Thursday, March 31, 2011

Rrugëtimi pa lavdi i Ilir Metës

Sot një nga pyetjet që shtrohet është: a duhet më Ilir Meta dhe partia e tij LSI në politikën shqiptare? Në prag të zgjedhjeve kjo pyetje shtrohet edhe në formën: pse duhet votuar Ilir Meta?
Duhet ta pranojmë se Ilir Meta e ka pasur një karizëm si politikan që e ka veçuar disi prej shumë të tjerëve. Po ku qëndronte kjo karizëm? Shpejt e shpejt do të thoja se antropologjikisht ishte më i ngjashëm me liderët karizmatikë Berisha, Nano, Rama: ambicioz për të qenë i parë si ata, i aftë për të bërë njerëz pranë vetes si ata, i aftë për të korruptuar si ata, energjik dhe kurajoz për të ndërmarrë veprime si ata, ndoshta edhe më realist edhe më i aftë për të dëgjuar të tjerët se ata, autoritar më me lezet se ata  gjithashtu. Tek e fundit “burrë shteti” sipas një modeli që ne kemi trashëguar nga regjimi autoritar i Hoxhës. (Së fundi kam lexuar me dhe pa çmeri se ish presidentit Moisu ka thënë se kryeministri më i sukseshëm që ka pasur Shqipëria ishte Mehmet Shehu!)

Ilir Metën, edhe pse i ngjizur sipas këtij modeli autoritar, e kanë mbështetur jo pak njerëz për disa arsye ku do të rendisja tre më kryesoret: së pari, mu pse qe një më shumë si Berisha e Rama ai krijonte shpresën se do të qëndronte dhe do të krijonte ca hapësira më të mëdha lirie me ambicien e tij për të thënë se është edhe ai në politikë si gjeneral dhe jo si ushtar. Së dyti, në krye të herës Ilir Meta mblodhi rreth LSI ata politikanë të PS që, për shkak të rritjes së autoritarizmit dhe delirit të Nanos më herët dhe të Ramës më pas, ndjenë se në Partinë Socialiste do të depersonalizoheshin gjithnjë e më shumë, dhe kjo krijoi përshtypjen e një partie me personalitete, gjithsesi. Së treti, Ilir Metën, me meritë apo pa meritë, e kanë mbështetur të gjithë ata socialistë dhe jo që u zhgënjyen me socialistët e korruptuar dhe të papërgjegjshëm, por që kurrsesi nuk mund të shkonin tek Berisha. Këto tre arsye bënin që ai të shihej si një mundësi ekuilibrimi dhe moderimi në politikën shqiptare, duke patur parasysh konfliktualitetin e fortë PD – PS.

Pyetja që shtrohej që në fillim ishte: a mjaftonte kaq për të krijuar një parti të re që do të mund të konkuronte me dy partitë e mëdha? Koha provoi se jo. Pyetja që shtrohet sot është: a ishte i qartë Ilir Meta që në fillim, duke patur parasysh edhe përvojën e ish Aleancës Demokratike të Cekës e Imamit apo të Social Demokrates së Gjinushit e Milos se kaq nuk mjaftonte? Ndoshta edhe jo, por një gjë është e sigurt: se tashmë ai duket se e ka mësuar mirë se me kaq mund të krijosh një grup shokësh e miqsh e klientësh e të rrish për një kohë të mjaftueshme në pushtet sa për të zgjidhur problemet e pasurimit personal e të klientëve të grupit; se Ilir Metën dhe partinë e tij do ta votojnë sot vetëm ata që kanë përfituar apo presin të përfitojnë direkt, duke gjetur punë e mbështetje. Nuk di të them se sa janë këta, por di të them se, ndonëse nuk duhet ta mohojmë se partitë janë edhe në vende demokratike një mundësi karriere dhe punësimi për militantët e vet, ato duhet të kenë edhe diçka më shumë për t’u quajtur parti e për të mbijetuar si parti. Sepse ndjenja e përkatësisë në një parti nuk mund të jetë e barabartë me atë të përkatësisë në një ndërmarrje biznesi aq më pak kur ky merr edhe forma kriminale. Një parti, që të mos falimentojë si një biznes i pasuksesshëm dhe kriminal,  duhet të krijojë edhe një aureolë besimi dhe shprese tek ajo. Kjo u mungon të gjitha partive tona dmth. edhe atyre të mëdhave, por mbi të gjitha i mungon partisë së Ilir Metës. Sepse Partia Socialiste, përtej asaj që mund të quhet bërthama e saj e pushtetit, që është ajo e biznesmenëve të lidhur me Ramën, ruan sadokudo një aureolë në të cilën vazhdojnë të notojnë shumë nga ata ish komunistë që shohin tek ajo kush Enver Hoxhën, kush të kaluarën, kush të vetmen forcë që mund t'i kundërvihet Berishës që kërkon t’u shkatërrojë edhe çfarë u ka mbetur. Po ashtu PD, përveç asaj bërthame që gjeneron politikën e saj, që është edhe ajo e lidhur me bizneset e fuqishme dhe shpërndarjen e punëve të shtetit për njerëzit e saj, ruan edhe ajo një aureolë që ia ka krijuar lëvizja antikomuniste e viteve 90 - 91 që e bën ta votojnë të gjithë ata që tek Partia Socialiste shohin persekutorët e tyre të djeshëm.

Ilir Meta dhe LSI nuk e ka këtë aureolë dhe as nuk e ka krijuar dot. Ai kishte një hapësirë për krijimin e saj nëpërmjet krijimit të një të majte të re shqiptare, evropiane, antienveriste, me ndjeshmëri ndaj ambjentit, ndaj politikave sociale, barazisë së mundësve, publikes, por ky është një projekt që s’ka kuptim të diskutohet me Ilir Metën dhe LSI e tij.

Problemi është se Ilir Meta ka humbur sot edhe shansin e fundit pse mund ta votonin: atë që të qëndronte si balancues për të mos lejuar dy partitë e mëdha të kalonin në ekstreme me polarizimin shkatërrues që po përjetojmë.  Pas publikimit të videos ai po sillet si një kamikaxe i gjeneral Brishës duke mos llogaritur as atë se, në rast të një fitoreje, këtij do t’i leverdiste ta hiqte qafe sa më shpejt. Por edhe rrugë kthimi për tek PS-ja Ilir Meta nuk ka përveçse si një mercenar i Ramës.

Duke patur parasysh se Ilir Meta iku nga Ministër i Jashtëm i Nanos me ambicien për të ruajtur pavarësinë dhe personalitetin e tij të nëpërkëmbur nga ish kryeministri pyetja që shtrohet sot është: në ç’qafë doli Meta pas këtij rrugëtimi të shkurtër pa lavdi?  Për mua ai është ilustrimi më i mirë i asaj se ku të çon konceptimi i politikës thjesht si një mundësi për të zgjidhur problemet e pasurimit personal e të klientëve të grupit në të cilin bën pjesë. (Panorama, 26 mars 2011)

Read More......

Sunday, March 27, 2011

Pse jam pro regjistrimit

Çështja nëse duhet apo jo dhe si si duhet të jetë e rregulluar me ligj e me gjykata njohja e etnisë dhe e fesë së qytetarëve të një vendi më duket e diskutueshme, por ama është e padiskutueshme se një shoqëri që pretendon të bëhet demokratike, me liri shprehjeje dhe me multikulturalizëm  -  si shumica e shteteve evropiane ku aspirojmë të bëjmë pjesë – duhet të ketë dijeni dhe trensparencë mbi atë se cili është numri i individëve me përkatësi të ndryshme etnike apo me përkatësi të ndryshme fetare në të. Jo vetëm kaq, por, në një shoqëri demokratike, apo që pretendon të bëhet e tillë, është normale, madje e domosdoshme, të dihet shumë më tepër se sa etnia dhe feja e pjesëtarëve të saj. Ajo duhet të dijë edhe se sa emigrantë ka, edhe se sa prej tyre kanë ndërruar shtetësinë, edhe se sa analfabetë e të arsimuar ka, madje sipas shkallës së arsimimit; edhe se sa të sëmurë kronikë ka, madje sipas sëmundjeve; edhe  se sa homoseksualë ka; edhe se sa të burgosour ka, e me rradhë.  Do të thoja gjithashtu se ajo ka nevojë të dijë edhe se sa janë pjestarët e saj që kërkojnë të ndërrojnë përkatësinë etnike. Vetëm një njohje e tillë do t’i lejonte asaj të njihte vetveten dhe, në bazë të kësaj njohjeje, të organizonte sa më mirë tërë ato shërbime e struktura që, varësisht nga diferencat, rregullojnë dhe harmonizojnë jetën e saj. Nëse ka grupime shoqërore që nuk guxojnë ta shpallin përkatësinë e tyre apo që nuk lejohen ta shpallin atë, apo që mbahen të fshehura atëhere ky është problem i kësaj shoqërie ashtu sikurse është problem i saj edhe mbajtja në kaos dhe terr i këtij informacioni që kryesisht nënkupton mungesë demokracie dhe rreziqe abuzimesh të maxhorancave ndaj minorancave të çfarëdolloji qofshin këto.
Është e çuditëshme se si po i nëpërkëmb këto principe bazë të demokracisë sot në Shqipëri, njëzet vjet pas rënies së regjimit totalitar, histeria kolektive e ngritur kundër regjistrimit etnik e fetar. Një histeri e cila po aq sa nuk i shkon kohës kur jetojmë aq edhe flet, sipas meje, për krizën e demokracisë së kësaj shoqërie.

Është e qartë se shqetësimi kryesor vjen nga një frikë e vjetër nacionaliste e shqiptarëve: i ashtuquajturi pretendim grek për Vorio Epirin. Me fjalë të tjera ata që argumentojnë kundër regjistrimit të përkatësisë etnike e fetare, edhe pse nuk e thonë krejt hapur, kanë frikë se mos dalin më shumë minoritarë grekë se ç’janë,  apo se ç’dëshirojnë ata të jenë, duke u nisur edhe nga fakti se shumë shqiptarë, për nevojë, kanë ndërruar përkatësinë e tyre etnike. Pra skenari që ata përfytyrojnë është një rritje e numrit të minoritetit grek aq sa ky të arrijë një “masë kritike” që t’i lejojë minoritarët të kërkojnë një lloj autonomie të një pjese të Jugut dhe pastaj, nga kjo autonomi, të kalohet në kërkesë pavarësie dhe bashkimi me Greqinë (pak a shumë një skenar si ai i Kosovës). Po ashtu, kjo frikë për regjistrim më në përgjithësi artikulohet edhe si frikë e humbjes së kohezionit, si shpërbërje apo dizintegrim i shoqërisë. E në emër të këtyre frikërave propozohet që të mos dimë se çfarë jemi dhe se sa jemi çka do të nënkuptonte se, kështu siç jemi, kemi perceptimin se jemi të gjithë shqiptarë të pastër, me pak minoritarë në disa fshatra të Jugut, dhe le të presim sa të forcohemi ca më shumë si trup që një ditë ndoshta të fillojmë të numërohemi.

Çështja nëse frika nga Greqia është frikë e bazuar apo një frikë iracionale apo e stimuluar nga pseudopatriotë për të mbuluar dështimet e tyre në punët e shtetit shqiptar që kanë mbuluar apo mbulojnë, apo për të mos u marrë me problemet e vërteta që po e shkatërrojnë vendin, mund të hajë diskutim. Për mua ndërrimi i etnisë edhe tani, pas 20 vjetësh rënie të komunizmit, për të marrë, siç thonë disa, 300 euro në muaj, apo vazhdimi i emigrimit dhe i ndërrimit të kombësisë së shqiptarëve, duhen parë kryesisht me shqetësimin e paaftësisë për të ndërtuar një shtet. Një lexues, pas shkrimit “Gërdeci kombësia dhe Kreshnik Spahiu” më shkuante: “Kujt i duhet ky shtet që e ka detyruar 1/3 të ikë dhe të mos ketë plan të kthehet, se ku po kthehet?” Një tjetër nga Kanadaja më shkruante se numri i shqiptarëve që kanë marrë shtetësi kanadeze para katër vjetësh ishte 22957. Pra gati 20 herë më shumë sesa ata (1500) që sipas Spahiut paskan ndërruar përkatësinë etnike në Shqipëri. Dhe kujtoj se kanadezët kanë zgjedhur pjesën më të shkolluar. Si në shkrimin e sipërpëmendur ringulmoj se kjo rrjedhje e trurit, kjo dobësi e jashtëzakonshme e shtetit duhet të jenë preokupimi dhe alarmi ynë e jo mbulimi i tyre me tamtame pseudopatriotike dhe me flamuj kuq e zi.  Për mua skenari grek që përmenda është fantapolitikë, por gjithsesi, përtej këtij skenari, refuzimi i regjistrimit më duket politikë struci e mbarsur me shumë rreziqe dhe, ndryshe nga ç’mendohet, nuk i shërben as kohezionit dhe harmonisë shoqërore në vend, por përkundrazi, e minon atë.

Nëse do ta ekstrapolonim idenë e rrezikimit të kohezionit që kanë promovuar me këtë rast një numër jo i vogël shqiptarësh - me në krye nënkryetarin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë Kreshnik Spahiu, i cili ka filluar të japë edhe intervista ku thotë se këta që duan regjistrimin e etnisë kërkojnë të na e kthejnë Shqipërinë në një shtet multietnik, çka, sipas tij, do të ishte shpërbërje e shteti shqiptar,  - atëhere do të duhej që, në emër të kohezionit, edhe të mos i lejonim minoritarët të mësonin në gjuhën që ata kanë si gjuhë të mëmës, por as të kishin partinë apo organizatat e tyre e, më tej akoma, edhe ne të gjithë të mos kishim shumë parti, por një të vetme, të mos kishim as organizata të ndryshme, por vetëm leva të kësaj partie, të mos kishim as komunitete të ndryshme fetare, as dialekte të ndryshme: me fjalë të tjera të ktheheshim tek uniteti i popullit rreth partisë së vetme. Kjo ide, pra, të çon bash tek një remineshencë e kohëve nacionaliste e nacional – komuniste të aplikuara jo vetëm në Shqipëri, që nacionalizmin e shndërruan në fe mbizotëruese dhe që e aplikoi Enver Hoxha  në mënyrën më radikale duke i eliminuar në emër, gjoja të unitetit të popullit, krejtësisht fetë dhe duke asimiluar thuajse krejtësisht grupet e ndryshme etnike në vend. Një “kanibalizëm kulturor” ky për pasojat negative të të cilit duket se shoqëria nuk është ende e vetëdijshme.  Kam frikë se kjo histeria e sotme, po të vazhdojë kështu, nën mbështetjen edhe të atyre tifozëve kuq e zinj që shoqërojnë Spahiun, mund të krijojë një klimë ku të mos guxojë më kush të deklarojë etninë e ndryshme nga ajo shqiptare e pastaj edhe fenë që nuk i përshtatet shqiptarisë së promovuar nga këta patriotë e që pastaj mund t’i bënte homoseksualët e romët apo “të përzjerët” të kishin frikë se mos shpalleshin shqiptarë të dorës së dytë apo të padenjë për emrin shqiptar.

Problemi është se demokracia është pikërisht e kundërta e këtij lloj kohezioni që kërkojnë patriotët tanë. Menaxhimi i saj është më i vështirë sesa menaxhimi i një garnizoni ushtarësh të veshur të gjithë njëlloj, nën një komandë të vetme dhe nën një flamur të vetëm. E kjo që po ndodh reflekton një krizë jo të vogël të ndërtimit të shteti demokratik shqiptar njëzet vjet pas rënies së shtetit totalitar. Për mua kjo histeri është bash tregues i krizës sonë të shkaktuar nga paaftësia për të menaxhuar demokracinë dhe lirinë.

Dikush argumenton se mosnjohja e grupeve të ndryshme etnike i shërben ndërtimit të qytetarisë. Pra se ne duhet të ndërtojmë një shtet shqiptar ku të ketë shumë më tepër rëndësi qytetaria shqiptare se sa etnija të cilës i përkasim. Mbi këtë ide Halil Matoshi e përshëndeste inisiativën e një pjesë të elitës shqiptare që e kundërshton regjistrimin duke sjellë shembullin e Kosovën ku njohja e grupimeve të ndryshme etnike nuk do të lejojë, sipas tij, ndërtimin e një ndjenje qytetarie kosovare për të gjithë banorët e atij shteti, qofshin të etnisë shqiptare, serbe apo të etnive të tjera të përfaqësuar me gjashtë yjet e flamurit të Kosovës. Pa dyshim ndërtimi i një qytetarie sipas shtetit-komb në të cilin jeton e punon, ku të gjithë banorët ndjehen mirë dhe të plotë më së pari si shtetas të atij vendi është gjë tejet e rëndësishme. Por çfarë duhet bërë që të ndryshojë ai realitet që ekziston në shtetet tona ku etnija (që jo rastësisht sipas meje ne e quajmë kombësi) është më e rëndësishme se shtetësia apo qytetaria, që personalisht preferoj ta quaj kombësi: si tregues i përkatësisë në një shtet-komb? A mund të arrihet kjo epërsi e përkatësisë qytetare mbi përkatësinë etnike duke reduktuar multiidentitetin dhe multikulturalizmin e individëve të një shoqërie, apo nëpërmjet të kundërtës: duke krijuar në shtetin tonë mundësitë për shprehjen e identiteteve të ndryshme të individëve. Historia tregon se nëse rruga e parë është tipar i shteteve diktatoriale, të centralizuara e nacionaliste e dyta është tipar i shteteve demokratike dhe të decentralizuara e multikulturalistë. Dhe sfida e botës ku jetojmë, veçanërisht e Evropës ku aspirojmë të hyjmë, qëndron pikërisht në refuzimimin e kthimit në kohën e shteteve që ruajnë me fanatizëm e dhunë kufijtë dhe identitetet e ashtuquajtur kombëtarë (që imponojnë identitetin dhe kulturën e maxhorancës etnike të këtij shteti) dhe në promovimin e një shteti e të një shoqërie ku diversiteti jo vetëm lejohet, por edhe shihet si pasurim për të gjithë dhe jo si kërcënim. (Panorama, 21 mars 2011)

Read More......

Monday, March 21, 2011

Pushka bam e Muçua tutje

Më shkruante një lexues pas shkrimit "Parlamenti si elektroshok" (Panorama, 1 mars 2011): “mendoj qe sikur shqiptarët ta kuptonin mirë që gjysma e fitores është e garantuar duke patur një gjyqësor dhe polici të shëndoshë, që nuk trembet përpara oligarkëve, do të ishin të gatshëm të manifestonin me këmbëngulje dhe pa u lodhur që në krye të këtyre institucioneve të vendoseshin njerëz të ndershëm dhe të guximshëm për t’i shkuar deri në fund kauzës së një shteti ligjor.A ka ardhur ndoshta koha që gazetarët dhe figurat me integritet të ndryshojnë gjuhën ndaj popullit, duke e paralajmëruar rreptësisht se jemi në një moment fatal dhe duhet të levizim qoftë një herë të vetme për një shtet ligjor dhe jo për partitë?”
Kam përshtypjen se ideja se një pluralizëm partik pa drejtësinë nuk mund të jetë kurrë demokraci ka zënë vend në vetëdijen e shqiptarëve, shumë më tepër sesa në fillimivitet ‘90 kur gati e identifikonim demokracinë me pluralizmin partiak. Kjo ndoshta edhe pse dëmi që kanë krijuar partitë  e pakontrolluara nga pushtete të tilla si ai i gjyqsorit është bërë shumë evident. Por, sikurse e tregon edhe çka shkruan ky lexues, vlen të shtrohet pyetja se ku jemi në këtë proces ndarjeje të pushteteve? A kemi bërë hapa para apo prapa? Dhe, në kontekstin e sotëm, të procesit ndaj 21 Janarit, a mund të presim një forcim të gjyqsorit dhe prokurorisë? Ç’duhet të bëjmë për të sensibilizuar edhe më publikun për këtë nevojë?
Në përpjekjen për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve nuk mund të mos vish tek  ideja se zhvillimi i demokracisë nënkupton zhvillimin e krejt institucioneve të saj dhe se ky zhvillim mund të krahasohet me ecjen e një flote. Pra se prokuroria dhe drejtësia jonë nuk mund të veçohen nga ecja e demokratizimi i brendshëm i partive politike, nga pastrimi nga korrupsioni i institucioneve shtetërore, nga pavarësimi i mediave etj.. Ato janë pasqyra të njëra tjetrës dhe mjaft të shikosh njërën për të gjykuar nivelin e të tjerëve. Por, megjithatë, kur kemi parasysh një flotë këtë mund ta imagjinojmë si një flotë ushtarake që ka rregulloren e vet, pra se është dikush që komandon dhe janë të tjerët që ndjekin, ose si një flotë më e lirë ku sejcila   nga këto "anije" veç e veç mund ta stimulojë ecjen përpara apo mund ta frenojë këtë në një kompeticion të ndërsjelltë. Kjo e dyta i shkon më shumë demokracisë përderisa flitet edhe për pushtete të pavarur nga njëri tjetri. Pra, çdonjëra nga anijet, sipas këtij konceptimi, mund të marrë inisiativën ta nxisë flotën të ecë më përpara, varësisht nga individët që janë në krye të tyre, nga pushteti që kanë, nga vështirësitë që dalin nga rrethanat edhe nga presioni.
Në thelb kriza që po përjetojmë sot vjen për shkak të dy partive kryesore që prej vitesh kanë bllokuar ecjen përpara të demokracisë/flotës duke i rreshtuar institucionet e tjera, si në një flotë ushtarake,  prapa dhe në funksion të tyre duke i bërë njëherësh edhe të pafuqishëm për të kontrolluar pushtetin e tyre korruptues dhe të korruptuar.
Le të shohim se si ka qenë pozicioni i anijes së sistemit të drejtësisë në këtë flotën tonë këta njëzet vjet, për të ardhur tek ajo që po ndodh sot.
Në vitet e para të qeverisjes Berisha u shfaq menjëherë prirja për ta vënë drejtësinë prapa hullisë së partisë së re shtet që filloi të ndërtojë Berisha. Mjetet që përdori ishin kryesisht dy: kërcënimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve me të kaluarën si dhe - lidhur me këtë - përgatitja e gjyqtarëve të rinj me kurse gjashtë mujore. Kjo prirje hasi në një farë rezistence - mjaft të kujtojmë dorëheqjen e Prokurorit të Përgjithshëm Maks Haxhia apo të kryetarit të Gjykatës së Lartë Zef Brozi, por në tërësinë e vet roli i këtyre institucioneve në ato vite mund të përcaktohet si një anije ecja e së cilës mbeti e dominuar nga pushteti politik dhe e instrumentalizuar prej tij.
Lidhur me vitin 97, që shënon ardhjen e socialistëve në pushtet, së pari duhet thënë se drejtësia u komprometua edhe më rëndë nga politika në këtë vit pasi, megjithë tërë ato krime që ndodhën, nuk pamë asnjë politikan përgjegjës t'i hapet proces. Në vend të kësaj politika ndërtoi një komision parlamentar me në krye Spartak Ngjelën që e dha ai vendimin në vend të drejtësisë për krimet e 97-tës e që, në fakt, mund të thuhet se inauguroi periudhën e impunitetit të politikanëve tanë.
Këtu duhet theksuar edhe një fenomen tjetër që kishte filluar që më herët, me Berishën, por që doli gjithnjë e më në pah në këtë periudhë: korrupsioni në këta institucione, çka, midis të tjerash, nënkupton edhe pafuqi morale të prokurorëve dhe gjyqtarëve për të vepruar në emër të drejtësisë e ligjit.
Mosgoditja e atij që, shumë më tepër se ky i 21 Janarit 2011, mund të quhet grusht shteti - atëhere kur më 1998 njerëzit e Berishës sulmuan Kryeministrinë dhe pushtuan edhe Radio Televizionin - shënoi edhe një akt tjetër kapitullimi të Prokurorisë e Gjyqsorit ndaj politikës që forcoi edhe më impunitetin e politikës.
Gjthsesi për kohën e socialistëve mund të thuhet se tendenca për instrumentalizimin e drejtësisë për të goditur armikun, kundërshtarin ose për ta vënë atë nën kontroll erdhi duke u zbehur. Ajo njeh një pikë ashpërsimi kur nëpërmjet Rakipit që njihej si njeri i Nanos politika kërkoi të godiste për korrupsion njerëzit e Metës (madje, me sa kujtoj, bash Dritan Priftin), por kjo shkaktoi bashkimin e Metës me Berishën  dhe heqjen e Rakipit.
E këtu nuk mund të mos vihet në dukje fakti se ndonëse Gjykata Kushtetuese e deklaroi të paligjshëm shkarkimin e Rakipit ai nuk u kthye dot në postin e tij, shenjë kjo e nënshtrimit total të organeve të drejtësisë nga politika.
Periudha e Thodhori Sollakut mund të pëcaktohet si periudha kur tashmë Prokuroria dhe drejtësia jonë kanë hequr dorë nga marrja me politikanët e të dy krahëve dhe atë pak pushtet që kanë e përdorin pikërisht për të mos ndërhyrë atëher kur, për arsye politike, u kërkohet nga njëra palë apo tjetra instrumentalizimi; aq sa për Sollakun filloi të qarkullojë thënia anakdodike se kur e kishin pyetur se si do t’ia bënte në këtë klimë akuzash e kundërakuzash për korrupsion ishte përgjigjur se do të vepronte si Muçua dmth. sipas asaj thënies: « Pushka bam e Muçua tutje.»
Këtë filozofi filloi të praktikojë menjëherë edhe ajo që nga Berisha u quajt Silvia Conti e Shqipërisë, kryeprokurorja Ina Rama. Mirëpo, për dreq, asaj i plasën në derë dy pushkë më të mëdha nga ç’mund ta priste: Gërdeci  dhe tani së fundi, skandali i kasetës Meta - Prifti që u pasua me katër vrasjet e  21 Janarit e që e vunë nën presionin e fortë të politikës.
A ka shanse në këtë kushte, duke patur parasysh edhe mbështetjen amerikane për hetimin e 21 janarit, që Prokuroria dhe Gjyqsori të përjetojnë një moment pjekjeje dhe forcimi. A do të munden ato të marrin një rol shtytës përpara të flotës për të cilën bëra fjalë më lart? Përpara disa kohësh faktin që Prokuroria e çoi kasetën Meta - Prifti në Ambasadën Amerikane, e kam komentuar si shenjë dramatike të impotencës së saj duke shtuar se, me këtë rast, Ina Rama mund të bënte mirë të jepte dëroheqjen të paktën. Kjo tregonte edhe mosbesimin tim se do të kishim, më në fund, një akt pjekurimi dhe pavarësimi nga ana e Prokurorisë. Pas disa ditësh mora një telefon konfidencial ku m’u tha se Prokuroria e kishte çuar tek Ambasada Amerikane kasetën sepse, përndryshe, do të ishte e detyruar ta çonte tek Ministria e Rendit pasi laboratori i ekspertizave është atje dhe kjo do të thoshte ta çonte në duart e Berishës.  (Edhe një provë kjo se si flota nuk mund të ecë veçmas pasi institucionet janë të ndërlidhur me njëqind fije njëri me tjetrin.)
Pastaj ndodhi 21 Janari, pamë Berishën ta akuzojë Kryeprokuroren si pjesë e puçit meqënëse po kërkonte të hetonte gardistët që kishin shtënë duke dhënë kështu një frenim të fortë çdo përpjekjeje të Prokurorisë për të vepruar jashtë hullisë së anijes së politikës dhe pastaj marrjen e Prokurorisë nën mbrojtjen e Ambasadorit Amerikan. Gjykoj se edhe këtë mbrojtje duhet ta interpretojmë më shumë si një akt politik, si ndërhyrje “in extremis” të të huajve për të  ruajtur të paktën fasadën e shtetit dhe sëbashku me këtë edhe një farë stabiliteti sepse një nxjerrje jashtë loje e institucionit të Prokurorisë, siç donte të bënte Berisha, do të ishte një degradim total i shtetit.
Për t’u kthyer tek shqetësimi i lexuesit tim, që më duket se është një shqetësim qytetar me rëndësi,  më duhet t’i them se megjithë ndjeshmërinë në rritje të qytetarëve për drejtësinë koha që njerëzit të dalin e të protestojnë përpara pallateve të drejtësisë për zbatimin e ligjit, për dënimin e të korruptuarve duket ende shumë e largët. Ja tani hymë në zgjedhjet lokale dhe vrasjet e 21 Janarit, bashkë me Prokurorinë si protagonste të zbardhjes së tyre, thuajse kanë dalë jashtë vëmendjes. Edhe vetë Ambasadori Amerikan po na udhëzon tani kandidatët të dalin të bëjnë debate. Politikanët përsëri kanë uzurpuar skenën me protagonizmin dhe arrogancën e atyre që s’kanë frikë nga ligji, por vetëm nga më i forti. Njerëzit po ashtu, ndryshe nga ç’kërkon lexuesi im, janë përqendruar në luftën “për partitë”. Edhe gazetarë e intelektualë gjithashtu. Prokuroria e Gjyqsori do të presin të shohin se cili do të jetë fitimtari, dhe do të veprojnë varësisht nga kjo gjithë pa rrezikuar, e kurrsesi pa marrë në dorë përgjegjësitë që u takojnë. “Pushka bam e Muçua tutje” do të vazhdojë të jetë filozofia e jetës e veprës së prokurorëve dhe gjyqtarëve tanë si për të provuar ata profetë që thonë kjo “flotë” duhet të shkojë drejt mbytjes e tëra. (Panorama, 11 mars 2011)

Read More......

Wednesday, March 2, 2011

Parlamenti si elektroshok


Ndoqa para disa ditësh debatin parlamentar lidhur me heqjen e imunitetit. Dua të veçoj diçka që më ra në sy kësaj here ndoshta më shumë se kurrë. E kam fjalën për atë alternim të frikshëm sulmesh tek podiumi ku flasin deputetët, si kurrëndonjëherë më parë, ndoshta pse kemi kohë që s'e kemi parë Parlamentin të funksionojë si i tërë, por edhe pse polarizimi ka arritur pika kulminante. Pashë të dilte një deputet i PD, të merrte mikrofonin dhe ta drejtonte si grykë topi nga krahu i majtë i sallës dhe të qëllonte ndaj tyre me një batare retorike "kusarë", "vjedhës" "plaçkitës", duke marrë në shenjë liderin e PS që nuk ishte aty; pas atij dilte ai i PS e drejtonte topin në krahun i djathtë dhe lëshonte edhe ai bataretë me "kusarë", "vjedhës" "plaçkitës", duke marrë kryesisht në shenjë kryeministrin që s'ishte edhe ai aty. Asgjë tjetër nuk e prishi këtë alternim sulmesh delegjitimimi reciprok, asnjë parti sado e vogël, asnjë individ  qoftë që t'u thoshte psh. se të dy palët janë "kusarë" e "vjedhës", të korruptuar e ilegjitimë, se Prokuroria duhet të hetojë për të dy palët.
 Ç'lidhje ka elektroshoku me këtë do të pyesë lexuesi që ka parë titullin e këtij shkrimi. Le ta shpjegoj. Unë gjykoj se pjesa më e madhe e popullsisë - mbi 50 përqind sipas meje, - mendon, ashtu siç mendoj edhe vetë,  se të dy palët janë të korruptuar, se të dy palët janë përgjegjës për shumë bëma që i kanë ndodhur këtij vendi duke përfshirë edhe 21 Janarin, se të dy palët e kanë humbur legjitimitetin. Ndërkaq jo vetëm nuk e gjejmë veten të përfaqësuar, por jemi të detyruar të përjetojmë përditë këtë tension alternativ PD - PS, që, në raste të tilla si ky i kësaj mbledhjeje, na vendoset aq shumë dhe aq përdhunshëm mbi kokë nëpërmjet mediave që e japin "Live", saqë, personalisht, e përjetova si një elektroshok.
Problemi është se ka kohë që shoqëria është nën efektin trullosës të këtij tensioni alternativ, të këtyre elektroshokëve herë më të fortë e herë më të butë aq sa, në një farë mënyre, shumëve ose u është deformuar truri duke u bërë të paaftë për të kuptuar se gjendja normale e trurit, që mund të prodhonë atë që quhet gjykim i shëndoshë, është diçka tjetër, ose rrinë jashtë këtij tensioni në formën e indiferentizmit. Në fakt rryma alternative "O me PS, o me PD", "O me Sali Berishën o me Edi Ramën", si variant i stalinistes "O me ne, o kundra nesh"  është një dhunë psiqike e fizike, por edhe ekonomike, aq shkundëse sa duhet të jesh shumë i fortë që edhe të rrish nën efektin e saj edhe të ruash trurin e moralin nga dëmtimi i pakthyeshëm.
Ja të jap një shembull nga Parlamenti i asaj dite: thuajse njëri në dy deputetë të PD-së, kur foli, ngriti me forcë akuzën se kryetari i PS dhe i Bashkisë Edi Rama  rezulton i treti nga fundi në botë përsa i përket korrupsionit me lejet e ndërtimit. Ndonëse e besova sepse të gjithë kemi qenë dëshmitarë të aplikimit shkatërrues mbi qytet të politikës "një pallat një votë" të Kryetarit, si gazetar nuk mund të mos më tërhiqte vëmendjen fakti se na qenka bërë një studim vetëm për kryeqytetet e botës ashtu sikurse edhe fakti që autorësia nuk u citua nga asnjëri prej folësve. Kërkova pra ta gjej këtë informacion dhe më doli se e vërteta ishte ndryshe. Ekzistonte vërtet një studim i bërë nga një shoqatë "Doing Business" (e sponzorizuar nga Banka Botërore) ku bëhej fjalë edhe për korrupsionin me lejet e ndërtimit në mbi 170 shtete të botës, por aty nuk bëhej fjalë për Tiranën si e 170-ta, por për gjithë Shqipërisë si e 170 - ta. Dhe kush ka sy në ballë e ka të qartë se ky është problem i të gjithë Shqipërisë i të dy qeverisjeve po ashtu, i të dy bandave po ashtu - mjafton të shohësh masakrën që kanë bërë e po vazhdojnë të bëjnë rrotull Tiranës kryebashkiakët PD-istë.
E pra, ndonëse  kjo akuzë u ngrit aq shumë nga deputetët e PD në atë seancë të Parlamentit, askush për besë, as nga socialistët, nuk u ngrit në atë sallë të thoshte, atë që më duket gjëja më normale që duhet thënë, se ky nuk është thjeshtë problem i Edi Ramës dhe kryebashkiakëve socialistë, por edhe i Sali Berishës dhe i kryebashkiakëve demokratë e se rruga për zgjidhjen e tij nuk gjëndet nëpërmjet këtyre akuzave të ndërsjellta, por nëpërmjet rrugësh të tjera nëpërmjet të cilave edhe dënimi i të gjithë atyre që janë përgjegjës për faktin se jemi të 170-tët në nivelin e abuzimit me atë që deri dje ka qenë shtylla e ekonomisë sonë: ndërtimi. Pra, në vend së të dëgjojmë në Parlamentin, për të cilin pauajmë si taksapagues, të paktën qoftë edhe një pakicë vërejtjesh të mënçura kësisoj ne na ofrohet elektroshoku trushpëlarës "O me PD, o me PS" që amplifikohet edhe më tej nga altoparlantët e këtyre dy partive: mediat e klientëve të tyre. Rezultati është i qartë, në realitetin virtual që çdo ditë e më shumë po na imponohet, nëpërmjet elektroshokut parlamentaro mediatik dhe demostratave e manifestimve të inskenuara, si realiteti që duhet të jetojmë, duket sikur nuk ka asnjë mundësi që të dëgjojmë zëra të tjerë, dhe ky si hap për të na bindur nesër se këta zëra as nuk ekzistojnë fare.  Çmenduri totale!
Në një shkrim të para disa ditëve kam thënë se është më mirë të pësojmë këtë variant të politikës së vjetër "o me ne o kundra nesh" sesa të bijem nën thundrën e një tensioni të vazhdueshëm të një bande të vetme. Vazhdoj t'i qëndroj kësaj, por kjo s'do të thotë që të mos veme re efektin shkatërrues të kësaj politike elektroshoku si dhe nevojën urgjente (që e kam thënë e stërthënë gjithashtu) për të forcuar tërë ato institucione që këtë tension alternativ shkatërrues të mund ta kontrollojnë, përmbajnë e ta kthejnë më pas në energji ndërtuese. Përndryshe, kjo politikë, kështu shkatërruese siç është, herët ose vonë, duam apo nuk duam, do të na çojë nën thundrën e një bande të vetme, çka është edhe ëndrra finale e  atyre që e gjenerojnë. (Panorama 1 mars 2011)

Read More......