Thursday, July 15, 2010

Trashëgimia kulturore - kur mirëpasja shkatërron mirëqënien*

Këto ditë po lexoj një libër, nëntitulli i të cilit është: "si të kalojmë nga shoqëria e mirëpasjes, në atë të mirëqënies". Janë dy terma këta (mirëpasja dhe mirëqënia) që sot përdoren shpesh nga ata ekonomistë perëndimorë (ekonomistët e lumturisë i quajnë një pjesë syresh) që prej kohësh kanë ngritur çështjen se rritja e prodhimit, rritja e pasjes, nuk do të thotë automatikisht rritje e mirëqenies dhe e lumturisë, se kurba e asaj që quhet kurba e zhvillimit, e matur me prodhimin bruto (GDP) që, së paku deri tani, ka qenë në rritje dhe kurba e cilësisë së jetës nuk përkojnë; nëse në fillim kjo e dyta është ngjitur së bashku me të parën, tashmë, ndërsa GDP ka vazhduar e vazhdon të rritet cilësia e jetës ka filluar të bjerë. Dhe kjo matet jo vetëm me shkatërrimin që i ka bërë natyrës i ashtuquajturi zhvillim i mbiquajtur "i paqëndrueshëm", në armiqësi me ekosistemin, apo me polarizimin që ka krijuar ky lloj zhvillimi, por edhe me përjetimin subjektiv të individit perëndimor. Ka kohë që studimet në këtë fushë tregojnë se mirëpasja individuale gjithnjë e më shumë po bëhet instrument kompensimi i keqqënies shpirtërore të individit perëndimor. Njerëzit kërkojnë të kenë sa më shumë pasi u mungon gjithnjë e më shumë ajo që këta ekonomistë e quajnë "e mira relacionale", me fjalë të tjera e mira që buron nga dimensioni shoqëror i qenies njerëzore, Dhe kjo keqqënie në rritje dhe nevoja e kompensimit të saj, në një rreth vicioz, rrisin konsumizmin. Ne blejmë më shumë sende që të kompensojmë të mirën relacionale të munguar, pa arritur ta kompensojmë atë sepse këta sende nuk kanë shpirt, nuk na japin dot shpirtëroren që na mungon. Tema nuk është e re, ka shkruar Eric Fromi, një libër shumë të bukur lidhur me këtë: "To have or to be" (Të kesh apo të jesh).
Shoqëria jonë mund të shërbente si shembulli më grotesk i një vendi ku mirëpasja individuale është identifikuar me mirëqenien shpirtërore, ku prirja e individit shqiptar për të pasur sa më shumë për vete dhe shtëpinë e tij të vogël ka shkaktuar pasoja katastrofike në shtëpinë e tij të madhe, atje ku dhe zhvillohet ajo që ekonomistët e lumturisë e quajnë "e mira relacionale".
Gjykoj se fati i trashëgimisë kulturore është ilustrimi më domethënës i kësaj që thashë më lart. Nuk ka dyshim se trashëgimia kulturore është një nga burimet e asaj që e quajta e mira relacionale, e mira shpirtërore e njeriut. Muzeumet, qendrat e sheshet historike të qyteteve, kishat, xhamijat, por edhe shtëpitë private që kanë një histori edhe peisazhet apo parqet natyrore, edhe ajo që quhet trashëgimia kulturore e luajtshme, siç është trashëgimia muzikore etj., bëjnë pjesë në atë të përbashkët që prodhon të mira relacionale. "Çfarë është e shenjta?" - pyet Gëtja. "Ajo që bashkon shumë shpirtra", - përgjigjet. Trashëgimisë kulturore i shkon shumë ky përkufizim i së shenjtës.
Sot nuk ka më kurrkush dyshim se çfarë ka ndodhur ndaj kësaj të shenjte në Shqipërinë tonë është një masakër e vërtetë. Trashëgimia në të gjitha format e saj, të lëvizshme dhe të palëvizshme, është sulmuar me babëzinë përdhosëse të njeriut të ri të kapitalizmit shqiptar, që kujton se i mjafton të ketë mirëpasjen e tij private, që të jetë i lumtur.
Kur shtrohet pyetja se çfarë mund të bëjmë për të shpëtuar çfarë ka mbetur pa u shkatërruar, ne ballafaqohemi me mendimin se kjo është një punë kulture të mangët: këta janë shqiptarët, se, po të ishin shqiptarët të tjerë, nuk do të bëhej kjo masakër. Unë gjykoj se nuk është tamam kështu. Ndaj pyetjes: a kemi pasur ne një vetëdije për vlerat e trashëgimisë sonë kulturore, do të jepja një përgjigje kontradiktore. Do të thosha, edhe "po" edhe "jo". Për të argumentuar këtë, dua të sjell ndërmend se para dhjetë vjetësh, kur unë dhe Artan Shreli kemi shkruar librin që u përmend këtu, "Trashëgimia kulturore shqiptare në rrezik" kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, i fitoi zgjedhjet e para duke pasur në qendër të parrullave të fushatës së tij "kthimin në identitet". Kam gjithashtu parasysh edhe se në atë fushatë elektorale, kundërshtari i tij, kandidati i Partisë Demokratike, Besnik Mustafai, kishte në program ruajtjen e shtëpive të vjetra të Tiranës. A do ta kishin këta kaq të rëndësishme frymën e ruajtjes së trashëgimisë në fushatën e tyre, sikur tiranasit të ishin të pandjeshëm. Them se jo. Le të kujtojmë edhe se, kur filloi të duket sheshit ajo që quhet masakra urbane në Tiranë, Sali Berisha, atëherë në opozitë, filloi të fliste për vlerat kulturore, deri shtëpitë me qerpiç që duheshin ruajtur, çka e harroi shumë shpejt kur mori pushtetin. Prandaj them: po, ka pasur, një vetëdije për këtë trashëgimi, se përndryshe nuk do të përdoreshin këto argumente në fushata elektorale. A ka qenë kjo e mjaftueshme? Jo. Gjykoj se dëshira për mirëpasje materiale ka qenë shumë më e fortë sesa ajo për mirëqenie kulturore e shpirtërore te shqiptarët, sa për shkak të varfërisë materiale që u la komunizmi aq edhe të izolimit. Megjithatë, problemi sipas meje mund të shtrohet më drejt kështu: pse në vend të "po"-së triumfoi "jo"-ja dhe pse sot e kësaj dite, në vend që të rritet "po"-ja, po rritet "jo"-ja për të ardhur pastaj tek çështja se si të ndalojmë rritjen e mëtejshme të saj. Për të gjetur përgjigjen, duhet të ndalemi e të flasim për rolin negativ dhe përgjegjësinë e institucioneve në këtë rritje të "jo"së. Shkaku kryesor i shkatërrimit të trashëgimisë kulturore, sipas meje, nuk është mosvetëdija, por stimulimi dhe inkurajimi dhe manipulimi nga institucionet i pjesës më të keqe të vetëdijes së njerëzve. Kanë qenë institucionet që në vend se të zhvillojnë këtë vetëdije e të mbrojnë shpirtëroren që përfaqëson trashëgimia kulturore i vunë kazmën asaj e bashkë me këtë ulën edhe më nivelin e kësaj vetëdije. Dhe kjo u bë nëpërmjet kapjes së tyre nga një kategori, që ishte një pakicë e gatshme të shkatërronte çdo gjë për hir të fitimit, mirëpasjes individuale. Një pjesë e kësaj kategorie u vu direkt në krye të institucioneve, të tjerë i kapën ata indirekt nëpërmjet forcës së parasë së bardhë dhe të zezë, por ku, sipas gjykimit tim, ka dominuar paraja e zezë e ekonomisë kriminale.
Pazolini, në vitet '50, duke paralajmëruar për rrezikun e shkatërrimit të trashëgimisë kulturore italiane, nga bashkëkombasit e tij, injorantë e në kulmin e kultit të modernitetit të atyre viteve thoshte: kemi vetëm një shpëtim, varfërinë, pasi gjykonte se, me atë gjendje të italianëve dhe institucioneve të tyre, po të kishin para, ata do të shkatërronin shumëçka. Fjalët e tij sot konsiderohen profetike për vetë Perëndimin, në kuptimin e pasojave që ka shkaktuar përsa i përket trashëgimisë kulturore dhe asaj natyrore, me homologimin që ka prodhuar, moderniteti kapitalist, shoqëria e konsumit. Dhe ne s'kemi të krahasuar me Italinë. Kur ke parasysh se sa para e zezë e prodhuar nga ekonomia kriminale mafioze është derdhur në Shqipëri, për të shkatërruar dhe jo për të ndërtuar këtë vend, mund të thuash pa frikë se vendi ku profecia e Pazolinit është manifestuar në mënyrën më tragjike, është Shqipëria. Dhe për fat të keq procesi s'ka mbaruar. Të kap tmerri kur dëgjon se do të hapen rrugë se në vend të mirëqenies ato sjellin shkatërrim. Kur dëgjoja për zgjerimin e rrugës në Jug, më kapte tmerri sepse përfytyroja shkatërrimin që do t'i sillte vendit ai që na e shesin si zhvillim i turizmit. Me mbarimin e saj ju siguroj se bukuria e fshatrave të Jugut, sëbashku me vlerën e tyre kulturore e turistike, do të varroset nga çimentoja e betoni i ri që do të ngrenë rrotull këtyre perlave, por edhe brenda tyre edhe në peizazhin e virgjër të ruajtur deri më sot pasunarët e rinj me të ashtuquajturit fshatrat dhe hotelet e tyre turistike. Ja, sapo mësuam se vazhdimi i kësaj rruge në formën e një autostrade do të shkatërrojë edhe Parkun e Butrintit. Para disa ditësh bëra një udhëtim në të ashtuquajturën autostrada e Kombit. Ajo është një ilustrim, për mua, se si ideja e zhvillimit shkatërron mirëqenien e njerëzve ku kalon ky zhvillim. U tmerrova nga pandjeshmëria që është treguar ndaj shkatërrimit të peizazhit e të fshatrave anës saj. Male të tëra të gërryera që të kujtojnë peizazhin marsian, pa llogaritur pastaj se sa shtëpi e kulla të vjetra kanë përfunduar nën trasenë e saj e sa të tjera dukeshin të pikërruara në bukurinë e tyre përpara stërmadhësisë së saj homologuese. Dhe e keqja është se numri i atyre që kanë një lloj vetëdije për këtë problematikë bëhet gjithnjë e më i vogël, në krahasim me ata që i gëzohen këtij çimentifikimi e homologimi mu për shkak të triumfit të kulturës që promovojnë institucionet që marrin vendimet që këto bëma të kryhen.
Kështu, kur na lind nevoja të përcaktojmë nëse është vetëdija e kultura e dobët që na pjell të keqen që materializohet nëpërmjet institucioneve vendimmarrëse apo është kjo e keqe institucionale që gjeneron këtë vetëdije e kulturë të dobët vijmë, sipas meje, në një rreth vicioz. Është i njëjti rreth vicioz që përjetojmë edhe kur shtrojmë çështjen e mungesës së moralit në krejt sjelljen tonë në përgjithësi. Ne e dimë se nuk duhet të vjedhim se nuk duhet të bëjmë korrupsion, se nuk duhet të japim e marrim ryshfet e megjithatë e bëjmë. Nuk është thjesht çështje vetëdije kjo, por sepse kemi krijuar një sistem ku nuk jeton dot pa vjedhur, pa bërë korrupsion dhe ky sistem, pastaj, në rreth vicioz, krijon një bjerrje edhe më të madhe të vetëdijes e të moralit.
Megjithatë, vlera e kësaj tryeze organizuar nga Lamja nuk do të qëndronte aq në analizën pse erdhëm deri këtu sesa në atë se ç'mund të bëjmë për të shpëtuar, ç'mund të ketë mbetur e që mund të shpëtohet. Personalisht ndjehem në këtë takim si një ushtar i dorëzuar. Para dhjetë vjetësh, kur bëja luftë me Kryetarin e Bashkisë së Tiranës për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të Tiranës, Lamja shkroi një shkrim ku më krahasonte me atë ushtarin japonez që jetonte në xhungël dhe nuk e dinte se Lufta e Dytë kishte mbaruar dhe bënte pyetjen se ku do ta gjenin gjeneralin që t'i thoshte ushtar Lubonjës të dorëzohej. Në fakt kishte të drejtë. Lufta kishte mbaruar: e kishin fituar ushtria e mirëpasjes. Fakti që këtu nuk kanë ardhur institucionet është shenjë se ne nuk llogaritemi më si zëra në kapitull. Edhe kjo është shenjë e degradimit të vetëdijes.
Megjithatë, mendoj se ia vlen të luftohet edhe si i dorëzuar, qoftë edhe për të shpëtuar një pemë të vetme apo një shtëpi të vjetër të vetme. Fati që janë mbledhur aq njerëz këtu tregon se puna ka arritur atje ku s'mban më, se ata që pandehin se kanë fituar luftën ndoshta po vetëdijësohen se kanë fituar vetëm një betejë si të Pirros.
Gjykimi im lidhur me atë çka mund të bëjmë synon të përqendrohet tek institucionet. Pra, sipas meje, duke pasur parasysh atë që thashë më lart, duhet tentuar të ndryshohet diçka në mënyrë të atillë që të goditet rrethi vicioz i institucioneve të mbrapshta që prodhojnë kulturë të mbrapshtë dhe anasjelltas, që institucionet, pra, të mos sillen vetëm si pasqyrë e pjesës më të pandërgjegjshme të kësaj shoqërie. Propozimi që u hodh këtu, që të bëhemi palë akuzuese si shoqëri civile në ndonjë gjyq, për të mbrojtur nuk di se cilin objekt të trashëgimisë kulturore në rrezik do të ishte gjëja më e mirë që do të mund të bëhej për të rritur presionin mbi këta institucione, që ata të pasqyrojnë edhe shqetësimin tonë. Do të ishte një shembull frymëzues e inkurajues. Problemi që shoh është se me hapin e parë që do të hidhet, do të lindë përçarja: pse këta zgjodhën këtë apo atë objekt, sepse duan t'i shërbejnë Berishës apo Ramën? Kështu do të ndodhë, siç ka ndodhur që shumë individë ndryshe flasin kur janë shoqëri civile e ndryshe kur marrin pushtet. Kjo tregon se sa e rëndësishme është që shoqëria civile të mos jetë pjesë e pushtetit, të mos blihet nga pushteti, qendror apo lokal, siç ka ndodhur fatkeqësisht tek ne. Por besoj se, megjithatë, mund të gjenden raste apo të zgjidhen objekte që të na bashkojnë përtej interesave të lidhura me njërën apo tjetrën forcë politike. Jo më larg se njëqind metra në vijë të drejtë prej këtu,ku jemi mbledhur, ndodhet një nga të vetmet monumente që mund t'i tregosh ende me krenari si bukuri të këtij qytetit, Sarajet e Toptanasve, për mua më e bukura ndërtesë në mënyrë absolute e Tiranës. Ajo edhe është edhe nuk është monument kulture. Ose më saktë në letër është monument kulture, kurse në realitet është monument i injorancës së institucioneve tona sepse, po të hysh brenda, do të shohësh se ajo po rrënohet dita-ditës. Thuhet se institucionet shtetërore i pengon privatizimi, sepse ajo tashmë i është thyer pronarëve. Por, kur ke parasysh se sa pallate janë ndërtuar në këtë kryeqytet, jam i bindur se vetëm me një pjesëz shumë të vockël të taksave të marra prej tyre do të mund të ishte blerë nga shteti kjo ndërtesë e të bëhej një muze etnografie a i historisë së Tiranës, a ku di unë. Për mua ajo është lënë ashtu në degradim, pasi institucionet po punojnë që ta pushtojë ushtria e mirëpasësve për të na ndërtuar ndonjë monstër tjetër si këto që ka ndërtuar e po ndërton rreth e rrotull saj. A mund të bëjmë gjë për ta shpëtuar atë?
Dy fjalë edhe për ligjin që po hartohet mbi trashëgiminë për të cilin, nga sa kuptoj, askujt prej nesh, si përfaqësues të shoqërisë civile dhe si njerëz që kemi shfaqur interes e shqetësim publik për trashëgiminë kulturore, nuk i është marrë ndonjë mendim. Për mua edhe kjo është provë se janë institucionet që e promovojnë të keqen. Ligji i ri thuhet se do ta centralizojë vendimmarrjen lidhur me trashëgiminë kulturore. Kjo ngre çështjen e debatuar e të debatueshme centralizim - decentralizim. Për mua të dyja kanë të mirën e vet, ashtu sikurse rrezikun e vet. Varet nga konteksti. Centralizimi të krijon përshtypjen se nëpërmjet tij mund të mbrohet më mirë trashëgimia, pasi nëpër rrethe feudalët e vegjël injorantë mund të bëjnë kërdinë në mungesë të kontrollit nga lart, siç dhe ka ndodhur. Por, centralizimi mund të ketë edhe të këqija të mëdha: së pari, se po u vu një idiot apo i korruptuar në krye të institucionit qendror, ky mund të bëjë hatanë në shkallë kombëtare. Së dyti, sepse është antidemokratik sepse nuk kultivon përgjegjësinë e njerëzve në terren, të cilët, po ashtu, mund të jenë edhe më të ndjeshëm e më të kujdesshëm ndaj pasurive të tyre lokale. Në kontekstin ku ndodhemi sot vë re se maxhoranca po ka një prirje centralizuese, në funksion të forcimit të pushtetit të vet, që kam frikë se do të politizonte edhe trashëgiminë kulturore me pasoja të rënda edhe për këtë. Prandaj jam më shumë për një decentralizim, të cilit nuk do t'i mungonin mekanizmat kontrollues nga qendra përsa i përket zbatimit të ligjit e ruajtjes së atyre vlerave të trashëgimisë për nevojën e regjistrimit e klasifikimit të të cilave në nivel kombëtar, u fol me të drejtë në këtë takim.
A do të na pyesë kush edhe për këtë ligji. Kam frikë se jo apo se do të ndodhë siç ka ndodhur: individë të shoqërisë civile nuk thirren për oponencë, por si gjethe fiku për të mbuluar të keqen. Megjithatë le ta forcojmë edhe ca projekt promemorien që ka hartuar Lamja, duke e bërë sa më denoncuese dhe le t'ua nisim sa më parë institucioneve. (Panorama, 14 korrik 2010)

*Tekst i ndërtuar mbi fjalën e mbajtur në tryezën "Trashëgimia kulturore e rrezikuar", si dhe diskutimet e bisedat gjatë e pas saj (5 korrik, 2010).

Read More......

Wednesday, July 7, 2010

Autostrada Rrëshen - Mars - Kalimash


Do të pyesë lexuesi pse ky titull; ç'punë ka Marsi në këtë itinerar?  
Më në fund mu dha rasti të kaloj nëpër autostradën e famshme aq të përfolur dhe më erdhi natyrshëm ky asociacion, që pastaj, sa më shumë e mendoja, aq më i goditur më dukej.  Më erdhi nëpërmend Marsi sepse në shumë segmente të kësaj autostrade pata ndjesinë se nuk po udhëtoja në Tokën tonë, por nëpër truallin e planetit Mars, ku s'ka as gjelbërim, as pemë, as bar, por një peizazh pa jetë, vetëm me gurë minerarë apo vullkanikë në ngjyra të çuditshme. Kjo për shkak të shkatërrimit katastrofik ekologjik që ka shkaktuar ajo autostradë. Udhëtimi im zgjati deri në Fan dhe, e përsëris: ishte tronditës numri i maleve të zhveshur që më panë sytë, ku në vend të pishave dhe barit dhe bimësisë që ka ekzistuar aty, tani syri të shihte një shkreti/shëmtirë ku natyra dhe peizazhi janë vrarë në kuptimin më mizor të fjalës. E di që shumica do të qeshin me këtë vërejtje dhe do të më flasin për cilësinë e asfaltit e shpejtësinë me të cilën arrihet Kukësi. E di që një pjesë, janë edhe të sinqertë kur të flasin me entuziazëm për këtë autostradë si arritje. E di, po ashtu, që një pjesë nuk e kanë fare atë ndjenjë dhimbjeje ndaj peizazhit të vrarë edhe kur nuk janë nga ata që sytë u shohin vetëm para dhe gëzimin e udhëtimit në makina luksoze. Por, duke e ditur se edhe këta marrin si pikë referimi shpesh të huajt perëndimorë, edhe pse nuk më pëlqen kjo formë dhënieje argumentesh, po ju them se isha duke udhëtuar edhe me një të huaj, perëndimore madje, shumë më të shëtitur se unë madje, artiste madje. Dhe ajo më tha se në jetën e vet s'kishte parë një autostradë më të shëmtuar nga pikëpamja e shkatërrimit të natyrës dhe peizazhit. Dhe kjo, sipas saj, nuk lidhej thjesht me faktin se është çimentifikuar tërë ajo natyrë e më the të thashë, por sepse dukej sheshit se nuk ishte bërë asnjë studim për të ruajtur këtë natyrë e peizazh, kur ishte bërë projekti sepse - më tha gjithmonë ajo - tek ne, edhe kur bëhen autostrada të tilla, nuk pritet dhe nuk zhvishet mali kështu siç e kanë bërë këta, por preferohen më shumë gjysmë tunele, ku natyra sipër mbetet dhe pastaj, atje ku s'është e mundur, firmat janë të detyruara ta riveshin malin.

Së dyti, thashë "Mars" sepse, duke përshkuar atë autostradë, nuk mund të mos më binte në sy kotësia e saj nga pikëpamja e funksionalitetit. Ajo mbizotëronte në atë peizazh me male të shkretë, si një luks absurd kur ke parasysh vendin dhe nevojat e tij. Mjaft të kesh parasysh gjendjen e rrugëve në zonat e tjera të vendit, faktin se, ndërkohë që prej kryeqytetit e deri në Rrëshen, ku trafiku është tejet më i dendur, ka vetëm ca copa autostrade, ajo fillon atje ku syri të shihte një numër krejt të vogël makinash. Apo faktin se një rrugë e tillë nuk ka shkuar dot ende deri në Vlorë. Pra nuk mund të thuash kurrsesi se ajo ka qenë një prioritet i Shqipërisë. Rruga që vazhdon nga Miloti për në Rrëshen, që është sa gjysma e autostradës, do të ishte plotësisht e mjaftueshme të paktën (sipas gjykimit tim intuitiv sigurisht) edhe për njëzet vjet.
Së treti, thashë "rrugë marsiane" sepse, kush kalon nëpër atë autostradë, nuk mund të mos i bjerë në sy një gjë që e kam trajtuar edhe në një shkrim tjetër, lidhur me këtë rrugë, të titulluar "Gjethe pa trung dhe trung pa gjethe" (Korrieri, 22 qershor 2009). E kam fjalën për faktin se ajo e ka izoluar Veriun, në vend se t'i shërbejë atij. Edhe në fshatrat atje afër saj, binte në sy ky izolim; edhe për ata nuk ishte parashikuar ndonjë dalje a afërt. Të paktën nga Rrësheni në Fan, që është një distancë jo e vogël, nuk kishte asnjë dalje. Dukej sikur ajo të mos jetë bërë për njerëzit, por për një gjë (disa e quajnë"komb") abstrakte. Duke përshkuar atë, nuk mund të mos mendoje se me të hollat që janë shpenzuar aty mund të ishin hapur rrugë të vogla apo të shtroheshin rrugë të vjetra në formën e degëzimeve në të gjithë Veriun e Shqipërisë, në Dukagjinin e parrugë, çka do të bënte që në trupin e Veriut të lëvizte sërish limfa e jetës e cila, në gjendjen që kemi sot, është përqendruar e po asfiksohet përditë në gjethnajën e madhe pa trung, qytet-fshatin gjigand, Tiranë-Durrësin e supershëmtuar. Nuk mund gjithashtu të mos bëje kalkulimin se sa shkolla e kopshte do të mund të ishin ndërtuar me ato të holla; sa rroga mësuesish e mjekësh do të ishin ngritur, ashtu që puna e tyre të fitonte dinjitetin e nëpërkëmbur nga varfëria; sa monumente kulture mund të ishin restauruar, sa shumëçka tjetër më prioritare mund të ishte bërë për të përmirësuar jetën e njerëzve. Ja pse edhe në këtë aspekt, ajo ishte një autostradë marsiane.
Kundërargumentet kryesore që dëgjoj kur them këto që thashë më sipër, janë disa. Së pari ato patriotike: "rruga e kombit" të thonë. Besoj se nuk ia vlen të trajtohet në këtë shkrim ky argument sepse për çdo shqiptar normal, tashmë është e qartë se, që kur është krijuar Shqipëria e këtej (më duket se kjo ka filluar të vlejë edhe për Kosovën) fjala që u shkon më për shtat politikanëve tanë ka qenë e mbetet ajo, sipas së cilës, nacionalizmi është streha e fundit e horrave dhe, sipas gjykimit tim, edhe kjo rrugë, mu për ato çka thashë më sipër, por edhe për akuzat e shumta që qarkullojnë për përdorimin e saj për një superkorrupsion, është ilustrim i qartë i dashurisë së rrejshme  të politikanëve tanë për këtë vend dhe njerëzit e tij.
Një argument i dytë që dëgjoj më shpesh është se kjo do të bëjë të mundur zhvillimin e ekonomisë, kryesisht për transportin e mallrave. Por a nuk do të ishte më mirë që rruga të rritej duke u rritur prodhimi. Sepse, cilat janë këto mallra që prodhokemi ne dhe kosovarët që paskan nevojë për këtë rrugë kaq të gjerë? Malli kryesor që transportojmë ne është droga dhe ajo nuk ka nevojë për autostradë. Disa të tjerë të flasin për lumin e turistëve kosovarë, që do të vërshojnë nga ajo autostradë për të na sjellë fitime. Por a nuk do të kishte qenë më mirë (për shembull) që një pjesë e parave të autostradës të ishin shpenzuar për të hequr ujërat e zeza nga derdhja në det më së pari, për të shembur e pastruar ndërtimet pa leje që kanë shpërfytyruar shumëçka në bregdet më së dyti e të tjera e të tjera, kurse pjesa tjetër për të zgjeruar e rregulluar mirë e bukur rrugën e vjetër?  Sepse personalisht do t'u thosha turistëve kosovarë dhe jo vetëm: nëse doni të shihni Shqipërinë, zgjidhni rrugën e vjetër se do të shihni një Shqipëri shumë më të bukur edhe në kuptimin natyror, por edhe historik e kulturor. Unë në një fragment në kthim mora rrugën e vjetër, me idenë që t'i shpëtoja shëmtisë së peizazhit marsian të autostradës së re. Dhe u kënaqa shumë më tepër sesa në vajtje ndonëse, fat të keq, edhe atje nuk i shpëtova dot një shëmtie tjetër të dorës shqiptare: në shumë fragmente kishin vjedhur mbrojtëset prej alumini në krah të rrugës.
Shkurt, për ta mbyllur, udhëtimi nëpër autostradën Rrëshen-Kalimash ishte për mua një zhgënjim, një tjetër shenjë e dukshme dhe dramatike e delirit (dhe jo vetëm) të politikës sonë, që tregon se sa e shkëputur është klasa jonë politike nga hallet e vërteta të këtij vendi, por edhe nga vizioni i sotëm në botë për zhvillimin e qëndrueshëm e në harmoni me natyrën, prandaj dhe futa Marsin në itinerarin Rrëshen - Kalimash. (Panorama, 7 korrik 2010)

Read More......

Thursday, July 1, 2010

Vizat dhe rreziku i dështimit të Evropës

Kush i ndjek lajmet shqiptare nëpërmjet medias së shkruar dhe elektronike, nuk mund të mos verë re se propaganda (kështu meriton të quhet) e maxhorancës është e lidhur kryesisht me heqjen e vizave. A thua se heqja e vizave do të ishte kusht i mjaftueshëm që shqiptarët të bindeshin se në këtë republikën tonë, nën udhëheqjen e saj, çdo gjë shkon si në më të mirën e botëve. Duket se edhe opozita ka qenë dhe është mjaft e shqetësuar për këtë "heqje" sepse e përjeton si një "shtesë" fuqizimi të maxhorancës, duke na lënë të kuptojmë se i vetmi shans i saj për të ardhur në pushtet nuk ndërtohet mbi një alternativë, edhe më e mirë që na ofron, por thjesht dhe vetëm te dështimi sa më i shpejtë e më i rëndë i maxhorancës.

Nuk mohohet se heqja e vizave është një gjë e mirë përtej luftës politike midis dy partive. Së pari ajo është një çlirim psikologjik për tërë ata shqiptarë që ndjehen ende si në një lloj burgu, pa një nga të drejtat themelore të njeriut aq të reklamuar nga Perëndimi në kohën e Luftës së Ftohtë, atë të lëvizjes së lirë. Po ashtu ajo do të lehtësojë një numër jo të vogël njerëzish në lidhjet me familjarët e tyre. Për një pjesë ndoshta do të jetë edhe një mundësi punësimi në të zezë për dy tre muaj, ndoshta edhe për të mbetur klandestinë në Europën Perëndimore. Por nga kjo deri te shitja e heqjes së vizave, si realizim i ëndrrës shqiptare për Europën e Bashkuar, sipas meje, ka një hendek të madh dhe, të mos e shohësh atë, më duket sa jo serioze aq edhe një shpëlarje e pastër trush.

Në këtë shkrim nuk dua të ndalem në tema që i gjen tashmë, sadokudo, në shtypin tonë si stërfryrja e meritave dhe e avantazheve të heqjes së vizave, ndërkohë që e vërteta është se meritat nuk janë ashtu dhe aq të mëdha dhe se nuk do të ndryshojë ndonjë gjë e madhe; tema e servilizmit ndaj Perëndimit bashkë me atë të vënies së vlerësimit të të huajve mbi atë të shqiptarëve, apo tema e shitjes me çmim të lirë të Shqipërisë të huajve për të marrë mbështetjen e tyre politike. Nxitoj të them këtu (pak si jashtë teme, por brenda shqetësimit më të thellë që do të shprehë ky artikull) se dhënia e 300 hektarëve pyll të Krastës për një megafabrikë çimentoje është një krim i paparë në historinë e Shqipërisë që nesër do të futet në listën e të zezë të krimeve më të mëdha që i kanë bërë politikanët shqiptarë këtij vendi.)

Në këtë shkrim dua të cek një çështje që, pikërisht për shkak të demagogjisë që bën politika ditë e natë, mungon thuajse krejt në debatin shqiptar mbi Europën.

Një nga treguesit më të rëndësishëm të atij që e quajta rrezik i dështimit të projektit europian janë rezultatet e zgjedhjeve në shumë vende europiane. Nuk do shumë vëmendje për të parë se partitë e ashtuquajtura të ekstremit të djathtë, që mbështesin politika kundër projektit europian, kundër futjes së "mishit të huaj' në Europë, madje deri edhe projekte separatiste brenda vetë vendeve europiane, janë në fuqizim e sipër. Para pak javësh në zgjedhjet në Belgjikë partia separatise (e moderuar) flamande doli parti e parë në Flandër. Dhe, po të vesh re programin e saj, ai synon ndarjen nga Belgjika frankofone e Flandrës dhe është i mbështetur në ndjenjën popullore të atyre flamandëve (gjithnjë e më të shumtë) që i quajnë belgët frankofonë dembelë dhe të korruptuar. Në Itali, Lega Nord gjithnjë e më e suksesshme në elektorat, aq sa në zgjedhjet e fundit vendore ka fituar thuajse gjithë veriun, akuzon pjesën e jugut të Italisë për hajdutëri dhe korrupsion e kërkon edhe ajo (në mitingje hapur, kurse institucionalisht nëpërmjet reformave federaliste), ndarjen nga Italia të asaj që ajo e quan Padania. Në Hollandë ekstremi i djathtë vazhdon të përparojë mbi programe që i japin rëndësi sigurisë së hollandezëve ndaj rrezikut të të huajve. Po ashtu, në shumë vende të rëndësishme europiane shihet se fuqizimi i partive të tilla ka vënë në rrezik qeverishmërinë, për të mos folur për orientimin për kah qëndrime gjithnjë e më afër këtyre partive të partive të mëdha.

Kriza ekonomike e financiare që lindi në SHBA ra mbi Kontinentin e Vjetër, duke e thelluar këtë problematikë. Ajo që bie në sy në të gjithë këtë panoramë është refuzimi i më të pasurve të Evropës, që të ndajnë fatet e tyre me më të varfrit të cilët, në kushtet e krizës, nënkuptojnë për ta më shumë sakrifica, më shumë pasiguri, më shumë papunësi. Mjaft të kesh parasysh debatet e ashpra që lindën mbi Greqinë deri me propozimet për përjashtimin e saj nga zona Euro. Vetë Euro është në vështirësi, aq sa po flitet deri edhe për nevojën e rikthimit, paralel me ekzistencën e saj, të monedhave kombëtare. Pas dështimit të Kushtetutës Europiane e pas kalvarit që kaloi Traktati i Lisbonës, në sytë e shumë analistëve perëndimorë duket se Bashkimi është në rrezik shpërbërjeje. Në këto kushte, ndërtimi i një qeverie të përbashkët të ekonomisë së Evropës, që monopolet ekonomike duket se nuk e kanë shumë qejf, po bëhet gjithnjë e më i vështirë. Ndërkaq, analistët venë re se prania e europianëve në skenën botërore është reduktuar në minimum. Obama preferon marrëveshjet me Kinën. Turqia, që një herë e një kohë lutej të futej në BE, kërkon një rol të vetin autonom në Mesdhe. Rusia e trajton Europën sikur ta ketë nën vartësi, veçanërisht duke pasur parasysh burimet e gazit, pa të cilat kjo nuk jeton dot. Izraeli i injoroi protestat e Europës për sulmin ndaj anijeve turke, që ishin drejtuar në Gaza duke parë edhe se, në Kombet e Bashkuara, europianët u ndanë në tre pjesë ndaj mocionit që e dënonte këtë: në favor, kundër dhe abstenues.

Në fakt sot e gjithë ditën në Europë flitet për një klasë politike mediokre, në nivele kombëtare që po kërkon të kompensojë mungesat në ide dhe frymëzim duke braktisur projektin europian. Projekti i Europës së Bashkuar ka qenë i vetmi propozim politik serioz në gjysmë shekullin XX pas Luftës së Dytë. Mbi atë u ndërtuan sukseset e partive demokristiane që e krijuan, të partive liberale që e mbështetën, por edhe ato të social demokratëve, që e përqafuan me vonesë, por me entuziazëm më të madh. Tani që ky projekt duket i varrosur, i harruar, i ndryshuar, forcat politike tradicionale nuk kanë më një propozim të besueshëm dhe legjitim për elektoratin. Dhe qytetarët, të gjendur përballë kësaj paqartësie e vështirësive që përmenda, kanë filluar të rizbulojnë shijen e atdheve të vegjël, të separatizmave, të populizmave të votave të protestës.

Nuk do shumë mend se ne nuk duhet të bëjmë sikur nuk e shohim këtë dramë që po përjeton projekti europian e të ndërgjegjësohemi edhe për përgjegjësitë tona, edhe për vendin tonë, edhe të ardhmen tonë në të, edhe për faktin se, paradoksalisht, projekti europian vihet në rrezik pikërisht nga ata që flasin më shumë për të, siç bëjnë politikanët tanë. Realiteti është se klasa jonë politike, ndërkohë që europianëve ua shet punën për projektin europian vetëm në letra dhe shqiptarët me heqjen e vizave, realisht punon kundër tij në shumë aspekte. Me konfliktualitetin ekstrem dhe miop që i buron nga babëzia për pushtet dhe para, me korrupsionin dhe klientelizmin e pafre, me lidhjet me krimin e organizuar, me politikat që e katandisin Shqipërinë në një kosh plehrash të të huajve, me premtime iracionale për megaprojekte e të tjera e të tjera, ajo, kur u premton shqiptarëve Europën e Bashkuar të kujton atë anekdotën që qarkullonte në kohën e komunizmit, sipas së cilës kur e pyetën dikë "si e imagjinon ti komunizmin?" ai u përgjigj: "si horizonti, që sa më shumë i afrohesh aq më shumë largohet."

Ka qarkulluar prej kohësh edhe një anekdotë e pas komunizmit për Europën e Bashkuar, sipas së cilës në momentin kur në të hyjnë të gjithë shtetet që parashikohen d.m.th. edhe Shqipëria, vendet themeluese kërkojnë njëri pas tjetrit të dalin. Gjykoj se për Shqipërinë humbja e shpresës për të vazhduar ky projekt do të ishte një gjë shumë e rëndë; fati i shqiptarëve do të bëhej shumë i errët, me pasoja të paparashikueshme madje. Por kjo s'do të thotë që të besohet në këtë projekt në mënyrë të verbër dhe jokritike dhe aq më pak që të manipulohet me të. Gjykoj se më e keqja mund të evitohet vetëm nëse do të shohim përgjegjësitë tona, në kontekstin e ruajtjes së këtij projekti dhe do të punojmë për të seriozisht, duke synuar ndryshimin e gjendjes brenda vendit dhe jo nëse do të vazhdojmë të lëkundemi në demagogjinë e politikanëve tanë, por edhe europianë, që me heqjen e vizave na premtojnë një Europë që nuk ekziston. (Panorama, 30 qershor 2010)

Read More......