Wednesday, March 31, 2010

Vdekja e shoqërisë

"Dëshpërimi më i rëndë që mund t'i bjerë një shoqërie është kur atë e kap dyshimi se të jetosh ndershmërisht është një punë e padobishme. Dhe ky dëshpërim e ka kapluar vendin tim prej shumë kohësh." Ky është një reflektim që e ka bërë nga fundi i jetës së tij shkrimtarit kalabrez Corrado Alvar, që e citon Roberto Saviano në një shkrim të kohëve të fundit botuar në La Republica.
Duke e lexuar nuk mund të mos më shkonte ndërmend krahasimi me realitetin shqiptar ku ndjenjën e dëshpërimit, si humbje shprese, e gjen të përhapur në masë, si një epidemi. Dhe, duke u thelluar në krahasimin midis dy realiteteve, personalisht nuk mund të mos nxirrja një përfundim edhe më të rëndë. S’kisha se si të mos rëndohesha duke patur parasysh faktin se tek ne nuk mund të flitet për “dyshimin” se “të jetosh ndershmërisht është e padobishme”, por për “bindjen” se “të jetosh ndershmërisht është e pamundur.” Dhe, midis të dyjave, ka një diferencë të madhe.
Nuk ka shumë nevojë për ta provuar se kjo që them s’është thjesht një shprehje retorike. Sa për ilustrim le të kemi për shembull parasysh rrogat e ligjshme të asaj kategorie që përbën atë që në çdo vend quhet pjesa më intelektuale (shtylla kurrizore) e shtresës së mesme të shoqërisë, siç janë punonjësit e administratës shtetërore, mësuesit e shkollave dhe të universiteteve, gjykatësit, prokurorët, mjekët dhe le t’i ballafaqojmë këto me shpenzimet që duhen për të pasur një jetë “normale”. E kam fjalën pra për shpenzimet që i duhen një familjeje që përbëhet, le të themi, nga dy të rritur dhe dy fëmijë  për të paguar ushqimin e përditshëm, elektrikun dhe ngrohjen, shërbimin telefonik shtëpiak dhe celular, veshmbathjen për veten dhe fëmijët, këstin e një makine si dhe karburantin e saj, një dy kafe në ditë e ndonjëherë edhe ndonjë restorant e ndonjë pushim turistik apo fundjavë jashtë qytetit, ndonjë këst shtëpie për të mos përmendur pastaj shpenzime shëndetësore që kërkojnë operacione apo kura të ndryshme. (Sikurse do të verë re lexuesi as nuk begenisa të shtoj zërin e shpenzimeve kulturore). Nëse dikush do të më thotë se të gjitha keto mund të paguhen me 250 deri ne 450 euro në muaj, sa ç’është rroga mesatare e kategorisë qe permenda (besoj se duke e shtuar ca), atëhere kerkoj ndjese, por mua më del se edhe sikur të dy të rriturit në familje të kenë këto rroga, çka është më e rrallë, prap nuk del hesapi. Ja pse, sipas meje, dëgjon për administratorë që marrin rrushfete, për prokurorët e gjykatësit që pasurohen duke bashkëpunuar me krimin dhe kriminelët, për pedagogë shkollash e universitetesh që marrin lekë nga studentët për t'i kaluar, për mjekë që marrin rryshfete, për gazetarë që në vend se  të jenë qeni roje i interesave të publikut, bëjnë qenin e rojes së padronit etj. etj. (Jam i bindur se nuk janë të gjithë njëlloj dhe se ka edhe nga ata që jetojnë me privime për të ruajtur nderin, por jam po aq i bindur se në një mënyrë apo në një tjetër i gjithë ambjenti ku ata mbijetojnë është i helmuar me pandershmëri.)
Le të ngjitemi pastaj pak më lart tek ata që janë udhëheqësit e kësaj shtresa apo edhe punëdhënësit e tyre: kryesisht politikanët e lartë. Për nivelin e tyre të jetës sot të flet çdo shqiptar, por pakush di të të thotë se si mund të arrihet ky me rrogat e tyre që normalisht, edhe pse më të mëdha se të të parëve, nuk arrijnë as të ardhurat e një  punëtori normal në Perëndim ndërkohë që çmimet në Shqipëri, në mos të krahasueshme me Perëndimin, janë për disa shërbime bazë si telefonat celularë, elektriku, ngrohja, por edhe mjaft ushqime, edhe më të larta. Si ka mundësi që këta njerëz kanë vila e pasurira që kalojnë miliona dhe bëjnë shpenzime që mund t’ua kalojnë edhe atyre të politikanëve në Perëndim? E di që një pjesë do të më akuzojnë se po flas pa të dhëna, me thashetheme, dhe, e përsëris, nuk them se janë të gjithë njëlloj. Por Shqipëria një pëllëmbë vend është dhe informacioni herët ose vonë mbrrin rëndom nëpër tryeza njerëzish që janë afër kësaj kategorie. Dhe, pavarësisht saktësisë së këtyre që thashë, një gjë është e sigurt: sot është normale të dëgjosh të flitet për paturpësinë me të cilën aksh ministër kërkon llokmën e tij për firmat që vendos në tendera e më the të thashë, për aksh kryetar bashkie që jep leje ndërtimi duke kërkuar lekë ose apartamente, për mënyrën se si shpërndahen rryshfetet në piramidën e atyre që kanë pushtetin e se si abuzohet me paranë publike.
Ata të pakët që mund ta justifikojnë lluksin e tyre të jetës, makinat 4x4 që kushtojnë sa një shtëpi, pushimet turistike jashtë shtetit, deri edhe jahtet  janë biznesmenët e pasur. Por nuk di a gjen dot një biznesmen që të të thotë se është e mundur ta çosh përpara biznesin pa lyer pandershmërisht rrotat e pushtetit. Dhe ata që ta thonë këtë hapur janë më të mirët. Sepse ka një mori nga ata që s’mund tua shpjegosh pasurinë pa patur parasysh trafiqet njerëzore, të drogës dhe të prostitucionit. Poende, sot dëgjon rëndom për borxhe milionëshe të papaguara bankave nga një pjesë që konsiderohen njerëzit më të pasur të vendit. Dëgjon deri edhe për zhvillimin e një “mafjeje financiare” që është ajo që pastron paratë e drogës duke marrë përqindje të larta interesi nga biznesmenët e falimentuar .
Ky është realiteti në kokën e Shqipërisë që  pastaj zbret poshtë tek njerëzit e thjeshtë si shembull jete dhe vepre për shumicën, si ambicie apo si zili tek të tjerë, dhe si nënshtrim ndaj këtij realiteti tek ata pak që dje mund të kenë pasur edhe ndjenja revolte ndaj kësaj padrejtësie. Pyetja që shtrohet është se çfarë realiteti është ky dhe se çfarë lloj dëshpërimi mund që quhet ai që ngjall ky në krahasim me një vend si Italia ku, siç thotë Saviano, duke cituar Corrado Alvaron, shoqëria jeton me dyshimin se "të jetosh ndershmërisht është e padobishme", duke e quajtur këtë "dëshpërimin më të madh për një shoqëri". Besoj se midis situatës që përshkruan Saviano dhe situatës sonë ka një ndryshim jo të vogël. Dëshpërimi nënkupton të paktën dy gjëra; e para ekzistencën ende të një ndjeshmërie dhe, e dyta, ekzistencën e një shprese që, si të thuash, ka ardhur duke u fikur apo sapo  është fikur. Kurse duke përshkruar situatën tonë do të thoja se fjala "dëshpërim" duhet zëvendësuar me diçka tjetër dhe kjo tjetra duhet të jetë një fjalë që nënkupton edhe humbjen e ndjeshmërisë edhe humbjen prej kohësh të shpresës. Duke kërkuar ndonjë fjalë nuk gjeta më të mirë sesa fjalën "vdekje". Duke e perifrazuar citimin e Savjanos do të thoja: "Vdekja e një shoqërie vjen atëhere kur ajo nuk ka më asnjë shpresë se mund të jetohet ndershmërisht.” Dikush mund ta gjejë shumë të rëndë dhe të më thotë se fjala "vdekje" mund të përdoret ndoshta vetëm metaforikisht sepse një shoqëri gjithsesi jeton. Po, por këtu nuk bëhet fjalë për vdekjen fizike të individëve, por për vdekjen e asaj që bën që një numër i madh individësh të quhet shoqëri. Kjo është e vdekur në Shqipëri dhe nuk thashë kot “është e vdekur” dhe jo “ka vdekur” sepse personalisht gjykoj se duhet të flitet për një vdekje që ka ndodhur prej shumë shumë kohësh. Problemi i shoqërisë sonë është se ajo është vrarë prej kohësh nga diktatura dhe nuk ka mundur dot të ringjallet. Ka patur pa dyshim disa momente shprese, ringjalljeje, 1991, 1997, 2005, por larg së merituari këtë fjalë.  Ato kanë qenë vetëm përpëlitje sysh që janë mbyllur përsëri. Saviano, duke folur për realitetin italian, në shkrimin që përmenda thotë: “Padrejtësia tek ne ka një shije që nuk të neverit më, nuk ta pështjellon stomakun dhe as krenarinë.” Dhe pastaj vazhdon: “Sikur vetëm dyshimi se çdo përpjekje është e padobishme, se të shprehësh opinionin tënd është e kotë, mbyt dhe varros të drejtën. Të drejtën që është në themel të jetës civile, por ky dyshim mbyt edhe një të drejtë tjetër që e tejkalon këtë: të drejtën për të qenë i lumtur.” Nuk di nëse mund të flitet tek ne për ekzistencën ndonjëherë të së drejtës, prandaj dhe për ekzistencën e lumturisë shoqërore.
Jam i vetëdijshëm se një numër lexuesish do të më thonë se po përsëris gjëra që tashmë i kam thënë, se ata nuk duan denoncime, por rrugëzgjidhje. Dhe u jap edhe të drejtë, sepse edhe këtë kërkesë e shoh si pjesë të sëmundjes. Sa për rrugëzgjidhjen mund të them se Savjano, duke folur për Italinë, thotë se ajo nuk mund t’ia  dalë vetëm dhe kërkon ndihmën e pjesë më të qytetëruar të botës. “Të dalësh nga kriza do të thotë të kërkosh alternativa ndaj ekonomisë kriminale.” – thotë Savjano. Dhe ndihma e botës duhet, sipas tij, edhe për arësye se ekonomia kriminale, ajo e ndragetës dhe e camorras, është e shtrirë ndërkombëtarisht.
Edhe ringjallja e shoqërisë shqiptare mendoj se kërkon alternativa ndaj ekonomisë kriminale. Alternativa shumëplanëshe që duhet të fillojnë që nga edukimi i fëmijëve me vlera shpirtërore e principe morale e deri tek riformatimi i sistemit që krijon hapësirat për lulëzimin e krimit dhe pandershmërisë si forma të të padrejtës dhe palumturisë. Dhe kjo nuk është punë e një gazetari. Kjo duhet të jetë punë e të gjithë atyre që duke u ngritur nga kjo ndjenjë vdekjeje shoqërore  do të punojnë për altarnativat e ringjalljes. (Korrieri, 31 mars 2010)

Thursday, March 25, 2010

Viti 1997 dhe viti 2010

Duke parë lajmet ku opozita premton protesta të reja në pranverë, pasi debatin në Parlament e konsideron si steril dhe humbës, nuk mund të mos më shkojë ndërmend se shpesh mbështetësit e opozitës i referohen, direkt apo indirekt, vitit 1997 si model për t'u aplikuar në vitin 2010. Po i lejoj vetes të bëj ndonjë refleksion mbi këtë temë jo thjesht si ndjekës i politikës, por edhe si një nga protagonistët e atij viti.
Vitin 1997 e kujtojmë, ndër të tjera, si vit pasionesh të forta sociale dhe politike. Mbi rolin e pasioneve në politikë e, më në përgjithësi, për formësimin e shoqërisë është folur e shkruar shumë. Në përgjithësi dallohen dy shkolla mendimi. Politologët e shkollës anglo-saksone, me traditë hobsiane, ngulmojnë në idenë se pasionet luajnë një rol negativ. Sipas Hobsit pasionet e kthejnë njeriun në ujk për njeriun, janë burim dhune dhe konfliktualiteti shkatërrimtar, prandaj njerëzit, të lodhur nga këto, vendosin t'ia japin pushtetin një sovrani në shkëmbim të paqes dhe rendit. Me fjalë të tjera, sipas kësaj shkolle, që na fton të vemë në balancë përfitimet dhe humbjet e një zgjedhjeje të tillë, kur veprojmë në politikë të shtyrë nga pasionet rrezikojmë të krijojmë përbindësha politikë. Ka një shkollë tjetër (Durkheim, Weber etj.), që i kanë dhënë rol konstruktiv pasioneve. Sipas Weberit udhëheqësi karizmatik, që dashurohet nga njerëzit, arrin ta bashkojë grupin me një mesazh besimi dhe shprese duke e formësuar kësisoj shoqërinë me vlerat e këtij besimi. Sociologu italian Francesco Alberoni në librin e tij "Inamoramento e amore" (Dashurimi dhe dashuria) (po përdor këtu fjalën "dashurim" për të shprehur "rënien në dashuri"), duke e zhvilluar këtë ide weberiane, thotë se të gjitha religjionet, partitë, sindikatat  janë formuar në vorbullën emotive të lëvizjeve kolektive nga të cilat, pastaj, ka dalë edhe grupi edhe udhëheqësi i tij. Sipas tij, kësisoj, lëvizja kolektive emotive kthehet e bëhet institucion.  Është një proces i ngjashëm, sipas tij, me atë ku periudha e parë e dashurimit të një çifti kthehet e bëhet, pastaj, dashuri. Edhe përsa i përket dashurimit ka shumë mendimtarë që ngulojnë se ai duhet parë me shumë dyshim, sepse ai është një iluzion i cili mbaron kur fillon ajo që quhet faza prozaike e raportit, ajo e kontaktit me personin real, në të cilën, sikurse thotë edhe Frommi, një rol të rëndësishëm duhet të luajë  edhe vullneti për ta ndërtuar lidhjen dhe për ta selitur atë. Por ka edhe të tjerë që, gjithë me të drejtë, ngulmojnë se dashurimi krijon një lidhje që mund të bëj që dashuria të rezistojë gjatë.
Në përgjithësi rasti i liderit karazmatik është ai i një lidhjeje emotive midis tij dhe popullit, që i shëmbëllen dashurimit.  Ky lider e krijon lidhjen emotive me popullin në sajë të lëvizjes që udhëheq dhe pastaj e mban atë të ndezur shpesh në sajë të distancës. Ata që e njohin nga afër i kuptojnë difektet e tij, por jo ata që janë larg. Alberoni citon Napoleonin i cili thoshte se të gjithë marshallët e tij ishin të bindur se qenë më të zot se ai. Por populli ishte i lidhur emocionalisht me të.
Shekulli i XX na ka dhënë raste të shumta se si dashurimi i popullit me liderin ka pjellë përbindësha politikë si Hitleri, Musolini, Stalini, por ka krijuar  edhe figura të mëdha si Gandi.
De Goli, që bën pjesë në liderët karizmatikë  te suksesshëm, kur kërkoi ndërrim të kushtetutës që të ishte president i zgjedhur direkt nga populli, ndaj frikës së francezëve se mos bëhej diktator tha: pse në këtë moshë (ishte 67 vjeç) do të bëhem diktator? E magjithatë francezët e detyruan të dorëhiqet me protesta. Në SHBA, siç e dimë, presidentët e zgjedhur direkt nga populli, sado të suksesshëm qofshin, nuk qëndrojnë më shumë se tetë vjet në pushtet. Në çdo rast është i padyshimtë fakti se nevoja për liderë karizmatikë nuk është shenjë demokracie të pjekur dhe nëse edhe në votën demokratike vërehet sot kjo tendencë kjo nuk gjykohet si shenjë e mirë. Rasti i Berlusconit në Itali është më domethënësi.
Le t'i kthehemi realitetit tonë të këtyre njëzet vjetëve. Nëse mund të flitet në historinë tonë për lëvizje që, si të thuash, janë karakterizuar nga një dashurim i popullit me liderët  e vet politikë mendoj se këto kanë qenë ato të viteve 90 - 91 dhe 1997. Në të dy rastet kishim një popull të gatshëm për t'u dashuruar me liderët e tij dhe, nga ana tjetër, liderë politikë të rinj që vinin për të përmbushur këtë dashurim të munguar të popullit. Sipas gjykimit tim (personalisht jam partizan i shkollës që është skeptike ndaj dashurimit, por që e njeh forcën frymëzuese të këtij momenti)  "martesat" me këta liderë kanë rezultuar mëse zhgënjyese dhe përvoja e këtyre "martesave" shërben si ilustrim i racionalitetit të shkollës anglo - saksone. Ndërkaq, duke iu referuar përvojës sonë, duhet të vemë re një fenomen që është karakteristikë e popujve ku idetë e shkollës anglo - saksone e kanë vështirë të hyjnë e të bëhen pjesë e kulturës politike. Liderëve tanë, me kalimin e viteve, u krijohet një paranojë që nuk i çon të punojnë për institucionalizimin/dashurinë, por përkundrazi, për të mbajtur gjithjë të ndezur lëvizjen/dashurimin. Dhe kjo vjen ngase nga njëra anë ata nuk arrijnë ta kuptojë se duhet të punojnë që të kalojnë nga lëvizja në institucion dhe, nga ana tjetër, populli nuk arrin t'ua imponojë këtë raport të ri sepse i mungojnë instumentet demokratike. (Pa dyshim në pengimin e kalimit nga lëvizja në institucion kanë një rol aktiv si lideri edhe populli.)
Më konkretisht: një lider si Berisha do të duhej të kishte mësuar se duhej të ndërtonte marrëdhënie institucionale me partinë që lindi lëvizja e viteve 90 - 91, me çka kuptoj se do të duhej të punonte që të bëhej më e rëndësishme partia e tij sesa ai vetë për popullin. Mirëpo, siç shihet qartazi, ka ndodhur dhe vazhdon të ndodhë e kundërta. Diçka më ndryshe e filloi marrëdhënien me popullin lideri karizmatik Fatos Nano  pas vitit 1997, por edhe ai përfundoi në të njëjtën hulli. I ardhur nga distanca, nga burgu, ai ishte më i përshtatëshmi për të ndërtuar marrëdhënie dashurimi me popullin, por, nga ana tjetër, ai, duke pasur prapa përvojën e një partie që kishte një të kaluar të errët dhe duke qenë vetë një tip që dukej i paftë për të dashuruar gjë tjetër përveç parasë, në krye të herës ndau më shumë pushtet me udheheqësit e tjerë që kishin krijuar karizmën e tyre gjatë lëvizjes së 97-tës. Gjithsesi mund të thuhet se, në një farë kuptimi, populli në krye të herës, pati një marrëdhënie dashurimi me udhëheqësit politikë që erdhën në pushtet pas Berishës më 1997. Ndërkaq Fatos Nano, në vend se ta thellonte institucionalizimin e kësaj marrëdhënieje që u duk se e nisi (me dorëheqjet mund të thuhet se e ka ndihmuar këtë më shumë sesa Berisha në krahun tjetër), me kalimin e viteve filloi ta vuajë gjithnjë e më shumë  nevojën e lidhjes afektive me popullin e tij.
Në këtë pikë më duhet të ve në dukje se tash e mbrapa kur flasim për "popull" duhet të kemi gjithnjë e më shumë parasysh jo më popullin shqiptar, por ata që mund t'i quajmë "populli PD-ist" dhe "populli PS-ist". Janë këta që tani ruajnë një lidhje afektive me liderin karizmatik të cilit i mjafton kjo duke mos pasur më mundësi të duhet nga i gjithë populli shqiptar. Madje shpesh, sikurse e kam shtjelluar në një shkrim tjetër mbi liderët karizmatikë, dashuria e njërit nga këta dy popuj për liderin e tij është e kondicionuar edhe nga urrejtja për liderin e popullit tjetër. 
Lidhur me procesin e kalimit nga dashurimi i krejt popullit tek ajo e partizanëve  duhet thënë se ka një diferencë midis Nanos dhe Berishës. Fatos Nano ka qenë më i vetëdijshëm për këtë dashuri të pjesëshme. Jo më kot ai gjithnjë e më shumë përmendte fjalën "familja socialiste" ndërkohë që Berisha thellë thellë ka vazhduar dhe vazhdon të aspirojë dashurimin  e të gjithë popullit shqiptar.
Ndërkaq duhet të theksojmë edhe një proces tjetër: ndërkohë që këta dy liderë karizmatikë kanë tentuar të mbeten të dashuruar, të paktën nga populli i tyre, ata që i kanë njohur nga afër në parti, "marshallët" e tyre pra, janë bërë gjithnjë e më të vetëdijshëm  për difektet që ata kanë. Marrëdhënia e liderit me ta ka mbaruar pra si dashurim dhe është bërë një lidhje interesi "familjar" ku nuk gjemë më afeksion përveçse tek të rinjë (dhe kjo shpjegon prirjen e liderve karizmatikmë për të elimnuar bashkëpunëtorët e vjetër). Po ajo nuk është kthyer dot në dashuri, pra nuk është institucionalizuar. Madje në shumë raste në marrëdhënien e marshallëve  me liderin karizmatik gjejmë vetëm nënshtrim për shkak frike apo interesash të kërcënuara që jo rrallë manifestohet me një dashuri të shtirur. Edhe ky është një fenomen i njohur universalisht. Kush ka lexuar librin e Oliver Schmitt "Skënderbeu" do të kujtohet se edhe lideri karizmatik "par ecellence" i shqiptarëve, Skënderbeu, e siguronte në vitet e fundit të sundimit besnikërinë e kryekështjellarëve të tij duke u mbajtur peng familjet.
Në këtë kontekst le të themi tani dy fjalë lidhur me liderin e ri të socialistëve Edi Rama dhe premtimet për lëvizje të forta popullore këtë pranverë që s'është hera e parë që i premton. Edi Rama edhe ai ka tiparet e një lideri karizmatik me histori të ngjashme. Ai u fut në politikën e socialistëve si një i jashtëm që vinte nga distanca duke shfrytëzuar faktin se Nano kishte nevojë për njerëz jashtë Partisë Socialiste pasi ajo nuk gëzonte dashurinë e asaj pjese të shoqërisë që nuk i donte socialistët për shkak të së kaluarës së tyre. Ai u fut, pra, në politikë si një njeri që tentonte të fitonte dashurinë e atyre që  ishin të zhgënjyer nga klasa plitike e të dy krahëve. Në një farë kuptimi ai kërkoi një dashurim me këtë popull që ai mendonte se ishte shumica e shqiptarëve. Ka vazhduar ta bëjë këtë edhe pasi u bë kryetar i PS. Prej këtu edhe parrulla e tij "përtej të majtës dhe të djathtës." Edhe në fushatën e fundit elektorale doli me këtë parrullë dhe, sipas meje, nuk mori përgjigjen që kërkonte. Përndryshe s'do të kishte manipulim që t'ia prishte fitoren. Edhe sot e kësaj dite kur premton protesta ai kërkon të luajë rolin e liderit karizmatik që pretendon se ka mision eliminimin e kësaj klase politike dhe kërkon besimin e popullit për këtë. Mirëpo është evidente se shkëndija e dashurimit nuk ndizet. Sipas gjykimit tim janë disa gjëra që e  kanë minuar rëndë këtë besim. Së pari fakti se ai ka vite që është në pushtet dhe tashmë  shumëkush e di se ai ka bërë politikën e interesit të atyre që akuzon. Së dyti, jo vetëm katedra nga i akuzon, por edhe mënyra se si i akuzon është shumë jo bindëse për t'i bërë njerëzit të bijen në dashuri. Së treti, pasi u bë lider i PS-së, ai u lidh me familjen socialiste që thellë thellë e kishte përçmuar duke i shëmbëllyer atij që edhe martohet me një grua të divorcuar për shkak të parave të saj, edhe kërkon të mbajë dashnoren e vjetër të varfër, duke humbur, kësisoj, dashurinë e të dyjave.
Ndërkaq, besoj se është e tepërt të them se parrulla se "PS është e keqja më e vogël" nuk mund të krijojë situata dashurimi/lëvizjeje.
Në këto kushte gjykoj se ngulmimi i Ramës për të krijuar lëvizje si ajo e vitit 1997 në vitin 2010  është jo vetëm një përpjekje e dështuar por edhe një kthim prapa për dëmin e së cilit Partia Socialiste duhet të ndërgjegjësohet. Me këtë nuk dua të them se s'duhet të ketë protesta, madje këto duhet të jenë të forta edhe kundër prirjes karizmatike të liderit Berisha, por se këto duhet të kryhen me vetëdijen se ka ardhur koha që të ndërgjegjësohemi se raporti i liderit me partinë dhe raporti i partisë me popullin shqiptar në tërësi duhet të shkojë drejt institucionalimit të mëtejshëm dhe jo në drejtim të kundërt. Me çka kuptoj se Partia Socialiste duhet të kërkojë një raport tjetër me liderin e saj dhe jo atë që ka me Edi Ramën. Një raport ku të jetë ajo primarja dhe jo lideri. Po ashtu, partia duhet të ketë një raport të tillë me vendin ku të jetë vendi primari dhe jo ajo. Nuk ka pikë dyshimi se e njëjta gjë vlen edhe për PD-në.
Borgesi thotë "demokracia ideale do të ishte ajo ku emri i presidentit nuk do të njihej fare." Ky është ideali për të cilin duhet punuar. Viti 2010 na thotë se ka ardhur koha që edhe ne duhet të punojmë për të kaluar nga lideri karizmatik në liderin demokratik.

Monday, March 22, 2010

Pritje në kuesturë






Marrëdhënia ime me Firencen është e mbresuar fort nga një kontradiktë që, ndoshta, vështirë se do ta zgjidh ndonjëherë. Janë dy identitete të këtij qyteti brenda meja që shpesh nuk arrij t'i pajtoj. Kur ndodhem në Shqipëri Firencia bëhet për mua ajo e historisë dhe e bukurive të saj. Miqve të mi shqiptarë u tregoj për Firencen e Rilindjes, për faktin se dënimi me vdekje është hequr për herë të parë në botë pikërisht në Toskanë në shekullin XVIII, se banimi pranë një sheshi si ai i Santa Croce-s ka bërë të më duket i shëmtuar edhe një qytet si Vjena. Por, kur kthehem në Firence, gjej një tjetër qytet, atë të përditshmërisë së një të huaji që ndesh një mori vështirësish për t'u ndjerë në shtëpinë e tij, duke filluar që nga aeroporti i Firences, ku shpesh valixhet e shqiptarëve i kontrollojnë edhe me qen.
Kur Gianni Sinni më propozoi të shkruaj diçka mbi qytetin për revistën "FFF" u ndodha në vështirësi mu pse ndjehem i ndarë midis këtyre dy identiteteve; sikur njëri ta pengojë tjetrin për t'u shprehur. Ndoshta, nëse do t'i referohesha Niçes, kjo pengesë më vjen, ngase, duke u ndjerë i huaj, e kam të vështirë të ndërtoj një "histori kritike" të Firences, që mund ta superojë "historinë arkeologjike" dhe "historinë monumentale" të saj.
Mes kësaj mëdyshjeje, më në fund, vendosa t'i jap revistës një faqe të ditarit tim.
Firence, e premte 30 qershor 2004
U zgjuam herët në mëngjes me Deborën për të shkuar në Kuesturë.  Tani që do të na lindë Luna duhet të qëndroj më gjatë në Itali dhe, për këtë, kam nevojë për një leje qëndrimi (permesso). Çudi, tani që po shkruaja fjalën 'kuesturë" në gjuhën shqipe më erdhi një asosacion - që nuk më ka ndodhur kur e dëgjoj apo e them në italisht - me konotacionin pexhiorativ që ka kjo fjalë në shqip, në sajë të gjithë asaj letërise dhe filmave të soc-realizmit mbi pushtimin italian, të lexuar e parë gjatë fëmijërisë dhe rinisë, ku "kuestura" dhe "kuestori" janë bash simboli i të keqes. I çuditshëm ky lloj kthimi prustian në të kaluarën nëpërmjet kalimit nga një gjuhë në një tjetër.  Dhe nuk besoj se kjo më ndodhi për shkak të përvojës së ditës së sotme.
Isha nervoz kur u nisëm në mëngjes sepse, kur shkuam dy ditë më parë në zyrën e informacionit në Kuesturë, ramë në një polic maskara.  Sapo i hodhi vështrimin pasaportës sime tha:
"Kjo vizë ka skaduar. Ti duhet të kthehesh menjëherë në Shqippri."
"Si ka mundësi?" i  thashë.
Kisha një vizë Schengen njëvjeçare me nëntëdhjetë ditë leje qëndrimi në vendet Schengen. Sipas tij, nga muaji maj, kur ishte lëshuar viza, deri atë ditë, kishin kaluar më shumë se nëntëdhjetë ditë. I thashë se nga muaji maj deri ditën që kisha mbrritur në Itali kisha konsumuar vetëm dy udhëtime katër ditore në Austri. Athere ai pa datën e hyrjes sime në Itali, 19 qershor, dhe më tha se kisha shkelur ligjin, sepse do të duhej të isha paraqitur në Kuesturë brenda tetë ditësh ndërkohë që ishte data 27 qershor.  Kisha kaluar, pra, me tre ditë afatin. As nuk e dija që ekzistonte ky ligj. Herë të tjera kam qëndruar në Itali në periudha më të gjata se tetë ditë dhe askush nuk më ka informur se duhet të paraqitem në Kuesturë brenda 8 ditësh .
Debora ndërhyri duke i thënë:
"Presim një fëmijë."
"Të lindë një herë fëmija." u përgjegj ai.
Ndërroi qëndrim kur kuptoi se Debora ishte italiane dhe i tha, me një ton të prerë, se ai ishte punonjës shërbimi publik që e kishte për detyrë të na jepte informacionin që kërkonim.
Na dorëzoi më në fund dy fletë që duheshin mbushur, ku figuronte tërë lista e gjatë e dokumenteve që duhet të paraqisnim për permesson, duke na thënë se duhet t'i paraqisnim në Kuesturë javën e ardhëshme.
* * *
Në sektorin Azia - Evropa Lindore të Kuesturës së Firences gjetëm, prapa një kangjelle me hekura, nën portikun e ndërtesës, një rresht të gjatë njerëzish që kishin mbrritur para nesh. Përveç aziatikëve që imagjinohej se ishin pjesa më e madhe kinezë, të tjerët, nga gjuhët që përdornin, kuptohej se ishin shumica sllavë, rumunë dhe shqiptarë. Të gjithë me atë pamjen e nevojtarit që pret me durim që padroni i shtëpisë t'u hapë portën.
Na u desh të qëndronim më shumë se një orë e gjysëm, derisa u hap porta, pa lëvizur nga rreshti. Kjo sepse kur hapej porta në fillim merrnin pasaportat dhe precedencën e kishin ata që e jepnin të parët pasaportën.
Kur, më në fund, porta u hap, prej andej doli i pari një polic rreth të tridhjetave me një kokë të rruar taze dhe një trup të ngjeshur. Filloi të bërtasë: "pasaportat, pasaportat" me një ton sikur të ishte ndonjë gardian burgu që urdhëronte të burgosurit të mblidheshin për apelin. Rradha e nevojtarëve i zgjaste pasaportat në heshtje, por ai nuk reshtte së bërtituri.
Debora u nervozua dhe, sapo pa një kolegun e tij, që filloi të mbledhë edhe ai pasaporta, shkoi t'i thotë se qëndrimi i atij tjetrit ndaj të huajve ishte i shëmtuar. Ai iu përgjegj se italianët nuk janë të gjithë njëlloj.
"Këtu duhet të vijnë aktivistët e të drejtave të njeriut çdo ditë, të marrin shënim çfarë ndodh" - më tha Debora.
Unë isha i përqendruar në shpresën e zgjidhjes së problemit të dorëzimit të dokumenteve po atë ditë.
Pasi u futën të gjtha pasaportat brenda një person i Kuesturës doli tek porta dhe filloi të lexojë emrat e të parëve që do të hynin brenda. Ne na u desh të prisim derisa na erdhi rradha
Kur më në fund hymë brenda pamë dy policët, atë "kokërruarin" dhe tjetrin prapa sporteleve. Ishin ata që pranonin dokumentet. Sapo pa kokërruarin Debora më tha:
"Tek ai nuk shkojmë."
"Varet se tek cili na takon." - iu përgjegja.
"Unë tek ai nuk shkoj." - ngulmoi ajo.
Ishim ulur të dy tek një rradhë karrikesh mbështetur tek muri përballë sporteleve, që ishin jo më shumë se dy metra larg nesh. Filluam të ndjekim çfarë po ndodhte atje.
Kokërruari punonte me shpejtësi të madhe dhe me një përqëndrim maksimal mbi atë që bënte. Kontrollonte fletët, vuloste, kontrollonte, vuloste pa shkëmbyer asnjë fjalë me personin përballë tij.
Duke shpresuar të na qëllonte polici tjetër filluam të ndjekim çfarë po ndodhte atje. Përballë sportelit të tij ishte një vajzë e re. Duket se në atë çast polici sapo kishte mbaruar punë me dokumetet e saj dhe pa e ulur asfare zërin i tha:
"Të them të vërtetën vajza më e bukur që kam takuar këtu ka qenë një iraniane. Por edhe ti, si turke, qenke shumë e bukur."
Vajza uli kokën duke bërë sikur po kërkonte diçka në çantë.
Debora mbeti pa fjalë.
"Më thuaj, ku do të shkosh, tek kokërruari apo te ky tjetri?" - e pyeta.
Na ra të shkonim tek kokërruari.  Ai filloi t'i kontrollonte me shumë seriozitet dokumentet, i ftohtë, pa na hedhur asnjë shikim. Më në fund zbuloi se na mungonte një dokument. Quhej "cessione di fabbricato". Duhet të paraqitesha tek rajoni i policisë të lagjes ku banon Debora për të deklaruar se banoja në shtëpinë e saj. Kjo kërkesë lidhej me ligjet antimafia.
"Mund të vini ta sillni edhe sot deri në orën 11: 30 - na tha kokërruari -  po qe se ia mbërrini." Dhe na i ktheu të gjithë dokumentet mbrapsh.
Kishim ardhur më këmbë sepse Kuestura nuk është shumë larg shtëpisë sonë. U nisëm të vendosur që ta mbyllnim atë histori atë ditë, përndryshe do të na duhej t'ia rinismim me radhën nga fillimi. Mu desh të bëj edhe një vrapim të gjatë për ta  kapur të hapur portën në orën 11:25. Kokërruari ishte atje duke punuar. Tjetri kishte ikur.
Dolëm prej andej të çliruar dhe u nisëm për të bërë një punë më të bukur: të blinim karrocën e Lunës. Në Shqipëri thuhet se nuk është mirë ta blesh përpara lindjes së fëmijës sepse sjell ters, por mua më duket më normale të veprohet si zogjtë që e përgatisin folenë që më parë.
Blemë një karrocë të kuqe, më të veçantë se të tjerat dhe, kur u kthyem, u ndalëm të hamë në restorantin "La pentolla dell oro" (Tigani i artë)  pranë shtëpisë sonë. Gatuhet mirë dhe nuk kushton shtrenjtë. Në mbrëmje aty vjen një kuzhinier i famshëm që përgatit menu rinashimentale të tipit "pjata Brunelleschi" që ne nuk i kemi provuar ende.
  
*Ky tekst është botuar në italisht në revistën FFF (Firenze Fast Forward) në 2009. 

Monday, March 15, 2010

Jam homoseksual

Është e dyta herë që se në qytetin e Lezhës një grup jo i vogël personash, kryesisht të rinj, por jo vetëm, - sipas disa mediave deri në 400 vetë, -demostrojnë kundër një personi të vetëm, Klodit, i cili në emisionin Big Brodher të Top Channel paska guxuar të deklarojë se është homoseksual. 
"Klodi ka njollosur qytetarinë lezhjane dhe kombin shqiptar", "Lezha nuk e meriton njollën e homoseksualitetit", "Klodi nuk është lezhjan", " Klodi nuk duhet të shkelë më në Lezhë dhe as në Shqipëri, por andej nga e ka marrë këtë eksperiencë, në Itali, sepse nuk duam që ky fenomen të ndikojë tek fëmijët tanë. " - janë disa nga deklaratat që lëshojnë, si pa të keq, nëpër media. (Shekulli 12 mars 2010)
Kërkojnë, pra, që Klodi të zhduket jo vetëm nga skena e televizionit, por edhe nga qyteti i Lezhës dhe Shqipëria dhe s'do të rreshtin së protestuari derisa ta arrrijnë këtë.
Duken të sigurt, pa pikën e dyshimit se mund të jenë duke bërë ndonjë punë të keqe. Pamjet dhe fotot e tyre të kujtojnë ngazëllimin e fanatikëve në Mesjetë që galdonin duke parë të digjeshin në turrën e druve heretikët. Mund t'i përfytyrosh me lehtësi se do të shkonin me krenari të shtonin ndonjë dorë lëndë që flaka të bëhej edhe më tmerronjëse nën këmbët e një hmoseksuali të djegur nën turrën e druve.
Në vështrimin e parë mund të të kapë inati dhe ndjenja e përçmimit ndaj tyre, duke parë se me çfarë paturpësie, arrogance dhe lehtësie nxitojnë t'ia bëjnë ferrr jetën një njeriu që s'u ka bërë asgjë përveçse ka guxuar të deklarojë prirjen e tij seksuale. Por problemi nuk janë ata. Problemi është se këtyre të rinjve dhe jo vetëm as nuk u shkon ndërmend se janë pamja e mjerimit të shoqërisë shqiptare të shekullit XXI. Problemi i vërtetë është bash ky mjerim dhe pavetëdija për të. Ata njerëz, me ragimin e tyre, tregojnë se sa e izoluar nga bota e qytetëruar ka mbetur Shqipëria, se çfarë niveli edukimi kanë të rinjtë tanë, e jo vetëm, por edhe se çfarë pune është bërë nga të rriturit, për të futur në këtë shoqërinë tonë kulturën e respektimit të të drejtave të njeriut njëzet vjet pas daljes nga regjimi i dhunimit "par exellence" të këtyre të drejtave. Nuk e di nëse i ka instrumentalizuar kush këta protestues – jam i sigurt që dikush qëndron prapa tyre – por, ashtu siç e ka provuar tashmë historia e çdo diskriminimi, sjellja e tyre e dhunshme është gjithashtu shenjë se këta njerëz jetojnë në një shoqëri me frustracione të thella. Zgjedhja e një viktime për ta dhunuar kësisoj është shenjë e dhunës, brutalitetit dhe injorancës që ushtrohet mbi ta. Dikush ka ngritur me të drejtë pyetjen: pse këta bandillë nuk protestojnë për varfërinë që po i mbyt, pse nuk protestojnë për shkatërrimin ekologjik që po i bëhet rrethit të tyre e me rradhë. Po pikërisht pse nuk protestojnë dot për këto, ngase nuk dinë dhe nuk mundin, protestojnë kundër homoseksualit Klodi.
Shkaqet e kësaj homofobia janë deri diku të kuptueshme po të kemi parasysh se vijmë nga një regjim totalitar që i mbajti shqiptarët për gjysëm shekulli të izoluar nga çdo gjë që ishte e ndryshme nga modelet që predikonte ideologjia nacional - komuniste e Enver Hoxhës, madje që erdhi duke u barbarizuar nga dekada në dekadë. Të gjithë e kujtojmë se si na është kallur në ndërgjegje homofobia në atë kohë edhe nëpërmjet kulturës e vetë gjuhës edhe nëpërmjet faktit se dënohej me burgim të rëndë. Dihet po ashtu se homofobia ka rrënjë edhe më të thella sesa komunizmi Por jam i bindur se edhe para diktaturës edhe në kohën e diktaturës shqiptarët do të tregoheshin shumë më të kujdesshëm në manifestimin e ndjenjave të tilla kaq linçuese ndaj një homoseksuali. Kjo që pamë në Lezhë është diçka që flet për një barbarizim dhe analfabetizim dramatik të shoqërisë. Të duket sikur në Lexhë të mos ketë më shkolla e mësues, as shoqëri civile as kisha e xhamia e priftërinj e hoxhallarë dhe as politikanë. Ose që këta janë në një nivel të mjeruar. Prandaj gjykoj se edhe nëse është e kuptueshme kjo sjellje, kur ke parasysh të kaluarën, ajo është skandaloze po të kesh parasysh se tash njëzet vjet aspirojmë të bëhemi pjesë e një bote ku sjellje të tilla ndaj një individi homoseksual as nuk imagjinohet se mund të kryhen edhe nga grupet më fashistoide.
Gjykoj se sjellja e këtyre të rinjve dhe parrullat e tyre publike ndaj Klodit dhe familjes së tij janë akte linçimi ndaj të cilit duhet të reagojë jo vetëm moralisht shoqëria, por edhe ligjërisht shteti i së drejtës. Ato janë shkelje e parimeve bazë kushtetues, të të drejtave të njeriut.
Personalisht nuk kam ndonjë ndjeshmëri ndaj atij që quhet "imazh" apo "përmirësim i imazhit të Shqipërisë" pasi jam kundër kulturës së aparencës që është aq e përhapur në shoqërinë tonë, ku njerëzit ndryshe shfaqen me të huajt e ndryshe me njëri tjetrin, por në këtë rast është mirë që elita shqiptare, ajo politike kryesisht, që flet aq shumë për hyrjen në Evropë, për rezultatet që ka arritur në procesin e integrimit, të reagojë ndaj demostrimesh të tilla që e dëmtojnë imazhin e Shqipërinë ndoshta edhe më shumë se sa dhuna e konflktaliteti politik apo mungesa e drejtësisë. Ajo që po ndodh në Lezhë tregon se nuk mjafton të bësh një ligj për heqjen e dënimit të hmoseksualitetit apo që lejon martesat e homoseksualëve për t'u bërë pjesë e familjes evropiane të shekullit XXI. Për këtë duhet investim në shkollim e edukim, për t'i nxjerrë njerëzit nga injoranca dhe mjerimi shpirtëror dhe kulturor ku janë zhytur. Në këtë kontekst organizatorët e protestave në Lezhë, që kujtojnë se po mbrojnë nderin e qytetit e të Shqipërisë, duhet të ndërgjegjësohen se i kanë dhënë qytetit të tyre imazhin e një qyteti barbarësh e injorantësh ku nesër e mbrapa do t'i zërë frika të shkelin edhe shqiptarët e qytetëruar e jo më evropianët. "Lezhë , I will never visit again! 
A German tourist in Albania from Munich. Shame on you" (Lexhë nuk do të të vizitoj kurrë më. Një turis gjerman në Shqipëri. Turp të keni!) Ky ishte një nga shënimet që gjeta në internet si koment të lajmit mbi protestat në Lezhë.

Prandaj gjykoj se gjithkujt që kërkon të mbrojë ato vlera të cilat na u dhunuan aq egërsisht në diktuaturë, siç janë liria për të qenë vetja jonë, për të shprehur mendimin ndryshe, duhet t'i dalë në mbrojtje Klodit. Gjithkush duhet të thotë me zë të lartë "jam homoseksual" për t'i bërë ballë kësaj vale barbare sa nuk është vonë. Dhe, kush mendon se kjo barabari kërcënon vetëm homoseksualët, me të cilët ai s'ka të bëjë, gabohet shumë. Ajo është një kërcënim për lirinë e kujtdo. (Korrieri, 15 mars 2010)

Monday, March 8, 2010

Vjedhja e votës si dhunë strukturore


Gjatë kësaj periudhe të debatit të kutive dëgjoj shpesh pyetjen: zotëri je për hapjen e kutive apo jo? Dhe kjo pyetje sikur transkriptohet në pyetjen: je me qeverinë apo je me opozitën. Ky polarizim pa kushte i njerëzve: o me qeverinë o me opozitën gjykoj se nuk është thjesht rezultat i pavetëdijshëm i luftës politike, përkundrazi, është në kulturën politike të të dy palëve. Në këtë aspekt kanë të drejtë ata që thotë se dy njerëzit që janë më pak të interesuar se kuzhdo tjetër për hapjen e kutive janë Sali Berisha dhe Edi Rama. Sepse këta të dy, si tipologji lideri e kulturë politike, mbijetojnë politikisht pikërisht në sajë të polarizimit të ashpër që krijojnë raste të tilla si ky i hapjes ose jo i kutive, që vazhdon t’i ndajë njerëzit në “o me mua, o kundra meje.”
Personalisht ka kohë që, me bindjen e përvojës së gjatë, e refuzoj këtë ndarje që e ka bërë shoqërinë peng të dy partive të mëdha, që jo rrallë i kam quajtur edhe banda. Prandaj do të vazhdoj të shkruaj e flas pikërisht në emër të daljes nga kjo pengmarrje.
Nga ky këndvështrim i imi, ajo që nuk më zhgënjen në debatin e kutive është fakti se dëgjoj vazhdimisht në retorikën e opozitës se hapja e kutive do ta zgjidhte më në fund problemin e zgjedhjeve - “do t’i japë fund manipulimit njëzet vjeçar me zgjedhjet” - është një shprehje që dëgjohet thuajse çdo ditë në lajme që lidhen me deklarata të PS. Lideri i saj Rama, kur u drejtohet ndërkombëtarëve, u thotë se ky turp i trajtimit të shqiptarëve jashtë standarteve me të cilat evropianët trajtojnë veten duhet të marrë fund,  se ne meritojmë të trajtohemi me standartet e tyre dhe hapja e kutive do të sigurojë këtë. Po a është vallë kaq e thjeshtë?
E kam thënë dhe e përsëris se protestat për hapjen e kutive janë të drejta në vetvete dhe kanë rritur sensibilitetin ndaj zgjedhjeve, por, nga ana tjetër kundërshtoj mistifikimin e hapjes së kutive apo përdorimin e tyre për qëllime të tjera nga përmirësimi i lirisë së zgjedhjeve. Kjo është negative njëlloj sikurse ka qenë negativ përdorimi i luftës kundër korrupsionit nga ana e Berishës, për qëllime të tjera nga lufta kundër korrupsionit, sepse një luftë e tillë e aborton një çështje. Dhe gjykoj se tashmë, përsa i përket hapjes së kutive, kemi kaluar në kufijt e abortimit.
Çfarë kërkon PS-ja publikisht? Një komision parlamentar që do të bëjë një shqyrtim të thellë e të plotë të zgjedhjeve ku hyn edhe hapja e kutive, dhe kjo, jo  me synim përmbysjen e rezultatit të zgjedhjeve, por për të  marrë masa e vendime e hartime projektligjesh që të evitojnë, në të ardhmen, abuzime të tjera me zgjedhjet. Por, nëse është kështu dhe qëllimi është ky, atëhere le ta marrim si të dhënë faktin se në kutitë ka tjetër rezultat, çka të gjithë e dimë se nuk është çudi. Madje çudi do të ishte sikur të provohej, me hapjen e kutive, se rezultati është ay që kanë firmosur komisionerët. Dhe hajde të ndërtojmë komisionin dhe projektet e përmirësimit të zgjedhjeve të ardhëshme duke e marrë këtë si një të dhënë të pakundërshtueshme. Gjykoj se kjo duhet bërë duke mos harruar, gjithashtu, se hartimi i një projekti të tillë nuk mund të anashkalojë faktin se në historinë e zgjedhjeve tona nuk ka një rast të vetëm ku humbësi të ketë pranuar humbjen e zgjedhjeve (ndoshta me përjashtim të zgjedhjeve të vitit 1992) dhe se në çdo rast janë bërë të ashtuquajtura përmirësime formale apo ligjore që kanë rezultuar si arnime të një gune të vjetër të cilës sa i mbyll një vrimë i hapet një tjetër. Duke u nisur nga kjo mendoj se çështja se çfarë duhet  bërë për të ardhmen duhet shtruar në mënyrë të atillë që të mos ketë më një arnim, por një përpjekje për të qepur një gunë të re të qëndrueshme. Kurse reduktimi i gjithë çështjes tek hapmbyllja e kutive është më i keqi i arnimeve.
Po ende, kam ndjesinë se këta gjashtë muaj konflikt mbi kutitë e kanë shtuar rrezikun që zgjedhjet e ardhshme të jenë edhe më të këqija se ato parardhëset, çfarëdo që të ndodhë, sikur të hapen apo sikur të mbeten mbyllur kutitë. Kjo jo vetëm për shkak të konfliktualitetit në rritje që e ka polarizuar edhe më dhe e ka iracionalizuar edhe më politikën, duke i çuar edhe më thellë protagonistët në mendësinë e përdorimit të çdo mjeti për të shkatërruar një kundërshtar, i cili, edhe ai, përdor çdo mjet, por edhe pse gjykoj se ky konfliktualitet nuk është thjesht çështje iracionaliteti dhe emocionaliteti, por edhe çështje e strukturave të dhunës mbi votën që kanë ngritur partitë. Ai buron nga fakti se ne kemi shkuar në drejtim të kundërt përsa i përket ndërtimit të shtetit dhe institucioneve të tij; se jemi në gjendjen e një parashteti ose të një shteti të falimentuar,  nëse me këtë kuptojmë një shtet që nuk kontrollohet nga institucionet dhe ligji, por nga grupe dhe klane të fuqishmish, që, normalisht, s’duhet të kenë asnjë mundësi të dhunojnë institucionet e shtetit. Një nga shenjat më flagrante të kësaj, e jo vetëm, është edhe kontrolli i numërimit të votës nga militantët e dy partive dhe jo vetëm. Normalisht ne duhet të kishim shkuar përdrejt një shteti ku me zgjedhjet merret administrata shtetërore dhe të mos kishte probleme votimi. Kurse të thuash këtë gjë sot në Shqipëri të përqeshin si i marrë dhe askush nuk arrin të kuptojë se pikërisht kjo përqeshje flet shumë për nivelin e demokracisë sonë.
Mirëpo, për të kuptuar se pse ne kemi arritur në këtë gjendje, duhet të zbresim poshtë për të kuptuar se çfarë kemi ndërtuar në katet e poshtme mbi të cilët do të duhej të ndërtohej vota e lirë. Sepse ka  shumë që thonë se vota e lirë qëndron në themel të demokracisë, por, duke u nisur edhe nga përvoja e këtyre njëzet vjetëve, besoj të kundërtën: se vota e lirë është rezultati dhe njëherësh treguesi i ndërtimit të të gjithë atyre insitucioneve demokratike që sigurojnë votën e lirë.
Nuk po zgjatem shumë, por po përmend vetëm disa nga drejtimet e mbrapshta që kemi marrë gjatë këtyre viteve që na kanë çuar në këtë gjendje:
Së pari, le ta fillojmë nga ajo që quhet bazë e bazave, ekonomia. Ne kemi një treg që nuk rregullohet e nuk funksionon sipas ligjit, por një treg që fuksionon sipas ligjeve të klientelizmit të partive politike. Dhe sa kohë që politika shihet si një zgjatim i biznesit, zor se do të kemi votë të lirë. Dhe anasjelltazi, sa kohë që biznesi, për të mbijetuar, do të ketë nevojë të përdorë pushtetin politik, ai nuk do të jetë kurrë i pavarur dhe nuk mund të luftojë për votë të lirë. Mbushja e partive me biznesmenë, disa prej të cilëve as nuk ngurrojnë të të thonë hapur se i kanë hyrë politikës për t’i shërbyer bizneseve të tyre, është tashmë shenja më e qartë e këtij deviacioni.

Së dyti, ky deviacion i ekonomisë është i lidhur fort edhe me deviacionin e gjyqsorit. Një gjyqsor normal ka si parim bazë barazinë përpara ligjit të të gjithë qytetarëve. Një ekonomi tregu që rregullohet në bazë të respektit të ligjit e imponon një gjyqësor të pavarur, sepse është ai që duhet të garantojë konkurencën e ndershme, në mënyrë që më i miri dhe më i zoti të fitojë më shumë. Kurse tek ne ndodh e kundërta. Gjyqsori ynë funksionon sipas parimit se e drejta qëndron tek më të fortit që e sigurojnë këtë forcë në saj të politikëbiznesit. Ai është shndërruar madje në një biznes më vete që nxjerr fitime mu pse në vend të drejtësisë apolikon, ashtu sikurse edhe politika e biznesi, padrejtësinë, klientelizmin, rryshfetin.
Së treti, një deviacion tjetër i rëndë është ai i administratës. Në vendet e qytetëruara zgjedhjet kryhen nga administrata që janë stabël, me funksionarë që qëndrojnë atje në sajë të meritave dhe jo në sajë të klientelizmit partiak. E kundërta ndodh me administratën tonë. Çdo parti që vjen në krye të shtetit ve militantët e vet në administrata si zgjatim i biznesit ose edhe thjesht sepse një punësim i militantit në administratë siguron luftën e tij për partinë, ditën kur do të vijnë zgjedhjet. Partia Demokratike në pushtet e ka thelluar këtë fenomen në mënyrë galopante kohët e fundit.
Së katërti, më duket e tepërt të  zgjatem për një deviacion tjetër dramatik, atë të mediave, jo vetëm se kam shkruar shumë për këtë temë, por edhe pse është shumë evident. Nuk mund të bëhet transparencë e votave të cilësdo parti, dhe as dënim moral i padrejtësisë me media që në vend se garante të interesave të së drejtës dhe së vërtetës janë garante të interesave të padrejtësisë, si pjesë integrale e të devijacioneve të sipërpërmendura.
Në tërësinë e vet situata në vend gjykoj se është rënduar përsa i përket mundësisë që qytetari të ketë jetën e tij, lirinë e tij dhe votën e tij të respektuar. Njërëzit gjithnjë e më me vështirësi punësohen pa përkatësinë politike në njërën nga partitë e mëdha, njerëzit gjithnjë e më me vështirësi mund të mbajnë bizneset e tyre pa këtë përkatësi, njerëzit gjithnjë e më me vështirësi mund të fitojnë një gjyq pa këtë përkatësi, njerëzit gjithnjë e më me vështirësi e gjejnë interesin e tyre dhe të vërtetën të mbrojtur në mediat, pa këtë përkatësi.
Ekziston pra një zinxhir i tërë me hallka të lidhura me njëra tjetrën që çojnë tek vjedhja e votës e cila, jo domosdoshmërisht, është vjedhje fizike. Ndërkaq, ajo që mungon dramatikisht në debatin tonë politik mbi hapjen e kutive është pikërisht analiza e kësaj dhune strukturore që ka çuar edhe në dhunën ndaj kutive. Opozita e kërkon hapjen me një miopi të skajëshme sipas mendimit tim: ajo thjesht synon të deligjitimojë pushtetin e kundërshtarin, ta fusë atë kësisoj në krizë dhe të përshpejtojë rrëzimin e tij. Por ajo nuk shkon as aq larg sa të kërkojë të parashikojë se çfarë do të duhet të ndodhë më tej. Sepse hapi tjetër do të ishin zgjedhjet e reja të parakohëshme. Dhe, duke patur prasysh analizën që bëra më sipër, thjesht e vetëm hapja e kutive nuk siguron assesi askend se zgjedhjet e reja të parakohëshme do të ishin të ndershme. Ja pse gjykoj se opozita, pa hequr dorë nga kërkesa për hetimin e plotë të zgjedhjeve nga komisioni parlamentar do të duhej të punonte për një projekt alternativ që do të siguronte themele të reja të një ndërtese që do të siguronin votën e lirë. Disa çështje që përmenda si ndarja e politikës nga biznesi që lidhet edhe me kërkimin e transparencës përsa i përket sponsorizimit të partive edhe me kërkesat ndaj kandidaturave, deklientelizimi i administratës, ndarja e medias nga pushteti i politikës dhe biznesit, kërkojnë tashmë projekte serioze. Përndryshe, ashtu sikurse ka ndodhur edhe më parë, do të gjindeshin mjete të tjera për të dhunuar zgjedhjet. Ajo që duhet të ndryshojë, e përsëris, është dhuna strukturore që kanë ngritur partitë për të vjedhur votën. Çështja nuk është të sigurojmë kutitë nga vjedhësit, por që të mos kemi vjedhës si roje të kutive. Korrieri, 8 mars 2010)