Monday, May 31, 2010

Kush e rrahu arkitektin Maks Velo

Lexova para disa ditësh në  gazetën “Shekulli” një lajm të rëndë, shqetësues, për rrahjen dhe kërcënimin me vdekje të arkitektit  Maks Velo nga një individ që identifikohej si pronar apo agjent i një pronari që po ndërton diçka në Tiranë. Bëhej fjalë për një godinë në një shesh (që nuk jepej me emër), për të cilin Velo thuhej se kishte shkruar para dy muajsh se ishte një dhunim i arkitekturës dhe urbanistikës, por nuk jepej informimi se ku dhe kush. Përbri lajmit kishte edhe një letër solidariteti me Velon, e firmosur nga emra të njohur të jetës sonë intelektuale, ku denoncohej akti. Por edhe aty vura re se nuk përmendej autori dhe sheshi, ndonëse ngjarja kishte ndodhur ditën për diell, kur Velo kthehej nga shëtitja e mëngjesit në Parkun e Liqenit, dhe agresori nuk thuhej se kishte qenë i maskuar.
Për të marrë vesh se për cilin shesh dhe për cilin pronar bëhej fjalë m’u desh të pyes një burim konfidencial me të cilin pata, pastaj,  edhe një bisedë paksa më teorike. Më rezultoi se, sipas gjithë gjasave, bëhej fjalë për ndërtesën që po ngrihet në Sheshin Italia përpara stadiumit “Qemal Stafa”, atje ku dikur ka pasur një lulishte. Burimi që më informoi më tha se pronari qënkej i revoltuar pasi ai e ka me leje atë ndërtim, duke shtuar se Velo nuk ka të drejtë që e përmend atë sepse duhet të përmendte Bashkinë që i ka dhënë leje. Shkurt, gati gati sikur po e justifikonte disi pronarin që kishte rrahur Velon.
Ajo që më intereson, përtej kësaj historie, është bash pyetja se kush e ka rrahur e kanosur Maks Velon, që ndryshe shtrohet në formën e pyetjes: kush ka ushtruar dhunë mbi shprehjen e lirë në emër të interesit publik, që e konsideroj si dhunë edhe mbi mua si qytetar dhe gazetar, pasi edhe unë mendoj se ajo ndërtesë vërtet është një shëmti dhe dhunë arkitektonike në atë shesh, madje edhe në kundërshtim me të famshmin ligj që e ka bërë atë zonë monument kulture? Me fjalë të tjera solidarizohem edhe unë me një pasazh të letrës së intelektualëve të njohur, ku thuhet se “ndihemi të pambrojtur”, (pambrojtje që sipas meje shprehej qartë dhe në frikën që kishte gazeta për të investiguar autorin e krimit), duke parë se “kushdo që ka para, që merr leje ndërtimi ose hap biznese të mëdha, mund të na kërcënojë hapur”.
Mirëpo, ndërkohë që mediat që shkruan për rrahjen e Velos përqendroheshin te fajësia e biznesmenit, të cilit më në fund i doli emri, sipas bashkëbiseduesit tim, Velon nuk e ka rrahur e kërcënuar ky, por Bashkia pasi është ajo nxitësja, shkaktarja e këtij konflikti sepse ajo ia ka dhënë lejen e ndërtimit dhe prandaj në media nuk del se cili është sheshi dhe cila është ndërtesa. Ja, dëgjo – shtoi ai - mund të ketë shumë barbarë e injorantë që nuk dinë se ç’do të thotë një monument kulture dhe që mund të ndërtojë ku t’ia dojë interesi, po janë politikanët që i kemi vënë për të na ruajtur nga këta injorantët që e mbajnë përgjegjësinë. Tek e fundit, pra, ai më hodhi idenë se një biznesmen mund të bëjë çfarë të dojë përderisa gjen politikanë të korruptuar, prandaj ne duhet të ushtrojmë presion mbi politikanët dhe ligjbërësit tanë dhe jo mbi biznesmenët tanë, siç më akuzoi se bëj unë ndonjëherë në shkrimet e mija.
Personalisht kam një problem me këtë argumentim, që në vështrimin e parë duket se s’ka të sharë. Problemi, sipas meje, qëndron në atë se shteti nuk është diçka abstrakte që punon pavarësisht nga të pasurit dhe të varfrit nëpërmjet ligjit që është i barabartë për të gjithë. Kështu thuhet se duhet të jetë teorikisht, por në praktikë, e veçanërisht tek ne, është krejt ndryshe. Shteti, në fakt, është produkt i qytetarëve të tij dhe në rastin tonë, nëpërmjet atij instrumenti që tanimë e njohim të gjithë me emrin “korrupsion”, shteti është kapur nga ata qytetarë që kanë para, e që ndajnë pushtet e interesa me politikanët në institucionet shtetërore. Prandaj, ne kemi arritur në situatën që e shohim jo vetëm me Sheshin Italia, por edhe në shumë sheshe të tjera të Tiranës dhe të qyteteve të tjera të Shqipërisë, pavarësisht nëse rrihet apo jo ndonjë si Maks Velo dhe pavarësisht se për masakrimin e të tjerë shesheve intelektualë si Maks Velo dhe të tjerë nuk flasin fare. Pse planet franceze e belge që shkatërrojnë sheshin “Skënderbej” çfarë janë?
Sipas meje, ajo çka ka ndodhur me Tiranën dhe jo vetëm është prova më evidente se shteti është i këtyre pronarëve. Prandaj dhe Velon, që shfaqet në këtë rast si zë i interesave të publikut, nuk e ka rrahur as Bashkia veçmas dhe as pronari veçmas, por të dy së bashku, si dy faqe të së njëjtës dorë. Pra Maks Velon e rrahu dhe kërcënoi me vdekje shteti si instrument i këtyre pronarëve, ku politikani bën fasadën e dukshme të tij, kurse pronari përbën thelbin e tij. Dhe kur them “shteti” nuk kam parasysh vetëm Bashkinë që i ka dhënë lejen e ndërtimit atij/atyre pronarëve. Edhe gjykatat të këtyre pasunarëve janë. Madje, madje do të thosha se ky pronari që ka rrahur Maks Velon duhet të jetë disi i frustruar apo i pafuqishëm që ka përdorur thonjtë e vet sepse ka të tjerë që kanë thonj shumë më të sofistikuar: media e instrumente të tjera shumë më të fuqishme për të të “rrahur” e “kërcënuar” në mënyrë që të mos të të lenë asnjë shenjë. Harruat që biznesmeni i njohur Taçi, pasi rrahu një gazetar e i doli boja, nxitoi të blejë një televizion? Bile bile, po shkoj edhe më larg: këta pasunarë kanë në dorë të bëjnë edhe ligje që të mbrojnë grabitjet e tyre. Pse, rastësisht është mbushur Parlamenti me milionerë?
Dikush në këtë moment të diskutimit do të më thotë: shkove shumë larg në abstragim se, tek e fundit, kështu është edhe në SHBA: lobet e fuqishme diktojnë politikën. Po edhe në SHBA, për fat të keq, ka lobe të pasurish që kontrollojnë pushtetin e që, jo rrallë, veprojnë në dëm të shumicës. Shikoni se ç’ndodhi me krizën ekonomike që shkaktoi një bandë të babëziturish me qendër në Wall Street. Por ka dhe diferenca ama: ne jemi shumë më të paditur se ata, prandaj dhe shumë më të dhunshëm e më të babëzitur e më miopë, shumë më jashtinstitucionalë se ata, shumë më informalë se ata dhe, ç’ka është më e rëndësishmja, kemi shumë më pak instrumente në mbrojtje të interesave të atyre që nuk janë pjesëtarë të bandës dmth. të interesave të publikut të gjerë. Dhe nuk janë diferenca të vogla.
Prandaj vazhdoj të ngulmoj se, përveç shumëçkaje që ka të bëjë me implementimin e shtetit ligjor në vend (e në këtë rast më vjen mirë që policia ka vepruar ndaj agresorit ndonëse çështja që shtroj nuk ka të bëjë me krimin e rrahjes e kanosjes ndaj Velos, por me krimin e padrejtësisë së rëndë shoqërore që është instaluar në vend për shkak të lidhjes korruptive politikë-biznes), është e nevojshme të lindë sa më parë një parti e lëvizje civile vërtet e majtë. Një parti e lëvizje e majtë që të mbrojë vërtet interesat e shtresave të pambrojtura të shoqërisë, pasi partia e kryesuar nga Kryetari i Bashkisë, që i ka dhënë leje ndërtimi rrahësit të Velos, sikurse thonë shumë zëra kritikë brenda saj, ka pak shanse të shndërrohet në një parti siç ka emrin, “socialiste”, pasi tashmë është e kapur me thonj për fyti nga pasunarët si ky thonjvënësi i Velos që, kur s’të rrahin dot duke të blerë, të rrahin fizikisht dhe, kur as kjo s’mjafton, të kërcënojnë edhe me vdekje. (Panorama, 30 maj 2010)

Read More......

Sunday, May 30, 2010

Greva si “provë në ngarkesë”

Greva e urisë së deputetëve dhe militantëve socialistë dhe kriza rreth saj, që ende s’ka mbaruar, e lidhur kjo edhe me ndërkombëtarët, ka dhënë disa tregues të rëndësishëm që meritojnë reflektim dhe debat përtej luftës së përditshme politiko- mediatike. Ajo ishte si një prej atyre që në mjekësi i quajnë “provë në ngarkesë”, ku organizmi apo një organ i caktuar, për t’u shqyrtuar se si funksion, vihet në kushte të jashtëzakonshme pune siç është p.sh., prova e biçikletës për zemrën. Rezultatet, pastaj, i tregojnë mjekut shumëçka, që nuk e zbulon dot në një kontroll të zakonshëm.
Ky shkrim është një sprovë për të nxjerrë disa përfundime, që mund të pasohen me të tjera në ditët në vazhdim, duke parë rezultatet e kësaj “prove në ngarkesë”.
Nëse dikush do të më pyeste për të mirat dhe të këqijat e krizës së grevës, sipas gjykimit tim do të thosha se e mira kryesore e grevës, si provë në ngarkesë, ishte se ajo shërbeu për të treguar nivelin e pjekurisë së demokracisë dhe më gjerë të shoqërisë shqiptare. Sipas gjykimit tim ajo tregoi se, megjithë abuzimet e mëdha të politikanëve tanë, ata janë gjithsesi nën një këmishë force, jashtë së cilës e kanë vështirë të dalin. E kjo këmishë force është sa opinioni publik shqiptar, tashmë shumë më i pjekur sesa dhjetë vjet më parë, ashtu edhe ndërgjegjësimi se rruga drejt ndërtimit të institucioneve demokratike evropiane nuk mund të braktiset lehtë edhe pse, në shumë pika, ajo mbetet një rrugë virtuale, paralele me rrugën reale që ndjekin politikanët tanë. Fakti që Sali Berisha nuk mbrohet me dhunë ndaj sulmeve të opozitës, por duke iu referuar ligjit dhe vendimit të gjykatave është tregues pozitiv, gjithsesi. Fakti që socialistët, megjithë formën se si bënë grevën (dhe vetë grevën si mjet proteste) dhe ndonjë parullë destruktive, nuk dolën jashtë kornizave të një proteste paqësore, është tregues pozitiv, gjithashtu. Këta janë, sipas meje, treguesit më pozitivë që u vunë re në këtë shqetësim jo të vogël që solli kjo provë në ngarkesë.
Ndërkaq, gjykoj se pretendimi i opozitës se nëpërmjet grevës u arrit “tërheqja e vëmendjes së ndërkombëtarëve” nuk mund të futet në treguesit pozitivë, (sukses e quajnë socialistët), por në treguesit negativë. Me “sukses” socialistët nënkuptojnë se ata kanë arritur t’i tërheqin vëmendjen ndërkombëtarëve për atë se sa i mbrapshtë është kundërshtari i tyre Berisha/PD, si një hap i rëndësishëm pra për të arritur të merret bekimi i tyre për t’i çelur rrugën një rotacioni të pushtetit në Shqipëri, pasi ata do të binden se ky vend me këtë gjendje e këtë Qeveri është i paqeverisshëm. Jo rastësisht pas Strasburgut, opozita erdhi me fjalën “ultimatum”, se Berishës i është dhënë nga ndërkombëtarët një afat dyjavor të mendojë për hapjen e kutive, në të kundërt ata do të veprojnë me bombardime. Që do të thotë: shqiptarëve do t’u shtyhet procesi i dhënies së vizave apo i asociim integrimit në BE. Mirëpo a mund të quhet ky sukses? Sipas optikës sime absolutisht jo. Jo vetëm pse dëmtohemi të gjithë, por sepse kjo krizë edhe në sytë e ndërkombëtarëve nuk ka një përgjegjës të vetëm, por dy dhe, nga sa jam i informuar, disa metoda të përdorura nga opozita si bojkoti dhe veçanërisht greva kanë dhënë imazhin edhe te ndërkombëtarët se, kjo opozitë është më e prirur për jashtëinstitucionalitet sesa vetë maxhoranca që ajo sulmon. Pra gjithë kjo krizë e ka rritur imazhin në sytë e ndërkombëtarëve të një vendi me klasë politike jashtëinstitucionaliste. Ai që e quajnë sukses i grevës socialistët, në këtë kontekst, do të ishte në fakt një kthim prapa në një regjim që do ta quanim “grevokraci”.
Po ashtu do të thosha se greva dhe kjo situatë në përgjithësi ka akutizuar disa sëmundje të vjetra të politikës shqiptare, duke na treguar se jemi larg “shërimit” prej tyre.
Së pari, ajo ka rritur në maksimum politikën e konfliktit në dëm të asaj të dialogut. Dhe konfliktualitet do të thotë paaftësi për të zgjidhur probleme që kanë si shkaktarë të dy palët, siç është edhe realiteti i kësaj krize dhe i kësaj politike në përgjithësi.
Së dyti, ajo ka penguar marrjen me shumë probleme serioze që ka vendi. E kam fjalën për probleme të tilla, si politikat e ndryshme ekonomike, që duhen ndjekur në këtë situatë krize që po afrohet, ato lidhur me forcimin e mëtejshëm të institucioneve që garantojnë demokracinë, luftën kundër kriminalitetit, papunësisë etj...
Së treti, ajo ka konsoliduar autoritarizmin dhe populizmin e liderëve, në dëm të një situate demokratike në dy partitë kryesore. Mjaft të kesh parasysh për këtë faktin se protagonistët e mendimit ndryshe në PS, Blushi, Islami, Bello Malaj etj. në këtë periudhë heshtën, pasi emocionet e ngritura në qiell do t’i kthenin në armiq e tradhtarë. Po ashtu, nga ana tjetër, ajo rriti kompaktësinë brenda PD rreth liderit të saj Berisha. Nesër zërat disidentë ndaj Berishës, për të cilat gjykoj se PD ka dëshpërimisht nevojë, do të bëhen edhe më të pafuqishëm.
Së katërti, ajo thelloi një prirje të dhunshme që kanë partitë më të mëdha, për të injoruar gjithçka ekziston jashtë tyre, edhe shoqërinë civile, edhe parti më të vogla, e kombinuar kjo me prirjen për t’i ndarë këto në satelitë të njërës apo tjetrës palë.
Së pesti, e njëjta gjë mund të thuhet edhe për mediat. Ato si rrallë herë, kohët e fundit u panë të rreshtuara dhe jo si informuese apo gjykuese të paanshme të këtij konflikti, duke humbur edhe më kredibilitetin dhe aftësinë për të qenë mjet i vërtetë informimi, por edhe mjet presioni në emër të interesit të gjerë publik.
Së gjashti, gjithë në kuadrin e polarizimit dhe konfliktualitetit ekstrem, kjo krizë frustroi edhe më Gjyqësorin, për sa i përket mbajtjes së gjykimeve të paanshme. Një gjyqësor që akuzohet rëndë si palë vihet, si të thuash, me shpatulla pas murit dhe minimalisht bëhet edhe më pasiv ose i dorëzohet përfundimisht idesë së qenies palë.
Gjykoj se në ditët në vazhdim, kur ethet e krizës janë fashitur, por jo shuar kurrsesi, por kur kanë mbërritur ekspertë ndërkombëtarë, për të arritur një dalje nga kriza, këta tregues negativë të grevës duhen vënë përballë atyre që i quajta treguesit e saj pozitivë, në mënyrë që të mund të arrihet jo vetëm zgjidhja më e mirë e mundshme për momentin, por edhe ndërtimi i politikave afatgjata dhe largpamëse. (Panorama, 28 maj 2010)

Read More......

Friday, May 28, 2010

Ndërkombëtarët si nënë e babë

Besoj se pakkush e vë në dyshim se e gjithë skenografia e grevës dhe e aksionit politik të opozitës rreth kësaj greve ishte drejtuar kryesisht për nga ndërkombëtarët. Edhe vend-ndodhja e grevës edhe grumbullimi i manifestantëve në numër sa më të madh, vëmendjen e tyre synonte më së pari, t’u tregonte se ata kanë një ushtri të madhe protestuesish që duhet respektuar. Edhe kërcënimet për përshkallëzimin me ngjarje të dhunshme që u shfaqen e u zhduken në tribunën e grevës synonin të krijonin, më në fund, një situatë që të kërkohej ndërhyrja e tyre. Edhe kundërpërgjigjet e Berishës me manifestantë e mbështetës, si dhe me durimin e tij ndaj sfiduesve që i rrinin poshtë dritares, kryesisht atyre u drejtohej. Madje madje, meqenëse tërheqja e ndërkombëtarëve në politikën tonë është një zakon i hershëm i paskomunizmit tonë, pakkush e ka vënë në dyshim apo parë me sy kritik këtë lloj teatri politik.
Ndërkaq do të thosha se ka ekzistuar një kontradiktë themelore midis këtij teatri, që synonte t’u tregonte ndërkombëtarëve se sa keq janë punët tek ne dhe kërkesës së artikuluar shpesh herë këto kohët e fundit nga opozita që ata të zbatojnë, kur gjykojnë Shqipërinë dhe veçanërisht punën e votës së lirë, të njëjtat standarde që kërkojnë për veten e tyre. Kontradikta qëndron në atë se vetë fakti që kjo kërkesë u drejtohej/t atyre, që të ndërhyjnë, pra, që në Shqipëri të zbatohen standardet evropiane provon se ne nuk i kemi arritur këto standarde. Sikur ne të kishim standarde evropiane, nuk do të kishim nevojë për ndërkombëtarët si arbitër dhe fakti që kërkojmë ndërkombëtarët si arbitër tregon se nuk i kemi këto standarde. Nuk ka matës më të mirë për të gjykuar papjekurimin e demokracisë në Shqipëri sesa niveli i thirrjeve që u janë drejtuar ndërkombëtarëve për të ndërhyrë si nëna e baba ynë në këtë konflikt që po kulmon me ndërprerjen e papritur të grevës, në një kohë kur po grumbulloheshin forca të freskëta grevistësh dhe takimin e Berishës me Ramën në Strasburg për një “darkë pune”. Dhe s’ka dyshim se të dhënat e këtij matësi, që është sot e kësaj dite në veprim e sipër, janë diskredituese për klasën tonë politike dhe për foshnjërinë e institucionet tona, ku përfshihet edhe kjo opozitë që ka qeverisur për tetë vjet e që sot ka shumicën e pushteti lokal në dorë.
Nuk mohohet se shqiptarët gjatë gjithë kësaj kohe kanë vuajtur ngulshëm gjuhën “e paqartë” të ndërkombëtarëve lidhur me këtë konflikt. Me kë janë; ata duhet të shprehen qartë se cili është fajtori – thonin njerëzit shpesh edhe nga pozita të kundërta me njëri tjetrin – pse nuk shprehen? Sipas meje, ndërkombëtarët nuk e kanë mbajtur dhe nuk e mbajnë këtë qëndrim të qartë e të prerë, siç e kanë dashur dhe e duan shqiptarët, për disa arsye:
Së pari, pasi ata nuk kanë tagër ligjor për këtë. Shqipëria është një vend sovran dhe për fatet e një vendi sovran duhet të vendosin shqiptarët, me fjalë të tjera arbitrat shqiptarë, institucionet shqiptare dhe jo ata. Në një farë kuptimi qëndrimi i tyre “i paqartë” është edhe një thirrje për t’u rritur; bën pjesë në procesin e ndihmës e shoqërimit të Shqipërisë në arritjen e standardeve të botës ku aspiron të bëjë pjesë, por edhe një vënie në dukje se këta nuk janë arritur ende.
Së dyti, sepse duke parë përgjegjësitë e kësaj krize, ata gjykojnë se nuk mund të akuzojnë ekskluzivisht vetëm njërën palë, ndonëse, sipas meje, kanë dhënë disa sinjale të qarta se janë kundër përshkallëzimeve me bojkot dhe grevë që kanë bërë socialistët.
Së treti, ndërkombëtarët nuk kanë ndërhyrë prerazi edhe pse janë të ndarë mes veti. Nuk ka një ndërkombëtar të vetëm, por shumë ndërkombëtarë, varësisht nga përkatësia e majtë apo e djathtë, apo vendet të cilëve ata u përkasin e interesave që kanë në Shqipëri.
Por prap, ndërkohë që, me një anë, politikanët tanë vazhdojnë të sillen me ndërkombëtarët sikur të kërkojnë dashurinë e pakushtëzuar të mamasë, si e vetmja që vazhdon të të dojë çfarëdo që të bësh, pasi të sheh gjithmonë si fëmijën e saj të vogël, njerëzit, me anë tjetër, ngulmojnë që ndërkombëtarët të bëjnë babain pajtues apo ndëshkues. Kur do të ndërhyjnë ndërkombëtarët, ka qenë pyetja që kanë shtruar njerëzit gjithnjë e më mosbesues se politika shqiptare do të mund të jetë në gjendje ta kapërcejë këtë krizë që ka gjeneruar. (Pa e mohuar se përparim kemi bërë, pasi zorr të gjesh sot nga ata që të kërkojnë ndërhyrjen e tyre ushtarake, siç ndodhi më 1997). Dhe më në fund, ata duket se ndërhynë: e bindën Ramën të tërheqë njerëzit nga greva dhe Berishën të takohet me të në Strasburg për një marrëveshje. Por prap, sipas meje, qëndrimi i tyre do të mbetet “i paqartë”.
Sipas gjykimit tim, ndërkombëtarët mund të ndërhynin qartazi vetëm në rastin kur njëra nga palët do të shkelte në dërrasë të kalbur. Me këtë kam parasysh, për shembull, atë që ndodhi më 1998, kur Berisha dhe të tijët sulmuan Kryeministrinë dhe detyruan Kryeministrin e atëhershëm Nano të arratisej në Maqedoni. Shkelje në dërrasë të kalbur do të ishte edhe një dhunë policore nga ana e Pushtetit Qendror kundër protestuesve. Për fat të mirë, këto gjëra nuk ndodhën dhe nuk duket se kanë gjasa të ndodhin, jo vetëm pse shqiptarët janë pjekur sadokudo - dhe kjo është për t’u quajtur përparim në rrugën tonë të gjatë drejt demokracisë - por ndoshta edhe për shkak të sjelljes dhe gjuhës “së paqartë” të ndërkombëtarëve.
Në këto kushte gjykoj se takimi i Berishës me Ramën në Starsburg për të bërë një marrëveshje politike është një rrugëdalje për Ramën, që nuk i bindi dot ndërkombëtarët të mbajnë anën e tij, një lëshim i pamjaftueshëm që u bën Berisha këtyre dhe një lehtësim për ndërkombëtarët, por edhe provë e foshnjërisë së institucioneve në Shqipëri. Dhe përderisa institucionet i kemi në këtë gjendje foshnjërie pak shpresa ka që të kemi ndonjë zgjidhje të qëndrueshme. Gjykoj se më shumë kemi të bëjmë me një ulje të etheve të krizës, por strategjia e opozitës do të vazhdojë të jetë mbajtja e vendit në krizë politike nëpërmjet formave të tjera të protestës; ajo e maxhorancës durimi deri në fashitjen e këtyre protestave si kësaj here, kurse ajo e ndërkombëtarëve thirrja për dialog e bashkëpunim në të mirë të interesave të vendit dhe jo të pushtetit të palëve. Shqiptarët do ta paguajnë këtë, por ndoshta ky është çmimi i paevitueshëm i daljes nga faza foshnjore e demokracisë. (Panorama, 20 maj 2010)

Read More......

Sunday, May 16, 2010

Pasioni i debateve dhe debati i pasioneve

Duhet thënë se për fat të mirë deri ditët e fundit konflikti i provokuar nga greva e urisë ka qenë një konflikt pasionesh pa shkaktuar dhunë fizike dhe pa infektuar pjesën më të madhe të shoqërisë me ndjenja destruktiviteti. Një nga arsyet e këtij kapsulimi mendoj se është fakti se njerëzit janë të lodhur, nuk kanë besim tek forcat politike dhe fjala e tyre, si dhe, padyshim, prezenca gjithmonë autoritare e ndërkombëtarëve, që janë kundër përshkallëzimit të konfliktualitetit në dhunë. Por ama nuk përjashtohet që ky lloj kapsulimi të shpërthejë në konflikt, dhunë e destruktivitet, siç po duket ditët e fundit. Gjykoj se për këtë ndikimin kryesor e ka gjuha e përdorur e cila, siç e ka provuar tashmë historia, duke qenë mjet i fortë ndikimi, mund të bëhet fare lehtë paradhoma e dhunës fizike. Dhe nuk do shumë për të kuptuar se retorika e përdorur nga palët synon nxitjen e pasioneve iracionale të pjesës më agresive të militantëve, çka po sjell dhe largimin gjithnjë e më të madh të mundësisë së dialogut aq të kërkuar nga njerëzit që e vështrojnë së jashtmi këtë konflikt, duke pasur parasysh interesat e tërë shqiptarëve sot dhe nesër.
Para së gjithash më duhet të rithem se, sipas meje, mjeti i parë nxitës që po e kalon gjendjen në iracionalitet është vetë greva. Ndërkohë që mund të jesh dakord me shumë nga kritikat e opozitës, ky mjet i përdorur dhe mënyra se si po përdoret denoncon në një farë mënyrë edhe synimin e vërtetë të opozitës, që nuk është zgjidhja e problemit të votës së lirë, siç pretendon, por nxitja e konfliktit dhe destabilizimit për të arritur përmbysjen e Qeverisë. Historikisht grevat e urisë janë mjete denoncimi e proteste të të dobëtëve që nuk kanë mjete të tjera. Greva e fundit për të cilën kam dëgjuar të flitet është ajo e të burgosurve politikë në Kubë p.sh. Kurse PS dhe aleatët e saj janë larg së qeni të dobët dhe pa mjete. Janë një parti që ka pothuajse gjysmën e Parlamentit, me pushtetin lokal më të madh në duart e saj, me fuqi financiare dhe me mediatike ndoshta edhe më të madhe sesa vetë maxhoranca. Edhe përdorimi i grevës për të kaluar në bllokime rrugësh e ndeshjeje me policinë tregon se greva po përdoret si mjet nxitjeje konflikti të atij që mendon se është më i fortë dhe jo si mjet paqësor proteste i të dobëtit që s’ka mjete të tjera.
Thënë kjo mendoj se edhe retorikat e përdorura gjatë këtij konflikti janë shumë të rëndësishme në rritjen e konfliktualitetit dhe në këtë kontekst nuk do shumë mend për të kuptuar se edhe maxhoranca, megjithëse duket e vendosur të mos i përgjigjet dhunës me dhunë, po shfaq iracionalitetin e saj në retorikat që po përdor, duke e ndihmuar jo pak përshkallëzimin e konfliktit drejt iracionalitetit.
Ky shkrim synon të dekonstruktojë disa elemente të retorikës politike të përdorur nga opozita dhe maxhoranca, me synim kthimin në racionalitet të palëve në konflikt, çka është edhe premisa e parë për dialog.
Le të ve në dukje disa nga retorikat e opozitës dhe maxhorancës, që synojnë të përshkallëzojnë emocionet e të bëjnë njerëzit të humbasin racionalitetin?
Së pari, kur opozita deklaron se përgjegjës për këtë gjendje është vetëm një njeri, Sali Berisha, nuk do shumë për të kuptuar se kemi të bëjmë me një teknikë propagandistike, që synon të përqendrojë urrejtje dhe emocione negative ndaj simbolit të kundërshtarit, por jo të kërkojë dialog dhe rrugëzgjidhje racionale me një parti që ka shumë mbështetës dhe shumë anëtarë e që, për më tepër, do të mbetet përsëri në Shqipëri edhe pasi të mbarojë ky konflikt.
Së dyti, opozita abuzon me krizën ekonomike që po përjetojnë një pjesë jo e vogël e shqiptarëve, kur ia vesh thjesht e vetëm Qeverisë dhe Berishës. Për çdo mendje sadopak racionale që ka ndjekur e ndjek zhvillimet ekonomike të Shqipërisë është e qartë se kriza ekonomike ka rrënjë shumë më të thella dhe përgjegjësi shumë më të gjera, prandaj t’u premtosh njerëzve se do t’u zgjidhësh krizën po të hidhen në luftë për jetë a vdekje për ty është një spekulim dhe manipulim me emocionet dhe nevojat e tyre.
Së treti, abuzohet me fjalën transparencë me hapjen e kutive kur thuhet se me hapjen e kutive do të marrë fund problemi i votës së lirë të shqiptarëve. Të gjithë e dinë (e këtu kam parasysh edhe mjaft nga ata pasunarë që janë sot në grevë e shumë të tjerë që i mbështesin ata) se është vjedhja e pasurive të shqiptarëve që ka krijuar vjedhjen e votës nga të dy palët dhe se të premtosh se mund të ketë votë të lirë me këtë sistem grabitjeje të shqiptarëve të ngritur nga ata është vetëm spekulim për të paditurit dhe të painformuarit.
Së katërti, është krejtësisht emocional dhe abuziv premtimi se kjo grevë, që sipas të thënave dhe të mosthënave të opozitës do të sjellë rrëzimin e Qeverisë, do të sjellë shpëtimin përfundimtar, pra a thua se me këtë do të zgjidhen të gjitha problemet e shqiptarëve. Tashmë historia ka provuar se nuk ka “luftëra finale” dhe as “ja vdekje, ja liri” por lufëtra të përditshme për më shumë liri dhe më shumë demokraci. Historia ua ka provuar tashmë shqiptarëve se në emër të luftës finale janë bërë shumë krime.
E njëjta situatë, thuajse simetrike, iracionaliteti vihet re edhe në retorikat e maxhorancës. Një mendje racionale nuk mund të jetë kurrsesi dakord me disa nga shtyllat e retorikës së reagimit të PD ndaj aksionit dhe retorikës opozitare.
Së pari, ashtu sikurse me Berishën, në krahun tjetër nuk mund t’i vihet faji i gjithë këtij konfliktualiteti një njeriu të vetëm, Edi Ramës. Deliret dhe etja e tij për pushtet nuk mjaftojnë për të shpjeguar këtë krizë. Ajo është rezultat i një kompleksiteti gjërash që duhen analizuar me hollësi dhe transparencë nga maxhoranca. Ndër këto janë edhe kusuret që e veshin me përgjegjësi maxhorancën në shumë aspekte për të cilat ajo duhet të reflektojë, duke filluar që nga kodi zgjedhor i mbrapshtë që aprovoi, përdorimi selektiv që i ka bërë ligjit për të dobësuar kundërshtarët e deri tek mjaft politika klienteliste e korruptive, që kanë nxjerrë në rrugë me ndjenjë revolte dhe padrejtësie jo pak njerëz.
Së dyti, vërtet nga njëra anë nuk është e drejtë të thuhet se kriza ekonomike buron thjesht e vetëm nga qeverisja e PD, por nga ana tjetër, është iracionale të thuhet se nuk ka krizë, por ka lulëzim, siç shprehet Berisha. Për hir të së vërtetës Kryeministri ndonjëherë e thotë se ende ka shumë për të bërë, se jemi përsëri të varfër, por gjithsesi ai e mohon thuajse kategorikisht një situatë krize ekonomike, ndërkohë që në fakt, ka shumë tregues që flasin se ajo ekziston dhe kërkon reflektim shumë serioz e shumë bashkëpunues për rrugëdaljet prej saj.
Së treti, një nga teknikat e manipulimit të emocioneve që përdor maxhoranca duke e polarizuar edhe më situatën është akuza se kjo që po bëjnë socialistët vjen ngase bijtë e ish-komunistëve duan të marrin pushtetin me dhunë si baballarët e tyre. Në përgjithësi retorika e fajësimit të bijve për krimet e baballarëve synon një prapaprojektim të situatës së sotme në kujtimet e së djeshmes, pra të nxisë ndjenjat e urrejtjes për të djeshmen të një pjese jo to vogël të shoqërisë, duke i bërë ta përjetojnë situatën e sotme si kërcënim për kthimin e së djeshmes. Edhe kjo retorikë kërkon të prekë vetëm emocione. E vërteta është se marrjen e pushtetit me dhunë dhe destabilizim ne e kemi trashëguar të gjithë, si shqiptarë, nga komunizmi e më herët, duke filluar që nga Zogu e Noli. Me destabilizim dhe dhunë e greva e mori edhe PD-ja në 1992, një vit pasi kishte humbur zgjedhjet. Me destabilizim dhe dhunë e mori edhe PS-ja në 1997. Me destabilizim dhe dhunë tentoi ta rimerrte edhe PD-ja më 1998. Dhe, po ashtu, nëse do të kërkosh rrënjët e përkatësisë së liderëve të të dy partive do të gjesh ish-komunistë në të dyja anët, duke filluar që nga Sali Berisha. Prandaj edhe kjo retorikë synon të prekë emocione dhe është jashtë racionalitetit.
Edhe politikat e antimitingjeve të organizuara nga maxhoranca, që synojnë të rreshtojnë njerëzit në kampe, po e rrisin polarizimin dhe konfliktualitetin.
Pra, ndërkohë që vendi ka kaq shumë nevojë për pasionin e debatit të arsyeshëm për të gjetur rrugëzgjidhje, tek ne po ndizet ditë e përditë debati i pasioneve. Dhe ky nuk mund veçse të gjenerojë konflikt dhe dhunë, pasi “debati” i pasioneve, për nga vetë natyra e këtyre, nuk gjeneron arsye, por dashuri, urrejtje e rreshtime emocionale që bëhen gjithnjë e më syverbra kur nuk ndriçohen nga arsyeja.
Gjykoj se është imperative të fashiten retorikat polarizuese të të vërtetave manipulative të pasioneve e të kërkohen të vërtetat e pakundërshtueshme nga arsyeja e shëndoshë e të dy palëve.
E ndër këto të vërteta do të veçoja disa, të tilla si:
Së pari, se transparenca që kërkohet nuk është e lidhur thjesht me hapjen e kutive, por me tërë sistemin elektoral e jo vetëm me këtë, por me tërë sistemin e korrupsionit që ka çuar në vjedhjen e votës e se, prandaj, kërkesa për votën e lirë nuk mund të ndahet nga kërkesa për transparencën e financimeve të partive dhe transparencën e pasurimit të politikanëve tanë.
Së dyti, se përgjegjës për këtë që po ndodh nuk janë Sali Berisha dhe Edi Rama, por edhe të tjerë rreth e rrotull, që kanë edhe ata përgjegjësitë e tyre për mirë apo për keq, e se do të ishte një kthim prapa qoftë edhe sikur zgjidhja të arrihej nga ulja në tryezë e këtyre të dyve pa përfillur institucionet që duhet të kontrollojnë këta dhe partitë e tyre.
Së treti: vendi ka krizë ekonomike, por kjo krizë nuk është thjesht për shkak të Qeverisë, por për shkak politikash të gabuara për të cilat janë të dy palët përgjegjës dhe pikërisht për këtë, duhet të mos e përshkallëzojnë edhe më këtë krizë ekonomike me një konfliktualitet shkatërrues edhe për ekonominë e mbetur më këmbë.
Së katërti, se kjo që po ndodh nuk është një ripërsëritje e luftës midis ish-bllokmenëve dhe antikomunistëve, por një situatë e re në një kontekst të ri ekonomik, social dhe gjeneracional, ku ashpërsia më e madhe nuk vjen as nga ndarja ideologjike dhe as nga ajo e përkatësisë familjare, por nga konflikti i interesave të lidhur ngushtë me pushtetin, nga një sistem ekonomiko-politik i bazuar mbi abuzimin dhe vjedhjen, që sjell pastaj edhe vjedhjen e votës.
Gjykoj se kjo krizë i ka bërë problemet e këtyre të vërtetave e të të tjerave si këto edhe më evidente dhe se, prandaj, nuk është ende tepër vonë për të thënë se kjo krizë na ka bërë edhe mirë sikur palët të kërkojnë të ballafaqohen me to me rrugë racionale. Përndryshe do të jetë tepër vonë. (Panorama, 14 maj 2010)

Read More......

Tuesday, May 11, 2010

Simbolika e grevës

Duke dalë me makinë nga rrugica e ngushtë e pallatit ku banoj, që po bëhet ditë për ditë më e ngushtë për shkak të parkimeve anës saj ...vura re se në rrugicë, përbri murit të një kafe – bari, pronari kishte vënë disa hekura të freskët bllokues dhe sipër një tabelë ku shkruhej me gërma kapitale: “parkim për lokalin”. Shkurt kishte bërë atë që e kemi parë gjithandej gjatë kësaj periudhe: kishte rrëmbyer një copë hapësire publike (rruge) dhe e kishte “privatizuar” për hesapin e vet; çka ndryshe i thonë: i forti vë gardhin kurse ai që e pëson s’guxon t’i kundërvihet sepse - thotë vetmevete - ky duhet të jetë ndonjë me të cilin të gjen belaja, o pse është i marrë, o pse është i lidhur me mujsharët e pushtetit lokal a qendror.
Dola i revoltuar nga rrugica e ngushtë për në rrugën e gjerë që të çon në bulevardin e madh, por aty mu amplifikua kjo ndjenjë duke parë se për të shkuar atje ku kisha destinacionin më duhet të bëja një rreth të madh të panevojshëm sepse atje nga ku duhet të kaloja një grup shumë më i madh mujsharësh ka vendosur disa çadra dhe e ka shpallur rrugën vendin e vet, ku do të bëjë protestën e vet kundër Qeverisë deri në përmbysjen e saj.
Kam dëgjuar këto ditë shumë njerëz, edhe nga ata të urtë që nuk janë dakort me grevën, madje edhe liderët në pushtet si Berisha dhe Meta, që e fillojnë komentin e tyre për këtë grevë duke thënë: “kam respekt për aktin e tyre të vetsakrifikimit por…”. Mua më duket hipokrizi kjo retorikë sepse nuk kam respekt për atë që po ndodh. Para të gjithash duhet të them se kjo grevë, nga mënyra se si është organizuar, në fakt duke imituar edhe greva të tjera, nuk mund të reduktohet në njerëzit që kanë vendosur të mos hanë. Ata janë vetëm njëra pjesë e grevës. Pjesa tjetër është okupimi i bulevardit me çadrat edhe tribunat e vendosura atje, oratorët jashtë grevës që mbajnë vazhdimisht fjalime lufte; njerëzit që vijnë nga rrethet të protestojnë; media dhe gazetarë që rrinë non stop jo thjesht për të pasqyruar ngjarjen, por edhe për të gjeneruar ngjarje. Duke pasur parasysh gjithë këtë, kjo grevë më shumë sesa vetsakrifikim pasiv që duhet të flasë vetë jep mesazhet e një dhune mjaft aktive, kurse të ngujuarit i shoh si pjesë e nxitjes emocionale të turmës për të bërë që kjo të humbasë më në fund durimin dhe të kalohet, kësisoj, në akte dhune e destabilizimi. Në këtë kontekst, fakti që organizatorët e grevës i kanë vendosur përdhunisht, pa kërkuar leje, duke shkelur ligjin, çadrat atje në mes të rrugës ku duhet të kalojnë të gjithë qytetarët e Tiranës më shëmbëllen me aktin e dhunshëm të atij pronarit të lokalit që zapton pjesën publike dhe e bën të tijën pa leje dhe pa ligj.
Kuptohet, nuk e kam fjalën thjesht për bezdinë e qarkullimit. E kam fjalën për atë se kjo sjellje flet shumë për atë se si e shohin raportin me qytetarin e thjeshtë dhe me ligjin ata që pretendojnë se po luftojnë në emër të tyre. Le të shpjegohem: ka shumë shqiptarë, ku bëj pjesë dhe vetë, që janë të pakënaqur me Qeverinë sa s’ka më, por që nga ana tjetër nuk kanë besim se kjo grevë po bëhet për të mirën e tyre. Për këtë u mjafton vetëm pak kujtesë apo edhe pa kujtesë fare: mjaft të shohin një kilometër më përtej se si Kryetari i grevistëve po shkel me katër këmbët disa ligje duke shpërfytyruar sheshin “Skënderbej” dhe lulishten prapa monumentit. Ka po ashtu shumë nga ata që mendojnë se kjo grevë vetëm mund t’i përkeqësojë problemet e mëdha që ka vendi dhe jo t’i lehtësojë. Ka të tjerë që janë të lëkundur dhe plot kontradikta në vlerësimet e tyre. Ka pastaj nga ata që janë simpatizantë apo edhe militantë të PD-së që këtë grevë e shohin me armiqësi. Sipas mendimit tim, këta të gjithë së bashku janë shumica e shqiptarëve. Cili është mesazhi që i japin grevistët kësaj kategorie qytetarësh, duke u zaptuar rrugën ku duhet të kalojnë pa pyetur as për ligj dhe as për respekt për ta?
Nga këndvështrimi i kategorisë së qytetarëve ku bëj pjesë, skenografia e grevës, ku në një anë shoh ndërtesa publike të okupuara nga maxhoranca kurse më anën tjetër një shesh publik të zaptuar nga opozita, pa fije rrugëkalimi për qytetarët mes tyre, e shoh si një shprehje simbolike të dramës që kemi njëzet vjet që e përjetojmë: ndeshjen, pa respekt për qytetarin dhe ligjin, të dy forcave që nuk njohin asnjë pushtet tjetër përveç të vetvetes.
Dëgjova Erion Velinë të fliste si levend ditën e tretë të grevës për të na shpjeguar se, përsa i përket bllokimit të rrugës, duhet të kujtonim atë gjykatësin në SHBA, i cili u dha të drejtë marshuesve të Martin Luter Kingut. Mirëpo ky harroi se paska pasur një gjykatës i cili u paska dhënë të drejtë marshuesve. Kurse problemi i këtyre grevistëve është se kërkojnë të bëjnë edhe gjykatësin vetë, pasi pretendojnë se gjykatësi është instrument i kundërshtarit të tyre, madje as pa tentuar ta provojnë këtë.
Kësisoj një qytetari që shtron pyetjen: cilit institucion duhet t’i drejtohem për të kërkuar të drejtën që të mos më bllokohet rruga, përgjigja që do t’i vijë nga grevistët që pretendojnë të marrin pushtetin nesër, është: ti e kërkon këtë sepse je pjesë e llogores tjetër. Përgjigja nga Qeveria e maxhorancës që në fakt duhet të jetë edhe qeveria e qytetarëve që nuk e kanë votuar është mosndërhyrja sepse edhe ajo i është nënshtruar gjithmonë lojës së forcës dhe në këtë rast, në këtë lojë force, i leverdis më shumë të mos ndërhyjë sesa të ndërhyjë. Dhe kështu ky lloj qytetari që e përsëris është shumica, por edhe sikur të jetë një pakicë, prap është për t’u respektuar, mbetet pa shtetin e vet. Kushdo që kërkon rrugën të lirë sepse është e drejta e tij, ashtu sikurse është e drejta e tij të mos votojë asnjërën nga këto parti, apo t’i konsiderojë të dyja pjesë të së njëjtës lojë për pushtet, duket sikur të mos ketë më vend në këtë shoqëri.
Në thelbin e vet skenografia e grevës, ajo e bllokimit të bulevardit mu midis Kryeministrisë dhe Kryesisë së Kuvendit, jep mesazhin se në këtë vend është më i forti ai që bën vetë zotin dhe vetë shkopin e jo ligji që siguron edhe ndarjen dhe balancimin e pushteteve në mënyrë të tillë, që askush të mos mund të guxojë të bëjë vetë edhe denoncuesin, edhe prokurorin edhe gjykatësin. Nga përvoja e deritanishme, di të them se ky mesazh veçse e dobëson shtetin dhe thellon mungesën e transparencës jo vetëm të votës, por dhe të asaj se si na janë vjedhur e vidhen paratë.
Besoj se jo rastësisht në këtë kohë kanë lulëzuar edhe më shumë raste si ai i atij pronarit të kafe barit në rrugicën time, që ka zaptuar një copë rrugë për të parkuar makinën e vet. (Panorama, 11 maj 2010)

Read More......