (Se si dhe pse hyri kjo sëmundje nga e cila ende nuk jemi shëruar kjo është një temë që meriton një analizë më vehte.) Pra kemi një proces votimi që, po të kemi parasysh se edhe në vitin 2005, megjithë problemet, patëm një proces deri diku të ngjashëm me këtë, mund të shpresohet se vendi ka hyrë në një periudhë ku, më në fund, mund të flitet se faza e rrezikimit të grabitjes “fizikisht” të votës është pakësuar (por pa u zhdukur) aq sa të mos e vendosë kjo rezultatin e votimit.
Thënë kjo, megjithatë mendoj se jemi ende larg një procesi zgjedhor normal, me çka kuptoj zgjedhjet që kryhen në vendet evropiane, madje do të thoja se jemi ende larg edhe vendeve fqinje. Duke dëgjuar ndërkombëtarët që shprehën dje edhe formulën: “standartet nuk janë arritur, por keni mundësi t’i arrini pas katër vjetësh” me të drejtë mund të lindë pyetja: po me çfarë i matin ata standartet? Apo, cilët janë treguesit konkretë të standarteve të arritura apo të paarritura? Sipas gjykimit tim në kontekstin e këtyre zgjedhjeve këtë formulim duhet ta interpretojmë kështu: Nuk ka pasur shkelje të atilla sa ta bëjnë rezultatin më të keq se ai paraardhës prandaj dhe të papranueshëm, por ka përsëri tregues që të bëjnë të arrish në përfundimin se standartet nuk janë arritur. Po cilët janë këta tregues, lind pyetja. Sipas mendimit tim më shumë sesa incidentet e ndodhura andej këndej treguesi kryesor është emëruesi i tyre i përbashkët. Ky emërues, sipas meje, është niveli i lartë i mosbesimit që kemi në këtë fazë të demokracisë sonë se mund të bëjmë zgjedhje të lira. Pra mosbesimi që mbretëron qoftë në publik qoftë në partitë ka mbetur shumë i madh qoftë përpara ditës së zgjedhjeve qoftë gjatë ditës së zgjedhjeve. Mjafton të kesh parasysh luftën e kartave të indetitetit para zgjedhjeve apo historitë e mëngjesit të ditës së zgjedhjeve me stilolapsat kamera apo me tipet e tjera të mikrokamerave për ta vërtetuar këtë apo alarmet e vazhdueshme mdiatike për keqvajte të procesit andej këtej; mosbesimet e ndërsjellta tek sondazhet apo exit poll-et e me rradhë. Edhe vetë “monitorimi” me media i procesit hap pas hapi e reflektonte këtë mosbesim të ndërsjelltë. Edhe vetë fakti se njerëzit u mbërthyen para ekranit për të dëgjuar “verdiktin” e pjesshëm të arbitrit ndërkombëtart; edhe fakti që deklaratat e tyre dhe konferenca e shtypit zaptoi thuajse një orë e gjysëm në televizionet kryesore është tregues se këto standarte nuk janë arritur. Madje edhe vetë nevoja e ndërkombëtarëve është një nga treguesit. Apo edhe vonesa e jashtëzakonshme e porcesit të numërimit që nuk ka të bëjë vetëm me anët teknike, por edhe me mosbesimin. Me fjalë të tjera mund të thuhet se, ndërkohë që nëpërmjet sistemit elektoral dhe përvojës së këtyre viteve dy forcat kryesore politike në garë kanë arritur të kontrollojnë njëra tjetrën duke garantuar njëfarësoj votën e tyre në sajë të mosbesimit reciprok dhe kontrollit rciprok, më anë tjetër nuk kemi hyrë dot në fazën e besimit i cili, sipas mendimit tim, ndërtohet më së pari si rezultat i një pjekurie politike të vetë forcave politike dhe, së dyti, në sajë të besimit që ka shoqëria në institucionet që kontrollojnë këto forca politike. Kjo fazë nuk ka ardhur ende dhe vetëm kur të arrijë kjo fazë mendoj se mund të thuhet se janë arritur standartet. Veçanërisht po të kesh parasysh me këto standarte faktin se në vendet evropiane zgjedhjet i menaxhon e i numëron qeveria nëpërmjet Ministrisë së Rendit dhe askush nuk dyshon se ajo, megjithëse është qeveri e mazhorancës që është në lojë, mund të verë dorë mbi votën e qytetarit.
Në këtë kontekst do të thoja se do të ishte shumë e gabuar që forcat politike, veçanërisht mazhoranca që organizoi këto zgjedhje, të mburren se kanë arritur zgjedhje të standarteve evropiane. Ndërkohë që mund të thuhet se problemet e ardhëshme me zgjedhjet nuk do të kenë të bëjnë me frikën e grabitjes së votës si të thuash fizikisht, nuk mund të thuhet kurrsesi se problemet që mbeten nuk janë të shumtë dhe të parëndësishëm. Mjafton të kesh parasysh disa prej tyre që u vunë në dukje edhe nga ndërkombëtarët të tillë si mungesa e transparencës financiare të fushatave apo përdorimi i mediave si instrumente partiake më shumë sesa si informues të publikut.
Një problem tjetër që besoj se ka lindur si rezultat i këtyre zgjedhjeve më i fortë se kurrë ndonjëherë e që prandaj do të mbetet për t’u përballuar e për t’u korrigjuar në zgjedhjet e ardhëshme është edhe ai i arrogancës në rritje të dy partive të mëdha ndaj forcave të tjera më të vogla politike që thuajse u asgjësuan, por edhe ndaj institucioneve që duhet t’i kontrollojnë ato. Ky sistem duket haptazi se i ka fuqizuar shumë ato duke duke krijuar probleme të reja që vetëm koha do ta provojë nëse janë më të lehta apo më të vështira për t’u përballuar. (Korrieri, 30 qershor 2009)

Read More......