Monday, October 26, 2009

Shqiptarizmi dhe shqiptaria në një vështrim të ri

Mbi librin "Në fillimet e ncionalizmit shqiptar" të Nathalie Clayer


Pas promovimin të librit "Në fillesat e nacionalizmit shqiptar "të Nathalie Clayer (botime përpjekja, Tiranë 2009) një i pranishëm erdhi e më kërkoi t’i shpjegoja pak më hollësisht se pse u shpreha se ky libër do të trondisë vetëdijen që kanë shqiptarët për shqiptarinë si ndjenjë identiteti kombëtar. Nga biseda që pata me të kuptova nevojën e shpjegimit të një vështirësie të rëndësishme konceptuale që do të hasë leximi i këtij libri. Po nxitoj ta bëj këtë shpjegim me shpresën se kjo do të ndihmojë sadopak për kthjellimin e konceptit bazë që do të tronditet, por që do të mund të japë edhe çelësin për ta lexuar këtë libër me sa më shumë kthjellësi.
Libri Në fillimet e ncionalizmit shqiptar tregon historinë e afirmimit të identitetit kombëtar shqiptar në kuptimin modern të termit, sipas konceptit konstruktivist, që është përpunuar gjerësisht nga Eric Hobsbawm etj. dhe që përbën sot qasjen bashkëkohore ndaj historisë. Sipas këtij koncepti ndërtimi i identiteteve kombëtare shihet si një proces konstruktimi i përcaktuar nga rrethana historike e politike të caktuara. Janë dy terma kyç në libër që duhen kuptuar qartë, ashtu sikurse dhe raporti i tyre me njëri tjetrin: shqiptarizmi dhe shqiptaria. Shqiptarizmi në librin e Clayer është lëvizja nacionale shqiptare e lançuar nga intelektualët e shekulit XIX , kurse shqiptaria është ndjenja e identitetit kombëtar shqiptar: “feja e shqiptarit”, nëse do të citonim thënien e famshme të Vaso Pashës. Autorja na tregon qartë se është lëvizja nacionale shqiptare ajo që ka përftuar identitetin kombëtar shqiptar, pra se është shqiptarizmi që ka përftuar shqiptarinë. Vështirësia që lind për një lexues shqiptar është se, sipas vetëdijes kombëtare që ka krijuar ai, si fryt i historiografisë që ka dominuar kryesisht në kohën e regjimit nacional - komunist dhe që vazhdon të domonojë edhe sot në Shqipëri, ka ndodhur e kundërta: është shqiptaria ajo që ka prodhuar në shekuj shqiptarizmin. Në vetëdijen kolektive shqiptare, të ushqyer nga historiografia nacionaliste, që ka përdorur një qasje esencialiste ndaj identitetit, shqiptaria, si ndjenjë identiteti kombëtar, është trajtuar si një thelb i popullit shqiptar, si një “bërthamë” e pandryshueshme që ka qenë e njëjtë që nga pellazgët e ilirët e deri në ditët e sotme, ndërkohë që periudha të tëra historike të tilla si shtrirja e Perandorisë Romake në Lindje, shekujt e përkatësisë së grupeve etnolinguistike e religjioze shqiptare në Perandorinë Osmane apo deri edhe komunizmi janë parë si aksidente ndaj të cilëve shqiptaria, si substancë e pandryshueshme, ka rezistuar duke marrë forma të ndryshme lëvizjesh shqiptariste. Pra edhe luftrat e Teutës me Romakët edhe luftrat e Skënderbeut me turqit, edhe shkrimi i Formulës së Pagëzimit nga priftërinjtë katolikë si rezultat i Kundër Reformës së promovuar nga Vatikani, edhe kryengritjet e feudalëve shqiptarë ndaj reformës centralizuese dhe modernizuese të Tanzimatit, në historiografinë tonë janë trajtuar si lëvizje nacionale, si forma të shqiptarizmit, të nxitura nga shqiptaria. Sipas këtij koncepti edhe 500 vjet jetë e etnisë shqiptare nën Perandorinë Osmane kanë qenë një pushtim – sikur të bëhet fjalë për pushtimin e një shteti komb sovran të shekullin XX gjatë luftrave botërore - me të cilin shqiptarët nuk janë pajtuar kurrë e, ndaj të cilit, gjithmonë kanë ngritur krye, derisa ia arritën qëllimit më 1912.
Libri Në fillimet e ncionalizmit shqiptar tregon, pra, një histori krejt tjetër të shqiptarizmës dhe të shqiptarisë. Nathalie Clayer na tregon se nuk është shqiptaria që ka prodhur shqiptarizmin, por është shqiptarizmi që ka përftuar shqiptarinë. Dhe, çka është shumë e rëndësishme, (por edhe tronditëse për lexuesin tonë) se ky shqiptarizëm nuk zë fill as me Teutën, as me Skënderbeun, as me shkrimin e gjuhës shqipe, as me kryengritjet e Tanzimatit (të cilat i përkasin një tjetër historie, jo asaj të shqiptarizmit) por se, ashtu si edhe në vendet e tjera të Ballkanit, lëvizja nacionale zë fill në shekullin XIX e kushtëzuar ngushtësisht nga procesi i shpërbërjes së Perandorisë Osmane. Kurse historitë dhe heronjtë e sipërpërmendur nuk janë tjetër veçse mitet me të cilat shqiptarizmi ka ndërtuar shqiptarinë në shekullin XIX.
Kjo është troditja thelbësore konceptuale që do të sjellë ky libër. Në kontekstin e saj duhen lexuar edhe shumëçka që lexuesi shqiptar do të gjejë ndryshe nga ajo çka ai ka të shtresëzuar në vetëdijen e tij historike. Në libër dokumentohet hollësisht dinamika e fillimeve të shqiptarizmit, nga mesi i shekullit XIX deri në 1912, dhe, sëbashu me të, edhe procesi gjithnjë në evoluim i ndërtimit të shqiptarisë , konstruksionet e ndryshme të shqiptarisë si dhe simbioza e tyre me projektet e tjera nacionale të Ballkanit. Libri na tregon rolin e përkatësive të ndryshme fetare të shqiptarëve në këto projekte, rolin e rrjeteve të ndryshme të veprimtarëve të shqiptarizmit brenda dhe jashtë vendit, afiliacionet e tyre me njërin apo tjetrin vend fqinj, rolin përcaktues të fuqive të tilla si Austro – Hungaria, Italia - për të na çuar deri në ngjarjet në prag të pavarësisë kur duket se ngjizet një projekt dominant. Një sërë mitesh të nacionalizmit zbërthehen kështu në libër në kuptimin se na jepet origjina e tyre e vërtetë; si për shembull thënia e Veso Pashës “Feja e shqiptarit është shqiptaria”. Në historiografinë tonë kjo thënie është trajtuar si një thelb i shqiptarit sipas të cilit shqiptarët nuk kanë qenë asnjëherë thellësisht fetarë, sepse gjthmonë kanë venë shqiptarinë mbi fenë. Në libër del qartë se kjo thënie nuk shpreh një gjendje të terrenit në shekullin e XIX, por një thirrje për të ndryshuar gjendjen në terren, ku dallimet fetare ishin të një rëndësie të veçantë. Në këtë konteskt në libër del qartë se përkatësitë e ndryshme fetare të shqiptarëve: ajo muslimane (sunite dhe bektashi), ajo ortodokse dhe ajo katolike nuk kanë qenë të parëndësishme përballë shqiptarisë – sikurse trajtohen ato në histriografinë tonë – por kanë lujatur një rol me rëndësi në lëvizjen nacionale shqiptare – shqiptarizmin – duke çuar shkallë shkallë, varësisht nga rrethanat historike dhe loja e interesave të fuqive të mëdha, në projektin dominant që zë e ngjizet në prag të pavarësisë ku ze vend gjithnjë e më shumë thirrja/thënia e Vaso Pashës, që, sipas autores, është një konstruksion identitar i shqiptarizmit.
Libri na zbulon edhe rolin tejet të rëndësishëm të protestanëve në shqiptarizmën. Shumica e shqiptarëve mësojnë për herë të parë se Kostandin Kristoforidhi e përktheu Ungjillin me porosi të Bible Society që ishte shoqata që merrej me promvimin e protestantizmit në botë, se Petro Nini Luarasi ka qenë protestan dhe se përpjekja e protestantëve për të pëhapur Biblën në vende si Shqipëria dhe nëpërmjet saj fenë e tyre ka përkuar me lëvizjen nacionale shqiptare për të cilën një rol të rëndësishëm ka luajtur edhe edukimi dhe mësimi i gjuhës shqipe. Pra edhe gjuha shqipe nuk se ka qenë gjithnjë e të njëjtës rëndësi identitare për shqiptarët, por ka marrë rëndësinë e vet, deri mitike, pikërisht në sajë të shqiptarizmit në shekullin e XIX.
Në libër dalin qartë, po ashtu, se zhvillimet në Pernadorinë Osmane kanë kushtëzuar shumëçka në lëvizjen shqiptare dhe fatet e shqiptarëve në atë kohë dhe se ka pasur një periudhë kur, ndryshe nga ç’shkruhet në historiografinë tonë, interesat osmane e kanë nxitur dhe jo penguar shqiptarizmin. Në libër shtjellohen edhe dinamikat e interesave dhe aleancave të ndryshme në rajon: rolet e rëndësishme të Austro - Hungarisë më një anë dhe Italisë më anë tjetër në promovimin apo pengimin e projekteve të ndryshme nacionale shqiptare. Libri zbulon se sikur raportet e fuqive të mëdha të kishin qenë të tjera sot do të kishim ndoshta një tjetër konfiguracion shtetesh komb në Ballkan. Psh. sikur influenca italiane të kishte qenë më e fortë se ajo austro hingareze ndoshta në vend të Shqipërisë që kemi sot do të kishim një konferderatë të Shqipërisë së Veriut me Malin e zi me Skënderbeun hero nacional të këtij shteti.
Pa u zgjatur më në përmbajtjen e librit dua të them se historinë e shqiptarizmit dhe të shqiptarisë, ashtu siç është trajtuar në këtë libër, duhet ta lexojë çdo shqiptar. Duhet ta lexojë sepse kjo i shërben rritjes së vetëdijes sonë historike, ose më saktë kalimit të vetëdijes sonë nga mosha fëmninore në moshën e pjekurisë kur nuk lexohen më përralla që synojnë të prekin sferën emotive, por libra që synojnë të na shpjegojnë në mënyrë racionale botën ku jetojmë për të kuptuar e njohur më mirë vetveten. Ky libër ndihmon shumë për të kuptuar historinë tonë të vërtetë, procesin e lindjes së kombit shqiptar në shekullin XIX, sëbashku me mitet e nacionalizmit. Ai e ka çliruar të vërtetën historike nga ideologjizimi i saj dhe, nëpërmjet kësaj, na ndihmon për t’u çliruar edhe nga anakronizmat e pavërtetësitë e shumë prej këtyre miteve që herë herë marrin trajta skllavëruese e manipuluese për shkencën historike gjithashtu. Po ende, duke na ndihmuar të kuptojmë më mirë interesat e konfliktet e shumta të së djeshmes, ai na ndihmon të kuptojmë edhe interesat e konfliktet e të sotmes; edhe atë se pse sot e gjithë ditën flitet kaq shumë e me kaq pasion për identitetet.
Ky libër ka një armik shumë të rrezikshëm dhe, për fat të keq, shumë të fuqishëm: një “nacionalizëm kitsch” dominant sot në historiografinë shqiptare, madje që është edhe historiografi zyrtare. Kur them “kitsch” kam parasysh ngarkesën me banalitet, me shije të keqe, me populizëm dhe komercializëm që i jep termi “kitsch” fjalës “art” kur i vihet prapa. Mendoj se edhe historiografisë së djeshme me qasje nacionaliste, e cila, sikurse thashë, është gjithsesi e tejkaluar, mund t’i vihet prapa termi “kitsch” për të shenjuar një historiografi me qasje nacionaliste të thjeshtëzuar e banalizuar në ekstrem, të mbushur me stereotipe, të komercializuar, të mediatizuar e gazetarizuar keq, por edhe të kepërdorur nga politikanë, intelektualë, historianë e gazetarë populistë që s’dihet se çrej sa kohësh nuk lexojnë më një libër. Rasti i tekstit të historisë së Shqipërisë për shkollat e mesme është shembulli më tipik i atij që quajta “nacionalizëm kitsch”.
Për fat të keq, ndërkohë që sot flitet kaq shumë për hyrje në Evropë, megjithëse nga vetë Evropa është bërë investim i madh, psh. janë shpenzuar shuma të konsiderueshme për të përkthyer e përhapur autorë si Eric Hobsbawm, kontakti i vërtetë i lexuesit shqiptar me këto libra dhe konceptet e tyre, me kulturën evropiane në përgjithësi, ka qenë shumë i pakët. Ai është penguar nga “nacionalizmi kitsch” i të sipërpërmendurve që i kundërvihen mendimit të thellë intelektual dhe shkencor me të njëjtën virulencë me të cilën i kundërvihet padituria dijes, komercializmi e konsumizmi vlerave të vërteta shkencore e artistike; me të njëjtën egërsi me të cilën i kundërvihet nevoja që ka autoritarizmi për njerëz trushpëlarë mendimit të njeriut të lirë.
Megjithatë botimi i këtij libri tregon se, gjithsesi, nuk jemi më në kohën kur historia dhe kultura zyrtare i mbyllte çdo derë teksteve historike dhe në përgjithësi kulturave alternative. Ne të Përpjekjes, që botojmë këtë libër, mendojmë se, megjithë vështirësitë e mëdha, një ditë jo shumë të largët qasjet dhe metodat me të cilat është shkruar libri i Nathalie Calyer, nga pronësi e një minorance do të bëhen pjesë e instrumenteve shkencore të një brezi të gjerë studiuesish shqiptarë. E në këtë kontekst mendojmë se edhe “tronditja” që do të shkaktojë libri Në fillimet e nacionalizmit shqiptar, për të cilat fola në këtë shkrim, do të luajnë një rol të rëndësishëm pozitiv. (Korrieri, 26 tetor 2009)


Read More......

Saturday, October 24, 2009

Mbi thellimin e bojkotit nga PS

Nuk është shumë e qartë se ç’po bën Partia Socialiste dhe ku po shkon me thellimin e bojkotit të Parlamentit edhe me mospjesëmarrjen në zgjedhjet e pjesëshme të 15 nëntorit. Kam përshthypjen se këtë ndjenjë paqartësie ndajnë edhe shumë të tjere, madje se as udhëheqësit e saj, me në krye Edi Ramën, nuk e kanë të qartë se ku po shkojnë. Intuita më thotë se kemi të bëjmë me një aventurë që po e çon këtë parti, dhe krejt vendin, në situata gjithnjë e më të paparashkikueshme.
Nëse do të kërkojmë shkakun e këtij veprimi besoj se ai mund të gjindet në një sëmundje të politikës sonë të paskomunizmit që e ka shoqëruar gjithë tranzicionin. Kjo sëmundje është kombinimi i dy të këqijave që janë si të thuash dy anë të së njëjtës medalje: prirja e atij që fiton për vendosjen e një pushteti absolut dhe padurimi i humbësit për të riardhur në pushtet e për ta vendosur ai pushtetin absolut. Të dyja janë sëmundje të së kaluarës jodemokratike të vendit. Kush kujton vitet 93 – 94 me siguri do t’i vijë ndërmend se pushteti i Sali Berishës konsiderohej shumë i përkohshëm në ato vite nga opozitarët e tij. Po ashtu kush kujton vitet 96 – 97 - 98 do të kujtohet se sa pak rëndësi kishin institucionet në krahasim me lojën e forcës. U duk se akti i fundit i kësaj faze u mbyll më 1998, kur Sali Berisha hyri me arkivolin e Azem Hajdarit në Kryeministri për të marë pushtetin. Të gjithë e kujtojnë se asokohe u deshën telefonata nga ndërkombëtarët që Berisha të urdhëronte tërheqjen e trupave të tij nga institucionet e pushtuara.
Pas asaj kohe politika shqiptare u duk se hyri në një hulli disi më normale. Marrja e pushtetit ka ardhur me zgjedhje që, edhe pse të kontestueshme, janë konsideruar gjithnjë e më afër të vërtetës së votës. Për këtë duhet të falenderojmë ndërkombëtarët sepse, siç e tregojnë edhe zhvillimet e fundit, politika jonë nuk është pjekur ende për të realizuar zgjedhje të ndershme dhe marrje ose lëshime demokratike e paqësore pushteti.
Sikur të prisnim një zhvillim normal të kësaj tendence sipas meje Partia Socialiste, edhe pse kontestuese e zgjedhjeve, do të duhej të ndiqte rrugët insitucionale për marrjen e pushtetit. Pra do të duhej të bënte një opozitë gjithnjë e më të fortë në Parlament e media e në rrugë, gjithë duke pastruar vetveten e pritur me durim t’i bjerë dardha në dorë, sepse, po t’i referohemi përvojës paraardhëse, pushtetet tek ne, pas tetë vjetësh, bëhen të padurueshëm për shkak të rritjes së pashmangëshme të korrupsionit më një anë dhe të megallomanisë së liderit më anën tjetër.
Po pse PS është kaq e paduruar? A është ky thjesht padurimi i etjes për pushtet të Edi Ramës? Mos kemi të bëjmë me një padurim më të madh sesa të një njeriu brenda mbështetësve të PS kurse Edi Rama është thjesht interpretues i tij? Mos vallë socialistët parandjejnë se, nëse e lenë edhe katër vjet në pushtet Berishën sëbashku me Ilir Metën, rreziku që ata të dobësohen edhe më keq është edhe më i madh? Apo mos vallë rreziku që paraqet tërheqja e Partisë Socialiste nga institucionet mund të rezultojë fatal për fatin e kësaj partie, ndoshta edhe për vendin?
Këto janë pyetje ndaj të cilave nuk kam ndonjë përgjigje të prerë sepse përgjigjet më dalin me plot kundërthënie. Do të dëshiroja të lexoja më shumë komente nga njerëz që nuk janë militantë të njërit apo tjetrit krah lidhur me këto çështje. Çuditem se sa pak debate gazetarësh të parreshtuar në njërin krah apo tjetrin ka për këtë çështje që më duket tejet e rëndësishme. Nuk mungojnë shprehje individuale mendimi, por mungon debati që e thellon të vërtetën.
Me siguri di të ripërsëris disa gjëra që besoj se në PS i dinë, por varet se sa dhe si i interpretojnë.
Së pari, bojkoti i insitucioneve ose, thënë ndryshe, ndjekja e rrugës jashtinstitucionale nuk mbështetet nga ndërkombëtarët që e kanë shoqëruar deri tani rritjen e politikës sonë. Dhe, paçka se kemi kohë që ndërkombëtarët na kanë lodhur duke na mbajtur në gjendjen e një protektorati ku protektorët nuk mbajnë as përgjegjësi për atë që ndodh, kjo më duket se është e një rëndësie të dorësë së parë duke patur parasysh realitetin, jo dëshirat tona.
Së dyti, sot nuk ka ndonjë ndjeshmëri të madhe popullore ndaj këtij bojkoti, siç ka pasur në vitete para, qoftë kundër Berishës qoftë kundër Socialistëve. Sot pakkush, përveç militantëve që presin të kenë përfitimin direkt nga lufta për pushtet, i ndjek politikanët tanë në aventurimin e tyre jashtinsitutcional. Kjo sepse njerëzit nuk bëjnë ndonjë dallim esencial midis njerëzve të Berishës dhe atyre të Ramës përsa i përket të keqes më të madhe që ata përjetojnë sot, që nuk është privimi i lirisë, si në vitet e para, por kapja e shtetit dhe përdorimi i tij për interesa që janë të kundërta me interesat e shumicës.
Ç’është e vërteta duhet të kemi parasysh se dhe në vite të tilla si viti 1997 - që duket sikur kërkon të imitojë paksa Rama me lëvizjen që kërkon të bëjë duke bashkuar në një front kundër Berishës të majtë e të djathtë - sikur të mos kishte ndodhur kriza e rënies së piramidave, zor se do të ishte krijuar situata që do ta detyronte Berishën të pranonte zgjedhjet e parakohëshme.
Pra, edhe nga përvoja e atyre viteve, më duket se del qartë se, sikur të mos ketë një kolaps të rëndë ekonomik, zor se dyshja Berisha Meta do të mund të largohej nga pushteti me rrugë jashtinstitucionale. Pa dyshim askush nuk e dëshiron një kolaps të tillë dhe as daljen e situatës jashtë kontrollit të institucioneve. Mendimi im është se dalja jashtë kontrollit është edhe e pamundur, për shumë arësye ndër të tjera edhe përvoja e 97-tës. Ndërkaq, edhe nëse kemi një krizë të rëndë, më duket se rruga më e lehtë dhe më pa dhimbje për ta detyruar qeverinë të dorëhiqet është ajo insitucionale. Në një rast krize të tillë jam i sigurt se në Parlament do të konfiguroheshin ndryshime që do ta detyronin Berishën të dorëhiqej. Mirëpo ndërkaq, lënia e institucioneve në dorë të Berishës dhe Metës e bën gjithnjë e më të pamundur ndryshimin e gjendjes me rrugë institucionale. Pra, sa më shumë njerëz të ketë Berisha dhe Meta në institucione dhe sa më pak opozita aq më vështirë mund të arrihet një fitore e opozitës me rrugë institucionale. Nëse psh. do të imagjinojmë një situatë ku PS nuk merr pjesë në zgjedhje parlamentare dhe e le Parlamentin të mbushur me deputetë të Berishës dhe Metës atëher del qartë se e vetmja mënyrë për ta ndryshuar këtë gjendje do të ishte ajo jashtinstitucionale, futja e vendit në një krizë të përgjithëshme. Sikurse e kam thënë edhe herë tjetër kjo do të mund të justifikohej – paçka se me shumë kundërthënie – sikur të bëhej nga një forcë e re politike që do të lindte me synim rrëzimin e sistemit të korrupsionit të ngritur nga e tërë kjo klasë politike, kurse PS, si një parti që ka kontribuar deri tani në ndërtimin e këtij sistemi e të këtyre insitucioneve me të mirat dhe të këqijat e tyre, nuk mund ta udhëheqë një lëvizje të tillë.
Në këtë kontekst thellimi i bojkotit të PS duke hequr dorë edhe nga zgjedhjet e pjesëshme lokale, me kërcënimin se do të heqë dorë edhe nga lokalet e përgjithshme, më duket një akt iracional një aventurë që e bën të ardhmen gjithnjë e më e paparashikueshme në kuptimin e keq të fjalës. (Korrieri, 22 tetor 2009)

Read More......

Friday, October 16, 2009

Mbi mizerabilitetin e mediave

Në një artikull të datës 12 tetor me titullin “Gazetari zëdhënësash”, të botuar në Panorama, Blendi Fevziu shkruante: “ajo që shohim çdo ditë në edicionet qendrore të lajmeve, pra produkti i një armate të tërë drejtorësh, gazetarësh, kameramanësh dhe regjisorësh, është thjesht mizerabël, jo për faj të tyre, por për faj të gjithë shoqërisë shqiptare, përfshi edhe mua personalisht.”
Konstatimi është i drejtë përsa i përket produktit, asaj që shohim në televizione, por më duket shumë i padrejtë përcaktimi i fajtorit të kësaj gjendjeje: “gjithë shoqëria shqiptare”. Nuk mund të mos thuash se kjo është pjesërisht e vërtetë. Ashtu sikurse edhe për korrupsioninin nuk mund të mos thuash se korrupsioni është i shpërndarë në një rrjet kapilar në të gjitha qelizat e shoqërisë. Por, sipas meje, ta quash krejt shoqërinë shkaktare/fajtore të kësaj gjendjeje është një gjysëm e vërtetë dhe, madje, tingëllon si një alibi për përgjegjësitë dhe fajet e individëve të veçantë. Shumica e njerëzve ndjejnë neveri nga lajmet që shohin në televizonet tona dhe do të donin tjetër lloj lajmesh. Këtë e konstaton kudo ku takohesh me njerëz. Mjafton të kesh parasysh këtë për të shtruar pyetjen: a është e drejtë të fajësohet gjithë shoqëria për këtë gjendje të mediave tona?
Po të shohësh pak më thellë këtë çështje, sipas meje, arrijmë në një përfundim tjetër. Shoqëria shqiptare, më shumë sesa prodhuese e së keqes, është viktimë e një sistemi të ngritur keq, për qëllime të këqija. Kurse shkaktarët e vërtetë të së keqes, në të cilën ndodhet ajo, janë ata që e kanë ngritur sistemin dhe e mbajnë shoqërinë të ngërthyer brenda tij. Me fjalë të tjera ata që kanë pushtetin. Mund të thuash se, duke bashkëpunuar me të, shumë vetë shtrëngohen të bëhen përgjegjës e fajtorë; apo se, sikur e gjithë shoqëria shqiptare të kishte kurajon e mjaftueshme të ngrihej ta denonconte, ky nuk do të mund të mbahej më këmbë. Por ama, ajo që shohim historikisht të ndodhë është se një pushtet i caktuar, që në fillim mund të vijë në krye të punëve edhe me mbështetje të shoqërisë, kur devijon nga e drejta, krijon dhe përpunon instrumentet e tij të mbajtjes së pushtetit me të cilët pastaj ushtron presion e lavash trush mbi mbarë shoqërinë duke e bërë atë të nënshtruar apo edhe bashkëfajtore. Dhe ka një dallim shumë të qartë për të ndarë fajtorët nga viktimat: dallimi është midis atyre që përfitojnë dhe atyre që humbasin nga ky sistem.
Përse emisionet e lajmeve janë “mizerabël”? Çdo të thotë mizerabël? Sepse në vend së të bëjnë informacion në interes të publikut ato bëjnë lavazh truri dhe manpulim të publikut në emër të interesave të atyre që kanë pushtetin e kontrollojnë sistemin mediatik. Nuk them një gjë të re – personalisht e kam thënë që para dhjetë vjetësh – nëse pohoj se tek ne është krijuar një përqendrim i pushtetit politik, ekonomik dhe mediatik në pak duar që kontrollojnë vendin dhe përfitojnë në kurriz të shumicës që është e pafuqishme për ta ndryshuar këtë gjendje, madje viktimë e saj. Këtë sistem e kam quajtur “regjim mediatik” në kuptimin se, nëse në të ashtuquajturit regjime ushtarake apo policiore përdoret policia e shëbimet sekrete apo ushtria për të mbajtur pushtetin, ky i yni përdor mediat. Mediat pra, kësisoj, janë tjetërsuar në rolin e tyre. Ato nuk janë pushtet i katërt, por zgjatim ose më saktë instrumente të pushteteve politike e ekonomike, qendrore e lokale.
Problemi është se, ashtu siç e reflekton edhe shkrimi i Fevziut, mizerabiliteti i mediave kohët e fundit ka degjeneruar në shkallën sipërore. Kjo sipas meje sepse kemi arritur në një pikë kulmore të degjenerimit të sistemit ose, thënë ndryshe, të tjetërsimit të rolit të mediave në një demokraci. Shkaqet e këtij degjenerimi janë disa. Do të doja të ndalesha më shumë tek degjenerimi që u sjell gazetarëve ky sistem. Duke punuar në një sistem të tillë çdo gazetar, dora dorës, në vend se të zhvillojnë artin e profesionit të tij, zhvillon artin e shërbimit dhe adoptimit ndaj kërkesave të pronarëve, që me fjalë të tjera mund të quhet edhe arti i skllavit: gënjeshtra. Në vend se t’i impostojë lajmet apo emisionet e veçanta me synim të vërtetën ai i imposton me synim shërbimin ndaj një interesi. Tashmë kush punon në media i di rastet e shumë gazetarëve të njohur që, duke u transferuar nga njëri televizion që i shërbente Ramës në një televizion që i shërben Berishës, kanë kthyer krejtësisht edhe qëndrimin e tyre politik. Ky boshllëk bindjesh personale nuk mund të mos nënkuptojë edhe një zbrazësi pasioni për profesionin. Roli i shërbëtorit nuk kryhet me pasion përveçse në rastet psiqike. Ai bëhet për mbijetesë ekonomike. Një produkt i tillë pune nuk ka se si të mos vijë duke u bërë gjithnjë e më mizerabël. Ai bëhet gjithnjë e më mizerabël edhe pasi, në një sistem zinxhir, gazetarët që duhet të mbushin lajmet zgjidhen që të mos kenë tjetër aftësi veç aftësisë së shërbimit e nënshtrimit. Katandisja e emisioneve të lajmeve në kaseta të dërguar nga shtabet e partive apo në transmetime deklaratash të zëdhënësve të partisë, për çka flet Fevziu në shkrimin e tij, nuk është tjetër veçse rrjedhojë e këtij degjenerimi, ku, në rastin më të mirë, gazetarët heqin çdo përgjegjësi nga vetja. Ajo që realisht mungon në lajme është zëri i gazetarit të pavarur që shpreh opinionin e tij dhe të publikut ashtu siç e njeh ai. Por edhe në debatet politike të Fevziut - e jo vetëm - ky zë i pavarur ka kohë që mungon. Gjithnjë e më shumë në debatet politike televizive njerëzit janë të detyruar të dëgjojnë ose të vërtetën e zëdhënësit të njërit pushtet ose atë të tjetrit, pa pasur mundësinë të dëgjojnë kritikën e njërës ose tjetrës palë nga zëra jashtë intresave të tyre.
Gjithë duke mbetur tek gazetarët, do të thoja se një shkak tjetër i rritjes së degjenerimit të mediave tona është se, nëse disa vjet më parë, ndër gazetarët ende funksiononte bindja se ata po mbështesnin njërën palë kundër palës tjetër pasi kishin bindjen se kjo ishte e drejtë, sepse ajo që ata mbështesnin ishte e keqja më e vogël, tanimë është bërë e qartë se kemi të bëjmë me të njëjtën të keqe të ndarë më dysh. Sot të pretendosh se po mbështet të keqen më të vogël kundër të keqes më të madhe është thjesht vetëgënjim; të bësh alibinë e shërbimit ndaj njërës së keqe sepse tashmë është bërë e qartë se e keqja më e vogël, sapo ka ardhur në pushtet, është bërë më e madhja. Nuk mund të mos përmend këtu zhgënjimin që solli Sali Berisha edhe përsa i përket ndryshimit të gjendjes në media. Sikurse dihet themelet e regjimit mediatik që vuajmë sot i hodhën socialistët, veçanërisht dyshja Meta - Rama. Duke shfrytëzuar i pari pushtetin qëndror që kontrollonte privatizimet, tenderat e rrugëve, reklamat e me rradhë dhe i dyti lejet e ndërtimit dhe investimet e rrugëve në Tiranë ata hodhën themelet e këtij sistemi. Nuk është rastësi që shumica e pronarëve të mediave janë pasuruar nëpërmejt privatizimeve dhe lejeve të ndërtimit e tenderat. Shumë media madje lindën që në fillim me këtë synim të mbrapshtë. Të gjithë i kujtojnë protestat e Nikoll Lesit asokohe që e pa veten të fundosur si pronar i një gazete që nuk kishte biznese të tjera, si dhe propozimet e tij për një ligj mbi konfliktin e interesave në media. Sali Berisha erdhi me premtimin se do ta ndryshonte këtë gjendje, por në vend se të bënte këtë ndërtoi strategjinë se si ta kthente në krahun e tij sistemin mediatik. Sipas mendimit tim ky ishte momenti i fundit ku gazetarët ende mund të shpresonin se do të mund të punonin në media të tilla ku ata do të informonin dhe kritikonin në emër të interesve të opinionit publik. Sali Berisha bëri kauzë të përbashkët me pronarët e mediave që do ta mbanin e mbështesnin atë në pushtet duke u ofruar atyre përfitimet që më parë ua kishte ofruar Meta e Rama. Kjo e mbylli ciklin. Kjo politikë hoqi çdo mundësi për gazetarët që të shpresojnë se mund të mbijetojnë si gazetarë duke i bërë kritikën të dy palëve, dmth. sistemit, çka do të thotë, me fjalë të tjera, t’i shërbejnë opinionit publik. Si gazetar mund të mbijetosh veçse nëse vihesh në shërbim të njërës palë. Rast kuptimplotë është ai i Mero Bazes. Pasi ka goditur për disa vjet me rradhë Edi Ramën si themelues të këtij sistem mediatik, në emër të luftës politike që i bënte Berisha këtij sistemi kur ishte në opozitë, sot kthehet e akuzon për kalërues të sotëm të tij Sali Berishën (deri këtu jam dakort), pa thënë asnjë fjalë për përgjegjësitë e Edi Ramës, madje duke kthyer gazetën e tij në zëdhënëse të politikave të Ramës, ndonëse ai e di se shumica e gazetarëve më serozë ndajnë mendimin se Rama përbën një rrezik po aq të madhe sa Berisha në mos më të madh, për lirinë e medias, dhe se kjo frikë prej tij ishte ndoshta arsyeja kryesore që ai nuk i fitoi dot zgjedhjet. Pamundësia për të goditur sistemin në tërësi, thënë ndryshe nevoja për t’i shërbyer një palë duke fshehur gjysmën e së vërtetës, tregon për grackën që ka ngritur sistemi për gazetarët që synojnë të jenë të pavarur.
Dikush mund të më bëjë vërejtjen se për gazetarinë, gjithsesi, është më mirë të kemi disa grupe të këqij interesi sesa një të keqe të madhe të vetme interesi - çka mund të parashikohet të ndodhë me humbjen e Bashkisë nga Edi Rama. Pajtohem deri diku me këtë mendim. E vetmja hapësirë për të thënë disa të vërteta që krijon ky regjim mediatik janë interesat e ndryshme të pronarëve të ndryshme të mediave të lidhura me partitë e ndryshme politike, pavarësisht se ata funksionojnë brenda të njëjtit sitem ku shumë të vërteta, që janë në kundërshtim me interesat e të dy palëve, nuk i thuhen publikut. Edhe unë mendoj se kur të mos mbetet më pronar mediash që të ketë interes të mbështesë partinë e Ramës për shkak të humbjes së Bashkisë, atëhere i gjithë sistemi mediatik do të mbetet në dorë të pushtetit qendror dhe kjo do ta rrisë edhe më rrezikshmërinë e regjimit mediatik. Mediat do të kthehen të gjitha në propagandues të sukseseve dhe arritjeve të një pushteti të vetëm dhe atëhere, ndoshta, do të kemi nostalgji për “mizerabilitetin” që përjetojmë sot. Por, ngulomoj se në vend të nostalgjisë së nesërme është më mirë të kuptojmë që sot se kjo është e ardhmja e një sistemi mediatik të ndërtuar keq dhe me synime të këqija e se, duhet të punohet që sot për ta ndryshuar atë si nga brenda ashtu edhe nëpërmjet mediash altarnative, në mënyrë që gazetarët të çlirohen nga shpërdorimi i punës së tyre për qëllime të tjera nga ato të interesit publik.
Gjithsesi jam i bindur se ky “regjim mediatik” një ditë, jo shumë të largët, do të bjerë, si çdo gjë e ngritur mbi principet e së keqes dhe padrejtësisë. Dhe shumë pronarë mediash e gazetarë duhet ta dinë se ata do të mbeten në histori jo si emancipues e zë i së vërtetës, por si përgjegjës e përfitues të së keqes. Shëmbëllyeshëm me atë si konsiderohen shefat e sigurimit apo shefat e ushtrive në regjimet policore apo ushtarake, paçka se dëmi që i bëjnë shoqërisë mund t’u duket më i vogël. (Korrieri, 15 tetor 2009)


Read More......

Thursday, October 15, 2009

Nathalie Clayer: Në fillimet e nacionalizmit shqiptar

Më 21 tetor, ora 18, në Kafen „House of Arts“ Akademia e Arteve Tiranë, Ambasada e Francës në Shqipëri dhe Aleanca Franceze e Tiranës kanë kënaqësine t’iu ftojnë në prezantimin e botimit në shqip të librit „Në fillimet e nacionalizmit shqiptar“ të Nathalie Clayer, Drejtuese Shkencore pranë EHESS, në prani të autores, botuesit dhe përkthyesit.


Read More......

Wednesday, October 14, 2009

Mbi dorëheqjen e Bojaxhiut dhe jo vetëm

Dorëheqja e drejtorit të KESH-it Gjergji Bojaxhi më tërhoqi vëmendjen në mënyrë të veçantë ashtu sikurse edhe fakti që ajo u komentua pak. Më tërhoqi vëmendjen edhe pse, si gazetar, kam një kujtim pozitiv nga ky politikan, që besoj se vlen të tregohet. Kur qeveria Berisha vendosi të ndërtojë TEC-in në Vlorë, duke shkelur premtimet që u kishte dhënë vlonjatëve – kujtoj se ajo e mori votën me premtimin për Vlorën turistike – shkrova një shkrim kundër këtij TEC-i. Drejtori i posaemëruar Bojaxhi nuk bëri atë që bëjnë rëndom politikanët tanë, shurdhin ndaj kritikës, por kërkoi të më kontaktonte dhe të më informonte e sqaronte për shqetësimet që kisha shprehur në shkrimin tim. Pavarësisht se u ndamë duke mbetur sejcili në pozicionin e tij - për dijeni të lexuesit Bojaxhi ngulmoi të më bindë, pa më bindur, se këtu bëhej fjalë thjesht dhe vetëm për një TEC që do të ishte shumë i nevojshëm për Vlorën dhe me minimumin e ndotjes – më mbeti në mendje, si diçka pozitive, reagimi i tij ndaj kritikave të shtypit.
Duke qenë se kam ndjekur vazhdimisht me shqetësim projektet monstruoze energjitike Berisha - Ruli me TECe me qymyr e naftë, me HECe, me termocentral bërthamor e parqe industriale kam pritur me vëmendje edhe reagimet e Bojaxhiut. Kam konstatuar se, mendimi i tij i shprehur publikisht, ndonëse jo me forcën që do të duhej të tregonte, ka qenë kundër projekteve të Berishës pasi, sipas tij, Shqipëria duhet të ndërtojë aq sa ka nevojë për veten dhe jo të kthehet në shesh ndërtimi të projekteve që evropianët nuk i realizojnë dot në vendet e tyre.
Nuk pretendoj të jem një njohës i dinamikave të brendëshme të PD, për të dhënë një shpjegim sa më të saktë të dorëheqjes së Bojaxhiut por, nga ana tjetër, mendoj se kjo dorëheqje meriton të komentohet edhe vetëm mbi ato që kemi dëgjuar nëpër media. Sepse dinamikat e brendshme të partive nuk janë probleme thjeshtë të tyre, por na interesojnë të gjithëve. Mjafton të kemi parasysh komentet e shumta që kemi bërë për zhvillimet në PS.
Çfarë mund të thuhet duke u nisur nga dorëheqja e Bojaxhiut?
E para gjë që mund të thuhet është se kjo dorëheqje na jep sinjale se punët në PD-në e Berishës nuk janë në përmirësim, por në degradim përsa i përket vlerave demokratike të kësaj partie. E kur them “vlera demokratike” kjo nuk është një fjalë boshe por që përkthehet edhe në pasurinë ose jo të ideve në të mirë të punëve tona.
Nëse do t’u besojmë deklaratave publike të Bojaxhiut ai është larguar pasi e konsideron të mbaruar misionin e tij. Por nuk duhej shumë për të kuptuar se prapa kësaj deklarate lakonike fshiheshin shumë gjëra të pathëna. Ne dimë se ai ka kërkuar të konkurojë për kryetar i PD për Tiranës, por Berisha zgjodhi një njeri që dukej sheshit se u përzgjodh për besnikërinë e tij, në mos edhe përfshirjen në skandalin e Gërdecit. Dimë gjithashtu që Bojaxhi, ndonëse një nga figurat më pozitive si imazh publik i PD-së, u la në fund të listës së deputatëve duke mos u zgjedhur deputet. Pra, është e qartë se, nëse do ta lexojnë “prapa rreshtave” deklaratën e dorëheqjes së Bojaxhiut, del se ai e dha atë pasi u ndje i mënjanuar. Po pse u mënjanua dhe nga kush? Nuk kemi ndonjë shpjegim nga Berishsa apo njerëz të tjeerë afër tij, si psh. Lulzim Basha që ka qenë pak a shumë i të njëjtit profil të riu si Bojaxhi kur u thirr në PD.
Sipas mendimit tim dorëheqja e Gjergji Bojaxhiut shton një episod më shumë në një historinë e fatit të KOP dhe antarëve të tij në partinë Demokratike. Ajo vërteton edhe një herë se të rinjtë në këtë parti janë përdorur si fasadë dhe jo nevojë reale për të sjellë mendim të ri. KOP ishte një organizëm që do të orientonte plitikat; shpresohej se, duke qenë se KOP përbëhej nga të rinj të shkolluar dhe që presupozoheshin edhe me një pavarësi mendimi që ua jepte edhe arsimi, do të ishte një burim novacioni dhe kritike të brendshme në Parti. Një gjë e tillë u pa herët që s’po funksiononte kësisoj. Me kalimin e kohës këta ose janë tërhequr pa bërë asnjë luftë, sikurse është edhe rasti Bojaxhi, ose janë nënshtruar dhe janë përdorur meqënëse u ka interesuar të përdoren. Dhe një nga përdorjet më duket se është edhe ajo e pastrimit të partisë nga njerëz që, për shkak të kontributit të tyre, kishin aq autoritet sa të mos bëheshin aq servilë para Berishës sa antarët e KOP-it. Histori e njohur kjo për ata që kanë jetuar edhe kohën e Enver Hoxhës.
Ajo që vihet re gjithnjë e më shumë në PD është fakti se rritja e veshshurdhësisë ndaj kritikave që i vijnë qeverisjes së Berishës shoqërohet edhe me pastrime brenda partisë. Sot po përjetojmë një gjendje ku lideri absolut nuk ka më lidhje me popullin npëpërmjet strukturave të partisë së tij, të parlamentit, të qeverisë etj. por del e na jep sihariqe se çfarë do të bëjë me lekët tona a thua se fjala e tij është fjala e perëndisë. Këto ditë doli e na tha se lekët tona do të groposen në një tunel që, medemek, do t’u shkurtoka rrugën Elbasanasve për të ardhur në Tiranë për të punuar (kjo sipas propagandës trushpëlarëse që i bënë fjalimit të tij mediat). Unë nuk di që ndokush të ketë ngritur qoftë edhe më të voglën oponencë ndaj këtij megaprojekti. Duke iu referuar përvojës së mëparshme di që një ministër i transporteve është proceduar lidhur me një tjetër megaprojket dhe ka dalë pa lagur vetëm në sajë të gjyqsorit të korruptuar ose të trembur. Di gjithashtu se në vendin fqinj (Italia), prej të cilit ne kemi marrë thuajse vetëm gjërat më të këqija, megaprojekte të tilla janë denoncuar vazhdimisht si instrumente për të pasuruar mafjen apo një grup të vogël njerëzish ndërkohë që me të hollat e tyre do të mund të bëheshin shumë gjëra më të rëndësishme publike. Unë mendoj se ne më së pari duhet të bëjmë të mundur punësimin e të papunëve të shumtë që po rropaten në Tiranën e stërzmadhuar dhe pastaj të mendojmë ta bëjmë edhe Elbasanin një lagje të Tiranës. Pres që dikush ta thotë këtë edhe brenda PD-së qoftë edhe duke qenë në minorancë, duke patur parasysh se opozita nuk qenka kredibël. Mirëpo asgjë e tillë nuk ndodh. Ashtu si në kohën e Berishs së viteve 1992 – 1997 të gjithë të tjerët duket sikur janë strehuar në ombrellën e përfitimeve apo rehatisë së tyre personale duke ia lënë të gjitha përgjegjësitë liderit absolut dha klaneve që pasurohen nëpërmjet tij.
Kundër këtij argumenti dikush do të mund të sillte faktin se Berisha ka pranuar të hyjë në koalicion me LSI çka flet për hapje ndaj ideve të tjerëve. Sipas mendimit tim kjo mbetet të provohet sepse ka shumë shenja që flasin për një zhuvelizim të shpejtë të partisë së Ilir Metës. Ç’kam parasysh me këtë? A keni dëgjuar ndonjëherë që kryetari i Partisë Agrare, që mori votat e socialistëve dhe pastaj u bë ministër i ekologjisë së Berishës, të ngrinte zërin për projektet anti bujqësi, anti agroturizëm dhe anti ekologji të Berishës? Këtë kam parasysh. Vetë fakti që Prifti i LSI, nga i cili varet KESH, zgjedh (sipas shtypit) të heqë (ose të mos mbrojë) një njeri si Bojaxhiu nuk flet në të mirë të LSI. Është shumë më i besueshëm varianti se KESH është “dhuruar” si një nga llokmat që i jepet LSI-së për të mbyllur gojën. Në fakt nuk dimë asgjë për idetë e Prifti dhe të LSI për projektet e Berishës që e reduktojnë Shqipërinë në një viktimë politikash neokoloniale që kudo në botën progresiste evropiane denoncohen, veçanërisht nga partitë e majta. Një gjë është e sigurt: ashtu sikurse Berisha në 2005 edhe LSI më 2009 nuk ka marrë mandat për ta shndrruar Shqipërinë në një neolkoloni.
Dorëheqja e Bojaxhiut tingëllon trishtueshëm si rritje e mëtejshme e arrogancës së një klase politike që po shkëputet gjithnjë e më shumë nga hallet e njerëzve. (Korrieri, 11 tetor 2009)

Read More......

Friday, October 2, 2009

Demagogjia me vizat

Dendësia me të cilën e gjen të përdorur në retorikën politike dhe mediatike shqiptare fjalën “viza”, premtimin dhe angazhimin për “të udhëtuar pa viza” në Evropë, “heqjen e vizave” është aq shurdhuese dhe aq konsensuale njëherësh saqë pakkush ndalet për ta parë me sy kritik nga frika se mos po bën ndonjë blasfemi. Edhe opozita, kur i referohet këtyre premtimeve, mjaftohet të verë në dukje se perëndimorët janë të pakënaqur nga mazhoranca dhe prandaj nuk do të na i heqin vizat, por nuk thellohet të kritikojë trukun dhe manipulimin që, sipas meje, qëndron prapa saj.
Në fakt një retorikë e tillë e kthen përmbys problematikën që lidhet me heqjen e vizave. Çfarë dua të them me këtë? Heqja e vizave, me mënyrën se si shtrohet, dhe me dendësinë me të cilën përmendet, sëbashku me fjalën “integrim”, të le të kuptosh qartazi se është vendosur në themelin e politikave të Partisë Demokratike. Kurse në të vërtetë ajo do të duhej të ishte jo në themelet, por në rrjedhojat, duhet të ishte fryt, si të thuash, dhe jo rrënjë e pemës së përparimit të vendit. Në qendër të premtimeve dhe angazhimeve të partisë në pushtet do të duhet të ishin premtimet për rritjen e cilësisë së jetën që do ta bënin Shqipërinë një vend normal, me një cilësi jete të afërt qoftë edhe me vendet më të varfra evropiane. Arritja e këtyre standarteve do të bënte që të vinte natyrshëm edhe heqja e vizave edhe kandidimi e pastaj hyrja në BE. Kurse ne shohim një situatë të përmbysur ku flitet thuajse më shumë për heqjen e vizave sesa për nevojën e ndryshimit të realitetit të vendit.
A është kjo përmbysje një gabim i pavetëdijshëm. Sipas meje është një gjë e qëllimshme. “Evropa” ka kohë që në demagogjinë e politikanëve tanë ka zëvendësuar “komunizmin” për të cilin, me humor, thuhej në atë kohë se ishte si horizonti të cilit sa më shumë i afroheshim aq më shumë largohej. Edhe politikanët e sotëm sa më shumë ua bëjnë të vështirë jetën shqiptarëve në vendin e tyre, aq më shumë u premtojnë për ikjen nga vendi i tyre për në Evropën e cila, në fakt, me këto politika, largohet nuk afrohet. Dendësia e përdorimit të premtimit dhe angazhimit për “heqjen e vizave” bazohet, pra, jo në sukseset, por në ndjenjën dhe nevojën e shqiptarëve për ta lënë këtë vend e për të shkuar në Evropë sepse këtu nuk jetohet, sepse këtu jeta është shumë e vështirë, sepse nuk ka punë, sepse nuk ke dinjitet etj. Shqiptarët ëndërrojnë të shkojnë jashtë sepse në Shqipëri janë pa punë ose paguhen mjerueshëm; shqiptarët ëndërrojnë të lëvizin pa viza sepse kështu do të mund të shkojnë të kurohen jashtë meqë sistemi ynë shëndetsor është katastrofë, shqiptarët ëndërrojnë të shkollohen jashtë pasi në shkollat tona fëmijët debilizohen; shqiptarët ëndërrojnë të lëvizin pa viza që të bëjnë turizëm sepse detrat tona po mbushen dita ditës me fekale. Dinakërisht pra, duke qenë të vetëdijshëm se kjo është gjendja, politikanët tanë më një anë premtojnë heqjen e vizave, si rrugë shpëtimi nga kjo gjendje dhe, nga ana tjetër, heqjen e vizave duan ta shesin si arrite standartesh normale jetese në Shqipëri.
Edhe më shqetësuese bëhet kjo demagogji kur ke parasysh se, për realizimin e këtij premtimi, politikanët shqiptarë janë shumë të angazhaur edhe me perëndimorët. Shqetësimi qëndron në atë se tashmë ka shenja të qarta se perëndimorët edhe mund të na i heqin vizat, veçanërisht me ngulmimin e italianëve, por kjo heqje vizash duket se nuk jepet si shpërblim për arritjet, por si shpërblim i politikave të qeverisë sonë që po u lejon perëndimorëve mundësinë e shfrytëzimit të territorit shqiptar në një mënyrë të tillë siç janë shfrytëzuar vendet e botës së tretë. Megjithë miopinë e qëllimtë të mediave, megjithë komprometimin e opozitës, nga vetë burime perëndimore dita ditës po del se konçesionet që kryeministri Berisha dhe ministri Ruli u kanë dhënë kompanive perëndimore, kryesisht italiane dhe austriake, për ndërtime tecesh, hecesh, fabrikash çimentoje, parqesh industriale, parqesh energjitike janë jo vetëm me kushte skllavëruese për shqiptarët, por janë edhe një largim i mëtejshëm i Shqipërisë nga Evropa, po të kemi parasysh se vetë Evropa sot po fillon të kryejë revolucionin e tretë industrial që ka në qendër të vet ruajtjen e ambjentit. Dhe kur ke parasysh se ndaj vizionit të integrimit të vendeve si Shqipëria në Evrope ka edhe shumë dyshime mes vetë perëndimorëve nuk mund të mos të të rritet shqetësimi se ky hendek i thelluar nesër mund të bëhet edhe shkaku i refuzimit të hyrjes së Shqipërisë në Evropë ose, në rast hyrjeje, si përdorimi i saj si koshi i plehërave të Evropës.
Të hysh në Evropë “pa viza” do të thotë të ngushtosh diferencën që kemi në vendin tonë në krahasim me Evropën dhe jo t’i bësh shqiptarët të ëndërrojnë të shkojnë në Evropë pasi “ky vend nuk bëhet”. (Korrieri, 30 shtator 2009)

Read More......