Wednesday, March 21, 2012

Ish - të persekutuarit si mall elektoral

 Këto ditë, ish-të burgosurit politikë kanë hyrë në axhendën e politikës dhe mediave si rrallëherë kohët e fundit. Mos vallë shkaku i tërheqjes së vëmendjes ndaj tyre janë disa incidente që kanë ndodhur, si hipja dramatike e ish-të burgosurit politik Xhemal Zhuri në majën e vinçit që qëndron mbi grataçielën në qendër të Tiranës, varrimi demonstrativ i Grigor Zaharisë, i cili mbeti për njëzet ditë në morg ngaqë s’kish kush ta varroste e që u shoqërua me goditjen e deputetit Rusmali nga ish-i dënuari Gjergj Ndreca dhe Ilir Bejko? Këto ngjarje meritonin vërtet të trajtoheshin me kujdes si nga politika dhe nga mediat, pasi ishin tregues i një gjendjeje të rënduar të kësaj kategorie, por nuk më rezulton, fatkeqësisht, të jenë këto ngjarje ato që kanë tërhequr vëmendjen e politikës ndaj ish-të burgosurve politikë?


Më së pari, le të them shkurt çfarë po ndodh me këtë kategori. Kur përpiqem të gjej ndonjë ish-të dënuar në kategorinë e të pasurve në këtë shoqëri, vështirësisht më vjen ndër mend ndonjë emër, ndërkohë që emrat që më vijnë ndër mend janë thuajse të gjithë ish-të privilegjuar të komunizmit. Pse kështu? Sepse persekutimi i gjatë deri në vitin 1991, që u solli izolimin nga shoqëria dhe mangësi në arsimim si dhe mosadoptimi me ligjet e xhunglës me të cilat u regjën ish-komunistët që ndërtuan kapitalizmin alla-shqiptar, e ka lënë pjesën më të madhe të ish-të burgosurve jashtë kësaj shoqërie. Pa harruar se edhe për shumicën e njerëzve të ndershëm, që s’kanë humbur vite burgu, nuk është e lehtë mbijetesa në këtë shoqëri.

Pas tetë vjetësh injorim nga Partia Socialiste, që këtë kategori nuk e njeh si elektoratin e saj, ka më se pesë vjet (që nga 2007-ta) që maxhoranca demokrate ka aprovuar një ligj për dëmshpërblimin e të burgosurve politikë, i cili parashikon kompensimin e tyre për vitet e kaluara padrejtësisht në burg brenda tetë vjetësh e që përcakton edhe një limit minimal dhe maksimal shume që do të jepet brenda një viti (100 000 deri në 1 000 000 lekë). Pasi i sorollatën nja dy vjet zyrë më zyrë për të mbledhur dokumente që, në fakt, i kishte shteti në zyrat e veta, ish-të burgosurit filluan të marrin këstin e parë (jo rastësisht në vitin elektoral 2009) që për shumicën e tyre nuk qe vetëm çështje morale, por edhe mbijetese. Prej asokohe, askush s’e ka marrë këstin e dytë, ndërkohë që, me sa jam i informuar, s’ka mbaruar së shpërndari as i pari. Megjithatë, sikur s’ka ndodhur gjë, maxhoranca vazhdon të tregohet bujare me fjalë e me shtim listash. Herë pas here, veçanërisht në prag fushatash elektorale, Berisha deklaron se listës do t’u shtohen edhe ata që janë pushkatuar pa gjyq para ‘44-ës edhe ata që kanë qenë nëpër spitale psikiatrike edhe ata që… edhe, edhe, çka do të thotë se familjarë të tjerë duhet të bredhin nëpër zyra për të marrë dokumente të tjera. Por, ama, ligji i aprovuar nuk zbatohet. Dëmshpërblimi nuk jepet. Ndërkaq, opozita, që i gjuan dështimet e qeverisë edhe atje ku s’janë, kurrë s’e ka ngritur në Parlament çështjen e mosrespektimit të këtij ligji si një nga dështimet e maxhorancës. Kjo është gjendja i ish-të burgosurve politikë. Të nëpërkëmbur e keqpërdorur nga maxhoranca dhe të injoruar nga opozita.

Mirëpo ja, çuditërisht, kohët e fundit sikur u kujtuan të gjithë se ekziston edhe kjo kategori e vuajtur, shumica e të cilëve ka humbur aq vite burgu sa vetëm kjo ua bën të pamundur qenien në kushte të njëjta me të tjerët, për të mos folur për traumat e pësuara. Deri edhe lideri i opozitës, Rama, bëri një takim me ish-të burgosur, të cilëve u tha se nuk duhet të kenë paragjykime, pasi Partia Socialiste mendon për ta. Së fundi pamë se qeveria paska hartuar edhe një ndryshim në ligjin që parashikon – dëgjoni sa qesharake – përshpejtimin e dhënies së dëmshpërblimit të gjithë atyre që kanë kaluar 85 vjet!

Pra, çfarë po ndodh kështu? Ka vetëm një shkak, sipas meje, që i solli ata në faqet e para të gazetave dhe i futi edhe në edicionet e lajmeve: pritja e lindjes së partisë së Spahiut dhe e partisë së Topit, që supozohet se do të tërheqin votat e së djathtës duke kërcënuar të marrin pikërisht votat e ish-të persekutuarve të mashtruar rëndë dhe turpshëm. Kjo shpjegon edhe faktin pse një numër analistësh të lidhur me maxhorancën filluan të tjerrin argumente se pse kjo kategori nuk mund të shkojë të votojë Topin apo Spahiun.

Pra jemi në shfaqjen dhe keqpërdorimin e radhës me ish-të burgosurit politikë. Një shfaqje dhe keqpërdorim që Sali Berisha me PD-në e vet e ka filluar që në vitin 1991 e të cilën socialistët e kanë ndjekur me indiferentizmin më të madh pasi më mirë se kushdo e kanë ditur se është vetëm shfaqje që kurrë s’duhet marrë seriozisht. Sepse, me gjithë akuzat që i bëjnë njëri-tjetrit për të kaluarën komuniste, një gjë e vetme, vërtet serioze, i ka bashkuar të dyja palët: paraja. Tërë ato pasuri që janë bërë gjatë pesëdhjetë vjetëve diktaturë, edhe me mundin dhe djersën direkte të ish-të burgosurve, duke filluar që nga kënetat e Maliqit e të Karavastasë e të Thumanës, ndërtimet në Tiranë, fabrikat si ajo e Çimentos në Elbasan, e Superfosfatit në Laç, Rafineria e Ballshit apo Aeroporti i Rinasit (ekziston një listë shumë e gjatë e këtyre) e për të vazhduar me malet me bakër e pirit që ata kanë nxjerrë nga minierat, mund të përmenden si vuajtje e mundim i tyre, por nuk mund të lidhen kurrë seriozisht me djersën e tyre në terma parash, pasi këto janë vetëm për xhepat e tyre.

Ajo që të shqetëson në tërë këtë histori të trajtimit të ish-të burgosurve politikë si mall elektoral që duhet blerë sa më lirë (duke i mashtruar) për t’u shitur sa më shtrenjtë (keqpërdorur), është diçka përtej fatit të tyre. Pyetjet që të bën të ngresh ky trajtim kanë të bëjnë me moralin që po i edukon politika krejt shoqërisë. Kur politika sillet kështu me kategorinë, të cilën më pak se këdo tjetër duhet ta tallte e keqpërdorte, ç’mund të presin prej saj të tjerët? Mirë që Sali Berishës herë pas here i teket të nxjerrë ndonjë ligj tollombac për të mashtruar të burgosurit, sepse ai ka qenë komunist, por si ka mundësi që kemi një parti të tërë që funksionon si makinë mashtrimi dhe gënjeshtre? Si ka mundësi që nuk u ngrit njëri nga deputetët, apo intelektualët, apo anëtarët e thjeshtë të PD të thotë s’duhet të tallemi me këta njerëz jo thjesht për hir të tyre, por për atë se shoqëria duhet të mësojë të respektojë fjalën e dhënë dhe vuajtjen? Përgjigjet ndaj këtyre pyetjeve të çojnë te një e vërtetë shumë e hidhur, që e tejkalon shumë fatin e ish-të burgosurve politikë. Trajtimi i ish-të burgosurve thjesht dhe vetëm si mall elektoral është tregues i mjerimit të një politike që e ka katandisur njeriun në përgjithësi në mall. Politikanët tanë të kujtojnë ata njerëz për të cilët thuhet se bëjnë keq pasi nuk e njohin, nuk janë edukuar me kategorinë e “së mirës” dhe “së keqes”, por njohin vetëm kategorinë e “më duhet”, “s’më duhet” dhe njerëz të tillë, fëmijë të rritur, fatkeqësisht psikologjia i fut në kategorinë e atyre që i quan  monstra. (Panorama, 14 mars 2012)

Read More......

Friday, March 9, 2012

Për çfarë ka nevojë më shumë Tirana

(Letër e hapur Kryetarit të Bashkisë Lulzim Basha)


Zoti Basha,
Këto ditë mora një ftesë për të marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së konkursit ndërkombëtar për projektin e zgjatimit të Bulevardit dhe lumit të Tiranës. Në pamundësi për t’u ndodhur në atë ceremoni, ku nuk di a do të kisha edhe mundësinë e marrjes së fjalës, më lejoni t’ju shpreh publikisht disa mendime që do të kisha dashur shumë t’i shprehja atje. Janë mendime të një qytetari të Tiranës, i angazhuar, me sa ka mundur, në mbarëvajtjen e kryeqytetit, por që i gjej edhe mes shumë bashkëqytetarësh, që bëjnë pjesë edhe ata, ashtu si unë, në kategorinë e atyre që ndjehen gjithnjë e më të zhgënjyer e më mosbesues në klasën tonë politike.
Së pari, tashmë dihet nga të gjithë, zoti Basha, se praktika e konkurseve ndërkombëtare – e futur nga paraardhësi juaj – ka një shije të hidhur për qytetarët e Tiranës. Kjo, pasi më shumë se sa për krijimin e projekteve më të mira, një praktikë e tillë ka shërbyer për të legjitimuar – duke shfrytëzuar kompleksin e inferioritetit të shqiptarëve ndaj perëndimorëve – projekte që kanë rezultuar masakruese për qytetin. E për këtë nuk janë për t’u fajësuar të huajt, por fakti se konkurset ndërkombëtare kanë shërbyer si marrje e një porosie për t’i qepur Tiranës një kostum në shërbim të një kaste që u pasurua në kurriz të shëmtimit të qytetit dhe përkeqësimit dramatik të cilësisë së jetës të qytetarëve të tij.

Personalisht mendoj se ne nuk vuajmë nga mungesa e ekspertëve, por nga mungesa e ndërgjegjes publike të politikanëve tanë, më së pari, dhe të specialistëve që punojnë për ta, më së dyti. Pra, në këtë kontekst, gjykoj se s’ka pse shpenzohen paratë e shqiptarëve të varfër edhe për ekspertë ndërkombëtarë e projekte ndërkombëtare nëse keni synim të sinqertë t’i shërbeni publikut. Por, edhe nëse gjithçka është “skicuar” tashmë nga interesa si ato që kanë qëndruar prapa paraardhësit tuaj, përsëri më duket i kotë konkursi ndërkombëtar.

Së dyti, lidhur me të parën, nga sa jam informuar, ideja juaj nënkupton hapjen e një blloku tjetër ndërtimesh të larta në Tiranë. Personalisht kam qenë i mendimit se Tirana do të ishte dashur të zhvillohej në atë zonë duke e ruajtur Tiranën historike, atë brenda Unazës dhe po ashtu rrethinat e saj në formë kurore të gjelbëruar, sa më të paprekur – kuptohet duke restauruar shumëçka. Për fat të keq, ajo që ka ndodhur në këto zona është e kundërta e kësaj: një masakër ndërtimesh me leje dhe pa leje. Ndërkaq, pas njëzet vjetësh, kjo masakër ndërtimesh ngre pyetjen për çdokënd që e sheh: a ka kalkuluar kush se sa ndërtime janë bërë në Tiranë, duke filluar që nga pallatet deri në shtëpitë dy-trekatëshe dhe se sa banorë ka Tirana? Sa nevojë ka, pra, për ndërtime të reja dhe se ku do të punësohen këta njerëz për të cilët po ndërtohet kaq shumë? Mendimi im, fatkeqësisht jo i bazuar mbi ndonjë numërim e studim serioz, por në mjaft të dhëna megjithatë, përveç atyre që na sheh syri dukshëm: tejshtrirja dhe tejdendësia e ndërtimeve, numri i stërmadh i ndërtimeve që janë të pambaruara, si dhe i atyre të mbaruarave që s’ua sheh ndonjëherë dritat ndezur, është se ndërtimet në Tiranë i tejkalojnë shumë nevojat për banim të tiranasve – pavarësisht se ka edhe njerëz të pastrehë për shkak të polarizimit etj. Kjo është pasojë e mungesës së strategjive të zhvillimit të qëndrueshëm, e faktit se prej kohësh industria e ndërtimit ka punuar thjesht për të ricikluar e mbajtur veten, duke bërë, mes të tjerash, edhe riciklim parash të pista, duke krijuar një lloj zhvillimi tumoral, dhe jo një zhvillimi të shëndoshë. Atëherë, kujt i shërben ideja që të vazhdojnë ndërtimet në Tiranë? Mos vallë qarkullimit e riciklimit të parasë me të njëjtën filozofi tumorale, si dhe atyre industrive të çimentos që po bëjnë një dëm ekologjik të paparë duke i zgjatur metastazat e tumorit në krejt trupin e vendit? Kësaj pyetjeje i shtoj edhe një argument tjetër shumë të rëndësishëm: faktin se, edhe nëse për këto ndërtime gjenden blerës, grumbullimi i të gjithë popullsisë së Shqipërisë në Tiranë jo vetëm se krijon një metropol edhe më të pamenaxhueshëm se sot me problemet e mëdha të punësimit, krimit, shërbimit etj., por edhe pakëson mundësitë për të shfrytëzuar tërë burimet natyrore që ka vendi. Ngulmoj se politika zhvillimi afatgjatë dhe të qëndrueshëm duhet të synonin një popullsi sa më të shpërndarë në të gjithë territorin, dhe jo këtë grumbullim të popullsisë në pellgun Tiranë-Durrës, siç stimulon edhe projekti juaj.

Së treti, duke pasur parasysh edhe gjithë sa thashë më lart, gjykoj se ju nuk mund ta bëni fakt të kryer realizimin e këtij projekti pa asnjë konsultim apo debat me qytetarët, siç ndodh rëndom në vendet demokratike, çka nuk e keni bërë përpara hapjes së këtij konkursi. Sepse pyetja që duhet t’u shtronit si kryetar Bashkie qytetarëve të Tiranës, sipas meje, duhet të ishte: për çfarë ka nevojë qyteti ynë sot: për t’u ngritur edhe një kantier tjetër çimentifikimi në veri të qytetit, apo për rikuperim dhe çlirim të hapësirave të gjelbra brenda zonave që ata banojnë, për shkolla, parqe, fusha sportive etj.? Përgjigjja ime, si qytetar i Tiranës, është se ne kemi nevojë që paratë tona publike të investohen për këtë të dytën. E në përgjithësi do të thosha se kështu mendojnë shumica e tiranasve që janë shumë mosbesues ndaj këtyre ideve të mëdha të lançuara me bujë për qëllime që kanë shkuar kundër interesave të tyre. Mirëpo ju duket sikur nuk doni t’ia dini se ç’mendojnë ata. Mos harroni se jo më shumë se disa muaj më parë ju u kritikuat se projektin e sheshit “Skënderbej” e realizuat pa u konsultuar me askënd – dhe rezultati nuk ishte aspak entuziazmues – ndërkohë që në fushatën elektorale, një nga premtimet kryesore patët konsultimin me qytetarët e Tiranës.
Me shpresë (të vakët) se këto shqetësime do të merren në konsideratë,

Fatos Lubonja

(Panorama, 8 mars 2011)

Read More......

Wednesday, March 7, 2012

Presidenti që na duhet dhe Presidenti i politikës


Edhe qytetari më i paregjur me politikën shqiptare, i pyetur për Presidentin që na duhet, e di se si ta formulojë përgjigjen. Ne na duhet një President i paanshëm, që të qëndrojë përmbi palët, moralisht i respektuar prej tyre,  që të jetë aktiv në ngjarjet e rëndësishme, pa qenë invadent në pushtetet e tjera, por edhe pa qenë indiferent. Ne na duhet një President  konsensual, që të paqtojë konfliktualitetin shkatërrues që ka përfshirë politikën, i cili do t’i dedikohej kryesisht punës për forcimin e pavarësisë së Prokurorisë e Drejtësisë. Sepse treni ynë i demokracisë ka ndalur në vend për shkak të grindjes se kush do të marrë timonin, ndërkohë që treni normalisht duhet të ketë jo vetëm shofer, por edhe kontrollor. Rolin e kontrollorit e kanë luajtur sot për sot, mirë a keq, ndërkombëtarët. Ne na duhet një President, pra, që të fillojë të hedhë themelet e transferimit të këtij pushteti prej kontrollori të ndërkombëtarëve tek institucionet shqiptare e të ndihmojë ecjen e trenit.
Mirëpo, kur vjen puna për Presidentin që i duhet politikës, përgjigjja vjen e komplikohet. E para gjë që të vjen të thuash është se të dyja palëve u duhet një President që ta përdorin në luftën e vet kundër tjetrit. Dhe që këtu del papajtueshmëria e thellë midis asaj për të cilën kemi nevojë (vullnetit për bashkëpunim që treni të ecë) dhe asaj që na ofrohet (lufta pa kompromis që treni të ngecë), në atë pikë sa të vjen të mendosh se Presidenti që na duhet, po të jetë vërtet i tillë, nuk mund të pranojë të jetë kandidat për President i propozuar nga këto dy palë, sepse do të jetë i shtrënguar të bëjë të kundërtën e asaj që na duhet.

Tashmë është bërë e qartë se Berishës i duhet një President me anë të të cilit të mund të kapë tërë institucionet që i kanë mbetur pa i kapur. Dhe për këtë, për fat të keq, ka mbështetjen edhe të ligjit kushtetues të aprovuar nga të dyja palët, në një kohë kur Rama mendonte se mund t’i kapte ai të gjitha. Dhe për të arritur këtë, Berishës i leverdis më shumë se çdo gjë ajo që nuk na leverdis ne; polarizimi dhe konfliktualiteti i ndezur me opozitën. Në këto kushte, ai ka të drejtë të thotë: ata të nxjerrin kandidatët e tyre, ne nxjerrim tanët dhe ligji me votë përcakton se cili do të jetë fituesi. Edhe rasti i kandidimit të mundshëm të Nanos është interesant në këtë aspekt. Pse Berisha thotë që Nanon duhet ta paraqesë PS-ja si kandidat? Sepse Berisha nuk e do Nanon President. Kështu, si kandidat i PS-së, Nano do të kishte përballë kandidatin e PD-së dhe maxhoranca s’mund të votojë për Nanon kur ka kandidatin e vet.

Në këto kushte, disa thonë se opozitës nuk i ka mbetur rrugë tjetër veçse ta pranojë arrogancën e maxhorancës, d.m.th. që Berisha të zgjedhë Presidentin që do ai, të zgjedhë edhe Prokurorin që do ai, me shpresën se pastaj do t’i tregojë popullit fytyrën autoritare të Berishës, dhe ky të reagojë nëpërmjet zgjedhjeve. Mirëpo, për mendimin tim, ky është një qëndrim i gabuar. E para, është e gabuar moralisht, sepse kjo do të thotë ta futësh vendin në një rrezik të madh vetëm duke kalkuluar përfitimet e tua. E dyta, një fuqizim i tillë i Berishës do ta bënte edhe më të vështirë votën e lirë të shqiptarëve jo thjesht sepse ai kështu do të kontrollojë akoma më mirë edhe Komisionin Zgjedhor, por edhe për shkak se kontrolli i të gjitha institucioneve jep mundësi shumë më të mëdha për të kontrolluar e kapur gjithçka. Më shumë gjasa ka që në këto kushte të arrijmë në finalizimin e putinizmit, që do të thotë një maxhorancë e fuqishme përballë një opozite gjithmonë ekzistuese si fasadë e demokracisë, por e pafuqishme për të ardhur në pushtet. Edhe Turqia e Erdoganit thuhet se është pak a shumë në këto ujëra. Shtoi kësaj edhe faktin se në vendin tonë është ndërtuar një marrëdhënie e qytetarit me ligjin plot shkelje ligjore, klientelizma, korrupsion e më the të thashë, çka e bën shumë të lehtë shantazhimin e kujtdo që do të guxojë nesër të ngrejë kokën më shumë se ç’e lejon putinizmi. Ajo çka po i ndodh Kreshnik Spahiut, është edhe paralajmërim i kësaj.
Gjykoj se në këto kushte, opozita do të duhej të zgjidhte një tjetër rrugë, më të dobishme për veten dhe për vendin, sesa lufta për ta ruajtur konfliktualitetin e polarizimin të fortë e të ndezur, duke synuar të kalojë në anën e vet të gjithë ata që nuk janë me Berishën. Opozita duhet të luftojë duke na paraqitur projekte të qarta, për të na bindur se kërkon të ndërtojë institucione të pavarura; se kërkon arbitër midis palëve, se kërkon ta transferojë pushtetin nga individët Berisha Rama, që as dorën nuk i japin njëri-tjetrit, duke krijuar një klimë anormale e të sëmurë në vend, tek institucionet. Institucioni i Presidentit që na duhet, siç e përshkrova në fillim e që do të zgjidhte një prokuror të paanshëm, është themelor në këtë drejtim. Për këtë opozita mendoj se ka mbështetjen jo vetëm të opinionit të pamilitantizuar, por edhe të ndërkombëtarëve – që Berisha s’mund t’i anashkalojë lehtë. Sepse fakti që Shqipëria është në Europë dhe në NATO nuk mund t’i bëjë ata indiferentë ndaj vendosjes së një putinizmi në Shqipëri. Dhe e vërteta është se i duam, nuk i duam ndërkombëtarët, ndjehemi apo nuk ndjehemi të poshtëruar nga pushteti i trojkës Arvizu – Sequi – Vollfart, ata janë të rëndësishëm për pengimin e shkarjes së vendit në një regjim. Pra Berishës i duhet ta ketë të qartë se në kushtet ku gjendet Shqipëria, një kandidat i tij i paaprovuar nga opozita do të ishte një vajtje shumë larg, e papranueshme. Por, edhe Rama duhet ta ketë të qartë se nuk duhet të punojë për një President që nesër, kur ndoshta mund të fitojë zgjedhjet, ta ketë nën hyqmin e vet. Pra, tek e fundit, duhet të ekzistojë ose vullneti politik për të paqtuar situatën, ose shtrëngimi ndërkombëtar që do ta bënte, si të thuash, të detyrueshme një gjë të tillë.

Fakti që kjo ka pak gjasa të ndodhë, fakti që Presidenti që i duhet vendit është i papajtueshëm me Presidentin që i duhet politikës, pasi klima konfliktuale që kanë krijuar të dyja palët nuk mund të lejojë të mbijetojë një President mbi palët dhe as një Prokurori e Drejtësi mbi palët, nuk duhet të na bëjë të heqim dorë nga kjo kërkesë dhe të presim me fatalitet çfarë do të ndodhë. Secili duhet të bëjë çka mundet për një President që, edhe pse nuk do të jetë ai që na duhet ne, por i politikës, të jetë sa më i pranueshëm nga të gjithë. (Panorama, 7 mars 2011)

Read More......