Wednesday, September 22, 2010

Midis rrënimit dhe shkatërrimit


(Shënime udhëtimi)

 
Në plazhin e Palasës, ku përveç tre bunkerëve nuk kishte asgjë të ndërtuar nga umanët, kishte shumë pak njerëz. Ndër ta shumica qenë turistë të huaj që e pëlqenin veçanërisht atë vend, sepse ishte bukur, qetë dhe pastër. Një grup italianësh që po dilnin nga dy kampera që i kishin vendosur në fillim të rërës, afër bunkerëve, sapo dëgjuan që po flisnim në gjuhën e tyre, na përshëndetën. Ndaluam disa çaste me ta. Na thanë se kishin ardhur nga Greqia; ishin futur në kufi nga Saranda dhe, pas xhiros që kishin parashikuar të bënin, do të ktheheshin përsëri me traget prej andej për në Itali. Duke na përshkruar rrugën nga kishin hyrë prej Butrintit në Sarandë, na paralajmëruan qe, nëse do të shkonim në Butrint, të mos merrnim atë rrugë sepse ishte një ferr i vërtetë. Por në përgjithësi ishin entuziastë për vizitën e tyre në Shqipëri.
"Për ne ishte një zbulim ky vend."
"Duhet ardhur këtu pa u shkatërruar ende, sepse duket sheshit se kjo do të ndodhë."
"Jeni popull inteligjent, të dashur dhe mikpritës. Gjynah nuk keni shumë besim tek vetvetja." - ishin disa nga mbresat që nxorrën spontanisht në ato pak minuta që ndejtëm bashkë.
Nuk e pashë me vend të hidhja pak nga helmi im kritik në entuziazmin e tyre për popullin tonë të dashur dhe mikpritës, sepse të dy palët kishim një interes më universal dhe më mikpritës atë çast: detin.
Sa më shumë më duket se njoh botën dhe njeriun aq më shumë e refuzoj atë reduktimin e një njeriu apo të një populli në një identitet të vetëm çka bëhet në rastin më të mirë nga dembelia e mendjes për të kuptuar kompleksitetin, por shpesh edhe për të instrumentalizuar dashuri ose urrejtje ndaj një individi apo ndaj një populli. Sikurse thotë edhe Amarty Sen në librin e tij "Identiteti dhe dhuna" ne jemi një kompleksitet identitetesh dhe zgjedhja për t'i mshuar njërit apo tjetrit identitet varet nga konteksti. Kur flas me të huaj ve re se i mshoj më shumë identitetit tim shqiptar - edhe ky një kompleks identitetesh më vete, sepse jo të gjithë ndjehemi shqiptarë në të njëjtën mënyrë. Por jo në çdo kontekst më ndodh kështu. Ka raste kur i mëshoj më shumë identiteteve të tjera si gazetar, shkrimtar, ish i burgosur apo qënie universale. Por në bregun me zalle të bardhë të plazhit të Palasës, nën thirrjen e identitetit bazë, atij biologjik, zgjodha kënaqësinë fizike të zhytjes në ujrat e kaltra e të pastra të detit Jon.
Por më mbeti në mendje, megjithatë, ai konstatimi i italianes - ishte një grua ajo që e tha - se jemi të dashur e të mirësjellë, por me mosbesim tek vetja. Më pas, duke ngarë makinën për në fshatin Palasë, iu ktheva vetmevete (kur jam me veten ndjehem më i plotë në shumidentitetet e mija) reflektimit për atë konstatimin e saj. Nuk mohoet se sado që jemi të ndryshëm në larushinë tonë njerëzore ne shqiptarët kemi, megjithatë, larat tona mbizotëruese. Është jo realiste të thuash se jemi si gjithë bota ashtu sikurse edhe që jemi krejt të veçantë. E nga pikpamja e gjykimit tim për veçanësitë shqiptare konstatimi i italianes ishte sipërfaqësor dhe kontradiktor madje. Ai mosbesimi tek vetja që ajo ka parë tek ne, është i vërtetë. Sa shumë e dëgjova edhe gjatë këtij udhëtimi shprehjen: "ky vend nuk bëhet". Por ky mosbesim vjen bash nga mungesa e mirësjelljes dhe dashurisë për të cilën fliste italiania. Në fakt ne dukemi/bëjmë sikur jemi të mirësjellë me të huajt pasi kemi kulturën e dukjes, sepse për ne ka më shumë rëndësi çfarë thonë për ne të tjerët se sa si jemi në të vërtetë. Kurse atë se sa të mirësjellë jemi, e tregon sjellja ndaj njëri tjetrit dhe është bash kjo që ka krijuar mosbesimin tek vetja. Por kultura e dukjes s'është vetëm shqiptare, do të thotë dikush. Sigurisht që jo. E kanë dhe të tjerë, por ne e kemi me doza më të forta, për shkak të kanunit e komunizmit që iu mbivendos atij. Për pushtetin e të dyve ishte më e rëndësishme dukja sesa e vërteta. Megjithatë, akoma më shqiptare, por prap jo vetëm shqiptare, them se është një ndjenjë inferioriteti ndaj perëndimorëve që na bën të sillemi ndaj tyre në një mënyrë të tillë që ata e ngatërrojnë me mirësjelljen.
Gjithsesi ai shkërbimi i mirësjelljes, që shfaqet kryesisht në formën e mikpritjes ndaj të huajit tek ne,  është interesant të analizohet. Ai është edhe një formë kompensimi ndaj lodhjes me të tutë. Por gjithashtu ai tregon edhe se nuk mjafton ta dish se ç'është e mira e ta shkërbesh atë; se ajo bëhet e mirë e vërtetë vetëm kur edhe ndjehet. Vetëm atëhere ajo shkrihet e bëhet një me njeriun, bëhet kulturë, dmth, mënyrë jetese. Kurse ne (si  shumë të tjerë në botë, sigurisht) vazhdojmë të dominohemi nga kultura e vjetër, që mirësjelljen dhe dashurinë ndaj tjetrit thellë thellë e përçmon, e quan dobësi dhe që dijen e saj e mban në xhep thjeshtë si instrument për ta përdorur. Gjatë rrugës nuk qe e vështirë të vije re se sa të gatshëm për të të ndihmuar ishin vendallinjtë kur të merrnin për të huaj. Por ama, kur vinte puna për të blerë ndonjë frut rrugës, paraqitesha unë tek kandari, me shqipen time, sepse të huajve u vinin dyfishin e çmimit.

* * *

Duke u ngjitur për në Palasë na thanë dy herë se, për të shkuar tek rrapi dhe kisha, duhej të ngjiteshim edhe më lart. Ishte hera e parë që e vizitoja edhe unë këtë fshat. Në fakt zemra e Palasës ishte gati në majë të fshatit. Atje rrinin pranë e pranë rrapi katërqindvjeçar, kisha përmbi të, një basorelief i kohës së komunizmit nën të, si dhe klubi përballë basoreliefit, në anën tjetër të rrugës. Vura rrapin të parin jo pse i falem më shumë tempullit të natyrës sesa një tempulli fetar, por pasi rrap si ai nuk kam parë. Nuk di të them për besueshmërinë e vjetërsisë së tij katërqindvjeçare, që qe shkruar diku përbri tij sëbashku me faktin se ishte monument kulture, por di të them se është pema më gjigante që kam parë në Shqipëri.
Kisha ishte restauruar dhe lyer me të bardhë, por oborri i saj i vogël, që mbulohej thuajse i gjithi nga hija e rrapit, ishte i lënë pas dore. Ai oborr ishte i vetmi vend ku fatmirësisht dhe fatkeqësisht mund të parkoje makinën. Në fakt këta fshatra nuk janë bërë për makina, madje as për karroca. Nëpër rrugicat e tyre mund të transportohen gjërat vetëm me gomerë, karakteristikë e fshatrave të Jugut kjo. Disa syresh ishin të pranishëm dhe aty si për të treguar që kishte ende jetë në ato rrugica ku pak frymë njeriu shihje të lëvizte.
Ajo zemra e vogël në majë të Palasës e përbërë nga kisha, rrapi, basoreliefi dhe lokali na u duk pa lidhje me pjesën tjetër të fshatit. U ulëm për disa çaste tek disa karrike të vjetra, jashtë lokalit të mbyllur, në shoqërinë e një gomari që hipi edhe ai aty i tërhequr nga Luna që i zgjaste gjethe rrapi për të ngrënë. Prej aty dukej më mirë se nga çdo pikë tjetër basoreliefi, që ishte lyer edhe ai me të bardhën e kishës. Ishte një triptik në atë stilin e viteve të komunizmit pas prishjes me BS që mund ta quash socrealizëm folkloristik ku figura njerëzore, veçanërisht e të rinjve, paraqitet e stilizuar me qaftën të gjatë dhe trupin të fuqishëm e elegant njëherësh, por pa ndonjë identitet të vetin. Identitetin ia japin simbolet e punës si kazma, shati, lopata si dhe ata folklorike si shtama, pagurja, fyelli. Janë kompozime që asokohe i shihje gjithandej, por sot, duke qenë se, ashtu si bunkerët, janë në zhdukje e sipër ke një ndjenjë të veçantë kur i sheh. Një ndjenjë që edhe atë idealizimin që i bënte socrealizmi njeriut në artet figurative, që asokohe e kemi përjetuar si një dhunë imagjinative e figurative ndaj njeriut të vërtetë, sot sikur e sheh më me butësi, edhe si një formë krijimtarie, edhe si një endërr të parealizuar të njeriut ideal.

 * * *   
Pak përmbi kishë disa burra po merreshin me rikonstruktimin e një shtëpie. Njëri prej tyre u tregua i gatshëm të na hapte kishën për ta parë nga brenda. Nuk kemi prift, më tha, vjen nga Dhërmiu me raste.
Kur dolëm nga kisha vura re se shtëpija që po rikonstruktohej po ngrihej me shtylla betoni dhe në vend të çatisë me qeramidhe apo rrasa guri po i hidhnin taracë.
"Pse kështu? - e pyeta.
"Edhe unë kështu e kam bërë. Nuk kemi para për ta bërë me gurë."
"Me çfarë jetoni?
"Me lekët që na jep shteti grek dhe me ndonjë lek që na sjellin njerëzit që punojnë në Greqi."
"Po për të ngrënë drekë a mund të gjejmë ndonj vend këtu?"
"Jo - më tha, - mos u lodhni. Shkoni në Dhërmi, poshtë, tek plazhistët, sepse në fshat lart nuk gjen gjë."

Dhërmi

Duke zbritur për tek plazhi i Dhërmiut e ndjemë rrëmujën që na priste. Problemi i parë ishte parkimi i makinave. Mu në fund të rrugës zbritëse, prapa lokaleve në buzë të detit, ku mund të hanim, pamë një si shesh parkimi me dhe të kuq të sapozhvendosur nga ndonjë buldozer. Gjë më të shëmtuar nuk mund të të shihnin sytë aty. Nuk qe më shumë se pesëdhjetë metra në vijë të drejtë nga deti. I parkuam makinat mirëpo sapo dolëm na u afrua një burrë që na tha se duhet të paguanim.
"Sa kushton?" - e pyeta.
"300 lekë ora na tha, po qe se do të rrini gjatë atëhere çmimi ndryshon."
"Ti dashke për një orë më shumë sesa bashkia në qendër të Tiranës që merr më shumë sesa parkimet në qendër të Evropës." - i thashë. Morëm makinat dhe dolën prej andej, por pamë se parkimi i makinave ishte bërë një nga bizneset e Dhërmiut. Vështirë të gjeje vend aty afër lokaleve ku të mos të të afrohej një njeri e të të kërkonte lekë sepse ai ishte parkimi i tij. Një emigrant që kishte ardhur nga Gjermania na tha se ky ishte biznesi i pronarëve të tokës. "Këtu në Shqipëri jeni çmendur, - më tha - kërkojnë 100 euro në ditë për dhomë."

* * *
Shumë shpejt e patëm të qartë se Plazhi i Dhërmiut ishte për ne "ha e ik." Natyra e atij vendi ishte transformuar krejt. Ay ku më parë kishte shkëmbinj që zhyteshin në det tani ishin vendosur lokale që vazhdonin njëri pas tjetrit si një ballkon çimentoje nëpër rruginat e të cilëve kalonin njerëz pa fund, kryesisht të rinj. U vura në kërkim të një kujtimi të rinisë: një plazhi të virgjër poshtë një shtëpie, ku kam kaluar një herë pushimet me familjen. Nuk po njihja asgjë. As shtëpinë vetë që ishte shpërndërruar me restorantet përpara saj. Plazhin e vogël mu duk se e gjeta më në fund. Ishte përplot me shezllongje gjysëm metri pranë njëri tjetrit që me siguri jepshin me lekë nga ndonjë privat që kishte privatizuar kësisoj edhe plazhin.
E vetmja pamje atje rrotull që kishte mbetur ashtu siç e kisha parë afro dyzet vjet më parë ishte  ajo e vilës së Enver Hoxhës me atë stilin modern që projektuesit tanë s'di se çfarë i kanë ndryshuar për ta bërë të shëmtuar fare.
Dikush më tha se tek vila, që vazhdonte të ishte zonë e ndaluar ndodhej me pushime ato ditë Kryeministri Sali Berisha. Seç më krijoi një shije të keqe ky fakt. Që kryeministri të gëzojë mundësinë e pushimit në rezidenca shtetërore kjo është normale, por që këto vila të jenë po ato ku ka pushuar nomenklatura, kjo më kërcet. Më  kujtohet gjithmonë Ernesto Sabato që kur erdhi në Tiranë, për t'i bërë nder, i thanë të vendosej në shtëpinë e diktatorin, që ishte kthyer në vilë pritjeje qeveritare, por ai nuk pranoi duke thënë se nuk do ta zinte gjumi ngase do t'i shfaqej fantazma e diktatorit. Por ne shqiptarët kemi stomak të fortë.
Italianëve të mi iu tregova edhe historinë e një telashi të vogël që na hapi gjatë atyre atyre pushimeve ajo vilë. Asokohe ishte atje kryetari i partisë marksiste - leniniste polake Kazhimir Mihal. Im vëlla duke folur me disa shokë u kishte thënë se kishte dëgjuar se atje ishte një polak. Pas disa ditësh tim eti i erdhi një pusulle nga Sigurimi ku i thuhej të bënin kujdes me fëmijët kur flisnin sepse shoku Kazhimir, që punonte për revolucionin proletar në Poloninë revizioniste, ishte ilegal në Shqipëri dhe se  këto informacine që përhapeshin vinin në rrezik jetën e tij. Im atë na thirri dhe na dha porosinë që të mos e zinim me gojë polakun. Unë duke mbajtur veshët ngrehur mësova se kjo letër mund të na kishte ardhur nga drejtori i kampit të punëtorëve që ishte njeri i Sigurimit.

* * *
Pastën në restorantin ku hëngrëm e bënin të mirë "al dente" sikurse e kërkojnë italianët. Hëngrëm, paguam dhe u nisëm me synimin që të vizitojmë fshatin Dhërmi e të kërkojmë atje ndonjë dhomë për të fjetur.
Isha shumë kurioz të shihja Dhërmiun që e kam përshkrua para dhjetë vjetësh "si një shtëpi të vetme të madhe të vendosur në harmoni me malin", me rruginat e ngushta prej kalldrëmi që ngjiten apo zbresin mes havllive prej guri dhe pragjeve të portave të shtëpive duke të krijuar një ndjenjë të veçantë intimiteti, me dritaret e atyre shtëpive magjike ku në ato të banuarat spikasnin vazot me lule mullage dhe perdet e bardha karakteristike, por ku shumica qenë të zhveshura, pa xhama e të ngjallnin trishtimin e braktiksjes.
Këtë ndjenjë bukurie dhe trishtimi ma ngjalli përsëri, Dhërmiu. Në pjesën më të vjetër të fshatit mu duk se ndjehej edhe më shumë braktisja e rrënimi. Një burrë që kaloi aty e na pa duke fotografuar, pasi na pëshëndeti, nxitoi të na thotë:
"Nuk jetohet këtu jo, juve ju duket bukur se vini për një ditë, por këtu nuk jetohet." U ngjita rrugicës nga zbriti ai me kuriozitetin për të parë se nga cila shtëpi kishte dalë dhe pashë se shumica e shtëpive të asaj rrugice ishin të braktisura. U futa në njërën prej tyre ku më goditi pamja e murit të dhomës së oxhakut mbi të cilin binte dritë hija e çatisë së shkatërruar mbi të. Mendova se ndoshta ai burri kishte të drejtë. Ne po vinim në kohën e verës kur kishte gjallëri, ku mes shtëpive të rrënuara kishte megjithatë diell, gjelbërim dhe lule që u jepnin jetë dhe bukuri edhe atyre gërmadhave. Por të vije në dimër në atë vend duhet të ishte vërtet e trishtë.

Por në Dhërmi nuk gjetëm vetëm këtë lloj trishtimi. Gjetëm edhe një pamje tjetër, që të shkaktonte një tjetër lloj trishtimi, në fakt duhet thënë dëshpërim: ndërtime të reja me beton e me taraca që, ashtu si në Palasë, po e prishnin krejt atmosferën e fshatit.

Edit Durhami, njëqid vjet më parë, pasi ka vizituar konakun e Ali Pashë Tepelenës shkruan: "Tani konaku i Aliut është një pirg i madh gërmadhash, dhe brenda mbeturinave të tij, tani banojnë një grumbull jevgjish të zes të një tipi zuzarësh shumë të ulët.[...] Germadhat me madhështi të kohëve të kaluara dhe fëlliqësitë e majmunëve të tashëm qe e kanë ndyrë brendine e tyre, të japin pamjen më melankonike që kam parë deri me sot."

Megjithatë janë më të bukura ato rrënoja me  malinkolinë e tyre të trishtë sesa braktisja apo barbaria e atyre umanëve që i prishin ato pa pikë dhimbjeje dhe i bëjnë të reja duke fshirë çdo gjurmë të historisë e të vetë jetës së tyre në to.

* * *
Kërkuam shtëpinë e Petro Markos. E gjetëm prapa një sheshi të vogël që e kishin shtruar dhe i kishin vënë emrin e Petros. Shtëpia e markove ishte gjysma e një ndërtese të madhe që në gjysmën tjetër, banohej, nga një familje që ndodhej aty. Në zakonin e përhapur të umanëve të këtyre kohëve gjysma e banuar ia kishte ndrruar arkitekturën shtëpisë. Ishte shtuar një ballkon i gjatë me shtylla betoni dhe çatia me qeramidhe ishte zëvendësuar me një taracë betoni. Pjesa e markove ishte e braktisur dhe në rrënim e sipër në origjinalitein e saj. Një burrë na tha se kishte mbetur ashtu sepse ishte pronë e përbashkët me fëmijët e vëllati të Petros që e kishin vrarë komunistë gjatë Luftës së Dytë. Shumë nga ndërtesat, që do të duhej të kishin bërë pjesë në trashëgiminë kulturore, janë shkatërruar tek ne për shkak të këtyre pronësive të shumëfishta që na i la trashëgim komunizmi.
U futa në oborrin e saj të shkretë dhe ngjita shkalllët për ta parë nga afër. Dritaret ishin pa xhama. Prapa tyre pashë rrënimin e asaj se si ka qenë: dollape muri gjysëm të prishura, një oxhak që s'dihej se ç'prej kur nuk ishte ndezur, dërrasa dyshemeje gjysëm të kalbura, një sunduk druri dhe disa rraqe të hedhura andej këndej. Megjithatë, po ta shihje me syrin e restauratorit, ajo i kishte mundësitë të bëhej një mrekulli. Më mirë të mbetet kështu edhe pak kohë - thashë me vete - derisa të dilte ndonjë që të kujtohej se mund të bëhet nje shtepi muze, se sa të shkatërrohet duke u rindërtuar në atë mënyrën banale që sheh gjithandej.

Filluam të pyesim se mos në fshat mund të gjenim dy dhoma për të kaluar atë natë.
"Për një dhomë të një shtëpie si kjo e Petros edhe mund t'i paguaj 100 euro." - tha Debora. Personi që na tregoi për shtëpinë e markove bëri një telefon dikujt, por nga ana tjetër iu përgjigjën se i kishin të zëna. 
E lamë Dhërmiun në të ngrysur me shpresën se do të gjenim ndonjë dhomë në Vuno a Himarë.

* * *
Në këtë pikë të udhëtmit, duke kujtuar titullin e dhjetë vjetëve më parë "Udhëtim midis magjisë dhe shkatërrimit", që ma ka inspiruar shumë Dhërmiu, mendova që këtë udhëpërshkrim të dytë ta titulloja "Midis dy shkatërrimesh" ose më saktë "Midis rrënimit dhe shkatërrimit". Sepse dhjetë vjet më parë kam përshkruar në thelb kontrastin midis ndjenjës së mrekullisë e befasisë që të ngjallin bukuritë e Jugut dhe atij shkatërrimi që ka ardhur kryesisht nga braktisja e tyre nga njeriu. Braktisja në kuptimin fizik, por edhe në kuptimin intelektual, si mosnjohje e vlerave të tyre. Tani, pas dhjetë vjetësh, po provoja një përshtypje të re të ngjashme me të parën, por edhe të ndryshme, që më bëri të rishikoj edhe fjalët që kam përdorur. Ai që e kam quajtur shkatërrim, por që meriton të quhet rrënim, ishte ende aty, por atij i shtohej shumë më i fortë ai që meriton të quhet shkatërrim: ai i barbarisë së ndërtimeve të umanëve të kthyer nga emigrimi apo të mbrritur nga s'di se prej ku, që po prishnin jo vetëm fshatrat e Jugut brenda përbrenda, por edhe natyrën e tyre përreth edhe bregdetin e tij të virgjër. Jugu ndodhej kështu midis rrënimit dhe shkatërrimit ndër të cilët, ky i dyti më dukej më agresiv dhe më i pashpresë për t'u rekuperuar. Injoranca pasive që kishte lejuar rrënimin, ishte kthyer tani në aktive duke kryer shkatërrime. Por a do të thoshte kjo se magjia kishte marrë fund. Ende nuk mund ta thoje dot këtë.

Princesha Mononoke

Më duket se ka ardhur momenti të shpjegoj se pse gjatë udhëpërshkrimit kam përdorur aq shpesh fjalën "umanët" në vend se njerëzit. Lidhet me përrallën e fundit me të cilën është dashuruar Luna që ajo, në mungesë të DVD, kërkon t'ia rrëfejë e rirrëfejë e ëma veçanërisht kur jemi në makinë. E kështu ndërsa unë ngas makinën për në Vuno dëgjoj në italisht për luftën e kafshëve të pyllit, që i udhëhiqte pricesha Mononoke, kundër umanëve, siç i quanin ata, banorët e qytetit prej hekuri.
Në një fshat të largët paqësor vjen një derr i egër i transformuar në demon. Ai kërkon të shkatërrojë gjithshka, por princi i ri i fshatit, Ashitaka, arrin t'ia ndalë turrin e ta vrasë. Mirëpo gjatë përleshjes edhe Ashitaka plagoset në një krah. Plaka e urtë e fshatit shkon tek derri i egër që po vdes dhe i kërkon falje, të vdesë në paqe, pa urrejtje ndaj tyre, por derri i egër duke vdekur u thotë: do të vuani të njëjtat vuajte që kam vuajtur edhe unë.
Pastaj plake e urtë i sheh plagën princit dhe i thotë se ajo nuk mund të shërohet, se ajo do t'i përhapet në të gjithë trupin dhe ai do të vdesë me dhimbje të mëdha. Ajo zbulon se derrin e  egër e ka plagosur një plumb i hekurt dhe kjo i ka shkaktuar dhimbje të tilla që e kanë transformuar në demon. Derri vjen nga një vend i largët ku ka një pyll të madh ku mbretëron hyu dre. E vetmja mundësi për Ashitakën të shpëtojë është që të shkojë atje dhe, me sy të patrazuar nga urrejtja, të kërkojë të kuptojë se çfarë po ndodh.
Princi i ri qeth flokët dhe niset. Kur mbrrin në pyllin e hyut dre sheh matanë një përroi një vajzë të re të shoqëruar me tre ujq të mëdhenj të bardhë. Është pincesha Mononoke. Ajo është një umane, por që e ka rritur ulkonja e madhe e bardhë që e ka adoptuar si bijën e saj.
Ashitaka shumë shpejt mëson se një grua shumë e fortë ka ndërtuar atje qytetin e hekurt, për të nxjerrë hekurin nga pylli, dhe të bëjë me to armë zjarri. Dhe për këtë ajo ka filluar të shkatërrojë pyllin duke i prerë pemët. Prandaj ka lindur lufta midis saj dhe kafshëve e bimëve të pyllit të cilët i udhëheq pricesha Mononoke. Plumbi i hekurt që kishte goditur derrin e egër ishte shtirë nga umanët sepse ky kishte luftuar kundër tyre.
Ashitaka ndërhyn tek gruaja në emër të paqes, por ajo i thotë se është e bindur se kafshët dhe pylli duhet të shkatërrohen në mënyrë që umanët të bëhen edhe më të fortë.

"Po pastaj?" pyet Luna vazhdimisht gjatë përrallës, kur e ëma ndalon. Por ne na duhet të ndalemi në Vuno për të pyetur nëse mund të gjejmë dy dhoma për të fjetur. Yuri me Davidin janë nisur para nesh për në Himarë.
Në klubin e Vunoit më drejtuan tek një tryezë ku ishin disa burra të vjetër që merreshin me dhoma. Më thanë se s'më ndihmonin dot, por të provonim një herë poshtë, në Jalë. (Vijon nga Panorama, 10 shtator 2010)





(vijon)

Read More......

Tuesday, September 14, 2010

Në Llogara, njeriu qen, rruga, bunkerët

(shënime udhëtimi)

Në Llogara më ranë në sy disa ndërtime prej druri që rrinin më mirë me natyrën malore përreth, ndonëse ndjehej edhe aty prirja e rrezikshme për t'i shtuar e për t'i nxjerrë përmbi lartësinë e pishave. Tek lokali ku ndalëm për të ngrënë mëngjes na ofruan një kos delje, traditë e zonës, që më çoi thellë në kujtesë: në kohën e fëmijërisë, kur në Tiranës kishte do dyqane kosaxhinjsh që bënin një kos, nëpër disa tava të mëdha, për të cilin thuhej se "pritej me thikë". Pjesa tjetër e menusë së mëngjesit ishte e zakonshmja që gjetëm gjithandej: djathë, gjalpë, mjaltë, vezë omlet, qumësht, çaj.
Dy tryeza përtej nesh më tërhoqi vëmendje një grua e re, shumë e bukur, që fliste gjermanisht me partnerin e saj - mjaft më i madh se ajo në moshë - por që, kur erdhi kamerieri, i foli shqip. Provova kuriozitetin për të ditur më tej historinë e lidhjes së tyre, që mbeti i pashuar. Ndërkaq, një i njohur, që po hante edhe ai atje, erdhi na përshëndeti në tryezë dhe na tha, me kënaqësi, se atë natë kishte fjetur në një dhomë aty dhe se ishte detyruar të mbulohej me batanije.
Debora, që është një ecëse dhe zbuluese e palodhur, e pyeti pronarin nëse kishte në Llogara shtigje për të ecur nëpër pyll. Ai na tregoi se poshtë rrugës kishte një shteg që të çonte në një çeltirë. Pasi mbaruam së ngrëni mëngjesin u nisëm në kërkim të tij. Bëra habi kur gjetëm një shteg ku dukej se ishte vënë edhe dorë njeriu. Ishte i shtruar edhe me gurë për ta bërë më të ecshëm. Dukej që kjo punë qe bërë prej kohë të kohërave. Ndoshta pse atje ka pasur një kamp punëtorësh  në kohën e komunizmit, thashë me vete, apo ndoshta duhet ta kenë shtruar për turistët lindorë që vinin deri në fillim të viteve '60. Megjithatë, ai nuk zgjati shumë ashtu, i shtruar me gurë. Dhe nuk na nxorri në ndonjë çeltirë.
Na u desh të kthehemi mbrapsht për të gjetur atë që na kishte treguar pronari i lokalit. Më shumë se shteg ai dukej si një rrugë e vjetër e pyjorëve e mbuluar vende vende me hala pishash të thara e me një myshk të butë.
Po provoja vërtet një ndjenjë paqeje dhe harmonie me natyrën duke ecur në atë shteg në mes të pyllit me pisha. Bëhej edhe më stimuluese kjo ecje kur prisje të dilje në një çeltirë e cila, kur mbrritëm, doli më e vogël nga ç'e imagjinoja, por shumë intime. Po shijonim  kësisoj kënaqësinë e zbulimit, e përjetimit të natyrës së bukur të Llogarasë, Luna harbohej mbas fluturave manushaqe, të verdha të murrme të vogla të mëdha, Davidi fotografonte nga afër disa lule gjembi në ngjyrë të kaltërt në blu dhe Debora me Yurin seç bisedonin. Ndërkaq, në një cep të mendjes më pulsoi ajo drita e zanatit të mallkuar. Vërejta faktin se nuk pashë një këmbë shqiptari nëpër dy shtigjet ku kaluam që më bëri të mendoj se duhet të shkruaja diçka për këtë mungesë që kemi ne shqiptarët të shijes së ecjes nëpër natyrë, veçanërisht nëpër male, edhe pse jemi një vend me male shumë, e të bukur. Madje edhe për faktin se këtë sport e kemi pasur disi më të zhvilluar në kohën e komunizmit kurse tani sikur na është zhdukur fare, ndoshta edhe ngaqë kemi zbuluar makinat. E pse duhet ta mendoja këtë ndërkohë që ndjehesha aq mirë - thashë me vete - është ky një deformim i zanatit apo është një nevojë e qënies sime sociale? Duke shkruar për të a do ta pasqyroj realitetin apo do ta manipuloj atë duke u bërë predikator i një realitetit tjetër?
Në fakt, përveçse në Theth, ku kanë investuar të huajt, s'kam dëgjur të punohet për të hapur shtigje të tilla nëpër të cilët të shijosh kënaqësinë e të ecurit nëpër pyje e male. Populluesit shqiptarë të Llogarasë që pashë atë paradite ishin të shumtë. Por thuajse të gjithë zgjaheshin me shishen e birrës përpara në lokalet anës rrugës ku kishin parkuar edhe makinat e tyre. Njëri bile se nga kishte lidhur një zorrë të gjatë që e nxirrte ujin lumë e po lante me të Benzin e zi 4X4 të lartë sa një mushkë e madhe. Të na shkulësh ne nga tryezat e bar kafeneve dhe sediljet e makinave e të na bësh të shijojnë kënaqësinë e ecjes nëpër male mu duk një punë e madhe, e rëndë, gati e pamundur. Edhe vetë nuk do ta kisha marrë atë shteg sikur të mos më kishte tërhequr Debora. Por tekefundit, thashë me vete, të shkruash se kjo është për t'u provuar për t'u zbuluar besoj se është edhe një nga mënyrat se si njerëzit shkëmbjenë përvojat e kulturat, duke pasuruar  e stimuluar kësisoj njëri tjetrin.

Njeriu qen

Ka disa studiues të ekonomisë që thonë se shpikja me e madhe e njeriut nuk është rrota siç thuhet rëndom. Por cila? Qeni, thonë ata. Me një fjalë zbutja e qenit. Ç'domethënë kjo do të më pyesin ata që nuk e njohin këtë teori. Le të tregoj historinë që na ndodhi në Llogara për ta ilustrua,  pasi ishte ajo që ma kujtoi.
Duke u ngjitur nga shteku i çeltirës për të dalë në rrugë, ku kishim lënë makinat, afër një lokali, u gjendëm pranë një farë kolibeje qeni në natyrë ku kishte një bushtër dhe tre këlyshë të vegjël. Këlyshët ishin të mrekullueshëm. Disa klientë të lokalit kishin zbritur aty dhe po luanin me ta. I merrnin në krahë dhe i përkëdhelnin, pastaj i lëshonin dhe ata u afroheshin. Luna u lëshua mbi ta e entuziazmuar. Filloi të luajë e të gëzohet. Edhe bushtra që ishte e lidhur me një zinxhir në trungun e një peme aty afrohej e kërkonte të përkëdhelej. Nuk kish si bëheshin qënie më të dashura.
Por, pasi kishin kaluar ndonja dhjetë minuta që po u gëzoheshim, na erdhi nga lokali një djalosh, që nuk di a kishte mbushur të pesëmbëshjetat, me një pamje të vrejtur dhe serioze. Dukej se i kishte mësuar tashmë ato qëndrimet e një kategorie meshkujsh shqiptarë që me krejt pamjen e tyre, të trupit e të një fytyre që s'di se ç'është buzëqeshja, të transmetojnë mesazhin se duhet t'ua kesh frikën, se janë meshkuj të fortë e të pamëshirshëm. "Che horrore di uomini" thotë Debora shpesh, kur i sheh veçanërisht duke ngarë fuoristradat.
Djaloshi as nuk begenisi të na përshëndeste, sepse kjo s'bënte pjesë në kodin e tij, përkundrazi na u drejtua menjëherë kërcënueshëm:
"Mjaft luajtët me qentë! Nuk i kemi për atë punë. Po ju  pash më aty do të kemi llafe."
Tani le të shpjegoj teorinë e qenit si "shpikja" më e rëndësishme e njeriut. Sipas historianit të ekonomisë North, problemi i arritjes së mundësisë që njerëzit të pengohen të përdorin ato që në gjuhën e ekonomistëve quhen "të mira materiale", kur këto nuk u përkasin, ka qenë, për mijëra vjet, një frenim i rëndësishëm ndaj zhvillimit të pronës private mbi tokën dhe mjetet e prodhimit që është faktori kryesor që ka sjellë zhvillimin e madh ekonomik që kemi në dhjetëmijëvjeçarin e fundit. Një nga kushtet e shkëmbimit të mallrave apo të të mirave materiale është që mbi ta të ekzistojë e drejta e pronësisë. Dhe kjo kërkon që ata të jenë të ruajtshëm, pra, krijimin e mundësisë që kush nuk është pronar i një të mire materiale të mund të përjashtohet nga përdorimi i saj. Por, në shumë raste, kjo nuk mund të jetë kaq e thjeshtë. E tregojnë edhe sot burimet e ujit, deti, ajri etj. Prandaj "shpikja" e qenit ka qënë kaq e rëndësishme. Qeni ka shërbyer për mijëra vjet si instrumenti kryesor i mbrojtjes së pronës private. Ai është pararendësi i mureve rrethuese, i sistemeve të alarmit, i kodeve elektronike të hapjes së një dere e me rradhë, me një fjalë faktori më i rëndësishëm i zhvillimit që kemi sot.
Është e qartë, pra, se pse na u afrua me egërsi ai djali i lokalit. Sepse pronarët donin t'i edukonin qentë për të ruajtur pronën e tyre private. Dhe për këtë qentë nuk duheshin afruar nga njerëzit e tjerë dhe as të përkëdheleshin prej tyre. Ata ishin të destinuar për t'u bërë qen nga ata që kemi parasysh ne, njerëzit, kur shajmë ndonjë të llojit tonë "qen": me një fjalë nga ato qëniet që i lehin kujtdo përveç padronit të tyre dhe që, po hyre në territorin e padronit, të kafshojnë. E për t'u bërë të tillë ata duhet të kenë frikë prej njerëzve e jo të kërkojnë dashurinë dhe përkëdheljet e tyre.
Mirëpo, po të shihje se si silleshin ata qen, se sa nevojë kishin për dashuri dhe përkëdhelje, mund ta mendoje edhe krejt ndryshe këtë historinë e zbutjes së qenit nga njeriu. Mund të thoje psh. se afrimi i njeriut me qenin nuk ka ardhur nga njeriu, por nga qeni, sepse është ky që i është afruar i pari njeriut. E kam vënë re këtë edhe me qentë pa zot në rrugicën time në Tiranë që jetojnë aq të qetë mes njerëzve, që s'lehin kurrë po s'i keqtrajtove, ndoshta mu pse bredhin të lirë, pa zinxhir, e s'kanë ndonjë pronë private për të ruajtur. Mund të thoje, pra, se ai qeni roje, që u leh të gjithëve, përveç padronit, nuk është qeni normal, por një tjetërsim i qenit që ka shumë mundësi të ketë ardhur nga tjetërsimi i padronit të tij, njeriut. Me një fjalë një pasqyrë e njeriut qen, siç mu duk se po mësonte të bëhej edhe ai djaloshi që erdhi të na përzërë nga prona e tij. Historia e indianëve të Amerikës, që kanë një raport krejt tjetër me kafshët, mund të na hedhë pak dritë mbi këtë.
Mirëpo hajde t'ia shpjegoje Lunës gjashtëvjeçare, thellësisht e dëshpëruar pse e shkëputëm nga këlyshët e saj të dashur, këtë teori të kapitalizmit e të pronës private. "Po pse si duan t'i bëjnë qentë?" pyeste një e dy pa marrë aspak përgjigjen shterruese. Në fakt ishte e vështirë t'i shpjegoje se pronarët nuk donin t'i zbusnin, por t'i egërsonin qentë.

Rruga

Në reportazhin ese të dhjetë vjetëve më parë kam përshkruar bukurinë e rrugës që zbret nga Llogaraja duke e lidhur këtë edhe me historinë e ndërtimit të saj gjatë Luftës së Parë, por dhe me rrezikshmërinë e saj. Kam uruar të bëhet investimi për ta rikonstruktuar, për ta mbrojtur nga ana e humnerës dhe për ta zgjeruar nga ana e shkëmbit, pa ia humbur karakterin, pa ndërtuar anash saj karburante dhe lokale betoni.
Mund të them se deri në atë pikë të udhëtimit gjëja e vetme pozitive që gjeta në krahasim me dhjetë vjet më parë ishte rruga. Ajo vazhdonte të mbetej "një tarracë e mrekullueshme gjarpëruese mbi mal" që të befason me pamjen që të nxjerr: poshtë saj bluja e kulluar e Jonit, sipër  saj madhështia e egër e maleve.
Para dhjetë vjetësh ajo për mua ishte tërheqëse edhe për ndjenjën e rrezikut që të ngjallte me ngushtësinë dhe me faktin se vende vende qe e pambrojtur nga ana e humnerës që zbriste me një thepësirë marramendëse. Tashmë i mungonte adrenalina e ndjenjës së rrezikut dhe kjo mund të konsiderohet një humbje për ata që kanë ndjenjën e turizmit aventuresk, por, nga ana tjetër, humbja e saj kompensohej me mundësinë për ta kundruar më mirë pejsazhin dhe me ndjenjën e sigurisë me të cilën kaloje mbi të; për të mos folur për atë se ajo, mbi të gjitha, është për t'u shërbyer vendasve të cilët nuk janë turistë, por kanë nevojën të lëvizin nëpër të për nevoja nganjëherë edhe të përditshme.
E megjithatë me gojën e asaj të vjetrës që kam në kujtesë ajo sikur më thoshte: jo isha më e bukur ashtu, kisha edhe ato mbrojtëset prej muri të ulët guri vende vende që më bënin të veçantë e që i shkonin aq shumë këtij mali, kurse këto prej alumini i gjen në çdo rrugë të botës. Tani më kanë bërë si gjithë rrugët e tjera.
* * *
Anës njërës prej kthesave të saj pashë se vazhdonte të qëndronte, me të njëjtën pamje siç ka qenë edhe para dhjetë vjetësh, një ndërtesë dykatëshe me një kullë katrore vrojtimi mbi taracën e saj. Në kohën e diktaturës kjo ka qenë repart ushtarak. Tani ishte nga ato ndërtesat që vazhdojnë të qëndrojë, edhe pas njëzet vjetësh ndryshim i sistemit, si një tokë e askujt, aty diku midis pronës shtetërore të komunizmit dhe privatizuesve grabitës të kapitalizmit. Janë ato ndërtesat e ushtrisë që thuhet se u ka ardhur koha të privatizohen. Dera e murit të saj rrethues ishte e mbyllur gjysma me kangjellën e vjetër të shqyer të hekurit dhe gjysma me tela me gjemba. Në murin e ndërtesës, që shihte nga rruga, ishin të shkruara me gërma të mëdha fjalët ATDHEU NDERI DETYRA, poshtë të cilave vazhdonte të qëndronte, në një cep, grafika e zezë e një ushtari me qëndrimin me pushkë në gjoks. Kurse në murin e jashtëm rrethues koha kishte ecur. Qenë ngjitur postera koncertesh e këngëtarësh, reklamoheshin emra diskosh, - ndër të cilët MEXICO, i shkruar me spray në ngjyrë të kuqe, nuk na u nda gjatë gjithë udhëtimit, - qenë shkruar numra celulari bri fjalës "qira" dhe nuk mungonin mbivendosjet e inicialeve të dy partive kryesore PS - PD të shkruar të parët me të kuq e të dytët me blu. Por kurioziteti im u përqendrua tek gjurmët e asaj kohe të kaluar që po vijnë duke u zhdukur, siç ishte parrulla. Në fillim, nga stili i përdorur, qeshë i sigurt se kishim të bënim me një parrullë të mbetur nga komunizmi dhe me këtë sy besoj se e kam parë edhe para dhjetë vjetësh. Por tani s'di pse sikur më kërcitën pak ato dy fjalët NDERI dhe DETYRA, ose më saktë prania e tyre krahas fjalës ATDHE në vend të fjalëve simbole të atij regjimi si "Parti", "Enver", "Popull". Ndoshta gabohem, thashë me vete, edhe ushtari sikur ka atë qëndrimin që quhej "Për nder arm!", por prap më lindi ideja se parrulla mund të qe mbivendosur edhe nga ndonjë oficer i pas komunizmit në ato vitet e para, kur ndërtesa kishte vazhduar të ishte repart ushtarak. Oficeri që imagjinova, kishte lënë atje vetëm Atdheun, duke zëvendësuar (simbolet komuniste "Parti", "Popull" me fjalë të pranueshme edhe për kohën e re, si "Nderi" dhe "Detyra" pa a ditur se po zëvendësonte kësisoj një parrullë të ideologjisë së dikurshme nacional - komuniste një një parrullë fashiste.

* * *
Kush e di kush ia ka vënë syrin kësaj ndërtese, thashë me vete, për ta bërë hotel, motel a restorant. Me siguri dikush bën kujdes që të mos hiqen këta tela me gjemba dhe, s'ka dyshim, jo që ta ruajë si pronë publike, për interes publik. Nuk besoj t'i ketë shkuar kujt ndërmend se atje mund të bëhet një muzeum me objekte të ushtrisë së kohës së komunizmit apo ku di unë se çfarë tjetër. Dhe atë parrullën e interpretova si fashiste, gjë që s'ma ka shkuar ndërmend dhjetë vjet më parë, ndoshta i ndikuar nga bindja në rritje se rrezikun e fashizmit, si diktaturë e të pasurve, sot e kemi më të madh se dhjetë vjet më parë, pasi këta dhjetë vjet e kanë rritur polarizimin dhe fuqizuar kastën në pushtet.

* * *
Pak më poshtë qëndruam në atë që e quajnë belvederja e qafës së Llogarasë, një anë rruge e zgjeruar sa një shesh i vogël, e shtruar vetëm me çakull. Nga ajo pike, ndoshta më mirë se nga cilado tjetër e rrugës së Jugut, vështrimi rrok si një të tërë kontrastin madhështor midis maleve që ngrihen lart përpjetë dhe detit blu poshtë. Ndaluam edhe ne aty për të shijuar atë pamje e për të bërë foto. Aty kishte edhe dy shitës nën çadra që shisnin kryesisht mjaltë e sherebel. U kujtova se në atë vend para dhjetë vjetësh sikur kisha parë një si memorial të pavarësisë a të Luftës së Vlorës në formën e një masivi paralelpiped prej guri apo betoni me relieve. Nuk ma zunë sytë.
Ndërkaq, sa më gjatë të rrije tek belvederja dhe të ngopeshe si të thuash me bukuritë që shiheshn prej andej aq më shumë do vëreje se ajo vetë ishte ndoshta i vetmi vend ku nuk të shihte syri gjëra të bukura, një dëshmi e asaj se sa pak ndjeshmëri për ambjentin, që nuk është shtëpia e tyre e vogël, kanë umanët tanë. Ana e prapme e një si kabinë elektrike në anë të saj ishte përdorur si nevojtore. Atje ku fillonte rrëpira e saj, që zbret deri poshtë në det, nuk kishte as edhe një  parmak të thjeshtë mbrojtës - duke menduar qoftë edhe për fëmijët. Ndërkaq mungesa e tij sikur e kishte lehtësuar edhe më që nëpër të të hidheshin plasmase, kanoçe alumini, gota plastike, copa tullumbacesh të shpuara pa numër që shirat do t'i çonin drejt detit a thua se malet të qenë një kosh i madh plehërash dhe deti fundi i tij.
Investimi publik për ta shtruar atë me rrasa guri, për të bërë një parvaz, prej guri apo hekuri, dhe për të vendosur atje dy tre kosha plehërash është minimal. Sa ç'mund të jetë shtrimi i dyshemesë së ndonjërit nga bar restorantet e panumërt që gjeje anës bregut të Vlorës. Mund t'u ishte kërkuar fare mirë shtruesve të rrugës ta kishin bërë një gjë të tillë. E megjithatë, thashë me vete, më mirë të mbetet kështu siç është sesa t'u shkojë ndërmend t'ia japin ndonjë privati me lejen që të ngrerë aty ndonjë lokal nga ata të shumtit që kanë shëmtuar rrugët e Shqipërisë.
Bunkerët
Vendosëm të shkojmë të bëjmë plazh në gjirin poshtë Palasës që dukej edhe nga belvederja. Dikur ky ka qenë i paarritshëm me makinë, por tani kishin hapur një si rrugë që zbardhëllente nëpër brinjat e rrëpirës. Ishte një rrugë e gjerë, e pashtruar, që nuk merrej vesh pse ishte hapur e kush e kishte hapur. Kur mbrritëm në plazh dikush na tha se e kishin hapur pasi atypari kishte një gurore, dikush se atje po përgatiteshin të ndërtonin. Nuk di të them më shumë. Madje nuk di të them edhe nëse në këtë vendin tonë hapja e rrugëve është një punë për të cilën mjafton të kesh një buldozer apo një punë që bëhet me lejen e shtetit.

Deti aty dukej i mrekullueshm, sepse kishte pak njerëz, por përpara se të shkoja për banjë u ndala tek një grup bunkerësh të ngritur atje ku mbaronte brezi i gjerë i rërës. Ishin tre bunkerë të lidhur me njëri tjetrin me një si tunel të vogël. Me sytë e tyre katërkëndësh tashmë të qorruar ata qëndronin aty midis detit dhe malit si të hutuar pasi kishin reshtur me kohë së kërkuari në det armikun imagjinar. Vura re se mbi njërin dukej e shkruar ende me gërma të mëdha në ngjyrë të kuqe, nga ato të antiruxhos, KUKES, në tjetrin ELBASAN - me siguri qytetet prej nga vinin ushtarët që i kishin ndërtuar.
Është e habitëshme se si ndryshon këndvështrimi i gjërave me kalimin e viteve. Fillova t'i fotografoj me shumë interes dhe me një reflektim tjetër.  Ne kemi folur e shkruar aq shumë për tmerrin e bunkerëve, për shëmtirën që kanë krijuar ata, se çfarë duhet bërë me ta, se si mund t'i heqim prej andej. Tani, pas njëzet vjetësh, ka ndodhur një fenomen i çuditshëm. Një pjesë e tyre janë shkatërruar nga ndërtimet e shumta, një pjesë i ka mbuluar natyra. Ata janë pakësuar dhe në pakësinë e tyre sikur kanë marrë një tjetër vlerë. Tani po i shihja si qënie të veçanta, diçka midis grupit skulpturor dhe dokumentit të një kohe. Madje madje edhe ai tuneli që i lidhte tani m'u duk si një kapje e tyre dorë për dore për t'u mbrojtur nga shkatërrimi. Për mua, vende vende, siç ishte edhe ky, ata duhet të ruhen, të bëhen pjesë e trashëgimisë sepse historia e diktaturës nuk mund të kuptohet pa ta. Diku më përtej më tërhoqi vëmendje një i vetmuar që dikush e kishte lyer të tërin me ngjyrë portokalli dhe kishte shkruar ne të "Orange". Dukej si një gjysëm portokalli i madh i zhytur në tokë, që kontrastonte bukur me malet gri e jeshil prapa tij e me qiellin blu, gjithë duke ruajtur identitetin e tij prej bunkeri që ia jep veçanërisht ajo dritarja e vogël e zezë. Edhe ata pak që janë lyer e pikturuar, pas rënies së komunizmit, me idenë "ç'të bëjmë me ta?" janë pjesë e historisë që duhet ruajtur.
Mjaft të rregulloje minimalisht vendin rreth atyre të treve në gjirin e vogël të Palasës, t'u bëje një si rrethim të vogël që të vinte në dukje se ishin një gjë më vete, që ata të merrnin një rivlerësim.  Kam frikë se kjo nuk do të ndodhë, siç kam frikë se nuk do të ruhet virgjëria e atij plazhi dhe karakteri i tij publik. Privatizuesit e rradhës, me qen të egërsuar nëpër duar, do të mbërrijnë edhe atje, do ta rrethojnë edhe atje tokën dhe rërën e do t'i thyejnë e shkatërrojnë edhe tre bunkerët për t'i përdorur për të çimentizuar ndonjë sheshpushim hoteli a moteli e fshati turistik. Pa u shkuar as nëpërmend se ajo që po bëjnë mbi plazhin s'është tjetër veçse një formë e sëmundjes që mbushi Shqipërinë me bunkerë, një mutacion i të njëjtit virus, dhe se ruajtja e kujtimit të tyre, vende vende, do të ishte ndoshta vaksina më e mirë kundër kësaj sëmundjeje. (vijon nga Panorama 4 shtator 2010)

Vijon

Read More......

Thursday, September 9, 2010

O malet e Shqipërisë


Shënime udhëtimi


Në fillim të gushtit u nisa drejt Jugut për pushime, por njëherësh edhe me synimin që të rivizitoj vende që kam përshkruar dhjetë vjet më parë në reportazhin ese "Udhëtim midis magjisë dhe shkatërrimit" të botuar në librin "Albanian Heritage in danger" (Trashëgimia shqiptare në rrezik) - për të bërë pra, mundësisht, edhe krahasimin e mbresave e përjetimeve të së tashmes me ato të dhjetë vjetëve më parë.

Sëbashku me Deborën dhe vajzën tonë të vogël, Luna, udhëtonte me një makinë tjetër edhe një çift miqsh, bashkëqytetarë italianë të Deborës, që vinin për herë të parë në Shqipëri, Davidi matematicien dhe Yuri, mësuese e shkrimtare. Davidi dukej një vëzhgues i heshtur, shumë kurioz, që s'përtonte të shkëputej nga grupi e të merrte rrugën më këmbë për të parë ç'kishte përtej një kodre apo prapa një shkëmbi. Yuri kishte sensin e humorit të atyre njerëzve që tallen me ankthet dhe frikërat e tyre, që Shqipëria e panjohur dhe plot befasira ia shtonte. Bashkoheshim me njëri tjetrin kur ndalnim për të pirë ndonjë kafe, për të vizituar ndonjë vend, për të drekuar e darkuar. Nuk kishim prenotuar asnjë vend fiks. Çdo ditë do të kërkonim një vend të ri dhe një vendfjetje të re. "Turismo di ricerca" i thonë italianët këtij, që në shqip do të përkthehej "turizëm zbulimi/ kërkimi vendesh të panjohura të reja që për mua kishte kuptimin e një rizbulimi, meqënëse shkoja në vende që i kisha "zbuluar" dhjetë vjet më parë.

* * *
Gjithnjë e kam parë me një lloj dyshimi idenë e përjetimit apo vështrimit të gjërave me synimin për t'i regjistruar apo për t'i përshkruar për të tjerët. A është autentike një mbresë kur ti e sheh apo fotografon me synimin që ta regjistrosh apo ta përshkruash? A nuk do të ishte tjetër gjë, sikur thjesht ta përjetoje një udhëtim, pa të shoqëruar ai syri i shkrimtarit apo gazetarit apo fotografit që zgjedh dhe fikson mbresa? A nuk të ve kjo në një pozicion që sikur të heq disa liri përjetimi, në këtë rast edhe pushimesh të vërteta? A nuk je i ndikuar nga sytë që ke përdorur më parë për të mos gjetur dot sy të rinj? A nuk e kthen kështu realitetin që ke përjetuar në atë që Baudrillard e quan "simulacrum" i cili sipas filozofit në vend se ta paraqesë realitetin e maskon atë, e simulon atë, e zëvendëson atë, i paraprin atij e krijon atë, e vret atë? Këto pyetje janë të rëndësishme. Tashmë të shkruarit e jetës dhe të jetuarit e shkrimit bëjnë pjesë në mënyrën time të të përjetuarit të realitetit dhe ngritja vazhdimisht e këtyre pyetjeve sikur më ndihmon t'i afrohem sa më shumë realitetit gjithë duke mbetur i vetëdijshëm se midis meje dhe atij ka nje distance të pambyllëshme, se ajo që përshkruaj nuk është tjetër veçse e vërteta ime, realiteti im, shenjat e mija. Tek e fundit ne nuk jemi vetëm mbresat e kujtimet tona, jemi më shumë se kaq. Edhe nevoja për t'ua shprehur ato të tjerëve bën pjesë në këtë më shumë. Ajo bën pjesë në dy nga nevojat tonat më ekzistenciale ato për t'u shprehur e ajo për tu shoqërizuar. E rëndësishme është të jesh sa më i i sinqertë me veten dhe me ata të cilëve u tregon si dhe, mundësisht, të kesh aftësinë për ta dalluar kur bëhesh i mërzitshëm. Me këtë disponim jam perpjekur t'i mbaj shënimet e këtij udhëtimi.

Në dalje të Vlorës

Vetëm kur kalova Vlorën dhe mu shfaq pamja e maleve përmbi Tragjas dhe Dukat mu duk se, më në fund, po gjeja inspirimin për të hedhur shënime.
"O malet e Shqipërisë" më erdhi vetiu ndërmend fillimi i poemës së Naim Frashërit që e kemi mësuar që në fëmijëri përmendësh. Më doli kjo thirrmë, jo thjesht për shkak të atyre maleve që vazhdojnë të më befasojnë sa herë më shfaqen me madhështinë dhe egërsinë e krepave të thepisura, me mënyrën se si e presin qiellin dhe se si u qëndrojnë retë mbi krye. Ngazëllimi estetik i pamjes së tyre nuk do të më mjaftonte për të evokuar vargjet e Naimit. Thirrma që më doli nuk qe thjesht romantike apo estetike; tek ajo u mpleksën edhe do ndjenja të tjera jo më pak të forta. Tek madhështia e bukuria e atyre maleve, e patrazuar nga koha dhe njerëzit, sikur gjeta, më në fund, prehjen nga lodhja e shëmtisë së ndërtimeve, të plehërave, të rrëmujës e kaosit që më kishte shoqëruar nga Tirana nëpër Durrës, Kavajë, Rrogozhinë, Lushnje, Fier, Vlorë dhe anës rrugëve midis tyre; poende, tek ata male sikur gjeta edhe aleatë bashkëbisedues për të shprehur revoltën që më kishte shoqëruar duke parë këtë shëmti. Në fakt dola nga Vlora i tmerruar. "Che horrore" ishte shprehja që i dilte edhe Deborës herë pas here teksa përshkonim qytetin. Gjëja më normale që më panë sytë përgjatë bregut të Vlorës ishte Shkolla e Marinës, e ndërtuar në vitet 60, sepse vetëm përtej kangjellave të oborrit të saj kishte mbetur pak hapësirë ku njerëzit mund të merrnin pak frymë e të kullosnin sytë mbi pak bar e ndonjë pemë të gjelbër. Gjithshka tjetër ishte pushtuar nga ndërtesa të larta absurde që i merrnin frymën njëra tjetrës. Nëpër hapësirat e ngushta midis tyre mezi hynin e dilnin ca makina të stërmëdha që, sipas vëzhgimit të italianëve të mi, në Perëndim i sheh zakonisht të parkuara vetëm në oborre vilash lluksoze. Dhe plehëra gjithandej, plehëra në formë qesesh e gjërash të ndryshme plasmasi, mbeturinash ushqimi, kanaçesh të hedhura ku të mundnin, anës trotuarëve mbi rrugë nëpër rrëza pallatesh.
Sa mirë që jeni ju që rezistoni sikur doja t'u thoja maleve, sa mirë që umanët (më vonë do ta shpjegoj pse them "umanët"), që kanë ndotur gjithshka poshtë jush nuk arrijnë dot deri tek ju.

* * *
Dy poemat më të famshme në letrat shqipe që fillojnë me malet e Shqipërisë që i di përmendësh kush ka kryer, si unë, shkollën në epokën komuniste janë "Bagëti e Bujqësi" e Naimit dhe "Pse mendohen këta male" e Kadaresë. E para i këndon bukurisë së Shqipërisë ashtu siç e ka parë ëndërruar dhe romantizuar Naimi. E dyta i merr malet si simbol të Shqipërisë dhe me një vështrim teleologjik të historisë së saj - karakteristikë kjo e ideologjisë nacional - komuniste të asaj kohe - na tregon për pritjen e gjatë shekullore të prijësit apo njeriut të ri që do ta drejtonte karvanin e këtyre maleve në rrugën e duhur - gjersa erdhi Partia e Enver Hoxhës. Në të parën, - nga e cila më kanë mbetur në kujtesë vetëm vargjet e para - përshkruhet bukuria e Shqipërsë, si ka qenë ajo në kohë të kohëve me lisat e gjatë, me fushat e gjera me lule, me bregoret bukuroshe me lumenjtë e kulluar me çukat, kodrat, brinjat, gërxhet e pyjet e gjelbëruar që ngazëllejnë poetin kur i kujton sëbashku me vendëthit e bekuar që, në harmoni me këtë natyrë, kullosin bagëtitë. Tek e dyta, kjo harmoni paramoderne, para industriale e romantizuar paraqitet e paplotë, e papërfunduar. Përkundrazi atje bëhet hero kryesor prijësi i shekullit XX që vjen dhe e kalëron këtë vend për ta çuar për kah një botë më e mirë, që e transformon atë dhe natyrën në emër të kësaj bote duke krijuar pra një botë tjetër. "Vendëthit e bekuar" nga Zoti të poemës së Naimit në shekullin e XX-të bëhen revolucionarët që zëvendësojnë Zotin dhe e transformojnë botën.
Duke kundruar malet, çukat, kodrat, brigjet, gërxhet e Shqipërisë dhe lumenjtë e saj të kulluar e fushat e gjera me lule të cilëve u ka kënduar Naimi dhe duke parë transformimet që kanë kryer umanët përgjatë një shekulli, atje ku kanë mundur të venë dorë mbi to, nuk mund të mos ndalesh e të reflektosh mbi rezultatin dhe pasojat e këtij kalërimi njëqindvjeçar. Por përpara reflektimit ose më saktë nxitëse e reflektimit nuk mund të mos bëhet përshtypja e menjëhershme se në këtë vendin tonë vetëm atje ku nuk kanë vënë dorë “vendëthit e bekuar” të shndrruar në heronjë të rinj të komunizmit dhe pastaj në heronj të rinj të kapitalizmit e konsumizmit ka mbetur vend për t'u përjetuar “dëfrimi” i mendjes së poetit tonë kombëtar. Dmth. vetëm në malet e Shqipërisë.
Në këtë pikë të udhëtimit më lindi ideja t'i titulloj shënimet e udhëtimit "O malet e Shqipërisë". Pastaj mendova ta le të hapur titullin duke e lënë kështu edhe veten të hapur për mbresa e qëndrime të tjera.

Hurmat shqiptare arabe të detit

Natën e parë fjetëm në një hotel në dalje të Vlorës pasi darkuam, por në atë zonë, në një restorant buzë detit nga ata që dukej se ishte ndërtuar që herët. Na ofruan një peshk të gatuar vërtet mirë. Ishte aq i freskët sa ndjehej aroma e detit në të. Na ofruan edhe një lloj molusku - "datteri di mare" i quajnë italianët - të cilët hapën një diskutim jo të vogël në tryezën tonë italo shqiptare. Në shqip nuk di se si e quajnë këtë molusk. Është pak si i stërgjatë, në ngjyrë të kaftë, i ngjashëm me hurmat e arabike prandaj italianët i quajnë "datteri", që do të thotë hurma arabie në italisht, duke u shtuar epitetin "të detit". Më thanë se në Itali nuk lejohet të peshkohen, pasi nxjerrja e tyre kërkon shkatërrimin e shkëmbit kalkar nën ujë, ku ata rriten, duke shkatërruar kështu ekosistemin. Sepse këta janë molusqe nga ata që quhen gurëngrënës (lithophagë). E gërryejnë gurin e nënujshëm kalkar nëpërmjet acidit që prodhojnë me gjëndrat e tyre, duke krijuar kështu folenë ku edhe mbrohen nga grabitqarët e tjerë të detit. Për të arritur vrima në shkëmb gjatësinë 5 cm u duhen rreth njëzet tridhjetë vjet. Debora tha se kishte shumë italianë që vinin e kërkonin "datterit" në restorantet shqiptare për t'i ngrënë. Pastaj doli biseda se edhe në Shqipëri duhet të jetë ndaluar peshkimi i tyre sepse ligjet tona duhet "per forza" të jenë kompatibël me ata evropianë. "Ju keni ligjet më të mira në Evropë - puna është që nuk i zbatoni" - më tha Debora të cilës i është dashur të merret me ligjet shqiptare.
"Ama zhvillimin e këtij peshkimi prej jush e kemi - u thashë - sepse ne para viteve 90 mezi mësuam se mund të haen midhjet kurse këta datterit as nuk i njihnim."
Megjithatë edhe ne i hëngrëm hurmat shqiptare arabike të detit. Me një ndjenjë fajësie, por i hëngrëm, dhe nuk na shkoi ndërmend ta hapim këtë diskutim me kamarierët e restorantit, që ishin edhe shumë të sjellshm, se do të dukeshim si jashtëtokësorë. Zor se ata mund ta dinin se kishte një ligj në Evropë që i ndalonte peshkimin e këtij molusku. Aq më pak që të kishte në Shqipëri një ligj të tillë. Mund të jetë në ato letrat që ka mbushur qeveria për t'ia paraqitur Evropës për punën e vizave apo të asocimit, por ato janë letra, e letra do të mbeten për shumë kohë. Gjersa të vijë puna të na zhvillohet ndjeshmëria për hurmat shqiptare arabike të detit kam frikë se do ta kemi çimentizuar krejt bregdetin dhe s'do ketë më nevojë për këtë ligj.

* * *
Hoteli ku fjetëm natën e parë e gjetëm rastësisht. U nisëm sipas udhëzimeve që na dhanë tek restoranti për një hotel dhe përfunduam në një tjetër ngase rrugët që u ngjiteshin kodrave për tek këta hotele, që janë rrugë të reja të hapura nga ndërtuesit vetë, sigurisht të pashtruara me asfalt, ishin pa tabela treguese dhe natën mund të ngatërroheshe lehtë. Kështu, kur mbrritëm atje dhe na u ofruan dhoma, e pamë me vend të mos ktheheshim mbrapsht, paçka se nuk e gjetëm pishinën që na kishin thënë se ndodhej para hotelit. Edhe çmimi na u duk i mirë: 3500 lekë për një dhomë dyshe që s'kishte të sharë. Ndoshta ngaqë hoteli nuk kishte mbaruar së ndërtuari ende në pjesën e taracës që kishte përpara. Edhe televizori ndonse ishte në dhomë si paisje nuk dukej të qe i lidhur me antena, por ky ishte gjëja e fundit që na erdhi në mend të ndiznim. Pronari ishte një djalë i ri rreth të tridhjetave që e fliste italishten në dialektin toskan në mënyrë të përsosur. Na tha se kishte punuar dhjetë vjet në Firence dhe se i sillte prej andej edhe një pesë të paisjeve të hotelit.
Kur u ngritëm në mëngjes pashë se hoteli ishte një nga ato ndërtesat hotele tre katër katëshe që kanë filluar t'u ngjiten tashmë edhe kodrave në dalje të Vlorës dmth. pararoja e ushtrisë së shkatërimi që tashmë duket se ka mbaruar punë me Vlorën. Ja - thashë me vete - ky mallkimi i të parit të gjërave me syrin kritik të gazetarit që nuk po më le të shijoja prej andje pamjen e mrekullueshme të Gjirit të Vlorës prej ku Karaburuni atë mëngjes dukej si një lopë gjigante deti e përgjumur mbi ujin e qetë vaj. Por a mundet të mos e përjetosh dot këtë tmerr? A mund të rrish pa imagjinuar, duke parë atë që ka ndodhur në Vlorë, se si umanët do t'i vërsulen Karaburunit me hekur e beton për t'ia prishur atë qetësinë mijëvjeçare e për t'ia ndotur ujin e kaltërt përreth.
Vendosëm ta hamë mëngjesin në Llogara. Kur mbrritëm atje, pasi kishim kaluar malet e bukur mbi Tragjas dhe Dukat, që më evokuan vargjet e Naimit, gjeta më në fund kohën për të pyetur Yurin, miken tonë shkrimtare. Kisha nevojë të dëgjoja një njeri të pakontaminuar nga helmimi im kronik. Kishim folur pak në Vlorë për ndërtimet e shëmtuara që kishim kaluar gjatë gjithë rrugës, por pastaj kishim kaluar pejzazhet nga dalja e Vlorës deri në Llogara, që sikur i kisha pritur me qejf edhe për ta, si për t'u treguar se nuk kishin ardhur në Shqipëri për të parë vetëm shëmtira.
'"Çfarë ju tërheq ju më shumë vëmendjen gjatë udhëtimit natyra (në fakt kisha ndërmend bukurinë e Gjirit të Vlorës dhe të maleve që sapo kishim kaluar) apo vepra e njeriut (në fakt kisha ndërmend shemtinë e ndërtimeve).

 Përgjigja që më erdhi nga Yuri i kaloi pritjet e mija.
"Ky vendi juaj duket si një vend që sapo ka dalë nga lufta." - më tha.
Mu desh të thellohem pak në pyetje për të kuptuar shkakun e këtij perceptimi që ne shqiptarëve tashmë sikur na ka ikur nga vetëdija, mu pse jemi mësuar aq shumë me këtë gjendje paslufte të përherëshme. E kishte fjalën për shproporcionin midis ndërtimeve të panumërta dhe rrugëve të pashtruara apo në shtrim e sipër në raport me atë që mund të quhet e stabilizuar, normale, tashmë e ndërtuar në një vend.
"Me një fjalë ty më shumë sesa natyra të tërheq vëmendjen vepra e njeriut mbi këtë natyrë?"
"Po - më tha. Natyra është e bukur, por… "
Kisha shpresë se për të do të ishte e kundërta; se isha unë që, i njohur tashmë me natyrën, më tërhiqte vëmendjen më shumë shëmtimi i saj prej dorës së njeriut, shpërndërrimi i vazhdueshëm i pejsazhit me grryerje buldozerësh, me dhe e pluhur, beton dhe çimento, por gabohesha. Ndoshta natyra është kudo e bukur, sido qoftë ajo, dhe një të huaji që e viziton një vend i intreson shumë edhe qytetërimi që sheh atje. Aq më tepër ajo vinte nga Toskana, rajoni më i ruajtur në Itali, me perqindjen me të madhe të pyjeve ku ndjeshmëria për ruajtjen e ambjentit dhe trashëgimisë është ndoshta më e larta në atë vend, ku mburren se po të ngjallet Uccelo, do t'i gjejë pejsazhet që ka pikturuar me të njëjtën pamje që i ka lënë ai.

Më pas takuam të huaj që flisnin më me entuziazëm për natyrën, e të tjerë që u bënte më shumë përshtypje vepra e njeriut. Personalisht pashë se nuk mund të shkëputesha dot nga vështrimi im që në këtë udhëtim ishte i përqendruar në bëmat dhe zhbëmat e umanëve ndaj natyrës dhe trashëgimisë. Është i vetmi vend në Evropë që të krijon përshtypjen se raporti midis asaj që është ndërtuar tashmë dhe asaj që është në ndërtim e sipër është në favor të asaj që ndërtohet. Dhe kjo është absurde, e panatyrshme, mund të shpjegohet vetëm me shkatërrimet e një lufte apo me një kataklizëm natyrore. Kjo u është shitur dhe vazhdon t'u shitet shqiptarëve nga politikanët tanë si zhvillim, por në fakt dita ditës po bëhet e qartë se ky nuk është mish normal, por një tumorr galopant që vjen nga një mutacion i tmerrshëm në qelizat e shoqërisë.
Bregu i Gjirit të Vlorës nuk e kishte arritur pamjen apokaliptike të gjirit të Durrësit me rreshtat e pallateve që mbrrijnë deri në rërë, por dukej qartazi se prirja ishte ajo. Edhe shkolla që i drejtonte.
"Ka shkatërrim në Siçili. Shkatërrim të madh kam parë edhe në Spanjë në bregun e Mesdheut nga Barcelona e poshtë, që ka ndodhur në vitet 80, por kjo që paskeni bërë ju është e paparë" - më tha Davidi. "Ky është vetshkatërrim, është absurd. Në Siçili sot nuk shkon më kush për detin, shkojnë për malin sepse deti është betonizuar si këtu. Kur vjen puna për det njerëzit shkojnë në Sardenjë sepse atje kanë ditur ta ruajnë bregdetin, fatmirësisht." - vazhdonin Davidi me Yurin, por unë vura re se nuk doja t'i dëgjoja më sepse kjo veçse më shtonte helmimin dhe më prishte shijen e pushimeve.
Paradoski ishte se megjithë numrin e pafund të ndërtimeve që të shihte syri në Vlorë e rrethina, kur u interesuam për dhoma hoteli na thanë se nuk ishte e lehtë të gjenim në atë sezon pa pas prenotuar më parë. Kjo nevojë, që shtonte oreksin e ndërtimeve të reja, dmth. shkatërrimeve të tjera në një rreth pa fund vicioz shpjegohej me faktin se shumica e ndërtimeve në Vlorë nuk qenë në rrjetin e dhomave apo apartamenteve që jepen me qira për qëllime turizmi. Një pjesë e mirë e tyrja nuk janë hotele, por pallate banimi që o janë ndërtuar nga emigrantë që vijnë një herë në vit ose janë produktet të industrisë së riciklimit të parave të pista e cila është një industri që punon për hesapin e vet, e palidhur me nevojat reale të vendit. Është ajo që sipas meje ka shkaktuar mutacionin më të tmershm në qelizat e shoqërisë, tumorrin galopant që po pushton bregdetin me furi dhe egërsi të paparë.
Të shkretat hurma shqiptare arabike të detit, dhe foletë e tyre për të cilat ato kanë punuar 30 vjet që t'i hapin, ç'i pret.


Vijon

Read More......