Friday, August 21, 2009

Poshtë së majtës dhe të djathtës

Gjatë fillimit të gushtit kalova disa ditë nëpër Kroaci, Mal të Zi dhe pastaj në Shqipëri me një grup miqsh italianë të cilët nuk e kishin vizituar ndonjëherë vendin tonë. Në fund të udhëtimit nuk mund të mos u bëja pyetjen: “Si ju duket Shqipëria?”. Përgjigja që më erdhi nga njëri prej tyre, pasi u mendua pak, ishte: “Duket se ka ardhur koha t’ia filloni.” Mbeta i paqartë se çfarë deshte të thoshte. “Si t’ia fillojmë?”, e pyeta, duke nënkuptuar se po i kërkoja një mendim për ato që janë bërë (për mirë apo për keq) sepse, që janë bërë gjëra në Shqipëri, kjo duket sheshit. Për t’ia lehtësuar përgjigjen i kërkova një krahasim me Kroacinë dhe Malin e Zi, meqënëse sapo kishim zbritur prej andej. Përgjigja e tij, që më sqaroi edhe atë çka deshte të më thoshte në fillim, në thelb ishte kjo: atje vihet re shumë më tepër se tek ju ndjenja e përkatësisë në një komunitet ku gjithsejcili interesin e tij personal nuk e sheh kundër interesit të komunitetit, por shumë më të integruar në këtë, ndonëse edhe atje bije në sy abuzivizmi. Për ta ilustruar këtë e shoqja ndërhyri e më kujtoi se si në Kroaci, një i ri që takuam, na u ankua për sjellje moskujdesi të të huajve turistë ndaj ambjentit, gjë që ata s’mund ta imagjinonin se mund të ndodhte tek ne duke parë masakrën që i kemi bërë ne ambjentit, e cila u fliste qartë për të kundërtën: mungesën e ndjenjës së komunitetit e të pronës publike e të shtetit si mbrojtës të tyre. “Prandaj, shtoi miku, thashë se tani është koha të filloni. Sepse ka shenja se një farë pasurie private është vënë. Ju të kujtoni shumë Italinë e pas Luftës së Dytë kur njerëzit u lëshuan për mbijetesën personale apo të familjes, pa çarë kokën për gjë tjetër.”
E fillova këtë shkrim duke përmendur këtë bisedë sepse u intrigova nga një shkrim i Blendi Kajsiut, botuar në Panorama para disa ditësh, i cili, duke kritikuar prirjen tonë për të imituar Perëndimin pa marrë parasysh kontekstin shqiptar, i mshonte, ndër të tjera, edhe idesë se Perëndimi sot është i djathtë sepse është i bazuar më shumë mbi idenë hobsiane se njeriu është ujk për njeriun, kurse ne kemi nevojë për politika të majta që bazohen kryesisht idenë e Rusoit se njeriu është i mirë në thelbin e tij dhe, mbi këtë, tezë kërkonte që reformimi i Partisë Socialiste, pas dështimit të politikave “përtej të majtës dhe të djathtës”, të shkojë majtas.
Ajo çka dua të ve në dukje, para së gjithash, duke provuar të rithem diçka në debatin mbi reformimin e të majtës shqiptare, që e kam pasur prej kohësh në qendër të një numri shkrimesh të mija, është se Perëndimi, edhepse, veçanërisht pas rënies së komunizmit, ka pësuar një zhvendosje djathtas në favor të politikave ekonomike neoliberiste, në favor pra të asaj që Norberto Bobbio e quan “ndjeshmëria ndaj pabarazisë së njeriut me njeriun”, kurrsesi nuk mund të cilësohet si përgjegjës për ndërtimin e realitetit shqiptar ku njeriu sillet dramatikisht si ujk për njeriun.
Nobelisti anglez William Golding ka shkruar një roman të famshëm, “Zotëria i mizave” (Lord of the Flies) në të cilin imagjinon një grup fëmijësh rreth 12 vjeçarë, të cilët shpëtojnë nga një aksident ajror që ndodh mbi një ishull, ku u vriten prindërit, dhe rriten atje, në mungesë të të rriturve. Ajo çka ata ndërtojnë, duke u rritur, është një shoqëri egërsirash të rrezikëshme. Metafora është e qartë, mugesa e pranisë së të rriturve, që nënkupton mungesën edukimin me rregullat e qytetërimit, me përvojën e akumuluar, me normat morale etj etj, prodhon një shoqëri ku njeriu sillet si ujk ndaj njeriun. Do të thoja se shoqëria shqiptare, e dalë nga gjysëm shekulli izolim, është e krahasueshme më shumë se çdo gjë me këta fëmijë të rritur jashtë qytetërimit. Sepse edhe politikat më të këqija neoliberiste e konsumiste, që kanë ndikuar për keq edhe në Perëndim përsa i përket prishjes së tesutit social të shoqërive perëndimore, edhe “morali i djathtë“ që, duke e cilësuar njeriun si thelbësisht të keq, i mshon imponimi të rregullave në mënyrë shtrënguese - kurrsesi nuk mund të krahasohen me mbrapshtinë e realitetit shoqëror ekonomik shqiptar të paskomunizmit. Sipas Golding “njeriu e prodhon të keqen siç prodhon bleta mjaltin”, pra në thelb, sipas tij, natyra e njeriut është e keqe, por janë rregullat e vendosura nga përvoja e jetës së përbashkët që ndërtojnë komunitet. Të tjerë i mshojnë idesë se njeriu përveç dimensionit të tij individualist e egoist ka, në natyrën e tij, edhe dimensionin social e altruist (mjafton të kesh parasysh dashurinë prindërore apo edhe atë që krijon familjet) e se komuniteti ndërtohet duke u bazuar mbi këtë natyrë sociale të njeriut. Lindja e feve të ndryshme, identifikimi i Zotit me të mirën, dashurinë, janë provë e kësaj. Pra rregullat e komunitetit në shoqëritë që e meritojnë një emër të tillë burojnë qoftë nga përvoja e bëmave të njeriut kundër njeriut qoftë nga dimensioni social e dashuror i tij. Problemi ynë është se jemi ende larg këtyre përvojave.
Nëse do të thellohemi pak më shumë në realitetin tonë do të vemë re se nuk është imitimi i modelit të Perëndimit ‘të djathtë” që ka krijuar gjendjen e rëndë në të cilën ndodhemi, përsa i përket aspektit të moskrijimit të komunitetit e të rregullave të përbashktëta të respektueshme nga të gjithë njëlloj, që reflektohet pastaj edhe në krejt përçudnimet e tregut e të institucioneve shtetërore tek ne. Problemi ynë është se ndërkohë që Perëndimi që duam të imitojmë i ka artikuluar edhe politikisht dy dimensioned e njeriut në të ashtuquajturat politika të majta dhe të djathta ne na mungon ky artikulim. Në këtë kuptim ne jemi një shoqëri poshtë të majtës dhe të djathtës. Prandaj, sipas gjykimit tim, e keqja na vjen më shumë nga e kaluara sesa nga modeli që kemi zgjedhur për të ardhmen. Apo, më saktë, janë mungesat e së kaluarës ato që kanë ndikuar aq keq që ne të përçudnojmë modelin që kemi zgjedhur për të imituar. Në fakt komunizmi ynë dhe post – komunizmi që po ndërtojmë, edhe pse paraqiten së jashtmi si krejt të kundërt, në fakt, në thelb, janë e njëjta gjë: dy ekstreme që puqen apo dy anë të së njëjtës medalje. Kjo sepse që të dy janë produkt i të njëjtit njeri që, në thelbin e vet, mund të karakterizohet si njeri të cilit i mungon ndjenja e përgjegjësiosë ndaj komunitetit, e respektimit të rregullave të përbashkëta, çka e bën atë të papërgjegjshëm ndaj të tjerëve. Sepse, çfarë bëri komunizmi, në thelbin e vet, përsa i përket komunitetit? Duke marrë përsipër gjithshka në jetën e njeriut shteti komunist jo vetëm i hoqi njeriut lirinë individuale, por i hoqi edhe ndjenjën e përgjegjësisë vetiake ndaj komunitetit. Duke u marrë lirinë të gjithëve ai u hoqi edhe përgjegjësinë. Duke u marrë tokën të gjithëve ai jo vetëm i la njerëzit pa lirinë e investimit privat, por u hoqi edhe kulturën e respektimit të tjetrit, të bashkërendimit të punëve me tjetrin në mënyrë të tillë që ata të kuptonin se jo gjithshka që është private është vetëm private, por është edhe publike. Nëse do t’i shtojmë kësaj edhe faktin se komunizmi shkatërroi edhe instrumente të rëndësishme të krijimit të komunitetit, si fetë, do të kuptojmë shumë më mirë shkaqet e mungesës së ndjenjës së komunitetit. Në këtë kuptim, pra, sjellja jonë sot, ku gjoja në emër të pronës private dhe lirisë së privatit bëjmë gjithshka, pa çarë kokën për tjetrin, s’është veçse ana e pasme e medaljes së sjelljes së njeriut të formuar në komunizëm të cilit i mungon ndjenja e përgjegjësisë ndaj tjetrit pasi nuk e ka kultivuar këtë asnjëherë. Besoj se nuk është nevoja të jap shembuj për ta ilustruar këtë sepse i sheh gjithandej nëpër Shqipëri, madje sa hap sytë, siç ndodhi edhe me miqtë e mi italianë.
Nëse do të kërkojmë rrënjë edhe më të thella se komunizmi të këtij fenomeni papërgjegjshmërie ndaj komunitetit, që shfaqet edhe me faktin se, ndërkohë që shtëpitë e shqiptarëve janë goxha të pastra brenda, ambjentet jashtë tyre shpesh notojnë në plehëra, do të thoja se, bashkë me komunizmin, mungesa e përgjegjësisë së njeriut shqiptar ndaj komunitetit buron edhe nga kultura jonë klanore. Njeriu shqiptar është ndjerë tradicionalisht përgjegjës vetëm ndaj families, klanit, gjakut dhe rregullave të tyre, por jo kundrejt hapësirave më të gjera shoqërore, sepse nuk ka krijuar dot kulturën e vendosjes së rregullave që harmonizojnë jetën në këto hapësira. Në këtë kontekst e mira, e keqja dhe normat morale që përcaktojnë ato nuk janë tjetër veçse shprehje e aftësisë apo paaftësisë së njeriut për të jetuar, si qënie sociale, në harmoni me komunitetin.
Gjykoj se kultura klanore dhe kultura komuniste kanë krijuar një njeri që, kur u takua me kapitalizmin, prodhoi monstrën e njeriut të papërgjegjshëm ndaj komunitetit që shfaqet sot (që nga veprimet e krerëve të partive politike deri tek njeriu më i thjeshtë), por se ky është vetëm një nga fytyrat e të njëjtës monstër që jetonte edhe dje. Se njeriu shqiptar, pra, ka qenë “ujk” për njeriun edhe në regjimin komunist, veçse në një formë tjetër, madje edhe më të rrezikëshme.
Prandaj mendoj se sistemi i mbrapshtë që kemi ndërtuar, është produkt i faktit se sistemi kapitalist po kopjohet sot tek ne në mënyrë të ngjashme me atë çka ndodh në librin e Golding, ku komuniteti i fëmijëve kërkon të imitojë institucione, qendrime dhe jerarki të shoqërisë së të rriturve, por që, në fakt, janë kopje që nuk pasqyrojnë atë, por një imitim karikaturesk i tij, që është, si të thuash, qëllim në vetvete i fëmijëve të ishullit, i pambështetur në një kulturë që e bën një shoqëri të vetëdijëshme për atë që është. Prandaj ngulmoj se në këtë aspekt shoqëria shqiptare nuk është as e djathtë dhe as e majtë. Ajo është poshtë të majtës dhe të djathtës, është një shoqëri që mund ta quash parapolitike nëse me politikë do të nënkuptojmë edhe dalektikën e majtë - e djathtë që në Perëndim ka lindur çprej dy shekujsh, të paktën, e që ka në bazë të saj dy dimensione të pandashme të qënies njerëzore: dimensionin e tij si qënie individuale dhe dimensionin e tij si qënie shoqërore. Në fakt në këtë kuptim nuk mund të ketë të majtë pa të djathtë dhe tek ne mungojnë që të dyja.
Çështja sot shtrohet: a mund t’ia fillojmë ne sot ndërtimit të një paradigme të re në emër të krijimit të ndjenjës së komunitetit? Sipas mendimit tim sot mund të thuhet se individualizmi ekstrem, si ana tjetër e medaljes së kolektivizimit të shtrënguar, që në thelb burojnë, që të dyja, nga njeriu të cilit i mungon ndjenja e përgjegjësisë ndaj komunitetit, ka arritur një pikë që kërkon një fillim të ri. A mund të ketë kuptim ta shtrojmë këtë çështje edhe në kontekstin e tronsfromimit të PS. A mund të integrohet ky debat në debatin mbi riformatimin e Partisë Socialiste? Besoj se po. Aq më tepër kur edhe në kontekstin Perëndimor sot po flitet gjithnjë e më shumë për nevojën e ristrukturimit të së majtës, pas krizës që ka shkaktuar neoliberizmi dhe “laisser faire”, çka tregon se në një farë kuptimi metafora e Goldinit është e vlefshme edhe për Perëndimin sepse çdo brez që lind ka nevojë për një edukim që lind nga fillimi.
Nuk mohoet se partitë politike tek ne janë organizmat më të fuqishëm për plazmimin e ndërgjegjes shoqërore Në këtë kontekst mendoj se transformimi i PS do të ishte një nga instrumentet e domosdoshme të transformimit të shoqërisë shqiptare. Por kurrsesi i mjaftueshëm. Aq më tepër duke patur parasysh se partitë politike synojnë të tashmen kurse një projekt i tillë transformues të kujton thënien e Darhendorfit se, për të ndërtuar shoqërinë civile, në vendet ish komuniste do të duhen 60 vjet. Por pa dyshim partitë mund ta ndihmojnë apo ta frenojnë këtë proces. Do të thoja se, nëse flitet për transformim të Partisë Socialiste në kontekstin e transformimit të shoqërisë shqiptare drejt forcimit të ndjenjës së komunitetit, ky transformimi duhet të ndodhë në drejtim të promovimit brenda kësaj partie më së pari dhe në shoqërinë tonë në tërësi të atyre vlerave që ndihmojnë krijimin e ndjenjës së komunitetit që do të thotë edhe të shoqërisë civile. Për fat të keq prirjet e papërgjegjshmërisë të trashëguara nga komunizmi, që janë shfaqur në partitë tona gjithashtu nuk e kanë ndihmuar, por penguar këtë proces edhe në raport me përpjekjet që filluan në vitet e para të pas komunizmit të stimuluara nga Perëndimi. Në vitet e para, duke qenë në opozitë, PS krijoi një aleancë deri diku të shëndetëshme me shoqërinë civile në lindje e sipër, por pasi erdhi në pushtet ajo u dominua nga prirja e trashëguar nga kultura e partisë mëmë për ta kthyer atë në levë të partisë: pra edhe duke e deresponsabilizuar atë. Ε rikthyer në pushtet PS “harroi” edhe teorikisht një numër vlerash që njihen prej kohësh si vlera të së majtës: si barazia e mundësive bashkë me politikat e shpërndarjes së të ardhurave, arsimore apo sanitare që e stimulojnë këtë, solidariteti, vullnetarizmi, mbrojtja e hapësirave publike, etj.. që janë instrumente të krijimit të komuniteteve e të shoaërisë civile më në përgjithësi. Përkundrazi gjatë viteve në pushtet ajo u bë protagonisja e ekspansionit të neoliberizmit si ideologji, por që në fakt, siç u përpoqa ta shpjegoj, ishte vetëm një koperturë e përdorimit parapolitik (poshtë të majtës dhe të djathtës) të pushtetit politik për përfitime personale të bazuar mbi principin se njeriu është “ujk për njeriun”. Dhe problemi nuk ka qenë se vlerat e së majtës nuk kanë qenë të njohura, por se ato nuk janë ndjerë vërtet nga protagonistët e PS sepse nuk kishin qenë asnjëherë mënyrë jetese, kulturë e shoqërisë sonë.
Personalisht dyshoj se është krijuar masa kritike në shoqërinë shqiptare, për një paradigëm të re që do të krijonte njeriun e përgjegjshëm përpara komunitetit, ndonëse është vonë tepër vonë. Edhe përsa i përket PS, nga sa i kam ndjekur zhvillimet atje pas zgjedhjeve, ve re se mungon thuajse krejtësisht ndjenja e nevojës për një vizion të tillë transformues, që do të fillonte nga një qëndrim vetkritik të PS për përgjegjësitë e saj për këtë vonesë. Ajo duket e përqendruar në luftën për pushtet me PD dhe në zgjedhjen e prijësit me të njëjtën kulturë të vjetër “poshtë të majtës dhe të djathtës” dhe duket se është pak e vetëdijshme për faktin se, për t’iu përgjigjur nevojës së shoqërisë shoqërisë shqiptare për të ndërtuar një politikë të re, të njeriut të përgjegjshëm përpara komunitetit, nuk mjafton fitorja e saj ndaj Berishës, por duhet para së gjithash fitorja e saj ndaj vetvetes. (Korrieri, 21 gusht 2009)

Read More......

Monday, August 17, 2009

“O njeri” - kujtesa si rezistencë

Parathënie e librit të Gëzim Peshkëpisë “O njeri”

Kur dikush më pyet, si ish i burgosur, “çfarë është burgu për ty?”, sa më shumë kalon koha, aq më shumë e kam të vështirë të jap një përgjigje të shkurtër nga ato që mund ta përmblidhnin përkufizimin e tij me një fjali të vetme të tipit “një ëndërr e keqe, e gjatë”. Dikur kam perifrazuar thënien e Shën Terezës së Spanjës për Ferrin dhe e kam quajtur “një vend ku mungon dashuria”. Jo në mënyrë absolute, si në Ferr, por, në thelb, burgu vërtet ishte një vend ku kishte aq pak dashuri të njeriut për njeriun, jo vetëm pse atje njerëzit i kishte hedhur urrejtja (e pushtetit), por edhe pse në ato kushte ishte e vështirë të lulëzonte, edhe midis bashkëvuajtësve, fryma e dashurisë. Kjo shpjegon thënien e një ish të burgosuri të famshëm, Dostojevskit, se më e keqe se burgu vetë ishte bashkjetesa e detyruar. Megjithatë, ashtu siç e mendoj sot, duke kthyer kokën prapa, burgun nuk e shoh dot si një vend të vetëm, as si një gjendje të vetme, të përkufizueshme. E shoh si një jetë të gjatë të zhvilluar në një shumësi vendesh dhe gjendjesh. Ishte një jetë jo e zakontë, nën trysninë e atij që burgun e ka përdorur si instrument për të ndëshkuar, shkatërruar, torturuar, poshtëruar, izoluar. Por ishte jetë edhe ajo, me një larmi situatash, marrëdhëniesh, miqësish, armiqësish e fatesh njerëzore. Një jetë ku kishte edhe një etje të madhe për dashuri, madje. Një jetë ku kam parë kulme të degradimit njerëzor, por edhe kulme të lartësisë njerëzore.
Kush do të lexojë librin “O njeri” të Gëzim Peshkëpisë, sëbashku me të cilin kam kaluar disa vjet të jetës sime të burgut në kampin e Ballshit, shpresoj se do ta kuptojë se ç’dua të them, ndonëse jam i bindur se, tamam tamam, këtë mund ta kuptojnë vetëm vetëm ata që e kanë ngjëruar burgun. Kam dëgjuar shumë njerëz që, ndoshta nga mugesa e kësaj përvoje apo nga një ndjenjë fajësie, me dashje apo pa dashje, e minimizojnë dramën e atyre që u tretën nëpër burgje, duke përdorur shprehjen “të gjithë kemi qenë në burg, disa në të voglin, disa në të madhin”. Diferencat midis jetës së burgut dhe jetës jashtë burgut, edhe në diktaturë, janë të mëdha. Për ndryshimin dhe ngjashmëritë midis tyre mund të flasin vetëm ata që i kanë provuar të dyja. “Gjëja më e thellë që ka njeriu është lëkura” – thotë Paul Valery - dhe burgu është një vend ku ishte në lojë vetë lëkura.
Megjithatë, sa më shumë kalon koha, aq më pak e mendoj dot burgun të shkëputur nga e tërë jeta nën diktaturë. Nga distanca e sotme kohore dhe fizike burgun e shoh si një nga gjymtyrët kryesorë - më i shëmtuari dhe më i frikshmi - të atij përbindëshi që sot e quajmë “diktatura e Enver Hoxhës” apo edhe “krimet e komunizmit“. Në një farë mënyre jetën e burgut, si pjesë e jetës nën thundrat e këtij përbindëshi, fare mirë, mund ta quaj një koncentrat të jetës nën diktaturë në kuptimin e një koncentrati të së keqes. Në këtë konteks edhe kategorizimin “letërsi burgjesh”, të përdorur aq shpesh në gazetarinë tonë tejet sipërfaqësore, e shoh të gabuar. Jeta e njerëzve nëpër burgje është zgjatimi i jetës së tyre jashtë dhe përshkrimi i saj është thjeshtë përshkrimi i vetëm njërit nga aktet, shpesh ai më kulminanti, i një drame jete të mbresuar fund e krye nga diktatura. Prandaj mendoj se është e gabuar të flasësh për letërsi burgu dhe letërsi jete të lirë, ashtu sikurse për letërsi të madhe dhe letërsi të vogël. Ka letërsi të vërtetë dhe letërsi të pavërtetë.
I shkruaj këto rradhë, duke e quajtur madje “jetë” atë të burgut, edhe për një arsye tjetër që më duket se nuk vihet sa duhet në dukje kur flitet për krimet e komunizmit. Në librin “O njeri” të Gëzim Peshkëpisë ka një moment kur pëshkruhet ndarja e tij me të atin, shkrimtarin Manush Peshkëpia, që e morën një mëngjes shkurti, ndërsa Gëzimi ende flinte, për ta bashkuar me 21 të pushkatuarit pa gjyq lidhur me ngjarjen e njohur si ajo e bombës në Ambasadën Sovjetike. Ishte viti 1951. Gëzimi asokohe ishte fëmijë. Njëzetepesë vjet pasi i kishin marrë të atin, për të mos e parë më kurrë, më 1976 pra, autori i librit “O njeri” e sheh veten të arrestuar. Nënës së tij, e mbetur e ve në moshë të re, me dy fëmijë, e që ka përjetuar internimet, i duhet tani, në pleqëri, të përjetojë edhe arrestimin e të birit. Dhe, sikurse shohim në libër, ajo vdes pa e arritur ditën e rënies së këtij regjimi, ndërkohë që i biri është ende në burg. Është gati e pamundur të hysh në kohëzgjatjen shpirtërore të tragjedisë së këtyre grave dhe nënave. “U lodha bir, po shkoj të fle” i duket sikur t’i thotë e ëma e vdekur Gëzimit, për të cilin, siç shkruan ai në një poezi të krijuar me këtë rast, loti ka trajtën e nënës së tij. E kam fjalën për një nga gjërat më të tmerrëshme që shoh sot në krimet e komunizmit kohëzgjatjen e tyre.
Papa Vojtila duke krahasuar dy diktaturat më të egra të shekulit XX, nazizmin dhe komunizmin ka thënë, midis tjerash, se Zoti ka pasur arsyet e veta që e la komunizmin të jetojë më gjatë sesa nazizmin, duke nënkuptuar se ky i fundit ishte më çnjerëzor. Duke menduar krimet e Luftës së Dytë dhe Holokaustin më një anë dhe komunizmin polak, që njohu destalinizmin e vendit që nga vitet 50, më anë tjetër, mund t’i japim të drejtë. Por krahasimi na fton të reflektojmë, megjithatë. Dhe një nga reflektimet nuk mund të mos sillet mbi efektet e kohëzgjatjes së të keqes. Sipas meje nuk gabojmë aspak nëse diktaturën e Enver Hoxhës do ta quanim një Holokaust që zgjati 45 vjet. Dhe efektet e një Holokausti që zgjat 45 vjet janë të paimagjinueshme.
Jam kundër idesë romantike se vuajtja të fisnikëron, të lartëson, të bën më të mirë. Burgu dhe në përgjithësi jeta nën dhunë, frikë dhe terror, janë degradues për njeriun. Vuajtja e deformon e shkatërron atë, i mer tërë energjitë për të mbijetuar. Merret me mend se çfarë efektesh shkatërrimtare provon një shoqëri kur kjo gjendje njerëzore vazhdon me dekada duke goditur dy tre breza. Nobelisti Imre Kertesz, i pyetur se pse ka zgjedhur për protagonist të librit të tij të famshëm “Qënie pa fat”, ku përshkruan Holkaustin, një fëmijë, përgjigjet sepse, sipas tij, diktatura e shndrron njeriun në një fëmijë. Në një fëmijë që kërkon të mbijetojë.
Kjo ka bërë që disidentë të njohur të regjimeve komuniste ndaj pyetjes “Si kemi mbijetuar?” të përgjigjen edhe me pyetjen: ”a kemi mbijetuar vallë?” Nga përvoja personale, gjithë duke shtruar pyetjen: a kemi mbijetuar, mund të them se burgu është një vend/gjendje ndaj të cilit qasja për të mbijetuar kërkon dy qëndrime: përshtatjen dhe refuzimin e përshtatjes, veshjen e rrobës së burgut dhe refuzimin për ta konsideruar atë si rrobën tënde të përherëshme. Vetëm përshtatja është nënshtrim, mbarim; vetëm refuzimi është dalje mendsh. Që t’i arrish të dyja së bashku dhe një ekuilibër të mundshëm midis të dyjave duhet një orientim, apo quaje po deshe qëllim jete.
Ata që në jetën e lirë sot shkruajnë për jetën e burgut janë dëshmi e kësaj rezistence, e këtij mospranimi, e këtij qëllimi jete. Për një pjesë jo të vogël, ky qëllim jete ka qenë të jetuarit për të rrefyer një ditë tragjedinë tonë njerëzore. Libri “O njeri” i Gëzim Peshkëpisë është provë e kësaj mbijetese. “Të ekzistosh do të thotë të mbrrish në një libër” thotë Stéphane Mallarmé.
Nëse do t’ i vija një nëntitull këtij libri ky do të ishte “episode burgu”. Kjo sepse karakteret e shumtë dhe ngjarjet që tregohen në të nuk përshkruhen duke u shtjelluar gjerë e gjatë, por në formë epsodesh. Episodi është si një pikë kulminante i një ngjarjeje apo i njo karakteri që ka mbetur i mbresuar në kujtesë. Është e vështirë të shpjegosh deri në fund mjetet e kujtesës që na bëjnë që ngjarje dhe njerëz t’i harrojmë dhe të tjera t’i mbajmë mend. E sigurt është se ky proces kujtese flet për ndjeshmërinë e sejcilit. Eposodi është kështu si perla e krijuar në guackën e kujtesës pikërisht atje ku mbresa/plaga ka qenë më e fortë. Dhe sejcili ka pikat e veta të ngjizjes së kësaj perle. Nëse do të zgjidhja një prej atyre episodeve të këtij libri që më flasin për ndjeshmrinë e autorit në burg ky do të ishte tregimi “Lupi”. Fetah Lupi, një bashkëvuajtës rom që Peshkëpia e ka njohur që në jetën e lirë pasi kanë qenë mëhalleli, vdes befas nga një infarkt teksa ka një tas alumini në dorë që i ikën nga dora “sikur e hedh tej me përçmim”. Kur autorit, rastësisht, i jepet mundësia ta shohë në morgun e infermierisë, ve re se fytyra e këtij njeriu të pashkolluar, që s’kuptohej se pse e kishi futur në burg, kishte marrë një shprehje që sikur donte të thoshte: “Hë more, se shtihesha sikur nuk merrja vesh se ç’bëhesh…” Humori i zi si një vështrim ironik mbi tragjiken mplekset në episodet e Peshkëpisë me nostalgjinë për të shkuarën dhe dashurinë për jetën, duke na treguar rrugët e mbijetesës ndaj të keqes.
Kampi burg i Ballshit, ku kanë ndodhur shumica e episodeve që tregohen në këtë libër, sot nuk ekziston. Nëse dikush, pasi të ketë lexuar librin “O njeri”, do të kërkojë të shkojë të gjejë barrakat e tij të gjata prej pupuliti, ku ishin vendosur dy rradhë dykatëshe shtretërish prej dërrase me një koridor në mes, do të shohë se ato janë fshirë nga faqja e dheut, sëbashku me guzhinën private, mencën, birucat, rrethimin me tela me gjemba, karakollin ku qendronte ushtari e shumçka tjetër përshkruhet në këtë libër. Duket sikur, paradoksalisht, kohëzgjatja e madhe e diktaturës, në vend se të ndikojë që të ruhet më fort kujtimi i saj, ndikon që bëmat e saj të harrohen. Ndoshta sepse e keqja e saj vazhdon në një formë tjetër, prandaj ka nevojë të kamuflohet.
Ish të burgosurit dhe ish të internuarit që vazhdojnë të shkruajnë për vuajtjen e tyre në kampe burgje e vende internimi, në këtë kuptim, i shoh ende në procesin e rezistencës ndaj të keqes. Kësaj rezistence të kujtesës i shtohet edhe libri i jetës dhe mbijetesës së Gëzim Peshkëpisë “O njeri”. (13 gusht 2009)

Read More......

Krimi i pandëshkuar që vret

Ngjarja e vrasjes së katër njerëve të policisë nuk mund të trajtohet kurrsesi si një aksident nga ata që, sado të rëndë e të dhimbshëm, pas përvajimit dhe ceremonive mortore edhe mund të harrohen – siç mund të ndodhë psh. pas një aksidenti ajror apo natyror. Ajo është një ngjarje nga ato që nuk hyjnë në rastësitë e dhimbshme, por në ato që, krejt ndryshe nga rastësitë, zbulojnë nivelin e sëmundjeve kronike të një shoqërie; është një ngjarje, pra, nga ato që mund të quhen simptomatike.
I them këto pasi kam konstatuar se ndërkohë që tronditja e opinionit publik prej kësaj tragjedie është shumë e madhe mënyra se si ajo u trajtua në mediat shqiptare - ku, në përgjithësi, theksi u vu në atë nëse u zhvillua mirë dhe sipas rregullave operacioni apo jo dhe se cili nga njerëzit e policisë duhej të dorëhiqet, - e veçanërisht nga qeveria që u mjaftua me ceremoni e dekorime, nuk e shpreh thuajse fare tronditjen e opinionit publik.
Nuk është hera e parë që vë re se mënyra se si reagon opinioni në kësi rastesh është mjaft karakteristike. Publiku, në kësi rastesh, reagon më së shumti duke treguar, nisur nga ngjarja që ka ndodhur, të tjera ngjarje që kanë pika takimi me ngjarjen në fjalë, historira personale apo të njerëzve të njohur që i bëjnë jehonë asaj. Në një farë mënyre ai, nëpërmjet këtij reagimi, bën atë që duhet të bëjë, por që nuk e bën, gazetaria investigative. Mund të them se ka qenë i jashtëzakonshëm numri i historirave që kam dëgjuar, me këtë rast, në një hark kohe fare të shkurtër. E po të dëgjosh këto “historira” do të kuptosh se shqetësimi që njerëzit shprehin nëpërmjet tyre është shumë më i thellë dhe shumë më largpamës sesa ato që ngrenë ata që shkruajnë mbi atë nëse u përdorën apo jo teknikat e duhura në arrestimin e kriminelit Dajti. Madje, madje edhe mënyra se si tregohen këto histori përbën, në vetvete, një shqetësim. Sepse shpesh ato tregohen me frikë e kujdes, jo rrallë pa përmendur emra e detaje. Kur i dëgjon disa, të bëhet, gati gati, sikur jetojmë në një regjim të ngjashëm me atë të diktaturës, ku flitej vetëm nëpër rrethe të ngushta, midis njerëzish të besuar, dhe shpesh nuk përmendeshin emra apo detaje që mund të krijonin probleme. Pse kështu? Sepse bëhet fjalë për një pushtet shumë të fuqishëm dhe shumë të rrezikshëm: pushtetin e krimit, përballë të cilit njerëzit ndjehen të pafuqishëm sepse kanë në krah të tyre një shtet që – siç e tregoi edhe tragjedia e fundit e katër njerëzve të policisë - ose është i lidhur me pushtetin e krimit ose është i pafuqishëm për të reaguar ndaj tij.
Ajo që personalisht kam nxjerrë si përfundim, duke dëgjuar këto historira, nuk është diçka e re, është diçka e njohur, por që, gjithsesi, nga përjetimi i tyre sikur kthejllohesh për dramacitetin e situatësh në të cilën ndodhesh, kur sheh se sa afër të keqes jeton, shpesh pa e menduar këtë. Duke u nisur nga “zbulimi” i bërë tashmë objekt i mediave se vrasësi Dajti jetonte i patrazuar prej vitesh, që kur ishte arratisur në një mënyrë jo vetëm spektakolare por edhe të dyshimtë nga selia e gjykatës, se ai na paska pasur edhe nja dhjetë celularë, me të cilët fliste edhe me njerëz të pushtetshëm, se na paska bërë edhe dasëm gjatë kësaj kohe, njerëzit sikur çlirohen disi për të të treguar historirat për të cilat fola, të cilat provojnë se kjo kategori kriminelësh, që shëtit nëpër rrugët e Tiranës me makina super të shtrenjta, me xhama të zinj, është shumë pranë nesh dhe bën ligjin në një mënyrë apo një tjetër. Dëgjon historira sesi edhe trupat e Reneas nuk guxojnë të shkojnë në operacione të caktuara sepse kanë frikë – pasi e kanë provuar tashmë në kurriz – se kolegë të tyre i kanë njoftuar tashmë kriminelët dhe ata mund të bijen në ndonjë pritë. Dëgjon historisa se në shumë klube e disko, ku valon droga dhe ku klientët janë nga ata që shëtisin me BMW X5, nuk guxon të hysh e të kërkosh të ulet zëri i bokseve që terrorizojnë miletin me km largësi sepse ke të bësh me nga ata që “të heqin qafe”. Dhe jo vetëm pse janë kriminelë, por edhe sepse janë të afërmë të aksh politikani të lartë apo miq e shokë të filan ministri apo pse atje shkon e ha e pi “filani”. E me rradhë e me rradhë. Të ngjethet mishtë kur i dëgjon këto histori dhe mendon se njeriu i ndershëm ose duhet të heshtë ose mund të ikë për dhjamë qeni po guxoi të reagojë ndaj kësaj të keqje.
Me ndodhi me këtë rast të dëgjoj edhe për një polic të ndershëm që i paska thënë një të afërmi të tij se ai dhe kolegë të tij kanë frikë se do t’i heqë qafe ajo pjesa e keqe e kolegëve që bashkëpunon me krimin. Mu krijua imazhi i një policie që kapet e bëhet njësh me krimin – çka për fat të keq ka ndodhur në filllimvitet ’90 kur, siç na kujtohet mirë, ishin repartet e antidrogës ato që merreshin me trafikun e drogës.
Shkurt, duke dëgjuar historitë e njerëzve, befas sikur kthjellohesh e zbulon se ku jeton, se kemi të bëjmë me një shoqëri të kapur peng nga krimi, ku e ligjshmja dhe e paligjshmja nuk kanë dallim; ku bota e krimit është shumë e madhe dhe ku duket sheshit se ajo ka kapur segmente të Parlamentit, të partive politike, të policisë, të gjykatave, të ekonomisë, të mediave. Është një si rizbulim pra i faktit se shoqëria jonë dhe shteti ynë i ka këmbët të zhytura në botën e krimit i cili jeton, për të mos thënë sundon, i lirë dhe se midis tij dhe një pjese të shoqërisë e të shtetit funksionon marrëveshja e diktuar nga krimi “mos më prek që të mos të të vras” apo, edhe më keq: “të kam paguar prandaj hesht e më mbro”. Një shoqëri ku njerëzit e ndershëm ulin kokën e heshtin apo durojnë pushtetin e këtij krimi.
Ka pasur dhe ka një teori këtej nga ne sipas së cilës njerëzit e ndershëm, dmth. ata që nuk merren me vrasje, vjedhje, grabitje, trafiqe droge e prostitucioni e më the të thashë nuk kanë pse shqetësohen shumë sepse, tek e fundit, ata të botës së krimit do t’i hanë kokën njëri tjetrit, siç kanë bërë zakonisht. Një ide pra sikur bota e krimit dhe bota e njerëzve që nuk jetojnë në sajë të krimit janë dy botë të ndara nga njëra tjetra që nuk takohen, ku sejcila ka ligjet e veta. Mirëpo krimi nuk trajtohet kështu edhe në ato vende ku mund të thuhet se kjo është pjesërisht e vërtetë. E kam fjalën për ato vende të botës perëndimore kryesisht ku ka një nivel të lartë edukimi, punësimi dhe ku institucionet e shtetit vigjëlojnë rreptë mbi zbatueshmëmërinë e ligjit dhe dënimin e krimit. Edhe atje, megjithatë, bota e krimit nuk shihet si një gjë e ndarë nga shoqëria, sepse efektet e saj janë të lidhura me shoqërinë. Mjafton të kesh parasysh botën e trafiqeve të drogës apo prostitucionit apo riciklimin e parave të pista për të kuptuar se të dy botët janë të lidhur edhe atje e se, madje, bota e krimit “ushqehet”, ashtu si ato bimët kacavjerrëse, mbi trungun e botës së punës së ndershme. Ndërkaq tek ne problemi është shumë më i rëndë se kaq dhe ka shumë më tepër arsye për t’i parë të dy botët në simbiozë me njëra tjetrn. Nëse do ta çoja edhe më tej metaforën do të thoja se tek ne bota parazitare e krimit është rritur e fuqizuar aq shumë saqë i ka marrë frymën, e ka kthyer krejtësisht në shërbim të saj pemën e botës së njerëzve të ndershëm. Për mua guximi me të cilin një kriminel vrau katër policë dhe fakti se, sipas shumë gjasave, ai ishte i informuar se po ndiqej prej tyre nga kolegë të viktimave, është shenjë e këtij fuqizimi deri në marrje fryme të këtij oktapodhi.
Kështu është përjetuar në opinion kjo tragjedi, që, nga ana tjetër tregon se, për fat të mirë, ka ende njerëz të shtetit që guxojnë të ndeshen me krimin.
Ngjarje të tilla të vrasjes së njerëzve të shtetit nga krimi, në vende të infektuara nga krimi, si Italia, kanë shërbyer në momente të caktuara për të motivuar shtetin për të kryer operacione të fuqishme që kanë shënuar epoka në konsolidimin e autoritetit të shtetit. Kam parasysh psh. se ishte vrasja nga mafja e Falkones dhe pas një muaji e Borselinos që shënoi edhe momentin kyç të ndarjes përfundimtare të botës së krimit me segmente të shtetit në Jug të Italisë. Ajo u shoqërua me një operacion të thellë pastrimi në zyrat e administratës e të policisë gjithashtu. A do të mund të shpresonim që, duke u nisur nga një tregjedi e tillë dhe shkalla e tronditjes që ajo ka shkaktuar, të ndodhte edhe në Shqipëri një gjë e ngjashme? Kam frikë se jemi ende larg një mundësie të tillë. (Korrieri, 14 gusht 2009)


Read More......