Tuesday, July 17, 2012

Sundimi i ligjit dhe sundimi nëpërmjet ligjit

Një argument që sillet shpesh për të shpjeguar pse nuk funksionojnë vende si Shqipëria, që jo rrallë përkufizohen si “failed state” (shtet i dështuar), është ai që, duke iu referuar krahasimit me përvojën e vendeve demokratike, sjell në vëmendje faktin se në këto vende është vendosur më së pari ai që në anglisht i thonë “the rule of law” (sundimi i ligjit) dhe pastaj është ndërtuar demokracia; kurse në vende si i yni, pas ’90-s është vendosur më së pari demokracia (në kuptimin formal të fjalës) dhe tani duam të vendosim “the rule of law” – me dështime spektakolare. Në mënyrë të veçantë ky argument i referohet procesit që u zhvillua në Britani pas Revolucionit të quajtur “të lavdishëm” të vitit 1688, i cili imponoi kalimin nga një sistem absolutist, ku Mbreti kontrollonte ligjin dhe drejtësinë në sistemin e sundimit të ligjit. Shkaku i këtij transformimi ishte pluralizmi i krijuar me daljen e shtresave borgjeze e të tregtarëve që nuk e pranuan më drejtësinë e sunduar nga Stuartët dhe kërkuan e fituan barazi përpara ligjit. Kësisoj, ligji reshti së qeni instrument i sundimit të palës në pushtet. Sipas Daron Acemoglu dhe James Robinson, autorë të librit “Why nations faile: The origins of Power. Prosperity, and Poverty” (Pse dështojnë kombet; origjinat e pushtetit, begatisë dhe varfërisë), vendosja e sundimit të ligjit krijoi kështu në Britani një “rreth virtuoz” “institucionesh përfshirëse” që e zhvilluan më tej demokracinë duke rritur gjithnjë e më shumë grupimet sociale që fituan të drejta të barabarta me të tjerët. Ndërkaq, gjithë sipas këtyre autorëve, ka mjaft vende të tjera ku elitat që kanë përmbysur një klasë që kontrollonte ligjin, kur kanë ardhur në pushtet kanë përsëritur paraardhësit duke shkaktuar rënien e këtyre vendeve në një “rreth vicioz” “institucionesh përjashtuese” pa krijuar dot as pluralizëm të vërtetë, as ekonomi tregu të lirë, por monopole politike dhe ekonomike me pasoja si për zhvillimin e demokracisë, ashtu dhe të ekonomisë. Sipas tyre, diferencat që vëmë re sot në vende të ndryshme të botës, si përsa i përket nivelit të demokracisë, edhe përsa i përket nivelit të begatisë apo varfërisë, burojnë nga ky ndryshim thelbësor.

Me fjalë të tjera, kjo do të thotë se mund të vendosësh pluralizmin partiak, siç ndodhi në Shqipëri pas viteve ‘90, por, kur elitat përmbysëse nuk vendosin sundimin e ligjit, por sundimin e tyre, kjo nuk sjell as demokraci, as begati, sepse një pluralizëm i vërtetë ka si kusht të ekzistencës dhe zhvillimit të vet sundimin e ligjit që i trajton palët si të barabarta përpara tij. Për rrjedhojë, një pluralizëm që s’është në gjendje të vendosë sundimin e ligjit, degjeneron në regjim, çka do të thotë edhe varfërim për shumicën.

Kemi qenë dëshmitarë se si Partia Demokratike, që erdhi në pushtet më 1992-shin, nuk u soll ndryshe, në thelb, nga elita e mëparshme në raport me sundimin e ligjit. Ajo kërkoi të kontrollojë Drejtësinë dhe ligjin për interesat e veta. Të njëjtën gjë bëri edhe Partia Socialiste nga 1997-a deri më 2005-n dhe përsëri e njëjta gjë ndodhi dhe po vazhdon të ndodhë me rikthimin e PD-së në pushet. Për rrjedhojë, kemi mbi njëzet vjet që jemi i vetmi vend të Europë që nuk bën dot zgjedhje të lira e të ndershme, sepse ato i dhunon pala që, sipas radhës, është në pushtet. Pasojat në nivelin ekonomik janë po ashtu të dukshme; kemi një grusht të pasurish më një anë dhe një shumicë që jeton nën nivelin e varfërisë në anën tjetër.

Pyetja megjithatë shtrohet: si të bëjmë që nga kjo lloj gjendjeje, që kurrsesi nuk mund të quhet demokraci dhe as liri – kujtoj me këtë rast thënien e Lockut, sipas së cilës, nuk mund të jemi të lirë atje ku nuk ka ligje – të kalojmë në sundim të ligjit? A mjafton të ndërtojmë ligje që përputhen me standarde demokratike,   apo duhet edhe diçka më shumë, dhe çfarë do të ishte kjo diçka më shumë?

Nuk pretendoj t’i jap përgjigje shteruese kësaj pyetjeje që përfshin shumë çështje, por, sikurse e kam shprehur edhe herë tjetër, ngulmoj se shoqëria shqiptare ka si problem kryesor ndarjen e thellë që ekziston midis fasadës së demokracisë formale më një  anë, dhe institucioneve informale që veprojnë prapa kësaj fasade (si ai i mikut, tarafit, klanit, ryshfetit, krimit, korrupsionit, mediave të kontrolluara prej tyre etj.), më anë tjetër – dhe se ka nevojë urgjente të reflektojë mbi këtë. E, në këtë reflektim, një gjë duhet ta kemi si “nord”: se kjo ndarje vjen nga mungesa e sundimit të ligjit, e cila, në rreth vicioz, e thellon këtë ndarje.

Një pyetje e rëndësishme që vlen të shtrohet në kontekstin e kërkimit të zgjidhjes është: a ia vlen të vazhdojmë të aprovojmë ligje që u përshtaten standardeve demokratike ndërkohë që këto nuk funksionojnë? A mos vallë duhet të kthehemi mbrapsht, në një sistem më autoritar – disa p.sh. kërkojnë një juntë ushtarake, disa, duke iu referuar përvojave të shek XIX në Britani, do të kërkonin që e drejta e votës të kufizohej vetëm në ata individë që paguajnë taksa dhe zbatojnë detyrimet – apo duhet të kërkojmë rrugët tona specifike? Sipas meje, është një pyetje që ka kundërthëniet e veta, por ngulmoj se nuk mund të kthehemi prapa dhe se prandaj reflektimi do të duhej të bëhej mbi atë se si të vendosim sundimin e ligjin në kushtet e vendosjes formalisht të demokracisë në vend.

***

Për ta ilustruar po marr një debat të fundit të këtyre ditëve: atë lidhur me draftin për heqjen e imuniteteve. Që deputetët të heqin dorë nga imuniteti nuk ka dyshim se formalisht është një hap demokratik, sepse nëpërmjet një akti të tillë çohet më tej parimi i madh i barazisë së qytetarëve përpara ligjit. Ndonëse opozita duket se do ta votojë, kryesisht për shkak të ndërkombëtarëve, ka argumente tejet të rëndësishme për ta kundërshtuar atë. Argumenti kryesor është se, në kushtet e mungesës së sundimit të ligjit, heqja e imunitetit mund ta dëmtojë edhe më rëndë demokracinë nëpërmjet (keq)përdorimit të këtij ligji nga maxhoranca. Pra, duke qenë se jemi në një vend ku nuk sundon ligji, por ku maxhoranca sundon nëpërmjet ligjit, procedurave, vendimeve të marra nga një drejtësi e kontrolluar prej saj, ky ligj mund të kthehet në bumerang për demokracinë.

Dikush me të drejtë mund të pyesë: po pse të kenë frikë deputetët opozitarë? Nëse një deputet merr një rrogë që është krahasimisht e lartë në raport me popullsinë, ka tërë ato lehtësira dhe respekton ligjin, siç duhet ta respektojë një deputet, ai s’ka pse trembet, pasi, gjithsesi, jetojmë në një vend dhe sistem ku asnjë gjyqtar, sado vegël e maxhorancës të jetë, nuk guxon të dënojë një të pafajshëm.

Nuk ka pikë dyshimi se një pjesë i tremben fatit të bizneseve që kanë krijuar sajë atij sistemi përfitimi me rrugë të paligjshme që është ngritur gjatë këtyre njëzet vjetëve në mungesë së sundimit të ligjit. Por, ama, kur drejtësia vepron në mënyrë selektive, dëmi i ndëshkimit selektiv të fajtorëve është më i madh se sa përfitimi që vjen nga dënimi i tyre, pasi, në këtë mënyrë, rritet ndjenja e padrejtësisë në vend, ashtu sikurse edhe servilizmi dhe nënshtrimi ndaj më të fortit. Por ka edhe argumente të tjera kundër heqjes së imunitetit: Imagjinoni një deputet, i cili është i ndershëm dhe e kryen me bindje detyrën e tij të denoncimit të akteve të korrupsionit, abuzimeve etj., etj. Kur më i forti ka nën kontroll ligjin e gjykatat, atij shumë lehtë mund t’i hapen procese civile që t’ia nxijnë jetën duke trembur njëherësh të tjerët. Këto argumente na bëjnë të kujtojmë se në parim imuniteti i deputetëve është vendosur për t’i mbrojtur ata në luftën që bëjnë për mbrojtjen e interesave të atyre që përfaqësojnë dhe të ngremë pyetjen: A jemi pjekur për t’ua hequr imunitetin ndërkohë që jetojmë në një vend ku nuk sundon ligji, por ku sundohet nëpërmjet ligjit? Fakti që deputetët e maxhorancës, shumica e të cilëve, sikur të sundonte ligji do ta shihnin veten të proceduar për korrupsion e krime të tjera, i gëzohen kaq shumë heqjes së imunitetit dhe akuzojnë opozitën se ka frikë, flet vetë për këtë. Në rastin më të mirë në realitetin shqiptar të mungesës së sundimit të ligjit, heqja e imunitetit do t’i shërbejë maxhorancës për ta shitur si sukses për fitimin e statusit, por duke e lënë të paprekur sistemin e pandëshkueshmërisë për kastën e deputetëve dhe gjyqtarëve.

Sidoqoftë, me gjithë kundërshtitë që ngre ky rast që mora për ilustrim, gjykoj se nuk duhet të kthehemi prapa, ngase kështu ndoshta do të ishte më keq akoma. Një kornizë më e gjerë e demokracisë formale, gjithsesi krijon më shumë hapësira për lirinë. Një qytetar, kur e di se i ka disa të drejta të garantuara me ligj, e ka më të lehtë t’i kërkojë ato, sesa kur ato nuk ekzistojnë. Por, pa harruar asnjëherë se ligjet e mira janë ata që hartohen nisur nga nevojat që lindin në vend, dhe jo kur këta i diktojnë ndërkombëtarët.

Në rastin e ligjit në fjalë, ndoshta më shumë se kurrë duhet menduar se si debati mbi të të ndikojë në ndërgjegjësimin e nevojës urgjente të kalimit tonë nga një vend ku sundohet nëpërmjet ligjit (dhe joligjit) në një vend të sundimit të ligjit. Sikurse e thashë edhe më sipër, nuk pretendoj të shtjelloj këtu gjithçka që duhet bërë për këtë. Nuk ka pikë dyshimi se aprovimi dhe pastaj njohja e ligjeve që i shkojnë sistemit demokratik, ashtu sikurse kultura e qytetarisë, morali sipas të cilit nuk duhet t’i bëjmë tjetrit atë që nuk duan të na e bëjnë neve, edukimi që në shkollat fillore me respektin ndaj ligjit, janë elemente të domosdoshme në këtë proces. Por nuk mund të mos vë në dukje, në vazhdën edhe të çfarë kam shkruar më parë, se një nga gjërat kryesore që na mungojnë për të vendosur sundimin e ligjit është ekzistenca e pluralizmit të vërtetë në Shqipëri. Sipas përvojës angleze që përmenda duke iu referuar librit “Pse dështojnë kombet…”, që u bë edhe inspirues i këtij shkrimi, me pluralizëm të vërtetë kam parasysh se, kur u bë Revolucioni i Lavdishëm i 1688-s në Britani, ata që bënë revolucionin ishin një klasë e re me interesa të vetat, për të cilat ishin të gatshëm të luftonin. Ata, të organizuar në partinë e Vigëve, kërkuan barazinë përpara ligjit, sundimin e ligjit dhe duke pasur mbështetje të gjerë, erdhën në pushtet. Ndërkaq, kur erdhën në pushtet, me shpirtin e tyre libertar, vigët refuzuan ta kontrollonin Drejtësinë me vetëdijen se pala tjetër (Torët) do të kërkonte revansh kur t’i vinte radha. Kjo solli vendosjen e sundimit të ligjit që, në “rreth virtuoz” “institucionesh përfshirëse” u hapi rrugën lëvizjeve të mëvonshme të grupeve të tjera sociale që kërkuan dhe fituan edhe ato barazinë përpara ligjit.

Po të aplikojmë këtë skemë në gjendjen aktuale të vendit tonë, do të thosha se ajo që mungon thellësisht në Shqipëri është një palë tjetër nga pala që sundon, e tillë që të imponojë sundimin e ligjit edhe në emër të mbrojtjes së interesave të shtresës që përfaqëson. Për shkak të “institucioneve përjashtuese” që ka krijuar “rrethi vicioz” i elitave që kur vijnë në pushtet sillen si paraardhësit, opozitat tona kanë ardhur duke u tkurrur në interesat e një grupi oligarkësh e militantësh që synojnë të marrin pushtetin për të bërë atë që kanë bërë paraardhësit me ligjin. Edhe ligjet e aprovuara me bekimin e opozitës para disa vjetësh, që dobësuan pavarësinë e institucionit të Presidentit e të Drejtësisë, ishin shprehje e këtij “rrethi vicioz” “përjashtues”; edhe vetë ligji zgjedhor që hartuan para disa ditësh ishte “institucion përjashtues” për partitë më të vogla dhe për vetë zgjedhësin. Kjo ka bërë, pra, që të mungojë një opozitë që të përfaqësojë interesat e të grabiturve nga oligarkia kriminale dhe militantët mercenarë. Duhet t’u shtojmë këtyre edhe faktin se mediat tona, në vend se roje të sundimit të ligjit, janë roje dhe nxitëse të interesave të këtyre palëve, si dhe se, në një treg kaq të vështirë për kompeticionin, këtyre u duhet të mbështeten edhe te krimi i organizuar. Kjo na ka çuar në një gjendje të tillë ku, siç tha edhe ambasadori danes Jansen në intervistën e dhënë në prag të largimit nga Shqipëria: ”Kultura kriminale korruptive ka arritur një masë kritike ku edhe armiqtë ndajnë të njëjtin interes që drejtësia të mos ushtrohet, sidomos për çështje të bujshme, nga frika e efektit domino”. Në këto kushte nuk mund të mos ngremë edhe ne pyetjen që ngriti ai: “A është e mundur që politikanët e korruptuar, pra kriminelët, ta udhëheqin këtë vend drejt BE-së?” – çka në thelb do të thotë: A mund të vendosin këta sundimin e ligjit, çka është baza për të zhvilluar pastaj demokracinë?

Është vështirë t’i përgjigjesh pozitivisht kësaj pyetjeje. Intervista e danezit të lë pa frymë në vërtetësinë e saj, veçanërisht kur përshkruan lehtësisë me të cilën shqiptarët, deri edhe ata që e quajnë veten elitë, bashkëjetojnë me kriminelët dhe paligjshmërinë. Por, në emër të shpresës, mendoj se pjesërisht vetëdija e pjesë më të ndershme të klasës politike ekzistuese, pjesërisht të rinjtë që nuk kanë pse tremben kur kthejnë kokën prapa për t’u organizuar në emër të përfaqësimit e mbrojtjes së interesave të të grabiturve, dhe pjesërisht konteksti ku jetojmë do të duhet të ndikojnë të hidhet një hap i guximshëm në drejtim të vendosjes së sundimit të ligjit kundër sundimit nëpërmjet ligjit dhe joligjit. Përndryshe, duhet të jemi të sigurt që sipas “rrethit vicioz” të bërë tashmë traditë, herët ose vonë do të vijnë të tjerë që, gjithë duke përmbysur këtë klasë që kemi sot, do të bëjnë siç ka bërë ajo – d.m.th. siç kanë bërë fanolistët kur përmbysën zogistët, zogistët kur përmbysën fanolistët, enveristët kur i përmbysën të dyja palët, demokratët kur përmbysën enveristët, socialistët kur përmbysën demokratët dhe prapë demokratët kur përmbysën socialistët, gjithë duke përsëritur të njëjtën maskaradë, me pasoja dramatike për demokracinë dhe begatinë e vendit. (Panorama, 16 korrik 2013)

Read More......

Saturday, July 7, 2012

A ka faj opozita



Edi Rama kohët e fundit është angazhuar me disa shkrime apo prononcime, nëpërmjet të cilave kërkon të provojë falsitetin e akuzës së maxhorancës se përgjegjësia për mosarritjet e Shqipërisë, përsa i përket integrimit në Europë, dhe më konkretisht njohjes së statusit të vendit kandidat, është e opozitës.
Sipas meje, meriton të bëhet një debat i rëndësishëm mbi shqetësimin që ngrihet nëse ka apo nuk ka faj opozita për çka po ndodh në këtë vend.
Sipas mendimit të gjithëpërhapur nga mediat tona, Shqipëria nuk e meriton statusin e vendit kandidat sepse maxhoranca dhe opozita nuk janë bashkëpunuese, sepse zgjedhjet nuk janë të ndershme, sepse ka korrupsion, sepse herë pas here opozita kalon në mjete jashtë-institucionale dhe maxhoranca përgjigjet me metoda edhe më brutale, si 21 janari, sepse Berisha dhe Rama nuk janë në gjendje të ulen së bashku për të zgjedhur një President konsensual, sepse nuk votohen disa ligje që janë me tre të pestat, sepse nuk kemi dialog sa duhet e të tjera si këto, e prandaj duhen reforma që i kanë linjat e tyre të përcaktuara edhe në rekomandime nga ndërkombëtarët. Me fjalë të tjera, perceptimi është se mungojnë disa gjëra që do të jepnin imazhin se demokracia dhe shteti ligjor funksionon në Shqipëri, e ndër këto gjëra opozita e vë theksin veçanërisht në reformën e sistemit zgjedhor që do të pengojë vjedhjen e votës. Shqiptarëve, ndërkaq, nuk mund të mos u bjerë në sy se lufta më e madhe bëhet pikërisht për t’i bindur ndërkombëtarët se kush e ka fajin, madje se sa më shumë kalon koha, aq më shumë duket sikur për opozitën, e vetmja mënyrë për të rrëzuar Berishën, mbetet bindja e ndërkombëtarëve që fajtori i vetëm është Berisha, ndërkohë që për Berishën preokupimi kryesor është që, gjithë duke vazhduar rrugën e tij për kapjen e të gjitha institucioneve, të akuzojë opozitën se është ajo fajtorja që ai po i kap këta. Në ravën e kësaj lufte kemi edhe ndërhyrjet e fundit të Ramës.
Së pari duhet thënë se Shqipëria nuk e meriton statusin e vendit kandidat, me çka nuk kuptoj hyrjen në paradhomën e klubit, por bërjen e cilësisë së jetës së shqiptarëve pak a shumë të përafërt me atë të qytetarëve europianë. Dikush si unë, që është në (o)pozitën e një shqiptari i cili nuk ka ndonjë interes personal nëse kthehet në pushtet PS apo jo, por që kërkon ndryshimin e kësaj gjendjeje, do t’u thoshte pa ngurrim ndërkombëtarëve: Vazhdoni t’u bëni presion dhe më kryesorin duhet ta ushtroni mbi maxhorancën. Mund të  ndryshoja mendim vetëm nëse dikush tjetër do të më bindte me argumente se futja në familjen e madhe do të ishte më efikase për të ndryshuar klasën politike, sesa lënia jashtë, por kurrsesi nuk do të pranoja që opozita të bënte gjithçka që kjo të ndodhte. Madje do të thosha se një opozitë që, e kompleksuar nga akuzat se po pengon futjen e vendit në BE ose pse e blerë nga maxhoranca, do të krijonte, me sjelljen e saj, imazhin sikur gjërat shkojnë për bukuri në Shqipëri, do të akuzohej si fajtore së bashku me maxhorancën për një mashtrim të madh të popullit këtu më së pari dhe të ndërkombëtarëve më së dyti. Pra, sipas gjykimit tim, opozita nuk ka ndonjë faj kur bën disa veprime për të treguar se vuajmë nga një sëmundje e keqe e prandaj duhet të kurohemi përpara se të pranohemi në mënyrë që të mos vazhdojë të përparojë e keqja në vend e të mos shpërhapet ajo edhe te të tjerët.
Ndryshon puna, ndërkaq, kur shtrohet çështja e marrjes përsipër të përgjegjësive të opozitës për këtë sëmundje dhe çfarë bën ajo për t’i njohur këto dhe për t’i kapërcyer. Personalisht, kur them se Shqipëria nuk e meriton statusin e vendit kandidat, më shumë se sa simptomat tregues të mosfunksionimit të demokracisë që numërova më lart, kam parasysh shkakun e thellë të këtyre simptomave. Për mua shkaku kryesor pse Shqipëria nuk funksionon si një shtet demokratik është ngritja e një sistemi ekonomik dhe politik, i cili e bën të pamundur funksionimin e demokracisë dhe të shtetit ligjor në vend. E kam fjalën, pra, se shteti shqiptar është i kapur në atë shkallë nga interesa private që janë kundër interesit publik, saqë, në shumë aspekte, ai i shëmbëllen një organizate të madhe kriminale, çka e bën të pamundur funksionimin e demokracisë si pushtet i popullit, sepse është pushteti i krimit, dhe se, në një rreth vicioz, mosfunksionimi i demokracisë e stimulon edhe më shumë këtë pushtet.
Le ta ilustroj me një shembull të freskët për të cilin kam shkruar dhe protestuar si qytetar disa ditë më parë. Të gjithë kemi parë se si një firmë e pajisur me ruspa dhe sharra iu fut një cope të Parkut Kombëtar të Tiranës për të zgjeruar Rrugën e Elbasanit duke prerë me qindra pemë, duke hyrë deri në Varreza, duke projektuar edhe shembjen e murit të Pallatit të Brigadave, që është monument kulture i shkallës së parë. Dhe e gjitha kjo u bë duke shkelur të gjitha ligjet e mundshme në fuqi, pra pa projekt të aprovuar e të firmosur nga kryetari i Bashkisë, pa vendim të KKRRTSH-së, pa u pyetur Instituti i Monumenteve, pa u përfillur Konventa e Arhusit pa…, pa… dhe pa na ardhur asnjë përgjigje nga institucionet përgjegjëse për këto shkelje ligjore, por vetëm një prononcim i Kryeministrit se populli i do rrugët – a thua se jetojmë ende në ndonjë monarki absolute ku mbreti thoshte se shteti, ligji dhe interesi i popullit jam unë. Në një shtet demokratik, ku funksionon ligji, Prokuroria do të duhej të kishte bllokuar punimet dhe hapur menjëherë çështjen, – edhe sikur të mos kishte shkuar denoncimi qytetar që, me sa kam dijeni, ka shkuar si në Prokurori, edhe në Inspektoratin e Bashkisë, Inspektoratin e Mjedisit dhe Inspektoratin e Ndërtimit. Por asgjë nuk ndodh. Ruspat vazhdojnë punën. Pse? Sepse shteti është i kapur nga ata që kanë projektuar, për interesat e tyre, këtë rrugë. Dhe problemi është se ajo çka po ndodh në këtë rrugë është metaforë e asaj që po ndodh në tërë Shqipërinë. Pra unë them se dikush që ndjek nga afër – siç presupozohet se duhet të jenë edhe ndërkombëtarët që kemi këtu – se çfarë po ndodh në Shqipëri do të gjykonte se ky vend nuk meriton të marrë statusin e një vendi që e afron me vendet demokratike më shumë duke analizuar çfarë tregon sjellja e shtetit në Rrugën e Elbasanit, sesa duke parë se si u zgjodh Presidenti. Megjithatë, siç thashë, nuk i shoh pa lidhje njërën me tjetrën, pasi ajo që po ndodh (simbolikisht) në këtë rrugë, është shkaku më i thellë pse në Shqipëri nuk ka demokraci.
Këtë që po na thua ti tani i ka thënë edhe kryetari i opozitës kur ka deklaruar se vidhet vota që të vidhet Shqipëria – do të më ndërhynte ndonjë lexues socialist në këtë pikë, – prandaj ti duhet të protestosh për vjedhjen e votës. Jo, unë nuk them tamam kështu. Ajo që dua të theksoj është pikërisht e kundërta: se në një vend ku sundon sistemi i vjedhjes, nuk mund të mos vidhet vota. Dhe problemi është se opozita nuk merret ashtu dhe si duhet me sistemin e vjedhjes, por e redukton opozitarizmin te disa vjedhës, nganjëherë madje vetëm te familja e Kryeministrit apo te vjedhje të veçanta, duke mos e trajtuar çështjen si çështje sistemi, se ajo u mëshon reformave dhe transparencës për mosvjedhjen e votës së shqiptarëve, duke mos krijuar dot besimin se kërkon ta ndryshojë sistemin e vjedhjes së lekëve e të pronës publike të shqiptarëve.  Ky është për mua faji kryesor i opozitës. Dhe për ta ilustruar këtë, po i referohem përsëri rastit që mora si metaforë: çfarë po ndodh te Rruga e Elbasanit? Sikurse u bë e njohur tashmë edhe në disa media, pronari i firmës që po shkatërron këtë pjesë të Parkut ka qenë një deputeti i PS, i cili, kur u bë deputet – ia ka kaluar firmën vëllait apo kushëririt të parë. Dhe është e qartë se përzgjedhja për t’ia dhënë tenderin e pa pajisur me leje ndërtimi “familjes socialiste” nuk është rastësore. Ajo është bërë që opozita të mos protestojë. Ja, pra, se si sistemi bashkon maxhorancën dhe opozitën në pikën e vjedhjes. Në fakt, opozita bëri dekorin, foli kundër kësaj rruge, disa deputetë të saj dolën edhe në protestë, por asgjë nuk ndodhi përtej kësaj. Firma e “familjes” socialiste vazhdon të marrë nga Bode lekët publike duke shkelur ligjin, njëlloj si firmat e familjes demokrate, kurse deputetit nuk dimë t’i ketë kërkuar ndokush llogari në partinë e tij. As të jetë bërë ndonjë përgënjeshtrim. Pra, gjithë duke e përgjithësuar problemin që paraqet rasti i abuzimit me këtë rrugë, problemi është se sistemi i vjedhjes së publikes me kësi lloj firmash që kanë kapur shtetin ose që bashkëpunojnë me shtetin në formën e një organizate që kryen krime kundër interesit publik, është gjithandej. Ai funksionon kështu edhe në Korçë, ku qeverisin socialistë, edhe në Vlorë, edhe në Durrës. Ka funksionuar po njëlloj edhe në Shqipërinë e qeverisur nga Fatos Nano e Ilir Meta, edhe në Tiranën e qeverisur nga Edi Rama. Dhe ngulmoj se ky sistem nuk është i palidhur me demokracinë, për të cilin flet gjithë ditën opozita duke akuzuar se po kapen të gjitha institucionet. Pse? Po jap një argument pak të tërthortë për ta shtjelluar. Dikush me të drejtë do të shtrojë pyetjen: Po nëse Partia Socialiste do t’u kundërvihej këtyre “firmave”, nuk do të kishte asnjë shans të vinte në pushtet? Imagjino për një çast se si do të mbetej ajo pa asnjë media që e mbështet, pa asnjë sponsorizim për fushatën elektorale, sepse gjithçka është në duart e këtyre. Madje për ilustrim mund të më sillte edhe rastin se si, kur një pjesë nga ata që denoncuan çfarë po ndodh te Rruga e Elbasanit sot, si Artan Lame e Artan Shkreli, denoncuan, në thelb për të njëjtat arsye, projektet e “firmave” të kryetarit socialist të Bashkisë në Korçë, ky sipas disa zërave brenda PS, kërcënoi se do të shkonte te LSI-ja dhe fakti është që kryetari Rama i doli në mbrojtje publikisht kryetarit të Korçës kundër Lames, Shkrelit e të tjerëve. Pra edhe në Korçën ku qeverisin socialistë mbretëron pushteti i firmave, dhe jo pushteti i popullit, ashtu si në Tiranën ku qeverisin demokratët.
Dhe ja ku arrita te pika që na intereson më shumë. Shqipëria, duke përfshirë edhe opozitën me aq sa ajo ka pushtet dhe është pjesë e shtetit, nuk sillet dot si një demokraci, d.m.th. si sistemi që bazohet mbi përfaqësimin e të gjitha grupeve të interesave dhe harmoninë e grupeve të interesave, me shtetin si arbitër, si kurator të interesit publik, sepse është nën sundimin ekskluziv të firmave. Në një sistem të tillë, të diktaturës së firmave, që shpesh nuk janë thjesht e vetëm biznese që, për të mbijetuar, kanë nevojë të korruptojnë shtetin, por edhe grupe të fuqishme trafikimi droge e riciklimi parash të pista, ku morali i vetëm është peshku i madh e ha të voglin, a nuk është e pashmangshme që shteti, në vend se kurator i interesit publik, të tjetërsohet në ortakun e firmave të mëdha, veçanërisht duke pasur parasysh edhe se jemi në kohë krize ekonomike? Sipas meje, po. Pra, nëse jetojmë në një vend ku Presidenti zgjidhet me arrogancë, ku Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sillet si instrument në duart të maxhorancës për të manipuluar votën, ku vota vidhet, ku hasim një pandëshkueshmëri të pushtetit në atë pikë sa figura politike të përfshira në korrupsion që në një demokraci do të ishin nën pranga sot përcaktojnë fatet tona, kjo është pasojë e një sistemi të ndërtuar që të funksionojë si pushtet i firmave, dhe kjo nuk rregullohet duke ndryshuar sistemin elektoral, por duke ndryshuar raportin e  partive dhe, për rrjedhojë, të shtetit me grupet e ndryshme të interesit. Kjo do të thotë që përpara transparencës së votës të kërkohet nga opozita transparenca e financimit të partive, për shembull.
Përndryshe, sipas meje, situata do të degradojë në pikën ku opozita mund të humbasë arsyet e ekzistencës. E vërteton këtë edhe ajo që ndodhi në prag të zgjedhjes së Presidentit. U hodh teza se për të evituar rreziqet që sjell kjo gjendje për demokracinë duhet të bashkohen të gjitha “firmat” e mundshme që të mundet partia e super-firmave të Berishës e për këtë dikush sugjeroi se “partia firmë”, LSI-ja, do të ishte vendimtare. U bë madje edhe tentativa për ta afruar. Rama shkoi deri në Gjirin e Lalzit për të takuar Ilir Metën, i shoqëruar nga një person që ka qenë në burg për kontrabandë. Por pikërisht fakti se gjithçka u bë me logjikën e firmës me interes privat, bëri që “firma LSI” ta përdorë  takimin për të rritur fitimin e aksionerëve të saj. Rezultati u pa.
Dhe pyetjet që duhet të shtrohen edhe pas këtij rezultati janë: Së pari, kur politika katandiset në këtë lloj lufte peshqish të mëdhenj që hanë të vegjlit, a nuk është logjike që demokracia të përfundojë? Së dyti, mos ndoshta për ta ruajtur e fuqizuar demokracinë, opozita e vërtetë duhet kërkuar/ndërtuar si përfaqësuese bash e atyre që po dhunohen e grabiten përditë nga partitë “firma” dhe shteti i tyre? E nëse PS nuk e bën dot këtë ngase është e dënuar të mbesë nën hyqmin e sistemit mu pse i ka ngritur vetë më së pari shtyllat e instrumentet e tij (kujtoj në këtë rast në mënyrë të veçantë mediat e firmave), e vazhdon të jetojë e punojë për të atje ku ka pushtet, a mos duhet kërkuar kjo opozitë e re, më me ngulm se kurrë, diku gjetkë? (Panorana, 5 korrik 2012)

Read More......

Wednesday, July 4, 2012

Kronikë nga KQZ



Gjatë 27 dhe 28 qershorit, si pjesëtar i grupit nismëtar të kërkesës për referendum kundër importimit të plehërave, mora pjesë në seancat e hapura të KQZ-së që do të vendosnin për pranimin apo mospranimin e kërkesës sonë. Ishte hera e parë që e prekja nga afër këtë ambjent. Herë  të tjera e kam ndjekur nëpërmjet ekranit dhe ju siguroj se ka mjaft ndryshim.
Mendimi që erdhi duke mu kristalizuar sa më shumë qëndroja në atë sallë, i dashur lexues, ishte se ngjarja që po zhvillohej atje ishte material i mrekullueshëm për ndonjë  autor teatri, që kërkon të trajtojë dramën e këtij vendi, stadin e demokracisë apo të mosdemokracisë në të cilën ndodhemi, psikologjinë që vepron në raportin tonë me institucionet dhe pushtetin. E them këtë sepse në atë sallë ishin simbolikisht tërë aktorët kryesorë të jetës sonë. Ishte “drejtësia” e anëtarëve të famshëm të KQZ me në krye Ristanin, ishin ”ekzekutivi” e “legjislativi”, me në krye përfaqësuesit e partive politike, dmth Kosovrastin e PD dhe Gjonçaj të PS, ishte “admininstrata” e KQZ që presupozohet të bëjë punët teknike, ishte “media” që po e ndiqte dhe regjistronte atë që po ndodhte  - ishim edhe ne “populli”, thoni po të doni “shoqëria civile” që kishte çuar atje një kërkesë për referendum të mbështetur me 65 mijë firma qytetarësh.
Çfarë më bëri më shumë përshtypje atje? Më falni, harrova të them se aty ishte prezent edhe një personazh hije, që nuk mund asesi të neglizhohet në skenografinë e dramës, edhe pse nuk kishte karriken e tij. E kam fjalën për ambasadorin amerikan Arvizu personazhi, pra, që disa ditë më parë kishte denoncuar në aktivitetin “Vepro tani” mosdhënien përgjigje nga KQZ-ja kërkesës për referendum, për të cilin, kur mbrrita aty, më thanë se kishte qenë në KQZ pikërisht atë ditë në mëngjes përpara fillimit të mbledhjes sonë. Letërsia, siç e dini, është e mbushur me personazhe hije që, edhepse nuk shfaqen asnjëherë në skenë, janë protagonistë kryesorë.
Fakti që ne – populli – kishim ndjesinë se po pranoheshim të hynim në atë sallë vetëm se na kishte mbrojtur ambasadori më krijonte një ndjenjë poshtërimi dhe të them të drejtën nuk u gëzova, si disa më të rinj se unë, kur më thanë se “betejën e kemi të fituar” sepse “ambasadori ishte këtu”. Por tani le t’u tregoj shkurt disa nga episodet apo aktet kryesore të dramës.
* * *
Në hyrje “administrata” lexoi një raport që kishte të bënte me verifikimin e kërkesës sonë në të cilën, me dy fjalë, thuhej se ishin paraqitur formularë që përmbanin 65 mijë firma ndër të cilat ata kishin vënë re se kishte edhe të parregullta - firma ku kishin firmosur kryefamiljarët për gjithë familjen – por që gjithsesi nuk ndikonin që shifra e firmëtarëve të rregullt të binte nën 50 mijë. Pra raporti i administratës nënkuptonte se kishin vendosur t’i thonin pro referendumit.
Sipas mendimit të ndonjë naivi nga ne kaq mjaftonte: ne duhet të iknim në shtëpi dhe shteti në këtë rast KQZ duhet të fillonte të merrej me  përgatitjen e referendumit. Sepse, tek e fundit, edhe sipas mendimit tim gjithmonë naiv, çështja e pranimit dhe mospranimit të futjes së plehërave në Shqipëri është një çështje transversale që i përket edhe PD-istëve edhe PS-istëve, pasi unë nuk besoj kurrësesi se si palë e vetme e interesuar pro referendumit, që kërkon abrogimin e ligjit, të jenë vetëm zgjedhësit e opozitës dhe si palë kundër referenduamit të jenë zgjedhësit e maxhorancës. Mirëpo ja që shumë shpejt, kur fjalën e mori Kosovrasti i partisë së madhe që është në pushtet, atje u krijua një situatë që më bëri të më duket sikur po shihja luftën në KQZ për zgjedhjet e Tiranës se kush duhet të ishte Kryetar Bashkie, Basha apo Rama. Mos harroni asnjëherë se atje kishte me dhjetëra kamera që transmetonin live apo regjistronin për t’ia paraqitur shfaqjen pastaj popullit.
Përpara se të kthehem tek Kosovrasti më duhet të bëj edhe një retrospektivë sqaruese, i kujtoj lexuesit se, pasi “personazhi” i gjithpranishëm dhe njëherësh i padukshëm dhe i papërmendur, e quajti “të papranueshme” që KQZ nuk i jep përgjigje kërkesës së shoqërisë civile për referendum, KQZ reagoi duke thënë se ajo kishte çuar për ekspertizë një kampion formularësh me firma dhe, nga ky kampion, kishin dalë shumë firma të fallsifikuara.

* * *
E pra i dashur lexues Kosovrasti i PD-së, me tonin e tij tejet serioz dhe imponues, që donte të tregonte se pushteti i vetëm dhe i vërtetë atje ishte ai, filloi një  diskurs mbi këtë kampion që mua po më tingëllonte si inkuizicion i vërtetë. Në 140 firma ju keni thënë se kanë dalë 70% të fallsifikuara – iu drejtuar KQZ-së. Ne mendojmë se këta meritojnë të hetoen për fallsifikim kurse, sa për kërkesën për referendum, kjo duhet hedhur poshtë. Kjo ishte, me dy fjalë, pretenca që dha Kosovrasti për KQZ-në dhe për popullin nëpërmjet një tirade shumë të gjatë që tingëllonte edhe komike edhe tragjike. Pse them komikotragjike? Sepse komikja qëndron në atë se shumica e kishin të qartë se kjo ishte “loja” për t’i treguar “personazhit” se KQZ-ja është e paanëshme, se ajo, megjithë kërcënimet e partisë në pushtet, nuk pyeti dhe vendosi për referendumin. Kurse tragjikja qëndronte në atë se “popullit”, dmth. atyre që guxojnë të kërkojnë referendume si ky, iu dha mesazhi se është mirë ta kenë vëth në vesh  se edhe ekspertët tanët  i kemi dhe prisni sa të marrim edhe prokurorinë plotësisht në dorë dhe jua tregojmë ne, mjaft t’ju gjejmë ndonjë firmë të dyshimtë diku.
Pastaj e mori fjalën përfaqësuesi i përhershën i PS pranë KQZ, Gjonçaj, i cili filloi të mbrojë kërkesën tonë për referendum. Unë përsëri u ndjeva keq sepse nuk arrija të kuptoja se ç’punë kishin përfaqësuesit e dy partive atje. Ata mund të jenë atje fare mirë kur bëhet fjalë për zgjedhjet ku janë protagonistë, por në këtë rast pala e interesuar ishim ne të shoqërisë civile. Pse duhej të dilte Kosovrasti të fliste me kaq egërsi kundër tërë atyre qytetarëve që kanë firmosur për referendum kur në mes tyre ka edhe njerëz që votojnë për partinë e tij, madje jam i bindur se shumica e votuesve demokratë, po të bëhet ky referendum, do të votonin kundër sjelljes së plehërave. Pse duhej të krijohej perceptimi se kush është për referendumin është votues i PS? Pse këto dy parti duan të na imponojnë mendimin se asgjë nuk ekziston jashtë ombrellës së tyre? Sepse, ndërkaq, unë nuk mund të mos kujtoja se disa vjet më parë, kur Aleanca për Mbrojtjen e Gjirit të Vlorës ngriti një kërkesë për referendum lokal për të ndaluar shkatërrimin e Gjirit nga TEC-i,  petrolifera etj, ishte shumica e PS, në Komisionin asokohe Celibashi, që e mohoi mbajtjen e referendumit me nje truk.

* * *
I njëjti teatër interesash dypartiake, si ai midis Kosovrastit dhe Gjonçajt, u zhvillua edhe midis antarëve të KQZ ku, në katërshen e maxhorancës u vu re një krah radikal që po të kishte mundësi do të na çonte në gjyq për fallsifikim dhe një krah më i moderuar me në krye Kryetarin. Nga debati i përfaqësuesve të opozitës ne, populli, mësuam megjithatë disa gjëra mjaft interesante si psh. se vendimi për dërgimin e atij kampionit të famshëm tek ekspertët e policisë nuk ishte marrë në mënyrë kolegjiale, por vetëm nga Kryetari dhe se, po të ishte Komisioni i ndershëm, ky kampion do të duhej të ishte marrë edhe në prezencë të palës së interesuar, që ishim ne. Po ashtu u shtrua me të drejtë pyetja se, nëse administratës i kishin dalë mbi 50 mijë firma të rregullta, siç e tha edhe vetë, pse kishte pasur nevojë të dërgohej një kampion për verifikimin e firmave? Nuk mund të mos nxorrje konkluzionin se përpara se të vihej në lëvizje kjo ngjarje nga “personazhi”, ata kishin vendosur të mos e përfillnin fare kërkesën e popullit për referendum, dhe, për këtë, të shfrytëzonin kampionin e dërguar ekspertëve të policisë. Mirëpo ja që disa rrethana bënë që kësaj here rregulli të bëjë një përjashtim, por duke përforcuar rregullin, siç do ta shohim. 
Ç’është e vërteta Kryetari pati mirësinë të na e japë edhe ne, popullit, fjalën për të shpjeguar proçedurat që kishim ndjekur, por, kur unë “guxova” dhe i thashë se problemi më i madh në këtë që po ndodhte ishte kredibiliteti i institucionit që ai përfaqësonte, pasi ata kishin çuar në mënyrë të njëanëshme një kampion tek ekspertët e policisë që nuk kanë kredibilitet – ai ma ndërpreu fjalën duke më thënë se kisha dalë jashtë teme. Në fakt mua më dukej se isha tamam brenda temës sepse kisha parasysh qe edhe për plumbat e 21 janarit Prokuroria jonë nuk kishte treguar besim tek ekspertët e policisë sonë dhe i kishte çuar në SHBA.

***
Por nejse, le të vazhdojmë kronikën. Atmosfera dukej se, për hatër të “personazhit”, që, siç e thashë, s’u përmend asnjëherë aty, por ishte i gjithpranishëm, këta do ta aprovonin kërkesën për referendum.  Ndonjëri nga ne, madje, kishte merak që të mos i acaronim shumë Kryetarin se pastaj ai mund të ndrronte mendje. Popull jemi, duhet të na kuptoni. Madje ne as që kishim ndonjë avokat tonin atje, ndonjë ekspert të mirëfilltë që të na përfaqësonte, siç kishin partitë. Mos harroni, pastaj, se kemi dalë nga komunizmi kur të pandehurit nuk kishin avokat pasi ua mbronte të drejtat prokurori dhe gjykatësi.  Edhe ne pak a shumë si punë të pandehurish ishim atje, që kishin guxuar të ankoheshin tek ambasadori amerikan. Mos harroni se në kohën e Enverit këto lloj gjërash të kushtonin kokën, se të akuzonin për agjenturë apo për spiunazh. Tani disa antarë të KQZ, me në krye Kryetarin, u mjaftuan me vërejtjen në biografi se ne nuk kishim shfaqur besimin e duhur tek pavarësia e institucionit dhe ishim ankuar tjetërkund. Është hap i madh demokratik përpara ky. Askush nuk e mohon dot.
* * *
E pra, i dashur lexues, në sallë ishte krijuar një atmosferë ku u duk se ata do të kalonin për votim e do të votonin “pro”. Por Kryetari e mori fjalën dhe pasi lëshoi një sërë akuzash për ne të shoqërisë civile që kishim preferuar sulmet e pabesa dhe ato madiatike ndaj KQZ në vend të ballafaqimit të drejtpërdrejtë me ta,  duke mos më lejuar mua as t’i jap një përgjigje “të drejtpërdrejtë”, siç sapo e kishte kërkuar, për sulmet  që na adresoi, tha se Komisioni kishte nevojë për gjysëm ore konsultime.
E kështu seanca u mbyll për t’u hapur pas gjysëm ore.
Ajo që më bëri përshtypje si vëzhdues i jashtëm i vëmendshëm i asaj që ndodhi në atë gjysëm ore ishte se tre anëtarët e Komisionit, të propozuar nga opozita, nuk u futën në atë dhomën apo zyrën ku Kryetari do të bënte konsultimet. Ata, sëbashku me përfaqësuesin e PS, Gjonçaj, u shpërndanë për të pirë kafe me ne të “popullit” dhe gazetarët, kurse ata që u zhdukën nga skena, si duket për t’u konsultuar me njëri tjetrin apo me dikë tjetër, qenë katërshja   e maxhorancës sëbashku me Kosovrastin. Fakti është që ne të tjerët ishim duke pritur të gjithë në sallë kur më në fund në sallë hyri trupi gjykues i përbërë nga këta të katërt dhe Kosovrasti dhe Kryetari një vendim të papritur: se Komisioni kishte nevojë për konsultime të mëtejshme prandaj seanca e rradhës do të zhvillohej të nesërmen.
Dolëm paksa të befasuar, dhamë një deklaratë për mediat dhe po rrinim si të hutuar në daljen e KQZ, duke ngritur hamendje pas hamendjesh se çfarë mund të kishte ndodhur. Dikush thoshte se kanë marrë një urdhër të dytë nga Sali Berisha, dikush se “urdhëri” nuk u kishte ardhur nga Saliu, por nga ata biznesmenët e plehërave, dikush se kjo ishte teknika për të ngritur stekën tek grupet e interesit. Teksa rrihnim këto hipoteza e se çfarë do të ndodhte të nesërmen, aty u shfaq një skortë policie me motorra e makina. Nja dy persona civilë na thanë se duhet të largoheshim prej aty. “Çfarë ka ndodhur paska ardhur Presidenti gjë?” – pyeta një që ishte më i njohur me ato ambjente. “Jo mor, më tha, është skorta e Ristanit.” “Hm, thashë me vete, duke u kujtuar se këtij ia kanë vënë skortën, kur  e akuzoi opozita se i ka vjedhur votat. I mbrojtur kështu nga të pushtetëshmit, në një vend ku edhe skortat hiqen e vihen jo nga ligji, por nga më i forti, a mund të japë ky vendime kundër tyre?”

* * *
Ajo që ndodhi të nesërmen i dashur lexues dihet tashmë. Kosovrasti erdhi aty i paisur me argumente të forta juridike sipas të cilëve, edhe po të aprovohej kërkesa për t’u mbajtur referendumi, ky vendim do t’i çohej Gjykatës Kushtetuese dhe, gjithmonë sipas ligjit - se larg qoftë këta ligjin nuk e shkelin për gjëra kaq të vogla, por vetëm kur bëhet fjalë për të vjedhur shuma të mëdha -  ky vendim nuk mund t’i çohet Kushtetueses përpara 3 janarit 2013. Dhe meqënëse, gjithmonë sipas ligjit, - që ju kujtoj të dashur lexues, e kanë bërë vetë nuk ua ka diktuar Zoti në malin e Sinait, - një referendum nuk mund të mbahet gjashtë muaj para apo pas zgjedhjeve, i bije që edhe po e kaloi Gjykata Kushtetuese andej nga shkurti apo marsi 2013, ky referendum do të mbahet në vitin 2014.

** *
Një zgjidhje perfekte, i dashur lexues. “Personazhit” i thuhet: referendumin ta aprovuam sipas ligjit, por shiko edhe pikën e fundit të këtij paragrafi, atë për popullin. Grupeve të interesit që paguajnë politikanët me sponsorizime partie apo me para të thata në xhep u thuhet: ua shtymë edhe për ndonja dy vjet minimumi anullimin e ligjit, prandaj vazhdoni punën me plehërat dhe mendohuni mirë përpara fushatës elektorale. Sa për opozitën po jap komentin e Top-Channelit, ku  gazetari kishte nxjerrë si kryetitull se ligjvënësit e PD-së në KQZ ishin treguar edhe kësaj here më të zot se ata të PS-se për t’ua hedhur atyre. Kurse për popullin, që as gazetari i Topit s’e kishte vënë në hesap, atij iu dha mesazhi shekullor: ti gjithë jetën në plehëra dhe me plehëra ke jetuar, pse kujton se me ndihmën e një ambasadori do të na hiqje qafe? Harrove ti se të kemi detyruar të hash  bar dhe ne s’i jemi dorëzuar që s’i jemi dorëzuar armikut kur ky deshte të na hiqte nga pushteti? (Panorama, 30 qershor 2013)

Read More......

Sunday, July 1, 2012

Mbi vdekjen apo vrasjen e një lisi



Të dashur qytetarë të Tiranës, veçanërisht të dashur artistë, piktorë dhe skulptorë të Tiranës.
Besoj se të gjithë e keni parasysh një pemë lisi gjigante, hijemadhe në lulishten përballë Galerisë së Arteve të cilën shumë prej jush me siguri e kanë komentuar si gjënë më të bukur të atij vendi. Nëse ju kujtohet në vitet ‘90 nën hijen e kurorës së tij kanë pirë kafe shumë shumë qytetarë të Tiranës, veçanërisht artistë pasi përbri aty ka pasur një kioskë. Kur u rregullua lulishtja ai lis mbretëronte aty edhe më i bukur me kuroron e vet të plotë e gjigande.
Po ju jap një lajm të zi. Lisin e kanë prerë, e kanë rrafshuar. Ndoshta s’jua ka zënë syri në këto ditë zhegu mungesën e tij. Edhe unë e mora vesh vetëm një ditë më parë nga dikush që kishte lexuar shkrimin tim mbi një tjetër masakër mbi pemët, atë të Parkut të Tiranës.
Pasi ju solla kumtin po ju tregoj pak për historikun e kësaj peme. Ai lis ishte aty që në kohën kur është ngritur xhamija e Et’hem Beut, pra që në shekullin e XVIII. Thuhet se Et’hem Beu mbolli aty lisër dhe jo rrepër sepse rrepërit kanë nevojë për më shumë ujë dhe Tirana nuk ka edhe aq shumë e ky ishte një lloj pemë që s’ka shumë nevojë për ujë. Madje lloji i këtij lisi njihet si lis i valonës (Vlorës). Në Jug e quajnë valonidh. Ky ishte i vetmi lis që kishte mbetur ç’prej kohës kur Et’hem Beu e mbolli me këtë lloj lisi atë zonë. Kur është ngritur Galeria e Arteve, në vitet ‘70 të shekullit të kaluar, tregojnë se inxhinierët dhe arkitektët zbatues të projektit e kanë spostuar katër metra ndërtimin, nga ku ishte parashikuar, që ky lis historik të binte mu në mesin e aksit të saj. E them këtë për të treguar se ai ka arritur t’u imponohet me historinë dhe bukurinë e vet edhe pasardhësve shpirtërorë të këtyre barbarëve që na qeverisin sot, që e urrenin aq shumë botën e vjetër, ngase donin të linin kudo vetëm gjurmën e tyre.
E prenë, e vranë, të dashur miq më të vjetrin banor të Tiranës. Dhe asnjë zhurmë nuk u bë. Duket sikur të jetë një njeri që e kanë vrarë natën, hajdutshe, pasi e kanë grabitur dhe e kanë hedhur në ndonjë kanal dhe familjarët s’bëzajnë se kanë frikë nga vrasësit.
U interesova të marr vesh shkaqet, pasi mu duk akti më absurd në botë, ngase aty – thashë me vete – nuk besoj se ka ndërmend kush të ngrerë ndonjë pallat. Variantet që dëgjova ishin disa. Më i rëndi ishte ai sipas të cilit para një viti tek Galeria paska bërë festën e 4 korrikut Ambasada Amerikane dhe se këtë vit duket se duan ta bëjnë përsëri aty dhe njerëzit e sigurimit të ambasadës paskan shkuar të bëjnë verifikimin e vendit. Aty atyre u paska tërhequr vëmendjen se lisi dyqind e ca vjeçar i Et’hem Beut ishte duke u tharë dhe u paska shkuar në mendje se prej tij mund të bjerë ndonjë degë dhe kaq mjaftoi, të dashur miq, që servilët e servilëve të servilëve të marrin vendim ta presin. Vajmedet i bije ndonjë degë e tharë mbi kokë ambasadorit, ku të futemi ne pastaj, që për mikun tonë, për aleatin strategjik, presim koka shqiptarësh e jo më një pemë. Të them të drejtën unë nuk e besova këtë histori. S’ka mundësi thashë se edhe ata të sigurimit të ambasadës kafshë nuk janë – veç në qofshin shqiptarë. Prandaj u thellova në kërkim të shkakut. Një variant tjetër që dëgjova, edhe më djallëzor, ishte ai se barbarët ia kishin vënë syrin lisit sepse atje duan të vendosin një nga ato monumentet absurde të konkursit për 100 vjetorin e pavarësisë dhe kanë shfrytëzuar amerikanët për qëllimet e tyre. Më thanë po ashtu se pema fisnike qe tharë vërtet dhe se shkaku i tharjes ishte ngaqë atje shkonin natën dhe pshurrin njerëzit. Prap mu duk e pabesueshme. Ky zakon i vjetër i shqiptarëve që pshurrin rrëzë pemëve nuk më duket kaq vrastar. I telefonova një mikut tim për të cilin më thanë se kishte qenë atje me dy specialistë të ministrisë së pyjeve, për ta parë lisin të rrëzuar për tokë. Sipas tij specialistët kishin thënë se qe bërë gabim prerja aq shpejt, se Bashkia nuk ka ekspertë pyjesh, madje se kishin vënë re në degët e tij sythe dhe se trungu brenda ishte i shëndoshë. Po ashtu kishin thënë se edhe nëse ka vdekur kjo ka ndodhur nga pakujdesia apo padija pasi këto pemë jetojnë shumë më gjatë. Një tjetër, që pyeta, më shumë me hamendje, më tha se lisin kanë nxituar ta presin ata që u është dashur druri i tij për ta përdorur për parket a për mobilje për shtëpinë e ndonjë bosi. Nuk mungoi edhe varianti i dikujt që më tha se ka gjasë që atje të planifikojë ndonjë mik i Bashës a i Berishës ndonjë parkim dhe kjo pemë historike i prishte punë.
Nuk marr përsipër të gjej shkakun. Di të them se fakti që shpjegimet që jepen për prerjen e këtij lisi janë të kësaj natyre flasin shumë për klimën e raporteve që kemi me institucionet tona publike. Di të them po ashtu se Bashkia, që e ka patur në administrim, ka për detyrë të sqarojë qytetarët e vet dhe se një gjë të tillë nuk e ka bërë. Edhe Instituti i Monumenteve edhe Galeria e Arteve, si institucioni që e kishte kurorën e këtij lisi në oborrin e vet, duhet t’u thoshte një fjalë qytetarëve e veçanërisht artistëve. Ndoshta këta të fundit mund të kishin edhe ndonjë ide se çduhej bërë me këtë pemë historike nëse ishte tharë vërtet. Po ashtu them se edhe Ambasada Amerikane, për të cilën qarkullon akuza se u bë ajo sebepi i prerjes shpejt e shpjet të lisit, duhet të sqarojë nëse e ka kërkuar ajo një prerje të tillë apo jo. Aq më tepër që vetëm një ditë më parë Ambasadori Arvizu organizoi një aktivitet të lavdërueshëm për të sensibilizuar aktivitetin qytetar me titull “Act now” (Vepro tani) dhe fakti që një bashkëqytetar dyqindepesëdhjetëvjeçare i kryeqytetit pritet kësisoj, pa asnjë njoftim, flet shumë për atë se sa përfillet qytetari në këtë vend. E po qe e vërtetë se e kanë nxitur ata prerjen në këtë mënyrë uroj që Ambasadori “të veprojë tani” duke mos e bërë festën e këtij viti atje. Sepse mendoj se, për të hequr çdo dyshim se lisi ishte i pashpresë, Bashkia mund të kishte pritur që njerëzit ta shihnin të tharë përfundimisht gjatë verës apo edhe që ekspertë, si ata për të cilët fola, të ishin thirrur për të dhënë mendimin e tyre.
Sidoqoftë, ishte i tharë lisi apo e kanë prerë pa u tharë, një gjë është e sigurt sipas meje: se vdekja apo vrasja e kësaj peme nuk është një punë e rastësishme natyrore, por ka lidhje me agoninë shpirtërore të shoqërisë shqiptare. Dihet se një lis nuk jeton dyqind vjet, por shumë më tepër, po të kesh kujdes mbi të. Para një viti kam parë në Greqi një lis 800 vjeçar. Për të mbajtur një degë të tij që varej kishin ngritur dy kollona betoni. Dhe ky ishte në një fshat të gadishullit Pilion, jo në qendër të Athinës. Një mikja ime zvicerane ka hedhur në gjyq bashkinë e Zyrigut në mbrojtje të disa pemëve të vjetra që janë rreth njëqind metra larg shtëpisë së saj dhe ka shpenzuar deri tani disa mijëra euro nga kuleta personale për gjyqin. Të dy palët kanë sjellë ekspertët e tyre për të parë gjendjen shëndetësore të pemëve. Ajo ka fituar shkallën e parë, Bashkia të dytën dhe çështja vazhdon ndërkohë që ajo ka mbështetjen e mediave.
Lisi ynë dyqind e pesëdhjetë vjeçar i Et’hem Beut ishte njëherësh edhe shumë i ri për të vdekur edhe shumë i vjetër dhe i vyer. Ai, siç thashë, ishte ndoshta i vetmi dëshmitari i mbetur i jetës së kryeqytetit thuajse që nga krijimi i vet. Një pemë e tillë duhet të ishte ruajtur si sytë e ballit, si ato gjërat e shenjta që bashkojnë të shkuarën me të ardhmen, individin me shoqërinë. Pse është bërë aq pak për ta ruajtur? Si është e mundur që s’pati asnjë reagim kur u pre, asnjë ndjeshmëri për t’u shpjeguar qytetarëve se prerja ishte një gjë e paevitueshme; asnjë zi për vdekjen e tij nëse ajo ishte natyrale? Përgjigja ka lidhje me mjerimin shpirtëror të barbarëve që e kanë kryer prerjen. Vdekja apo vrasja e atij lisi dhe heshtja që e rrethoi këtë akt është një kumt i zi që i shtohet kumteve të përditëshme të zeza të arrogancës që prodhon realiteti ynë i udhëhequr nga babëzia e individëve që nuk shohin dot përtej barkut dhe pushtetit të tyre. Zhdukja e kurorës së gjelbërt të atij lisi dhe e hijes së saj është metaforë e vdekjes apo vrasjes tek ne të qënies sonë shoqërore, që po humbet përditë sensin e përkatësisë, sensin e së shkuarës dhe sensin e së ardhmes, hijen e paqes shpirtërore dhe ngjyrën e shpresës. (Panorama, 23 qershor 2012)

Read More......