Tuesday, August 27, 2013

Mbi selinë e PD dhe SHQUP-in



Sa herë më ka ndodhur ta shoh godinën e selisë së PD të vendosur në peizazhin urban të Tiranës ashtu siç është sot, e para gjë që më ka ardhur në mendje është përdorimi i kësaj pamjeje si metaforë për të përshkruar atë që ka ndodhur në Shqipëri këta 20 vjet.  Për mua, zhytja e saj si një xhuxhmaxhuxhe në mes të disa ndërtesave të larta dhe një grataçiele është jo vetëm një shëmtim urban,
 por edhe simbol i raporteve të shëmtuara midis pushtetit politik si përfaqësues i interesit publik dhe pushtetit arrogant e prepotent të biznesit privat.
Tani po flitet se PD-ja po don të shkojë në një ndërtesë më të madhe, te selia e Shtëpisë Qendrore të Oficerëve. Opozita po thotë se kjo është e paligjshme, pasi nuk e ka firmosur shefi i Shtabit – nuk e di a është kështu. Akuzohet gjithashtu edhe Presidenti Nishani se e ka firmosur dekretin, pasi godina aktuale e selisë së PD është pronësi e tij apo familjarëve të tij. Por, me sa duken bathët, ata kanë vendosur të hyjnë me përdhunë, dhe zor se do t’i ndalojë kush.
Nëse doni mendimin tim, godina ku është selia e PD-së nuk duhet të ekzistojë fare atje ku është. Merrni urbanistin më të rëndomtë, tregojini ligjin apo rregulloren urbanistike, dhe do t’ju thotë se në respekt të raportit ndërtim-gjelbërim, ajo godinë nuk duhet të ekzistonte. Pse? Sepse  grataçielat rrotull PD-së – e kam fjalën për atë majtas me xhama që është mbi dhjetëkatëshe, atë djathtas që është njëzetepesëkatëshe, atë që po ndërtohet përballë saj, por edhe Torre Drinin pak më prapa, në një qytet normal do të duhej të kishin midis tyre hapësira të gjelbra rreth e rrotull shumë më tepër sesa ç’do të mund t’u krijohej edhe sikur të shembeshin të gjitha ndërtesat që kanë pranë. Me një kalkulim të thjeshtë del se ose këto grataçiela nuk do të duhej të ishin projektuar dhe ndërtuar – dhe ky është mendimi im – ose që godina e PD-së do të duhej të ishte rrafshuar së bashku edhe me ndërtesa të tjera.
A do të thotë kjo se PD-ja apo familjarët e Nishanit do të mbeteshin me gisht në gojë? Jo. Në vendet normale ligji parashikon se, kur bëhen ndërtime e shembje të tilla, banorët e ndërtesës së sakrifikuar për hir të gjelbërimit u jepet gjithnjë, në varësi të sipërfaqes që posedojnë, pjesë nga godina e re që ndërtohet. Me fjalë të tjera, selia e PD apo familjarët e Nishanit do të duhej të kishin gjetur strehim ose te godina me xham djathtas, ose te 25-katëshja majtas saj, ose  te godina që po ngrihet përballë tek ish-lulishtja. Kurse atje ku është PD-ja do të duhej të kishim një lulishte.
I kujtoj lexuesit gjithashtu se lejet e ndërtimit të grataçielave që e bëjnë godinën e PD-së të paligjshme, sepse janë kundër rregullores urbanistike, i ka dhënë Edi Rama, i cili tani po thotë se dekreti i kalimit të godinës së SHQUP-it PD-së është i paligjshëm dhe i turpshëm.
Që është një gjë e turpshme, këtë e them edhe unë, me të madhe madje. Në fakt, vendimi për të kaluar PD-ja te ndërtesa e Shtëpisë Qendrore të Oficerëve ishte një e papritur jo vetëm e turpshme, por edhe një akt që dha disa mesazhe tejet shqetësuese. Së pari, s’ka qytetar normal të qytetit të Tiranës që të mos e përjetojë atë si një akt plaçkitjeje të pronës publike. Dhe kjo pikërisht në momentin kur kjo parti do të duhej të ishte më kokulur se kurrë, pasi është ndëshkuar me votë pikërisht për arrogancë, prepotencë dhe për politika plaçkitëse të pronës publike. Mesazhi është se s’ka shpresë që kjo parti të reflektojë qoftë edhe një sekondë për dënimin që i dha publiku.
Por ky akt ka edhe simbolika të tjera. Nuk mund të harrojmë se PD ka lindur si një parti që kërkonte të përfaqësonte frymën kundër regjimit të kaluar. Edhe fakti që PS-ja ka vazhduar të qëndrojë në ndërtesën kur ishte Komiteti i Partisë së Tiranës, kurse PD-ja në një ndërtesë më pa identitet në lidhje me të kaluarën e regjimit, kishte një simbolikë të vetën. Kalimi i PD sot te godina e selisë së Shtëpisë Qendrore të Oficerëve, me një histori dhe arkitekturë që të kujton ndërtesat e regjimit, sikur i heq edhe leskrën e fundit të hipokrizisë kësaj partie, që në fakt ka qenë trashëgimtare e PPSH-së si në frymë, edhe në stil. Ideja se në atë godinë do të jetë selia e partisë që lindi nga lëvizja antikomuniste do t’i japë tashmë edhe një ngjyrim qesharak kësaj ndërtese.
 Një simbolikë e tretë që të ngjall ky kalim është raporti i zhdrejtë midis madhësisë së godinës dhe mbështetjes popullore për këtë parti. Sa më e madhe dhe më e rëndësishme godina, aq më teposhtë mbështetja dhe reputacioni. PD-ja dikur ka qenë e vendosur në një ndërtesë të vogël te rruga “Fortuzi”. Ishte koha e lavdisë së saj; s’ka rëndësi se sa e madhe ishte ndërtesa e selisë. Me këtë akt plaçkitjeje, të cilin, sipas mendimit tim, kryetari i ri i PD, Lulzim Basha, do të duhej ta kundërshtonte për t’i dhënë nismën një qëndrimi të ri politik, PD-ja vulos vetveten si një parti me njerëz që janë futur në politikë për të plaçkitur.
Sali Berisha dhe zëdhënës së tij po na servirin argumentin se kjo ndërtesë paskësh qenë një palo vend ku janë bërë vetëm gjëra të parëndësishme, si ceremoni mortore e ku di unë; a thua se janë bërë punë më të mira nëpër selitë e partive tona. Sigurisht, destinacioni i saj do të duhet të ishte ndryshuar me kohë, por jo kështu, por për t’i dhënë publikut një diçka më të mirë, më të kulturuar, qoftë një muze apo ku di unë. Dhe për këtë mungesë përgjegjëse është përsëri edhe vetë PD-ja.  
Pyetja që ngrihet, megjithatë, sot nga shumë është: a do ta pengojë Edi Rama dhe të vetët këtë plaçkitje? Kjo edhe në kuadrin e premtimeve se do të zhbëjnë shumëçka nga vendimet e padrejta dhe abuzive të marra nga maxhoranca.
Do të doja shumë të ishte kështu, por dyshoj po ashtu shumë se do të ndodhë një gjë e tillë. Mjaft të kesh parasysh se grataçielat që ka lejuar Edi Rama të ndërtohen rreth ndërtesës së PD-së janë edhe ato akte të pastra plaçkitjeje të pronës publike, të lulishteve, të shesheve, trotuareve, të ajrit, të frymëmarrjes së qytetarëve. Të shohim megjithatë, shtatori nuk është larg. (Panorama, 18 gusht 2013)

Read More......

Mbi disa projekt - ide të Ramës

Gjatë këtyre ditëve paszgjedhore kemi dëgjuar nga lideri i koalicionit fitues Rama disa propozime apo projekt-ide për të ardhmen. Nuk mund të mos tërheqin vëmendjen ideja e rifutjes së FMN-së si element kontrolli që duhet të bëjë një auditim, ideja e një dogane të kontrolluar nga të huajt, ideja e INSTAT-it që do të funksionojë me një lloj binjakëzimi. Së fundi, ideja e një autoriteti që do të kontrollojë gjithë çka të bëjë me financat e vendit, d.m.th. edhe Bankën Kombëtare apo ajo e një Byroje të Hetimit Kombëtar pranë Kryeministrit. Nëse do t’i analizojmë këto projekt-ide, nuk mund të mos arrijmë në konkluzionin se ato kanë një gjë të përbashkët: mosbesimin e thellë tek institucionet që kemi ngritur deri tani, veçanërisht ato që në vend se të jenë të pavarura, konsiderohen të kapura, pra jo të besueshme. Ato flasin për dështimin e ngritjes së shtetit të së drejtës që në themelet e tij. Dhe këtë askush nuk e mohon dot, se është e vërtetë. Projekt-idetë e propozuara, megjithatë, për mendimin tim, janë tejet të diskutueshme për një sërë arsyesh që po përpiqem t’i rreshtoj.
Së pari, duke krijuar institucione që në një farë mënyre duket se do të funksionojnë në mënyrë paralele me institucione të tilla si Kontrolli i Lartë i Shtetit, Prokuroria etj., lind pyetja se sa janë kushtetuese e sa do të hyjnë në konflikt me institucionet e akuzuara si të kapura nga Berisha?
Së dyti, ngrihet pyetja se sa të huajt do të jenë efikasë, edhe po pranuan të punojnë, në një terren shqiptar të minuar nga të katër anët nga ekonomia kriminale dhe nga polarizimi ekstrem?
Së treti, sa këta do të jenë vërtet të pavarur dhe sa në shërbim të maxhorancës së re, d.m.th. sa do t’i rezistojnë sistemit, i cili, sipas vetë fjalëve të Ramës, korrupton çdokënd?
Së katërti, prurja e të huajve në këto vende dhe marrja prej tyre e përgjegjësisë së arbitrit, sa do t’i ndihmojë shqiptarët dhe sa do t’i vonojë në pjekurimin e tyre?  Një gjë është e padiskutueshme: kërkesa për tërë këto institucione e për tërë këta të huaj është shenjë e dështimit në ngritjen e institucioneve që jo vetëm duhet të jenë të pavarura nga partitë, por edhe t’i kontrollojnë partitë.  E padiskutueshme është se ne kemi një regjim bandokratik, ku bandave nuk u ka interesuar arbitri dhe prandaj jemi në këtë gjendje. Disa e kanë cilësuar këtë pohim timin si shumë radikal, por më duhet ta ripohoj se sipas meje – dhe një opinioni mjaft të përhapur – është vërtetthënës për sistemin se si funksionojmë. Mjaft t’ju kujtoj se ne do të kemi për Kryeministër një person, i cili, sipas vetë fjalëve të partnerit të tij kryesor, Ilir Metës, është i kapur nga krimi i organizuar, ne do të kemi në postin e kryetarit të Parlamentit një njeri që, sipas vetë fjalëve të Kryeministrit të ardhshëm Edi Rama, është një kryebandit me “bllok korrupsioni në dorë” që u bë shkak që aleati i tij i djeshëm, Berisha dhe zëvendësi i tij si kryetar i opozitës sot, Lulzim Basha, të kryejnë vrasje të paligjshme.
Në një shtet të së drejtës, ose njëra palë do të kishte shkuar në burg për këto akuza për shkak të vërtetësisë së tyre, ose pala tjetër do të kishte shkuar në burg për shpifje. Te ne nuk ndodh as njëra, as tjetra, pasi nuk ka shtet të së drejtës. “Nëse mungon e drejta, shteti bëhet një bandë brigandësh” – tha Papa në vizitën e tij në Berlin para disa kohësh, duke cituar Shën Agostinin. Ky është realiteti i shtetit tonë. Tani ne kemi dy banditë të bërë papë që na premtojnë ndërtimin e një shteti të ri. A ka gjasë të ndodhë kjo? Për mua është një sfidë e madhe, por jo e pamundur. Është si të çarmatosësh ushtri që deri dje kanë bërë luftë e plaçkitje dhe t’i kthesh ushtarët e saj në bujq e punëtorë të mirë. Është si të kthesh një organizatë terroriste të mësuar të bëjë krime në organizatë politike.
Pyetja që shtrohet lidhur me projekt-idetë në fjalë është: a janë ato shenja të vetëdijes së nevojës urgjente të këtij transformimi? Nuk më bën zemra të them “jo” me bindje të plotë, por më duhet të them se Ramës i duhet një akt shumë i rëndësishëm që të fitojë besimin se ka ndërruar rrugë dhe, duke u nisur nga përvoja e së djeshmes, por edhe duke marrë në analizë propozimet e fundit, sipas meje këto nuk duken shenja se synojnë “çarmatimin” e partive nga pushtetet që s’u përkasin. Sipas mendimit tim, ajo që duhet të propozojnë Edi Rama dhe Ilir Meta për të filluar çarmatimin e bandave dhe kthimin e tyre në parti, është pikërisht ngritja e institucioneve të pavarura, realisht të pavarura, që të kontrollojnë edhe partitë e tyre, edhe deputetët e tyre.
Pra, ndryshimi duhet të fillojë nga mbisundimi i vullnetit politik për të pranuar arbitrin, çarmatosësin. Dhe kjo nënkupton që edhe Basha në krahun tjetër (e përdora qëllimisht Basha dhe jo Berisha), të bjerë dakord për çarmatimin, që konkretisht do të thotë qoftë ndryshime kushtetuese e ligjore, qoftë ndryshime në emërime e në struktura institucionale.
Për shembull: nëse Rama ka dyshime për abuzime me financat dhe kërkon që përpara se të marrë në dorë pushtetin të verifikojë gjendjen dhe të caktojë përgjegjësit, madje edhe të kërkojë procedimin e tyre ligjor nëse rezultojnë të vërteta, është e udhës që opozita e sotme ta pranojë një gjë të tillë. A do të jetë ky auditim i huaj apo shqiptar? Më e rëndësishme nuk është kjo, por që të ketë një pranim nga të dyja palët në besueshmërinë e atij që bën auditimin. A ka një vullnet çarmatimi, që do të thotë edhe një ndryshim të gjuhës që përdorin ndaj njëra-tjetrës? Sipas meje, jo.
Në fakt, pranimi duhet të ekzistojë pasi shteti ka institucione që duhet ta bëjnë këtë kontroll. Dhe këtu fillon problemi. Rama kërkon të verë të vetët. Nëse këta të fundit do të nxjerrin këto përfundime që atyre nuk u pëlqejnë, është e gatshme që të thotë se kanë vepruar nën diktatin e maxhorancës së re. Vini re se ç’ndodhi me vendimet e Kolegjit Zgjedhor. Deri dje ai konsiderohej se qe nën kontrollin e Berishës. Sapo mori disa vendime që nuk i pëlqyen këtij, u akuzua menjëherë se po i shërbente Edi Ramës dhe Ilir Metës. Nën dritën e kësaj problematike duhen parë edhe projekt-idetë e fundit.
Duke parë ato nuk mund të mos ngrihet pyetja: prapa idesë se do të bëjmë një strukturë që funksionon më mirë, a mos qëndron synimi që të bëjmë një strukturë që e kemi ne nën kontroll dhe jo një strukturë të pavarur nga të dyja palët? Pra, për të nxjerrë jashtë loje një institucion të akuzuar si të kapur nga Berisha, ndërtohet një strukturë tjetër, në krye të së cilës emërohet një njeri i maxhorancës së re. Lexova në shtyp p.sh., se në krye të së ashtuquajturës Byro Hetimore Kombëtare që synohet të krijohet pranë Kryeministrit – sipas sugjerimit të Tony Blair – do të vihej ish-kryeprokurori Theodhori Sollaku. Nuk mund mos të të shkojë menjëherë në mendje se ky është akuzuar disa vjet rresht si njeri që flinte mbi dosjet e korrupsionit të Edi Ramës me shokë.
Është e imagjinueshme se sa do të pranohej e do të besohej nga opozita e sotme një institucion kaq delikat me në krye një person si ai, edhe pse i propozuar nga Tony Blair. Meqë ra fjala, një miku im anglez më shkruante një ditë: “Edhe Tony Blair i duhej Shqipërisë”. Pasi nami i tij në Angli, midis të majtëve veçanërisht, është tejet i keq. Por unë dyshoj se Blair po përdoret në këtë rast dhe kemi përvojë se (keq)përdorimi i të huajve ka qenë në stilin e Ramës. Projektet e grataçielave të dështuara janë ideuar në Tiranë, studiot e huaja vetëm kanë zbatuar porosinë. Në rastin në fjalë: ne problemin kryesor këta njëzet vjet kemi pasur pikërisht korrupsionin e gjeneruar nga kryeministrat – të gjithë me radhë. Tani befas po i vëmë mëlçitë ujkut në qafë, po i lëmë Kryeministrit në dorë ndjekjen e krimit të korrupsionit.
Hajde këshillë që po na jep, o Tony Blair, hajde!) Nga ana tjetër mund të ngrihet me të drejtë pyetja: po ku t’i gjejmë njerëzit që pranohen nga të dyja palët? Sipas meje, njerëzit sillen si të pavarur kur hiqet trysnia dhe vullneti për instrumentalizimin e tyre dhe kur kjo shprehet edhe me garanci ligjore. Ndërtimi i institucioneve me pushtete të pavarura mbi parimin “check and balance” të besueshme nga opinioni dhe të respektuara nga të gjitha palët, është sfida kryesore që ka Shqipëria dhe klasa politike që ka ardhur në pushtet.
Përndryshe, do të vazhdojë loja e delegjitimimit reciprok, ose më saktë, teatri i delegjitimimit reciprok me pasoja vazhdimin e shtetit të brigandëve, dhe jo ndërtimin e shtetit të së drejtës. Dyshimi është se pikërisht kjo do të ndodhë. Të paktën t’ua themi se ky është një teatër i bërë bajat që nuk e ndjek më kush. (Panorama, 7 gusht 2013)

Read More......

Tuesday, August 20, 2013

Mbi krimin në Vlorë

Te lajmi i krimit në Vlorë më tërhoqi vëmendjen një detaj; “vrasësi iku me një fuoristradë”. M’u kujtua menjëherë për asosacion një bisedë që kisha pasur vetëm para disa ditësh me një specialist ndërkombëtar në fushën e drejtësisë dhe krimit, i cili e njeh jo pak Shqipërinë. Duke bërë krahasim midis vendeve të tjera europiane dhe Shqipërisë, ai më tha pak a shumë këto fjalë: “Mafie dhe krim ka edhe te ne, por ka edhe antimafie dhe antikrim, kurse te ju mungon kjo e dyta. Në Itali ka mafie, por ka edhe Falcone e Borselino, këtu jo. Ky është problemi. Ja, le të marrim për shembull Rumaninë. Edhe atje ka mafie dhe krim. Ku qëndron ndryshimi? Ta them unë: në rrugët e Bukureshtit ti nuk mund të shohësh kurrsesi djem të rinj mbi makina fuoristradë BMW X5 apo X6 apo Ferrari, siç sheh këtu. Nuk ka shans të shohësh një gjë të tillë sepse edhe ai mafiozi që e ka mundësinë t’i blejë nuk e blen, se do të kapet menjëherë për shkak të makinës. Kurse këtu i sheh në mes të Bllokut të parakalojnë pa e prishur terezinë. Të bëjnë edhe karshillëk madje. Sepse nuk kanë frikë nga shteti. Ja, ky është ndryshimi”.
Në fakt, në shoqëri njerëzore jetojmë të gjithë, ndryshimi qëndron në atë se si sillemi. Në shoqërinë tonë, fatkeqësisht krimi shëtit sheshit. Madje edhe po vret pa e prishur fare terezinë. Numri i kriminelëve, të rinj shumica, që shëtisin të lirë nëpër rrugët e qyteteve tona, një pjesë e mirë me makina luksoze dhe të armatosur, është shtuar aq shumë, sa nganjëherë të duket se janë në gjendje ta mbysin shoqërinë nëse ajo kërkon t’i luftojë seriozisht.
A është kështu, apo e teproj? Nuk e teproj nëse konsiderojmë se këto akte që bëjnë bujë janë thjesht maja e ajsbergut, apo thjesht qelbi që del nga një pus infeksioni shumë i thellë në trupin e shoqërisë sonë. Sipas meje, ata që për një sherr banal marrin kallashnikovin dhe vrasin kë t’u dalë përpara, siç ndodhi në Vlorë, nuk se janë qytetarë normalë që për një çast humbasin mendjen. Ata janë kriminelë që jetojnë nëpërmjet krimit dhe që ndihen aq të pakërcënuar nga shteti dhe ligji, sa u shkon mendja se mund të bëjnë akte të tilla. E përsëris: janë vetëm maja e ajsbergut të krimit. Sepse edhe ata pronarët e lokalit që i kanë parë të hyjnë në lokalin e tyre me kallash në duar dhe nuk kanë ndërhyrë, madje as i kanë kallëzuar në polici, janë, në një mënyrë a në një tjetër, ose të lidhur  me këta, ose të terrorizuar, sepse e dinë se çfarë i gjen. Sepse, po ashtu, nuk është rastësi që këta kriminelë janë kapur e lëshuar nga policia disa herë, derisa arritën të kryejnë këtë vrasje llahtar. Ne e dimë shumë mirë se edhe policia, në një mënyrë apo në një tjetër, ha me apo nga këta. E ripërsëris: fakti që kriminelë të tillë shëtisin kaq të patrazuar kur nuk vrasin, madje shpesh edhe pasi vrasin – siç ma përshkruante eksperti që përmenda – është shenja më evidente se ne kemi ndërtuar një sistem simbioze me krimin. Në një shkrim të paradokohshëm këtë e kam quajtur “të hash nga ujku”. Dhe po qe se duam të merremi seriozisht me luftën kundër krimit, duhet të merremi me atë që qëndron poshtë ajsbergut.
Kur kërkojmë të kuptojmë se pse kemi arritur deri në këtë pikë, nuk duhet të harrojmë disa faktorë të rëndësishëm. Së pari, ne dolëm me një sistem krejtësisht të dështuar ekonomik ku, përveç emigracionit një burim kryesor mbijetese u bë edhe krimi – në formën e trafiqeve njerëzore, të drogës, prostitucionit dhe të krimeve të tjera të ndryshme. Së dyti, ne dolëm me një eksperiment që nuk mbahet mend të ketë ndodhur në historinë njerëzore: nga një sistem ekonomik ku gjithçka ishte pronë kolektive, në një sistem ku kjo pronë do të privatizohej. Edhe kjo, duke pasur parasysh edhe pikën një, u bë burim plaçkitjeje dhe pasurimi të shpejtë. Së treti, që ka të bëjë me faktorin njeri,  ai sistem dështoi edhe përsa i përket kapitalit më të çmuar. Në vend të njeriut të ri që sakrifikohej për të tjerët, shoqërinë, socializmi prodhoi një njeri që pikërisht pse iu mohua çdo shprehje e interesit personal u kthye në një monstër interesi personal që e shfaqi trajtën e tij më monstruoze tek elita e re drejtuese.
Për fat të kaq duhet thënë se krimi është mëkati fillestar i këtij tranzicioni që po na ndjek duke u bërë gjithnjë e më kërcënues. Dhe kërcënimi më i madh vjen ngase krimi sa më shumë që është forcuar, aq më fort e ka kapur shtetin, politikën. Dhe një politikë që jeton nëpërmjet krimit dhe për krimin, e ka vështirë të luftojë krimin. Mjafton të kesh parasysh piramidat dhe gjëmën që krijuan ato. Siç e kam thënë edhe në shkrimin “Të hash nga ujku”, krimi i organizuar dhe i çorganizuar jeton në simbiozë me shoqërinë tonë. Shikoni pallatet që janë ngritur nëpër Shqipëri. A është ulur kush të bëjë kalkulimin se si janë gjetur tërë këto para? Askush. Sepse ato para janë burimi kryesor i mbijetesës edhe për njerëzit që nuk dinë të përdorin kallashnikovin, por vetëm mistrinë dhe çekanin. Politikanët e quajnë “zhvillim”, por në fakt e kanë shumë të qartë se është krim, ndaj njeriut, ndaj territorit dhe ndaj të ardhmes së fëmijëve tanë, që e bëjnë ata për interesat e tyre personale.
Kjo, pra, është klima e përgjithshme në të cilën lulëzojnë dhe shpërthejnë pastaj edhe akte si ai i Vlorës. Nuk mund të harroj se kur erdhi në pushtet PD-ja e Sali Berishës, ndër premtimet e shumta (të pambajtura) bëri edhe atë që do të ndalonte makinat me xhama të zinj. Sot ndalon makinën në semafor dhe sheh gjithnjë e më shpesh se përbri teje ka ndaluar një makinë e madhe, e re, me xhama të zinj prej nga ti nuk mund të shohësh assesi se cili është prapa. Kush ka parë shumë filma policorë, ka rrezik t’i ngjallet paranoja se prapa atij xhami dikush mund ta qëllojë e të ikë i patrazuar në rrugën e tij. Po për çfarë filmash po flas, a nuk ndodhi kështu vrasja e shoferit të njërit prej kryeprokurorëve tanë? A nuk e vranë kështu një shef policie?
Si pasojë, kjo strukturë ekonomike e politike kriminale ka krijuar edhe sistemin e vet të vlerave dhe njeriun monstër të ri, ku të kesh një fuoristradë të blerë me pare droge dhe të kesh kallashnikovë në bagazhin e saj, që mund t’i përdorësh për çdo rast, nuk quhet krim, por normalitet në këtë shoqëri. Në këtë aspekt, vrasësit e Vlorës, aq sa ç’mund të konsiderohen kriminelë, mund të konsiderohen edhe viktima të kësaj shoqërie.
Gjer këtu, do të më thonë kritikët e shkrimeve të mia, nuk na ke thënë ndonjë gjë të re, madje i dimë dhe vetë, a mund të na thuash ndonjë gjë se si të dalim nga kjo gjendje?
Është e vërtetë se tmerri që të kap kur dëgjon një lajm të tillë si ai i Vlorës, ku një kriminel vret tre njerëz sepse motrës së shokut të tij i kanë kërkuar adresën e Facebook-ut dhe ikën i patrazuar, flet shumë më tepër nga ç’thashë më lart edhe për ekonominë dhe shtetin e kapur nga krimi, edhe për sistemin e vlerave në Shqipëri. Por, nga ana tjetër, mendoj se nuk duhet të reshtim së vëni në dukje se përgjegjësia kryesore mbi këto krime bie mbi politikën jo thjesht si paaftësi, por edhe si nxitje me veprimet e tyre për veprime kriminale në shoqëri. Sepse media ka një tendencë ta trajtojë krimin e ashtuquajtur të kronikës së zezë si të palidhur me krimet e atyre me kollare dhe këmishë të bardhë. Kurse unë mendoj se ata i inkurajojnë shumë këto krime. Prandaj, ndaj pyetjes “ç’duhet bërë?”, përgjigjja për mua është e thjeshtë: duhet ndërprerë simbioza e njeriut shqiptar me krimin, ngrënia nga ujku. Si mund të bëhet kjo? Ka një hap të parë në çdo gjë, i cili t’i dikton vetë pastaj edhe hapat e tjerë. Hapi i parë është ai që politikanët që sapo kanë ardhur në pushtet dhe kanë marrë në dorë qeverinë duhet të reshtin së ngrëni me ujkun dhe për ujkun. Kjo mund të çojë në hapin e dytë, largimin nga ujqit dhe pastaj në hapin e tretë, izolimin e ujqve dhe dënimin e tyre. Pa pikë dyshimi ky ndryshim në sjelljen e tyre do të reflektohet edhe në sjelljen e atyre që janë më poshtë. Kjo është rruga e vetme. Teknikalitetet gjenden lehtë nëse ekziston ky vullnet ndryshimi.
Ti po u kërkon ujqve të ndërrojnë natyrë, do të më ironizonin shumë lexues, duke ma kthyer shkrimin në rreshtat e para. Në thelb po, duhet një mutacion, një lindje e re, jo një rilindje siç e ka quajtur Rama atë që synon të bëjë. Përndryshe edhe më zi do të shkojë kronika e zezë. (Panorama, 3 gusht 2013)

Read More......