Monday, September 24, 2012

Tirana: Pallatet aty-këtu, kancer me metastaza. Njësia nr. 8, restaurim me kujdes e dashuri


Intervistë dhënë gazetares Lorina Mixha mbi planin urbanistik të tiranës (Shqip, 21 shtator 2012)
Sipas mendimit tuaj, si duhet të projektohet plani i ri urbanistik i kryeqytetit?
Çfarë duhet të mbajnë parasysh ekspertët e urbanistikës?
Cilat janë karakteristikat që duhet të ruajë kryeqyteti dhe për çfarë ndryshimesh ka nevojë?

Dy gjëra do të vija në dukje lidhur me pyetjet tuaja:
Së pari, arkitektura dhe urbanistika qe kemi ndërtuar keto njëzet vjet flet (për të mos thënë ulëret), për njerëz që nuk dinë të harmonizojnë interesin e ngushtë personal me atë të shoqërisë, oborrin e vogël me oborrin e madh. Ajo flet për njerëz që nuk dinë të kuptojnë se  historia që përmban arkitektura e një qyteti, gjelbërimi i tij, hapësirat publike dhe pejsazhi i tij urban rrit atë që quhet “cilësi e jetës” së tyre. Nuk mund të fajësoj tërë qytetarët e Tiranës, por them se sigurisht, po të kishte ekzistuar një kulturë tjetër, horroret që janë bërë nuk do të kishin ndodhur. Por përgjegjëse kryesore, gjithsesi, mbetet një pakicë injorantësh, të babëziturish dhe manipulatorësh që, për të ndërtuar “oborrin”e tyre, kanë shkatërruar qytetin. Ajo çka kemi prodhuar është kaosi, shëmtimi, zhurma, ndotja - jo thjesht në kuptimin fizik, por edhe në kuptimin e gjendjes shpirtërore që të përçon kryeqyteti, të marrëdhënive negative njerëzore që ai stimulon. Ajo për çka ka nevojë kryeqyteti sot është para së gjithash rikuperimi i çfarë mund të rikuperohet në aspektin e këtyre dëmeve. Urbanistët duhet të bëjnë përpjekjen mbinjerëzore që të krijojnë pak “rend” në këtë kaos, pak harmoni në këtë zhurmë, pak hapësirë në këtë denduri, pak bukuri në këtë shëmtim, pak gjelbërim në këtë çimentifikim dhe jo ta vazhdojnë atë, siç kam sinjale se po duan të bëjnë.

Në këtë kontekst më duket tregues i keq çështja e Njësise 8 për të cilën po debatohet, ngase Edi Rama e ka lënë si zonë me ndërtime të ulëta për shkak të ekzistencës atje të shumë shtëpive të Tiranës së vjetër. Më vjen keq që edhe Basha për të justifikuar shfrytëzimin edhe të kësaj zone për interesa të një pakice përdor të njëjtën stratagjemë si të Ramës dikur. E quan “zhvillim të pronës” dhënien e lejeve për të ndërtuar pallate të larta aty ku ka shtëpi të ulta, të vjetra.  Atëhere pse u bë tërë ajo fushatë kundër Ramës si shkatërrues i qytetit?  Të thuash se do të ruajmë shtëpitë që janë ligjërisht historike dhe të lesh të kuptosh se në ato pranë tyre do të ndërtosh pallate të larta, kjo  të kujton pikërisht planet pjesore të Ramës që në fakt ishin krejt në kundërshtim me ligjin që rregullon raportin ndërtim gjelbërim në një zonë të tërë e që kanë krijuar shëmtimin dhe degradimin e qytetit për të cilin fola më lart, por njëkohësisth edhe varfërimin e atyre që kanë mbetur nën hijen e pallateve. Një shtëpije historike nuk mund t’i ngrihet një pallat ngjitur sepse ai e zhvleftëson dhe e mbyt atë madje jo vetëm atë por tërë bllokun me shtëpi të ulta rreth tij. Pallatet e ndërtuara aty këtu sipas pazareve të pronarëve dhe ndërtuesve që e kthyen sheshin e ndërtimit në njësinë e vetme urbane janë kanceri që u përhap me metastazat e tij nëpër tërë kryeqytetin. Tani duket se këto metastaza duan të pushtojnë edhe njësinë 8.  Për mua ajo zonë duhet restauruar dhe rikuperuar me shumë kujdes dhe dashuri dhe jo te mbytet me pallatet e shëmtuar dhe pa identitet që janë ndërtuar anë e kënd Tiranës me të vetmin interes: nxjerrjen e sa më shumë metrave katrorë për shitje.
  
Së dyti, duhet të kemi parasysh se një plan urbanistik bëhet sipas një plani strategjik zhvillimi të qytetit. Për fat të keq ndërtimet në Tiranë dhe rrethinat e saj nuk janë bërë në funksion të ndonjë strategjie zhvillimi të ndonjë industrie apo të ndonjë nevoje kësisoj, por thjesht duke manipuluar me njerëzit me idenë se duke patur një shtëpi, dy, tre, katër, në Tiranë ky do të ishte një investim i mirë e ku di unë, si dhe për të ricikluar para të pista, pasi dihet se ndërtimi është një nga format klasike të kësaj pune. Absurdi është se ndërkohë që një e treta e popullsisë së Shqipërisë ka emigruar, ndërtimet e bëra në vend të krijojnë përshtypjen sikur Shqipëria të ketë ndonjë bum demografik të paparë në botë. Unë kam shkruar dhe rishkruar e folur për nevojën e njohjes së asaj se sa metër katror ndërtime kemi në Tiranë dhe rrethina për ta krahasuar me numrin e popullsisë dhe nevojën që kemi. Sepse bije menjëherë në sy se ndërtimet janë në një sasi tejet më të madhe sesa nevojat paçka se mund të ketë edhe njerëz të pastrehë ende. Askush nuk e bën këtë, sepse një grushti njerëzish nuk i intereson një transparencë e tillë. Imagjinoni që në Planin Francez parashikoheshin dhjetë  qendra biznesi - grataçiela si ajo që ka kaq vjet anës selisë së PD-së dhe s’po mbaron ende – a thua se Tirana do të bëhej si Londra apo New Yorku, kryeqendër e botës financiare në Ballkan e më gjerë.
Por edhe te mendosh se do të vijnë të gjithë shqiptarët të banojnë në kryeqytet është absurde, jo vetëm se kjo largon njerëzit nga burimet natyrore që ka vendi, por edhe pse nuk kemi krijuar mundësi që ata të kenë vende pune këtu. Kriminaliteti që kemi sot vjen edhe për shkak të krijimit të një metropoli si Tirana me papunësi të paparë.
Pra ideja ime është se plani urbanistik duhet të orientohet për kah përmirësimi i cilësisë së jetës së dëmtuar rëndë të qytetarëve të Tiranës - atje ku ata banojnë - duke bërë gjëra të thjeshta por funksionale dhe jo duke bërë show me ndërtime spektakolare apo punime e ripunime sheshesh qendrore, as duke vazhduar ndërtime që do ta rrisin edhe më popullsinë apo që do të mbesin monstra ekologjike të pabanuara. Kjo nënkupton se edhe paratë publike duhen investuar për këtë. Mirëpo problemi është se paratë që mund t’i hyjnë arkës së Bashkisë, pikërisht për shkak të papunësisë që përmenda,  janë ose nga paratë e pista të krimit ose para investimesh të huaja, siç flitet për paratë e biznesmenëve të Katarit që duan të investojnë në bulevardin e ri. Dhe këta s’kanë ndonjë interes të ristrukturojnë shtëpi apo lagje të vjetra apo të rikuperojnë hapësira të gjelbëra për banorët e kryeqytetit. Frika ime është se plani urbanistik mund të hartohet – siç ka ndodhur edhe në kohën e Ramës - i diktuar nga interesa të atilla, çka do të thotë vazhdim i masakrës që do të pasurojë pak individë dhe do të rëndojë edhe më cilësinë e jetës së qytetarëve.

Read More......

Mbi qesen me miell



Shumë lexues më kanë kërkuar të shprehem, si ish-i burgosur politik, lidhur me incidentin e qeses me miell që iu hodh Kryeministrit nga ish-të përndjekurit Skënder Tufa dhe Agim Kollçaku.
E para gjë që dua t’ju them është se solidarizohem me qesen me miell. Është minimumi i protestës që mund të bëjë kategoria e ish-të burgosurve kundrejt mosmbajtjes së premtimeve që i ka bërë kjo maxhorancë, dhe, më keq akoma, ndaj mënyrës tallëse dhe fyese me të cilën i ka trajtuar ata. E them këtë edhe sepse disa ditë para se të ndodhte incidenti takova një ish-bashkëvuajtës që më tha diçka e cila më la në një shije shumë të hidhur.  Atij i kujtohej se në fillimivitet ‘90, si sekretar i Komitetit Shqiptar të Helsinkit, isha bërë ndërmjetës edhe për sjelljen e një sasie pakosh me ndihma. Qenë disa pako kartoni, brenda të cilave kishte diçka si dy pako makarona, ndonjë pako oriz, ndonjë pako sheqer, ndonjë konservë; pra gjithë-gjithë, disa kile ushqime. I solli Caritas-i i Vjenës dhe i shpërndau Shoqata e ish-të Përndjekurve, e sapokrijuar asokohe.

“A ke mundësi të na lidhësh me ndonjë shoqatë të tillë?” – më tha ish bashkëvuajtësi tashmë i thinjur.

Të them të drejtën, hapa sytë. I thashë se s’më dukej se ishte më koha e të tilla ndihmave.
“Nuk ditke gjë, – më tha, – më vjen keq, por i paske humbur lidhjet me ish-bashkëvuajtësit”.

U largova me një hidhësirë në shpirt e me mendimin se kushedi se çfarë do të thoshte ai kur të takonte atë pjesë të ish-bashikëvuajtëve me të cilët paskam humbur lidhjet sepse për ish-të burgosurit, solidariteti i kohës së vuajtjes mbetet më i rëndësishëm se e tashmja, madje i kapërcen edhe afiliacionet politike. E, pra, s’mund të mos kujtohesha edhe një herë se kjo maxhorancë ka hartuar një ligj përpara disa vjetësh, sipas të cilit, një ish-të burgosuri i takon të marrë për çdo vit të humbur në burg, në moshën e energjive më të mira, duke qenë i pafajshëm, një shumë lekësh që, po të ketë familje sot, mund të konsiderohet (e ndarë në muaj e ditë), si niveli i minimumit jetik për një familje. Sipas ligjit, kjo shumë do të jepej në tetë vjet, në tetë këste. Kanë kaluar mbi pesë vjet dhe është dhënë vetëm kësti i parë, që kuptohet se është ngrënë me kohë nga ata që e kanë marrë. Pastaj e modifikuan ligjin dhe thanë se do t’ua jepnin atyre që kanë kaluar 85 vjeç dhe pastaj (pasi u tall edhe opozita vetë, që konsiderohet si partia e persekutorëve të tyre, me këtë vendim) e bënë për ata që kanë kaluar 65 vjeçët. Në fakt, qysh nga mënyra se si i sorollatën ish-të burgosurit zyrë më zyrë për të plotësuar dokument pas dokumenti për të provuar se kishin qenë në burg politik – ndërkohë që shteti i kishte të gjitha të dhënat për këtë – shumë ish-të burgosur e kuptuan se kishim të bënim me një mashtrim, me një tallje dhe arrogancë të pamerituar ndaj një jete të kaluar në mjerim. Dhe ky mashtrim, kjo tallje, unë them se një qese me miell sot e ka shumë pak.
Së dyti: një qese me miell është një formë proteste që në vendet demokratike duhet të konsiderohet gjëja më normale. Kam asistuar personalisht në situata kur politikanët janë qëlluar me domate me vezë nga turma protestuesish, dhe asgjë nuk ka ndodhur. Policia thjesht nuk ka lejuar konfrontimin fizik. Kurse këtu te ne, sikur u bë kiameti. Dëgjon, madje, edhe nga ata që thonë se ata që e kanë hedhur duhet të jenë të çmendur. Jo, po ta mendosh thellë-thellë, të del se më të çmendur janë ata që i janë adoptuar një realiteti të tillë, ku mashtrimi dhe fyerja që i bën pushteti qytetarit pranohet si normale.

Mielli ishte gjëja më e mençur që mund të zgjidhej. Së pari, sepse është paqësor, madje nuk iu hodh Kryeministrit as direkt në trup, por mbi makinën e tij. Së dyti, sepse ky miell e ka një simbolikë, përveç asaj se është një mjet paqësor proteste: ai është materiali me të cilin bëhet buka. Pra, zgjedhjen e tij duhet ta kuptojmë si dhënie të mesazhit se kjo qeveri e ka katandisur këtë kategori për bukën e gojës.

Është tejet shqetësuese kur dëgjon në lajme se për shkak të këtij incidenti na qenkan keqtrajtuar protestuesit dhe qenkan shkarkuar ndonja njëzet policë, pasi nuk paskan qenë në lartësinë e detyrës së ruajtjes së Kryeministrit. Kjo do të thotë që në vend që të reflektohet edhe një herë për atë që ka bërë dhe nuk ka bërë klasa politike ndaj kësaj kategorie, zgjidhet rruga e konfrontimit me dhunë policore dhe frikësim. Sipas meje, e para gjë që duhej bërë duhet të ishte reflektimi mbi këtë gjendje të kësaj kategorie dhe dhënia e një përgjigjeje serioze dhe të përgjegjshme se pse nuk është respektuar ai ligj që u aprovua nga vetë kjo maxhorancë. Së dyti, do të duhej të reflektohej ca më shumë për shkaqet e kësaj mungese serioziteti në përmbushjen e premtimeve, se çfarë ka bërë kjo klasë politike me paranë publike, me privatizimet e pronës së përbashkët? Dhe më gjerë akoma, kjo qese me miell duhet të na bëjë të reflektojmë për dehumanizimin e politikës nga një pakicë që kontrollon fatet e vendit në atë shkallë sa po bëhet gjithnjë e më e pandjeshme për gjithçka tjetër që ekziston jashtë oborrit të vet privat; duke ngritur edhe mure reale dhe virtuale për ta ndarë këtë oborr prej njerëzve pa e kuptuar se kjo jo vetëm është e pamundur, por edhe burim tragjedish. (Panorama,  18 shtator 2012)

Read More......

Tuesday, September 18, 2012

Pse na duhet SHIK-u



Kam ndjekur me vëmendje dhe njëherësh me pikëpyetje jo të vogla debatin që u zhvillua së fundi lidhur me zëvendësimin e kryetarit të SHIK-ut, e që sot duket si debat i harruar. Ajo që më ra në sy mbi të gjitha ishte superficialiteti me të cilin u trajtua çështja dhe instrumentalizimi i saj si shfaqje e këtij, – çka shpjegon edhe pse u harrua kaq shpejt – ndërkohë që, sipas meje, çështja meritonte një thellim, i cili do të na bënte të preknim më nga afërt problematikën e asaj se pse kemi sot një shtet të dështuar.

Le t’i marrim me radhë disa nga momentet kryesore të asaj që u tha, për të kaluar pastaj te ajo që nuk u tha. Opozita ngriti me të madhe zërin se zëvendësimi i kryetarit të SHIK-ut është një hap më tej i Berishës për kapjen e institucioneve. Kjo është e besueshme duke pasur parasysh edhe mënyrën se si Berisha e zgjodhi Presidentin. Për këtë ajo iu drejtua amerikanëve më shumë se sa shqiptarëve, duke na thënë se një ndërrim i tillë ishte bërë pa konsultime me ta e gati-gati duke pritur që reagimi i tyre të ishte fatal për Berishën. Përgjigjja e amerikanëve ishte ambigue, por, tek e fundit, mund të thuhet se nuk ndodhi ndonjë çudi.
Ndërkaq, Berisha, pasi e ndërroi kryetarin e SHIK-ut, hodhi edhe një akuzë jo të lehtë për të: se ai nuk ka dhënë asnjë informacion lidhur me parapërgatitjet e 21 janarit – çka e bënte kryetarin e SHIK-ut në mos komplotist, përgjegjës për atë që ndodhi.

Megjithatë, asnjë analizë nuk u thellua disi më tepër mbi një pyetje që mund të ngrenë shqiptarët si taksapagues, d.m.th. si ata që duhet të jenë përfituesit kryesorë të punës së SHIK-ut. Nga debati që kemi dëgjuar e lexuar duket sikur SHIK-u punon si seksion i antiterrorizmit ndërkombëtar, ose si të jetë një seksion i NATO-s apo CIA-s në Shqipëri e se s’duhet të ngatërrohet me punët e brendshme. Por fakti nuk është kështu. Sikurse e la të kuptojë edhe Berisha vetë me deklaratën ndaj Shaqirit lidhur me 21 janarin, ky institucion ka për detyrë t’i shërbejë edhe sigurisë kombëtare. Por ne dimë gjithashtu se SHIK-u ka për detyrë të shërbejë edhe si institucion me rol të rëndësishëm në luftën kundër krimit të organizuar që merret me trafiqe të drogës, pastrimit të parave të pista dhe krime të tjera të rënda që përbëjnë rrezik jo të vogël për shtetin dhe sigurinë e tij. Mënyra se si e kryen SHIK-u këtë shërbim, me sa di unë, është nëpërmjet mbledhjes së informacionit dhe pastaj dërgimit të informacioneve Presidentit, Kryeministrit dhe prokurores së Përgjithshme. Pyetja që ngre unë si qytetar, si taksapagues, është: Çfarë ka bërë ky SHIK-u, Bahri Shaqiri dhe të tijtë gjatë këtyre viteve që ta meritojnë rrogën në këtë drejtim? Fakti është se po të dëgjosh ato që thotë Sali Berisha më një anë dhe opozita më anën tjetër – dhe po t’i bashkosh ato – ne jemi të mbytur nga krimi i organizuar, nga trafiku i drogës, pastrimi i parave të pista. Madje nuk është nevoja të dëgjosh akuzat që bëjnë ata për njëri-tjetrin. Është një realitet që qytetarët shqiptarë e shohin ditën për diell. Duke pasur parasysh këtë, sipas mendimit tim, një qytetar ka absolutisht të drejtë të thotë: SHIK-u nuk paska bërë asgjë në këtë drejtim dhe prandaj si institucion nuk meriton paratë e taksapaguesit shqiptar – prandaj le të merret vetëm me terrorizmin e të bëjmë një ligj tjetër për SHIK-un, mundësisht edhe që ta paguajnë amerikanët, dhe ne të çlirohemi nga paranoja se po na përgjon Berisha apo se mund të na përgjojë Rama nesër.

Në këtë pikë të arsyetimit do të thoja se është e drejtë të ngremë pyetjen: Ndoshta SHIK-u ka bërë punë, por kjo është sabotuar në hallka të tjera? Ne dimë p.sh. se edhe Policia e akuzon Prokurorinë dhe e kundërta kur bëhet fjalë për dështimet në goditjen e krimit. A ka një mënyrë për ta verifikuar këtë? Po. Ne jemi një shtet që ka aprovuar ligje të standardeve europiane, pra edhe ligje që parashikojnë se si e qysh kontrollohet puna e një institucioni si SHIK-u që, edhe pse delikat, nuk mund të jetë jashtë logjikës së  “check and balance”. Nga sa jam i informuar lidhur me këtë, SHIK-u është një institucion i pavarur që ka të drejtën e seleksionimit të materialeve që i dërgon Presidentit, Kryeministrit apo prokurorit të Përgjithshëm. Pra, sipas ligjit tonë, as Kryeministri, as Presidenti dhe as kryeprokurori nuk kanë të drejtë ta zhveshin lakuriq SHIK-un duke i hapur karta e duke i kërkuar llogari për aktivitetin e tij. Megjithatë, ligji, që parashikon mbrojtjen e pavarësisë së këtij institucionit kaq delikat, parashikon edhe institucionin që ka të drejtë ta kontrollojë atë. Ky është Parlamenti nëpërmjet një komisioni që duhet të jetë bipartizan, që të sigurojë asnjanësinë. Ky komision ka të drejtë t’i hapë kartat SHIK-ut, të shohë se çfarë informacionesh i ka dërguar Presidentit, Kryeministrit apo Prokurorit të Përgjithshëm dhe kësisoj ne mund të shohim se si ka reaguar Kryeministri dhe Prokurori i Përgjithshëm ndaj tyre, sepse, nga sa di unë, Kryeministri dhe Prokurori kanë të drejtë, por edhe detyrë të vendosin shënimin “të ndiqet” kur bëhet fjalë për gjëra me rrezikshmëri për vendin.

Pra është shumë e lehtë: nëse Berisha, kur ka qenë në opozitë, ka dashur të kontrollojë Bahri Shaqirin – por edhe si Kryeministër - për aktivitetin e institucionit të tij që e konsideronte të mangët, fare mirë mund të kishte kërkuar ngritjen e një komisioni parlamentar që do t’i hapte këtij kartat. Po ashtu: nëse opozita do të dojë të dijë se përse SHIK-u nuk ka punuar mirë në lidhje me shumë nga akuzat që ajo ka ngritur duke filluar që nga rasti “Gërdeci” apo “21 janari”, do të duhej të kërkonte një komision parlamentar që do t’i hapte kartat SHIK-ut, që do të kërkonte të dinte edhe se çfarë i ka dërguar ky Kryeministrit dhe pse ky nuk ka vënë shënimin “të ndiqet” për çështje kaq djegëse, nëse i ka shkuar ndonjë gjë.
Mirëpo, në fakt, asgjë e tillë nuk bëhet. Përshtypja ime është se askujt nuk i intereson vërtet që SHIK-u të punojë kundër krimit të organizuar në Shqipëri dhe as që të hapen kartat e tij. Interesi i vetëm është që të luhet ky teatër. Afërmendsh, arsyeja më bindëse se pse ndodh kjo është ngase të dyja palët kanë frikë nga e vërteta, si e asaj që ka ndodhur në të kaluarën, ashtu edhe e asaj që po ndodh. Dyshoj shumë se edhe njerëzit e SHIK-ut e kanë “respektuar” këtë frikë dhe kanë qëndruar në hijen e idesë se ata punojnë kundër terrorizmit dhe se puna e tyre lidhet me interesat e amerikanëve, prandaj më mirë të mos i fusim hundët te krimi i organizuar që ka kapur shtetin.

Sipas meje, kemi të bëjmë me një hallkë të rëndësishme të shtetit që s’punon e që edhe me heshtjen e vet flet shumë për atë se si punojnë hallkat e tjera. Madje, deri tani duket se kemi qenë të lumtur që s’punonte për keq, siç punojnë shumë hallka të tjera të shtetit. Gati-gati të vjen të ngresh pyetjen: Mos do të ishim më mirë sikur të mos kishim jo vetëm SHIKU-n nëpër këmbë, por të mos e kishim nëpër këmbë edhe këtë shtet kësisoji?(Panorama, 13 shtator 2012)

Read More......

Friday, September 14, 2012

Gazetaria delegjitimuese


 
Para një jave, Kryeministri në një nga ligjëratat e tij në mbledhjen e Këshillit të Ministrave lëshoi edhe një varg insinuatash kundër meje dhe shkrimit tim “Hidrocentralizimi i Shqipërisë”, ndaj të cilave u përgjigja në një intervistë në gazetën “Panorama”. Përveç të tjerash, për mua ishte emblematik reagimi i medias shqiptare ndaj kësaj ngjarjeje, sepse në një farë kuptimi ishte edhe një test i gjendjes së gazetarisë dhe gazetarëve në këtë vend.
Le të rendis dy-tri komente mbi ato gjëra që më bënë më shumë përshtypje.

 Së pari, Kryeministri lëshoi një sulm ndaj një kolegut gazetar, pa i përmendur emrin, por nëpërmjet akuzave dhe insinuatave që lëshoi, që synonin delegjitimimin e tij dhe të asaj që shkruante, la të kuptohet se ishte Fatos Lubonja. Sipas meje, ishte në normat elementare të etikës gazetareske të televizioneve që dhanë lajmin, që ta sqaronin atë, duke i kërkuar Kryeministrit se për cilin e kishte fjalën, pse e bëri autorin eksponent të opozitës, çfarë zilish, për të cilat foli ai, paska Lubonja në këtë rast etj. Po ashtu ishte në nderin e profesionit që të reagonin njëfarësoj edhe ndaj kësaj mënyre të pandershme replikimi – pa emër dhe me emër – ndaj kritikës së një gazetari. Madje, edhe të konfrontonin fjalët e Kryeministrit me çfarë kishte thënë autori. Asgjë e tillë nuk ndodhi. Njëlloj si ministrat që, kur flet Kryeministri, kanë vetëm veshë për të dëgjuar dhe jo gojë për të folur apo mendje për të menduar, edhe gazetarët e televizioneve regjistruan dhe dhanë monologun delirant të Kryeministrit me kamerat, pa përdorur asnjë filtër gazetaresk. Nuk mund të mos të të lindë pyetja: pse duhen ato kamera në një mbledhje të Këshillit të Ministrave, – sepse, sa për transparencën që u premtua se do të bënin kamerat në këto mbledhje, e kupton edhe bufi se kjo s’bëhet duke dhënë vetëm fragmente ku Kryeministri monologon propagandë dhe akuza delegjitimuese ndaj kundërshtarëve. A nuk është më mirë ta lëmë Kryeministrin të punojë seriozisht me ministrat, sepse boll i bën këto në tribuna të tjera?

E dyta, Montaneli thotë: “Kur fillon një gjueti shtrigash, gjëja e parë që bëj unë është të shkoj të pyes shtrigën.” Është minimumi i etikës gazetareske në një demokraci që, nëse dikush akuzohet publikisht, atij t’i ofrohet qoftë edhe një sekondë e vetme mundësie të përgjigjet. Edhe kjo etikë është harruar nga gazetaria jonë. Gazetarëve dhe drejtorëve të lajmeve televizive as që u shkoi nëpër mend se, përderisa po jepnin një akuzë, jo pak, por të Kryeministrit të vendit ndaj një qytetari, për të mos thënë kolegu, duhet t’i kërkonin edhe atij prononcimin. Dhe nuk e bënë këtë jo vetëm televizionet e Berishës, por as ata që, me demek, janë më afër opozitës.
E njëjta histori ndodhi në thelb edhe me shtypin e shkruar. Përveç “Panoramës” që mori intervistën (për hir të së vërtetës edhe “Shekulli” më kërkoi një intervistë, kurse “Mapo” dha lajmin duke cituar të dyja palët, pa dhënë komentin e saj), pjesa tjetër ose heshti, ose ndoqi stilin e gazetarisë së llogoreve delegjitimuese të Berishës. Më të lezetshmit qenë ata të cilëve jo vetëm nuk u shkoi ndërmend t’i kërkonin një prononcim “shtrigës”, por nxituan të hedhin ndonjë degë të tharë në turrën e druve të ndezur. Kështu, Berisha në insinuatat e tij foli edhe për “një të njohurin e tij që shkruan vazhdimisht kundër ndërtimeve dhe që për vete ka katër shtëpi në katër cepa të Tiranë”. Edhe unë vetë po vrisja mendjen se për kë e kishte fjalën, sepse, ndërsa pjesa e parë e ligjëratës së tij nuk linte dyshim se ishte për mua, kjo e dyta sikur nuk të bindte, sepse, thashë me vete, e di gjithë dynjaja që unë kam vetëm një shtëpi në Tiranë dhe jo katër. Mirëpo e gjeta personin në të përditshmen “Tema” që e kishte vënë menjëherë lajmin on-line me titullin: “Berisha sulmon Lubonjën – ka katër shtëpi në Tiranë.” E para, nuk ishte ky thelbi i akuzës së Berishës për ta vënë si titull, e dyta, pse asnjë interes për ta vërtetuar nga zëdhënësit e Kryeministrit se për kë e ka fjalën, e treta, pse asnjë interes për t’i marrë një prononcim Lubonjës nëse është e vërtetë kjo apo jo? Sepse gazetari është i së njëjtës shkollë me atë të maestros së tij Berisha, që punon sipas parimit “shpif shpif se diçka do të mbetet” dhe hidh gurin fshih dorën, me të njëjtin qëllim: jo informimin, por delegjitimimin – në këtë rast meqenëse ky Lubonja na quan edhe ne të “Temës” pjesëtarë të një tjetër bande me në krye Ramën, që punon me të njëjtin sistem. Në fakt, si pasojë, në reagimet nëpër blogje qenë jo të pakët ata që akuzonin Lubonjën që këtej na flet kundër ndërtimeve, këtej qenka një ndër kontribuuesit e shkatërrimit të territorit me katër shtëpitë e tij, se qenka super i pasur e ku di unë. Pastaj nuk mungoi në “Tema” edhe një shkrim “analitik” i Meros, ku vërtet e korrigjoi titullin duke thënë se Lubonja nuk ka katër shtëpi, por ku, gjithë në frymën e deligjitimimit, kërkoi të shpjegojë se Lubonja shkruan kështu për shkak të mërive ndaj Berishës dhe Ramës dhe se, çka është më e rëndësishmja, ato që tha Berisha për Lubonjën i tha se nuk e do më “modelin Lubonja” që deri tani e ka përdorur për të treguar se është demokrat, por se, veçanërisht tani që po afrohen zgjedhjet, do të kalojë, ashtu si në kohët më të vështira, në “modelin Mero” që t’i bëjë edhe fëmijët e vegjël të armiqve të tij të futen nën tryezë.

Problemi është se ky meroberishizim i shtypit, si mision i deligjitimimit dhe jo informimit, që zgjedh në mënyrë selektive ata që sulmon dhe hesht për të tjerë pasi punon për ta dhe prandaj as nuk prek ndonjëherë sistemin që përfaqësojnë të dyja palët, që nuk ka skrupuj kur përdor gënjeshtrën dhe shpifjen ndaj kundërshtarit, që synon të mbajë ndezur emocionet e dashuri-urrejtjes te njerëzit dhe të topisë aftësinë për të menduar e problematizuar për të kërkuar zgjidhjen e vërtetë po bëhet gjithnjë e më shumë e vetmja mënyrë për të bërë gazetari. Sheh gazetarë që gjithë ditën akuzojnë Berishën se rrezikon të përdorë në mënyrë selektive institucionet për pushtetin e tij, ta përdorin atë çik institucion që kanë në dorë, nganjëherë thjesht një faqe online në mënyrë selektive dhe pa skrupuj për të delegjitimuar ata që nuk janë në llogoren e tyre. Kështu p.sh. faqja online Res-publica që përmbledh shtypin e ditës, e që, me sa di unë, sponsorizohet nga Soros për të qenë e pavarur nga llogoret, pasi dha me korrektësi lajmin e sulmit të Kryeministrit ndaj meje, kur erdhi puna për ta shpjeguar atë, zgjodhi shpjegimin e Bazes për reagimin anti-Lubonjë të Berishës, pastaj, pa dhënë as edhe një rresht nga intervista e Lubonjës, shtoi edhe një sulm të Mustafa Nanos, sipas të cilit përgjigja e Lubonjës ishte e mërzitshme. Dhe dy ditë më pas po ky shkruante se shtypi e mbuloi në mënyrë të pafalshme “sulmin e Kryeministrit ndaj një kolegu”. Jo, faleminderit, por kjo s’është gazetari.

Së treti, nuk mund të mos më bënte përshtypje evitimi nga kolegët i argumenteve thelbësore të cilat u bënë sebep i sulmit të Kryeministrit. Plazhi i Bunecit i zaptuar nga një hidrocentral apo derdhja e bukur e Drinit në Ashtë, sikur bërtisnin vetë “na mbroni!” në fotot që kisha botuar, edhe sikur shkrimi e intervista ime të mos ishin në nivelin që kërkonte tema në fjalë. Pastaj, përderisa Kryeministrit i kishte djegur aq shumë, ishte një temë që meritonte vëmendje. Mirëpo askush nuk mori të zbulojë diçka më shumë apo edhe qoftë të kundërshtojë a të problematizojë çështjen në fjalë. Askush nuk u mor as me problemin që shtroja se kemi kaluar nga “një pallat, një votë” në “një hidrocentral, një votë”. Duket sikur në hijesirën e llogoreve ku këta gazetarë hanë e pinë e prej të cilave sikur nuk dalin ndonjëherë në ajër të pastër, për të takuar njerëz normalë, të paarmatosur, gjëllijnë vetëm ndjenjat e sëmura të luftës për pushtet, kurse për hidrocentralet mbi plazhe, si dikur për ndërtimet shkatërruese, mund të flasin vetëm ndonjëherë kur kjo t’i vlejë në këtë luftë, por kujdes, edhe atëherë vetëm kur pronarët e tyre nuk janë sponsorizues apo miq të sponsorizuesve të gazetave të tyre.

Ky është mjerim i gazetarisë. Shkaku pse u mbulua kështu “sulmi ndaj një kolegu”, ndërkohë që të tërë bashkohen e shkruajnë në ndonjë rast kur “armiku” është greku, siç qe rasti i gazetarit Marin Mema, është ai që kam denoncuar prej kohësh, qysh në fillimvitet 2000: ne nuk e kemi ndërtuar ende median si pushtet i katërt që kontrollon pushtetet e tjera në emër të interesit publik, por e kemi bërë median një nga instrumentet më të shëmtuara të korrupsionit që ushtrojnë pushtetet e tjera, me protagonistë kryesorë dy partitë kryesore në vend. Është ky shkaku që në këto media ne kemi aq shumë gazetarë që trimërojnë në llogoren e maxhorancës, që trimërojnë në llogoren e opozitës – shumica të gatshëm të ndërrojnë llogore sipas afiliacionit/interesave të pronarit të medias ku punojnë, pa asnjë ideal e vizion për botën, pa asnjë ndjenjë turpi e që ndihen komodë në këto mungesa, sepse kjo ua lehtëson përkuljen e shpinës. Përshtypja ime është se dora-dorës që kalojnë vitet, kjo gazetari po harron thuajse fare se ka si mision t’i drejtohet publikut të gjerë dhe jo të bëjë burizanin e Sali Berishës apo Edi Ramës dhe ushtarëve të tyre. Dhe, mbi të gjitha, ka harruar urdhëresën më të rëndësishme për gazetarin – sipas Adam Miçnikut – “Adhuro dhe shërbeji vetëm një Zoti, të vërtetës, përndryshe do të ndëshkohesh – me mosbesim.” (Panorama, 6 shtator 2012)

Read More......