Saturday, November 30, 2013

Pas furtunës

-->

  Para disa ditësh u botua në  “Mapo” një intervistë e imja dhënë Aleksandra Bogdanit, me titull “Protesta si tragjeditë greke, ku pesha e gjëmës tronditi thellë të keqen brenda nesh” dhe me titull on line: “Protesta, fillimi i luftës për të ndryshuar Rama: mallkime në vend të ndjesës”. Më la shije të keqe fakti që ndonjë media online e mori dhe e sintetizoi duke i vënë titullin/lajm: “Lubonja e krahason fjalimin e Ramës me atë të Hitlerit”. Dhe u shqetësova jo pse mendova se për qëllime sensacioni po nxirrej nga konteksti dhe deformohej një thënie, por sepse ndjeva erën e gazetarisë së llogoreve që nuk synon as t’i shërbejë informimit të publikut dhe as thellimit të analizës së një ngjarjeje, por ruajtjes së statukuosë së rreshtimit të njerëzve në llogoret e Ramës dhe të Berishës, duke skualifikuar këdo që kërkon diçka përtej tyre  e në radhë të parë shoqërinë civile e gazetarët e pavarur. Ndërkohë më duket se ajo që ndodhi ishte pikërisht e kundërta e rreshtimit në llogore.
Nuk e mohoj se duke komentuar fjalimin e Ramës them edhe se: “Nga pikëpamja e gjendjes së tij psikologjike (fatmirësisht jo e pasojave), më kujtoi Hitlerin, që, kur po humbte luftën për fajin e tij, mallkoi popullin gjerman që nuk e meritonte një lider si ai”. Për hir të së vërtetës, nuk kam lexuar (dhe as flas për) ndonjë fjalim kësisoj të Hitlerit, madje nuk di të them se në ç’libër fiction, dokumentar apo eseistik e kam gjetur këtë pohim. Por thelbi është se i referohem  “gjendjes psikologjie” të një lideri, i cili nuk është në gjendje të shohë humbjen si pasojë e gabimeve të veta, pasi është i zhytur në paranojën e tij dhe që, edhe kur detyrohet t’i nënshtrohet një humbjeje, fajëson të tjerët, gjithë të tjerët, përveç vetes. Nuk e mohoj, po ashtu, se asosacioni më ka ardhur ngaqë idenë e sjelljes së armëve kimike në Shqipëri e kam përjetuar si një çmenduri të madhe në luajtjen me fatet e një populli të tërë. Megjithatë, ndoshta e kam ekzagjeruar. U kërkoj ndjesë mbështetësve të Ramës. Mund të kisha thënë: Më kujtoi Sali Berishën, i cili, kur humbi zgjedhjet, ua vuri fajin mashtrimeve të opozitës dhe budallallëkut të popullit shqiptar që nuk ditën të vlerësojnë arritjet e  tij. E di që edhe kjo do t’u duket e tepruar, por s’kam ç’u bëj.
A nuk qe kështu? Në 29 minuta, nga 30 minutat që foli, Rama, në vend se të shihte një realitet të ri, pa, apo deshi të shihte, politikën e llogoreve dhe i ndau njerëzit që protestuan në dy pjesë: në një pjesë që veproi “me poshtërsi” ku hynte opozita dhe “grupe mediatike”, dhe në një pjesë të madhe budallenjsh, që ishte mashtruar nga këta maskarenj që arritën deri atje sa të mërzitnin edhe partnerin amerikan. Akuza ndaj “të poshtërve” ishte se gënjenim, pasi nuk kishte ndonjë vendim, dhe mashtronim kur thoshim se Shqipëria do të kishte keq dhe jo mirë nga ajo punë.
Le ta fillojmë nga e para. Besoj se u pa qartë se sikur njerëzit të mos kishin dalë në protesta ditën e premte “the decision” (siç e quajti Walker në Al Jaseera, që përkthehet në shqip “vendimi”), do të bëhej publik botërisht me miratimin e axhendës së Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike. Pra mu atë ditë Shqipëria do të ishte shpallur vendi ku do të depozitoheshin armët kimike. Pjesa tjetër e punës do të ishte thjesht procedurë ligjore për ta kthyer këtë fjalë të dhënë në një vendim të qeverisë të aprovuar nga Parlamenti shqiptar dhe për të përcaktuar pastaj procedurat e mëtejshme. Për këtë kishte punuar edhe ambasadori amerikan, i cili, siç tha edhe vetë, përveç “po”-së së Ramës, kishte marrë fjalën e opozitës shqiptare, që nuk do të thoshte jo. E kjo shpjegon se pse deri të enjten në mëngjes, kur u pa se zemërimi i njerëzve ishte i papërmbajtshëm, opozita ankohej vetëm për mungesë transparence, por nuk fliste kundër sjelljes së armëve kimike. Dimë gjithashtu – nga burime të pakonfirmuara zyrtarisht, por të besueshme – se shteti kishte marrë edhe disa masa për mirëpritjen e këtyre armëve. Atëherë, kush gënjen lidhur me atë nëse kishte apo nuk kishte marrëveshje apo vendim apo fjalë të dhënë, quajeni si të doni?
Pjesa e dytë e “mashtrimit” gjithë sipas Ramës, ka të bëjë me atë se ne “jo ekspertët” ia paraqitëm publikut një punë të mirë pastruese si një zezonë helmimi. Mjerisht kjo fushatë vazhdon edhe pas fjalimit të Ramës. Fakti është se ne, pa dallim midis njërëzve publikë dhe jopublikë, u mbështetëm sa te bon sensi që merrte parasysh vogëlsinë e territorit shqiptar apo përvojën e të tjerëve, aq edhe te ligji, si ai shqiptar i aprovuar nga Berisha dhe i abroguar krejtësisht nga Rama, ashtu edhe te ligjet mbi ndalimin e importimit të substancave kimike toksike në vendet e botës, duke përfshirë edhe SHBA. Mirëpo, sipas ekspertizës së mosekspertizës së Kryeministrit pa ekspertë, shqiptarët duhet të besonin se ne do të kishim dalë më të pastër. Së pari, një pyetje më lind duke parë edhe vështirësinë e gjetjes në botë të një Kryeministri të dytë si ky i yni: Pasi ato 1300 tonët të shndërroheshin në 13 000 tonë kontejnerë të ndotur e më the e të thashë, siç tha eksperti Walker, në cilin vend do të çoheshin? Unë nuk pashë të dilte ndonjë emër në axhendën e së premtes për këtë. Së dyti, unë e pranoj se dikush mund të ketë mendimin e tij të kundërt, por tjetër gjë është mendimi i sinqertë kundër dhe tjetër është të servirësh gënjeshtra si ato me 13 miliardë dollarët apo heqje vizash amerikane e hyrje në Europë, që u vunë në qarkullim, për t’u thënë budallenj e të manipuluar gjithë të tjerëve. Së treti, është gënjeshtër e madhe të thuash se popullit iu drejtua vetëm opozita dhe disa grupe mediatike “të poshtër” e “me borxhe”. A e ka parë Kryeministri një video të bërë nga intelektualë e artistë që jetojnë jashtë Shqipërisë (shih videon: http://mapo.al/2013/11/15/artistet-kunder-rita-ora-dhe-elsa-lila-jo-armeve-kimike-video/.) Po shqiptaro-amerikanin Van Christo, veteran i Luftës së Dytë, kush e nxiti që i ka shkruar, që me 9 nëntor, atë letër emocionuese John Kerry-t (http://frosina.org/van-christos-letter-to-secretary-kerry/) ku e quan “deplorable action” atë që donte të bënte qeveria amerikane? “Tmerrësisht i keq, që meriton dënim të fortë” – është një nga shpjegimet që jep fjalori për një veprim që meriton epitetin “deplorable”.
Është e vërtetë se “jo”-ja e njëminutëshit të fundit të Ramës ishte çliruese për të gjithë. Është po ashtu e papranueshme që Berisha kërkon ta interpretojë “po-jo”-në e tij si “pavendosmëri” apo si thyerje e besës kanunore shqiptare që na paska prishur punë me amerikanët. Ne e dimë mirë se si “vendosmëria” dhe “besa” e tij në raste të tilla veçse ua ka thelluar tragjedinë shqiptarëve: le të kujtojmë ‘97-n apo 21 janarin. Berisha, po të kishte reflektuar qoftë edhe një minutë me sinqeritet mbi këtë ngjarje, do duhej të kishte thënë se ka edhe ai përgjegjësi për këtë që ndodhi me servilizmin hipokrit që ka treguar ndaj amerikanëve kur i ka thënë “po” çdo propozimi të kësaj natyre dhe duhej të dilte nga llogorja përfundimisht. Por ama fjalimi i Ramës nuk na çliroi nga problemet që kemi pasur me Berishën, përkundrazi. Për mua, jo vetëm, siç e thashë, ai i ngjante si dy pika uji fjalimit të dorëheqjes së Berishës kur humbi zgjedhjet, por edhe reagimi i militantëve të Ramës, që filluan të glorifikojnë njeriun që dëgjuaka, medemek, zërin e popullit e të demonizojnë ata që kritikojnë fjalimin e tij të “dorëheqjes” nga armët kimike, ishte një kopje e reagimeve të militantëve të Berishës, që u mallëngjyen aq shumë nga dorëheqja e liderit të tyre “historik”, saqë nuk duronin askënd që u thoshte se kjo dorëheqje ishte hipokrite.
Dhe kjo na mban te politika e vjetër e personalizimit të institucionit nga lideri, te politika e luftës për pushtet dhe para të dy llogoreve, që kërkojnë të bëjnë aleat për këtë ambasadorin amerikan. Për mua nuk ishte normale, p.sh., që njerëzit po prisnin me ankth se çfarë do të vendoste Kryeministri në orën e fundit pas protestave të tyre, ndërkohë që do të duhej të kishin ditur me kohë se Këshilli i Ministrave, pas konsulencës me këshilltarë dhe ekspertë të fushës, me ekspertë ligjorë, të ambientit, të politikës, të Europës së Bashkuar etj., i kishte thënë “jo” një kërkese të SHBA për sjelljen e armëve kimike të Sirisë në Shqipëri. Ishte e papranueshme që Kryeministri na mbajti edhe 29 minutat e fundit në ankth, dhe ç’është më e keqja, tha: “Unë u thashë atyre dhe tani po ju them edhe juve…”. Edhe Enver Hoxha, ndonëse vendoste vetë, kurrë nuk thoshte “unë”, por “Partia”, “Byroja Politike”, “Kuvendi Popullor”.
Deri më sot, siç tregoi edhe kjo ngjarje dramatike, personalizimi i institucionit ka bërë që vendimet arbitrare të “shefit” t’i imponohen ligjit, procedurave, institucioneve. Pastaj, për të justifikuar këto vendime që më së shumti kanë rezultuar të gabuara apo të dëmshme për shumicën, sepse në favor të vetes, mikut, sekserit, djalit, vajzës, klanit… është përdorur politika e llogoreve “jeni me ne apo kundër nesh?” Çdo kundërshti është justifikuar me atë se ata që kundërshtojnë janë të llogores së armikut dhe e bëjnë këtë se janë armiqtë tanë, prandaj dhe të Shqipërisë, prandaj dhe të amerikanëve, dhe broçkulla si këto.
Kësaj i thanë “jo” shqiptarët me forcë kësaj here. Ata thanë se në demokracinë që po ndërtojmë ne presim që vendime apo marrëveshje të tilla, kushdo qofshin ato, të jenë në interes të shqiptarëve, dhe jo të pushtetit apo parasë së llogoreve, e për këtë ato duhet të merren pas konsultimesh e ekspertizash nga institucionet dhe jo nga “shefi” i llogores personalisht, dhe të kthehen në vendim duke u votuar në Parlament vetëm pas konsultimesh me popullin e tërë apo me popullsinë e një zone të interesuar kur e do rasti.
Ata që nuk e kanë nxjerrë këtë mësim edhe nga kjo ngjarje, vështirë se hyjnë në kategorinë e njerëzve që mund të mësojnë diçka të re në këtë jetë, që të mund të bëhen, kësisoj, edhe më të ditur e më të mirë për të tjerët. (Panorama 21 nëntor 2013)

Sunday, November 17, 2013

Lubonja: Protesta, fillimi i luftës për të ndryshuar, Rama, mallkime në vend të ndjesës

Intervistoi Aleksandra Bogdani (Mapo 16 nëntor 2013)


Zoti Lubonja, shqiptarët dolën në rrugë, të frikësuar nga sjellja e armëve kimike pas një bllokade informacioni prej mëse trejavëshe nga qeveria, ndërsa mediat ndërkombëtare raportonin se vendimi ishte thuajse përfundimtar. Më në fund protesta popullore fitoi kundër marrjes së këtij vendimi, ndërsa kryeministri na transmetoi idenë se kjo ishte një fitore e gabuar. Ju si e komentoni këtë situatë?
Për mua ky ishte si ai rasti kur një sëmundje, që e kemi në trup prej kohësh, shpërthen me virulencën e saj maksimale duke bërë që i sëmuri kësaj here të kuptojë se po i rrezikohet jeta dhe prandaj duhet të marrë masa serioze. Kjo që ndodhi ishte reagimi i popullit ndaj sëmundjes. Cila është sëmundja dhe agjentët e saj? Paaftësia jonë për të ndërtuar një shtet dinjitoz, që ka gjetur shprehjen e saj më të shëmtuar tek politikanët e korruptuar e të pandëshkuar e paranojakë që kemi, të cilët, duke qenë edhe të paaftë për të ndërtuar ekonomi të shëndoshë, kërkojnë të rrinë në pushtet duke mashtruar, manipuluar e shantazhuar njerëzit e duke kërkuar të fitojnë legjitimitetet e para me mbështetjen e të huajve, duke u bërë atyre çdolloj koncesioni. Këtë sëmundje tonën e kanë shfrytëzuar në këtë rast amerikanët për interesat e tyre, edhe të paqes, por jo të Shqipërisë. Shqipëria në këtë rast, përsa i përket amerikanëve, ishte në rolin e të sakrifikuarit për një çështje shumë më të madhe. A e lexuat ç’thoshte deputeti gjerman Jan van Aken: “…kërkohet hallka më e dobët e një zinxhiri dhe Shqipëria si një vend i vogël, në borxh, vihet nën trysni për ta kryer këtë punë. Politikisht, teknikisht dhe nga aspekti shkencor nuk ka asnjë arsye për të zgjedhur Shqipërinë…”.
Kjo mpleksje interesash bëri që midis kësaj race politikanësh që kemi dhe amerikanëve të arrihet një marrëveshje e turpshme kulisash, si ato që amerikanët, për interesat e tyre, kanë bërë me regjime autoritare dhe jopopullore, jo në pak vende të botës. Por Shqipëria dhe shqiptarët, megjithë mangësitë e mëdha përsa i përket demokracisë, treguan edhe kësaj here, siç e kanë treguar në raste ekstreme, se ka një kufi autoritarizmi dhe abuzimi që ata s’e lejojnë më të kalohet. Sepse kësaj here, kjo racë politikanësh tentoi të shkojë shumë larg. Një nervozizëm të tillë të popullit unë e kam përjetuar vetëm në vitin ’97, kur u vodh nga piramidat financiare.

Si e komentoni fjalimin e Ramës? Ç’duhet të bëjë një kryeministër pas kësaj ngjarjeje, si e parashikoni të ardhmen e Ramës në qeverisje?
Unë bëj pjesë ndër ata që janë shprehur se kjo klasë politike duhet të ndëshkohet e tëra dhe jo të ketë luksin e rotacionit mes vetit. Megjithatë jam shprehur edhe se nuk është racionale të vësh bast për dështimin e kësaj qeverie dhe të Ramës në krye të saj, pasi ky dështim do të bjerë mbi kurrizin e të gjithëve, prandaj duhet mbështetur çdo gjë që na duket pozitive, në interesin publik.  Jam i vetëdijshëm se tregohem kontradiktor, kur edhe kërkoj të gjej zgjidhjen jashtë kësaj klase politike, duke mos pasur besim tek ajo, edhe mbështets selektivisht ndonjë zgjedhje të Ramës. Por kjo vjen për të vetmen arsye se zgjidhja e parë më duket shumë e vështirë. Ndërkaq, ngjarja e fundit duke përfshirë edhe fjalimin e Ramës, ma ka thelluar edhe më kontradiktën, pasi është sinjal i pastër se ky Kryeministër, që nuk duhet t’ia uronim asesi dështimin, e ka dështimin të shkruar në ballë. Fjalimi i tij ishte ogurzi për mua në këtë drejtim. Nga pikëpamja e gjendjes së tij psikologjike (fatmirësisht jo e pasojave) më kujtoi Hitlerin, që kur po humbte luftën për fajin e tij, mallkoi popullin gjerman që nuk e meritonte një lider si ai. Fjalimi ishte një shoshë me gënjeshtra që kërkonte të mbulonte diellin e së vërtetës që e pa çdo shqiptar: e para, se ajo që ai donte të bënte ishte në dëm të Shqipërisë dhe vetëm në interes të tij e të pushtetit të tij personal e prandaj dhe e kishte mbajtur fshehur – sepse përndryshe do të na e kishte thënë me gaz që ditën e parë, siç na tha, pa u bërë ende kryeministër, se do të shkonte në luftë në Siri – dhe e dyta, se atë e detyroi të sprapset presioni i madh popullor, ku duhen futur edhe njerëzit e tij, dhe jo opozita e mallkuar dhe grupe mediatike që e paskan manipuluar rininë. Shkurt, në vend se të dëgjonim një ndjesë të madhe, madje edhe një dorëheqje, dëgjuam mallkimet  e fyerjet e një njeriu që të kujtonte në disa pasazhe fjalimet e Enver Hoxhës kur fliste për Bashkimin e lavdishëm Sovjetik.  Në një vend normal do të kërkohej menjëherë dorëheqja e Kryeministrit, pasi ai paraqet një rrezik të madh me pushtetin që ka, papërgjegjshmërinë, mungesën e serioziteti ndaj popullit që e ka zgjedhur, mungesën e transparencës, me hiletë dhe mashtrimet që përdor. Nga ana tjetër nuk mund të mos mendosh se çfarë vjen prapa. Sepse Berisha na ka krijuar bindjen se do të kishte bërë të njëjtën gjë sikur të ishte në pushtet. Madje, ndoshta do të gjendeshim edhe më keq, sepse në partinë e tij nuk do të dilnin dot zëra kundër, siç dolën në PS kësaj here.
Personalisht ndjehem shumë i shqetësuar për çfarë na pret, megjithë entuziazmin e kësaj fitoreje që i ka kapur disa. Imagjinoni, Rama hapi një betejë për kontrollin e territorit dhe kundër ndërtimeve pa leje, hapi edhe atë kundër lojërave të fatit, edhe kundër evazionit fiskal – për të cilat e kemi mbështetur. Vetëm njëra nga këto kërkon përqendrim e energji të jashtëzakonshme për t’u realizuar dhe do të mjaftonte për t’i shtuar pikë qeverisë po të realizohej. Dhe befas krijoi një situatë të tillë, që e zhvendosi krejtësisht vëmendjen, duke na humbur besimin në seriozitetin e këtyre betejave. Ky njeri kujton se të qeverisësh do të thotë thjesht të bësh ndonjë gjë spektakolare, që të dalësh në televizion dhe gazeta të huaja dhe të bësh ndonjë fotografi me Obamën dhe jo siç, ka thënë vetë duke vjedhur ndonjë frazë të cilën në fakt nuk e ndjen: të punosh për të kryer me përkushtim, modesti dhe durim detyrat që të ngarkon populli që është në pushtet.
Në këto kushte, kjo protestë, minimalisht duhet të ndikojë në korrigjimin e kësaj klase politike, e me çka kuptoj edhe mundësinë e zgjedhjen së një kryeministri tjetër nga kjo mazhorancë. Vetëm gatishmëria për të protestuar për çdo gjë të mbrapshtë mund të krijojë një shpresë se mund të fillojmë të hapim tunelin ku jemi ngujuar e të dalim në dritë. Përndryshe, do të na zërë brenda. Si mund të vijë kjo? Imagjinoni, pa këtë protestë, helmet do të silleshin dhe imagjinoni pastaj një aksident që do të mbyste me mijëra njerëz. Atëherë do të vinte fundi edhe i kësaj klase politike, edhe i joni. Këtë shikojeni edhe si mundësi reale, që u evitua, por edhe si metaforë të gjendjes në të cilën jemi.

Protesta tek Ambasada amerikane mund të quhet “një ngjarje brenda ngjarjes” për një popull që është konsideruar si më pro-amerikani në botë. Rama i mëshoi shumë detyrimeve të tradhtuara, sipas tij, ndaj Amerikës në fjalimin e tij. A po rritet bashkë me protestën një frymë anti SHBA në Shqipëri dhe në këto rrethana, a mund të konsiderohet e dëmshme?
Dashuria jonë e madhe për Amerikën është një manipulim i trashëguar nga kultura propagandiste e Enver Hoxhës. Ju kujtoj se edhe në dashurinë midis dy njerëzve, ka një fazë që quhet “dashurimi”, ajo e fillimit, kur ndjenja është e fortë, quaje po deshe irracionale, ku tjetrit nuk arrin t’i shohësh edhe defektet, por kjo mbaron shpejt për t’ia lënë vendin kthjellimit, institucionalizimit të raportit, çka nënkupton se ai kthehet në dashuri. Dhe kjo dashuri bazohet mbi njohjen dhe respektin reciprok, mbi kritikat reciproke. Një dashuri e tillë nuk ekziston midis nesh dhe Amerikës sepse, sikurse e thashë, kjo nënkupton respekt të ndërsjelltë dhe barazi. Me fjalën “partneritet” është abuzuar shumë këto ditë duke harruar se partneriteti nënkupton barazi, ndërkohë që vetëm barazi midis SHBA dhe Shqipërisë nuk ka në këtë histori. Veç nëse shohim ëndrrat me sy hapur të kohës së Hoxhës, kur na dukej vetja (në fakt i dukej atij paranojakut) si të barabartë me Kinën. Sikur të bëhej fjalë për një raport të tillë dashurie, edhe sikur ne të donim t’i merrnim helmet e Asadit, amerikanët do të na thoshin: jo, do t’i marrim ne, se jemi një vend shumë herë më i madh, më i pajisur, më i sigurt e më me kompetenca e ekspertizë. Po e citoj edhe një herë deputetin gjerman kur tha se kriteret duhet të ishin ose afërsia – duke përmendur Turqinë dhe Qipron, ose përgjegjësia që kanë shtetet për fabrikimin e këtyre armëve, duke përmendur Gjermaninë, megjithëse ai vetë është gjerman. Ka në botë edhe politikanë të ndershëm, e shihni!
E pra, e vërteta e dashurisë sonë për Amerikën është se ne vuajmë nga komplekse të thella inferioriteti. Kjo vjen ngaqë jemi mbajtur për një kohë të gjatë në stadin e fëmijës që i është imponuar nga prindërit e paaftë, injorantë e impotentë, adhurimi për Dajën, nënshtrimi apo bindja ndaj tij, sepse Daja është i pushtetshëm, na mbron, ka para etj.. Fatkeqësisht mesa duket, edhe me ndihmën e Dajës. Ne kemi nevojë të rritemi e ta shikojmë Amerikën ashtu si edhe gjithë shtetet e tjera: si miq në pozitat e të barabartit në dinjitet. Them në dinjitet, nuk po them në pasuri dhe as në fuqi ekonomike apo ushtarake. Tek e fundit, kjo do të thotë që ne, si individë, të ndjehemi të barabartë në dinjitet me çdo individ amerikan. Pastaj ju kujtoj se Amerika nuk është një gjë e vetme që duhet adhuruar si një e tërë. Amerika ka kontradiksionet e veta brenda saj, ka qëndrime të ndryshme brenda Amerikës edhe për politikat e jashtme amerikane, edhe për çështje si kjo që po diskutojmë. Po ashtu, Amerika ka bërë mjaft punë të mira në botë, por ka bërë edhe gafa të rënda edhe punë të pista – për interesat e amerikanëve, që në mjaft raste kanë rezultuar edhe kundër vetë amerikanëve.  Mjaft t’ju kujtoj mbështetjen e diktaturave në Amerikën Latine, që edhe sot ndikojnë aq shumë për ndjenja antiamerikane atje, apo mbështetjen që i kanë dhënë Bin Ladenit e talebanëve. Apo luftën në Irak, që u mbështet edhe mbi një gënjeshtër të madhe: atë se Sadami kishte armë të shkatërrimit në masë.
Prandaj, në këtë kontekst, mendoj se protesta para ambasadës është një ngjarje krejt normale, madje për t’u parë me gëzim, sepse tregon se shqiptarët po rriten, dhe jo si një shqetësim.  Sot për sot në përqindje popullsie, ka më shumë antiamerikanë – në kuptimin e atyre që janë kundër politikave të qeverive amerikane – në SHBA sesa në Shqipëri. Këtu nuk shtrohet problemi i të qënit “anti”, por i të qënit “për” mbrojtjen me forcë të interesave tona, të dinjitetit, të vizionit që kemi për vendin tonë dhe për botën, tek e fundit. Edhe në të gjithë vendet perëndimore ka një pjesë shumë të madhe, veçanërisht të majtët, që janë kundër politikave amerikane, nganjëherë sipas rastit, nganjëherë edhe vazhdimisht. Dhe kjo është normale në demokraci. Anormale – madje antiamerikane në kuptimin se si e idealizojmë ne Amerikën si vend i demokracisë – është që ambasadori amerikan, që na ka dhënë kaq e kaq leksione për demokracinë në Shqipëri, të marrë vendime në errësirë me Edi Ramën duke shpërfillur institucione e ligje të vendit. Dhe më keq akoma, edhe kur sheh një vullnet masiv të popullit kundër këtij vendimi, të shantazhojë shqiptarët me forcën e shtetit më të fuqishëm në botë.

A shihni ju një shpresë për ndryshim tek forca e protestës, në mos për të diktuar vendime, për të detyruar klasën politike të jetë më e përgjegjshme?  
Idealisht do të thosha se lëvizja Aleanca Kundër Importimit të Plehrave duhet të shndërrohet në lëvizjen “Aleanca kundër plehrave” – duke nënkuptuar me këtë aleancën e shqiptarëve për pastrimin e kësaj kaste politikanësh dhe jo vetëm, që boll dëme i ka bërë këtij vendi. Ju vë në dukje se lëvizje të tilla ka sot edhe në vende me një klasë politike shumë më të suksesshme se e jona, si p.sh në Bullgari, Rumani, por edhe në Itali. Unë shpresoj shumë që rinia veçanërisht të ndërgjegjësohet për këtë dhe të gjejë rrugët e mençura për ta bërë këtë. Por nga ana tjetër, e shoh edhe shumë të vështirë një gjë të tillë, sepse një gjeneratë e re e shëndoshë lind nga suksesi dhe jo nga dështimi i paraardhësve. Të jeni të sigurt se ishte dështimi aq i rëndë dhe total i komunizmit që na ka sjellë këtë Shqipëri kaq të dështuar. Dhe ju kujtoj se ishte një regjim, që erdhi duke u përkeqësuar, jo duke u përmirësuar, si përsa i përket ekonomisë, ashtu edhe moralit të shoqërisë e të njerëzve, derisa i ra tuneli mbi shpinë. Shoh me dëshpërimi se të njëjtën rrugë dështimesh të njëpasnjëshme, kemi marrë me klasën politike që ka njëzet vjet që abuzon, përdhunon e poshtëron shqiptarët. Prandaj e shoh shumë të vështirë kthimin e një lëvizjeje si kjo  e këtyre ditëve në diçka më të strukturuar, që e quajta “Aleanca kundër plehrave”, sepse gjatë këtyre njëzet vjetëve, shqiptarët janë shumë të përçarë, shumë individualistë, pa aftësinë për t’u bërë bashkë për ideale, pa besim tek njëri- tjetri dhe shumë egoizëm dhe një sistem vlerash ku mbizotëron suksesi apo pasurimi i shpejtë, banal, individual dhe jo ai i komunitetit. Në këtë protestë i mblodhi rreziku i madh që ndjenë. Sidoqoftë, një ngjarje si kjo e shoh edhe me shpresë. Sepse ajo ishte si ato tragjeditë greke, ku pesha e gjëmës i trondit thellë njerëzit për të keqen që kanë bërë apo që kanë brenda tyre, duke prodhuar katarsis, duke ndarë të ndreqshmit nga të pandreqshmit Sepse tek e fundit, asnjë nga ne nuk është engjëll. Papa Françesku kur e pyeti një gazetar se cili është Françesku, u përgjigj: “një mëkatar”. Ne të gjithë kemi kohë të pendohemi e të ndryshojmë këtë që i kemi bërë vetes, e që na solli deri në këtë pikë, sa mund të na sillnin helmet në shtëpi.

Një koment të fundit për imazhin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare pas kësaj ngjarjeje….
Unë mendoj se kjo ngjarje, ky refuzim për t’u nënshtruar e për t’u bërë kosh plehrash e ngre imazhin e Shqipërisë në sy të botës. Aq sa do të thosha se një figurë si Rama, i aftë për ta bërë të bardhën të zezë dhe të zezën të bardhë si pa gjë të keq, mund të dalë pas ca kohësh e të mburret për vendimin që mori për ta ruajtur Shqipërinë të pastër. Sepse jam i bindur se do t’i vijnë edhe shumë komplimente. Por nga ana tjetër, kjo ngjarje duhet parë vetëm si fillimi i një lufte për të ndryshuar vërtet Shqipërinë dhe jo imazhin e saj, që shpeshherë është manipulativ e virtual e përmbyset menjëherë. Me këtë dua të them se duhet të ndryshojmë Shqipërinë reale, që vazhdon të vuajë rëndë nga sëmundja që përmenda në krye të intervistës e që është shkaku kryesor që ende pas njëzet vjetësh, nuk kemi pastruar as ato 31 hot-spotet me helme që përmendi Rama, e që vazhdojmë të prodhojmë të tjera.
 

Wednesday, November 13, 2013

Pse kemi frikë se do na e sjellin helmin në shtëpi



 Tashmë kjo ka ndodhur, propozimi është bërë. Ndoshta ndonjë ditë do t’ia marrim vesh edhe emrin propozuesit, sepse ka gjithmonë një njeri të parë të cilit i shkon ndër mend.  Një gjë di të them me siguri: cilido qoftë ai i huaj që ka propozuar sjelljen e armëve kimike siriane në Shqipëri, nuk mund të jetë mik i shqiptarëve. Në rastin më të mirë ai ka bërë thjesht pazaret më me leverdi për vendin e tij dhe karrierën e tij personale. Sidoqoftë, një racizëm ndaj shqiptarëve nuk duhet t’i mungojë, por do të thosha edhe më shumë se kaq. Qoftë amerikan, qoftë rus, qoftë europian, qoftë afrikan, kristian apo mysliman, qoftë agjent i CIA-s apo i KGB-së, ai duhet të jetë shumë i varfër nga ndjenjat humane dhe demokrate. Jo për gjë, por mjafton të kesh parasysh se Shqipëria është një vend i vogël dhe i varfër, me një histori aq të dhimbshme në të kaluarën dhe me politikanë aq mafiozë në të tashmen, saqë një individi me ndjenja humane dhe demokrate do t’i ngjallej ndjenja e ndihmës ndaj popullit të këtij vendi kundër kujtdo që kërkon ta fyejë dhe përdhunojë edhe më. Sepse ky është edhe një akt përdhunimi. Personalisht kështu e përjetoj dhe e shoh jo vetëm unë, por shumica dërrmuese e shqiptarëve. Na kanë gjetur të varfër, na kanë gjetur pa brekë dhe duan edhe të na përdhunojnë. Dhe, ironikisht, duke kërkuar të na mbushin mendjen se kështu mund të fitojmë ndonjë para dhe mund të fitojmë titullin “qytetarë të mirë ndërkombëtarë”.
Dhe meqë ra fjala: kush e ka thënë që Amerika është partneri ynë më i madh strategjik? Me sa di unë, ne kërkojmë të bëhemi shtet pjesëtar në Europën e Bashkuar, dhe jo shtet i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. I ftoj ata që merren me shifra të kontrollojnë se sa para ka dhënë Europa për Shqipërinë dhe sa SHBA-të. Nga sa di unë, Europa ka dhënë e jep shumë më tepër, kurse Amerika shumë më pak. Ne kemi po ashtu vendet fqinje që janë shumë më strategjikë sesa Amerika. E vërteta është se një Amerikë kësisoj, së cilës u dashka t’i themi “po” për gjithçka, na e kanë projektuar politikanët tanë për të na shpëlarë trutë, siç na ka pas projektuar Enver Hoxha dikur BS-në apo Kinën. Në fakt, Amerika ka të mirat dhe të këqijat e saj, ashtu sikurse ka edhe axhendën e saj, në të cilën, ju siguroj unë, Shqipëria zë një vend të papërfillshëm.
Por, tek e fundit, problemi nuk është Amerika dhe as politikanët, apo ambasadorët, apo spiunët amerikanë. Problemin ne e kemi me ata që jo vetëm nuk kanë turp të marrin kësi vendimesh, por që edhe kërkojnë të na mbushin mendjen se kjo punë nuk është përdhunim, por akt i lirë dashurie nga i cili duhet të ndiejmë kënaqësi dhe, madje, të jemi krenarë, sepse po na e fut Amerika.
Pyetja që shtroj unë, megjithatë, është një tjetër. Si ka mundësi që ne kemi frikë se kjo mund të ndodhë, ndonëse, siç duket sheshit kësaj radhe, nuk ka shqiptar normal, përveç një grushti shumë të vogël banditësh anormalë, që ta pranojë një përdhunim të tillë? Kam ndjekur me vëmendje reagimin në shtyp dhe në përgjithësi opinionin publik. Rrallëherë në historinë e këtyre njëzet vjetëve ka ndodhur që të shikosh bashkë, në të njëjtën mendje, tërë ato figura të njohura të jetës sonë publike në përgjithësi si shprehës të opinionit të gjerë publik. Dhe megjithatë, ne kemi frikë se banditët do të na i sjellin plehrat kimike. Atëherë pse e kemi këtë frikë?
Ka dy arsye kryesore, do të thosha unë, që ne kemi frikë.
E para është psikologjike dhe ka të bëjë me përvojën tonë historike. Që njerëz si Sali Berisha, Fatos Nano, Edi Rama, Ilir Meta e të tjerë janë të gatshëm që për pushtet e për para të përdhunojnë e bashkëpunojnë me përdhunues, këtë e dimë prej kohësh. Në fakt, po të qetësohesh pak, do të kuptosh se në histori përdhunimi jemi ndoshta që në krye të herës, kur u formua shteti shqiptar. Prandaj dhe na ka hyrë thellë, deri në palcë, ajo ndjenja e pafuqisë dhe e nënshtrimit ndaj përdhunuesit. Dhe jua them unë se të njëjtën ndjenjë kanë edhe Sali Berisha, Edi Rama, Ilir Meta me shokë. Në këtë histori ka edhe një sadomasokizëm të paparë. Me të njëjtën arrogancë dhe paturpësi me të cilën ata përdhunojnë të vetët që kanë poshtë, me të njëjtën paturpësi dhe vetënënshtrim përdhunohen nga krerët e Amerikës që i kanë sipër. Imagjinoi sikur Edi Rama të dalë e t’u thotë “jo” përdhunuesve që ka sipër, ne do të dalim ta brohorasim si shpëtimtar, ndërkohë që do të duhej t’i kishim kërkuar dorëheqjen vetëm pse na futi në këtë telash, pse ka kaq ditë që s’jep përgjigje e s’bën transparencë duke na rritur mjaft dyshimin se propozuesi mund të jetë edhe ai vetë. Ja, kaq poshtë jemi psikologjikisht për shkak të përdhunimeve të vazhdueshme.
Arsyeja e dytë është politike: ka të bëjë me parimet e demokracisë të tradhtuara këta njëzet vjet. Që një demokraci të funksionojë si demokraci duhet një minimum gjërash. Që të ndalosh një akt të tillë duhet të ketë një opozitë të fortë, për shembull. Ne kemi një opozitë që mezi po flet jo vetëm pse ka të njëjtën mendësi – për pushtetin dhe paranë mund të bëjë gjithçka – por që edhe është e komprometuar thellësisht me akte të tilla të turpshme. Kush ngrihet me avion nga Rinasi dhe hedh vështrimin poshtë, sheh një vend që duket sikur është bombarduar jo me bomba të thjeshta, por me bomba bërthamore. Janë rrethinat e fabrikave të çimentos që ka lejuar Berisha, që pasurojnë një grusht njerëzish dhe që po shkatërrojnë natyrën dhe tërë ekosistemin me një shpejtësi që mund të krahasohet vetëm me shpejtësinë e rritjes së barkut të këtyre të babëziturve. Të bashkohesh sot me këtë opozitë për të protestuar për ndalimin e mbetjeve kimike është sikur të bashkohesh me ata që të kanë përdhunuar deri dje, e për të cilën je i sigurt se sapo të vijnë në pushtet do të të bëjnë të njëjtën gjë. Sepse në këtë rast duhet të kemi parasysh edhe ata që, bashkë me Edi Ramën, ndoshta kanë filluar të bëjnë hesap se si do të vjedhin paratë e demontimit, siç kanë bërë me paratë e rrugëve e të tenderëve të ndryshëm. Por a mund të ketë kredibilitet një opozitë e demontimit të Gërdecit, e fabrikave të çimentove, e koncesioneve skandaloze të hidrocentraleve, e sjelljes së plehrave nga jashtë etj. në këtë luftë, që me shumë gjasa ka në prapavijë të njëjtët biznesmenë që bashkëpunojnë edhe me Ramën? Prandaj dhe duke qenë pa opozitë të vërtetë ne kemi frikë.
Por që të mos kishim frikë të ndalonim këtë akt, do të duhej të kishim pasur edhe një drejtësi të pavarur. Sikur të kishim pasur një drejtësi të pavarur, do të kishim bërë me kohë drejtësi ndaj Sali Berishës, Fatos Nanos, Edi Ramës, Ilir Metës e shumë bashkëpunëtorëve të tyre, dhe jo vetëm këta nuk do të kishin qenë në pushtet, por politikanët që do t’i kishin pasuar nuk do të kishin guxuar as t’u shkonte ndër mend të sillnin armët kimike siriane në Shqipëri. E pra, një drejtësi që të na mbrojë nga banditët ne nuk e kemi, përkundrazi, janë ata që e përdorin drejtësinë kundër nesh, prandaj dhe kemi frikë.
Por që të ndiheshim të fortë ne do të duhet të kishim pasur edhe një opinion të fortë publik me shoqëri civile dhe media të pavarur si zëdhënësin kryesor të saj. Ne as këto nuk i kemi, sepse të dyja bandat kanë punuar për ta ndarë më dysh opinionin publik, shoqërinë civile, mediat me filozofinë enveriste, kush nuk është me mua është me armikun tim, apo me filozofinë e zgjedhjes të së keqes më të vogël. Nuk keni asnjë shpëtim tjetër: o me Saliun, o me Edin. Kështu na thonë. Dhe “Edi është më i mirë se Saliu, se Saliu është malok, kurse Edi është qytetar”. Kështu na thanë ata që mbështetën të keqen më të vogël të radhës që, me këtë akt, do bëhet menjëherë më e madhja. Kanë dalë madje disa teoricienë që na thonë se edhe betonizimin e Tiranës nuk e bëri Edi, por e bënë malokët që zbritën nga veriu. Ja, këtë punë bëjnë mediat tona, intelektualët tanë, që u plaçin sytë më shumë se ç’u kanë plasur! Në vend që të punojnë për të vërtetën që i bashkon të gjithë, punojnë natë e ditë të përçajnë shqiptarët në emër të interesave të dy bandave, njëlloj siç vepronte dikur propaganda enveriste për interesat e një bande të vetme. E ky sistem përçarjeje, që kërcënon edhe me bukën e gojës ata që qëndrojnë jashtë tij, punon në mënyrë perfekte. Madje në harmoni edhe me amerikanët. E ku ta gjejnë amerikanët një vend të tillë të rehatshëm, pa opinion publik. A e patë se ç’ndodhi kur deshën të lançojnë sulmin mbi Siri? Ky i gjati ynë doli menjëherë me gaz në fytyrë të na tregojë se sa krenarë duhet të ndiheshim për sulmin ushtarak që do të bënim bashkë me amerikanët, pa pritur as të shohë se ç’do të bënin britanikët, partnerët superstrategjikë të SHBA-ve, që e votuan kundër. Sepse atje ka opinion publik që të dërrmon, kurse ne jo, jemi të frikësuar, pasi jemi të përçarë nga dy bandat që na kanë në dorë edhe bukën e gojës.
Me dy fjalë, ne kemi frikë se këta mund të na bëjnë të pabërën pasi pushtetin te ne nuk e ka populli, por bandat, të cilave u intereson një operacion i tillë ashtu siç i ka interesuar, për shembull, Kamorras në Itali të varroste mbetjet kimike toksike të Veriut të Italisë në Campagnia.
Megjithatë, thënë të gjitha këto, në këtë rast është me vend ajo thënia: “Çdo e keqe e ka një të mirë”. E mira e kësaj gjëme të mundshme është se ngjarja është kaq e rëndë, saqë edhe pa ndodhur, po e ndihmon opinionin publik të bëjë një hap të madh ndërgjegjësimi mbi atë se kjo klase politike duhet konsideruar si armike në bllok, se duhet krijuar një lëvizje përtej dhe kundër saj, nga i cila të lindë nesër edhe demokracia shqiptare, në kuptimin e vërtetë të fjalës si pushtet i popullit, dhe jo i përdhunuesve të tij. E provon këtë edhe fakti se njerëz të njohur si fanatikë apo partizanë të llogores së maxhorancës janë shprehur kundër apo kanë heshtur. Me këtë rast i ftoj lexuesit e mi, veçanërisht të rinjtë, të firmosin peticionin e Aleancës Kundër Importi të Plehrave https://secure.avaaz.org/ en/petition/ Peticion_ kunder_ pranimit_ te_ armeve_ kimike_ te_ Sirise_ nga_ Shqiperia_ No_to_Assad_Chemical_//////Weapons_in_Albania/?kocEbgb dhe t’i kthehen edhe një herë këngës “Mjaft më me ju”, të lançuar nga një grup të rinjsh në prag të zgjedhjeve, http://www.youtube.com/watch?v=6wIoT10S8Z8. Ka ardhur koha që ata të mendojnë seriozisht se duhet të dalin në skenë, të marrin në dorë të ardhmen e tokës së tyre, që, siç thotë kënga, “s’mban dot më”, në mënyrë që nesër të gjithë të kemi më pak frikë se banditët mund të na sjellin helmin në shtëpi.
(Panorama, 13 nëntor 2013)

Sunday, November 10, 2013

Kadeli dhe kastraveci



Para disa ditësh, në gazetën “Mapo” lexova një shkrim të gazetarit Arben Vata, me titull “Kadeli dhe kastraveci… si ushqim për mediat”. Shkrimi fillonte me pohimin: “Sigurisht që nuk ka asnjë analogji që i bën bashkë deputetin socialist Gjovalin Kadeli, që (siç tha ai), për hir të interesave të elektoratit, brenda 6 muajsh iku nga PS, u bashkua me PD dhe së fundi kaloi te LSI, dhe perimes me emrin intrigues ‘kastravec’”. E kishte fjalën për kastravecin shqiptar, që së fundi nuk do të lejohet të tregtohet në Malin e Zi, sepse autoritetet atje e kanë gjetur me përqindje të lartë pesticidesh, që e bën të rrezikshëm për shëndetin e qytetarëve.
Vata ngrinte me shqetësim pyetjen se si ka mundësi që mediat i dhanë kaq shumë rëndësi një “loje deputetësh” dhe aq pak kastravecëve me pesticide, që, kësisoj, do të vazhdojnë të helmojnë fëmijët tanë?
Shqetësim i ligjshëm, por unë, megjithatë, mbeta i zhgënjyer nga pohimi i tij që e ndante Kadelin nga kastraveci duke mos gjetur asgjë të përbashkët midis tyre. Jo, i dashur Arben, unë nuk mendoj se Kadeli dhe kastraveci nuk kanë lidhje me njëri-tjetrin. Dhe mos të të shkojë ndër mend se dua ta shaj Kadelin “kastravec” në kuptimin që e përdorim ne këtë fjalë. Jo, jo, nuk është kaq banale lidhja që shoh midis tyre, edhe pse pohimi se paska ndërruar tri parti për hir të interesave të elektoratit, lë gojëhapur edhe më kastravecin e shqiptarëve. Jo, për mua Kadeli dhe kastraveci i helmuar kanë një lidhje qenësore, të thellë, strukturore quaje po deshe, që i bën të pandashëm nga njëri-tjetri, do të thosha dy anë të së njëjtës medalje, që, nga një këndvështrim i caktuar, më bën t’i shoh edhe të lidhur si trupin me shpirtin. Lidhja që shoh unë qëndron në faktin se kastraveci i refuzuar në Malin e Zi është produkt material i mendjes dhe shpirtit të njeriut të ri shqiptar të kapitalizmit, i të cilit Kadeli është shprehje elokuente, por sigurisht jo i vetmi, përkundrazi, një nga përfaqësuesit e panumërt të tij. Si nuk paska lidhje, i dashur Arben, midis një njeriu që, për të fituar sa më shumë para, i dynd kastravecët me pesticide, pa llogaritur mashtrimin dhe dëmin që u bën të tjerëve dhe një njeriu që dynd elektoratin e majtë e të djathtë me mashtrime po për të fituar sa më shumë para? Të gjithë ne e dimë se Kadeli nuk ka shkuar për interesat e elektoratit te PD-ja dhe nuk është kthyer te LSI-ja për këto interesa, por për të mbrojtur interesat e tij private: kështjellën e Lezhës që ka marrë me koncesion, antenat që ka instaluar atje lart, e më the, e të thashë. Të gjitha këto janë: të mira të të gjithëve që Kadeli i përdor si i do qejfi, duke dëmtuar edhe peizazhin, edhe interesin publik. Pra, i dashur Arben, nga ky këndvështrim, kastravec i helmuar nuk është vetëm perimja me emrin intrigues kastravec, por edhe çdo produkt joperimor i shpirtit të këtij njeriu të ri që kemi krijuar këta njëzet vjet. Pra, edhe ajo kështjella e Lezhës e Kadelit e kthyer në restorant, edhe ato antenat që janë vendosur aty (pyet po deshe edhe Artan Lamen e maxhorancës për këtë), edhe plazhet e mbushura me pallate e vila, edhe ai pallati në Vlorë, edhe gratacielat që po ngrihen në Tiranë, edhe fabrikat e çimentos e hidrocentralet që po mbijnë gjithandej, edhe nafta bruto që na shitet si naftë e rafinuar, edhe universitetet tona private, edhe, edhe, edhe mediat që nuk e bëjnë lidhjen midis kastravecit dhe Kadelit. Kastravec i helmuar janë edhe partitë tona, edhe Parlamenti ynë, edhe politika jonë. Madje partitë tona e kanë në programin e tyre politik helmimin e kastravecit për të fituar sa më shumë para, që do të thotë më shumë vota, që do të thotë më shumë para, që do të thotë më shumë vota. A nuk i katërfishoi votat nga viti 2009 në vitin 2013 LSI-ja? A e sheh i dashur se me çfarë shpejtësie po klonohet njeriu i ri që i mbush kastravecët me pesticide? A e pe se si bleu vota edhe nga PS-ja tani? Më shpejt, më shumë, më larg, më lart pesticide, shkatërrime, mashtrime, poshtërsi, hile, intrigë për të fituar sa më shumë para në kurriz të të tjerëve, që të fitojmë sa më shumë vota, që të fitojmë sa më shumë para, që të fitojmë sa më shumë vota. Që të mos e bëj listën të gjatë pa fund, do të thosha se kastravec i helmuar, i dashur Arben, është edhe vetë Shqipëria jonë. A e dëgjove lajmin se Shqipëria po pret me gëzim armët kimike siriane që të shkatërrohen këtu te ne? Na duhen para, i dashur, e kupton apo jo, që të blejmë vota, që të fitojmë para, që të blejmë vota, që të fitojmë para. Po na duhet edhe mbështetja politike e partnerit strategjik amerikan që të mbyllin sytë për pesticidet e tjera. Dhe s’kanë ç’thonë shqiptarët kur e duan amerikanët, se për ta ne jo kimikate që mund të hamë, por edhe dreqin e mallkuar.
Teksa shkruaj këto rradhë më bëhet sikur i lexoj ata kritikët e mi që më ulërijnë: Sa negativ ky Lubonja, na helmon shtypin me këto artikujt e tij pesimistë dhe antishqiptarë! Si guxon e quan krejt Shqipërinë kastravec të helmuar? E ka nga burgu, nga jeta e ndyrë që ka bërë atje plot me poshtërime. Nuk po na lë as të gëzojmë maxhorancën e re që ka krijuar një klimë optimizmi e shprese në të gjithë vendin; ky njeri që na hiqet si ekspert për gjithçka, tani na doli edhe ekspert i kastravecit. Le që nuk na jep dot një zgjidhje.
Po detyra ime e parë është të gjej lidhjet, jo zgjidhjet, mor mik. Ja, unë kësaj here gjeta lidhjen midis kastravecit dhe Kadelit. Zgjidhjen le ta gjejë Edi Rama, që të na ngjallë edhe shpresë. Mirëpo ai më duket se e ka gjetur zgjidhjen në ngritjen e normës së lejuar të pesticideve. Sa më shumë pesticide që të ngordhim Berishën – a nuk e kishin kështu parullën. Ja Berishën e ngordhën; shqiptarët ua lejuan madje për këtë edhe ngritjen e normës së pesticideve, por prapë duan ta ngrenë edhe më. Sepse maxhorancat, më fal, kastravecët, rriten më të shëndosha, më të fuqishme me pesticide. Ja, nga 84 deputetë u bënë 85 tani. E dëgjove Ramën se si tha kur e akuzuan (të vetët) se ai po voton për kryetar të Kushtetuese një që ka marrë para korrupsioni? “Nuk kemi ç’bëjmë”. Edhe gjykatat me pesticide janë të mbushura, si kastravecët. Dhe, tek e fundit, janë kastravecët që mund të na thonë – në fakt po na e thonë përditë – po s’deshët të na hani, ngordhni. “O mangi questa minestra, o salti dalla finestra”. Tani bile s’ke nevojë të hidhesh nga penxherja, si në kohën e diktaturës. Tani këta të lënë të dalësh jashtë shtetit shqiptar, atje ku pesticidet janë brenda normës, madje në disa vende duan t’i ndalojnë fare se po ngordhin bletët, dhe zhdukja e bletës, siç ka thënë Ajnshtajni, është shenjë e zhdukjes së jetës mbi tokë. Po kështu do të shtohen pesticidet te ne – do të thuash ti. Punë e madhe. A e pe atë qytetin kinez disa milionësh që ishte mbyllur për shkak të ndotjes sepse ishte bërë i pabanueshëm? Ne mund të bëhemi edhe vendi i parë në botë që mbyllet i tëri, pasi jemi me nivel pesticidesh shumë herë më të lartë se norma. Po ç’rëndësi ka? Deri atëherë këta do të kenë shitur aq shumë kastravecë me pesticide, sa do ta kenë siguruar jetën e tyre dhe të nip e stërnipërve. Kush po pyet për të tjerët. (Panorama 6 nentor 2013)

Friday, November 8, 2013

Punës njeriun apo njeriut punën



Shkarkimi i Denion Meidanit nga puna si shef i Antikontrabandës në Drejtorinë e Doganave, që së fundi mori edhe një dimension ndërkombëtar  me ndërhyrjen e Doris Pack, është një rast për të gjykuar e reflektuar në përgjithësi mbi shkarkim/emërimet e reja që kanë hapur jo pak diskutime në publik.
Le të shpreh në fillim një mendim të përgjithshëm se si e shoh çështjen e shkarkim/emërimeve.
Së pari duhet thënë se, pa dyshim, administrata ka qenë tejet klienteliste, e mbushur me militantë, servilë e të korruptuar, dhe kjo është një ndër arsyet pse ka dështuar në punën e saj në shumë sektorë. Dihet se klientelizmi, militantizmi, tarafllëku, korrupsioni, servilizmi janë armiq të meritokracisë. Prandaj nuk ka pikë dyshimi se duhen bërë zëvendësime njerëzish që puna të ndryshojë. Pra çështja nëse përgjegjës për të keqen është sistemi apo njerëzit dhe se kush duhet ndryshuar që të eliminohet e keqja, meriton përgjigjen se duhet ndryshuar sistemi, por se ky nuk mund të ndryshohet dot veçse nga njerëzit dhe prandaj duhen njerëz të rinj e të mirë. Gjykoj se këtë vlerësim duhet ta bëjë edhe opozita me një ndjenjë vetëkritike ndaj mënyrës se si ka vepruar me emërimet kur ishte në pushtet, dhe jo thjesht e vetëm të hidhet në luftë për të mbrojtur njerëzit e vet.
Së dyti, mendoj se zëvendësimet duhet të respektojnë disa kritere. Kryesori, sipas meje, duhet të jetë ai se ndryshimet duhet të synojnë ndërtimin e një administrate efikase dhe të qëndrueshme bazuar mbi meritokracinë, pra me njerëz që duhet të vazhdojnë të qëndrojnë në administratë edhe kur të humbasë pushtetin kjo maxhorancë. Një kriter tjetër duhet të jetë ai se, duke u bazuar tek ideja se është kryesisht sistemi ai që i shtyn njerëzit në të keqe, duhet synuar emërimi i atyre njerëzve që kanë për detyrë të gjejnë formulat për të ndryshuar sistemin, dhe jo formulat për shkarkimin në masë të njerëzve. Kjo nënkupton se drejtuesit e rinj politikë duhet të bëjnë kujdes, mes të tjerash, që të ndajnë të aftët nga të paaftët, që janë vënë në një punë thjesht e vetëm si militantë. Sidokudo, edhe në administratën e Berishës duhet të ketë njerëz që janë specializuar gjatë këtyre viteve apo që kanë zënë një vend në sajë të aftësive, dhe jo në sajë të klientelizmit dhe militantizmit partiak.
Një kriter tjetër duhet të jetë respekti ndaj aspektit njerëzor dhe social të këtyre zëvendësimeve. Kam parasysh se humbja e punës për një njeri është një traumë në aspektin psikologjik, e lidhur edhe me problemet ekonomike e familjare që ajo hap. Kjo nënkupton edhe një ndjeshmëri njerëzore për ata që marrin përgjegjësinë e shkarkimeve të njerëzve nga puna. Ata duhet të kenë parasysh edhe faktin që ne jemi një vend i vogël, ku e njohim të gjithë njëri-tjetrin dhe që kemi nevojë urgjente të zbusim armiqësimin që ekziston midis palëve, çka ka gjeneruar një klimë politike të pajetueshme. E kam fjalën për atë se nëse një drejtues i një institucioni shkarkon për shembull një drejtor apo një tjetër sepse ai nuk përputhet me vizionin që ai ka, apo qoftë edhe pse mendon se është i paaftë apo militant, gjithsesi është e udhës ta bëjë këtë në mënyrë sa më njerëzore, domethënë duke e thirrur, duke e falënderuar për punën që ka bërë deri më atëherë, apo edhe duke i vënë në dukje qartazi pakënaqësitë apo parealizimet, madje edhe abuzimet, por gjithsesi, duke folur me njeriun që ka përballë, dhe jo të veprojë si ata pilotët që hedhin bomba nga qielli pa parë se ç’ndodh poshtë.
Nisur nga këto kritere, që i formulova shkurt, do të thosha se i riu Meidani duhet të bënte pjesë në kategorinë e atyre që nuk do të duhej të shkarkoheshin, aq më pak menjëherë, ashtu siç ndodhi: sepse as mund të akuzohet për militant të thekur, as për korrupsion, përderisa sapo ka hyrë në atë punë dhe fare mirë mund të mendohej si një ndër ata që, me një ndryshim të sistemit dhe të frymës së punës në dogana, do të punonte edhe më i motivuar nga çka mund të ketë punuar. Nuk pretendoj se jam në brendësi të rastit dhe as se e njoh mirë punën dhe profesionalizmin e Meidanit, por po gjykoj thjesht nga perceptimi i pozicionit të tij. Dhe problemi është se rasti i shkarkimit të këtij njeriu, që perceptohet kësisoj, nuk u bë i qartë për publikun, duke na ngritur shumë dyshime për shkarkim/emërimet. Drejtoresha që e shkarkoi tha se ka shkelur etikën, por nuk u mor vesh se për çfarë etike bëhej fjalë, sepse në letrën e bërë publike prej saj nuk se kishte ndonjë informacion bindës dhe as ndonjë etikë profesionale. Ndërkaq, Ben Blushi, për t’iu përgjigjur Doris Pack-ut, u shpreh se ishte një shkarkim që kishte të bënte me mungesën e profesionalizmit të Meidanit, pra jo me etikën dhe as me përkatësinë partiake, pasi i ati ka qenë eksponent i PS-së deri edhe President i zgjedhur prej saj. Edi Rama dha variantin (me Doris Pack) se ky i ka dhënë shtypit lajmin e gjobitjes së “Kurum”-it – çka nuk duket një argument bindës për të pushuar një njeri nga puna fët e fët, aq më tepër po të kesh parasysh se është ky që i ka vënë gjobën “Kurum”-it. E përsëris, nuk dua ta ngushtoj këtë shkrim me një rast të veçantë, por nisur nga ky rast e duke e ballafaquar edhe me raste të tjera, dua të reflektoj për shkarkim/emërimet në përgjithësi. E pra, mendja më çon te dyshimi se shkarkimi i Meidanit nuk është bërë për asnjë nga arsyet e përmendura më sipër, por thjesht sepse vendi i punës së tij ishte një post i lakmueshëm që i duhej hapur dikujt tjetër. Nga sa lexojmë e dëgjojmë, ka shumë shkarkime apo zëvendësime që bëhen me këtë filozofi, që çon pastaj edhe te mungesa e ballafaqimit njerëzor për të cilin fola më lart, nganjëherë edhe tek urdhrat për shkarkime masive, siç ishte rasti i shkarkimeve në Polici. Ka shumë fakte (përveç traditës së mëhershme të kthyer tashmë në rregull) që të bëjnë të mendosh se shkarkim/emërimet u diktohen drejtuesve të institucioneve nga lart sipas pazareve partiake që janë bërë për shpërndarjen e vendeve të punës. Dhe kjo mënyrë të vepruari ka dy probleme përsa i përket efikasitetit të administratës që kërkojmë të ndërtojmë: së pari, ajo s’mund të çojë kurrsesi në krijimin e një ekipi organik dhe të motivuar për të arritur maksimumin e efikasitetit, pasi secili e di se vendin e punës e ka nga “merita” që s’kanë të bëjnë me aftësinë e tij, dhe së dyti, e shkarkon drejtuesin e institucionit, i cili duhet të jetë vetë përgjegjësi edhe për emërimet, edhe për shkarkimet (ashtu sikurse edhe për suksesin apo mossuksesin e institucionit), nga përgjegjësia e dështimit të institucionit.
Shkurt, gjykoj se, me gjithë disa deklarata të mediatizuara të Kryeministrit Rama që i paralajmëron deputetët të mos kërkojnë vende pune për kushërinjtë, ka shumë të dhëna që tregojnë se po veprohet sipas logjikës klientelare, sipas së cilës nuk ka rëndësi t’i gjendet punës njeriu, por t’i gjendet njeriut puna. Rezultatin e dimë se e kemi provuar më parë: reaksion zinxhir shkarkim/emërimesh, që shoqërojnë një proces degradimi të administratës së maxhorancës së radhës, në hullinë e traditës tashmë 20-vjeçare të përdorimit të institucioneve të shtetit për interesa korruptive private. (Panorama, 31 tetor 2013)

Thursday, November 7, 2013

Shpresa dhe dyshime



Të gjithë po ndjekin me vëmendje aksionet e para të qeverisë – edhe mbështetësit e saj, edhe kundërshtarët, edhe dashamirët, edhe skeptikët, edhe të lodhurit, edhe indiferentët. Besoj se vëmendja është e lidhur me atë se, siç thotë një fjalë, shpresa vdes e fundit. Por përpara se të bëj ndonjë koment mbi atë se sa shpresë ngjallin këto aksione, le të vë në dukje diçka që më duket shumë e rëndësishme:
Ka një pjesë që thonë: Lërini të punojnë, duhet të presim nja 100 ditë, apo 300, apo dy vjet që të shohim rezultatin e punës dhe pastaj të flasim. Gjykoj se këta nuk e kanë kuptuar ende, pas njëzet vjetësh, se ç’është demokracia dhe liria. Ashtu siç flasin këta – jo pa kontributin e sjelljeve të politikanëve – do të thotë të vazhdojë mënyra e funksionimit të regjimit autoritar ku vendimet merreshin në kupolë dhe ekzekutimet e tyre i jepeshin popullit si dhuratë nga partia, çka ka vazhduar edhe këta njëzet vjet në të cilët mund të numërohen me gishta rastet kur vërejtjet e opozitës apo të mediave e shoqërisë civile të kenë korrigjuar ndonjë vendimmarrje të maxhorancës dhe të qeverisë së saj. Në demokraci vendimmarrja duhet të jetë gjithnjë nën vëzhgimin e çdo qytetari, qoftë nëpërmjet qëndrimeve të tij individuale, qoftë nëpërmjet opozitës, mediave, shoqërisë civile, sondazheve që matin çdo javë rënien apo ngjitjen e mbështetjes etj. Sepse demokraci dhe liri do të thotë pjesëmarrje. Kush nuk merr pjesë, nuk ka pse ankohet për mungesë demokracie dhe lirie në një vend.
Le të kthehemi tani te vendimmarrjet e fundit. Ato që më kanë tërhequr vëmendjen më shumë janë vendimet e prishjes së ndërtimeve pa leje dhe pastaj të ndalimit të ndërtimeve, si dhe ato kundër qendrave të bixhozit dhe të lojërave të fatit. Duket sheshit se ato synojnë të godasin disa fenomene që i sheh gjithkush se janë gangrenë e shoqërisë me përmasa dramatike. Sipas meje, këto vendime gëzojnë mbështetje të gjerë të opinionit, ashtu sikurse edhe vendimi për ndalimin e importit të plehrave. Ndërkaq, krahas këtyre aksioneve, nuk mund të mos bien në sy edhe zëvendësimet e shumta të njerëzve në Polici e administratë, në sajë edhe të ligjit normativ, edhe ristrukturimeve. Këto zëvendësime janë ndjekur e po ndiqen me mëdyshje e dyshime nga opinioni.
Duke i parë vendimet dhe zëvendësimet, që janë jo pa lidhje me njëri-tjetrin – sepse pikërisht aksioni kundër kazinove dhe lojërave të fatit sikur përligji shkarkimet në Polici – pikëpyetja që ngrihet është: Kemi të bëjmë me një nisje të mbarë, apo kemi të bëjmë me një zëvendësim klientele ku operacioni shërben si fasadë? Për ta mbështetur këtë dyshim po u referohem disa argumenteve. Së pari, një argumenti të Edi Ramës, i cili shpeshherë ka thënë e ripërsëritur se e keqja këtu te ne nuk janë njerëzit, por është sistemi: se kushdo që hyn në këtë sistem është i shtrënguar të punojë sipas ligjeve të tij korruptive. Atëherë, nëse është kështu, përse duhen ndërruar njerëzit në masë? A nuk i duhet mëshuar prioritetit të ndryshimit të sistemit? Dhe në këtë pikë nuk mund të mos ngrihet pyetja: Po cili është sistemi? Personalisht, kur them sistemi nuk kam parasysh emrat e disa strukturave apo institucioneve që po ndërrohen me ca emra të rinj, siç është p.sh. një byro hetimi, që po zëvendëson një strukturë tjetër të Policisë. Kam parasysh tërë atë rrjet lidhjesh klientelare, madje kriminale politikë-biznes-media-krim (të organizuar dhe çorganizuar), si dhe njerëzit që e promovojnë e kontrollojnë atë. Kam parasysh se ky rrjet i bën institucionet e pushteteve të ndara, cilado qoftë mënyra e organizimit të tyre në nënstruktura, që në vend se të punojnë në emër të interesit publik dhe drejtësisë duke kontrolluar njëri-tjetrin, të punojnë së bashku si një metastazë që ha çdo ditë qelizat e shëndosha të shoqërisë. Ose me fjalë të tjera, pa metaforë: sistemi janë “të fortët” e të paprekshmit që qarkullojnë shumicën e parasë publike, të parasë të pastër dhe të pisët në këtë vend nëpërmjet kapjes së shtetit, të tregut, të territorit e të burimeve natyrore të këtij vendi dhe që e kanë kthyer shumicën e shqiptarëve në argatë të tyre. Këtu fus, pa dyshim, edhe të fortët e krimit. Mendoj se ish-opozita, tashmë maxhorancë në pushtet, duhet të jetë më e informuar se unë vetë për “të fortët” e këtij sistemi. Nëse nuk janë të informuar, le të ulen me laps në dorë ekonomistët dhe financierët e Ramës dhe le të kalkulojnë, p.sh. se sa metra katrorë sipërfaqe banimi kanë shqiptarët dhe se sa para janë përdorur për ndërtimin e tyre, të kalkulojnë se sa vila janë ndërtuar dhe se kush i ka ndërtuar apo blerë dhe me se. Jam i sigurt se do të arrijnë në një diferencë të madhe midis parasë së harxhuar për të ndërtuar dhe blerë këto metra katrorë dhe parasë që rezulton e deklaruar si e fituar me djersën e ballit. Po ashtu do të arrijnë në përfundimin se në duart e kujt është pasuria e shqiptarëve, se me çfarë merren këta dhe nëse kanë paguar taksa apo jo.
Edhe kur bëhet fjalë për kazinotë e lojërat e fatit, ka shumë të dhëna që të çojnë tek të fortët dhe  tek ideja se ato jo vetëm gjenerojnë krim, por janë vendstrehime të krimit pasi janë vende riciklimi parash të pista.
Dua të them se ajo që del shumë lehtë në pah është se ekonomia jonë është një ekonomi kriminale në pjesën më të rëndësishme të saj dhe se politika jonë është shprehje e interesave të kësaj ekonomie. Aq sa të luftojë krimin me seriozitet sot për politikën është njëlloj si të presë degët mbi të cilat qëndron; të ndodhet përballë rrezikut se ndërsa ka premtuar 300 000 vende pune të reja, të krijojë edhe më shumë papunësi.
Thënë kjo, pyetja që shtrohet është: A e ka parasysh qeveria këtë realitet dhe a janë në drejtimin  e goditjes së sistemit që ka prodhuar këtë realitet veprimet që po kryhen ajo? Është e vështirë t’i përgjigjesh me një “po” apo “jo” kësaj pyetjeje, sepse tek e fundit këtë do ta provojnë muajt në vazhdim, por siç e thashë, pikëpyetjet dhe dyshimet duhet t’i ngremë. Deri tani ajo që vihet re në këto aksione është se ata kanë të përbashkët ndryshimin në masë të njerëzve, ndryshime në masë në administratë, ndryshime në masë në Polici, ndryshime në masë (që priten) edhe në pushtetin lokal me reformën administrative territoriale. Krahas tyre, ka disa operacione që edhe pse pozitive, nuk janë më shumë sesa sinjale apo shfaqje. Nuk ka dyshim se për ndryshimin duhen njerëz të rinj. Po ashtu nuk ka dyshim se njerëz të rinj do të përpiqen qoftë edhe vetëm në fillim, të bëjnë diçka pozitive. Por pikëpyetja që ngre unë është tjetër: A po preken vërtet të fortët, ata që tërheqin fijet e sistemit në skenë apo prapaskenë dhe strukturat që kanë ngritur ata? Një socialist më tha “po”, kjo do të ndodhë, Kryeministri e ka këtë vullnet. Një tjetër, po socialist, më tha: “70 për qind e këtyre që ti po sheh të bëhen synojnë thjesht zëvendësim klientele, 30 përqindëshi që mbetet është shfaqje mediatike për të maskuar zëvendësimet, plus paaftësi”. Sikurse e thashë në fillim: ne s’kemi pse presim që të shohim se cila do të dalë e vërtetë, por duhet të bëjmë presion që të ndodhë e para. (Panorama, 22 tetor 2013)