Sunday, December 22, 2013

Letër e hapur Prokurorit të Përgjithshëm


 Para disa ditësh ne u bëmë dëshmitarë të një akti veçanërisht të rëndë. E kam fjalën për vënien e tritolit në makinën e prefektit të Vlorës, por edhe për qëndrimet që e pasuan atë.
Sikurse duhet të jeni në dijeni, për këtë akt ne kemi dy versione diametralisht të kundërta. Njëri është versioni i palës së prefektit, që e lidh këtë akt me kërcënim për shkak të detyrës – më konkretisht me shembjen e pallatit në Vlorë.
Në anën tjetër kemi versionin e opozitës, e cila e konsideroi këtë akt si një inskenim nga ana e maxhorancës, për të justifikuar blindimin e pushtetarëve si dhe për të larguar vëmendjen nga problemet e vërteta që ka vendi, siç është edhe debati i fundit lidhur me taksat.
Sikurse besoj, ju e kuptoni qartë që të dyja këto versione kanë përmbajtje të lartë rrezikshmërie, dhe, me sa gjykoj, duhet të jenë objekt i hetimeve dhe i ndjekjeve penale.
Nëse qëndron versioni i parë: domethënë se tritoli është vendosur në makinën e prefektit me qëllime mafioze, ky është një paralajmërim me përmbajtje tejet të rrezikshme për të gjithë shoqërinë. Ai të bën të mendosh se krimi i organizuar guxon të godasë shumë lart dhe të kërcënojë edhe stabilitetin e shtetit nëse preken interesat e tij. Kjo na e bën jetën të pasigurt të gjithëve, sepse jep sinjalin që shteti nuk do të forcohet dot kurrë për të na mbrojtur nga krimi i organizuar.
Në rast se vendosja e tritolit është inskenuar nga pushtetarët, atëherë përsëri jemi përpara një akti me rrezikshmëri të lartë, që na e bën jetën të kërcënuar nga një qeveri dhe maxhorancë që nuk kursyeka as veprime të tilla mafioze për të arritur qëllimet e veta.
Ndërkaq, nëse ky version i dytë është shpifje nga ana e opozitës – e cila, sikurse besoj se jeni në dijeni, nuk hezitoi të flasë edhe për “burime të saj të sigurta” -, atëherë besoj se përsëri kemi të bëjmë me një shpifje me pasoja të rënda për shoqërinë, që, sipas gjykimit tim, nuk mund të kalojë pa ndëshkimin e autorëve të saj.
Besoj se është e qartë, zoti Kryeprokuror, se sa e rëndësishme është detyra juaj ndaj vendit lidhur me hetimin dhe sqarimin deri në fund të kësaj ngjarjeje. Ne nuk mund të vazhdojmë me të vërteta dhe verdikte që jepen nga partitë që akuzojnë njëra-tjetrën dhe që pretendojnë se versionet e tyre janë apo duhet të jenë edhe vendimet e Gjyqësorit, siç ka ndodhur deri më tani, fatkeqësisht.
Ne kemi nevojë të ndiejmë se përtej luftës politike dhe akuzave politike, kur vjen puna për akuza kriminale, kemi besimin se këto do t’i vendosë një Drejtësi që nuk është as në shërbim dhe as e kërcënuar nga këto parti. Ne kemi nevojë të na bashkojë e vërteta e faktit dhe drejtësia edhe kur jemi të ndarë politikisht. Sikurse e dini, deri më sot, për fat të keq, organet e Drejtësisë nuk e kanë kryer këtë funksion. Njerëzit vazhdojnë të mendojnë se drejtësinë kundër atyre që kanë abuzuar me pushtetin do ta bëjnë ata që do të vijnë në pushtet, të cilët, në fakt, deri më sot kanë bërë revanshin e radhës me ndihmën aktive ose pasive të organeve të Drejtësisë. Konflikti maxhorancë-opozitë që provokoi interpretimi i ngjarjes i bën qytetarët e thjeshtë të përjetojnë vazhdimësinë e kësaj përvoje e ta jetojnë drejtësinë në këtë vend si një konflikt mafiozësh që janë mbi drejtësinë dhe ligjin. Pa dyshim se në raste të tilla si ky i fundit, dështimi i kapjes së fajtorëve e ndihmon edhe më shumë këtë përjetim, duke e bërë të paqartë kufirin që ndan drejtësinë, politikën dhe krimin e organizuar. E kjo bën që e ardhmja e shtetit ligjor të duket shumë larg dhe, kuptohet, bashkë me këtë edhe siguria, mirëqenia dhe liria e ne të gjithëve.
Rasti në fjalë, sipas mendimit tim, është një sfidë për ju dhe kolegët tuaj, jo vetëm për të zbuluar kriminelët e vërtetë, por edhe për të ndihmuar në fillimin e një procesi pavarësimi dhe fuqizimi të organeve tona të Drejtësisë.

Me shpresë se ju dhe kolegët tuaj
do të ndani këtë shqetësim.
Fatos Lubonja

(Panorama, 18 dhjetor 2013)

Read More......

Friday, December 13, 2013

Mbi ndërtimin dhe shembjen e pallatit të Vlorës



Çështja e pallatit të ashtu quajtur të Vlorës nuk është bërë më kot temë e ditës. Te ngritja e atij pallati reflektohen thuajse të gjitha problemet që na kanë sjellë në gjendjen kritike ku ndodhemi dhe, njëherësh, te shembja e tij edhe shumë pikëpyetje mbi zgjidhjet e tyre, veçanërisht në këtë kapërcyell pushteti, kur maxhoranca e re ka dalë me sloganin ambicioz “rilindje”. Le të shtjelloj disa nga temat e atij pallati.

Grabitja e publikes

Deti përballë pallatit ka kohë që ulërin për kapjen e shtetit nga “ata” që kontrollojnë njëherësh politikën, ekonominë, mediat, Gjyqësorin – gjithçka në këtë vend e që, duke mos qenë në gjendje të zhvillojnë një ekonomi të shëndoshë, i shfrytëzojnë institucionet e kapura për t’u pasuruar në mënyrën më të shëmtuar: duke grabitur pronën publike. Në këtë rast grabitja ka shkuar deri te grabitja e vetë detit, për t’u përdorur si truall ndërtimi të pallatit. Mjeti më i paturpshëm i grabitjes së publikes është përdorimi i institucioneve të kapura për të hartuar ligje apo për të nxjerrë vendime që kthehen në ligj, për t’i bërë kësisoj pronat e grabitura të paprekshme nesër, gjoja në emër të ligjit.

Bashkëpunimi në grabitje

Po flitet shumë për pallatin si pronë e vjehrrit të Lulzim Bashës dhe po i faturohet ndërtimi i tij pushtetit të kohës së Sali Berishës. Por, një minutë, pallati është ndërtuar në Vlorë që qysh kur s’mbahet mend është bastioni i Partisë Socialiste. Leja e ndërtimit të tij është dhënë nga një bashki socialiste. Jo thjesht kryetari, por edhe një numër njerëzish janë përgjegjës për legjitimimin e një akti të tillë grabitjeje: gjykatësit që kanë njohur prona inekzistente, juristët e Bashkisë që duhet të kontrollonin dokumentet, punonjësit e hipotekave që kanë regjistruar pronat, ndërtuesit që kanë bërë projekte mbi prona publike, noterët që kanë bërë shitjet. Por ka edhe më në këtë aspekt. Me sa jam i informuar, një pjesë nga ata që njihen sot si pronarë të ligjshëm të apartamenteve të atij pallati janë njerëz të pasur të Vlorës, që i kanë marrë apartamentet me klering, pasi kanë marrë pjesë në ndërtimin e tij duke kontribuar me betonin, pllakat, pajisjet sanitare e më the të thashë. Dhe po ta vësh re, si kategori, janë pjesa kryesore e atyre që sot quhen “të pasur” në Shqipëri. Sigurisht që ata nuk janë vetëm demokratët e Vlorës, por ta do mendja, shumica janë bashkëpunëtorë të afërt me Bashkinë e Vlorës dhe kryetarin e saj. Pra pallati, ose më mirë të them ndërtimi i tij, është edhe simbol i faktit se në të vërtetë këta të fortë dhe këta abuzues nuk janë të ndarë në parti politike kur vjen puna për të grabitur pronën publike.

Shembja – fasadë apo fillim i pastrimit

Që të rrimë shtrembër dhe të flasin drejt, ky pallat superskandaloz është sivëlla edhe i shumë e shumë pallateve skandaloze të ndërtuara edhe në Tiranë, edhe në Durrës, edhe gjetkë. Pallate në breg të detit, pallate që rrënuan qendrat historike, pallate në oborre shkollash, pallate mbi fusha sporti, pallate mbi lulishte – me lejet e kryetarëve socialistë të bashkive, demokratë, lsi-stë. Pikëpyetja që ngrihet është: do të vazhdojë e keqja edhe pas shembjes së këtij pallati; a do të vazhdojë i njëjti sistem i grabitjes së publikes, ndoshta në forma të tjera, – dhe sipas meje ka kohë që grabitja e pronës publike nuk është më e përqendruar te industria e ndërtimit – apo vërtet jemi në hedhjen e një hapi pozitiv? Pati edhe një artikull në “Corriere della Sera”, që pasi përshkruante se çfarë ka ndodhur në Shqipëri këta njëzet vjet, fliste për një erë ndryshimi, por edhe ngrinte pikëpyetjen nëse kemi të bëjmë me flakë kashte.
Kritika më serioze që i bëhet shembjes së pallatit, sipas mendimit tim, janë dy. E para, se shembja po bëhet në mënyrë të paligjshme arbitrare, pa përfillur vendime gjykatash, e kjo, nëse në këtë rast mund të duket e drejtë për shumicën e njerëzve, mund t’u hapë nesër rrugë arbitrariteteve të tjera të maxhorancës. Kritika e dytë është se kemi të bëjmë me një aksion thjesht populist, mediatik dhe selektiv: pra Edi Rama me një gur po vret dy zogj. Së pari, kështu ai bën shpaguesin për tërë ata që e identifikojnë këtë pallat me kundërshtarin; së dyti, me këto aksione Rama krijon, si brenda vendit, ashtu edhe jashtë vendit, imazhin se po lufton korrupsionin. E këtu kritika i thërret kujtesës së Ramës kryebashkiak. Faktit se ai bëri disa operacione spektakolare për të fituar kredibilitet dhe imazh mediatik kombëtar dhe ndërkombëtar, por prapa tyre Tirana pësoi masakrën më të madhe urbane, madje duke u bërë shembull edhe për masakrat urbane që pësuam në qytetet e tjera – pa harruar asnjëherë se kjo është bërë me sistemin e grabitjes që përmenda në fillim.
Në këtë pikë të ngjarjes, sipas meje, shtrohen disa hipoteza që kërkojnë përgjigje. E para: a kemi të bëjmë përsëri me të njëjtën lojë shkatërrimesh për imazh të maxhorancës së radhës? (Le të kujtojmë se para tetë vjetësh edhe maxhoranca e Berishës bëri nja dy-tri shembje spektakolare: të mbikalimit te Zogu i Zi, i cili ligjërisht dukej i pashembshëm, por që ishte një gjë skandaloze që shumica e quajti të drejtë, një ndërtesë te Rruga e Elbasanit, si dhe vënien e dhëmbëve të buldozerit në një pallat në qendër të Tiranës të ndërtuar mbi rrugë.) Pra, a kemi të bëjmë në këtë rast me një projekt fasadë të Ramës që shëtitoren e Vlorës ta paraqesë si kartëvizitën e tij të suksesit, ashtu si bëri me Lanën dhe pastrimin e parkut “Rinia” e ndërkohë të tijtë do të vazhdojnë të grabisin ku të mundin, siç bënë asokohe me hapësirat publike të Tiranës? E dyta: mos vallë edhe sikur Kryeministri të ketë vullnet serioz ai nuk mund ta kryejë dot operacionin e pastrimit të Shqipërisë kështu siç është katandisur vendi, prandaj duke e ditur edhe këtë, ai bën këtë aksion imazhi? E treta: mos vallë Kryeministri do ta pësojë edhe vetë nga sistemi për të cilin fola më sipër po vazhdoi me këtë formë duke krijuar bindjen se e ka seriozisht?
Sipas meje, duke pasur parasysh se Edi Rama mbështetet mbi përvojën e tij me Tiranën – që e ka quajtur gjithmonë “histori suksesi” – më e besueshme është hipoteza e parë: fasada që tenton të “ngopë” psikologjikisht mbështetësit e të krijojë imazh pozitiv, veçanërisht te të huajt, për të legjitimuar pushtetin. Gjithsesi, unë mendoj se fasada ka rëndësinë e vet, se ajo vendos disa limite që nuk duhen kaluar më. E keqja është se duke fshehur problematikën e vërtetë strukturore të së keqes, ajo e lë atë të përparojë.

Opozita dhe konflikti permanent

Ky pallat do të duhej të shërbente si një moment reflektimi ndryshimi përgjegjshmërie ndaj publikut dhe interesit publik, por duket se kjo nuk po ndodh. Opozita po i bën një luftë shkatërrimit të pallatit, ku gati-gati ka humbur vija ndarëse midis interesit privat të kryetarit të saj dhe interesit publik që duhet të përfaqësojë një parti. Ajo po i mëshon vetëm paligjshmërisë së aksionit kundër pallatit, por në diskursin e saj nuk ka asnjë refleksion mbi vetë fenomenin që përfaqëson dukshëm ky pallat, që duhet të dënohet e korrigjohet. Nga ana tjetër, mënyra se si po e  interpreton Edi Rama: si një aksion të maxhorancës që përfaqëson të mirën kundër së keqes, pa thënë asnjë gjysmë fjale për faktin se një pallat i tillë është ndërtuar në një bastion socialist, për faktin se pallate të tilla janë ndërtuar edhe në Durrës, edhe në Tiranën e tij sipas sistemit të grabitjes që përmenda më sipër, tregon se me shumë gjasa po vazhdon i njëjti teatër: ai i konfliktit permanent të dy llogoreve, i gjysmë të vërtetave, i delegjitimimit reciprok të palëve, që ka si anë tjetër të medaljes legjitimimin reciprok. (Panorama, 11 dhjetor 2013)

Read More......

Wednesday, December 4, 2013

Zemërimi i njerëzve dhe mjeshtrit e statukuosë



Tema e protestave kundër armëve kimike vazhdon të ketë një farë jehone, por duket sheshit se ajo po zbehet shpejt, veçanërisht në mediat televizive dhe shtypin e shkruar të vendit tonë dhe, ç’është më e keqja, duke u keqinterpretuar edhe kur rimerret. Protestuesit kanë heshtur tashmë. Shumica e tyre janë strukur në shtëpi apo në foletë e blogjeve të internetit, kurse organizatorët ambientalistë apo ata të AKIPI-t nuk dihet se me çfarë merren tani në zyrat e tyre të vogla. Si rëndom, skenën e opinionit publik, veçanërisht atë mediatike, e zaptuan përsëri manipuluesit e përhershëm të statukuosë: ata që natë e ditë, ditë e natë merren vetëm me akuza të ndërsjella për të na provuar se kush është më i keq Berisha apo Rama, Rama apo Berisha apo Ilir Meta.
Kur bie fjala për protestën, bie në sy se mjeshtrat e maxhorancës nuk kanë shumë qejf ta përmendin atë. Por, kur shtrëngohen, përdorin shpesh shprehjen “menaxhim i keq” që solli “panik”. Pra, me demek, të kapur në befasi nga armiqtë e popullit, që ishin “ekspertët e rrugës”, njerëzit i kapi paniku. Disa të tjerë, po nga kjo llogore, vënë në dukje faktin se sa e qetë, paqësore, ishte protesta – në sajë të ekipit të ri që na ka ardhur në pushtet. Andej nga llogorja tjetër, ndërkaq, askush nuk guxon të merret me faktin se Berishën dhe Bashën protestuesit i përzunë. Madje, disa syresh, të sigurt se s’ka asgjë tjetër përveç tyre në horizont, kanë filluar të fërkojnë duart e të thonë se edhe pak e, me këtë kryeministër që bën gafa kësisoj, atyre do t’u duhet t’u kthehen shpejt karrigeve që s’u ka dalë akoma era e korrupsionit të tyre.
Ndërkaq, janë duke u shuar edhe debatet pa fund midis tri kategorish proamerikanësh, që mbushën mediat ditët e para pas protestave: proamerikanët e maxhorancës që na thanë se ky refuzim i gabuar na prishi shumë punë dhe ishte diçka e pafalshme për ata që e nxitën, proamerikanët e opozitës që na thanë se amerikanët nuk kishin faj në këtë punë, se fajin e kishte Edi Rama që iu ofrua atyre me vullnetin e tij për të marrë ndonjë çmim apo ftesë në Shtëpinë e Bardhë, si dhe proamerikanët që na thanë se ky refuzim nuk na prishi punë me amerikanët. Me mesazhin e John Kerrit për 28 Nëntorin, duket se u ftillua edhe kjo punë. Çdo gjë do të shkojë si më parë, për bukuri, ashtu siç kërkojnë edhe mjeshtrat e statukuosë. Amerikanët shohin te klasa jonë politike, si në maxhorancë edhe në opozitë, partnerë luajalë, ashtu sikurse ne shohim te SHBA mikun e madh. “Rroftë udhëheqja jonë e lavdishme!” “Rroftë miqësia shqiptaro – amerikane!” “Miqësia – garancia!” “Rrofshin festat e 28-29 Nëntorit!”.
Në këtë atmosferë festive, deputetët e të gjitha palëve aprovuan me unanimitet rezolutën e paraqitur nga llogorja djathtas, që kërkon dhënien e statusit të vendit kandidat për Bashkimin Europian.  E meritojmë, posi nuk e meritojmë, me këta burra fantastikë që kemi në krye të vendit. U harrua edhe shumëkatëshja që na ka vjedhur deri edhe detin për të cilën akuzojnë njëri-tjetrin.
Ndërkaq, duket sikur askush nuk do t’i përmendë e analizojë fishkëllimat dhe dëbimin e Berishës, Bashës e Ilir Metës nga protestuesit dhe as zemërimin e tyre të pafund ndaj Ramës. Mjeshtrat e statukuosë na thonë: tani që ju doli paniku, kthehuni e rrini para televizioneve tona e ndiqni komedinë e trushpëlarjes që ju bëjmë ditë për ditë, duke ju treguar se kë duhet të votoni në zgjedhjet e ardhshme – koalicionin PS-LSI apo atë PD-LSI – sipas radhës gjithmonë, me rotacion, sepse jemi një vend demokratik si gjithë të tjerët. Si intermexo mund të ndiqni ndonjë takim të udhëheqësit të lavdishëm të maxhorancës me shkrimtarët dhe artistët, – kujdes, jo në Lidhjen e Shkrimtarëve as në Galerinë e Arteve, por në Kryeministri, – apo ndonjë refleksion në facebook të udhëheqësit historik të opozitës që tallet me piktorin e dështuar. Dhe për çdo rast ekstrem, si ai i armëve kimike, mos harroni se kemi Ilir Metën që i qetëson gjakrat duke u kujtuar ekstremistëve të të dy anëve të mos shkojnë shumë larg se po iu hapën petët lakrorit, s’ka qen që ta hajë më atë.
Mirëpo mua më duket se këtij lakrori i janë zbuluar petët keqas tashmë. Dhe protesta e provoi këtë. Flaka e saj hodhi një dritë, që ndriçoi disa të vërteta, që s’mund t’i fshehin dot dritat e ekraneve dhe faqet e gazetave të llogoreve. Ajo tregoi zemërimin dhe mllefin e madh që ekziston ndaj kësaj kaste në pushtet. Ata që flasin për panik, duan të gënjejnë veten. Ajo që ndodhi nuk ishte panik, sepse paniku nënkupton një situatë ku njerëzit ikin me vrap për t’i shpëtuar një rreziku. Kurse njerëzit u mblodhën, sepse ndjenë sigurisht një frikë, por edhe sepse ndjenë një  zemërim të madh. E vërteta është se ne u ndjemë të poshtëruar pa limit; dy herë të poshtëruar, shumë herë të poshtëruar – prandaj dhe të zemëruar. Në thelb, zemërimi u ngjall pasi donim të ndiheshin të barabartë në dinjitet me të gjitha shtetet e këtij rruzulli dhe me të gjithë individët e tij. Donim të ndiheshin të barabartë me norvegjezët, me turqit e të tjerë, qeveritë e të cilëve i thanë “jo” me shumë lehtësi asaj aventure, pa i shtrënguar qytetarët e tyre të dalin në protesta. Ne u ndjemë të poshtëruar, prandaj dhe të zemëruar, pse u paraqitëm, si gjithmonë, të gatshëm për t’u kthyer në kosh plehrash; por edhe pse dëgjonim të na thuhej, nga të ashtuquajturit miq apo partnerë: ju mund të keni goxha përfitime nga kjo punë, duke nënkuptuar atë që s’na e thoshin drejtpërdrejt: pse tregoheni edhe dhi e zgjebosur, edhe bishtin përpjetë; përderisa nuk jeni në gjendje të punoni e të ndërtoni një ekonomi të shëndoshë me bujqësi e turizëm dhe agroturizëm, të jetoni thjesht dhe me nder në një vend të pastër, pse nuk e pranoni këtë ofertë që mund t’ju ndihmojë të pastroni edhe haletë tuaja që nuk jeni në gjendje t’i pastroni vetë? Shikoni si jeni katandisur dhe ulni kokën, merrini ato para dhe filloni punoni; më mirë kjo punë e ndershme me maskat e gazit në fytyrë, sesa me maska grabitësish, hajdutësh e trafikantësh – siç e keni mbushur vendin. Tek e fundit, edhe po vdiqët ca vite më parë nga kanceri apo nga ndonjë shpërthim aksidental, nuk u bë kiameti. Pse ç’e dini veten, mos pandehni se jeta juaj dhe e fëmijëve tuaj vlen sa ajo e qytetarëve dhe fëmijëve amerikanë? Harruat se si jeni mbytur me gra e me fëmijë në ujërat e Adriatikut e Jonit për të shkuar të punoni si shërbëtorë. A nuk e shihni se po vriteni përditë rrugëve, ngaqë as dini t’i ndërtoni, as dini t’i ngisni makinat si njerëz normalë? A nuk e shihni se thithni në qytetet tuaja një ajër, që është njëqind herë më keq se helmet e Asadit?
Njerëzit u zemëruan pra, edhe sepse ndienin një të vërtetë në këto “argumente”, por edhe sepse jo çdokush pranon ta identifikojë veten me llumin e këtij vendi dhe, mbi të gjitha, sepse këtë racizëm e poshtërim e ndiejnë se u vjen nga kasta në pushtet, mjeshtrat e statukuosë, që prej kohësh e kanë ndarë këtë shoqëri në capak, ata, që, me demek, do të hyjnë në histori e do të pasurohen për shtatë breza dhe në shumicën idiote dhe injorante që thjesht duhet të shërbejë si masë skllevërish, që duhet të punojë për pasurimin e tyre e për të ngritur piramidën e varrit të tyre.
 E pra, problemi është se zemërimi i protestave të nëntorit duhej të mbahej gjallë për t’i kërkuar llogari kësaj kaste, që na ka sjellë në këtë gjendje ku thuajse përditë ndodhin skandale për të cilat njerëzit thonë: kjo vetëm në Shqipëri mund të ndodhë. Sepse ndërkaq nuk vonuan poshtërimet e radhës, nga ato që ndodhin vetëm në Shqipëri. Paçka se jo aq të rënda sa sjellja e armëve kimike, ato janë të tilla që duhet t’i mbajnë njerëzit në rrugë. Ja shikoni kronikën e vetëm dhjetë ditëve të fundit: në burgjet tona të sigurisë së lartë të burgosurit mbajtkan brenda deri edhe kallashnikovë! Ndërkaq mjeshtrat  e statukuosë grinden se policët e kujt i kanë futur: ata të këtyre apo të atyre? Prokurorët e gjykatësit rrjepin njerëzit me shifra marramendëse të hollash për t’u dhënë fajësi apo pafajësi – aq sa sot thuhet se të vetmit milionerë të vërtetë, nga ata që kanë para dhe jo borxhe në Shqipëri, janë prokurorët e gjykatësit – dhe njerëzit janë të detyruar të dëgjojnë mjeshtrat e statukuosë se kush i ka emëruar, këta apo ata. Dhe ja një skandal mbi skandalet: jemi i vetmi vend në botë, ku edhe kompanitë ajrore bien me rënien e qeverisë. “Belle air” grabit pasagjerët (janë afro 54 000 thotë media) në mënyrën më të paturpshme duke shitur bileta edhe disa orë përpara shpalljes së falimentimit dhe njerëzit nuk dinë se çfarë të bëjnë: janë grabitur, janë poshtëruar dhe s’kanë ku kërkojnë të drejtën e tyre. As emrin nuk ia dinë pronarit apo pronarëve, sepse nuk dihet se kush politikan fshihet prapa, por edhe sepse, me shumë gjasa, kanë korruptuar tërë gazetarët me fluturime gratis, siç thuhet se kanë bërë edhe për të sjellë votuesit e atyre që qenë deri dje në pushtet. Askush nuk arrestohet si përgjegjës për këtë megavjedhje. Dëgjojmë vetëm grindjen midis mjeshtërve të statukuosë: këta që na thonë se kjo ishte kompani e atyre dhe ata që na thonë se e falimentuan këta për të ngritur kompaninë e tyre.
Nesër prisni skandalin tjetër poshtërues dhe spektaklin tjetër  me akuza midis këtyre dhe atyre.
E pra, kush ishte në protestë dhe ka mësuar ndonjë gjë prej saj – e, sipas meje, mësimi kryesor i saj ishte ai se i duhet dhënë fund nënshtrimit ndaj të keqes me shprehjen: këtë/këta meritojmë ne – duhet të nxitojë të mbledhë thëngjijtë e zemërimit që kanë mbetur ndezur të saj për t’i dhënë nismën një lëvizjeje që duhet të synojë t’i japë fund këtij poshtërimi tonë të përditshëm. (Panorama, 2 dhjetor 2013)

Read More......