Friday, May 27, 2011

Heqje dhe dorëheqje

Në mes të katrahurës së numërimit të votave të hedhura në kutitë e gabuara, që po shoqërohen me protesta përreth Komisionit Qendror Zgjedhor, me bllokime rrugësh dhe thirrje për revoltë nga opozita, erdhi edhe debati Kadare – Basha, ku letrës së Kadaresë, i cili “në kushtet e një fitimi ose të një humbjeje fare të paqartë”, i kërkon Bashës, në emër të përparimit të vendit, dorëheqjen nga kandidat për kryetar bashkie, Basha iu përgjigj duke i thënë se “me tërheqjen për shkak të presioneve politike, i bie të mos bëhen më zgjedhje në Shqipëri”, se kështu “vërtet mund të shpresohet të kalohet më lehtë një sfidë imediate, por [...] sistemi ynë demokratik është më mirë të përballojë sfida të vështira, sesa të shpallë se përfundimisht nuk bën dot zgjedhje”. Cili ka të drejtë përsa i përket rrugës së përparimit të vendit dhe çfarë alternativash mund të ketë?
Në letrën e Kadaresë ka një togfjalësh që e komprometon shkrimtarin kur shfaqet si analist i zhvillimeve politike shqiptare, pasi duket sikur ai sapo ka zbritur në realitet nga ndonjë libër fiksioni me një Shqipëri virtuale. Kjo është fraza: “Kolapsi i papritur në të cilin është gjendur jo vetëm shteti, por gjithë kombi shqiptar”. Në fakt, vetëm “të papritur” nuk ka në këtë që po ndodh. Ose më saktë, i papritur ishte vetëm rezultati kaq i ngushtë i Tiranës. Kurse përsa i përket thelbit të asaj që po ndodh, e papritura për ne do të ishte sikur të mos kishte ndodhur kjo që po ndodh. Pra, sikur edhe Tirana të kishte shkuar, si gjithë qytetet e tjera, me rezultate të pakontestuara dhe ne të mburreshim se kemi arritur standarde europiane në zgjedhje. Personalisht, kur jam shprehur për atë se si do të shkonin këto zgjedhje, kam qenë mjaft skeptik duke ripërsëritur idenë se, nëse i mendojmë zgjedhjet si test i demokracisë, është e vështirë të presësh që këto të tanishmet të japin një rezultat pa probleme, pasi është njëlloj sikur të thuash se një i sëmurë shkon të bëjë analizat e gjakut dhe pret që ato t’i dalin mirë, ndërkohë që ai e di se sa i sëmurë është. E kam thënë këtë edhe duke parë se opozita ka ecur mbi dy shina lidhur me këto zgjedhje: duke pranuar të merrte pjesë në to, por edhe duke përgatitur kontestimin e tyre në rast humbjeje. Thënë ndryshe, ne ishim të përgatitur që në rast fitoreje të opozitës këto do të mund të quheshin zgjedhje të pranueshme, përndryshe ato do të quheshin të papranueshme. E, në këtë kontekst, mund të them se sipërfaqësisht u gjenda në prag të përgënjeshtrimit të parashikimit tim. Sikur të mos ishte rasti “Tirana”, zgjedhjet nuk do ta jepnin sëmundjen nga e cila kemi vuajtur e vuajmë ne. Do të konsideroheshim gati të shëruar. Kurse Tirana provoi se sëmundja jonë e vjetër vazhdon.
E, kur flitet për “sëmundje të vjetër”, nëse do t’u hedhim një vështrim të shpejtë zhvillimeve politike të këtij vendi, do të vëmë re se shumë nga ata që quhen ndërrime pushteti në Shqipëri dhe jo vetëm, por edhe shumë vendime të tjera, janë marrë kryesisht si rezultat i luftërave jashtinstitucionale të dy partive kryesore politike me në krye liderët e tyre: presioneve politike, demonstratave, grevave të urisë, destabilizimeve, që pastaj kanë shkaktuar edhe ndërhyrjen e ndërkombëtarëve. Do të vërejmë po ashtu se në këtë sëmundje të vjetër hyjnë edhe dorëheqjet apo kërkesat për dorëheqje.
Kur flitet për dorëheqjen nga një post, zakonisht kjo vjen për dy arsye. E para, ajo më e përhapura, kur funksionari i lartë ndodhet i shtrënguar ta japë atë për një mijë arsye që ia bëjnë të pamundur qëndrimin në një post. E dyta, kur ai ikën vetë pasi sheh se qëndrimi në atë post cenon rëndë integritetin e tij moral apo intelektual, apo projektin e tij mbështetur mbi vizionin e tij për botën. Me fjalë të tjera, e para mund të quhet më shumë heqje, kurse e dyta dorëheqje. Nuk jam marrë me historinë e heqjeve dhe dorëheqjeve në Shqipëri. Do të ishte një temë interesante për historianët, por di të them se ajo që ndodh rrallë në vendin tonë është ky rasti i dytë, kurse, përsa i përket rastit të parë, nuk jemi pa precedentë, përkundrazi. Edhe dorëheqja e Ismail Qemalit, që përmend Kadareja, hyn në ato që i quajta heqje, pasi kryeministri i asaj kohe i Qeverisë së Vlorës u akuzua për pjesëmarrje në komplotin e Beqir Grebenesë dhe në fakt nuk hoqi dorë nga lufta për pushtet derisa vdiq. Do të ishte interesant trajtimi i kohës së komunizmit përsa i përket kësaj teme, ku del se ajo që quhet dorëheqja e funksionarëve të lartë thuajse nuk njihej, pasi gjithsesi, një akt i tillë nënkuptonte një lloj pavarësie mendimi dhe veprimi, kurse në atë regjim ishte vetëm partia – shtet ajo që kishte fuqinë e mendimit dhe veprimit të kuadrove të saj.
Por, le ta lëmë historinë e komunizmit dhe le t’i kthehemi periudhës kur dorëheqjet filluan të aplikohen. Nëse do të shohim dorëheqjet në këta njëzet vjet pas-komunizëm, do të thosha se modeli i tyre bazë është dorëheqja e Fatos Nanos nga posti i Kryeministrit në vitin 1991, kur PD-ja kishte marrë yryshin për drejt pushtetit. Mund të përmendja gjithashtu edhe dorëheqjen e Ramis Alisë, thuajse një vit më vonë, nga posti i Presidentit, pasi PD-ja fitoi zgjedhjet. Ajo që i ka karakterizuar këto dorëheqje ka qenë atmosfera revolucionare e krijuar, destabilizimi apo kërcënimi me destabilizim i vendit nga opozita. Sikurse dihet, në atë kohë opozita kishte edhe mbështetjen ndërkombëtare, kështu që për udhëheqësit komunistë bëhej edhe më i pamundur qëndrimi në poste. Nuk më duket se ka nevojë të zgjatem shumë për të shpjeguar se ky model dorëheqjeje apo kërkese për dorëheqje ka vepruar vazhdimisht gjatë këtyre njëzet vjetëve i përdorur nga të dyja palët. Edhe viti ‘97 pati këtë model në thelbin e vet; edhe dorëheqja e Nanos më ‘98-n pati këtë model. A ka pasur mirë apo keq Shqipëria nga këto (dorë)heqje apo mos(dorë)heqje? Përgjigjja ndaj kësaj pyetjeje mund të jetë e ndryshme nga këndvështrime të ndryshme. Nuk po i hyj këtij diskutimi shumë kompleks, por ama, një gjë është e sigurt: se këto metoda ishin formë foshnjore e luftës politike. Tregues se institucionet tona demokratike, si ai i votës së lirë, ose nuk ishin krijuar, ose nuk funksionon si duhet e se ato kontrolloheshin krejtësisht nga partitë në luftë me njëra-tjetrën. Pyetja që shtrohet sot, duke parë zhvillimet, është: a e kemi kaluar këtë fazë? Sigurisht që jo. Gjykoj se dorëheqja që i kërkohet Lulzim Bashës nga Kadareja, si interpretim i situatës së krijuar përpara Komisionit Qendror Zgjedhor nga opozita, e provon këtë, paçka se Kadareja përpiqet ta paraqesë atë si një akt që do t’i bënte nder Bashës, pra ta fuste në kategorinë e dorëheqjeve jo (dorë)heqjeve. Aq më tepër nëse kemi parasysh se opozita ka dy vjet që në thelbin e vet kërkon të njëjtën gjë: të arrijë në pushtet pas një destabilizimi të vazhdueshëm.
E, megjithatë, këtu vlen të shtrohet edhe një herë pyetja: a kemi bërë ndonjë hap përpara? E kam të vështirë ta pohoj këtë, por një gjë më duket shumë e rëndësishme. Me siguri, dorëheqja e Bashës nën trysni do të ishte një kthim prapa, një shpërblim për kohën kur marrëveshjet politike të të fortëve nëpërkëmbnin ligjin. Nuk ka dyshim se Komisioni Qendror Zgjedhor është një institucion që anon nga maxhoranca. Personalisht jam i prirë të besoj se sikur ato dhjetë vota më tepër t’i kishte Basha dhe jo Rama, Komisioni Qendror Zgjedhor do ta interpretonte ndryshe boshllëkun ligjor lidhur me votat e hedhura në kutitë e gabuara. Ka gjasa që edhe Kolegji Zgjedhor, ku do të përplaset çështja, të anojë nga maxhoranca. Por, edhe sikur t’ia japë opozitës të drejtën, jam i sigurt se kjo nuk do të interpretohet si pavarësi, po sikur ky është nën sundimin e opozitës. Por ajo që po vëmë re, megjithatë, është një përpjekje për të justifikuar me ligj ose me boshllëkun ligjor vendimet që po merren. Shumë kanë përmendur këto ditë rastin e rishikimit të votave të pavlefshme në Florida dhe respektin që tregoi Al Gore ndaj Gjykatës Kushtetuese Federale, që e ndaloi këtë. Por kanë harruar se edhe atje, kjo Gjykatë u paragjykua, pasi kishte në radhët e saj më shumë gjykatës të zgjedhur nga republikanët. E megjithatë, u respektua, pasi refuzimi i vendimit të saj do të thoshte shkatërrim i shtetit. Pyetja që shtrohet është: a vlen t’i nënshtrohemi kësaj loje politike më të rafinuar, apo është më mirë t’u kthehemi kohëve të përmbysjeve me dhunë? Sigurisht, tingëllon cinike t’i thuash opozitës se duhet të respektojë institucionet kur ajo ka bindjen se ata punojnë kundër saj. Por, po të kesh parasysh përgjegjësinë që ka vetë opozita për mospavarësinë e këtyre institucioneve, qoftë me praktikat e saj të deritanishme të sjelljes ndaj tyre, qoftë nga bashkëpunimi ligjor për ndërtimin e tyre kësisoj, duket e arsyeshme t’i thuhet se ajo duhet të tregohet më e përmbajtur. Në këtë kontekst mendoj se presioni që po i bëhet Komisionit Qendror Zgjedhor nga opozita mund të jetë i justifikueshëm deri diku, por kurrsesi nuk gjykoj se ai duhet nëpërkëmbur në format si po e nëpërkëmb opozita. Kurse dorëheqja e Bashës dhe lënia e pushtetit Ramës pa u shkuar deri në fund procedurave ligjore, gjykoj se do ta zhvleftësonte fare atë si institucion e, në përgjithësi, do ta komprometonte rëndë institucionin e votës në vend dhe vetë demokracinë.
Prandaj gjykoj se më shumë sesa ushtrimi i presionit ndaj Lulzim Bashës për dorëheqje, do të bënte efekt për mirë në përparimin e vendit ushtrimi i presionit nga njerëzit e pavarur të shoqërisë civile në Shqipëri mbi këto institucione që të sillen vërtet si të pavarura, por edhe duke i akuzuar ata që nuk u krijojnë mundësinë atyre të sillen si të tillë, edhe duke kërkuar ndryshime ligjore që do të garantonin pavarësinë e tyre më të madhe nesër. (Panorama 24 maj 2011)

Read More......

Edhe një herë mbi procesin

Tani që kemi arritur thuajse në përfundim të pjesë më të vështirë të procesit zgjedhor, numërimit të votave, mund të thuhet se ky proces ka ecur në mënyrë të atillë që palët, përveç rastit të Tiranës, që është komplikuar shumë për shkak të rezultatit jashtëzakonisht të ngushtë, kanë shumë më pak kontestime serioze për vjedhje votash se më parë, por… Diçka e rëndësishme qëndron prapa “por”-it. Pyetja është nëse ky përparim erdhi pasi nuk kemi të bëjmë më me manipulues apo vjedhës votash, se këta janë sofistukuar, apo çfarë? Gjykoj se votat u ruajtën më mirë se më parë jo pse kemi arritur të ndërtojmë institucion votimi e numërimi të tillë që të garantojë votën e lirë, por kryesisht në sajë të strategjisë së ruajtjes së hajdutit. Në mënyrë figurative mund të thoja se situata ishte e ngjashme me atë të hajdutëve që janë të paralajmëruar se në filan ditë dhe në filan javë të gjitha kamerat e vëzhgimit dhe të gjitha mjetet e përgjimit janë në alarm maksimal prandaj kjo nuk mund të jetë dita e vjedhjes për ta, gjë që, nga ana tjetër, nuk i bën ata njerëz të ndershëm. Ose ose: ti je hajdut, mund të vjedhësh gjithshka, por jo në shtëpinë time sepse unë e kam të ruajtur atë. Nuk duhet harruar se një ndikim të fuqishëm për këtë ka luajtur faktori ndërkombëtar që ka përgjuar edhe ai me kandil në dorë. A është kjo garanci për të nesërmen? Sigurisht jo, por të kesh zgjedhje me një rezultat që nuk mund të kontestohet lehtë nga palët është më mirë se të kesh zgjedhje të kontestueshme. Ndërkaq, në këtë kontekst, gjithë duke folur për vota të pakontestueshme, mund të shtojmë se kjo nuk do të thotë se këto ishin të pamanipuluara, Fakti është se në zgjedhjet lokale, shumë  më tepër sesa në zgjedhjet e përgjithshme vihet re një fenomen që edhe pse nuk mund të quhet vjedhje e kontestueshme e votës duket sheshit se është një  manipulim i votës. Me këtë kam parasysh se vota në shumë raste diktohet nga rrjete të fuqishme interesash e klientelash që kanë krijuar grupe të pasuruarish në qytete apo komuna të ndryshme, shpesh edhe duke pas qenë për të disatën herë në krye të bashkive të ndryshme, që  janë bërë gjithnjë e më të fortë nga mandati në mandat e që, sikurse thonë shumë zëra, kanë arritur deri ta blejnë me para në dorë votën e të varfërve.  Në këtë aspekt mendoj se është bërë pak ose shumë pak, nga ana e mediave veçanërisht, për të investiguar se cilët kanë qenë kandidatët për bashki, cilat kanë qenë pasuritë e tyre, si janë venë ato pasuri, etj.. Një nga arësyet pse kjo nuk është bërë mendoj se vjen ngase të dy palët në shumë raste kanë ndjekur të njëjtën strategji të mbështetjes në këtë kategori politikanësh. Rastet më flagrante të këtij fenomeni, sipas mendimit tim, janë ato kur vihet re një zhvendosje e votës për kyetar bashkie nga ajo për këshillin bashkiak ku, ndërkohë që vota e kryetarit i është dhënë përfaqësuesit të njërit koalicion vota popullore i është koalicionit tjetër me diferanca të pajustifikueshme – ndër të cilët më skandalozi është rasti i Durrësit. Shumë të dhëna flasin se këto zhvendosje nuk i dedikohen ashtu dhe aq karizmës së individit fitues apo mungesës së karizmës së humbësit, por fuqisë financiare dhe klientelës shumë më të fortë të fituesit, e fuqizuar kjo nga qeverisja në qeverisje, ose nga ndonjë biznes i fuqishëm.
Nëse Tirana nuk e vërteton këtë, pasi rezultati duket se ka shumë më tepër ekuilibër, kjo, sipas gjykimit tim, vjen për shkakun se në Tiranë ka shumë më tepër ekuilibër pushtetesh financiare, mediatike e administrative midis pushtetit qendror dhe atij lokal.

Sigurisht nuk mendoj se vetëm aspekti fuqi rrjetesh klientelare ka ndikuar në votën. Sikurse e kam thënë në shkrimin ”Ekuacioni i zgjedhjeve” një faktor i rëndësishëm është edhe faktori pakënaqësi në rritje si ndaj pushtetit qendror edhe atij lokal. Megjithatë rezultatet e këtyre zgjedhjeve, sipas gjykimit tim, provojnë se faktori pakënaqësi, ndryshe nga çfarë prisja, ka luajtur një rol më të vogël sesa faktori fuqi klientelare. Ndoshta për këtë ka ndikuar edhe fakti se opinioni i gjerë i të pakënaqurve nuk ka ndonjë pritshmëri të madhe ndryshimi. Nuk ka se si shpjegohet ndryshe fakti se në një kohë kur Shkodra është përmbytur në mënyrë dramatike gjatë kësaj maxhorance kandidati demokrat për bashki votohet në mënyrë spektakolare. Nuk ka se si shpjegohet ndryshe fakti se ndërkohë që Durrësi është masakruar nga betoni protagonistët e masakrimit shpërblehen me votë ndërkohë që vota për këshillin i shkon koalicionit kundërshtar. Nuk ka se si shpjegohet se ndërkohë që  ish kryetari i rikonfirmuar i Korçës përgatit shkatërrimin e qytetit në emër të interesave financiare të një grushti njerëzish  merr votën e shumicës edhepse kundërshtari i tij premton ta shpëtojë qytetin nga kjo masakër. Nuk ka se si shpjegohet fakti se ndërkohë që LSI ka kaluar një krizë të paparë morale për shkak të skandalit për korrupsion që ka përfshirë jo vetëm kryetarin e partisë Meta, por edhe një nga udhëheqësit e tij më të spikatur, ish ministrin Prifti, kjo parti fiton më shumë vota nga ç’ka fituar në 2009.

Për gjithë sa thashë gjykoj se këto zgjedhje meritojnë të quhen më të pakontestueshme se paraardhëset, por jo të pamanipuluara. Dikush do të thotë se gjithsesi kjo përbën një hap përpara madje se edhe në demkracitë e konsoliduara perëndimore mund të flitet për disa nga llojet e manipulimit që përmenda. Është e vërtetë, por po ashtu është e vërtetë se diferenca e jonë me këto demokraci është ende mjaft e madhe, madje edhe me ato të vendeve ish lindore. Dhe problemi kryesor që del sipas këtij arsyetimi është se rritja më e madhe e ndikimit të fuqisë klientelare mbi rezultatin e votimit ndaj ndikimit të pakënaqësisë popullore rrezikon që oligarkia, kleptokracia, klientelokracia të fitojë në të ardhmen edhe më shumë terren në dëm të përpjekjes sonë për liri dhe demokraci. (Panorama, 17 maj 2011)


Read More......

Vonesa e numërimit si vonesë e demokracisë

Të thuash sot në Shqipëri se procesi zgjedhor është më i rëndësishëm sesa rezultati nuk të marrin seriozisht, ta quajnë për retorikë boshe apo të thonë se je një idealist koti pasi të gjthë janë të përqendruar aq shumë tek emocionet e rezultatit sa arritja e fitores së palës për të cilën bëjnë tifo u duket gjithshka kurse procesi asgjë. Mirëpo edhe pse pjesa jonë emocionale, dmth. truri i vogël flet kështu, ajo pjesa jonë racionale (që shpesh edhe ajo vihet në shërbim të emocioneve e interesave të ngushta në vend se t’i frenojë ata në emër të  një interesi më të madh e më afatgjatë), kur arsyeton ftohtë, na le të kuptojmë se sa më i rëndësishëm është procesi nga rezultati. Mjafton të mendosh pasojat që kemi hequr nga këta procese zgjedhore të kontestuara, apo edhe tensionet e ditëve të kësaj jave, për të provuar këtë. Të kesh sigurinë e një procesi zgjedhor të paanshëm është një gjë e madhe, që të jep siguri në shumë aspekte të tjera të jetës. Për fat të keq edhe këto zgjedhje nuk po jetohen me këtë ndjenjë, përkundrazi, vazhdon avazi i vjetër.
“Avazi” i procesit kësaj here ndoshta më shumë se çdo herë tjetër lidhet me atë që quhet “faza e numurimit” si tejzagjatja e saj.
Kur e pyeta, gjatë një emisioni, për shkaqet e kësaj tejzgjatjeje, Kryetari i KQZ m’u përgjegj shkurt e qartë se kjo i atribuohet mosbesimit të palëve të cilat, meqënëse kërkojnë të kontrollojnë gjithshka, e vonojnë procesin. Mirëpo vonesat që po ndodhin i tejkalojnë edhe vonesat e kësaj natyre. Ajo çka po del në pah qartazi kësaj here, veçanërisht duke patur parasysh Tiranën, është fakti se këto vonesa bëjnë pjesë në një strategji lufte të menduar që më parë. Pra duket se palët synojnë të numërojnë të parat kutitë e zonave ku ata kanë përvojën se fitojnë më shumë sesa kundërshtari. Thuhet se kjo bëhet për efekt psikologjik, që të mos demotivohen militantët, por, ndërkohë që tensioni është rritur, rreziqet e kësaj zvarritjeje janë shtuar, veçanërisht në një rast si ky i Tiranës ku, kandidatët kanë shkuar për një kohë të gjatë rrotë më rrotë. Kjo ka sjellë edhe bllokimin e zonave të catuara. Paraqitja nëpër ekrane e garës ka apasionuar shumë militantë duke shtuar rrezikun që në zona të caktuara, ndoshta vendimtare, të ndodhin skandale të gjithfarllojshme që nga tentativa për t’i nxjerrë ato të pavlefshme e deri tek blerja e komisionerëve.
Pa hyrë në hollësira, meqënëse procesi zgjedhor nuk ka mbaruar, do të thoja se gjëja më e rëndë e këtij lloj numërimi është fakti se partitë kryesore e trajtojnë votën e qytetarëve sikur ajo të jetë pronë e tyrja, që mund ta numërojnë kur të duan madje me të cilën mund të bëjnë ç’të duan. Në fakt votat nuk janë të tyret, madje as ato të militantëve të PD dhe PS të cilët edhe mund të durojnë çdo tekë të partive të tyre. Në zgjedhje kanë marrë pjesë qytatarë të ndryshëm, të cilët, për një arësye apo për një tjetër, kanë dhënë votën për një kandidat apo për tjetrin, që nganjëherë edhe mund ta kenë kryqëzuar atë apo që edhe mund ta kenë lënë të bardhë. Dhe këta qytetarë, ashtu sikurse edhe vetë militantët, meritojnë që vota e tyre të respektohet dhe jo të nëpërkëmbet kësisoj. Dhe këtu vijmë tek thelbi i asaj që desha të them. Garant për votën e çdo qytetari në fakt duhet të jetë shteti. Është ai që duhet të numërojë votën dhe jo militantët. Kurse sistemi zgjedhor që kanë zgjedhur të dy partitë, me pretekstin se ata nuk kanë besim tek institucionet e pavarura të shtetit pasi ato blihen nga më i forti, ka bërë që votat të numërohen nga partitë dmth. nga militantët të cilët, pastaj, u binden urdhërave që u vijnë nga qendra që të ndalojnë numërimin apo të fillojnë numërimin në bazë të strategjisë në fjalë, duke nëpërkëmbur kësisoj procesin zgjedhor.
Gjykoj se kjo duhet të ndryshojë medoemos, por gjithashtu gjykoj se një gjë e tillë nuk është e thjeshtë pasi e njëjta gjë, dmth lënia e të gjithë pushteteve dhe kontrolleve partive, të cilat janë që të dyja në pushtet - mjaft të kesh parasysh edhe rezultatin e këtyre zgjedhjeve ku rezulton se opozita ka një numër të madh bashkish -  ka ndodhur me thuajse të tërë institucionet që në një demokraci duhet të jenë të ndara nga interesat e këtyre dy partive, madje garant i interesave të qytetarit nga abuzimet e këtyre dy partive. Për shembull e njëjta gjë ka ndodhur me pushtetin mediatik. Në shumë faza të zgjedhjeve njerëzit shihnin rezultate të kundërta nga njëri ekran tek tjetri, varësisht nga afiliacioni i mediave të caktuara me njërën apo tjetrën parti -  ndërkohë që nuk ekziston asnjë media që të jetë garant i pasqyrimit me vërtetësi të procesit zgjedhor.
Në këtë aspekt vonesën e numërimit të votës për shkak se nuk kemi ndërtuar dot një shtet që të bëhet ai garant i saj dhe asnjë media që ta pasqyrojë atë më vërtetësi unë e shoh si një metaforë të vonesës së demokracisë. Pra, nëse do të aplikonim atë thënien e famëshme se zgjedhjet janë një test i demokracisë do të thoja se këto problemet e numërimit në këto zgjedhje, ashtu sikurse edhe në të tjera më parë, bënë edhe një herë të qartë se sëmundja kryesore e demokracisë sonë të brishtë, është mungesa e kontrollit të dy partive nga institucionet që duhet të garantojnë këtë. Në fakt ishte një gjë e pritur. (Panorama 11 maj 20011)

Read More......

Thursday, May 12, 2011

Ekuacioni i zgjedhjeve

Pas një periudhe kur u duk se fushata jonë zgjedhore do të përshkallëzohej përsa i përket tensionit, çka e paralajmëruan një numër atentatesh, që nuk dihet pse nuk përfunduan me vdekje, nga fati apo ngase qenë të  programuar për të mos përfunduar me vdekje,  dy javët e fundit u vu re një ulje e tensionit, që duket se po ngrihet pak këto ditët e fundit, por pa arritur nivele që të na bëjnë të frikësohemi. Gjykoj se kjo i dedikohet kryesisht uljes së retorikave armiqësore në të dy kampet që, pa dyshim,  kanë qenë dhe mbeten nxitësit kryesorë të rritjes së tensionit. Por kjo ulje e retorikave, gjithë sipas meje, nuk duhet interpretuar ashtu dhe aq si pjekurim apo ndryshim në mendësi sesa si një lëvizje taktike në prag të zgjedhjeve nga të dy palët. Kjo është diktuar sa nga presioni i ndërkombëtarëve të cilët u shqetësuan, por edhe u angazhuan seriozisht, të ndalonin përshkallëzimin në fjalë (për këtë kemi të dhëna të sigurta) aq edhe (kjo është një hamendje e imja) si rezultat i këshillave të kompanive që drejtojnë fushatat elektorale të dy partive që duket se kanë venë re se lufta për elektoratin e pavendosur nuk bëhet me rritje të tensionit, por, përkundrazi, duke ia lënë tjetrit nisiativën e sulmeve urrjetëse e ndezëse të tensionit.
Kjo qetësi sikur i ka hequr edhe një lloj sharmi zgjedhjeve tona që kanë qenë interesante nga pikpamja gazetareske edhe për shkak të tensionit. Megjithatë ajo që i bën përsëri shumë tërheqëse dhe interesante është pasiguria e rezultatit. Kjo edhe për shkak të mungesës së sondazheve të vazhdueshme dhe të besueshme çka gjykoj se është një tregues jo pak i rëndësishëm i gjendjes së demokracisë shqiptare. E megjithatë njerëzit duan të dinë: cili do të jetë rezultati e, në mungesë të sondazheve, bëjnë kalkulimet e tyre. Këtë po rrekem të bëj edhe unë me këtë shkrim.
 Nëse do të hartoja një pyetësor nëpërmjet të cilit të mund të përcaktoja se si do të jetë rezultati i këtyre zgjedhjeve do të nisesha nga ideja se rezultati i tyre do të jetë rezultante e disa variablave kryesorë.
Në kërkimi të këtyre variablave së pari, do të ndaja konstantet e ekuacionit dmth. elektoratin militant, të përhershëm. Pra një nga pyetjet e para të pyetësorit tim do të ishte nëse kanë ndryshuar ndonjëherë votë apo jo. Ka që i mshojnë idesë se ky është numri më i madh i votuesve. Edhe unë besoj se kështu është, por, megjithatë, ne nuk do të kishim pasur rezultate të ndryshme sikur të mos lëvizte diçka gjatë zgjedhjeve tona. Pra, pasi të përcaktoja ndarjen e militantëve dhe përqindjen e tyre, që ndoshta mund të kapë deri në 85-90 përqind të atyre që do të marrin pjesë në votim, do të më mbetej kërkim i atyre variablave që kanë bërë e bëjnë të ndryshojë qëndrim ai 10 – 15 përqindëshi i mbetur.
Pyetja e parë që do të më jepte një përgjigje për këtë do të ishte ajo që do të më përcaktonte se sa është rritur numri i të pakënaqurve nga qeverisja qendrore që do ta shprehin këtë pakënaqësi me votën e tyre, me fjalë të tjera që kanë votuar PD dhe nuk do ta votojnë më.  Krahas kësaj do të vija edhe pyetjen se sa janë shtuar të pakënaqurit nga qeverisja lokale. Në këtë aspekt gjykoj se ka qenë një strategji e gjetur elektorale ajo e socialistëve që kanë tentuar t’i përçojnë publikut idenë se vota e tyre duhet të jetë një votë kryesisht kundër kundër qeverisë qendrore dhe po ashtu, duke patur parasysh se qytetet kryesore, me në krye  Tiranën, i kanë qeverisur socialistët gjykoj se është e gjetur edhe strategjia elektorale e PD që t’i bëjë thirrje elektoratit të votojnë për ndryshimin në nivel lokal. Pyetja që shtrohet në këtë kontekst  është se cila ka më shumë peshë: pakënaqësia ndaj qeverisë qendrore apo ajo ndaj pushteteve lokale? Sipas meje më e madhe është pakënaqësia ndaj qeverisë qendrore dhe, duke patur parasysh vetëm faktorin pakënaqësi, socialistët mund të jenë në avantazh në këtë aspekt.
Fill  pas këtij faktori, personalisht do të kërkoja të gjeja një variabël tjetër: atë se sa është konsoliduar pushteti i njërës forcë dhe i tjetrës gjatë këtyre viteve të fundit. Me këtë kam parasysh edhe ato që quhen mundësi manipulimi të votës (jo domoshdoshmërisht të dukshëm e të dhunshëm) që sot për sot do t’i artikuloja me pyetjet të tilla si : kush ka fuqi më të madhe financiare nga të dy partitë? Cila parti ka më shumë mundësi të shpërndajë privilegje e të mira materiale? Cila parti ka më shumë media nën kontroll? Cila parti ngjall më shumë frikë me pushtetin e saj? Në këtë aspekt gjykoj se PD dhe aletatët e saj janë më përpara se PS dhe aleatët e saj.
Raporti i këtyre dy variabëlve sipas meje ka luajtur rolin më të rëndësishëm për ndryshimin e rezultatit të zgjedhjeve në vendin tonë. Në vitin 2005 PD ishte pakrahasimisht më e dobët sesa PS nga fuqia, por fitorja i erdhi pasi variabli pakënaqësi ka qenë më i madh në 2005 sesa variabli fuqi - duke mos harruar se PS u dobësua në këtë drejtim edhe për shkak të shkëputjes së LSI. Më 2007 pushteti qendror ishte forcuar përsa i përket fuqisë, nuk ishte rënduar ashtu dhe aq përsa i përket pakënaqësisë, ndërkaq Rama kishte ende fuqi të madhe në Tiranë dhe pakënaqësinë në rritje ndaj pushtetit të tij e kishte më të vogël sesa sot. Më 2009 PD bëhet qartazi më e fuqishme se PS si pushtet politik e finaciar, fillon e brazohet si pushtet mediatik ndërkohë që pakënaqësia ka filluar t’i rëndojë gjithnjë e më shumë,  por ndoshta jo edhe aq sa sot. Në prag të këtyre zgjedhjeve gjykoj se pakënaqësia ndaj Berishës është rritur ashtu sikurse është rritur edhe fuqia e tij më anë tjetër, ndërkohë që pakënaqësia ndaj Ramës dhe PS në pushtet lokal është rritur edhe ajo, ndërkohë që fuqia i është ulur si kurrë ndonjëherë
Një variabël i tretë që do ta formuloja në pyetësorin tim do të kishte të bënte me pyetjen: sa ju ngjallin besim të vërtetë për ndryshim për mirë partitë në këtë fushatë elektorale që lidhet edhe me pyetjen se sa do të ndikojë vetë fushata elektorale në rezultat. Gjykimi im është se besimi është jashtëzakonisht i ulët. Përsa i përket opozitës që është kryesorja që duhet ta ngjallë këtë besim do të thoja se, po t’i referohemi periudhës së zgjedhjeve që nga 2005 e këtej, besimi për ndryshim për mirë ka ardhur duke u ulur në mënyrë drastike.  Berisha i opozitës së vitit 2005 ngjallte shumë më tepër besim për ndryshim të situatës së përgjithshme të vendit nga ç’ngjall Edi Rama i vitit 2011. Mjaft të kujtojmë se së pari, Berisha më 2005 ndërmorrri një fushatë të fortë antikorrupsion duke premtuar çmontimin e sistemit të korrupsionit duke pas qenë tetë vjet në opozitë ndërkohë që Rama, duke patur Tiranën, asnjëherë nuk është konsideruar krejtësisht në opozitë dhe akuzohet vazhdimisht për korrupsion; së dyti, Berisha ngjalli besim pasi akuzoi me emra dhe mbiemra jo vetëm liderët kryesorë Nano, Rama etj. por edhe krejt oligarkët e lidhur me ta; dhe po ashtu bëri disa reforma në partinë e tij për të eliminuar të ashtuquajturin “konflikt interesi” si dhe një lloj autokritike, edhe pse indirekte, për të modifikuar imazhin e tij autoritar. Thuasjse asgjë e tillë nuk duket në PS. Premtimi për goditjen e sistemit mungon krejtësisht dhe i gjithë sulmi përqendrohet në një person të vetëm Sali  Berishën dhe ndoshta familjen e tij. As që bëhet fjalë për korrigjime të gabimeve po ashtu. Përsa i përket besimit për ndryshime për mirë nga ana e mazhorancës mendoj se një farë shkëndije ka arritut të ndezë sadopak Lulzim Basha në Tiranë, pasi Rama ka konsumuar aty tre mandate dhe dëmet që ka bërë janë bërë të dukshme për të gjithë, por këto janë shumë pak dhe tejet të pambështetura me argumente për të ngjallur besimin se kjo maxhorancë do të mbajë premtimet për mirë.
Sikurse u përpoqa të ve në dukje tre janë variablet kryesorë që do të ndikojnë në luhatjen e pjesës së pavendosur të elektoratit për të na dhënë zgjidhjen e ekuacionit të këtyre zgjedhjeve: pakënaqësia në rritje ndaj pushteti qendror dhe atij lokal, që i jep epërsi PS, fuqia financiare politike e dy koalicioneve që përkthehet edhe si mundësi manipulimi më shumë të padukshëm sesa të dukshëm, që është në favor të PD, si dhe besueshmëria e premtimeve në këtë fushatë elektorale që në shkallë vendi do ta lija të barabartë për të dy palët.
Sipas meje në këto kushte jemi përpara një loje krejtësisht të hapur.   (Panorama, 6 maj 2011)

Read More......

Friday, May 6, 2011

Fushata si screen saver i Ferrit



Takova para disa ditësh një të ri i cili bën pjesë në kategorinë e atyre që kalojnë një kohë jo të vogël para kompiuterit. E pyeta se si e shihte ai fushatën elektorale. Mu përgjigj me një anakdodë që më pëlqeu, prandaj po e ndaj me lexuesin.
“A e di çfarë më kujtojnë ato dy posterat e Ramës dhe Bashës? - më tha.”
“Çfarë?” -  e pyeta.
“A e ke degjuar atë barcaletën me Bill Gate në Ferr?”
“Jo.”
“Kur vdiq Bill Gate, meqë ishte njeri që kishte bërë punë të mëdha, i dhanë mundësi të zgjidhte se ku do shkonte. Për këtë i shfaqën tre ekrane kompiuterike. Billin e tërhoqi veçanërisht Ferri: me një breg deti të kaltërt, me shezllongje e palma e me femra të bukura rreth e rotull. E zgjodhi menjëherë. Mirëpo, sapo hyri atje, ç’të shihte: shtëllunga flake, gropa vullkanike, vende torture, dmth. ferr i vërtetë. ‘Ç’është kështu? - u tha të dërguarve të Zotit, - unë pashë tjetër gjë në ekran!’ ‘E po - i thanë - ajo që pe ti ishte screen saveri.’
Mua – vazhdoi të më thotë miku im - ajo buzëqeshja e Bashës para fotos së Tiranës dhe ato dhëmbët e reja rruazë të bardhë të Ramës, shoqëruar me tre katër femra në rresht, që na dalin çdo dhjetë metra kur ecim nëpër rrugë dhe që i sheh të stampuar edhe nëpër makina që të shoqërojnë gjatë gjithë rrugës, më duken si screen saveri i Ferrit.”
Më kapi e qeshura dhe shyqyr që e kemi ruajtur ende këtë veti se prapa aplikimit të kësaj barcalete në kontekstin shqiptar qëndron një dramë shumë e thellë për të gjithë ne.
Nuk di nëse është më shumë përvoja e hidhur e këtyre njëzet vjetëve, që na bën t’i shikojmë këto premtime me aq mosbesim, apo fakti se fushatat tona elektorale po bëhen gjithnjë e më shumë thjesht e vetëm propagandë si ajo e kohës së komunizmit. Ndoshta të dyja janë të vërteta. Mosbesimi ka arritur një pikë kulmore për shkak të premtimeve të pambajtura kurse premtimet e pambajtura, që gjithsesi janë shpërblyer me votë, e kanë bërë klasën tonë politike gjithnjë e më arrogante e harbute, por njëherësh gjithnjë e më të bindur se në këtë vend gënjeshtra shpërblehet më shumë sesa e vërteta kurse atyre që s’duan ta hanë u thuhet: “O ti mangi questa minestra o ti butti dalla finestra!”. A ju kujtohet, o qytetarë të Tiranës, se kur na u vu mbi kokë ajo linja e tensionit të lartë në Bulevardin Zogu i Parë pati një valë jo të vogël protestash për rrezikshmërinë e saj, për faktin se një gjë të tillë nuk e sheh gjëkundi në qytetet e botës së qytetëruar e më the të thashë? Dhe si përgjigje nga ata që e vunë – nuk e mbaj mend fare se kush ishte asokohe  - na u tha se ishte  një gjë e përkohëshme, sa për të stabilizuar për pak kohë tensionin; se shumë shpejt do të vendosej kablli nëntokësor, si në tërë qytetet normale të botës. E pra, kanë kaluar ndonja dhjetë vjet, besoj, dhe ende ato shtylla tensioni të lartë i kemi mbi kokë, mu në mes të Tiranës. Tani i kemi harruar fare që i kemi mbi kokë. Kemi harruar edhe protestat që kemi bërë madje. E sot këta mashtrues profesionistë kanë për borxh që ca shtylla si ato të na i ngrenë mbi krye e të na i shesin edhe për sukses.
Premtimi i Edi Ramës përveç buzëqeshjes së freksët nëpër postera është po ai i këtyre njëzet vjetëve sipas të cilit votën ta garantojnë zullumet e kundërshtarit: votoni për mua të heqim Saliun se ai po ju vjedh kurse unë me të mijtë nuk do t’ju vjedh. A thua se këta qindra mijëra ndërtime që na kanë vjedhur deri edhe ajrin e prej të cilëve nuk është vjelur taksë as sa për të bërë capak gjëra normale si puna e  një thertoreje të mos jenë ndërtuar në kohën e tij dhe nga njerëzit e tij. Ndërkaq, premtimi i Lulzim Bashës  është edhe ai po i vjetri: do t’ju bëj të jetoni në më të mirën e botëve pa përjashtim: vepra publike si unaza e madhe ku do të punësohen njerëz, zgjatja e bulevardit të madhe deri tek lumi, parqe, shkolla, kopështe, biblioteka (harrova, të dy palët na premtojnë edhe tramvaj; madje së fundi po haen se kush ia ka vjedhur këtë ide tjetrit) të cilat do të shoqërohen edhe me ulje taksash për të gjithë, edhe me falje borxhesh. Nuk ka rëndësi se deri tani edhe me taksa të larta ne jemi në këtë derhexhe përsa i përket publikes. Në fakt Basha premton se do të gjejë kredi. Por kjo do të thotë para borxh, dhe, a nuk jemi të mbytur me borxhe deri tani? Mirëpo maxhoranca ngulmon “rrugë”, “rrugë”, rrugë”, rrugë” – me borxhe sigurisht. Edhe në screen saverin që mban Berisha prapa shpine rrugë ka. Mirëpo, ndërkëq, prapa këtij premtimi ferri është i paparë. Le ta vizitojmë këtë ferr vetëm në nja dy tre “lagje”: maxhoranca i ka premtuar ish të burgosurve politikë dëmshpërblimin që është një shumë të hollash mjaft më modeste në krahasim me premtimet që bëjnë këta: dhe a e dini se ndërkohë që ish të burgosurit politikë duket të kishin marrë këstin e katërt  - po të llogaritësh atë që thotë ligji i aprovuar - nuk ka mbaruar së dhëni kësti i parë (sepse ato lista që dalin nëpër gazeta me shifra lekësh në krah e që shumë nga ata që nuk dinë gjë i bën të pandehin se këta ish të burgosur po zhdëpen në lekë në fakt janë thjesht e vetëm vazhdim i listës ende të pambaruar të atyre që u njihet e drejta për t’u dëmshpërblyer kurse,  se kur do t’i marrin, askush nuk e di). Le të vazhdojmë më tej: numri i ish pronarëve që presin të marrin kompensimin për pronën që u është marrë (edhe atje ku ndërtohen rrugë)  është po ashtu tejet i madh. Ka nga ata që kanë nevojë urgjente për këtë të holla pasi nuk mjekohen dot më e nuk blejnë dot më as ilaçe, por kush pyet. E meqë ra fjala le të shohim pak gjendjen e spitaleve publike: mungojnë ilaçet më elementare, njerëzit detyrohen të lenë qimet e kokës nëpër farmacira, rrogat e mjekëve dhe infermiereve janë mizerabël. Po ashtu një polic e ka rrogën 33000 lekë me të cilat s’paguhet dot as minimumi jetik po të jesh beqar. Në një sondazh të kryer para disa kohësh  nga një institut një e treta e të rinjve do të iknin me qejf të punonin jashtë shtetit, një e treta tjetër po ashtu e ka këtë aspiratë të fortë dhe vetëm më pak se një e treta thonë se preferojnë të jetojnë në Shqipëri.   
Po të shikosh lajmet nëpër televizionet e shumta asgjë nga këto thuajse nuk del përveçse si propagandë elektorale. Edhe vetë lajmet janë kthyer në fushatë elektorale mbi premtimet, edhe debatet po ashtu. Kush e tha i pari idenë e tramvajit? Tram apo tramvaj? Screen saveri mbulon vrimat e Ferrit derisa të mbarojnë zgjedhjet dhe të hapen portat e tij. (Panorama, 23 Prill 2011)

Read More......

A ka shpresë Tirana


(Mbi Bashën në Opinion)

Debati që zhvillohet sot mbi Tiranën të bën të kujtosh se në punët e politikës, ashtu si në punët e ruajtjes së shëndetit, zotësia është ta kapësh në kohë sëmundjen, kur ajo nuk duket sheshit, pasi  atëhere ka shpresë shërimi, kurse kur arrin puna që të keqen ta shohin të gjithë, atëhere gjetja e mjeteve të shërimit është shumë e vështirë. E them këtë pasi emërues thuajse i përbashkët i debatit mbi Tiranën në prag të zgjedhjeve lokale  është fakti se gati të gjithë thonë se është bërë qytet i pabanueshëm. E dëgjon këtë jo vetëm nga demokratët nëpër fushatë, por edhe nga banorë të paanshëm, madje edhe nga pjesa e esëllt e socialistëve. Ma do mendja se një nga arësyet pse Edi Rama e ka impostuar fushatën e tij kryesisht mbi trajtimin e këtyre zgjedhjeve, si një referendum pro ose kundër Berishës dhe qeverisjes së tij qendrore, është edhe fakti se ai vetë e di masakrën që ka bërë dhe se zor se do të mund të ketë projekt që ta shpëtojë. Gjithnjë e më shpesh dëgjon njerëz që të thonë se vetëm një tërmet mund ta krijojë mundësinë për ta ribërë këtë qytet. E, megjithatë, ne nuk e duam tërmetin, madje vazhdojmë të shprehemi se çfarë mund të bëhet për të shpëtuar atë çka ka mbetur.
Me këtë interes të mbarsur me plot zhgënjime e dyshime dëgjova në Opinion të Fevziut se çfarë idesh ka Lulzim Basha për Tiranën.
Ajo që më tërhoqi vëmendjen veçanërisht në premtimin e Bashës ishte ideja se gjëja e parë që ai do të bëjë është një plan urbanistik dhe se, deri në mbarimin e këtij plani, do të ketë moratorium për lejet e ndërtimit. Është një ide që të bën të mendosh. Pikërisht për këtë ka nevojë Tirana e sëmurë rëndë: të ulemi ta studiojmë gjendjen e saj dhe të bëjmë një projekt se si ta shërojmë duke parë edhe shkakun e sëmundjes. Çfarë ka ndodhur gjatë këtyre viteve derisa erdhëm deri këtu? Cili ishte virusi që u fut?
Si një reagim i parë pozitiv ndaj idesë së planit të përgjithshëm më erdhi të them se Tiranën e shkatërruan bash projektet e pjesshme. Por pastaj mendova se idealisht si projekti i pjesshëm si ai tërësor mund të funksiononin fare mirë, sikurse mund të rezultojnë që të dy në katastrofë, varësisht nga synimi dhe profesionalizmi i projektit. Po ku qëndron ndryshimi midis tyre që më erdhi të mallkoj projektet e pjesshme? Ndryshimi qëndron në atë se projektet e pjesshme më duken një gjetje më dinake për ta maskuar qëllimin e keq, kurse një plan i plotë e zbulon atë shumë më qartë e në mënyrë të menjëhershme. Pra kur synimin e ke ta bësh qytetin “pre qensh” mënyra më e mirë për ta shqyer atë është ta kafshosh copa copa. Kjo ka ndodhur me Tiranën.
Por, tek e fundit, problemi nuk është edhe aq nëse projekti është tërësor apo i pjesshëm, por  synimi i tij. Problemi ka qenë se synimi nuk ishte nevoja për të normalizuar një situatë në një lagje apo zonë, por interesat e fitimit të një apo dy ndërtuesve e sekserëve për të ndërtuar në atë lagje pallate, pasi kishin blerë truallin apo kishin bërë marrëveshje me pronarët e disa shtëpive në ato lagje. Kjo bëri që projektimi i asaj që quhet “njësi urbane” në të cilën normalisht duhet të ketë më së pari një infrastrukturë rrugore, kanalizimesh etj. e pasaj ato që quhen objete publike si shkollat, kopshtet, parqet, fushat e sportit, postat dhe pastaj edhe ndërtimet për banim, të reduktohet në “shesh ndërtimi”. Shkurt, e mira e shumicës në atë lagje u sakrifikua për të mirën e një pakice të ngushtë njerëzish, kryesisht klientë të Kryetarit të Bashkisë, ku tek shumica e dëmtuar do të fusja jo vetëm banorët e shtëpive përreth, por edhe ata që blenë apartamente në pallatet e  larta që u ngritën, apo edhe vetë pronarët që morën nga 20 deri në 50 përqind sepse shumë shpejt edhe ata u ndodhën nën hijen e ndonjë pallati tjetër. Masakra që ndodhi kësisoj ishte jo vetëm në kurriz të pejsazhit uraban që erdhi duke u degraduar hap pas hapi me pallatet që ngriheshin pa asnjë lidhje estetike me pjesën tjetër apo njëri tjetrin, por edhe përsa i përket raportit ndërtim gjelbërim, që përkthehet në metrat katror gjelbërim për banor, pastërtinë e ajrit, mundësnë e parkimit, mundësinë e pasjes së shkollave e kopshteve afër, etj., por edhe në aspektin ekonomik pasi pjesës së mbetur iu zhvlerësua prona pasi nuk mund të ndërtohej më ndërkohë që jeta nëpër apartamente të ndërtuar në pallate të tilla  bëhet gjithnjë e më e vështirë prandaj dhe çmimet e tyre po bijen dhe janë të destinuar të bijen.
Sot kur flitet për një rishikim tërësor të Tiranës mendja të shkon se nisja duhet të jetë pikërisht në drejtimin e kundërt nga u nisën ata që shkatërruan Tiranën; pra jo më nga interesi i ndërtuesve për fitim, por nga interesi i qytetarëve për hapësira të gjelbërta, shkolla, kopështe, rrugë etj. Kjo do të thotë më konkretisht që studimi i planit duhet të kërkojë gjetjen e maksimumit të mundësive që të ruhen hapësirat që janë ende pa ndërtim si dhe, madje, që të mund të kompensohen pronarë të truajve që mund të kenë ende shtëpi të ulta pa ndonjë vlerë të veçantë, në mënyrë që në truajt e tyre të mund të bëhen lulishte, kopështe, shkolla, fusha sporti. Pra as që duhet bërë fjalë që në Tiranë të vazhdojnë të ndërtohen ato grataçielat që s’janë ngritur ende, as ato të tjerat që janë projektuar tek Komplesi Dinamo  e shumë të tjera. Madje gjykoj se Tirana më së pari ka nevojë për një numërim se sa apartamente ka, sa ndërtime të pambruara ka, sa apartamente dhe shtëpi të pabanuara ka në brendësi dhe rrethinat e saj. Po ashtu, një plan i Tiranës nuk mund të shihet jashtë vizionit të zhvillimit të vendit dhe, sipas meje, vendi duhet të zhvillohet në çdo kilometër katror dhe jo mbi idenë sa absurde aq edhe spekulative që ka qarkulluar e vazhdon të qarkullojë (gjithnjë për hir të interesave të asaj pakicës të cilës i intereson vetëm vlera e shitjes së metrit katror ndërtim) të bashkimit të Durrësit me Tiranën në një metropol super gjigant ku do të mblidhen të gjithë banorët e Shqipërisë.
Unë nuk e di a e ka Lulzim Basha këtë vizion. Nuk e di as se çfarë do të ketë në planin që do të paraqesë një vit pasi të ketë marrë Bashkinë. Por po dëgjoj se po flet – siç kanë folur e flasin të gjithë fatkeqësiht - për parqe, kopshte, shkolla dhe mendoj se, nëse e ka seriozisht, duhet ta ketë në mendje problematikën për të cilën fola se përndryshe ku do t’i gjejë hapësirat. Aq më tepër kur na premtoi se do ta paraqesë këtë plan përpara një oponence të publikut apo specialistëve dhe se po mendon se mund të bëjë edhe një referendum për ta aprovuar këtë plan.
Në shërbim të një pozitiviteti le të përpiqemi të bëj pak oponencën që tani duke patur parasysh jo vetëm përvojën e hidhur që kemi të premtimeve të bukura dhe zhgënjimeve të shëmtuara (mjaft t’i kujtojmë Bashës se PD premtoi Vlorën turistike dhe, pasi mori pushtetin, e ka nxjerrë Vlorën në shitje për ata që duan ta bëjnë portin në të madh të kargove në Evropë dhe Karaburunin e ka dhënë me konçesion për parkun më të madh eolik në Evropë), por edhe disa inkoherenca që gjej në projekt idetë e tij. Do të veçoja vetëm dy gjëra në këtë oponencë të parë.
Së pari, ne e dimë se nëse pushteti i kryebashkiakut është mbajtur në këmbë deri më sot (kryesisht për të keqen tonë do të thoja) nuk është mbajtur pasi ka punuar për qytetarët, por pasi ka punuar me atë skemën e pakicës klientelare qytetkafshuese për të cilën bëra fjalë. Kanë qenë lekët e saj të pastra dhe të pista të investuara në ndërtim që e kanë mbajtur më këmbë duke na u paraqitur masakra urbane edhe si zhvillim e zbukurim. Ku do t’i gjejë Lulzim Basha paratë që të bëjë kopshte e shkolla kur paska ndërmend të punojë kundër interesit të tyre në emër të interesave të qytetarit sepse, sa për para publike, ne po shohim se maxhoranca nuk po mban dot as premtimet e kthyera në ligj për dëmshpërblimin e kategorisë më në hall sot në shoqërinë shqiptare: ish të përndjekurit politikë? Jemi në vitin e tretë dhe nuk ka mbaruar këstin e dëmshpërblimit të vitit të parë. Ne kërkojmë një përgjigje më të detajuar për këtë.
Së dyti, përtej premtimeve me fjalë për projekt tërësor dhe moratorium, që na bën Basha ne kemi dy premtime projektesh pjesore që janë krejtësisht në kundërshtim si me premtimin për një projekt tërësor si me premtimin për hapësirat e gjelbërta, që e komprometojnë rëndë premtimin e Bashës. I pari është projekti që një hapësirë të gjelbërt të caktuar në zemër të qytetit qeveria me VKM vendosi t’ia kthejë Komunitetit Mysliman për ndërtimin e një xhamie. Pra, në vend se të gjindet një vend tjetër (kompensimi në këtë rast) prishet një hapësirë e gjelbërt, madje duke shkelur ligjin pasi konventa e Ahrusit, ku ne aderojmë, nuk e lejon një gjë të tillë me parqet publike duke na kujtuar se kështu (dhe po për synime elektorale)  u prish edhe një hapësirë tjetër e gjelbërt që iu dha Kishës Ortodokse për të ngritur një megakishë të shëmtuar në një vend ku s’ka mbetur më asnjë pëllëmbë vend për të mbjellë një pemë dhe ku, s’mjafton kjo, por disa metra më përtej po ngrihet edhe një grataçielë 25 katështe. Projekti tjetër është ai i prishjes së Piramidës ku përsëri do të ngrihet një megandërtesë që, me ç’kam parë në projektin që është paraqitur, është jo vetëm gjithpushtues i hapësirës së gjelbërt rrotull saj, – a thua se bëhet fjalë për parlamentin e një shteti mbi 100 milion banorë, - por edhe super e shëmtuar, pasi është krejt mish i huaj në atë bulevard. Jo vetëm, por dhe këtu është shkelur ligji, pasi Piramida me ligj bën pjesë në monumentet e mbrojtura. E po ashtu, sipas këtij projekti, ai do të mbarojë më 12 nëntor 2012 ndërkohë që, sipas Bashës, sikur të fitojë ai, do të ketë moratorium ndërtimesh deri afër kësaj date.
Siç shihet pra ndërkohë që më një anë Basha na premton një plan tërësor që do t’i nënshtrohet referendumit më anë tjetër maxhoranca ku ai bën pjesë harton projekte pjesore, që, ashtu si ato të Ramës, janë të kundërligjshme në një mënyrë apo në një tjetër, janë projekte të pjesëshme dhe jo të studiuara në raport me një projekt tërësor, dhe vazhdojnë të kafshojnë hapësira të tjera të gjelbërta publike. Duke patur parasysh edhe përvojën e deritanishme sipas së cilës çdo projekt që aprovojmë sot, nesër, kur të vijmë në pushtet, mund ta kthejmë në të kundërtën e tij – mjaft të kemi parasysh se kryebashkiaku i sotëm e shpalli Qendrën e Tiranës “monument kulture” dhe pataj i vuri kazmën fund e krye -  kam frik[ se sëmundja për të cilën fola në krye të shkrimit do të vazhdojë të zgjerojë metastazat e saj duke i dhënë gjithnjë e më të drejtë atyre që thonë se vetëm një tërmet, dmth. vdekja mund ta krijojë mundësinë për ta ringjallur këtë qytet. E, megjithatë, ne nuk e duam tërmetin/vdekjen e prandaj duket se do të vazhdojmë të vuajmë e shpresojmë. (Panorama, 11 prill 2011)


Read More......

Wednesday, May 4, 2011

Mbi racizmin e Kadaresë

Zoti kryeredaktor,
 
lexova para disa ditësh një dyfaqësh të botuar në gazetën Panorama ku spikat letra që shkrimtari Ismail Kadare ju ka derguar kundër meje, shoqëruar me një intervistë të tijën si dhe me një dokument, të nxjerrë nga arkiva, rreth romanit Koncerti. E gjitha kjo si përgjigje ndaj një artikullit tim ku, mes tjerash, duke kritikuar gjuhën fyese, deri raciste, të përdorur në një shkrim të Ilir Yzeirit ndaj ambasadorit amerikan përmendet, shkarazi, edhe ky roman, meqënëse përdoret nga autori për ta theksuar gjuhën e tij fyese.
Më duhet t’ju them që në fillim se, pas leximit të atij dyfaqëshi, mendimi i parë që më erdhi nëpër mend ishte: si ka mundësi që Panorama i ka bërë një shërbim kaq të padenjë gënjeshtrës, urrejtjes dhe intrigave! Ju do të thoni se është e drejta e shkrimtarit të bëjë replikë dhe s’mbani përgjegjësi për ato që ai thotë. Keni dhe s’keni të drejtë. Megjithatë, përpara se të shpreh se pse nuk keni të drejtë, le t’ju sqaroj më së pari për gënjeshtrat.
E pra, më vjen keq, por nuk kam parë ndonjëherë në faqet e Panoramës një koncentrat të pavërtetash si ato që përmban ai dykollonësh që keni botuar në faqen 16 të së premtes së shkuar kundër meje. Shkrimtari fillon e gënjen që në paragrafin e parë kur më akuzon se në shkrimin tim them se frymëzuesi i racizmit të shqiptarëve është Kadare. Në shkrim, duke dënuar fyerjet deri në racizëm të Shekullit ndaj Arvizut, ku autori e fton me tallje ambasadorin të lexojë librin Koncerti, them tekstualisht: “na duket normale t’i themi dikujt “kinez ”, “evgjit”, “çam”, “çifut”, “çoban”, “grek ”, “shkjah” etj., për ta sharë e ofenduar ngase kemi bindjen se këta janë racë inferiore ndaj sonës. Na duket normale t’i referohemi edhe Kadaresë – librit “Koncerti” të të cilit i referohet autori i shkrimit kur e akuzon ambasadorin për « kinezëri » – duke mos qenë në gjendje as të vëmë re se shkrimtari ka qëndrime raciste të shumta në librat e tij e jo vetëm ndaj kinezëve, siç ka libri në fjalë. Këto janë harxhet e izolimit nacional-komunist. Kjo është kultura jonë e trashëguar.” Kaq them unë e këtu s’ka asgjë që të lerë të kuptojë se frymëzuesi i racizmit tonë na qenka Kadare. Me duket se Kadareja pretendon ca si tepër edhe në të keq. Si për të provuar këtë humbje të kontaktit me realitetin ca më poshtë ai vazhdon e thotë se  na qënka akuzuar si shkaktar i  ftohjes me kinezët dhe se tani po u akuzoka se po nxitka ftohjen me amerikanët.  Kush e di pak historinë e di se si ka ardhur prishja me Kinën dhe nuk i ka shkuar as ndërmend t’ia veshë këtë përgjegjësi Kadaresë, kurse që ai po na ftohka me “partnerin strategjik”, siç e quan SHBA në letrën e tij, mos o Zot, s’i ka shuar ndërmend njeriu ta akuzojë.
*
Pasi pozicionohet kësisoj në të akuzuarin e madh që me një libër të tijin na prishka ekuilibret e Shqipërisë me botën, “shkrimtari i madh” më akuzon se, i shtyrë nga ambicia e shkrimtarit të vogël, kam njëzet vjet që e akuzoj, sëbashku me një “klan” rimohuesish, si racist, çka, sipas tij, është njëlloj si t’i thuash tjetrit terrorist, fashist, të kërkosh dënimin e tij me burg, paçka se ndaj meje këtë akuzë e bën që në titull e pastaj gjatë gjithë shkrimit. Edhe ketu, zoti Kryeredaktor, kemi të bëjmë me një manipulim pasi në shkrimet e mija nuk jam marrë me racizmin e Kadaresë. Jam marrë, po, me nacional - komunizmin që racizmin e ka si një nga ushqyesit e tij më të shëmtuar; dhe jo i shtyrë nga ambiciet personale dhe as për t’u marrë me Kadarenë, por për një arsye shumë më të rëndësishme: pasi ideologjinë nacional - komuniste, për propagandimin e së cilës akuzoj edhe Kadarenë se ka luajtur një rol të dorës së parë me veprën e tij, e kam konsideruar dhe e konsideroj ideologjinë e pushtetit të Enver Hoxhës që, bashkë me shqiptarët, i izoloi shkencat shqiptare të tilla si historia apo gjuhësia, ashtu sikurse edhe letërsinë dhe mendimin shqiptar në përgjithësi për dyzetepesë vjet dhe që, me pseudoshkencën që ka prodhuar e me metodat e të studiuarit e të menduarit, po vazhdon t’i mbajë edhe sot të izoluar nga mendimi dhe studimi bashkëkohor. Është ky njeri, në fakt, që ndaj këtij debati që përfshin edhe veprën e tij, e që ka të bëjë me destalinizimin e vendit, nuk ka pasur asnjëherë kurajon intelektuale të përgjigjet me argumente, por duke përdorur ndaj meje dhe kolegëve që ndajnë mendime të ngjashme fyereje e shpifje të tilla si: antishqiptarë, ziliqarë, spiunë të perëndimorëve, agjentë të serbëve  e të tilla broçkulla që në shtypin shqiptar i gjen vetëm në basifondet e gazetarisë.
Si për ta ilustruar këtë kulturë më poshtë në letrën e tij ai e quan  kritikun letrar të Gazeta Wiborsha, Kaczorowski, “fundërrinë” e Polonisë “nga ata që dorëzonin hebrejtë gjatë luftës” pasi në reçensionin e librit Pallati i ëndrrave, përveçse paska shprehur mendimin e tij se ky është një shkrimtar mediokër, paska shfrytëzuar edhe ca “raportime” të Lubonjës mbi Kadarenë, sipas të cilave ky e ka biografinë në komunizëm “mos më keq”. Në fakt, e vërteta është përsëri tjetër: kritiku polak, të cilin personalisht as qe e njoh, e akuzon Kadarenë për manipulimin e biografisë së tij ku, nga shërbëtor i regjimit, është përpjekur t’i paraqitet Perëndimit si disident i regjimit dhe, për këtë, sjell shembullin e manipulimit me historinë e poemës Pashallarët e Kuq të cilën, nga një poemë që glorifikon Enver Hoxhën dhe bën thirrje të pushkatohen armiqtë e klasës në Bulevard - aq sa diktatori  e ka ndaluar botimin e saj për zell të tepruar – Kadare ka  tentuar t’ia shesë Perëndimit si poemë kundër regjmit.  Dhe polaku nuk e ka mësuar këtë histori nga ndonjë spiunllëk prapa shpine i Lubonjës, por nga libri i tij me artikuj dhe ese Liri e Kërcënuar botuar në Poloni, pasi i ka bërë edhe recension këtij libri në Gazeta Wiborsha. Dhe, sikurse e dini, zoti kryeredaktor, polemika për atë poemë ka qenë krejt publike dhe, kur u gjet poema, e vërteta doli ashtu siç thoja unë e jo ashtu siç manipulonte Kadareja me shokë.
*
Më tej, i verbuar nga urrejtja për shak të qëndrimeve të mija kundër nacional - komunizmit në veprën e tij e më gjerë, që burojnë nga bindjet dhe vizioni im për botën, shkrimtari i etiketon ato si “racizëm antishqiptar” dhe, për t’i sulmuar ato, përdor një intrigë sa të ulët aq edhe të rëndomtë:  i referohet ndonjë burimi që nuk e citon (unë, që i njoh më mirë se ai reagimet ndaj shkrimeve të mija, nuk e kam gjetur kund në shtypin serioz shqiptar), që i shpjegoka ato me qënien time jo shqiptar, por vllah. Dhe pastaj na thotë se puna paska arritur deri aty sa me “pabesinë vllahe” ndaj shqiptarëve unë paskam provokuar në Shqipëri racizmin antivllah (!!!) që ai na e dënoka medemek, e, për këtë, na citon një fragment nga libri i tij  Mosmarrëveshja, i cili, sipas tij, na qenka manifest i mbrojtjes së shqiptarëve nga racizmi kundër tyre i ushtruar nga “të huajt” si Lubonja me klanin e tij.  Në fakt ky shkrimtar nuk e fsheh dot racizmin e tij antivllah, e jo vetëm. Mjaft të kesh parasysh se në ”Nga një dhjetor në tjetrin” ai kërkon ta shpjegojë egërsinë e regjimit komunist me “shulet” (siç i quan maqedonasit) dhe vllehët: ”zakonisht në Byronë Politike një e katërta e ndoshta një e treta ishin “shule” ose vllehë. Të zgjedhur nga Kominterni ose Enver Hoxha “shulet” dhe vllehët ishin tepër të përshtatshëm për udhëheqjen komuniste për arsyen e vetme se ata, duke mos patur lidhje me kombin shqiptar, nuk kishin kurrfarë dhimbsurie për të. Atyre mund t’u thoshe: goditini pa mëshirë! Dhe ata do të godisnin pa ju dridhur dora gjithshka: themelet e kombit, historinë, njerëzit. Ata do ta gjymtonin racën krenare të shqiptarëve me shumë zell ngaqë, në këtë zell kishte pjesën e vet revanshi për fyerjet e dikurshme, hakmarrja dhe komplesi i tyre i inferioritetit.” (Fayard, 1991, f. 65- 66). Shihni se si gjuha e këtij “ultrasi”, siç do ta quante Adam Michniku, ngjason si dy pika uji me diskurset e Hitlerit për t’ia hedhur fajin ebrejve për të këqijat e Gjermanisë e për të kërkuar pastaj  shfarosjen e tyre  si trup i huaj?
Sa për kuriozitet të lexuesit, zoti kryeredaktor, unë gjyshin dhe gjyshen nga im atë nuk i mbaj mend të kenë folur ndonjëherë vllahisht në shtëpi, por vetëm shqip, e po ashtu gjyshi im bën pjesë ndër ata fanolistë që kanë ardhur në 1920 me Vatrën nga SHBA për të luftuar për Shqipërinë, por, çfarëdo origjine etnike që të kenë pasur, shqiptare, greke, vllahe, serbe, maqedone, malazeze, evgjite, rome, turke, çifute të përzjerë apo të stërpërzjerë gjatë shekujve në Perandori kjo për mua s’është as objekt krenarie dhe as poshtërimi sepse bëj pjesë ndër  ata që njohin vetëm një racë: racën njerëzore dhe që njeriun e konsiderojnë produkt të kulturës dhe jo të racës. Ndërsa përsa i përket kulturës sime, për këtë mund të them se jam krenar që krahas gjuhës shqipe e kulturës së shoqërisë ku jam rritur  jam përpjekur e përpiqem të hap sytë e veshët edhe ndaj kulturave të tjera çka më bën sot të ndjehem një qënie që vlerëson më shumë individualitetin dhe personalitetin tek tjetri sesa përkatësinë e tij etnike e që e përbuz me neveri punën e atyre që tentojnë ta reduktojnë njeriun në identitetin e grupit etnik apo fetar pasi  një punë të tillë e konsideroj punë injorantësh e manipulatorësh të rrezikshëm. Sikurse thotë edhe Amarty Sen në “Identiteti dhe dhuna” shpesh ky reduktim synon linçimin e tjetrit. Sipas meje këtë synon edhe Kadareja me paçavuret nacionaliste e raciste që shkruan apo me intrigat në letra si kjo ku guxon deri edhe të na kërcënojë, në emër, medemek, të mbrojtjes së shqiptarëve, kur thotë se “patologjisë antishqiptare” (të joshqiptarëve si unë) nuk ka ndërmend t’i gjejë një emër më të butë (se racizëm): “Ajo është gjithashtu murtajë, dhe sjellësit e murtajës, nga çdo drejtim që vijnë, nuk do të përkëdhelen prej askujt.” Me fjalë të tjera kush guxon të sjellë mendime të ndryshme nga Kadareja apo kundër tij në kulturën shqiptare të ketë kujdes se mund të akuzohet si racist antishqiptar, si sjellës i murtajës. Ky njeri ka harruar se nuk jeton më në kohën e totalitarizmit kur kërcënonte: “Klasën që u përmbys nën këmbë e mbaj./Në se s’do që nesër skuadër e pushkatimit/Të të vejë në mur/tek Bulevardi i Madh.”
*
Kadare thotë se unë kam manipuluar kontekstin e cilësimit nga ana e tij të gjuhës serbe “jevgë”. E vërteta është se këtë shprehje unë e kam lexuar për herë të parë në burg në gazetën Drita dhe jo në ndonjë fiksion të autorit, por në fragmente të librit “Ftesë në Studio” (Drita, 30 shtatorit 1990) dhe e kam komentuar më së pari në librin tim ditar i burgut “Në vitin e 17-të”. Ai është një tekst ku për gjuhën shqipe flitet me tonet e një  një nacional - romantiku të shekullit XIX, ku ekzaltohet shqipja si gjuhë epërore, ku turqishtja krahasohet nga autori me një mamuth të ngathët që lufton me bisht përballë një luani që përdor dhëmbët e kthetrat e del fitues (shqipja) e ku, në përgjithësi, ajo trajtohet si e sulmuar nga ata që sipas autorit kanë një qytetërim, gjuhë e kulturë inferiore, prandaj vuajnë nga një “zili e zezë, që ska shërim”. Dhe për autorin këta janë fqinjët veçanërisht serbët. Në këtë kontekst duke folur për  shqiptarët e ekzaltuar ai ve në gojën e tyre krahasimin  e shqipes me serbishten“si një zonjë e rëndë përbri së cilës serbishta s’qe veç një shërbëtore jevgë.” (vini re racizmin e dyfishtë atë ndaj shtresës dhe atë ndaj evgjitëve).  Po të kesh parasysh kontekstin e krejt tekstit aty nuk gjen dënim të racizmit të shqiptarëve aty gjen pak a shumë të njëjtin stil “hidh gurin e fshih dorën” (që mos të të quajnë evropianët racist se shqiptarët e kuptojnë mirë çfarë do të thuash) që përdor në letrën që ju kadërguar ju kundër meje. Aq më tepër po të kesh parasysh se nuk citon se nga ku e ka burimin e këtyre shprehjeve për të provuar se nuk janë produkt i mendjes së tij raciste.
Zoti kryeredaktor,
Unë jam një ndër ata që mendojnë se ne shqiptarët kemi një prapambetje kulturore  nga e cila nuk dalim dot me vetëmburrjet nacionaliste dhe qëndrimet raciste, që veçse na bëjnë groteskë, por edhe  të rrezikshëm për veten e për të tjerët. Shkaqet e saj nuk janë racore, siç mund të na akuzojnë racistë të tjerë që kemi edhe rreth e rrotull. Ato janë kulturore e  historike, por mbi të gjitha lidhen me izolimin dhe injorancën dhe shplarjen e trurit nga ana e regjimit nacional - komunist të Enver Hoxhës.
Ajo që kam bërë unë, duke filluar që me ato rreshta që janë shkruar në një ditar burgu në një kohë kur nuk dinim nëse do të dilnim gjallë prej andej, edhe ato që kam bërë më pas me revistën Përpjekja, edhe me çfarë kam shkruar sëbashku me kolegë që Kadareja i stigmatizon duke i quajtur “klan rimohuesish” është një përpjekje për të dalë nga kjo kulturë e për të zhvilluar frymën kritike në kulturën shqiptare në emër të diturisë e të lirisë. Prandaj dhe moton Përpjekjes ia kam vënë: “Bëhu i ditur të jesh i lirë”. Në funksion të kësaj diturie jam përpjekur edhe për dekonstruktimin, që do të thotë zbërthimin, analizimin, e miteve të nacional - komunizmit, si histori e ndërtimit të tyre, por edhe si instrumente sundimi e trushpëlarjeje. Kadare, dhe jo vetëm ai, më akuzojnë për këtë si “çmitizues i egër”. Për mua e egër dhe barbare ka qenë dhe mbetet gjuha e atyre që i kanë kepërdorur këto mite dhe ky debat për mua s’është ndeshje personash, por një ndeshje kulturore. Sipas meje shoqëria shqiptare vazhdon të mbisundohet nga një elitë e përbërë nga njerëz të tillë, që kanë ndërruar vetëm lëkurën e sipërme të asaj ideologjie, atë komuniste, por që kanë ruajtur, madje edhe zhvilluar, nacionalizmin megalloman, izolues e vetshaktërrues që kultivoi ai regjim, veçanërisht pas viteve 60, kur e paraqiste Shqipërinë si kështjellë graniti që i rezistonte edhe Lindjes dhe Perëndimit (Lexoni për këtë edhe Kështjella e Kadaresë në variantin shqip të asaj kohe). Për arsye të ruajtjes së pushtetit të tyre intelektual e politik këta vazhdojnë të kultivojnë të njëjtën kulturë që shfaqet sheshit edhe në letrën që ju ka dërguar Kadare, por edhe në mjaft diskurse e forume intelektuale shqiptare. Mjaft të kujtoj frymën me të cilën u trajtua në Shqipëri, me në krye Kadarenë, monografia e Skënderbeut e profesor Schmitt gjë që ka çmeritur çdo studiues të huaj të kohës sonë. Si rezultat i kësaj pune të mbrapshtë, ajme, ajo që vihet re është se edhe njëzet vjet pas hapjes së Shqipërisë ndaj kulturave të tjera e ndaj mundësisë për të zhvilluar frymën kritike, për shumicën e shqiptarëve është më e lehtë të mbushen me mburrje megallomane e urrejtje për të tjerët e ta kërkojnë identitetin e tyre në përkatësinë etnike sesa të kërkojnë të ndërtojnë, me frymë kritike, individualitetin dhe personalitetin e tyre në një shoqëri të hapur e demokratike.
*
Dhe ja ku mbrrita tek pakënaqësia ime ndaj Panoramës. Për fat të keq edhe mënyra se si e parqaqiti gazeta reagimin e Kadaresë ndaj meje reflektoi këtë kulturë. Nuk e kam fjalën për letrën e autorit i cili ka të drejtën e padiskutueshme, tek e fundit, të bëjë replikën e tij, sipas kulturës së tij. Por është e pafalshme për gazetarin që inteviston të mos ketë as minimumin e dijeve të veta, të frymës kritike e të etikës profesionale kur interviston. Gazetari që interviston Kadarenë dhe ka përgatitur dyfaqëshin nuk di (ose bën sikur nuk di) se librit Gjakftohtësia, i titulluar kështu sipas titullit të një kapitulli të rëndësishëm të atij që u bë më vonë romani Koncerti, i është dhënë Çmimi i Republikës më 1981, atëhere kur ky pretendon se persekutohej. Gazetari nuk e di (ose bën sikur nuk di)  se libri nuk është shkruar për të demaskuar regjimet socialiste, por ishte një libër që glorifikonte prishjen e Shqipërisë staliniste me Kinën që kishte marrë rrugën revizioniste dhe se Kadare, ashtu siç glorifikonte tek Dimri i madh Enver Hoxhën e tallte e përqeshte sovjetikët e “tradhëtarët” shqiptarë, në këtë libër ka glorifikuar Enver Hoxhën e ka talluar e përqeshur kinezët dhe “tradhëtarët” e rinj shqiptarë (gjeneralët e pushkatuar me në krye Beqir Ballukun). Gazetari duket sikur të mos ketë lexuar asnjë resht nga debati mbi Pashallarët për të cilin s’pati gazetë që nuk shkroi. Ai nuk di (apo bën sikur nuk di) se megjithëse e vërteta e asaj poeme doli ashtu si doli  kjo nuk e ndaloi Kadarenë ta botojë Librin e Maks Velos në Perëndim, e gënjeshtra e fabrikuar të citohet edhe në vlerësimet ndërkombëtare, si shenjë disidence. Gazetari, sikur nuk ka asnjë shqetësim profesional e njerëzor për të kërkuar të vërtetën përtej autoritetit të atij që i servir të vërteta. Ai nuk shfaq asnjë ndjeshmëri etike dhe morale ndaj  ndrrimlëkurësisë së intelektualëve shqiptarë të komunizmit. Ai vetëm emocionohet nga suksesi i Kadaresë në Perëndim dhe nuk di se Balzaku ka thënë se në letërsi historia e mashtrimeve është më e madhe se në politikë. Po ashtu, më vjen keq ta them, gazetarit nuk i pipëtin asnjë fije ndërgjegje kur sheh se, në shkrimin në fjalë, transmetohet një urrejtje e pakufi dhe krejtësisht e padrejtë ndaj një bashkëpunëtori të gazetës së tij, sepse, megjithëse prita një numër pyetjesh për sqarim, nga ana juaj, ato nuk erdhën.
Ky aspekt, që ka të bëjë me të rinjtë, zoti kryeredaktor, është për mua shumë më shqetësues sesa Kadareja, i cili duket sheshit se zor se do të mund të heqë dorë nga kultura që përfaqëson. Kjo gjë më bën të mendoj se ajo  dituria që do t’i bëjë shqiptarët vërtet të lirë do të vonojë, por megjithatë, shpresoj se një ditë do të bëhet pjesë e kulturës sonë. Në fakt nuk do të kisha marrë kurrsesi mundimin t’jua shkruaja këtë letër  sikur të mos mendoja se ajo mund të jetë e dobishme për të rinjtë që kërkojnë një kulturë tjetër në këtë vend.
Duke e mbyllur letrën me këtë shpresë,
ju uroj shendet e gjithë të mirat,
Fatos Lubonja
  
Panorama, 27 prill 2011

Read More......

Mbi konfliktin Ambasadës së SHBA me opozitën

Konflikti i ambasadorit amerikan me gazetën “Shekulli” nuk mund të mos të të tërheqë vëmendjen jo vetëm për peshën që ka në zhvillimet tona politike një ambasador i tillë, por edhe në kontekstin e klimës së nxehtë elektorale që po kalojmë, duke pasur parasysh se “Shekulli” njihet si gazeta më e afërt e Edi Ramës, çka e bën “Shekulli”-n edhe një zë të rëndësishëm të opozitës. Pra, është një ngjarje që nuk mund t’i shpëtojë komenteve.
Tri gjëra do të vija në dukje, duke dashur të bëj komentin tim për këtë ngjarje.

Së pari, kuptohet qartë se sulmi i “Shekulli”-t ndaj ambasadorit është shprehje e një pakënaqësie që ka opozita për qëndrimet e tij ndaj zhvillimeve politike në Shqipëri e që janë artikuluar kryesisht – por jo vetëm – nëpërmjet mediave afër saj, të cilat e akuzojnë ambasadorin si mbështetës i Berishës dhe maxhorancës në përgjithësi. Tek e fundit këtë bënte edhe “Shekulli” në shkrimin që u bë sebep i konfliktit. Po cili është qëndrimi politik i ambasadorit dhe a ka të drejtë opozita në nervozizmin e saj, që në rastin e “Shekulli”-t u shfaq në mënyrë të tillë, saqë Ambasada deklaroi ndërprerjen e marrëdhënieve me gazetën.
Thelbi i qëndrimit të ambasadorit amerikan, sipas meje, qëndron në atë se ai ngulmon për zgjidhje të konfliktit maxhorancë–opozitë (me të cilin ai u ndesh duke filluar me 21 janarin) në rrugë institucionale. Ndërkohë, opozita ka një qasje refraktare ndaj këtij qëndrimi, pasi gjykon se institucionet që duhet të luajnë rolin e arbitrit në Shqipëri nuk janë të pavarura, por janë të kapur nga Sali Berisha, prandaj dhe ajo ka preferuar ta zhvillojë veprimin e saj politik në kufirin midis institucionalizmit dhe antiinstitucionalizmit. Për shembull: lidhur me zgjedhjet, opozita deklaron se nuk i beson Komisionit Zgjedhor apo vendimeve të gjykatave dhe më në përgjithësi shtron çështjen nëse ia vlen të respektojmë edhe vetë institucionin e zgjedhjeve apo është më mirë t’i sabotojmë ato, sepse pastaj Berisha mund të na i vjedhë votat e nuk do të na mbetet shans tjetër? Prandaj ajo ka zgjedhur një rrugë që edhe të marrë pjesë në zgjedhje, por edhe të përgatisë mosnjohjen e tyre në rast humbjeje. E këtu del në pah roli i ambasadorit amerikan, dhe jo vetëm i atij, që thonë se duhet të hyni në zgjedhje, se duhet, gjithsesi, të respektoni institucionet dhe vendimet e tyre, çka e dëshpëron opozitën, e cila kërkon t’u mbushë mendjen ndërkombëtarëve se me Berishën nuk mund të ketë demokraci, prandaj dhe as zgjedhje të lira.
Personalisht nuk besoj se ambasadori ka ndonjë arsye antiopozitë për të mbështetur zgjidhjen institucionale. Nga sa kam pasur rastin ta ndjek në prononcimet e tij, duket sheshit se ai edhe i njeh problemet me institucionet, por, nga ana tjetër, është i bindur se rruga jashtë institucionale është më e rrezikshme dhe më me pasoja, ndërkohë që gjykon se opozita nuk i ka shanset të humbura me këto institucione edhe kështu siç janë. Po ashtu gjykoj, se duke parë sjelljen obstruksioniste dhe jodialoguese të opozitës, ai e ka vështirë të besojë se ajo i përket ndonjë kulture tjetër politike. Pra, ka bindjen se demokracia në Shqipëri nuk mund të vijë brenda një dite, por duke u forcuar institucionet pak nga pak nëpërmjet rrugëve institucionale. Personalisht kam shprehur dyshimin tim për optimizmin e ambasadorit në një shkrim të paradisakohshëm, duke e quajtur “fasadë” sistemin që ambasadori e quan “funksional” prapa të cilit, sipas meje, zhvillohet një luftë e egër midis dy bandash – çka më duket se e provojnë edhe sulmet që po pëson edhe vetë ambasadori – por, nga ana tjetër, më duket normale që në mungesë të diçkaje tjetër që të zëvendësojë këto dy banda e të mbushë vakumin që do të linte zhdukja e tyre njëherësh apo edhe e vetëm njërës ambasadori të kërkojë të bëjë politikë me to e nëpërmjet tyre. Si diplomat që është, edhe sikur t’i mendojë ato që shkruaj unë si gazetar për bandat dhe nevojën e shndërrimit të tyre nga banda në parti nëpërmjet forcimit të institucioneve që duhet të kontrollojnë ato dhe të nxisin demokratizimin e tyre të brendshëm, ai nuk mund t’i deklarojë këto hapur kurrsesi dhe as t’u deklarojë luftë atyre. Dhe, në këtë kontekst, duket se përpara bashkëpunimit dinak të Berishës dhe obstruksionizmit total të Ramës, ai preferon të parin. Të mos harrojmë, megjithatë, se ndërkohë që Berisha deklaroi se Prokurorja e Përgjithshme ishte një puçiste duke i vënë sipas meje minat çdo shprese për funksionim, qoftë edhe në minimum, të institucioneve, ambasadori i dha mbështetje Prokurores së Përgjithshme. Le të imagjinojmë për një çast se çfarë mund të kishte ndodhur në Shqipëri pas 21 janarit sikur, pas akuzave të Berishës ndaj Prokurores si puçiste dhe refuzimit të tij për të çuar gardistët në hetim, të mos kishin ndërhyrë ambasadori dhe ndërkombëtarët. Sipas meje rrezikonim shumë t’i hapej rruga konfliktit në rrugë midis dy bandave me pasoja të rënda për gjithë vendin. Dhe nuk di se kush mund të ishte fituesi midis të dyjave në këtë rast, por di me siguri që humbësit do të ishin shumica e shqiptarëve.
Së dyti, kuptohet pra qartë se ambasadori – dhe nga sa kam mundur të kuptoj edhe mjaft nga ndërkombëtarët që kam ndjekur e takuar personalisht – nuk mbështet obstruksionizmin dhe lëvizjen jashtë institucionale ku shket shpesh opozita. Në fakt, ka shumë që mendojnë edhe brenda vendit, duke përfshirë edhe autorin e këtij shkrimi, se lufta politike në Shqipëri midis këtyre dy forcave, duke pasur parasysh shumë faktorë, është më mirë të bëhet në rrugë institucionale dhe jo jashtë institucionale; se nuk jemi në një situatë si ajo e 97-s, kur opozitës i mungonte qoftë edhe një ekran i vetëm brenda vendit ku të shprehte mendimin e saj, kur nuk i lejohej as të demonstronte dhe kur nuk kishte deputetë në Parlament mjaftueshëm për të bërë opozitë të fortë. Zëra të tillë janë ngritur edhe brenda Partisë Socialiste (Blushi, Islami, Malaj). Ajo që më duket e rëndë, duke parë se si u reagua ndaj ambasadorit amerikan, është pikërisht delegjitimimi i këtyre kritikave në mënyrë totale nëpërmjet aplikimit të mendësisë staliniste “O me ne, o kundra nesh”, siç ka ndodhur gjerësisht edhe me tentativën e polarizimit të opinionit publik shqiptar edhe me intelektualët e gazetarët shqiptarë.
Pra, problemi i shpalljes armik të cilitdo që nuk është plotësisht me njërën palë, i shpërfilljes dhe demonizimit të çdo zëri që nuk bashkohet emocionalisht me liderin e njërës ose tjetrës palë, është shumë i rëndë dhe partitë politike shqiptare dhe mediat që janë në shërbim të tyre, duhet të ndiejnë përgjegjësi të madhe për këtë polarizim që i ka shkaktuar shoqërisë shqiptare dëme të jashtëzakonshme. Për të kuptuar këtë polarizim, mjaft të kesh parasysh se zërat kritikë si ndaj liderit Berisha në PD edhe ato ndaj Ramës në PD janë konsideruar nga këto media si “kolona e pestë” e armikut dhe madje janë përdorur e manipuluar në funksion të polarizimit. Rasti i sulmeve ndaj ambasadorit tregon se sa larg kemi shkuar në këtë fenomen.
Së treti, por më e rëndësishmja, gjithë këto që shkrova më sipër mund të jenë të diskutueshme. Janë gjykimi im sot për sot mbi situatën që jam përpjekur ta argumentoj dhe që nesër, varësisht nga argumentime më bindëse apo zhvillime të tjera mund të më bëjë të ndryshoj mendim në favor të një tjetër mendimi. Por një gjë jam i bindur se do ta gjykoj njëlloj si sot, edhe nesër. E kam fjalën për mënyrën e sulmit me fyerje personale që arrijnë deri në racizëm që përdoren në gazetarinë tonë dhe që u përdor së fundi ndaj ambasadorit. Kjo është e patolerueshme për sot dhe për nesër dhe për këdo. Është shqetësuese se edhe njëzet vjet pas hapjes së Shqipërisë ndaj një bote që e ka dënuar me forcë këtë kulturë, për fat të keq, duket se ne nuk arrijmë as ta kuptojmë se jemi racistë, kur na duket normale t’i themi dikujt “kinez ”, “evgjit”, “çam”, “çifut”, “çoban”, “grek ”, “shkjah” etj., për ta sharë e ofenduar ngase kemi bindjen se këta janë racë inferiore ndaj sonës. Na duket normale t’i referohemi edhe Kadaresë – librit “Koncerti” të cilit i referohet autori i shkrimit kur e akuzon ambasadorin për « kinezëri » – duke mos qenë në gjendje as të vëmë re se shkrimtari ka qëndrime raciste të shumta në librat e tij e jo vetëm ndaj kinezëve, siç ka libri në fjalë. Këto janë harxhet e izolimit nacional-komunist. Kjo është kultura jonë e trashëguar. Nëse dikush nuk është me mua jo vetëm është kundër meje, por është edhe racë e keqe. Le të mos harrojmë se pikërisht si refleks i mendësisë staliniste “O me ne, o kundra nesh”, që degjeneron pastaj në dhunë fizike apo verbale ndaj “armikut”, ku futen pastaj edhe ofendimet raciste, medie në krah të Berishës kanë përdorur ofendime raciste ndaj ambasadorit Withers ngaqë e konsideronin pro opozitar, ndërkohë që kritikat e vërejtjet e tij qëndronin që ç’ke me të. Dikush do të thotë se, megjithatë, John Withers nuk ndërmori ndonjë veprim të tillë si ambasadori Arvizu që preu marrëdhëniet me gazetën. Jam i bindur se, megjithatë, Ambasada e ka të regjistruar qëndrimin tonë racist ndaj Withers dhe unë gjykoj se këtë reagim duhet ta vlerësojmë edhe si reagim në kontekstin e çfarë ka ndodhur më parë. Gjithsesi, do të ishte keqkuptim i madh që ta interpretonim këtë qëndrim të Ambasadës me ngjyra politike të kuqe apo blu, dhe jo ashtu sikurse mendoj se duhet ta interpretojmë: si një ballafaqim kulturor. (Panorama 18 prill 2011)

Read More......