Wednesday, December 28, 2011

A na duhen heronjtë

Në shkrimin e fundit "Për një histori pa heronj" i premtova lexuesit se do të shkruaj për temën e heronjve, a na duhen apo jo, pse na duhen, si na duhen, me një fjalë cili duhet të jetë raporti ynë me ta. Kjo është një temë tejet e ndërlikuar, e cila ka të bëjë si me  psikologjinë e individit ashtu edhe me atë të masës dhe të cilës duhet t'i qasemi duke iu referuara studimeve të antroplogjisë mbi mitologjinë, religjionet të kryqëzuara me psikoanalizën, veçanërisht atë jungiane, pa harruar historinë dhe duke patur parasysh se këto bëjnë pjesë në kategorinë e shkencave historike - hermeneutike, çka do të thotë se nuk janë shkenca ekzakte,  por interpretative e, prandaj, askush s'mund të pretendojë të japë një përgjigje të vetme, aq më pak përfundimtare. Prandaj, çka do të përpiqem të argumentoj këtu është mendimi im mbi këtë temë në pikën që kam mbrritur deri më sot. Madje këtë shkrim e konsideroj një përpjekje për të thelluar edhe njohjen time mbi temën e heronjve.


Heroi dhe individi

Nëse do t'i referohemi Jungut nevoja jonë për heronj na buron nga  arketipi i heroit që, sëbashku me arketipin e nënës, babait, zotit, animas (për meshkujt) animus (për femrat) e një miraidë arketipesh, popullojnë sferën e asaj që ai e quan subkoshienca kolektive e një individi, që e trashëgojmë si një farë ADN-je të psikikës sonë. Sipas psikoanalizës jungiane, që sipas meje është një nga interpretimet më të thella të psikikës njerëzore, (ndonëse jo e vetmja dhe as shteruese), arketipet, janë një tendecë e jona e lindur për t'i përjetuar në një mënyrë të caktuar gjërat në nivelin psikik, ashtu siç janë instinktet një tendencë e jona e lindur për t’u sjellë në një mënyrë të caktuar në nivel biologjik. Pra, psh. po të na vdesë nëna që në lindje, ashtu sikurse biologjikisht instikti do të na çojë të kërkojmë një gji për të thithur, ashtu edhe shpirtërisht arketipi i nënës do të na shtyjë të kërkojmë një figurë femërore të na zëvendësojë nënën. Po kështu arketipi animas është pjesa jonë femërore subkoshiente (kur jemi meshkuj), animus është pjesa jonë mashkullore (kur jemi femra) që luajnë rol të rëndësishëm në raportet tona me partnerin. Arketipi i zotit përfaqëson nevojën tonë për të kuptuar universin, për t'i dhënë një kuptim tërë asaj që na rrethon, që ta shohimsidiçka që ka një qëllim apo një drejtim. Sipas Jungut janë arketipet ata që krijojnë, mitet, fetë, idetë filozofike dhe prandaj këto i gjen në të gjitha popujt dhe në të gjitha epokat. Rreth origjinës së arketipeeve më duket më bindëse hipoteza se ata e kanë bazën në përsëritjen e vazhdueshme në shekuj të të njëjtave eksperienca njerëzore që kanë plazmuar psikikën e njeriut (e këtu kam rezerva ndaj teorisë sé Jungut që arrin deri né ezoterizëm dhe misticizëm kur trajton arketipet).
Një nga arketipet më të rëndësishëm është ai i heroit. Është ky arketip që, prej thellave të subkoshiencës, na shtyn të kërkojmë heronj që të na inspirojnë duke shprehur kësisoj një nevojë tonën shpirtërore. Tërheqja emocionale që provojmë kur dëgjojmë apo lexojmë historitë me heronj shpjegohet me rezonancën që ato krijojnë në shpirtin tonë. Përpjekjet e heroit, që kapërcen frikëra dhe pengesa, për të arritur qëllimin e tij, na shërbejnë si shtysa që të bëjmë të njëjtën gjë edhe ne, të çlirohemi nga ndrydhjet e të gjejmë kurajo në vetvete që të ndjekim atë shteg që na çon (dhe këtu i kërkoj lexuesit të përqendrojë vëmendjen) tek realizimi i potencialiteteve tona, i vetvetes, që sipas Jungut është tërësia e rrathëve të koshiencës dhe subkoshiencës. Mitet me heronj, pra, sipas Jungut na shërbejnë si një manual autoterapie rezultati përfundimtar i të cilës, për ata që dinë t’i përdorin këta mite me sukses, është arritja e një mendjeje të ndriçuar, e një njeriu që e njeh vërtet vetveten. Këtë proces Jungu e quan individuim. Njeriu arrin vetërealizimin, sipas thënies së Niçes "bëhu vetja jote", kur bëhet plotësisht koshient për subkoshiencën dhe arketipet që ruhen atje.
Shkurt, ne kemi nevojë për heronjtë, që të ndërgjegjësohemi se ata shprehin një nevojë tonën shpirtërore për t’u bërë heronj të vetvetes. Dhe ky ndërgjegjësim është një proces që na çon në integrimin nga subkoshienca  në koshiencën të arketipit tonë të heroit. Kurse për sa kohë idealizojmë dhe adhurojmë figura të jashtëme s'bëjmë tjetër veçse projektojmë arketipin tonë të heroit tek këto figura, duke mbetur larg njohjes së vetvetes, individuimit. Është e njëjta gjë me dashurinë. Kur ne provojmë atë që quhet dashuri me shikimin e parë, që na verbon, por që shumë shpejt edhe na zhgënjen, sipas Jungut ne s'bëjmë gjë tjetër veçse projektojmë animas/animus-in tonë tek një femër/mashkull tjetër. Kurse, për të ndërtuar një lidhje të shëndoshë dashurie, ne duhet më së pari ta integrojmë në koshiencën tonë animas/animusin tonë kurse tjetrin e jashtëm, me të cilin lidhemi duhet ta takojmë si një të ndryshëm, jo si dikë që na plotëson gjysmën e munguar dhe që, pastaj, na zhgënjen pasi ai/ajo nuk përputhet me animas/animus-in tonë. Kjo nuk do të thotë se s'duhet t'i provojmë këto ndjenja. Duhet të kemi guximin të hyjmë në xhungël, thotë Jungu. "Nuk është kurrë aq i mënçur sa duket ai që s'ka njohur çmendurinë," - thotë La Roshfuko. Por për të arritur mënçurinë duhet t’i intergojmë në koshiencë kafshët që popullojnë subkoshiencën tonë, duhet ta forcojmë koshiencën, përndryshe janë ato që do të na e zotërojnë atë duke na mbajtur në çmenduri/skicofreni.
Pa e zgjatur ideja është se kur piqemi, nëse jemi zhvilluar mirë, ne fokusohemi më thellë tek vetvetja çka do të thotë se me vetërealizimin, individuimin njeriu diferencohet nga sjelljet kolektive, sepse çdo vetvete e realizuar, sipas Jungut, është e ndryshme nga një tjetër.

* * *
Për të kaluar tek tema jonë, kur shkruaj për një historiografi pa heronj kam parasysh në nivel të psikikës individuale, si pjekurinë e një autori, që nuk projekton arketipet e tij të heroit tek figurat që përshkruan, edhe atë të një lexuesi të pjekur. Sipas gjykimit  tim për arsye të shumta që kanë të bëjnë si me regjimin totalitar që kemi kaluar që punonte, përkundrazi, për ta mbajtur njeriun të padiferencuar nga të tjerët, si me izolimin nga njohjet që kanë prurë, veçanërisht gjatë shekulit XX, filozofia, antropologjia, psikoanaliza, njeriu shqiptar thuajse nuk e njeh këtë proces pjekurimi. Mosfutja e kulturës psikoanalitike dhe psikoterapeutike edhe njëzet vjet pas rënies sé totalitarizmit shfaqet sot me pasoja dramatike përsa i përket vetërealizimit të njeriut dhe shoqërisë shqiptare. Mbetja në një fazë papjekurie është një nga shpjegimet, sipas meje, pse shumica e shqiptarëve janë aq të ndjeshëm kur u "preken" heronjtë; se përse kur u thua disa të vërteta  “të padëshiruara” mbi ndonjë figurë mitike të historisë sonë, si Skënderbeu apo Ismail Qemali, të sulmojnë sikur po i godet e fyen ata vetë, nganjëherë në mënyrën më iracionale (ndërkohë që të tjerë, më të lexuar, racionalisht mund ta njohin aspektin e tyre njerëzor, por nuk arrijnë ta bashkojnë atë me bëmat e tyre mbinjerëzore). Gjithë duke iu referuar Jungut kjo tregon se ata kanë projektuar arketipin e heroit tek kjo figurë, çka, me fjalë të tjera, do të thotë se ky arketip, si një kafshë e xhunglës së subkoshiencës që s’arrin të gjejë qetësi pasi kjo s’arrin ta njohë e t’ia kënaqë nevojën që shpreh, e turbullon koshiencën e tyre aq më dhunshëm sa më e pngopur që të jetë. Jo rastësisht njerëzit sa më pak të lexuar që të jenë aq më të kapur pas heronjve janë.
Nga gjithë sa shtjellova deri këtu shpresoj ta kem bërë të qartë përgjigjen time ndaj pyetjes së gazetares Xhunga drejtuar historianes Clayer: "“Pra, sipas jush, do të na duhet të çlirohemi nga simbolet dhe heronjtë në historinë tonë; nuk paskemi nevojë për to?”. Përgjigja ime është se heronjtë na duhen në procesin tonë të njohjes së vetvetes, të vetërealizimit, të bërjes individë dhe se bash kur ndodh ky proces ne çlirohemi nga adhurimi që kemi për figura të jashtme duke u bërë heronj të vetvetes, e duke i pranuar ata të jashtmit (psh. figurat historike) ashtu siç i njeh diskursi që e quajta “shkencor” i historisë jo ai  “ideologjik”. Sepse, ndryshe nga ç'u duket shumë prej atyre që e gjejnë forcën tek “besimi i patundur” tek heronjtë, imitimi i një figure të jashtme, apo ndërtimi i shpresës tek ato është shenjë e një pasigurie të brendshme. Dhe me këtë nuk duhet të kuptojmë se kësisoj do të arrijmë të bëjmë “mrekullirat” që kanë bërë heronjtë që kemi idealizuar kur projektonim arketipin tonë të heroit tek ata, por se do të fitojmë besimin për të qenë vetvetja, për të mos mbetur imitues, por për tu bërë krijues, e për tu ndjerë përgjegjës për aktet tona. (Responsabile (përgjegjës) vjen nga latinishtja që do të thotë i aftë për të peshuar gjërat).
Dhe këtu dua të shtoj diçka shumë të rëndësishme përsa i përket temës së heronjve tanë kombëtarë që u bë shkas për këtë shkrim. Sipas, meje heronjtë e moshës së fëmijërisë dhe rinisë, që njerëzit i lexojnë nëpër libra e i shohin nëpër filma, s'ka pse të jenë figurat historike të nacionalizmës. Për fëmjët dhe të rinjtë shërbejnë shumë më mirë si udhërrëfyes drejt njohjes e realizmit të vetvetes heronjtë e përrallave, të mitologjisë, të letërësë. Kurse me figurat historike. sipas meje, ata duhet të takohen ndryshe, kur të kenë arritur një pjekuri më të madhe, (forcimin e egos/koshiencës do të thoshte Jungu dhe Frojdi), por edhe nëpërmjet një takimi më tokësor. Sepse bash fakti se do t'u duhet të takohen me ta si figura historike, me të mirat dhe të këqijat e tyre, dhe jo si heronj, është një nga arsyet se pse nuk duhet t'i trajtojmë si mite nëpër tekste. Përndryshe një indoktrinim me ta në fëmijëri dhe një takim ndryshe në moshë të rritur, është një premisë skicofrenie. Prandaj jam kundër katekizmit me fenë nacionaliste që u bëhet fëmijëve tanë në tekstet shkollore (ashtu sikurse, në thelb për të njëjtat arsye, jam edhe kundër katekizmit fetar), pasi këto çojnë tek një njeri i ideologjizuar i cili. sipas interpretimit jungian të psikikës njerëzore, që u rreka të shtjelloj më sipër, shkon kundër njeriut të vetërealizuar. Por fakti që kjo ndodh kaq shpesh  na sjell në një aspekt tjetër të heroit, tejet më problematik sipas meje, atë të rolit të heronjve në psikologjinë sociale që më shtyn ta vazhdoj shtjellimin e argumenteve të mësipërm me një kapitull tjetër, atë  mbi heroin dhe shoqërinë. (Panorama, 28 dhjetor 2011)

Read More......

Friday, December 16, 2011

Për një histori pa heronj


E prita me interes një emision “Shqip” të Rudina Xhungës të datës 28 nëntor, pasi e dija se atje do të transmetohej një intervistë e historianes Nathalie Clayer lidhur me shpalljen e pavarësisë dhe figurën e Ismail Qemalit. Isha kureshtar të dëgjoja historianen, të cilën e njoh dhe e vlerësoj për kontributin e paçmuar që ka dhënë në shkrimin e historisë sonë, veçanërisht me librin “Në fillimet e nacionalizmit shqiptar” (botime “Përpjekja”, Tiranë 2009). Mirëpo u zhgënjeva pasi u ndodha përpara disa befasish të njëpasnjëshme.
Befasia e parë ishte titulli i emisionit: “Heronjtë e Shqipërisë”. Ende nuk e paska mësuar gazetarja se termi “hero” është tejet romantizues, ideologjizues (“heronjtë e Luftës Nacional-Çlirimtare”, “heronjtë e komunizmit”, “të ndërtimit të socializmit”, “heronjtë e heshtur”, “heronjtë e burgjeve”) e se, prandaj, duhet përdorur me kujdes e me kursim në përgjithësi, e jo më kur duam të flasim për shkencë – thashë me vete – pasi kështu lehtësisht do ta humbasim njeriun Ismail Qemali dhe historinë e tij të vërtetë prapa heroit Ismail Qemali.
Befasia e dytë ishte se ndërkohë që prisja intervistën e historianes franceze, më dolën tre të ftuar shqiptarë të Xhungës: Arben Puto, Paskal Milo dhe Artan Lame, që filluan një avaz të vjetër për Ismail Qemalin, themeluesin e shtetit të parë shqiptar, aktin e tij historik – gjëra për të cilat m’u duk se s’kishte nevojë të ftonte historianë në atë tryezë. Mendova se, për të mos “prishur festën”, Xhunga e kishte hequr intervistën e Clayer pasi e merrja me mend që historiania do të ishte larg gjuhës nacional-romantike që po përdorej aty. U bëra disa herë gati ta kaloja në ndonjë stacion tjetër, por ishte e thënë të provoja befasitë e tjera. Pasi e kishte ngarkuar mirë publikun me ndjenja të larta patriotike, Xhunga futi intervistën e Clayer duke e prezantuar me një lloj mënyre sikur po na paralajmëronte se kishim të bënim me një lloj diversioni ndaj të cilit tre të ftuarit duhet të rrinin në beft që të reagonin në mbarim të intervistës dhe të reklamave pas saj.
Nëse do ta sintetizoja atë çka tha Clayer, do të veçoja disa ide që, sipas meje, qenë të reja e të rëndësishme për publikun e gjerë:
Së pari, se shqiptarizmi nuk është vepër e disa heronjve, por se për lindjen e tij (që fillon me arbëreshët) kanë ndikuar shumë faktorë, ku përveç zhvillimit të helenizmit (nacionalizmit grek), ka pasur edhe faktorë të tjerë, si zhvillimi i shkollës, i leximit të shtypit, politikat e Austro-Hungarisë e Italisë, por edhe (vini re!) politikat e Perandorisë sepse autoritetet osmane në vitet 1860 vendosën të krijojnë më shumë shkolla dhe në këtë mënyrë, niveli i edukimit mes shqiptarëve myslimanë, por edhe të tjerë, u zhvillua, u lartësua dhe ideja e nacionalizmit apo kombit bëhet kështu më e pranueshme te të rinjtë që shkonin nëpër shkolla.
Së dyti, e pyetur nëse i duket normale të kërkohet rishikimi i historisë sonë me Perandorinë, Clayer u përgjigj se “patjetër, duket normale”, madje se e gjithë historia e Shqipërisë duhet të rishikohet, pasi deri tani kjo histori ka qenë shumë e ideologjizuar dhe është shkruar duke mos shfrytëzuar teorinë e shkencave sociale.
Së treti, kur u pyet mbi rolin e Ismail Qemalit, Clayer vuri në dukje se ky ka qenë një burrë shteti osman dhe se nacionalizmi shqiptar për të, në fillim, ka pasur më shumë qëllime osmane, sesa shqiptare dhe se ai zgjodhi pavarësinë në një moment ku nuk kishte zgjedhje tjetër. Po ashtu, Clayer u tregua “e kursyer” në dhënien e meritave për themelimin e shtetit shqiptar vetëm këtij “heroi”. Duke vënë në dukje se ai ka qenë në krye të qeverisë për një kohë të shkurtër (e këtu ajo bëri një lapsus, sepse me shqipen e saj tha “disa ditë” në vend se “një kohë të shkurtër”), Clayer nënvizoi rolin e Komisionit Ndërkombëtar, i cili ka ndikuar më shumë se Ismail Qemali për krijimin e Shqipërinë duke vënë gjithashtu në dukje se ai ka qeverisur vetëm Vlorën dhe rreth Vlorës, pasi në Durrës ishte Esad Pasha, i cili mund të kishte qenë edhe ai një hero i pavarësisë për shembull. Pra, ideja e saj në thelb ishte se ka pasur shumë aktorë në atë kohë dhe se, ndër ta, Austro-Hungaria dhe Italia ndoshta kanë luajtur rolin më të rëndësishëm nga të gjithë.
Së katërti, e pyetur për nacionalizmin dhe raportin e tij me shtetin, Clayer tha se ai ka qenë dhe është një nga mënyrat për të mobilizuar popullin, por se nuk është e sigurt nëse ai i bën më mirë ndërtimit të shtetit apo atyre që e përdorin. Sepse, gjithë sipas saj, shoqëria në përditshmërinë e vet jeton dinamika të ndryshme, që nuk janë vetëm kombëtare ose shtetërore, por edhe transnacionale, edhe krahinore, familjare etj. Pra, se gjërat (edhe kur bëhet fjalë për studimet historike) nuk duhen parë vetëm në prizmin e nacionalizmit, pasi ky është një vizion shumë i kufizuar i botës.
* * *
Befasitë e tjera jobefasuese për mua erdhën nga reagimet e historianëve tanë pasi mbaroi intervista. Arben Puto, pasi tha disa fjalë pozitive për librin e Clayer të botuar në shqip, u kap te lapsusi gjuhësor “disa ditë” dhe tha se, si duket, historiania nuk e njeh mirë figurën e Ismail Qemalit, duke lënë të kuptohet se s’ia vlente të merreshe edhe me çka tha ajo. Pastaj e mori fjalën Paskal Milo dhe tori një retorikë të tërë, sipas së cilës, ne nuk duhet t’i mbivlerësojmë këta të huajt, nuk duhet të kemi komplekse inferioriteti ndaj tyre, duke shtuar se historinë tonë e dimë ne më mirë se ata pasi ne “e kemi në gjak” atë.
Shkurt, historiania franceze, e cila ka punuar dhjetë vjet për të shkruar një libër si “Fillimet e nacionalizmit shqiptar”, u fut në një emision ku s’kishte as të drejtën e replikës dhe u masakrua në stilin tashmë të njohur të “shkollës” sonë që merret me denigrimin e personit, dhe jo me analizën e argumenteve të tij. Dhe kjo, sipas meje, jo për shkak të lapsusit – që në fakt i përkiste gazetares që e kishte intervistuar ta sqaronte që gjatë intervistës, – por duke e shfrytëzuar këtë lapsus që, sipas meje, historianët tanë do të duhet të ishin të parët që ta kuptonin, duke u nisur vetëm nga fakti se një studiuese që ka punuar dhjetë vjet mbi nacionalizmin shqiptar, nuk mund të mos e dinte se për sa kohë ka qëndruar në krye të qeverisë Ismail Qemali. Në fakt, Clayer ka shkruar një tekst të tërë mbi rolin e figurës së Ismail Qemalit, të titulluar: “Të rimendojmë nacionalizmin ballkanik: – rasti i figurës së Ismail Qemal beut dhe i nacionalizmit shqiptar”, ku trajton gjithë aktivitetin e tij para dhe pas shpalljes së pavarësisë.[1]
E vërteta është se prapa lapsusit dhe keqpërdorimit të tij, problemi i emisionit ishte se ai qe një ballafaqim dydiskursesh: atij të historianit shkencëtar dhe atij të historianit ideologjizues që u shfaq qartë në një moment të intervistës ku Xhunga e pyeti Clayer: “Pra, sipas jush, do të na duhet të çlirohemi nga simbolet dhe heronjtë në historinë tonë? Nuk paskemi nevojë për to?”. Dhe Clayer u përgjigj se ajo është historiane që përpiqet të shkruajë historinë apo të japë një interpretim të saj, të kuptojë se cilët janë aktorët që kanë vepruar dhe si kanë vepruar ata – duke nënkuptuar se ky rol nuk përkon me atë të që synon ta përdorë historinë dhe protagonistët e saj si mjet për aktivizim ndjenjash popullore. Kurse qëndrimi i historianëve tanë, veçanërisht me shprehjen e Milos, se ne historinë tonë “e kemi në gjak”, e kësisoj, gati-gati s’paskemi as nevojë ta mësojmë atë, e jo më të na e mësojnë të huajt, ishte një ilustrim par exellence i asaj që studiuesi serb, Slobodan Naumoviç, e quan double insider syndrome (sindroma e dyfish të brendshmit). Kjo është sindroma e atij historiani, antropologu, etnologu, shkrimtari, intelektuali që ka prirjen ta ideologjizojë diskursin pasi është dyfish i brendshëm: së pari, pasi i përket grupit që studion për shkak se ndan me të të njëjtën gjuhë, tradita, vlera, interesa dhe, së dyti, pasi bën pjesë në atë nëngrup special shoqëror që historia e ndërtimit të shtetit komb i ka vënë tradicionalisht si detyrë të studiojë, krijojë, mbrojë “çështjen” e grupit. Ky ideologjizim, thotë Naumoviç, mund të jetë i vetëdijshëm dhe i pavetëdijshëm, por të dyja variantet nuk e përjashtojnë njëri-tjetrin dhe bash kombinimi i tyre është tipik për studiuesit ballkanas. [2]
Për ironi të fatit, këto ditë Puto e provoi si bumerang mbi kurrizin e tij këtë metodë ideologjizimi të diskursit që, në thelb, e ka origjinën te shërbimi ndaj grupit e që mund të aplikohet edhe brenda vendit kur bëhet fjalë për ballafaqim grupesh me histori të ndryshme. Kohët e fundit Puto ka nxjerrë një libër mbi luftën italo-greke, ku, mes tjerash, ka botuar edhe një dokument që tregon se at Gjergj Fishta ka qenë mbështetësi i fashizmit e se paska thënë për Hitlerin dhe Musolinin se kanë qenë gjeni. Antikomunistët që sot e përdorin Fishtën me të njëjtën metodë mendimi, e sulmuan aq egër historianin për këtë sa ndonjëri arriti deri t’i urojë vdekje të shpejtë. Ndërkaq, duhet thënë se nuk ka pikë dyshimi që ky dokument është i vërtetë, madje ka edhe dokumente të tjera që provojnë lidhjet e Fishtës me fashizmin, që nga faktet e njohura se ai ka qenë akademik i fashizmit dhe antisemit, deri te dokumente që tregojnë se u ka bërë thirrje italianëve të vijnë e t’i “presin duart” Mbretit Zog. Nuk është as i pari, as i fundit, kemi të bëjmë me një figurë që ka jetuar në një kontekst të caktuar social historik, jo me një hero të pacenuar e të pacenueshëm. A duhet t’i dimë ne këto, a duhet të na i shkruajnë historianët këto fakte, apo duhet të heshtin e të vazhdojnë të idealizojnë sipas parimit të mbrojtjes dhe glorifikimit të grupit? Sipas meje, ka ardhur koha që shkenca jonë e historisë të çlirohet nga diskursi ideologjizues, në emër të  kalimin tonë në një fazë më të lartë vetëdijeje, e jo të degradojë edhe më tej duke e konceptuar rishkrimin e historisë si heroizim të figurave që ka demonizuar komunizmi.
Po me heronjtë ç’duhet të bëjmë? A mos vallë duhet t’i heqim ata nga piedestalet ku i kemi ngritur? A nuk paskemi ne nevojë për t’u frymëzuar, për të idealizuar, për të besuar në diçka? – do të nxitojnë të më pyesin, së bashku me Xhungën, një pjesë që, kur kam trajtuar kësi temash, më kanë akuzuar për mohues, rimohues, shkatërrues mitesh, renegat, tradhtar, joshqiptar. Duke mirëkuptuar kompleksitetin e pyetjes po e lë përgjigjen e asaj se ç’duhet të bëjmë me heronjtë për një herë tjetër. Por, nxitoj, megjithatë, të vë në dukje se ky shkrim nuk synon të trajtojë temën nëse na duhen apo jo heronjtë dhe ideologjitë që ata simbolizojnë, por të vë në dukje se me rishikim të historisë së shkruar nga komunizmi duhet të kuptojmë një histori që respekton teoritë shkencore të kohës, dhe jo diskursin ideologjizues të historianëve nacionalistë që vuajnë sindromën e double insider-it.
Po ç’duhet të kuptojmë me diskurs shkencor mbi historinë tonë? Sipas meje, një diskurs (që na e inspiron edhe leximi i librit të Nathaile Clayer), ku historia nuk shpjegohet nëpërmjet heronjve tanë të pagabueshëm të shoqëruar me epitetet “i madh”, “i fuqishëm”, “i lavdishëm”, por ku ka një analizë të hollësishme të të gjithë faktorëve që sjellin një ngjarje historike, pa fshehje, manipulim, instrumentalizim faktesh; një diskurs ku vendlindja jonë, apo bindjet tona, apo interesat tona e të grupit ku bëjmë pjesë nuk na bëjnë të humbasim etikën profesionale, ashtu që të veçantën tonë ta trajtojmë me tjetër peshë e masë me të cilën trajtojmë të përgjithshmen. Sigurisht, kjo nuk është e lehtë. “Mund të jetë e vështirë, gati e pamundur, për shkencëtarët e shkencave sociale të jenë objektivë, që shpresat dhe frikat e tyre të mos ngjyrosin bindjet e tyre, – shkruan Naumoviç në esenë e tij duke cituar Alan Rayan -  por, ama, ka një diferencë të madhe sa bota midis qëllimit për të bërë diçka shumë të vështirë dhe atij për bërë diçka që s’ka kuptim".[3]


[1] « Repenser les nationalismes balkaniques. Le cas de la figure d’Ismail Qemal bey et du nationalisme albanais », dans Paruševa D., Valčev G., Voillery P. (eds.), Alexandre Exarh et les routes bulgares vers l’Europe. XIXe-début XXe siècle, Stara Zagora, 2007, p. 122-133.
[2] "Romanticists or Double Insiders? An Essay on the Origins of Ideologised Discoursesin Balkan" EthnologyEthnologia Balkanica, vol 2 (1998)
[3] Ryan, Alan 1970: "Science, Social Science and Ideology." "The Philosophy
of the Social Sciences". London: MacMillan, 220–242.

Read More......

Monday, December 12, 2011

Intelektualë apo shqytarë

Kur prishet karakteri zbehet inteligjenca – thotë një fjalë e urtë. Mirë, po ç’lidhje ka inteligjenca me prishjen e karakterit do të thotë ndonjë lexues; historia na jep plot shembuj njerëzish pa karakter, por inteligjentë e të talentuar. Sipas meje ka lidhje dhe, përpara se ta argumentoj, po e bëj të qartë se e kam fjalën kryesisht për inteligjencën e asaj kategorie që quhen intelektualë të shekullit XX – XXI dhe, po ashtu, se nuk kam parasysh jetën e tyre private, madje as atë që Kanti e quan “përdorimi privat i arsyes”, kur kjo është thjesht në shërbim të profesionit të ngushtë të individit, por karakterin dhe inteligjencën të shprehur në veprat/aktet e tyre publike, në “përdorimin publik të arsyes” pra.
Idealisht rolin e intelektualit - nëse do t’i referohesha metaforës së famshme të Platonit, asaj të shpellës, - do ta krahasoja me atë të atij të burgosurin që çlirohet nga zinxhirët, që nuk e lenë të shohë veçse hijet e projektuara në mur të dritës së diellit që i bije nga prapa,  që arrin të kthehet drejt kësaj drite me trup dhe me mendje dhe, pasi e njeh atë nëpërmjet atij procesi, që Platoni e quan konvertim, kthehet t’ua kumtojë të tjerëve, që kanë mbetur të lidhur, me qëllim çlirimin e tyre. Më duket se edhe kur flitet për pavarësi të intelektualit, duhet të kuptojmë pikërisht atë se ai, nëpërmjet konvertimit, bëhet i pavarur nga këta zinxhirë,  dhe “varet” tek drita që ai ka parë, çka, pa metafora, do të  thotë tek vizioni i tij për botën, parimet, vlerat, idetë, iealet, të vërtetat në të cilat beson, dhe vepra e tij publike duhet ta marrë inspirimin pikërisht tek kjo dritë. Thënien në fjalë e intepretoj kështu pra: se kur inspirimi nuk vjen nga kjo dritë por nga motive të ulta atëhere inteligjenca do të flasë më shumë për terrin e hijeve të shpellës sesa për dritën.


Është tmerrësisht zhgënjyese kur sheh se si, megjithëse roli çlirues i njeriut të ditur është kultivuar qysh prej kohëve të Sokratit e Platonit, në këtë vendin tonë, edhe njëzet vjet pas rënies së diktaturës, sheh një kategori që, megjithëse e quajnë veten intelektualë, punojnë me përkushtim të paparë për t’i mbajtur njerëzit të lidhur me zinxhirë, të dënuar vetëm për të parë hijet e kokës së tyre të projektuara në murin përballë. Së fundmi e përjetova këtë zhgënjim, që s’është i pari, duke lexuar reagimet e disa të ashtuquajturve intelektualë ndaj shkrimit tim “Kadare Rama – memuaristika si operacion plastik.” Në shkrim ngrita shqetësimin për një fenomen tejet të rëndë që po ndodh jo thjesht në letrat shqipe, por në kulturën e kësaj periudhe: atë se pushtetparaja dhe videokracia, si dy anë të së njëjtës medalje, po uzurpojnë dhe banalizojnë me paturpësi çdo gjë, deri edhe altarin e librit, duke bërë që libra jo vetëm të mbushur me gënjeshtra, çka mjafton për t’i skualifikuar, por edhe libra shumë të dobët nga pikpamja e punës së derdhur, përsa i përket kulturës së autorit si thellësi e mendimit e gjykimit, strukturës, stilit, të suspensit, koherencës së veprës etj., në sajë të kulturës së manipulim simulimit, të promovuar nga pushteti i videokracisë, po prezantohen si kryevepra duke thelluar krizën e vlerave morale intelektuale që po kalon shoqëria shqiptare. E bëra pa pretenduar se argumentet e mija ishin të padebatueshme, por i bindur, megjithatë se hyrja me çizmet banale të pushtetit deri edhe tek altari i librit të vërtetë ishte shprehje e një shqetësimi që e kam dëgjuar të ngrihet gjatë Panairit të fundit nga shumë njerëz të intelektit në shoqërinë tonë. U përpoqa të argumentoj në këtë kontekst se libra të tillë, si shprehje e kulturës së manipulim simulimit në funksion të pushtetit jo të vërtetës, nuk e ndihmojnë njeriun shqiptar të zhvillojë personalitetin e vet, por i ofrojnë modele se si të bëhet shpejt e shpejt personazh “i suksesshëm” duke vrarë personin dhe të vërtetën brenda vetes e, më keq akoma, duke u bërë rob e vegël e pushtetit.


Ajo që më bëri përshtypje ishte se ndërsa një numër jo i vogël, për të mos thënë i madh lexuesish më dhanë të drejtë, personalisht apo nëpërmjet komenteve në internet, në mediat tona askush nuk e trajtoi thelbin e problemit që ngrita, madje disa të ashtuquajtur intelektualë të videokracisë dhe të mediokracisë të majtë e të djathtë, u rreshtuan duke më sulmuar në mbrojtje të këtyre librave në një mënyrë të tillë që më kujtuan edhe një herë thënien se kur prishet karakteri zbehet inteligjenca. Shkrimet ishin tejet të dobët, më keq se librat për të cilët bëja fjalë, dhe dobësinë e tyre nuk ke si i shpjegon ndryshe veçse me faktin se autorët nuk i ka shtyrë interesi për të thelluar, nëpërmjet debatit e dialogut të sinqertë, njohjen e problemeve që ngrija, por nevoja/detyrimi për të mbrojtur punën e ulët si shqytarë të mbretit, që i bën të mos reshtin së na thëni se sa i bukur është kostumi i tij, ndërkohë që ai është cullak. Në këto kushte arsyetimi intelektual, apo “përdorimi publik i arsyes”, dhuntia më sipërore e njeriut, arriti të katandiset tek disa deri në lehje “qeni roje” të padronit.


  Si ilustrim më elokuent i shndërrimit të intelektualit në shqytar e kostumveshës të padronit do të zgjidhja reagimin e Dr. Ardian Klosit. “Fatosi sheh Edi Ramën në pasqyrë dhe kupton dështimin e tij si politikan, si shkrimtar, si njeri në jetë… prandaj reagon kështu”, shkruante doktori i shkencave, duke provuar se inteligjenca e tij nuk ka kuptuar pikërisht thelbin e asaj që kam ngritur: se, fatkeqësisht, për t’u bërë “i suksesshëm” në Shqipëri duhet o të kapësh pushtetin politik, o të bëhesh shërbëtori i tij, dhe se ky nuk është sukses, por dështim. Si përgjigje mund t’i thoja se etika që mundohem të respektoj në jetë do të më bënte që, sikur të më shfaqej në ëndërr vetja sikur isha autori i asaj që i ka bërë Tiranës Edi Rama këta 10 vjet do të isha zgjuar i llahtarisur e do të ndjeja çlirim të madh që jam në ëndërr. Po ashtu, ajo s’do të më lejonte kurrsesi, si shkrimtar gazetar që, për të arritur “suksesin” e veprës time, në vend se të punoja pa pushim mbi libra e letra, të kapja pushtetin politik e në sajë të këtij të uzurpoja edhe artin, letërsinë e ç’të mundja, aq më tepër duke tradhëtuar të vërtetat e mija. Kurse si botues (edhe i Edi Ramës e Klosit), po të më kishte rënë për të redaktuar një libër si Kurbani, jo vetëm nuk do t’i kisha thënë ok. botimit, siç ka bërë doktor Klosi, por do t’i kisha thënë autorit se përveçse që ka nevojë për një tjetër Edi Ramë që të jetë vërtethënës, nga pikpamja e strukturimit, e koherencës stilistikore, të zhanrit e të mendimit – që të bëhet pra libër, ka nevojnë të paktën për dy vjet punë të tjera, sepse kështu është ende në një gjendje që mund të quhet diarre e Edi Ramës sepse s’bën vaki që një “program politik”, siç e quan Klosi librin, të shkruhet në stilin e një përroi psiqik me fjali të gjata një faqe. Mirëpo, intelektualit që e quan veten edhe ambjentalist iu dukkërka për t’u patur zili puna e Edi Ramës në Tiranë, s’arritkërka të konceptualizojë se shëmtimi i Shqipërisë që përshkruan Edi Rama e ka pamjen e vet emblematike, fizike dhe morale, në Tiranën që ndërtoi Rama me politikën “një pallat një votë” dhe arritkërka deri aty sa s’ngurrokërka që, ndonëse përkthyes e botues autorësh të shquar, të na bindë për vlerat e librit me gjuhën e një  shitësi injorant kioskash, që s’ka lexuar një libër në jetën e tij, e që, prandaj, e mat vlerën e tyre vetëm me numrin e shitjeve. Duke  huazuar, jo me shumë kënaqësi, stilin e shkrimeve të tij, që kërkojnë të godasin njeriun jo argumentat e tij, (duke e reduktuar debatin ne zili, xhelozi të individit), por përsëri pa shpifur, pa krijuar një realitet që nuk të përket - sipas parimit pështy, pështy se kështu do jemi të gjithë të pështyre – siç bën ai, do t’i thoja se një mik më këshilloi të mos merrem me këtë rast të pashpresë degradimi të intelektualit në lek-tual që personin e tij e kthen lehtësisht në personazh vrasësi me pagesë në filmin e rradhës, sepse tashmë është bërë proverbiale sjellja e këtij personazhi që, pasi në një film të mëparshëm i hipën avjonit për të marrë pjesë në një ceremoni ku ti merr ndonjë çmim ndërkombëtar, apo deklaron se librin tënd mund ta ketë zili dhe Kadareja, tani të thotë se je i dështuar, por nesër mund të të takojë e të të flasë me përzemërsi e respekt, sikur s’ka ndodhur asgjë, pasi ti duhet ta kuptosh se ky ishte shërbimi i tij në filmin e rradhës, sepse në jetë nuk ka bërë zgjedhjen e atij që kur i digjet shtëpija gjen një shtëpi modeste me qira, për të ruajtur pavarësinë e intelektualit, por, si shqytar, i kërkon strehim luksoz e pa lekë bosit të bandës.


Më thanë po ashtu, se nuk ia vlen të merresh me ata pseudointelektualë të fryrë si kacek me vetveten, që jo vetëm janë të lidhur me zinxhirët e paditurisë e të interesit material në atë shpellën e Platonit, por që, nga shrregullimet mendore të megallomanisë, nuk arrijnë të shohin veç hijen e kokës stërmadhe të vetvetes e jo më të kuptojnë se prapa tyre ka një dritë që duhet ta njohin nëse duan vërtet të analizojnë e të konceptualizojnë përtej emrave të përveçëm. Në fakt, nga pikpamja intelektuale, nga gjithë çka lexova, i vetmi argument që të nxiste të arsyetoje përtej emrave të përveçëm ishte ai i disave që pretenduan t’i veshin gënjeshtrat dhe mashtrimet e librave në fjalë me teorinë se e vërteta e një individi është gjithmonë subjektive, duke na bindur gati gati se jemi të marrë ne që kërkojmë të ballafaqojmë ato që na kanë parë sytë e dëgjuar veshët për ngjarje e akte të caktuara me atë se si i kanë treguar ato autorët në librat e tyre memuaristike e që në ndonjë rast, si atë të Ardian Vehbiut, iu referuan për këtë edhe Frojdit.  Sipas interpretimit të Frojdit nga Vehbiu, kur Edi Rama na paraqitet tek Kurbani si një personazh që s’ka lidhje me personin që njohim, që psh. për të bërat dhe të pabërat e Tiranës ua ve fajin vetëm të tjerëve, nuk gënjen, por thotë të vërtetën e tij pasi “subjekti ndikon aktivisht për t’i dhënë të shkuarës një formë narrative […] duke i modifikuar ose rimontuar disa ngjarje  […] për të rivendosur drejtpeshimin në një psikikë të plagosur nga traumat.” (A. Vehbiu, “Lubonja dhe dy faqe të gënjeshtrës”, Shekulli 22 nëntor). Dakort me subjektivitetin, por në shkrim e bëja të qartë se bëja fjalë për mashtrime të vetëdijshme, pastaj edhe kur bëhet fjalë për “modifikime” të pavdetëdijshme, autori ka duhet ta dijë se thelbi i psikoanalizës së Frojdit është bash ndërgjegjësimi i pacientit për të vërtetën e vërtetë të traumës që ka pësuar, çka nënkupton edhe çlirimin e tij nga paranojat që i shpërrallon vetes, psikoterapeutit dhe miletit për ta fshehur atë, të cilat paranoja, në fakt, nuk ia ekuilibrojnë psikën, por përkundrazi ia rëndojnë edhe më. Kurse Vehbiu, në rolin e redaktorit të librit, si një psikoanalist i keq, jo vetëm e ka nxjerrë pacientin nga studioja e tij pa e kuruar, por, duke patur parasysh se bëhet fjalë për një politikan që nesër mund të bëhet deri kryeministër, ka “harruar” se historia ka treguar se sa larg mund të na çojnë paranojat e njerëzve të traumatizuar kur këta mendojnë se kura e tyre është pushteti.


   Por, për tu kthyer tek shprehja e atyre që thonë: “mos u merr me këtë se e njohin të gjithë se cili është” unë mendoj se me ta duhet marrë jo aq duke humbur kohë me argumentet e mosargumenteve që paraqesin, por me atë që i shtyn të humbasin inteligjencën. Sepse të thuash “mos u merr me këta”, (disa shtojnë: “se do t’u dalë ndonjë hundëlesh” ) për mua është një lloj kapitullimi i njerëzve të urtë e të mençur, tejet të lodhur për shkak të përvojës së hidhur që kemi me uzurpuesit dhe shërbëtorët e tyre të pacipë që janë fenomen tejet i përhapur, madje edhe tejet i rrezikshëm. Duhet marrë, pra, me ta, jo si hundëlesh, por duke i bërë kritikën fenomenit kulturor që i ka prodhur e që po i shumon përditë; kontekstit të sistemit politik, social, ekonomik që po e stimulon këtë fenomen. Sepse, psh., nuk mund të shihet maskarada që pamë në Panair e ndarë nga fakti se protagonistë të dorës së parë të saj qenë universitete private, shumica të promovuar si vlera të mëdha, me të njëtin stil si këta libra, duke u reklamuar apo vetëreklamuar nëpërmjet videokracisë, e që, në vend se të promovojnë libra shkencorë e studime serioze, kanë ngritur një makineri të tërë shpëlarjeje trush me gazeta e televizione dhe kanë korruptuar, nga ana tjetër, me punësimin në ta, thuajse krejt elitën e vendit që duhet të reagojë.


Shenjë kapitullimi është edhe ajo e një pjese që me përçmim të thonë: “po çfarë intelektualësh janë këta, që i quajtkërke ti intelektualë, ku kanë pasur ndonjëherë karakter dhe inteligjencë këta, kanë qenë të prishur që në vezë.” Unë nuk i besoj këtij versionit të vezës. Besoj, përkundrazi, se njeriu është në një proces të vazhdueshëm rritjeje ose degradimi dhe ky proces varet shumë edhe nga kushtet sociale politike e ekonomike në të cilat ai jeton. Ardian Klosin dhe Edi Ramën psh. unë i kam njohur edhe personalisht, por edhe si botues i shkrimeve dhe i përkthimeve të tyre. E them me kompetencë se Klosi si intelektual është mjaft më i formuar dhe më i lexuar se Rama, të cilit i mungon thuajse krejtësisht aftësia vetëkritike për të strukturuar emocionet e derdhura, siç e provon edhe libri në fjalë, paçka se në faqe të tij nuk mungon talenti që autori ka shfaqur edhe në ato vite. Më kujtohet se një shqipërim të Ramës të librit të Kandinskit “Mbi shpirtëroren në art” (botime përpjekja)  plot gabime që flisnin për vakuume kulturore (jo vetëm përsa i përket gjuhës) ky e mori dhe e bëri të kuptueshëm. Kur e shoh sot në rolin e një shqytari mjeran të cilit Lubonja (por edhe vetja ka shkruara një herë), i duken të veckël, të veckël, të dështuar, përpara Ramës nuk ka se si të mos reflektoj për procesin që e ka sjellë në këtë dehrexhe. Dhe shpjegimin e gjej tek kulti i pushtetit politik në krejt truallin ku banojnë shqiptarë, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë ku kam lexuar së fundi se Akademia e Shkencave paska vënë në hyrje të godinës së saj një citat të Thaçit. Ky kult pra, i “të madhit” që identifikohet me politikanin e të gjithpushtetëshmin, është aq i kultivuar tek ne saqë jo vetëm njerëzit e thjeshtë, por edhe intelektualët e pavarur, gazetarët apo aktivistët e shoqërisë civile janë “të detyruar” t’u duket vetja të vegjël, të vegjël, madje në shërbim të tyre. Tani, në kapitalizmin tonë pa demokraci, këtë kult e kemi të rënduar edhe me kultin e pasunarit, madje edhe të familjeve të mëdha. Një pjesë intelektualësh janë të detyruar ditë për ditë t’u duket vetja i vogël i vogël edhe përpara pronarit të universitetit, televizionit, gazetës, jo rrallë i lidhur bythë e brekë me bosin e politikës. Me kalimin e kohës pastaj, duke luajtur për një kohë të gjatë rolin e shqytarit, jo vetëm të mbushet mendja se me të vërtet je i vogël shumë përpara tij, por kjo mund të të çojë deri në procesin psikik të identifikimit me kalorësin të cilit i mban armët dhe vetja të të duket i madh e i rëndësishëm mu pse je pranë tij apo mu pse ekziston ai. Për tu kthyer tek teoria e vezës, Edi Rama dhe Ardian Klosi, në procesin e jetës në këtë shoqëri, sipas mendimi tim, kishin mundësi të bëheshin kontestues të kësaj kulture që personat i kthen në personazhe “të mëdhenj” e “të vegjël”, “të sukseshëm” e “të dështuar”, e që, në fakt, është “veza” nga kemi dalë të tërë. Mirpo, për shkaqe individuale por edhe përtej individuale u bënë produkt e gjenerues të mëtejshëm të saj. Një  lexues i shkrimit tim i cili duke kërkuar të thellojë tipologjinë e intelektuali që prodhon kjo kulturë, që, sipas tij, “nuk e lejon të avancoje shoqërinë tonë” shkruante se ai nuk mund të jetë i afërt as me Petron/Pietrin që “e mohon Krishtin (idealin) e tij në një moment frike dhe presioni” as me Judën, i cili, në dilemë ndërmjet "idealit" dhe "materiales", e shiti idealin kundrejt 30 asprave, por e kuptoi gabimin dhe u kthye te prifterinjtë duke u hedhur 30 monedhat në këmbë e duke u thënë se kishte dorëzuar gjak të pafajshëm. Tipologjia e këtyre tanëve, sipas tij, i përshtatet më tepër Pilatit, të cilit i interesonte më tepër pushteti se sa drejtësia, aq sa dënoi me kryqëzim dikë pa faj dhe lau duart nga "ideali". “Ashtu si Pilati kishte mungesë njohjeje dhe luciditeti ngaqë pushtet dashja nuk i'a lejonte një vullnet të tillë, po kështu edhe intelektualët tanë janë të gjymtuar në vullnet për të njohur të vërtetën.” (http://perpjekja.blogspot.com/2011/11/kadare-rama-memuaristika-si-operacion.html)


Në thelb ky kult është tregues i një kulture të trashëguar që sot, në botën demokratike,  të bën deri ekzotik pasi njeriu nuk matet atje me “i madh” dhe ”i vogël”, ai është i barabartë në dinjitet dhe përpara ligjit me të tjerët çka është thelbësorja, kurse vlerat e tjera që e dallojnë, e sekushi ka të vetat të lidhura me profesionin e vet, janë gjithsesi sekondare, e për ato ai flet me modesti e përunjësi. Nëse sot flitet për krizë të demokracisë në shoqërinë tonë, mendoj se edhe fenomeni që po trajtoj është tregues shumë domethënëse i asaj se ne nuk do të bëjmë dot përpara në demokraci pa atë ndryshim kulturor që do ta kthejë njeriun shqiptar drejt atij njeriu që ve dinjitetin dhe ndershmërinë, të vërtetën dhe ndjenjën e barazisë me të tjerët përpara “madhështisë” së pushtetit apo të parasë. Dhe kjo kërkon një tipologji tjetër intelektuali nga ai që kemi zhvilluar ne, fatkeqësisht edhe me kontributet e shquara që përmenda më sipër. Që t’i referohem edhe një herë Platonit: në “Republikën” e tij, kur propozon se në krye të politikës duhet të jenë filozofët, ai shton se këta, megjithatë, nuk duhet të qëndrojnë gjithherë në këtë detyrë pasi ata duhet t’i kthehen filozofisë që është më e epërmja gjë me të cilën duhet të merret një filozof dhe prandaj, një nga detyrat kryesore që kanë ata kur qëndrojnë në pushtet, është që të investojnë para publike që shoqëria të përgatisë filozofë të rinj. Dikush do të thotë se koha ka treguar se kjo është shumë ideale. Po, por koha ka treguar, megjithatë, edhe se sa të vlerësuar kanë mbetur ata njerëz që nuk ia kanë kushtuar jetën pushtetit apo parave individuale, por rezistencës ndaj tyre në emër të lirisë, të vërtetës, dinjitetit të të gjithëve. Në këtë pikë shumëkush do të bjerë dakort, por do të më kujtojë se, kur njeriu është gjithmonë në nevojë materiale, e humbet pasionin edhe për filozofinë edhe për të vërtetën, sepse përpara se të filozofosh duhet të hash e të ushqesh fëmijët. Unë ngulmoj se në sistemin ku jetojmë, megjithë problematikën e rëndë në këtë drejtim, si përsa i përket sistemit korruptues që kemi ndërtuar ashtu edhe trashëgimisë autoritariste së asaj kohe që fatkeqësisht duket sheshit se ka lënë hijet e veta të rënda në psikën e shoqërisë, nuk jemi si në kohën e diktaturës kur mbijetesa, deri edhe vetë jeta, ishte e varur nga bashkëpunimi me pushtetin. Sot ka shumë më tepër mundësi që të lindin intelektualë që t’i shërbejnë shoqërisë si pasqyrë që i tregon lakuriqësinë pushtetarit dhe jo si shqytarë e kostumveshës që vrasin idealin për 30 aspra e që, më keq akoma, në vend se të pendohen si Juda, kërkojnë edhe 30 aspra të tjera për ta varrosur atë për fare. Prandaj mendoj se atyre që edhe në këto kohë zgjodhën bashkëpunimin me gënjeshtrën dhe mashtrimin në dëm të së vërtetës dhe të drejtës historia do t’u veshë përgjegjësi shumë më të madhe. (Panorana, 7 dhjetor 2011)

Read More......