Wednesday, November 30, 2011

Dilemat e sheshit “Skënderbej”

Nëse do t’i rendisja, pa u menduar gjatë, përshtypjet e para që më erdhën duke parë sheshin “Skënderbej” të mbaruar, do të vija, sipas radhës, shprehjet:
– Shyqyr që mbaroi dhe kemi një gjendje normale trafiku. – Po si paska dalë kështu, me këtë 8-n që ka në mes Skënderbeun?
 – Mirë që u ka shkuar mendja të vendosin bar e të mbjellin pemë të paktën.
– Po gjithë kjo hapësirë e rrethuar brenda 8–s ç’kuptim ka?
– Kush ta ketë bërë projektin? A ka pasur ndonjë debat ndonjë oponencë, apo si gjithmonë vijat i ka hequr “shefi” vetë, kurse specialistët thjesht kanë hedhur në të pastër projektin e tij?
Nëse përshtypja e parë, e kthimit të sheshit në normalitet, s’ka nevojë të komentohet – e për këtë duhet falënderuar dhe inkurajuar Bashkia – për të tjerat mund të tirren gjatë argumente ku s’është e thënë të jenë të gjithë në një mendje. Po përpiqem të përmbledh shkurtazi ato të miat.
Përsa i përket estetikës, më duket se pamja që ka dalë nuk bën përjashtim në “rregullin” e vendosur tashmë se gjithçka apo thuajse gjithçka që është bërë në këta njëzet vjet e ka bërë më të shëmtuar Tiranën se çka qenë. Kur flas për sheshin si “më të shëmtuar nga çka qenë”, nuk kam parasysh tmerrin që na panë sytë një vit e gjysmë para këtij punimi, madje as degradimin e gjatë para tij, por tri pamje të tij që i kam në kujtesë pak a shumë të idealizuara. Pamja e parë është ajo e sheshit deri në vitin 1962, kur pjesa në vazhdim të lulishtes ovale ishte rrethore e përmbyllej ende nga Pazari i Vjetër, lokalet te fillimi i Rrugës së Dibrës, ish Bashkia dhe ishkafe “Kursali”; pamja e dytë është ajo që mori sheshi kur pjesën e Pazarit e zëvendësoi Pallati i Kulturës e më vonë u rrethua edhe nga hotel “Tirana”, ndërkohë që të tjerat mbetën pak a shumë siç kishin qenë; pamja e tretë është ajo që mori kur u kthye në katror me shkatërrimin e ish-Bashkisë, të kafe “Kursalit” dhe të rrethinave prapa tyre, për t’i hapur vendin Muzeut Kombëtar dhe pastaj monumentit të Enver Hoxhës.
Për mua nuk ka pikë dyshimi se këto operacione kanë ardhur duke e shëmtuar sheshin. Arsyeja është shumë e thjeshtë dhe ndoshta s’ka të bëjë edhe aq me aftësitë profesionale të arkitektëve që i kanë projektuar – ndonëse edhe kjo s’duhet të neglizhohet, – por me humbjen e koherencës që i kanë sjellë shkatërrim/ndërtimet e pjesshme, të urdhëruara nga lart, sa me kërleshjen e stileve arkitektonike, aq edhe me shpërndërrimin e historisë dhe të funksionalitetit të sheshit. Nga një shesh i konceptuar kryesisht për rrethqarkullim këmbësorësh, karrocash e pak makinash, ku mund të bëhej edhe ndonjë tubim, e që në tërësinë e tij lidhej në mënyrë shumë më harmonike dhe njerëzore si me ovalen në mes të ministrive, ashtu edhe me ndërtimet përreth tij, ai u shndërrua nga komunistët në një shesh pushteti, monumentaliteti, duke humbur dimensionin njerëzor që kishte. Ndërtesa e Pallatit të Kulturës dhe ajo e Muzeut, por edhe hotel “Tirana”, mbetën të palidhur arkitektonikisht me ndërtesat e ministrive e të Bankës. Ndërkaq, ndërtesat katër-pesëkatëshe që u ngritën prapa Muzeut e prapa Bankës e krijuan një lloj raporti me to, por në kurriz të shkatërrimit të shumçkaje nga historia dhe bukuria e zonës ku u ngritën. Vendosja e monumentit të Enver Hoxhës, krahas atij të Skënderbeut, e bëri edhe më monumental, më absurd e njëherësh më të shëmtuar sheshin.
Në këtë gjendje, por edhe të degraduar materialisht, e gjetën sheshin fillimvitet ‘90. Shëmtimi kryesor që bënte të nevojshëm një ndërhyrje pas viteve ‘90, sipas gjykimit tim, ishte ai që i shkaktonte hapësira e mbetur bosh tek ish-shtatorja e diktatorit. Operacioni rregullues duhej të përqendrohej vetëm aty. Kurse pjesa tjetër, mirë-keq, ishte për t’u restauruar, por jo për t’u ndryshuar. Ajo jo vetëm që kështu do të ruante historinë, qoftë edhe me shatërvanin katërkëndësh që zëvendësoi atë rrethor kur sheshi para Skënderbeut u kthye në katërkëndësh, por do të mbetej edhe më koherente pasi çdo ndërhyrje e re e rëndësishme rrezikonte ta bënte edhe më shëmtuar. Mirëpo në vend të kësaj, me vitet ‘90 sheshi filloi të shihet si një vend kryesor ku pushtetarët e rinj donin të vinin vulën e tyre.
Shëmtimin e mëtejshëm e filluan Kelmendi e Brojka me vendosjen e kioskave kudo ku mundën, deri edhe brenda ovales prapa Skënderbeut, e cila vdiq kështu si lulishte. Kioskizimi i gjithandejshëm sheshit i solli një degradim të madh që i hapi mundësinë edhe shpërndërrimit të tij. Më pas, Edi Rama, duke aplikuar teorinë “historia fillon me mua”, edhe pse votat i kishte marrë me premtimin e kthimit në identitet, kreu aksionin e prerjes së pishave dhjetëravjeçare në ovalen prapa Skënderbeut, si dhe ndryshoi planimetrinë që ajo kishte pasur brenda saj me pretendimin se do ta bënte këtë ovale sipas një modeli fjorentin, që rezultoi një shëmtim i mëtejshëm. E njëjta gjë ndodhi edhe me një si shtëpi kuti katërkëndëshe druri e xhami që u vendos në vend të shatërvanit. Ndërkaq, hapësira tek ish-monumenti i Enver Hoxhës ishte bërë e mbeti teatër i lloj-lloj banalitetesh edhe për shkak se, si pa gjë të keq, kjo ishte privatizuar dhe pronarët, me projektet e tyre potenciale, nuk lejonin ndërhyrjen. Në këto kushte u bë hartimi i një plani të ashtuquajtur francez që më rezulton se është bërë nën diktatin e pronarëve të trojeve brenda dhe rrotull sheshit, por që na u shit si modernizim i qendrës, si harmonizim i historikes me modernen. Sipas këtij plani, sheshi rrethohej me nja gjashtë grataçiela 25-katëshe dhe me një numër ndërtesash të tjera të larta. Tre prej grataçielave parashikohej të ngriheshin nga lindja prapa Pallatit të Kulturës. Tri të tjera nga perëndimi: njëra prapa Bankës, duke prishur ndërtesën katërkatëshe tashmë historike të Petraq Kolevicës, njëra në fillimin ku takohen Rruga e Durrësit me atë të Kavajës, e tjetra prapa ndërtesës katërkatëshe që bën njërin nga këndet e Rrugës së Durrësit. Përveç këtyre, sheshi rrethohej edhe nga veriu me disa ndërtesa të tjera të larta, ndër të cilat një 15-katësh që parashikohej të ngrihej në hapësirën katrore brenda Muzeut Kombëtar, nja dytri më të ulëta, por deri tetëkatëshe përpara 15- katëshit e mbi hapësirën e fillimit të bulevardit “Zogu I”, midis hotel “Tiranës” dhe Muzeut. Shtoi këtyre edhe një qendër biznesi tre-katërkatëshe midis Bankës dhe Muzeut Kombëtar, në vendin ku ka qenë monumenti i diktatorit. Nuk ka nevojë të kesh ndonjë imagjinatë të zhvilluar për të parafytyruar se këto ndërtesa me lartësinë, shpeshtësinë dhe kakofoninë e tyre të stileve do ta shëmtonin edhe më tej sheshin si në kuptimin e zhvleftësimit të ndërtesave historike rreth e rrotull tij, edhe si peizazh urban në tërësi. Efektin shkatërrues mbi peizazhin urban të ndërtesave të reja mbi ato të vjetra dhe të atyre gjigante mbi ato më të ulëta e sheh sot gjithandej në Tiranë. Nga ato më afër sheshit le të përmend Torre Drinin apo atë hinkën 25-katëshe të ngritur te tyrbja e Sulejman Pashës apo efektin shkatërrues mbi ndërtesat e ministrive të shpallura monument kulture që ka shkaktuar Kisha Ortodokse e ndërtuar në një hapësirë në të cilën dikur kishte një park që u jepte hapësirë e dritë e vlerë edhe këtyre ndërtesave.
Plani belg për sheshin u tha se “korrigjonte” apo “perfeksiononte” atë francez. Në fakt, me gjithë trumbetimin me aq bujë të francezit si gjë perfekte, belgu i hiqte atij dy-tre ndërtesa krejtësisht absurde përpara hotel “Tiranës” e linte vetëm një ndërtesë absurde midis hotel “Tiranës” e Muzeut Kombëtar, si dhe ndërtesën midis Bankës dhe Muzeut, duke e kthyer sheshin gjithashtu në një hapësirë pedonale ku qytetarët do të mund të ngjiteshin edhe në një piramidë të vogël që ta do mendja se do të kulmonte atje ku ishte dikur shatërvani. Mendohej se qytetarët do të shijonin edhe ovalen prapa Skënderbeut ku, me sa di, ka qenë ideja se mund të mbilleshin edhe pemë. Kjo hapësirë pedonale do të shtrihej edhe në zonën përreth Kuvendit.
Ideja për të pasur një shesh pedonal është pozitive, por ky projekt, sipas meje, kishte probleme të mëdha për t’u kthyer në një realitet që do të përmirësonte jetën e qytetarëve. Pa folur për efektin shkatërrues përsa i përket peizazhit urban që do të sillnin ndërtesat e reja që do t’i shtoheshin rrotull sheshit duke e kthyer në një pus të thellë që e bënte qesharake idenë e piramidës, në majë të së cilës qytetari do të ndjehej zot, le të ndalemi te problemi funksional. Sheshi do të humbiste me këtë projekt funksionin e tij si vend-qarkullim i trafikut të rrugëve kryesore që lidhin Tiranën perëndimore me atë lindore, verioren me atë jugore. Dhe ky nuk është problem i vogël. Një nga traumatizimet që kanë pësuar qytetet e vjetra kudo në botë është qarkullimi i makinave e, mbi të gjitha, këtë e kanë vuajtur sheshet. Historia e shesheve në qytetet e vjetra është e tillë që ata janë zhvilluar me rritjen e qyteteve si vende ku kishte më shumë grumbullim publik. Një shesh përbëhet zakonisht nga hapësira përpara një objekt kulti, kishë apo xhami, ku njerëzit mblidhen, nga ndonjë lulishte si dhe nga ndërtesa të tjera rrethuese ku ka edhe vende çlodhjeje dhe ngrënieje, edhe dyqane. Pra, në shekuj funksioni kryesor i shesheve ka qenë mbledhja e njerëzve të një distrikti apo të qytetit (kur bëhet fjalë për ndonjë shesh kryesor) për jetë publike e ku ata vinin, nga rrugët që konvergonin aty, më këmbë, shumë-shumë me karroca. Shtimi i makinave, veçanërisht pas Luftës së Dytë, i traumatizoi sheshet e vjetra të qyteteve. Përshtatja më e mençur që kanë bërë njerëzit për të pranuar makinat në pjesën historike të qyteteve, duke përfshirë dhe sheshet, është mbështetur kryesisht mbi tri gjëra: së pari, qendrën historike e kanë ruajtur të pandryshuar nga pikëpamja e ndërtimeve, duke mos shtuar pra dendësinë e ndërtimeve; së dyti, kanë stimuluar transportin publik; së treti, kanë vendosur kufizimin e qarkullimit të makinave duke e reduktuar atë vetëm për banorët e asaj zone. Kurse zhvillimi i mëtejshëm i qyteteve (gjithmonë sipas nevojës) është kryer në hapësira të tjera me rrugë më të gjera e ndërtime më të larta – krahas krijimit të hapësirave të tjera publike, ndër to edhe të shesheve të reja. Në Tiranë nuk është bërë asgjë e këtillë, përkundrazi, kryebashkiakët tanë i përqendruan ndërtimet e reja në qendër në një mënyrë të paparë, duke shkelur çdo normë të dendësisë për metër katror; po ashtu, në vend të stimulimit të transportit publik e të kufizimit të trafikut vetëm për banorët e zonës, ata u merakosën vetëm të zgjerojnë rrugët për të krijuar vende parkimi për makinat që u shtuan pa asnjë kontroll, duke ngushtuar kësisoj trotuaret dhe nuk krijuan thuajse asgjë më tërheqëse për jetën publike jashtë zonës së qendrës.
Në këto kushte, sheshi “Skënderbej” u shfaq i dënuar të përballojë një kontradiktë të pazgjidhshme: më një anë të bëhej vendi më tërheqës për këmbësorët e Tiranës, më anë tjetër, të mbetej vend-qarkullimi më i madh i makinave të kryeqytetit për shkak se rrotull tij ekzistonte dhe parashikohej të shtohej dendësia maksimale e banorëve dhe e makinave. Kjo e dyta, në fakt, e shkatërron të parën, duke e lënë një gjë virtuale sheshin pedonal. Sipas meje, sheshi do të mund ta kishte luajtur rolin e parë nëse brenda asaj që sot e quajmë Unaza, do të ishte ruajtur maksimalisht (duke u restauruar, sigurisht) Tirana e vjetër dhe nëse operacionet e ndërtimeve më të larta e me rrugë më të gjera do të ishin kryer jashtë kësaj unaze. Tirana historike do të merrte kështu një vlerë të jashtëzakonshme dhe sheshi, madje deri edhe bulevardi, do të mund të ktheheshin lehtas vetëm për këmbësorë dhe biçikleta. Në kushtet e krijuara në Tiranë dhe me ato që parashikonte plani franko-belg, kjo ishte, sipas meje, e pamundur, sepse do ta vështirësonte edhe më jetën e qytetarëve në zonën përtej ndalimit të qarkullimit për mungesë të infrastrukturës rrugore. Por, edhe sikur ta pranojmë për një moment se do t’i hynim aventurës së planit frankobelg, do të duhej të paktën që kjo të kishte filluar duke pas bërë më parë infrastrukturën rrugore me kalime dhe nënkalime që do të garantonin funksionimin normal të trafikut. Nuk mund as të fillonin punimet për sheshin pa qenë më së pari e ndërtuar kjo infrastrukturë. E, në këtë kontekst, le të mos harrojmë se qendra e Tiranës ka më se njëzet vjet që është shndërruar në një kantier ndërtimi që prodhon pluhur, ndotje dhe, ç’është më e keqja, edhe shëmtim. Plani franko– belg i Ramës na premtonte, minimumi, edhe njëzet vjet të tjerë kësisoj. Mjaft të përfytyrosh ndërtimet e parashikuara midis Bankës dhe Muzeut Kombëtar, midis Muzeut dhe hotel “Tiranës”, brenda vetë Muzeut apo gjashtë grataçielat që përmenda për të kuptuar se mundësia e një hapësire të qetë pedonale brenda sheshit do të mbetej një ëndërr që s’do të mund të bëhej realitet as për tokësorët e brezave që sapo kanë lindur, pasi një shesh i tillë i superngjeshur me ndërtime do të ishte i pabanueshëm.
Shpresoj se ideja për t’i realizuar këto ndërtime të jetë një makth që nuk do të na kthehet më kurrë e ne të fillojmë të mendojmë për sheshin në një kontekst më njerëzor.
Përsa i përket vlerësimit estetik të sheshit që ka dalë, mbetem i idesë se, në pamundësi për të kthyer pamjen e sheshit të para vitit ‘62 apo edhe atë me ish-Bashkinë e Kursalin të paprishur, ajo më e mira e mundshme që mund të kishte bërë ekipi i kryetarit të Bashkisë aktuale do të kishte qenë, së pari, kthimi i ovales prapa Skënderbeut në pamjen origjinale, që e bënte shumë mikpritës atë vend për qytetarin me shkallët hyrëse në veri dhe në jug; së dyti, rikthimi i shatërvanit katërkëndësh apo i një rrumbullaku varësisht nga ajo se cili mund të qëndronte më mirë; së treti, plotësimi i sheshit ku ka qenë monumenti i diktatorit, ndoshta me atë pyllin, që e kam propozuar edhe vetë në një shkrim, duke e imagjinuar si vend çlodhjeje dhe grumbullimi për vizitorët e Muzeut, ndoshta me baraka të çmontueshme, në rast festash, por kurrsesi me një ndërtesë që do t’i merret energji e pamje si Bankës, edhe Muzeut Kombëtar.
Ajo çka shqetëson më shumë, megjithatë, është aspekti funksional i sheshit që ka dalë. Pyetja që ngrihet është: a do të mund të bëhet ky shesh një qendër për këmbësorët, dhe jo të mbetet kryesisht një vend-qarkullim i makinave? A do të mund të bëhet ky një shesh i qytetarëve, dhe jo të mbetet një simbol ideologjik? Mua më duket se duhet bërë kjo përpjekje, por vetëm nëse konceptohet që Tirana brenda Unazës nuk do të rëndohet më me ndërtime, por përkundrazi, do të “ajroset” me hapësira dhe parqe të tjera të vogla brenda lagjeve, do të ketë nënkalime, transport publik dhe kufizime të qarkullimit të makinave vetëm për banorët e zonave, siç i ka gjithë bota. Atëherë ndoshta do të vinte një ditë kur sheshi të mund të mendohej të kthehej në pedonal, duke menduar njëkohësisht që disa nga ndërtesat e ministrive të shndërroheshin në muze apo qendra aktivitetesh kulturore që do t’i jepnin atij jetë. Duke e përfytyruar një projekt të tillë, e quaj të papranueshëm faktin që ajo hapësira e 8-s me një pjesë konkave më të madhe dhe një pjesë konvekse më të vogël, është konceptuar vetëm në funksion të madhështisë së Skënderbeut; kjo më duket një vazhdimësi e mendësisë komuniste që i trajtonte sheshet si simbole ideologjike, dhe jo si vende të jetës publike e ë shoqërizimit të qytetarëve.
Së fundi, por shumë me rëndësi: përvoja e këtij sheshi na lë përsëri me një shqetësim të madh. Kryetari i ri i Bashkisë na ka premtuar se projektin urbanistik që do të bëjë për Tiranën do t’ua shtrojë për diskutim qytetarëve deri edhe me një referendum. “Prova” e parë me sheshin qe e tillë që ne nuk morëm vesh asgjë se si do të dilte deri në fund. Jo vetëm, por nuk dimë as se kush e ka projektuar. Dhe kjo ka të bëjë me një çështje shumë të rëndësishme: a do të ngrihen më në fund në këto institucione rregulla transparente dhe demokratike? A do të ketë një kryearkitekt të Bashkisë që mban edhe përgjegjësi, deri penale, për ato që bëhen mirë e bëhen keq? A do të ketë oponenca serioze për projektet që të garantojnë interesin e qytetarit, apo gjithçka do të lihet në dorën, shijet e interesat e arbitraritetit të pushtetarit të radhës (e klanit të tij) që e mbron pushteti politik nga çdo përgjegjësi? (Panorama, 30 nentor 2011)

Read More......

Wednesday, November 23, 2011

Kadare, Rama - Memuaristika si operacion plastik

 
I ftuar në emisionin Opinion për të diskutuar mbi librat e fundit që po bëjnë bujë në Tiranë, citova edhe një herë Maks Weberin, sipas të cilit: “në fushën e aktivitetit intelektual mund të thuhet se është “personalitet” vetëm ai që i shërben thjesht dhe pastërtisht objektit të tij. Nuk mund të jetë “personalitet” ai që, si një tregëtar, nxjerr në skenë, sëbashku me objektin, të cilit duhet t’i dedikohet, edhe veten e tij.” E kam cituar për herë të parë në shkrimin "Mbi personin dhe personazhin Kadare" (Korrieri, 23 tetor 2006) ku, mes tjerash, shkruaj se mund të vijë një moment në aktivitetin e një figure të njohur kur ai kthehet në personazh duke reshtur së qëni një person; kur, më shumë sesa ajo që bën, të vlejë ajo se kush e bën, kur vetvetja e tij bëhet objekt i aktivitetit të tij më shumë se vepra, madje në një shkallë të tillë saqë ai sillet sikur vetë ekzistenca e tij të jetë një kryevepër.
Nuk bëj pjesë ndër ata optimistë që besojnë se idetë e tij mund të ndryshojnë shpejt e shpejt botën edhe kur ato janë të mbështetura nga filozofë e mendimtarëve të mëdhenj si Weberi. Përkundrazi, bëj pjesë ndër ata që, edhe për shkak të përvojës, përsërisin shpesh e më shpesh me ironi aktualitetin, çprej 10 mijë vjet para Krishtit, të thënies së famshme të Solomonit "Stultorum infinitus numerus est" (I pafund është numri i budallenjve), paçka se s'gjej megjithatë kuptim më të mirë jete sesa të provokoj në emër të së vërtetës besimin syverbër të "budallenjve" në zotat e rremë, me shpresën se e vërteta, si ato oazet që mbijetojnë në shkretëtirë, do të gjallojë ndonjë ditë edhe tek ata. Megjithatë, për të qenë i sinqertë, nuk mund të mos çmeritem duke konstatuar se, që nga viti 2006 e deri tani, pra në harkun kohor të vetëm 5-6 vjetëve, fenomeni i kthimit të personave në personazhe, në matrapazë e tregëtarë të veprës së tyre, ka ecur si rëra në shkretëtirë me hapa të tilla galopante, saqë po vazhdoi kështu edhe disa vjet, shkretëtira shpirtërore e shqiptarëve do të arrijë kulme të papara. Në emisionin për të cilin e kam fjalën tre botues kishin dalë në skenë për të promovuar autorët e tyre pasi kishin shpërndarë e botuar nëpër të gjitha gazetat pjesë të tëra nga librat që sapo kishin botuar, të cilat i gjeje madje edhe në dy tre katër gazeta njëherësh, shoqëruar me foto të stërmëdha të autorëve në faqe të parë - gjë kjo e paparë në ndonjë vend që ka respekt për librin dhe lexuesin. Drejtuesi i emisionit, Favziu, ishte edhe ai një ndër autorët. Pashë pastaj panairin e librit të uzurpuar nga këta personazhe, ku rradha të rinjsh prisnin të merrnin autografe për libra rreth cilësisë së të cilëve s'kishin asnjë ide, madje në mungesë totale të ndonjë kritike serioze për ta. Kjo pasi vlera e tyre nuk diskutohej; për këtë mjaftonte vetvetja e autorëve të dalë në skenë, pasi "videokracia", sipas së cilës po dole në gazeta e televizion të shohin të gjithë dhe bëhesh popullor dhe kësisoj i suksesshëm; se "të jesh" do të thotë "të dukesh nëpër media" ka arritur në mbretërinë tonë një grotesk të paparë.

* * *
Fenomeni i autorit që del përpara veprës ra më së shumti në sy në ato libra që përmbajnë memuaristikë pasi, për nga vetë natyra e kësaj krijimtarie, janë ata ku autori merret me vetveten duke e bërë atë personazh. Dy librat që më tërhoqën më së shumti vëmendjen në këtë lëm ishin ai i Elena Kadaresë (ku personazhi në fakt është Ismail Kadareja, që del se është bashkautor pasi, me një deklaratë të papërgënjeshtruar nga autorja dhe botuesi, deklaroi së fundi se i paskësh dhuruar së shoqes 70 faqe e se po ashtu është edhe censor i librit, pasi i ka prerë 100 faqe) si dhe libri i Edi Ramës "Kurban". Në këtë shkrim do të merrem me këta dy libra, por duke patur parasysh se fenomeni për të cilin po shkruaj është shumë më i gjerë.
Duket sikur janë të ndryshëm dy librat në fjalë pasi të ndryshme janë periudhat për të cilat shkruhet e të ndryshëm brezat e autorëve, por, paradoksalisht, duke lexuar faqet e tyre kuptohet lehtë se që të dy janë të ngjashëm në thelb. Ngjashmëria më sipërfaqësore është se që të dy kërkojnë të na tregojnë versionin e tyre të kohëve të kaluara në të cilat, në një mënyrë apo në një tjetër, të dy personat/personazhe kanë qenë protagonistë e që shqiptarët i kujtojnë si kohë të këqija; ngjashmëria më e thellë qëndron në atë se metoda e mendimit dhe e të shkruarit - që është vetë njeriu - është huazuar nga ajo kulturë që tjetërkund e kam quajtur kulturë e "manipulim-simulimit", që e kemi provuar në trajtën e vet më të shëmtuar në memuaristikën e Enver Hoxhës, i cili e shkruante historinë sipas midesë së vet pasi raporti i këtij njeriu me të vërtetën ishte i tillë që mendonte, se duke qenë i pushtetshëm kishte pronë edhe mbi të vërtetën - çka ia bënte të ligjshëm jo vetëm përgojimin e kujtdo sipas qejfit, por deri edhe gënjeshtrën, edhe retushimin e ngjarjeve, deri të fotove të së kaluarës, duke  fshirë krejtësisht nga skena personazhe e ngjarje e duke sajuar apo nxjerrë në pah të tjerë, sipas regjisë së egos dhe interesave të tij personale, por krejtësisht në dëm të së vërtetës.
Mjafton të lexosh vetëm pak faqe për të kuptuar shfaqjen e kësaj kulture në dy librat në fjalë e pikërisht në raportin e keq të autorëve me të vërtetën. Duke lexuar këta dy libra më erdhi spontanisht të përdor metaforën: memuaristika si operacion plastik. Kjo, pasi kush i njeh ngjarjet dhe historitë e përshkruara, por edhe personat personalisht, nuk mund të mos zgurdullojë sytë duke parë se si janë fshirë nga tiparet e tyre rrudhat e jetës; shenjat e plagëve që kanë marrë, se si kanë fryrë me silikon buzët e kanë ngritur gjinjtë, kanë mbjellë flokë e më the të thashë, duke bërë personazhin e dalë kësisoj tjetër gjë nga personi që kemi njohur. Por, pse të ndodhë kjo, është pyetja. Çdo të thotë për një person të shfaqet si një personazh që s'korrespondon me të? Sipas cilit model e plazmon ai personazhin vetvete? Kjo është një dramë më vete, në fakt. Kjo shpjegohet me atë që mund të quhet intencionaliteti i librit. Drama e librave të shkruara sipas kulturës së manipulim-simulimit është se ato nuk shkruhen duke patur parasysh atë lexues që është, në thelb, lexuesi kryesor i një autori, vetvetja, sipas idesë se një libër i mirë është para së gjithash një bashkëbisedim i sinqertë me veten për ta njohur atë dhe botën më mirë. Kultura e manipulim-simulimit, që ne e kemi zhvilluar tejskajshëm në periudhën e realizmit socialist, nuk e njeh këtë lloj krijimtarie, ajo nuk synon njohjen e së vërtetës, përkundrazi ajo sendërgjon vepra që shkruhen për një publik që synohet të gënjehet, manipulohet, të sundohet, të seduktohet nga autori në emër të rritjes së pushteti të tij apo të pushtetit që ai përfaqëson. Në dy librat në fjalë gjejmë me okë të vërteta të dhunuara nga vullneti për pushtet i personazheve që flasin për veten, nga narçizizmi i tyre, nga nevoja e tyre për të kontrolluar të kaluarën, historinë, për të krijuar një version dominant të kësaj historie që synon, me kalimin e kohës, të eliminojë çdo histori tjetër. Ajo që zhduket pas këtij operacioni plastik është ajo më e bukura gjë që mund të ishte: vetvetja e autorit, e vërteta e tij e, në një kuptim më të gjerë, njohja. Por kjo nuk ka shumë rëndësi në këtë lloj kulture. Rëndësi ka imazhi, madje, edhe kur flas për lexues, kam përshtypjen se për këta autorë nuk ka aq rëndësi lexuesi se sa spektatori jo aq ajo se çfarë kanë shkruar se sa  buja televizive e promovimit, të ftuarit e rëndësishëm që do të marrin pjesë, numri i shitjeve, intervistat,  zaptimi i faqeve të gazetave që ka të bëjë me ruajtjen në faqe të parë të imazhit, për të mos u zhdukur, për "të qenë". Librat janë kësisoj një lloj "substitute" (zëvendësues) i personit të bërë personazh.

* * *
Le të hyjmë pak më konkretisht në dy librat në fjalë. Në rastin e Kadaresë, operacioni plastik me të cilin kemi të bëjmë synon kryesisht pastrimin e jetës dhe veprës së tij nga bashkëpunimi me regjimin e Enver Hoxhës, madje deri edhe paraqitjen e saj si jetë/vepër kundër atij regjimi. Është një operacion që nuk e ka për herë të parë që e kryen. Në fakt, operacioni plastik, si ruajtje imazhi, ka edhe një karakteristikë. Ai që i hyn atij pas një kohe ka nevojë për një operacion tjetër pasi moskompatibiliteti organik me silikonin vjen e bëhet i tillë saqë duhet një ndërhyrje e re.
Kësaj here Kadare ka përdorur të shoqen. Si edhe më parë ai i drejtohet madje një publiku të huaj më së pari, por me shpresën se edhe versionet jo konform të vetit për të kaluarën e jetës dhe veprës së tij me kalimin e kohës, e me imponimin e versionit që pranon bota e huaj, do të zhduken. Në këtë kontekst një "ndërhyrje' e re interesante që gjeta ishte ajo se, sipas zonjës Kadare, shkrimtari ynë i madh nuk i përket sojit të atyre autorëve që në rini kanë qenë besues të komunizmit, pastaj kanë filluar të ndërgjegjësohen e të krijojnë vepra me probleme disidente, dhe pastaj janë arratisur jashtë. (Të vjen ndërmend në këtë rast Çeslav Milosi). Jo, sipas Kadarejve, shkrimtari ka qenë i ndërgjegjshëm qysh në moshë shumë të re për regjimin. E provon këtë romani "Qyteti pa reklama", sipas tyre i shkruar andej nga viti 1959 i cili, sipas autores, nëse nuk është "antikomunist", është "akomunist". Le ta pranojmë deri këtu këtë version edhe pse nuk mund të mos kujtojmë se ky libër nuk është botuar asokohe, por, në vitet 90, e me këtë rast kemi të drejtë të dyshojmë për vërtetësinë e kësaj kur kemi parasysh se me një operacion të paparë plastik Kadare na e shiti edhe poemën Pashallarët e Kuq si antikomuniste në këto vite. Por, problemi kryesor që nxjerr versioni i antikomunistit të hershëm është se autorit/es në këtë rast i duhet të shpjegojë pse ky antikomunist ka bërë në vazhdim vepra prokomuniste, madje një korpus të tërë ku hyjnë vëllimet me poezi e poema për ndërtimin e socializmit e për shekullin e komunizmit sikurse edhe dy poemat e mëdha të vlerësuara me çmimet më të larta të Republikës: "Pse mendohen këta male" dhe "Shqiponjat fluturojnë lart", por edhe vepra të tilla si "Gjenerali i ushtrisë së vdekur" (i cili është krejtësisht në koherencë me mënyrën se si e trajtonte regjimi luftën Nacional - Çlirimtare, por edhe priftërinjtë, edhe botën kapitaliste), romanet "Dasma" e "Kështjella" etj.. Për t'ia arritur kësaj në operacionin e vet plastik, zonja Kadareja heq thuajse krejtësisht "dhjamrat" e vëllimeve me poezi të cilat nuk përmenden fare në libër. Pastaj përdor edhe shumë silikon për të fryrë e transformuar vepra të tjera. Kështu, për shembull, i heq novelës "Përbindëshi" intencionin e asokohshëm duke "harruar" të thotë se Kali i Trojës ku qëndronin armiqtë e Tiranës, që kërkonin të hynin pabesisht brenda për të djegur qytetin, ishte metafora e përdorur për revizionizmin që e gjeje asokohe rëndom në propagandën kundër BS. Personalisht e kujtoj kështu novelën e lexuar në atë kohë sepse jam i sigurt që autori i ka bërë edhe asaj operacion plastik siç i ka bërë psh. versionit të asokohshëm të "Kështjellës" simbol i rezistencës së Shqipërisë ndaj imperializmit dhe revizionizmit, që, në versionin e fundit, është ndryshuar në simbol të një kështjelle që mbron Krishtërimin nga sulmi Islam. Shumica e shqiptarëve as nuk i dinë këto, po ç'rëndësi ka kjo për kulturën e manipulimi-simulimit? Dikush mund të thotë se një ditë studiues seriozë do të merren me këtë dhe do të nxjerrin përfundimet e tyre, pasi veprat, ashtu si janë shkruar në atë kohë, shpesh edhe me shpjegimin që u bën autori, janë ende nëpër biblioteka. Por, siç e thashë, kultura e manipulimit nuk punon për njohjen, as për një grusht të diturish: ajo punon për "popullin", imagjinatën e tij kolektive, pushtetin mbi të; ajo punon për mistifikimin dhe historia ka treguar se mitet, një herë që janë ndërtuar, zor se mund të rrëzohen nga fakte "dytësore", "të parëndësishme".
Ajo që ka të re libri në fjalë në aspektin  mistifikimit është se tani duket se po bëhet përpjekja që krejt jeta e autorit/personit t'i përshtatet operacionit që u është bërë veprave. Më bëri shumë përshtypje fakti se në këtë operacion të fundit plastik Kadareja paraqitet sikur të ketë qenë ndonjë shkrimtar i formuar në kohën parakomuniste e që, deri tek Dimri i Madh, paska shkruar vepra në mos "antikomuniste", "akomuniste" - aq sa kjo paska rënë në sy duke e rrezikuar atë. Në këtë pikë të rrezikut, sipas autores, ky vendos të bëjë një "kompromis" me diktatorin (a thua se ishte i barabartë me të) duke vendosur të shkruajë një libër politik që do ta mbronte nga armiqtë e shumtë. Por kujdes, edhe këtu kompromisi është i justifikuar. Vërtet po hyjnizon diktatorin, por ama Kadare paraqitet sikur ka qenë dakort me prishjen pasi shpresonte se Shqipëria do të kthehej nga Perëndimi. Le t'i harrojmë librat e shumtë me poezi e prozë të viteve 50 - 60 që vetëm akomuniste nuk mund të quhen, përkundrazi, janë propagandë e gjallë. Le të harrojmë se antikomunisti në atë kohë kishte bërë kërkesën për t'u pranuar në partinë komuniste, pjesë e së cilës u bë duke marrë edhe urimin personal në shtëpinë e tij të Nexhmije Hoxhës. Por si mund të pranohet versioni se autori besonte se prishja me BS ishte pozitive kur dihej që në vitet 60 se prishja ishte bërë në emër të mbrojtjes së Stalinit kundër revizionizmit, dhe se ishin revizionistët ata që akuzoheshin se kërkonin të afroheshin me Perëndimin? Jo vetëm, por libri është shkruar dhjetë vjet pas kësaj prishje, kur ishte bërë e qartë se Shqipëria, jo që s'ishte kthyer nga Perëndimi, por kishte përqafuar eksperimentet e Revolucionit Kulturor kinez dhe ishte izoluar tragjikisht nga bota. Silikoni megjithatë mendohet se është aq i suksesshëm sa mund t’i bëhet  mishi dhe gjaku i vërtetë njeriut e t'i trajtojë kockat dhe mishin e tij të plakura si mbeturina që duhen nxjerrë jashtë.
Për ta bërë sa më të vërtetë silikonin zonja Kadare na tregon edhe disa anë të mbrapshta të autorit. Por edhe këtu operacioni bëhet me kujdes, sipas një shijeje të kulturës së "simulimit" që t'i përgjigjet gustove të publikut shqiptar që tërhiqet aq shumë nga njeriu i fortë, i gjithpushtetshëm. Kadareja shfaqet edhe si personazh "i keq", por i keq si perënditë, si Zeusi, psh. i cili ka edhe zemërimet e tij të padrejta. Kujtoni psh. trajtimin në libër të Qoses, të ish presidentit Mejdani apo të kritikut Agim Vinca: se si Zeusi hedh rrufetë e zëmërimit mbi ta. Po ashtu, shëmbëllyeshëm me Zeusin, ai ka edhe impulset e tij seksuale, le me barrë ndonjë tokësore andej këtej, gjithmonë të bukur yll, por Zeusi mbetet Zeus.
E vërteta që humbet në tërë këtë histori është raporti i shkrimtarit dhe i njeriut në përgjithësi me regjimin diktatorial. Duke na e paraqitur shkrimtarin si ata heronjtë pozitivë të soc-realizmit, dhe jo si bashkëpunëtor me hir ose me pahir të së keqes (në rastin në fjalë më shumë me hir sesa me pahir), humbet jo vetëm e vërteta e njohjes së asaj kohe për të cilën kemi aq shumë nevojë që të mos përsëritet, siç po na përsëritet,  - dhe prandaj po na përsëritet, - por humbet drama e vërtetë njerëzore e intelektualit në diktaturë. Mirëpo zonja Kadare u cilësua autorja e vitit. Dhe duhet ta duartrokasim, s'kemi ç'bëjmë. Vazhdojmë të jetojmë në mbretërinë e gënjeshtrës që është ndërtuar me kontributin e rrallë të të shoqit. A nuk kaluam gjysëm shekulli nën mbretin e parë të saj? Jo më kot një lexues i shkruante tek "Shekulli" Hans Joachim Lankschit që reagonte për disa gënjeshtra në libër lidhur me marrëdhëniet e Kadaresë me Camajn: "Zoti Lanksch, mos u bëni naiv! 
A mendoni se i bëhet vonë dikujt në Shqipëri për të vërtetën?
 
Shqipëria është botë e çudirave dhe e vërteta është irrelevante dhe diçka me të cilën merren vetëm “marksist-leninistët”.
 Ismail Kadare është Liza në Botën e Çudirave dhe ai nuk e ka për gjë ta përshtrijë kreativitetin letrar edhe në botën reale.
 Nga ana tjetër, publikut nuk i bëhet vonë se a gënjen Liza apo jo.
 A nuk e dini se Kadare është disidenti më i madh në Ballkan, Evrope, botë dhe më gjerë?
 A nuk e dini se të gjithë librat e tij kanë qenë kundër diktaturës, por këte kanë mundur ta kuptojnë vetëm të zgjuarit ?
 Njësoj si rrobat e mbretit që kanë mundur t'i shohin vetëm të zgjuarit."


* * *

Ç'është e vërteta, Edi Rama e ka edhe më të vështirë operacionin plastik që kërkon të kryejë me Kurbanin e tij, sepse libri/personazhi që kërkon të zëvendësojë veprën/personin është shumë më afër në kohë dhe i mungon mbështetja ndërkombëtare që ka fituar Kadareja, jo pa mundim të vetin e të regjimeve të asaj kohe e të kësaj kohe edhe pse ka punuar shumë për këtë duke e ditur se kjo peshon aq shumë tek shqiptarët e frustruar nga komplekti i inferioriteti ndaj Perëndimit. Jo vetëm, por vepra e tij, që është Tirana, nuk është e fshehur nëpër biblioteka mes librash e gazetash të pluhurosura e që, tek e fundit, dikur edhe mund të digjen e të zëvendësohen, me dekret qeveritar, nga versioni i fundit i shkrimtarit kombëtar të mbretërisë së gënjeshtrës. Operacioni plastik i Edi Ramës është shumë më i vështirë pasi ai duhet të na heqë nga pamja me Kurbanin e tij volume masive betoni e çimentoje pallatesh shumëkatëshe e të na rishfaqë pamjen e Malit të Dajtit, të lulishteve, të oborreve të shkollave, të fushave të sportit, të kinemave të vjetra të qytetit, të qindra shtëpive të Tiranës historike të zhdukura nën rruspat e miqve të tij të korrupsionit. I duhet që pusin e thellë me grataçiela, siç kishte ndërmend ta bënte qendrën e Tiranës për interesa kësisoji, të na e paraqesë si mrekulli arkitektonike; i duhet të na heqë nga mushkëritë pluhurin e gazin që po na helmon e kancerizon mushkëritë. Silikoni i Edi Ramës, i ngjyer me jeshil, duhet të na shfaqet gjithandej para syve në formë bari për të mbuluar çimenton, pluhurin, gazrat e plehërat. Megjithatë ai guxon paturpësisht ta bëjë këtë pasi e di se vetëm turpi s'ka kuptim në këtë mbretërinë tonë të gënjeshtrës që ekziston në ndërgjegjen e imponuar kolektive të banorëve të saj në formën virtuale të një vendi që, qysh në kohën e romakëve, si një hero kryelartë e i pamposhtur, e ka çarë historinë me shpatë në dorë: që ka mundur romakët, barbarët, bizantinët, osmanët, italianët, gjermanët, imperialistët, socio - imperialistët; në këtë Shqipërinë tonë ku Kryeministri i vendit inauguron një rrugë në fund të 2011-të dhe u thotë bashkëkombësve të vet se kjo rrugë është edhe një mirënjohje për Skënderbeun që ka luftuar në këto anë në 1400-tën. Aq më tepër kur ke në shërbim një hordhi gazetarësh injorantë e servilë dhe intelektualësh të tredhur që në kohën e regjimit të Enver Hoxhës, të cilët kanë hall të parë ta kenë mirë me pushtetin pasi ky të bëhet garant jo vetëm i mbijetesës ekonomike, por edhe i suksesit, aftësisë, talentit.
Në fakt, Edi Rama ka përvojë jo të pakët në zanatin e operacionit plastik. Kulturën e manipulim-simulimit dhe metodat e saj të mendimit e krijimit i ka provuar me sukses të rrallë dhe më parë. Në këtë pikë, madje, më duhet të pranoj se metafora që përdora me operacionin plastik ka një kufizim, pasi ajo nënkupton sikur personi të ketë patur një fytyrë dhe, pastaj, kur shndërrohet në personazh të pushtetit e të mediave, na shfaqet një tjetër. Kur e mendoj pak më thellë, veçanërisht duke patur parasysh personin e Edi Ramës, më del se ndoshta vetëm ata që e shohin së jashtëmi mund të flasin për një operacion plastik duke krahasuar pamjen që i kanë parë me atë se si ai na shfaqet. Kurse për personazhin së brendëshmi nuk jam i sigurt se mund të thuhet se e ka një vetëdije të vetvetes që pastaj e transformon qëllimisht nëpërmjet operacionesh plastike të vazhdueshme. Më duket se është më e drejtë të thuhet se ka një kategori njerëzish, që janë vetëm personashe pa qenë asfare persona, pasi ata ia adoptojnë gjithnjë vetveten rrethanave, ambjentit, interesave, duke mos marrë asnjëherë asnjë ide seriozisht, veçanërisht atë që quhet e vërtetë, pasi kjo mund t'u bëhet pengesë për aktrimin e tyre në skenë. Është si të imagjinosh një aktor për të cilin jeta e tij jashtë skenës të mos ekzistojë, ose më mirë të themi sikur e amputon atë pasi, për të luajtur sa më mirë identitetin e personazhit që i kërkon regjia e rradhës, i është më e volitshme të mos ketë fare identitetin e tij apo një gjykim përfundimtar për diçka. Vini re, pasi nuk ka lënë gjë pa thënë për Ilir Metën dhe llumin ku ai ka rënë Rama përfundon duke thënë se "s'është e thënë që kjo të jetë e vërteta ime e fundit për Ilir Metën", "kjo botë është e bukur se nuk është e dhënë njëherë e përgjithmonë." E ka thënë edhe Shekspiri në "As you like it" (Si t'ju pëlqejë) se e gjithë bota është një skenë dhe njerëzit, burrat dhe gratë e saj, nuk janë veçse aktorë që luajnë pjesë të ndryshme në të.
Mirëpo Shekspiri bën ironi të hidhur. Në fakt, kush ka njohur aktorët e vërtetë të skenës dhe jetën e tyre, - e them këtë duke patur parasysh jo vetëm aktorët e skenës por edhe ata të jetës - e di mirë se nuk mund të "luash" vërtet bindshëm një personazh pa qenë më së pari brenda vetes një person. Edi Rama, si në jetë edhe në këtë libër, na shfaqet si një personazh i luajtur keq mu pse brenda tij mungon personi. Më kujtohet një miku ynë i përbashkët, që thoshte me shaka se Edi Rama, po t'i dalë natën ndonjë makinë përpara, rrezikon të bjerë nën rrotat e saj pasi do i dalë përpara duke kujtuar se fanarët e saj janë prozhektorë të skenës. Ajo që i ka ndodhur në jetë - por edhe në këtë libër - është pikërisht ngatërrimi i makinës së rëndë shtypëse të pushteti me dritat lajkatare të skenës.

* * *

Duhet pranuar, megjithatë, se nuk është kaq e thjeshtë analiza kur e ngremë çështjen e personit që humbet vetveten duke u bërë personazh, pasi, në fakt, askush nuk mund të pretendojë se është një person i vetëm që kur lind e deri sa vdes. Në fakt ne mësojmë gjëra të reja dhe, duke mësuar, ndryshojmë; ne besojmë në diçka, por duke mësuar diçka tjetër ne e humbasim besimin e parë duke përqafuar një tjetër; ne kemi një profesion dhe ushtrojmë një tjetër; shpesh ne bëjmë aq shumë gabime sa jeta jonë mund të quhet një ndreqje e vazhdueshme gabimesh. Atëhere pse t'i bijem në qafë Edi Ramës; pse duhet të kapemi tek gjërat që ai ka thënë dje për t'ia hedhur poshtë ato që thotë sot në Kurbanin e tij e ta quajmë personazh pa person? Sipas mendimit tim sepse megjithë ndryshimin e vazhdueshëm ka diçka që mbetet e pandryshueshme apo që duhet të mbetet e pandryshueshme që ne të mos e humbasim personin/vetveten në rrugën e kërkimit të së vërtetës. Kjo është ndershmëria: në raport me vetveten më së pari dhe pastaj edhe me të tjerët. Vërtet njeriu mund të bëjë aq shumë gabime sa jeta e tij të quhet një ndreqje e vazhdueshme gabimesh, por ama, vetë ekzistenca e gabimit, sikurse thotë Popperi, në kundërshtim me ata që në emër gjoja të relativizmit justifikojnë çdo gënjeshtër, nënkupton kërkimin e së vërtetës. Dhe ky kërkim nuk mund të kryhet pa dritën e ndershmërisë e cila s'ka se si të mos na çojë dhe tek njohja e gabimeve tona. Është kjo, mosnjohja e gabimit, ajo që e kompromenton rëndë librin e personazhit Rama. Thuajse në çdo faqe të librit ai s'bën tjetër veçse largon gabimin dhe fajin nga vetvetja. Të vetmen gjë që pranon janë gabimet në ndryshimet kushtetuese, por edhe ato pa na shpjeguar sinqerisht motivet e vërteta, por në funksion të asaj se rindreqja e tyre i duhet për nesër. Dikush më tha se këtë libër Edi Rama e ka shkruar si psikoterapi pas humbjes së Tiranës. Është e vërtetë se një libër mund të shërbejë edhe si psikoterapi, paçka se profesionistët thonë se psikoterapinë duhet të ta bëjnë të tjerët jo vetvetja pasi ka shumë rreziqe që, në këtë mënyrë, ta thellosh sëmundjen. Por edhe ata që arrijnë ta bëjnë vetëterapinë - thonë se Frojdi ishte një i tillë - e arrijnë nëpërmjet një bashkëbisedimi të thellë intim me vetveten. Kurse Kurbani i Ramës vetëm bashkëbisedim me vetveten, introspeksion, nuk ka. Ai, me një ekzibicionizëm e ekstroversitet arrogant, thjesht bën kurban të tjerët për të larë vetveten duke e thelluar kësisoj dramën e tij të mungesës së gjetjes së vetvetes e të realitetit.

* * *
Po ndalem vetëm në një moment të librit: ai i së vërtetës së futjes së Edi Ramës si intelektual në politikë. Nuk është hera e parë që Rama shpalos gënjshtrën se ai hyri në politikë ashtu rastësisht, pas vdekjes së të atit, se këtij artisti dhe intelektuali iu lutën që të kryente sakrificën e të bërit politikan, që ai e pranoi vetëm e vetëm për t'u bërë mirë shqiptarëve. Nuk është vendi në këtë artikull për të bërë memuaristikë duke hyrë në kujtime personale që provojnë se nuk është kështu, por nuk mund të mos i referohem diçkaje që thotë për miqësinë time me të për çka është abuzuar shumë këto vite ndërkohë që unë s'kam shkruar asnjëherë pasi kam gjykuar se si gazetar duhet të merrem me punën e tij dhe fenomenet që përfaqëson si person publik: "… një miqësi e dashur që e humba kur zbrita në arenën politike... një histori kjo jo aq e lehtë për t'u shpjeguar sa ç'mund ta bëjë Fatosi…" Do ta komentoj këtë duke u marrë me thelbin e së vërtetës që Edi Rama ia fsheh më së pari vetvetes dhe pastaj të tjerëve, pasi më duket tejet i rëndësishëm ky moment për të gjithë shoqërinë, veçanërisht për intelektualët shqiptarë, pasi ka të bëjë me raportin e tyre me pushtetin politik. Do të përpiqem ta bëj duke patur parasysh se sigurisht çdo histori është e komplikuar për t'u shpjeguar, nganjëherë nuk kemi as instrumentet kulturore për ta shjeguar, por e rëndësishme është të kesh qëllimin e sinqertë për ta shpjeguar atë, ndershmërinë intelektuale dhe jo synimin për ta shtrembëruar.
Pyetja që duhet të shtronte Edi Rama, po të shkruante një libër të vërtetë, duhet të ishte se çfarë humbi ai duke hyrë në politikë, miqësinë me Fatosin apo ndonjë gjë tjetër shumë më të rëndësishme. Përgjigjen se çka humbur nuk e thotë tek Kurbani, por e ka thënë shumë kohë më parë, në një intervistë të pambaruar, fragmente të së cilës i kam cituar në një shkrim që botova në Koha Jonë të nesërmen e goditjes që i bënë njerëzit e Berishës në fillim të vitit 1997: "Intelektuali nuk kërkon vota, por kërkon të vërtetën."
Pyetja që shtrohet sot është: a e ka pasur ndonjëherë synim të vërtetën ky njeri? Mua nga përvoja e viteve në vazhdim më rezulton se jo, se edhe të vërtetat që shkruante asokohe kur ishim miq, edhe me gabimet që mund të mbanin, nuk synonin të vërtetën, por, nën diktatin e egoizmit të pafre dhe me metodat e kulturës së manipulim simulimit, synonin pushtetin. Kjo është e vetmja e vërtetë e pandryshueshme e Edi Ramës. Sa për miqtë dhe miqësinë, njerëzit që e duan pushtetin si Rama, e të mbrujtur me kulturën e manipulim-simulimit, nuk e njohin atë. As atë thënien e famshme të Kantit: "Mallrat kanë një vlerë, njerëzit një dinjitet." Kultura e manipulim-simulimit, si kulturë e njerëzve të pushtetit, në vendet jo demokratike veçanërisht, miqtë edhe mallrat i sheh në të njëjtën mënyrë: si sende që blihen dhe shiten, që përdoren e hidhen kur nuk ju duhen më, e që rimerren përsëri po t'ua lypë interesi.
Asgjë nuk ka të vërtetë në atë që thotë Rama se ai u fut rastësisht në politikë, më 1998, duke sakrifikuar artin për t'u bërë mirë shqiptarëve. Ai pushtetit i ka ardhur rrotull që me kohë dhe deri këtu s'ka ndonjë gjë të keqe; njerëzore është kjo; e keqja qëndron në llojin e raportit të tij me pushtetin dhe këtu diskutimi e tejkalon Edi Ramën dhe librin e tij. Një nga gjërat që vihet re sot si simptomatike në shoqërinë shqiptare është hipertrofizimi i politikës. Shpjegimi është i thjeshtë: pa qenë në politikë, pa pasur mbështetjen e pushteti politik direkt apo indirekt nuk je thuajse asgjë në Shqipëri. Në këto kushte sigurisht, njerëzit ndjehen "të vegjël", duke e krahasuar veten me politikanët tanë - siç thotë ai për mua, duke i shpjeguar me këtë frustrim timin, shqelmat që unë hedh kundër politikanëve, pa e kuptuar se, në fakt, ka projektuar vetveten tek unë. Personalisht frustrimin e kësaj "vogëlsie" përpara politikanit e kam provuar në mënyrën më dramatike në qelitë ku më plasi Enver Hoxha dhe e pranoj se ky frustrim mund të të çojë shumë kollaj tek tundimi i pushtetit. Është një nga tre tundimet që Djalli i shfaqi edhe Krishtit. Kush mund ta mohojë se nuk e ka provuar dhe nuk e provon këtë tundim veçanërisht në një shoqëri si kjo e jona. Por, tek e fundit, njeriu është zgjedhja që bën, veprimi i tij dhe jo tundimi e tij. Dhe këto zgjedhje kondicionohen shumë edhe nga kultura e tij edhe nga morali i tij edhe nga njohja e realitetit që jeton. Personalisht bëj pjesë ndër ata që në zgjedhjet dhe veprimet që kam bërë në liri s'jam nisur kurrë nga mendimi se për tu ndjerë/bërë "i madh" duhet të futesh në politikë dhe as se për të pasur sukses në art a letërsi duhet t'u shërbesh të pushtetëshmëve. Përkundrazi edhe jeta që kam pasur në diktaturë më ka mësuar se kategoritë "i vogël", "i madh" jo vetëm që janë shumë relative, por i përkasin një kulture antidemokratike dhe se duhet të luftojmë për një shoqëri të barabartish e jo të mëdhenjsh e të vegjëlish. Miqësia ime me Edi Ramën u krijua në krye të herës, të paktën nga ana ime, pasi ai mu paraqit si një kontestues i kulturës autoritare, i modelit të intelektualit që lidhet me pushtetin për të arritur suksesin. Një nga gjërat që e bëri atë simpatik në sytë e mi ishte pikërisht kontestimi i veprës së baballarëve që i ishin nënshtruar kësaj kulture duke filluar që nga i ati dhe deri tek Kadareja. Besova se po inauguronte një gjeneratë të re intelektualësh në Shqipëri sëbashku me demokracinë; të intelektualëve që janë "counterpart" i pushtetit, që kërkojnë të vërtetën e cila, shpesh, sidomos në një vend si Shqipëria, është me pakicën dhe jo me votën e shumicës, intelektualë që sipas meje janë shumë më të rëndësishëm sesa politikanët në një shoqëri - thuaj po deshe edhe më "të mëdhenj" se ata. Nuk na lidhte pra ndonjë miqësi fëmijërije apo nga ato të burgut por ndarja e një sëre parimesh e vlrash në të cilat mendoja se besonte ashtu si unë. Ai e di shumë mirë zhgënjimin tim ndaj një artikulli të tij plot me servilizma për Fatos Nanon, të shkruar nga Parisi në pranverë 1998, (ndërkohë që unë, akuzoja qeverisjen e tij "shkërdhatokraci") ku i shkruaja: "Në emër të ruajtjes së kësaj ndjenje (miqësisës FL), […] desha të të them se je shumë i lartë dhe shumë i madh që të katandisesh në një shkop që i duhet X-it për të përzierë sëbashku me Y një supë, që e ha Fatos Nano me …". Po i le m "X" dhe "Y" emrat e personave të tjera pasi koha më provoi se "kuzhinieri i supës" nuk qenë ata, por dora vetë Edi Rama, i cili po përgatitej (me servilizma pa fund ndaj Nanos, sëbashku me sivëllain e tij, Ardian Kosin) të bëhej ministër; siç më provoi po ashtu, kur Edi Rama hipi në pushtet, se llafet e tij të mëdha për intelektualin që kërkon të vërtetën, për antiautoritarin, kishin qenë një bllof i madh, një aktrim, për të arritur tek baballarët. Ai në një farë mënyre u bë përsëritës i babait e jo një kontestues i tij. Madje mund të thuhet se ai e çoi në shkallën më të lartë të mundëshme modelin e intelektualit që e arrin suksesin nëpërmjet pushtetit. Duke tentuar të përdorë pushtetin për të bërë edhe artistin dhe intelektualin e suksesshëm ai u bë një personazh imitues i liderëve famëkeq që nxorri shekulli i XX me bollëk dhe në mënyrë dramatike. Një karikaturë e tyre sigurisht, pasi kohët kanë ndryshuar, por jo pa pasoja të rënda kur ke parasysh shkatërrimin që i shkaktoi Tiranës apo sistemin e tmerrshëm mediatik që krijoi nëpërmjet pushteti të tij për të ushqyer narçizizmin, ekzibicionin dhe etjen e tij të pafre për pushtet.
A është kaq "e thjeshtë" sa ç'po e tregoj unë kjo histori. Sigurisht jo, por më duket se është një tentativë shumë më e sinqertë dhe drejtpërdrejtë sesa shpjegimi i asaj se pse në vend të "miqësisë së dashur" me Fatosin ai zgjodhi "miqësinë" me lloj lloj mashtruesish e trafikantësh të njohur e të panjohur, me fjalët "na ndau skena e politikës".
Libri i tij më vërteton se nuk ka kuptuar asgjë nga këto teksa e shoh se si, në stilin e kujtimeve të Enver Hoxhës, lëvdon "miqësitë" e mbrapshta që ka lidhur, e merr nëpër gojë me arrogancën e pushtetit "miqtë" dhe "armiqtë" e tij pa pasur asnjë skrupull ndaj të vërtetës, (përveç kalkulimit nëse i duhen apo nuk i duhen për karrierën e ardhshme politike); ku spikat, mungesa e inteligjencës për të kuptuar se askush vërtet inteligjent nuk i beson ato që po thotë, injorimi i deshmitareve me idenë se ata ose janë "të mundur", ose i skualifikoj si armiq, ose nuk mund të flasin pasi i kam nën pushtet apo i kam korruptuar.

* * *

Të dy personazhet e këtij shkrimi, Kadareja dhe Rama, takohen në një moment shumë interesant të librit të Kadarejve, që flet shumë për klimën e hipokrizisë dhe të pabesisë që mbretëron në gjirin e të ashtuquajturës elitë të kësaj mbretërisë sonë të gënjeshtrës. Është i paparë fragmenti në librin e Kadarejve ku këta i botojnë me datë e me orë sms-të që Edi Rama i ka dërguar zonjës Kadare, ku i kërkon që i shoqi të bëhet President. "Zemër, a do të ndodhë mrekullia!" - thotë në njërin prej tyre intelektuali që kërkonte të vërtetën i shndërruar në Kryetar të Partisë Socialiste. Kush e njeh aktorin Edi Rama nga afër nuk mund të mos qeshë me të madhe me këto sms e të kujtohet se një nga vetitë e rralla të tij, me të cilën mund të thuhet se e ka pasuruar kulturën e manipulim simulimit, është  aftësia për të korruptuar njerëzit, prveç të tjerash, edhe duke mikluar tek ata atë dobësi njrëzore për të cilën Rusoi thotë se është e vetmja ndaj të cilës çdo njeri është i pafuqishëm: vanitetin. "Sa i madhe je ti!" "Çfarë gjeniu është ky!" - janë të shumtë ata që kanë rënë në grepin e këtij seduktori të madh pa e kuptuar se "gjenialitetin" dhe "madhësinë" e vërtetë ky njeri ia njeh vetëm vetvetes. Për hir të së vërtetës më duhet të pranoj se e kam gëlltitur edhe unë ca kohë këtë grep. Afërmendsh, Kadarejtë e dinë se po kërkon t'i përdorë. Aq më tepër duke patur parasysh se ç'ka shkruar Rama për Kadarenë edhe për Partinë Socialiste në kohën kur shkruante se kërkonte të vërtetën. Por ata nuk i bëjnë asnjë koment këtij uriahipizmi. Kjo u prish punë. Nesër ky mund të bëhet kryeministër e mund të na duheet për ndonjë tjetër favor si ato që na ka bërë Berisha e Meta. Pastaj, e rëndësishme për ta është që t'i tregojnë lexuesit perëndimor, për të cilin është shkruar libri, se si i luten e i bijen në gjunjë shkrimtarit të madh liderët e maxhorancës dhe të opozitës. Mirë, po ç'nevojë kanë të na i shkruajnë me datë dhe me orë - do të pyesë lexuesi naiv. Pasi edhe këta e dinë se në mbretërinë e gënjeshtrës nesër historinë ky do ta shkruajë ndryshe, sikur iu lut Ismaili që ky ta bënte president, siç thotë tani për Nanon.
E në këtë kontekst pyetja që shtrohet më gjerë është: a e dinë të vërtetën e kësaj hipokrizie e të këtyre gënjeshtrave njerëzit. Agim Vinca kishte shkruar një shkrim të ngarkuar me habi për gënjeshtrat e zonjës Kadare lidhur me takimin e tij me shkrimtarin. Të më falë Vinca, por mua nuk më duket e sinqertë habija e tij. Kam frikë se, sikur të mos ishte prekur vetë ai, nuk do t'i kishte shkruar asfare ato reshta dhe ky është problemi, pasi nuk është kjo gënjeshtra më e madhe që lexojmë nga Kadarejtë dhe kritiku Vinca do të duhej ta kishte ngritur zërin atëhere e jo tani. Edhe Ardian Klosi, Piro Misha e Ardian Vehbiu nuk se nuk e dinë të vërtetën e Edi Ramës mbi Tiranën kur shkruajnë ato që kanë shkruar në kopertinën e librit. Problemi është se - nëse do të perifrazoja Heidegerin - ne e banojmë kulturën tonë të gënjeshtrës, ashtu si ngjala banon llumin e kënetës, duke jetuar në simbiozë me të. Kulura e kësaj memuaristike në fakt është një kulturë që e gjen rëndom në njerëzit e thjeshtë, në mënyrën se si ata tregojnë për veten apo për të kaluarën e tyre, plot mburrje e gënjeshtra. Duket sikur në një rreth vicioz, "të mëdhenjtë" tanë u adoptohen këtyre njerëzve "të vegjël" për t'u pëlqyer e njëherësh shërbejnë si modele kulturore për ta. Këta lloj librash e riprodhojnë këtë llumkulturë dhe kjo llumkulturë riprodhon këto lloj librash e këtë model intelektuali që nuk e di nëse do të emancipohet ndonjëherë.
Në mbyllje të këtij shkrimi dua t'i kërkoj ndjesë lexuesit, nëse ashtu sikurse i duket Edi Ramës, i duket edhe atij se kam treguar në këto radhë një "superioritet të fryrë moral" a thua se veten e konsideroj si peshk që nuk jeton në kënetën e kësaj llumkulture, sikur të mos i kem edhe vetë mbi shpinë njollat e saj. E siguroj lexuesin se nëse ai i gjen këto tone ato vijnë nga të ndjerit keq në këtë llum, nga nevoja për të ulërirë se s'duhet të pranojmë të jetojmë në këtë llumkulturë - në emër të më shumë dinjitet dhe më shumë lirie për të gjithë - dhe jo pse dua të nxjerr veten të larë prej saj. Këtë shkrim, madje, e konsideroj shprehje të të gjithë atyre që e kanë vuajtur dhe e vuajnë kulturën e manipulim-simulimit në mbretërinë tonë të gënjeshtrës e që janë shumë më të numërt nga ç'i mendojnë pushtatarët që e shohin Shqipërinë vetëm nga ekranet mediatike. (Panorama, 19 - 20 Nentor 2011)

Read More......

Rilindje apo lindje

(mbi kongresin e PS)


Një historian i njohur, Albert Vandal, thotë: “Në politikë krijonjësit e mëdhenj nuk janë ideatorët, por ekzekutorët.” Nuk mund të mos më vinte në mendje kjo thënie duke lexuar këto ditë projektin e PS e duke dëgjuar fjalën e Ramës në Kongresin e PS që ishte një përmbledhje e tij.
Ndaj shumçka thuhet në atë program lidhur me realitetin e hidhur shqiptar dhe shumçka nga vizioni i shpalosur për Shqipërinë që premtojnë aty socialistët po të vijnë në pushtet. Duke patur parasysh edhe gjendjen se si është katandisur vendi gjykoj se ka gjasa që mjaft njerëzive t’u mjaftojnë tonet e larta të Ramës për t’u bindur se tani ka ardhur vërtet momenti i“rilindjes” së vendit e se ky po  shkon në duart e sigurta të liderit të PS dhe bashkëpunëtorëve të tij. Mirëpo ne, që e kemi jatuar prej njëzet vjetësh politikën shqiptare, na lind detyra të mendojmë pak më në mënyrë kritike lidhur me këtë premtim të ri.
Duke e lexuar programin me sy kritik nuk mund të mos të të bjerë në sy se në program mungojnë faqet e një kapitulli të rëndësishëm: ai i “si?” – së. Pra, mungojnë faqet ku të shtjellohet disi më konkretisht se si do të realizohet ky program? Dhe mungesa e këtyre faqeve nuk ka se si të mos shoqërohet me disa dilema të rëndësishme që më bënë të rikujtoj thënien e Vandalit mbi dallimin midis krijuesve të ideve dhe krijuesve në politikë.

Dilemat nisin që me përdorimin e terminologjisë ”rilindje”, “rimëkëmbje,” “ripërtëritje”, “riintegrim”: a janë këto termat që duhen përdorur apo duhen përdorur të tjerë? Në fakt këta terma të çojnë në një gjuhë mitologjike, që përdoret për mendjet jokritike e që sot shpesh quhet populizëm, sepse premtohet kthim në kohë të ndritura ndërkohë që, në fakt, këto kohë nuk kanë ekzistuar. Nuk ma do mendja që Rama ka parasysh kohën e Skënderbeut e se do të rivalizojë me nacional - populizmin e Berishën, i cili, kur inauguroi një rrugë këto ditë nga andej nga Mati, tha se ajo ishte edhe një mirënjohje për Skënderbeun që kishte luftuar në ato anë. Por as ta do mendja se Rama flet për “rilindje” duke patur parasysh me “lindje të parë” kohën e Fatos Nanos  dhe kohën e tij si kryetar i Bashkisë së Tiranës. Sepse në këtë rast do të duhej të shpjegohej se si, ndonëse ajo paskësh qenë një kohë e ndritur, njerëzit votuan më 2005 kundër saj për Sali Berishën. Sipas meje pyetjet a ka pasur demokraci ndonjëherë në Shqipëri që sot të flitet për rilindje të saj, a ka pasur ekonomi të shëndoshë që të flitet për rimëkëmbje, a kemi qenë ndonjëherë në Evropë, në kuptimin e vlerave që përfaqëson ajo sot, që të flitet për riintegrim meritojnë përgjigjen e prerë: “jo”. E, po qe kështu, e para gjë që duhet thënë është se duhet të bëhet fjalë për “lindje” jo për “rilindje”. Dhe kur bëhet fjalë për lindje dilemat shtohen duke nisur nga ajo nëse janë këta njerëzit që do të na sjellin “lindjen”, “shpëtimin” apo kjo mund të vijë veçse nga të tjerë njerëz. Historia tregon se përgjithësisht shpëtimtarët, edhe kur kanë dalë të rrejshëm, kanë ardhur nga larg nga lart, kanë qenë gjithsesi njerëz të paprovuar që i janë kundërvënë një sistemi apo një gjendjeje të gjërave dhe jo ndër krijuesit kryesorë të kësaj gjendjeje. Fakti është se njerëzit që po na premtojnë rilindjen kanë qenë në pushtet gjatë, kanë lindur/pjellë edhe më parë dhe fatkeqësisht na kanë lindur/pjellë “monstra”. Thënë me fjalët e Vandalit ata, si ekzekutorë, në vend se krijues të mëdhenj, që kanë ndryshuar realitete, janë treguar batakçinj të mëdhenj që u janë adoptuar realiteteve. Dhe fakti është se i kemi dëgjuar edhe herë tjetër të na premtojnë ndryshimin e të na prodhojnë përsëritjen aq sa sot shumica i njeh si politikanë që çdo gjë mund të mbajnë, por vetëm fjalën e dhënë jo. Aq më tepër, është e vështirë t’u besosh kur për të gjithë monstrat e premtimet e pambajtura nuk dëgjon një fjalë të vetme përgjegjësie.
Megjithatë, problemi i “si?”- së nuk është thjeshtë e vetëm i lidhur me besueshmërinë e njerëzve në krye të programpremtimeve të reja. Le të besojmë se atyre u erdhi një frymëzim i shenjtë, një pendim i ndjerë dhe se tani janë vërtet të vendosur të na bëjnë mirë kur të vijnë në pushtet. Problemi i “si”-së lidhet edhe me mundësitë reale që mund të kenë këta të penduar për të realizuar premtimet e tyre për ndryshime radikale duke shlyer edhe mëkatet e së kaluarës. Një nga pyetjet që ngrihet është se cila do të jetë “pika” ku do ta mbështetin ata levën e Arkimedit për të kryer revolucionin e premtuar. Pa metafora, kjo do të thotë se nga do t’ia fillojnë punës ata për të bërë ndryshimin rrënjësor që premtojnë.  Le të përpiqem ta shpjegoj këtë me një nga premtimet që është diskutuar më shumë se cilido tjetër këto ditë: ai i heqjes së taksës së sheshtë dhe vendosjes së taksës progresive në emër të më shumë barazie mundësish, politikash sociale, kundër polarizimit etj., me çka teorikisht jam plotësisht dakort. A do të mund të na çlironte kjo masë nga ndjenja e padrejtësisë dhe e dhunimit që provojmë përditë nga të pasurit arrogantë, që së fundi, në bashkëpunim me qeverinë, vendosën, kundër vullnetit tonë, ta kthejnë Shqipërinë në një vend riciklimi dhe depozitimi të plehërave të Evropës? Mua më duket se jo, pasi sëmundja jonë është më e thellë se përqindja e taksave dhe nuk shërohet duke bërë një ligj mbi taksën progresive. Nëse do të kemi parasysh retorikat që ka përdorur Berisha lidhur me vendosjen e taksës së sheshtë ai e ka justifikuar këtë me faktin se një taksë e sheshtë jo vetëm që stimulon prodhimin, por pakëson evazionin fiskal duke bërë që, nëse të gjithë do  të paguajnë nga pak, – për çka do të jenë më të gatshëm – do të mbledhim më shumë taksa sesa sikur të vemë taksa të larta që nxisin evazionin. Madje Berisha është mburrur se ka mbledhur kësisoj më shumë taksa nga ç’kanë mbledhur socilistët në kohën e tyre. Pavarësisht nëse është apo jo e vërtetë kjo një gjë është e padiskutueshme: se problemi i problemeve tona nuk është taksa e sheshtë apo progresive që paguajnë të pasurit, por janë të pasurit “sui generis” që kemi prodhuar ne. Të pasurit që, si në kohën e demokratëve, edhe në kohën e socialistëve, kanë bërë e bëjnë ligjin (veçanërisht duke e nëpërkëmbur atë), pasi kanë kapur pushtetin legjislativ, atë ekzekutiv atë mediatik dhe atë gjyqsor; të pasurit që kanë abuzuar e abuzojnë në mënyrën më skandaloze mbi çdo gjë tjetër që ekziston jashtë tyre e familjes së tyre në këtë vend: mbi njerëzit, mbi territorin, malet, lumenjtë, detin, bregdetin, ajrin, ujin, plehërat e ku di unë. Është po ashtu jashtë çdo dyshimi se ata e kanë kryer këtë duke kapur partitë e se aktorët kryesorë të kësaj kapjeje janë vetë kryetarët e partive me në krye Berishën dhe Ramën vetë, që, sikurse e kam thënë edhe herë tjetër, i kanë kthyer partitë në banda dhe politikën në biznesin më fitimprurës për veten e më shkatërruesin për vendin.
Pra problemi është se ndërkohë që na premtohet një ndryshim radikal jemi në një situatë që njerëzit që na premtojnë çrrënjosjen e sistemit/pemës/bandës janë në majë të saj dhe se, që të kryejnë këtë, do të thotë të çrrënjosin veteveten. Përgjigjen se si do t’ia bëjnë për të zbritur nga kjo pemë që pastaj ta çrrënjosin unë nuk e mora. Psh., unë nuk pashë në programin e ri të socialistëve asgjë konkrete lidhur me ndryshimin e mostrasparencës së financimit të partive; nuk pashë asgjë lidhur me ndryshimin e sistemit mediatik që janë, që të dyja, në themelet e pemës së të keqes që kërkon të çrrënjosë opozita.
Dikush do të më kundërargumentojë duke përdorur pikërisht fjalët e Vandalit që vura në krye të shkrimit: a thua vetë se në politikë krijonjësit e mëdhenj janë ekzekutorët dhe jo ideatorët? Si mund të vihet Edi Rama në mundësi të ekzekutimit të atyre që ka në mendje nëse i hap sot luftë oligarkëve që ka si në parti edhe jashtë saj?  Ata do ta zhduknin menjëherë. Mirëpo problemi është se këtë pyetje justifikuese unë e kam dëgjuar edhe kur në vend se të shihja të më realizoheshin premtimet për një Tiranë më të gjelbërt, më të bukur, më me ajër, me një plan urbanistik fillova të shoh se si dita ditës po mbyteshim nga pallatet e shëmtuara të pasunarëve një pjesë e të cilëve tani janë po ata që premton Rama se do t’u shkulë rrënjët e hedhura tek pushteti i Berishës. Po ashtu të njëjtin argument kam dëgjuar edhe kur shihja se si po kapej dita ditës Berisha i 2005-sës ndërkohë që na kishte premtuar çlirimin nga baronët e drogës e monopolisët e Nanos e të Ramës. Dhe ja ku erdhëm sot në pikën e nisjes. Rilindje na premtohet apo rinisje e një rrethi vicioz?
E di se në këtë  pikë dikush do të thoshte se duke shkruar këto po i ve të dy palët në të njëjtin plan, çka është një padrejtësi e madhe ndaj opozitës, pasi përgjegjësitë më të mëdha i përkasin maxhorancës. Se kjo do të thotë të mbrosh statukuonë, ndërkohë që duhet të ikë Berisha më së pari, që është e keqja e të këqijave, që të lëvizin gjërat pasi çdo ndryshim është ndryshim – siç më tha njëherë një burrë i urtë. Ok. Edhe unë jam i mendimit se Berisha e ka mbushur kupën siç e kishte mbushur edhe Nano më 2005-sën. Ky ligji i plehërave i vuri kapakun. Por ama nuk na lejohet të mos kërkojmë të mos na përsëritet Berisha i 2005-sës pasi e kemi provuar një herë mashtrimin e atij që na premtoi të pastronte sistemin e korrupsionit. Aq më pak të ekzaltohemi apo të kërkojnë të na ekzaltojnë. Kush mashtrohet më shumë se një herë nga të njëjtët njerëz ose është budalla ose është pjesë e mashtrimit. Sot jetojmë në një kohë kur pjesa më racionale e të dy palëve, kur tenton të të bindë pse duhet të votojmë palën e vet, të thonë: ”Mbyll hundët dhe voto për ne, pasi ata të tjerët mbajnë më shumë erë.” Ky është realiteti i politikës shqiptare. Politikanët e Partisë Socialiste Demokratike të Shqipërisë (po perifrazoj këtu një përkufizim që i kanë bërë të indinjuarit spanjollë kastës bipolare në pushtet në Spanjë) duhet të jetë e vetëdijshme për erën e qelbur që qarkullon në korridoret e tyre. Socialistët dhe demokratët e kësaj partie kanë nevojë të reflektojnë më thellë nëse duan të na bindin për një lindje të re. Mbi të gjitha duhet të kuptojnë se nuk është e lehtë të na bindin se e kanë me të vërtetë, se janë të vërtetë. Njerëzve u mjafton një shenjë e vetme me përvojën që kanë për ta kuptuar këtë. A mund t’i besojë kush se duan të na sjellin demokraci e të vërtetën, e jo të na manipulojnë, kur shohim se si iu vërsulen për ta linçuar politikanit më të përgjegjshëm që ka nxjerrë Partia Socialiste Demokratike Shqiptare në këta njëzet vjet, Rexhep Mejdanit, duke i thënë se është palë e armikut, sapo hodhi në shtyp një kritikë që dukej goxha e arsyeshme mbi vështirësitë që ka sot ekonomia shqiptare për të krijuar 300 000 vendet e punës që trumbetohet në program? Për t’i shkuar sa më afër të vërtetës, thotë Karl Popperi, ka vetëm një rrugë: nëpërmjet gabimeve tona. Do ta mësojë këtë rrugë – shton ai - vetëm ai që është në gjendje t’i shohë gabimet e të tjerëve si hapa drejt të vërtetës dhe vetëm ai që i kërkon gabimet e veta me qëllimin që të çlirohet prej tyre. (Panorama, 8 nentor 2011)

Read More......

Thursday, November 3, 2011

A do shkojmë nga gazetaria e llogoreve në fundin e gazetarisë

Ka qenë i shumtë numri i atyre që më kanë kërkuar shpjegime mbi polemikën me Fevziun në emisionin “Opinion” të së hënës, pasi batutat e shpejta dhe ndërprerjet e shumta nuk i kanë lënë të qartë për çka doja të thosha. Po përpiqem të shpjegohem duke e filluar me historinë e një shkrimi të gazetarit italian Indro Montaneli.
Në një shkrim të tijin të famshëm të vitit 1956, Montaneli tregon se si gjatë të ashtuquajturit revolucion apo kundërrevolucion të atij viti në Hungari, shtypi italian ishte ndarë në dy kampe. Ai i djathtë thoshte se në Hungari po zhvillohej një revolucion për përmbysjen e sistemit komunist, për daljen e Hungarisë nga kampi socialist e për ndërtimin e një sistemi kapitalist. Ai i majtë thoshte se atje po zhvillohej një kundërrevolucion i paguar nga SHBA për ta nxjerrë Hungarinë nga Traktati i Varshavës e për ta futur në NATO.
Montaneli shkoi e vizitoi vetë Hungarinë gjatë ngjarjeve dhe zbuloi se nuk ishte e vërtetë as njëra, as tjetra: se në fakt ata që po bënin revolucion-kundërrevolucionin nuk ishin antikomunistë, por komunistë që nuk kërkonin ndryshimin e sistemit, por një komunizëm tjetërsoj, me fytyrë njerëzore dhe një Hungari që të mos ishte nën diktatin e BS.
Konkluzioni që nxjerr Montaneli është se nuk ka fakte/informacione “të djathta” apo “të majta”, faktet janë thjesht fakte. Interpretimi i tyre apo komentet mbi to pastaj mund të jenë sipas një vizioni të majtë apo të djathtë për botën, por gjithnjë të bazuara mbi informacionin e drejtë.
Kush e ndjek gazetarinë shqiptare sot e kupton më mirë se kushdo çfarë po shkruaj. Në Shqipëri sot ka humbur sensi i informacionit dhe i paanësisë në kuptimin që jep Montaneli. Ai është ose i majtë, ose i djathtë, në kuptimin shqiptar të termave, d.m.th. berishist ose ramist, e shumë shpesh, mu për këto arsye, në vend se të çojë tek e vërteta, çon te manipulimi i së vërtetës deri në fabrikimin e faktit/ngjarjes. Është një informacion i pandashëm nga komenti që jo rrallë ka stilin e fletërrufeve të kohës së komunizmit, i ngarkuar me gjuhë urrejtjeje ndaj një targeti, fyes për inteligjencën dhe personalitetin e një shikuesi apo lexuesi që kërkon të mendojë me kokën e tij.
Le të marrin një nga ngjarjet më tragjike që kanë ndodhur në Shqipëri vitet e fundit: 21 janarin. Po të lexosh se si e dha media “berishiste”, ajo i mëshoi vetëm një pjese të faktit: atë se ky ishte një sulm/puç i përgatitur nga socialistët (nuk munguan madje edhe tentativat për t’i “zbuluar” vrasësit tek vetë socialistët apo edhe për të mbështetur versionin se në këtë “puç” ishin përfshirë edhe prokurorja e Përgjithshme dhe vetë Presidenti), ndërkohë që nuk hodhi asnjë vështrim investigues për të zbuluar vrasësit dhe përgjegjësit, kur u mor vesh se këta kishin ardhur nga shteti. Nga ana tjetër, mediat “ramiste” u mëshuan pa reshtur vetëm momenteve të vrasjeve e nuk hodhën asnjë vështrim investigues nëse ishte e vërtetë apo jo se organizimi i kësaj proteste ishte kryer me njerëz të përgatitur për të ushtruar dhunë e se dhuna që u prodhua qe një inskenim që synonte të krijonte përshtypjen në Perëndim se po ndodhte diçka e ngjashme me trazirat në vende si Tunizia. Përkundrazi, u rrek pareshtur ta paraqiste atë si një protestë normale që degjeneroi për shkak të egërsisë së policisë.
Edhe vetë imazhet e përzgjedhura nëpër media për të paraqitur atë që ndodhi ishin selektive e krejtësisht në shërbim të këtij polarizimi. Kësisoj, sipas meje, që kam qenë një dëshmitar në vend i ngjarjes, publiku, në vend se të merrte të vërtetën e kësaj ngjarjeje tragjike, mori dy versione të shtrembëruara/manipuluara sipas dy vullneteve politike. Edhe shumica e analizave dhe komenteve iu veshën si kostume këtyre “fakteve” duke çuar në një ngarkim e polarizim emocional të mëtejshëm të të dyja palëve dhe, paradoksalisht, në shpëtimin nga gjyqi i opinionit të të gjithë shkaktarëve të tragjedisë.
Më duket se është evidente se kjo lojë me mediat ka kohë që zhvillohet, duke e bërë gazetarinë po aq përgjegjëse sa politika për konfliktualitetin dhe bllokimin e situatës së vendit. Raporti i progresit, që vuri në dukje se sëmundja e sëmundjeve që ka Shqipëria është bllokimi i politikës për shkak të konfliktualitetit, kishte edhe një paragraf të rëndë për gjendjen e mediave kur thoshte se janë nën pushtetin e politikës dhe biznesit e se, për pasojë, gazetarët aplikojnë autocensurën. S’ka nevojë të na e thonë ndërkombëtarët: të gjithë e dinë se gjuha e urrejtjes është kallur e vazhdon të kallet në poret e shqiptarëve nëpërmjet mediave. Për fat të keq, askush nga gazetarët nuk e mori në analizë këtë përgjegjësi duke e provuar kësisoj edhe autocensurën.
Personalisht, ftesën për të marrë pjesë në debatin “Topi versus Topalli” e konsiderova edhe si një mundësi për të folur kundër konfliktualitetit në politikë, duke qenë se ishim ende në zjarrin e debatit që kishte hapur raporti. Mirëpo rashë në të njëjtën skemë gazetarie që tashmë është bërë gati normale në Shqipëri, e që prej kohësh ia kam shprehur Fevziut shpesh personalisht, më pengon si gazetar ta shpreh të plotë mendimin tim. Pse e them këtë?
Nuk mohohet se në emisionin “Opinion”, ashtu sikurse edhe në emisione të tjera, ka debat, d.m.th. ka ballafaqim opinionesh të kundërta. Deri këtu është për t’u vlerësuar po të kesh parasysh se në fillimvitet ‘90 zërat kundër as guxohet të shfaqeshin si fytyra në TVSH-në e asaj kohe, që ishte televizioni i vetëm. Dhe nuk mohohet se Fevziu, ndoshta edhe më shumë se të tjerë, e ka merakun që t’i ketë palët kundërshtare në studion e tij. Por, sipas meje, nuk mjafton kaq për të pasur gazetari të pavarur si pushtet i katërt. Problemi është se në debatet tona dy rreshtat me karrige përballë njëri-tjetrit tentohet të kthehen në dy llogore prej nga gjuhen gjyle në krahun tjetër në mbështetje të fakteve “berishiste” dhe “ramiste” që kanë dhënë lajmet. Gazetari që ka mendimin e tij për çështjen dhe s’pranon të veshë uniformën “berishiste” apo “ramiste”, ndjehet në këto llogore si i dhunuar, pa vendin e tij, pa pushtetin e vet, në pamundësi për të mbrojtur të vërtetën e tij që shpesh mbetet e vrarë apo e gjymtuar në fushën e kësaj beteje të pabarabartë. Më shkoqur: në arenat e debateve të ndërtuara sipas këtij stili nuk gjen hapësirë e vërteta përtej interesave të dy palëve politike që, në fakt, duhet të jetë e vërteta e atij që quhet pushtet i katërt. Dhe një nga shkaqet e kësaj është se roli i drejtuesve të emisionit nuk është në shërbim të kësaj të vërtete të pushtetit të katërt, por në shërbim të politikave editoriale të televizionit ku punon të diktuara më së shumti nga interesa të biznesit të pronarëve. Momenti i shpërthimit tim në polemikë me Fevziun ishte ai kur, në shtëpinë që, gjithsesi, e konsideroj të gazetarit e në shërbim të publikut, një deputet militant vjen e sillet me arrogancë ndaj gazetarit, të thotë se ti nuk ke peshën dhe kredibilitetin tim, pasi unë jam i zgjedhur nga populli e ti jo, duke të treguar kësisoj se si Parlamentin, edhe studiot televizive, këta lloj politikanësh i konsiderojnë si pronë të tyren dhe Fevziu nuk u shqetësua fare nga kjo, por filloi të më sulmojë mua kur i thashë këtij: “S’ke faj ti, kam faj unë që ulem të debatoj me militantë si ty”. Ky nënçmim dhe përçmim për peshën e gazetarit dhe zërin e tij për mua është ofendues dhe vjen sa për shkak të arrogancës së politikanëve, kësisoj aq edhe për shkak të nënshtrimit të gazetarëve apo bërjes së tyre palë me njërën llogore.
Si përfundim: gjykimi im është se nëse duam të luftojmë konfliktualitetin e politikës që po na shkatërron, kjo nuk mund të arrihet duke u kërkuar ambasadorëve të zbusin Ramën dhe Berishën apo cilindo që pret të marrë vendin e tyre të kryekonfliktuesit. Ai mund të luftohet vetëm nëse arrihet të fuqizohen pushtetet që nuk varen prej tyre. E, ndër këta pushtete, media është ajo që ka ndikimin më të shpejtë. Pra, gjykimi im është se në media duhet të rritet shfaqja e atyre zërave gazetareskë që kanë një vështrim kritik përtej palëve, madje edhe kur janë palë; që refuzojnë t’i nënshtrohen shantazhit sipas të cilit nëse nuk je me mua, je me kundërshtarin tim; që nuk merren me përpunimin e manipulimin e emocioneve pro njërit apo tjetrit lider karizmatik, por merren me drejtësinë ose jo të çështjeve në debat; dhe, po ashtu, ku të ftuarit e palëve politike të zgjidhen nga radhët e njerëzve më të moderuar dhe jo ata që njihen si kamikazë mediatikë të partive, që hedhin kushtrim lufte dhe sharje e ofendime jo vetëm për kundërshtarët, por edhe për çdokënd që nuk është 100% me ta duke hedhur në erë vetë debatin. Gjykoj se më shumë se kushdo janë pikërisht drejtuesit e lajmeve dhe drejtuesit e debateve politike, ashtu sikurse edhe kryeredaktorët e gazetave, ata që kanë më shumë se kushdo mundësinë për të vendosur në vend pushtetin e katërt si përfaqësues i interesave të publikut dhe jo të partive politike e të biznesit të lidhur me ta.
Në fakt, duhet ta kemi të qartë se nga konfliktualiteti shkatërrues politik që po përjetojmë mund të dalim në dy mënyra: o me vendosjen e diktatit të më të fortit që nesër mund të na çojë, siç dhe po duken bathët, nga gazetaria e llogoreve në fundin e gazetarisë, ose me vendosjen e të fortëve nën kontrollin e pushteteve të ndarë prej tyre në emër të interesave të opinionit. Detyra e pushtetit mediatik në një demokraci është të jetë protagoniste e opsionit të dytë. (Panorama, 26 tetor 2011)

Read More......