Friday, June 25, 2010

Futbolli dhe politika si llotosport

Lexova para disa ditësh shkrimin e Besnik Disdarit “Përse kam frikë të shkruaj për Kampionatin Botëror”. Nuk mund veçse të solidarizohem me ndjenjën e dhimbjes së gazetarit, që si pakkush e njeh sportin botëror dhe kombëtar, kur konstaton se ndërkohë që mediat tona kanë një hipertrofizim grotesk në paraqitjen e Kampionatit Botëror të futbollit nuk thuhet një fjalë për sportin tonë, për Kampionatin e Atletikës që sapo u zhvillua etj.. Por nuk mund edhe të mos ngre pyetjen: pse po ndodh kështu? Çfarë po ndodh në shoqërinë shqiptare? Pse kur futbolli ynë është në mjerim ne kemi emisione që ndjekin e komentojnë Kampionatin Botëror, disa herë më shumë sa edhe vetë vendet pjesëmarrëse?
Gjykoj se kemi të bëjmë me një tjetërsim të sportit si shprehje të një tjetërsimi shumë më të gjerë të njeriut shqiptar në tërësi. Çfarë është sporti në thelbin e vet? Sporti në thelbin e vet është një formë edukimi fizik e mendor më së pari, është një formë shoqërizimi e rinisë, edukimi të shpirtit të skuadrës, është një formë krijimtarie, është një formë argëtimi po ashtu, çlirimi të energjisë në mënyrë pozitive. Pra sporti i vërtetë nuk është thjesht një punë spektakli apo mall konsumi ku një numër i vogël bëjnë aktorin në skenë dhe paguhen për këtë kurse të tjerët spektatorin dhe paguajnë për këtë. Sporti i vërtetë është një edukim i shumicës ku ata që kanë më talent apo më pasion, pastaj, veçohen arrijnë e dalin në skenë, por dalin pikërisht sepse ekziston i gjithë ky edukim sportiv. Dhe vetëm ata që e kanë jetuar e ushtruar sportin kësisoj nesër mund të jenë edhe sportistë edhe spektatorë e tifozë të mirë.
Kurse në rastin në fjalë kemi të bëjmë me tjetërsimin e futbollit në spektakël konsumi dhe më keq akoma, bixhozi. Është evidente se “spektakli” ynë futbollistik tenton të imitojë atë perëndimor, veçanërisht atë italian. Nuk mund të mos vihet në dukje se fenomeni i tjetërsimit të futbollit në spektakël me yje e superyje me të cilët, nëpërmjet mediave, merremi jo vetëm me ç’ka bëjnë në fushë, por edhe se çka bëjnë në jetën private, se me kë martohen e me kë ndahen, se çfarë veshin e çfarë hanë etj. është një fenomen që na është induktuar nga shoqëria perëndimore e konsumit. Edhe llotosporti po ashtu. Por, le të vëmë në dukje diferencat e mëdha. Së pari, në Perëndim ky është një fenomen i parë gjithë ditën me sy kritik nga pjesa më e mençur e më e ditur e shoqërisë. Së dyti, kush ka pasur mundësi ta jetojë Italinë dhe Perëndimin jo thjesht nga ekranet televizive apo dhomat e hoteleve turisike ka pasur rastin të shohë edhe numrin e pafund të shesheve të lojërave e të fushave të futbollit, në shkolla e jashtë tyre, ku njerëzit merren me sport në kuptimin primar që i dhashë atij. Së treti, vërtet edhe në Itali ka abuzim me kohën televizive në televizionet që transmetojnë kampionatin, por ky kurrsesi nuk arrin nivelin e lavazhit të trurit që bëjnë mediat tona dhe, për më tepër, kurrsesi nuk arrin skizofreninë që na krijojnë mediat tona në kuptimin e ndarjes nga realiteti sepse, një vend si Italia, tek e fundit, është kampionia e botës në fuqi, është katër herë kampione e botës dhe dy herë finaliste, dhe po ashtu futbolli në Itali është gjithsesi, një industri e madhe fitimi, kurse tek ne thuajse nuk ekziston si realitet jashtë ekranit. Tek ne ekziston vetëm trushpëlarja, nëpërmjet ekranit, me futbollin ndërkombëtar. Dhe në degradimin që sjell kjo trushpëlarje nuk mund të mos bjerë në sy jo vetëm se njerëzit kanë gjithnjë e më pak kulturë sportive për ta shijuar e komentuar futbollin, por edhe se gjithnjë e më pak gjen atë që mund të quhet tifozëri në kuptimin e lidhjes me një skuadër për shkak të vlerave që ajo parqet apo të shijeve personale; pasi gjithnjë e më i madh po bëhet numri i atyre që i ndjekin ndeshjet e sportit në të famshmet bare llotosporti ku “tifozllëku” nuk lidhet as me filan skuadër as me filan lojtar, por me bastin që kanë vënë. Dhe më e tmerrshmja është se pothuajse në të gjitha emisionet e shumta të organizuara nga kanalet e ndryshme televizive jepet kuotat e basteve dhe bëhen thirrje që të vihen baste.
Në thelbin e vet kemi të bëjmë, pra, me një nga shprehjet e asaj katandisjes së njeriut shqiptar në një qenie që thuajse nuk ka emocione të tjera në jetë, përveç atyre që i jep paraja e fituar lehtë pa punë dhe pa djersë dhe të shpenzuara po kaq lehtë.
Ka kohë që kjo gjendje shpirtërore e kulturore është për të vënë alarmin, por cilës kambanë t’i biesh kur sheh se edhe politika dhe mediat promovojnë të njëjtën kulturë, se ato jo vetëm nuk i shqetëson kjo situatë, por edhe e stimulojnë. Në shkrimin “Ja na erdhi Kampionati Botëror”, duke shkruar për kthimin e politikës në spektakël, në thelb kam shkruar për të njëjtin tjetërsim si atë të futbollit. Në vend që politika të jetë një dimension i çdo qytetari nga i cili të dalin pastaj politikanët e karrierës, ajo ashtu si ky lloj futbolli, është kthyer në një grup njerëzish që japin spektakël në media kurse të tjerët në spektatorë pasivë të tyre.
Dikush do të më thotë se e ekzagjeroj, sepse ne jemi mbytur deri në fyt me politikë, madje mirë që erdhi kampionati që të çlirohemi paksa prej saj. Të kuptohemi, nuk e kam fjalën për atë se sa merremi dhe as me atë se nuk thuhen mjaft gjëra që kanë të bëjnë me problemet e vërteta të vendit: ato që lidhen me korrupsionin, votën e lirë, varfërinë, papunësinë, shkollimin e spitalet që janë për ibret etj., por se si dhe ku thuhen. Problemi është se vendi ku thuhen, mënyra se si thuhen dhe, mbi të gjitha, mungesa e punës serioze bën të qartë për këdo se politikani ynë nuk i ndjen seriozisht si probleme të vërteta të vendit dhe nuk punon seriozisht për to; se fjalët që nxjerr nga goja në spektaklet mediatike janë kthyer në daulle boshe, pa përmbajtje. Shikoni lajmin e fundit: dy partitë kryesore paguajnë shifra të majme për kompani të huaja që të bëjnë promovimin e tyre jashtë. Nuk ka rëndësi puna, pra, rëndësi ka të jesh në skenë e mundësisht të marrësh nga ndërkombëtarët ndonjë reklamë të mirë për shfaqjen, që të ndikosh me këtë mbi spektatorin tuhaf shqiptar. Janë shenja të dukshme të tjetërsimit, të spektaklizmit të politikës. Sepse puna e vërtetë nuk bëhet para kamerave, bëhet në heshtje me përqendrim dhe djersë. Ndryshimi midis një filmi të vërtetë dhe Big Brodherit është se për të bërë një film të vërtetë duhet shumë punë e mund e djersë prapa kuintave, kurse aktorët e Big Brodherit futen direkt në skenë, pasi i aprovon një juri, dhe bëhen të famshëm. Dhe për ta nuk ka rëndësi shumë se çfarë thonë në skenë, mjafton të bërtasin sa më shumë, të tërheqin vëmendjen sa më shumë, të shajnë sa më shumë në mënyrë që pjesa më e madhe e më banale e shoqërisë të ndjehet e identifikuar me ta. Kështu, edhe politikanët tanë. Ndërkaq fusha e punës së politikës nuk është ekrani, por mbi të gjitha, çfarë qëndron prapa ekranit. Nuk di të jetë ulur ndonjë grup politikanësh ndërkohë që bëhej show i madh, greva në bulevard, dhe të punonte seriozisht psh. për një Kod Zgjedhor e për propozime serioze që në Shqipëri të ketë më shumë transparencë në gjithçka që ka të bëjë me res publica (gjënë publike). Edhe kjo puna e vizave që e stërfryn maxhoranca është bërë aq e rëndësishme në mendjen e njerëzve për hir të këtij spektakli, sepse heqja e vizave nuk është më e rëndësishme sesa punësimi brenda vendit psh..
Ndërkaq prapa kësaj paranoje mediatike vetëm një gjë reale ndodh: pasurimi i një numri të vogël njerëzish dhe varfërimi i shumicës, jo vetëm material. Por edhe shpirtëror e intelektual; e njëjta që ndodh me kazinotë e llotosportit në futboll, ku fitojnë vetëm grushti i menaxherëve dhe pronarëve të llotosportit.
Sipas gjykimit tim, ky tjetërsim i njeriut shqiptar nuk është një fenomen i ri, është një formë e re e shfaqjes së një kulture të vjetër të trashëguar nga komunizmi: hipokrizia, mashtrimi, simulimi, propaganda, demagogjia vazhdojnë të jenë një mënyrë jetese në shoqërinë tonë, dmth. një kulturë ndarjeje e njeriut nga realiteti i tij, nga e vërteta; një kulturë sa e politikës që ia transmeton shoqërisë aq edhe e kundërta.
Më duket e tepërt të them se politika ndryshe do të fillojë pikërisht kur ajo nga mashtrim dhe hipokrizi mediatike të kthehet e të bëhet një punë e vërtetë, serioze, që kërkon mund e djersë dhe që si kompensim nuk të jep kënaqësinë e pushtetit e famës, as të suksesit në daljet e pareshtura nëpër ekrane, por mirënjohjen e vërtetë të njerëzve. As edhe se pa një shoqëri që bart këtë kulturë ndryshe vështirë se do të kemi një politikë kësisoj. Më duket sikur po them një gjë të vjetër sa Dhjetë Urdhëresat apo si ai mësimi i urtë që thotë “bëj një të mirë dhe hidhe në det” ndaj të cilës të gjithë qeshin me qesëndi si për një gjë ideale, që s’arrihet kurrë. Por pa u thënë këto zgjerohet hendeku i mashtrimit dhe hipokrizisë, siç e tregon edhe kjo ndarje kaq e pashembullt e futbollit e politikës në ekranin e llotosportit tonë nga realiteti i politikës e futbollit tonë. (Panorama 23 qershor 20101)

Thursday, June 17, 2010

Ja na erdhi Kampionati Botëror

Para pak kohësh, kur greva e urisë së socialistëve ishte në vazhdim e sipër, i ndodhur në një tryezë ku bisedohej se si do të shkonte fati i saj, se çfarë do të ndodhte, si do të mbyllej, kur, etj., dikush më befasoi kur tha: “ja, sa të fillojë Kampionati Botëror i Futbollit dhe s’do ketë më njeri mend për grevën” ...Pasi greva u mbyll te “Krokodili” në Bruksel, afrimin e Kampionatit Botëror e pashë të evokohet përsëri, në një nga gazetat afër maxhorancës, ku kishte një shkrim me titull pak a shumë të tillë: “Edi Rama pret Kampionatin Botëror, për t’iu harruar dështimi i grevës”.
Dhe më duhet të pohoj se këto batuta janë gjetje që godasin. Por edhe se prapa tyre qëndron një e vërtetë dramatike: ajo se politika është bërë e po bëhet dita-ditës më shumë një spektakël mediatik me të cilën njerëzit duhet të merren në kohën jashtë punës, ashtu siç merren me futbollin, për t’u mbushur me emocione dhe ndjenja tifozërie, për të vrarë pra kohën, siç i thonë, e ku politikanët janë ata që na ofrojnë në ekrane spektaklin e radhës.
Ka kohë që është kështu, madje mund të them se modelin e kemi marrë nga bota që duam të imitojmë, por doza e kthimit të politikës në spektakël sikur po shtohet dita-ditës dhe ndërkaq është pikërisht imitimi ai që e bën këtë tonin një karikaturë të Perëndimit, bashkuar me faktin se ne s’kemi asgjë tjetër përveç këtij spektakli. Në të gjithë botën ka Big Brodher, por vetëm tek ne personazhet e tyre mbushin faqet e para të gazetave. Vetëm tek ne gjen kombinime titujsh të vendosur krah për krah me të njëjtën stërmadhësi gërme e fotosh të tipit: “Albani fiton Big Brodherin, Adelës i mbetet Bjordi”/”Rama e  Berisha, peng emrat e kandidatëve për deputetë”; “Si vdiq në Gërdec baxhanaku i Berishës”/”Aurela: “Tani jam në kontakt me seksin, po mendoj martesën”. “Albani dhe Adi nga Big Brodher në listat e deputetëve”.
Duket sikur e gjithë jeta jonë është katandisur në një Big Brodher të madh, që e ndjekim nga ekrani apo shtypi ku ndërrojnë vetëm skenografitë dhe aktorët.
Duhet thënë se me grevën e urisë spektakli mediatik arriti kulmin. Në fakt hapja ose mbyllja e kutive ishte dhe mbetet një skenar i gjetur për të emocionuar e për të arritur në një pikë kulminante si greva. Merita e regjisorit Rama për këtë është e pamohueshme. Edhe vendosja e kampingut të çadrave në mes të Bulevardit, para Kryeministrisë, ishte një gjetje. Duhet thënë po ashtu se kundërpërgjigja e regjisorit Berisha, se opozita synon të pengojë shtyrjen e vizave (edhe kjo punë e vizave e hipertrofizuar për hir të spektaklit) apo se grevistët shohin nga frëngjitë e çadrave të grevës dritaret e baballarëve kriminelë në ish Komitetin Qendror me ëndrrën që të kthehen në ato zyra, e pasuroi dramacitetin e shfaqjes edhe me retrospektiva plot emocione. Darka te “Krokodili”, pastaj, u ndoq nga gjithë shqiptarët “live” e shoqëruar me komente. Gazetarët e gdhinë duke pritur se çfarë do të thuhej. Pastaj na u ofrua edhe dy javë suspens, puntata të reja, sepse u shfaq në skenë ultimatumi i ndërkombëtarëve. Analistët e krahasuan gjendjen me Rambujenë, duke na thënë se kush nuk do të firmoste do të bombardohej. Çfarë emocionesh! Dhe ja ku na erdhi Kampionati Botëror i Futbollit. Sa jam i gëzuar. E kush është si ne. Tamam kur na mbaroi adrenalina e politikës na erdhi Botërori. Për të rritur adrenalinën duhet shtuar doza. Overdozë. Futbolli është një overdozë e mirë. Të gjithë lokalet janë të mbushur me ekrane, qendrat e basteve janë plot, megjithë krizën, apo ndoshta pikërisht për shkak të krizës. Dhe më e bukura është se nuk shohim futbollistët tanë në ekrane, pasi futbolli ynë është një mjerim. Shohim futbollin e huaj. Tani jemi pjesë e një Big Brodheri gjigand, botëror. Ashtu si edhe në Itali edhe në mediat tona duket të fillojnë komentet se cili nga futbollistët është më i bukuri e cili më i shëmtuari në çdo skuadër që luan. Çfarë trushpëlarje e mrekullueshme!
Dhe s’ka pse biem në dëshpërim edhe duke imagjinuar fundin e Botërorit. Pas këtij spektakli të madh, sigurisht nuk do të vonojë edhe ai tjetri, i lojtarëve të politikës. Ata po presin sa të mbarojë Botërori, ndoshta edhe pushimet e verës për t’ua rizënë vendin e parë futbollistëve në vëmendjen e spektatorit. Tryezat e specialistëve të futbollit do t’ua lënë vendin shpejt atyre të specialistëve të politikës. Dhe gjëra edhe më të bukura e më emocionante se Greva e urisë dhe Krokodili na presin. (Panorama, 16 qershor 2010)

Tuesday, June 8, 2010

Berisha, Rama dhe ne

Gjatë kohëve të fundit, që e kanë polarizuar shoqërinë shqiptare në ekstrem, në debatet midis njerëzve kam hasur, gjithnjë e më shpesh, polemika të mbërthyera tek binomi Berisha-Rama. Ndërkohë që fanatikët, militantët e servilët e të dy palëve i kam parë të verbuar edhe më në dashuri-servilizmin për liderin e tyre karizmatik, ata më racionalët e të zhgënjyerit jo rrallë i kam parë të debatojnë edhe ata me emocione të polarizuara mbi këta dy personazhe, rreth temës se cili prej të dyve është më i rrezikshëm për demokracinë dhe lirinë, madje duke u shtyrë deri edhe në peshimet se cili ndër të dy është më delirant, paranojak, mitoman e megaloman.
Argumentet që jepen në favor të Berishës në këtë lloj polemike janë pak a shumë ato se ai është diktator, por është diktator i vjetër që ka rënë një herë nga kali dhe ka mësuar, kurse ky i PS është diktator i ri që s’ka mësuar ende nga humbja; se Berisha mund të jetë i përfshirë në korrupsion, por nuk ulet në tryeza me lloj-lloj banditësh si ky i PS; se ai bëri një koalicion më të gjerë dhe u tregua i gatshëm të bashkëpunonte me Ilir Metën kurse Rama donte me një palë zgjedhje të bëhej absolut: të mbante Bashkinë, të kapte Kryeministrinë, të eliminonte edhe Berishën, edhe Metën e liderët e partive të vogla si Gjinushi, Milo etj. Gazetarët pro Berisha u shtojnë këtyre argumenteve edhe faktin se ai, gjithsesi, nuk ka obsesionin që ka Rama për të kontrolluar mediat.
Ata që mbrojnë Ramën, edhe pse nuk ia mohojnë deliret e autoritarizmin, përqendrohen në sulmet kundër Berishës. Me etjen e tij të shfrenuar për pushtet – thonë - po merr një nga një të gjitha institucionet. Shihni ç’po bën për pushtimin e gjyqësorit, po shkatërron mediat e bizneset që nuk janë në krahun e tij, punon në mënyrë të paturpshme kur i duhet të eliminojë ose shantazhojë kundërshtarët, kurse Rama gjithsesi është më qytetar se Berisha, nuk merret me familjet e tjetrit apo me jetën private, më i azhurnuar me zhvillimet e sotme botërore dhe, megjithëse autoritar, ka afër tij njerëz më demokratë.
Duke u nisur nga fakti se Rama citoi një nga ligjëratat e Nolit kundër Zogut dhe bëri të vetën parullën se ne nuk duam të na vendoset këtu një mbretëri, u bë edhe një lloj prapaprojektimi i problemeve të sotme në vitet ‘20. Polemika shkoi deri në identifikimin e Ramës me Nolin dhe të Berishës me Zogun e te diskutimi se cili prej të dyve ishte më diktator dhe cili më pak. Duke iu referuar bojkotit e grevës së socialistëve dhe në përgjithësi luftës jashtëparlamentare të PS, u shkrua edhe për fanolizmin anakronik të Ramës duke nënkuptuar me këtë grushtin e shtetit të 1924-ës së kryer nga Noli. (Shih për këtë edhe dy shkrime të Aurel Plasarit).
Ngulmoj, siç kam bërë edhe herë tjetër, se qasja që e redukton gjithçka në antropologjinë e Berishës apo Ramës si rrezik më i madh i njërit apo i tjetrit për demokracinë është jo vetëm sempliste, por edhe e gabuar. Madje do të thosha se, ta shtrosh çështjen se njëri i vjen hakut tjetrit është bash ta shtosh rrezikun e autoritarizmit.
Nëse do të më lejohej të hiqja edhe unë një paralelizëm me vitet ‘20, kur thuhet se Noli dhe Zogu u ndeshën me njëri-tjetrin se cili do të bëhej diktatori i Shqipërisë, gjykoj se duhet të shohim më së pari diferencat e mëdha me atë kohë dhe pastaj edhe ngjashmëritë. Diferenca më e madhe qëndron në kontekstin ndërkombëtar. Po ta vëmë re hartën e Evropës së asaj kohe - e pas Luftës së Parë, e shpërbërjes së katër perandorive të mëdha austro-hungareze, otomane, ruse e gjermane dhe e lindjes së shumë shteteve të reja kombe - do të shohim se pjesa e saj me hapësira demokratike u zvogëlua shumë në favor të pjesës me shtete në krye të të cilëve u vunë diktatorë (disa prej tyre i quanin të ndritur). Mjaft të kesh parasysh se kjo ndodhi në Gjermani, Itali, Spanjë, Rusi, Turqi, por edhe në Hungari Rumani etj. Madje, madje mund të thuhet se, në këtë kontekst, të imagjinoje që një diktator i ndritur apo i pandritur të vinte në krye të shtetit të ri shqiptar ishte një gjë gati-gati normale. Po ashtu nuk duhet të harrojmë se edhe fashizmi edhe komunizmi, si ideologji që prodhuan diktatorë, ishin në periudhën e lulëzimit të tyre në atë kohë. Dhe kush është marrë seriozisht dhe thellë me ngjitjen e diktatorëve të asaj kohe nuk e ka shpjeguar këtë kurrsesi thjesht dhe vetëm me etjen për pushtet të individëve si Musolini, Hitleri, Stalini, Franko etj. por me kontekstin e ri social, politik, kulturor të shoqërive ku ata kanë mbirë.
Kurse konteksti ndërkombëtar që na rrethon sot mund, pa frikë, të konsiderohet si i përkundërt me kontekstin e viteve ’20. Sot kemi një hartë të Europës që, qysh prej rënies së Murit të Berlinit, është zgjeruar në favor të demokracive. Mjafton kaq për të kuptuar se e ardhmja e aspirantëve për diktatorë është në kundërrrymë me kohën.
Megjithatë, për t’u kthyer tek ngjashmëritë me atë kohë, “fashizmi brenda nesh” siç e quan Foucault, në forma të tjera mbetet një rrezik që kurrsesi nuk mund të konsiderohet i kapërcyer edhe në vende me demokraci të pjekur e jo më në vende që nuk kanë shumë që kanë dalë nga koha e diktatorëve absolutë. Por ndërkaq përvoja na ka mësuar se lufta kundër këtij rreziku nuk është aspak një luftë midis pak individësh më të mirë a më të këqij në krye të vendit, madje as punë shprese se po dalin liderë më demokratë apo libertarë, por një rrugë që ka të bëjë me ndryshimin e bazës prej nga dalin diktatorët. Dhe, në këtë kontekst, të shpresosh se Rama do të na shpëtojë nga rreziku Berisha ose anasjelltas është shprehje e kulturës së vjetër të “fashizmit brenda nesh”. Ngritja e këtyre individëve në rolin e liderit absolut në partitë e tyre është bash shprehje e kësaj kulture fashiste dhe, po të vazhdohet me këtë prirje, pa dyshim që nesër, me eliminimin e njërit prej të dyve, do të mbetemi edhe më të rrezikuar. Por ama edhe sikur të ikin të dy, siç kërkojnë disa, po nuk ndryshoi kultura e partive që ata drejtojnë, do të vijnë të tjerë t’i zëvendësojnë duke marrë tabiatet e tyre. Prandaj gjykoj se ndryshimi duhet të vijë nga një emancipim i bazës së partive që i kanë në krye dhe më gjerë akoma i tërë shoqërisë, nga përpjekja morale e kulturore e secilit për të refuzuar liderë si Berisha e Rama si mjet shpëtimi dhe për të marrë në dorë fatet tona nëpërmjet emancipimit të vetvetes dhe ndërtimit të institucioneve demokratike. Sepse, tek e fundit, këta lloj liderësh nuk janë tjetër veçse modeli i liderit që kanë sot për sot shumica e shqiptarëve në kokë dhe me sjelljen e tyre publike s’bëjnë tjetër veçse përpiqen të luajnë rolin e liderit që i pëlqen kësaj shumice.
Ja çfarë shkruante Elsa Morante për Musolinin në vitin 1945:
“Shefi i Qeverisë u njollos në mënyrë të vazhdueshme gjatë karrierës së tij me krime që, sikur të kishte pasur të bënte me një popull të ndershëm, do t’i kishte dhënë dënimin e merituar, do ta kishte njollosur me turp dhe do t’i kishte hequr çdo lloj autoriteti për të qeverisur. Po përse populli ia lejoi, madje edhe ia duartrokiti këto krime? Një pjesë për pandjeshmëri morale, një pjesë për rrufjanllëk, një pjesë për interesa dhe hesape personale. Pjesa më e madhe natyrisht i kuptonte aktivitetet e tij kriminale, por preferonte t’ia jepte votën më mirë të fortit sesa të drejtit. Për fat të keq populli italian, nëse i duhet të zgjedhë midis detyrës dhe hesapit personal, ndonëse e di se cila është detyra, zgjedh gjithmonë hesapin personal.
Kështu, ky njeri mediokër, i fryrë, me një oratori vulgare, por që krijonte efekt të shpejtë, nuk qe tjetër veçse ekzemplari perfekt i bashkëkohësve të tij. Tek një popull i ndershëm ai nuk do të kishte qenë më shumë sesa lideri i një partie të vogël, një personazh qesharak për mënyrat e tij të sjelljes, qëndrimet, manitë e madhështisë: ai do të ishte fyes për bonsensin e njerëzve e atij populli për shkak të stilit të tij enfatik dhe të paturp. Kurse në Itali u bë shefi i Qeverisë. Dhe është e vështirë të gjesh një shembull italiani më komplet. Admirues i forcës, i parasë, i korruptueshëm dhe korruptonjës, katolik pa besuar në Zot, mendjemadh, vanitoz, me një mirësi të shtirë, baba i mirë, por me shumë dashnore, përdorues i atyre që i përçmon, që e rrethon veten me njerëz të pandershëm, gënjeshtarë, të padrejtë, përfitonjës; një imitator i aftë, që mund të bëjë efekt mbi një publik vulgar, por, si çdo imitator, pa karakterin e vet, ai e imagjinon gjithmonë vetveten në rolin e personazhin që kërkon të përfaqësojë.”
Çdokush që do të lexojë këto radhë të Elsa Morantes besoj se do të bëhet disi më i qartë për atë se pa shqiptarët kështu siç janë, vështirë se do të kishte një Berishë dhe Ramë kështu siç janë dhe se, nëse duam një Berishë dhe Ramë tjetërsoj, duhet të ndërtojmë një shqiptar tjetërsoj; se vërtet shumëkush e sheh të padurueshëm njërin prej tyre varësisht nga afiliacioni, por kaq nuk mjafton, madje as sikur t’i shohësh të dy si të padurueshëm dhe jashtë skenës, pasi ai që duhet të na bëhet i padurueshëm e të dalë jashtë skenës është Berisha dhe Rama brenda nesh, në trajtën e diktatorit apo servilit të tij si dy faqe të së njëjtës medalje. (Panorama, 7 qershor 2010)