Tuesday, August 26, 2014

Kush do ta zëvendësojë Fullanin


I kthyer nga pushimet gjeta në komentet e rrjetit social shumë kërkesa lexuesish që më kërkonin të shprehesha mbi çështjen Fullani. Më duhet t'u shpjegoj se gjatë dy javëshit pushime i qëndrova qëllimisht sa më larg atmosferës publike shqiptare, dmth. medieve dhe gazetave, si një nevojë çhelmimi. Dhe më duhet ta pranoj se ndjehesha më mirë, deri edhe fizikisht. Kontakti me natyrën, me malet, me detin është shumë herë më i shëndetshëm në Shqipëri sesa kontakti me njerëzit - veçanërisht me ata që bëjnë jetën publike në vend e me të cilët një gazetar është i detyruar të merret.
Pra, i shtytur edhe nga kjo kërkesë e lexuesit, iu futa me pak vonesë leximit të lajmeve mbi Fullanin dhe më duhet të them se, në një gjysmë dite, u ndjeva më i lodhur dhe më i helmuar nga ç'ndjehesha para pushimeve.
Çfarë t'u them lexuesve pas këtyre leximeve helmuese?
Së pari, jam dakord me ata që vjedhjen e thesarit e kanë konsideruar si "rënie e shtetit". Vjedhja deri edhe në Bankën e Shtetit nënkupton një rënie edhe disa gradë më poshtë të mosbesimit të qytetarit tek institucionet e shtetit tonë në atë humnerën kriminale ku, në fakt, ky shtet gjendet i rënë prej kohësh.
Së dyti, jam dakort edhe me ata që thonë se heshtja dhe mbrojtja e guvernatorit të Bankës - përjashto klithmat teatrale me erë të qelbur selektiviteti të ndonjë socialisti, që, kur vjen puna për fakte që flasin për kriminelë në radhët e tyre në Parlament, s’bëzan fare - ashtu sikurse edhe heshtja e frikshme ndaj vrasjes së drejtuesit të bankës private Credins, Artan Santo, janë heshtje që flasin shumë. Flasin jo vetëm për humnerën ku kemi rënë, por edhe për faktin se kjo klasë politike, punon si një e tërë kur vjen puna për të mos hapur kapakun e kësaj humnere ku na ka hedhur gjatë këtyre 20 e kusur vjetëve në bashkëpunim me oligarkinë e saj.
Së treti, jam dakord me gjithë ata që kërkojnë dorëheqjen e Fullanit dhe të gjithë Këshillit Mbikëqyrës së Bankës. Mund të tirren shumë argumente se sa e si mund të jenë ata përgjegjës për ngjarjen konkrete. Mund të thuhet edhe se ky nuk është skandali më i madh që është bërë në Shqipëri përsa i përket vjedhjes dhe abuzimit me pasurinë e publike. Por, për vetë natyrën e institucionit, ky ka një vlerë simbolike të tillë që perceptohet si pika që mbush kupën.
***
Veçse lidhur me këtë kërkesën e fundit, kam një koment, jo në kontekstin e përforcimit të idesë sime se këtu kemi të bëjmë me dy banda që zëvendësojnë njëra tjetrën, që bëjnë sikur po ndryshojnë gjithçka për të mos ndryshuar asgjë, por duke u thelluar diçka më shumë - pikërisht pas leximit të lajmeve mbi Fullanin, - rreth pyetjes se kush do t'i zëvendësojë këta banditë për të sjellë ndryshimin e vërtetë në Shqipëri?
Më duhet t'i them lexuesit se ajo që më tërhoqi më shumë se gjithçka vëmendjen në lajmet rreth Fullanit ishin ato që flisnin për sistemin e vlerave të të birit. E kam fjalën për ato mburrjet e tij në facebook me ora e makina të shtrenja e më the të thashë. Dhe nuk e shkruaj këtë për të amplifikuar populizmin e atyre që duan të manipulojnë ndjenjat e të varfërve të shumtë të këtij vendi, për interesa personale, ndërkohë që vetë aplikojnë të njëjtat vlera, por për të ngritur një problem që më duket dramatik pikërisht lidhur me atë që thashë më lart: se kush do të sjellë ndryshimin e vërtetë të vlerave në Shqipëri. 
Kam dëgjuar shumë shqiptarë që, kur justifikojnë pisllëqet që u duhet të bëjnë, përveç argumentit se ky është sistemi dhe po nuk iu përshtate atij ai të nxjerr jashtë dhe të le pa bukë,  shtojnë edhe argumentin: "fëmijët". E bëj për fëmijët - të thonë, - të paktën ata të kenë një shkollim të mirë, një të ardhme të sigurt, të rriten pa streset tona etj..
Mua ky argument më ka kujtuar gjithmonë dramën "Franku i V" i Dyrrenmattit. Me dy fjalë ajo që tregon autori është historia e një familjeje bankierësh të cilët, edhe ata, thonë se i kanë bërë punët e pista për fëmijët, që ata të studiojnë në shkollat më të mira etj., etj. Por, kur djalit dhe vajzës iu vjen radha të marrin në drejtim bankën,  ata nuk duken fare më të ndriçuar, përkundrazi, shumë shpejt i ftojnë të atin dhe të ëmën të futen edhe ata në tabutin ku këta kanë futur herë pas here viktimat e tyre të mëparshme. "Ke lexuar ca si shumë libra ti baba, i thotë i biri të atit, nuk je i përshtatshëm për kohën që jetojmë, prandaj futu edhe ti këtu." Këtë më kujtoi historia e të birit të Fullanit dhe ky nuk është problemi i një rasti individual, por drama e rinisë që kemi gatuar dhe po gatuajmë, nga e cila presim pastrimin e kësaj hale shoqërie që kemi krijuar.
Sikurse dihet shumë nga këta fëmijë janë çuar edhe në shkollat më të mira dmth. në ato privatet më të shtrenjta të vendit, madje edhe në ato jashtë. Si ka mundësi, çfarë u mungon atyre për të qenë njerëz me ndjeshmëri dhe interesa të tjera nga pasuria? Si ka mundësi që vijnë nga jashtë me një barrë shkollë dhe bëhen fët e fët shërbëtorë të heshtur të këtij sistemi kriminal? Janë pyetje këto që po i ngre pa e pasur përgjigjen, thjesht duke e kërkuar atë. Në fakt prej kohësh ndjehet nevoja e reflektimit të të rriturve për këtë sepse në asnjë mënyrë nuk mund të akuzohen fëmijët si fajtorë për injorancën dhe varfërinë e tyre shpirtërore.
Në kërkim të përgjigjeve do të rendisja disa faktorë që janë kryesisht kulturorë.
Së pari: invadimi i vendit prej kulturës konsumiste. Ajo bën që objekte të tilla si vilat, makinat, rrobat, çantat, orët e shtrenjta etj. të jenë gjithnjë e më shumë çështje statusi, forma vaniteti për tu dalluar e diferencuar nga të tjerët. Njeriu, e veçanërisht të rinjtë,  vetëdijshëm e pavetëdijshëm manipulohen ditë për ditë prej kësaj kulture, kryesisht nëpërmjet medieve dhe reklamave të tyre, me idenë se duke i pasur këto mund të ndjehen superiorë, prandaj dhe më i lumtur se të tjerët. E ndërkohë që bota ka e çmon edhe vlera të tjera, nga ato që nuk blihen me para, siç janë psh. pasuria e dijeve që zotëron një individ, e ndjenjave, e talenteve, e marrëdhënieve sociale të ndërtuara edhe mbi sinqeritetin e solidaritetin, luftën për të drejta e barazi etj. në këtë shoqërinë tonë karikaturë vlerat e kulturës konsumiste shfaqen në formën më groteske.
Një nga arsyet e kësaj karikature është se për shkak të varfërisë dhe izolmit komunist shqiptarët u gjendën përpara vlerave të konsumizmit si ata indianët e Amerikës që evropianët kolonizues i gënjenin me objekte që s'vlenin një grosh për tu marrë arin. Dhe, ç'është më e keqja, nëse në botën kapitaliste objektet me vlerë blihen kryesisht me punë të ndershme dhe nganjëherë me breza ne vendin tonë obsesioni që tingëllon në veshët e shqiptarëve në formën e pyetjes: çfarë je ti po nuk pate një vilë apo një makinë si kjo, një kostum apo një orë që kushton kaq apo aq etj.? i ka shtyrë shumë syresh deri edhe të vjedhin për t'i bërë sa më shpejt këto "vlera". Grotesku ka arritur deri në atë pikë sa në nga reklamat e shpeshta që sheh në televizionet tona zëri joshës i reklamuesit të tregon një vilë që kushton 500 mijë euro dhe të thotë se kjo është dhurata më e bukur që ti mund t'i bësh njeriut tënd të dashur. Vini re, njerëzit kudo në botën normale punojnë një jetë të tërë për të blerë një shtëpi, për nevojë, kurse këtu ne paskemi kaq shumë milionerë që mund të blekan vila 500 mijë eurosh… për dhuratë!!!
Dhe nuk ka dyshim se të rinjtë, në përgjithësi, janë më të brishtë ndaj tundimeve të këtyre zotëve të rremë.

Në këtë pikë dikush mund të bëjë vërejtjen se nga një i ri në moshën e të birit të Fullanit mund të presim edhe të kundërtën: që të jetë rebel ndaj sistemit të vlerave që përfaqësojnë apo promovojnë prindërit, në emër të idealeve, në kërkim të aventurës… edhe si formë e afirmimit të  vetvetes. Kam parasysh këtu edhe atë thënien e Çurçillit se në moshën njëzet vjeç çdokush duhet të jetë komunist. Pse nuk ndodh kjo në Shqipëri? Përse konformizmi i rinisë sonë me vlerat banale që promovojnë të rriturit është tronditës deri në palcë? Pse nuk ka në Shqipëri konflikt brezash ndërkohë që ecja përpara e njeriut drejt më shumë lirie, njohjeje, krijimtarie ka ardhur edhe nga aftësia e brezave për të konfliktuar me brezat paraardhës në emër të idealeve të reja.
Nuk pretendoj t'i jap përgjigje shteruese kësaj pyetjeje, por do të veçoja tre arsye:
Së pari, kjo ndodh sepse ne kemi mbetur një shoqëri tejet autoritare e patriarkale, që vazhdon t'i mësojë fëmijët me nënshtrimin dhe përshtatjen që në vezë. Kjo e bën të vështirë edhe pasjen dhe kultivimin e një mendimi ndryshe nga ai mbizotërues i "atit".
Së dyti, sepse vazhdojmë të jemi një familje klanore, ku identifikimi me klanin, familjen është shumë më i rëndësishëm sesa personaliteti dhe individualiteti i individit. Në botën e lirë i nxjerrin fëmijët shumë herët në jetë të sigurojnë vetë bukën e gojës, të krijojnë pavarësinë dhe personalitetin e tyre, edhe kur i kanë mundësitë t'i mbajnë, kurse tek ne fëmija duhet të jetë në varësi dhe shërbim të klanit, prandaj dhe të ndajë e ruajë të njëjtin moral e vlera me të.
Së treti, sepse mbetemi një shoqëri e varfër që zhvillon një kulturë mbijetese. Dhe "mbijetesë do të thotë bashkëpunim" - thotë Imre Kertesz - në këtë rast me sistemin që të jep bukë. Edhe fëmijët trashëgojnë këtë kulturë mbijetese që në familje. Prindërit bashkëpunojnë me sistemin e madh - me më të fortin - nëpërmjet nënshtrimit, korrupsionit, gënjeshtrës, hipokrizisë etj., dhe fëmijët imitojnë prindërit që në familje duke mbetur të lidhur pas parave që sigurojnë prindërit në këtë sistem. Kjo kulturë e mbijetesës bën që kultura që nxit vlerat e sakrificës, e sinqeritetit, e të qenit me të dobëtin, me të humburin, të mos gëzojë pikë popullariteti.
Janë këto disa arsye pse, siç thotë edhe Konica, "Në Shqipëri nuk ka të rinj, por ca që kanë lindur më parë dhe ca që kanë lindur më prapa".
***
Ç'duhet të bëjmë për të pasur të rinj ndryshe që të ndryshojnë Shqipërinë?
Përgjigja që mund të jap, gjithmonë në formën e kësaj sprove të shkurtër, lidhet pikërisht me problemet që identifikova.
Së pari, duhet të luftojmë autoritarizmin që në familje - dhe kjo kërkon prindër mendjehapur që nuk synojnë të sundojnë, por të edukojnë fëmijë të lirë.
Së dyti, duhet të ndërtojmë individë që mendojnë me kokën e tyre, me aftësi kritike dhe krijuese, kundërshtarë të një edukimi që synon të rrisë skllevër bij skllevërish, siç është ky i yni. Dhe kjo kërkon investim serioz në sistemin arsimor, që në shkollat fillore më së pari.
Duhet të ndërtojmë një ekonomi të shëndoshë që t'i bëjë njerëzit sa më të pavarur, por edhe me shumë më tepër mundësi që të mendojnë për plane afatgjata dhe jo sot për nesër. E këtu, për hir të së vërtetës, duhet thënë se sistemi neoliberist që kemi aplikuar ne në formën më radikale, ka shfaqur problemet e veta edhe në botën më të zhvilluar duke nxitur edhe ai, nëpërmjet pasigurisë për të nesërmen, kulturën e mbijetesës që i çon njerëzit tek përshtatja dhe bashkëpunimi me sistemin dhe jo kontestimi i tij. Prandaj dhe është shumë e nevojshme që, veçanërisht të rinjtë, të gëzojnë përfitimet e një shteti social që u siguron atyre sigurinë e jetës në kohën e formimit.
Dhe së fundi, por jo për nga rëndësia, duhet të marrim masa urgjente kundër kulturës konsumiste që ka uzurpuar hapësirën publike për interesat e një pakice në mënyrën më skandaloze. Kjo presupozon ndryshime serioze në mjetet e informimit e edukimit dhe ato të komunikimit të vendit, media, gazetat, etj. në emër të kultivimit të asaj kulture që promovon vlerat shpirtërore, marrëdhëniet njerëzore të solidaritetit e sinqeritetit, dashurisë së njeriut për njeriun, të respektit për publiken etj..
Përndryshe, "bijtë e Fullanit" do të na ftojnë shumë shpejt të futemi kokulur në tabutin ku ne kemi futur paraardhësit tanë, duke na thënë me qesëndi se na ka mbetur ende një fije yndyre - pasi kemi lexuar edhe ndonjë libër - kurse sistemi i tyre i do njerëzit pa yndyrë fare. (Panorama, 18 gusht 2014)

Read More......

Lejet e Bashkisë - "Si ka mundësi?!"



Bashkia e Tiranës, që për shumicën do të thotë Lulzim Basha, por edhe Partia Demokratike në opozitë, ka dhënë kohët e fundit disa leje ndërtimi që të shastisin me absurditetin e tyre. Dhe ky absurditet, nuk është thjesht në letër, në formë projektesh, por po shpaloset në trupin e Tiranës me shpejtësinë e një kanceri galopant.
Para disa ditësh, në kërkim parkimi, më ndodhi të futem në një rrugicë të një lagjeje të vjetër të Tiranës, në qendër, ku nuk kalojnë dot dy makina dhe pashë se rrugën ma kishte bllokuar një kamion i stërmadh që po bënte disa manovrime të çuditshme për të hyrë në një zgëqe. "Po ky ç'do këtu?" - thashë me vete. Prita deri sa mbaroi manovrimet dhe, për çudinë time, vura re nuk eci përpara, por u fut i tëri tek ajo zgëqja. Vetëm kur kalova aty arrita të kuptoja se ç'punë mund të kishte një kamion aq i madh në një zgëqe të atillë.
"Si ka mundësi!" - qe shprehja që më doli vetvetiu.
Ishte një superkamion nga ato të firmave të ndërtimit që sillte material për të hedhur beton, a nuk e di, në një gropë që ishte hapur e freskët në truallin e një ish shtëpie njëkatëshe e kthyer tashmë në një gropë ku po hidheshin themelet e… një pallati… tetë-nëntë katesh. Pashë edhe tabelën atje me pamjen e pallatit… nuk qe ndërtim nga ata pa leje.
Mund të them se  ajo që më panë sytë qe provë e asaj  se idiotësia, makutllëku dhe harbutësia nuk e kanë humbur vetinë për të të çmeritur akoma në këtë fushë të aktivitetit tonë kryesor ekonomik të këtyre njëzet vjetëve: ndërtimet. Ishte diçka edhe më tmerruese se ai projekti për ndërtimet e shumëkatësheve tek Liqeni që po denoncohet së fundi. Ose më mirë të them i një natyre tjetër tmerruese. Sepse ai projekti i Liqenit, kërkon një minimum fantazie për të kuptuar absurditetin e investimit dhe kriminalitetin ndaj hapësirave të gjelbëra të kryeqytetit, pasi atje nuk ka dhe aq afër ndonjë ndërtesë banimi e mund t'i gënjesh njerëzit duke u thënë se do bëhet një kompleks modern, që s'do t'ju prishë punë ju të tjerëve që banoni rrotull. Kurse pallati që kishte filluar të ndërtohej aty nuk fliste, por ulërinte në absurditetin dhe kriminalitetin e vet urban. Ai do të futej si pykë në trekëndëshin midis dy pallatesh të tjerë që ishin aq pranë sa rrethimi i gropës që qe hapur nuk ishte më larg se dy metra nga njëri prej këtyre pallateve. Kush e ka parë dhe është ankuar për një gropë të tmerrshme në hyrje të rrugës së Elbasanit në truallin e një shtëpie njëkatëshe ku do të ndërtohet një  nëntëkatësh që do t'ia marrë dellin, dritën, e frymën pallatit prapa saj e shtëpive përreth, mund t'i them se është lule përpara asaj që pashë. Lule mund të duket  madje edhe një monstruozitet që sapo është ngritur prapa ish Lidhjes së Shkrimtarëve në rrugën e Kavajës, sigurisht me lejen e Bashkisë.
"Si ka mundësi?!"
Të del kjo klithmë habitore sepse edhe qorri i qorrave të qorrave, pas katrahurës që është bërë, e sheh se Tirana sot, veçanërisht qendra, ka nevojë për frymëmarrje, gjelbërim, parqe lulishte, rikualifikim dhe jo për të mbushur me pallate të larta edhe ato pak hapësira të ulta që kanë mbetur. Aq më tepër kur ke parasysh se ndoshta gjysma e ndërtimeve që janë bërë në Tiranë e rrethinat e saj janë pa shitur ose pa mbaruar.
Të del klithma "Si ka mundësi?!" duke pasur parasysh  se janë bërë tërë ato betime nga kryebashkiaku i radhës për mbrojtjen dhe gjelbërimin e qytetin kundër çimentifikimit të tij të mëtejshëm.
Të del kjo klithmë sepse çmeritesh se si këta njerëz nuk kanë as pikën e pikës së turpit, për të ngrënë fjalët e dhënë publikisht para gjithë shqiptarëve.
Të del kjo klithmë kur sheh se si nuk bëjnë një gjë, po një gjë e vetme, që të mos jetë në interes të atyre me të cilët ndajnë lekët apo u sponsorizojnë partinë?
Të del kjo klithmë kur mendon mallkimet që do tu vijnë nga fëmijët e këtij qytet, kur të bëhen të rritur, për atë që s'u lanë një fushë sporti, një lulishte, një park lojërash, një oborr normal shkolle.
Të del kjo klithmë pasi çmeritesh se si nuk del një arkitekt apo urbanist apo një njeri i vetëm, atje ku gatuhen këto krime, që të kundërshtojë e të japë dorëheqjen - sa për të treguar se në këtë vend ka mbetur sadopak ndershmëri e pofesionalitet sa për të mbajur gjallë shpresën?
Të del kjo klithmë edhe duke menduar se një akt i tillë i Kryetarit të Bashkisë është edhe vetëvrasje politike për vete dhe partinë e tij. Sepse me këto leje PD-ja humbet edhe arsyen e  fundit të ekzistencës pasi vërtetoi edhe përpara zgjedhësit më naiv se përtej retorikave elektorale me trafikantë dhe antitrafikantë droge e prostitutash në prapaskenë luhet një lojë e pisët interesash banale të një grupi që ka një parti të vetme, lekun,  dhe se në këtë rast  s'ka burrë që mund tu mbushë më mendjen njerëzve se Kryetari nuk ka bërë hesap të marrë 20%-shet për të cilët akuzonte Ramën duke i bërë naftën jo vetëm Bashkisë, jo vetëm PD-së, që me këto akte, por edhe Shqipërisë.
Por "si ka mundësi" - ja më e dhimbshme që të del nga shpirti është ajo që ka të bëjë me nënshtrimin e njerëzve. Si ka mundësi që këta njerëz durojnë që t'u ngresh një pallat mu tek hunda, që do tu marrë qiellin, diellin, dritën, ajrin, frymën atyre dhe fëmijëve të tyre, që do t'i lerë pa gjumë me zhurmat e ndërtimit natën dhe ditën, e nuk bëzajnë. Si ka mundësi që e durojnë këtë poshtërim, këtë masakrim këtë shkatërrim këtë shëmtim dhe nuk ngrihen në këmbë, për të protestuar, deri edhe për të shkatërruar betonierat e fadromat e këtyre banditëve, siç shohim të ngrihen në çdo vend ku ka sadopak ndjenjë qytetarie?! (Panorama, 25 gusht 2014)

Read More......

Sunday, August 17, 2014

Skenari i arrestimeve më duket mjaft problematik


Analisti Fatos Lubonja ka komentuar arrestimet e fundit të 40 kosovarëve duke thënë se vet skenari i paraburgosjeve është problematik.

Sipas tij, aksioni ishte një version i ekzagjeruar i cfarë ka ndodhur në Shqipëri disa kohë më parë.
Më ngjason me një version të ekzagjeruar të atij që u krye në Shqipëri para disa kohësh ku akuza ndaj të arrestuarve pak a shumë ishte për rekrutim njerëzish për të shkuar në Irak. Mirëpo nuk di se sa mund të jetë përgjegjës ligjërisht dikush për atë se i mbush mendjen një të rrituri që të shkojë në Siri të luftojë kundër Asadit. Mua kjo më kujton nenin e Agjitacionit dhe Propagandës në kohën e regjimit diktatorial”, thotë ai.
Por, Lubonja është kundër përfshirjes së shqiptarëve në luftëra të tilla.
“Pa dyshim jam krejtësisht kundër që qytetarë të çdo vendi -jo më shqiptarë - të shkojnë të përfshihen në një luftë e të vrasin njerëz apo të vriten ata vetë. E shoh këtë me trishtim dhe dhimbje”, thekson Lubonja.
Sipas tij, arrestimet mbajnë erë “luftë parandaluese” dhe lehtë mund të konsiderohet se Shteti i Kosovës po ushtron terror ndaj komunitetit mysliman në interes të amerikanëve.

Express: Si e shihni aksionin e Policisë së Kosovës e cila arrestoi 40 kosovarë nën dyshimin se janë të përfshirë në vepra terroriste?
F. Lubonja: Lexova me vëmendje lajmet e botuara veçanërisht në Express dhe, si aktivist i vjetër i të drejtave të njeriut, e para gjë që më erdhi ndërmend qe një thënie e gazetarit italian Montanelli: "Kur fillon një gjueti shtrigash, unë shkoj e pyes të parën shtrigën". Nuk pashë një zë që të përfaqësojë atje të arrestuarit - përveç ndonjë të penduari - në mënyrë që, duke dëgjuar edhe palën tjetër, të kuptojmë ca më mirë se për çfarë bëhet fjalë. Edhe kjo ndikon që unë ta kem të vështirë të kuptoj se çfarë quani ju "ekstremizëm islamik" në Kosovë për të mundur të ndaj pastaj atë që mund të quhet rritje e fundamentalizmit islamik në Kosovë nga një vepër penale siç është krimi terrorit. Sepse sapo jam kthyer nga një udhëtim pesë ditor në një pjesë të Kosovës dhe nuk mu duk se ndjeva aty ndonjë fundamentalizëm apo ekstremizëm islamik në veprim.
Pa dyshim jam krejtësisht kundër që qytetarë të çdo vendi - e jo më shqiptarë - të shkojnë të përfshihen në një luftë e të vrasin njerëz apo të vriten ata vetë. E shoh këtë me trishtim dhe dhimbje. Por, përtej kësaj, skenari i arrestimeve më duket mjaft problematik. Më ngjason me një version të ekzagjeruar të atij që u krye në Shqipëri para disa kohësh ku akuza ndaj të arrestuarve pak a shumë ishte për rekrutim njerëzish për të shkuar në Irak. Mirëpo nuk di se sa mund të jetë përgjegjës ligjërisht dikush për atë se i mbush mendjen një të rrituri që të shkojë në Siri të luftojë kundër Asadit. Mua kjo më kujton nenin e Agjitacionit dhe Propagandës në kohën e regjimit diktatorial. Po ashtu nuk di se sa mund të futet në kodin penal të një vendi si krim akti i një qytetari që shkon për t’u përfshirë në luftën civile të një vendi tjetër në emër të një çështje që është në kundërshtim me politikat e maxhorancave në pushtet në vendin e tij. Aq më tepër kur, siç e dimë, Amerikanët vetë po përgatiteshin të futeshin në luftë kundër Asadit dhe janë futur jo në pak luftëra nëpër botë. Ajo që po ndodh sot në Irak është pasojë e një lufte që e kanë quajtur të gabuar vetë amerikanët që e filluan? Ju kujtoj psh. se talebanët një herë ishin heronj, kur luftonin në Afganistan kundër BS në interesa të SHBA, pastaj u bënë armiq kur luftuan kundër SHBA. Pra, kush e përcakton nga pikëpamja e të drejtës ndërkombëtare se cila është ajo luftë që njërin e bën hero dhe shpëtimtar dhe një tjetër vrasës dhe terrorist? A mjaftojnë për këtë interesat një vendi apo një tjetri?
Prandaj luftërat, sipas meje, duhen parë gjithnjë si rrezik ngado që të vijnë, si burim dhune dhe pushtetesh të dhunshme. Duke u nisur edhe nga kjo, ndoshta gabohem, por mua më duket se edhe këta arrestime mbajnë erë "luftë parandaluese" që është shumë e rrezikshme sepse në këtë rast e drejta mund të kalojë kollaj në anën tjetër; pra që të konsiderohet shteti i Kosovës se po ushtron ai terror në interes të amerikanëve dhe të elitës së vet politike mbi qytetarët e vet duke frikësuar një komunitet të tërë mysliman.
Express: Si e shihni rolin e Shtetit të Kosovës, Bashkësisë Islame dhe shoqërisë kosovare sa i përket trajtimit të ekstremistëve islamik të cilët po shndërrohen edhe në terroristë me pjesëmarrjen në luftërat sektare në Siri e Irak?
F. Lubonja: Për aq sa ç'është ky fenomen i përhapur mendoj se ai duhet analizuar me kujdes nga të gjithë aktorët. Duhet të kërkohet më së pari njohja dhe kuptimi i fenomenit nëpërmjet dialogut midis palëve. Nëse fenomeni është shumë i përhapur - çka, siç e thashë, nuk më duket, - ose ka prirjen të përhapet, atëherë një nga pyetjet që duhet ngritur është ajo se çfarë u mungon në Kosovë këtyre të rinjve jo vetëm nga pikëpamja materiale, por edhe shpirtërore. Psh., pse është zbehur kaq shumë dhe kaq shpejt, në favor të ndjenjave fetare mbinacionale, gjithë ai entuziazëm nacionalist i shqiptarëve për të pasur shtetin e tyre të pavarur apo ai për bashkimin me Shqipërinë, për çka ishin të gatshëm të vriteshin jo më larg se edhe dhjetë vjet më parë. Ndërkaq, nga sa shoh, nuk po ndodh kjo përpjekje për këtë dialog e kuptim, por imponimi i më të fortit me dhunë e me arrestime masive, izolimi apo vetizolimi i atyre që mendojnë ndryshe, që pastaj krijon frustrime që zakonisht çojnë në probleme edhe më të mëdha.
Express: Tash e tutje si duhet të sillet Shteti i Kosovës por edhe Shqipëria ndaj ekstremizmit islamik që po duket se ka vendosur rrënjë ndër shqiptarë si në Kosovë, Maqedoni e edhenë Shqipëri?
F. Lubonja: Nuk jam në gjendje të përcaktoj se në çfarë shkalle ka hedhur rrënjë në Kosovë ai rrezik që e quajtët "ekstremizmi islamik", por për në Shqipëri, që e jetoj përditë, di të them se shumë herë më i rrezikshëm sesa çdo gjë tjetër është krimi i organizuar dhe i paorganizuar që ka kapur edhe shtetin. Ka shumë herë më tepër shqiptarë që i vret ky krim sesa shqiptarë që vriten në Siri apo Irak. Madje edhe ikja në Siri apo Irak e disa pakëve, - ndërkohë që shumica përsëri aspirojnë të ikin në Perëndim - nuk është pa lidhje me këtë kancer dëshpërimi që lëshon metastaza përditë ne vend. Nga sa di ky kancer është i përhapur mjaft edhe në Kosovë dhe dyshoj se ky lloj operacioni është i lidhur edhe me nevojën e elitës në pushtet për të hequr vëmendjen prej tij.
Mendoj se Shqipëria dhe Kosova nuk duhet kurrsesi të humbasin orientimin përdrejt disa vlerave Evropiane edhe si vende aspirues për t’u bërë pjesë e kësaj familjeje. Por vlerat evropiane nuk duhen konfonduar me servilizmin ndaj Evropës apo SHBA-së për të siguruar mbështetjen e tyre e për tu sjellë brenda vendit kundra këtyre vlerave. Prej kohësh kam shkruar, duke u nisur edhe nga përvoja e mjaft vendeve, ku së fundi janë rrëzuar elitat politike pro perëndimore nga lëvizje popullore që kanë pasur në gjirin e tyre edhe parti islamike, se islami mund të bëhet streha dhe feja e të varfërve e të instrumentalizohet pastaj kundër elitave të super korruptuara pro perëndimore që sundojnë botën shqiptare. Një nga vlerat kryesore evropiane është shteti i së drejtës, që elitat tona properëndimore nuk e kanë aspak për qejf, pasi duan pushtetin e personit. Një vlerë tjetër evropiane është respekti i tjetrit dhe dialogu me të, që përsëri elitat tona properëndimore nuk e parapëlqejnë. E njëjta gjë mund të huhet për atë që quhet shtet social që kujdeset për tu krijuar mundësi të gjithëve, çka përsëri ne nuk e kemi për zemër se preferojmë pabarazinë dhe sundimin e të fortit mbi të dobëtin. Po kështu mund të flitet edhe për barazinë e burrit me gruan e vlera të tjera të rëndësishme që në shoqërinë tonë injorohen. Sipas meje një sjellje respektuese ndaj këtyre vlerave është qasja më e mirë për të bërë që edhe bashkësia islame të jetë më e hapur ndaj të tjerëve pra edhe për të evituar radikalizmat e ekstremizmat e çdo lloji, ndër to edhe ato fetare.
Nëse këto vlera injorohen nga elitapolitike që mendojnë se u mjafton mbështetja perëndimore për të sunduar një popull atëherë mund fare mirë të vijë një ditë kur, feja islame të instrumentalizohet për të përmbysur këto elita të korruptuara. Dhe përvoja tregon se nga këto situata nuk mund të na shpëtojnë as vëllezërit e mëdhenj amerikan apo evropianë të cilët, nga sa duket edhe gjetkë, nuk se kanë nxjerrë mësim sa duhet lidhur me përkrahjet që u kanë dhënë, për interesat e tyre, elitave të korruptuara dhe autoritare në vende si këta. (Gazeta Express, 17 gusht 2014) 

Read More......

Saturday, August 16, 2014

Numri IMEI dhe qimja në tra


Lexova para disa ditësh, nëpërmjet rrjetit, një përgjigje shpjeguese që ka dhënë zëdhënësja e ministres Harito, pas kërkesës së gazetarit Gjergj Erebara, lidhur me projekt vendimin për të detyruar qytetarët që të japin numrin IMEI të celularit.
Ishte një shpjegim që nuk më bindi aspak ta jap numrin IMEI të celularit im. Po jap këtu disa nga argumentet që më lindën aty për aty.
Së pari më ra në sy se në atë tekst nuk denjohej, edhe për respekt të shqetësimit që përmban kjo kërkese e qeverisë, të thuhej qoftë edhe një fjalë e vetme për faktin se cënimi i privatësisë, gjithsesi, është një problem. Madje nga më të debatuarit sot pikërisht në botën që përmendet aty si argumenti i parë duke thënë se kështu bëhet edhe në Francë apo gjetkë. Nuk po hyj ta trajtoj këtu tematikën e privatësisë kaq pak të respektuar në Shqipëri, por me dy fjalë do të thoja se çështja përmblidhet në atë se duhet të ketë gjithnjë një raport bindës në favor të përfitimeve që kemi kur vendosim të japim diçka nga privatësia jonë. Dhe duke pasur parasysh se, siç shkruajnë mjaft autorë që janë marrë me këtë temë, dhënia e numrit IMEI-t bën që jeta jonë private të bëhet një libër i hapur për institucionin që do të ngarkojë qeveria me këtë punë, problemi nuk është i vogël. Sa për ilustrim po them vetëm një rast. Selman Ruzhdiu, edhepse i kërcënuar me jetë, bëri si bëri dhe e çliroi veten nga skorta që e shoqëronte gjithkund që të gëzonte privatësinë e tij. Kurse ne po na propozohet një "skortë" elektronike që supozohet se mund të na shoqërojë hap pas hapi për të na mbrojtur… nga çfarë?
E këtu vijmë tek argumentet që jep shpjegimi që lexova.
Argumenti i parë është se "Telefonat celularë smartphone kanë shumë vlerë në treg. Për rrjedhojë janë objekt vjedhjeje dhe vjedhjet krijojnë një treg informal e mbajnë gjallë rrjete kriminale."  Siç e kuptoj unë këtë frazë celularët mund të vidhen që të tregtohen dhe kjo mban gjallë me para hajdutët e celularëve. Mua më duket se ky argument mund të bëjë për të qeshur edhe vetë hajdutët e celularëve sepse kjo është vjedhja më banale që mund të ndodhë në këtë vend ku për të bërë para nga Veriu në Jug shqiptarët kanë regëtuar deri edhe njerëzit, kanë mbjellë marjoanë e çfarë nuk kanë bërë. Bën për të qeshur edhe më ata që celularët i ndërrojnë si fëmijët lodrat, për të blerë atë më të shtrenjtin e radhës. A nuk gjeti qeveria ndonjë regjistrim më të rëndësishëm sesa ky për të luftuar krimin? Psh. llojet e makinave që kanë në përdorim qytetarët apo numrat e shtëpive e apartamenteve që zotërojnë në mënyrë që t'i ballafaqojë pastaj me të ardhurat që fitojnë ligjërisht që të justifikojnë këtë pasuri si dhe taksat që kanë paguar mbi këto të ardhura?
Por, në parim, edhe sikur celulari e rrobat e trupit t'i kemi të gjitha prej ari a ia vjen të japim privatësinë tonë për t'i ruajtur ato nga vjedhësit? Për mua kjo është sikur, meqenëse ti ke në shtëpi sende të shtrenjta, qeveria të vendosë që nëpër të gjitha dhomat e shtëpisë tënde të ketë kamera që do të kontrollohen nga një ekip në Ministrinë e Brendshme në mënyrë që, nëse hyn e të vjedh ndonjë hajdut, ta kapë  që të luftojë kështu kriminalitetin. A ia vlen kjo mbrojtje kur ti jeton me idenë se gjatë kohës kur në shtëpinë tënde nuk do të shëtisin hajdutë këta të ekipit mund të kullosin sytë duke parë se çfarë stilesh përdori ti për të bërë seks, me kë e bën atë, me bashkëshortin/en apo me ndonjë tjetër, se si e ke stilin e urinimit, të dhjerjes e me radhë e me radhë. Dhe pastaj, me idenë se po pate ndonjë pretendim politik apo bën ndonjë punë që s'i pëlqen qeverisë ata e kanë atje filmin e mund të ta nxjerrin.
Pra, lidhur me argumentin e parë do të thoja se është më mirë të na e vjedhin celularin hajdutët për ta regëtuar sesa të hapim librin e jetës tonë private për të ruajtur celularin.

Një arsye e dytë që na jep shpjegimi është se regjistrimi i numrave IMEI ndikon ne pakësimin e tregut informal, i cili është mjaft i zhvilluar në Shqipëri. Sepse - thotë shpjegimi - "ne kemi njerëz sot që shkojnë për turizëm ose për punë në Amerikë dhe blejnë një telefon, ku siç dihet kushton më lirë se sa në vende të tjera, dhe mund të blejnë 10 a më shumë telefona të cilët i sjellin në Shqipëri dhe i shesin. Në këtë rast aparatet hyjnë të pa taksuar, shteti nuk përfiton asnjë qindarkë dhe konkurrohen në mënyrë të padrejtë  edhe bizneset e rregullta."
Mua edhe ky argument më duket për të qeshur. Po pse ata 10 celularët që sillka nga Amerika një person qenkan problemi më i madh me informalitetin që paska ky shteti ynë? Pastaj, për këtë punë a nuk ka të tjera organe që duhet të merren, siç janë kontrollet doganore si këtu edhe në SHBA.

Arsyeja e tretë qenka lufta kundër krimit të organizuar që kërcënuaka sigurinë tonë kombëtare. Sepse - gjithë sipas shpjegimit - "krimi i organizuar përdor gjerësisht komunikimet elektronike për veprimtaritë e veta joligjore."
Edhe ky argument çalon për të mos thënë se është pa këmbë fare. Sa për mjete elektronike krimineli i organizuar mund të përdorë kompiutera edhe në këtë rast jo të tij, por ata të shumtë që ndodhen në publik.
Nga sa di unë ne kemi të detyruar me ligj regjistrimin e numrit të celularit. Kjo krijon edhe mundësinë për të lokalizuar vendin se ku është ndodhur celulari në një moment të caktuar psh. pasi ka ndodhur ndonjë krim apo njeriu ka pësuar ndonjë aksident - e në këtë rast, megjithë problemin, mund të thuash se ia vlen barra qiranë. Po ashtu, sipas ligjit, në rastet kur për përdoruesin e celularit ka të dhëna që justifikojnë përgjimin e telefonatave të tij atij dhe mund t'i përgjohen telefonatat, me vendim të Gjykatës, pasi ai përbën rrezik për të tjerët. Por do të thoja se krijimi i mundësisë për të dëgjuar në çdo moment se çfarë po flet, siç duket se mund të ndodhë nëse ke dhënë numrin IMEI, më duket i tepërt edhe kur bëhet fjalë për një kriminel.
Këtu mbarojnë argumentet shpjeguese të zëdhënëses së Ministres, krejtësisht jo bindëse dhe të pamjaftueshme sipas meje.
Këtu për mua fillojnë disa kundërargumente që janë shumë të rëndësishëm duke pasur parasysh kontekstin shqiptar veçanërisht.
Së pari, në shpjegimin e dhënë harrohet se në këtë vendin tonë kemi mbi njëzet vjet që nuk gjejmë dot një gjykatës e prokuror të paanshëm, një kryetar të komisioni zgjedhor të paanshëm as edhe një drejtor televizioni publik të paanshëm. Harrohet se edhe armët e plumbat e 21 janarit Prokuroria i dërgoi në Amerikë për ekspertizë të paanshme, pasi ekspertiza, sipas ligjit tonë, duhet të bëhej nga Ministria e Brendshme që nuk ishte e besueshme, pasi në duart e maxhorancës së radhës. Harrohet se para ndonjë viti e ca kjo maxhorancë ka akuzuar Ministrinë e Mbrojtjes se ka përgjuar opozitën duke keqpërdorur teknologjinë që duhej për të tjera punë.
Pra pyetja që të vjen natyrshëm është: kë paska ndërmend qeveria të vendosë në krye të këtij institucioni që mund të dijë jetën private të të gjithë shqiptarëve e njëherësh të na japë sigurinë se maxhoranca e radhës nuk do të abuzojë në mënyrë selektive? Unë për vete nuk besoj se ka ardhur një moment i tillë. Dhe për këtë mbështetem edhe në faktin se ne sot kemi një maxhorancë që ka ardhur në pushtet me parullën: le të bashkohen të gjithë plehrat për të rrëzuar Berishën; një maxhorancë të cilës ka kaq kohë që i kërkohet se pse ka futur në Parlament kriminelë të dënuar nga gjykata dhe nuk jep shpjegime. A mund të ndjehemi ne të sigurt që të japim të dhënat e jetës private  në duart e ndonjë krimineli apo plehëro që është marrë me drogë e krim apo që e ka diplomën të falsifikuar siç po dalin sot shumë drejtues të maxhorancës së re? A nuk duhet të trembemi se nesër këta mund të thonë se duhet të përdorim çdo mjet që të mos rikthehet Berisha në pushtet dhe ndër këta mjete mund të jenë edhe përgjimet e cilitdo qytetar që është i pakënaqur nga qeveria? Dhe a nuk mund të na çojë kjo deri edhe tek përgjimet e vetë njerëzve të maxhrancës sipas një sindrome paranojake që e kemi të trashëguar nga regjmi i kaluar?
Po shtoj edhe më: shpjegimi i zëdhënëses së ministres harron se, jo më larg se dy javë më parë, u zbulua se njerëzit e institucionit që duhet të konsiderohej si më i sigurti, Banka Kombëtare, na paskan vjedhur paratë e thesarit. Mos harroni, o njerëz, se ne në celularet smartphone kemi të regjistruara edhe të dhënat a kartave të kreditit me të cilat blejmë on line. A do të donit ju t'ia jepnit mundësinë për të blerë me kartat tuaja të kreditit një institucioni qeveritar shqiptar? Personalisht jo. Po vazhdoj edhe më tej: ne kemi sot prokurorë e policë që, si pa gjë të keq, nxjerrin sekretet e hetimeve dhe ua shesin gazetave për lekë. A do të donit ju tua jepnit të dhënat tuaja private një ekipi që nesër mund t'ia shesë ato gazetës së parë. Personalisht jo.
Si përfundim
do të thoja se ky projekt vendim i qeverisë në rastin më të mirë më ngjan me një makijazh që kërkohet t'i bëhet përbindëshit që kemi krijuar këta njëzet e kusur vjet duke i prerë pak qimet e mjekrës, por duke ia lënë çatallët e kthetrat të paprekura kurse në rastin më të keq është djallëzia e vetë këtij përbindëshi, për të na sunduar e poshtërua e vjedhur edhe më keq.
Historia jonë e deritanishme ka treguar se krimi më i organizuar në Shqipëri, që e ka kërcënuar dhe kërcënon seriozisht tërë kombin, elektronikisht dhe jo elektronikisht, me celular dhe pa celular, ka qenë dhe mbetet shteti me në krye qeverinë e tij dhe kryeministrin e tij. Nuk mundet një maxhorancë që ka vetëm një vit që ka ardhur në pushtet të na bindë se paska ardhur momenti i fitores së drejtësisë në këtë vend e të na kërkojë kaq shumë. Përkundrazi ajo që ne na duhet urgjentisht është se si të kontrollojmë ne ministrat e kryeministrat tanë. Ajo që ne na duhet urgjentisht të kontrollojmë është financimi i partive tona. Meqë ra fjala Kryeministri i radhës ka bërë një goxha restaurim të Kryeministrisë nga brenda dhe të rrethinave të saj nga jashtë dhe thuhet se ky është bërë kundra ligjit se pa tender, jo nga para publike, por nga ndonjë oligark i radhës që pret shpërblimin e radhës, minimalisht të mos paguajë taksën e radhës. Dhe shuma e harxhuar me siguri është shumë më e majme sesa ato taksat që duhet të paguajnë ata që shesin 10 celularë të sjellë me valixhe nga Amerika. Le të na sqarojë më së pari Ministrja Harito apo Ministri Cani se si është kjo punë përpara se të na kërkojnë qimen në tra. Dhe më në përgjithësi le të bëjë më së pari kjo maxhorancë ligje që do të forconin kontrollet e konfliktit të interesave, ligje që do të forconin pavarësinë e institucioneve që duhet të jenë të pavarura prej pushteteve të tyre, le të tregojë me punë e vepra se paranë e taksapaguesit nuk e përdor për ta futur në xhepat e veta e për ta ndarë me oligarkët e vet, por për t'i shërbyer qytetarit dhe vetëm atëhere, kur të shohë se qytetarët kanë më shumë besim tek shteti, të kërkojë edhe gjëra që sot për sot ata i shohin me frikë dhe mosbesim të madh. (Panorama, 13 gusht 2014)

Read More......