Tuesday, June 19, 2012

Masakra mbi Tiranën vazhdon



(Letër e hapur intelektualëve të “Nisma për Tiranën”)



Kur gjatë fushatës elektorale për kryetar bashkie Henri Çili më telefonoi dhe më kërkoi të bëhesha pjesë e “Nisma për Tiranën”, sipas së cilës nja 30 intelektualë të shquar të vendit qenë ftuar të merrnin pjesë në një debat të hapur mes dy kandidatëve kryesorë, i thashë se nuk do të merrja pjesë pasi, përderisa nuk i pranonte kandidati Rama, intelektualët e paraqitur në skenë ishin të paragjykuar si të Lulzim Bashës, dhe se, duke qenë kështu, unë do të dilja si mbështetës publik i këtij. Dhe problemi im nuk ishte se s’kisha dëshirë të mbështesja publikisht Lulzim Bashën – duke qenë dëshpërimisht i zhgënjyer me Edi Ramën – por sepse nuk kisha besim të vija fytyrën për të pasi kisha shumë frikë se edhe ai do të bënte të njëjtën gjë që kishte bërë Edi Rama. Dhe njeriu kur mashtrohet një herë mund të falet, por dy herë i mashtruar është ose budalla, ose batakçi, që bën sikur po mashtrohet për qëllimet e veta. Madje Çili duhet ta kujtojë se pas zhvillimit me sukses të “Nisma për Tiranën”, një ditë i thashë se po të fillonte Lulzim Basha të bënte ato që ka bërë Edi Rama, unë nuk do të shkruaja për Lulzim Bashën, por për 30 intelektualët e shquar që vunë fytyrën e tyre si mbështetës së tij.
Prandaj ky shkrim, letër e hapur, i drejtohet Çilit dhe atyre, më shumë se sa Lulzim Bashës apo Sali Berishës.
Para disa ditësh mësova nga mediat se në Rrugën e Elbasanit ndodhi një masakër mjedisore në Parkun e Tiranës, që është ndër të vetmet zona të gjelbra që i kanë mbetur kryeqytetit. Mediat thanë se u prenë me qindra pemë në të dy krahët e saj. Duke mos dashur t’u besoj atyre që shkruheshin nëpër media, shkova ta shoh me sytë e mi. Ajo që më bëri përshtypje më së pari ishte shëmtimi i shtuar i Tiranës. Një tmerr i ri, i zi. S’mund të mos më kujtoheshin mbresat që la para disa ditësh regjisori i shquar italian, fituesi i “Luanit të Artë” në Venecia, Marco Bellocchio, kur tha se “Tirana nuk është një qytet i bukur”, sepse, sipas tij, “zakonisht kur shkon jashtë shtetit shkon edhe për të parë bukuritë, bukuritë e së shkuarës, ato arkitektonike” dhe “thuajse në të gjitha kryeqytetet ka lagje të vogla antike, me një traditë të madhe”, kurse “në Tiranë pashë vetëm një monument antik: xhaminë e vogël…”.
Nuk ka qenë kështu Tirana. Të gjithë e kujtojmë. Ajo mund të kishte qenë një qytet shumë i bukur, por e shëmtuan injorantët dhe batakçinjtë e babëzitur. Edhe me Rrugën e Elbasanit kështu ka ndodhur. Ishte një nga rrugët më të bukura të kryeqytetit, që kishte historinë dhe bukurinë e vet, që kishte mbetur e bukur edhe në kohën kur Bashkinë e mori paraardhësi i Bashës, Edi Rama. Fillonte me vila qysh në krye të saj, pak përtej Lanës dhe vazhdonte kështu deri te ndërtesa e bukur e Fakultetit të Histori-Gjuhësisë.  Aty fillonte parku më një anë dhe konviktet e studentëve e vilat e gjermanëve më anën tjetër, dhe pastaj, më përtej, muri rrethues i Pallatit të Brigadave më një anë dhe Varrezat e Dëshmorëve në krahun tjetër, të mbuluara në të dyja anët me gjelbërim. Ishte një rrugë e mbyllur urbanikisht dhe ariktektonikisht, që nuk duhej prekur. Vetëm një restaurim i mungonte. Qyteti kishte mjaft hapësirë për t’u zhvilluar pa prishur vlerat urbanistike e arkitektonike ekzistuese. Por, të babëziturit i shembën vilat një nga një për të ndërtuar ato pallatet e shëmtuar dhe pa asnjë identitet. Pastaj zgjeruan rrugën që bën ferk me shëmtimin e saj. Pastaj i dhanë leje Ambasadës Amerikane që ta mbulojë me një mur sigurie ndërtesën e vjetër që rrëzëllente me bukurinë e saj prapa kangjellave të hijshme të hekurit, dhe të ndërtojë brenda edhe një ndërtesë që shëmbëllen si një kub betoni, duke e bërë atë pjesë të rrugës të duket si mur burgu që vetëm karakollët i mungojnë.
Kështu mbaroi Rruga e Elbasanit deri te Parku. Aty ajo, megjithatë, ruante pak nga hiri i vjetër, pasi më një krah kishte Parkun dhe murin karakteristik të Pallatit të Brigadave, kurse në krahun tjetër një copë gjelbërim të mirëmbajtur që ruhej ndoshta pse të babëziturit nuk guxonin ende të hynin deri në varreza. Por tani të babëziturit kanë vendosur të hyjnë edhe në varreza. Tani duket se projekti i shëmtimit të Rrugës së Elbasanit do të jetë përfundimtar, çka do të thotë – sipas disa zërave – se do të shembet edhe rrethimi i Pallatit të Brigadave, përveç atij të Varrezave të Dëshmorëve, që tashmë ka filluar.
Por, për këto gjëra nuk mund të flitet me estetët tanë të lekut dhe çimentos. Nuk ia vlen të zgjatesh as duke derdhur lot për pemët e shkreta apo duke u kujtuar këtyre se në botë njerëzit kanë hipur në pemë për t’i mbrojtur ato nga babëzia njerëzore.
Ajo që më bëri përshtypje, përtej shëmtimit – ku dua edhe të ndalem më shumë për të tërhequr vëmendjen edhe të intelektualëve të shquar, – ishin disa gjëra që kanë të bëjnë me minimumin e dekorit që duhet të paraqesë një projekt për të të dhënë përshtypjen se këtu kemi të bëjmë me shtetin që po vepron, dhe jo me banditë që zaptojnë toka pa leje, presin pyje, hapin gurore dhe bëjnë ç’të duan mbi këtë territor. Në çdo projekt ka një tabelë që të tregon se cili është projekti, se cili është projektuesi, se cili është zbatuesi dhe se si do të jetë pamja përfundimtare e projektit. Kërkova si në hyrje dhe në dalje të masakrës dhe nuk pashë asgjë. Ajo që pashë ishin shqyerje me dhëmbë ruspash të anëve të rrugës atje ku nuk është pronë e askujt, d.m.th. atje ku është prona jonë e përbashkët publike, dhe lënie pa prekur atje ku kishte pronarë privatë. M’u kujtua një shkrim i së dielës i Edmond Tupes që tregonte se si kishte mbetur duke fërkuar sytë përpara një muri të bardhë në kryeqytet, ku ishte shkruar me germa të zeza: “Mos hidhni mbeturina – Pronë private”, që sipas tij, nënkuptonte “hidhini mbeturinat në vendet që janë pronë publike”, e më erdhi ta parafrazoj: “Mos vidhni këtu – pronë private, – vidhni në pronë publike”.
U interesova të mësoj diçka më shumë për këtë projekt nga burime të mirinformuara. E para gjë që pyeta, është nëse bën pjesë kjo rrugë në territorin e Bashkisë apo jo. Po, më thanë. Po mirë, atëherë, a nuk ka thënë Lulzim Basha se do të bëjë Planin Rregullues të qyteti, madje se do t’ia paraqesë për aprovim me referendum tiranasve, pastaj do të fillojë aprovimi dhe zbatimi i projekteve? Pse ky mashtrim kaq i dukshëm? Ehu, dashke tepër ti, më tha njëri. Po unë ngulmoja se Basha s’mund ta bëjë kaq hapur këtë gjë, qoftë edhe për shkak të gjithë atyre intelektualëve të shquar që vunë fytyrën për ta mbështetur. Pastaj ai është një politikan i ri, që ka një jetë të tërë përpara, për më tepër i akuzuar se ka shkelur ligjet në të ashtuquajturën “Rruga e Kombit” për t’u kryer vjedhja më e madhe deri më sot e parasë publike; s’mund t’i shkelë ligjet kështu ditën me diell. Sepse po të shohim ligjet ekzistuese, pyetja e parë që shtrohet është se kush e ka aprovuar këtë projekt? Thuhet se është diskutuar në këshillin teknik të Bashkisë. Por ky këshill nuk ka tagër aprovues. Asgjë nuk quhet e aprovuar pa hedhur firmën kryetari i Bashkisë dhe pa e bërë publike këtë firmë, madje edhe duke bërë publik projektin për banorët e zonës. Jo vetëm kaq, por që të aprovohet një projekt i tillë, duke pasur parasysh se Parku i Pallatit të Brigadave është monument i kategorisë së parë, duhet që ky më së pari të shkojë në Institutin e Monumenteve, që normalisht duhej të shprehej kundër këtij projekti. Madje, meqenëse kemi të bëjmë edhe me Parkun e Liqenit, i cili është miratuar me vendim të KRRTRSH-së, çdo ndryshim brenda tij duhet të kalojë për miratim sërish në KKRTSH, d.m.th. nga Sali Berisha. As për këto veprime s’kemi ndonjë gjurmë.
Pastaj, cili është tenderi i shpallur për këtë projekt, kush e ka fituar atë, sepse pasi të jenë kaluar të gjitha këto faza, hapet tender për zbatimin e projektit? Të paktën Rama këto gjëra formalisht i bënte, pavarësisht se tenderët ua jepte pastaj miqve të tij. As për këtë nuk marrim përgjigje. Madje, dikush më thotë se, kur e kanë pyetur Lulzim Bashën, ai, si nëpër dhëmbë, ka thënë se nuk di gjë, paçka se një zëdhënës i Bashkisë deklaroi se u bënte thirrje këshilltarëve socialistë që të mos krijonin konflikt kur këta bënë të ditur se s’kishin asnjë dijeni për këtë projekt.
Por, edhe në mos qoftë shaka kjo se Basha nuk di gjë, këtu ka një të vërtetë të madhe. Problemi që del nga mënyra se si është kryer dhe se si po vazhdon të kryhet kjo masakër, është shumë i rëndë, pasi kemi të bëjmë me një privatizim të shtetit ose me një kapje të shtetit, siç do të thoshte Berisha më 2005-n, që s’ia gjen precedentin përsa i përket arrogancës dhe shpërfilljes së ligjit. Sepse seç ka një anomali në këtë rast. Duket sikur të jetë vepruar si në një zaptim territori publik pa leje, kur ai që e ka në dorë territorin u ka thënë atyre që zotërojnë ruspat dhe sharrat prerëse të pemëve të veprojnë, por ai s’di gjë. Sepse mund të pritej të bëheshin gjërat në rregull të paktën nga ana formale, e jo të veprohej kështu banditshe. Dhe pyetja që të vjen të shtrosh menjëherë është: Po mirë, kush janë këta kaq të fuqishëm që e paskan kapur shtetin në atë farë feje sa s’përfillin as ligjet e tij, se Shqipëria një pëllëmbë vend është dhe të gjithë i njohin të gjithë? Në mos sot, nesër do të merret vesh.
Zërat që dëgjova poshtë e lart për të më shpjeguar këtë masakër mbi publiken, të çonin të gjithë te disa privatë që kanë bizneset andej si dhe disa fshatra turistike të porsandërtuara në zonën e Lundrës që presin të shiten apo që synojnë të krijojnë “Bllokun” e ri të udhëheqjes. Këta paskan vendosur se kjo rrugë duhet të zgjerohet sa më parë dhe s’kanë pyetur askënd, pasi ata kanë edhe gurin, edhe arrën në dorë. Kur dëgjova këtë variant m’u duk i pabesueshëm, pasi – u thashë nja dyve që ma thanë – këta janë akuzuar se edhe Unaza e Madhe u devijua për të shkuar tek ata dhe s’ka mundësi – thashë – se nuk mund të shtohen klientët e TEG-ut apo blerësit në “Bllokun e Ri të Mulletit” për shkak se është zgjeruar një rrugë, madje shëmtimi i kësaj rruge e bën edhe më pak tërheqëse zonën. “Kështu thua ti, por hajde hyr në mendjen e tyre, – qe përgjigjja, – pastaj këta e dinë veten aq të fuqishëm, sa një herë kanë kaluar andej dhe u është dukur trafiku i bllokuar dhe kanë thënë se kjo rrugë duhet zgjeruar. Dhe ja, u bë”. Ndoshta, thashë me vete ndërdyshas, midis këtij varianti dhe atij se këtu mund të ketë edhe ndonjë pazar korruptiv për të ndarë ndonjë lek publik me ndërtuesin e rrugës.
Por, cilido qoftë varianti, më i madh se shqetësimi për pemët, është ai se ky akt tregon se kapësit dhe të kapurit e shtetit nuk po arrijnë të kuptojnë më jo vetëm se janë kthyer në një rrezik publik të paparë, por se, me arrogancën dhe babëzinë e tyre, po akumulojnë një urrejtje kaq të madhe te njerëzit, saqë nesër, në ndonjë krizë, që s’më duket e largët, kur të dalë ndonjë të lëshojë thirrjen: “Te Blloku!” nuk do të dalë dot më kush ta ndalojë turmën, pasi nuk jetojmë më në sistemin e bashkëfajtorëve dhe bashkëvuajtësve, por në një sistem kur njerëzit janë përgjegjës për zgjedhjet për të bërë mirë apo për të bërë keq në këtë jetë.
Uroj të mos jetë vonë tashmë, por një sqarim e duam për atë se kush e ka bërë këtë masakër në kundërshtim me ligjin. Në fakt unë e shkrova këtë shkrim, letër të hapur, kryesisht për Çilin dhe 30 intelektualët që vunë fytyrën e tyre për të mbështetur Bashën. Shpresoj se ndonjëri prej tyre do të kërkojë të informohet pas këtij shkrimi, do ta verifikojnë se ç’po ndodh dhe të na thonë mendimin e tij publikisht. Dhe e përsëris, nuk u kërkoj të prononcohen as për historinë e rrugës, as për shëmtimin e saj, ndonëse mes tyre ka edhe shkrimtarë, artistë e piktorë, por për këtë arrogancë të frikshme në shkeljen e ligjit. (Panorama, 19 qershor 2012)

Read More......

Saturday, June 16, 2012

Presidenti dhe zakoni i akrepit



A ju kujtohet ajo përralla që tregon se si akrepi i tha bretkosës ta nxirrte matanë pellgut? Ajo i tha: “Jo, se do të më ngulësh thumbin”. “Po unë s’mund ta bëj këtë, – iu përgjigj akrepi, – se do të mbytemi të dy”. Dhe bretkosa e besoi, por, në mes të rrugës akrepi e pickoi që e pickoi. “Ç’bëre? – i tha bretkosa. – Kështu do të mbytemi të dy”. “Nuk mund të mos e bëja. Është zakoni im”, – iu përgjigj akrepi. Ja, kjo është përralla e zgjedhjes së Presidentit. Ajo çka ndodhi ishte një dështim i pritur; rrjedhojë e një klase politike që është rob i zakoneve, veseve dhe mëkateve të veta prej të cilave nuk çlirohet dot. Fakti që njerëzit shpresonin se akrepi nuk do ta mbyste bretkosën dhe bashkë me të edhe veten, ishte shprehje e asaj që thuhet rëndom se shpresa vdes e fundit. Por, në zyrat e Sali Berishës, Edi Ramës, Ilir Metës dhe të më të shumtëve që i rrethojnë, duhet shkruar: “Lini çdo shpresë, o ju që hyni te këta!”. Kush kërkon një Shqipëri ndryshe, që s’mbytet në pellg, qoftë edhe një President ndryshe, duhet të lëvizë, e jo ta presë ndryshimin nga ambasadorët e botës.
E megjithatë, njerëzit s’reshtin së pyeturi se cilët janë humbësit dhe fituesit e kësaj mbytjeje të radhës.
Sipas meje, ishte e qartë që në fillim se aksioni politik i aktorëve tanë kishte për synim arritjen e disa “fitoreve” në rrugën e parapërgatitur të mbytjes së radhës. Më kryesorja e fitoreve që kërkohej të arrihej ishte ajo se kush do t’ia ngecte tjetrit përgjegjësinë; apo se cilin do të penalizonin – veçanërisht të huajt – si shkaktarin kryesor të mbytjes. Sipas gjykimit tim, mbytësi i parë ka dalë Sali Berisha. Ai kishte një zgjidhje shumë të lehtë përpara: t’ia linte Presidentin si propozim opozitës, gjithë duke ruajtur të drejtën që të zgjidhte në një listë njerëzish të arsyeshëm të propozuar prej saj. Por, “natyra” e akrepit nuk e la. Ai donte të pickonte medoemos. Dhe kështu siç veproi, thelloi imazhin negativ të një maxhorance që kërkon të kontrollojë të gjitha institucionet duke u bërë kërcënim për lirinë. Por nuk mund të thuhet kurrsesi se Rama ka dalë pa përgjegjësi në sy si të të huajve, edhe të shqiptarëve. Edhe ai si mbytës shihet, dhe po për shkak të “zakoneve” të akrepit.
Në manovrat e të dyja palëve binin në sy pikërisht ngritja, njëra pas tjetrës e grackave për njëri-tjetrin. Nga ana e Berishës, më e forta ishte ajo me kandidimin e Zaganjorit, që edhe pse ishte i tiji, garantonte shumë më tepër paanësi dhe seriozitet se Nishani. Nga ana e Ramës ra në sy loja me fjalën “proces”, që të kujtonte një lojtar që e mban topin te qoshja e kornes derisa të bjerë fërshëllima e arbitrit, pasi i intereson rezultati i momentit. Në këtë luftë grackash, Berisha dhe Meta bënin sikur po kryenin një proces, kurse Rama, duke përdorur vetëm fjalën “proces”, bënte çmos të mos kishte asnjë proces. Si pasojë, nëse Berisha ra në grackën e Ramës me zgjedhjen përfundimtare që bëri, edhe ky pësoi jo pak dëmtime nga manovrat e Berishës, sepse ky e shtrëngoi të jepte shenja të qarta se atij nuk i interesonte as konsensusi, as Presidenti, por vetëm rrëzimi i qeverisë, duke ia përforcuar jo pak imazhin e një politikani bllokues, që s’arrin të negociojë e të bëhet pozitiv as me të vetët dhe që kërkon të fitojë me bizantinizma, komplote e takime nate, jo me procese transparente të ndara me publikun.
Në fakt, kryetari i PS vuante, siç ka vuajtur edhe më parë, disavantazhin e nisjes, sepse Berisha është në pushtet, ka 71 vota, kurse ai jo. Kjo, sipas meje, e bënte që, më shumë se sa një Presidenti konsensual, qoftë edhe nga të tijtë, t’i trembej vetë konsensusit, pasi ky do të nënkuptonte paqe, dialog, ndërkohë që ai e di shumë mirë se kjo do t’i jepte më shumë pikë Berishës jo vetëm pse Shqipëria do të merrte statusin e vendit kandidat, çka Berisha në stilin e tij do ta trumbetonte si arritje të vetën, por edhe pse do t’i hiqte Ramës një nga kuajt e rëndësishëm të betejës: akuzat ndaj Berishës autoritar që po dëmton me këtë marrjen e statusit. A duhet t’i vuante këto aq shumë? Unë them se jo. Opozita ka plot mundësi për të dalë më lart se maxhoranca në kushtet ku është katandisur qeverisja e saj. Por akrepi mbetet akrep, s’bëhet dot tjetër gjë.
Berisha, nga ana e tij, e vuante jo pak faktin se, duke qenë në pushtet, përgjegjësia më e madhe e mbytjes do të binte mbi të, prandaj dhe ndryshoi disa herë deklarimet e tij të prera. Por akrepi mbetet akrep, përsëri. Ai është i aftë të luajë vetëm në atë pellgun e vogël të interesave të tij meskine e të interesave vetjake deri në pickimin dhe mbytjen e radhës. Ai e ka tashmë përvojën se si e rrëmbeu Bashkinë e Tiranës dhe zhurma zgjati pak, ndërkohë që “përfitimet” e kapjes së kështjellës kanë dalë më të mëdha kur ke parasysh paratë publike dhe pushtetet financiare e mediatike që kontrollohen. Nuk mund të mos mendojë se kjo zgjedhje e Nishanit, e përshëndetur menjëherë nga ambasadorët, pasi u hoqi një bela edhe më të madhe, do të ndikojë që të zgjidhet një prokuror i tij dhe se ky prokuror mund të bëhet lojtar i rëndësishëm në lojërat e tjera, deri në fushatën e ardhshme elektorale. Po kështu, me këtë lëvizje ai e tërhoqi edhe një herë Metën në krahun e vet, sepse edhe këtij e të tijve kështu u intereson më mirë, gjithë për interesa vetjake. E, në këtë aspekt, Rama është më i humburi, sepse i mbeti hija e një të kalburi në opozitë, që s’arrin dot të bindë se mund të fitojë ndaj një putinizmi në rritje. Por, kështu, gjithsesi, atij i mbeten shumë alibi e mundësi për ta vazhduar jetën politike në stilin e zakoneve të akrepit në një pellg të ndotur keqas nga politika, ku fitorja mbështetet kryesisht në zullumet e kundërshtarit e, veçanërisht, në mbytjen përfundimtare.
Si përfundim do të thosha se vështirësia më e madhe e të dyja palëve është se ato, me zakonet e fituara tashmë, nuk arrijnë as ta konceptojnë se mund të ketë fitore të të dyja palëve, pasi çdo qelizë e tyrja politike është ndërtuar në funksion të luftës për asgjësimin e të dyja palëve. Edhe unitetin e popullit ata nuk mund ta konceptojnë si bashkëjetesë të diversiteteve në respekt të ligjit, por si sundim të patrazuar të tyre dhe të vlerave të tyre. Në këtë kontekst ata as që mund ta imagjinojnë një President që s’do të mund ta përdorin për hesapet e tyre. Në fakt, që s’janë të vetmit që ushtrojnë këtë kulturë akrepi, të trashëguar nga babai i tyre Enver Hoxha. E provoi këtë edhe një i kuotuar për President, Ismail Kadareja, që paska propozuar për President një ushtarak dhe skënderbegolog të vetëshpallur anonim, i cili paska meritën kryesore që i ka dalë këtij në krah në sulmet nacional–staliniste ndaj specialistit europian të historisë së Arbërisë së Mesjetës, Oliver Schmitt dhe mbështetësve të tij në Shqipëri. Sa qesharake, por edhe sa tragjike! Bëhet edhe më tragjike kjo kur mendon se propozimi përçohet në publik nga Edi Rama, që e nisi jetën publike dhe e fitoi reputacionin bash si një i angazhuar kundër kulturës nacional-komuniste. Miku i tij, Ardian Klosi, me siguri ka lëvizur në varr kur e ka marrë vesh, por s’ke ç’bën, Edi Rama s’mund të dalë jashtë natyrës së tij prej akrepi.
Sa për Shqipërinë, i dashur lexues, dhe fjalët e mëdha në emër të integrimit të saj europian apo fitimit të statusit të vendit kandidat, s’ishte nevoja e maskaradës së Presidentit për të parë se këto nuk kanë asnjë përmbajtje në jetën e këtyre njerëzve: në kuptimin e përpjekjeve të sinqerta për ta bërë Shqipërinë vend me dinjitet në gjirin e komunitetit ndërkombëtar në përgjithësi e atij europian në veçanti. Këta i ha meraku për këtë përpjekje po aq sa ç’e hante Enver Hoxhën, i cili, për pushtetin e tij, e izoloi Shqipërinë për gjysmë shekulli. Integrimi është vetëm një medalje boshe për të cilën, gjithë në funksion të luftës, në thelb kudër vlerave më të mira europiane, këta janë në garë se kush t’ia rrëmbejë tjetrit, për t’ia tundur pastaj popullit si nuskë për shpëlarje trush. Prandaj do të jemi të dënuar të pësojmë pickimin e tyre sa kohë që do t’i mbajmë mbi shpinë me shpresën se nuk do të na pickojnë, se njëri na pickon/mbyt më pak se tjetri, apo pse nuk jemi zot të bëjmë gjë tjetër përveçse të mbytemi, – gjithë duke mbetur jashtë vlerave më të mira europiane. (Panorama, 16 qershor 2012)

Read More......

Sunday, June 10, 2012

Nano, kandidati dysheme - tavan


Mirë ca shqiptarë, që i dimë se ku hanë e si hanë, po ambasadorit amerikan Arvizu çfarë i thotë mendja? Kjo ishte pyetja e parë që më lindi duke parë se brenda disa ditësh ambasadori Arvizu paska takuar dy herë Nanon – çka nuk mund të mos e interpretoja, bashkë me shumë të tjerë, si mbështetje për kandidimin e Nanos president. A e ka idenë Arvizu se ç’është bërë e se ç’bëhet në këtë vend, që një dy dhe i ofron publikut fotot e tij me Nanon? Nuk paska arkiva fare në Ambasadë, as specialistë në Departamentin e Shtetit për Shqipërinë? – qenë disa pyetje të dyta që më erdhën. Pastaj vazhdova me një varg mendimesh gjithmonë e më të hidhura: Që ne jemi një popull që edhe pas 100 vjetësh pavarësi, vazhdon t’i lutet protektorëve të huaj që ta shpëtojnë nga shqiptarët që ka mbi krye, kjo dihet. Kështu kemi bërë me Zogun, kështu me Enver Hoxhën, kështu dhe tani. Por, ama, çdo lutje ka një sens, ta hajë dreqi! Edhe populli më i përunjur do të ndjehej i fyer në inteligjencën e tij nëse protektorët do t’i këshillonin si shpëtim një figurë si Fatos Nano që ka qenë tetë vjet në qeverisje e që e katandisi vendin aq keq, me papërgjegjshmërinë dhe sistemin e korrupsionit që ngriti, saqë solli në pushtet Sali Berishën, që mbante përgjegjësinë për shkatërrimin e shtetit dhe humbjen e jetës së mijëra shqiptarëve më1997-ën. “Come on, mister Arvizu!”. Kjo qe dallga e parë e mendimeve të zemëruara që ma mbuloi trurin. Kur më kaloi ajo, iu ktheva vetes pak më i qetësuar, por prapë shumë iracional: mos vallë na ka mbetur ende, megjithë përunjësinë tonë proverbiale ndaj të huajve, capak nga mëkati i krenisë që s’na lejon të kuptojmë se sa poshtë dhe me sa përçmim na shohin këta ambasadorët perëndimorë? Ndoshta. Në fakt, s’ka mundësi që ata të mos e mendojnë se edhe në më të humburin vend të botës, që edhe emrin nuk ia dimë, po të ndërhynin ambasdorët kaq hapur në punët e brendëshme do t’i deklaronin “persona non grata”. Atëhere, përse këta trajtojnë një popull të tërë sikur të jetë “non grata”? Sepse u është mbyllur bota në atë qerthullin e vogël të zyrave e koridoreve të kastës në pushtet ku Nano u duket se e flet anglishten edhe më bukur se Berisha e Rama? Nuk e kuptojnë këta se e keqja më e madhe na vjen nga sistemi që mundëson grumbullimin e tërë pushteteve në duart e këtyre personazheve (i të cilit Nano është arkitekti kryesor). Pse merren me sistemin kaq pak dhe me personat kaq shumë? Leksion demokracie është? Apo pse mendojnë se ne kaq meritojmë? Apo vazhdojnë me stilin me të cilin kanë bashkëpunuar me tërë gedafët e botës: interesi dhe stabiliteti i pari,  demokracia e fundit?
Më në fund i ndala këto përçartje delirante, u ktheva me këmbë në tokë dhe fillova të them me vete:  Leqë kjo puna e Nanos president  s’ka nevojë për specialistë kush e di se çfarë për t’u kuptuar. Mjaft të shohësh se ky njeri, s’ka turp, por ditën që i teket të bëhet president, shantazhon partinë e tij se, po nuk e kandiduan, do t’i hyjë ta përçajë, që të arrish në konkluzionin se vetëm simbol unitetit ky s’mund të jetë? Pastaj këta amerikanët sikur kanë burime informacioni serioze, gjithë atë CIA me famë; a nuk pyesin këta se me çfarë jeton në Vjenë, në një goxha vilë, ky njeri që kur ka qenë kryeministër ka pasur një rrogë jo më shumë se 1500 euro? A nuk e dinë këta se edhe ata të partisë së tij, kur ky i hyri katars-ziut, thoshin poshtë e lart “ka mbetur pa pare, prandaj bën kështu”, e se tani vazhdojnë të thonë se nga tryeza e pokerit të pushtetit ai u largua me nja 200 milion euro? Jo, këtu ka diçka që nuk shkon o me Ambasadorin, o me Ambasadën, o me këshilltarët e tij.
Këto isha duke menduar kur doli lajmi se ndoca 26 intelektualë paskan bërë thirrje për zgjedhjen e Nanos president duke iu bashkuar lëvizjes së re politike ”Nano hajde!”. Atëhere thashë: s’paska faj ambasadori. Ia fus kot unë, e ca si unë, që mendojnë se Nanua është kandidati dysheme poshtë të cilit nuk shkohet dot. Kur dalin gjithë këta akademikë, e shkencëtarë, e historianë, e ekonomistë, e artistë me tituj doktorë e profesorë që kërkojnë Nanon president pse të mos mendojë Ambasadori se Nanua është kandidati tavan?
Nejse, si gazetar s’mund ta le pa e komentuar kandidaturën e Nanos racionalisht, prandaj po rrekem t’i bëj një analizë një çikë më racionale, që t’i pëlqejë edhe ambasadorit, paçka se e shoh që kjo temë më shumë sesa nga analiza më çon për kah satira. Por do të përpiqem. Ja për shembull: lexova në një të përditshme se Nano paska deklaruar se, po të bëhet ai president, Berisha dhe Rama do të takohen çdo javë. Të them të drejtën unë e besoj këtë. Bile besoj edhe më shumë: se Nanua do ta emancipojë politikën tonë; se do t’ua heqë psh. Berishës dhe Ramës atë gjuhën prej çakalli e prej neperke, të mbushur me vrer e helm, që përdorin ndaj njëri tjetrit e me të cilën kanë helmuar të gjithë shqiptarët. Pse do të thoni  ju? Sepse, duke dhënë konsensusin për të bërë president kryetarin e klanit të Zemunit, të baronëve të drogës, bllokqenin Fatos Nano, kryeministri s’ka çfarë të thotë më, do ta mbyllë gojën. Imagjinoni të tjerët që ka prapa. Por edhe Edi Rama do ta mbyllë gojën. Sulmin që i bën Berishës se do të kapë të gjitha institucionet  do ta reshtë, se do të ketë në presidencë ish kryetarin e partisë së tij. Edhe për korrupsionin e Berishës do ta myllë që çke me të, madje unë them se, për t’i bërë qejfin Nanos  President, do ta përjashtojë nga partia edhe Erion Velinë që e ndërsente me tenxhere e me kapakë poshtë kryeministrisë, kur Nano ishte kryeministër, duke e akuzuar si të korruputuar. I humbur do të dalë sigurisht, do ta qajë Zaganjorin, madje edhe Jozin, por një humbje me nder ama, që e ul në tryezë si të barabartë mes të barabartësh. Por edhe gazetarët që kanë rrotull, të specializuar vetëm në luftë e llogoreve, pa qenë në gjendje, njëlloj si ambasadorët, të artikulojnë një fjalë kundër sistemit të Nanos e të trashëgimtarëve të tij, do të dalin më në fund nga errësira e llogoreve në dritë e s’do të dinë më ku t’i hedhin granatat që kanë nëpër xhepa. Kështu që edhe zhurma mediatike do të pushojë. Nga ana tjetër edhe populli do të heshtë, sepse, me Nanon president, do të mbetet pa gojë, i shkreti.  E kështu, vendi do të bjerë në qetësi. Do të bjerë në qetësi edhe trojka Arvizu – Sequi – Wolfart.
Po si thua ti, i dashur lexues, çfarë do të bëjnë në këto kushte të mbeturit pa punë Berisha e Rama që s’dinë të bëjnë gjë tjetër veç të shajnë njëri tjetrin? Do t’ia fillojnë pokerit në Presidencë ku, me  siguri, për të bërë katërshen, do të ftojnë edhe Metën. Dhe kështu do të takohen, siç tha Nanua, një herë në javë, minimumi. Edhe prokurori i ardhshëm, ju siguroj unë, mbi palët do të jetë. Ka shumë mundësi të zgjedhin atë që do t’u ndajë fishat e do t’ju përzjejë letrat në tryezën e pokerit. Hajde bordello që do të bëhet Presidenca, hajde! Jo, jo, kanë të drejtë ata që thonë se Nano është mbi palët, madje edhe se presidenti duhet të jetë medoemos politik, njeri që i njeh rregullat e lojës, jo si Zaganjori, që turpërohet, a thua se e duan atje për virgjëreshë.
Sigurisht do të ketë nga ata llapaqenë që do të thonë: ky s’është uniteti i popullit, por uniteti i hajdutëve. Do të ketë nga ata zuzarë që do të thonë se me Nanon president tavani dhe dyshemeje puqen duke zgërlaqur  shpresat tona për një Shqipëri ndryshe. Por unë them se me kohezionin dhe unitetin e madh që do të krijojë Nanua president e me mbështetjen ndërkombëtare që do të ketë kjo zgjedhje, veçanërisht kur të fitojmë edhe statusin e vendit kandidat (për çfarë ishte kjo “kandidat” se nuk më kjtohet?),  zor se do të gjendet pronar gazete e televizioni që të guxojë t’i bëjë publike këto broçkulla. Dhe, fundja,  edhe këta zuzarë e llapaqenë s’kanë pse ankohen se po u merret fryma mes tavanit e dyshemesë të bëra një. Kanë bodrumin, kanë çatinë, po deshën, në demokraci jetojmë; kanë edhe ambasadën amerikan ku mund të ankohen sa të duan. (Panorama, 10 qershor 2012)*

*Shënim: ky është versioni i fundit që autori i ka derguar për botim redaksisë, por për arsye teknike ajo s’ka mundur ta marrë duke botuar versionin e parë.

Read More......

Universitetet private dhe publikja që s’e kemi ndërtuar



Njëzetenjë vjet prej kohës kur studentët dolën me thirrjen “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”, nëse një student shqiptar aplikon për punë në një vend evropian me diplomë shqiptare, kjo nuk i njihet. Pra, një brezi të tërë, që ka lindur në atë kohë, i duhet, njëlloj si brezit të komunizmit, të fillojë nga e para apo të japë provime shtesë - dhe thuhet se shanset i ka më të pakta se brezi i komunizmit. Pas skandalit me diplomën e shitur Renzo Bossit kjo perspektivë bëhet edhe më e errët. Ndërkaq, paradoksalisht, askush nuk e vë re këtë dështim dramatik, përkundrazi dëgjojmë hosanara për gjendjen e arsimit tonë të lartë.
Një pjesë, me në krye Henri Çilin, kërkojnë të na e rrisin optimizmin duke iu referuar  universiteteve private si rruga për t’u bërë “evropianë”, siç sugjeron edhe emri i universitetit të tij. Mendimi im është se me universitetet private vështirësitë e mirëarsimimit të shqiptarëve nuk po zgjidhen, por po thellohen. Le të përpiqem ta argumentoj qëndrimin tim.
Së pari, më duhet të them se thelbi i kritikës sime kundër arsimit privat qëndron në atë se e drejta e arsimimit është një e drejtë themelore e njeriut. Sipas këtij vizioni, në të cilin besoj thellësisht, qoftë edhe vetëm duke parë, “sipërfaqësisht”, se sa të bukur janë të gjithë fëmijët e kësaj bote, shkollimi i fëmijëve është një punë publike që nuk duhet bërë kurrsesi në frymën e përfitimit material dhe aq më pak të atij afatshkurtër, por me frymën e shërbimit ndaj të gjithë fëmijëve, në emër të një përfitimi shumë më afatgjatë dhe jo vetëm material. Sepse, asgjë më shumë sesa shkolla nuk kultivon sot, krahas çlirimit të njeriut nga burgu i padijes, edhe  ndjenja e vlera të tilla si ato të kohezionit social, të solidaritetit, të kontinuitetit të jetës së një shoqërie, të një kulture e të një historie të përbashkët që hapen ndaj kulturave të tjera. Dhe, sipas këtij vizioni, ashtu si një familje sakrifikon shumëçka për të shkollur e edukuar fëmijët e vet, ashtu edhe një shoqëri, si një familje e madhe, duhet të kujdeset për të gjithë fëmijët e vet. Nisur nga ky vizion gjykoj se trajtimi i arsimit si një çështje përfitimi privat, siç po ndodh sot tek ne, jo vetëm në shkollat private, e që lidhet ngushtë edhe me polarizimin e shoqërisë, po e varfëron dita ditës shoqërinë tonë, sa duke bjerrur vlerën e arsimimit aq edhe duke lenë jashtë mundësive të shkollimit shumë fëmijë, ndër të cilët mund të ketë edhe shumë talente të rrallë.
Kundër këtij argumenti vlen të diskutohet vetëm me ata sipas të cilëve privatja dhe publikja nuk janë në kontradiktë me njëra tjetrën, por se një privat që punon mirë për interesin e tij mund të jetë, pikërisht për këtë, i dobishëm edhe për shoqërinë. Së pari, u kujtoj këtyre se, përsa i përket arsimimit, edhe në vendin e kultit të inisiativës së lirë private, SHBA, të cilit ata i referohen aq shumë, universitetet nuk punojnë për interes privat, por janë “non profit” dhe se madje, përkundrazi, janë privatët që derdhin para në ta në formë filantropie ose lehtësimi barre fiskale, ndërkohë që studentët paguajnë jo për të mbushur xhepat e ndoca individëve, por pasi këta universitete paguajnë shumë mirë pedagogët, kanë investime të mëdha për kërkime shkencore, për rinovime të laboratorëve etj., etj. Së dyti, u shtroj atyre pyetjen: a mund të flitet për privatë filantropë në kapitalizmin e ri shqiptar ndërkohë që shohim se edhe në botën e kapitalizmit të të drejtave të njeriut po e përjetojmë jo pak, madje edhe në formë dramatike, thënien e Krishti se “Është më lehtë të kalojë një deve në vrimën e gjilpërës sesa një i pasur të hyjë në mbretërinë e qiellit”?

***
Në këtë pikë më duket se vlen të them dy fjalë për atë që e cilësova “publike”, duke iu referuar si regjimit komunist edhe sistemit të sotëm, pasi, sipas meje, ka shumë keqkuptim kur pretendohet se privatja e sotme është e kundërta e “shtetërores” së regjimit të djeshëm.  “Shtetërorja” e komunizmit nuk ka qenë publike, por formë e sundimit të një bande që e përdorte ekonominë shtetërore dhe arsimin shtetëror për interesin e pushtetit dhe të mirëqënies së vet, paçka se kjo nuk ndodhte në formën e vënies së pasurive private të trashëgueshme. Po ashtu, përvoja e këtyre njëzet vjetëve nën sundimin e më të këqijve të komunistëve, atyre të kthyer në antikomunistë, na ka treguar se “publikja” që ata duhet të menaxhojnë, jo vetëm trajtohet si “shtetërorja” e djeshme, por, e shartuar me privaten, nëpërmjet korrupsionit, ajo është vënë kryekëput në funksion të pasurimit të një grupi njerëzish dhe në dëm të interesit publik. Në thelb, pra, nuk kemi kontradiktë, përkundrazi kemi të bëjmë me vazhdimësi, më saktë me dy ekstreme që puqen, ku arsimi është vetëm një nga aspektet. Sigurisht sistemi që kemi ndërtuar ka edhe “zbutjet” e veta, veçanërisht kur vjen puna për karakterin totalitar të sistemit te djeshëm, sepse ky i sotmi, sikurse e kam thënë edhe në shkrimin paraardhës, e lejon shumë më tepër kritikën ndaj tij në favor të publikes, por, sipas meje, gjithë duke mbetur thellësisht antipublik.
Ilustrimi më i mirë i vazhdimësisë së antipublikes edhe në sistemin e sotëm janë politikat dhe ekonomitë piramidale që janë ndërtur në Shqipëri gjatë këtyre njëzet vjetëve. Me ekonomi piramidale kam parasysh atë çka përjetuam në mënyrën më të dukshme me piramidat e 97-tës: së pari, mashtrimin e publikut nga një grusht individësh me premtimin e zgjidhjes së një nevoje bazike për ta, së dyti, faktin se mashtrimi nuk zbulohet dot nga shteti, nga mediat, nga opozita, pasi ato janë pjesë e këtij mashtrimi; së treti, faktin se vjen një moment kur mashtrimi akumulon aq të keqe saqë kjo shpërthen me pasoja dramatike për gjithë shoqërinë. A nuk ishte kështu edhe piramida e madhe e 45 vjetëve komunizëm: një mashtrim i madh i bazuar në premtimin se do të hamë me lugë floriri, që përfundoi me ekzodin dramatik të shqiptarëve më 1990-91? Piramidat e sotme pra, ndryshe nga ç’mendohet pa u thelluar, e kanë mëmën e tyre tek piramida e madhe 45-vjeçare e komunizmit dhe tek antropologjia e njeriut të edukuar në atë regjim. Pjella e parë e kësaj mëme të madhe, qenë piramidat financiare të 97-tës për dëmin e së cilave nuk është nevoja të flas. Pjella e dytë është industria e ndërtimit, që u zhvillua veçanërisht në epokën e socialistëve në pushtet. Një pjellë e tretë e rëndësishme, sipas meje, janë universitetet private. Le të them dy fjalë për dy të fundit.
Piramidat e ndërtimit, që ende s’kanë falimentuar, por janë në krizë të thellë, vërtet zgjidhën një pjesë të nevojave të shqiptarëve për strehim, - mashtrimi bazohet gjithnjë mbi një nevojë bazike të njerëzve – por ama ua zhvleftësuan shumë shpejt atyre investimin e bërë. Dhe kjo jo vetëm pse u zunë ajrin, dritën e diellin me dendësinë e paparë të ndërtimeve, jo vetëm pse i sollën një dëm katastrofik shtëpisë së tyre të madhe në kuptimin e shkatërrmit të territorit, pejsazhit, natyrës, trashëgimisë kulturore, por edhe pse zhvilluan një ekonomi krejtësisht njëdimensionale, që, me fundin e saj, e ka venë në rrezik vendin me projektin piramidal numur katër të Sali Berishës, i cili, përballë nevojës së pangijëshme për pushtet dhe për para, ka zgjedhur t’ia falë Shqipërinë çdo privati që kërkon të hapë fabrika çimentoje, të digëzojë lumejtë shqiptar, të sjellë plehëra për të djegur, të krijojë petrolifera gjigante, parqe industriale etj., me pasoja të pallogaritëshme për ambjentin dhe cilësinë e jetës së shqiptarëve në terma afatgjata.
Universitet private janë në thelb pjella e tretë në lulëzim e sistemit piramidal. Këtë ta sugjeron pikërisht fakti se, ndërkohë që ato pretendojnë se po u përgjigjen një nevoje bazike të njerëzve, arsimimit të fëmijëve të tyre, e  ndërkohë që prodhojnë një mall skarso, lehtësisht të verifikueshëm edhe “me sy të lirë”, ato, ashtu si industria e ndërtimit, po shoqërohen me lulëzimin e mediave si instrumenti i kapjes së elitës intelektuale të gazetarisë e të pushtetit politik gjithashtu. Aktiviteti transversal i Çilit si pronar biznesi universitetar, pronar i mediave të këtij biznesi, si lobues i fuqishëm në fushatat elektorale të politikanëve, por edhe si gazetar dhe anëtar bordesh të shoqërisë civile e këshilltar shtetëror, është ilustrimi më i mirë i këtij sistemi.
* * *
Kjo është analiza ime. Ka plot që e ndajnë këtë analizë, madje edhe Çili flet për nevojën e ndryshimeve të rëndësishme, por cila është rrugëdalja? Sipas pronarëve të universiteteve private që pretendojnë se janë “ndryshe” nga ata që janë më të mëdhejtë, mekanizmi i normalizimit është “tregu, i cili nuk mund të dështojë” – thotë Çili – “as tek universitetet”, pasi “tashmë e ka treguar veten.” Sipas tyre, nëpërmjet seleksionimit, njerëzit do të dinë të dallojnë të mirën nga e keqja dhe do të bëjnë kështu të mbijetojnë më të mirët, a thua se tregu ynë është nga ata ku lulëzon konkurrenca e lirë dhe universitet qenkan si restorantet ku, pasi shkon dy herë dhe s’të pëlqen gjella, largohesh.
Për mua në idenë se “tregu nuk mund të dështojë” ka dy probleme të rëndësishme, njëri botëror dhe tjetri specifik shqiptar. I pari ka të bëjë me fetishizimin e tregut.  Veçanërisht kriza e sotme po tregon pikërisht të kundërtën: se tregu financiar e ka futur botën në një humnerë nga e cila nuk dihet se si do të dalë mu pse ai, duke u fetishizuar, është bërë i pakontrollueshëm, më i rëndësishëm edhe se vetë demokracia dhe vetë jeta reale e njërëzve.
Por le të shohim çka ndodhur këta njëzet vjet me tregun tonë “të lirë” edhe nëpërmjet këtij fetishizimi. Po t’u referohemi piramidave të para, që u trumbetuan nga Sali Berisha si zhvillim i madh i ekonomisë së tregut, do të shohim se në rrugën e tyre drejt dështimit, ato më të mëdhatë si VEFA dhe Gjalica, i hëngrën ato të voglat duke rritur përqindjen e parave që jepnin, mu sepse, duke patur edhe më shumë lekë dhe lidhje me politikën, kishin edhe më shumë mundësi të tërhiqnin/mashtronin njerëzit. Po ashtu, s’mund të thuash kurrsesi se tregu ynë e ndaloi në kohën e duhur industrinë e ndërtimit. Mjaft të shikosh dëmin që është bërë tashmë. Edhe përsa i përket universiteteve tona private (pa përjashtuar ata shtetërore) dëmi që po shkaktohet është katastrofik, dhe jo aq për shkak të boshatisjes më kot të xhepave të qytetarëve, por në kuptimin e dëmit mbi kapitalin njerëzor, pasi po mbushet vendi me injorantë dhe të paaftë. Dhe ndërkaq nuk duket asnjë shenjë seleksionimi nga tregu, përkundrazi. Kujtoj se skandali Bossi doli nga Italia në një kohë kur të tjerë universitete po çelnin lulet e para. Shkaku është i qartë, sepse kjo ekonomi piramidale krijon strukturat e veta për të mbajtur veten në këmbë: kryesisht ato mediatike dhe politike. Përndryshe Çili do të merrej me universitetin, s’kishte pse shpenzonte energji dhe para për media dhe fushata elektorale. Më thoni, a mund t’u bësh kritikën, të investigosh e denoncosh skandale në këta universitete kur këta kanë lidhje të forta me politikën, kanë në dorë thuajse krejt elitën intelektuale e të gazetarisë së vendit, madje kanë kapur me strukturat e tyre edhe drejtësinë e prokurorinë, kur edhe vetë kandidati për President, anëtari i gjykatës Kushtetuese Xhezair Zaganjori është senior pedagog në universitetin e Çilit sëbashku me Argita Berishën dmth. të bijën e Kryeministrit? A mund të mendohet se njerëz që kanë kapur apo do të kenë kapur nesër majat e pushtetit dhe të administratës me diploma koti apo deri të blera të mund të heqin dorë nga pushteti? Aq sa ç’hoqën dorë partizanët e zbritur nga malet në piramidën e parë. Jo, nëse duam të evitojmë më të keqen duhet të lëvizet sa më parë që të ndryshohet kjo gjendje.

***
Zgjidhja ime për arsimin e lartë është po ajo që kam propozuar prej kohësh, kur i kam bërë kritikën gjendjes së mediave private që, në thelb, janë pjesë e të njëjtit sistem. Ne kemi nevojë të ndërtojmë publiken – them ta ndërtojmë sepse nuk e kemi pasur asnjëherë – dhe të ndërtojmë, po ashtu, privaten që respekton rregullat e konkurencës së ndershme në një treg të lirë. Pra, nuk jam kundër privates në përgjithësi, siç më akuzon Çili, por jam kundër një privateje që është antipublike. Kurse përsa i përket arsimit, në veçanti, e rikthesoj se privatja që kundërshtoj është ajo që sistemin e arsimit e konsideron si një sistem fitiprurës për privatin. Sepse, duke ia nënshtruar arsimin vetëm nevojës se klientit për diplomë dhe jo nevojës se publikes për të patur se pari qytetarë me një bagazh të konsoliduar dijesh, sidomos për vende pa treg të specializuar pune si Shqipëria, fitimprurësi rezulton katastrofik sepse prodhon injorancë. (Këtu vlen të ve në dukje se edhe për sistemin “non profit” të universiteteve private amerikane ka mjaft kritika. Ai akuzohet se po çon drejt një bombe ekonomike, pasi studentët janë në borxhe deri në grykë, pasi, duke mos qenë në gjendje të paguajnë koston e shkolles ata marrin kredi. Kjo do të thotë që këta dalin në jetë me një barrë borxhesh çka ua ndrydh lirinë, edhe atë për të kundërshtuar, edhe atë për te ndjekur ënderrat e tyre, pasi më së pari duhet të lajnë borxhet.)
 Por le të thehemi tek publikja. Ndërtimi i saj nuk mund të kryhet pa zgjidhur problemin e problemeve; konfliktin e interesit midis shërbimit publik dhe interesit privat që bën që publikja, që nënkupton  kryekreje punën e politikanëve, gazetarëve, mësuesve, të  tjetërsohet në antipublike dhe që privatja, në vend se të jetë në një drejtim me interesin publik ta shkatërrojë dhe gërryejë përditë këtë interes.
Nuk mund të hyj këtu në detaje, por disa linja janë të qarta për këdo. E para është bërja transparente e konflikteve të interesave midis publikes dhe privates dhe pastaj eliminimi i tyre. Nuk mund të pranohet që politikanë tanë të jenë njëherësh edhe menaxherë e kontrollorë të interesit publik edhe pronarë apo sponsorë me para publike të bizneseve të tyre private, të kenë në dorë a nën kontroll edhe media private, të jenë të mbështetur edhe nga gazetarë e akademikë nëpërmjet universitetesh private sikurse është modeli që mban në këmbë sistemin Çili. Këto interesa dhe pushtetet që burojnë prej tyre duhen ndarë dhe ndarja duhet të synojë kryesisht krijimin e kushteve që politikanët, akademikët, intelektualët dhe gazetarët më së pari të kryejnë shërbimin publik sipas ndërgjegjes së tyre, pa qenë të shtrënguar ta deformojnë këtë nga presioni i interesave private, siç ndodh sot e gjithë ditën në vendin tonë. E për këtë mendoj se rruga më e shëndetëshme në kushte tona specifike, është ndërtimi i publikes të vërtetë. Pra nëse ndërtojmë një arsim të lartë publik që ka në thelbin e vet idenë e shërbimit dhe jo përfitimit, atëhere, duke i hedhur paratë publike atje pa përjashtusr që studentët të paguajnë diçka, do të krijonim mundësi për të gjithë të shkollohen dhe njëherësh që akademikët e padagogët të punojnë me dinjitet e të paguhen siç duhet  pa i qenë mirënjohës pazareve me politikën dhe pa punuar duke humbur dinjitetin personal dhe të profesionit duke arritur deri të firmosin diploma fallco. Do të arrinim po ashtu të evitonim që prindërit e studentëve tanë të paguajnë për gazeta e televizione që në vend se të bëjnë detyrën e informimit të tyre bëjnë më së shumti atë të dizinformimit dhe manipulimit të tyre. Dhe nuk e pranoj argimentin: shih universitetin publik, shih televizonin publik të Sali Berishës dhe pastaj fol kështu. Mendimi im është se nëse arrijmë të moralizojmë dhe demokratizojmë shtetin arsimi publik ka shumë më tepër mundësi të kontrollohet në aktivitetin e vet si shërbim dhe jo si përfitim sesa privati. Sigurisht që të ndodhë kjo më së pari duhet të moralizohet dhe të demokratizohet politika çka do të thotë të mos kemi në krye të politikës përfaqësuesit e interesave të këtyre piramidave. Ja pse flas për eliminimin e konfliktit të interesave. Por si mund të kryhet kjo ndërkohë që jemi në një situatë ku kapja e shtetit forcon sistemin piramidal dhe forcimi i sistemit rrit kapjen e shtetit aq sa sot gati s’mund të flasësh dot as për konflikt interesash pasi, në fakt, ata për të cilët po flas i kanë grumbuluar në duart e tyre të gjitha interesat? Nuk është e lehtë t’i japësh përgjigje kësaj pyetjeje, ndërkohë që, për shumicën, kjo përgjigje është në rend të ditës dhe jo vetëm përsa i përket arsimit. Është i madh numri i atyre që thonë se tashmë i sëmuri është i pashërueshëm. Por, sipas thënies “më mirë vonë se kurrë”, nuk mund të mos ngulmosh se vendi ka nevojë për ndërgjegjësimin se në këtë rast na pret më e keqja, prandaj duhet të lëvizim. Kryeministri ynë e ka provuar njëherë rënien e piramidave, por vazhdon me kokëfortësi të njëjtën  formë qeverisjeje. Ndoshta mendon (me të keq) se “ndërgjegjësimi pa veprim nuk ndryshon asgjë” – siç citonte Obamën në shkrimin e botuar në gazetën amerikane “The Hill”. Por, po vjen koha, megjithatë, që ky ndërgjegjësim të sjellë  prodhimin e një “evenimenti historik” si ai kur dolën studentët në rrugë me thirret “e duam Shqipërinë si gjithë Evropa”. Erërat që po fryjnë nga vendet fqinje si Italia dhe Greqia sjellin pikërisht mesazhin e deligjitimimit të një klase politike që dukej e pazëvendësueshme dhe që sot po e sheh veten dita ditës më në minorancë mu pse, në vend se të interesit publik, ka parë atë të vetin. “Eveniment historik” është një seri ngjarjesh të rëndësishme, të lidhura me njëra tjetrën, që sjellin një transformimi të qëndrueshëm të strukturave.” thotë William Hamilton Sewell (Logics of History: Social Theory and Social Transformation). Që strukturat e ngritura këto njëzet vjet në këtë vendin tonë duhet të transformohen në emër të ndërtimin të strukturave që mbrojnë interesin publik këtë e sheh edhe qorri. Se kur dhe si do të kalohet në veprim për të prodhuar “evenimentin historik” këtë nuk di ta them saktësisht, por di të them se, që ky të jetë sa më mirëstrukturues dhe jo shkatërrues, nuk duhet të presim falimentimin total të piramidave, siç pritëm falimentimin e piramidave të 97-tës; apo, aq më keq, të piramidës mëmë të premtimit se do të hanim me lugë floriri. (Panorama, 8 qershor 2012)

Read More......