Thursday, February 28, 2013

Ç’qëndron pas termit “albanofobi”


Ndryshimi i gjuhës së Berishës kohët e fundit përsa i përket rritjes së retorikave nacionaliste, është komentuar shumë së bashku me përpjekjen për të gjetur origjinën e këtij ndryshimi.
Me gjithë përpjekjen nga të tijtë për ta paraqitur këtë gjuhë si në koherencë me çka Berisha ka thënë më parë, janë disa deklarime që s’lënë dyshim se kemi të bëjmë me ndryshim gjuhe, madje të vetëdijshëm, veçanërisht po të kemi parasysh mënyrën se si ka folur ai jo shumë kohë më parë për bashkimin e shqiptarëve në një shtet etnik të vetëm. Pra, ndërsa para ndonjë viti ai është shprehur se ka qenë ndër ata që dikur ka aspiruar për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën, por se kjo tashmë është një aspiratë nga e cila duhet hequr dorë në favor të integrimit europian – gjithë duke ruajtur dykuptimësinë e shprehjes “bashkimi nëpërmjet Bashkimit Europian”, që ka qenë karakteristikë e qëndrimit të politikës shqiptare gjatë këtyre njëzet vjetëve -  së fundmi Berisha foli hapur e qartë për padrejtësi që duhet ndrequr.
Edhe ballafaqimi me deklaratat e ministrave të Jashtëm të kohëve që Berisha është në pushtet e provojnë këtë ndryshim të qëndrimit të Kryeministrit.
Interpretimet/hipotezat e ndryshimit të kësaj gjuhe kanë qenë disa. Më së shumti i është mëshuar idesë se Berisha i ka theksuar tonet nacionaliste për të mos lejuar rrëshqitjen e elektoratit te Aleanca Kuqezi. Një hipotezë tjetër është ajo, sipas së cilës, dora-dorës që i rritet paranoja e pushtetit, Berisha e mendon gjithnjë e më shumë veten si udhëheqës të të gjithë shqiptarëve dhe, me rastin e 100-vjetorit, duke parë entuziazmin e madh patriotik, veçanërisht atë kosovar, iu rindezën llambat e nacionalizmit vetvetiu.
Ka një hipotezë tjetër se kjo thirrje nacionaliste është produkt i vështirësive ekonomike brenda vendit. Shkurt, është ilustrim i thënies “Nacionalizmi është streha e fundit e horrave”.
Por, të gjitha këto hipoteza ngrenë, megjithatë, një pikëpyetje. A e ka llogaritur mirë Berisha që ndërkombëtarët nuk e duan një gjuhë të tillë? Pse ai, që ka qenë gjithherë i kujdesshëm me ta, ia lejoi vetes këtë lajthitje? Këtu duhet vënë në dukje se, mu si rezultat i reagimit ndërkombëtar, ai nxitoi ta korrigjojë disi drejtimin e qitjes ditët e fundit duke thënë se Shqipëria nuk ka pretendime territoriale dhe se shqiptarët kanë një nacionalizëm me fytyrë njerëzore jo si nacionalizmat e tjerë në rajon. Po pse lajthiti ai duke mos na dhënë aspak siguri se nuk do të lajthisë përsëri?
Në këtë pikë vjen e ngrihet një hipotezë tjetër që më duhet të them se nuk e kam parë të artikuluar në shtyp dhe as që e kam nga mendja ime, por që qarkullon nëpër tryeza diplomatësh prej nga e kam dëgjuar edhe unë. Sipas kësaj hipoteze, deklaratat e Berishës u drejtohen pikërisht ndërkombëtarëve, jo shqiptarëve. Shkurt, i lodhur apo zhgënjyer me ndërkombëtarët që ia refuzojnë statusin – që do të thotë ta pranojnë kështu siç është – ai ka zgjedhur t’i shantazhojë ata: ju nuk doni të më pranoni në Europë, atëherë unë kaloj në planin B dhe ju krijoj probleme më të mëdha nga ç’mund ta mendoni. Pra, sipas kësaj hipoteze, termin “albanofobia” ai e ka përdorur jo thjesht për të përshkruar frikën e vendeve fqinje ndaj shqiptarëve, por edhe frikën e Europës për të pranuar shqiptarët në gjirin e saj. Është një hipotezë që, në një farë mënyre, është edhe pasqyrë e frikërave europiane.
Nëse do t’i besojmë kësaj hipoteze, nuk mund mos të të shkojë në mendje se ai ka dashur, në një farë mënyre, të imitojë Kryeministrin turk Erdogan, i cili, i lodhur edhe ai me pritjen e pranimit të Turqisë, ka ca kohë që flet për “islamofobi” dhe kërkim alternativash të reja ndaj asaj europiane. (Grupi i Shangait).
Përtej asaj nëse është apo jo e vërtetë kjo hipotezë, çështja që ajo ngre është, megjithatë, e madhe për fatet e ardhme të Shqipërisë dhe të botës shqiptare në përgjithësi. Nuk ka pikë dyshimi se në momentin e sotëm projekti postnacionalist i bashkimit europian po njeh ditët e tij më të vështira. Ka rryma të forta brenda shteteve europiane që flasin për dështim të tij dhe për kthim në interesa kombëtare, për dalje nga euroja, për krijime të grupimeve të tjera (p.sh. vendet e Veriut europian së bashku) dhe se kjo krizë nënkupton edhe shtyrje të afateve të integrimit për vende si Shqipëria. Pyetja që shtrohet është: a duhet të bëhen shqiptarët promotorë të një dështimi të tillë, a kanë ata interes për një dështim të tillë, apo përkundrazi, ata duhet të bëjnë ç’është e mundur që të mos e braktisin këtë projekt? Sipas gjykimit tim, nëse shumë vende mund t’ia lejojnë vetes luksin që ta mendojnë veten jashtë projektit europian, shqiptarët do të ishin më të humburit me këtë. Dhe me “shqiptarët” kam parasysh edhe ata në Kosovë, që duket sikur do t’i tërhiqte me vete plani B i Berishës. Kjo jo vetëm pse në kushtet që ndodhen sot, përsa i përket ndërtimit të institucioneve demokratike, një shteti të së drejtës, shqiptarët kanë nevojë të jenë të lidhur me vendet demokratike – për lirinë dhe të drejtat e tyre më së pari – por edhe pse, e larguar nga Europa, bota shqiptare do të mbetej sot thuajse edhe pa miq. I vetmi vend mik që do të mund t’i jepte mbështetje diplomatike dhe ekonomike do të ishte Turqia, në kuadrin e rritjes së ndikimit e të fuqisë ekonomike të saj në rajon. Por, një skenar që do ta çonte Turqinë jashtë Bashkimit Europian dhe që do të acaronte marrëdhëniet me vendet fqinje të Shqipërisë në Ballkan, si Greqia, Serbia apo Maqedonia, do ta largonte Turqinë edhe nga Shqipëria, edhe nga shqiptarët që banojnë në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi.
Prandaj gjykoj se projekti që duhet të mbështesë Shqipëria dhe shqiptarët kudo ku janë është një hyrje edhe e Turqisë në Europë, shoqëruar kjo me një proces demokratizimi të brendshëm që do të krijonte edhe një tjetër marrëdhënie me vendet fqinje. Një Shqipëri vërtet demokratike dhe e integruar në Bashkimin Europian do të ishte një Shqipëri që do të kapërcente edhe urrejtjet e vjetra ndëretnike në rajon. Kurse një Shqipëri që shkëputet nga projekti europian dhe bubrron për të gjetur mbështetje politike dhe ekonomike te shtete me standarde demokratike më të ulëta, mund t’u shërbejë vetëm qëllimeve të errëta pushtetesh jodemokratike e mund të çojë edhe në aventura nacionaliste. Duket një aventurë e pamundur, por, edhe në qoftë e mundur, s’do të ishte tjetër veçse një reminishencë e së kaluarës së errët të Enver Hoxha, kur ky, për pushtetin e tij, izoloi shqiptarët duke i lënë kaq prapa. (Panorama, 26 Shkurt 2013)

Read More......

Wednesday, February 13, 2013

Berisha dhe Rama të shkojnë në Spac

Duhet ta shikojnë nga afër atë vend si shoqëria civile ashtu edhe politikanët  

Nga Fatos Lubonja
Intervistë gazetës Shqiptarja.com, 12 shkurt 2013

Si dhe kush ju njoftoj për atë batërdi që po ndodh në Spac? Ju ishit vetë në vendngjarje, a mund të na përshkruani diçka më shumë nga ç’thonë fotot?
Ndodhesha vetë atje sëbashku me një fotografe zviceriane, Barbara Haussamman, me të cilën kemi shkuar disa herë në Spaç. Ajo ka qenë fotografja e instalacionit që bëra unë vjet me objektet të Sçaçit me titull “Objekte – Subjekte”. Shkatërruesit i gjeta duke punuar me kazma dhe vare. Ishin duke thyer shtylla betoni të përdorura për të shtruar vende vende shtigjet në të cilat ngjiteshin të burgosurit për në minierë.Pasi u thërmonin betonin u merrnin shufrat e hekurit që ato kanë brenda. Një grup tjetër ndoshta po bënte të njëjtën punë më lart. Kurse në një galeri një grup po nxirrte shinat e shtruara atje prej vitesh duke rrezikuar edhe jetën. Kur hyra në kamp vura re, me tronditje, se në krahasim me një vit më parë gjendja ishte rrënuar edhe më. Më bëri veçanërisht përshtypje prerja totalisht e ballkonit të katit të parë sic duket edhe në fotot që kam bërë. Po te pyesnit Barbaren do të shihnit se ajo mbeti edhe më e tronditur se unë – pasi ne shqiptarët sikur jemi mësuar me kësi lloj barbarish. Bëra disa telefonata midis të cilave edhe në Institutin e Kujtesës të cilat për fat sollën policinë që të paktën për atë ditë e ndaloi batërdinë.

Çfarë rëndësie ka për kujtesën e shqiptarëve, Spaçi, ky burg me galeri, i shpallur muze, por që po zhduket nga faqja e dheut, dalë ngadalë...
Kam përshtypjen se rëndësia është evidente. Është rëndësia që ka kujtesa në jetën tonë. Ne edhe si qënie individuale por edhe si shoqëri tek e fundit jemi ëndrrat tona për të ardhmen, por jemi edhe kujtesa jonë e së shkuarës. Pa kujtesën ne nuk do të dinim se si ta përcaktonim veten, madje as ëndrrat e të ardhmes. Sipas meje eshte nje humbje e madhe materiale dhe shpirtërore si edhe e çdo monumenti që fikson të kaluarën, kujtesën. Njerezit në botë vizitojne minierat e vjetra per të parë se si kanë qene ato, kushtet e punës së paraardhësve të tyre,  kurse ne kemi nje miniere Gulag qe ka krahas saj edhe kampin e te burgosurve e do te ishte nje vend unik ndoshta edhe ne bote. Unë nuk kam dëgjuar të ketë një tjetër në vendet e Lindjes si Spaçi. Kurse  ne e shkatërrojmë me një mendjelehtësi që na bën më shumë të ngjashëm me kafshët që jetojnë një të tashme pa të shkuar e pa të ardhme sesa me njerëzit.
Në krye të këtij biznesi thuhet se është vëllai i Ndrea Prendit, i akuzuari për vrasje gjatë protestave të 21 janarit... Si do ta komentonit këtë fakt?
Kështu më tha policia që i arrestoi. Nuk dua të bëj akuza familjare sepse jam kundër identifikimit të individëve me familjarët e tyre cilëtdo qofshin ata. Por as mund të mohoj faktin se në Shqipërinë tonë, për fat të keq, përkatësia familjare funksionon si privilegj e mundësi mbrojtjeje apo e kundërta: si mundësi goditjeje e persekutimi. Në rastin në fjalë kam të drejtë të dyshoj se personi në fjalë e ka ndjerë veten të mbrojtur për të bërë çfarë po bënte duke u nisur nga pozita e vëllait të tij - madje edhe ditët kur vëllai ka qenë në momentet më të vështira. E nëse do të nisemi nga ifakti se shqiptarët, për fat të keq, janë të ndarë politikisht sipas përkatësisë familjare këtë do ta komentoja edhe si një fakt që vërteton se tek e fundit në Shqipërinë tonë, përtej retorikave që dëgjojmë të përdorin shumë vetë, nuk ka të majtë apo të djathtë, komunistë apo antikomunistë, por kusarë që shohin vetëm se si të bëjnë ndonjë lek, veçanërisht duke vjedhur pasurinë e të gjithëve.
Edhe pse ka vite që bëhen projekte për ta kthyer në një muze të vizitueshëm, ai vend sërish është gërmadhë.  Kë mund të fajësojmë për këtë?  Çfarë duhej të kishte bërë deri më sot Ministria e Turizmit Kulturës rinisë dhe sporteve?
Faji bije mbi të gjithë, mbi elitën politike dhe kulturore që ka drejtuar këtë vend gjatë këtyre njëzet vjetëve. Dhe ky faj është shumëfaqësh. Ky faj ka të bëjë më së pari me mungesën e ndjeshmërisë së vërtetë të kësaj elite ndaj kësaj faqeje më të errët të diktaturës, për shkak se në përgjthësi kjo elitë është dominuar nga njerëz të cilët në jetën e tyre gjatë diktaturës nuk kanë qenë në anën e të persekutuarve. Por  ka të bëjë edhe me gjendjen e mjerueshme materiale dhe shpirtërore që e ka katandisur vendin kjo elitë duke menduar vetëm për pasurimin e vetvetes – çka bën që gjynahqarë e mjeranë, të cilët ndoshta nuk ia dinë as kuptimin fjalës “kujtesë”,  të shkojnë të kërkojnë të nxjerrin bukën e gojës edhe në atë vend dhimbjeje e vuatjeje që e bën të shenjtë, - deri duke rrezikuar jetën e tyre.
Ministria së paku do të duhej të kujdesej që atje të viheshin disa tabela që të tregonin se është vend muze – sepse edhe ashtu ai është një vend muze, ku nuk duhet të merret asgjë pa leje nga shteti – e jo vetëm ndërtesat, por edhe i gjthë mali ku ka qenë miniera. Edhe shtyllat e pakta të rrethimit që kanë mbetur edhe shtyllat e betonit të galerive që gjinden nëpër rrugë.
Forumi për mbrojtjen e monumenteve ka hedhur idetë e para, për ta bërë publik këtë skandal. Çfarë mbetet  për tu bërë nga shoqëria civile sa i takon një rasti të tillë?
Mendoj se e para gjë që duhet të bëjnë njerëzit e shoqërisë civile, por edhe politikanë, është që të shkojnë ta shohin nga afër atë vend. A keni dëgjuar të ketë shkuar atje ndonjëherë Sali Berisha psh, apo Edi Rama apo shkrimtarë e artistë të njohur? Jo. E trajtojnë si një diçka që nuk u përket. Kanë shkuar në Aushvic, por jo në Spaç.
Po të shkosh atje vendi flet vetë. Kuptohet ende se atje ka ndodhur diçka e rëndë megjithë përpjekjet që bëjnë barbarët për ta kthyer në një gjendje normale.
Intervistoi Admirina Peçi

Read More......

Saturday, February 2, 2013

Të hash nga ujku

Para disa ditësh shtypi dha një lajm që joçuditërisht nuk u komentua fare në median shqiptare. Ishte një vendim i Gjykatës së Tiranës që vendosi sekuestrimin preventiv për pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme të një personi me mbiemrin Deliu, që është vrarë para disa vjetësh së bashku me nënën e tij, si dhe të pasurisë së ish-shoferit të tij, me mbiemrin Sako, i vrarë edhe ky kohët e fundit. Sipas vendimit dilte se kjo pasuri ishte vënë me rrugë kriminale, kryesisht trafiqe droge. Nuk dihet se kush i ka vrarë, por flitet për grupe rivale që, kuptohet, nuk janë zbuluar. Kuptohet gjithashtu se gjyqi i sekuestrimit është bërë pasi tashmë të gjithë të lidhurit direkt me ato prona janë të vdekur.
Ishte i paimagjinueshëm numri i pronave të sekuestruara. Qenë 34 troje ndërtimi – nuk e kam gabim, tri-dhje-te-ka-tër – troje për vila e pallate me një sipërfaqe gjithsej 47 000 metra katrorë, të gjitha të hipotekuara. Ishin 5 (pesë) makina të tipave “BMW”, “Mercedes”, “Audi”, “Chrysler”, “Mitsubishi Pajero” (i blinduar), si dhe, vini re, 20 llogari bankare (një-zet) në bankat më të njohura të Shqipërisë. Ishte edhe një apartament.
Kur u interesova për historinë mësova se disa kohë përpara se të vritej, Deliu kishte qëndruar, së bashku me të ëmën, gati i ngujuar në shtëpi ngase ruhej. E kishin ditur të gjithë në pallat (pa dyshim edhe policia), sepse banorët paralajmëroheshin të mos hipnin në ashensor se mund të pësonin ndonjë hedhje në erë me telekomandë. Mësova gjithashtu se pas vrasjes së Deliut dhe të së ëmës avokatët më në zë të vendit qenë angazhuar për të zgjidhur çështjet e pronësisë së tyre.
Shkurt, ajo që më rezultoi duke menduar këtë histori është se me ato paratë e tij të krimit e të drogës kush nuk është ushqyer: fshatarë që kanë shitur tokat, noterë që kanë bërë akte noteriale, hipotekarë që kanë regjistruar pronat, punonjës të bankës, avokatë, gjyqtarë. Këta më erdhën ndër mend si të lidhurit direkt, se pastaj në listën e atyre që kanë përfituar indirekt: më del se mund të futemi të gjithë: ndërtues që kanë shitur apartamente, shitës makinash, tregtarë gjithfarësoj mallrash që personi ka blerë, shteti që ka marrë taksa prej tyre e ka paguar funksionarë, pronarë restorantesh ku ka ngrënë e ka pirë, kamerierë, lavapjatës, kompani telefonike që kanë shitur celularë e kanë dhënë shërbim telefonik, media që kanë marrë reklama nga këto kompani, e me radhë, e me radhë. Nuk po llogaris këtu paratë që janë shpërndarë nën dorë, ku dyshoj se edhe policia duhet të ketë marrë shuka të mira për të bërë shurdhin dhe qorrin.
Po ky është realiteti ynë, të thonë, pse çuditesh, kjo është vetëm maja e ajsbergut; ne me para droge e krimi kemi bërë çfarë s’kemi bërë: vila, pallate, markete, supermarkete ete… ete; bare, restorante ante… ante…; hotele, motele, ele… ele…; kartodrome, velodrome drome… drome…, pishina ina… ina…; televizione, one… one… e çfarë s’kemi bërë. Një ditë, madje, njëri më tha: “Nuk thua shyqyr që janë këta, se përndryshe çfarë do të hanim ne?”.


Pikërisht lidhur me këtë ngrënie e kam fjalën, të dashur vëllezër shqiptarë, ndryshe të dashur bashkëngrënës shqiptarë. Dhe për të shpjeguar efektin e këtij ushqimi, po ju tregoj një histori që lidhet me një zbulim të fundit shkencor për të cilin dëgjova para disa ditësh. Ishte një lajm sipas të cilit, shkencëtarët kishin arritur të zbulonin mekanizmin se si ka dalë qeni nga ujku gjatë evolucionit. Zbulimi kishte nisur nga konstatimi se sistemi tretës i ujkut dhe ai i qenit qenkëshin të ndryshëm dhe këtë ndryshim, që ka ndodhur në një moment të caktuar të evolucionit, e përcaktuakan disa gjene të caktuara. Sipas shkencëtarit që po intervistohej, në një moment të caktuar të evolucionit paska ndodhur një ndryshim i sistemit tretës ndër kopetë e ujqërve që kanë pasur fatin të jetojnë në zona ku jetonte edhe njeriu. Një pjesë e tyre, dora-dorës, nga bashkëjetesa e afërt me njeriun, filluan të hanë ushqimin që hante edhe njeriu. Kuptohet se kjo u krijonte lehtësi mbijetese, pasi njeriu ishte më i zoti për të gjuajtur. Kjo bëri që me evolucionin sajë mutacionit, këtyre lloj ujqërve t’u krijohej tjetër sistem tretës – të bëhen pra qen – kurse ujqit që nuk e pësuan këtë ndryshim në ato zona u zhdukën.

Ky ishte zbulimi me dy fjalë. Dhe a e dini se ç’më shkoi në mendje, të dashur vëllezër njerëz? Se këtej nga pylli ynë ka kohë që po ndodh e kundërta. Këtu jemi ne që po hamë nga ujqit e që po ndryshojmë sistemin tretës. Tani bëheni hesap vetë: ata që nuk po e ndryshojnë do ngordhin, kurse të tjerët do bëhen, siç janë bërë një pjesë tashmë, qenër të ujqërve. (Panorama, 1 shkurt 2013)

Read More......