Monday, September 28, 2009

Si bëhet më e fortë PS-ja

Çështja nëse duhe të ikë Edi Rama nga kreu i PS apo jo për mua meriton një debat mjaft serioz dhe kompleks njëherësh që meriton të trajtohet përtej interpretimeve të statutit të PS dhe shumë më ndryshe nga bardhezija pro-kundër Rama që shohim në skenën mediatike shqiptare.
Tek e fundit ky debat, sipas meje, mund të përqendrohet në përgjigjen e dy pyetjeve kryesore që nuk më duken pa lidhje me njëra tjetrën.
Pyetja e parë është: a bëhet më e fortë PS-ja me Edi Ramën në krye apo bëhet e tillë me Blushin, Malajn dhe kundërshtarët e Ramës?
Përgjigja e kësaj pyetjeje nuk është e thjeshtë sepse ajo kërkon të shikohet çështja lidhur me atë se çfarë do të kuptojmë me një PS të fortë apo një PS të dobët që lidhet shumë edhe me një PS të së sotmes dhe të së nesërmes.
Mendimi im është se një PS e fortë ose më e fortë se kjo e sotmja është një PS më demokratike brenda saj, me një vizion të majtë për botën, përfaqësuese e shtresave të brishta të shoqërisë, kontestuese ndaj mazhorancës, që i bën një autokritikë shumë të fortë vetes për atë se pse është bërë kjo parti që është: një parti e oligarkëve që akuzohet për instalimin e sistemit të korrupsionit që po kalëron sot Berisha. Pra një PS që, në shumë aspekte, nuk është PS-ja aktuale e Edi Ramës madje ndërtimi i së cilës kërkon një tjetër lloj lideri nga Edi Rama.
Nga ana tjetër më duhet të shtoj se këtë PS nuk e shoh as në projektet e Blushit dhe Malajt, ndonëse aty gjej mundësi më të mëdha të hapjes së rrugës përdrejt një PS-je më të fortë në kuptimin që i dhashë më lart.
Për të arritur në një gjykim sintetik pra se si do të ishte më e fortë PS-ja me Ramën apo Blushin e Malajn do të doja t’i përgjigjesha edhe pyetjes së dytë që lidhet ngushtësisht me të parën: pse njerëzit e Berishës sulmojnë kaq fort Edi Ramën dhe marrin, si të thuash, në mbrojtje kundërshtarët e tij kur interesi i pushtetit të tyre ua do që, nëse PS është vërtet më e dobët me Edi Ramës sesa me Blushin dhe Malajn, siç pretendojnë këta dhe siç komentojnë edhe ata vetë, atëhere le të mbetet kështu siç është? Mos vallë ata kanë vërtet hallin e vendit dhe të qeverisjes më të mirë kur thonë se duan një PS më të fortë që bën luftë politike në Parlament? Kjo ide të bën të qeshës menjëherë sepse ka aq shumë fakte që vërtetojnë se e mira e vendit është në rreshtin e fundit të preokupimeve të këtyre njerëve. Mjafton të shohësh se kë zgjedhin ata edhe brenda vetes për t’u kujdesur për të mirën e vendit. Ata kanë hallin e forcimit të tyre dhe pikë, ndonëse edhe këtu shtrohet pyeta se çfarë kuptojnë ata me forcim të PD-së.
Sipas gjykimit tim ata duan një PS pa Edi Ramën pasi me të, sipas logjikës së tyre – e përsëris: sipas logjikës së tyre - PS-ja është më e fortë me Ramën sesa me Blushin dhe Malajn. Sepse Rama paraqet një kërcënim eminent kurse projekti Blushi, Malaj, në rastin më të mirë, kërkon një PS që do të pranojë qënien e saj në opozitë dhe që i hyn një rruge reformimi që mund të hajë edhe mjaft kohë. Po ashtu Rama në luftën e tij të sotpërsotshme ka më shumë karizëm sesa Blushi dhe Malaj, ka shumë më tepër instrumente dhe mbështetje brenda dhe jashtë vendit për ta vënë Berishën në krizë. Po ashtu, antropologjikisht, Rama ka më shumë karizmën e antiberishës (si i ngjshmi i këtij të fundit) sesa Blushi dhe Malaj.
Shkurt, sipas mendimit tim, projekti i PD dhe mbështetësve të saj kur sulmojnë Ramën dhe mbështesin Blushin dhe Maljan mbështetet mbi një politikë që synon të mbetet kështu siç është, me interesa të sotpërsotshme, me luftra për pushtet dhe jo në zhvillime afatgjata në të mirë të vendit. Pra PD-ja si një “kafshë” që nuk ka ndërmend të ndryshojë, por që kërkon të mbetet mbret i xhunglës, gjykon se më e rrezikshme për pushtetin e saj në xhungël është Edi Rama kurse një PS që rreket të reformohet, ajo mendon se mund ta “hajë” pa u bërë e tillë. Madje duket sikur PD-istët nuk duan as atë që, sipas mendimit tim, për pushtetin e tyre (sigurisht jo për të mirën e vendit) do të ishte optimalja: që PS-ja të mbetet kështu siç është me një Ramë në krye, por me gjysëm legjitimitet dhe me Blushin e Malajn e Lakrorin e Nanon nëpër këmbë. Përshtypja ime është se ata duan ta heqin qafe Ramën përfundimisht. Duke i qëndruar idesë sime se ne rrezikohemi nga një regjim alla Putin, me çka kuptoj një mazhorancë shumë të fortë që ka përballë një opozitë të pafuqishme, kam arësye të dyshoj se projekti i PD për eliminimin e “rrezikut” Rama është thjesht e vetëm në këtë hulli.
Pra vijmë në përfundimin se, paradoksalisht, PS-ja me Edi Ramën sot është më e fortë sepse është më e dobët dhe PD-ja ka interes që PS ta marrë Blushi me Malajn edhe pse me ta nesër ajo mund të bëhet një kërcënim shumë më serioz për pushtetin e saj.
Në këtë kontekst cila do të ishte zgjidhja më e mirë nga pikëpamja e pasjes së një PS-je sa më të fortë jo në interes të Ramës, Blushit, Malajt, Berishës, por të vendit? Unë gjykoj se PS ka nevojë të gjejë një sintezë brenda saj – çka më duket se nuk është e lehtë, por edhe jo e pamundëshme – që do ta bënte atë njëherësh edhe të ruante shpirtin luftarak të luftës së sopërsotëshme edhe që të mund të projektonte reformimin e saj afatgjatë. Rama i jep të parën, por nuk i jep kurrsesi të dytën. Madje ka gjasë që ai, pasi të sigurojë kryesinë e partisë, ta pushojë këtë luftë që duket kaq e egër sot. Nga ana tjetër projektet e pamjaftueshme të Blushit dhe Malajt rrezikojnë një paralazë të së tashmes që mund ta bëjë edhe më të vështirë të ardhmen. Duhet një sintezë ndërkohë që duket se po përgatitet një pastrim. Nuk mendoj kurrsesi se një sintezë e tillë mund të realizohet nëpërmjet rikthimit të një figure si Nano, ndaj të cilit Blushi dhe Malaj nuk janë shprehur asnjëherë qartë. Nano është një njeri i djegur, ai është një njeri që ndërkohë që mendon se po luan poker duke bllofuar në një lojë të vogël në fakt është shndrruar në një nga kartat rezervë që përdor Berisha, për ta sakrifikuar, në një lojë më të madhe. Sinteza duhet gjetur tek njerëzit më mendjekthjellët dhe më racionalë brenda PS-së. Sigurisht edhe midis protagonistëve të saj Rama, Blushi, Lakrori, Malaj, Islami etj. Në këtë kontekst do të thoja se më duket shumë pozitiv që ka një debat dhe dialektikë brenda partisë, por nga ana tjetër shoh se, megjithë këtë, punët nuk kanë shkuar në drejtim të arritjes së kompromisit, por në drejtim të nevojës për të larë hesapet. Vështirë të imagjinosh një kompromis të tillë ku Rama psh. mbetet një kryetar i fortë bashkie që e le partinë të reformohet nga duar të tjera pa humbur kontributin e tij në këtë reformim kur sheh se ai nuk reflekton në mënyrë autokritike ndaj çka thonë kundërshtarët e tij brenda partisë, por, me mënyra të tërthorta, kërkon t’i demonizojë dhe defaktorizojë për t’i çelur rrugën një pushteti personal të pakontestueshëm. Po aq e vështirë duket kjo sintezë kur sheh se kundërshtarët e tij nuk kanë një program të qartë e të plotë kritik ndaj gjendjes së partisë sepse aty mungon kritika kryesore që, sipas meje, i duhet bërë Edi Ramës edhe për humbjen e PS-së. Kjo nuk është paaftësia e tij për të bashkuar të majtën, por venia e partisë në funksion të interesave të oligarkëve dhe banditëve që vetëm interesat e shtresave që normalisht përfaqëson e majta nuk përfaqësojnë. Dhe kjo nuk ka filluar me Ramën, por me Nanon që disa prej tyre sot e përmendin si e mira përballë të keqes Rama. Nëse ndër njerëzit e PS do të vashdojë të mbretërojë ideja se partia do të bëhet më e fortë, duke bashkuar sa më shumë oligarkë dhe banditë rreth saj, të jenë të sigurtë se do ta humbasin betejën me “kafshën” e ngjashme që ka në krye Berishën dhe Metën, sepse kjo, duke qenë në pushtet, do të trashet e forcohet edhe më shumë në këtë xhunglën ku jetojmë. (Korrieri, 26 shtator 2009)

Read More......

Monday, September 21, 2009

Bojkoti dhe opozita që na duhet


Bojkoti i Parlamentit nga PS është një rast shumë i mirë për të marrë në analizë procesin e transfromimit të realitetit tonë nga diktaturë në demokraci që është pazgjidhshmërisht i lidhur me procesin e transformimit (por edhe të krijimit) të atyre që quhen institucione demokratike të cilët janë njëherësh edhe mjetet e transformimit, por edhe treguesit më të qartë të arritjeve.

Teorikisht dihet roli i institucioneve në materializimin e asaj që mund të quhet fryma apo ideali demokratik, që gjen shprehjen e vet të artikuluar në Kushtetutë. Teorikisht është e qartë se midis idealit dhe realitetit, ku bën pjesë edhe institucioni që duhet ta materializojë atë, ka një hendek të pambushshëm, por është po ashtu e qartë se madhësia e këtij hendeku është ajo që dallon një gjendje që meriton të quhet demokratike nga një tjetër që nuk e meriton këtë cilësim. Në këtë rast, pra, me frymë/ideal, kam parasysh atë më të mirën, demokracinë si pushtet i popullit që realisht nuk ekziston as edhe në demokracitë më të zhvilluara, ose më saktë që edhe atje mbetet ideal/frymë, por gjithsesi e materializuar shumë më tepër.

Gjendja shqiptare është e tillë sa duket sheshit se të ashtuquajturit institucione demokratike, që ne kemi ngritur, janë larg, po, shumë larg, idealit që ata supozohet se duhet të materializojnë. Që të gjithë institucionet, pa përjashtim do të thoja, pasi ecja e tyre nuk mund të jetë veçse sëbashku me njëri tjetrin, në bashkëveprim të ndërsjelltë me njëri tjetrin, si në një flotë. Në realitetin tonë më të shpeshtën e herës ata funksionojnë si fasadë prapa të cilëve funksionojnë realisht institucione të tjera të një kulture tjetër nga ajo demokratike, të trashguara nga e kaluara. Ne vend te insitucionit të shtetit ligjor psh. ne operojmë me institucionin e mikut e të rryshfetit; në vend të institucioneve të drejtësisë ne operojmë me institucionin e më të fortit që kontrollon drejtësinë. Në vend të tregut të lirë ne kemi tregun e korrupsionit e klientelizmit. E me rradhë e me rradhë. Në këtë kontekst mendoj se duhet parë edhe bojkoti që po i bën PS-ja institucionit të Parlamentit, një ndër institucionet më të rëndësishme të materializimit të Kushtetutës.

Është e qartë se parlamenti ynë më shumë se një institucion demokratik ka shërbyer si fasadë e “institucioneve” të tjera të tilla si pushteti i partisë, i kryetarit të partisë e i klaneve rrotull tij, të trashëguar nga koha e komunizmit, por edhe e Zogut. Vendimet më të rëndësishme për jetën e vendit tek ne nuk janë marrë e nuk merren në Parlament nën syrin e kamerave që ia përçojnë publikut, por në të tjera tryeza që janë larg kamerave. Shumica e vendimeve nuk merren në emër të interesave të pupullit, por në emër interesash të tjera. E shpesh herë bëhet fjalë për tryeza të tipit krejtësisht mafjoz. (Si mund të jetë demokratik një vend ku vendime të tilla si ai për rrugën Durrës – Kukës apo ai për ndërtimin e shtatë fabrikave të çimentos të teceve me qymyr e me rradhë e me rradhë, merren me të njëjtin stil siç ndërmerrte partia e Enver Hoxhës vendimet për planet pesëvjeçare për të cilët Parlamenti vetëm ngrinte dorën.) Megjithatë “fasada” e parlamentit ka qenë shumë e domosdoshme, askujt nuk i ka shkuar ndërmend ta eliminojë. Kjo sepse një heqje e tillë do të thotë ecje qartazi në drejtim të kundërt me idealin demokratik që propagandohet. Prandaj në shumë raste kemi pasur edhe një lloj hibridizimi të institucioneve të kulturës së vjetër me institucionet demoraktike herë më efikase dhe më demokratike se të parët dhe herë herë edhe më të shëmtuar e më të rrezikshëm.

Historia tregon se ka një kufi përtej të cilit mospërsosmëria e një institucioni apo degradimi i tij arrin shkallë të tillë që ai jo vetëm nuk punon në drejtim të idealit, por punon në drejtim të kundërt të tij. Me fjalë të tjera ka kontekste të tilla në të cilat nën fasadën e një parlamenti punojnë institucione të tjera që materializojnë një pushtet krejt tjetër nga ai i popullit, që bëhet gjithnjë e më i rrezikshëm për demokracinë, çka bën të lindë nevoja e mohimit të institucionit. E pra, çështja që shtrohet është pikërisht kjo: a është reduktuar hendeku, apo përkundrazi hendeku po thellohet? A jemi në një pikë ku Parlamenti ynë hibrid duhet bojkotuar apo duhet bërë zgjedhja që të qëndrohet brenda tij me synim luftën për përmirësimin e tij në emër të materializimit të idealit?

Sipas mendimit tim kjo çështje vlen të ngrihet shumë seriozisht dhe nuk më duket e lehtë të jap një gjykim të pa barsur me shumë ndërdyshje. Nëse perëndimorët e dhanë tashmë një gjykim në favor të idesë se hendeku është zvogëluar, por se duhet bërë ende punë për arritjen e një zvogëlimi të tij të mëtejshëm, ne që e njohim më mirë se ata realitetin na takon të ngremë ndërdyshje dhe dyshime për vërtetësinë e këtij pohimi.

Para së gjithash dua të përsëris se çështjen e bojkoti ose jo të Parlamenti nuk e shoh thjesht e vetëm në funksion të asaj nëse është vjedhur vota apo jo, por në funksion të asaj se ai është një institucion hibrid gjysma e të cilit shërben si fasadë për disa parti politike që në fakt janë shndrruar me kohë në banda grabitësish. Është e qartë se Parlamenti ynë nuk del si rezultat i votimeve, por si rezultat i ndeshjes së këtyre bandave e se fiton ajo që është më e forta jo ajo që përfaqëson më mirë interesat e njerëzve. E kam vështirë të besoj se njerëz që vjedhin paratë publike, apo që, për pushtetin e tyre, janë gati të sakrifikojnë edhe jetë njerëzish madje brezash, nuk vjedhin votën, por gjykoj se çështja e ndryshimit të Parlamenti nuk mund të reduktohet në çështjen e dy tre deputetëve më shumë apo më pak që krijojnë mundësinë e njërës prej bandave të jetë ajo fitimtarja dhe jo tjetra.

Sipas meje vlerësimi i veprimit të PS duhet parë në këtë kontekst çka në rastin konkret lidhet edhe me disa pikëpyetje: Së pari, cila është shkalla e mbrapshtisë apo e palegjitimitetit të institucionit në raport me përvojat paraardhëse; a mund të flitet për progres të hibridit në krahasim me të kaluarën apo me regres? Me fjalë të tjera institucionet prapa fasadës a po materializojnë një pushtet që vjen e bëhet gjithnjë e më i rrezikshëm apo Parlamenti po bëhet, sadokudo, ca më shumë se më parë pushtet i vërtetë i popullit, duke e pakësuar pushtetitin mafjoz prapa fasadës? Së dyti, cila është ndjeshmëria e njerëzve ndaj dozës aktuale të palegjitimitetit të Parlamentit që ka të bëjë me atë se sa mbështetje mund të ketë veprimi jashtëparlamentar për të imponuar ndryshimin e tij. Së treti, cila është forca që do ta udhëheqë veprimin jashtëparlamentar për ndryshimin e insitucionit.

Varësisht nga përgjigjet që mund t’i japim këtyre pyetjeve çështja mund të shtrohet: nëse do të duhet ta bojkotojmë këtë institucion e të ndërtojmë një tjetër apo duhert të punojmë që dalëngadalë ai të transformohet duke e zvogëluar hendekun që e ndan me idealin demokratik? E kam vështirë të jap një përgjigje me bindje për këtë punë. Siç e thashë varet nga konteksti. Në kontekstin aktual do të thoja se besimi tek institucioni i Parlamentit që ka dalë nuk ekziston po aq sa ç’nuk ekziston besimi tek institucioni i kësaj opozite që e konteston, por edhe tek insitucione të tjera si institucioni i Prokurorisë, i Presidentit etj. Prandaj ky Parlament meriton të bojkotohet, por jo nga ata që po e bojkotojnë. Parlamenti do të meritonte të bojkotohej nga të tjerë politikanë që do të kishin besueshmëri dhe do të ndiqeshin nga njerëzit në veprimin e tyre jashtëparlamentar. Pra, nëse në vend do të lindte një parti të re, që do të krijonte bindjen se përfaqëson frymën e idealeve të demokracisë, si qytetar do të isha i gatshëm të dilja përditë në protestë derisa të rrëzohej e tëra kjo klasë politike dhe institucionet e korruptuar që ata kanë ndërtuar. Por nuk gjykoj se është ky rasti ynë. PS dhe lideri i saj Rama janë larg së qëni një parti e tillë. Perceptimi i përgjithshëm i njerëzve, me të cilin bashkohem, është se kjo opozitë politike nuk mund të udhëheqë lëvizje të mëdha njerëzish pasi është përgjegjëse për situatën që po kalojmë po njëlloj si mazhoranca. Madje mendoj se edhe Rama vetë është i vetëdijshme për këtë. Ai është i vetëdijshëm se pas afro njëzet vjetësh kjo klasë politike gjysmën e njerëzve e ka nënshtruar kurse gjysmën tjetër e ka bërë indiferente për t’u mbrotur nga lodhja që i shkakton të jetuarit me ndjenjën e padrejtësisë. Prandaj bojkoti i Parlament duket sheshit se nuk bëhet më me mendimin se kjo do të zgjojë një lëvizje jashtëparlamentare që do ta vërë mazhorancën në krizë, por sepse, në këtë mënyrë, mendohet se do të vihet në krizë mazhoranca për shkak të ndërkombëtarëve. Pra është refleks i një politike që duhet të ishte bërë prej kohësh e vjetër sepse kanë kaluar jo pak, por afro 20 vjet, nga rënia e komunizmit dhe kemi mbetur ende në një politikë të vartësis së plotë nga jashtë. Dhe ata nga jashtë e kanë dhënë përgjigjen e tyre tashmë: përmirësimi i shkallëshkallshëm i institucioneve që kemi.

Një socialist i Ramës me të drejtë do të më thoshte se edhe PS nuk se ka shpallur bojkot të pakushtëzuar, por ka deklaruar se po u hapën kutitë kthehet në Parlament. Sipas mendimit tim në rrugën e përmirësimit të shkallëshkallshëm kërkesa e PS për të kontrolluar kutitë zgjedhore qëndron. Është një kërkesë që, nga sa di, është e drejtë e çdo qytetari. Kjo do të hapte një precedent që nesër do t’i bënte pushtetarët edhe më të kujdesshëm në trajtimin e votës së qytetarit. Mirëpo këtu del problemi i një institucioni tjetër, atij të drejtësisë, që provon atë që thashë më parë se asnjë institucion nuk mund të trajtohet i veçuar nga një tjetër. Për të vendosur për hapjen ose jo të kutive duhet të vendosë ky institucion. Dhe ky ka vendosur për të mos i dhënë të drejtë kërkesës së Partisë Socialiste për hapjen e kutive. Sipas meje edhe ky vendim tregon për hendekun midis insitucionit të drejtësisë së një vendi vërtet demokratik dhe insitucionit tonë që funksionon si fasadë e insitucioneve të kulturës klanore mfjoze. Dhe përsëri, si në një rreth vicioz, shtrohet çështja nëse duhet ta rrëzojmë këtë hibrid apo të punojmë për përmirësimin e tij të shkallëshkallshëm. Ky rreth vicioz tek e fundit të çon edhe në çështjen: a duhet t’i rrëzojmë partitë që kemi aktualisht apo duhet të punojmë që, nëpërmjet një procesi të shkallëshkallshëm, ato të shndrrohen nga banda që përfaqësojnë interesa mafjoze në parti që përfaqësojnë interesat e popullit.

Preferoj ta le këtë pyetje pa përgjigje sepse nuk jam i sigurt. Në një kohë që mjaft argumente të ushqyer edhe nga pasioni dhe diziluzioni më çojnë tek ideja e nevojës për ndryshim radikal, shumë vlerësime të tjera më thonë se rruga më e mundëshme e më realiste është ndryshimi i shkallëshkallshëm. Ndërkaq një gjë di të them me siguri. Vendi është në rrezik të madh sepse qeveria Berisha po i lejon vetes të marrë vendime që mund të quhen shitje përfundimtare e këtij vendi për interesa pushteti dhe përfitimi me karakter klanor e mafjoz me rreziqe edhe për lirinë dhe demokracinë. Ne kemi nevojë për një opozitë të fuqishme që t’i kontestojë ato atje ku merren ose duhet të merren këto vendime; madje edhe ndërkombëtarisht duke kontestuar qeveri perëndimore që s’është pa gjasë që e kanë mbështetur Berishën edhe për shkak të këtyre interesave. Një opozitë që në vend se të bëjë këto kontestime, duke shpresuar se Ilir Meta nuk ka vendosur të mbytet sëbashku me anijen e Berishës, qëndron e ngujuar në një kontestim të vetëm, atë të votës së vjedhur, nuk është opozita që na duhet. Madje vetë evitimi i kontestimit të këtyre çështjeve në emër të një çështje që ka të bëjë vetëm me pushtetin e bandës tjetër në pushtet dhe jo me fatet e vendit, është shenjë se nuk është kjo opozita që na duhet. (Korrieri, 21 tetor 2009)

Read More......

Tuesday, September 15, 2009

A do qeverisë Berisha më mirë?

A do të na qeverisë Berisha 2 më mirë se Berisha 1? Kjo është një pyetje që e ngrenë shumë sot, gjithmonë me shqetësim, dhe jo rrallë edhe me debate. Duke përjashtuar militantët socialistë që tek dështimi i kundërshtarit shohin mundësinë e triumfit të tyre e vetëm kaq, besoj se nuk ka shqiptar normal që nuk do të uronte që kjo qeverisje të ishte më e mirë sesa ajo paraardhësja. Por nuk janë kaq të shumtë ata që, kur debatojnë, shprehin besimin se kjo do të ndodhë realisht. Nga ç’kam vënë re numri i atyre që mendojnë se kjo do të jetë një qeverisje më e keqe sesa parardhësja, e kalon numrin e atyre që mendojnë të kundërtën ndonëse kam dëgjuar edhe nga ata që shpresojnë për më mirë. Besoj se edhe një polemikë mbi këtë çështje ndoshta do të ndikonte që gjërat të shkonin pak më mirë sesa parashikimet e pesimistëve.

Personalisht bëj pjesë në kampin e atyre që gjithë duke uruar që kjo të jetë një qeverisja më e mirë kanë shumë, po shumë frikë, se kjo do të jetë një qeverisje më e keqe për të mos thënë shumë më e keqe. Përpara se të sjell argumentet pse mendoj kështu le të rreshtoj më së pari argumentet e atyre që janë në favor të idesë se kjo do të jetë më e mirë se e para. Shumica e venë theksin në këto pika:

Një përvojë dhe pjekuri më e madhe në pushtet e Berishës dhe njerëzve të tij.

Një qetësi dhe siguri më e madhe në krahasim me qeverisjen e parë që sabotohej shumë më kollaj nga opozita.

Argumenti i njohur se tashmë janë ngopur, do të mendojnë një çikë më shumë edhe për ne.

Faktori LSI, udhëheqja e së cilës, në një farë mënyre, mendohet se nuk do ta lejojë veten që të turpërohet ashtu krejt përpara elektoratit të saj dhe prandaj do të ushtrojë ndonjë farë kontrolli.

Ka që paraqesin edhe argumente të tjera, por më duket se këta janë ata kryesorët që meritojnë të vihen në dukje dhe diskutim

Tani le të shtjelloj se ku mbështeten frikërat e mija dhe të shumëve që ndajnë të njëjtin mendim.

Së pari, nuk mund të mos të të bjerë në sy se, ashtu si Nano në qeverisjen e dytë, edhe Berisha ka prirjen për të akumuluar gjithë pushtetin në duart e veta, shoqëruar kjo me një mungesë ndjeshmërie gjithnjë e më të madhe ndaj kritikës, që përkthehet në arrogancë e arbitraritet. Me fjalë të tjera vihet re qartazi një mbyllje e rrethit të njerëzve të besuar të Berishës çka nënkupton se kanë mbetur jashtë rrethit një pjesë e mirë që mendohej se mund të sillnin kontribute. E sipas meje kjo është e kundërta e pjekurisë pavarësisht se për nga metodat e përjashtimit nuk ka të krahasuar me Berishën e viteve 1992 – 1997. Kundër këtij argumenti mund të sillet ai i përfshirjes në qeveri bash i disa prej ish kontestatorëve të viteve 90. Por këta janë ish kontestatorë të viteve ‘90. Gjatë katër vjetëve që posa kaluan nuk u kemi parë e dëgjuar as hijen e ndonjë kontestimi dhe as ndonjë ide origjinale. Kurse kontestatorët e katër viteve të shkuar, ndonëse edhe ata me ndonjë hije kontestimi, janë të gjithë jashtë rrethit të Berishës, madje edhe jashtë Parlamentit.

Në këtë kontekst po del gjithnjë e më qartë se njerëzit që bëjnë karrierë më të gjatë në PD nuk janë ata që dallohen për ide ndryshe, apo edhe për integritet dhe profesionalizëm, por ata që dallohen për konformizëm dhe shërbim ndaj liderin për të mos thënë për besnikëri të verbër ndaj tij. Dhe kjo nuk ka se si të mos e dobësojë një qeverisje që katër vjet më parë u nis me një rreth shumë më të gjerë njerëzish, me më shumë integritet dhe me më shumë profesionalizëm. Aq më tepër po të kemi parasysh se Sali Berisha nuk ka më motivimin e viteve të para për t’u dukur sikur po i mban premtimet. Kështu “rrethi i ngushtë” i kryeministrit rrezikon të bëhet gjithnjë e më i shurdhët ndaj kritikave gjithnjë e më abuziv e gjithnjë e më i pushtuar nga sëmundja e korrupsionit.

Përsa i përket faktorit LSI si faktor kontrollues, diçka mund të shpresohet, por besoj se shenjat që kemi pasur deri tani tregojnë se Ilir Meta është futur në qeveri vetëm me kushte përfitimi për veten dhe partinë e tij, me projektin, ndoshta, të forcimit të partisë së tij nëpërmjet shpërndarjes së punëve e favoreve që i jep pushteti, por kurrsesi që të fitojë respekt në një pjesë gjithnjë e më të madhe shqiptarësh. Vetë fakti që nuk pati asnjë kontestim apo kusht paraprak për mospërfshirjen në qeveri të Fatmir Mediut flet për impotencë ose indiferencë të LSI në këtë drejtim. Vetë fakti që Meta është në rolin e ministrit të jashtëm flet gjithashtu se ai ndoshta ka kënaqur egon e tij për të qenë numri 2 i qeverisë, por përsa i përket mundësive për të bërë diçka për shqiptarët ai ka hapsat e kashtës në dorë. Ndoshta edhe më pak se ç’kishte në kohën kur e bëri Nano ministër të jashtëm dhe Zv/kryeministër.

Një faktor tjetër negativ, do të thoja, është fakti se opozita, që tradiconalisht ka qenë e injoruar nga mazhorancat tona, do të vazhdojë të jetë e injoruar dhe nuk do të luajë ndonjë rol konstruktiv. Për këtë po ndihmon edhe vetë opozita qoftë me bojkotin qoftë edhe me faktin se Edi Rama dhe etja e tij e sëmurë për pushtet, si dhe akuzat e shumta që ai ka për korrupsion në Bashki, do të vazhdojë të jetë një alibi e mirë për Berishën dhe Metën për t’u paraqitur si e keqja më e vogël.

Në këtë hulli shoh edhe dobësimin e fuqisë kritike të mediave. Gjatë katër viteve të para të Berishës është vënë re një dominim i mediave në shërbim të Edi Ramës. Për mirë dhe për keq ato kanë ushtruar edhe një kontroll mbi qeverinë. Në këtë katërvjeçar, duke patur parasysh se interesat e pronarëve të mediave do të jenë gjithnjë e më shumë të varura nga pushteti qëndror, aq më tepër nëse Rama humbet Bashkinë, parashikoj një nënshtrim edhe më të madh të mediave ndaj pushtetit.

Por gjëja kryesore që më çon në përfundime pesimiste është një arsyetim që lidhet me politikat ekonomike të qeverisë Berisha 1. Dihet se çfarë të mbjellësh do të korrësh. Çfarë ka mbjellë qeveria paraardhëse për të korrur kjo pasardhësja? Sipas meje ajo që është mbjellë në tërësinë e vet është rezultat i një politike ekonomike mish mashi të diktuar kryesisht nga një klientelizëm i çoroditur, nëse mund ta quaj kështu, ku interesat klienteliste të individëve që mbështesin partinë në pushtet, të veshura së jashtmi me një retorikë pseudopatriotike dhe me një vizion zhvillimi komunisto kapitalist të viteve 60 (i bazuaar mbi industrializimin ndërkohë që jetojmë kohën e post industrializimit) shpesh janë në kontradikta të hapura me njëra tjetrën, pa asnjë koherencë apo organicitet të ndërtuar nga një vizion largpamës.

E kam të vështirë të gjej ndonjë gjë që është investuar gjatë katër viteve të para që do të rrisë mirëqënien e shqiptarëve gjatë këtyre katër vjetëve të dyta. Investimi kryesor ka qenë rruga Durrës – Kukës, por të gjithë e dinë se kjo ishte një rrugë “patriotike” efektet ekonomike të së cilës, sipas ekpertëve, ndoshta do të duken pas njëzet vjetësh ndërkohë që kontrata që ka bërë qeveria Berisha 1 me ndërtuesin e saj vazhdon të mbetet një gropë e zezë që thith paret tona.

Po ashtu, ato që mund të quhen investime për të ardhmen e Qeverisë Berisha 1 kanë qenë kryesisht dhënie koncesionesh për të huajt që ata të ndërtojnë këtu parqe industriale dhe tece e fabrika çimentosh. Përveç punësimit në punë të rëndomta të një numri të vogël shqiptarësh (me paga shumë më të ulta nga ato që këta marrin si emigrantë) nuk besoj se do të kemi ndonjë rritje punësimi të ndjeshëm, ndërkohë që pasojat afatgjatga të këtyre investimeve do të kenë një kosto shumë të lartë jo vetëm ambjentale, por edhe ekonomike pasi do të vonojnë dhe pengojnë investimeet që i shkojmë më shumë një vendi si shqipëria të tilla si bujqësia, blegtoria, agroturizmi.

Ose le të jap një shembull tjetër të mish mashit. Duke parashikuar krizën ekonomike duket se Barisha kërkoi të imitojë Berluskonin i cili ngriti edhe ai idenë (shumë të kritikuar në Itali) të shtesave të kateve, me shpresë se njerëzit do të nxjerrin lekët e kështu do të vihen në qarkullim ca para në këto kohë të vështira. Mirëpo një pyetje i shtroj kryeministrit Berisha.
Kur udhëton me makinë a i hedh ndonjëherë sytë ai përtej dritareve të saj për të parë se çfarë ka përreth? A e sheh ai se po të heshësh sytë majtas djathtas rrugës Tiranë – Durrës apo Tiranë - Elbasan do të dallosh me mijëra shtëpi dy tre katër katëshe të papërfunduara, (nuk po merrem me pallatet) që kuptohen se janë bosh nga dritaret e pavëna apo suvatë e pambaruara. A e ka parë ai se çfarë dyndjesh ndërtimi ka në bregdetin tonë? Ku e çon mushka kryeministrin që u sugjeron shqiptarëve të vazhdojnë të investojnë në ndërtim? Si ka mundësi që këtej flet për turizëm dhe andej jep konçesione që masakrojnë tërë burimet turistike të vendit? Ose ose: si ka mundësi që këtej flet për mbjellje mijëra rrënjësh ullinj, këtej bën projekte çullinjizimi në funksion të ndërtimeve? Si ka mundësi që këtej flet për masakrën urbane që ka shkaktuar Edi Rama në Tiranë kurse, nga ana tjetër, edhe në ndonjë zonë që Rama në projektin urbanistik e ka lënë për ndërtime të ulëta, vete e u flet qytetarëve atje se kryebashkiaku u ka bërë padrejtësi duke u hequr atyre mundësinë e ndërtimit të pallateve?

Të gjitha këto kundërshti e mjaft të tjera (ekspertë ligjorë thonë se edhe shumë ligje janë bërë çorap ku një herë i japin avantazh pronarit të vjetër një herë atij të riut varësisht nga interesat e klientëve të PD-së) flasin se Kryeminstri dhe qeveria e tij nuk kanë asnjë projekt afatgjatë të studiuar e të debatuar, por vazhdojnë të bëjnë politika ekonomike të diktuara nga spontaniteti i klientelizmit e korrupsionit miop dhe të babëzitur. Mirëpo nëse disa vjet më parë kjo lloj ekonomie dukej sikur, gjithsesi, po sillte ndonjë zhvillim sepse ishte disi më në përputhje me ligjet e kërkesë ofertës sot është bërë mëse e qartë se zhvillimi që ajo ka sjellë është një pseudozhvillim ose, sikurse e kam thënë edhe herë tjetër, një zhvillim tumoral që ndërkohë që pasuron një grusht të vogël spekulantësh e të korruptuarish dhe ushqen ekonominë e zezë kriminale, vendit po i merr frymën. Dhe kur them “po i merr frymën” nuk kam parasysh vetëm frymën ekonomike, por edhe asfiksinë shpirtërore e intelektuale që ka krijuar ky tumorr, analfabetizmin e injorancën që prodhon me sistemin e vleraver të mbrapshta që stimulon, ankthin e pasigurisë për të ardhmen që përfton tek shumica e njerëzve.

Këtë gjendje të gjërave, sipas meje, e tregon edhe kabineti i ndërtuar i qeverisë Berisha 2. E kam shumë të vështirë të shoh lidhjen profesionale të shumicës së ministrave me karakterin specifik të ministrive që ata drejtojnë. Kabineti reflekton thjesht e vetëm një lojë vazhdimësie e akumulimi pushteti e kujdesi të Kryeministrit për të patur brenda rrethit të tij njerëz sa më pak problematikë për pushtetin e tij, por kurrsesi një kabinet që të jetë i aftë të frenojë, aq më pak operojë, tumorrin që po i merr frymën vendit ditë përditë. Nga sa duket qartë Berisha dhe qeveria e tij nuk kanë asnjë projekt për ta operuar këtë tumorr, por përkundrazi kanë projektin e bashkjetesës dhe bashfajësisë me të.

Uroj të jem i gabuar në analizën e parashikimin tim, por kam shumë frikë se pesimizmi im do të rezultojë i gabuar vetëm nëse shohim të nisë një betejë sa brenda mazhorancës edhe jashtë saj për ndryshime rrënjësore në politikën tonë; me fjalë të tjera një mrekulli. (Korrieri, 14 shtator 2009

Read More......

Wednesday, September 9, 2009

Një propozim fantastik

Këto ditë të fillimshtatorit nuk mund të mos të të bjerë në sy, duke lexuar shtypin, se numri më i madh i shkrimeve është i përqendruar në komentet mbi Kongresin e PS dhe mbetjen e Edi Ramës kryetar i saj. E kuptueshme të mbahet qëndrim për një ngjarje që na intereson të gjithëve. Edhe personalisht kam shkruar për këtë. Megjithatë më duket se ka një shproporcionim në mediat tona. Dua të them se nëse për fatet tona, duam apo nuk duam, edhe këto katër vjet do të vendosë Berisha, ne po vazhdojmë të merremi me Ramën dhe PS-në e tij duke e "harruar" maxhorancën. Nuk e di pse ndodh kjo, pasi PS-ja gjeneron më shumë lajme dhe është më lehtë të shkruhet, prandaj, për to, pse kjo është më e lehtë pasi për krahun tjetër nuk ke shumë për të thënë, apo pse dyshja Berisha - Meta tashmë po bëhet dominuese në pushtetin mediatik.
Me këto ndërdyshje u ula të lexoj një shkrim të para disa ditëve të Mentor Nazarkos, botuar tek Panorama, që merrte në analizë daljen e parë publike, bashkarisht, të kryeministrit Berisha dhe nënkryeministrit Meta. Nuk di të them me siguri nëse shkrimi m'i qartësoi ndërdyshjet, apo m'i thelloi më shumë, por di të them se shkrimi më tronditi. Më tronditi pasi analisti fliste me një vërtetësi të frikëshme për marrëveshjen Berisha - Meta që më nxiti mendime dhe propozime fantastike që do t'i shpreh më poshtë.
E gjithë përmbajtja e shkrimit ishte se Ilir Meta kishte korrur një fitore pasi kishte qenë ai që kishte diktuar në këtë marrëveshje. Pra, megjithëse vetëm me katër deputetë ai kishte marrrë 20 përqind pjesëmarrje në qeveri, kishte siguruar tre vende kryeministrore për veten dhe bashkëpunëtorët e tij, 25% zv/ministra; e se do të punësonte 3000 militantë nëpër administratë.
Autori nxitonte, diku, të thoshte se kjo fitore e Metës ishte "taktike" jo "strategjike", pra se mbetej për të parë nëse LSI do të kishte të njëjtin fat të partive të futura në koalicione me partitë e mëdha, udhëheqësit e të cilave, duke marrë poste ministrash për vete, i katandisën ato në hiç. "Por Meta nuk është si gjithë të tjerë", përfundonte megjithatë autori duke na lënë të kuptojmë se nëse me "taktikë" ai quan lëvizjen e Metës drejt Berishës me "strategji" të tij kupton lëvizjet që do të përkthehen në zgjedhjet e ardhëshme në edhe më shumë ministra, zv/ministra e më the të thash e që, më në fund, ndoshta mund ta nxjerrin Metën edhe në rolin e Kryeministrit.

Nuk kundërshtoj asgjë nga këto që thotë Nazarko, madje as nuk jam i pakënaqur për ato që nuk thotë. Dua të them vetëm se çka thotë mu duk e frikëshme. Sepse shkrimi jo vetëm zbulonte, si pa dashur, se ku është katandisur politika shqiptare, por zbulonte se po arrijmë në një fazë kur nuk kemi më as nevojë të mbulojmë me gjethen e fikut të moralit veprimet e politikanëve tanë - gjë që po bëhet gjithnjë e më shumë gjendje morale e thuajse tërë shoqërisë.
Normalisht, duke parë marrëveshjen LSI - PD, nuk mund të mos shtrosh pyetjen: cili ishte programi i saj i ndryshëm nga i PD, por edhe i ndryshëm nga ai i PS dhe si mund të kombinohen tani programet e PD me të LSI. E vërteta është se këto programe nuk ekzistojnë. E vërteta është se identitetet dhe programet e vërteta të partive tona janë emrat e liderve të partive dhe ambiciet e tyre me njëri tjetrin si dhe paratë e atyre që i shohin këta lider e parti si instrumente të bizneseve të tyre. PD ndryshon nga LSI sepse ekziston Sali Berisha dhe Ilir Meta dhe disa njerëz rrotull tyre e disa oligarkë prapa tyre që e lakmojnë pushtetin pasi nga ky varet biznesi i tyre. Të njëjtin ndryshim ka edhe PS me PD edhe PS me LSI. Kush pretendon se ka ndonjë ndryshim tjetër le të na e tregojë se ku qëndron ky. Ah harrova, ka një ndryshim në votuesin të cilit i drejtohen, por që, personalisht, më bën për të qeshur. Sepse çuditërisht shumë politikanë e analistë, ende ngulmojnë të thonë se Ilir Meta tradhëtoi "popullin e majtë", se "populli i majtë" duhet bashkuar, madje se Ilir Meta ishte më i majtë sesa PS-ja e cila mund të quhet qendër e majtë.
Po për çfarë të majtësh e kanë fjalën këta? Në fakt e kanë fjalën për gjyshërit dhe gjyshet, bijtë e bijat dhe nipërit e mbesat e atyre që, në kohën e regjmit, kanë qenë me partinë e Punës, në Sigurim, në ushtri, në admnistratë e më the të thashë. Me një fjalë për shtresën më të privilegjuar të kohës së regjimit që, për hir të së vërtetës, duhet thënë se arriti të ketë një shkollim më të mirë se të tjerët, por të cilin, me në krye Nanon, Ramën e Metën e (sh)përdoruan mrekullisht për kthimin e PS në pseudo të djathtën më të korruptuar të Ballkanit.
Sa herë dëgjoj apo lexoj të flitet për "popull të majtë" mua më kujtohet një bisedë - ndër të paktat - që kam pasur rastin të zhvilloj me Fatos Nanon në vitin 1997, kur sapo u bë kryeministër. Meqënse ishim ulur pranë e pranë në një darkë ku kishte pak njerëz shfrytëzova rastin t'i bëj një kritikë (miqësore) pse kishte vënë në një post të rëndësishëm një njeri që njihej në opinion si i korruptuar. Ky e mbrojti me stilin e tij që, kur s'thotë dot një të vërtetë thotë diçka pa kuptim. Atëhere unë, duke dashur të përforcoj idenë time, i thashë: "Po vetë ata të partisë tënde nuk e deshën atë si kandidat për deputet një vit më parë." A e dini se cila ishte përgjigja e Nanos: "E mo, nuk e deshën ata të majtët.". Mu desh t'i përgjigjem: "Ore, kë quan të majtët ti ata të ndershmit?" dhe biseda, kuptohet, u mbyll.
Nëse me të majtët do të quanim vërtet të ndershmit, ose, në mungesë të këtyre, gjysmën apo çerekun që ka mbetur e ndershme të sejcilit shqiptar, atëhere unë them se shumica e tyre janë pa parti. Kurse ata që militojnë në partitë për të cilat po flasim nuk kanë asgjë të majtë dhe asgjë të djathtë. Madje këta as që i kanë studiuar dy ideologjitë dhe as kanë pasur ndonjëherë ndonjë bindje për vlerën e njërës dhe të tjetrës dhe as mendim kritik për njërën apo tjetrën. Ata thjeshtë zhveshën kostumin e komunistit dhe veshën atë të kapitalistit pa asnjë bindje përveç asaj se kjo ishte moda e kohës për karrierën e tyre. Berisha është shembulli i tyre më elokuent, por edhe Meta e Rama, që i përkasin një brezi më të ri, nuk se mbeten prapa, në mos ia kalojnë. Dhe këtyre, nëse, për të ecur përpara, u duhet të mbathin një këpucë të majtë në këmbën e djathtë dhe një të djathtë në të majtën janë gati t'i mbathin pa pikë hezitimi. Siç bëri Meta tani psh. Në fakt këta nuk janë postideologjikë, por paraideologjikë. Nuk janë imoralë por amoralë. Dhe bash lidhur me këtë të fundit ka të bëjë propozimi im.

Për hir të së vërtetës duhet thënë se tek ne ka mbetur ende një retorikë morale. Ja psh. "tradhëtia" e Ilir Metës nuk se është lënë pa u përfolur. LSI-së i ikën edhe katër pesë burra nga partia, madje, sepse tradhëtoi elektoratin e majtë. Por nëse ky elektorat janë ata që presin të punësohen si dhe familjarët e tyre më duket se s'ka pse shqetësohemi fare. Përkundrazi kjo është besnikëri, jo tradhëti. Ajo që më pëlqen dhe tmerron njëherësh tek shkrimi i Nazarkos është pikërisht se ai e injoron moralin dhe me të drejtë. Sepse moraliteti këtu është krejt relativ ose është vetëm një fasadë. E vërteta e thjeshtë, e pastër, pa fasadë është se partitë tona janë ata 3000 që do të punësojë Ilir Meta, ata mijëra që punëson Berisha, ata mijëra që shpresonin dhe shpresojnë të punësohen tek PS-ja dhe ata që përfitojnë në mënyrë më indirekte nga pushteti i këtyre që kanë edhe gazeta edhe televizione nganjëherë me të cilët i shërbejnë njërës apo tjetrës "parti". Kaq. Më falni harrova: shumëzm me familjarët e tyre.
Deri këtu s'kam thënë asgjëtë re, madje nuk po bëj gjë tjetër veçse po përsëris, me fjalë të tjera, atë që ka thënë Nazarko pak ditë më parë. Po prisni. E reja qëndron në propozimin fantastik që dua të bëj. Sipas meje sot ndoshta ka ardhur koha të shtrohet çështja: a mos duhet të hedhim edhe një hap më tej drejt demokracisë, NATOs dhe Evropës dhe psh. të heqim fare përdorimin e moralit në gjykimin e veprave të politikanëve tanë e tonat në përgjithësi? A nuk ka ardhur koha që ta themi troç se ide të tilla se politikani i suksesshëm është ai që i shërben më mirë shoqërisë, që sakrifikon për të etj. janë broçkulla të vjetëruara që duhen hedhur në koshin e plahërave? Madje madje, a mos vallë duhet menduar, në një fazë të dytë, që të hiqen fare nga Kodi Penal krimet e ndryshme që lidhen me korrupsionin e më the të thashë përderisa ata nuk përdoren? Shikoni, a nuk i fitoi Mediu zgjedhjet e u bë deputet e do të bëhet edhe ministër. A patë njeri në partinë e tij të thotë: jo se ky është i akuzuar për vrasjen e 26 vetëve në Gërdec? Pse budallenj janë ata? Pse budalla është Berisha që e ve ministër? Prokuroria që e respekton? Morali është relativ zotërinj. Ajo që është e moralshme për dikë është e pamoralshme për dikë tjetër dhe pikë.
Sipas meje ia vlen të hapet një debat i gjerë nëpër mediat tona për heqjen e këtyre vjetërsirave. Diçka pra e ngjashme me heqjen e feve në kohën e Enver Hoxhës. Sa për Skënderbeun jo, sigurisht duhet ta mbajmë. Madje njerëzit kanë filluar edhe të martohen në Muzeun e Krujës. Jo, ai, nuk na prish asnjë punë. Po për këto të tjerat mendojeni një herë. Në vend se të merremi me "e lagu", "s'e lagu" Edi Rama PS-në më mirë të përgatisim një revolucion të tillë që të na mbajë mend gjithë bota. Ta shpallim Shqipërinë të parën republikë amorale në botë. Mos më keqkuptoni, nuk po them republikë imorale, por amorale. Me një fjalë diçka si natyra që kur sjell diell apo shi, nuk është se ka vetëdijen se po bën mirë apo keq. Apo si kafshët që nuk e dinë se bëjnë keq kur të hanë. Thjesht një hap të vogël por të lavdishëm po ju propozoj: të kalojmë nga "përtej të majtës dhe të djathtës" në "përtej të mirës dhe të keqes."
Republika e parë amorale në botë. Do të rihyjmë në histori, ju siguroj. Mendojeni një herë. (Korrieri, 9 shtator 2009)

Read More......

Friday, September 4, 2009

“Zanatçinjtë e gënjeshtrës” dhe PS

Para pak ditësh më ra në dorë një fjalim/shkrim i parazgjedhjeve i Edi Ramës ku kryetari i PS shtjellonte vizionin e tij “përtej të majtës dhe të djathtës”. Të them të drejtën më befasoi sepse konstatova se nuk do t’i hiqja asnjë presje mjaft gjërave që thoshte. Në qendër të fjalim/shkrimit ishte ideja se klasa jonë politike është e mbushur me “zanatçinj të gënjeshtrës të cilët me pushtetin s'dinë të bëjnë thuajse kurrgjë tjetër përveç hyzmetit të interesave të tyre.” Lideri i PS thoshte se kudo ku ka shkuar nëpër Shqipëri, në Veri a Jug, në zona të ashtuquajtura të majta apo të djathta, ka takuar gra e burra që kërkojnë të shpëtojnë nga politika e zanatçinjve të gënjeshtrës. Njerëzve, thoshte kryetari i PS, po u lëviz toka nën këmbë nga kufizimi i përditshëm i mundësive për të jetuar, qytetari s'mbaron dot një punë pa dhënë rryshfet, çmimet rriten ndërkohë që bie fuqia blerëse, shërbimet publike degradojnë nën “thithjen e përditshme të tentakulave të korrupsionit në shkolla, spitale, gjykata, hipoteka e çfarëdo zyrash të tjera”. Gjithë sipas tij, shqiptarët që duan të jetojnë me punë të ndershme ndjejnë t'u shtrëngohet përditë litari në fyt. Ata, pavarësisht nëse janë socialistë a demokratë, kuptojnë përditë e më qartë domosdoshmërinë për të dalë nga llogoret ku i kanë futur partitë “në emër të konflikteve të vjetra mes gjyshërve”. Rama kërkon, prandaj, daljen nga “vorba e kulturës komuniste ku zanatçinjtë e gënjeshtrës ziejnë tash 17 vjet çorbën e një kapitalizmi klientelist, pa konkurrencë të lirë e të ndershme.” dhe premton se PS si parti “përtej të majtës e të djathtës”, do të jetë “një qendër e re radikale që refuzon çdo paragjykim ideologjik” në emër të luftës kundër kësaj të keqje. Kurse pak më poshtë thotë: “Me një fjalë, që s'është lojë fjalësh, përtej të majtës e të djathtës është një e majtë e re, progresive dhe gjithpërfshirëse.”

Besoj se ky tekst, që e parafrazova thuajse besnikërisht sipas origjinalit, vlen të merret si pikë referimi në kontekstin e ngjarjeve të PS të këtyre ditëve, veçanërisht Kongresit të saj të Jashtëzakonshëm, për të kuptuar se ç’po ndodh atje.
Për një gjë më duket se flet qartë ky fjalim/shkrim i Ramës: se ai e njeh realitetin ku jetojmë. Vërtet, kjo është gjendja shpirtërore e shqiptarëve, ky është vlerësimi i tyre për “zanatçinjtë e gënjeshtrës”. Nuk ka premisë më të mirë për një politikan të sukseshëm sesa njohja e realitetit që kërkon të ndryshojë. Por sigurisht kjo nuk është e mjaftueshme, është vetëm premisa e parë.
Jam i bindur se sikur njerëzit të kishin besuar se fjalët që thoshte Rama në prag të zgjedhjeve do të bëheshin realitet, PS do të fitonte shumë më tepër se 64 deputetë, s’do të kishte pasur aspak nevojë për votat e LSI dhe, po ashtu, nuk do të kishte patur manipulim votash që t’ia hiqte fitoren nga duart. Madje, në kontekstin e këtij premtimi, edhe fitorja e ndonjë deputeti më shumë se PD do të kishte qenë humbje. Por humbja ndodhi, sipas meje, sepse njerëzit tashmë janë mësuar, deri në mbingojpje, me atë se të tjera gjëra dëgjojnë dhe të tjera gjëra shikojnë në veprat e zanatçinjve të gënjeshtrës. Sepse Rama ishte pjesë e akuzave që ka bërë vetë për zanatçinjtë sepse njerëzit, duke i parë veprat dhe jo duke i gjykuar fjalët, nuk e ndanë atë nga “dora” e vet. Sepse njerëzit, po ashtu, kishin dëgjuar një zanatçi tjetër të gënjeshtrës, edhe më të fortë se ai ndoshta, Berishën e vitit 2005, kur denonconte me emra dhe mbiemra baronët e drogës e bandat e Zemunit, kur premtonte zhdukjen e korrupsionit dhe panë pastaj Gërdecin. (Kurse Ramën, megjithë kritikat e tij kaq të vërteta, e premtimet radikale, nuk e panë të guxonte as të përmendë emra për t’u bërë disi më bindës.)
Por le t’i kthehemi edhe një herë fjalimit të Ramës. Problemi i parë që ngre ky fjalim është se ai thotë se kështu mendojnë socialistë e demokratë ndërkohë që, në fakt, kritikat e ashpra që ngre Rama për klasën politike i bëjnë ata që janë zhgënjyer si nga socialistët edhe nga demokratët këta 17 vjet. Kuptohet qartë se Rama, kur flet, nënkupton popullin votonjës të këtyre partive, jo udhëheqjet, se ai kërkon edhe votat e tyre, por edhe të atyre që janë kundër të dy palëve për të arritur tek partia “qendra radikale” apo “e majta e re, progresiste gjithpërfshirëse” që ai përmend. Dështimi i tij në këtë aspekt është edhe më evident. Do të thoja se pikërisht tek ky premtim për radikalizëm dhe transversalitet njëherësh qëndron gjithë kontradikta madje edhe dështimi i PS që e shfaq edhe Ramën si një zanatçi të gënjeshtrës par exellence. Duke analizuar ato që thotë Rama del se kemi të bëjmë me një kryetar partie me qëndrim kontradiktor, pasi ai kërkon të qëndrojë njëhersh edhe brenda edhe jashtë partisë që kryeson, edhe të mbajë edhe të mos mbajë përgjegjësi për atë çka bën kjo parti. Sepse, më një anë kryetari i PS është i tillë si rezultat i zgjedhjes që ka bërë mazhoranca e partisë, më anë tjetër mazhoranca e partisë akuzohet nga kryetari si e sëmurë nga korrupsioni e me rradhë. Atëhere lind pyetja: si ka mundësi që kjo parti ka zgjedhur si kryetar një mish të huaj për të? Më duket e rëndësishme të kthjellohet ky truk i përdorur në Partinë Socialiste. Një pjesë e socialistëve, ndër të cilët do të përmendja kundërshtuesin kryesor të Ramës, Ben Blushin, kanë kundërshtur qëndrimin mohues të Ramës duke u shprehur se PS ka një trashëgimi pozitive, duke përmendur kontributin pozitiv të Nanos e me rradhë. Ata kanë kërkuar një lloj koherence sepse, po të hedhim poshtë gjithshka, atëhere nuk kemi legjitimitet. Ky është një qëndrim që nënkupton moderacion, jo radikalitet. Në fakt, për te qenë koherent me idetë e tij radikale Rama do të duhej të bënte një ndër dy gjëra; ose të mohonte PS dhe të krijonte një parti të re (meqë do të qëndrojë në politikë), ose të bënte një pastrim radikal në PS me kritika të drejtëpërdrejta për zanatçinjtë e gënjeshtrës” në PS. Mirëpo ai nuk ka bërë as njërën as tjetrën. Nuk kemi parë deri tani ndonjë kritikë të brendëshme përveç asaj për Nanon me termin e përgjithshëm “politika e vjetër” ndërkohë që të gjithë ata që Rama i quan “zanatçinj të gënjeshtrës” i shohim rreth tij dhe ku, për fat të keq, edhe tërë ata që ai ka thithur si të rinj, nuk i shohim të bëjnë ndonjë kritkë, përkundrazi, kanë shenja të qarta se janë në të njëjtën hulli të të vjetërve. Për të mos folur për oligarkët që ka pasur dhe ka prapa që janë edhe ata po aty e të së njëjtës filozofi të “hyzmetit të interesave të tyre” nëpërmjet “tentakulave të korrupsionit”. Kuptohet se pastrimin radikal në PS ai nuk e bën dot se është njëlloj sikur të presë degët e pemës mbi të cilat ka qëndruar, kurse partinë e re nuk e bën dot sepse kjo është një punë e gjatë e papajtueshme me padurimin e Ramës. Rama pra, ka zgjedhur, paradoksalisht, edhe të premtojë ndryshime radikale, edhe të qëndrojë kryetar i një PS-je ku mbizotëron mazhoranca konservative e kritikuar prej tij. Si shpjegohet ky paradoks, që, pra, nuk është vetëm i Ramës, por edhe i udhëheqjes së PS në përgjithësi? Sipas meje ai shpjegohet me kulturën që e mban politikën shqiptare në “vorbën” e vjetër: atë të pushtetit për pushtet, të konfliktualitetit sipas të cilës ndaj armikut Berisha nuk ka ilaç më të mirë sesa armiku Rama, atë që të keqen e sheh gjithmonë tek tjetri, dhe sigurisht në “vorbën” e zanatit të gënjeshtrës për tu bërë hyzmet interesave vetiake. PS me në krye Ramën ka zgjedhur me vetëdije të jetë e paqartë për rrugën që po ndjek. Udhëheqja e partisë duket se ka zgjedhur jo ashtu kot heshtjen rreth problematikës që ngre fjalimi i Ramës që përmenda (që për hir të së vërtetës nuk është një konstante e fjalimeve të tij). Asaj nuk i intereson të thotë nëse po krijon një parti të re që premton ndryshime radikale brenda saj (dhe në shoqëri) duke denoncuar të kaluarën apo po mbështetet në të kaluarën e saj nanoiste. Kjo paqartësi e qëllimtë, e fshehur prapa armikut Berisha, shkon edhe né hullinë e kulturës sé vjetër ku partia identifikohet me udhëheqësin e pagabueshëm çfarëdo që ky të thotë e të bëjë. Rama dhe udhëheqëja e PS shkon kështu me idenë se paraqitja e PS edhe si parti e re, që premton ndryshime radikale e luftë pa kompromis me armikun, edhe si parti që ruan interesat e krejt të vjetërve do të ishte gënjeshtra më e suksesëshme, më “gjithpërfshirëse”. Mirëpo problemi është se këtë gënjeshtër e përdori Berisha para katër vjetësh dhe njerëzit nuk e hanë më.

Duke iu referuar edhe fjalimit të Ramës, do të thoja se ajo çka duhet të dilte si mësim i kësaj humbjeje të PS është se klasa jonë politike, që të fitojë, duhet të ndryshojë veprat jo fjalët. Në këtë kontekst problemi i sotëm i PS, që do të duhej të diskutonte Kongresi është nëse ajo do të kërkojë një gënjeshtër të re apo do të synojë të kthehet më né fund né një parti të sé vërtetë. Duket se ajo zgjodhi të parën. Në vend se të diskutojë për këtë alternativë kaq të rëndësishme ajo diskutoi për mospranim të humbjes mbasi votat i vodhi Berisha e Meta në bashkëunim me Nanon, dikutoi për arsye teknike të humbjes, për paaftësitë negociuese të kryetarit të PS, për nevojë bashkimi me Ilir Metën (që të tjerë e akuzojnë për tërë të zezat) etj. si këto. Sipas meje të gjitha këto janë variante të vazhdimësisë së gënjeshtrës. Ndoshta vetëm kur dikush diskutoi për nevojën e demokratizimit të partisë ajo iu qas sfidës së ndërtimit të një partie të së vërtetës sepse pa demokraci nuk ka as të vërtetë. Mirëpo u pa qartë se në vend të demokracisë atje triumfoi kulti i liderit të padiskutueshëm që mund të thotë e të bëjë çdo gjë e të mbetet në krye.
Si përfundim, do të thoja se Kongresi i PS tregoi se sfida e ndërtimit të një partie të së vërtetës, një sfidë kjo edhe për gjithë politikën shqiptare, është ende larg politikës dhe politikanëve tanë, e se, prandaj, do të vazhdojmë të vuajmë në “vorbën” e zanatçinjve të gënjeshtrës. (Korrieri, 1 shtator)

Read More......

Wednesday, September 2, 2009

Nevoja për heshtjen

“Jetofsh në kohë me zhurmë!”. Kështu do ta perifrazoja atë mallkimin kinez “Jetofsh në kohë interesante!”, që nuk të lenë të hysh në kuptimin e thellë të gjërave, nëse do të doja ta bëja mallkimin kinez jo thjesht abstrakt, mendor, por konkret, fizik. Si të thuash për ta bërë torturën jo indirekte, shpirtërore, sikurse i thonë, por direkte, fizike. Sepse qënia njerëzore, sado që paraqitet superiore nga kafsha, prap dhimbjen kafshërore e ka më të padurueshme sesa atë shpirtërore. Kush ka lexuar Ferrin e Dantes psh. e di se çdo të thotë ndëshkim fizik. Pra nuk e kam fjalën për kuptimin abstrakt të fjalës “zhurmë”, por për kuptimin konkret të saj; atë që, me një terminollogji më profesionale, quhet “ndotje akustike”. Kështu mallkimi do të ishte: “Jetofsh në kohë me ndotje akustike!” Dhe, nëse ka ndonjë rreth të Ferrit ku do të doje ta hidhje një njeri për të vuajtur këtë mallkim apo torturë, jua them unë, ky do të duhet të përfshinte patjetër Shqipërinë. Sidomos Shqipërinë në verë; sidomos Shipërinë në pushime verore – nëse do të donim ta ngushtonim edhe më rrethin.
Besoj se është i madh numri i atyre shqiptarëve që e dinë se çdo të thotë kjo, mjafton të kenë kaluar pushime në ndonjë nga plazhet tona “turistike”. Mirëpo kjo puna e zhurmave që bëjnë shqiptarët nuk është çështje stinësh natyrore , temperaturash të larta e dritaresh të hapura. Kjo është çështje stinësh kulturore e gjendjesh të mbyllura mendore. Ka shumë thënie për atë se si mund të matet shkalla e një qyetërimi. Ka nga ato që thonë “shko shih varrezat”; ka të tjera që të ftojnë të shikosh trajtimin e kafshëve; ka që të çojnë edhe në kushtet e burgjeve. Do të thoja se nuk është gabim, përkundrazi mund të jetë shumë e saktë, nëse do ta matnim shkallën e qytetrimit të një shoqërie edhe me nivelin e zhurmës që ajo prodhon.
Ç’është e vërteta, lexuesi me të drejtë mund të më thotë se zhurma të tilla si ato të sirenave të ambulancave apo të policisë, zhurmat e trafikut të makinave, zhurmat e provokuara nga televizori i fqinjëve, diskot, stereot etj. - janë zhurma që kanë ardhur me të ashtuquajturin qytetërim duke iu shtuar zhurmave “natyrore” të lehjeve të qenve, të pëllitjes së kafshëve, të qarjes së fëmijëve, të grindjeve e të ulërimave të njerëzve e me rradhë. E në këtë kuptim duket sikur po them një broçkull kur them se qytetërimi matet me nivelin e ulët të zhurmave. Por jam i sigurt se nuk është kështu. Problemi i matjes së nivelit të qytetërimit me ndotjen akustike, siç e shtrova, nuk ka të bëjë me atë se cili prodhon më shumë ose më pak këtë ndotje, por se cili ka më shumë ose më pak ndjeshmëri ndaj dëmit të saj, se cili e lufton atë edhe atje ku ajo është e nevojshme dhe cili e prodhon atë edhe padobishmërisht. Sa për ilustrim; në vendet e qytetëruara, ku është prodhuar makina, nuk lejohet t’i bijesh burisë në qytete veçse për rastet ekstreme, madje gjobitesh po t’i bijesh kot, kurse tek ne është sport dasmash. Megjithatë ndoshta duhet ta korrigjoj atë që thashë e ta zëvendësoj duke thënë se niveli i një qytetërimi matet me nivelin e respektit për heshtjen e të kujtoj se në librin e tij “Manifest për heshtjen", profesori anglez Stuart Sim, shtjellon idenë se zhurma është një element i luftës që i bën zhvillimi ekonomik individit.
E pra po ua them tërë bashkëpatriotëve të mij të dashur dhe të padashur se, nëse ka ndonjë vend ku niveli i respektit për heshtjen është në nivelet më minimale, kjo është Shqipëria. Shqiptari është një qënie që sapo “dëgjon” një minutë heshtje e mbush atë me zhurmë. Jam stërbindur për këtë kësaj vere, por, e përsëris, kjo nuk është çështje stine natyrore, por stine mendore. Nuk ka vend në Evropë ku njeriu të futet në një bar për të pirë kafen e mëngjesit apo të shfletojë shtypin e ditës e të gjejë atje një muzikë diskoje nga ato që të ftojnë të kërcesh pasi të kesh rrëkëllyer doza të tëra alkooli në ndonjë festë. Dhe ky është vetëm fillimi i një dite ku zhurma të ndjek si mallkim ngado ku ndesh shqiptarë.
Tashmë ka studime që provojnë se kakofonia e zërave rrezikon shëndetin e njeriut, bëhet shkak agresiviteti, hipertensioni, stresi, shrregullimesh kardiake, psiqike; se zhurma dëmin më të madh ua bën fëmijëve, të cilëve u zvogëlon aftësinë për të lexuar e për tu përqendruar psh.. Në këtë kuptim, duke parë nivelin e zhurmave që na rrethon, mund të thuhet se shoqëria jonë është e tëra e molepsur nga një sëmundje që, në rreth vicioz, prodhon zhurmë gjithnjë e më të madhe, e cila, nga ana e vet, na sëmur gjithnjë e më shumë. Mjafton të shihje, për tu bindur dëshpërimisht për këtë, fushatat elektorale të dy partive se si shoqëroheshin me darje dhe me lodër e me stereo në kupë të qiellit, - a thua se sa më shumë zhurmë do të thoshte aq më shumë mbështetje. Kam frikë se, nëse do të bëhet ndonjë studim për prapambetjen mendore shqiptare, për mungesën e ideve, deri edhe të programeve politike të partive, zhurma do të zerë një vend të rëndësishëm në tabelën e shkaqeve të tyre.
Një zhurmë prej 45 decibelësh prish gjumin. Kjo është sa gjysma e decibelëve që prodhon trafiku që është afro 70 decibel, kurse 80 decibel shkaktojnë dëme në të dëgjuarit. Shko po deshe për pushime në plazhet shqiptare. Më lehtë të ze gjumi në mes të trafikut, jam i sigurt, sesa pranë bam bameve të bokseve të diskove të ngritura në kupë të qiellit që përzihen me lloj lloj muzike zurnash e daullesh të lokaleve pranë tyre, e ku di unë ç’të them tjetër. Se mos janë vetëm dafrungat në plazhe. Dafrungat i gjen kudo edhe në mes të qytetit. Po gjeneratorët që fillojnë të ulërasin sa ikën energjia, po buritë e makinave të dasmave, po stereot e tyre të ngritura në kupë të qiellit teksa kanë parkuar poshtë shtëpisë tënde, po stereot e xhamive në pikë të mëngjesit?
Tek ne nuk kam dëgjuar të ketë matje të ndotjes akustike. As nëse ka orare kur ndalohet zhurma. Duket sikur ajo nuk ekziston si problem, por nuk është kështu. Problemi është se zhurma është hapësira ku shqiptari nuk të lejon të hysh sepse është prona e tij, prova e ekzistencës së tij dhe fatkeqësisht kjo pronë nuk rrethohet dot me mur prandaj ai e quan të pakufishme siç e ka dëshirën. Pse, a mund t’ua përishësh dasmën shqiptarëve duke u ankuaar në polici se po të lenë pa gjumë? Ata një ditë dasme kanë. Dhe dasmë për ta do të thotë zhurmë ashtu sikurse për partitë propagandë elektorale do të thotë zhurmë.
Por më mirë le të flasim për heshtjen. Në librin e tij profesori Stuart Sim na kujton se feja, filozofia, arti, letërsia, muzika tregojnë se heshtje nuk do të thotë mungesë e diçkaje. Përkundrazi, heshtja përfaqëson një të mirë me rëndësi vendimtare për qytetërimin tonë, sepse heshtja është lumi ku lundron mendimi njerëzor.
Në fakt a nuk themi ne se monumentet më të bukura na lënë pa fjalë? Në traditën fetare të budistëve heshtja absolute është forma më e lartë e vetëdijes. Zoti ebraik flet atje ku ka heshtje. Në shumë fe heshtja është kusht i kontemplimit dhe meditimit. Nëse do të bëhesh një muzikant i mirë mbyll sytë dhe dëgjo mërmërimat e natyrës thoshte Listi.
E pra heshtja nuk është sinonim i asgjësë. Dekarti thoshte "Cogito ergo sum" (mendoj pra jam) dhe që të arrish këtë vetëdije duhet heshtja: “lumi ku lundron mendimi njerëzor”. Ky lumë që tek ne rrezikon të thahet e helmohet nga “ndotja akustike” ashtu sikurse po thahen e helmohen lumenjtë konkretë nga ndotja ekologjike. Ai lumë duhet shpëtuar me çdo kusht. Madje, ndoshta shpëtimi i tij mund të sjellë edhe shumë shpëtime të tjera. (Korrieri, 29 gusht 2009)

Read More......

Tuesday, September 1, 2009

Liderët e perjetshëm dhe demokracia

“Në Shqipëri, ku gjithshka mbështetet mbi klane familiare apo tribale, kapua duhet të jetë mbi të gjitha dikushi, një personazh, një personalitet, kurse bindjet e tij apo mendimi i tij politik janë një gjë sekondare”. Këtë frazë e lexova në një reportazh udhëtimi të shkrimtarit polak Andrzei Stasiuk të botuar bash disa ditë para zgjedhjeve në revistën italiane “L’Espresso”. Më erdhi natyrshëm ta vendos në krye të këtij shkrimi, që synon një koment mbi çka ndodhi në PS këto ditë me Asamblenë ku u diskutua, me dyer të mbyllura për mediat, ndonëse, çuditërisht, në një restorant, qëndrimi i PS ndaj zgjedhjeve por ku, në fakt, u zhvillua akti i parë i rikonfirmimit të Ramës në krye të PS që, mesa duket, do të ketë si akt të dytë dhe përmbyllës Kongresin e Jashtëzakonshëm në fund të gushtit.
Para së gjithash duhet thënë se kush pretendonte se do të ndodhte ndryshe: pra se Edi Rama do të linte udhëheqësinë e PS dhe do të tërhiqej në punët e tij në Bashki duke i thënë edhe lamtumirë politikës më pas, e duke i hapur udhë të rinjve, ose është naiv ose nuk kupton gjë nga kultura shqiptare. Nuk mund të ndodhte kështu sepse, antropologjikisht, partitë tona janë ndërtuar në mënyrë të atillë që kapua i klanit apo i tribusë nuk e le pushtetin derisa të vdesë, ose ta zbresin me dhunë nga kali – siç ka thënë njëherë e një kohë për Berishën Namik Hoti. Vëreni se çfarë ndodh në të gjitha “klanet” apo “tributë” me të cilat është ndërtuar shoqëria jonë, që nga organizatat më të vogla joqeveritare e deri tek partia më e madhe në pushtet. Të gjithë liderët aty ku kanë qenë i ke: në krye të pushtetit. Edhe Fatos Nano, aq i mirëpërmendur për aftësitë e tij për të dhënë dorëheqje, e që mund të quhet, në një farë kuptimi, hibrid kulturor, nuk ka hequr dorë nga pretendimi për të ndejtur në politikë, madje ka luajtur edhe lojën për t’u bërë President i vendit pasi la partinë. Është e vërtetë se në Partinë Socialiste, nën kryesinë e Nanos, ka pasur më shumë demokraci se në PD, por kjo, sipas mendimit tim, ka ardhur për shkak se PS trashëgoi një barrë jo të vogël pas viteve 90: krimet e baballarëve të atyre që morën në dorë këtë parti. Këto u krijonin atyre, një lloj kompleksi, një lloj përulësie, sepse as nuk gëzonin mbështetje popullore në krye të herës. Ishin, pra, në pozitën e humbësit të pushtetit, jo të fitimtarit, çka ua pakësonte arrogancën. Nano megjithsëse në vitet e fundit deklaronte “Jam Fatos Nano, prapa më vjen historia”, e trashëgoi këtë frymë përulësie dhe, në një farë mënyre, mund te thuhet se sa për antropologjinë e tij aq edhe për kushtet në të cilat u riformësua PS, ai është një hibrid ku dalloheshin, megjithatë, qartë, tiparet e liderit autoritar. Me Edi Ramën PS e ka kapërcyer kompleksin e fajit dhe është futur në hullinë e kulturës sonë të specive të pastra autoritariste, sipas antropologjisë kulturore që përmend edhe Stasiuku.
Kjo antropologji kulturore shpjegon edhe disa fenomene të tjera për të cilat po bëhet sikur po diskutohet sot në PS, por për të cilat është folur pak ose aspak përpara, siç do të duhej të kishte ndodhur në fakt. E kam fjalën për parrullën “përtej të majtës dhe të djathtës” të Edi Ramës apo edhe për “mungesën e programi” të PS që, në analizën që bënte Blushi në Asamble, theksoheshin me të madhe si shkak i humbjes së PS. Por, në fakt, nuk është se Rama nuk kishte program. Programi i Ramës ishte vetë Rama. Ai nuk kishte program sepse mendonte se vetë vetja e tij i mjaftonte PS dhe Shqipërisë, madje. Po ashtu, kjo shpjegon se pse përdorej parrulla “përtej së majtës dhe së djathtës” pasi mendimi politik i një lideri, sikurse thotë edhe Stasiuku, nuk ka shumë rëndësi, është sekondar. A nuk është kështu? Vëreni historinë e Sali Berishës që mund të konsiderohet lideri më i sukseshëm i këtij tranzicioni. Ka qenë komunist i thekur, u bë antikomunist i thekur, flet për të gjitha dhe bën atë që i dikton etja e tij për pushtet, ishte me Bushin bëhet antiamerikan po t’ia lypë pushteti, nesër mund të bëhet edhe me kinezët, mjaft që të jetë në krye, të jetë “dikushi”, “një personazh”, “ një personalitet” që të rrezatojë forcë. E për ta bërë edhe më to fortë këtë rrezatim deklaron se do të qëndrojë në politikë derisa ta thërresë Zoti. E njëjta gjë edhe për Edi Ramën. U nis si antikomunist dhe u bë kryetari i partisë ish komuniste; përqeshte veteranët dhe u bë idhulli i tyre, premtoi kthimim në identitet dhe e shpërndërroi Tiranën aq sa nuk e njeh më kush nuk e ka vizituar për disa vjet. Edhe ai, duke refuzuar largimin nga kreu i PS synon liderin e përjetshëm. Po a nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Ilir Metën. A nuk ka ndërtuar edhe ai një parti të tipit: kur themi LSI nënkuptojmë Ilir Meta dhe kur themi Ilir Meta nënkuptojmë LSI? A nuk thoshte ai deri dje se rreziku më i madh ishte Berisha e se, prandaj, bënte kompromise të pamoralëshme me Ramën kurse sot thotë është Rama më i rrezikshmi dhe bën kompromise të pamoralëshme me Berishën? Po ç’rëndësi ka kjo? Në Shqipëri s’ka rëndësi ajo çka thua, rëndësi ka që të jesh “dikushi”, të dish t’u mbushësh mendjen të tjerëve se ti je kapua, prijësi luftarak, i paepur që krijon rreth vetes klanin më të fortë. Ve bast se edhe Erion Velia, ndonëse më i riu i liderve, nuk do të japë dorëheqjen. Prijësi sipas antropologjisë sonë kulturore është patriarku; atij i lejohet gjithshka: të gënjejë, të vjedhë, të vrasë, të rrahë, të fyejë, të poshtërojë, të humbasë, të miklojë. Ai është babai ynë dhe, derisa të vdesë, do të jetë autoriteti i padiskutueshëm i klanit. Rama është humbës ndaj Berishës mu në këtë kuptim, sepse nuk arriti të ndërtojë një klan më të fortë se të atij. Ai pretendon të kthehet nesër në fitues po në këtë kuptim. Kurse ata që e përkrahin bash këtë kërkojnë prej tij, asgjë më shumë, sepse “derri” Berisha do plumb dhe Rama paraqitet si më i angazhuari për t’i dhënë plumbin. Kjo kulturë shpjegon edhe pse një i moderuar si Blushi paraqitet si i padenjë për të qenë në krye të PS dhe anatemohet vazhdimisht si instrument i Berishës sipas fjalës ”miku i armikut tim është armiku im.”
Duhet pranuar se në “familjen” socialiste “bijtë” e kanë ngritur ndonjëherë zërin, (ndonëse kohët e fundit gjithnjë e më pak), e kanë thënë ndonjë fjalë, dhe babai nuk i ka sikterisur në formën si i sikterisi Berisha pashkot me shokë në fillimet e karrierës së tij. Edhe Blushi e mbështetësit e tij nuk do të sikterisen nga Rama. Por të mos harrojmë se kjo ndodh pasi prijësi, në këtë rast, është humbës dhe i duhet mbështetja e të tjerëve. Prijësat tanë bëhen ca si demokratë kur janë në pozitë të vështirë. Prova e tyre e vërtetë është kur janë në pushtet. Ama vëth në vesh e kanë kundërshtimin që u ke bërë kur kanë qenë të dobët. Sikur prijësi të ishte fitimtar do të shihte Blushi. Pse nuk e ngrinte zërin ai përpara për mungesë programi dhe për politikën e gabuar “përtej të majtës dhe të djathtës”?
E këtu vijmë në anën tjetër të medaljes së kapos. Te gjithë mund të kërkojnë pushtet absolut, të gjithëve mund t’u duket vetja i pagabueshëm, të gjithë mund të mendojnë se janë më të aftët për të drejtuar, problemi është se sa ua lejojnë të tjerët këtë. Kush e ka lexuar me kujdes statutin e PS ve re se ai është bërë në mënyrë të atillë që prijësi të jetë autoritar, që t’i lihet gjithshka në dorë latij. Po a nuk është kjo edhe puna më e lehtë për të tjerët pasi kjo u heq përgjegjësinë? Tani dëgjojmë edhe argumentin: ia lamë Ramës në dorë gjithshka, prandaj përgjegjësinë e ka ai dhe prandaj, duhet të ikë. Sipas kësaj logjike edhe lideri që vjen do të ketë të njëjtën antropologji: do t’i lihet në dorë gjithshka dhe pastaj ai duhet të ikë po humbi ose do të bëjë ç’ti dojë palla po fitoi. Po pse logjikë është kjo? Pale këtë e argumentojnë edhe me përvoja të vendeve të huaja demokratike dhe të partive demokratike atje. Ky është një mashtrim i madh. Sa më demokratike të jetë një parti aq më pak pushtet absolut ka lideri i saj. E në ndodhtë e kundërta në ndonjë vend demokratik (kam parasysh partinë e Berluskonit në Itali psh.) kjo nuk është punë e mirë, përkundrazi.
Nga kujtimet personale nuk e harroj se kur Fatos Nano ishte në burg, në PS karriken ia linin të paprekur. Kryesia mblidhej në karriket rrotull kurse karrikja e kryetarit lihej bosh në shenjë nderimi apo adhurimi të pakushtëzuar. Kur Nano doli çuditërisht e dinte gjuhën që do të përdorete me adhuruesit e tij: u fliste si baba i gjithpushtetshëm edhe më të moshuarve se ai në parti. Brenda familjes socialiste edhe Nano – që sot e gjithë ditën celebrohet si më demokrati i liderve tanë – sillej si një kapo i gjithpushtetshëm. Vërtet nuk përdorte aq shumë agresivitetin dhe dhunën verbale, por në vend të saj kishte talljen dhe përçmimin si kënaqësi pushteti mbi vartësit e tij. Pa dyshim kjo sjellje ka anën e vet të medaljes: nënshtrimin e të tjerëve që nuk kanë kuptuar se liria dhe demokracia fitohet, nuk dhurohet, e se udhëheqës me prirje të tilla duhet të ngjallin neveri dhe jo të mbahen në krye të partisë. Dhe kjo është çështje “shijesh”, dmth. kulture. Pa ndryshuar këto shije kjo gjellë do të na duket gjithmonë e ngrënshme.
Duke shkruar këto rradhë më shoqëron një ndjenjë kotësie sepse më duket se kam tërë jetën (post-komuniste), që kur filloi ngjitja autoritariste e Berishës, që po shkruaj mbi këtë temë. Sot mund të shtrohet pyetja: a kemi bërë hapa para apo jo përdrejt ndryshimit të antropologjisë së këtij lloj lideri. Në këtë aspekt nuk mund të mohoet se përvoja historike e PS ka dhënë një kontribut pozitiv, që nuk duhet humbur dhe që na i jep një lloj kuptimi kësaj lufte. Në këtë kontekst debatet dhe kundërshtimet e Blushit dhe të kundërshtarëve të Ramës brenda PS janë një gjë pozitive, që duhet inkurajuar, përtej asaj se kush do të bëhet kryetar i PS. Problemi është se ata duhen inkurajuar jo thjesht për tu bërë kryetarë që do të sillen nesër po si Rama, por pse bëjnë rezistencë ndaj një lloj lideri që shpreh kulturën e vjetër e që vazhdon të jetë mbizotërues në jetën tonë jo vetëm politike. Kjo është e vetmja rrugë për të mbajtur sadopak frymë demokratike në një parti dhe për të emancipuar, nëpërmjet saj, edhe krejt shoqërinë. Jam i bindur se kjo është edhe e vetmja rrugë që punët e kësaj partie të shkojnë mirë dhe që punët tona në përgjithësi të mos vazhdojnë të shkojnë kaq keq sa po shkojnë ku lideri që kemi sot në kry të vendit po sillet si pronar i vetëm i tokës shqiptare. Më duhet të përsëris edhe një herë thënien e Gëtes: “Lirinë e meriton ai që shkon përditë në luftë për të”. (30 Korrik 2009)

Read More......

Mbi humbjen e të rinjve

Debatet e këtyre zgjedhjeve janë përqendruar në atë që i tërheq më shumë shqiptarët: loja e pushtetit, ku bije në sy, veçanërisht, përqendrimi i baterive tek çfarë do të ndodhë në PS dhe se si do të ndahet pushteti i ministrave midis PD dhe LSI. Ndërkohë zgjedhjet kanë nxjerrë në dukje shumë fenomene që mendoj se meritojnë të analizohen e të thellohen sepse janë problematika bazë e shoqërisë sonë, që lidhen me të ardhmen e saj përtej asaj se kush fitoi e kush humbi të sotmen.
Në këtë kontekst një nga rezultatet më befasuese, që meriton sipas meje analiazë, ishte humbja e të rinjve me çka kam parasysh rezultatin nën 1% të G99 të Erjon Velisë me shokë. Më shqetëson më shumë si fenomen sesa si humbja e një partie. Dhe jo se prisja të kishin rezultat me dy shifra, por të kishin një rezultat të paktën disa përqind.
Nuk pretendoj me këtë shkrim të jap arsyen e plotë të këtij rezultati, por do të përpiqem të bëj komentin tim për këtë humbje. Do të më kishin ndihmuar për këtë edhe prononcimet e Erion Velisë me shokë, por nuk i shoh gjëkundi.
Para së gjithash duhet vënë në dukje se ky rezultat kaq i dobët i partisë së të rinjve ka ardhur si pasojë e atyre fenomeneve që sollën edhe përjashtimin e të vegjëlve të tjerë nga Parlamenti shqiptar, një fenomeni, tashmë të stërthënë, por që besoj se duhet përsëritur: bipolarizimi i fortë i shoqërisë shqiptare si vepër e dy partive të mëdha. Dhe, me këtë bipolarizim, nuk kam parasysh vetëm kodin zgjedhor, as fushatën zgjedhore që shtruan direkt ose indirekt çështjen se të votoje për të vegjëlit ishte humbje e votës e që çoi deri në luftrat brenda llojit ku partitë e mëdha “hëngrën” edhe ushqimin e sivëllezërve të tyre. Kam parasysh tërë klimën bipolarizuese që kanë krijuar këto parti për çdo aktor të jetës sociale, politike, kulturore, mediatike, por edhe të biznesit sipas së cilës, po nuku bëre me njërën nga këto dy parti, nuk ha dot bukë. Mendoj se këto zgjedhje, si test, e provuan më së miri këtë klimë dhe e thelluan, madje. Varfërimi dhe deformimi që po i sjellin këto dy parti shoqërisë është i frikshëm dhe të rinjtë janë thjeshtë viktimë e këtij abuzimi me pushtetin që provon, çka e kam shkruar edhe herë tjetër, se, që të kemi të rinj të shëndetshëm, duhet të kemi më së pari të rritur të shëndetshëm. Në këtë kontekst pasojë e këtij mosshëndeti janë edhe mjaft probleme që lidhen me të rinjtë e G99 ndër të cilët, duke parë edhe rezultatin, bije në sy përdorimi i tyre thjeshtë si imazh televiziv ndërkohë që ekziston një moslidhje dramatike e tyrja me bazën e të rinjve.

G99, në tërë këtë histori zgjedhore, ka një specifikë të veçantë. E para, sepse ishte parti e të rinjve, ndërkohë që nuk kishim një parti tjetër të tillë; e dyta, sepse kishim të bënim, si në asnjë rast tjetër, me politikanë të paprovuar, ndërkohë që të tjerët ishin të provuar tashmë; e treta, dhe më e rëndësishmja, sepse ata hynin në politikë si denoncues të klasës së vjetër politike. Ekzistenca e tyre lidhej, pra, me një problematikë tashmë të evidentuar qartazi në shoqërinë shqiptare: ajo se klasa jonë politike, që tashmë po mbush 20 vjet në pushtet, është një klasë politike e korruptuar, që ka në themel të formimit të saj kulturën e atij regjimi dhe të rinjtë shihen si shpresa për t’i nxjerrë ata jashtë jetës sonë.
Sot fitorja e të vjetërve në përgjithësi dhe e Berishës në veçanti, si i vjetri i të vjetërve, duhet të na nxisë të mendojmë për këtë humbje: a kemi të bëjmë me një triumf të të vjetërve mbi të rinjtë përparimtarë apo me diçka tjetër? Sipas mendimit tim kemi të bëjmë me një triumf të të vjetërve, por jo pse u bë një ndeshje ku të rinjtë luftuan dhe humbën me të vjetrit, por sepse politika e vjetër i mundi ata, pa luftë, duke hyrë brenda tyre.
Organizata “Mjaft” prej të cilës doli G99-ta, në fakt, ishte një projekt perëndimor investimi tek të rinjtë për të eliminuar gardën e vjetër të përfaqësuar nga dyshja Nano – Berisha. Ata u panë nga perëndimorët si grupi i ri mbështetës i një politikani të ri premtues, Edi Rama, i cili investoi shumë për të krijuar këtë imazh të tij tek të huajt. Mirëpo çfarë ndodhi? Sipas meje ndodhi ajo që kishte ndodhur me vetë Ramën vite më parë: thithja nga politika e vjetër e një intelektuali me moshë të re e me investim ndërkombëtar, që vinte nga shoqëria civile, i cili gjeti më të lehtë përshtatjen ndaj sistemit të pushtetit ku hyri sesa përpjekjen për ndryshimin e tij. Në fakt përdorimi i të rinjve si Velia nga Rama ishte “hakmarrja” e një të vjetri për përdorimin që i kishin bërë paraardhësit Ramës vetë. Ishte vazhdimi i një rrethi vicioz prej të cilit duket se është e vështirë të dalim. Në këtë kuptim flas për fitore të së vjetrës. Mjaft të kesh parasysh se format që ushtroi Rama në përdorimin e këtyre të rinjve ishin tërësisht në traditën e bizantinizmit të politikës sonë më të vjetër. Duke synuar të kapë kreun e PS ai i përdori të rinjtë e “Mjaftit” për të goditur rivalët e tij apo gardën e vjetër të PS, veçanërisht Nanon e të tijtë, por duke ruajtur, megjithatë, pranë tij atë pjesë të tyre që nuk e kundërshtonte e mbi të gjitha ndërkohë që ai vetë meritonte kritika po aq të rrepta nga të rinj që kishin dalë në skenë për të goditur korrupsionin e klasë politike dhe të oligarkisë prapa saj. Nuk dihet saktë nëse “Mjaft” u ndërtua pikërisht për të bërë këtë lojë apo iu adoptua kësaj loje me pëlqimin e sponsorve të vet perëndimorë, por me siguri mund të thuhet se kjo lojë është shkaku i disfatës së G99-tës. Ashtu sikurse do të kishte qenë më e shëndetëshme që Rama të kishte dalë në krye të një grupimi të rinjsh në emër të një partie të re po ashtu do të kishte qenë shumë mirë që G99 të kishte kontestuar edhe PS edhe PD, edhe Berishë edhe Nanon edhe Ramën. Mirëpo kjo, ashtu sikurse nuk i siguronte pushtet e përfitime të menjëhershme Ramës dje nuk i siguronte pushtet të menjëhershëm Erjon Velisë me shokë sot. Duke mbetur robër meskinë të së tashmes ata nuk ishin në gjendje të ndërtonin një vizion të së ardhmes e të luftonin për të. E këtu nuk duhet fajësuar vetëm e vjetra që gllabëron, por edhe e reja që gllabërohet me dëshirë duke provuar atë që thotë Thomas Wodrow Wilsonit se “një njeri i paaftë për të patur vizione nuk do të realizojë kurrë një shpresë të madhe e as do të mund të fillojë kurrë një ndërmarrje të madhe”,
Historia e Mjafti të shndrruar pastaj në G99 besoj se duhet të jetë një mësim për të rinjtë shqiptarë që duan të ndryshojnë seriozisht diçka në këtë vend apo që duan të çlirohen nga kjo klasë politike. Një pyetje që të lind vetiu duke parë këtë humbje të çon tek pyetja: a kanë vërtet respekt shqiptarët për të rinjtë? Duket se jo. Por kësaj mund t’i shtohet edhe një pyetje tjetër: a kanë bërë të rinjtë akte publike për tu respektuar? Më duket se jo. Ndër të rinjtë tanë gjen pak, për të mos thënë aspak, nga ata që mendojnë se rrugën e jetës duhet ta çajnë vetë. Shumica ankohen dhe vetëm ankohen se nuk i lenë të rriturit rrugë të lirë, prandaj u duhet të bëjnë kompromise e të konformohen. Ndër të rinjtë tanë bije fort në sy se më shumë sesa disa ideale për një shoqëri ndryshe i shtyn përdrejt politikës thjesht e vetëm ajo ambicia për tu dukur, për të bërë karrierë dhe në shumë raste për të përfituar edhe të mira materiale.
Dardha bije nën dardhë do të thotë dikush, nuk ke ç’pret tjetër.
Megjithatë, po nuk erdhi prej tyre, nuk ka nga vjen ndryshimi. Mësimi ishte shumë i qartë: që të fitojnë respekt dhe besim të rinjtë tanë duhet të tentojnë diçka ndryshe nga kultura e trashëguar nga komunizmi që i konsideronte organizatën e rinisë levë të partisë, apo fidanishte e saj. Ndoshta dikush nga të rinjtë do ta marrë seriozisht këtë mësim do të ndjejë neveri që u përdor për qëllime të vogla dhe shpresa të vogla meskine e do të ndërtojë një shpresë të vërtetë për ndryshim e do të jetë i gatshmë të sakrifikojë për të sipas asaj thënies së Ezra Paund se “po nuk je në gjendje të rrezikosh për idetë e tua kjo do të thotë se këto ide dhe ti vetë nuk vlejnë asgjë”. (27 Korrik 2009)

Read More......