Sunday, June 29, 2014

Drita dhe hijet e aksionit në Lazarat


Përshtypja dominuese mbi aksionin e policisë në Lazarat është se edhe vetë opozita, që tradicionalisht në Shqipëri mohon çdo gjë të kundërshtarit, duhet të pranojë se ai ishte një aksion i suksesshëm.
E para, ishte i suksesshëm pasi goditi ekonominë e drogës, duke dhënë idenë se shqiptarët duhet të mendojnë urgjentisht për një ekonomi tjetërsoj. Në këtë kontekst mund të hyjë edhe debati, tashmë i hapur, se në çfarë ekonomie të shëndoshë duhet të punësohen ata që kanë humbur punën në Lazarat.
E dyta, operacioni dha idenë se shteti mund të funksionojë, po të dojë, për luftën kundër krimit dhe për çlirimin e territorit të zaptuar nga abuzuesit me pronën publike.
Ishte i suksesshëm gjithashtu pasi operacioni u krye pa shkaktuar të vdekur.
Këtyre u shtohet edhe përmirësimi apo ndryshimi i imazhit të Shqipërisë. E në këtë aspekt duhet thënë se operacioni kishte suksesin e tij më të madh. Qeveria e Edi Ramës i tregoi botës se, ndryshe nga ajo paraardhësja, është e vendosur ta luftojë krimin e organizuar duke fituar goxha pikë në raport me ish maxhorancën e Sali Berishës. E, në këtë aspekt, nëse politikën do ta reduktojmë thjesht në luftën për pushtet, mund të themi se ky aksion i shtoi shumë pikë maxhorancës në raport me kundërshtarin e saj.

Por, a duhet të na bëjë ky aksion entuziastë aq sa të fillojmë të shpresojmë se gjërat po marrin, më në fund, për mirë në këtë vendin tonë?
Nëse do ta shohim politikën si shërbim ndaj interesit publik, dhe jo si luftë për pushtet, sipas meje, pikërisht tek imazhi, që është pika më e fortë e këtij aksioni, qëndron edhe një nga pikat më të dobëta të tij.
Ndërkohë që ndërkombëtarët ky aksion i bind ndoshta më shumë se çdo aksion që është kryer ndonjëherë nga qeveritë shqiptare kundër krimit të organizuar shqiptarët mbeten - dhe duhet të mbeten - skeptikë pasi e njohin tashmë goxha mirë dyfytyrësinë dhe kamaleontizmin e politikës shqiptare.
Problemi kryesor që mbetet është pikërisht një pohim që bëri Edi Rama mu në ditën që filloi aksioni. Ai tha  se Lazarati i vërtetë është sistemi i drejtësisë në Shqipëri. Ky pohim është i rëndësishëm jo thjesht pse ve gishtin mbi drejtësinë, çka është vërtet problem i madh, por edhe pasi shtron pyetjen se cili është Lazarati i vërtetë. Sepse, po të pyesësh gjyqtarët ata, të prekur, të thonë se Lazarati i vërtetë është pikërisht politika dhe politikanët që kemi në Parlament me në krye Edi Ramën dhe Berishën. Kurse ka politikanë të prekur që me plot gojën të thonë se Lazarati i vërtetë janë mediet shqiptare… e kështu me radhë përgjithësisht përgjigjet të adresojnë tek tjetri në një rreth vicioz nga i cili nuk dimë se si të dalim.
Përpara ndërhyrjes në Lazarat kam bërë një shkrim me titull: "Lazarati - tumori malinj dhe metastazat" ku ndërhyrjen e parashikueshme në Lazarat  e krahasoja me operacionin ndaj një tumori malinj duke apeluar për identifikimin e virusit shkaktar të tumorit, pasi, përndryshe, pas aparencës së imazhit, që mund të krijojë ky operacion, metastazat e krimit të organizuar mund të fillojnë e të zhvillohen edhe më me virulencë tjetërkund.
Ky është problemi që mbetet edhe pas këtij operacioni imazhi. Po përpiqem ta ilustroj këtë pikërisht me një operacion të ngjashëm që ka bërë Edi Rama kur ka qenë kryetar bashkie.
Sikur të pyesësh sot se cila ka qenë vepra më e rëndësishme e Ramës në Bashkinë e Tiranës besoj se të gjithë do të thonë pastrimi i Lanës. Edhe vetë Rama këtë ka paraqitur si kartolinën e punës së tij në Bashki - sëbashku me ngjyrat e pallateve që ka qenë një operacion imazhi par exellence për nga vetë natyra e vet. Edhe sot e kësaj dite gazetarët e huaj që shkruajnë për të tregojnë se si ai pastroi 500 e kusur godina dhe e gjelbëroi atë zonë - duke e ekzagjeruar sigurisht se ato nuk ishin pallate, por kryesisht baraka.
Çfarë ishte në thelb uzurpimi i Lanës dhe pastaj pastrimi i tij? Uzurpimi ishte një veprimtari që u krye shkallë shkallë nga privatë të paskrupullt ndaj tjetrit dhe ligjit, që duke bashkëpunuar me politikën zaptuan hapësira publike për tu pasuruar vetë në kurriz të shqiptarëve më të mirë e më të ndershëm. Nëse shtrojmë pyetjen se cili është Lazarati i vërtetë, e keqja, tumori tek e fundit, nuk mund të mos arrijmë në përfundimin se ai e ka rrënjën tek ky lloj shqiptari që pastaj mund të bëhet profesionalisht gjyqtar, politikan, gazetar, tregtar, ndërtues apo edhe trafikant droge. Dhe e vërteta është se, ky lloj shqiptari me kohën, në vend se të pakësohet është shtuar dhe fuqizuar gjithnjë e më shumë derisa ka pushtuar edhe trurin dhe organet vitale të shoqërisë.
Tani pyetja është: po pastrimi i Lanës që ishte një operacion goxha i suksesshëm (që të kujton edhe hedhjen në erë të Pallatit në Vlorë për të ndërtuar shëtitoren edhe Lazaratin), pse nuk kontribuoi sadopak për ta ulur këtë të keqe, por madje e thelloi. Çfarë ishte ai?
Për t'i dhënë përgjigje kësaj le të kujtojmë, për ata që e kanë harruar, se si dhe pse u krye pastrimi i Lanës. Puna është se ashtu sikurse edhe pastrimi i kioskave në Parkun Rinia, ai nuk u krye nga shteti kundër njerëzve që kishin uzurpuar pronën publike për interesin e tyre, por në bashkëpunim me ta, si operacion imazhi. Kush e ka ndjekur, si unë, me kujdes atë operacion e di se shteti, dmth. Bashkia kryesisht, por edhe qeveria qendrore e asaj kohe, për të kryer këtë operacion, hyri në marrëveshje me shumicën e "të fortëve" që kishin zaptuar ato prona publike duke u dhënë privilegje të majme tjetërkund. Po ashtu, për të realizuar materialisht këtë operacion, nuk u përdorën paratë e taksave që kishin paguar qytetarët, pasi ato nuk mjaftonin, por u përdorën "gratis" ruspat dhe punëtorët e po kësaj kategorie njerëzish - miq të kryetarit të Bashkisë apo Kryeministrit, të cilëve iu dhanë, si shkëmbim, leje ndërtimi për të ngritur pallate atje ku pallate s'do të duhej të ishin ngritur kurrsesi. Me një fjalë dua të them se tumori i Lanës nuk u luftua realisht dhe sinqerisht. Ai u përdor si operacion imazhi  dhe, ndërkaq, lëshoi metastazat e veta shumë herë më të pariparueshme sesa barakat e Lanës, dhe njëherësh forcoi njeriun e ri të kapitalizmit tumoral shqiptar: që shkatërron interesin publik për interesin privat.
Imazhi pra shërbeu për të mundësuar dhe mbuluar përparimin e sistemit tumoral.
Ja pse, duke pasur parasysh edhe përvojën, gjithë duke e mbështetur aksionin e policisë në Lazarat, duhet ta ndjekim hap pas hapi me vigjilencë veprimtarinë e kësaj maxhorance përsa i përket luftës kundër krimit të organizuar. Sepse ajo thënia e vjetër se e mira nuk matet me aktin e kryer, (që mund të duket i mirë), por me qëllimin e tij (që mund të jetë i mbrapshtë), mbetet në fuqi edhe në këtë rast, aq më tepër kur e dimë se kemi të bëjmë me të njëjtin artist të imazhit.(Panorama, 24 qershor 2014)

Read More......

Friday, June 20, 2014

E frikshme!


PD-j ka kohë që po del thuajse përditë për të denoncuar faktin se në administratën e socialistëve janë vendosur mafiozë. Aq e zakonshme po bëhet kjo saqë duket se po humbet efektin goditës që ajo synon.  Kundërargumenti që dëgjon rëndom nga njerëzit është: po pse ata të PD-së nuk e mbushën me kriminelë. Ndonjëri ndërhyn, në mbrojtje të Berishës, duke thënë se ai, të paktën, i mbante në rresht të dytë nuk i nxirrte, si Rama, në rresht të parë. Mirëpo pastaj të tjerë kujtojnë emra që Berisha i ka në Parlament. Dhe duket sikur njerëzit më shumë  fillon i preokupon rezultati i ndeshjes së mërzitshme PD - PS, mbi atë se kush ka më shumë kriminelë, sesa përmbajtja e frikshme e këtyre lajmeve që dëgjojmë.
Nuk mund ta mohoj se edhe vetë ndjej këtë apati dhe lodhje për të reaguar ndaj këtyre lajmeve. As të shkruash nuk të vjen më se të duket sikur po përsërit të njëjtat gjëra. Punë qelbësirash të vjen të thuash e ta mbyllësh. Por të them të drejtën mu prish gjaku keq kur dëgjova denoncimin që u shoqërua edhe me botimin nga “Corriere della Sera” dhe “La Repubblica” mbi Kryetarit e sapozgjedhur nga PS të Këshillit të Qarkut Vlorë, Sadrit Danaj. U vura t’i lexoj me kujdes lajmet e dy të përditshmeve më serioze italiane dhe sikur u zgjova nga një ëndërr e frikshme. Midis të tjerash thashë me vete; si ka mundësi që këto lajme u anashkaluan në një mënyrë aq të turpshme nga mediet tona, nga gazetarët dhe analistët tanë, nga shoqëria jonë civile, madje edhe nga ndërkombëtarët që, medemek, po na thonë se kemi bërë hapa para drejt Evropës.
Shikoni se çfarë shkruan “Corriere della Sera” në lajmin me titull: “Sicilia, shqiptarë prapa një tentative për rrëmbim. Alarm i Tinebra (prokurorit): janë aleatë të Cosa Nostra-s"
Në lajm thuhet se dy italianë dhe dy shqiptarë Gëzim Jacaj dhe Sadrit Danaj, nga Vlora po projektonin rrëmbimin dhe ndoshta vrasjen e të bijës së një sipërmarrësi toskan, por janë arrestuar nga karabinierët para se ta realizonin planin e tyre. Prokurori italian i Caltanissetës, ku janë arrestuar këta të katërt, është shprehur: “jemi shumë të shqetësuar sepse kjo lidhje midis të skeduarve të Cosa Nostras dhe kriminalitetit shqiptar shton frikën e një rritjeje të krimit.”
“La Repubblica” jep një njoftim edhe më të hollësishëm e më dramatik. Ajo e fillon lajmin e saj (po të 23 marsit 2000) me këto fjalë: “Rrëmbimi më i mirë është ai kur e vret menjëherë pengun. Kështu trupi nuk gjindet dhe ti nuk rrezikon asgjë.” Janë fjalë që i atribuohen heroit tonë shqiptar, Sadrit Danajt, të nxjerra nga përgjimet e karabinierisë italiane.
Sipas lajmit që vazhdon pas këtij citimi dy sipërmarrësit italianë, Graziano Ambrogetti dhe Dante Cavasini, që ishin në vështirësi ekonomike, e kishin përgatitur me kujdes planin nëpërmjet të cilit synonin të zgjidhnin problemin e tyre. Duhet të ishte një rrëmbim që të zgjaste pak ditë. Për të realizuar këtë ishin lidhur me një grup kriminal shqiptar. Por … lexoni me vëmendje të dashur lexues…. Ambrogetti dhe Cavasini hezitojnë ta realizojnë planin pasi janë të shqetësuar për fatin e pengut dmth. të asaj vajzës që donin të rrëmbenin. Sepse, sipas Ambrogettit, shqiptarët që kanë zgjedhur për të kryer operacionin “Janë defiçentë, njerëz pa mend në kokë, të uritur për para aq sa nuk dinë se deri ku t’i zgjasin duart.” Kështu i thotë ky Cavasinit, i cili, i terrorizuar, i përgjigjet: “Ata mund ta vrasin. Nuk e kuptojnë se janë në Itali ku ne na duhet të kalojmë në teh të briskut. Na duhet dikush që t’i kontrollojë.”
Pra, për fat të vajzës toskane, këto hezitime kanë bërë që rrëmbimi të shtyhet. Megjithatë, gjithë sipas “La Repubblica”-s, Ambrogetti, Cavasini dhe Sadrit Danaj vazhdojnë të mbajnë lidhjet. Në një përgjim të mëvonshëm nga karabinierët, duke komentur një rrëmbim tjetër, të kryer nga të tjerë,  që ka përfunduar me lirimin e pengut dhe kapjen e banditëve, Kryetari i sotëm i Këshillit të Qarkut të Vlorës, u thotë italianëve për pengun që është çliruar nga policia: “Duhet ta kishin varë. Vetëm kështu do të kishin shpëtuar. Sepse trupi nuk do të ishte gjetur dhe s’do të kishin rrezikuar asgjë.”
Kjo është pika kulminante e rrëfimit.
Pastaj “La Repubblica” jep edhe disa hollësi të tjera, jo pa rëndësi për shqiptarët: Graziano Ambrogetti, 42 vjeç, i kishte transferaur prej vitesh bizneset e tij në Shqipëri, në Vlorë. Dante Cavasini, 51 vjeç, pas disa përvojave biznesi të pasukseshme kishte qenë një vit më parë në Shqipëri për të përfunduar disa afera në fushën e ndërtimit.
E pra si u trajtua kjo histori në shtypin shqiptar. E turpshme! Gazetarët tanë u mjaftuan të japin deklaratat e PD-së dhe kundërpërgjigjet e PS-së, pa bërë asnjë koment apo analizë. Në fillim dhanë denoncimin e PD-së, që, duke qenë se nuk e ka seriozisht këtë punë, por i duhet thjesht për të manipuluar publikun, dha një version më shumë çorientues. Doli Ristani dhe  tha se Sadrit Danaj ishte arrestuar e dënuar sepse kishte kryer rrëmbim e më pas kishte thënë: “''Vajza duhej vrarë, vetëm kështu do t’ia kishim hedhur. Trupi nuk do të gjendej kurrë dhe ne nuk do të kishim rrezikuar asgjë.” Mirëpo, sikur ata ta kishin kryer rrëmbimin zorr se Danaj do të ishte sot jashtë. Rrëmbimi s’kishte ndodhur për arsyet që shpjegova më sipër dhe sepse më pas ata u arrestuan si masë parandaluese nga karabinieria.  Se çfarë ka ndodhur më vonë, nga viti 2000 e këtej me Danajn, ne, që s’jemi vlonjatë, dhe as njerëz të policisë, apo drejtësisë, dhe as të PD-së që ka qenë në pushtet,  nuk kemi asnjë informacion përveç faktit se Danaj na doli Kryetar i Këshillit të Qarkut.
Po PS-ja ç’bëri? Si përgjigje të parë u tha se PD-ja gënjente pasi Danaj e kishte të bardhë çertifikatën e dënimit të lëshuar nga Ministria e Drejtësi Italiane. Pastaj na thanë se këta të PD-së janë të pabesueshëm pasi Danajn e kanë votuar të dy palët si Kryetar. Ama asnjë përgënjeshtrim i asaj që shkruajnë gazetat italiane.
Pastaj doli Berisha në Parlament dhe tha se Danajn e ka vënë aty Kokëdhima pasi ky i ka dhënë 100 000 euro. Po kush e vërteton këtë? Aq më tepër kur e thotë Berisha që veç të tjerash nuk tha një fjalë për të tijtë që e votuan Danajn në Vlorë.
Më në fund vulën ia vuri deputeti socialist i Vlorës, miku i Kryeministrit, Koço Kokëdhima, njeriu që të vetmin mëkat që i njeh Kryeministrit Rama dhe Kryetarit të Parlamentit Meta është se kanë vonuar bashkimin e të majtës. Ai e cilësoi “të vonuar”, ashtu si dhe bashkimin e të majtës, zgjedhjen e Sadrit Danajt, pasi kishin vërtetuar se qe njeri i pastër dhe zgjedhja e tij ishte mirëpritur nga të gjitha forumet e koalicionit.
Çfarë mrekullie! Në fakt edhe zgjedhja e Kokëdhimës deputet ka qenë shumë shumë e vonuar.
Me kaq historia u mbyll. Më falni, harrova: del nganjëherë zëdhënësja e PD-së, Laura Vorpsi, dhe i thotë Kryeministrit të japë përgjigje pse ka vënë kriminelë në punët e rëndësishme të shtetit, por ky nuk ia ka ngenë të përgjigjet pasi po del nëpër botë për të promovuar, medemek, dhënien “e vonuar” Shqipërisë të statusit të vendit kandidat për Evropë duke thënë se qeveria “ka bërë gjithshka që duhej bërë për këtë”. Sigurisht, siç thotë kryeministri, kjo nuk do të thotë se ne do të bëhemi anëtarë nesër. Anëtarësinë do ta fitojmë pas dhjetë vjetësh, ndoshta kur të jetë bërë Danaj Kryetar Parlamenti.
Tani, të dashur lexues,  desha t’ju drejtohem ju me një pyetje: Nëse ju keni informacion se në pallatin tuaj keni një komshi për të cilin dy gazetat më prestigjizoe Italiane kanë shkruar ato që citova unë më sipër dmth se, sipas karabinierisë dhe prokurorisë italiane ka qenë pjesë e kriminalitetit shqiptar në Itali lidhur me Cosa Nostrën, njeri i gatshëm jo vetëm të kryejë rrëmbime për para, por edhe të vrasë pengjet, pasi sipas disa kriminelëve më të butë  është “defiçent, njeri pa mend në kokë, i uritur për para sa nuk di se sa duhen zgjatur duart” a do të ndiheshit të qetë vetëm se ai ju tregon një çertifikatë që tregon se nuk është i dënuar? Dhe, nëse do të bëhej ndonjë zgjedhje në lagje apo në pallat, a do t’ia jepnit atij çelsat e zyrës së lagjes apo të shtëpisë? Personalisht unë do të kujtohesha se edhe Al Capone, që kishte vrarë dynjanë, nuk u dënua për asnjë vrasje, por vetëm për evazion fiskal, pas shumë e shumë vitesh. Po ashtu, personalisht, do të uroja që gjatë këtyre 14 vjetëve që kanë kaluar që nga ngjarja në fjalë, Danaj të ketë arritur nivelin e koshiencës së dy kolegëve të tij mafjozë italianë, të ketë mësuar pra, të paktën, se duart nuk duhen zgjatur deri në vrasje, por dyshimet do t’i ruaja dhe çelsat e shtëpisë nuk do t’ia jepja kurrsesi.
Tani imagjinoni, këtij i kanë dhënë çelsat e Këshillit të Qarkut të Vlorës! Dhe të gjithë, si ata të PS-së dhe ata të PD-së. Altro che Cosa Nostra – do të thonin italianët.
Të dashur lexues kjo është sa e pabesueshme aq edhe e frikshme.
Të dashur gazetarë, kjo është sa e pabesueshme aq edhe e frikshme!
Të dashur prokurorë, kjo është sa e pabesueshme aq edhe e frikshme!
I dashur ambasador Ganiani, i Italisë që ka dhënë 15 milion euro për riabilitimin e Portit të Vlorës, kjo është sa e pabesueshme aq edhe e frikshme!
Zot, na ruaj! 
(Panorama,13 qershor 2014)

Read More......

Wednesday, June 4, 2014

Drafti për arsimin e lartë: në shërbim të sistemit oligarko - mafjoz

Po sjell në debatin mbi reformën në arsimin e lartë një fragment nga fjala e Piero Calamandreit në Kongresin e Shoqatës për Mbrojtjen e Shkollës Nacionale, mbajtur në Romë në vitin 1950, që më duket profetike kur ke parasysh gjendjen e arsimit në Shqipërinë e vitit 2014. Piero Calamandrei është intelektual i shquar italian, antifashist, jurist, profesor universiteti i cili, kur iu kërkua të nënshkruante një  tekst nënshtrimi ndaj Musolinit, preferoi të jepte dorëheqjen nga universiteti - “akt ky vetmitar zhdenjimi- sipas Norberto Bobbios–që na bën të mendojmë se është e vështirë të dallosh se kush është më i urryer, padroni apo shërbyesi i tij.”
Thotë Calamndrei në fjalën e tij:
“Le të bëjmë një hipotezë, thjesht duke abstraguar, se kemi në pushtet një parti autoritare, por që, formalisht,nuk do që ta shkelë kushtetutën, as të bëjë ndonjë marrshim mbi Romën, as t’i shndërrojë klasat e shkollave në vende manipulimi, por të vendosë, ashtu si pa u ndjere, një diktaturë të maskuar.
Çfarë do të bëjë ajo për të kapur shkollat? Ajo ka vënë re se ato kanë një defekt: janë të paanshme. Ka një lloj rezistence në ato shkolla që ka ekzistuar, madje,deri edhe në kohën e fashizmit. Atëherë partia fillon e ndjek një rrugë tjetër (është hipotezë kjo, të kuptohemi). Ajo fillon t’i lerë pas dore shkollat publike, t’i delegjitimojë, t’i varfërojë, t’i bëjë anemike dhe fillon të favorizojë gjithnjë e më shumë shkollat private. Sigurisht, jo të gjitha, ato të vetat, shkollat e lidhura me partinë. Ajo drejton tek ato tërë përkujdesjet në të holla dhe privilegje. Fëmijët këshillohen të shkojnë në ato shkolla sepse, u thuhet,janë më të mira se ato të shtetit. Madje mund t’u jepen edhe stimuj prindërve që t’i dërgojnë fëmijët në ato shkolla private ku provimet janë më të lehta, studiohet më pak dhe u krijohen më shumë mundësira në jetë…” […]
“Duhet të ruhemi shumë nga kuzhinierët e kësaj kuzhinë të keqe – paralajmëron Calamandrei – ata synojnë ta arrijnë qëllimin e tyre në tre faza: e para, duke lenë të rrënohen shkollat e shtetit, duke pakësuar financimet dhe injoruar kërkesat e tyre; pastaj,duke pakësuar kontrollin mbi shkollat private dhe seriozitetin e tyre, duke lejuar që atje të japin mësim edhe mësues të pakualifikuar si duhet; dhe, më në fund, duke u dhënë shkollave private para publike.”
Besoj se çdo shqiptari që ka ndjekur se çfarë ka ndodhur në Shqipëri me shkollën gjatë këtyre njëzet vjetëve do t’i kujtojë diçka kjo hipotezë e Calamandrei.

***
Për draftin e reformës së pritshme në arsimin e lartë në Shqipëri janë  bërë debate të shumta pro dhe kundër. Duke iu referuar fjalës së Calamandreit unë po rreshtohem në mbrojtje të shkollës publike duke vënë në dukje vetëm një problem(ndër të shumtit që ajo paraqet)se favorizimi që ai parashikon për shkollat private është në shërbim të sistemit oligarko - mafioz, antidemokratik, që kemi ngritur.
Në fjalën e tij Calamandrei thotë diçka që tërheq vëmendjen veçanërisht. Shkollat publike - thotë ai -  paraqesin një farë rezistence ndaj pushtetit që e kanë treguar, madje,deri edhe në kohën e fashizmit. Le të qëndrojmë për një çast tek ky moment. Çdo të thotë kjo dhe pse ndodh kjo? Sipas meje kjo rezistencë ndodh, deri edhe në regjimet autoritare, sepse shkollat publike janë një investim i tërë shoqërisë për t’i dhënë garanci fëmijëve dhe të rinjve që, në moshën e rritjes, formimit, edukimit, në kohën e ëndrrave dhe të krijimit të personalitetit, të mos kenë mbi shpinë barra të tjera të rënda, siç është barra ekonomike. Lidhur ngushtë me këtë investim është edhe trajtimi i mësuesve të cilët, edhe ata, për të kryer sa më mirë këtë mision, duhet të jenë të çliruar nga presionet e mbijetesës ekonomike për veten dhe familjen e tyre. Në fashizëm dhe komunizëm ky mësim gratis ka pasur koston që klasat e atyre shkollave ktheheshin në vende “vende manipulimi”. E megjithatë, sikurse ve në dukje Calamandrei, edhe ashtu, ato kishin një lloj mundësie rezistence që vjen pikërisht nga garancia se shkolla është një detyrim për shtetin. Ndërkaq, në vendet demokratike, mundësia e shkollës publike për të gjithë, është konsideruar si një nga arritjet më të rëndësishme përsa i përket rritjes së lirisë dhe demokracisë së shoqërisë. Pikërisht kjo garanci, e konsideruar nga shteti si detyrë, e lidhur sigurisht ngushtë me dashurinë për të rinjtë, ka bërë që universitetet të jenë vendi më i lirë i krijimtarisë, i kritikës dhe kontestimit të pushteti ashtu sikurse edhe i gjenerimit të ideve për ndryshimin e shoqërisë. Jo rastësisht revolucioni më i madh dhe më i rëndësishëm paqësor i kryer në vendet demokratike, ai i viteve 60, që ishte pikërisht kundër autoritarizmit në emër të lirisë më të madhe është kryer nga rinia universitare. Jo rastësisht shohim se në botë janë të rinjtë universitarë ata që ngrihen në protesta. Edhe në shoqërinë tonë të ndrydhur mund të kujtojmë lëvizjet studentore dhe grevat e studentëve të vitit 1990 apo vitit 1997 të lindur pikërisht në universitetet publike.
***
Ndërkaq, kushdo që ka lexuar draftin e reformës në arsimin e lartë nuk mund të mos arrijë në konkluzionin se ajo shkon në drejtim të kundërt me krijimin e kësaj garancie lirie për të rinjtë. Dhe e bën këtë nëpërmjet dy rrugësh. E para është rritja e papërballueshme për shumicën e studentëve të kostos së shkollimit që do t’i vërë studentët dhe familjet e tyre nën presione të mëdha ekonomike.  E dyta, nëpërmjet plotësimit të fazës së tretë të reformës që imagjinon Calamandrei: dhënies universiteteve private para publike. Sikurse e thashë ajo e Calamandrei është vetëm një hipotezë, që nuk ka marrë parasysh faktin se shpesh ndodh që realiteti ia kalon edhe fantazisë. Ai nuk ka imagjinuar rolin aktiv që luajnë për këtë nënshtrim të shkollës ndaj pushtetit pronarët dhe grupet e interesit rreth shkollave private. Sado  larg që e ka shtyrë imagjinatën Calamandrei nuk besoj se do t’i kishte shkuar mendja se në vitin 2014 do të kishte shtete evropiane ku universitetet private do të kishin edhe televizione edhe gazeta të përditshme edhe shtëpi botuese në shërbim të partive dominante në pushtet dhe udhëheqësve të tyre. Calamandreit, që dha dorëheqjen nga universiteti në një regjim diktatorial, nuk do t’i kishte shkuar as nëpër mendje se profesorë universitetesh, intelektualë, shkrimtarë, gazetarë, politikanë, nga shërbëtorë të publikut në vendin “par exellence” të lirisë, krijimtarisë dhe mendimit kritik do të ktheheshin në shërbëtorë të një sistemi abuzues oligarko - mafioz në të cilin universitetet private, ku ata japin mësim dhe njëherësh shkruajnë nëpër gazetat e tyre, flasin nëpër televizionet e tyre dhe botojnë në shtëpitë e tyre botuese, luajnë prej kohësh rol protagonisti. Dhe është e qartë se, duke pasur parasysh lidhjet e pronarëve apo të universiteteve në fjalë me pushtetin dhe pushtetarët, reforma, ashtu siç parashikohet në draftin që është hedhur në treg, do të thellojë kontrollin e sistemit që përfaqësojnë partitë në pushtet mbi studentët dhe elitën mësimdhënëse. Dikush mund të më bëjë vërejtjen se deri dje këtë universitete private ishin në shërbim të partisë që ishte në pushtet. Por sipas meje midis këtyre dy partive nuk ka ndonjë ndryshim përsa i përket sistemit oligarkik - mafioz që sundon vendin, e që ato e përfaqësojnë dhe mbrojnë. Partia demokratike kreu dy fazat e hipotezës së Calamandreit; rrënimin e shkollës publike dhe favorizimin e shkollave private. Partia që e ka zëvendësuar në krye të sistemit po kryen fazën e tretë. Shembulli më elokuent i kësaj që thashë më lart është UET që ka qenë universiteti më i lidhur me partinë që ishte në pushtet, që sot është bërë bashkëpunëtori më i zjarrtë i bashkëpunimit me partinë e re për të përfunduar këtë fazë të tretë.
Dikush do të bëjë vërejtjen se edhe universiteti shtetëror është kontrolluar, tradicionalisht, nga partia në pushtet dhe se, përkundrazi, privatja të krijon garanci lirie më të madhe. Sipas meje edhe kur pushteti nuk është autoritar dhe garanton lirinë e tregut, vetë fakti që të rinjve dhe familjeve të tyre u hiqet garancia për të cilën fola më lart dhe lihen në mëshirën e luftës për mbijetesë ekonomike përbën kërcënim serioz për lirinë dhe krijimtarinë e tyre – fenomen ky i theksuar fort, si problem, edhe në vendet me demokraci të konsoliduar si SHBA apo Britania e Madhe që gjithnjë e më shumë akuzohen për rritje të oligarkisë në dëm të demokracisë. Kurse në një vend ku në vend se për tregun e lirë shteti punon “për” dhe “me” grupime oligark - mafioze që synojnë ta përdorin atë për përfitimet e tyre, siç është ky i yni, tu japësh këtyre grupimeve edhe mundësi fitimi dhe abuzimi me shkollën do të thotë ta vesh rininë edhe më shumë nën thundrën e këtij sistemi të cilin ajo duhet ta kontestojë.

Nuk dua të them me këtë që shkolla publike e, në rastin në fjalë, universiteti ynë publik nuk ka probleme si përsa i përket lirisë së studentëve ashtu edhe rritjes së cilësisë. Arsimi ynë i lartë ka nevojë, pa dyshim, për reformë. I gjithë arsimi. Por, sipas meje, kjo reformë duhet të kryhet në drejtimin e kundërt nga ai që kërkon ta bëjë  Edi Rama dhe partia e tij në pushtet. Reforma duhet të synojë në shtimin e garancive për të cilat fola në lart, pra që t’u sigurojnë të rinjve sa më shumë barazi të mundësive, sa më shumë liri, sa më shumë krijimtari, sa më shumë cilësi dhe kohë studimi. Kjo arrihet nëpërmjet investimit të tërë shoqërisë për këtë nëpërmjet rritjes së cilësisë së mësimdhënies e të ambienteve shkollore, nëpërmjet autonomisë së universiteteve publike, nëpërmjet rritjes së rrogave të pedagogëve dhe luftës kundër korrupsionit në arsimin publik e të tjera reforma në këtë drejtim dhe jo duke e lënë rininë në duar aventurierësh privatë që këta njëzet vjet kanë treguar se vetëm për të mirën publike dhe të ardhmen e shoqërisë nuk kanë menduar as edhe një sekondë të jetës së tyre. Këto reforma duhet të parashikojnë edhe diferenca dhe diferencime në bursa, në të drejta studimi, në degë studimi, por këto nuk duhet të bazohen mbi atë se kush ka më shumë dhe kush më pak, ose aspak, para për të paguar shkollimin, por, në emër të stimulimit të meritokracisë kundër oligarkisë,  mbi atë se kush meriton më shumë pasi studion më shumë dhe arrin rezultate më të larta. Vetëm nëpërmjet investimit në një shkollë publike të konceptuar kësisoj mund të fillojë të ndërtohet një sistem meritokratik e demokratike që duhet të zëvendësojë sistemin oligarko - mafioze që kemi ndërtuar këta njëzet vjet. (Panorama, 3 qershor 2014)

Read More......

Monday, June 2, 2014

Lazarati - tumori malinj dhe metastazat

Pas ngjarjeve të fundit me trafikun e drogës, që flasin për një përshkallëzim serioz të fenomenit, si dhe instrumentalizimin nga opozita që po na thërret të ngrihemi në këmbë, a thua se na ka ardhur sot bajlozi nga deti kur ai ka qenë i shtruar këmbëkryq këtu prej vitesh, disa kritikë brenda maxhorancës – si Ben Blushi psh. – kanë hedhur idenë se qeveria duhet të veprojë duke ndërhyrë në Lazarat. Kjo do të ishte, sipas tyre, edhe prova se qeveria nuk është e përfshirë në trafikun e drogës.
Duket se nuk ka arsyetim më bindës. Ky do të ishte një operacion që do t’i rriste lart kuotat e qeverisë. Ndërkaq, nga ana e Kryeministrit dhe Ministrit të Brendshëm, qëndrimet janë të kujdesshme. Ata premtojnë për një ndërhyrje, por,… “në kohën e duhur”.
Pse ky hezitim, ndërkohë që ta do mendja se maxhoranca, që kur ishte në opozitë dhe premtonte rilindje, do të duhej ta kishte pasur një plan të qartë për trajtimin e kësaj plage?
Sipas meje një shpjegim i këtij “kujdesi” gjendet në argumentet që dëgjon, edhe nga goja e lazaratasve, se industria e drogës mban me bukë shumicën e familjeve të Jugut. Se nuk janë vetëm banorët e Lazaratit që ushqehen me shitjen 200 euro kg. të kanabisit që kultivohet aty, por edhe familjet e atyre që punojnë me sezone në Lazarat, edhe ata që punojnë në bizneset dhe punët e tjera që kanë këta. Pastaj janë edhe trafikantët që kanë ngritur rrjetin e transportimit të drogës nga Lazarati në Evropë që marrin pjesën e luanit: (thuhet se kjo është 4000 - 200 =3800 euro për kilogram). Dihet se këta kanë investuar; kështu që duhet të llogarisim edhe ata që punojnë në restorantet, hotelet, ndërtimet, dyqanet,  pikat e karburantit – kryesisht vetëm shërbime – që kanë hapur këta për të pastruar paratë e pista. Po ashtu nuk duhet të harrojmë se, pa paranë e gjithë këtyre, do të falimentonin edhe shumë biznese jo të pista, si psh. dyqanet e mallrave të ndryshme, apo klinika private shëndetësore e dentare etj. që i kanë klientë njerëzit që ushqehen direkt apo indirekt nga trafiku. Por edhe bankat  që ruajnë paratë e tyre duhen llogaritur. Jo vetëm, por, për rrjedhojë, edhe vetë taksat që mbledh shteti për të mbajtur administratën do të pakësoheshin. Prandaj, kujdes, të thonë…ndërhyrja në Lazarat do të ishte si operacioni i një tumori malinj, që do të krijonte hemorragji të madhe dhe që, po ashtu, do të lëshonte metastazat e tij tjetërkund, në mënyrë edhe më agresive.
Në të vërtetë pyetja që shtrohet është se cila është vatra e tumorit. Personalisht mbroj tezën se kemi të bëjmë me një tumor që është zhvilluar si rezultat i një mutacioni të sistemit kapitalist që kemi importuar nga ndërhyrja në të e virusit shqiptar. Me “virus shqiptar” kam parasysh si nevojën e mbijetesës së një shoqërie që doli nga diktatura me një ekonomi të mbaruar, prandaj dhe krejtësisht të paaftë për të garuar në tregun e lirë botëror, aq edhe kulturën e pasurimit të shpejtë, me çdo mjet, që u përhap gjatë këtyre njëzet vjetëve me një shpejtësi galopante. Në këtë kuptim tumori i drogës është vetëm një nënvariant i këtij tumori të madh. Edhe korrupsioni kapilar, edhe piramidat financiare,  edhe shkatërrimi i territorit e i natyrës me çimentifikimin e tyre, edhe universitetet private që shesin diploma, edhe stërmbushja e kastravecëve me pesticide edhe… edhe… janë variante të ndryshme të manifestimit të këtij tumori.
Për të vazhduar arsyetimin duhet thënë se kjo ekonomi kriminale ka, si faqe tjetër të medaljes, politikën dhe shtetin kriminal. Avioni që mbeti në Divjakë është vetëm maja e ajsbergut e këtij fenomeni. Në rastin e drogës psh. duhet të kemi parasysh se paraja e pisët ushqen, duke i helmuar, edhe strukturat shtetërore. Ka shumë burime që flasin për lidhje të trafikantëve dhe të parasë së tyre me shtetin, që nga ato me policët dhe shefat e tyre, përgjegjës për të kontrolluar rrugët e territorin, deri lart në partitë politike dhe institucionet shtetërore  ku droga ngjitet nëpërmjet rrugësh të njohura dhe të panjohura, në pikën sa nuk dallohet më se ku mbaron krimi i organizuar dhe ku fillon politika dhe shteti.
Dhe këtu unë gjej shpjegimin e dytë të “kujdesit’ të qeverisë ndaj ndërhyrjes në Lazarat. Ideja se shteti është një gjë dhe krimi i organizuar një gjë tjetër nuk qëndron në rastin Shqipëri. Në Shqipëri nuk mund të flitet, madje, as për segmente të krimit që kanë kapur segmente të shtetit. Krimi dhe shteti në Shqipëri janë në simbiozë, me çka nuk dua të them që çdo shtetar merret me krim, por se  ata nuk mund të qëndrojnë në pushtet pa lidhjet direkt apo indirekt me krimin. Se, në një rreth vicioz, më një anë krimi buron nga një sistem i helmuar politiko – ekonomiko - mediatik dhe, më anë tjetër, ky sistem kriminal gjeneron krim.
Në këto kushte për ndërhyrjen në Lazarat mund ta përdorja atë metaforën sipas së cilës qeveria nuk mund ta luftojnë krimin sepse kjo do të thotë të presë degën e pemës mbi të cilën qëndron. Por kjo metaforë mund të kthehet edhe kokëposhtë e të thuhet se krimi nuk është pema, por është fryti që lind e rritet në pemën monstër të sistemit politiko – ekonomiko - mediatik që kemi ngritur. Dhe prandaj çështja se kush duhet “prerë” bëhet edhe më e ngatërruar sepse, në fakt, bëhet fjalë për çrrënjosje, gjë që s’i intereson as krimit dhe as pushtetit, në fakt krimpushtetit.
Në këto kushte, sipas meje, e vetmja rrugë që ka qeveria është të bëjë sikur po e lufton krimin, gjithë duke vazhduar të ushqehet nga krimi. Duket se ky është shpjegimi më i thellë i “kujdesit” që po tregon qeveria për të ndërhyrë në Lazarat: duhet të kryhet një operacion që do të ketë sa më shumë efekt të jashtëm pa krijuar “hemorragji” të brendshme. Në fakt një nga detyrat më të rëndësishme që kanë politikanët tanë dhe mediet në shërbim të tyre, për të cilën paguhen shumë herë më tepër nga krimi sesa nga paratë publike, është pikërisht krijimi i kësaj fasade. Në këtë lojë hyn edhe teatri maxhorancë opozitë që luhet sa në Parlament e sheshe aq edhe në mediet.  Ndërrimi i roleve në skenat me greva urie dhe çadra pranë Kryeministrisë është shprehja më e padurueshme e këtij spektakli që nuk emocionin më jo vetëm shqiptarët, por as ndërkombëtarët.

Dy fjalë për zgjidhjen

Në këtë pikë jam i sigurt që shumë lexues do të kërkojnë atë që ma kanë kërkuar edhe herë të tjera: zgjidhjen. Mund edhe të më thonë se, duke e përgjithësuar kaq shumë problemin, e fshiva problemin, prandaj gjërat le t’i marrim me radhë. Një operacion në Lazarat, që do të ndërpriste prodhimin e drogës atje, do të ishte një sinjal i fortë edhe në kokën e çdo shqiptari se ka ardhur koha të  mendojnë ndryshe lidhur me pasurimin e shpejtë e me rrugë kriminale.  Jo, me këtë shkrim nuk dua të them se nuk duhet bërë operacioni në Lazarat, por se ky, edhe po u bë, do të jetë një operacion imazhi, që s’duhet të na mashtrojë e se, prandaj, duhet të kërkojmë diçka më të thellë.
Sipas meje zgjidhja duket kërkuar duke qenë të qartë më së pari për tërë kompleksitetin e sëmundjes, si dhe per faktin se kemi një maxhorancë, opozitë dhe medie në shërbim të tyre që punojnë çdo ditë me sloganin “të ndryshojë gjithshka që të mos ndryshojë asgjë”, pra që  nuk kërkojnë zgjidhje, por vetëm pushtet.  
Në kërkim të  zgjidhjes po i referohem një ideje që solli gazetari investigativ, njohës shumë i mirë i lidhjes së krimit të organizuar me politikën në Ballkan, Drew Sullivan në intervistën e tij në Shqip të Rudina Xhungës. Ai e krahasoi Shqipërinë me Çikagon në kohën e Al Capones kur ky ishte aq i fuqishëm saqë, me paratë e tij, mund të blinte politikanët, gjyqtarët, hetuesit, policinë, gazetarët dhe të sundonte pa u prekur. Mënyra që u gjet për ta çrrënjosur këtë sistem në Çikago ishte ndërhyrja nga jashtë. Pra, në atë rast, ishte qeveria federale e SHBA që emëroi disa të paprekshëm dhe të pakorruptueshëm nga sistemi që vepruan për shembjen e tij.
Problemi tek ne është se çfarë mund të bëhet  në një vend i cili është i gjithi Çikago e Al Capones. Nuk mund të reshtim së kërkuari nga njerëzit, veçanërisht nga të rinjtë, kurajë për ta sfiduar këtë sistem nga brenda, por, për të qenë realistë, në një vend që është i gjithi Çikago ndodh një proces paradoksal: sa më shumë që njerëzit ndërgjegjësohen për të keqen që i ka zënë aq më të pafuqishëm ndjehen ndaj saj dhe aq më të prirur i sheh t’i nënshtrohen asaj për shkak të kësaj pafuqie. Situata, në thelb, është e ngjashme me regjimin komunist: njerëzit ishin thuajse të gjithë të vetëdijshëm se ai sistem ishte kundër tyre, por të gjithë punonin për të. E vetmja gjë që prisnin shqiptarët ishte një ndërhyrje nga jashtë që t’i shpëtonte dhe, po ashtu, një zgjidhje individuale: të iknin nga ai vend për të jetuar në një vend normal.

Në fakt zgjidhja “nga jashtë” për të cilët flet Sullivan tregon se sa e vështirë është gjetja e një zgjidhjeje nga brenda në kushte të tilla. Edhe regjimet komuniste nuk do të kishin rënë pa luftën e ftohtë nga jashtë që sigurisht u kombinua edhe me një rezistencë nga brenda. Në Shqipëri zgjidhja erdhi në formën më të keqe sepse rezistenca nga brenda ishte më e dobëta. Virusi shqiptar që prodhoi tumorin që po na mbyt erdhi pikërisht prej kësaj. Edhe ky tumor, sistem i krimit të organizuar që ka kapur shtetin, nuk mund të bjerë pa ndihmën nga jashtë – e në këtë aspekt ndërkombëtarët duhet të mendojnë më seriozisht, sipas meje. për politika më efikase. Por, ndërkaq, sa më e fortë të jetë rezistenca nga brenda aq më shpresa ka që zgjidhja që do të vijë më pas të jetë më e mirë. (Panorama, 29 maj 2014)

Read More......