Monday, November 23, 2009

Gazetarë apo topçinj llogoresh

Ka kohë që shoqërisë sonë i imponohet një politikë llogoresh ku mediat janë artileri kryesore e palëve në konflikt. Kjo politikë i ka shtrënguar gazetarët të strehoen o në njërën o në tjetrën llogore e të punojnë atje si grykorë topash nën urdhërat e gjeneralëve të betejës. Përndryshe mund të mbeten në mes të fushëbetejës e të hanë predhat e të dy palëve ose të dalin jashtë loje. Kjo gjendje ka bërë që, dora dorës, gazetarëve t'u bëhet gati i natyrshëm motivimi i punës në funksion të interestit të një pjese (partie) dhe jo në funksion të interesit publik. Është ky lloj motivimi që e ka drejtuar gazetarinë sonë kah gjysëm të vërtetat që synojnë të hedhin poshtë gjysëm të vërtetat e palës tjetër, duke na dhënë kështu një "dopio gënjeshtër", sikurse thotë Travaglio. Ky lloj motivimi e ka çuar gazetarinë më shumë kah manipulimi se sa njohja e së vërtetës, disinformacioni se sa informacioni, diskreditimi se sa investigimi, personalizimi se sa principshmëria. Sepse gazetari i llogores nuk e vështron betejën nga lart me një vështrim mbi të dy palët. Ai është pjesë e miopisë së llogores; si kali i karroces ai sheh vetëm në një drejtim. Madje kam përshtypjen se një pjesë janë aq të deformuar profesionalisht dhe aq të dembelosur nga rehatia e llogores sa nuk bëjnë më dot gazetari ndryshe dhe as i intereson kjo.
Adam Michniku në dekalogun e tij të gazetarit thotë: "duhet të besosh vetëm një Zot, të Vërtetën; po besove zota të tjerë do të ndëshkohesh me mosbesim." Gazetarit të llogores nuk i intereson zoti i së Vërtetës sepse ka zgjedhur Lopën e Artë të padronit. Atij nuk i intereson publiku i gjerë, por manipulimi i tij në emër të interesave të këtij padroni. Sjellja e tij shëmbëllen me atë të një kallauzi të cilit, kur dikush i kërkon rrugën për të dalë nga ku ka humbur ai, në vend se t'i tregojë shtegun më të mirë, me synim që ta shpëtojë, i tregon një shteg ku e presin shokët e tij banditë për ta grabitur.
Për këtë gjendje të medias dhe për nevojën e ndryshimi të saj kam shkruar në tre shkrime rradhazi, i fundit ndër të cilët "Liri e mdiave apo liri e shprehjes" (Korrieri 12 nëntor 2009). Nuk ka qenë çudi për mua të shoh topçinjtë e llogoreve të hedhin predha mbi këtë shkrim. Besoj se ia vlen një polemikë principiale me ta për hir të kthjellimit të problematikës.
Duke aplikuar teknikat e gazetarisë së gjysëm të vërtetave, në replikën ndaj shkrimit tim, Mero Baze e shpërndërron krejtësisht kuptimin e tij. Duke u marrë vetëm me pjesën ku përmendet Tema, ku them se edhe kjo, si gjithë mediat e tjera, nuk mund të mbahet qoftë edhe një ditë pa një prapavijë politike dhe ekonomike, paraqet sikur halli im qenkej ai i Sali Berishës: se si të mbyllet gazeta e tij Tema. Një gazetare e News 24, Alba Malltezi, e prekur pse them se ky televizon është artileri e vendosur në llogoret e PS, thotë se qenkam pjesë e llogores së Berishës sepse punoj tek Klan. Mustafa Nano mbyll sytë ndaj tërë problematikës së tre shkrimeve, që në fakt e njeh prej kohësh, dhe më akuzon se merrem me gjëra personale, jo me ide, duke iu referuar asaj pjese të shkrimit ku unë, bash për ilustrim të ideve të mija, ngre pikëpyetje lidhur me motivimet që e kanë shtyrë Temën të tradhëtojë llogoren e Berishës e të hyjë në llogoren e Ramës .
Këta gazetarë bëjnë sikur harrojnë se punën që e konsideroj kryesore, shkrimin, unë e kam si gazetar tek Korrieri që është një gazetë aspak miqësore me Berishën, pëkundrazi, nëse do të përdor metaforën e llogoreve, është në atë të tyren. Baze "harron" edhe më shumë: faktin se një pjesë jo të vogël të shkrimeve të mia, madje deri atë të parafundit, i ka ribotuar në Tema (gjithmonë me teknikën e gjysëm të vërtetave) dhe se, sikur vërtet të kisha synim goditjen e Temës nuk do ta lejoja t'i botonte ato. Ai harron edhe shkrimin tim të para disa vjetësh “Pse u shit – ble gazeta Tema (Korrieri, 1 nëntor 2005) ku, mes të tjerash, shkruaj: “gazeta Tema, e njohur si gazetë opozitare në ballë të luftës kundër korrupsionit të qeverisë nanoiste dhe kryebashkisë socialiste, u shit nga drejtori dhe njëherësh pronari Mero Baze me një shifër shumë të majme [...] duke rënë bash në duart e një pronari i cili është akuzuar nga ish opozita se, në afera korruptive me kryebashkiakun socialist Rama, ka zgjeruar pronën e tij [...]. Mesazhi që merr publiku nga kjo shitblerje është vërtet shqetësues [...]: i famshmi sistem i korrupsionit, i cili ka kapur shtetin dhe mediat, vazhdon punën e tij të kapjes.” Madje Baze harron edhe se, kur e shiti Temën, deklaroi se e bëri këtë sepse ajo nuk mbahej dot dhe nuk donte që publiku të mendonte se ajo po mbahej nga favorizimet që ai po merrte nga pushteti.
Edhe gazetarja e News 24, pronarët e të cilës nuk dihet me saktësi se cilët janë, por thuhet se janë biznese italiane të Puglias, "harron" se kam denoncuar vazhdimisht jo vetëm nga Korrieri, por edhe nga TVKlan, aferat e qeverisë Berisha me bizneset italiane (Shih Opinion të Fevziut apo lexo ndër tjera "Kryeministër apo kapo i Camorras shqiptare" (Korrieri, 5 qershor 2008); "Të keqen e Fazlliçit, po vijnë berluskonianët" (Korrieri, 30 tetor 2008). "Superfuqi apo koloni" (Korrieri, 4 nëntor 2008) ndërkohë që median e saj sikur nuk e kam parë ndonjëherë të thotë një fjalë për politikat neokoloniale italiane që synojnë të shndërrojnë Shqipërinë në koshin e plehërave të Italisë. Mirëpo, një nga karakteristikat kryesore të gazetarit të gjysëm të vërtetave, është bash harresa.
Me këto nuk dua të pretendoj se vetë i kam thënë të gjitha të vërtetat e tokës mbi mediat. Kur kam denoncuar "regjimin mediatik" të ngritur nga socialistët dhe të kalëruar nga Berisha nuk kam bërë gazetari investigative të tillë që të zbulojë rrënjët e çdo televizioni dhe gazete duke përmendur me emra të gjithë pronarët dhe duke treguar të gjitha lejet e ndërtimit, të gjithë tenderat e të gjitha shitblerjet që i lidhin me politikanët e ndryshëm qysh kur filloi historia e tyre. (Jam i bindur se herët ose vonë dikush do ta bëjë këtë). Por e kam bërë të qartë, besoj, se flas për të gjitha mediat si sistem dhe jo për një palë e se nuk jam i motivuar nga interesat e bizneseve të një pale. Po ashtu, përderisa punoj në këto media nuk pretendoj të jem jashtë sistemit. Por besoj se brenda hapësirave gjithnjë e më të ngushta që lejon ky sistem, e kam denoncuar - edhe me kosto goxha të rëndë ndonjëherë - deformimin e rëndë që kanë mediat shqiptare si pjesë e sistemit të korrupsionit e s’kam reshtur së foluri për nevojën e ndryshimit të tij.
Sipas gjykimit tim çështja në thelb është shumë e thjeshtë: nuk mund të ketë demokraci pa ndarje të pushteteve dhe, kur themi "ndarje e pushteteve", kemi parasysh ndarjen e legjislativit, ekzekutivit, gjyqsorit dhe mediatikut. Kurse ne nuk e kemi këtë ndarje. Deri tani kemi vetëm ndarjen e partisë së Enver Hoxhës në dy parti që bëjnë çmos të kthehen në origjinë duke u bashkuar në një kokë, çka, sikurse e kam shprehur edhe tjetër herë, na rrezikon kalimin në një regjim alla Putin.
Dikush do të thotë se sot rrezikun kryesor, në kontekstin e rrezikut Putin, që sapo përmenda, e paraqet mazhoranca që po tenton t'i marrë nën kontroll të gjitha pushtet. Edhe unë jam i këtij mendimi, por ka dy forma kritikash që mund t'i bëhen kësaj mazhorance: njëra në emër të interesave të të gjithë publikut dhe tjetra në emër të interesave të llogores tjetër; njëra në emër të ndarjes së pushtetit mediatik, tjetra në emër të kapjes së pushtetit mediatik. Fatkeqësisht është fare i pakët numri i gazetarëve që refuzojnë të futen në llogoret e partive. E tregoi edhe qëndrimi ndaj shkrimit tim: po nuk u fute në llogoren tonë je në llogoren armike. Ndërkohë që, sipas mendimit tim, vetëm një refuzim i llogoreve do të mund t'i jepte medias dinjitetin e pushtetit të katërt.
Me këtë nuk dua të them kurrsesi se një gazetar nuk duhet të mbajë qëndrime pro një pale apo një tjetre. Por, siç e thashë më lart, gjithnjë duke patur parasysh interesin e publikut, jo të palës që e paguan, duke ruajtur një koherencë në qëndrimet që ka mbajtur, pa harruar përvojën dhe duke patur parasysh kontekstin. Sipas gjykimit tim ajo për çfarë ka dëshpërimisht nevojë publiku sot, pas përvojës shumëvjeçare që kemi, është një media e besueshme, jo një media llogoresh. Vini re. Edhe për rrezikun e një epidemie gripi, publiku nuk di më se kë të besojë sepse edhe për këtë mediat e gjysëm të vërtetave thonë të kundërtën: një palë se ka rrezik epidemie po të grumbullohemi dhe një palë se ky alarm hidhet që të mos demostrojmë.
Ose le të marrim diçka shumë më të rëndësishme: e keni vënë re se sa për zemër e ka Rama fjalën e përdorur fillimisht nga Mero Baze "familja" për të bërë opozitë. Ia ka mësuar edhe Erjon Velisë. E përdori edhe Bare në mitingun e fundit. I gjithë faji për këtë që po na ndodh, tentojnë të na thonë, është i një familjeje të vetme. Madje i një emri të vetëm. Nëse opozitës edhe mund t’i lejohet kjo, nuk mund t’u lejohet kurrsesi gazetarëve që pretendojnë se janë të pavarur. Ky është një reduksionizëm i qëllimtë i gazetarisë së gjysëm të vërtetave dhe sipas meje shumë i rrezikshëm. E kam shkruar dhe e përsëris: e keqja shqiptare nuk mund të reduktohet në një emër apo një familje, qoftë ky Berisha apo Rama. Po kur ishte Nano kryeministër, po kur ishte Meta, Majko çfarë ka ndodhur? E njëjta gjë që po ndodh sot. Prandaj për mua ata janë thjesht dhe vetëm instrumente të një sistemi të ngritur ku bën pjesë edhe media dhe kushdo që të vijë në pushtet, po nuk u ndryshua ky sistem, do të sillet pak a shumë si këta. Kurse ta reduktosh të keqen ashtu siç e reduktojnë gazetarët e llogoreve do të thotë t'i shërbesh ruajtjes së sistemit në emër të kalërimit të tij nga llogorja ku ti bën pjesë.
E keqja ku kemi ngecur ka rrënjë shumë më të thella dhe shumë më komplekse dhe gjetja e rrugëve për daljen prej saj kërkon të tjerë kallauzë me tjetër vështrim dhe deontologji nga ajo e topçinjve të llogores. (Korrieri, 23 Nëntor)

Read More......

Thursday, November 12, 2009

Liri e mediave apo liri e shprehjes

Rasti i rrahjes së Mero Bazes nga biznesmeni Taçi ka rindezur edhe një herë debatin mbi lirinë e mediave. Së fundi ka patur një debat të ashpër në emisionin Opinion i cili pati si jehonë dy peticione kundër njëri tjetrit, të firmosur nga qindra gazetarë, si dhe një numër shkrimesh.
Po përpiqem të shpreh mendimin tim lidhur me çka është thënë në këto debate nëpërmjet këtij shkrimi që e konsideroj si vazhdimësi të dy shkrimeve që kam botur së fundi në Korrieri me titujt "Mbi mizerabilitetin e mediave" dhe "Fenomeni Taçi"..

Gjykoj se ka një spekullim me termin "liria e mediave" kur kjo përdoret duke nënkuptuar lirinë e shprehjes. Janë dy gjëra të ndryshme, veçanërisht në Shqipëri. Mediat në Shqipëri nuk janë viktima, që kërkojnë të çlirohen, sikurse janë përpjekur shumë gazetarë, (dhe jo vetëm) t'i paraqesin ato në këtë debat duke identifikuar rrahjet e gazetarëve me rrahjen e mediave. Në Shqipëri viktima e vërtetë është liria e shprehjes, kurse çështja e lirisë së mediave është diçka tjetër, më e komplikuar, madje me kundërthënie të forta. Sepse mediat tek ne janë, fatkeqësisht, një nga shtyllat kryesore të sistemit të korrupsionit që është ngritur në Shqipëri, të cilin në shumë shkrime paraardhëse e kam quajtut "regjim mediatik" i cili, si çdo regjim, është shtypës edhe i lirisë së shprehjes.
Le ta shtjelloj çka dua të them duke u nisur nga debati mbi televizionin Klan (e jo vetëm) që u lakua pas Opinionit për shkak të dekaratave të Frangajt.
Çfarë është televizioni Klan? Sipas Bazes dhe mbrojtësve të tij është një instrument i pushtetit të Berishës. Sipas çka tha Erjon Velia në Opinion është një viktimë e pushtetit, si shumë media të tjera, sepse nuk mund të mbijetojë dot pa lidhjen apo pa i shërbyer atij. Sipas drejtorit Frangaj zgjedhja e Klan për të qenë me pushtetin është një zgjedhje editoriale ashtu siç është një zgjedhje editoriale ajo e Top Channel apo e News 24 për të mbështetur opozitën. Cila është e vërteta e gjithë këtyre televizioneve dhe e shumëve rreth tyre?
Sipas meje këto tre argumente nuk e përjashtojnë krejtësisht njëri tjetrin, por e vërteta e të vërtetave është ajo që e dimë të gjithë: këto media ose lindën si anekse të bisneseve të tjera të pronarëve të tyre, për t'i mbrojtur e zhvilluar ato duke shantazhuar politikën apo duke i shërbyer asaj ose u bënë të tilla gjatë rrugës. Kurse të ashtuquajturën gazetari e "liri shprehjeje", si material me të cilin punon media, ato e kanë përdorur në mënyrë selektive e abuzive për të shantazhuar politikën apo për t'i shërbyer asaj. Ky është thelbi i së vërtetës së tyre i zhveshur nga detaje dhe nga hipokrizia e shumë pronarëve e gazetarëve. Dhe mediat nuk mund të quhen kurrsesi viktima të pushteteve, siç tha Velia, sepse ato kanë pasur një rol aktiv në ngritjen e ruajtjen e këtij sistemi. Dhe jo vetëm televizioni Klan. Televizoni Top Channel apo New 24 e me rradhë janë edhe ato instrumente pushteti, por të pushtetit të opozitës e cila është ndërtuesja e këtij sistemi mediatik, pas vitit 1997, me protagonistë kryesorë Metën dhe Ramën më një anë dhe një numër biznesmenësh nga më të njohurit në vend më anën tjetër. Ato nuk janë, pra, të lira pasi ato janë të ndërvarura plotësisht me pushtetet që ato normalisht, po të ishin të lira, do të duhet të kontrollonin. Mjafton të kesh parasysh se mediave ashtu si dhe partive politike dhe bizneseve më të fuqishme nuk u dihen burimet e të ardhurave për të nxjerrë konkluzionin se bash tek kjo ndërvarësi e bashkëfajësi qëndron lidhja midis tyre.
Prandaj kur bëhet fjalë për dhunim ose favorizim të mediave këtë duhet ta kuptojmë në kontekstin e luftës për pushtet midis dy forcave politike ekonomike, instrumente të të cilave janë edhe mediat. E në këtë luftë ai më i forti, që zakonisht është ai që ka pushtetin qendror, fillon e dhunon tjetrin.
Në këtë kontekst po zhvillohet edhe konflikti i fundit lidhur me rrahjen e Bazes. Edhe Baze vetë nuk është thjesht një gazetar. Ai është edhe një pronar të cilit i janë prekur interesat nga pushteti politiko ekonomik që ka në krye Berishën. Që të jemi deri në fund të vërtetë duhet thënë se ai gëzoi disa privilegje në krye të herës, kur Berisha mori pushtetin dhe ia morrën ato me forcë kur filloi të kritikojë pushtetin. Shkaku i prishjes ende nuk është bërë i qartë as nga Baze as nga Berisha. Kryeministri ka heshtur (vetëm tani, dmth. shumë vonë për një juriste, e bija e tij ka deklaruar se prishja ka ardhur lidhur me shitblerjen e Temës ku Baze, sipas saj, i ka propozuar një skemë që mbante erë pastrim parash) kurse Baze ka pretenduar se prishja është bërë për të denoncuar mosmbajtjen e premtimeve nga kryeministri për të luftuar korrupsionin. As njëri as tjetri argument nuk janë bindës. Dyshimi se prishja është shkaktuar për pazare të prishura është shumë i fortë dhe kjo flet shumë për çka po përpiqem të shtjelloj. Edhe Baze, pra, sipas meje nuk ka arritur të bindë për principialitetin e kritikave të tij jo vetëm pse Berishës i ka mbështetur në të kaluarën bëma shumë më të rënda, por edhe sepse një luftë principiale kundër korrupsionit nënkupton goditjen e tij 360 gradë dhe jo përqendrimin në dy tre shënjestra dhe lënien jashtë të shumicës, e veçanërish të sistemit që e prodhon atë. Me këtë nuk dua të them se ai ka shpifur, siç akuzohet nga kundërshtarët e tij. Këtë mund ta provojë vetëm gjykata dhe vetë jam i prirur të besoj se më shumë se shpifja nervozon e vërteta. Por dua të them se ka goditur në mënyrë selektive, pra se ka përdorur të njëjtat metoda për të cilat akuzohet Berisha kur i thuhet se godet mediat në mënyrë selektive. Po kështu, këtë luftë Baze nuk do të mund ta bënte kurrsesi pa pasur një prapavijë politike dhe ekonomike sepse, thjesht si gazetar i pavarur, nuk do të mund ta mbante dot gazetën Tema as edhe një ditë të vetme. Dua të them, pra, se, në thelb të këtij konflikti, nuk kemi të bëjmë me luftën midis medias si "qen roje" të interestit publik më një anë dhe kërcënuesve të këtij interesi, cilëtdo qofshin ata, më anë tjetër, por me luftën midis dy pushteteve: pushtetit në rritje të Berishës dhe Metës e mediave pranë tij nga një anë dhe atij të Ramës dhe mediave pranë tij, që synojnë ripërmbysjen e kësaj situate, më anë tjetër. Nëse mund ta çoj pak më tej metaforën me "qenin roje" mediat tona, si të thuash, lehin për të ruajtur gardhin e pronarëve dhe politikanëve të lidhur me ta, çka do të thotë lehin në mënyrë selektive, sepse hajdutë të tjerë i lenë ta kalojnë gardhin pa problem.
Në këtë lloj lehjeje eksiston edhe një kod heshtjeje që Baze së fundi e ka shkelur. Sipas këtij kodi gazetarët kanë akuzuar politikanët e njëri tjetrit, por jo pronarët e njëri tjetrit. Sipas këtij kodi Sali Berishën, Edi Ramën, Ilir Metën mund t'i akuzosh sa të duash, por jo biznesmenët dhe veçanërisht jo pranarët e mediave që mbështesin ata. Ata duhet të jenë të lirë të kalojnë gardhin. Kështu teatri i gjoja demokracisë sonë funksionon në rregull; të parët bëjnë lojën e demokracisë në skenë, të dytët tërheqin fijet e lidhjeve korruptive në prapaskenë. Kurse në darkë, pas rënies së perdes, të dy palët bëjnë hesapin se sa kanë fituar nga spektatorët.
Ajo çka bije në sy sot, përtej elementit psikologjik të Bazes, i cili në këtë njëanshmëri është shquar edhe për përdorje të goditjeve nën bark, është se interesat e palëve në konflikt, ku janë përfshirë edhe gazetarët, po bëhen më të ashpra. Ndoshta për shkak të krizës ekonomike që ka varfëruar tryezën. Ndoshta për shkak të polarizimit të mëtejshëm të politikës shqiptare; (ekzistenca e LSI si një pol i tretë siguronte pak më shumë hapësira.); ndoshta për shkak se në krye të politikës kanë mbetur dy persona antropologjikisht të ngjashëm, që ëndërr finale kanë eliminimin e çdo kundërshtari. Ndoshta pse kjo është rruga e pashmangëshme e një diçkaje të ngritur keq që kështu është e dënuar të dështojë.
Dikush, në këtë pikë do të më thotë nëse është e drejtë të përdoret fjala "dështim" për këtë sistem mediatik. Pse të mos themi se kjo dialiktikë ndeshjeje e interesave të kundërta edhe për pushtet mund ta çojë përpara të vërtetën edhe lirinë e shprehjes? Në shkrimin paraardhës e kam pohuar edhe vetë, por duke shtuar dyshimin e fortë se " përvoja që kemi me akuzat e ndërsjellta të dy palëve, që "harrojnë" përgjegjësinë e tyre, nuk na ka çuar shumë përpara." Kam shkruar edhe për gazetari që "vret" të vërtetën nëpërmjet luftës së gjysëm të vërtetave. Për të kthjelluar këto dyshime më erdhi në ndihmë një shkrim i gazetarit italian Marco Travagliobn ribotuar pikërisht në gazetën Tema, mbi gazetarët me kurriz të drejtë dhe me kurriz të lakuar. Midis të tjerash Travaglio, duke folur për gazetarinë që i shërben njërës palë kundër palës tjetër thotë: "Është shumë më e mirë mungesa totale e informacionit sesa një shumicë e informacioneve gjysmake ose false." E më pas shton: "Duke bashkuar dy gjysëm të vërteta, nuk arrihet një e vërtetë. Arrihet një dopio gënjeshtër, e më keq akoma, duke bashkuar gënjeshtra të ndryshme, arrihet një gënjeshtër me fuqi të shumëfishuar."
Për mua kjo gazetari e gjysëm të vërtetave, ashtu sikurse edhe politika e gjysëm të vërtetave që pasqyron ajo, janë një alibi e fuqishme edhe për sistemin gjyqësor që akuzohet sot pse nuk vepron. Një gazetari e së vërtetës të plotë do të ndihmonte edhe një sistem gjyqsor së pavarur që do të ndëshkonte çdo krim kundër interesit publik dhe anasjelltaz një sistem gjyqsor i pavarur do të ndihmonte një gazetari të të vërtetave të plota.
Kjo historia e "gjysëm të vërtetave" ka filluar herët në mediat tona, shpejt pas lindjes së këtij sistemi mediatik që kemi sot. Një datë simbolike mund të ishte fushata e katarsisit të Nanos i cili pati mbështetje të fortë mediatike. Rezultatet dihen, në vend të katarsisit patëm shtim të pisllëkut. Sot, pas dhjetë vjetësh, nuk di të them nëse prej asaj kohe e këtej shprehja e lirë, si nevojë për të vërtetën e plotë, ka ecur përpara apo prapa. Kur shikoj gazetarët e rinj që ka prodhuar ky sistem, që tashmë nuk merakosen fare të kenë një të vërtetë të tyren, - por edhe shpinën gjithnjë e më të përkulur të të vjetërve, - them me siguri që ka bërë prapa në favor të gazetarisë së gjysëm të vërtetave. Dhe një nga shkaqet, sipas meje, është se gjatë këtyre viteve ky sistem është konsoliduar në kuptimin se klasa e politikanëve, biznesmenëve dhe gazetarëve që e ka ndërtuar atë është konsoliduar në pushtet. Me aq sa mund të flitet për konsolidim sepse rasti Baze tregoi gjithashtu edhe brishtësinë dhe kalbëzimin e këtij sistemi.
Dikush do të më thotë: këto i dimë, i ke thënë edhe herë tjetër, por puna është se si ta ndryshojmë këtë gjendje. Personalisht para katër vjetësh e kam paraqitur një projekt, të cilin ma hodhën poshtë me fjalë dhe me heshtje me veprime dhe mosveprime si mazhonranca e Berishës edhe opozita e Edi Ramës, edhe mediat e tyre. Sipas meje sepse ata ishin tashmë vetë sistemi i gjysëm të vërtetave apo i dopio gënjeshtrës që unë propozoja të prishej. Në ndonjë nga shkrimet pasardhës, duke ndjekur edhe debatin që po zhvillohet, do të përpiqem t'i artikuloj disi më mirë disa prej ideve të asaj kohe që më duket se mbeten aktuale, por edhe më të vështira për t'u realizuar sesa katër vjet më parë. (Korrieri, 12 nëntor 2009)

Read More......

Monday, November 9, 2009

Muri i Berlinit dhe Muri i Tiranës*


Mendoj se kur i kthehemi përkujtimit të historisë ne kemi shqetësimin e së tashmes. Sepse duam të kuptojmë më mirë nga kemi ardhur, të shpjegojmë disa fenomene që na ndodhin sot etj.. Kur ne i kthehemi historisë së Murit të Berlinit kemi edhe shqetësimin e mureve që na ndajnë, dhe jo vetëm të mureve fizike, por edhe të mureve të komunikimit.
Kur mendoj për Murin e Berlinit dhe shqiptarët një nga shqetësimet që kam sot, e që besoj se është shqetësimi i shumëve prej nesh, është ai i specifikave, i diferencave në zhvillimet e komunizmit në vendet lindore dhe në Shqipëri, që kanë sjellë diferencat që ne kemi sot me ato vende. Pra, mua më tërheqin sot më shumë se sa të përbashkëtat dallimet, specifikat që më duken më të rëndësishme për të kuptuar dallimet e realitetit tonë me vendet e tjera ish komuniste të Lindjes. Ndoshta, në këtë kontekst, titullin e kësaj fjale do ta quaja "Muri i Berlinit dhe Muri i Tiranës".
Gjëja e parë që mendoj se duhet thënë lidhur me raportin e shqiptarëve me Murin e Berlinit është se, në kohën kur u ngrit Muri i Berlinit, në Shqipëri u ngrit një mur tjetër: ai i ndarjes së Shqipërisë nga bota lindore. Kur Muri i Berlinit ndante botën lindore nga ajo perëndimore në Shqipëri ngrihej një mur ideologjik dhe politik që ndante Shqipërinë edhe nga bota Lindore. Ndërsa vendet e lindjes mbronin sistemin socialist nga sistemi kapitalist Shqipëria filloi të mbronte stalinizmin nga të dy palët duke i konsideruar të dy palët njëlloj të rrezikshme.
Duhet ndalur për një çast pse këta trajtoheshin si njëlloj të rrezikshëm. A duhet të ishte vërtet kështu për një parti komuniste? Në fakt ata ishin njëlloj të rrezikshëm për Enver Hoxhën dhe njerëzit e tij më të afërt, sepse u rrezikonin pushtetin vetiak - madje revizionizmi luftohej ca më shumë sepse rrëzimi nëpërmjet tij ishte më i mundshëm. Izolimi total i Shqipërisë nga ana e klasës së vet politike, për hir të pushtetit, është krimi më i madh që iu bë shqiptarëve.
Mendoj se është reflektuar pak për këtë moment historik. Personalisht kam qenë në moshën e fëmijërisë në kohën kur u ngrit Muri i Berlinit, por e mbaj mend mirë se, ne ato vite, propaganda fliste pak ose aspak për Murin e Berlinit. Nuk kam asgjë në kujtesë ndërkohë që e kujtoj mirë propagandën antirevizioniste. Më vonë kam kuptuar pse. Sepse ideologjia e Hoxhës, si instrument pushteti, ku hynte edhe propaganda për prishjen me vendet e Lindjes, bazohej mbi akuzën që u bëhej vendeve të Lindjes se ata ishin revizionistë dhe se ky ishte një hap drejt kapitalizmit. Pra, ndërkohë që mbizotëronte akuza se vendet e tjera të Lindjes po shkonin drejt kapitalizmit, madje paraqiteshin gati si aleatë me ta kundër Shqipërisë, (mjaft të kesh parasysh gjyqin e Teme Sejkos) ngritja e një muri me kapitalizmin prej tyre ishte një nonsens në propagandën zyrtare shqiptare. Muri i Berlini nuk mund trajtohej as si një e keqe, siç e trajtonte Perëndimi, as si mbrojtje e socializmit, siç e trajtonte Lindja. Prandaj preferohej heshtja; ishte ngritur pra një mur tjetër.
* * *
Një nga shkaqet pse në kohën e sotme është reflektuar pak për prishjen e Shqipërisë me botën lindore, sipas meje, është sepse izolimi i Shqipërisë u glorifikua shumë nga e gjithë elita poltike kulturore shqiptare. Kush kujton filma e libra si "Ballë për ballë" apo "Dimri i madh" etj. kujton se kjo prishje u trajtua si mbrojtje e interesave kombëtare. Dhe sot, përgjithësisht, është ruajtur theksi nacionalist i prishjes së Shqipërisë me BS. Sipas meje fakti që kjo prishje, në një farë mënyre, involvoi gjithë elitën që u rrit mbas asaj pariudhe, me gjithë tranformimin kulturor që ndodhi, ka ndikuar që të mos kemi sot një analize për dëmet që i ka sjellë Shqipërisë izolimi edhe nga bota lindore. Kur flitet për Lindjen sot, veçanërisht BS, më shumë trajtohet si fajtore e shkëputjes së Shqipërisë nga bota perëndimore.
* * *
Vetë shembulli që solli Patrick Moore për historinë e radios Evropa e Lirë tregon diferencën e madhe midis Shqipërisë së izoluar krejtësisht dhe vendeve të tjera lindore. Tek ne kjo radio nuk ka pasur jo vetëm asnjë zyrë, por as ndonjë lloj impakti. Pra, në tërësi, dua të them se vetë fakti i mbetjes staliniste të Shqipërisë, ndërkohë që në vendet e tjera lindore ka pasur një proces, që vlen të diskutohet, ka sjellë pasoja të rëndësishme në vonesën shqiptare.
Një nga pasojat është mungesa e disidencës. Është folur shumë për disidencë në Shqipëri. Po çfarë do të kuptojmë me disidencë? Disidenca është një kundërvenie e hapur që lind edhe brenda një partie. Po të shohësh vendet lindore do të gjejmë një histori disidence: Pranverën e Pragës, Solzhenicinin, Saharovin, Havelin me kartën 77, Solidarnostin... ndërkojë që Shqipëria mbeti krejtësisht homogjene, krejtësisht e kontrolluar dhe e izoluar nga këto ngjarje. Me disidencë nënkuptoj edhe një lloj rrezatimi. Në Shqipëri ka pasur shumë të burgosur, siç dihet, por problemi është nëse ka qenë ajo disidencë rrezatuese në konceptin e disidencës që dua të shtjelloj? E kam fjalën për atë kundërshtim që, në një farë mënyre, edhe frymëzon. Dhe frymëzon sepse regjimi vetë e toleron këtë, njëfarësoj. Haveli ka bërë vetëm 2 vjet burg, Solzhenicinin nuk e burgosën fare, por e nxorrën jashtë Bashkimit Sovjetik. Akte të tilla, megjithë represionin që eksistonte edhe atje, i jepnin një kurajo njerëzve, ndërsa stalinizmi shqiptar ishte shumë i egër. Në Kongresin e pestë Hoxha mbajti një fjalim që përmbante një thënie që ishte bërë sintezë frymzuese: "Pranimi ose mospranimi i luftës së klasave është një vijë demarkacioni që na ndan ne nga revizionistët." Kjo është thënë më 1967 - 1968. Më pas ai e futi luftën e klasave edhe brenda partisë.
***
Ajo që dua të them është se, nëse në vendet e Lindjes kemi fenomenin e disidencës dhe kemi, sadokudo, ndryshime pozitive që sjellin tek rënia e Murit të Berlinit, Shqipëria ka një regres nga dekada në dekadë. Pas prishjes me BS kemi një lidhje fantazëm me Kinën e Revolucionit Kulturor. Kur Kina fillon të hapet sadopak kemi izolimin e plotë të Shqipërisë.
Këtu mund të hapet një debat se sa kanë ndikuar në rënien e Murit të Berlinit zhvillimet nga brenda dhe sa ka ndikuar Lufta e ftohtë, presioni nga jashtë. Kjo ndoshta nuk mund të përcaktohet qartë. Patrick Moore përmendi Valesën që ka thënë se radio Evropa e Lirë ishte për ta si dielli. Por, ndërkaq, ishte Valesa brenda Polonisë, Solidarnosti, që bënte aktivitete. Mos të harrojmë gjithashtu se në Lindje kemi një tjetër moment historik që sjell rënien e Murit të Berlinin. E kam fjalën për Pjerestrojkën e Gorbaçovit. Ajo lidhej edhe me problemet ekonomike të vendeve të lindjes, por ishte e lidhur edhe me atë fermentim të brendshëm që ka sjellë disidenca.
Pra rënia e Murit të Berlinit, më 89, në vende si Polonia, Çekosllovakia, Gjermania Lindore, Hungaria, BS përveç dështimit ekonomik ka ardhur, nëse mund ta përdorim këtë fjalë, edhe si rezultat i një lloj "suksesi". E kam fjalën për rritjen e një vetëdije drejt nevojës për demokraci, liri, për hapësira më të mëdha, që na bën të themi se, nëse ndryshimi nuk ka ardhur 100% nga brenda, ka një elemend të rëndësishëm të brendshëm.
Këtu kemi një diferencë të madhe me Shqipërinë ku rënia e regjimit komunist nuk vjen nga ndonjë lloj suksesi nga brenda, nga një proces i brendshëm, nga një lloj disidence e brendshme. Dua të kujtoj lidhur me këtë një moment që besoj se shumë e kujtojnë: takimin e Ramis Alisë me intelektualët shqiptarë më 1990. Është vetë Alia që hedh tezën e pluralizmit të mendimit duke pyetur nëse është e pjekur Shqipëria apo jo. Pra ndryshimi vjen gati i stimuluar nga lart.
Shkurt, mendimi im është që Shqipëria ka qenë në atë kohë krejtësisht e izoluar dhe mund fare mirë të ishte bërë si Kuba sikur të mos kishte qenë rrënimi i plotë ekonomik i vendit.
Prandaj rasti shqiptar bëhet specifik: Në Shqipëri regjimi bije më vonë se të gjithë dhe Shqipëria ka tranzicionin më të vështirë në shumë aspekte.

Vetëm duke patur parasysh këto diferenca mund të shpjegohen disa specifika të së tashmes. Le të përmend disa:
- Tek ne, ndryshe nga vendet e Lindjes, nuk ka asnjë dallim në program midis partive politike, pra ka një mungesë totale të pluralizmit. Pavarësisht se ca quhen të majta dhe ca të djathta
- Shqipëria pati atë ekzod tragjik që e dimë të gjithë. Kur ra komunizmi u prenë deri pemët anës rrugëve nacionale.
- Krijimi i piramimdave financiare rënia e të cilave është një nga ngjarjet më dramatike të proceseve të tranzicionit në krejt Lindjen. Sipas meje ato erdhën edhe për shkak të izolimit, të mosnjohjes totale të kapitalizmit.
- Shqipëria vazhdon të ketë problemin e votës së lirë që nuk e kanë fqinjët tanë të Lindjes.
- Shqipëria ka mbetur ende pa zgjidhur problemet me pronën.
- Në qytetet shqiptare bashkitë punojnë pa plane urbanistike.
Do të shtoja shumë gjëra të tjera që bëjnë diferencë.
Sipas meje nuk ka dyshim se kjo specifikë për keq vjen edhe nga izolimi, nga "Muri i Tiranës" që ishte një mur tjetër rrethues. Ashtu siç ishte Muri i Berlinit me disa mure rrethues - siç e pamë në dokumentarin e sotëm - edhe muri i Tiranës ishte një mur edhe më i tmerrshëm izolues për Shqipërinë brenda murit më të madh.

* * *
Sigurish, si vend komunist, Shqipëra ka pasur edhe ngjashmëri me vendet ish komuniste të Lindjes. Për fat të keq ngashmëritë janë më shumë tek të këqijat sesa tek të mirat.
Pandi Gjata përmendi në fjalën e tij Timothy Garton Ash që ka përdorur termin "refolucion" për ngjarjet që sollën ndryshimin në kohën e rënies së murit të Berlinit. Me fjalë të tjera ato janë gjysëm reforma gjysëm revolucione. Lidhur me këtë temë këshilltari i Havelit Princi Schvarcenberg duke folur në një takim me temë "Revolucionet në vendet e Lindjes" për të folur pra për të ashtuquajturit "revolucione të kadifenjta" etj. që janë pak a shumë sinonim i "refolucion", ka bërë një koment që më ka mbetur në mendje. Unë - tha ai - do t'ju zhgënjej sepse, ndërkohë që ju keni ardhur të dëgjoni të flitet për revolucione, unë do t'ju them se nuk ka patur revolucione. Revolucioni është një përmbysje e dhunshme që shoqërohet me ndrrim elitash. Nuk ka pasur as dhunë as ndrrim elitash.
Dhe më pas, duke kaluar tek e tashmja, ai thotë se gjithë ky korrupsion që kemi sot, gjithë kjo mungesë besimi tek klasa politike, gjithë kjo problematikë etj. etj. - mos harroni flitet gjithmonë për Çekinë - vjen ngase vendi është në duart e të njëjtës elite, që nuk është ndrruar.
Këtu unë shoh ngjashmërinë, por edhe ndryshimin.
Cili është problemi - duke patur parasysh çka thashë për Murin e Berlinit, disidencën - që nuk u krijua dot një elitë tjetër që do të duhej të sillte ide e vlera të reja qoftë edhe atje ku ka pasur disidencë? Këtu kam parasysh pra ngjashmërinë, por pa harruar edhe se ndryshimet sasijore janë të rëndësishme sepse sjellin edhe ndryshime cilësore. Problemi i elitës shqiptare, që nuk pati mundësinë të zhvillohet sa ato vende të tjera e të mos ketë fermentin e disidencës, është shumë më i madh edhe në kontekstin e asaj që thotë Schvarcenberg. Nëse do të përdor murin si metaforë ky është shumë i rëndësishëm për ta përcaktuar, përkufizuar elitën shqiptare. Pse them muri? Sepse një nga problemet më të mëdha që ka krijuar regjimi i kaluar, edhe tek kjo elitë, është paaftësia për të komunikuar sinqerisht, paaftësia për t'u bashkuar në emër të disa idealeve, një gjuhë e dyfishtë që përdoret vazhdimisht prej saj, një përdorim i shtetit për qëllime të tjera nga qëllimet e një shteti që është shtet i qytetarëve. Pra kemi një elitë që, në një farë mënyre, ka një mur në ndërgjegjen e vet që ndan të kaluarën nga e tashmja, ku tek e kaluara, prapa murit, shoh shumë që nuk thuhen, që as fëmijët e asaj elite nuk i dinë - dhe këtu del edhe problemi pse nuk i hapim dosjet - dhe ky mur, që është një mur në kokën e njerëzve, mua nganjëherë më duket sikur është një tumorr që rritet, nuk zvogëlohet, që krijon pamundësinë e komunikimit të vërtetë për të krijuar idele të përbashkëta dhe për të luftuar për këto ideale. Dhe kjo ka krijuar këtë fragmentizim ekstrem të shoqërisë sonë, që nuk e le njeriun shqiptar të bëjë gjëra në emër të të gjithëve, por ku sejcili e sheh shtetin, pushtetin si mënyrën për të mbijetuar, Dhe kjo është një nga arësyet kryesore që, në krahasim me vendet e tjera të Lindjes, ne jemi shumë më mbrapa.
Pak a shum këto kisha për të thënë. Faleminderit.

* Fjala e mbajtur në takimin "Epoka e ndryshimeve " organizuar nga Deutsche Velle në Tiranë me 2 tetor me rastin e 20 vjetorit të rënies së Murit të Berlinit (Korrieri, 9 Nentor 2009)

Read More......

Thursday, November 5, 2009

Fenomeni Taçi

Ishte tejet shqetësues lajmi i sulmit fizik kundër gazetarit Mero Baze nga Rezart Taçi, njëri prej biznesmenëve më të njohur të vendit që i ka dalë emri edhe ndërkombëtarisht si milioner që ka pretenduar të blejë klube futbolli si Bolonja apo Milani.
Më duket e tepërt të them: "është një ngjarje e rëndë" apo "solidarizohem me të gjithë ata që e kanë dënuar këtë krim ndaj fjalës së lirë." Fakti që edhe Sali Berisha, i cili sulmohet përditë nga Baze në gazetë, është shtrënguar ta dënojë, tregon se ky akt dhune nuk do shumë koment në vetvete.
Por do shumë koment dhe analizë çfarë qëndron prapa këtij akti dhe prapa fenomenit Taçi në përgjithësi. Përshtypja ime është se nuk ka shumë vullnet apo kurajo për ta parë në të gjithë thellësinë dhe rrezikshmërinë e tij fenomenin. Kur them këtë kam parasysh reagimet që pasuan këtë ngjarje veçanërisht ato që erdhën jo vetëm nga gazetaria, por edhe nga forca kryesore e opozitës; sepse vështirë të prisje një analizë kritike nga mazhoranca.
Kryetari i Partisë Socialiste dhe kryetari i Bashkisë Edi Rama akuzoi pas ngjarjes drejtpërdrejt Sali Berishën duke deklaruar se "ata që gjakosën mbrëmë gazetarin, e gjejnë fuqinë tek mbështetja e paligjshme e Sali Berishës, tek paratë e paligjshme që nxjerrin përditë bashkë me të, tek imuniteti ekskluziv që u ka dhënë ai për t'u ikur të gjitha detyrimeve ndaj arkës e ligjeve të shtetit".
Më vjen ta aprovoj plotësisht këtë pohim, por më ngecet aprovimi në fyt kur më poshtë shoh se shkaku i gjithë kësaj të keqeje, sipas kryetarit të PS, janë: "interesat e një familjeje që bën ligje e nxjerr vendime për t'u pasuruar në kurriz të të gjithë shqiptarëve. "
Pse më ngecet në fyt? Jo pse nuk më duket e vërtetë, por sepse nuk i shkohet më thellë fenomenit, sepse krijohet iluzioni se kjo e keqe fillon e mbaron me Berishën, e se, sikur të zhduket kjo familje dhe të vijë "familja socialiste" në pushtet Shqipëria do të dalë në dritë. Kjo cekësi, më irriton sa herë e dëgjoj sepse, si qytetar e gazetar, më duket sikur duan të më manipulojë, sikur të jem një trutharë, që nuk paska nxjerrë mësime nga e kaluara, apo që ka humbur memorien. Sepse, siç kam mësuar edhe nga vetë shkrimet e Mero Bazes, Taçi i famshëm akuzohej, para disa vjetësh, nga Berisha si mafjoz që ishte pasuruar në lidhje me socialistët në pushtet. Sepse më kujtohet një sivëlla i tij, Delijorgji, e shumë sivëllezër të tjerë, që e kanë filluar karrierën me Berishën e parë, e kanë thelluar atë me socialistët 1 dhe 2 dhe që përsëri i ke sot o duke mjelur lopën e Kryeministrisë ose atë të Bashkisë (jo rrallë të dyja sëbashku) duke "bërë ligje" e plane urbanistike, e plane turistike, e kontrabanda, e korrupsione gjithfarëshe "në kurriz të të gjitë shqiptarëve". Po ashtu, sepse, si gazetar, nuk mund të harroj se para disa vjetësh, kur Edi Rama ishte shumë më i fuqishëm se sot, pasi socialistët zotëronin pushtetin qendror e lokal, një nga "sivëllezërit" e lidhur me të më mbajti dy vjet nëpër gjyqe duke më kërkuar 100 mijë dollarë dëmshpërblim, gjoja se kisha shpifur kundër tij, teksa bëja punën e gazetarit, ndërkohë që vetë Rama, pa pritur as vendimin e gjykatës më akuzoi publikisht si "shpifës profesionist". Dikush mund të thotë se një gjyq është normal, por jo të vijnë të të rrahin në mes të lokalit; e se gjyq duhet të bënte edhe Taçi nëse pretendon se Baze ka shpifur kundër tij. Mirëpo nuk është kaq e thjeshë të vlerësosh se çfarë është më keq për gazetarin. Gjyqi është rruga më e mirë, e pranoj edhe unë. Por kjo kur ka drejtësi të pavarur; ndërsa kur drejtësia, sikurse thotë edhe Rama për këtë të sotmen, është vegël e atyre që kanë paranë dhe pushtetin në dorë, atëhere mund të të bëhet më e vështirë jeta nga një gjyq sesa nga një rrahje. Kush ka provuar të kalojë nëpër gjyqe me gjyqtarë që e peshojnë drejtësinë me paret që marin nën dorë apo me lejet e ndërtimi që marrin mbi dorë mund të flasë për këtë.
Prandaj, sipas meje, çështja shtrohet se dora që ka goditur gazetarin nuk është dora e një njeriu të vetëm apo grupi të vetëm që ka marrë aksidentalisht pushtetin, por është dora e një pushteti të madh paralel që ekziston në vendin tonë, pushteti i të fortëve që institucionet për të cilët ne flasim aq shumë i përdor vetëm si fasadë. Dhe ky pushtet nuk është instaluar me ardhjen e Berishës 2 në pushtet, por shumë më herët. E vërteta është se biznesmenë si Taçi kanë qenë dhe janë ata nëpërmjet të cilëve politikanët tanë kanë siguruar e sigurojnë rrogën e madhe të paligjshme, përpara së cilës ajo e vogla, që u jep insitucioni ku punojnë, shëmbëllen me një kafshatë. Rrogën e madhe me të cilën kanë ndërtuar e ndërtojnë pallate në kryeqytet e vila në bregdet, blejnë toka, por edhe vila jashtë shtetit, bëjnë ushëtime turistike, blejnë veshje e makina nga më të shtrenjtat etj. etj. E thotë edhe Rama në pohimin e tij, por e kufizon vetëm tek familja Berisha fenomenin.
Nga ky këndvështrim i fenomenit ajo që i ndodhi Taçit mund të quhet edhe një "incident" i sistemit ashtu siç mund t'i quhet Gërdeci Delijorgjit, që, sikur të mos kishte ndodhur, ky do të vazhdonte "punën" i qetë. Ky është thelbi i problemit sipas meje. Edhe ajo që i ndodhi Bazes, nga ky këndvështrim, nuk është e rëndë vetëm për shkak të goditjeve fizike që ai ka marrë. Më e rënda është se ndërkohë që Taci mund të dënohet me gjobë për rrahje askush nuk do të hetojë nëse ka apo nuk ka të vërteta në ato që thotë Baze për të e për të cilat dënimi është shumë më i rëndë se gjoba. E rënda qëndron në atë se kjo që ndodhi denoncon se çfarë njerëzish janë pasuruar në këtë vendin tonë; se ne, si shoqëri, jemi larg së hetuari mënyrën se si janë pasuruar këta njerëz, abuzimet që kanë bërë këta sëbashku me politikanët, lidhjet e tyre, kalimin e një pjese prej tyre nga biznesi në Parlament, kapjen e mediave prej tyre etj..
Flasim e flasim e prap gjuha na shkon atje ku dhemb dhembi: tek drejtësia që kërkojmë e nuk e gjejmë. Gjithë në këtë kontekst, duke u nisur nga ky rast, mund të ngrihet edhe pyetja: çfarë do të ndodhte sikur drejtësia të vihej në veprim nga gazetaria investigative dhe, po të provonte se akuzat janë të vërteta, t'i dënonte të akuzuarit nga mediat, siç ndodh në vendet demokratike? Kjo gjë sipas meje nuk ka filluar ende të ndodhë në vendin tonë dhe reagimi i Taçit tregon se sa larg këtij momenti jemi. Sipas meje në raste të tilla rrahjen gazetari do ta puthte në ballë sepse do të ishte në rrezik vetë jeta e tij. Fakti është ne jemi nën sundimin e një kaste të paprekshmish e të padënueshmish që kanë kapur politikën, por edhe drejtësinë, që ndrrojnë vende në Parlament nga mazhoranca në opozitë dhe anasjelltaz dhe që, me këtë gjestin e Taçit na dhanë sinjalin: mos e kruani si Baze! Dikush do të thotë. S'është kështu; e pe si reagoi opozita dhe, po të kesh opozitën në krah nuk e kanë aq të lehtë. Ok, por po sikur një gazetar të kërkojë të akuzojë ndonjë nga ata - që të gjithë e dimë se nuk janë të pakët - që paguajnë edhe fushatën e Berishës edhe të Ramës, kush do ta mbrojë? Sepse, sikurse e kam thënë edhe herë tjetër, Baze duke kaluar në kampin e Ramës vërtet ka mbrojtjen e opozitës, por është një mbrojtje komprometuese për lirinë e fjalë dhe të vërtetën e plotë sepse nuk mund të flasë më për bëmat e Ramës. Dhe kjo nesër mund ta bëjë përgjegjës për rrahjen e ndonjë gazetari pro Berishë.
Dikush do të thotë nuk ka rrugë tjetër: të dalë e vërteta dhe të shtrëngohen rripat nga lufta midis dy palëve. Nuk jam kundër kësaj dialektike, por nuk mund të mos ve në dukje se përvoja që kemi me akuzat e ndërsjellta të dy palëve, që "harrojnë" përgjegjësinë e tyre, nuk na ka çuar shumë përpara. Vetë ajo që ndodhi me Bazen e provon këtë ashtu sikurse edhe vetë gjendja e gazetarisë sonë në përgjithësi. Jo vetëm por, si gazetar, më duket detyrë ndaj të vërtetës të them se vetën kur opozita të fillojë të analizojë përgjegjësitë e veta për fenomenin Taçi, do të mund të ketë kredibilitetin e një alternative që ngjall shpresë për ndryshim. (Korrieri, 5 nentor 2009)

Read More......

Tuesday, November 3, 2009

Mbi kufirin detar dhe jo vetëm

Një lexues i shkrimeve te mija më pyeste nëpërmjet internetit pse nuk jam prononcuar për punën e kufirit detar. E falenderoj që më dha rastin të shprehem për këtë çështje sepse, për të qenë i sinqertë, nuk kisha ndërmend të shkruaja pa ma kërkuar kush mendimin. Po pse nuk kisha ndërmend të shkruaja? Zakonisht heshtje të tilla nga shumica interpretohen si heshtje që flasin. Në këtë rast një heshtje e tillë mund të interpretohet se ky gazetar mund të jetë dakort me qeverinë apo se po konformohet. Edhe letra e lexuesit kishte një konotacion gati sikur më fajësonte që nuk kisha shkruar për humbjen e 370 km katror sipërfaqe ujore shqiptare.
Heshtja ime lidhur me këtë çështje nuk ka të bëjë as me anësi dhe as me ndonjë konformizëm. Nuk kam shkruar lidhur me këtë çështje për dy shkaqe. Së pari, për të respektuar seriozitetin e profesionit të gazetarit që, sipas meje, duhet të synojë të thotë gjithmonë vetëm të vërtetën, ndërsa, lidhur me këtë çështje, të vërtetën ma mbulojnë luftrat për pushtet midis palëve: me fjalë të tjera nuk jam i sigurt nëse kufiri është ndarë me të drejtë apo vërtet ka hile në favor të grekëve. Së dyti, sepse, nëse është e vërtetë kjo e dyta, përsëri këtë nuk e shoh aq të rëndë në krahasim me gjëra të tjera për të cilat nuk kam reshtur së shkruari. Le të shpjegohem për të dyja njëherësh.
Nuk kam pikën e dyshimit se kategoria e politikanëve që kemi ne në krye të vendit, në vazhdën e atyre paraardhës, për të ndejtur në pushtet mund të falin jo 370 km katror det që banohet nga peshqit, por edhe 370 km katror tokë që banohet nga shqiptarë. Jo vetëm kaq, por, për pushtetin, mund edhe të shkatërrojnë 27 mijë kilometra katrorë të shteti shqipar. Jo vetëm kaq, por - duke patur parasysh se jeta e njerëzve vlen më shumë se dheu apo uji - mund të them, pa frikën se gaboj, se për pushtet ata janë gati të shkatërrojnë edhe jetët e shqiptarëve. Historikisht ka qenë kështu duke filluar me Zogun e pastaj me Hoxhën për të mbrritur në politikanët e paskomunizmit.
Në fakt e tërë historia e trajtimit të territorit shqiptar nga politikanët tanë aktualë nuk është gjë tjetër veçse një abuzim me territorin e këtij vendi për punë pushteti dhe paraje aq sa, jam i sigurtë se, nëse amerikanët do të donin të ngrinin nesër një bazë ushtarake në vendin tonë këta tanët edhe gjysmën e territorit shqiptar do t'ua jepnin me gëzim vetëm që të rrinin në pushtet. E nesër, sikur pushteti i tyre të varej nga kinezët, do të bënin të njëjtën gjë me ta.
Për mua abuzimi brenda përbrenda vendit është edhe më i rëndë sesa falja (sikur ta kemi falur) e 370 km katror det. Kjo puna e kufirit thjesht kërkon të manipulojë një ndjenjë kombëtare, por dëmi që i është bërë e po i bëhet brenda vendit, edhe nga ata që bërtasin për tradhëti kombëtare, është shumë më i madh edhe ekonomikisht për sot dhe për brezat që do të vijnë. Ne kemi në krye të vendit politikanë që kanë prerë pyjet e Shqipërisë për t'i shitur për përfitime vetiake në Itali, që kanë ngrënë shpërfyturuar lumenjët me lavatriçet e tyre, që kanë helmuar hapësira pa fund me ndotje gjithfarëshe, që kanë shkatërruar në mënyrë të pakthyeshme pjesë të çmuara të bregdetit për të ngritur pallatet e vilat e tyre, që kanë shkatërruar tokat e bukës në mënyrë të pakthyeshme, që u kanë vënë kazmën monumenteve të panumërta kulturore për të ngritur pallatet e tyre. Ajo çka po ndodh sot me mijëra km katror që po u jepen të huajve me konçesionet për 99 vjet, që të shfrytëzojnë territorin shqiptar për interesat e tyre, deri sa të hanë edhe malet, ju siguroj që është më e rëndë, pasi, tek e fundit, nëse me atë 370 km katror det kemi humbur - nëse është e vërtetë - mundësinë për të kapur ca peshk më shumë apo për të nxjerrë ca naftë - ne po humbasim brenda territorit tonë shumë më tepër mundësira nga paaftësia dhe babëzia e politikanëve. Le të ulen ekspertë dhe të bëjnë llogari me laps në dorë po të duan.
Por le të kthehemi tek çështja e kufirit detar. Nuk e përjashtoj që edhe në çështjen e përcaktimit të kufirit detar me Greqinë të ketë ndikuar kjo politikë e pushtetit me çdo çmim. Madje nuk e përjashtoj që edhe opozita heshti në fillim për shkak të së njëjtës mendësi: se mos humbet pikë me grekët dhe ata nuk e mbështesin për bojkotin e ku di unë. Për mua edhe kundërshtimi që ajo po bën për fabrikat e çimentos, tecet me qymyr, petroliferat e parqet industriale është shumë i zbehtë pikërisht për këtë arësye. Thënë të gjitha këto - prapë nuk them dot me bindje se në rastin e përcaktimit të kufirit detar kemi të bëjmë me falje hapësire ujore. Kjo sepse më duket se gjëja do të ishte shumë flagrante dhe diskredituese për grekët në kontekstin evropian. Mirëpo lexuesi im mund të thotë: po pse nuk është diskredituese për italianët që të vijnë ta kthejnë territorin tonë në koshin e plehërave të Evropës? Ky është një argument që qëndron dhe që na bën ta shohim edhe më me dyshim marrëveshjen, por gjithsesi nuk është provë e mjaftueshme. Si provë të mjaftueshme unë do të kërkoja vlerësimin e një eksperti apo grupi ekspertësh të cilët do ta shihnin hartën dhe do të hiqnin vijat ndarëse të kufirit në një mënyrë të atillë sikur të mos e dinin fare se për cilin shtet bëhet fjalë. Ajo që më duket e padurueshme është se si nuk kemi askend që të japë një gjykim të tillë të paanshëm për këtë punë, që të ketë autoritet të padiskutueshëm, ndërkohë që kjo më duket shumë e lehtë. Ne kemi dëgjuar ekspertë të Berishës dhe ekspertë të opozitës, por jo ekspertë fjala e të cilëve të jetë e padiskutueshme. Edhe sikur ndonjë shoqatë joqeveritare të marrë nisiativën të thërresë ekspertë të pavurur të cilëve t'u kërkojë të caktojnë kufirin detar, përsëri kam frikë se, varësisht nga çka do të thonë ekspertët, ajo do të cilësohet në shërbim të Berishës apo në shërbim të Ramës. Ashtu sikurse ndodh, për fat të keq, edhe me mediat ku gjysma e tyre asgjëson tjetrën duke vrarë të vërtetën. Në rastin konkret bëhet edhe më e vështirë gjetja e së vërtetës pasi përcaktimi i saj lidhur me këtë çështje nuk është i ngjashëm me çështje të tjera ku gazetarit mund t'i mjaftojnë njohuritë e tij. Personalisht ndjehem shumë i sigurt se po them të vërtetën kur e akuzoj qeverinë për bëmat me fabrikat e çimentos me konçesionet për parqe industriale, tece me qymur etj., paçka se për ndonjërën prej tyre mund të ketë edhe kundërargumente. Kurse këtu bëhet fjalë për një punë shumë teknike për të cilën gazetari, që të japë gjykimin, ka nevojë për vlerësimin teknik të ekpertit. Nga sa kam ndjekur në shtyp e në media qeveria deklaron se ka respektuar principin e barazlargësisë. Dhe këtu del çështja e një ishulli grek i cili, nëse llogaritet si territor grek, atëhere del se barazlargësia është respektuar dhe ka të drejtë qeveria. Mirëpo dalin të tjerë që thonë se ka edhe kritere të tjera në ligjin ndërkombëtar që duhen respektuar e se, në bazë të këtyre kritereve, kufiri duhet të ishte më në favor të palës shqiptare.
Së fundi lexova se lidhur me këtë çështje Presidenti Topi ka thënë se duhet të kemi besim tek institucionet e shtetit si Parlamenti e Gjykata Kushtetuese. Por i gjithë problemi këtu është se ne nuk kemi besim tek shteti sepse ai na ka dhënë prova pa numër për të mos e patur këtë besim. Shih Gërdecin zoti Topi. I gjithë problemi qëndron në atë se shteti është "i kapur", siç thoshte edhe Berisha e Topi kur ishin në opozitë.
Mendimi im është se në këtë rast përsëri duhet të thërresim ndërkombëtarët të na thonë a është e drejtë apo jo kjo vijë kufitare. Me shpresën se kësaj here ndoshta nuk do të kenë ndonjë interes të na japin një përgjigje të tipit: është dhe s'është me barrë. (Korrieri, 2 nëntor 2009)

Read More......

Sunday, November 1, 2009

Çfarë po ndodh


Para disa ditësh në debatin Opinion dëgjova për herë të parë një artikulim më të qartë të planit politik të opozitës lidhur me bojkotin. Skënder Gjinushi e më pas Paskal Milo, pasi u shprehën se hapja e kutive do të ishte një garanci për mosvjedhjen e votës nesër, hodhën idenë se kërkesa për hapjen e kutive synon edhe: a) në rast se hapen kutitë të provojë se votat janë vjedhur dhe kjo do të delegjitimonte mazhorancën në pushtet; b) nëse nuk hapen kutitë vjedhja provohet indirekt. Kështu edhe në kët rast bojkoti bëhet gati i barabartë për nga vlera me hapjen sepse në të dy rastet kemi një delegjitimim të mazhorancës për shkak vjedhjeje të votave. Dhe një delegjitimim i tillë do të çojë më në fund në një hap të dytë: kërkesën për një zgjidhje politike. Sipas tyre kjo zgjidhje politike do të diktohet nga ndërkombëtarët ashtu siç u diktuar psh. zgjedhja e presidentit Moisiu të propozuar nga PD-ja për t’i bërë një lëshim partisë Demokratike të cilës i ishin vjedhur votat më 2001. Në rastin në fjalë zgjidhja më e mundëshme politike që u përmend nga Gjinushi dhe Milo do të ishte krijimi i një koalicioni të madh PD – PS derisa të shkojmë në zgjedhje të parakohëshme që pastaj mendohet se do t’i fitojnë socialistët.
Me fjalë të tjera “pika” që ka gjetur Rama për të mbështetur levën me të cilën synon të përmbysë Berishën dhe Metën është e drejta legjitime për të hapur kutitë. PS do të ngulmojë në bojkotin po s’u hapën kutitë dhe kjo sigurisht do të konsiderohet një situatë anormale nga ndërkombëtarët derisa të sjellë ndryshimin. Përballë kësaj situate Berisha dhe të tijtë thonë: nuk jemi ne që i hapim kutitë, ato i hap gjykata e cila ka vendosur për moshapjen e tyre. Kundërpërgjigja nga ana e opozitës është: gjykata është në duart tuaja pra nuk është e pavarur dhe ka marrë një vendim të padrejtë. Është i njëjti argument që ka përdorur Berisha kundër vendimeve të gjykatës së Avdiut për zgjedhjet e vitit 2001 që u kontestuan nga PD-ja. Asokohe socialistët, po qe se do të qëndronin koherent me vendimin e gjykatës, do të mund të zgjidhnin edhe një president të tyrin dhe të mos kishte të drejtë kush, nga pikpamja ligjore, t’u thoshte gjë. Mirëpo ata lëshuan pe politikisht përpara perëndimorëve duke përsëritur për të njëmijtën herë atë çka ka ndodhur vazhdimisht gjatë këtyre 20 vjetëve: fuqinë e marrëveshjeve dhe zgjidhjeve poltike mbi ligjin mu pse ligji nuk la legjitimitet pasi konsiderohet i njëanshëm pasi nuk pavarësohet dot nga politika. Nuk është vendi këtu për të mumëruar rastet. Edhe në këtë rast të fundit Rama mendon se, duke ngulmuar, do t’i detyrojë perëndimorët të ndërhyjnë mbi vendimin e Gjykatës më në fund në favor të tij dhe do ta shtrëngojnë Berishën e Metën të lëshojë pe.
A është e ngjashme sitata me 2001-shin apo është e ndryshme? Mendoj se sitatata ka ngjashmëri që për fat të keq tregojnë se nuk kemi bërë hapa para. Nga një vështrim jashtë interesave të pushteti të palëve ky moment sigurisht që konsiderhet ngecje në vend, ripërsëritje e të njëjtit film në mos një hap prapa. Dhe besoj se nuk është gabim të arrihet në këtë konkluzion. Shqipëria, nëse mund të thuhet se ka ecur teknikisht përsa i përket garantimit të zgjedhjeve të lira, përsa i përket vullnetit dhe etikës së aktorëve politikë që ka në skenë vështirë të thuash se ka ecur përpara. Po ashtu vështirë të thuash se ka ecur përpara kur ke parasysh se ligjet nëpërkëmben gjithmonë nga vullneti politik sepse drejtësia jonë nuk fiton dot autoritetin dhe pavarësinë e nevojshme për një demokraci. Poende, nuk mund të thuash se ka ecur përpara kur ende vendimet tona politike kërkohet të na i marrin perëndimorët njëlloj si në 2001-shin.
Por sitatat ka edhe ndryshime për t’u venë në dukje. Ndryshimi i parë qëndron në atë se ndërkombëtarët nuk duken fort të prirur për ta inkurajuar veprimin jashtparlamentar të opozitës sepse nuk duken fort të bindur se abuzimet që janë bërë me numërimin e votave janë më të mëdha se ato të zgjedhjeve të shkuara, përkundrazi i kanë konsideruar ato si më të mirat deri më sot. Në këtë logjikë ata kërkojnë veprimtari të rregullt parlamentare për opozitën duke pohuar se ka ecje përpara gjithsesi. Opozita megjithatë mendon se po qe se ajo vazhdon të ngulmojë në bojkotin, pra në mbajtjen e gjendjes në anormalitet, një ditë perëndimorët do të lodhen dhe, më në fund, do të ndërhyjnë për normalizim. Ndoshta ndodh edhe kështu. Por deri ku do të shkonte një ndërhyrje e tillë? Vështirë të parashikohet. Opozita nuk ka formuluar kërkesa të qarta për këtë, Gjinushi dhe Milo nuk janë në krye të saj, madje janë jashtë Parlamentit. Por duket qartë se Rama kërkon zgjedhje të parakohëshme që mund t’i sjellin fitoren duke shpresuar se në këto zgjedhje do të marrë edhe votat e elektoratit të tradhëtuar nga Meta. Këtu vjen ndryshimi i dytë me vitin 2001. Lëshimi që bënë Socialistët në atë kohë nuk ishte tepër thelbësor. Ata nuk hoqën dorë nga pushteti, por nga presidenti i tyre. Pas jo shumë kohësh madje ata arritën ta kthejnë presidentin Moisiu në një pozicion të paktën neutral. Dhe pushtetin e humbën jo sepse Moisiu ishte me PD, por sepse thelluan abuzimin me pushtetin. Kurse opozita sot kërkon më tepër se kaq. Ajo kërkon ta rrëzojë mazhorancën nga pushteti. Në këtë aspekt kërkesa e opozitës është më e ngjashme me 1997-tën sesa me 2001. Por, nga ana tjetër, ndryshimi me atë situatë është i dukshëm nga pikpamja e gjendjes së vendit dhe humorit të publikut jomilitant. Sigurisht kërkesa e opozitës që maxhoranca të lërë pushtetin e bën edhe më të fortë qëndresën e Berishës dhe Metës për të thënë se ata s’kanë punë me kutitë dhe për të refuzuar një zgjidhje me marrëveshje politike. Duket qartë se jemi në një impas që do të zgjidhet sa me lojën e forcës brenda vendit aq edhe me ndërhyrjen e perëndimorëve. Loja e forcës brenda vendit do ta mbajë politikën në gjendjen konfliktuale në të cilën ajo ka qenë thuajse gjatë shumicës së viteve të pluralizmit me të këqijat që i dimë, por edhe me të mirën që nuk do të bijem nën sundimin e një force të vetme politike.
Në këtë situatë dikush do të thoshte: po a nuk do të ishte më e udhës që ndërkombëtarët të shpreheshin qartë e prerë për opcionin që do të preferonin përderisa duket sheshit se janë ata që do të vendosin? Duket se ata nuk shprehen dot prerë sepse shumëçka do të varet nga zhvillimet e luftës së brendëshme dhe situatat e krijuara brenda vendit. Por një gjë gjë më duket e sigurt: deri në zgjedhje të parakohshme vështirë se do të shkohet pa u prodhuar ngjarje të reja. “Pika” ku Rama ka mbështetur levën për të rrëzuar Berishën dhe Metën, hapja e kutive, duket mjaft e brishtë për të mbajtur peshën e përmbysjes. Në këto kushte opozita duket se i ka vënë vetes detyre, nga një anë të prodhojë ajo ngjarje të reja: në kuptimin e vazhdimit të bojkotit, të aksioneve politike, në mbështetje të bojkotit, të protestave etj. dhe, më anë tjetër, të presë që qeveria të bëjë gafa që do t’ia zbehnin edhe më legjitimitetin. Nga ana e vet qeveria duket se ka vendosur të durojë derisa opozita dhe mbështetësit e saj të lodhen, gjithë duke përkrahur qëndrimet e moderuara në PS që janë për futjen në Parlament. Sikur kësaj t’i shtojë edhe vullnetin për të qeverisur sa më mirë për të bindur sa publikun brenda edhe ndërkombëtarët se ajo është zgjedhja më e mirë për momentin ndoshta do të kishte sukses. Por nga sa duken bathët puna e qeverisjes mirë në emër të interesave të shumicës mbetet të vijë.
Lexuesi ndoshta do ta gjejë këtë shkrim pa përfundim. E kam lënë qëllimisht kështu pasi vetëm zhvillimet e mëtejshme të aktorëve në konflikt më një anë dhe ndërkombëtarëve më anë tjetër mund të na bëjnë edhe më të qartë për rrugën që do të marrë zgjidhja e kësaj gjendjeje, ndërsa për fat të keq, aktori më i interesuar, publiku, duket se do të qëndrojë spektator. (Korrieri, 30 tetor 2009)


Read More......