Wednesday, April 28, 2010

Tranzicion apo kalbëzim*

Në fillim të viteve '90 termin tranzicion e kemi konsideruar si mjaft të gjetur për të shprehur rrugën që do të bënin vendet ish komuniste për të kaluar nga sistemi diktatorial në atë demokratik, nga ekonomia e komanduar në tregun e lirë, nga monopartitizmi në pluripartitizëm, nga uniteti i popullit rreth partisë së vetme në ndërtimin e shoqërisë civile si kundërpeshë e pushtetit etj.. Ka pasur edhe revista me tituj që silleshin rreth fjalës tranzicion, apo rubrika të veçanta në periodikë të ndryshëm siç ka pasur edhe revista që unë drejtoj: Përpjekja.
Ndërkaq, sa më shumë kalon koha aq më shumë e gjej termin të papërshtatshëm për të shprehur atë që ka ndodhur, madje e shoh si një mit që u zhvleftësua shumë shpejt. Gjithnjë e më shumë mendoj si më të përshtatshëm termin bashkëudhëtim. Kam filluar të mendoj prej kohësh për këtë i ngacmuar nga një histori që më ka treguar Gerald Nagler, ish Sekretari i Përgjithshëm i Federatës së Helsinkit. Gjatë një vizite që ai bëri në Shqipëri në vitin 1992 më rrëfeu se në Çekosllovaki kishte takuar Havelin dhe, në bisedë e sipër, e kishte pyetur: "më thuaj çfarë mund të bëjmë ne për ju?" Haveli i ishte përgjigjur: "Më duket se kjo është një pyetje e gabuar: çështja nuk shtrohet çfarë mund të bëni ju për ne, por çfarë mund të bëjmë ne për njëri tjetrin, pasi jemi në të njëjtën barkë."
Mendoj se tek keqkuptimi midis Naglerit dhe Havelit – i të qënit apo jo në të njëjtën barkë - qëndron çështja e kontradiktës që jetojmë edhe sot në marrëdhëniet midis vendeve ish komuniste dhe Perëndimit, e që e ngërthen edhe fjala tranzicion. Sepse vështirë të thuash se çfarë është më e drejtë: të themi se kemi të bëjmë me një gjendje ku  njëra  palë po pret në breg dhe tjera është duke shkuar drejt këtij, nëse jemi në të njëjtën barkë duke lëvizur drejt diku, apo apo jemi në barka të ndryshme duke shkuar madje edhe në drejtime të ndryshme. Këta njëzet vjet kanë treguar se nuk është kaq e thjeshtë t’u përgjigjesh këtyre pyetjeve. Nga këndvështrimi im është më e drejtë të themi se jemi të gjithë duke lëvizur në të njëjtën barkë, disa ndoshta si pasagjerë të klasit të parë, disa të klasit të dytë e të tjerë të klasit të tretë, të gjithë me diversitetet tona, por ama jemi në të njëjtën barkë. Madje edhe duke konsideruar si barkën tonë të përbashkët planetin. Dhe ndryshimi midis të ndjerit në një bashkëudhëtim dhe të ndjerit se dikush pret në breg tjetrin që të vijë drejt tij apo se jemi në barka të ndryshme është shumë i rëndësishëm edhe për të përcaktuar drejtimin se ku po shkojmë.


Trashëgimia nacional – komuniste  dhe tranzicioni

Janë dy faktorët kryesorë që e bëjnë shumë më komplekse sesa lëvizja drejtvizore drejt një bregu të palëvizshëm atë që e kemi quajtur tranzicion. Së pari forca gravitacionale e së kaluarës në këto vende, si dhe, së dyti, fakti se ajo që e kemi quajtur forca tërheqëse, bregu tjetër, Perëndimi, nuk është një gjë fikse, por një “barkë"  që lëviz edhe ai vetë në një mënyrë mjaft kntradiktore do të thoja dhe duke vepruar me gjithë kontradiksionin e vet edhe mbi ne.

Për të përcaktuar kohëzgjatjen e tranzicionit është përdorur shumë këto vjet metafora e Biblës: pse ebrejtë duhet të qëndronin për 40 vjet në shkretëtirë kur rruga për në Izrael ishte shumë e shkurtër? Sepse brezi që kishte jetuar në skllavëri, duke përfshirë edhe Moisiun, nuk mund të prekte tokën e premtuar. Do të ishte brezi i lindur në liri që do ta prekte atë. Sipas kësaj edhe ne, të lindur e rritur në diktaturë, do të na duhen dekada për ta kryer kapërcimin tonë për në tokën e premtuar. Është e bukur por për fat të keq, si të gjitha metaforat  është semplifikuese. Përvoja tregon se koha për të “prekur” bregun e tokës së premtuar mund të jetë edhe shumë më e gjatë sesa ndërrimi i një apo dy brezave.
Pater Anton Arapi shtatëdhjetë vjet më parë, duke përshkruar gjendjen e shoqërisë shqiptare në fillimvitet 40 të shekullit të kaluar, shkruan:
"Vallë, pse tash tridhet e sa vjet të pamvarsisë, me të gjitha përpjekjet për kulturë erdhëm e u vorfnuem shpirtnisht? Ky problem i madh, per mue, ka nji shkas të vetëm, nji spiegim të thjeshtë: rreziku i ynë (është FL) pse vumë leskër kulturore d.m.th nuk morëm kulturën vetë, por morëm format e përftimet e kulturës dhe i përshatëm; shndrruem vlerat objektive me vlerat relative; përparuem për dukë, ndërsa realisht në shpirt borëm shumë, metëm mrapa; u dhamë randsi të parë mjeteve e harruem qëllimin; tue kërkue ta bajm jetën sa ma të lehtë, zhvleftësuam jetën vetë. Lavrimi i menjes, trajtimin e vullnesës, ndiesitë e nalta shpirtnore i qitëm e i lamë në vend të dytë e të tretë. Faktori shpirtnuer nuk pati vendin e vet, vendin e parë. Ja, sot në Shqypni nuk të pvetë kush shka je, por si dukesh, as nuk don të dijë kush sa pare të ban gjaku, pora sa pare ke në Bankë. Nuk po lypet të jesh i dijshëm, as i aftë, mjaft të dish me u majtë dhe me u dukë i tillë.”
Të bëhet sikur po flitet për Shqipërinë e sotme, sikur të mos kemi hedhur as edhe një hap përpara, përkundrazi.

Pak kohë më parë mora pjesë në një konferencë të organizuar në Itali me rastin njëzet vjetorit të rënies së murit të Berlinit të titulluar “89-ta e gjatë”. Paneli im shtronte pyetjen se çfarë i ka karakterizuar këta 20 vjet: Emancipimi, zhgënjimi apo gatopardizmi (ndërrimi i leskrës). Përgjigja ime ndaj kësaj pyetjeje ishte: pak emancipim dhe shumë zhgënjime për shkak të gatopardizmit. Le ta shpjegoj shkurt se ç’kuptoj me këtë.
Kur flas për gatopardizëm kam parasysh dy gjëra si dy anë të së njëjtës medalje: gatopardizmin e një kulture të trashëguar që vesh pra “leskra” të reja për të mbetur ajo që është në thelb dhe gatopardizmin e elitave që e kanë krijuar e tejbartur këtë kulturë.
Në fakt sfida paskomuniste e transformimit kulturor u ndesh me faktin se institucionet e reja demokratike dhe kultura e re që ata presupojnë nuk se do të duhej të implemetoheshin në një tokë të vigjër, por do të duhej të shartoheshin në trungun e kulturës së vjetër autoritare, nacional - komuniste. Mua më rezulton se, në pjesën më të madhe, ky shartim ka përftuar hibride që kanë rezultuar sterilë, pra pa aftësinë për të përftuar një kulturë vëret të re. Për shkak të kulturës së vjetër të trashëguar nga nacional – komunizmi i cili shumë rrënjë i kishte edhe më thellë: në kulturën klanore të dhunës së më të fortit, pluripartitizmi i posaimplementuar degjeneroi shumë shpejt në konflite partish me të njëjtin program që synojnë të eliminojnë njëra tjetrën në emër të pushtetit për pushtet. Po ashtu në vend të një ekonomie tregu të lirë kemi sot një treg të kapur nga monopole dhe krimi i organizuar të lidhur ngushtë me politikën. Mungesa e kulturës së vetorganizimit e shkatërruar krejtësisht nga totalitarizmi bëri që të kemi një ojqë-izim (të ushqyer artificialisht nga Perëndimi) pa shoqëri civile.
Në këtë kontekst rrënjësh historike konsumizmi i kapitalizmit dhe kultura e tij e vlerave që maten me markën dhe targën e çmimit të mallit në vitrinë, që sot në Shqipëri japin, së jashtmi, përshtypjen e një transformimi të madh, në fakt, thellë thellë, nuk janë tjetër veçse një “leskër” e re që ka veshur i njëjti njeri i vjetër,  pa individualitet dhe pa personalitet, i mbajtur në injorancë nga kastat e reja dhe të vjetra njëherësh.
Kjo faqe e gatopardizmit kulturor ka si faqe tjetër të medaljes gatopardizmin e elitës ish komuniste. Regjimi diktatorial krijoi një elitë pa ndjenjë përgjegjësie ndaj komunitetit, me frikë ndaj pushtetit të më të fuqishmit, të paaftë për t’i rezistuar të keqes, për t’u bashkuar e luftuar në emër idealesh, përkundrazi me një mosbesim të thellë tek njëri tjetri, me  një gjuhë të dyfishtë, çka me rënin e komunizmit solli një formë tjetër papërgjegjshmërie dhe abuzimi me pushtetin: atë të individualizmit ekstrem që u shfaq në formën e abuzimit me pushtetin për qëllime pasurimi personal. Kjo elitë vazhdoi të qëndrojë në pushtet duke ndrruar vetëm leskrat, ndër të tjera edhe ideologjinë e pushtetit, të cilën nga nacional komuniste e ktheu në nacional – evropianiste, por gjithë duke mbetur demagoge, e pasinqertë, e papërgjegjëshme.
Timothy Garton Ash ka përdorur termin “refolution” për atë që ka ndodhur në vendet e lindjes kur ra muri i Berlinit. Me fjalë të tjera nuk ka qenë tamam një revolucion, por një përzjerje e tij me reforma. Sinonime të kësaj shprehjeje kanë qenë sipas meje edhe shprehje të tilla si “revolucioni i kadifenjtë” etj., çka ka pasur anën pozitive, por edhe anën e vet negative, të lidhur me  gatopardizmin e elitës për të cilin bëra fjalë. Në Shqipëri nuk janë bërë studime lidhur me atë se kush përfitoi nga të ashtuquajturit “revlucione të kadifenjta”, por në vende më serioze se ne dhe me disidencë shumë të fortë janë bërë. Në një vend si Polonia rezulton se përfituesit kryesorë të kadifesë kanë qenë ish antarët e partive komuniste. Në Shqipëri kadifeja ka mbështjellë në një shkallë shumë më të lartë elitën ish komuniste. Dhe po ashtu humbësit kryesorë kanë qenë ish viktimat e atij regjimi në një shkallë shumë më dramatike.
Këto janë disa arsye që, sipas gjykimit tim, kanë bërë që, vështruar nga konteksti i brendshëm, ajo që ka ndodhur këto njëzet vjet më shumë sesa me emancipim të shëmbëllejmë me një proces të ngjashëm me kalbëzimin e asaj kufome që vdiq në 1991, por që kishte zaptuar krejt truallin shqiptar me trupin e saj të vdekur dhe që vazhdon të deokompozohet edhe sot.

Perëndimi dhe Tranzicioni

Ideja e Perëndimit si e një bregu të palëvizshëm i shkonte shumë për shtat tezës së Fukajamës në fillimivitet ‘90 për fundin e historisë, me çka kuptohej se bregu i palëvizshëm do të ishin ato që e kishin arritur “tokën e premtuar”: demokracitë perëndimore. Por çfarë po ndodh përsa i përket transformimit të shoqërive ish-komuniste në kontekstin e asaj që quhet  “ndihma perëndimore”? Gjykoj se realiteti është shumë komplek pasi jo vetëm nuk mund të flitet për një Perëndim statik, por edhe pse nuk mund të flitet as për një Perëndim të vetëm. Për të shprehur idenë që kam lidhur me këtë kompleksitet do të përdorja dy filozofë që shprehin dy ekstreme përsa i përket qasjes së transformimit të një shoqërie: Marksin dhe Weberit. Sipas Marksit është struktura (baza ekonomike) ajo që përcakton superstrukturën, çka do të thotë se, për ta tranfromuar një shoqëri, duhet të transfromojmë bazën ekonomike të saj, mënyrën e prodhimit. Weberi në librin e tij të famshëm “Etika protestante dhe shpirti i kapitalizmit” thotë pak a shumë të kundërtën; se kanë qenë idetë (etika protestante) që ka prodhuar kapitalizmin anglo – sakson, çka, në thelb, shpreh forcën e ideve në trasfomimin e një realiteti. Gjykoj se e vërteta qëndron në të dy anët, por le ta shohim më konkretisht, nën optikën e këtyre dy filozofëve, se çfarë ka ndodhur në një vend si Shqipëria përsa i përket ndërhyrjes/ndihmës së Perëndimit.
Duke iu referuar dy filozofëve në fjalë mund të flitet për dy qasje perëndimore ndaj vendeve ish komuniste si Shqipëria. Sipas njerës, le ta quajmë weberiane, kemi një Perëndim që është përpjekur të implementojë vlerat e idetë e veta në këta vende, të lidhura me demokracinë, të drejtat e njeriut, etj., e, nëpërmjet tyre, të ndihmojë në transformimin drejt demokracisë të këtyre vendeve.  Por, nga ana tjetër, krahas kësaj qasjeje në Shqipëri është zhvilluar një ekonomi e cila edhe pse ka karakteristikat e veta të përcaktuara nga vështirësitë e ekonomisë së dështuar ish komuniste, ndjek edhe ajo një model perëndimor dhe që, sipas qasjes marksiste, determinon shumëçka në superstrukturën e vendit: me fjalë të tjera në idetë, vlerat, etikën, politikën, mediat që janë zhvilluar në këtë vend.
Për t'i rënë shkurt do të thoja se Perëndimi i qasjes weberiane: i implementimit të institucioneve që synojnë të promovojnë e mbrojnë idetë e vlerat humaniste, të të drejtave të njeriut e multikulturalizmit, të lirisë së shprehjes është në vështirësi të madhe për të mos thënë është mundur në një vend ish komunist si Shqipëria nga ajo që është zhvilluar realisht në vend e determinuar nga struktura, baza ekonomike dominante: një ekonomi e kapur nga grupe oligarkësh, një ekonomi e piramidave mashtruese, e trafiqeve të qënieve njerëzore të drogës e prostitucioni e kombinuar me  biznesin “kafsho dhe ik” e me spekulantë gjithfarësh.  Rezultati është se shumë shpejt, sipas qasjes marksiste, kjo lloj strukture ekonomike filloi të determonojë superstrukturën, me fjalë të tjera të diktojë politikën të kontrollojë drejtësinë mediat dhe të kërcënojë tek e fundit liritë dhe të drejtat. Dhe kjo nuk mund të ndodhte pa modelin Perëndimor të neoliberizmin triumfal të pas viteve ‘90, i cili, jo rastësisht, sot është në krizë. Në këtë kontekst gjykoj se në rastin Shqiptar impakti i këtij modeli i imituar në trajtën e tij më groteske   ka  qenë edhe më dramatik për shkak të pasjes si pikë referimi të një vendi perëndimor si Italia. Fakti se një individ i pasuruar në mënyrë të dyshimtë si Berlusconi (sipas burimesh vështirësisht të kontestueshme të shtypit italian nga mafja siçiliane) arriti të ndërtojë perandorinë e tij mediatike për të kapur pastaj edhe kreun e qeverisës dhe që sot po shpërndërron edhe ligjet për të bërë të pafuqishme drejtësinë të veprojë kundër tij dhe sistemit që ai ka ngritur nuk është rastësi. Ky “njeri i ri” i kapitalizmit, që, nëpërmjet atij që e quajta “gatopardizëm kulturor dhe i elitave”  zëvendësoi idealin e njeriut të ri të socializmit  në Shqipëri nuk është rastësisht  njeriu më i votuar në Italinë e sotme. Sipas gjykimit tim ai është shprehja më e theksuar e një procesi kalbëzimi edhe në Perëndim.
Le të sjell një shembull për të ilustruar se deri ku mund të shkojë lidhja e një ekonomie të tillë me politikën në një vend si Shqipëria. Në gjatësinë e një bregu të vogël siç është ai shqiptar, sa një copëz e vogël e brigjeve të Italisë, sot qeveria e Berlusconit në bashkëpunim me qeverinë shqiptare  është marrë vesh të ndërtojë gjashtë fabrika çimetoje që do të prodhojnë çimento për kompani italiane; një termocentral me karbon në Durrës që do të prodhojë 60 përqind për Italinë; në jug, në gadishullin e Karaburunit, për të cilin emisioni i RAI “Linea Blu” ka bërë edhe një reportazh ku thuhet se është një mrekulli sepse është thuajse në gjendjen që ka pasur bregdeti në kohët antike, një ndërmarrjeje siçiliane i është dhënë e drejta e ndërtimit të parkut më të madh eolik në Evropë që do të prodhojë 100 përqind energji për Italinë, duke shkaktuar një katastrofë përsa i përket peisazhit dhe ambjentit. Po ashtu kryetari i qeverisë shqiptare, Berisha, në mënyrë të vazhdueshme i ka ofruar qeverisë dhe bizneseve italiane truallin shqiptar për ndërtimin e një termocentrali bërthamor që në Itali nuk pranohet për shkak të opinionit publik; në Vlorë është ngritur dhe do të vazhdojë të ngrihet një depo e madhe karburanti për të shpërndarë karburant për të gjithë zonën ballkanike. Dhe, ndërkaq, nuk janë vetëm italianët që ndërkohë që më një anë flasin për integrimin e shoqërisë shqiptare, për demokracinë, shoqërinë civile për revolucionin e tretë, më anën tjetër synojnë me mënyra neokoloniale dhe abuzive ta përdorin tokën shqiptare si kosh plehrësh për atë industri që nuk ua lejon popullsia e vendeve të tyre. Janë edhe austriakët edhe grekët etj. Gjykoj se jo rastësisht fenomene të tilla i sheh edhe brenda Italisë ku, për shembull,  Veriu i pasur shfrytëzon faktin se në Jug pushteti është i kapur nga Camorra për të dërguar atje mbetjet toksike në kurriz të territorit të jugut, por në përfitim të camorristëve që kontrollojnë ekonominë dhe politikën atje.
Sikurse shihet jemi larg të menduarit se jemi në një udhëtim të përbashkët në të njëjtën barkë, përkundrazi kemi të bëjmë me një thellim të largësisë, nëpërmjet politikash neokoloniale.
Gianni Amelio ka qenë profetik në këtë aspekt me filmin e tij LAmerica. Perëndimi ka një kontradiktë të fortë brenda vetes. Sipas gjykimit tim ai, paradoksalisht, ka ardhur duke u bërë gjithnjë e më i dobët me rënien e murit, dmth. bash atëhere kur u mendua si modeli i vetëm për t’u imituar. Sepse Perëndimi me rënien e komunizmit humbi edhe ai diçka shumë të rëndësishme: të majtën evropiane. Kuptohet nuk e kam fjalën për atë që i referohej Bashkimit Sovjetik apo edhe vendeve si Shqipëria. E kam fjalën për humbjen e së majtës si shpresa për të ndryshuar botën, për të ndërtuar një tjetër sistem vlerash nga ato të Perëndimit të neoliberizmit e konsumizmit, të klientelizimit të qënies njerëzore, të thaçerizmit sipas të cilit ajo që quhet shoqëri nuk ekziston, ekzistojnë vetëm individët, që po shfaqet sot në një krizë të thellë.
Sa më shumë kalon koha, aq më shumë gjykoj se aventura mjerane e individit pa shoqëri nuk mund të mjaftojë në këtë botë për t'i dhënë një kuptim jetës, por edhe për t’u përballuar me problemet që kemi në barkën tonë që, duam s’duam, bëhet gjithnjë e më e përbashkët. Pas këtyre njëzet vjetëve duke pas jetuar regjimin komunist dhe këta njëzet vjet kapitalizën perëndimor dhe shqiptar  mendoj dhe rimendoj mbi çka mund të rivlerësohet nga idealet e të majtës evropiane të para viteve ‘90. Shpejt e shpejt do të rreshtoja disa gjëra që, sipas mendimit tim, duhen rivlerësuar: duhet rivlerësuar utopia si shtysë për të ecur, për t’u ndjerë, si individë, pjesë e një projekti që vazhdon edhe pas vdekjes sonë e që na shtyn  të ndërtojmë jo vetëm për vete, por edhe për të tjerët, jo vetëm sot, por edhe ata që do të vijnë; ideja se barazia është më e rëndësishme sesa pabarazia, se vlerat shpirtërore janë më të rëndësishme se ato materiale; se duhet të ndërtojmë për të gjithë dhe jo sejcili për veteveten; duhet rivlerësuar  edhe internacionalizmi po ashtu, jo si ekspansion i kapitalit që sjell homologim dhe shfrytëzim të pamëshirshëm të burimeve të planetit nga më të fortët, por si refuzim i këtyre formave të reja të kolonializmit, në emër të udhëtimit tonë sa më të gjatë, sa më paqësor e të shëndetshëm, në anijen tonë të përbashkët, planetin Tokë.
Janë këto disa ide që, modestisht, mendoj se duhen rivlerësuar. Por, gjithë duke mos harruar të keqen e së kaluarës që përjetuam. E, përsa i përket kësaj, gjykoj se keqja më e madhe, ajo më e shëmtuara e asaj kohe  ishte nomenklatura: me çka kuptoj një grup njerëzish që instrumentalizojnë një ideal një utopi për pushtetin e tyre dhe të cilët etja për këtë pushtet i çon deri në krime. Për ironi, megjithë ndryshimet e pamohueshme përsa i përket krahasimit të egërsisë dhe krimit, në sistemin që po jetojmë, këtë grup njerëzish sot e gjejmë me emra të tjerë si “oligarkia” apo “kasta” çka duhet të na shtyjë të mendojmë se jemi të gjithë larg atij bregu imagjinar që në fillimvitet ‘90 e kemi menduar se ishte në perëndimin tonë.

Ja pse mendoj se më shumë se çdo gjë historisë së përbashkët që kemi filluar pas viteve ’90 i shkon termi bashkëudhëtim drejt një bote të ndryshme nga kjo që kemi sot. (Korrieri, 27 prill 2010)

*Tekst i shkruar sipas shënimeve të fjalës së mbajtur në takimin “Tranzicionet në pasqyrë”, organizuar nga Ambasada Spanjolle në Tiranë, 11 dhjetor 2009




Read More......

Monday, April 19, 2010

Kriza ekonomike dhe opozita

Ditët e fundit Partia socialiste akuzat për krizën ekonomike që po përjeton vendi i ka vendosur thuajse në një plan, përsa i përket fortësisë së denoncimit, me akuzat për vjedhjen e votës. Me dy fjalë lideri Rama e ka riformuluar oponencën e tij ndaj maxhorancës duke thënë se këta njerëz, që kanë vjedhur votën, nuk janë përgjegjës ndaj votuesit dhe kjo i bën të papërgjegjshëm edhe ndaj vendit, duke rreshtuar, më një anë, pasojat e kësaj papërgjegjshmërie: faturat e papërballueshme që duhet të paguajnë njerëzit për elektrikun, telefonat, ilaçet etj., faktin se shumë familje nuk arrijnë të mbyllin dot majin me ushqime dhe, më anë tjetër, korrupsionet e pushtetit.
Gjykoj se akuzat për krizën ekonomike janë të drejta dhe se retorikat e qeverisë për një vend me ekonomi në lulëzim janë krejtësisht boshe dhe jo bindëse. Bashkohem, pra, me shumë nga akuzat e opozitës ashtu sikurse edhe me ato për mungesë transparence dhe për manipulim të të dhënave si dhe me akuzat për politika korruptive me grupet e saj të interesit. Nëse dikush do të më pyeste se si e mas krizën do t’i përgjigjesha se, në mungesë të transparencës qeveritare dhe të institucioneve të besueshme matëse, e mas me atë çka shoh e dëgjoj nëpërmjet kontaktit të përditshëm me vendin dhe njerëzit ku vështirësitë konkrete të lidhura me mungesat e të hollave për të përballuar jetën i shoh të shoqëruara me një rritje edhe më të madhe se vite më parë të pasigurisë së të ardhmes të shoqëruar me një papërgjegjshmëri edhe më të madhe të aktorëve që kanë në dorë fatet e vendit.
Problemi që kam unë me opozitën fillon pas kësaj. PS i mungojnë dy gjëra që më duken thelbësore. Së pari një analizë e thellë, e sinqertë dhe vetëkritike se pse ka ardhur kjo krizë dhe, së dyti, lidhur ngushtësisht me të parën, mungesa e një alternative bindëse. PS mjaftohet t’ia atribuojë krizën thjesht e vetëm qeverisë së Berishës dhe pastaj, me një lidhje të shkurtër, të na lerë të kuptojmë se, me ardhjen e saj në pushtet, meqënëse ajo e ka denoncuar këtë qeveri, do ta zgjidhë krizën e shkaktuar prej saj.
Gjykimi im është se kriza ku ndodhemi i ka shkaqet shumë më thellë sesa paaftësia e qeverisë apo e Berishës. Kjo krizë buron nga shkuarja drejt falimentimit të sistemit ekonomik që është ngritur në Shqipëri gjatë gjithë këtyre njëzet vjetëve. Vendi është mbajtur në këmbë kryesisht nga të ardhurat e sjella nga emigracioni, më së pari dhe nga ekonomia kriminale më së dyti. Ekonomia jonë ka qenë dhe mbetet një ekonomi shërbimesh ku shërbimi kryesor ka qenë pikërisht ndërtimi i shtëpive për shumë emigrantë dhe familjarë të tyre, si dhe i kafe bareve, restoranteve, hoteleve, moteleve për shumë pastrues të drogës dhe të prostitucionit. Sigurisht ka edhe shërbime të tjera si ato të produkteve ushqimore, të telefonive celulare, të turizmit, etj., që e bëjnë më komplekse situatën, por me siguri di të them se prodhimi në këtë vend nuk i përgjigjet kurrsesi nivelit të shërbimeve. Po ashtu sot dihet me siguri se ka qenë industria e ndërtimit që ka mbajtur gjallë pjesën më të madhe të shoqërisë dhe se, nëse vendi është në krizë, është pikërisht kriza e kësaj industrie që e bën më të dukshme krizën e përgjithëshme. Por, nga ana tjetër, më duket e vështirë t’ia atribuosh këtë krizë qeverisë sepse kjo industri është zhvilluar pavarësisht nga qeveria ashtu sikurse edhe emigracioni. Ose, të paktën, argumentet se qeveria po e pengon këtë industri mungojnë. Kurse nëse ajo po pengon industrinë e drogës për këtë duhet përgëzuar, por nuk jam i sigurtë se po e bën këtë.
Personalisht gjykoj se përgjegjësia e qeverisë është se nuk ka ndërtuar politika ekonomike që do ta zhvendosnin qendrën e gravitetit të ekonomisë në sektorë prodhimi. Madje gjykoj se jo se nuk ka menduar, por ka menduar t’i dalë përpara krizës duke thelluar ekonominë e shërbimeve duke venë truallin dhe ambjentin shqiptar dhe krahun e punës shqiptare në shërbim të të huajve në formë investimesh të të huajve për parqe industriale, fabrika çomentoje, hidrocentrale e tece e ku di unë, shumica e të cilave, edhe nëse mund të sjellin disa të holla e pak punësim, do të sjellin një impakt ambiental vrastar dhe një zhvillim të paqëndrueshëm që do të na kushtojë edhe më shumë nesër e që jo vetëm, por nuk jep asnjë garanci se mund të na nxjerrë nga kriza.
Por, pa dashur të përsëris gjëra që edhe i kam thënë lidhur me krizën dhe shkaqet e saj, më duhet të them se mosnjohja e origjinës shumë më të thellë të krizës nga Partia Socialiste dhe mungesa e projekteve të qarta dhe bindëse alternative (seç flitet për bujqësinë, por asgjë nuk ka marrë dimensione të tilla që të njihet gjerësisht nga publiku) për të nxjerrë ekonominë në një tjetër hulli e bëjnë shumë problematik opozicionin e saj nga pikpamja e besueshmërisë. Në këtë kontekst duhet thënë se Partia Socialiste nuk duhet të harrojë të kaluarën e saj të pas vitit 97-të. Në atë kohë njerëzit u ngritën në këmbë për shkak të një krize ekonomike shumë akute, siç ishte humbja e parave. Lideri socialist Nano asokohe në fushatën elektorale premtoi kthimin e parave të vjedhura, gjë që jo vetëm nuk ndodhi, por njerëzit panë se sistemi ekonomik i ngritur shërbeu për të pasuruar edhe më një pjesë të madhe që ishin marrë edhe më parë direkt ose indirekt me ekonominë mashtruese piramidale e se, në thelbin e vet, socialistët ndërtuan një sistem piramidal më të sofistikuar, që do të falimentonte ca më vonë, siç po falimenton. Prandaj sot t’u thuash njerëzve se kanë mbetur jetim dhe t’u ofrosh atësi, pa u premtuar asgjë bindëse, është një përgjegjësi e madhe sepse njerëzit nuk janë aq fëmijë sa ç’ishin më 1997.
Ja pse mendoj se më shumë sesa denoncime me fjalë të rënda sot njerëzit kanë nevojë për oponenca që të burojnë nga një analizë e thellë dhe bindëse e shkaqeve të krizës, nga qëndrime të sinqerta vetëkritike konkrete të shoqëruara me projekte serioze alternative të paraqitura këto në Parlament, në takime me njerëzit, në studio televizive në takime me të huajt etj.. Për fat të keq jemi shumë larg kësaj qasjeje. (Korrieri, 19 prill 2010)

Read More......

Wednesday, April 14, 2010

Sheshi “Skënderbej” si plaçkë lufte

Që sheshi “Skënderbej” është i shëmtuar kjo nuk ka diskutim. Mjafton të shikosh fotografitë e tij të Tiranës së paraluftës e t’i krahasosh me pamjen e tij sot.  I rrethuar në lindje nga kompleksi Xhami – Sahat, nga ndërtesat që ndodheshin para pazarit të vjetër, e, më në veri, nga ish Kisha Ortodokse kurse në perëndim nga ish Bashkia, ish Kursali dhe selia e Bankës Kombëtare  (pak më e tërhequr, ndërtesa e Parlamenti të parë shqiptar); me rrugën e Durrësit dhe të Kavajës  të projektuara për të konverguar virtualisht në kompleksin Xhami - Sahat, të cilave në krahun lindor u përgjigjeshin rruga e Dibrës dhe ajo midis Xhami - Sahatit e pazarit; me lulishten prapa monumentit të Skënderbeut në jug që vazhdonte me shëtitoren Dëshmorët e Kombit dhe me Bulevardin Zogu i parë në veri, sheshi ishte një gjë e mbyllur nga pikpamja urbanistike dhe arkitektonike. Ai ishte jo vetëm funksional, por pajtonte në mënyrë mjaft harmonike traditën historike të Tiranës osmane në pjesën e saj lindore (ku, nëpërmjet xhamisë dhe kishës, spikat bashkëjetesa e dy komuniteve kryesore të qytetit: muslimanëve me të krishterët ortodoksë) me modernitetin që po ngrihej në pjesën perëndimore.
Siç dihet kjo harmoni u shprish nga regjimi komunist që deshi t’i japë sheshit vulën e tij. Goditja e parë filloi me shaktërrimin e ndërtesave para Pazarit dhe të vetë Pazarit për ndërtimin e Pallatit të shëmtuar të Kulturës. Pasuan pastaj me rradhë prishja e Kishës Ortodokse dhe ndërtimi i 15 katëshit, prishja e ish Bashkisë dhe Kursalit dhe ndërtimi i Muzeut Kombëtar. Sheshi u kthye në një simbl të ideologjisë së pushteti të Hoxhës që e shpreh aq qartë mozaiku në ballë të Muzeut Kombëtar. Ky shpërndërrim ideologjk u kombinua me projektin komunist të modernizimit të vendit që e simbolizonte 15 katëshi. Kësisoj, sëbashku me historinë, sheshi humbi shpirtin e tij, jetën, intimitetin duke u kthyer në një pllakat të ftohtë e të dhunshëm nacional - komunist.
Ngritja e monumentit të Hoxhës në vendin midis Bankës dhe  Muzeut Kombëtar ishte shpërfytyrimi i fundit ideologjk që i bërë regjimi sheshit. Me shembjen e tij ai u shfaq i shëmtuar në stërzmadhimin e tij pa formë dhe harmoni.
Në këtë gjendje ishte sheshi kur ra komunizmi dhe kështu, pak a shumë, është edhe sot, por gjithsesi i mbarsur me historinë e tij dhe me ndërtesa që, për mirë apo për keq, kanë zënë vendin e tyre.

Projektet e Bashkisë
E titullova “projektet e Bashkisë” (në shumës) këtë pjesë të shkrimit pasi protagonisti kryesor përsa i përket prekjes së sheshit, Ish ministri i Kulturës dhe më pas kryetari i Bashkisë Edi Rama, ka paraqitur më shumë se një projekt për sheshin, të cilët janë në kundërshtim me njëri tjetrin. Projekti i parë ishte kthimi në identitet i cili synoi të rivlerësonte ndërtesat e ministrive për t’u dhënë atyre dinjitetin e bjerrur. Për këtë u hartua edhe një vendim i Kryeministrisë i kthyer në ligji i cili shpallte dy bulevardet, sheshin dhe rrethinat e tyre si monument kulture të klasit të parë.
Por, sikurse dihet, projekti i restaurimit të ministrive  filloi keq sepse u mpleks me një histori korrupsioni që na paralajmëroi se projektet e Ramës për kthim në identitet do të ndryshonin katërcipërisht. Shumë shpejt u bë e qartë se kthimi i sheshit dhe i krejt zonës përreth bulevardit në monument kulture nuk ishte bërë me synim dashurinë për identitetin e qytetit, por për t’ia marrë nga duart, si plaçkë lufte e përfitimi, Kryetarit të Bashkisë Albert Brojka, i cili ishte i PD-së. Për këtë u shfrytëzua fakti se pushtetin qendror e kishin në atë kohë socialistët me kryeministër Metën dhe ministër të kulturës Ramën.
Pyetja që shtrohet është: pse ndodhi shpërndërrimi i Edi Ramës nga projekti i kthimit në identitet në projekte ndërtimesh që vetëm me identitetin s’mund të pajtohen e që janë kryer deri edhe mbi vetë ndërtesat e ministrive  dhe atë të Bashkisë (në formë shtesash) në kundërshtim të plotë me ligjin që i shpallte këto monumente kulture? Disa ia dedikojnë këtë delirit të tij të madhështisë. Personalisht gjykoj se vendimtar nuk ka qenë ky, por presioni i grupeve të interesit që, ndërkaq, kishin blerë copa toke në shesh apo synonin t’i blinin ato dhe që u bënë gjithnjë e më të rëndësishëm për të mbajtur Ramën në pushtet. Pra kur Rama ka deklaruar, duke shpjeguar projektin francez, se kërkon t’i ngrerë grataçielat e larta për të imituar papët që ngrenë obeliske për t’u identifikuar me “diçka të madhe” (Kështu thotë Jane Kramer në shkrimin e botuar në New Yorker për Ramën) nuk duhet të gënjehemi e të mendojmë se këtu kemi të bëjmë me delirin e madhështisë së një personi. Futja e një kulle të lartë sa 15 katëshi brenda ndërtesës së Muzeut Kombëtar, ngritja e katër 25 katësheve në perëndim të sheshit dhe e katër të tjerëve në lindje të tij, që parashikon plani francez, nuk janë “obeliske” që Edi Rama kërkon t’ia ngrerë madhështisë së tij, por  shërbime që ka dashur t’u bëjë atyre që e kanë mbajtur dhe mbajnë në pushtet. Dhe kjo është një nga dramat e Tiranës dhe të sheshit. Personalisht gjykoj se problemi ka ardhur nga martesa e etjes së shfrenuar për përfitim të një grushti njerëzish që e kanë parë qendrën dhe sheshin si plaçkë përfitimi me etjen e shfrenuar për pushtet dhe për para të këtij plitikani i cili ka luajtur rolin e instrumentit që do t’i legjitimonte interesat e këtyre grupeve. Edhe arkitektët francezë dhe belgë nuk janë thirrur për të arritur zgjidhjet optimale në krahasim me zgjidhjet që mund të jepnin urbanistët dhe arkitektët shqiptarë, por për ta legjitimuar sa më mirë këtë babëzi. 
Kështu kryeqyteti është shqyer e kafshuar sipas interesave të klientëve të pushtetit duke bërë që, kudo ku është vënë dorë, po të bësh krahasimin me të kaluarën, do të gjesh një shëmtim gjithnjë e më të madh nga pikpamja e pejsazhit urban dhe një funksionalitet gjithnjë e më të mbrapshtë nga pikpamja e cilësisë së jetë, të gjelbërimit, qarkullimit, hapësirave publike, kujtesës historike, ndotjes së ajrit dhe asaj akustike. Mjaft të kesh prasysh se çfarë shëmtie dhe çbalancimi ka krijuar vetëm njëra prej 25 katësheve, se të tjerat s’kanë ngritur kokë ende, se çfarë katrahure ka ndodhur e po ndodh në zonën ku më parë ka qenë Kinema 17 Nëntori, shëmtimin që ka sjellë prishja e lulishtes në fillim të rrugës së Elbsanit, ndërtimet rrotull stadiumit Qemal Stafa, shpërndërrimin e ministrive me shtesa gjithfarëshe dhe ndërkalljen e kishës së re ortodoke mes tyre, prishjet me ndërtime shumëkatëshe të zonës me vila prapa Piramidës (të gjitha këto të berendashkruara në zonën e paraqitur si monument kulture) për tu bindur për këtë. Deri edhe lokali tek Parku Rinia që u bë i ri është aq i shëmtuar jo thjesht e vetëm pse e ka kryer një arkitekt i paaftë, por sepse është i stërmadh në raport me parkun pasi ka synuar të zaptojë sa më shumë hapësirë.

Sheshi dhe PD-ja
Ata që kanë ndjekur qëndrimet e PD ndaj planeve të Bashkisë për qendrën  nuk mund të mos venë re një inkoherencë të rëndë. Në kohën kur PD ishte në opozitë ajo e ka akuzuar Ramën për prishjen e kujtesës historike, të kulturës materiale, për shkatërrimin e hapësirave të gjelbërta, për vënie në shërbim të industrisë së pastrimit të paraveve të drogës etj.. Në këtë kontekst ndaj planit Francez Lulzim Basha në krye të herës formuloi edhe akuzën se ai nuk ishte i integruar me pjesën tjetër të qytetit dhe prandaj kërkoi rishikimin e tij në tërësi. Sot nuk flitet më për këto. Kjo sepse, pasi erdhi në pushtet PD-ja, një pjesë e pasunarëve që kishin qenë të lidhur më parë me Ramën kaluan në krahun e saj ose ngase ndërtimet e filluara nga njerëzit e Ramës u blenë nga njerëz të lidhur me Berishën. Njerëzit i dinë tashmë me gisht ndërtimet që deri dje ishin të njerëzve të Ramës dhe pastaj i u shitën njerëzve të Berishës. Kështu PD, pa asnjë lloj pendese reale për fillimin e katrahurës urbane në Tiranë me dy kryetarët e parë të Bashkisë,  dhe duke harruar opozitën që ka bërë, ka heshtur për dhunimin që i është bërë ligjit që e ka shpallur qendrën e Tiranës monument kulture paçka se tashmë në krye të këtyre institucioneve ka kaq kohë që janë përfaqësues të saj.
Lidhur me konfliktin e fundit mbi sheshin dhe projektin belg gjykoj se nga pikpamja ligjore PD ka të drejtë kur thotë se Rama nuk i ka duart të lira për të vepruar në shesh sepse bash ai, për t’ia marrë Brojkës sheshin, ka hartuar ligjin sipas të cilit ndërhyrjet në shesh e rreth tij nuk mund të bëheshin pa lejet e institucioneve të varura nga Ministria e Kulturës apo Kryeministria. Por problemi është se shkelja e këtij ligji nuk është bërë vetëm tek sheshi, por edhe në hapësira të tjera rrotull sheshit e më gjerë për të cilat PD-ja nuk flet sepse kështu cënon interesat e klientëve të saj.
Ja pse akuzat që bën sot PD-ja lidhur me sheshin e në emër të ligjit nuk kanë kredibilitetin e qëllmit të mirë, por janë një luftë e ngjashme me atë që u bë para dhjetë vjetësh kur Rama i rrëmbeu Brojkës qendrën e Tiranës për hesape përfitimi të njerëzve të tij. Dhe pikërisht për këtë fati i sheshit rrezikon të jetë po i njëjtë: shëmtimi që do t’i shtohet shëmtimit  në emër të përfitimit që, tek e fundit, do të kthehet edhe kundër atyre që po e prodhojnë.

Projekti belg
Nuk është vështirë të kuptosh se e keqja e të këqijave që i ka ndodhur qytetit janë improvizimet e vazhdueshme që nuk kanë lënë të ndërtohet asgjë me koherencë dhe harmoni funksionale dhe estetike në qytet. Sepse, tek e fundit, mund të biesh dakort edhe që ta rrafshosh një hapësirë të caktuar të qytetit dhe të rindërtosh në të diçka të studiuar nga fillimi deri në fund; por të ndërkallësh ndërtime të reja midis ndërtimesh të vjetra duke varrosur me grataçiela ndërtesa historike, të bashkangjitësh njëra me tjetrën  stile nga më të ndryshmet arkitektonike, të rritësh në këtë mënyrë katastrofike dendësinë e banorëve pa përfillur as më të keqen rregullore urbanistike, siç ka ndodhur e po vazhdon të ndodhë tek ne, kjo është një shëmti e cila nuk ka shpjegim tjetër përveç përfitimt të çastit të biznesit “kafsho dhe ik”. Edhe projekti francezo - belg është në këtë vazhdë shëmtimi. Ai guxon e prish edhe atë që Enver Hoxha nuk e ka prishur në historinë e sheshit: faktin që rruga e Durrësit dhe ajo e Kavajës janë projektuar për të parë kompleksin Xhami - Sahat që është simboli i kryeqytetit. Por ai shprish edhe funksionin primar pse ka lindur sheshi: atë të lehtësismit të qarkulllimit duke e kaluar atë në zona që me improvizime të reja do të sjellin shëmti të reja funksionale dhe urbane.
Po ashtu, duke patur parasysh se rrotull ndërtesave me të cilat Rama synon të mbyllë sheshin nga të katër anët do të ngrihen edhe grataçielat e planit francez në lindje, dhe se projekti belg mbyll vazhdimësinë hapësinore që krijon sheshi me bulevardin Zogu i I në veri e me rrugën e Durrësit e të Kavajës në perëndim, nuk është vështirë të përfytyrohet se ai shpërndërrohet kësisoj në një pus që nuk do ta rrihte më as drita e diellit, për të mos folur për ndërprerjen e rrymave të ajrit që sipas specilistëve janë edhe ato një element i rëndësishëm për jetën e një qyteti apo për ndotjen me trafikun qe do të shtohej. Aq më tepër duke patur parasysh se në verë Tirana, edhe kështu, është bërë e pajetueshme.
Operacione të tilla ku krijohet një metër katror gjelbërim dhe merren katë metër katror për ndërtim, që janë pjesë e shkatërrimit të  gjelbërimit të Tiranës, duket sheshit se janë edhe pjesë e projektit francezo - belg. Do të shtohet pak gjelbërim tek zona midis Pallatit të Kulturës dhe Xhami – Sahatit e në nddonjë vend tjetër, por do të merret gjelbërimi tashmë ekzistues prapa pallatit të kulturës për të ngritur atje dy grataçiela 25 katëshe. Po ashtu, branda sheshit do të shtohet një kullë midis 15 katëshit dhe Muzeut Kombëtar, një kullë tjetër në hapësirën e brendshme të Muzeut Kombëtar, një ndërtesë tre katër katëshe midis Bankës dhe Muzeut si dhe një 25 katëshe prapa saj që sot janë të gjitha zona ku ka gjelbërim dhe hapësira publike. Është e qartë: kjo katrahurë nuk shpjegohet dot përveçse me llogaritë e klientëve të Ramës.
Kam lexuar se Rama ka deklaruar se belgët kanë projektuar një si piramidë në qendër të sheshit në majët të së cilës qytetari i Tiranës do të ndihej zot. Por a është e vërtetë se qytetari do të ndihet zot në fund të pusit të krijuar prej grataçielave të Ramës që do të rrethojnë sheshin duke ia mbyllur krejtësisht pejsazhin, edhe ato pak copa qiell e mal Dajti që i kanë mbetur për të parë? Absolutisht jo. Por ka edhe një arësye tjetër pse qytetari nuk do të ndihet zot. Projekti, mu pse është ndërtuar për interesa të klientelës së pasunarëve të Ramës,  i merr atij edhe hapësira të tjera publike për t’ia dhënë ato një grushti njerëzish e duke e kthyer qendrën rrotull sheshit në një ishull të të pasurve, të izoluar për shumicën e qytetarëve.

Një propozim
Çfarë mund të bëhej me sheshin që vërtet është i shëmtuar? Pa marrë përsipër të bëj specialistin po thjesht si qytetar që jeton problematikën e qytetit të përshkruar si në këtë shkrim edhe në të tjera një propozimi i vetëm që do të bëja është ky:
Sipas meje në hapsirën midis Bankës dhe Muzeut Kombëtar, dmth. atje ku ka qenë monumenti  i diktatorit e prapa, ka nevojë të vihet dorë për të mbyllur stërmadhësinë e sheshit dhe shëmtinë që sheh syri në atë drejtim. Por nuk jam kurrsesi që kjo të bëhet me një ndërtesë supermarketi, siç parashikojnë belgët që përveçse do të shtonte mbyllje dhe çimento do tu merrte dritë e fushëpamje dy ndërtesave shumë më të rëndësihme siç janë Banka dhe Muzeu. Sipas meje atje fare mirë mund të ndërtohej një park me pemë të larta dhe gjelbërim ku të vendoseshin edhe stola edhe skulptura e ku herë pas here të vendoseshin baraka druri, si në parkun para Bashkisë së Vjenës, ku njerëzit të mblidheshin në ditë festash. Ky park/pyll i vogël në mes të qytetit nuk do të dhunonte ndërtesat gjithsesi të rëndësishme të Bankës dhe Muzeut, do të kishte një kosto minimale për një vend të zhytur në borxhe, do të ruante shumë më tepër identitetin e sheshit, do të ndihmonte sadopak për pastrimin e ajrit në këtë zonë super të ndotur dhe nuk do të mrrudhte edhe më hapësirën publike por do të vazhdonte ta ruante sheshin si një shesh të të gjithëve.
Është thjeshtë një propozim të cilit mund t’i bëhen shumë vërejtje, por jo ajo se propozohet për t’i shërbyer interesave të pushtetparasë së asaj pakice që ka shkaktuar masakrën urbane në Tiranë. (Korrieri, 12 prill 2010)

Read More......

Saturday, April 10, 2010

Shqipëria: midis mistifikimeve identitare dhe realitetit*

Në Veriun e Shqipërisë ekziston një epos gojor - “Eposi i kreshnikëve” - i cili është dygjuhësh: është kënduar edhe në shqip nga rapsodë shqiptarë edhe në serbo-kroatisht nga rapsodë sllavë muslimanë, boshnjakët. Në historinë e letërsisë shqipe flitet shumë për këtë epos. Në vitet ’80 shkrimtari i njohur shqiptar Ismail Kadare ka shkruar edhe një roman të titulluar Dosja H. Shkurtimisht romani tregon për dy studiues perëndimorë, të cilëve u lind ideja të provojnë mundësinë e një transmetimi gojor të poemës homerike nga shekulli në shekull për të arritur deri në “laboratorin e fundit të poezisë gojore, që ka mbijetuar në botë”, diku në malet e Ballkanit. Pas një kërkimi të kujdesshëm ata zbulojnë se vendi i eposit të ngjashëm me atë homerik që kërkojnë ndodhet në malet e Shqipërisë Veriore. Kështu ata vendosen në një bujtinë të vjetër, ku takojnë rapsodët shqiptarë të zonës dhe regjistrojnë këngët e tyre me manjetofon. Kjo punë i çon, hap pas hapi, në vërtetimin e hipotezës së tyre se ky epos është një vazhdim i eposit homerik në këto treva të banuara nga paraardhësit e shqiptarëve, ilirët, që kanë qenë fqinj me grekët e lashtë. Por ata nuk e dinë se kanë një armik që i gjurmon. Ky është një murg serb i cili ka kohë që sillet vërdallë i shqetësuar për zbulimin e tyre, që do t’u hiqte serbve çdo të drejtë për të pretenduar për “pronësinë” e këtij eposi e jo vetëm. Më në fund murgu serb arrin të nxisë disa njerëz injorantë të zonës të sulmojnë bujtinën dhe të shkatërojnë manjetofonin me shiritat e inçizuar.

Interesantja është se ngjarja e këtij romani fiksion nuk është thjeshtë produkt i fantazisë së shkrimtarit, por është ndërtuar mbi bazën e një historie të vërtetë e cila është kthyer kokësëprapthi. Ka pasur vërtet dy dijetarë që kanë studiuar eposin në periudhën midis dy luftrave. Këta ishin Milman Parry dhe Albert Lord. Në fund të viteve njëzet Milman Parry, i diplomuar në Harward, i vuri vetes detyrën të provojë karakterin oral të poemave homerike. Për këtë, më 1932, ai ndërmorri një punë në terren në Jugosllavi, ku gjeti rapsodë të këngëve epike, analfabetë të poezisë orale, kapaciteti i të cilëve për të memorizuar dhe riprodhuar mijëra vargje, paralelizon ngushtësisht me idetë e tij se edhe poema e Homerit ka qenë një poemë e transmetuar gojarisht. Pas një qëndrimi fillestar prej disa muajsh në rajonin Sanxhak-Novi Pazar, Parry u kthye sërisht në Jugosllavi i shoqëruar nga dishepulli i tij, Albert Lord. Në studimet e tyre ata janë marrë me shumë me përzjerjen e spiritualitetit sllavo-jugor me atë myslimano-osman, por del qartë, gjithashtu, se fakti i ekzistencës së këtij eposi edhe në shqip lidhet pikërisht me periudhën osmane, kur eposi edhe është ndërshkëmbyer e përkthyer gjatë fushatave dhe shërbimeve ushtarake që rekrotonin ushtarë nga popujt e ndryshëm të Perandorisë. Këta rapsodë ishin shumë pupollorë në perandori dhe kështu në zonat shqipfolëse kishte syresh që i këndonin në shqip bëmat e heronjve të këtij eposi. Gjithsesi bëhet fjalë për një kohë larg Homerit, por edhe kur lëvizjet nacionaliste nuk kishin filluar ende.

Po të bësh një krahasim midis historisë së vërtetë të të dy dijetarëve dhe fiksionit të Kadaresë, i cili nuk e ka mohuar se është ngacmuar nga historia e dy dijetarëve për të shkruar këtë libër, do të vemë re disa ndryshime thelbësore që e kthejnë me kokë poshtë historinë. Kadare jo vetëm ka zhvendosur vendin e ngjarjes, por, edhe ka mënjanuar kontekstin osman, i cili, sipas Parry dhe Lord, ka qënë vendimtar në prodhimin e rrethanave që bënë të mundur artin gojor të këtyre teksteve të gjata epike. Po ashtu, ai ka çmontuar edhe unitetin e kësaj tradite epike që u përket të dy palëve dhe ka “rimontuar” një unitet fillestar greko-ilir të eposit duke “nacionalizuar” jo vetëm artistët, por edhe vetë epikën, e cila paraqitet si një “testament i madh kombëtar” shqiptar i legjitimuar nga rrënjët ilire, ndërkohë që sipas dy studiuesve në fjalë, nëse mund të flitet për origjinë të këtij eposi, kjo është sllavo - myslimane. (1)
Kuptohet qartë se një shpërndërrim kësisoj i historisë i shërben një teme të thekur të nacionalizmave në Ballkan: atë të definimit të identitetit në raport me tjetrin, armikun. Ai është shprehje e qartë e asaj se nacionalizmi i vuri shqiptarët dhe sllavët në konflikt me njëri tjetrin, dhe se ky konflikt, që nuk mund ta kuptojmë pa patur parasysh rivalitetin mbi hapësirën gjeografike për çështjet e territorit kombëtar, veçanërisht çështjen e ndezur të Kosovës, shfaqet edhe si një konflikt për të përvetësuar një trashëgimi kulturore të përbashkët. Albert Lord në fund të viteve 50 shkruante duke komentuar këtë fenomen: “Ethja e nacionalizmit në shekullin e nëntëmbëdhjetë çoi në përdorimin e epikës gojore për propagandë nacionaliste. Kështu heroi lindte si një hero “kombëtar”, dhe vetë poemat etiketoheshin si epika “kombëtare”. Të përcaktosh epikën gojore si “kombëtare” është mjerisht sa e pavërtetë, aq edhe një mashtrim djallëzor”. (2)

Identitetet si harta ideologjike imagjinare


Historia e shpërndërrimit të historisë së vërtetë të Parry dhe Lord në subjektin e Dosja H. si dhe ajo e shpërndërrimit të rrënjëve të vërteta të “Eposit të kreshnikëve” janë një ilustrimi i dyfishtë i asaj se ndërtimi i identiteve kombëtare për grupet etnolinguistike të Ballkanit, që më parë ndanin një të kaluar historike e kulturore të përbashkët, ka qenë një proces mistifikimi shumë kompleks dhe “djallëzor” nëse mund të përdorim epitetin e Lord.
Në procesin e krijimit të identitetit kombëtar kjo histori dhe kulturë e përbashkët otomane filloi të copëzohet, të deformohet dhe të interpretohet në emër të interesave të reja kombëtare e prej materialit të saj të ndërtohen/krijohen mite të reja, ku krahas çmontimit, pra, kemi edhe rindërtimin, krahas pasurimit kemi edhe varfërimin. Me fjalë të tjera kemi procesin e krijimit të një kulture të re e cila, për tu rritur, ushqehet edhe nga kultura e vjetër nëpërmjet asaj që Levi-Strauss e quan "kanibalizëm kulturor". Shpërndërrimi i historisë së “Eposit të kreshnikëve” është një nga ilustrimet e shumta të dubliciteti tragjik çmontim – rëndërtim i historisë dhe i trashëgimisë së përbashkët kulturore që vazhdon edhe sot të manifestohet midis shqiptarëve dhe sllavëve të jugut duke marrë edhe trajta akuzash e fyerjesh të ndërsjellta.
Në këtë aspekt krijimi i identiteteve kombëtare dhe politikat identitare të mbështetura mbi to i shëmbëllejnë ndërtimit të hartave imagjinare ideologjike, të cilat në vend të komplektistetit që sheh syri dhe dëgjon veshi në terren, propozojnë diçka krejt tjetër që, veç tjerash, më një anë e deformon thjeshtëzon dhe varfëron realitetin, më anë tjetër kërkon të imponohet si e vërteta dhe synon ta plazmojë realitetin sipas modelit të saj. Sigurisht prapa këtyre rindërtimeve, deformimve dhe thjeshtëzimeve kanë qëndruar interesa të caktuara politike prandaj dhe në këtë proces nuk mund të mos theksojmë rolin e veçantë që kanë luajtur elitat politike e kulturore për të ndërtuar këto “komunitete imagjinare” siç i quan Benedikt Anderson. Në rastin e Ballkanit e atë shqiptar në fjalë, një rol jo të vogël në krijimin e këtyre hartave kanë luajtur edhe fuqitë e mëdha evropiane të kohës, që kishin interesat e tyre në një rajon që dukej se po disintegrohej.

Nëse do të cilësojmë, duke thjeshtëzuar, hartat kryesore që u janë servirur shqiptarëve gjatë shekullit XX do të dallojmë dy syresh: ato nacionaliste gjatë gjysmës së parë të shekullit XX dhe ato nacional – komuniste gjatë thuajse krejt gjysmën së dytë:
Hartat nacionaliste paraqesin procesin fillestar të e kombformimit si lëvizje shqiptariste që me ndihmën e fuqive perëndimore çoi në krijimin e shtetit komb shqiptar më 1912. Ato shenjojnë kalimin pra të grupit etnolinguistik që fliste gjuhën shqipe nga identitetet turq (muslimanë) dhe kaurë (kristianë) që ua kishin dhënë miletet fetare gjatë Perendorisë Otomane në identitetin shqiptar që filloi t’ua japë lëvizja nacionaliste (shqiptariste) dhe pastaj, pas vitit 1912, shteti komb. Në këtë proces krahas diferencimit me turqit fillon edhe diferencimi me armiqtë sllavë e grekë. Ky ishte një proces i gjatë që ka parë ndeshjen e ballafaqimin e shumë projekteve nacionale dhe internacionale që, dora dorës, sollën një projekt dominant të shqiptarizmit. (3)
Në periudhën nacional – komuniste që fillon më 1944 dhe mbaron më 1991 elitat në pushtet rimorrën dhe rinterpretuan shumë mite të nacionalizmit, (siç e tregon edhe Dosja H e Kadaresë) por në kontekstin e një Shqipërie që, veçanërisht pas prishjes me BS në vitin 1961, erdhi duke u izoluar gjithnjë e më shumë nga bota. Kjo Shqipëri u paraqit nga harta ideologjike e pushtetit si një Shqipëri që vazhdon të shkëputet nga trashëgimia e saj osmane, si e rrezikuar nga armiqtë tradicionalë sllavë e grekë, por edhe si një Shqipëri që luftonte në emër të marksizëm - leninizmit kundër kapitalizmit perëndimor dhe revizionizmit sovjetik, ashtu sikurse edhe kundër agjentëve fetarë që historikisht kishin qenë edhe ata instrumente të armikut. Jemi në periudhën pra kur ideologjia nacional komuniste krijon shqiptarin nacional komunist që ushqehet me lavdinë e dyfishtë një bote virtuale, asaj të së kaluarës dhe të së ardhmes, çka nuk e lejonte të analizonte dhe kuptonte mjerimin e botës reale të së tashmes që jetonte. (4)
Çfarë po ndodh sot?

Nënë Tereza dhe nacional – evropianizmi

Në historinë e Shqipërisë së shekullit XX një nga faqet më interesante të politikave mistifikuese identitare ka qenë krijimi i mitit “feja e shqiptarit është shqiptaria”. Origjina e kësaj thënieje është një poemë e famshme e një prej rilindasve më të njohur, Vaso Pasha, e shkruar në fund të shekullit XIX kur elitat shqiptare filluan lëvizjen nacionaliste (shqiptariste). Vaso Pasha ishte një katolik që shërbente si funksionar i lartë në Perandorinë Osmane. Në kohën e rënies së Perandorisë truajt e banuar nga shqiptarë ishin të ndarë mes muslimanësh që sikurse thashë më lart identifikoheshin më shumë me turq dhe të krishterësh ortodoksë dhe katolikë që identifikoheshin me kaurë me dallime jo të vogla me njëri tjetrin.
Për këtë Vaso Pasha shkroi një poemë ku midis të tjerash u drejtohet këtyre shqiptarëve me fjalët: “Mos vështroni kisha e xhamija/feja e shqiptarit është shqiptaria”. Kjo thirrje, pra, i përgjigjej novojës që u lindi shqiptarëve turq e kaurë në fundin e shekullit XIX të mbronin tokat e banuara prej tyre ndaj pretendimve serbe dhe greke në kontekstin e një Perandorie Osmane që po shpërbëhej si nga dekompozimi i brendshëm ashtu edhe nga presionet që vinin nga fuqitë e mëdha perëndimore. Sikurse e shpjegon shumë qartë edhe historiania franceze Nathalie Clayer (5) ky varg nuk ishte një pasqyrë e gjendjes në terren në atë kohë, por një thirrje për të dalë nga ajo gjendje.
Ajo që ndodhi me kalimin e viteve është tipike për procesin e mistifikimit identitar. Vargu i parë, ai që thotë “mos vështroni kisha e xhamija”, që në një farë kuptimi tregon se ku e kishin të orientuar realisht vështrimin shqiptarët deri në atë kohë, ra nga kujtesa ose më saktë nga imagjinimi i shiptarëve për vetveten për të mbetur vetëm vargu i dytë: “Feja e shqiptarit është shqiptaria”. Nëpërmjet një qasjeje esencialiste ndaj identitetit, me kalimin e viteve, gjatë thuajse gjithë shekullit XX “Feja e shqiptarit është shqiptaria.” u shndrrua në një nga mitet themelues të nacionalizmit shqiptar dhe shërbeu për të pakësuar rolin ndarës të feve në Shqipëri në emër të ngjizjes së një identiteti të përbashkët kombëtar. Ai ndikoi që në ndërgjegjen kolektive shqiptare të futet ideja se që në krye të herës ata nuk kanë qenë asnjëherë thellësisht fetarë pasi, historikisht, kanë pasur ndjeshmëri më të fortë ndaj një tjetër identiteti, atij kombëtar, dhe fetë e ndryshme në këtë aspekt nuk kanë qenë tjetër veçse rroba të ndryshme që shqiptarët i kanë veshur nga nevoja, por gjithë duke mbetur në thelbin e tyre shqiptarë. Me ardhjen e komunistëve në pushtet kjo qasje esencialiste u forcua shumë më tepër pasi u bashkua edhe me teorinë marksiste “feja opium për popullin” dhe se fetë ishin agjentë të të huajve. Pas një periudhe përpunimi ideologjik që u shoqërua edhe me arrestime e dënime të klerikëve të shumtë, veçanërisht atyre katolikë, në vitin 1967, nën ndikimin edhe të Revolucioni Kulturor kinez, nacional – komunistët shqiptarë e ndaluan me ligj ushtrimin e fesë në Shqipëri duke e shpallur atë vendin e parë ateist në botë e duke i detyruar besimtarët ta ushtrojnë në fshehtësi besimin e tyre fetar duke shtuar kështu edhe një ndarje tjetër dramatike midis mistifikimit identitar dhe realitetit.

Kështu, në vitin 1989 kur Nënë Tereza bëri vizitën e parë në Shqipëri në një konferencë shtypi një gazetare i drejtoi një pyetje koment:
“ Ju vërtet folët për Jezu Krishtin, por feja e Shqiptarit është shqiptaria.”
Përgjigja e Nënë Terezës ishte:
“Atdheun do ta doni më shumë kur të doni më shumë njëri tjetrin.”
Që prej asaj kohe gjatë këtyre njëzet vjetëve në Shqipëri kanë ndodhur shumë ndryshime. Ndër më të rëndësishmit, krahas atyre të sistemit ekonomik dhe politik qenë edhe njohja e të drejtës për të ushtruar besimin fetar si dhe ndrrimi në mik të madh të Shqipërisë i armikut të madh që ishte Perëndimi kapitalist. Ndërkohë në Ballkan, me disintegrimin e Jugosllavisë, siç dihet, filloi një valë nacionaliste që nuk mund të mos prekte edhe Shqipërinë që ndarjen e territoreve të Perandorisë Osmane të banuara nga shqiptarët pas Luftrave Ballkanike më 1912 e kishte përjetuar si një padrejtësi historike me shkëputen e Kosovës dhe të Maqedonisë perëndimore të banuar kryesisht nga shqiptarë. Në këto kushte të reja shqiptarët u gjendën mes tjerash edhe përballë një krize identitare dhe nevojës së një ridefinimi të identetitit. Më saktë duhet thënë se elita që trashëgoi pushtetin komunist u gjend përpara nevojës për të ndryshuar “hartën identitare” që kishin përdorur nacional - komunistët.
Në këto kushte operacioni që kryen këto elita në pushtet u mbështet mbi një rimodelim të hartës së vjetër të nacional - komunizmit, por duke i hequr asaj kmponentet komuniste dhe duke i aplikuar evropianizmin si ideologji e re, nëpërmjet një mistifikimi të ri identitar.
Ç’është nacional – evropianizmi në thelbin e vet? Diskursi që filloi të qarkullojë dhe të bëhet dominant në vend, pas rënies së komunizmit dhe afrimit me Perëndimin, ishte ai sipas të cilit kombi shqiptar, më në fund, pas pesë shekujsh robëri nën Turqi dhe gjysëm shekulli në Lindjen sllavoortodokse, u kthye, më në fund, në origjinën e tij evropiane. Pra diskursit të vjetër nacionalist të një lloj vetorientalizmi, që ka qenë edhe diskurs i rilindasve shqiptarë në fund të shekullit XIX dhe fillimin e shekullit XX, kur kërkohej shkëputja nga Turqia, iu shtua diskursi antikomunist që Lindjen e identifikon me botën komuniste dhe që komunizmin, ashtu sikurse edhe pesë shekuj nën Perandorinë Otomane, i konsideron si diçka të huaj për thelbin e shqiptarit, si një aksident historik pra që ia sollën sllavët, por pa arritur ta prishin substancën shqiptare. Ndërkaq mbetej për t’u modifikuar edhe çështja e raportit të shqiptarëve me fetë sepse “feja e shqiptarit është shqiptaria” tingëllonte shumë e fortë në kontekstin e ri kur një pjesë jo e vogël njerëzish iu kthyen besimeve tradicionale musliman e të krishterë (ortodoksë dhe katolikë) ashtu sikurse edhe një numri besimesh të tjera që hynë në vend. Në këtë kontekst vendi është ende në fermentim, por nuk mund të mos shquash një diskurs dominant që, si të thuash, mund të konsiderohet edhe pjesë integrale e “hartës identitare” zyrtare që përdoret nga elita në pushtet . Në këtë diskurs gjejmë vazhdimësinë e tezës nacional – komuniste se feja muslimane është një fe e imponuar nga pushtuesi. Ndërkaq “feja e shqiptartit është shqiptaria” tenton të zëvendësohet me mitin e tolerancës fetare të shqiptarëve, që thellë thellë është një version i zbutur i “feja e shqiptarit është shqiptaria” sepse përmban mitin e indiferencës së shqiptarëve përsa i përket feve. Ish presidenti i Shqipërisë gjatë viteve 2001 – 2006, Alfred Moisiu, në një fjalim në Oksford e ka quajtur tolerancën fetare të shqiptarëve, gjithnjë duke përdorur një qasje esencialiste për identitetin si: « nje tipar etnotipik te shqiptareve », ”nje traditë që vjen nga thellesia e shekujve » që “ka ekzistuar madje edhe para shfaqjes së faktorit osman”. Ai e paraqet këtë si guri i çmuar që ne mund t’i paraqesim Perëndimit për të na pranuar në komunitetin e vet: “toleranca nderfetare ishte nje prej cilesive që tërhoqi menjëhere vëmendjen dashamirëse të të gjithe atyre dijetarëve dhe politikanëve, shqiptarë e të huaj, që besonin dhe kerkonin tek populli shqiptar një imazh tjetër. » (6). Por krahas kësaj, duke qenë se jemi edhe pas 11 shtatorit këtij diskursi i është shtuar gjithnjë e më fort fort edhe identifikimi i kthimit në origjinën evropiana me kthimin në origjinën kristiane, madje katolike. Në fjalën e tij në Oksford Moisiu tha midis të tjerash edhe se: « Shpesh shqiptarët quhen një popull musliman, ose me shumicë muslimane. Ky është një lexim shumë sipërfaqësor i realitetit shqiptar. Së pari, sepse islamizmi në Shqipëri nuk është fe burimore, as fe e përhapur në kohën e origjinës, as besim rezidencial, por një dukuri e ardhur dhe e trashëguar në gjuhën dhe liturgjinë e atij faktori që e solli. Islamizmi në Shqipëri është një islam me fytyrë europiane. Si rregull, është një islamizëm i cekët. Tek çdo shqiptar, pak po të gërmosh, do të zbulosh thelbin e tij të krishterë.” (7)
Në këtë diskurs edhe heroi kombëtar Skënderbeu, i cili njihet se ka qenë i krishterë ortodoks kthehet e bëhet katolik. Madje Kadare, i cili është një ndër farkuesit kryesorë të nacional - evropianizmit e ka cilësuar Skënderbeun shpesh në prononcimet e tij mbi identitetin evropian të shqiptarëve si “pararendës i Natos”. Kurse kryeministri Berisha, me rastin e hyrjes së Shqipërisë në Nato në pranverën e vitit 2009, deklaroi shumë herë në fjalimet e tij të rastit se Shqipëria më në fund, pas pesë shekujsh lundrimi në ujëra të mundimnshme kishte mbrritur në brigjet e ëndërruara.

Në kontesktin e këtij mistifikimi të ri identitar një rol të rëndësishëm ka marrë edhe Nënë Tereza. Nga një figurë që nuk njihej thuajse fare nga shqiptarët është kthyer në një heroinë kombëtare e krahasueshme me Skënderbeun. Qënia e saj me origjinë shqiptare dhe katolike njëherësh ka filluar të përdoret si princip identitar me teknikat e njëjta nacionaliste me të cilat është ndërtuar miti i Skënderbeut në shekullin XIX por duke i bashkuar nacionalizmit edhe idenë se paraqitja e shqiptarëve si të krishterë do të na bëjë më të pranueshëm për evropianët. Kjo shpjegon edhe lulëzimin e monumenteve të Nënë Terezës në ambjentet publike shqiptare që nga Aeroporti i tiranës deri në universitetin e Tiranës.

Ndërkohë që elitat ndërtojnë këtë diskurs në realitetin e përditshëm shqiptarët kanë përjetouar ekzodin masiv kryesisht për në Greqi dhe Italia por edhe në Turqi e SHBA Gjermani e Britaninë e Madhe. Po t'i shohim shqiptarët e sotëm ata shkojnë e vijnë në për vendet e Ballkanit. Ata bëjnë shumë tregëti me Turqit punojnë në Greqi, shkojnë përpushime në Malin e Zi, bëjnë tregëti me maqedoninë e Greqinë ku punojnë por edhe ku takohen me turq, grekë, serb, maqedonas e hanë gjellë turke e sallatë greke, shkollat më të mira në Tiranë i kanë turke etj. E megjithatë, kur vjen puna për identitetin e tyre harrojnë shumë nga këto pasurira që ndërtojnë jetën e tyre të përditëshme, ashtu sikurse edhe historinë e tyr të përbashkët shumëshekullore dhe theksojnë e glorifikojnë ato elementë që i bëjnë të ndryshëm nga të tjerët, deri në urrejtje e armiqësi. Edhe lufta për të përvetësuar Nënë Terezën midis shqiptarëve dhe sllavëve të maqedonisë, që po zhvillohet kohët e fundit tregon se historia e përshkruar në fillim të shkrimit mbi eposin e kreshnikëve vazhdon në këto treva.
Realiteti i jetuar pra është shumë më kompleks nga harta që kërkon t’i mbivendosë elitga në pushtet dhe pikëpyteja që ngrihet është a mundet një nacional – evropianizëm i formuluar si më lart të jetë përgjigja e drejtë në kuadrin e integrimit në Evropë.
Vështirësia që paraqet mistikimi identitar i përshkruar më sipër në këtë kontekst është shumëplanëshe. Më së pari kompondentja nacionaliste e kësaj harte vazhdon ta ndajë Ballkanin e shqiptarëve nga Ballkani i sllavëve apo grekëve apo turqve. Po ashtu si vazhduese e oroientalizmit, ajo është një pengesë për të njohur të kaluarën e përbashkët osmane të shqiptarëve trashëgiminë e përbashkët historinë e përbashkët.
Nacional evropainizmi nuk se i injoron disa nga ato që mund të quhen vlerat evropiane, si ekonomia e tregut pluralizmi politk, të drejtat e njeriut por njëkohësisht ai shihet edhe si një formë e daljes së shqiptarëve në Evropë në bregun tjetër duke i lënë të gjithë të tjerët, armiqtë historikë: sllavë, grekë turq nga ana tjetër e bregut. Një nacional evropianizëm i tillë po ashtu ka prirjen të kthejë në shtresë të diskriminuar pjesën e popullsisë shqiptare të besimit musliman duke rrezikuar që, ndërkohë që elita shqiptare në pushtet predikon Naton, Perëndimin, Jezu Krishtin e Nënë Terezën si fe pushteti duke grabitur e varfëruar edhe në emër të tyre shumicën e shqiptarëve, muslimanizmi të fillojë të bëhet gjithnjë e më shumë "feja e të varfërve", që mund të instrumentalizohet nesër edhe politikisht, për të përmbysur këtë elitë.  (8)Ky lloj nacional evropianizmi pra, nuk është përgjigja e duhur për të përballuara sfidat e së ardhmes evropiane të shqiptarëve. Ashtu sikurse nacional – komunizmi në periudhën e diktaturës ai synon të bashkojë në emër të pushtetit të një elite dy diktrina që në thelbin e tyre përjashtojnë njëra tjetrën. Kam parasysh me këtë faktin se ai që mund të konsiderohet si thelbi i identitetit Evropian, si projekt i bashkëjetesë së kombeve të kontinentit në paqe dhe haromoni dhe krijimit të një identiteti mbinacional evropian, është bash e kundërta e asaj që predikon nacionalizmit pasi ky identitet evropian, sikurse e shtjellojnë edhe Jurgen Habermas dhe Jacques Derrida, në artikullin e tyre të përbashkët të botuar në "Frankfurter Algemeine Zeitung" në 2003 është rezultat i ngjarjeve dramatike historike që ka përjetuar Evropa për shkak të luftrave me karakter fetar apo nacional. Është pra identiteti i atyre popujve që "kanë mësuar, me një çmim të lartë, se si diferencat mund të qetësohen, kontrastet të instucionalizohen dhe tensionet të stabilizohen". Është identiteti i një hapësire kulturore ku është kuptuar më mirë se kudo se "njohja reciproke e tjetrit, në diversitetin e tij, mund të bëhet shenja e një identiteti të përbashkët". (Korrieri, 8 prill 2010)
Bibliografi:
(1) Shih për këtë edhe Stavro Skendi: Albanian and the south slavic oral epic poetry (Shqipja dhe poezia epike orale e sllavëve të jugut), Philadelfia 1954
(2) Për më hollësisht për këtë shih Galia Valtchinova, "Ismail Kadare’s Th H-file and the Making of Homeric Verse: Variations on the work and Lives of Milman Parry and Albert Lord,"  Hurst & Company, London 2002 (f. 104); Dosja H. e Ismail Kadaresë dhe krijimi i vargjeve homerike: mendime mbi punën dhe jetën e Milman Parry dhe Albert Lord, Perpjekja 15 – 16, Tiranë, dhjetor - janar 1999 (f. 172).
(3) Nathalie Clayer "Aus origines du nationalisme albanais: la naissance d’une nation majoritairement musulmane en Europe", Edition  KARTHALA. 2007; Në fillimet enacionalizmit shqiptar, Lindja e një kombi me shumicë muslimane në Evropë, botime përpjekja 2009, Tiranë.
(4) Shih për këtë, Fatos Lubonja "Between the Glory of a virtual world and the misery of a Real World" Hurst & Company, London 2002 (f. 91); Midis lavdisë së një bote virtuale dhe mjerimit të një bote reale, Perpjekja 15 – 16 Tiranë dhjetor janar 1999 (f. 143).
(5) Nathalie Clayer "Aus origines du nationalisme albanais: la naissance d’une nation majoritairement musulmane en Europe", Edition  KARTHALA. 2007 ; Në fillimet e nacionalizmit shqiptar Lindja e një ,kombi me shumicë muslimane në Evropë, botime përpjekja 2009, Tiranë.
(6) Alfred Moisiu fjala e mbajtur në Forumin e Oksfordit: The inter religious tolerance in the Tradition of Albanian People (nentor 2005)
(7) Po aty. 
(8) Shih për këtë edhe Fatos Lubonja  "E ardhmja e shamisë", gazeta Korrieri, 7 maj 2009.
* Leksion i mbajtur ne Universitetin e Barit në seminarin me temë: “Identitete adriatike”, Tetor 2009.

Read More......