Tuesday, December 21, 2010

Wikileaks dhe Dick Marty



Në Shqipëri është folur më pak se kudo për WikiLeaks, por është folur e debatuar megjithatë mbi kundërthëniet e aktit të Assange. Të tjera dokumente që pritet të dalin edhe mbi Shqipërinë ndoshta do ta rindezin debatin, por ky tashmë është eklipsuar nga raporti i Dick Marty-t me akuzat mbi krimet e UÇK-së, me në krye Hashim Thaçin, në mbarim të luftës në Kosovë, si dhe mbi kapjen e shtetit nga krimi i organizuar atje, ashtu sikurse edhe për mosbashkëpunimin e qeverisë  shqiptare për hetimin e akuzave ndaj Thaçit e njerëzve të tij. Të dy ngjarjet duken si krejt pa lidhje me njëra-tjetrën, por kanë disa pika interesante kontakti, sipas meje.  Së pari, pasi të dyja kanë të bëjnë me informacione që i jepen publikut mbi atë se çka bëjnë të pushtetshmit, ndonëse debati mbi Assange është më i komplikuar, do të thoja, pasi veprimi i tij nuk vjen nga institucione në pushtet që japin informacion mbi pushtete të tjera, si raporti i Dick Marty-t. Së dyti, kanë lidhje me njëri-tjetrin, sipas meje, sepse ato që ka zbuluar Assange, në një farë kuptimi na tregojnë se çfarë ndodh në prapaskenë derisa gjërat dalin në skenë, siç doli Marty, por edhe pse nganjëherë ato nuk dalin asfare në skenë.
Personalisht bëj pjesë ndër ata që, ndonëse njohin faqet e rrezikshme të aktit të Assange, e konsiderojnë pozitive punën e WikiLeaks, pasi e shoh si një akt që e ndihmon demokracinë, duke u dhënë më shumë pushtet njerëzve në kontrollimin e përfaqësuesve të vet. Tek e fundit, demokraci do të thotë pushtet i popullit dhe, nëse pranojmë se një instrument i rëndësishëm i pushtetit është zotërimi i së vërtetës, atëherë në sa më shumë mendje të jetë e vërteta, aq më shumë demokraci kemi; kurse në sa më pak mendje të jetë kjo, aq më pak demokraci kemi. Thënë kjo, duhet shtuar se, sigurisht, ashtu sikurse ndodh me demokracinë në përgjithësi, kjo situatë nënkupton edhe më shumë kompleksitet, prandaj dhe më shumë vështirësi menaxhimi - shpesh ky menaxhim krahasohet me atë si të bësh muzikë me një orkestër dhe jo me një instrument të vetëm. Dikush do të thotë se një shtet si SHBA-ja nuk mund të konsiderohet si një shtet që vepron kundër interesave të popullit të vet, prandaj s’ka pse të zbulohen gjëra që ai shtet, për të mirë të popullit të vet, i gjykon se duhet të jenë sekrete. Ashtu është, por edhe s’është. Së pari, pasi duket ende e largët, në mos e paarritshme, dita kur shtetet do të realizojnë atë idealin kur të konsiderohen se gëzojnë besim të plotë për të mos u kontrolluar nga qytetarët e tyre. Ndoshta ai lloj shteti do t’i përkiste një tjetër lloj sistemi nga ky që sot e quajmë demokraci, e cila është e bazuar mbi qasjen antropologjike që e konsideron njeriun si të papërsosur, madje me prirje për të abuzuar me pushtetin, prandaj dhe duhet kontrolluar. Së dyti, pasi botimi i këtyre dokumenteve edhe pse mund të jetë kundër interesave të shtetit e popullit amerikan, mund të jetë në favor të interesave të popujve të tjerë, pasi dihet përsëri se nuk e kemi arritur ditën kur të gjithë shtetet të punojnë në harmoni me njëri-tjetrin për të mirën e të gjithë popujve të tyre. Ka pasur jo pak raste kur interesat e shtetit amerikan, që mund të kenë qenë (por edhe mund të mos kenë qenë) edhe të popullit amerikan, mund të jenë përputhur me interesat e pushtetarëve të vendeve të tjera, por jo me interesat e popujve të këtyre vendeve.  
Këto konsiderata të përgjithshme mbi WikiLeaks i kam shprehur edhe më parë me median elektronike dhe nuk do të isha ulur të shkruaja sikur rasti të mos më sillte të lexoja një faqe të tërë të “Le Monde” me titull “Diktatura dhe Mafia e Azisë Qendrore” (14 dhjetor 2010), që u referohej materialeve të nxjerra nga WikiLeaks, i cili më tërhoqi vëmendjen në mënyrë të veçantë e më bindi edhe më fort për dobishmërinë e kurajos së Assange. Dhe nuk është se e nxora këtë përfundim pa lidhje me realitetin shqiptar. Përkundrazi, pikërisht në lidhje me të, madje dalja e raportit të Marty-t në të njëjtën kohë sikur ma ilustroi atë që po mendoja.
Le të shpjegoj me pak rreshta se çfarë shkruante “Le Monde” bazuar mbi dokumentet e WikiLeaks:
Fillonte me materiale të Ambasadës Amerikane në Baku të Azerbajxhanit. “Interlokutor qendror dhe prioritar për SHBA-në”  e cilëson ambasadori në një dokument të vitit 2008 këtë vend; “aleat në luftën kundër terrorizmit”, “partner vendosmërisht laik dhe pro amerikan në një zonë të kërcënuar nga islami radikal”. Por, vini re, nga ana tjetër, ai raporton edhe për mungesë të demokracisë dhe korrupsion e abuzime të mëdha të pushtetit në Azerbajxhan. Në një telegram të vitit 2009, ambasadori flet për presidentin Ilham Aliev, duke e quajtur Majkëll Korleone (padrinoja i famshëm i filmit me famë) për të cilin thotë se me të huajt paraqitet si një kozmopolit, kurse brenda vendit po bëhet gjithnjë e më autoritar. Në dokumentet për Uzbekistanin, protagoniste na del e bija e Presidentit të vendit, Karimova: “një person i etur për para e për pushtet, që përdor të atin për të shkatërruar biznesmenët e tjerë që i dalin në rrugë.” Lidhur me Kazakistanin, ambasadori amerikan atje raporton një bisedë që ka bërë gjatë një darke kokë më kokë me një drejtues të lartë kazak, i cili i ka thënë: “Kapitalizmi - siç e quani ju ekonominë e tregut - do të thotë shumë para. Dëgjomëni mua, të gjithë ata që kemi lart janë të marrë fund. Janë të marrë fund për shkak të mentalitetit sovjetik që kanë; janë të marrë fund edhe për shkak të teprimeve korruptive të kapitalizmit. E dini ç’thonë? Përderisa edhe ata të Goldman Sachs fitojnë 50 milionë dollarë në vit dhe udhëheqin pastaj ekonominë amerikane, ç’ndryshim ka me këtë që bëjmë ne këtu?” Kurse lidhur me Kirgistanin, “Le Monde” shkruan se atje ka një bazë amerikane në të cilën rifreskohen trupat e Afganistanit. Aty ka pasur trazira të mëdha kohët e fundit, që kanë sjellë edhe vdekjen e shumë personave, për të cilat është akuzuar edhe i biri i presidentit Bakiev, një njeri i fuqishëm në vend. Ambasadorja amerikane ha një drekë të përzemërt me këtë njeri, gjatë së cilës ky i flet për makinacionet e rusëve  - sipas lojës që ka bërë edhe i ati për të përfituar nga të dy palët. Por ambasadorja nuk e ha sapunin për djathë: “Malinj i shkolluar mirë” e quan këtë personazh në raportin që dërgon, por ndërkaq shkruan: “Nëse marrëdhënia me këtë njeri do të trajtohet me kujdesin e duhur, ne mendojmë se mund të nxjerrim përfitime prej saj” - paçka se në analizat që i dërgohen Departamentit të Shtetit shkruhet edhe se “korrupsioni i gjithëpërhapur në të gjitha nivelet e qeverisjes është pengesë për zhvillimin ekonomik.”
Mua më duket se mjafton një “NO COMENT” për t’i mbyllur këto radhë. Besoj se nuk ka shqiptar në Shqipëri e në Kosovë - nuk e kam fjalë për ata që janë në pushtet, por për shumicën që vuan prej pushtetit - që, duke lexuar këto që shkruan “Le Monde”, mbështetur mbi dokumentet e WikiLeaks, të mos nxjerrë përfundime të mençura për vendin e vet dhe të mos falënderojë për këtë edhe guximin e Assange. (Panorama, 18 dhjetor 2010)

3 comments:

Endri said...

Para publikimit te dokumenteve u fol per 11-shtatorin e diplomacise. Ne fakt asgje te re nga ato qe priteshin nuk pame nga "sekretet" e dala nga wikileaks. Asnje skandal, asnje e papritur e madhe. Megjithese ishin rreth 250 mije dokumente sekrete, jo shaka pra.

Perkundrazi "te rejat" per mendimin tim ishin ne tjeter pika. Se pari patem mundesi per te pare se brendshmi se si funksionojne ambasadat e cfare roli kane ato ne diplomacine moderne. Mbas daljes se sekreteve ambasadat e ambasadoret dalin si asgje me shume sesa qendra lokale perpunimi e filtrimi informacioni. Ka zera bile qe thone se ato jane bere te panevojshme ne nje kohe kur kryetaret e qeverive mund te flasin ne telefon apo videokonference e nese e do puna mund te takohen brenda disa oreve. Sic e pame dhe tek wikileaks shpesh here informacionet sekrete jane thjesht fitrimi i informacioneve qe ne vendet perkatese jane publike apo i thashethemeve qe qarkullojne neper administrata e mbremje koktejli.

Mbaj mend ne nje interviste te kritikut letrar polak shume te famshem ne Gjermani Marcel Reich Ranicki kur tregonte per periudhen e shkurter, menjehere pas luftes se dyte boterore, qe kishte punuar si agjent i sigurimit polak ne Londer se raportet qe dergonte i perpilonte kryesisht nga artikuj gazetash. Sic duket shume nuk ka ndryshuar qe atehere.

Mbase jo me kot edhe raporti i Dick Martyt mbi trafikun e droges e te organeve e sidomos lidhja qe ben ky raport midis ketyre trafiqeve e eksponenteve te larte te UCK-se i ngjan shume thashethemeve dhe akuzave e kunderakuzave shurdhuese qe fluturojne neper gazetat shqiptare e ato kosovare ne menyre te perditshme. Pak fakte te thata e te verifikueshme, shume burime te dyta, te treta apo te katerta dhe nje leksion mbi strukturen e padepertueshme klanore te shqiptareve (e perkthyer nga eurokratishtja, mungese e theksuar faktesh).

Endri said...

Vazhdim i komentit te mesiperm
--------------

Gjeja e dyte e rendesishme qe doli nga dalja e sekreteve ishte realizmi me te cilet diplomatet amerikane e shohin rolin e vendit te tyre ne marredheniet me shtetet e tjera dhe perpjekjet e tyre te sinqerta brenda mundesive qe i lejon interesi kombetar amerikan per forcimin e demokracise sidomos ne shtete ne zhvillim si disa vende arabe apo dhe Shqiperia. Pikerisht ky rivelacion i rendesishem e nxjerr Julian Assange si nje radikal. Do te isha kurioz te shihja cdo ti ndodhte personit te Assange-s nese do te nxirrte sekrete nga Rusia apo Kina. Do ta kishin qeruar megjithe lecka padyshim, pa e marre vesh njeri bile. Megjithe te metat e veta Amerika mbetet nga shtetet e shoqerite me te lira ne bote shume here me e lire sesa shoqerite Europiane qe flirtojne rregullisht me ksenofobizmin dhe radikalizmin e djathte per te mos folur pastaj per Kinen e Rusine.

Nje sulm i tille ndaj institucioneve amerikane ne emer te transparences injoron qellimisht modelet krejtesisht opake te Kines e Rusise me elita te korruptura e centraliste dhe oligarki efikase qe po dalin me te sukseshme nga kriza globale e te pakten ekonomikisht po sfidojne seriozisht modelin e demokracive liberale te perendimit. Keto modele te dhunshme shembull mjaft i mire i te cilave ishin dhe rrahjet e opozitareve ne Bjellorusi jane si te thuash "the elephant in the room" tek sekretet e wikileaks.

Se fundmi, reagimi histerik amerikan dhe perpjekjet per te denuar Assange-n me cdo kusht dhe pretekst ishte ajo cfare demtoi realisht me shume imazhin amerikan te lirise sesa vete rrjedhja e informacioneve. Pa kete reagim te shpejtuar dhe mbase te kushtezuar nga shoku i pare imazhi amerikan do te dilte me i mire nga c'ishte.

fjorent said...

E falenderojme shume Assange por edhe me shume do ta falenderojme kur te dalin cablot e Shqiperise. Jo se do te nxjerrin shume gjera te reja nga ato qe nje njeri me inteligjence mesatare nuk i kupton nga gjuha diplomatike qe perdorin ambasadoret, por per ate mori injorantesh qe prodhon ky vend e qe kupton vetem kur ja thone hapur ate qe duhet te kishin kuptuar kohe me pare.