Tuesday, May 29, 2012

Gazetaria dhe universitetet private

Para disa ditësh, Henri Çili, i cili, me sa di unë, përveçse gazetar analist, është pronar kryesor dhe menaxher i Universitetit Europian të Tiranës, pronar i gazetës “Mapo” dhe revistës “Mapo”, i shtëpisë botuese “Mapo” (nuk marr përsipër të di të gjitha funksionet e Çilit, por thonë se ka edhe disa funksione të tjera si këshilltar  në shtet dhe në shoqërinë civile), botoi në gazetën e tij “Mapo” një letër të hapur me të cilën i drejtonte publikut, por në mënyrë të veçantë disa emrave të mediave, shqetësimin për “linçimin” e padrejtë, sipas tij, të të gjitha universiteteve private, ngase i futën të gjithë në një kallëp me Kristalin e Renzo Bossi-t.

Duke qenë se bëj pjesë ndër të përmendurit me emër, po shpreh disa mendime rreth dy aspekteve që më tërhoqën vëmendjen në mënyrë të veçantë. E para, përmendja e emrave të njohur të gazetarisë si zhgënjyes për Çilin në debatin mbi universitetet; e dyta, çështja e universiteteve në Shqipëri dhe se çfarë duhet bërë për të ndryshuar gjendjen e tyre.

Po e filloj nga e para.

Çili shtron pyetjen se pse akademikë, pedagogë dhe veçanërisht gazetarë të njohur, që kanë pasur rastin ta prekin, sipas tij, nga afër cilësinë e UET-it, nuk kanë thënë asnjë fjalë të mirë për universitetin e tij. Kjo ngriti, në fakt, jo pak pikëpyetje te publiku i gjerë mbi rolin që kanë gazetarët në këto universitete. Në fakt, po të lexoje me vëmendje nëpër rreshta, renditja e emrave të njerëzve të medias s’përmbante vetëm zhgënjimin e sinqertë të Çilit me ta. Meqenëse shumë prej tyre i ka edhe të njohur apo kolegë, sqarimin për heshtjen ai mund t’ua kërkonte, më së pari, në rrugë personale, kurse nxjerrja në media, sipas meje, kishte edhe synime të tjera. Personalisht, “përvojat” që rendiste Çili, të cilat, sipas tij, u kanë vërtetuar këtyre gazetarëve cilësinë e UET-it, m’u dukën më shumë si favore personale dhe prapa ndjenjave të zhgënjimit personal nuk mund të mos ajgëtoja në to një mendim që Çili s’ka munguar të ma shprehë edhe publikisht: ju që hani nga ky sistem, që keni marrë edhe goxha para prej tij, pse nuk e mbroni atë? Pale që ka edhe ndonjë mosmirënjohës si Lubonja që arrin deri ta na shajë. Madje, madje, nuk mund të mos u asocioje atyre edhe një kërcënim me elegancë: pra, ju, që hani te ne, kini kujdes se po nuk na shërbyet, mund t’ua heqim edhe bukën e gojës.

Çështje e marrëdhënieve të lirisë dhe mundësisë së shprehjes së individëve me sistemin ku ata punojnë është një çështje principiale dhe, për mua, sot e gjithë ditën e pazgjidhur, madje edhe e rënduar në shoqërinë shqiptare.

Është e vërtetë se ne hamë/jetojmë brenda sistemit ekzistues, ku kam parasysh jo vetëm atë mediatik, por edhe më gjerë: atë politik, ekonomik, administrativ etj. Por më së pari na duhet të bëjmë një sqarim se çfarë duhet të kuptojmë me këtë sistem. Personalisht kuptoj dy gjëra që kanë, mes tyre, pika takimi dhe ndarjeje. Më një anë, po të kemi parasysh Kushtetutën, ligjet dhe po ashtu aspiratat, ne jemi një sistem demokratik, çka nënkupton para së gjithash disa liri themelore si ajo e fjalës, e manifestimeve, e krijimit të partive, e tregut të lirë; meritokracinë, sundimin e ligjit mbi krimin dhe po ashtu edhe ndarjen e pushteteve, ndër të cilat do të përmendja, në këtë rast, pushtetin e mediave. Por, më anë tjetër, ne sigurisht nuk mund të themi se funksionojmë dhe ushqehemi sipas këtij sistemi, përkundrazi, te ne ka një grumbullim në pak duar të pushtetit politik, ekonomik dhe mediatik, që kanë kapur tregun nëpërmjet klientelizmit e korrupsionit, ku një rol të rëndësishëm luan edhe krimi i organizuar, madje. Megjithatë, midis këtyre dy sistemeve, ku të parin po e quaj fasada, – apo “sistemi i të ndershmëve” po të doni, kurse të dytin – për të rimarrë temën e shkrimit tim paraardhës, – “sistemi i maskarenjve”, nuk ka një vijë ndarëse të prerë. Ç’kuptoj me këtë? Le ta shpjegoj nëpërmjet komentimit të një mesazhi që më shkruante së fundi një lexues: “Tek lexoja shkrimin tuaj m’u kujtua një nga seritë e serialit ‘EZEL’; ku personazhi në fjalë i drejtohet një kryebanditi, si këta tanët, me kërcënimin se do t’i tregojë të fshehtat e tij para një tryeze me miq. Banditi, duke qeshur, i përgjigjet: ‘Mendon ti se kam frikë për ato që do të thuash? Aspak, se këta që të dëgjojnë do ta harrojnë në çast atë që thua ti, pasi janë si unë. Ti flet se të lejoj unë, ose me saktë, ti jeton se të lejoj unë. Gazeta që blen, banka ku ruan paratë e çdo gjë qe ke janë të mijat’ […]. Ju shkruani e flisni, zoti Lubonja, se duan ata; se jo vetëm nuk përbëni asnjë shqetësim për ta, por u shërbeni pasi u duhet një zë si i juaji për të provuar se janë demokratë”. (http://perpjekja.blogspot.it/2012/05/beautiful.html)

Jam edhe nuk jam dakord me këtë konstatim të lexuesit. I gjithë problemi është se lexuesi im “sistemin e të ndershmëve” e sheh si formë/fasadë, kurse atë “të maskarenjve” si substancë apo përmbajtje. Mirëpo, sikurse dihet, kategoritë aristoteliane formë/përmbajtje janë të vjetruara tashmë, pasi forma (në këtë rast fasada “për t’u dukur si demokratë”) është edhe përmbajtje. Fakti që edhe “maskarenjtë” që duan të aplikojnë sistemin e dytë flasin gjithë ditën se po ndërtojnë e po punojnë për të parin e ka një kuptim, d.m.th. përmbajtje. Asnjë kryeministër, për shembull, nuk guxon sot të thotë hapur në Shqipëri se, meqenëse është qeveria e tij ajo që i paguan rrogat Këshillit Drejtues, drejtorit dhe gazetarëve, ai ka të drejtë ta vërë TVSH-në në shërbimin total të vetin, siç ndodh te ne ditën për diell. Asnjë pronar mediash private nuk thotë dot publikisht se ka hapur një televizion apo gazetë për të mbrojtur interesat e biznesit të tij, paçka se edhe kjo ndodh ditën për diell. Edhe shumica e gazetarëve, që bëjnë politikat editoriale, meazallah se thonë se i hartojnë ato sipas diktatit të padronit, por sepse këto janë bindjet e tyre. Kjo, sipas meje, vjen sajë presionit që dikton “forma”/fasada, d.m.th. sistemi i parë mbi të dytin. Sipas sistemit të parë, nëse qeveria/shteti apo kompani private si “Vodafone”, “AMC”, japin para reklamash për televizionet dhe gazetat, këto nuk i japin për të mbajtur në pushtet një kryeministër apo për të pasuruar x apo y pronar, por që të krijojnë lirinë e shprehjes. Dhe ky është një realitet, nuk është një gjë virtuale, sikurse mendojnë disa. Sipas sistemit të dytë, të gjitha paratë publike e private të reklamave duhet të vihen në shërbim të pushtetit dhe pasurimit të disa individëve, e, nëse këto nuk mjaftojnë, këta do të vënë para të tjera, nga fitimet e tjera, që do t’i kompensojnë pastaj nëpërmjet shërbimeve apo shantazheve që do t’i bëjnë politikës. Mirëpo edhe ky sistem, që disave u duket si realiteti i gjallë, i pamposhtshëm, i përjetshëm, është gjëja më virtuale, më e brishtë, një fantazmë pushtetin e së cilës e mban në këmbë frika e njerëzve prej saj. Fakti është se të dyja këto sisteme, sikurse e thashë më lart, nuk janë të ndara me thikë njëri-me tjetrin, por kanë osmozat e tyre, pika takimi me njëri-tjetrin dhe përbëjnë një realitet të vetëm. E nëpër këto osmoza duhet të gjykojmë edhe lojën dhe rolet e individëve që punojnë brenda sistemit, se sa disa kërkojnë, me më shumë a më pak kurajë, të zgjerojnë hapësirat e lirisë që u ofron sistemi i parë dhe sa disa të tjerë punojnë për sistemin e dytë apo i nënshtrohen atij.

Është e vërtetë se sistemi i dytë, i maskarenjve, punon që këtë liri ta bëjë sa më të parrezikshme për të, ta kërcënojë me psikologjinë e frikës së sistemit të vjetër totalitar, me mendësinë e klanit që ka peshë më shumë se ligji, me mendësinë padron – skllav: unë të jap të hash, ti duhet të më shërbesh, ashtu sikurse edhe me metoda “të reja” – “të tregut” do t’i quante Çili – duke injektuar para për të anestezuar koshiencën publike nëpërmjet pagimit të atyre që duhet të jenë realisht sensibilizuesit e saj. Dhe duhet pranuar se deri më tani, si pasojë e kësaj loje, realiteti i mediave është i turpshëm, por, për arsyet që u rreka të shpjegoj më lart, për shkak të osmozës me sistemin fasadë, rezultantja nuk është e zhveshur nga elemente të demokracisë si sistem që i jep mundësi vetes të përmirësohet, mu pse e lejon kritikën ndaj tij. Ky është një sistem pra që po të kolapsojë, nesër nuk mund të dalë dot dikush të thotë: “Ishim të gjithë bashkëfajtorë dhe bashkëvuajtës”. Jo, ky ka fajtorë ligjërisht, ka përgjegjës moralisht, ashtu sikurse ka edhe mjaft viktima. E përsëris, me kontributin e shumëve si Çili, ka një prirje të përgjithshme për ta bërë bashkëfajtore të gjithë elitën e vendit, veçanërisht duke injektuar para për anestezimin e ndërgjegjes publike. Edhe tekstin e tij unë kështu e kuptova: si një dëshmi përpara publikut se edhe këta që hiqen si burra të mirë, te ne hanë. Kështu e kuptova edhe karikaturistin e gazetës së tij “Mapo” (që s’u lodh, i shkreti Bujar, së përkuluri shpinën padronit të radhës), kur, pas shkrimit tim “Të diplomuar për maskaralogji”, shtronte pyetjen: Mirë ne qenkemi maskarenj, po ky Lubonja çfarë e di veten, burrë më të mirë se ne? A thua se futja ime në radhën e maskarenjve lan fytyrën e Kapexhiut dhe padronëve të tij. Më troç dhe shumë sinqerisht, përgjigjja ime është kjo: tjetër gjë është të prodhosh mut gjithë ditën dhe tjetër gjë është të mbash erë sepse jeton në mut, – duke e shprehur ose jo, sipas hallit, shqetësimin për erën e keqe. Sepse, kur prodhon mut dhe don të pasurohesh nëpërmjet tij, nuk të mjafton heshtja e shumë kolegëve që po rrinë në nevojtoren tënde me hundë të zëna, por kërkon që ata edhe të reklamojnë “erën e mirë” që vjen prej saj. Përsa më përket, Çili e di mirë se të paktën për erën e keqe s’kam reshtur së shkruari, por ai përsëri bën gazetarin e keq, kur ndërkohë që përmendte blerjen nga UET-i më 2007-n të njëqind a dyqind kopjeve të librit “Si bëhet një punim diplome”, “harronte” se po në atë kohë unë i refuzova të bëhem anëtar, madje kryetar, sipas propozimit të Çilit, të bordit të UET-it mu pse kam qenë parimisht kundër modelit të këtyre universiteteve. Dhe, meqë ra fjala, bëj çudi pse Çili nuk rreshtoi në listën e atyre që e kanë zhgënjyer me heshtjen e tyre edhe anëtarët e nderuar të bordit të tij me në krye kryetarin Ismail Kadare dhe nuk vuri edhe rrogat mujore që u ka dhënë? A nuk është detyrë e anëtarëve të bordit mbikëqyrja dhe pastaj mbrojtja e universitetit, apo ato rroga jepen për tjetër gjë?

Gjithsesi, nuk mund të mos shtrohet pyetja: a ka ndonjë problem moral në faktin që, siç pretendoj unë, disa, edhe pse marrin e japin me sistemin, ruajnë lirinë për ta kritikuar atë? Sipas meje ka, por jo ai që presupozon Çili: se nuk duhet të flasësh kundër padronit që të jep të hash, por sepse kjo mund të të pengojë të flasësh sa duhet kundër tij, duke e bërë kështu publikun, që ka nevojë të ketë besim tek elita e tij intelektuale, të të shohë si “qen roje” të padronit. Heshtjen e akademikëve dhe gazetarëve Çili mund ta interpretonte edhe kështu pra: se këta gazetarë, analistë, akademikë, profesorë – duke më përfshirë edhe mua – nuk kanë bërë sa dhe si duhet detyrën e tyre mu pse kanë pasur privilegje prej universitetit të tij ose prej universiteteve të tjera, dhe jo, siç reklamon lart e poshtë nëpër media, se sistemi i tij ua ka rritur rrogat e mirëqenin siç nuk e kishin menduar ndonjëherë, prandaj duhet të flasin mirë për ne. Filozofi dhe teologu italian, Vito Mancuso, hapi një goxha polemikë në Itali para ndonjë viti kur hoqi dorë nga botimi i librave të tij te Mondadori, duke u bërë thirrje edhe mjaft intelektualëve të tjerë që botonin atje të hiqnin dorë përderisa ishin kritikë të pronarit të kësaj shtëpie botuese, Berluskonit; pasi nuk ishte e moralshme që të kontribuonin për pasurimin e tij, prandaj duhet të zgjidhnin të tjera shtëpi botuese. Dhe këtu vijmë përsëri te thembra e Akilit të sistemit ku jetojmë, që Çili e njeh dhe e përdor shumë mirë për interesat e tij kur, indirekt, na thotë: unë jam më i mirë ndër të këqijtë, prandaj ejani tek unë. Sepse ndërkohë që më një anë mundësia për të ndërtuar një media private që të punojë sipas meritokracisë, konkurrencës së lirë, reklamës, sipas audiencës apo tirazhit të gazetës është dhunuar rëndshëm nga klientelizmi, korrupsioni dhe paraja e pisët, më anë tjetër, media publike, që sipas meje është forma më e mirë për ta çliruar gazetarinë nga interesat e kësaj privateje, është kthyer në veglën më të shëmtuar të qeverisë, aq sa mediat private duken përsëri demokratike në krahasim me të. E në këto kushte, mbetet e hapur pyetja: a ka mundësi ky realitet kështu siç është katandisur nën thundrën e atij që e quajta “sistemi i maskarenjve”, të përmirësohet nëpërmjet kritikës, që, siç e thashë, gjithsesi, nuk i ka munguar, apo, përkundrazi, siç thotë lexuesi im, kjo kritikë “nuk përbën asnjë shqetësim” për Çilin&Co, madje u bën mirë, pasi u ve një kollare demokratike?

Ka një fjali kuptimplote në këtë drejtim që mund të shërbejë si busull: “eliminim i konfliktit të interesave”, me të cilën duhet të kuptojmë më së pari një aksion radikal që duhet të ndërmarrë shoqëria për të ndarë punën e atyre individëve që kanë pranuar të punojnë për interesin publik, në krye të të cilëve bashkë me politikanët hyjnë edhe gazetarët, nga ata që punojnë për interesin privat. Një aksion ky, që, dy herë i dështuari në politikë Sali Berisha, e premtoi më 2005-n dhe e harroi sapo mori pushtetin. Por, këtë temë po e lë ta trajtoj në shkrimin pasardhës, ku do të merrem me çështjen e dytë që më tërhoqi vëmendjen në shkrimin e Çilit: Ç’duhet bërë për të ndryshuar gjendjen e universiteteve tona private dhe publike.  (Panorama, 29 maj 2012)
 

Read More......

Tuesday, May 22, 2012

Të diplomuar për maskaralogji


Kam disa ditë që ndodhem në Itali dhe po çmeritem me zhurmën që paska bërë këtu diploma e blerë në Shqipëri e Renzo Bossi-t. Është kthyer në barcaletën e ditës. Në një emision special të LA 7, që zgjati tre net, “Quello che non ho” (Ajo që nuk kam), drejtuar nga Fabio Fazio dhe Roberto Saviano, me të ftuar të nivelit më të lartë të kulturës italiane, ajo u përmend nga tre të ftuar. Në të tria rastet roli i Shqipërisë ishte ai i krahasimit me atë më të keqen e mundshme. Pak a shumë, po të perifrazoja një barcaletë të shpikur në kohën e komunizmit për t’u tallur me filmat kinezë të kohës së Revolucionit Kulturor (me një konotacion edhe racist), humori ishte i tipit: ka studentë të mirë, shumë të mirë dhe të mrekullueshëm: ka studentë të këqij, shumë të këqij dhe të diplomuar në Shqipëri. Aq sa, të them të drejtën, ndonëse, sikurse më njeh edhe lexuesi, nuk ushqej ndjenja nga ato të krenarisë kombëtare, më kapi një lloj inati jo vetëm me këta tanët që na shtuan edhe këtë damkë, sikur të mos na mjaftonin ato të trafikantit të drogës e prostitutave dhe mafiozit, por edhe me italianët. Fillova t’u shpjegoj atyre që njoh, ku të mundja, se këto lloj maskarallëqesh i kemi mësuar prej tyre, duke filluar që me Berluskonin dhe berluskonizmin, se ne, për shembull, nuk kemi pasur më parë biznesmenë që bëheshin edhe pronarë mediash, edhe presidentë klubesh futbolli, edhe aspirantë për Kryeministër, paçka se pastaj, nga injoranca dhe naiviteti, këto figura i kemi çuar deri në karikatura.

Nejse, le t’i kthehemi emisionit në fjalë. Ajo që më mbeti në mendje nuk qe një humor i Paolo Rossi-t kur bëri një rrimë të tipit “laurea in economia/ … Albania”, as ironia therëse e Travaglio-s, që, për të fshikulluar të vetët, përdori laurean e Kristalit si fundin e botës, por një monolog i gjatë i komikes Luciana Littizzetto.

Emisioni i Fazio-s dhe Saviano-s u dedikohej fjalëve. Çdonjëri nga të ftuarit e shquar kishte zgjedhur një fjalë:  dikush fjalën “përgjithmonë”, dikush fjalën “fletore”, dikush “fëmijë”, dikush “koha”, dikush “bashkëjetesa”, dhe  zhvillonte pastaj një monolog të shkurtër përpara publikut rreth asaj se çfarë i evokonte kjo fjalë. Litttizzetto, si komike që është, kishte zgjedhur fjalën “stronzo”, që në shqip nuk është lehtë të përkthehet, por për mua përkthimi më i mirë është “maskara”. Gjatë lakimeve dhe stërlakimeve të stronzo-s, Littizzetto, midis të tjerave, arriti edhe te Shqipëria jonë e diplomave universitare. Dhe si arriti? Filloi në fillim të shpjegojë se, që të bëhesh “stronzo”, d.m.th. maskara, duhet që në një fazë më të hershme të jesh “cretino”. Këtu kam një problem me përkthimin shqip të kësaj fjale, jo aq pse s’mund t’ia gjej një fjalë – e para që më vjen në mendje është “budalla”, – por sepse Littizzetto përdori më pas edhe një fjalë tjetër, të cilën unë, me të parën, do ta përktheja përsëri “budalla”: fjalën “scemo”. Që t’ia shpjegoj lexuesit në italisht – se pastaj, dora-dorës, mund t’ua gjejmë edhe një përkthim më të saktë fjalëve në shqip – Littizzetto tha se, për të kaluar në shkallën e stronzo/maskarait duhet që, më parë, të jesh në nivelin e cretino-s. Pra cretino-ja, nëpërmjet “studimeve” dhe “arritjeve” në jetë, arrin të ngjitet në nivelin e stronzo/maskarait. Ndërkaq, tha ajo, janë edhe scemo-t, të cilët, sado të përpiqen, nuk e marrin dot kualifikimin në cretino që pastaj të mund të laureohen në stronzo/maskara – dhe këtu, vini re çfarë tha: “Edhe sikur të marrin një ‘laurea’ në Shqipëri”. Pra, sipas saj, një scemo, edhe sikur të marrë një laurea në Shqipëri, nuk arrin dot të bëhet cretino, që të mund të ngjitet pastaj në nivelin e stronzo/maskarait – dhe nuk e përmendi fare faktin e blerjes, as Kristalin, pasi për të, si e blerë, si e vërtetë, si në Kristal si në USHT, diploma, ishte e njëjta gjë.

Të them të drejtën, ashtu me intuitë, them se “scemo” në shqip duhet ta përkthejmë “debil”, kurse “cretino” mund ta lemë “budalla”. Megjithatë, në këtë pikë më mirë po hap fjalorin italisht – shqip ku shoh se “scemo” mund ta përkthejmë edhe “i metë”. Pra, sipas kategorive të Letizeto-s, një debil ose i metë, si puna e Renzo Bossi-t, edhe sikur të marrë një diplomë në Shqipëri në universitetet tona, nuk mund të arrijë të bëhet dot stronzo/maskara. Siç është i ati, Umbertoja p.sh., i cili më një anë flet gjithë ditën kundër emigrantëve, madje edhe organizon polici vullnetare kundër rrezikut të tyre, e më anë tjetër vjen e blen me paret e partisë laurea për të birin në Shqipëri.

Tani, le të përpiqemi t’i aplikojmë këto kategori në realitetin tonë politik – social – ekonomik – kulturor - arsimor – letrar – artistik etj. E para gjë që më vjen të them është se duhet të nisemi nga një e dhënë që në Shqipëri e gjen si qiellin, tokën, ujin, ajrin: faktin se ne kemi një numër jashtëzakonisht të madh maskarenjsh që japin kontributin e tyre të shquar në politikë, ekonomi, arsim, kulturë, art, gazetari e me radhë. E dyta, se para së gjithash duhet të shohim pjesën plot të shishes, d.m.th. atë që na jep optimizëm dhe shpresë për të ardhmen. Dhe them se ne, si popull, kemi arsye ta shohim goxha pozitivisht këtë të dhënë. Pse e them këtë? Pasi, duke parë numrin e madh të maskarenjve që kemi, rezulton se ne kemi shumë pak debilë, që do të thotë shumë pak njerëz me të meta mendore. Dikush do të thotë: Po mirë, po gjithë ata prindër që i çojnë fëmijët në këto universitete, ku i fute ti? Nuk të duken debilë që hedhin paret e kursimet e tyre në ato piramida, pasi e kanë ngrenë edhe nja dy herë të tjera me piramida të llojeve të tjera? Hëm, ky është një kundërargument i fortë, por, sipas meje, nuk duhet ta marrim kaq negativisht këtë punë. Vetë fakti që ata arrijnë të fitojnë aq sa të mund të paguajnë shkollat e fëmijëve të tyre me shifra që shumica e shqiptarëve nuk i përballon dot – dhe shumë më të larta edhe se në Europë, ku dominojnë universitetet publike – tregon se nuk mund të jenë kurrsesi me të meta mendore. Jo, për mua ata mund të jenë më shumë “cretini” që janë ngjitur në shkallën e “stronzo”- ve – një pjesë edhe nga halli, sigurisht – sesa “scemi” që, mund ta përkthejmë edhe “të trashë”. Pse e them këtë? Pasi, sipas meje, ne jetojmë në një vend ku, siç e ka konfirmuar, me të thënë e me të bërë, edhe vetë kryetari i opozitës, nuk i ngjit dot shkallët e jetës pa u bërë maskara. Pra dua të them se nuk është se këta prindërit nuk e dinë se ku po i çojnë fëmijët, por kjo është mënyra për t’u ngjitur këtu te ne, për t’ua hedhur edhe atyre që kanë bërë shkolla më të mira… sigurisht, pasi të bëhen edhe militantë të ndonjë partie.

Prandaj, për të mbetur në anën plot të shishes, do të thosha se ne duhet të krenohemi që shkollat tona fillore shatë–tetë-nëntëvjeçare dhe të mesme në përgjithësi, kanë nxjerrë dhe nxjerrin cretini/budallenj që i kanë të gjitha mundësitë që, kur të mbarojnë universitetet tona, të laureohen në maskarenj. Madje edhe shkollat e komunizmit s’kemi pse i shajmë në këtë drejtim, sepse numri i maskarenjve që ato kanë nxjerrë është i pafundmë.

Tani le të vijmë në pjesën bosh të shishes. Ç’është e vërteta, “maskara” nuk është ndonjë lëvdatë, prandaj, numri i madh i maskarenjve vërtet tregon se kemi pak debilë, por, gjithë sipas përkufizimit të Littizzetto-s, tregon se kemi shumë cretini. E para e punës them se në këtë pikë na duhet të ndalemi pak më mirë në përkthimin saktë të asaj se ç’duhet të kuptojmë me “cretino” në shqip dhe për këtë mund të na ndihmojë edhe hulumtimi i asaj se çfarë kanë në ADN e tyre cretino/budallenjtë që i dallon nga scemo/debilët më një anë, por edhe çfarë i shtojnë vetes ata, si vlera intelektuale dhe morale, kur shndërrohen në maskarenj, më anën tjetër.

Dallimi i parë është i qartë: debilët janë njerëz me të meta mendore që nuk bëhen dot të rrezikshëm për shoqërinë, kurse maskarenjtë janë të rrezikshëm. Por çfarë i shtojnë vetes cretini/budallenjtë për t’u graduar në maskarenj? Sipas meje, kur themi “budalla”, që, edhe sipas fjalorit, është përkthimi më i drejtë i “cretino”, ne kemi parasysh disa kuptime të fjalës. Njëri prej tyre është ai që gjejmë në shprehjen: “Sa budalla që jam!”, “Pse, budalla është ai?”, që sugjerojnë idenë se, po nuk bëre siç bëjnë të tjerët, d.m.th. maskarenjtë, të quajnë budalla. Pra budallai tek ne ka edhe kuptimin e naivit apo njeriut të mirë që s’vjedh dot, nuk mashtron dot, nuk ua fut dot të tjerëve etj. si këto; shkurt, një njeri që nuk ngrihet dot në nivelin e maskarait. Po atëherë, cili është dallimi i këtij me cretino/budallain që bëhet maskara, nëse konditë e domosdoshme për t’u bërë stronzo/maskara është që të jesh më së pari cretino? Më duket se në këtë pikë del qartë se, për përkthimin e “cretino” në shqip, duhet të bëjmë dallimin midis cretino-s që s’bëhet dot maskara dhe atij që bëhet. E për këtë ndoshta duhet të kërkojmë një fjalë sinonim të budallait. Duke pasur parasysh se stronzo/maskarai ka në bazën e tij prej cretino/budallai edhe një lloj guximi e paturpësie për t’u bërë keq të tjerëve, do të thosha se fjala më e përshtatshme për gjendjen e tij para gradimit në maskara ndoshta nuk është budalla, por… “trap”. “Trapi” sipas meje, edhe e ka brenda budallain, – kur themi p.sh. “ai është trap i gjithi”, – por edhe ndryshon nga budallai, sepse shpesh themi “trap” për një njeri që nuk është thjesht naivi i paditur që rri në punën e vet, por një ambicioz në veprim, që edhe pse nuk sheh përtej hundës së tij, i fut hundët në punët e gjithë botës, derisa bëhet edhe kërcënim publik. Trapi ka besim se, me pak shkollim mund t’ua hedhë të gjithëve, dhe kalon kështu shpejt e shpejt në nivelin e maskarait. Dikush do të thotë: Po atëherë “trap” dhe “stronzo” janë e njëjta gjë, pse ta përkthejmë “stronzo” në “maskara”? Jo, sepse “stronzo” në italisht apo “maskara” në shqip mund t’i thuash edhe një njeriu që në pamje të parë nuk duket fare si trap e që mund të ketë edhe tituj shkencorë, ndonjë master a doktoraturë për shembull, madje mund të jetë edhe Dr. prof. Pra duhet të ketë diçka më shumë trapi për t’u bërë maskara. Gjithsesi, sipas meje, – po hyj në të thella, të më falë lexuesi, – stronzo/maskarai, megjithëse mund të duket i suksesshëm, i kënduar, i lëvduar, megjithëse mund ta quajnë njeri karizmatik, mediatik, analist, opinionist, profesor, doktor, piktor, poet, shkrimtar, gazetar, filozof dhe megjithëse mund të ketë mbaruar universitetin jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Itali, Francë, Gjermani, SHBA, mbetet në bazën e formimit të tij, ose ndryshe, në thelbin e thelbeve të tij, trap i trapave. Ja për shembull, ata që hapin këto universitetet private, çfarë janë, sipas jush: budallenj, trapa apo maskarenj? Po ata që japin mësim nëpër këto universitete e që kanë goxha tituj shkencorë, po ata që firmosin edhe diploma si ajo e Bossi-t që po na bëjnë të skuqemi kur themi se jemi shqiptarë? Po ata të Ministrisë së Arsimit që ua akreditojnë? Po ata lart e më lart, me në krye Presidentin e Kryeministrin, që bëjnë sikur s’ka ndodhur asgjë, çfarë janë? Hëm, shumë larg shkon pyetja. Për mua janë trapa të shndërruar në stronzo/maskarenj pasi kanë studiuar, janë laureuar e pastaj kanë dhënë mësim në universitetin e madh shqiptar të stonzologji/maskaralogjisë. (Panorama, 22 maj 2012)

Read More......

Bulevardi i Bashës - gjë e re apo e vjetër


Bashkia e Tiranës prezantoi me pompë planin e bulevardit të ri. Nëse do të tentojmë t’i përmbledhim fjalët kyçe të këtij prezantimi, këto do të silleshin rreth premtimit se nëpërmjet këtij projekti do të përmirësohet “cilësia e jetës” në kryeqytet, pasi atje do të ndërtohen qendra kulturore, qendra komerciale, një park afër lumit, Pallati i ri i Drejtësisë, e po ashtu ndërtesa banimi luksoze e me hapësira të gjelbra, ndërtimi i të cilave, veç të tjerave, do të punësojë shumë njerëz – aq sa ky mund të konsiderohet një pol i ri ekonomik.

Mirëpo, nuk mund të mos shtrohen të paktën dy pyetje lidhur me këtë projekt. E para është ajo se përse na duhet ne një pol i tillë ekonomik, që nënkupton zgjerimin edhe më të qytetit të Tiranës me çimentifikim dhe me ndërtime që kanë shpenzime të mëdha edhe publike, edhe private? A është bazuar Bashkia në një studim strategjik lidhur me këtë, duke marrë parasysh sa perspektivat e punësimit në Tiranë për banorët e rinj që parashikohet të banojnë aty, aq edhe kryerjen e një inventari të ndërtimeve që kemi sot në raport me popullsinë (se sa janë shitur dhe sa janë pa shitur), apo ka rimarrë thjesht një ide të zhvillimit të Tiranës të hedhur në kohën kur s’ishte kryer masakra urbane e këtyre njëzet vjetëve? Ka disa zëra, për hir të së vërtetës, të pakonfirmuara zyrtarisht, që të thonë se s’kemi pse bëhemi merak për këto e për lekët që do të derdhen në bulevardin e ri, pasi këta do t’i hedhin ca arabë, se edhe ndërtimet do t’i bëjnë ata, madje se edhe Pallati i Drejtësisë do të ndërtohet me lekët e europianëve. Jo, sipas meje, edhe në qoftë e vërtetë kjo përrallë, nuk mund të mos e ngremë pyetjen që ngrita më lart: pse duhet ky çimentifikim i mëtejshëm i territorit? Mua më duket se çdo qytetar i Tiranës, madje edhe i Shqipërisë, përpara se të ekzaltohet me këto projekte moderniteti në kohën e postmodernitetit, ka të drejtë të dijë se çfarë po ndodh me ndërtesën 25-katëshe në të majtë të selisë së PD-së që duket sheshit se ka ngecur, çfarë po ndodh me gropën përballë kësaj selie që jo vetëm prishi një park, por mori edhe trotuaret e tij, çfarë po ndodh me ndërtesën e stërmadhe atje ku ishte kinema “Republika”/”Milenium” që ka vite që ka hedhur një vello të gjelbër papunësie? Po me 25-katëshen ngjitur me Gjykatën e Lartë, që ka mbetur në fazën e gropës për vite? Po me pallatet e panumërta përtej Liqenit, që janë shumica bosh, njëlloj si ata rrëzë Dajtit, ata përtej Unazës së Madhe e me radhë e me radhë? Po ashtu ne kemi të drejtë të dimë se përse na u dashkan qendra të tjera komerciale në Paskuqan, kur të gjithë të flasin për falimentimin e City Parkut, që u inaugurua me pompë të madhe qeveritare, madje edhe të TEG-ut që sapo u inaugurua? Dhe, meqë u bë fjalë për zona të ashtuquajtura rezidenciale: a ka Bashkia parasysh se sa të tilla janë ngritur tashmë apo janë në ngritje e sipër – e kam fjalën për të ashtuquajturat fshatra turistike  – dhe se cilët janë ata milionerë që mund t’i blejnë e mbajnë këto vila që shkojnë nga 500 000 euro në një milion? Këto nuk janë thjesht çështje të atyre që kanë hedhur lekët; jo, janë çështje të të gjithëve ne. A ka dijeni Bashkia apo ekspertët e saj se në Zvicrën që kaq shumë e reklamojmë si modelin që duan të imitojmë, është aprovuar së fundi një ligj që nuk i lejon më asnjë zvicerani të ndërtojë shtëpi të dytë mu për shkak të ruajtjes së territorit? Kurse ne, pas masakrës që kemi kryer mbi tokën e bukës dhe mbi peizazhin, në vend se të marrim masa për ndalimin e mëtejshëm të çimentifikimit të vendit, ndërmarrim çimentifikime të mëtejshme në emër gjoja të cilësisë së jetës, por në fakt në emër interesash si ato që kanë shkatërruar tashmë në mënyrë të pakthyeshme shumëçka në këtë vend.

Pyetja e dytë është se sa do të ishte kostoja e këtij bulevardi të ri dhe a do të ishte e udhës që lekët publike të hidheshin për një bulevard të ri 60 metra të gjerë me gjithë shpenzimet që ky presupozon, apo është më mirë që këta të hidhen për të rregulluar cilësinë e jetës së qytetarëve të Tiranës atje ku jetojnë sot, d.m.th. nëpër zgëqet e ngushta mes pallateve, ku mezi gjen ndonjë mikroshesh me një pikë gjelbërim e ndonjë stol për t’u ulur, ku gjen pa numër rrugë plot gropa e pa trotuare, ku njerëzit janë të detyruar të ecin bashkë me makinat dhe makinat bashkë me njerëzit me të njëjtën shpejtësi, ku na varen mbi kokë telat e elektrikut dhe tërë telat e mundshëm me në krye ata të tensionit të lartë mu mbi bulevard, ku nuk ka ujë të rrjedhshëm, ku plasin ujërat e zeza, ku nuk ka më vende parkimi, ku na janë zaptuar edhe trotuaret nga bar-kafet që prodhojnë ndotje të patrazuar akustike, ku koshat e plehrave i gjen gjithnjë të mbushura cyt e me plehra rreth e rrotull, ku nuk gjen një çezmë, për të mos folur për mungesat e kinemave, shkollave, kopshteve? Mua përsëri më duket se Bashkia e ka hartuar këtë projekt pa e marrë parasysh këtë realitet dhe nevojat e qytetarëve që jetojnë përditë këtë realitet.

Personalisht kam ngulmuar dhe ngulmoj se cilësia jonë e jetës do të fillojë të përmirësohet vetëm kur të na vijë një kategori politikanësh që në vend që të na paraqesë kësi projektesh delirante që pjellin ekomonstra që i shërbejnë një industrie çimentifikimi që funksionon vetëm për hesap të vetvetes dhe riciklimit të parave të pista, do të fillojë të punojë për të na zgjidhur hallet tona të përditshme atje ku jetojmë. Po ashtu mendoj se ne do të na përmirësohet cilësia e jetës vetëm kur do të fillojmë të shfrytëzojmë burimet tona natyrore gjithandej ku ato ndodhen në territorin shqiptar, nëpërmjet politikash zhvillimi të qëndrueshëm, veçanërisht të blegtorisë, bujqësisë dhe agroturizmit, dhe jo sa kohë që do të ndjekim politika që synojnë çimentifikimin e territorit tonë dhe përqendrimin e të gjithëve ne në një kryeqytet ku ndërtohen ekomonstra për hesape monstrash.

Ja pse mendoj se “bulevardi i ri” i Bashës vetëm emrin dhe vendin e ka të ri, por ai është një vazhdim i së njëjtës mendësi të vjetër që na ka qeverisur në kohën e Hoxhës duke na trumbetuar vepra “madhështore” të socializmit dhe në kohën e Berisha–Nano-Meta-Ramës duke na trumbetuar vepra “madhështore” të kapitalizmit.

Bashkia e Tiranës prezantoi me pompë planin e Bulevardit të ri. Nëse do të tentojmë të përmbledhim fjalët kyçe të këtij prezantimi këto do të silleshin rreth premtimit se nëpërmjet këtij projekti do të përmirësohet “cilësia e jetës” në kryeqytet pasi atje do të ndërtohen qendëra kulturore, qendra komericiale, një park afër lumit, pallati i ri i drejtësisë, e po ashtu ndërtesa banimi lluksoze e me hapësira të gjelbëra ndërtimi i të cilave, veç të tjerave, do të punësojë shumë njerëz - aq sa ky mund të konsiderohet një pol i ri ekonomik.
Mirëpo, nuk mund të mos shtrohen të paktën dy pyetje lidhur me këtë projekt. E para është ajo se përse na duhet ne një pol i tillë ekonomik që nënkupton zgjerimin edhe më të qytetit të Tiranës me çimentifikim dhe me ndërtime që kanë shpenzime të mëdha edhe publike edhe private? A është bazuar Bashkia në një studim strategjik lidhur me këtë, duke marrë parasysh sa perspektivat e punësimit në Tiranë për banorët e rinj që parashikohet të banojnë aty aq edhe kryerjen e një inventari të ndërtimeve që kemi sot në raport me popullsinë, (se sa janë shitur dhe sa janë pa shitur), apo ka rimarrë thjesht një ide të  zhvillimit të Tiranës të hedhur në kohën kur s’ishte kryer masakra urbane e këtyre njëzet vjetëve? Ka disa zëra, për hir të së vërtetës të pakonfirmuara zyrtarisht, që të thonë se s’kemi pse bëhemi merak për këto e për lekët që do të derdhen në bulevardin e ri pasi këta do t’i hedhin ca arabë, se edhe ndërtimet do t’i bëjnë ata, madje se edhe pallati i drejtësisë do të ndërtohet me lekët e evropianëve. Jo, sipas meje, edhe në qoftë e vërtetë kjo përrallë, nuk mund të mos e ngremë pyetjen që ngrita më lart: pse duhet ky çimentifikim i mëtejshëm i territorit? Mua më duket se çdo qytetar i Tiranës, madje edhe i Shqipërisë, përpara se të ekzaltohet me këta projekte moderniteti në kohën e postmodernitetit, ka të drejtë të dijë se çfarë po ndodh me ndërtesën 25 katëshe në të majtë të selisë së PD-së që duket sheshit se ka ngecur, çfarë po ndodh me gropën përballë kësaj selie që jo vetëm prishi një park, por mori edhe tortuarët e tij, çfarë po ndodh me ndërtesën e stërmadhe atje ku ishte Kinema Republika/Milenium që ka vite që ka hedhur një vello të gjelbër papunësie. Po me 25 katëshen ngjitur me Gjykatën e Lartë që ka mbetur në fazën e gropës për vite, po me pallatet e panumërt përtej liqenit që janë shumica bosh, njëlloj si ata rrëzë Dajtit, ata përtej unazës së madhe e me rradhe e me rradhë? Po ashtu ne kemi të drejtë të dimë se përse na u dashkan qendra të tjera komerciale në Paskuqan kur të gjithë të flasin për falimentimin e City Parkut që u inaugurua me pompë të madhe qeveritare, madje edhe të TEG-ut që sapo u inaugurua? Dhe, meqë u bë fjalë për zona të ashtuquajtura rezidenciale: a ka Bashkia parasysh se sa të tilla janë ngritur tashmë apo janë në ngritje e sipër – e kam fjalën për të ashtuquajturit fshatra turistike  - dhe se cilët janë ata milionerë që mund t’i blejnë e mbajnë këto vila që shkojnë nga 500 000 euro në 1 milion? Këto nuk janë thjesht çështje të atyre që kanë hedhur lekët; jo, janë çështje të të gjithë neve. A ka dijeni Bashkia apo ekspertët e saj se në Zvicrën, që kaq shumë e reklamojmë si modelin që duan të imitojmë, është aprovuar së fundmi një ligji që nuk i lejon më asnjë zvicerani të ndërtojë shtëpi të dytë mu për shkak të ruajtjes së territorit? Kurse ne, pas masakrës që kemi kryer mbi tokën e bukës dhe mbi peisazhin, në vend se të marim masa për ndalimin e mëtejshëm të çimentifikimit të vendit ndërmarrim çimentifikime të mëtejshme në emër gjoja të cilësisë së jetës, por në fakt në emër interesash si ato që kanë shkatërruar tashmë në mënyrë të pakthyeshme shumëçka në këtë vend.
Pyetja e dytë është se sa do të ishte kostoja e këtij bulevardi të ri dhe a do të ishte e udhës që lekët  publike të hidheshin për një bulevard të ri 60 metra të gjerë me gjithë shpenzimet që ky presupzon  apo është më mirë që këta të hidhen për të rregulluar cilësinë e jetës së qytetarëve të Tiranës atje ku jetojnë sot, dmth nëpër zgërqet e ngushta mes pallateve, ku mezi gjen ndonjë mikro shesh me një pikë gjelbërim e ndonjë stol për tu ulur, ku gjen pa numër rrugë plot gropa e pa trotuare, ku njerëzit janë të detyruar të ecin bashkë me makinat dhe makinat bashkë me njerëzit me të njëjtën shpejtësi, ku na varen mbi kokë telat e elektrikut dhe tërë telat e mundëshme me në krye ata të tensionit të lartë mu mbi bulevard, ku nuk ka ujë të rrjedhshëm, ku plasin ujrat e zeza, ku nuk ka më vende parkimi, ku na janë zaptuar edhe trotuaret nga kafe-baret që prodhojnë ndotje të patrazuar akustike, ku koshat e plehërave i gjen gjithnjë të mbushur cyt e me plehëra rreth e rrotull, ku nuk gjen një çezëm për të mos folur për mungesat e kinemarave, shkollave, kopështeve. Mua përsëri më duket se Bashkia e ka hartuar këtë projekt pa e marrë parasysh këtë realitet dhe nevojat e qytetarëve që jetojnë përditë këtë realitet.
Personalisht kam ngulmuar dhe ngulmoj se cilësia jonë e jetës do të fillojë të përmirësohet vetëm kur të na vijë një kategori politikanësh që në vend se të na paraqesë kësi projektesh delirante që pjellin ekomonstra që i shërbejnë një industrie çimentifikimi që funksionon vetëm për hesap të vetvetes dhe riciklimit të pareve të pista, do të fillojë të punojë për të na zgjidhur hallet tona të përditëshme, atje ku jetojmë. Po ashtu mendoj se ne do të na përmirësohet cilësia e jetës vetëm kur do të fillojmë të shfrytëzojmë burimet tona natyrore gjithandej ku ato ndodhen në territorin shqiptar, nëpërmjet politikash zhvillimi të qendrueshëm, veçanërisht të blegtorisë, bujqësisë dhe agroturizmit dhe jo sa kohë që do të ndjekim politika që synojnë çimentifikimin e territorit tonë dhe përqendrimin e të gjithëve ne në një kryeqytet ku ndërtohen ekomonstra për hesape monstrash.
Ja pse mendoj se “bulevardi i ri” i Bashës vetëm emrin dhe vendin e ka  të ri, por ai është një vazhdim i të njejtës mendësi të vjetër që na ka qeverisur në kohën e Hoxhës duke na trumbetuar vepra “madhështore” të socializmit dhe në kohën e Berisha – Nano - Meta - Ramës duke na trumbetuar vepra “madhështore” të kapitalizmit. (Panorama, 19 maj 2012)

Read More......

Friday, May 11, 2012

Beautiful

 
Takimi Rama – Meta është vërtet shumë i vështirë për t’u komentuar. Do ta quaja një sfidë për opinionistët, madje do të kisha çelur konkurs për të dhënë çmim për komentin më të goditur. Kjo sepse ai të mbush me kundërthënie të atilla, saqë nuk të lë ta çosh një ide deri në fund pa u penduar për ato që po shkruan. Të vjen t’i fshish e të shkruash të kundërtën. Kuptohet, më shumë se sa takimi te Rogneri, pështjellimin ta krijon takimi i fshehtë te Gjiri i Lalëzit, te shtëpia e Ilir Metës, ku thuhet se Rama i paska rënë në gjunjë Metës duke i kërkuar ndjesë për çfarë ka thënë e bërë kundër tij.
I ndodhur përballë kundërthëniesh dhe vështirësish të tilla, kërkova mendimin e një njeriu që, ndryshe nga ne gazetarët, i sheh shumë më nga jashtë këto ndodhi. Ç’mendim ke? – e pyeta. Po ja, kjo është si ato telenovelat, – më tha. – E ke parë Beautiful-in? Njëri martohet me njërën, pastaj kjo njëra dashurohet me të atin dhe e tradhton me këtë, pastaj del një vëlla ilegal, i cili ia merr, pastaj kjo kthehet prapë me të parin, ndërkohë ky ka pasur me të motrën një fëmijë ilegal etj. Kjo është thjesht një puntatë e telenovelës.
Ka të drejtë, thashë, nëse do ta shohim me humor gjithçka bëhet më e lehtë. Tek e fundit, kjo nuk është puntata e parë e telenovelës. Këto ia thashë një berishisti që po më kujtonte me tallje dhe sarkazëm faktin se Rama deshi të digjte Kryeministrinë për Ilir Metën dhe po u qante hallin katër të vrarëve të 21 janarit: Po pse çuditsh ti? A nuk bëri koalicion Berisha me Metën pasi ky e kishte quajtur vrasës për Gërdecin? A nuk u pajtua Berisha me Nanon pasi e kishte nxjerrë nga Kryeministria duke e akuzuar si vrasës? A nuk u blenë deputetë për të zgjedhur Presidentin para pesë vjetësh? A nuk, a nuk…? Mirë, mirë më tha, po pse i shkon tek shtëpia? Berisha s’i ka shkuar njeriu në shtëpi. E ç’rëndësi ka kjo? – i thashë.
Nejse, le të flasim pak më seriozisht. Edi Rama ka plotësisht të drejtë t’u bëjë atyre që janë të zemëruar dhe ndihen të zhgënjyer me të një arsyetim të tillë: Kur unë shkoj në zgjedhje vetëm, më thonë se i dua të gjitha pushtetet vetë, se nuk jam i zoti të negocioj me të tjerët. Kur bëj marrëveshje me të tjerët, më thonë se bashkohem me të korruptuarit. Më thoni ç’të bëj unë, xhanëm? A doni President që të mos jetë i Berishës? Si ta siguroj unë këtë pa u marrë vesh me Ilir Metën? Përderisa Berisha kërkon t’i marrë të gjitha institucionet me forcë, duke na kërcënuar të gjithëve, pse të mos bashkohem me Ilir Metën? Edhe ai është i interesuar të bashkohet me ne, përndryshe nuk më priste. Do të thoni ju se deri dje e keni akuzuar si njeriun me bllok në dorë që ka vjedhur e grabitur shqiptarët. Po këtu nuk bëhet fjalë për korrupsion, as për pyetjet që kemi shtruar se me çfarë lekësh i ka ndërtuar Meta shtëpitë në Tiranë dhe Lalëz. Këtu bëhet fjalë për rrezikun e demokracisë.  Pastaj, a doni të marrim statusin e vendit kandidat? A nuk na kërkojnë ndërkombëtarët që për këtë na duhet dialog me kundërshtarët, President konsensual? Ja, unë po i bëj të gjitha, për hatrin tuaj vajta dhe hëngra ngjalën në shtëpinë e Metës, sipas ftesës që ai më kishte bërë para disa vjetësh, kur e pyesnim me çfarë parash e ka bërë atë shtëpi, dhe tani më thoni se e paskam ngrënë ngjalën në kuptimin metaforik. A doni të vijmë ne në pushtet, apo doni të na mbysë Berisha?
Personalisht i kam shumë të vështira kundërpërgjigjet ndaj gjithë këtyre pyetjeve. Kuptohet se Edi Rama fjalën “rilindje” duhet ta heqë urgjentisht nga fjalori, madje edhe togfjalëshin “shpresë për të ardhmen” zor se mund ta përdorë. Por, fare mirë mund të përdorë fjalën “frenim”. Parulla e tij mund të bëhet: “Po frenojmë rrëshqitjen e vendit drejt diktaturës së Berishës”. Ç’është e vërteta, për këtë kam një pikëpyetje jo të vogël: A është kjo që po jetojmë diktatura e Berishës si person, apo është diktatura e atij sistemi që ka kapur edhe Berishën dhe Ramën edhe Metën. Sepse shumë u tha, por askush nuk na nxori se cilët janë sekserët, të cilët janë bërë kumbarët e takimit Rama – Meta. A kanë ndonjë interes të vetin ata apo kanë hallet e demokracisë dhe lirisë sonë?
E pranoj, ky është shkrimi më pa koherencë që kam shkruar ndonjëherë, por e kam paralajmëruar lexuesin që ta marrë edhe pak si me të qeshur. E pra, sipas gjykimit tim, një marrëveshje Rama – Meta për të zgjedhur një President të ndryshëm nga ai që do të donte Berisha, nuk mund të ndalojë me kaq, pra thjesht me zgjedhjen e Presidentit. T’i imponosh Berishës një President që kontrollohet nga Rama Meta – sepse është e vështirë të mendosh se Rama – Meta do të impononin një President të pakontrollueshëm nga të dyja palët – do të thotë të hapësh një të çarë në koalicionin e maxhorancës, që do të degjeneronte shumë shpejt, aq sa më duket se zor se vendi do të arrinte në 2013-n pa zgjedhje të parakohshme. Këtë e them seriozisht, paçka se Meta tha se i qëndron marrëveshjes me Berishën. Sipas meje, veçanërisht pas këtij takimi me Ramën, ku ky i paska kërkuar ndjesë, Meta ndjehet më i fortë në koalicionin me Ramën, sesa në koalicion me Berishën, madje mund të ndjehet i çliruar nga një makth që endej në ajër se kur do t’ia priste kokën Berisha me prokurorët e gjyqtarët e kontrolluar krejtësisht prej tij.
Gjithsesi, Berisha duhet t’i bëjë një pyetje të rëndësishme vetes: Çfarë po bën ai kaq gabim sa po i ikin aleatët? Pse po bashkohen të gjithë “m…trat” – po të perifrazojmë Mustafa Nanon dhe Edi Ramën – kundër tij? Mos vallë pasi “era” që vjen nga maxhoranca që ai drejton është shumë më e qelbur? Mua kështu më duket.  Montaneli mbahet mend në Itali, përveç të tjerave, edhe për një thirrje që u bëri italianëve para votimeve në fundvitet 70: “Mbyllni hundët dhe votoni demokristianët”. Në fakt, shqiptarët i kanë hundët të zëna tashmë; ato qimet e hundëve që ndiejnë qelbjen rëndë të politikës janë të tejbushura dhe s’japin më asnjë shenjë. Në fakt, seritë tona të telenovelave politike më shumë të kujtojnë ndarjet e nevojtoreve allaturka të shkollave në kohën e komunizmit, ku nuk ishte problem era, por vendi se ku duhet të kryeje nevojën, pasi ishin të mbushura tumllas me mullarë m…trash dhe duhet të hapje njërën derë pas tjetrës për të gjetur atë se ku mund të vije këmbët, të paktën.
Sidoqoftë, telenovela po bëhet interesante. Nuk do të çuditesha aspak që skenaristët dhe regjisorët të jenë duke punuar për një puntatë tjetër ku ne do të shohim, kësaj here jo në Top Channel, por në Klan, regjistrimin e fshehtë të takimit Rama – Meta në Gjirin e Lalëzit, me titull: “Hakmarrja e Metës për videon Prifti”, për të na lënë kështu pa frymë deri në puntatën e radhës. (Panorama, 10 maj 2012)


Read More......

Thursday, May 10, 2012

Nano: rilindje apo rivdekje


Nga sa na kap veshi dhe syri nëpër media dhe jo vetëm, një nga kandidaturat më të përfolura për President është ajo e Fatos Nanos. Janë të shumtë gazetarët që i kam dëgjuar të prononcohen se kandidatura Nano ka shanse më të mëdha se sa të tjerat për të dalë rezultante e veprimit të një sërë vektorësh politikë, ndër të cilët edhe një mbështetje që duket sikur i vjen nga amerikanët – ngase ka takuar ambasadorin Arvizu dhe ky ka thënë fjalë të mira për të.
Intuitivisht, duke iu qasur kësaj mundësie, më erdhi të shtroj dilemën: “Nano: rilindje apo rivdekje?”. Kuptohet nga mënyra se si e kam shtruar se personalisht kam më shumë përjetimin e rivdekjes, sesa të rilindjes. Po ç’kuptoj me këtë? Së pari, më duket të them se bëj pjesë ndër ata që mendojnë se ne jemi në një gjendje kome. Pastaj, se me rivdekje kuptoj thellimin e komës, shuarjen edhe më tej të shpresave të daljes nga tuneli i errët ku jemi futur.
Meqenëse “rilindjen” e kam marrë nga fjalori i retorikave të fundit të Ramës mbi programin e Partisë Socialiste për 2013-n, më duket se nuk është nevoja të zgjatem në argumente se pse pranimi i Nanos si President nga socialistët e Ramës tingëllon shumë si e kundërta e premtimit të tij për rilindje. Kjo pasi ky ka namin e themeluesit të sistemit të korrupsionit të ngritur në kohën e socialistëve në pushtet; të njeriut që ka tetë vjet që banon në Vjenë, sipas shtypit, në një vilë që do t’ia kishin zili edhe kancelarët vjenezë, dhe se me jetën dhe veprën e tij është inspiruesi i një klase të tërë politikanësh që e ka trajtuar shtetin dhe pushtetin si mundësi grabitjeje të të qeverisurve prej tij. Po në këtë linjë më duket po kaq evidente se propozimi apo votimi nga ana e PD për Nanon do të na sillte mesazhin se kjo parti e pranon edhe vetë se ka kalëruar kalin e korrupsionit që prodhoi Nano Kryeministër.
Megjithatë ka disa zëra të besueshëm që thonë se do të jetë LSI propozuesja e Nanos si pjesë e maxhorancës, kurse PD-ja do ta pranonte si në heshtje kandidaturën e tij, për të vazhduar të rrijë e patrazuar në pushtet, ndërkohë që edhe PS-ja – ose një pjesë e deputetëve të saj – do ta votonin duke na u dhënë kësisoj ne, por edhe të huajve, sinjalin se po zgjidhet një President gati konsensual. Ok, mund të ndodhë kështu, por si do t’i përgjigjemi pyetjes se pse Ilir Meta në bashkëpunim me Berishën zgjodhën Nanon dhe jo ndonjë tjetër më pak të përfolur? Sigurisht, duke pranuar se bëjnë pjesë në të njëjtën tryezë “bixhozi”. Njerëzit që e dëgjuan Nanon duke folur në intervistën në Top Story të Sokol Ballës, thanë: “Ky njeri flet me vete dhe për vete, nuk flet me njerëzit dhe për njerëzit”. Në fakt, ai po flet me Berishën, Metën, Ramën, por, duke perifrazuar thënien e mësipërme, do të thosha se të flasësh me këta është si të flasësh me veten dhe për veten, jo me njerëzit dhe për njerëzit. Pa hyrë në përshkrimin e komës në të cilën ndodhemi, duhet pranuar se njerëzit flasin e përcaktojnë përgjegjësit e komës dhe i dënojnë ata ose kërkojnë/shpresojnë dënimin e tyre. E kur flasin për përgjegjësit, emrat sillen e vërsillen dhe ndalen mu te këta. Pra daljen nga koma thuajse të gjithë e lidhin me daljen nga skena të këtyre emrave. Për disa duhet të dalë Berisha e Meta, për të tjerë Rama, për disa të tre së bashku. Dhe për të gjithë thuhet se janë trashëgimtarë, apo kalërues, apo perfeksionues të sistemit të krijuar nga Nano. Personalisht mendoj se dalja nga koma më shumë se sa me emrat e këtyre, lidhet me lindjen e institucioneve të pavarura që do të duhet të kontrollojnë këta dhe zëvendësit e tyre si dhe tërë krimin e organizuar që qëndron prapa këtij sistemi. Dhe, sipas meje, zgjedhja e Nanos nuk premton as njërën, as tjetrën, pra as largimin e ndonjërit prej këtyre emrave dhe as lindjen e institucioneve të pavarura nga këta. Përkundrazi, siguron vazhdimësinë e pushtetit të tyre dhe vazhdimësinë e institucioneve të personalizuara prej tyre.
Një nga qëllimet kryesore të rotacionit në demokraci është mundësia që ne të dënojmë përgjegjësit e gabimeve. Karl Poperi, pikërisht duke u nisur nga kjo ide, mbështet fort bipolarizmin e tipit anglo-amerikan, dhe jo pluralizmin shumëpartiak që lindin qeverisje të aleancave të shumë partive që lëvizin në aleancat e tyre. Ky sistem i dytë duket më përfaqësues dhe ka avantazhet e veta në këtë drejtim, por, sipas Poperit, ai ka një problem të madh sepse krijon shumë më tepër mundësi për shpërgjegjësimin e klasën politike. Nëse ne duam p.sh. të dënojmë qeverisjen e maxhorancës së këtyre afro tetë vjetëve, ne na duhet ta dënojmë atë me votë dhe ta nxjerrim në opozitë. Por, nëse ne e nxjerrim në opozitë Berishën nëpërmjet bashkëpunimit të PS-së me Ilir Metën, do ta kemi shumë vështirë të themi se e kemi dënuar maxhorancën, pasi një nga aktorët kryesorë përgjegjës për qeverisjen e keqe të tetë vjetëve do të jetë përsëri në qeverisje. Zgjedhja e Nanos President me propozimin e LSI-së mua më tingëllon si shprehja e pamundësisë së korrigjimit të së keqes. Si vdekje e shpresës për ndryshim.
Kundër këtyre argumenteve mund të paraqisja ato të disave, sipas të cilëve, zgjedhja e Nanos në bashkëpunim me Ilir Metën ndoshta do të krijonte mundësinë që të dobësohej rreziku i përqendrimit të të gjitha pushteteve në duart e Berishës, çka është rreziku më i madh për momentin, pasi pas një viti mund të krijoheshin mundësitë e një aleance PS – LSI kundër Berishës. Por, një President nuk mund të jetë aktor politik që bashkëpunon me njërën palë për të rrëzuar një tjetër. Ai duhet të jetë simbol i institucionit që qëndron mbi palët, si mbrojtësi i Kushtetutës, simbol i unitetit dhe i shpresës për më mirë. Nëse ai ka dalë nga pazare, bëhet simbol i pazareve të palëve dhe kësisoj më shumë se “mbi palët” mund të rezultojë “nën palët”. Nano, duke qenë një nga ata të cilëve, mu për shkak të së kaluarës së tij, i intereson vazhdimi i komës, duke qenë pjellë e sistemit që ka krijuar vetë në vend të shpresës së ringjalljes, daljes nga koma, do të na përgatiste më 2013-n pazarin e radhës për të na mbajtur në gjendje kome. (Panorama, 27 prill 2012)

Read More......